VOAL

VOAL

XIX- VIRUSI JU PYET: PO KET A E DINI, “INJORANCA ASHT RILINDJA IME” ?! – Nga Fritz RADOVANI

June 22, 2020
blank

Komentet

blank

ORIGJINA E SHQIPONJËS SË FLAMURIT QË U NGRIT NË VLORË- Nga Thanas Gjika

Eshte hedhur mendimi sikur shqiponja e flamurit qe u ngrit ne Vlore me 28 Nentor 1912 paska qene kopjuar prej stemes se flamurit qe ruante familja Kastrioti ne Napoli. Mirepo e verteta eshte ndryshe. Shqiponja e flamurit qe u ngrit ne Vlore me 28 Nentor 1912 ka qene krijuar dhe stampuar me ngjyre te zeze mbi beze te kuqe prej atdhetarit Korcar Spridhon Ilo ne Bukuresht ne vitin 1905, ndoshta kopjuar prej formes se shqiponjes se revistes ‘Albania’ te Faik Konices. Kur u pergatit ceta e Bajo Topullit per te dale ne malet e Shqiperise se Jugut me 1905 e mori nje kopje te stamposur prej S. Ilos. Nje kopje tjeter te po ketij stampimi e mori me vete dhe ceta e Cerciz Topullit dhe e Mihal Gramenos ne vitin 1907 dhe e valviti ne Juge te Shqiperise gjate viteve 1907-1908. Ndonese nuk dallohet mire, ne foton muzeale bardhe e zi te cetes se Cerciz Topollit, duket shqiponja tek flamuri qe mban komiti i dyte ne kembe nga e majta. Ne tetor te vitit 1912 kur shkoi I. Qemali me grupin e tij nga Stambolli ne Bukuresht, Spiridhini, kur e shoqeroi grupin nga Bukreshti per ne Trieste, Durres e Vlore, mori ndoshta me shume se nje kopje me vete. Ai e kishte Margone kusherire, nje korcare e martuar ne Vlore disa vjet me pare. Spiridhoni i dha kopjen e flamurit Marigose mbasditen e dates 27 nentor per t’ia zbukuruar (qendisur) anet me fije gajtani te verdhe dhe ajo e kreu brenda nates kete zbukurim aneso. Kurse shqiponja e zeze ishte e stamposur mbi bezen e kuqe dhe nuk ishte nevoja te qendisej prej Marigose. E deshmoj kete fakt mbeshtetur te kujtimet e Mihal Gramenos dhe te Spiridhon Ilos, Shqiponja e familjes Kastrioti qe ruhet ne Napoli eshte kjo ketu krejt e ndryshme nga ajo e flamurit qe u valvit me cetat kryengritese ne vitet 1905, 1907-1912 dhe qe u ngrit ne Vlore me 28 Nentor 1912.

blank

Gjermanët u larguan nga Shqipëria në ditët e para të dhjetorit – Nga Hamza Kazazi

Dokument me vlerë është ditari që Jup Kazazi mbajti për katër muaj rrjesht që prej daljes në mal nga 25 nëntor deri me 15 mars 1945. Atë ia ka pasë çuar të shoqes, Nasibe, mbasi po ta kapnin ose vritnin bëhej i rrezikshëm për mjaft persona që e kishin strehuar e takuar, megjithëse ishin vetëm sigla me një germë dhe shkruar sipër, por në laborator me një germë e katundin mund ta gjenin personin. Nëna e ka ruajtur me guxim e ma ka pasë treguar kur jam bërë 16 vjeç. Ajo e ka pasë bërë rrul, mbeshtjellë e futë në një vrimë muri në shtëpi. Më pati thënë se sido që të vinte puna, unë nuk e kisha parë e nuk dija gjë. Ai dokument bëhej i rrezikshëm po të na e gjenin. Ditari ndodhet në Arkivin e Shtetit në formë të dixhitalizuar (ja kam pasë dhënë Drejtoreshës), mbasi origjinalin e ruaj si kujtim shumë të shtrejtë që nga Babai im. E ka shkruar në një bllok shenimesh me kuadrate 10×12 cm.
Ditari fillon me 25 nëntor 1944 kur i vjen Salvator Kurti e i thotë se Partia komuniste kishte shpallë denimin me vdekje të Jupit me 4 vllezër dhe të atij. Atëherë ata u detyruan të marrin pushkët e të luftojnë për liri e për jetën. Me çfarë ligji e në emër të kujt dënonte me vdekje “nëna parti”? Po pse Hamidi krejt i ri? Edhe Nëna më thonte se qe krim dënimi i 5 vllezërve, por së paku Hamidit pse, e pse ja shkatrruan jetën? Ai bëri 10 vjet burg e 23 internim. Edha këto arsye e detyruan Jupin që më me vendosmëri të vazhdonte përpjekjet për organizimin e luftës per liri, pluralizëm e demokraci, që populli shqiptar i humbi. Ky ditar ka edhe diçka me shumë rëndësi, pse vërtetohet dita e “çlirimit” që vazhdon të diskutohet dhe për këtë arsye në vazhdim do të paraqes tekstualisht faqet e ditëve deri mbas 29 nëntorit. Ditari konsiderohet dokument në vendet e përparuar dhe njihet nga historia, edhe ajo moderne, kur është shkruar pa pasë interes ndryshimi. Gjithashtu duhet kuptuar e vlersuar sakrifica e vuajtjet, kur merr pushkën e del në mal.
Faqja 1 dhe me rëndësi: 25 Nanduer e Shtunde
Çë në nadje (mëngjez) asht fillue pregatitja për të dalë jashta Shkodret.
Në ora 11 kanë ardhë disa djelm të Ballit dhe asht bisedue me ta mbi qendrimin që lypset të mbajnë prej kësajë dite e mbrapa.
Në ora 12 ardhë Salvator Kurti e njoftue se ai dhe unë me 4 vllaznit jemi denue me vdekje prej partisë Komuniste.
Në ora 15.30 nisë prej Shkodre për në dy drejtime, në njenin Zeneli me shokë e në tjetrin unë.
Fq. 2 e 2/1: Në ora 21 jemi takue afër (emër i mbuluar) me nji çetë Komuniste.
Me kenë se dy prej njerzve që na bajshin teshat mbetne të bllokuem në mes të tyne, për të mos i damtue u tërhoqëm pa ba pushkë. Dy shokët t’onë bashkë me kuaj e tesha u morne prej çetës dhe u dërguan në Drisht.
Na të ndamë prej përcjellsit të tretë u drejtuam kah A (e shkruar sipër emrit që e ka mbuluar me vija me stilograf) pa mujtë me hy mbrenda pse u kuptue se të gjitha shpitë ishin të xanuna prej partizanësh.
Në ora 22 jemi tërhjekë në nji pyll afër katundit dhe aty kemi kalue natën nen nji shi të randë e të vazhdushëm. Për darkë as nuk duhet të flasim pse s’kishim ku e marrim.
Fq, 3-6: 26 Nanduer, e Dile. Dita na zbardhi aty ku kishim kalue naten. Shiu vazhdon gjithnji sikurse natyra t’ish marrë vesht me komunistat e të na kish denue edhe ajo

Kah ora 8 mbrrini në katund edhe nji tjetër çetë komuniste. Ndodhemi shum afër tyne dhe i ndigjojmë çë flasin. Mbasi ndejëm pak në kambë, filloi të bjerë nji shi i randë e prandaj u futëm në nji shtëpi ku hangrëm edhe dreken. Na tue pasë frigë se mos shifemi prej tyne, aty kah ora 10 u futëm ma mbrenda në pyll.
Të gjith ishim të lagun e të lodhun prej pa hejet (ngrënie) e pa fjetje, por durojshim tue shpresue se do të shifshim ndonji çoban ose tjetër vendas e do të na sillte buk e tjera gjana të nevojshme. Kështu pritëm deri afër ores 16, por askush nuk kaloi andej.
Në ora 16 ndigjohet nji za: R (i korigjuar). Me njenin prej shokëve u futëm nepër pyll për të mujtë me u pa me personin, por së qe e mundun pse u largue në drejtim të pa ditun.
Në ora 16.30 njeni prej shokëve më tha: Po kalojnë dy persona. Unë menjihetë u afrova kah ata dhe pashë se ishin A e Z. Këtyne ju luta të na çojshin pak buk për ndokend tue caktue edhe vendin se ku. Në kët vend pritëm deri n’ora 21 por kot. (Shtoj se dy germat nuk i ka mbuluar, pse atyre nuk ju bëhej keq, përkundrazi, mbasi nuk i kishin ndihmuar.)
Atëherë, mbasi kishim bisedue me shokë se çka me ba, d.m.th. 1) a me u nisë kah Drishti tue e hapë rrugen edhe me pushkë po qe nevoja. 2) a me pritë aty deri në nadje pse ndoshta largohen kom. e futemi në katund. 3) a por me u largue prej vendit ku ishim e me ndezë nji zjarm dhe në të nesërmen me u nisë për poshtë tue udhtue nepër pyll.
Të gjitha këto bisedime i bajshim pse të lodhun tepër prej ujet (urije) dhe së lagti e së ftofti, kishim frigë se mos dobësohemi tepër e së mund udhtojmë ma.
U zgjodh pika e trtë e kështu u larguem në nji gropë ku ndezëm nji zjarm të mirë, u xemë dhe u terëm (thamë) e shokët fjetën ka pak.
Fq. 7-8-8/1: 27.XI e Hane
Në ora 4.30 të nadjes çova shokët prej gjumit, bamë edhe nji zjarm të mirë e, po sa filloi me zbardhë drita, u nisëm në drejtim Ura e Mesit. Në ora 6.30, kur me urën na ndante kodra që ndodhet para sajë, zbrazën nji shumicë pushkësh e mitaljoza. Në fillim kujtova se dolën njerzija prej xhamijet, ish Bajram e qesin simbas zakonit. Ma vonë u kuptue se luftohesh e prandaj shpejtuam ecjen e mbrrijtëm në nji prozhëm në B. Afër prozhmit pamë nji grua së cilës i kërkuam pak bukë, pse kishim 48 orë pa hangër. Kjo grua ishte e vobegët e nuk kishte as për vedi. Atëherë e lutëm që të lajmonte nji mashkull të H (e korigjuar) që të vinte deri aty. Erdhën dy djelm ka nja 12 vjeçarë të cilet më njoftën. Këtyne u kërkuam buk dhe na e prunë pa vonue shum.
Mbas 48 orë ninimi (agjërimi) të vërtetë e prishëm me pak buk e djath, pse me hangër shum kishim frigë se mos na bante keq. Mbas nja 2 orësh e plotsuam haen (ngrënien). Në mbramje n’ora 16 u nisëm për në C te T (korigjuar). Këtu na pritën mirë dhe hangrëm e fjetme si njerz.
Në këtë datë ishte e para ditë e Bajramit, por kërkush nuk u gzonte prej frigës se mos bombardojnë gjermanët me artiljeri.
Fq. 9-10: 28.XI e Marte
Përvjetor’ i indipendencës s’onë.
Luftimi vazhdon me shtimje herë të shpeshta e herë të rralla. Herë mbas heret ndihen edhe krisma topash. Mbas dreket prej Shkodret vjen nji lajm, simbas të cilit gjermanët kishin lirue Shkodren.
Na nuk ishim të sigurët pse te Ura e Mesit u luftonte gjithnji.
Në kët mbramje u mendonte se mund të vijshin Kom. në këtë nahìn (anën) ku ishim na e prandaj duhesh t’u largojshim ose t’u shpërndajshim nepër shpija të katundit.
Vendosëm të shpërndahemi në tri shpi: te T, O e H. Dy të parat e pranuan me qejf propozimin e bamë kurse i treti e refuzoi. Atëbotë e ndamë me dalë të gjith jashta katundit dhe megjithse T. insistoi që të rrimë aty, dolëm e shkuam në banesë të Sh. Këtu kaluem natën mjaft mirë.
Fq. 11: e Mërkurë 29.XI
Po sa u çuam prej gjumit e hangrëm nji kusi petulla me mjaltë ndihen krizma pushkësh kah B (e prishur fjala). Këto krizma ndihen edhe në C (e prishur fjala). Ishte nji bataljon partizan që kalote për në Shkodër e që prej gzimit qitëte pushkë e bombe. Këtyne qitjeve i u përgjigjshin edhe disa prej popullit. Unë me shokë kqyrshim kalimin e bataljonit dhe të ndonji katundarit që shkonte në punë të tij.
Prej mbramjet erdhne 3 ose 4 miq e na dhanë lajmet e ditës d.m.th. hymjen e partizanve në Shkodër. -(Pra partizanët kanë hyrë në Shkodër me datë 29 – Shënimi im)
Fq. 12: e Ejte 30.XI
Dita asht e mirë dhe ma e qetë se e përparshmja. Përsri ndihet ndoj krizëm pushke e bombje të shtime prej partizanësh që vijshin prej së largut.
Lajmrohemi se në Shkodër ishte ba nji paradë e fuqive partizane.
Në at Paradë kishin dashtë të futshin edhe nja 100 postribas që kishin shkue me Nuh Kazazin e Riza Danin. Keta nuk kishin ndigjue me ba pjesë ndër bataljone e kështu dikush kish ikë e dikush kish dalë me ndërmjetsinë e R. Danit.
Fq. 13-14: e Prende 1.XII
Koha asht e mirë dhe gjendja asht normalizue në Postribë. Dita kalon në qetsi. Prej mbramjet vijnë disa miq e na shofin. Ma vonë vijjnë dy të tjerë e na lajmrojnë se në katund kanë ardhë nja 30 partizan të dalun prej Shkodret. Qellimi i ardhjes së tyne nuk dihej prandaj u desht të largohemi për në nji pyll larg katundit. Aty kaluam të gjith naten që qe mjaft e ftoftë. Zjarm nuk mund të bahej pse mund të diktoheshim. U ulëm poshtë nji prronit e mandej dolëm në nji maje kodre për të kenë ma të sigurtë. Prej këtu dërguam njenin prej shokësh për të marrë vesht se ç’ishte dhe rezultoi se kishin qitë për qejf disa katundarë që ishin kenë marrë me kual prej partizanësh e ishin lirue ose kishin ikë. Mbas këtij lajmi zbritëm poshtë ku na prunë buken, hangrëm drekë, ndejëm deri që u err e mandej u nisëm për D (korigjuar) tue kalue kah shpija e A ku hangrëm darken. Në D (korigjuar) mbrritëm vonë, por me gjith …?… na shtinë mbrenda e na nxenë mandej erdhi e na përcolli për në vendin që caktuam për banesë ku fjetëm disi.
Prova për DITËN E “ÇLIRIMIT”:
Të shikohen e analizohen me kujdes datat nga 27 deri me 30 nëntor 1944 të ditarit që janë më sipër. Aty thuhet se me datë 28 patën një informacionn se kanë dalë gjermanët nga Shkodra por në zonën e Urës Mesit, që është shumë afër Shkodrës, luftohej dhe nuk është në drejtim të largimit të tyre. Pra gjermanët do të kalonin nga Shkodra dhe Mesi është shumë afër. Janë rreth 6-7 km. nga qendra e qytetit. Kur isha i ri, në verë shkonim në këmbë për t’u larë tek Ura e Mesit.
Siç ka shkruar Jupi, për hyrjen e partizanëve në Shkodër lajmërohen në darkë se kanë hyrë me 29 nëntor dhe ishte lajmi i ditës. Kështu e kanë ditë dhe nuk e harronin njerëz të fisit tim, që nuk ishin të rij.
Pra me 29 duhet konsideruar çlirimi. Vërtetohet se me datë 30 është bërë parada në Shkodër, ashtu siç dihet. Gjithashtu atë ditë me insistim kanë refuzuar të parakalojnë 100 postribas. Me këtë akt del antikomunizmi i tyre dhe me sa di unë, nuk e ka thënë ose shkruar njeri tjetër. E kam thënë disa herë edhe në Postribë.
Mendoj, jam i sigurtë e ta gjykojnë historianë e studiues dhe kush e lexon, se dita që janë larguar gjermanët nga Shkodra është data 29 nëntor e provohet. Dihet se edhe mbas datës 29 kishte gjermanë në veri, por është konsideruar largimi nga Shkodra. Nga arkivat gjermane rezulton me 4 dhjetor largimi i tyre nga Shqipëria, pra është data më e saktë. Fatkeqësisht edhe për këtë ngjarje jo të largët nuk ka dokumente të saktë e kanë folë e shkruar me të thëna.
Ditari vazhdon me peripecitë, vuajtjet e rreziqet në ilegalitet. Duke qenë dimër, duhen imagjinuar vështirsitë e vuajtjet. Aty del se ka pasë ndonjë refuzim për t’i ndihmuar ose dhënë pak ushqim, por në përgjithsi i kanë ndihmuar, strehuar e dhënë bukë shumë persona e familje, sidomos në zonën e Postribës, por edhe në anë të tjera, kur edhe pushkatonin ata që strehonin, ndihmonin ose i u jepnin ushqim antikomunistëve që kërkoheshin dhe ka ndodhë sa herë.
E them me shumë keqardhje pse arritëm që një pjesë e mirë e popullit shqiptar nuk e konsideron se u çliruam. U bë robërim, pse humbëm lirinë dhe u masakruan e vuajtën qindra mijëra njerëz. Pa pasë lirinë e fjalës e të lëvizjes nuk je i lirë e nuk e patën as komunistat për vehten e tyre. Ata përveç privilegjeve, nuk ishin të lirë, deri sa nuk mund të thonin mendimin e tyre dhe asnjë fjalë o vrejtje e nuk mund të mos aprovonin gjithëçka pse dilte kundër vijës së partisë, pra armik. Duke vrarë, arrestuar, internuar e persekutuar familjarët e kundërshtarve politikë dhe të personave absolutisht të pa përzier por të konsideruar kundërshtarë të mundshëm, duke burgosë vetëm për fjalë goje me akuzë agjitacion e propagandë, duke masakruar klerin, duke zbatuar me fanatizëm luftën e “kllasave”, nuk ka si të jetë çlirim. Nuk është patriotike kjo që them unë e të tjerë? Përkundrazi, por fatkeqsi e madhe që arritëm në atë gradë e të arrijmë ta vëmë në thojza atë fjalë të madhe si “çlirimi” ose ta quajmë “të quajturin çlirim”.
Nuk po flas për 10 të vrarë (7 të zhdukur) e 12 të burgosur dhe me internime nga Babai e Nëna. Nuk po flas për vuajtjet e Nënës, që grua intelektuale bëri punët më të rënda edhe për burra dhe që i shkurtuan jetën, pse vdiq 67 vjeç me arrest kardiak, pse duhet një libër. Do të shkruaj pak gjëra për mua, që nu kanë krahasim me masakrimin e vuajtjet e të mijëve:
Më futën 5 vjeç në klasë të parë. Më thonë fëmijët se ju kishte thënë udhëheqsja e pionerëve të mos rrinin me mua e ma thanë. Nuk i thashë as Nënës por mendoja vazhdimisht se “çka kam unë”. Nuk harrojmë unë e motra 7 e 5 vjeç, kur erdhën të na marrin për të na internuar në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku patën vdekë rreth 200 fëmijë. Nëna ishte e smurë në dyshek me 39.5° dhe e tërhoqën zvarrë. Fatmirësisht oficeri nuk takoi aq kriminel dhe i u tha: lëreni se po na vdes në dorë dhe e lanë me dyshekun për gjysë të varun tek shkallët e ikën. Nuk harrojmë unë e motra e të qarat, sidomos të saj. Unë ndoqa violinën 11 deri 16 vjeç në Shtëpinë e kulturës dhe dy vetë na futën në orkestrën sinfonike, mbasi na provoi Prenk Jakova, por vetëm për prova e jo në çfaqje. Unë aty do t’u bëjsha violinist i plotë, por një darkë më thërret drejtori e më thotë: “ti nuk do të vijsh më pse nuk të takon”!!! Të nesërmen vjen Nëna, e gjen në sallon në hyrje e i thotë: Pse djalin tim? – Jo, atij nuk i takon. – Këtu sipër keni shkruar me të madhe: “Arti i takon popullit. Lenin”. A nuk është popull djali im? – Kur po doli, dy nga të orkestrës i shtërnguan dorën e i thanë: Ja bëre shumë mirë, moj zonjë.
Mbarova gjimnazin shkëlqyeshëm e nuk më dhanë të drejtë studimi duke e kërkuar 12 vjet rrjesht. Në Shkodrën time nuk më jepnin as për puntor krahu në ndërtim ose hamall në fabrikën e fermentimit duhanit. Përgjigjet prej të gjithë autoritetve ishin: “Ti, vetëm në fermë!” Falë dajës Prof. Selaudin Bekteshi dhe i kishin nevojën, që ka bërë për nipat e pati kurajo si shumë pak në Shqipëri, i shpëtova punës së krahut dhe me 1974 arriti të më bënin “pasaportizimin” në Tiranë, që të rijtë sot nuk e kuptojnë, dhe ma hoqën mbas 6 muajsh me kërkesë të Manush Myftiut, Komitetit ekzekutiv. Punova kryesisht larg në kantjere të Rruga urës, por kisha një strehë tek Daja, kur një herë në javë ose edhe në muaj vija në shtëpi.
Pra përfundimisht çfarë lirije e çfarë çlirimi pata unë dhe qindra mija shqiptarë?

*Hamza Kazazi – djali i Jup Kazazit, dekoruar nga Presidenti i Republikës me “DEKORATËN E ARTË TË SHQIPONJËS” mbas vdekjes e “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
Torino, 25-11-2022

blank

“Dhjetor ‘84, kur Josa e Minga, trondisnin një mbretëri në ‘Qemal Stafa’”/ Historia e ‘treshes tironase’, që bënë epokë edhe me kombëtaren e Shqipërisë

Uvil Zajmi

Ben Minga, Gust Kola dhe Çim Muça! Emocione dhe gola spektakolarë. Jo vetëm në kampionate e kupa, por edhe në takime ndërkombëtare, si ato ndaj Spanjës, Polonisë e Belgjikës. Nga i paharruari Arben Minga, te dy të tjerët. Ku janë sot, me çfarë merren ish-protagonistët e treshes së madhe të viteve ’80-’90?

Vitet ’80-të, rikthimi i traditës së humbur!

“17 Nëntori”, skuadra e fillim viteve ’80-të, ishte potente dhe e frikshme. Ajo kishte karakteristikë lojën klasike brenda traditës, të harmonizuar me aftësi individuale dhe lojën e grupit, shpirtin e lartë të garës, ritmin, përgatitjen atletike, agresivitetin, të mbështetur edhe nga tifozeria. Minga luante dhe realizonte në të gjitha pozicionet, ndërsa Kola, nga e majta zhvendosej mirë në zonë në kërkim të topit që, pasi e zotëronte, godiste fuqishëm portën.

Pastaj Muça për aftësi teknike, shikimin periferik, administrimin e lojës kur skuadra kishte topin. E njihnin shumë mirë lojën e njëri-tjetrit dhe çdo sulm i skuadrës finalizohej prej tyre. Sulmi fillonte nga krahët me mbrojtësit Millan Baçi apo Nine Naçi e Bedri Omuri, për t’u konkretizuar me harkimet në zonë për ta, lojë tipike e futbollit tiranas. Në veçanti grinta (egoja) ishte element parësor i skuadrës që tregohej e aftë të përmbyste çdo rezultat edhe kur ishte e pamundur.

Gjigantët Minga dhe Kola, jepnin garanci në lojën në tokë e ajër, ndërsa Muça, mjeshtër i rafinuar në rolin e sulmuesit, shënuesit dhe të njeriut asist. Katër herë kampionë së bashku dhe tri herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Kola, Minga e Muça janë edhe ndër të parët e renditjes së golashënuesve më të mirë të klubit, të cilën e komandonte Indrit Fortuzi.

Minga- Muça-Kola, kur shpirti zbriste në fushë!

Të papërsëritshëm, ndonëse vinin nga një formim sportiv jo i njëjtë, po kështu dhe ai i edukimit arsimor: një merceolog, një inxhinier dhe një mësues i edukimit fizik. Inteligjencë, forcë, entuziazëm, fryma e grupit, shpirt gare: këto ishin një vazhdimësi e traditës së “17 Nëntorit” të Myslym Allës. Te kjo skuadër nuk mund të luaje nëse nuk kishe këto karakteristika.

Minga dhe Kola, me një staturë fizike dhe gjatësi të admirueshme, mbi 180 cm., pak më i “vogël” ishte Muça. Kola i majtë shënues, Minga në qendër shënues dhe Muça organizator, fantazist shënues. Cikli i treshes tiranase të “17 Nëntorit” fillon sapo ajo e “Dinamos” ul siparin. Pra, u takon fillim viteve ’80-të. Pas sezonit ’69-’70-të, që ishte edhe triumfi i fundit tiranas dhe dominimit të “Dinamos”, rikthimi në dhjetëvjeçarin e sukseseve (’81-’82, ’84-’85, ’87-’88, ’88-’89) ishte kontribut i skuadrës që ndërtuan trajnerët Enver Shehu, Shyqri Rreli, por në veçanti i treshes.

“17 Nëntori” i Kolës, Mingës dhe Muçës ka dominuar me lojë e rezultate, por dhe në përfaqësimet ndërkombëtare, që patën fatin të luanin në periudhën e viteve ’80 – ’90-të. Në dhjetë ndeshje ndërkombëtare me ekipin kombëtar, janë së bashku: takimi i parë daton më 27 tetor 1982 në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0 me trajner Shyqyri Rrelin. Dhe i fundit, kur trajneri i paharruar Agron Sulaj, i vendos të tre kundër Spanjës, më 3 dhjetor të ’86-ës, në “Qemal Stafa” 1-2 (gol i Muçës në të 28-ën minutë).

Pas Fortuzit, si i pari shënues në ranglistën e historinë e klubit, vijnë menjëherë të tre, Kola, Minga dhe Muça. Firmën e tyre kanë edhe disa nga golat më spektakolarë dhe ndër më historikët e fanellës kuqezi: ai i Kolës në Mielec, në barazimin e madh 2-2 me Poloninë; goli i dytë i jashtëzakonshëm i Mingës në fitoren 2-0 ndaj Belgjikës në Tiranë dhe goli i Muçës ndaj Spanjës në “Qemal Stafa”. Në kupat e Europës, së bashku në fushë do të veçonim përfaqësimet kundër Bajernit të Mynihut, por i paharruar, kualifikimi në Rumani ndaj “Dinamos” së Bukureshtit.

Arben Minga

I datëlindjes 1959, gjithmonë me numrin 10 në fanellë. Nga të rinjtë e Arbanës me skuadrën e parë të “17 Nëntorit”, e cila drejtohej nga Fatmir Frashëri, që e aktivizoi pa hezitim. Me numër 10, me një hap galopant, vështirë t’ia merrje topin, i fortë shumë fizikisht (188 cm. i gjatë), në çdo terren e kohë, shumë deçiziv në ndeshjet në udhëtim, ku e tërhiqte edhe i vetëm skuadrën. Realizues i gjithanshëm me kokë e këmbë. Debutimi, 17 vjeç në gusht të vitit 1976, në miqësoren ndaj “Traktorit” të Lushnjës (1-1), duke realizuar edhe golin e tij të parë me skuadrën bardhe-blu.

Nga tre golat magjikë në turnetë europiane veçojmë: 1 tetor 1986 në Bukuresht, “Dinamo” Bukureshti – “17 Nëntori” 1-2; në “Olimpia Stadion” ndaj Bajernit (3-1) 18 tetor 1989 dhe kundër Belgjikës në “Qemal Stafa”, 24 dhjetor 1984, minuta e 89-të, goli i dytë pas një aksioni dhe veprimi fenomenal. Goleador në sezonin 1984-’85 me Fakjen me 13 gola. Me “17 Nëntorin” luajti nga viti 1976-1991, pastaj në Rumani te “FC Brashov”, “Dacia, FC” Giorgiu (’91-’94) dhe Futboll Klub Tirana 1994-’96. 738 takime, nga të cilat 387 (266 gola të realizuar). Ndeshja e parë në Kombëtare, Shqipëri-RFGJ 0-2, Tiranë 1 prill 1981 (në fushë me Ballgjinin e Përnaskën e, trajner Loro Boriçin) dhe e fundit ndaj Anglisë (0-2) në Tiranë, në marsin e vitit 1989. 28 ndeshje me kombëtaren dhe 2 gola.

Shkëlqim Muça

I datëlindjes 1960, u shfaq në vitet ’80-të si një talent i vërtetë, i zbuluar tek të rinjtë e klubit. Aftësitë individuale, driblim-pasim-shpejtësi, intuitë dhe elegancë e evidentuan shpejt nga të tjerët. Tre vite me të rinjtë dhe pastaj në 1978-ën, merret nga trajneri Frashëri me ekipin e parë të 17 Nëntorit, me të cilin luan deri në vitin 1989. Me numrin 8, ai ingranohet menjëherë me lojën dhe dinamikën e 17 Nëntorit, si dhe dyshen Kola-Minga.

Duke luajtur në mes të tyre ai kompletoi dhe alternoi forcën me fantazinë. Golat e shënuar nga “17 Nëntori” kishin si asist edhe Muçën në mesfushë. Tri herë doli kampion me këtë klub. Nga golat spektakolarë veçojmë atë ndaj “Labinotit” në “Qemal Stafa”; goli i shënuar në finalen për Kupën e Shqipërisë në Shkodër ndaj “Flamurtarit”, goli i jashtëzakonshëm ndaj “Partizanit” në “Qemal Stafa”, realizuar nga mesfusha, por që nuk u vlerësua i rregullt nga arbitrat e takimit.

Dhe, i paharruar ai ndaj Zubizaretës të Spanjës në Tiranë (03.12.1986) pas një kombinimi Omuri-Minga-Muça…! Debutimi me Kombëtaren më 22.09.1982 në Vjenë, Austri-Shqipëri 5-0, me trajner Shyqri Rrelin. Bashkë me Kolën e Mingën, i gjejmë në Kombëtare, në takimin pasardhës, 27 tetor 1982, në Izmir, Turqi-Shqipëri 1-0. E fundit e Muçës me fanellën kuqezi, daton në tetorin e vitit 1987, kur trajneri Sulaj, e aktivizon në një ndeshje të luajtur në Vlorë, Shqipëri-Rumani 0-1. Në total 16 ndeshje me kombëtaren, 2 gola.

Agustin Kola

Edhe ky i datëlindjes 1959. I talentuar si akrobat dhe notar, në moshën 14-vjeçare, zbulohet në Spartakiadën e Pionierëve nga trajnerët Aurel Verria dhe Rada, të cilët e rekomandojnë të vazhdojë shkollën e “Mjeshtërisë Sportive” në Tiranë. Produkt i “Shkëndisë”, që në fund të viteve ’70-të, i kishte mbetur fama dhe emri, pasi tradita po shuhej. Kola, luan pak vite me skuadrën e shkollës dhe transferohet te Tirana, si lojtar tipik “17 Nëntoras”, me të cilën luajti nga viti 1977 deri në 1996-ën, gjithmonë me numrin 11.

Shumë i fuqishëm në lojën në krahë, por edhe në qendër dhe polemizues me vendimet e arbitrave, kur shpeshherë ndaj tij luhej rëndë. Me një të majtë agresive, goditës i fortë me kokë dhe shumë i paparashikueshëm në zonë. Por, edhe si mbrojtës ishte i jashtëzakonshëm. Një futbollist i kompletuar, disa herë kampion e fitues i Superkupës dhe i Kupave të Shqipërisë me “17 Nëntorin”, si dhe goleadar në dy sezone: ’87 – ’88 me 18 gola dhe ’88 – ’89 me 19 gola.

Kola realizoi zyrtarisht 140 gola me “17 Nëntorin”, ndërsa me Kombëtaren si titullar, ishte i padiskutueshëm në 22 ndeshje, kur shënoi 1 gol me shumë vlerë në barazimin 2-2 ndaj Polonisë së Boniekut (31.10.1984). Më 6 dhjetor 1980, debuton me kombëtaren e Zyber Konçit, duke zëvendësuar Sefedin Brahon (e “Luftëtarit të Gjirokastrës) ndaj Austrisë në Tiranë dhe e fundit zyrtare, në Kostancë, Rumani-Shqipëri 3-0, më 20 shtator 1988. Rikthehet sërish me kombëtaren e Bejkush Birçes në Athinë, në miqësoren 2-0 ndaj Greqisë, kur luante me klubin e “Egalios” 04.09.1991.

Raportet e treshes, rivaliteti brenda saj

Vetëm 20 deri 30 minuta, ky ishte kufiri kohor i tifozerisë së veçantë tiranase, kur nuk shënohej. Thirrjet “Tirona! Tirona!” ishin më shumë një ngacmim dhe i drejtoheshin treshes, Minga- Kola-Muça, pasi goli prej tyre pritej, në veçanti nga tifozët e tribunës “A”. Kur shënonte Minga, rivaliteti ishte në kulm, pasi egoja e Kolës njihej nga të gjithë. Shpeshherë loja e skuadrës përqendrohej te ky futbollist dhe gjithçka qetësohej, kur edhe Kola realizonte. Më mirë se të gjithë, këtë e dinte trajneri Enver Shehu, pasi i njihte mirë karakteret e tyre. Autobusi i skuadrës do të nisej gjithmonë pasi të garantohej se kishte hipur apo jo Agustin Kola.

Josa e Minga, dyshja e Tironës, që tronditi një Mbretëri!

Nëse “Qemal Stafa” ka patur një moment pasigurie kur edhe themelet e tij mund të ishin tronditur, ka qenë ajo minutë, ai gol, ai entuziazëm, ajo situatë e jashtëzakonshme e një stadiumi, tifozerie, të gjithë në këmbë duke bërtitur “Gooool”. Sezoni europian 1984-‘86, luhet për eliminatoret e kampionatit Botëror “Meksikë 86’”, grupi 1, Shqipëri-Belgjikë. E shtunë 22 dhjetor 1984, mesditë dimri, interesim i madh, spektator i shumtë i pa numërt, i ulur, në këmbë, me bileta, pa biletë, një Shqipëri me veshët te radio e sytë te ekrani.

Kombëtarja vjen pas një barazimi premtues 2-2 në Poloni. 90-të minuta ndaj Belgjikës, 90-të minuta të paharruara, për cilindo që ka qenë atë ditë i pranishëm aty, me “Qemal Stafën” dëshmitare live të asaj ngjarje të madhe, të papërsëritshme sportive. Nga dhomat e zhveshjes, dalja e skuadrave në fushë, shorti dhe vërshëllima e spanjollit Sançes, për të nisur atë ndeshje, nga më të famshme të historisë kuqezi. Përballë është një Mbretëri, Belgjika e trajnerit Thyes, e Pfaff, Shifo, Varkauteren, Kulemans, janë të fortë, të pamundur, por në kombëtarin kryeqytetas, do të ndëshkohen! Madje rëndë.

Dy janë momentet që ai stadium, spektatori, historia do t’i kujtojë përjetësisht. Goli i parë: ‘69, kur Mirel Josa me kokë e shfrytëzon topin e rikthyer në lojë, pas një pritje të vështirë të portierit, ndërhyn mes shpejtësi dhe 1-0. Goli i dytë: Minuta 86’, Minga zotëron një top në mesfushë, ka nisur vrapin potent, askush nuk ka mundur ta frenojë, ka përballë vetëm një mbrojtës e portierin, një stadium në këmbë, në pritje, ankth pa fund…! Në kufijtë e zonës, rreth 17 m., ai ka goditur me të djathtën, tokazi, një bombë e vërtetë, topi në të majtë të portierit belg dhe rrjetë nga porta veriore.

Një aksion individual i mrekullueshëm, një alternim shpejtësi, forcë, e finalizim mjeshtëror. Pastaj vrapi galopant i paharruar i tij drejt tifozerisë së sektorit përballë, tërësisht në ekstazë. 2-0, një triumf përtej imagjinatës, i regjistruar në “Qemal Stafën” mitike! Shqipëria e atij takimi është: Perlat Musta, Hysen Zmijani, Skënder Hodja, Adnan Ocelli, Muhedin Targaj, Ferit Rragami, Sulejman Demollari, Mirel Josa, Shkëlqim Muça (Arben Vila 88’), Arben Minga, Agustin Kola. Trainer, Shyqri Rreli. Belgjika: Pfaff, Grun, Van der Elst, Renkuin, Degrofte, Jespers, Shifo, (‘46 Klisteers), Kuleman, Verkauteren, Klaesen, Kaniatyneski (’62 Voordekers), Trainer, Gi Thys.

Ndarja dhe bashkimi i treshes…!

Të tre bashkë, luajtën deri në vitin 1989. I pari që u largua nga treshja, ishte Shkëlqim Muça, pas një dëmtimi kronik, kur u nda përfundimisht me futbollin. Pasi tij dyshja Minga-Kola vazhdoi për pak kohë së bashku, por pas ’90-ës morën drejtime të ndryshme, me skuadra jashtë vendit. Minga në Rumani dhe Kola në Greqi. I pari (Minga), u rikthye për t’u transferuar bashkë me familjen në Kanada, në vitet 2000, ndërsa Kola për t’u sistemuar përfundimisht në Tiranë. Në sezonin 1994-1995, ka një të veçantë: Minga-Muça-Kola, i gjejmë sërish bashkë te “Sport Klub Tirana”. Minga e Kola si futbollistë tashmë, në fund të karrierës, ndërsa Muça si trajner i skuadrës. Minga e la pas një viti, ndërsa Kola vazhdoi edhe dy sezone të tjera.

Ku janë sot, çfarë bëjnë legjendarët?

Fatkeqësisht Arben Minga nuk jeton më. I diplomuar për Merceologji, Minga u nda nga jeta në moshë të re, pas një sëmundjeje të rëndë më 30 janar 2007, në Uindsor Kanada, ku jetonte prej vitesh me bashkëshorten, Nora Goxhi (ish-basketbolliste e njohur) dhe dy djemtë. Futbollin e la kur ishte 36 vjeç, pa e vazhduar atë si trajner, apo funksione drejtuese. Edhe sot futbollit kombëtar, i mungon një personalitet i tillë. E tërhiqte skuadrën edhe i vetëm në momente të vështira. Asnjë trashëgimtar nuk e pasoi karrierën e tij.

Muça, inxhinieri i Gjeologjisë

Shkëlqim Muça, i diplomuar në Fakultetin e Gjeologjisë, nuk ishte produkt i “Mjeshtërisë Sportive”. Profesionin e inxhinierit nuk e aplikoi asnjëherë. Nuk luajti me asnjë skuadër tjetër, përveç “17 Nëntorit”. U largua nga futbolli pas disa dëmtimeve të rënda, jo mirë të diagnostikuara dhe të trajtuara nga mjekësia sportive. I’u nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk mundi të rikthej në fushë si futbollist, por si trajner, duke vazhduar me sukses karrierën me disa klube. Nuk pati pasues si futbollistë në familje.

Kola, i pakrahasueshëm

Mësues i edukimit fizik, Kola nuk e ushtroi shumë profesionin. Pasi luajti disa vite në Greqi, pas ndryshimeve politike dhe në moshë të madhe u rikthye si futbollist te “17 Nëntori”, duke u ndarë me të si lojtar në moshën 38-vjeçare. Më pas vazhdoi karrierën si trajner, duke drejtuar edhe “17 Nëntorin” e tij. I pakrahasueshëm për angazhimin dhe atë që transmetonte në skuadër kur luante. Një lider i vërtetë. Aktualisht jeton në Tiranë dhe është i angazhuar me sistemin zinxhir të ekipeve të moshave të fëmijëve.

Edhe Agustin Kola nuk pati vijues futbollistë në familje. Minga, Kola, Muça, kanë qenë dhe mbeten një treshe që, sado të shkruash për ta, prap, të mbetën shumë gjëra për të thënë. Madje sa më shumë t’i kujtosh, aq më tepër dalin gjëra të reja për ta, pasi karriera e tyre është mjaft e pasur. Jemi të sigurt që mund të kemi lënë mjaft detaje pa thënë lidhur me karrierën e tyre. Por, nga dëshira për t’i risjellë në kujtesën e sportdashësve, menduam se edhe me kaq rreshta, diçka do të shërbejë. Për kontributin që kanë dhënë te “17 Nëntori”, në skuadrën kombëtare dhe atë që kanë transmetuar në fushë, janë të papërsëritshëm në të gjitha aspektet, sportive dhe njerëzore.

Sindroma e besëtytnisë së stolit

Te “17 Nëntori” sindroma e besëtytnisë së stolit, ka qenë shumë e theksuar. Pra, te drejtuesit ishte krijuar ideja se, nëse do të kishte stolin në pjesën jugore të tribunës, skuadra do të kishte fat në ndeshje. Për këtë arsye, pavarësisht kur ishte ndeshja dhe orën e zhvillimit, që paradite rreth orës 10:00, një përfaqësues i klubit, shkonte në stadiumin “Dinamo” apo stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe qëndronte i ulur në stolat e boshatisur.

Si rastësisht, apo me një motiv tjetër, askush s’e kuptonte dhe nuk mund t’a mendonte një gjë të tillë. Pas shumë vitesh, kur ky informacion i shpërndarë, rivaliteti ishte i paparë se, cili do të ulej në stolin që do t’i sillte fat. Në veçanti, kur luhej njëri nga tri takimet derbi dhe më shumë rivaliteti ishte në “Qemal Stafa”, pasi në stadiumin “Dinamo”, ekipi i “17 Nëntorit” ulej gjithmonë në stolin jugor. Memorie.al

blank

SI DIKUR… SHPATULLA!- Nga Fritz RADOVANI

Natë Shen Mëhilli në Bjeshkët e Nëmuna!…
Një malësor i Veriut që edhe sot vazhdon me ju besue shpatullave tregonte, se në një natë feste i rrëthuem nga miqtë e vet po shihte në një shpatull dashi tek votra: “Ishte Luciferri që kishte mbledhë rreth një sofrës së madhe 100 tiranët, despotët dhe diktatorët ata ma terrorista të njoftun të botës bashkë me miqtë e tyne. Pranë Sulltanit Mizor dhe Neronit, ishte një Sulltan ma i ri dhe, në krahun e majtë të tij ishte Ever Hoxha, Stalini, Mao Ce Duni, Polpoti, Çaushesku e me rradhë vazhdonte sofra ku nuk mungonte asgja e shtrueme.
Everi vrojton se Çaushesku kërkon dikend atje larg me sy dhe, i ban me shenjë prej mjekrres me majuc, tue e pyet nën za, mos kërkon Leninin? -Ja ku është atje i rrëthuar nga një grumbull i madh grashë të stolisura me gjërdane, xhevahire e gjera t’arta. Çaushesku qeshet dhe vëren se Everi nuk sheh mirë larg sëpse, Lenini nuk ishte me gra, por me një grumbull gjeneralësh që dikur i kishte pushkatue Beria, kur Stalini pat kujtue se donin me e vra dhe i thotë Everit, aty paske edhe Beqirin tënd me atë komandantin e Brigadës së I–rë Sulmuese!.. -Aty le të rrinë gjerësa të bënën leninistë, iu përgjegj Everi, deshën të drejtojnë Partinë me kurse analfabetizmi, jo jo, komunizmin nuku e ndërtojnë ignorantët, na duallën thinjat që në kafenetë e Parisit dyke stydjuar me paratë e Dem Xhepës me shokë, të Pazarit të Tiranës, dyke u përpëllitur më marksizmë në dorë, jo vetëm dyke ngrënë e dyke pirë, por edhe kur venim në një W.W.C @marksizm.lininizmi., vatëm me vepra të Marksit e të ca tjerëve, nuku vete në socializmë pa shpurë gjerë në funt luftën e kllasave!
Mao Ce Duni per me tretë muhabet, tue u qeshë i thotë Stalinit, sa fshatarë pate zhdukë atëherë kur i krijove kollkozet në Bashkimin Sovjetik? -Stalini me një përçmim tue thithë llullën, ju përgjegj, po në të vërtetë nuk i kujtohej, -dreqi mban mend sa njeriun e kemi vra.., o shoku Mao? Mandej, or Mao, mos harro se sa të merrte në pesë vjet ai lumi ty në Kinë, ku u pate la me Çu Denë e Tenin, aq vetë unë i kam mbytë në një vit të burgosun kur provojshe atëherë digat e hidrocentralëve madheshtore që i ndertojshe me ta.
Mao qeshet e sillet nga Ever Hoxha tue i shkelë “synin e majtë”, si marksistët dhe e pyet:
Po ti, Ever, në “Revolucionin Kultural” që më kopjove mua, më the, se dua t’ i zhdukë fare Klerikët katolikë, a e pate realizuar atë ide? Everi, ashtu si ishte me dy karajfila të kuq në dorë tue i shkundë, ju përgjegj: -Nuk munda dot të gjithë!..
Mao Ce Duni prishaqefas u suell e i bani me gojë prrrrr … Asgjë edhe puna e yte! I ke lexuar citatët e mija ore, apo sa për të kaluar radhën, E, atëherë, për shka mi mban në dorë ata dy karafila?..
-Këta mi ka dhenë dreqi për të më kastiguar se nuk kanë kurrfarë ere! Por, dyke i mbajtur në dorë më shkon mendja tek Shqipëria dhe Kosova. Mos harro, se atë që i kam bërë unë Shqipërisë e Kosovës dyke ia lënë në dorë Titos e Milloshit e ministrave të mij, as nuku ka mundur as Krajl, as Sulltan e as Mret aso kohe as sot, per t’ ia bërë shqiptarëve të këndejshëm e t’andejshëm, që në kohë t’atij burrë.., e Everi, drejton sytë nga Neroni, që po lëpinte e thithte një kokë krapi.
-Asht e vërtetë, i përgjegjët Neroni, ju nuk keni pritë me i pjekë ata njerëz që patët përdorësh, po i keni hangër të gjallë e të palamë…
Everi, tue u qeshë i thotë: Kam marrë hakun e Sulltan Muratit në Kosovë e Vuçi Pashës në Kelmênd… Me até që i kam bërë unë atire nuk kam dashur për të lënë për t’ u krenuar as turk, as shkja, as kaurr dhe nuku jam fare pishman! Pjetni Nexhin a eshtë kështu?!
-Të lumtë, i thotë Stalini, po është dashur çuar gjerë në fund lufta e kllasave! E sheh ate sulltanin atje që krekoset se na ka luftuar imperializmin, aqsa kanë shkuar nga ata vende në Mekë, unë i kam pushkatuar vetëm në Moskën e bukur si agjentë e spijunë të anglo-amerikanëve, edhe ti ke vrarë, por jo aqsa duhej. 6000 vetë janë pak!
– Jo ore, ia fusin kot shifrave! Me 6000 vetë nuk njollosi as duartë…
-Po tani si vate lufta e kllasave në Shqipëri, se në kampin socialist e mori lumi? -Besova, se kishte për t’a krirë atë punë baca Ramiz, a të kujtohët për ke po flas, ja ku eshtë tek porta, po as ay nuku bëri gjë!
Çaushesku, i ndërpret fjalën dhe i thotë: -Evero! Ramizi e këta të rinjtë kanë një parim që ti nuk di a e di: “Ra vetja e më këputi! Ne na zente gjumi duke shfletuar veprat, ndërsa tani shokët tanë i zë drita duke numëruar dollarët! Leri çiliminjtë, u është bërë mendja bajkë, desha të them bankë perëndimore, a ki patur rastin me dëgjuar atë malokun e “open Balkanit” në Shqipëri, që po shkatrron Butrintin e Durrësin, se le ku po vete rinia, vetem per të mbushur xhepat e vet?
⦁ Jo ore, i çpifen Veriorët, se ay po rivendosë aty ato që ishin!
Po, leri ore gënjeshtrat e tija, ay ç’ thotë para droge, nuk e kujton pas saj. Persëritë terë ditën çfarë të mashtrojë serbët, eropjanët e rusët kur mblidhen gjoja për të kthirë paqen në themelin e rrenojave tire.
Kur Stalinit i vate syri përballë tek një foto e Putinit, iku në W.C…
Gosta vazhdoi, më gjthë që edhe pija e ushqimet ishin pafarë shije. Edhe këta si dy karajfilat e Ever Hoxhës…
“I dukej se ishin duke ngrënë bar, po parimet nuk i shkelin asnjëri!”
Njëlloj, si këndej edhe andej! Të gjithve u pelqente “shpatulla”!
E po, ka kaluar një shekull me pallavrat tona, e sa do të kalojnë?
Do presim ore, çfarë thotë “shpatulla”, ajo e di fare mirë ate!!!
Ke harruar sa vetë kemi zhdukur vetëm per t’i parë “Shpatullat”?!
Melbourne, 2 Dhjetor 2022.

 

blank

ARKIVAT OSMANE – JETËSHKRIMI I PASHKO VASËS, IDEOLOGU I LIDHJES SË PRIZRENIT Fakte të reja nga vepra e mendimtarit të nacionalizmit shqiptar Nga DRITAN EGRO

Dimensionet e panjohura të autorit të projektit historiko-politik “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, viti 1879.

Tradita historishkruese shqiptare u institucionalizua me vendosjen e regjimit komunist, por mbyllja tërësisht e vendit ndaj informacionit dhe materialeve arkivore me të cilat ka lidhje historia e shqiptarëve, bën që edhe sot publikimi i dokumenteve të panjohura arkivore të ofrojë të dhëna të reja mbi shumë ngjarje historike apo protagonistë të tyre. Ndërkohë, për periudhën osmane, sot më shumë sesa punohet për ta ndriçuar, mbahet vetëm qëndrim skajshmërisht kritik, madje deri në refuzim të njohjes së saj. Kjo verbëri, më së shumti e natyrës ideologjike, mëton t’i shuajë historisë së shqiptarëve një periudhë gjashtëshekullore, brenda së cilës janë mbarsur shumë nga problemet me të cilat Shqipëria përballet madje edhe sot. Në këtë kuadër, arkivat osmanë jo rrallë hedhin dritë mbi aspekte krejt të panjohura të realitetit shqiptar gjatë periudhës së sundimit osman në viset shqiptare dhe, më gjerë, për realitetin euro-aziatik, ku kemi bërë pjesë nga mesi shek. XIV e deri në fillim të shek.XX. Jetëshkrimi i Pashko Vassës, nxjerrë nga Arkivi osman i Kryeministrisë (BOA: DH, SAID. 1/236), na jep mundësinë të njohim jo vetëm fakte të reja mbi jetën e këtij personaliteti, por, ç’është më e rëndësishmja, të njihemi edhe me dimensionet reale të personalitetit të këtij shqiptari, i vlerësuar nga shtetet dhe fuqitë politike më të mëdha të kohës. Pashko Vassa është personaliteti që i pari hartoi një projekt historiko-politik për nacionalizmin shqiptar, i titulluar “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, botuar në vitin 1879. Është kjo vepër që i dha Pashko Vassës vlerësimin si ideologu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga jetëshkrimi që po bëjmë të njohur, jo vetëm që mësojmë se ku gjendej Pashko Vassa vit pas  viti dhe nëpër çfarë ofiqesh kaloi karriera e tij në Perandorinë Osmane, por mësojmë se në prag të zhvillimeve politike ndërkombëtare që i paraprinë Lidhjes së Prizrenit, ai gjendej me ofiqin e këshilltarit në Kosovë. Të mos e fetishizojmë peshën dhe vlerën e një dokumenti të vetëm. Jemi të bindur se ai shënon veçse fillimin e procesit të një njohjeje më të plotë të personaliteteve shqiptare, që mbartën mbi supe peshën e hartimit të doktrinës së nacionalizmit dhe të organizimit në terren të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar.

Dokumenti, Jetëshkrimi
Pashko Vassa efendi (në origjinal emri është shkruar në trajtën Pasko) është i biri i Hil [Mëhill] Vassës. Lindi në Shkodër, sipas kalendarit Hixhri në vitin 1241/1825.
Në shkollat e Venedikut dhe të Romës ka mësuar lëndët shkencore: gjeografi, histori, arithmetikë, ekonomi, filozofi dhe jurisprudencë.
Lexon e shkruan turqisht, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe sllavisht. Flet shqip, bullgarisht dhe pak arabisht. Njohja e këtyre gjuhëve, sipas kohës kur i ka mësuar ato, është e dokumentuar me diplomat përkatëse.
Ka një vepër italisht për rrethimin e Venedikut dhe informacione [sqaruese] rreth kësaj ngjarjeje. Ka disa libra të shkruara frëngjisht, respektivisht një për zhvillimet politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe problemet e pronësisë së tokës atje; një përmbledhje për zhvillimet në Malin e Zi; në lidhje me Shqipërinë ka një vepër për gjendjen e shqiptarëve; dhe një studim shkruar turqisht, që bën fjalë për të drejtën romake.
***
Në vitin 50, kur ishte vetëm 25 vjeç, u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas, në vitin 1851, me një rrogë prej 500 groshësh, u emërua nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë.
Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale osmane me një pagë mujore prej 1.000 groshësh; më pas, rroga iu ngrit në 1.500 groshë dhe, gjatë kohës që shërbente në Shkodër, shkoi dhe erdhi nga Cetina me ofiqin e zyrtarit osman, që uroi kreun e Principatës së Malit të Zi, princ Nikollën, për shërim të shpejtë.
Në vitet 1860-1861, gjatë luftës me Malin e Zi, për herë të parë, u emërua anëtar i Këshillit të Luftës, me një rrogë mujore prej 1.500 groshësh dhe, me të njëjtën pagë mujore, përveç detyrës rutinë të përkthyesit, gjatë viteve 1861-1862, kur Shkëlqesia e Tij, [Ahmet] Xhevdet Pasha, u dërgua me mision special në Shqipëri, kreu edhe detyrën e përkthyesit [të tij personal] dhe detyrën e sekretarit në gjuhën frënge. Në përfundim të luftës [me Malin e Zi], për verifikimin e gjendjes së mosmarrëveshjeve kufitare [mes Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane] shoqëroi gjeneral divizioni, Ali Pashën, dhe për një kohë, me dëshirën e tij, punoi në komisionin [përkatës] me shpenzime udhëtimi prej 5.000 groshësh.
Më pas, me një rrogë prej 2000 groshësh u caktua si përkthyes pranë divizionit ushtarak [osman] në Hercegovinë; kurse, në vitin 1863, me një pagë prej 3.000 groshësh, u emërua mes inspektorëve me kompetenca të jashtëzakonshme për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe shërbeu në shpurën e Shkëlqesisë së tij, Zija Pashës, në këtë moment vali i Adanasë (Anadoll), dhe më pas shërbeu edhe për dy vjet me radhë pranë të lartpërmendurit, Shkëlqesisë së Tij, [Ahmet] Xhevdet Pashës.
Në muajin tetor 1863, me marrjen e gradës së rangut të tretë, vjen në Stamboll. Për një farë kohe punoi si stazhier në Zyrën e Korrespondencës me vendet e huaja.
Në vitin 1865, me një pagë mujore prej 2.000 groshësh, për herë të dytë, u emërua përkthyes në vilajetin e Shkodrës.
Në vitin 1866, me një pagë mujore prej 5.000 groshësh, u emërua në detyrën e zv.drejtorit për çështjet politike në vilajetin e Halepit/Siri. Në vitin 1868, me një rrogë prej 7.500 groshësh u emërua në detyrën e drejtorit të zyrës së lartpërmendur; kurse në muajin korrik të vitit 1868 iu akordua grada e dytë e klasit special, dhe, me një pagë prej 4.000 groshësh, caktohet në detyrën e kryesekretarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në muajin shtator 1869, merr gradën e parë të klasit të dytë, dhe, me një pagë prej 7.500 groshësh, emërohet anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 1875, me një rrogë mujore prej 4.000 groshësh, emërohet anëtar i Zyrës së Krimeve pranë Gjykatës së Apelit; dhe po gjatë vitit të lartpërmendur, me një rrogë mujore prej 12.500 groshësh, u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë dhe sërish brenda atij viti, me një pagë mujore prej 10.000 groshësh, u emërua nëpunës me cilësinë e anëtarit pranë Komisionit për Mbledhjen e Taksave, që vepron në Bullgari, komision që kryesohej nga i nderuari Sadullah Bej, aktualisht ambasador [i Perandorisë Osmane] në Berlin.
Në vitin 1876 u caktua nëpunës për borxhet pranë zyrës së ndihmës valiut të vilajetit të Manastirit.
Nisur nga vlerat dhe kapaciteti [i tij personal], në muajin gusht të vitit 1877, u emërua këshilltar në vilajetin e Kosovës, me pagë mujore prej 12.500 groshësh.
Në vitin 1878 emërohet komisar i rodopeve ballkanike me një dietë fikse prej 100 lirash dhe, brenda po këtij viti, me një pagë mujore prej 6.000 groshësh, u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit, dhe më pas, si një detyrë shtesë dhe pa pagesë, iu dha drejtimi i zyrës së shtypit dhe botimeve.
Në muajin shtator të vitit 1879, me një rrogë prej 10.000 groshësh, është emëruar këshilltar në vilajetin e Edrenesë, ku gjendet edhe në këtë moment.
***
Në muajin gusht 1877, në përfundim të luftës me Malin e Zi, në kohën që shteti rus i akordoi shkëlqesisë së tij, Abdi Pashës, kordonin e madh të medaljes “Shën Stanisllas”; meqenëse [Pashko Vassa] ishte pjesë e shpurës së tij, atij iu dha po e njëjta medalje, por e klasit të tretë.
Nga të gjitha detyrat zyrtare ku ka shërbyer deri më tani, është liruar përmes kalimit nga një detyrë në tjetrën ose kur e ka përmbushur afatin e kohës [në atë detyrë]. Për tre vjet u lirua nga detyrat shtetërore dhe mbeti pa rrogë. Vetëm se largimi nga posti i anëtarit të Gjykatës së Apelit, sipas vetë atij, mbeti i panjohur. Gjatë kryerjes së shërbimeve të lartpërmendura [asnjëherë] nuk është fajësuar/ nuk është bërë përgjegjës për ndonjë gjë; asnjëherë për të nuk ka pasur ndonjë procedim ligjor.
Më 26 shkurt 1880
Rroga e të lartpërmendurit Vassa Pasha, në datën 13 mars 1880, përgjatë kohës së rregullimeve [administrative], u ul në 8.000 groshë dhe, më pas, si vlerësim për detyrat e ngarkuara, në 12 prill 1882 iu dha medalja “Mexhidije”, klasi i dytë; në 6 maj 1882 iu akordua medalja “Mexhidije” e rangut të lartë. Në 10 korrik 1883, me një pagë mujore prej 20.000 akçesh dhe me titullin vezir, u emërua mutasarrif i [distriktit të] Maleve të Libanit, emërim që u ratifikua në datën 10 maj 1883; në 24 maj 1883, iu akordua medalja “Mexhidije” e klasit të parë, dhe në 31 maj 1883 iu akordua medalja “Osmane”, klasi i dytë.
Në 24 shtator 1886, Vassa Pashës së lartpërmendur Madhëria e Tij, Papa, i dha medaljen e “Shën Gregorit”, klasi i parë.
Në 16 qershor 1887, [personit] të lartpërmendur shteti italian i dha medaljen “Corona d’Italia”, klasi i parë.
Në 13 maj 1889, pashait të lartpërmendur, duke iu ngritur rangu, iu akordua medalja e lartë “Osmane”, klasi i parë.
Në 11 shtator 1889, pashait të lartpërmendur shteti rus i dha medaljen “Shën Stanisllas”, klasi i parë.
Në 11 tetor 1887 iu akorduan medaljet më të larta në hierarkinë e medaljeve të arta dhe të argjendta [të shtetit osman].
Personi i lartpërmendur vdiq më 26 qershor 1892.

blank

1 DHJETOR 1909 HAPJA E SHKOLLËS NORMALE… – Përgatiti Shefqet Deliallisi

Foto : Paria e Elbasanit dhe ftesa qe ka marre Lef Nosi nga Shkolla Normale me rastin e ceremonise se provimeve..
Një reportazh impresionues nga Elbasani, 1910…
(Gazeta “Tomorri”)
Reportazhi bën fjalë për provimin e nxënësve të parë të Normales, pas përfundimit të vitit shkollor. Është impresionuese ceremonina e organizuar me atë rast, marrin pjesë figurat më të shquara të Elbasanit, por ajo që veçanërisht tërheq vëmendjen, pjesmarrja masive e qytetarve të tij. Një provim i hapur, me publik, një festë për qytetin.
Amosferën na e jep Lef Nosi në reportazhin e Gazetës “Tomorri” 30 Qershor 1910 :
“Ora ishte njëmbëdhjetë para dreke dhe njerezia… zun të derdhen pa pushim në Mësimore, me gjithë që binte një shi i holle. Për pakë kohë, salla u mbush tunde me njerës, sa që s’kishnje se ku të huthnje gjelpanën. Shkallët e Mësimores edhe oborri ma së fundi, me gjithë që shiu nuk pushonte, ishin plot për plot me atdhetarë, të cilët, me zjarr në zemër, kishin rendun të ndegjojnë provimet e djelmoshavet shqiptarë dhe të shohin e të çmojnë me syt e tyne punen e përparimin që ishte bamun për shtatë muaj në këte Mesimore Shqipëtare të-lartë, që vlerëson ndihmën e përkrajen landore (materiale) të gjithë atdhetarevet të vërtetë. Në kjoftë se nuk kishte me ranë shi, në kopësht të math të Mësimores, do të kishte rrjedhun gjithë qyteti. Në sallën e madhe shohim gjithë parësin e vendit: Aqif Pashën, Dervish Beun(Biçkaçiu): Shefqet Beun(Vërlaci), Hasan Beun(biçakçiu), Kryetarin e Beledies(Bashkisë) Alush Saraçin, gjith parësiet ushtërore dhe politike, përfaqesonjesit e Klubit “Bashkimi i Ri”, shoqënivet “Aferdita” “Drita dhe”Dielli”. Kryetari i Parësise, se Mësimores i-palodhuni atdhetar Dervish Be Elbasani (Biçakçiu) qëndronte në krye të shkallevet edhe, me atë fisnikëni të hollë që karakterizon gjithë mënyrat e të siellunat e tij, priste gjindjen… Për gjithesecilin kishte edhe një fjalë të-amblë e një nderim të-veçantë”
Fjalën e merr Luigj Gurakuqi, drejtor i “Normales”:
“Shtatë muaj ma parë n’atë ditë fatbardhë e të paharrushme… u hapën dyert e kësaj shkolle Normale… E dinim se do të punonim për gjuhë e për atdhe siç e ka detyrë ç’do Shqypëtar i vërtetë, e ky mendim na ngrohte zembërën e na jipte guxim e durim… Po sot gëzohem që ju dëftenj, o Zotërinj të ndershëm, se puna me ndihmën e Zotit e t’aftesiës së Shqyptarëvet i kapërceu shpresat t’ona. Sot qe kemi nderin të ju shohim përsëri të mbledhun në ktë vend të bekuar në ktë çerdhe të dituniës të shqypëtarëve, shpresojmë se nuk do të ju mbajmë ma vetëm me fjalë të gjata e të thata po do të mundohemi t’ ju vërtetojmë, me vepra e me tregime, mendimet e fjalët t’ona e t’ju japim një provë të vogël po të këthjelltë të dobís e të frytit, që sjell ky lloj mësimi tue ju shtrumun përpara pemët e reja të kësaj vjete shkollare… Djemt t’onë rrodhën nga të gjitha viset e Shqypëniës e u derdhën këtu n’Elbasan, e jo vetëm nga Toskëria… po mâ fort Gegënia e Sypërme, nga Kosova fisnike e trimoshe me të përpjekunit e të nderëshmit Hasan Be Prishtina… Këtu do të rriten me urti e do t’ushqehen me mësime e me dituni ata apostuj Shqypëtarë, që për së shpejti do të përndajnë dritën në të gjitha viset e vêndit tonë.
E shoh për detyrë t’i falem nderit si Komisjonit të shkollës si edhe parësisë e të gjithë njerëziës s’Elbasanit, që aqë fort janë munduarë të na ndihnin në të kryemit e barrës s’onë. Elbasani, përveç se truni e zembëra e Shqypëniës do të jetë paskëtaj për të gjithë ne edhe si një vênt lindjeje i dytë. Nxânësit e kësaj shkolle, nashti që do të këthehen në vëndet e në shtëpiat e veta, besonj se do të sjellin me vehte një kujtim të mallëngjyeshëm e do të përhapin e do të përndajnë nâmin e tij në të katrë anët e atdheut t’onë. Rroftë pra Elbasani, djepi i mësimt e i dituniës kombëtare!”
Pas kësaj fjale të zjartë të fillon provimi. Në reportazh shkruhet: “Përgjithësisht të gjitha mësimet, të trajtuara më një gjuhë të-rriedhëshme dhe të-për-bashkme kupëtoheshin lehtësisht prej të gjithve dhe ma tepër po thua se dy orë rreshtë tërhoqën pa ndo-një farë mërzie verejtjen e gjith asaj gjindjeje të-madhe, e-cila nuk pushonte tue trokitun duart nga pëlqimi”.
Dhe pas provimit janë çmimet për më të mirët që sot përbëjnë një surprizë e vëtë. Por “Ç’ishin çmimet? – shkruhet në reportazh-Me kohë atdhetari i dëgjuar dhe i adhuruarshmi deputati t’onë Hasan bej Prishtina kishte derguar dy-mbë-dhetë orë (sahate): katrë me mbulesë t’artë dhe tetë me rreth të këtillë. Përveç këtij zotnie të-lartë orë dhuruan edhe këta zotnië të nderëshm: Aqif pasha dy, Shefqet beu dy, Dervish beu një, Qamil beu një, i vëllai Dervish beut dy, Hasan Çiftja një, Klubi “Bashkim i Ri” dy, shoqënia “Drita” një, Esnafi një….”
blank
blank
Foto : Paria e Elbasanit dhe ftesa qe ka marre Lef Nosi nga Shkolla Normale me rastin e ceremonise se provimeve..
blank
blank
blank
Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Aleksander Xhuvani
blank

Istanbul (1934)- Kur Zogu falenderonte Mustafa Kemal Ataturkun për telegramin e ngushëllimit me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Nëntor 2022

 

“Istanbul” ka botuar, të hënën e 2 dhjetorit 1934, në ballinë, telegramin e falenderimit të mbretit Zog drejtuar askohe Mustafa Kemal Ataturkut me rastin e ndarjes nga jeta të nënës së tij Sadije (25 nëntor 1934), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

 

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Shkëmbim telegramesh

 

Në përgjigje të telegramit që Presidenti i Republikës i kishte dërguar me rastin e vdekjes së nënës së tij, Mbreti Zogu i Shqipërisë sapo i ka dërguar Gazit këtë shkresë :

 

Shkëlqesia e Tij Kemal Ataturku

President i Republikës turke

Ankara

 

Shumë i prekur nga ana e Shkëlqesisë suaj në marrjen pjesë në zinë time të madhe, ju kërkoj të pranoni falënderimet e mia më të sinqerta.

 

Zogu

blank

Le Matin (1921)- Udhëtimi i deputetit francez nëpër Shqipëri dhe mendimi i tij për të ardhmen e kombit shqiptar

Justin Godart (1871 – 1956)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Nëntor 2022

blank

Le Matin” ka botuar, të premten e 3 qershorit 1921, në ballinë, rrëfimin e udhëtimit të deptutetit francez Justin Godart asokohe në Shqipëri, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëria e do Francën

Punëtor, i disiplinuar, i pasur, ky komb i ri ka të gjitha mjetet për t’u bërë shpejt një shtet modern dhe demokratik.

Franca duhet ta ndihmojë

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Sapo kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë.

 

Kur, duke shkuar nga Korça në liqenin e Ohrit, kalova në fshatin Zervaskë, u habita kur pashë shtëpitë e mbyllura dhe rrugët e shkreta. Duke vazhduar rrugën, gjeta banorët, fëmijët e shkollave që mbanin flamuj të vegjël francezë dhe shqiptarë në duar, të grupuar në hyrje të një varreze. Shefi më shpjegoi se ishin mbledhur atje për të më përshëndetur, sepse atje pushonin ushtarët francezë dhe populli i rajonit kishte këmbëngulur të demonstronte për nder të vendit tim para varreve të vëllezërve të mi, të rënë për lirinë e botës.

 

Kryqet prej druri ishin lulëzuar (zbukuruar). Dhe ndërsa unë i përshëndeta, i ndjekur nga turma e madhe, djem dhe vajza kënduan Marsejezën në frëngjisht.

 

Kudo, në Shqipërinë e ashpër dhe të bukur, kam marrë për vendin tonë shprehjen e simpatisë së sinqertë dhe të thellë.

 

Në Tiranë, qyteti kaq kurioz i lashtë, i cili është bërë kryeqytet; Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e marsit të kaluar, vendosi të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme për të më pritur.

 

Kur të ktheheni në shtëpi, më tha presidenti, ju bëjmë thirrje t’u komunikoni bashkatdhetarëve tuaj se në këtë gadishull ballkanik keni gjetur një popull të vogël, por të ndërgjegjshëm, i cili gjithmonë ka ushqyer admirimin më të madh dhe më të sinqertë për Francën.

 

Krahas këtyre ndjesive, të shprehura në mënyrë prekëse, si në Zervaskë, apo më në përgjithësi, me entuziazmin e festave popullore, sjell nga Shqipëria përshtypjet që dua t’i përmbledh këtu.

 

Shqipëria, e pranuar së fundmi si anëtare e Lidhjes së Kombeve, ka një qeveri, autoriteti i së cilës njihet në të gjithë territorin. Ajo vendosi rendin dhe e zbatoi atë me një xhandarmëri të disiplinuar plotësisht. Siguria që mbretëron në Shqipëri është e tillë që shumë kombe të mëdha mund ta kenë zili.

 

E udhëhequr nga një këshill suprem prej katër personash dhe një kabinet prej gjashtë ministrash, Shqipëria po harton një Kushtetutë që padyshim do të jetë dukshëm demokratike.

 

Puna organizative që duhet bërë në Shqipëri është e konsiderueshme. Turqia e mbante këtë krahinë në një gjendje të pasigurt, duke i refuzuar rrugët, shkollat, të gjitha mjetet e zhvillimit material e intelektual, sepse ishte një kryengritëse kokëfortë dhe strehonte në malet e saj patriotë të paepur. Sot autonome, pasi ka luftuar me shekuj për pavarësinë e saj, Shqipëria ndodhet përballë një problemi të frikshëm, shndërrimit të saj në një shtet modern.

 

A do të jetë në gjendje ta zgjidhë ajo?

 

Ajo që kam parë më lejon të përgjigjem në mënyrë pozitive.

 

Për përpjekjen e madhe të punës së durueshme që kërkon përshtatja me përparimin e një populli të vonuar pavarësisht tij, duhet bashkimi, vullneti i vendosur për veprim, elementët e prodhimit të pasurisë.

 

Shqipëria i ka të gjitha.

 

Me gjithë propagandën e huaj që insinuon veten nën petkun e fesë, katolikë, myslimanë, ortodoksë janë mbi të gjitha shqiptarë. Askund nuk praktikohet toleranca si në Shqipëri dhe të nesërmen kur atje do të krijohet Kisha Ortodokse Kombëtare, do të zhduket shkaku më i rëndë i trazirave që vjen nga jashtë.

 

Të gjitha shqetësimet janë të drejtuara drejt përmirësimeve që duhen bërë. Shqipëria ka sigurisht teknikë, por, të shkolluar, disa në Kostandinopojë, të tjerë në Vjenë, këta në Boston, ata në Romë apo Paris, diversiteti i kulturës së tyre e bën të vështirë që ata të punojnë së bashku për të konceptuar një program të madh dhe për ta drejtuar atë. Gjithashtu, drejtuesit u bëjnë thirrje organizatorëve të huaj, dhe veçanërisht francezëve. Ata që vendosin të shkojnë atje, plus interesit për të krijuar në një vend të ri, janë të siguruar për një të ardhme të ndritur.

 

Së fundi, Shqipëria është e pasur. Paratë e arit dhe argjendit qarkullojnë atje zakonisht në tregjet më të vogla. Toka është mezi e zhvilluar dhe është pjellore. Nëntoka me siguri përmban depozita të pazbuluara. Pyjet madhështore presin të zhvillohen dhe shfrytëzohen. Fushat e pafundme, të kulluara lehtësisht, mund të ofrojnë korrje të rëndësishme pambuku. Në pazare, tregtarët tanë mund të vendosnin sasi të produkteve tona. Por mos prisni që vendi t’u zihet.

 

Prandaj, interesi i Francës është t’i përgjigjet miqësisë që i tregon Shqipëria dhe, për paqen e Evropës, është e rëndësishme që kombet e mëdha t’i japin ndihmën e tyre shtetit të ri. Ai ka nevojë për të, sepse drejtësia e premtuar për popujt e vegjël gjatë luftës së madhe, sepse respekti për shkak të kombësive, nuk i janë siguruar ende plotësisht. Kufijtë që i janë caktuar Shqipërisë janë shkelur apo kërcënuar. Qeveria e saj e rregullt, e cila e ka provuar veten, nuk njihet. Ne lëmë kështu, pa arsye të qartë dhe të aftë për të përballuar gjykimin e opinionit publik, në pasiguri për fatet e tij, një komb trim, i cili ka dhënë një shembull të shkëlqyer të rezistencës ndaj shtypjes dhe vitalitetit, dhe që, në këtë mënyrë, është i ngjashëm me ne.

 

Rrugës për në Elbasan, përmes masivit qendror të Shqipërisë, arrita, pas një dite të gjatë me kalë, në shi, në “Brzeshda”. I ulur pranë meje, në qilima, përballë zjarrit që po më thante, i zoti i shtëpisë dhe të ftuarit e tij më pyetën me pasion për Francën. Në Shqipëri është i zakonshëm përdorimi i gjuhës frënge, që mësohet në shkollat fillore. Një plak, i veshur me një xhaketë të bardhë me lara të zeza, ngriti zërin :

 

— Këtu, pamë, gjatë luftës, austriakët, të cilët mendonin vetëm të forcoheshin; gjermanët : folën vetëm për heroizmin e tyre, për pushtimet e tyre ushtarake; pastaj francezët. Një mbrëmje, në vendin tuaj ishte një ushtar nga vendi juaj dhe një fshatar si ne. E festuam, e dëgjuam. Kështu ai na zbuloi Francën kur na tha : “Por ne, ne po luftojmë për lirinë.”

 

Një heshtje e gjatë mbretëroi në dhomën e tymosur. Sapo isha ndjerë i prekur tek këta malësorë dhe ndjeva në vetvete shpirtin e përbashkët të Francës dhe Shqipërisë.

 

Justin Godart

deputet,

ish-nënsekretar i shtetit

blank

“Katerina vdiq aty ndaj mesnate në shpellë, në krahët e komandant Markut, nga hemorragjia që s’i pushoi deri në fund dhe ai…”, ngjarja tragjike në kampin e Tepelenës

Nga Spartak Ngjela

Pjesa e dytë
Spartak Ngjela ka lindur në Tiranë më 11 korrik të vitit 1948, ndërsa origjina e familjes së tij nga babai është nga Zagoria e Gjirokastrës, kurse nga nëna, nga Pojani i Korçës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (ku asokohe mësonin pjesa më e madhe e fëmijëve të nomenklaturës e udhëheqjes së lartë të PPSh-së), Spartaku ndoqi studimet e larta dhe diplomua në Drejtësi në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Pas diplomimit në vitin 1970, Spartaku u emërua si jurist (këshilltar ligjor) pranë gjykatave të rrethit të Vlorës e Durrësit dhe në vitin 1973, si punonjës shkencor pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, i porsahapur në atë kohë. Në vitin 1975, pas arrestimit të babait të tij, Kiço Ngjela, (ish-ministër i Tregtisë për më shumë se dy dekada, i cili u dënua me 25 vjet heqje lirie me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor-sabotator në Ekonomi”, ku bënin pjesë edhe dy zv/kryeministrat Avdyl Këllezi e Koço Theodhosi, si dhe ministri Vasil Kati, etj.), u arrestua edhe Spartaku, ndërsa familja, u internua në Selenicë të Vlorës.

Po kështu disa vjet më pas, arrestohet dhe dënohet edhe vëllai i tij, Sokol Ngjela, (Linci), “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe gjatë viteve ’80-të, të tre pjesëtarët meshkuj të familjes Ngjela, vuanin dënimin në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alisë.

Arrestimi dhe dënimi i Spartakut në vitin 1976, me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, nuk erdhi thjesht prej dënimit të babait të tij, Kiço Ngjela, por sepse edhe ai vetë, ishte një nga “fëmijët problematikë” të ‘Bllokut’ të udhëheqjes së lartë të PPSh-së, gjë e cila u vërtetua edhe me qëndrimin dinjitoz, që ai mbajti në kampe dhe burgje gjatë gjithë periudhës së vuajtjes së dënimit, (1975-1991) si në Ballsh e Burrel, ku ishte vazhdimisht në konflikt të hapur, jo vetëm me autoritetet e burgut, por edhe me udhëheqjen e lartë, pasi herë pas here ai i dërgonte letra udhëheqjes, siç ishin ajo për gjetjen e proces-verbalit të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare (ku Enver Hoxha nuk figuronte si sekretar i përgjithshëm), apo letra dërguar Ramiz Alisë në vitin 1988, ku i kërkonte rehabilitimin e Padër Gjergj Fishtës.

Qëndrimi i Ngjelës në kampe dhe burgje, përveç bashkëvuajtësve të shumë të tij, konfirmohet edhe nga një dokument sekret i Punëtorit Operativ të Burgut të Burrelit, Piro Nuredini, dërguar në vitin 1982 eprorëve të tij, ku ai ka bërë disa karakteristika, për disa prej të burgosurve më problematikë për regjimin, që vuanin dënimin aty (si: Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Abdulla Sallaku, Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Avni Aliko, etj.), ku ai shkruan: “Spartak Ngjela, i tërbuar kundër Partisë dhe kundër komandës. Është i ndershëm realisht, vdes për Anglinë”.

Spartaku së bashku me të atin, Kiçon, u liruan nga burgu në fillimin e vitit 1991, me të fundit të burgosur të ndërgjegjes, që dolën nga burgjet e atij regjimi. Në fillimin e viteve ’90-të, Spartak Ngjela u angazhua në jetën politike, fillimisht me partinë Lëvizja e Legalitetit, ku në qeverinë e Stabilitetit në vitin 1997, mbajti postin e ministrit të Drejtësisë për disa muaj dhe në vitet në vijim, për disa legjislatura (2001 – 2009) si deputet dhe funksionarë i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në 12 dhjetor të vitit 2008, Ngjela themeloi partinë “Ligj dhe Drejtësi”, të cilën për disa vite e drejtoi vetë si kryetar i saj.

Po kështu gjatë kësaj periudhe kohe, krahas studios së tij ligjore si avokat, Ngjela, është angazhuar edhe në fushën e publicistikës, duke qenë i pranishëm me shkrimet e tij në shtypin e përditshëm dhe ka botuar disa libra, si dy romanet: “Shpella e vrasjes” (1994), “Helena R”, (1999), “Hakmarrja e një gruaje” (2018), apo “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare – 1957 – 2010” (2011), në disa vëllime, etj. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga libri i tij, “Shpella e vdekjes”, i cili është bazuar mbi ngjarje reale të jetuar në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në vitet e para të pasluftës.

 

Vijim

Fragmente nga libri “SHPELLA E VRASJES”

Kurse Mark Ashta dhe Katerina Pogu, të ikurit e asaj nate, prej tre orësh po rrinin të fshehur në një shpellë, se i’u shkoi gjithçka ters e shtrembër dhe ndaj nuk e kaptuan dot kufirin. Por vendi ku qenë fshehur, ishte i sigurt; për këtë kish besim të patundur Ashta. Dhe aty do të kalonin të gjithë ditën, që të tentonin sërish natën e pritshme, ngase ditën ishte e pamundur të lëvizje.

Eh, gjithë ato orë nate u kishin shkuar gand, gjithë ajo avancë pastaj! Ja, këtë s’ia falte vetes Mark Ashta, se faji kishte qenë i tij. Ai, nxitimi i motivuar përgjysmë u kish kushtuar shtrenjtë, ndonëse Ashta e njihte vendin. Bile do të kishte qenë më mirë po qe se, nuk do ta kish njohur aq mirë.

Lakmova tepër nga besimi i madh që kisha te njohja ime, mendonte prerë Ashta dhe i kthehej gjithaq tërë asaj që kishte kryer si veprim atë natë: rrëmbimi i Katerinës nga kështjella (një veprim i përkryer ky), pastaj ecja e tërbuar e “Xhip”-sit, ai shkiste dhe bënte përpara si i gëzuar (jo, jo ishte merita ime e ngarasi asnjë herë tjetër, mbrëmë) dhe braktisja e makinës ishte bërë tamam aty ku duhej, s’kishte vend më të përshtatshëm se ai: asnjë vonesë udhës gjer te ajo pikë e caktuar qysh më parë, por aty u shfaq dilema.- Eh, e pse ndërrova mendje! – e pra, pse?; ngaqë duhej të ecte nëpër shtratin e thatë të përroit.

Kështu e pat menduar ikjen tërë ditën, veç aty, kur i erdhi çasti ndërroi mendje, – kështu është kur të shtyn djalli! – se ndoshta për këtë kish të drejtë: ç’ishte ai çast i përvjedhur që ia mori mendjen për të ndërruar udhën! Jo, atij në fakt i ishte dukur më e lehtë rruga e kodrës se, sa e përroit. Shtrati i tij ishte gjithë gurë që do ta lodhte Katerinën.

E ku mund të ecë dot një grua nëpër gjithë ata gurë! Prandaj pra e la përroin e mori udhën e kodrës. Eh, sa herë e kishte përshkuar gjatë luftës me këmbë atë kodër! Vërtet rruga zgjatej një gjysmë ore, por kohë kishte boll e ndjekja ende nuk i pat nisur. Ndaj menjëherë mori nga kodra, të ngjitej aty në majë të saj me gjithë Katerinën e, mandej të varej lingthi teposhtë faqes tjetër, që ai e dinte se ish një shkurrishte e ndarë në mes nga kufiri i dy shteteve.

– Eh si harrova që ishin dy kodra varg! – S’ia falte vetes! Megjithëse shpella ku rrinin ishte një vend i sigurt. E pra i ishte ngjitur asaj kodrës tjetër; dhe ecë e ecë e shkurrishte s’po shihte. Dhe ora ikte; gjersa më në fund një vijë uji e kishte sjellë në vete. Jo ai po e çonte në një kodër tjetër. Se dhe makinën nuk e kishte lënë tamam aty ku duhej. Natë. Errësira ndoshta!

Megjithatë gabimi ishte bërë: që nga ajo kodër kufiri largohej. Atëherë pa sahatin. Ora ishte 02.50. Katerina s’fliste. Për të dalë matanë ishte krejt e pamundur. Duhej më tepër nga tri orë. Do t’i kapte dita duke ecur. Jo, jo, i’u duhej një vend për t’u fshehur, se përndryshe do të ishin të humbur. Ku të futej për të pritur natën tjetër?!

– Më shpëtoi kjo shpellë! – se aty për aty, menjëherë i’u kujtua. Dhe s’ishte larg. Duhet të hynte në shtratin e përroit që kishte lënë pas, që aty mandej, duke ecur gjithë-gjithë dhe disa minuta, pesëmbëdhjetë ndofta, të strehoheshin te ajo shpellë. Eh, si e kish kapur prapë Katerinën nga dora dhe qe kthyer mbrapsht nëpër errësirë. – Vetëm kjo errësirë pus e zezë paskësh qenë e liga, pengesa ime në këtë kuturi!

– Por Katerina ecte njëlloj si ai, edhe kur hynë më në fund nëpër shtratin e thatë të përroit, donte ende dhe treçerek ore që të zbardhte.- Më shpëtove o plak. Ti më shpëtove o Nikollë! – Një bari ai, një çoban gjithsesi i këtyre anëve që ia kish treguar atë skutë aq të vetmuar.

Dhe tani ishte i sigurt se askush nga ndjekësit e tij nuk e dinte atë vend. Askush. Bile as nga vendësit. Çobani ishte nomad, dhe shpella ishte e zënë për mrekulli, m’u si me një derë guri, të bërë me dorë tamam për të. Kur hynë në shpellë ora kish qenë 04.13.

– Sa është ora, Mark? – e pyeti Ashtën, Katerina me një zë të psherëtimtë, ashtu siç qe, e shtrirë me kokë të mbështetur mbi prehërin e tij.

– Tetë e gjysmë, – i’u përgjigj ai pa e vështruar orën, sepse në ato çaste sapo e kishte parë. – Çohu pak më sipër, – i tha pastaj dhe, pasi e kapi nga beli e ngriti edhe më lart mbi prehër.

– Në të vërtetë, kish disa minuta që i ishin ndërprerë dhimbjet, por megjithatë ajo ndihej e lodhur, krejt si e dërrmuar e me një katali të përgjithshme. As për të folur nuk kishte fuqi. Frymëmarrja i ishte ashpërsuar dhe goja i thahej vazhdimisht. Dhe atë pak ujë që kishte mbetur në paguren e alumintë, Ashta mundohej që ta çonte sa më gjatë. I’a vuri edhe një herë dorën në ballë dhe psherëtiu: ethet i qenë shtuar. Balli i digjte si jezull.

– Vështroi edhe një herë sahatin: ora ishte 20.39.

Ndërkohë, jo kot, e kishte pushtuar cit një shqetësim i ankthshëm, ngaqë nuk po i pëlqente hiç ajo gjendje zjarrmie. Ç’të bënte. Gjithnjë mundohej ta bindte veten se asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Ja, dhe ca pak kohë ende e do të çohej me gjithë të; do ta merrte në krahë dhe për dyzet minuta, qameti, do të ishin matanë. Aty pastaj do t’i jepej menjëherë ndihmë mjekësore.

E si mund të vdiste njeriu në dy orë? E pamundur! Të paktën tani asaj i ishin ndërprerë dhimbjet, dhe ai kishte bërë n’iet të çohej për rrugë në orën nëntë e gjysmë. Ndërkohë e kishte përcaktuar sakt gjithë rrugën dhe për të, tani ishte i sigurt. As që do të hynte fare në shtratin e përroit të thatë, sepse ai e dinte mirë që aty pas shpellës, niste një udhë dhish që zgjatej lakadredhas gjer përmbi vaun e përroit, aty, m’u buzë kufirit. Dhe nuk do të hynte as në va, se do të mbante djathtas në një vend gjithë shkurre.

Ata që e ndiqnin, në fakt, tamam për këtë shkak e kontrollonin dendur shtratin e përroit, e pra, që të mos e linin të hynte në shkurrishte. Por ata, kuptohej se, nuk e dinin rrugën që do të ndiqte ai.

Jam i sigurt, mendoi Ashta tek e përfundoi edhe njëherë të gjithë përvijimin e rrugës në kujtesë. E sa për Katerinën: ajo ishte e lehtë. Do të merrte me vete vetëm revolen. – Katerinë! – i foli asaj për t’i treguar orën e nisjes, i gëzuar sigurisht: por ajo nuk iu përgjigj. Ndenji pak në heshtje. Nëpër shpellë dëgjohej vetëm frymëmarrja e saj e lëshuar.

– Katerinë – i tha sërish e ajo këtë herë nxori vetëm një rënkim të lehtë e pas pak, me një zë thuajse të fikatur, u ankua rishtas për dhimbje. Por Ashta s’e pati më mendjen te fjalët e saj. Befas ndjeu t’i lagej dora e djathtë që e kishte mbajtur deri atëherë nën mjekrën e saj.

Një valë rrëqethëse i’a përshkoi menjëherë të gjithë trupin. Mos është gjak, mendoi aty për aty si i kapur nga gjarpri, e në çast ndezi një fill shkrepëse. Ishte e para që ndizte qysh se kishin hyrë në shpellë. Le të bëhet ç’të bëhet, tha ndërkaq nëpër dhëmbë dhe gjithë ankth, e hodhi vështrimin tamam te mjekra e saj.

Një fytyrë e verdhë gruaje: si meit. Vështroi dhe dorën e tij. Gjak, tha pastaj tërësisht si i ngarur dhe e fiku shkrepësen si i tërbuar, a thua ia kishte fajin ajo për çka kishte parë. – Katerinë! – i foli asaj me një zë që dridhej, por ajo i’u ankua prapë për dhimbje.

Tani mori fund gjithçka, mendoi pa iu shqitur nga mendja gjaku që kishte parë: dy fijëza të kuqe që dilnin nga dy shtjekat e buzëve e vareshin teposhtë nën mjekër. Fytyra e saj me një ngjyrë vdekjeje. Pikërisht tani duhej vendosur gjithçka. Koha kishte bërë përpara, andaj për të shpëtuar qenien duhej ecur bashkë me të. Ta marr në krahë e të çaj përpara, tha me vete dhe duart sakaq, nga instinkti i kishte vënë poshtë shpinës së saj. Bile mend u ngrit me të në krahë, aq ishte i vendosur. Por zëri i saj i përfiktuar që u dëgjua befas, përprishi gjithçka:

– Ç’është kjo zhurmë ngjethëse që po më krikëllin nëpër veshë…! Mark…o Mark! S’mundem më… të lutem m’i mbyll veshët se një zhurmë të tillë kurrë s’e kam dëgjuar…!

E ka nga ethet, mendoi Ashta dhe menjëherë u rrëmbush. E pra, tani çdo gjë ishte e kotë. Ajo kuptohej se ishte futur në hullinë e jermët të etheve prandaj ishte çmenduri ta mendoje më daljen nga shpella në ato çaste. Aty duhej pritur gjithçka, veç pa i ardhur dot në ndihmë, tek e dëgjonte që thosh:

– O Mark, ç’është kjo hata Mark…!

Ajo ishte në kllapi. Në rrugë për të ikur…! Nga një gurrni e stërmadhe kafkash, mendoi i rrëmbushur dhe me të dy gishtat tregues i zuri asaj vrimat e veshëve.

Katerina Pogu, vdiq aty ndaj mesnate gjithë po ashtu: pa dalë më për asnjë çast nga kllapia e saj e me hemorragjinë që i vazhdoi deri në minutën e fundit.

Tek i lëshoi pulsin, krejt i dërrmuar e pa asnjë lloj mendimi, Mark Ashta pa sahatin:

Ora ishte 23.53.
Tamam në këtë orë dola nga zyra mbrëmë, mendoi. Fati qenka i tmerrshëm. Psherëtiu. Jo, jo, nuk duhej të binte në fatalizëm, dhe ndoshta ka pasur të drejtë kur ka menduar se njeriu e ka vetë në dorë fatin e tij. Megjithatë vdekja mbetet ngaherë vdekje, dhe atë tani e kishte pranë, aq pranë sa kurrë ndonjëherë tjetër.

Pse vdiq vallë? Sipas të gjitha gjasave, nga apendisiti. Dhe ja, tani po ftohej dalëngadalë. Gjersa të marrë temperaturën e gurit të shpellës, mendoi Ashta dhe dorën s’e shkëpuste prej saj: e puthte dhe qante, e puthte sërish e prapë qante. Nuk i besohej, dhe disa herë vetja e gjithçka i’u duk si në prag të një shpërthimi të fuqishëm që mund të bërlutte tërë botën.

Kishte humbur gjithçka, apo s’kishte ndodhur gjë fare: e pamundur! Si mund të vdesë njeriu edhe kështu dhe, a s’mund të pritet një shkundullimë që ta mbyllë këtë strofull të gurtë e të humbej këtu në një terr pa ajër? Ajo përsëri ka vdekur. Ndërsa qiell nuk mund të ketë, prandaj, siç duket, ferri qenka e vetmja gjë që njohim me siguri. Një orë, dy, tri… e deri ndaj të gdhirë!

Dikur u çua në këmbë.
Se kishte filluar të ndihej më i qetë e disi më i përqendruar. Por i kukëzuar m’u në mes të shpellës mendonte:

Tani mbeta krejt vetëm e pa kurrgjë në fytyrë të tokës; pa askënd në këtë botë! /Memorie.al/

blank

“Ishin në një varkë sa një mizë!”- Ish-ushtari që dëshmoi në Hagë për incidentin në Kanalin e Korfuzit rrëfen prapaskenat

AFRIM IMAJ/ Ka pak kohë që ka ndërruar jetë Lutfi Cane, njëri nga dëshmitarët shqiptarë të procesit të bujshëm të incidentit të kanalit të Korfuzit. Rrëfimi i tij në Hagë ka qenë sa unikal, aq dhe interesant. Zhurma në vite për ngjarjen e ka eklipsuar emrin e tij. Rastin në redaksi na e solli kineasti Ilia Dede, kur botonim një cikël nga dosja e incidentit që solli përplasjen e madhe.

blank 

“Përtej dokumenteve që zbardhni, mos harroni se keni dëshmitarë të gjallë!”, na rekomandoi ai me një sjellje fisnike dhe një pasdite shtatori, bashkë me të trokitëm në derën e dëshmitarit që nuk i kishte qëlluar kurrë të fliste për atë që kishte parë me sy në mesditën e 22 tetorit 1946.

Në apartamentin e dëshmitarit disi të harruar diku përballë Shkollës së Kuqe në Tiranë, u ulëm shtruar e folëm gjatë për historinë e asaj përplasje që 80-vjeçari, me një kujtesë brilante për nga mosha, e kujtonte me detaje…

Atë që ka parë mesditën e 22 tetorit ‘46 në kanalin e Korfuzit, e ka raportuar fillimisht tek eprorët e Sarandës. Pastaj e kanë thirrur zyrtarët e Tiranës dhe ka rrëfyer për ta gjerë e gjatë. Më vonë e kanë njoftuar se do të shkojë në Amerikë për të dëshmuar në OKB. Madje, ka përfituar dhe një kostum për t’u paraqitur aty sa më denjësisht.

Ajo që ka ndodhur me Lutfi Canën, ish-ushtarin e kufirit nga Smokthina e Vlorës, është një histori interesante që fillon e mbaron me të vërtetat e incidentit të Korfuzit. Dëshmia e tij për ngjarjen e bujshme, është pjesë e përjetimeve rrëqethëse nga çastet e shpërthimit të anijeve britanike në ujërat shqiptare. I ka qëlluar t’i ndjekë ato nga deti, madje shumë pranë zonës së shpërthimit, ka komunikuar nga afër me ushtarët e huaj gjatë tragjedisë dhe ka prekur me dorë trupat e copëtuar.

Një moment ka mbetur edhe vetë në kurthin e vdekjes, por fati kishte qenë me të. Llahtaria e asaj dite nuk i është shqitur nga sytë tërë jetën.

Në rrëfimin për “Panorama”, 80-vjeçari Lutfi Canaj na tregonte si u gjend në zonën e shpërthimit, kush e urdhëroi për të lajmëruar anijet britanike, çfarë komunikoi me ekuipazhin e tyre, cili ishte reagimi i marinarëve në çastet e tragjedisë, çfarë dinte për minat e vendosura në det, si u dokumentua ngjarja nga eprorët e tij dhe pse iu refuzua udhëtimi në Amerikë ku do të dëshmonte për incidentin..

Njëra nga dëshmitë e palës shqiptare për incidentin e Kanalit të Korfuzit në Gjykatën Ndërkombëtare mban firmën tuaj. Në çfarë rrethanash dhe me çfarë statusi u bëtë pjesë e këtij procesi të bujshëm?

Unë isha një dëshmitar që kisha parë ngjarjen nga afër. Pas asaj që ndodhi mesditën e 22 tetorit, na thanë se do të shkonim për të dëshmuar në OKB. Fillimisht na thirrën zyrtarët e Tiranës. U ulëm shtruar me ta. Shkruam me kujdes detajet e ngjarjes. Në një zyrë të mbyllur folëm orë të tëra për shpërthimin në ujërat e Sarandës. Në fund, njëri ndër ta, na porositi mos të largoheshim pa marrë rrobat e reja që ishin përgatitur posaçërisht për ne. Ashtu bëmë.

Sa erdhi makina me to, i veshëm me kujdes dhe dolëm. Kur mbërritëm në repart, shokët i çuditi pamja jonë. Qenkan bërë dhëndurë bandillët, thumbuan ata. Vetëm kaq është pak, ia kthyem ne dhe aty për aty u përmend faktin që së shpejti do udhëtonim për në Amerikë. Ideja e kësaj vizite ishte lajmi më interesant i takimit me zyrtarët e Tiranës. Ishim vetëm 20 vjeç dhe kuptohet mënyra si i përjetonim ato çaste…

blank
Lutfi Cane, kur ishte me detyrë në Ministrinë e Brendshme

Pra, u thirrët për të dëshmuar atë që patë nga Saranda ditën e incidentit…

Në Sarandë ka pasur me mijëra që e kanë parë shpërthimin e asaj dite nga toka. Unë me dy të tjerë e kemi ndjekur nga deti, bile vetëm pak hapa larg. Sa herë e kujtoj, më rrëqethet trupi e çuditem si mbetëm gjallë…

Si u ndodhët në det në çastin e shpërthimit?

Në det dolëm kur pamë anijet që dolën nga Korfuzi dhe morën kursin për nga Saranda. Na urdhëroi komandanti dhe u nisëm me skaf për t’u prerë rrugën. Njësiti ynë ishte pjesë e postës së kufirit, që pasluftës kishte marrë detyrën e ruajtjes së ujërave territoriale. Gati çdo ditë anije të ndryshme kapërcenin kufirin dhe afroheshin në brigjet tona. Me ato mjete të pakta që kishim, na duhej t’u vendosnim “postbllokun” në det. Dilnim, u bënim thirrje, u kujtonim shkeljen dhe i shoqëronim deri sa kalonin ujërat neutrale. Në përgjithësi deri në atë periudhë operacione të kësaj natyre ishin zgjidhur pa incidente, pavarësisht provokimeve të ndryshme. Megjithatë, gjendja mbetej kritike…

Kur flisni për situatë kritike, keni parasysh vetëm rastet e lundrimit të anijeve të huaja në ujërat tona…

Në atë periudhë, ujërat tona shkeleshin shpesh nga anije luftarake, cisterna e peshkarexhe të ndryshme. Mjaft syresh bëheshin miq të paftuar, kryesisht nga mungesa e orientimit, por kishte dhe raste të qëllimshme. Ky lloj kaosi në hapësirën detare, krijonte një situatë pasigurie, që bëhej më kërcënuese nga gjendja e luftës e shpallur nga Greqia. Ditaditës përballeshim me të papritura të ndryshme. Ajo e 22 tetorit me anijet britanike ishte njëra ndër to…

Si reagonit ndaj anijeve të huaja kur kalonin në thellësi të ujërave tona?

Me mjetet modeste që kishim, dilnim në det dhe u bënim thirrje duke u kujtuar se kanë kaluar kufirin. I vëzhgonim sa tërhiqeshin dhe ktheheshim në bazë. Të paktën deri në ditën e incidentit, raste të tilla i kemi mbyllur pa shqetësime…

blank
Lutfi Cane, kur kryente shërbimin ushtarak
në bazën ushtarake në Sarandë

E keni fjalën për anijet greke…

Kemi pasur para incidentit të 22 tetorit një përplasje me një anije tjetër britanike. Ndryshe nga shkeljet e tjera, këtë herë apeli ynë u shpërfill hapur nga pala tjetër. Këtij qëndrimi ushtarët e baterisë bregdetare ju përgjigjën me zjarr të menjëhershëm. Pati, me sa më kujtohet, përplasje të forta lidhur me këto veprime. Nuk e di si u mbyll zyrtarisht, por ishte diçka e mirë që nuk pati viktima.

Pra, ka pasur dhe një incident tjetër me anijet britanike para atij të 22 tetorit…

Në mos gaboj, ai ka ndodhur diku nga mesi i majit të ‘46- tës, disa muaj para shpërthimeve të Korfuzit. Në këtë rast nuk pati shpërthime minash, nuk pati të vrarë e të lënduar. Po vetëm një zjarr paralajmërues në drejtim të anijes britanike…

Të vijmë tek incidenti i 22 tetorit. Ju pohoni se keni qenë shumë afër zonës së shpërthimit, madje keni komunikuar edhe me marinarët britanikë para incidentit…

Ne shkonim për të lajmëruar anijet e huaja që lundronin në ujërat tona dhe ramë në zonën e minuar bashkë me to. Një moment thamë se na përpiu deti. Nëna ime, ç’kanë parë sytë e mi. Anija sa një mal mbi dallgë shkërmoqej sa hap e mbyll sytë. Pastaj britma e njerëz të copëtuar gjithandej. Vetëm në pak sekonda hapësira për rreth u mbush me uniforma e pajisje ushtarake, blloqe të shkatërruara e pjesë dërrasash të djegura.

Pra, inkursioni juaj në det, nuk ishte një lundrim rutinë, por i urdhëruar nga komanda e kufirit…

Ideja për të ndjekur nga afër anijet që dolën nga Korfuzi, lindi pas raportimit të vrojtuesit që ndiqte situatën në det. Si gjithmonë në të tilla raste, grupi i gatshëm përgatiste skafin dhe nisej për të lajmëruar anijen shkelëse që të korrigjonte kursin. Atë ditë përballja në det u shoqërua papritur me një tragjedie të tmerrshme…

Çfarë ndodhi konkretisht?

Njësiti ynë u nis me një skaf të vogël që e përplaste dallga sa andej-këtej dhe brenda pesë minutave u gjendëm tek anija e parë. Shpjet e shpejt zumë pozicion përballë saj dhe drejtuam grykën e mitralozit për andej. Nuk zgjati shumë dhe një uturimë e zgjatur i dha vrull anijes vërshimi së cilës na fluturoi 30-50 metra larg. Për fat skafi mbeti mbi ujë. Mblodhëm për një çast veten dhe u çuam në këmbë. Nazua, kolegu nga Sevasteri, lëshoi mitralozin në tokë dhe filloi të tundte flamurin që të lajmëronte palën tjetër për lundrimin e paligjshëm. Në pritje të përgjigjes, u dëgjua sërish një zhurmë shurdhuese që e bëri shpejtësinë e anijes të paparë.

Dallgët e tërbuara na përplasën tutje si një pupël. “O Luto, o burrë, se na mbytën!”, thirri i alarmuar Nazua duke i dhënë gaz motorit. Instinktivisht hodha sytë përballë kur ç’të shikoj. Anija që dukej si mal në këmbë na afrohej gjithnjë e më shumë si për të na kapur të gjallë. “Djall-o punë!”, thashë me vete i befasuar. Tashmë, nuk ishim ne në gjurmim të saj, por ajo që na ndiqte kërcënueshëm. Dueli fund e krye ishte i tmerrshëm: Skafi ynë në tërheqje, anija tjetër në sulm! Madje, në kushte krejtësisht të pabarabarta. Një moment na erdhi aq pranë, sa kujtuam se na mbyti. Pikërisht atëherë ndërroi kurs dhe mori drejtimin për nga

blank
Faksimile e dokumentit me dëshmine e
komandantit të bazës së Sarandës në Gjykatën e Hagës

Nuk ra në mina anija e parë?

Minat shpërthyen gjatë afrimit të anijes së dytë që vinte pas saj. Ky ishte dhe momenti më i rëndë. Ende nuk kishim marrë veten nga përballja me anijen e parë, kur u shfaq tjetra. E madhe, e shpejtë, agresive si dhe ajo. Në pak minuta u gjend te këmbët tona me një zhurmë marramendëse. Nuk bëhej fjalë të komunikonim me të, pa le ta urdhëronim për të ndërruar kurs. Mëndja na punonte vetëm si t’i shpëtonim goditjes fatale. Të ftohtit dhe paniku na ishin futur në palcë. Çast pas çasti prisnim fundin e tmerrshëm.

Sakaq, u dëgjua një shpërthim i madh. Në pak sekonda tymi pushtoi gjithçka. Anija përballë që u këput në mes ngjante si një kalë i ngordhur. Mbi dallgë nuk dukeshin më shkumë të bardha, por tesha ushtarake dhe gjymtyrë të copëtuar. “Luto, vëllai, çfarë ndodhi?”, dëgjova zërin e Nazos që më kapi për këmbe. “Tërmet, tërmet!”, ia ktheva unë duke u munduar të çohem. “Pa shiko se jam plagosur”, mërmëriti si me vete Nazua dhe vuri dorën në krahun e majtë që me sa dukej e kishte shembur gjatë shpërthimit. “Shyqyr që shpëtuam kokën, thuaj”, e qetësova duke e ndihmuar për tu çuar…

A komunikuat pas shpërthimit me marinarët britanikë?

Komunikimi ishte krejtësisht i pamundur. Së pari, nuk dinim anglisht, pastaj gjendja tronditëse pas asaj që ndodhi nuk na favorizonte për tu marrë vesh me ta. Duke menduar se ishte njerëzore, së paku për t’i pyetur për shëndetin, nxituam t’u afroheshim. Ashtu siç ishim përballë, u kthyem me fytyrë nga anija e goditur. Në kuvertë kishte dalë pjesa e marinarëve të mbijetuar dhe vështronte me dylbi. Përpjekjet për të vendosur kontakt rezultuan të kota që në fillim. Shpërfillja ndaj sinjaleve për t’u ofruar ndihmë, dukej e pakuptimtë dhe misterioze. Ç’të bënim? Të iknim kur aty kishte të vrarë, të plagosur, njerëz që lëngonin, ishte e rëndë. Të këmbëngulnim më tej, ishte e pamundur. Për çaste të tëra mbetëm të mbërthyer në mëdyshjen torturuese. Ndërkohë, pala tjetër nisi të reagojë në mënyrë të frikshme. Nga bashi i anijes hodhi një ganxhë të madhe mbi skaf dhe mundohej të na rrëmbente bashkë me të. “O boo, O boo!”, bëri Nazua i tmerruar.

“Ej, po na marrin peng!”, ia ktheva pa vetëdije duke parë krahun e skafit që kërciste nga shtrëngimi i dhëmbëve të çengelit. Kaq e patëm, thashë me vete, i bindur për më të keqen. E vetmja mundësi për të shpëtuar mbetej të braktisnim mjetin. Po ku të shkonim?! Të hidheshim në det, nuk dinim not. S’na mbetej gjë tjetër veç t’i nënshtroheshim fatit. E fati paskej qenë në anën tonë. Teksa arganella mblidhte zinxhirët për të na rrëmbyer lart, u këput pjesa e dërrasës ku ishte mbërthyer çengeli dhe skafi ra mbi ujë, si zogu nga kthetrat e skifterit. Menduam se më në fund shpëtuam, por nuk kishte qenë e thënë. “O burrë o Luto, të ikim”, thirri Nazua duke shtuar gazin e motorit. “Jepi, jepi!”, ia ktheva në formë urdhërore.

Aty për aty pashë nga anija e goditur me një ndjenjë urrejtje për gjestin e djallëzuar të ekuipazhit të saj. Ajo kishte nisur të lëvizte me shpejtësi në drejtimin tonë. Me sa dukej, ishim futur sërish në rrathët e rrezikut. Ne ec dhe ajo pas nesh, si një tigër i plagosur. Nuk mbaj mend sa vazhduan kështu, por më kujtohet që afër bregut skafi ngeci.

Pjesa e poshtme kishte mbështjellë me vete një trup njeriu dhe e kishte spostuar te krahët e motorit. Kjo kishte shkaktuar bllokimin e tij. Futëm duar anash dhe e nxorëm, por u tmerruam nga ajo që pamë. Ishte një kufomë pa kokë e krahë. Gjimastorka ushtarake dhe emblema e marinës mbi të, të linin të kuptoje se kishim të bënim me një ushtar britanik. Gjithsesi, nuk kishim kohë të mendoheshim gjatë. Rindezëm motorin dhe vazhduam lundrimin për në bazë. Pas nesh uturinte anija e goditur, e cila në afërsi të Limionit ngeci në cekëtinë.

Çfarë ndodhi më tej me anijen që ra në mina dhe a pati shpërthime të tjera atë ditë?

Ajo u imbarkua në afërsi të Limionit dhe qëndroi aty deri sa mbërriti një anije tjetër, e cila filloi ta tërheqë për nga Korfuzi. Pikërisht në kthim, rreth 800 metra nga bregu, ajo ra në mina. Ishte një tjetër katastrofë me dëme të pallogaritshme. Autoritetet tona ofruan ndihmë të menjëhershme, por ekuipazhi huaj refuzoi duke e zgjidhur gjithçka vet. Anija e porsaardhur, u detyrua të ndërroj rolin me anijen tjetër. Tanimë ishte kjo e fundit që e tërhiqte dhe ashtu pas njëra tjetrës afër mbrëmjes mbërritën në Korfuz. Mbaj mënd që shpërthimet e asaj dite në det thyen krejt xhamat e dritareve në Sarandë dhe rrethina…

Dokumenti: Çfarë ndodhi mesditën e 22 tetorit 1946

Dokumenti i parë zyrtar i autoriteteve shqiptare për incidentin në kanalin e Korfuzit mban datën 23 tetor 1946. Ai është hartuar mbi bazën e dëshmive të ushtarakëve që kanë ndjekur nga afër ngjarjen në terren dhe është nënshkruar nga komandanti dhe komisari i kapitenerisë së Sarandës. Pastaj është arkivuar në dosjen e zyrtarëve shqiptar të pranishëm në procesin e Gjykatës Ndërkombëtare që ka shqyrtuar denoncimin e palës britanike rreth shkaqeve për shpërthimin në kanalin e Korfuzit. Në të risillet me detaje kronika e plotë e ngjarjes së 22 tetorit 1946. Po çfarë kanë regjistruar nga ngjarja e bujshme autoritet ushtarake shqiptare…

RAPORTI ZYRTAR

Dje, në orën 13:35 u dukën në largësi anije lufte që vinin nga Korfuzi. Mbas pak u dallua flamuri i tyre anglez dhe u panë se ishin katër copë, një kryqëzor i lehtë që printe dhe pas tij dhe tre kaçeterpediniera. Dy kaçet e fundit rrinin larg nga dy anijet e para më tepër se tre milje. Në kalimin e tyre bateritë tona bregdetare nuk shtinë. Ndërsa kaçeterpedineri që vinte fill pas kryqëzorit, lundronte në jug të Baladhës, diku një mije e gjysmë larg ndeshi në orën 13:50 në një minë në anën e djathtë dhe u dëmtua shumë mbasi mori flakë. Sirena e anijes lëshoi zënin të gjatë për ndihmë nga anijet e tjera. Kryqëzori vazhdoi rrugën e tij, por shpejtuan lundrimin dy kaçat që ishin prapa dhe njëra prej tyre u ndal afër anijes së djegur, ndërsa tjetra vazhdoi lundrimin mbas kryqëzorit.

Anija e djegur mundi me u tërheq deri jashtë grykës Limionit dhe aty qëndroi e batume në të djathteë mbushur në tym e flakë. Anija tjetër i rrinte roje aty afër. Në këtë kohë në det motoskafi ynë MS 12, ku ishte imbarku komisari i kapitanerisë bashkë me një aspirant të M.P dhe u afrohen anijeve për me i pyet nga vinin dhe ku shkonin, por ata iu përgjigjën: “Raportin ua u japim më vonë”. Anija roje aty nga ora 15:05 filloi me rimorku anijen e djegur dhe në orën 15:15, ndërsa gjendej duke lundruar dy mije afër nga punta e Baladhës, anija roje që rimorkionte anijen e djegur ndeshi dhe ajo në një minë afër bashit dhe iu shkatërrua krejtësisht bashi deri te të tretat e topave të rëndë. Atëherë ndaluan të dyja anijet dhe qëndruan aty një kohë prej gati një gjysmë ore duke kërkuar me motoskafët e tyre njerëzit që kishin rënë në det gjatë plasjes së minave. Mbas pak anija e djegur tërhiqte anijen e dëmtuar në bash dhe lundruan deri në afërsi të Limionit, por përsëri u kthyen e kësaj here anija e dëmtuar në bash duke tërhequr anijen e djegur lundruan në drejtim të Korfuzit me ngadalësi të madhe. Aty afër orës 6 u kthyen dhe dy anijet e tjera luftarake që kishin vazhduar rrugën dhe u drejtuan për në Korfuz… Në brigjet e Limionit për rreth janë gjetur e tërhequr veshmbathje marinari e ndër to një xhaketë me garda togeri, një pallto, një palë pantallona dhe një palë këpucë. Nëpër det gjendeshin dhe libra të shkatërruar si dhe dërrasa. Sa sipër raportojmë për njoftim.

Oficeri i portit Koli Nano

Komisari i Kapitanerisë,

Toger Ramazan Peza

blank

Ngjarja tragjike e kampit të Tepelenës- “Në ministri u dha alarmi pasi, komandanti i burgut, Marku, kishte futur në ‘Xhip’ vajzën bukuroshe Katrinën dhe ishte nisur drejt…”

Nga Spartak Ngjela
Pjesa e parë
Spartak Ngjela ka lindur në Tiranë më 11 korrik të vitit 1948, ndërsa origjina e familjes së tij nga babai është nga Zagoria e Gjirokastrës, kurse nga nëna, nga Pojani i Korçës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (ku asokohe mësonin pjesa më e madhe e fëmijëve të nomenklaturës e udhëheqjes së lartë të PPSh-së), Spartaku ndoqi studimet e larta dhe diplomua në Drejtësi në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pas diplomimit në vitin 1970, Spartaku u emërua si jurist (këshilltar ligjor) pranë gjykatave të rrethit të Vlorës e Durrësit dhe në vitin 1973, si punonjës shkencor pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, i porsahapur në atë kohë.

Në vitin 1975, pas arrestimit të babait të tij, Kiço Ngjela, (ish-ministër i Tregtisë për më shumë se dy dekada, i cili u dënua me 25 vjet heqje lirie me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor-sabotator në Ekonomi”, ku bënin pjesë edhe dy zv/kryeministrat Avdyl Këllezi e Koço Theodhosi, si dhe ministri Vasil Kati, etj.), u arrestua edhe Spartaku, ndërsa familja, u internua në Selenicë të Vlorës. Po kështu disa vjet më pas, arrestohet dhe dënohet edhe vëllai i tij, Sokol Ngjela, (Linci), “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” dhe gjatë viteve ’80-të, të tre pjesëtarët meshkuj të familjes Ngjela, vuanin dënimin në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alisë.

 

Arrestimi dhe dënimi i Spartakut në vitin 1976, me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, nuk erdhi thjesht prej dënimit të babait të tij, Kiço Ngjela, por sepse edhe ai vetë, ishte një nga “fëmijët problematikë” të ‘Bllokut’ të udhëheqjes së lartë të PPSh-së, gjë e cila u vërtetua edhe me qëndrimin dinjitoz, që ai mbajti në kampe dhe burgje gjatë gjithë periudhës së vuajtjes së dënimit, (1975-1991) si në Ballsh e Burrel, ku ishte vazhdimisht në konflikt të hapur, jo vetëm me autoritetet e burgut, por edhe me udhëheqjen e lartë, pasi herë pas here ai i dërgonte letra udhëheqjes, siç ishin ajo për gjetjen e proces-verbalit të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare (ku Enver Hoxha nuk figuronte si sekretar i përgjithshëm), apo letra dërguar Ramiz Alisë në vitin 1988, ku i kërkonte rehabilitimin e Padër Gjergj Fishtës.

Qëndrimi i Ngjelës në kampe dhe burgje, përveç bashkëvuajtësve të shumë të tij, konfirmohet edhe nga një dokument sekret i Punëtorit Operativ të Burgut të Burrelit, Piro Nuredini, dërguar në vitin 1982 eprorëve të tij, ku ai ka bërë disa karakteristika, për disa prej të burgosurve më problematikë për regjimin, që vuanin dënimin aty (si: Pjetër Arbnori, Spartak Ngjela, Abdulla Sallaku, Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Avni Aliko, etj.), ku ai shkruan: “Spartak Ngjela, i tërbuar kundër Partisë dhe kundër komandës. Është i ndershëm realisht, vdes për Anglinë”. Spartaku së bashku me të atin, Kiçon, u liruan nga burgu në fillimin e vitit 1991, me të fundit të burgosur të ndërgjegjes, që dolën nga burgjet e atij regjimi.

Në fillimin e viteve ’90-të, Spartak Ngjela u angazhua në jetën politike, fillimisht me partinë Lëvizja e Legalitetit, ku në qeverinë e Stabilitetit në vitin 1997, mbajti postin e ministrit të Drejtësisë për disa muaj dhe në vitet në vijim, për disa legjislatura (2001 – 2009) si deputet dhe funksionarë i lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në 12 dhjetor të vitit 2008, Ngjela themeloi partinë “Ligj dhe Drejtësi”, të cilën për disa vite e drejtoi vetë si kryetar i saj. Po kështu gjatë kësaj periudhe kohe, krahas studios së tij ligjore si avokat, Ngjela, është angazhuar edhe në fushën e publicistikës, duke qenë i pranishëm me shkrimet e tij në shtypin e përditshëm dhe ka botuar disa libra, si dy romanet: “Shpella e vrasjes” (1994), “Helena R”, (1999), “Hakmarrja e një gruaje” (2018), apo “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare – 1957 – 2010” (2011), në disa vëllime, etj.

Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim këtu, është marrë nga libri i tij, “Shpella e vdekjes”, i cili është bazuar mbi ngjarje reale të jetuar në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipërinë e Enver Hoxhës, në vitet e para të pasluftës.

Fragmente nga libri “SHPELLA E VRASJES”

Nata sa vinte po bëhej më e errët, ndërsa përballë qytetthit pas kaq e kaq vjetësh, kështjella fekste nga dritat e nuk i ngjasonte më fare atij guri të zi e të vetmuar që i kishte tëhuajtur kohës. Ajo tani, për banorët e asaj ane befas, kishte marrë jetë e në mend u çohej vrik mendimi i trishtë sapo që shihnin dritat – aty brenda dihej se ishin mbyllur gjithë ata të internuar, ca të lëkurur në të vërtetë, tërë ajo mori njerëzish që vetë, me sytë e tyre, i kishin parë që së largu tek zbrisnin atë pasdite vjeshte nga kamionët e viheshin në radhë për të hyrë brenda në kështjellë.

E sa për kështjellarët, asgjë nuk kishte ndryshuar, ngaqë në mendjen e tyre nuk bëhej asfare dallim midis qytetthit që e kishin aq pranë dhe gjithë vendit: bile çdo pikë e globit për ta, ishte e barazlarguar nga kështjella e tyre, përderisa nuk kishin asnjë grimë mundësie që të bënin qoftë dhe një çap të vetëm tej murit të gurtë. Për ata njerëz kishte vetëm natë, ditë, roje, kështjellarë dhe pritje…!

– Ndaaal”! Briti befas, m’u në të ngrysur, një roje, me zë aq të fortë, sa u duk për një çast se gjithçka u shkul vendit. Ishte e para britmë kjo e asaj nate, prandaj dhe bëri aq e aq përshtypje. Ajo mandej sikur u thëthit nga guri i sheshit të kështjellës, gjëmoi aty për një grimë kohe, gjersa u përandit dalëngadalë si jehonë e mori dhenë. Në shesh ra prapë qetësia e parë, që prishej rëndom vetëm nga goditjet e çapit të njëtrajtshëm të gardianit të brendshëm. Gup… gup gup…!

Gjithsesi ca hapa të rëndë ata, që s’e humbisnin hiç ritmin nga britmat e herëpashershme të rojeve ushtarë, të cilët, përgjithësisht, zgjateshin me kast në tingullin “a”, që ta nxirrnin jashtë krejt si sokëllimë fjalën: Ndaaal! përsëritur e përsëritur aq shpesh kjo atë natë të parë nga njëri te tjetri:

“Ndaaal”! bërtiste roja përmbi portën e madhe, mandej i’a pasonte po ashtu, bile më fort, ai tjetri që ndodhej aty sipër përmbi mur, ku një si brryl merrte kthesën e parë të qerthullit kështjellor. E kështu me radhë, kur e kur, nga të gjitha truprojat e gurta, zëri i rreptë vërsulej me shkulma mbi kazermat e të internuarve. Ndaaal!

– O Zot! – murmuriste herëpashere me vete Katerina Pogu, tek i dëgjonte. Ajo s’ishte mësuar me ato britma therëse, ndaj i dukeshin tamam-tamam si, ca urdhra vdekjeje-zjarr, për shembull, një britmë e egër që i jepte më në fund komandën togës së pushkatimit, menjëherë pas saj, mes krismash, binin përdhe gjithë të pushkatuarit, të masakruarit, aty, pse jo, edhe m’u aty rrëzë murit të ftohtë të asaj kështjelle.

Por shumica e të internuarve as që pyesnin fare për to. Ata ishin mësuar e kjo u dukej diçka krejt normale, si të gjitha veprimet që ishin të detyruar të kryenin gjatë ditës. Se mos i bezdisnin ca më pak morrat që u lëvrinin nëpër trup ditën e natën! Njëlloj gjithçka, e njëjta gjë, – si britmat e ushtarëve, si bilbilat e policëve, si fjetoret që kutërbonin nga era e mykur – edhe ajo copë bukë që e hanin thatë ose me pak kripë. E pra, s’kish dallim fare se jeta ecte po njëlloj si edhe atëherë kur qenë mësuar të jetonin krejt ndryshe; me zjarr, me banjë e me çarçafë të larë.

Hiç mos u mërzit, Katerinë – i pat thënë atë ditë Katerina Pogut një grua e njohur, – hiç fare mos u mërzit, se vetë do ta shohësh që shumë shpejt, do të mësohesh e gjithçka do të të duket krejt normale.

Po si mund të mësohet njeriu me këtë ferr?! – pyeti ajo dikur veten gjithë dyshim e drojë porsa që përcolli nëpër mend fjalët e asaj gruaje, dhe vështrimin e treti sakaq thellë përsëri nëpër gjysmë muzgun e fjetores.

Të gjitha gratë e fëmijët e vegjël ishin shtrirë e në fjetore nuk fijonte më asnjë lloj zhurme, veç ndonjë psherëtime apo rënkimi të lehtë. Përgjithësisht, gratë e internuara në atë kështjellë, ishin të reja në moshë. “Ndaaal!” u dëgjua për një çast zëri i rojes që ishte aty pranë. O Zot! Tha sërish Katerina, por vështrimin megjithatë nuk e hoqi nga fjetorja.

Prapë heshtje. Thellë dëgjoheshin hapat e gardianit. Gjithçka dukej si e pushtuar nga humbja. Po fle lodhja, belbëzoi shurdhët ajo gjithë duke menduar se këtej e tutje kështu do të kalonte çdo natë – larg jetës, aty, peng në një kështjellë ku ngadalë do të vinte t’i fashitej dhe vetë shpresa, e pritja më në fund do të shuhej, për të mos u ndier më thuajse fare. Një drithmë e lehtë ia morrnicoi pastaj gjithë trupin, tek e mendoi veten në një fund të atillë. Por, aty për aty, i’u dha befas e pyeti nëpër dhëmbë me pak zë: po ai?

E nesërmja gdhiu qetë, si ngaherë, uniformisht në të gjithë hapësirën e shtetit, njerëzit të përgjumur siç qenë dëgjonin këndezët, dëgjonin zilet e orëve, dëgjonin këmbanat e kishave e çoheshin për të filluar ditën. Njëlloj po kështu edhe banorët e qytetthit jugor nuk e kishin prishur terezinë më parë se të gdhinte, ndonëse aty rreth orës 01.00 një “Xhip”-s, si i tërbuar, kishte çarë zhurmën mes përmes qytetthit të tyre.

Në të vërtetë atë ulurimë e pati dëgjuar vetëm fallxhorja plakë Hane Egjiri. Dhe “Bretku”, kishte mallkuar ajo e shtrirë siç kish qenë në errësirën e dhomës së saj të vogël, se në të katër vjetët e fundit, qe mësuar me zhurmën e ca makinave të tilla, që bridhnin netëve për të mbartur të arrestuarit. “Ngrënçi kokën tuaj”, kishte thënë më pas e qe kthyer në krahun tjetër mes rënkimesh, nga ato të zakonshmet e saj që e mbushnin dhomën për çdo natë.

Por në Ministrinë e Brendshme, u ngrit tensioni që në orët e para të mëngjesit. Në radiogramin që i drejtohej ministrit thuhej:

“Komandanti i të internuarve në kështjellën e jugut, Mark Ashta, pasi ka marrë me vete dhe të internuarën, Katerina Pogu, është larguar me “Xhip”-in e tij në drejtim të kufirit grek. Rrëmbimi i të internuarës dhe akti i ikjes, ka ndodhur pak pas mesit të natës”.

Menjëherë u dha urdhri për gjendje alarmi në të gjithë atë zonë kufitare: u përforcua kufiri me trupa vullnetare, u gjet vendi ku qe lënë “Xhip”-si, u identifikuan gjurmët e pas tyre, u përcaktua menjëherë dhe drejtimi nga kishin marrë të ikurit. Por, ajo që i qetësoi në fund krerët e Ministrisë së Brendshme, ishte pa dyshim fakti i sigurt se, në vijën kufitare kishte njëzetë e katër orë që, s’ishte konstatuar asnjë lloj shkeljeje.

Domethënë të ikurit ndodheshin ende në tokën shqiptare.

– E dua patjetër të gjallë atë qen, – i tha ministri i Brendshëm zëvendësministrit R., ashtu siç qe në këmbë përballë tij disa çaste para se ky i fundit të merrte udhën për në Jug, ngaqë do ta udhëhiqte vetë operacionin për ndjekjen dhe kapjen e Mark Ashtës.

Por R., nuk i përgjigjej, ai e shihte veç në sy ministrin e vet dhe, nga mënyra se si kish qëndruar para tij – gatitu sigurisht – nga xhestet krejt të ndrydhura që bëri tek iku (një përkulje e lehtë e kokës, një sprapsje disa hapash gjer te dera duke qëndruar gjithmonë me fytyrë nga ministri), si dhe ajo: “Ditën e mirë shoku ministër”! që e shprehu përunjësisht e me ton të veçantë, kuptohej sheshit se me ç’seriozitet e kishte marrë detyrën speciale që po i ngarkonin atë mëngjes që në orën 07.30.

Në të vërtetë ai s’e kishte dashur kurrë Mark Ashtën, asnjëherë, dhe po të ishte vetëm në dorë të tij, Ashta s’do të vinte dot këmbë në Ministrinë e Brendshme. Po ç’t’i bënte ministrit! Ah, që s’më dëgjoi?! Ç’ne, atij i kishte hedhur trutë e gomarit ky birbo dhe ja tani, ia bëri proçkën. Ndaj duhet shkuar sa më parë në qytetin e jugut.

– Sofo! – i foli shoferit, – shpejt Sofo se nuk na pret puna… duhet të ecësh sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pastaj prapë filloi të mendojë për ngjarjen.

Ishte e bukur ajo kuçkë, tha dikur gjithë duke kujtuar sakaq fotografinë e Katerina Pogut, ashtu siç e kishte parë mbi tryezën e ministrit. Katerina Pogu. A ta kishte njohur qysh më parë Ashta atë grua të bukur? Një dashuri e vjetër, ndoshta, që ne s’e kemi ditur. E ku mund t’i dish mirë rrënjët e ndoca njerëzve të tillë! Eh! Psherëtiu dhe sërish mendja i shkoi te fotografia e gruas së bukur.

E pra, ka burra që flenë me gra të tilla. Dhe s’kanë hedhur një pushkë në luftë! Nejse, Mark Ashta, ç’është e vërteta, kishte luftuar. I’a mori mendtë ajo grua. Aq e bukur sa ishte ajo, çdo gjë mund të ndodhte. Po tani, ama, po të kapej, Ashta do të përfundonte në litar për tradhti të lartë.

– Shpejt Sofo, shpejt! – i briti edhe një herë shoferit, – se nuk na pret koha, dëgjon?

Shoferi përsëri nuk iu përgjigj.

Eh, Mark Ashta, Mark Ashta – tha më pas tek vuri re që makina nisi të ecte pak më shpejt – e dija se ti nuk do të qëndroje dot gjatë me ne. Dhe ndoshta thua se donte ashtu atë mendim të shprehur t’ia transmetonte lëvizjes së makinës. Po, po, tha pastaj, e dija që ç’ke me të. Eh sa herë kish dyshuar ai te Ashta, se nuk qenë të pakta rastet kur qe ndeshur me të. Dhe nuk se s’e kish parë si njeri të ditur, jo, përkundrazi, pikërisht për këtë e urrente.

Vetë R., s’kishte qenë më tepër se një fshatar me katër klasë. Por në luftë ishte dalluar si Komandant Brigade, e pra, s’ishte pak. Edhe Mark Ashta ishte treguar trim në luftë, por ai s’ishte i klasës. E si mund të kishte besim te një intelektual që e kishte mbaruar shkollën në Perëndim. Ja, kjo ishte pika e dobët. Kurrë nuk duhej të thirreshin në pushtet intelektualët. Kurrë! se kjo pastaj do të jetë vdekja jonë.

Ata s’na duan, ata na përbuzin, por ne jemi në pushtetin tonë, andaj duhet t’u tregojmë vendin. E ç’ishim ne? Ca fshatarë që ishim mësuar të flinim nëpër rrogoz, kurse tani i kemi të gjitha, gjithçka, gjithçka që na duhet: vila kemi, vetura kemi, rroga të mira kemi. Po ky? Ja ca birbo si ky, na përbuzin. Dhe në Ministrinë e Brendshme, ai e dinte se të gjithë e shihnin me dyshim Ashtën.

Tek e fundit kishte të drejtë: ç’duhej ai në Ministrinë e Brendshme, kur dihej që studimet i pat kryer për histori. Dhe ku pa., në Itali. Hajde mendje, hajde! Murmuriti nëpër dhëmbë dhe mori frymë thellë, se në ato çaste kishte ndier së brendshmi një si shuk kënaqësie: gjithçka do të shkonte për mirë.

E pra, pak e nga pak çështja do të sqarohej. Përditë e më tepër po provohej se intelektualët, ishte e pamundur që t’i qëndronin besnikë deri në fund revolucionit. Prandaj ai dhe shokët e tij të klasës, duhej të bashkoheshin patjetër tamam si një trup, për të mos lejuar kurrë që lart në udhëheqjen e partisë, të penetronin intelektualë.

“Intelektualëve duhet t’u bëhet jeta e padurueshme” – i kishte thënë atij ministri i Brendshëm, para disa ditësh; dhe atëherë R., menjëherë e kishte kuptuar sakt që lufta kundër tyre ishte ndezur e ashpër, sidomos aty lart, në gjirin e të mëdhenjve, ku dita-ditës po forcohej pozita e ministrit të Brendshëm.

E në fund të fundit çelësat e pushtetit i kemi ne, murmuriti duke luajtur nga vendi si i revoltuar, prandaj ne mund të shfarosim me gjithsej këdo, cilin të duam: se tani po shihet qartë që hija e dyshimit, po shpërndahet në të gjithë vendin. Asnjë, perveç nesh, punonjësve të Ministrisë së Brendshme, nuk do të jetë i sigurt.

Por, megjithatë, ngjarja e Mark Ashtës, kur e mendonte thellë-thellë, i lëndonte një si bezdi, një tis shqetësues që kishte frikë ta çante. Kush e kishte emëruar Ashtën në atë detyrë aq të rëndësishme? Ja, pikërisht kjo nuk i pëlqente se e dinte mirë që Mark Ashta, ish caktuar në atë vend me këmbënguljen e ministrit të Brendshëm. Eh, psherëtiu dikur, e dija unë, mendoi pastaj, e dinte mirë që ai maskara e kishte bërë për vete ministrin. Dhe ja, tani u bë yneri që prisja. Po ministri?

Eh! Në të vërtetë te ministri i tij e te askush tjetër i kishte mbështetur R., të gjitha shpresat. Atë e do partia. E duam ne. E duan jugosllavët, mendoi… se është i klasës, tha dhe prapë psherëtiu, megjithëse aty për aty i’a arriti që t’ia mbushë mendjen vetes se asgjë, asnjë forcë s’mund ta lëkundte dot pozitën e ministrit të brendshëm; se duhej ushtruar dhunë e pamëshirshme kundër intelektualëve – dhe të gjitha këto i dinte mirë ministri i tij. Prandaj duhej zënë me çdo kusht ai maskara… Mark Ashta.

Befas ngriti dorën dhe vështroi sahatin: ora ishte 08.20. Sipas shoferit i duhej dhe një orë udhë; një orë e gjysmë ndoshta. Filloi të dremisë. /Memorie.al/

blank

27 nëntor 1946- Dita e bashkimit doganor me Jugosllavinë

Më 27.11.1946 u nënshkrua në Beograd nga përfaqësuesit e qeverive të Shqipërisë dhe Jugosllavisë “Traktati mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave, midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”, i cili u ratifikua nga Kuvendi Popullor me ligjin nr.389, datë 27.12.1946.
Është e çuditshme se fillimisht lajmi i nënshkrimit të traktatit u mbajt i fshehtë. Njoftimi u dha me vonesë më 11.12.1946 në gazetën “Bashkimi”.
Vetëm në dy periudha ka pasur shteti shqiptar bashkime doganore: në vitet 1939-1943 me Italinë dhe në vitet 1946-1948. Më katastrofiku ishte ky me Jugosllavinë./Kastriot Dervishi

Send this to a friend