Sot, 15 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mendimet e politikanëve, ekspertëve, analistëve dhe publikut të gjerë janë të ndryshme
SHKUP – Marrëveshja Kornizë e Ohrit e cila u nënshkrua më datë 13 gusht të vitit 2001 është një marrëveshje për sigurimin e të ardhmes dhe demokracisë në Maqedoni, si dhe mundësimin e zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara ndërmjet Maqedonisë dhe bashkësisë euro-atlantike, si dhe promovimin e zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të vendit.
Sot, 15 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mendimet e politikanëve, ekspertëve, analistëve dhe publikut të gjerë janë të ndryshme. Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) disa prej tyre thonë se kjo marrëveshje ka kontribuar në ndërtimin e një shteti dhe shoqërie multi-etnike, e cila garanton dhe promovon të drejtat e komuniteteve etnike pakicë, ndërkohë disa të tjerë mendojnë se ende duhet të implementohen disa çështje të marrëveshjes.
– Festim Halili: Marrëveshja e Ohrit është bërë një kujdestar i paqes në Maqedoni –
Zv.kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, i cili këtë dokument e konsideron si “fillim i një shtetformësie të re të Maqedonisë dhe marrëdhënieve mes popujve të cilat deri atëherë shiheshin me shumë pak besim të ndërsjellë”, thotë se ky dokument tanimë është vetë Kushtetuta dhe shpirti i këtij shteti.
“Kjo marrëveshje është shndërruar në një shtyllë kryesore të organizimit shoqëror dhe institucional të këtij vendi. Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të zgjerohet plotësisht ashtu edhe kur do ta kërkojë nevoja, kur do ta kërkojnë rrethanat e reja politike dhe së fundmi, kur do të kërkojnë vetë qytetarët e këtij vendi. Marrëveshja e Ohrit është bërë një kujdestar i paqes në Maqedoni”, thekson Halili.
Siç vazhdon më tej Halili, janë bërë shumë punë që nga dita e miratimit të ndryshimeve kushtetuese ku në këtë fazë Marrëveshja e Ohrit tërësisht është integruar në Kushtetutë, ndërsa në implementimin e ligjeve dhe respektimin e parimeve të kësaj marrëveshjeje janë bërë edhe më shumë. Ai shton se marrëdhëniet ndër-etnike janë përmirësuar në një shkallë shumë më të lartë në krahasim me 15 vite më parë dhe se kjo temë asnjëherë nuk mbyllet dhe gjithmonë do të trajtohet dhe kultivohet në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Halili duke përmendur se pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve është në një pozicion krejt ndryshe nga ai i para vitit 2001, thotë se Marrëveshja e Ohrit dhe tanimë Kushtetuta e Ohrit, në vazhdimësi do të jetë për të siguruar ruajtjen dhe avancimin e kësaj pozite sipas nevojave të kohës dhe situatës. Sipas tij, shumë punë kanë mundur të jenë edhe më mirë se kaq, shumë çështje kanë mundur të trajtohen më ndryshe, por mosbesimi i ngritur për dekada më herët, ishte vështirë për t’u ndryshuar në vetëm 15 vite.
Ai duke theksuar se droja kjo marrëveshje tek elita politike maqedonase nxiti një mekanizëm rezistence dhe refuzimi ndaj risive dhe organizimit të ri shoqërorë dhe shtetëror që promovon Marrëveshjen e Ohrit, tha se “Ka pasur edhe raste inatesh politike, ka pasur situata të mosrespektimit të marrëveshjes, ka akoma institucione që refuzojnë të zbatojnë parimet e përdorimit të gjuhëve dhe përfaqësimit adekuat, por ajo që është me rëndësi është se tanimë qytetarët e këtij vendi, veçanërisht shqiptarët, për çdo ditë në çdo takim me shtetin ndjejnë ndryshimin.”
– Mangësitë e Marrëveshjes, duhen zotuar të gjitha institucionet qendrore dhe lokale –
Halili në vijim thekson se Sekretariati që drejton ai, është i hapur për të diskutuar edhe çështjet të cilat nuk janë implementuar plotësisht apo kanë mangësi, por shton se këto janë disa shtylla të rëndësishme për të cilat duhen zotuar të gjitha institucionet qendrore dhe lokale për të përmbushur obligimet që dalim nga Marrëveshja e Ohrit.
“Ne si Sekretariat jemi të hapur për të diskutuar edhe ato çështje. Në analizën e realizuar në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe, OSBE-në, ekspertë, OJQ, si dhe me analistë ndërkombëtar punuam intensivisht për të fokusuar pikërisht ato hapësira diskutabile që duhen trajtuar në mënyrë profesionale dhe për të zgjidhur në mënyrën e duhur, për ta jetësuar plotësisht Marrëveshjen”, shprehet Halili.
Pikat të cilat siç tha ai, janë nën vëzhgim të vazhdueshëm janë çështja e përfaqësimit adekuat proporcional në institucionet ku ky proporcionalitet nuk është përmbushur sipas normave ligjore, rritjen e investimeve kapitale veçmas në Maqedoninë Perëndimore, karakterin multi-kulturor dhe etnik të vendit, decentralizimin fiskal, përdorimin e gjuhëve, si dhe të drejtat e pakicave ndër 20 përqind.
Halili thotë se elementet substanciare të Marrëveshjes, siç e quan ai, “dokument historik”, janë baza e orientimit të drejtë dhe garantimit të funksionimit të shtetit multi-etnik mbi parime të shëndosha dhe demokratike. Sipas tij, pa Marrëveshjen e Ohrit, rrugëtimi i Republikës së Maqedonisë në shtigjet e integrimeve euro-atlantike nuk mund të paramendohej.
– Marrëveshja e Përzhninos e domosdoshme për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit –
Halili thotë se Marrëveshja e Ohrit erdhi në shprehje pas konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe në rrethana dhe kushte krejt tjera prej asaj të Marrëveshjes së Përzhinos në Shkup. Ai shton se pakënaqësitë dhe kritikat me automatizëm ka ndikuar në azhurimin e marrëveshjes kohë pas kohe në fusha dhe situata të ndryshme me ndërhyrje dhe forma të ndryshme në varësi prej rrethanave.
“Si pasojë e turbulencave politike dhe përshkallëzimit të skajshëm të krizës, veçanërisht tek blloku politik maqedonas, u bë i domosdoshëm hartimi dhe nënshkrimi i një marrëveshje të re, që ekskluzivisht do të trajtonte çështjet si, liritë dhe të drejtat individuale, lirinë e mediave, pavarësinë e gjyqësorit, demokratizimin institucional, reformimi i kodit zgjedhor, pastrimi i listës së votuesve, si dhe respektimi dhe implementimi total i Marrëveshjes së Ohrit”, deklaron Halili.
Ai thotë se argumentet e lartpërmendura tregojnë një kronologji mes dokumenteve apo marrëveshjeve të nënshkruara, sepse ato mbulojnë njëra-tjetrën dhe drejtojnë vendin drejt një zgjidhje afatgjate të problemeve të brendshme.
“Rrethanat dhe koha e nënshkrimit apo jetësimit bëjnë dallimin e marrëveshjeve, pikat kontestuese që potencuam bëjnë gërshetimin mes tyre”, shprehet ai.
– Petar Atanasov: Pjesa më e madhe e Marrëveshjes është zbatuar –
Analist dhe profesor universitar, Petar Atanasov, thekson se pjesa më e madhe e Marrëveshjes së Ohrit është zbatuar, veçanërisht pjesa që ka të bëjë me detyrimet ligjore dhe kontraktuale të shtetit. Ai beson se Maqedonia me ndryshimin e një pjese të madhe të Kushtetutës në favor të komuniteteve pakicë ka kryer detyrimet e saja.
“Dy gjëra janë më kritike dhe këto nuk janë përmbushur. Ka mungesë të një përkrahje të sinqertë mes elitave politike dhe një pajtim mes tyre për ndërtimin e një shoqërie më ndryshe, ‘më të përbashkët’. Gjithashtu ndarja në vija etnike në Maqedoni, në vend që të zvogëlohet, ajo rritet”, thotë Atanasov.
Sipas tij, Maqedonia nuk është vetëm politikisht e përçarë, por edhe shoqëria është e ndarë thellë në atë masë sa që nuk ka vlera të përbashkëta mes politikanëve dhe mes segmenteve kulturore në shoqëri.
“Demokraci etnike nuk ka askund në botë, ndërsa ne shtiremi se ndërtojmë një të tillë. Ekziston model i shoqërisë demokratike e cila duhet të mundësojë jetë më të mirë. Kjo mungon në Maqedoni”, shprehet Atanasov.
Siç thotë Atanasov, përfitimi më i madh është ai i komunitetit shqiptar, si më i madhi në vend, veçanërisht me ndarjen e resurseve dhe përfaqësimit kulturor, ndërsa komunitetet tjera më të vogla sipas tij, disi nuk fituan resurse të tilla.
“Nevojitet përkushtim më i madh për më shumë hapësirë për komunitetet e vogla. Kjo nuk duhet lënë vetëm në duart e aktiviteteve politike. Nevojiten masa proaktive për të punuar për prezantimin kulturor të komuniteteve të vogla, edukimit, mbështetjes sociale për komunitetet më të vogla, por kjo ka koston e vet. Maqedonia nuk është edhe aq e pasur si shtet”, thekson Atanasov.
– Safet Bishevac: Nuk ka mbetur shumë punë për t’u bërë është përshtypje e gabuar –
Analisti dhe ish-anëtar i pavarur në Kuvendin e Maqedonisë, Safet Bishevac, thotë se Marrëveshja e Ohrit është mjet për përmirësimin e të drejtave të grupeve etnike më të vogla në numër në Maqedoni dhe që ishte paraparë të implementohet në një afat 10 vjeçar nga nënshkrimi. Mirëpo, ai thekson se nëse shikohet nga prizmi i numrave mund të fitohet përshtypja e gabuar se nuk ka mbetur shumë punë për t’u bërë.
“Fryma e kësaj marrëveshje është në fakt përpjekja e vazhdueshme për realizimin e të drejtave të popujve të tjerë të cilët bashkë me maqedonasit jetojnë në Maqedoni. Kjo në esencë do të thotë se Marrëveshja e Ohrit do të implementohet kur të drejtat kolektive do të realizohen duke respektuar të drejtat e qytetarit, i cili nga ana tjetër paraqet një proces të pafund me avancim të përhershëm”, deklaron Bishevac.
Bishevac duke theksuar se nga Marrëveshja e Ohrit, përveç shqiptarëve duhej të përfitonin edhe komunitetet tjera më të vogla, shton se “Në esencë komunitetet tjera etnike u gjetën në pozitë, nga njëra anë të përdoren nga maqedonasit, si një kushtimisht thënë armë për përkufizimin e përfitimeve të grupit të dytë më të madh, atij shqiptar. Komuniteti shqiptar nga ana tjetër duke u sjellur në mënyrë paternalistike kundrejt komuniteteve të tjera, tenton të zvogëlojë hapësirën e grupeve të tjera etnike.”
Ai në vijim thotë se gjithsesi nuk mund të mohohet kontributi dhe përfitimet e Marrëveshjes së Ohrit për grupet më të vogla etnike siç janë turqit, boshnjakët ose romët.
– Marrëveshjet politike, rrugë e vetme paqësore për zgjidhjen e problemeve në shoqëri –
“Marrëveshjet politike janë rrugë e vetme paqësore për zgjidhjen e problemeve në shoqëri. Implementimi i tyre kërkon vullnet politik dhe shpeshherë problemet shfrytëzohen për realizmin e qëllimeve personale apo elitave politike. Shpeshherë elita arsyetohet duke thënë se tani nuk është momenti i duhur për zgjidhjen e problemeve të caktuara në shoqëri”, thotë Bishevac, duke krahasuar Marrëveshjen e Ohrit me atë të Përzhinos.
Sipas tij, është shumë më mirë që me problemet të merren masa më herët, para se të njëjtat të shndërrohen në pengesë, që do të vë në pikëpamje jo vetëm funksionimin tonë, por edhe të shoqërisë në të cilën jetojmë.
“Fryma etnike dhe qytetare e të dyja marrëveshjeve është një rast i shkëlqyer të ndërtojmë një shoqëri në të cilën do të jetojmë me dinjitet, ashtu siç i ka hije qytetarit të shekullit 21”, shprehet Bishevac.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, e cila i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnik në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve. Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit u zhvillua nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ndërsa marrëveshja u nënshkrua edhe nga kryetarët e atëhershëm të partive politike, LSDM-së Branko Cërvenkovski, PDSH-së Arbën Xhaferi, VMRO-DPMNE-së Ljupço Georgievski dhe nga ai i PPD-së Imer Imeri. Dëshmitar në nënshkrimin e marrëveshjes ishin François Léotard, përfaqësues i posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe James Perdue, përfaqësues i posaçëm nga SHBA.
Gazetarë: Besar Ademi, Bekim Laçi
Komentet