VOAL

VOAL

Xhubleta si dëshmi e identitetit kombëtar

February 13, 2022
1 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 3 years ago Reply

    E lexova me andje artikullin Tuej z. Pllumb Sula. Kujtova kohen kur bashke tek
    Dugajt’ e Reja kemi pas ba ekspoziten e kostumeve kombtare.
    Ju gjithnje keni punue per ruejtjen e atyne traditave!
    Ju pershndes me shume respekt.

Komentet

Heshtja fajtore e Tiranës zyrtare ndaj Vuçiçit- Nga Genc Burimi

Çfarë ironie! Sa e largët duket tani ajo ditë kur Edi Rama në vizitën e tij historike në Serbi më 10 nëntor 2014 i thoshte presidentit serb ne zemër të Beogradit se Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm dhe i pandryshueshëm që Vuçiç duhet ta pranonte. Më shumë se një mesazh për Serbinë , Rama u jepte mesazh shqiptarëve se me të dhe Rilindjen e tij që sapo kishte ardhur në pushtet në Tiranë, Kosova do të kishte këtej e tutje avokatin më efikas që kishte patur ndonjëherë.

Fiks dhjetë vjet më vonë, Vuçiç duke shpallur planin e tij të premten e kaluar që përgatit ripushtimin e Kosovës , ai i kundërpërgjigjet në një fare mënyre edhe Edi Ramës me këto fjalë: “Asgjë nuk mund të na ndalë më ne serbët (për rimarrjen e Kosovës)! Kosovarët as në ëndërr nuk kanë për ta parë më pavarësinë”.

Këto fjalë kaq të rënda, bartëse të një lufte të pashmangshme, të shoqëruara dhe me përgatitjen e një ligji të ri të posaçëm të Serbisë ndaj Kosovës , nuk kanë provokuar deri tani asnjë reagim tek Tirana zyrtare.

A mund të imagjinohet të rrijë Greqia e heshtur nëse Erdogan kërcënon Nikozinë dhe gjithë pavaresinë e Qipros siç e bëri haptazi Vuçiç ndaj Prishtinës dhe mbarë Kosovës të premten 13 shtator?


Serbia rivendos shërbimin e ushtarak
Fjalimi solemn i Aleksander Vuçiçit mbi Kosovën ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga shume media serbe si një fjalim me përmbajtje tepër të veçantë. Ai fjalim i presidentit serb të premte e kaluar vinte vetëm një javë pas vizitës në Moskë të zv/kryeministrit serb, « famëkeqi » Aleksandar Vulin, ish-drejtuesi i sherbimeve sekrete të Serbisë cilësuar non grata nga Shba-të, gjë që s’e pengoi aspak atë të bëhet numri dy i qeverisë serbe. Si për të pëgatitur terrenin për fjalimin krejt të ç’kompleksuar të Vuçiçit mbi Kosovën, Vulin nga Moska i thurri dafina miqësisë serbo-ruse. « Serbia është aleate e Rusisë”, deklaroi zëvendëskryeministri serb në Moskë, duke e ndjerë të nevojshme të shtojë po ashtu : “E udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç, Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, dhe ajo nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë » tha Vulin më 4 shtator pas shtrëngimit të duarve në Moskë me Putinin.

Është në këtë konteskt “shpatullash të ngrohta” nga Moska , marrë dhe në kuptimin e parë të fjalës pasi ne marsin e ardhshëm Rusia pritet t’i zgjase kontratën e furnizimit me gaz Serbisë, që Vuçiç, gjeti kurajon të mbajë atë fjalim luftënxitës mbi Kosovën përballë heshtjes totale të Tiranës.

Dy gjëra duhen nënvizuar nga fjalimi i Vuçiçit mbi Kosovën. Toni dhe permbajtja.

Toni u pa tek mënyra më shumë se provokative kur Vuçiç u shpreh me tallje se kosovarët le të vazhdojnë po të dojnë të ëndërrojnë për pavarësinë e tyre, serbët asgjë nuk do të mund t’i ndalë.

Përmbajtja ishin dy gjëra të frikshme. Pas 45 ditesh , pra në fund të muajit tetor, parlamenti serb, sipas Vuçiçit do të votojë një kuadër të ri ligjor që çon në kriminalizimin e të gjithë organeve të Shtetit të Kosovës . Varroset kështu jo vetëm plani franko-gjerman i para dy viteve njohur si marrëveshja e Ohrit për paqe midis Serbisë dhe Kosovës, por varrosen të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Serbisë me BE-në mbi Kosovën që nga pavarësia e Kosovës. Kjo llogjikë e re serbe e çuar në ekstrem do të mund thotë këtej e tutje mandate arresti kombëtare dhe nderkombëtare të lëshuara nga Serbia për arrestimin e qeveritarëve dhe çdo tjetër zyrtari të Shtetit të Kosovës. Ja si u shpreh Vuçiç në fjalimin e tij:

“Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë brenda 45 ditëve do të miratojë vendimin me të cilin do të shpallet paligjshmëria e të gjitha organeve dhe institucioneve të krijuara në territorin e Kosovës dhe Metohisë pas shpalljes ilegale të pavarësisë. Falë vendimit që ne do të marrim i gjithë aktiviteti dhe aktet e njëanshme të organeve të Kosovës bëhen ligjërisht inekzistente dhe nuk mund të prodhojnë pasoja apo efekte juridike. Një procedurë e ngjashme u ndërmor pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur ligji shpalli të pavlefshme dispozitat ligjore të miratuara gjatë pushtimit armik te Serbise….Është rënë po ashtu dakord që brenda 45 ditëve Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të miratojë ligjin për organizimin e kompetencave të organeve gjyqësore të Republikës së Serbisë për Krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë. Do të krijohet një prokurori e posaçme për ndjekjen penale të veprave penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve të përkohshme të Prishtinës.”

Vuçiç shkoi dhe më larg duke thënë se kushdo në Serbi që do të njohë pavaresinë e Kosoves do të konsiderohet po ashtu se kryen vepër penale dhe do të përndiqet. Duhet rikujtuar se në fillim të këtij viti politkani serb pro-perëndimor Nikola Sanduloviç u rrëmbye në banesën e tij në mes të Beogradit nga agjentë të maskuar të shërbimeve sekret serb BIA dhe u torturua për mbi 6 orë rresht deri sa humbi ndjenjat. Ai u ndëshkua kështu mizorisht thjesht sepse kërkoi falje për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe vendosi një buqetë me lule mbi varrin e një vogelushje shtatëvjeçare kosovare e vrarë nga forcat e armatosura serbe më 1999. Nëse ligji që Vuçiç premtoi në fjalimin e të premtes bëhet realitet, dhunimi ndaj të gjithë atyre që në Serbi e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk do të bëhet më me maska por me kod penal.

Masa e dytë e frikshme që shoqëroi fjalimin e Vuçiçit mbi Kosovën është vendosja e sherbimit të detyruar ushtarak në Serbi. Që vitin e ardhshëm të gjithë të rinjtë serbe do të kryejnë shërbim të detyrueshëm ushtarak dy muaj e gjysëm. Edhe vajzat po ashtu ftohen nga qeveria serbe të bëjnë një gjë të tillë në mënyrë vullnetare.

Si do e mbrojë Shqipëria Kosovën
Të gjithë po asistojmë sot në një ndryshim radikal kursi të Serbisë ndaj Kosovës që mund të çojë në një lufte të re ballkanike në mos më gjerë. Vetëm Tirana e Edi Ramës vazhdon të luajë rolin e të verbërit që nuk sheh gjë, të shurdhit që nuk dëgjon gjë, dhe të memecit që nuk thotë gjë. Shqipëria vazhdon kështu traditën e historisë së saj sa tragjike dhe fatale. Shqiptarët kanë qenë historikisht popull i agresuar nga të tjerët, dhe për një kohë të gjatë të pushtuar. Kjo sepse liderit e tyre kanë qenë të paaftë të organizojnë kombin në ditët e vështira, të paaftë t’i paraprijnë të ardhmes, e mbi të gjitha të paaftë të sigurojnë mbrojtjen kombëtare. Liderit aktuale të Shqipërisë mburren me aleancat ndërkombëtare, si vend anëtar i Natos apo si vend kandidat në BE, duke i shfrytëzuar këto aleanca thjesht si alibi apo justifikime për të mos e pajisur vendin me një mbrojtje autonome dhe të denje. Vende anëtare të Natos janë po ashtu edhe Kroacia apo Greqia, edhe Polonia apo vendet balltike, por kurrë si më parë nuk po investohet aktualisht nga këto vende për mbrojtjen e tyre përtej asaj që mund t’u ofrojë NATO.

Dy studiues shqiptarë, Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha në një artikull të shkëlqyer mbi Kosovën botuar para disa ditësh për një think tank të mirenjohur francez (Fondacioni Zhan Zhores), e theksonin me forcë se dhe vendet më të fuqishme perëndimore e kanë sot në pikëpyetje pavarësinë e tyre: “Pas agresionit të fundit rus, ndjenja e rrezikut për sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve nuk është e pranishme vetëm në vende ne periferi të Evropës, por edhe ndër shtetet e fuqishme të Evropës, siç deklaroi së fundmi Presidenti i Frances . Është normale që shtetet në periferi e kuptojnë rrezikun me më shumë largpamësi sesa shtetet e vendosura në qendër të kontinentit evropian”, shkruajnë dy ekspertët shqiptarë. Por ndonëesë Shqipëria është në “periferi” a po e kupton Edi Rama rrezikun që po na kanos të gjithëve Aleksandër Vuçiç?

Dhe sa fjalime e masa të tjera “zjarrvënëse” të presidentit serb i nevojiten Edi Ramës t’i hapen më në fund sytë se rajoni nuk po shkon drejt “Ballkanit te hapur” që e kishte aq të shtrenjtë, por drejt “Ballkanit te Luftes”? Serbia e Vuçiçit në një hark kohor tre javor ndërmorri veprime që bëjnë rimë me konlikt të armatosur dhe jo me Ballkan të përsosur. Serbia blen një flotë ajrore ushtarake ultra-moderne disa miliarda euro. Serbia njofton se me ligj po e transformon në akt kriminal pavarësinë e Kosovës që do të thotë se ajo mund ta sulmojë në çdo moment Kosovën. Dhe Serbia rivendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak të kohës së Titos dhe të Millosheviçit. Të gjithë këto vetëm në tre javë pa mbaruar mirë stina e verës.

Çfarë sinjali tjetër pret më tepër Edi Rama për t’u zgjuar nga gjumi hipnotik dhe letargjik ku e ka futur “vellai” i Beogradit? Situata është egzakt si ajo e mes viteve 1930 kur Franca alarmohej se Hitleri po përgatiste luftë të re të Gjermanisë dhe askush nga partnerët anglo-saksonë nuk e dëgjonte apo bënte sikur nuk e besonte. Kur pa se ishte e vetme, Franca vendosi të shtonte buxhetin për mbrojtje, por qe tepër vonë. Frigoj se një ditë kur Tirana zyrtare do të zgjohet, do të jetë tepër vonë. Në vend që Kryeministri të merret me sulme ndaj “armikut të brendshëm”, ndaj asaj PD-je që ai rreket ta trajtojtë ditë e natë si forcë të rraskapitur, Rama bën mirë të hapë sytë mirë ndaj armikut të jashtëm dhe të përbashkët, jo vetëm të shqiptarëve por të bashkësisë ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë.

Në vend të sulmeve ndaj opozitës, Rama t’i konsumojë energjitë në përpjekje të rimëkëmbjes së mbrojtjes së rraskapitur të shqiptarëve ku e kanë lënë qeveritë e tij që prej një dekade. Pyetja që shtrohet ndaj tij për një përgjigje të qartë është: si do të veproje shteti i Shqipërisë në rast agresioni ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës? Do ta mbrojmë Kosovën ka thene nje herë Rama kur Serbia rrëmbeu tre policë kosovarë. Por me cfarë do ta mbrojmë? Vetëm në dy vjet, Ukraina me popullsi as 40 milionshe u mobilizua dhe po i bën ballë heroikisht Rusisë me popullsi 140 milionëshe.

Një kapacitet rezistence që deri tani as në 10 vjet e sipër në pushtet Edi Rama nuk ka arritur t’ua ofrojë shqiptarëve që vërtet janë 4 milion por përballë kanë një Serbi pothuajse po aq lilipute prej vetëm 6 milion banorësh. Vecse fqinji “liliput “ po armatoset sa për 60 milionë banorë ndërkohë kur Rama shpreson se Nato është garanci e përjetshme për shqiptarët. Jo vetëm që kater milion e ca shqiptarët e rajonit tonë Edi Rama nuk diti t’i mobilizojë ashtu siç i mobilizon cdo javë shteti “amë” serb serbët e Ballkanit (dhe Perëndimi nuk thotë gjë), por me trishtë akoma, kryeministri i Shqipërisë i ndau shqiptarët.

Si kurrë në histori Tirana dhe Prishtina s’kanë qenë kaq në ndasi sa sot. Heshtja aktuale e Shqipërisë së Edi Ramës ndaj Serbisë së Vuçiç vetem sa po e thellon këtë ndarje për të mirë vetëm të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Para qeverisë së Shqipërisë ka tani një gur prove: A do të fillojë ajo një ofensive diplomatike në shkallë të gjerë kundra kthesës luftënxitëse të presidentit serb ndaj Kosovës apo Edi Rama do të vazhdojë ta mohojë rikthimin tragjik të historisë në të cilin po na rizhyt Serbia.bw

 

Meta ndalon mediat shtetërore ruse

VOAL- Grupi amerikan Meta, pronar i Facebook, Instagram dhe WhatsApp, njoftoi të hënën se kishte ndaluar mediat shtetërore ruse të aksesonin platformat e saj në mbarë botën, për të shmangur çdo “aktivitet të ndërhyrjes së huaj”. Ndalimi vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken denoncoi të premten aktivitetet destabilizuese të medias RT, e njohur më parë si Russia Today, e përshkruar si një “degë” e inteligjencës ruse në mbarë botën.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm, ne kemi zgjeruar veprimin tonë kundër mediave shtetërore ruse,” tha Meta për AFP. “Rossia Segodnia, RT dhe entitete të tjera të lidhura tani janë të ndaluara nga aplikacionet tona në mbarë botën për shkak të aktiviteteve të tyre të ndërhyrjes,” tha kompania amerikane. Rreth dhjetë ditë më parë, autoritetet amerikane zbuluan një sërë masash që synojnë posaçërisht median ruse, duke përfshirë ndjekjet penale dhe sanksionet, në përgjigje të përpjekjeve për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Në një mesazh në Telegram, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova u tall me njoftimet e fundit të SHBA: “Unë mendoj se duhet të ketë një profesion të ri në Shtetet e Bashkuara: specialist në sanksionet kundër Rusisë,” tha ajo. Media publike ruse RT, e krijuar në vitin 2005, konsiderohet nga Perëndimi si një organ i pastër propagandistik në favor të Kremlinit. Faqja e saj e internetit dhe kanalet televizive transmetojnë në disa gjuhë, duke përfshirë anglisht, spanjisht, frëngjisht, gjermanisht dhe arabisht.RSI

Pse Edi Rama është njeriu i parë që duhet arrestuar nga Prokuroria e Posaçme – Nga Ndriçim Kulla

Në këtë det të stërmadh skandalesh ku ministrat, kryeministri, kryebashkiakët, deputetët dhe zyrtarë të tjerë lartë, lundrojnë nga njëri destinacion në tjetrin për të rrëmbyer çfarë ka mbetur  nga pasuria e popullit për familet dhe instiktet e qejfit të tyre , njeriu i parë që duhet arrestuat një orë e më pare nga këta, është kryeministri Edi Rama.

Pse   ështe Edi Rama  njeriu i pare që duhet arrestuar nga Prokuroria e Posaçme?

Përveç shpërdorimeve të mëdha politike me keqadministrim të fondeve publike, ku një sasi ekonsiderueshme e këtyre parave mund të justifikohen për fat të keq me përgjegjësitë kolegjale, kryeministri aktual është nje ekzemplar i rrallë i abuzimit personal.

Veprimtaria e tij antiligjore e identifikuar në këtë drejtim shprehet direkt  me shpërdorime fondesh  publike në sasira të mëdha për projekte të ndryshme, të cilat kanë autorësinë e firmës së tij, ose të deleguara prej tij, lumenj tenderimesh publike me lumenj parash, të cilat kanë destinacion rrethin e zgjeruar gjithnjë e më shumë të miqëve të tij, të njohurve dhe familjes së tij, shkelja e ligjit të konfliktit të interesit, përvetësime personale tokash dhe projektesh në interes të tij, abuzime eksopzitash me fondet e taksapaguesëve shqiptarë, udhëtime të shfrenuara etj, etj.

Por fatëkeqësisht po vuloset qartë, se Spak qenka një alibi vërtetë, e menduar dhe e përgatitur mirë.

Dhe autorët e saj, të cilët pushtetin që kanë rrëmbyer me zgjedhje të manipuluara dhe të blera  masivisht me lekët e drogës, e kanë kthyer në regjim.

Në Spak ka vetëm  një drejtesi, atë të rreme.

Ka një strukture të rreme. Ka një aparencë të rreme. Spak është realisht Edi Rama dhe Aleks Soros.

Sot regjimi po e mban Spak-un me bastun për dore për ta çuar ku do ai dhe kur dëshiron ai.

Fillimisht e shpuri  me detyrim tek  kryetari i opozitës shqiptare dhe familja e tij, duke i stisur  një proces politik, pa gjurmë dhe pa asnjë firmë, me objektivë të përcaktuar pushtetin mbajtjen në arrest politik për të siguruar pushtetin e Ramës.

E adresuar është tërë opozita për t’u hetuar dhe të gjithë drejtuesit e opozitës sot në fakt, janë nën një proces politikë ligjor.

Jemi në prag të zgjedhjeve. Ju duhet dyshim për tërë opozitën. Duhet frikë dhe imzhi i keq dhe këtë po e bën Spaku, duke mos respektuar ligjet dhe përgjegjësinë që ka .

Procesi ka errësirën e zezë të koridoreve të pista, ku zhvillohet seriali politik, por ka dhe dritën e diellit të së vërtetës.

Dosjet kanë falsifikime flagrante dhe këto falsifikime në vënd që të ishin objekt hetimi, organi akuzës vazhdon me objektivin e tij anti kushtetue.

Berisha thonë avokatët ka 2 muaj deri  3 muaj  pa rishikim gjyqësor, ku ligji detyron gjykatën ta ushtroj këte procedure, por gjykatësja Irena me tre mbiemra nuk e bën. Nuk ka ligj për të. Ligj është vetë ai. Ligj është urdhëri i Enver Hoxhës alias Edi Rama, që e trasmenton nëpërmjet hijeve të errëta,  që lëvizin të maskuara nëpër koridioret supermafioze të Tabil Saraj  ..

Gjoka, Millonai, Kraja, Kondili, Dumani ,Sadushi dhe shumë të tjerë janë produkti i fabrikës së madhe, e cila tjerr lesh në përdorim direkt të Rames dhe indirekt të lobistit të madh Xhorxh dhe Aleks Sorrosit.

Soros mbtetet përvoja më e keqe  e dhe më e hidhur  e çdo interference në drejtim të shthurjes së shtetit shqiptar, ku me lobimet e tij të ndotura në Departamentin e Shtetit ka imponuar një reformë në drejtësi për të çimentuar në pushtet regjimin e Edi Ramës, për të vazhduar më tej me politikat e shqyera globaliste, ku në themel të tyre ka shkatërrimin e vlerave të qytetërimit.

Turp i paparë e faqja e zezë për këdo që investoi tek ky SPAK, ndërkombëtarë e shqiptarë!

Megjithëse menduam se e keqja do të kishte një limit, tani po shohim se e keqja e SPAK nuk paska fund. Me një arrogancë të paskrupullt, të kthyer tashmë në një etiketë të mirëfilltë të njëanëshmërisë, ai as nuk guxon të marrë në pyetje qoftë edhe formalisht, kryeministrin Edi Rama për skandalet e njëpasnjëshme të tij me kryespiunin e FBI, McGonigal, qoftë për dosjen e tij, qoftë me dosjen djalit të Biden, ku ata bashkë mpleksen akoma dhe më keq. Ndërkohë që përndjekjen politike të liderit të opozitës e ka kthyer në përndjekje politike me një rekord mbi  katër vjet hetim.

Kemi përmbytje të mëdha skandalesh dhe abuzimesh, ku përveç denoncimeve të opozitës , mediet më të rëndësishme europiane dhe amerikane shigjetojnë Edi Ramën si koka e krimit dhe e korrupsionit. Atëhere lind pyetja e fuqishme :

– Pse nuk arrestohet, për tu hetuar Edi Rama ?

– Pse lejohet  dhe nuk frenohet ende të vjedhë, të bëj trafik droge, të grabisë toka, të vjedhë zgjedhjet dhe të shkatërroj demokracinë në Shqipëri ?!

Mos vallë kemi të bëjmë me një tabu të pakapërcyeshme?Atherë për se është krijuar Spak ?

Thjeshtë për të ndaluar opozitë në misionin e saj, apo të qërojë edhe hesapet me kundërshtarët e Edi Ramës bënda pushtetit të tij ?!..

Në faktë kështu po ndodh .

Për këtë  kanë investuar amerikanët dhe europianët? Nuk është çështje vetëm korrupsioni, por shumë më e thellë. Si mund të tolerohet nga drejtësia e një vendi, një akuzë për lobim dhe destabilizim të opozitës? A ka urgjencë më të madhe se sa shkatërimi i themeleve të demokracisë dhe pluralizmit? Atëherë pse s’dëgjon e pse nuk sheh SPAK ?! Ky organ, është kthyer kështu në një organ i vdekur, i pajetë, i kallur për së gjalli, është kthyer në shurdhmemecin më të madh të Shqipërisë, që politika dhe pushteti e mbajnë me bastun për dore për ta çuar kudo ku ata duan, pse jo edhe në greminë. Një dëshmi e sigurtë dhe e faktuar e kësaj ecje verbazi drejt kolapsit, është raporti i fundit i ODHIR-it për zgjedhjet e 14 Majit, që urdhëron hetim të menjëhershëm të atyrë që kanë prishur barazinë e votës, që e kanë manipuluar atë në çdo zinxhir të pushtetit dhe ekonomisë, duke e rikthyuer kështu mbrapsh Shqipërinë në ditët e saj më të errëta të raportit të zgjedhjeve të 2001.

Si ka mundësi që SPAK nuk guxon të ndërmarr një veprim të qartë ligjor sipas detyrës që ka, ku të thotë një fjalë për këtë nen nr 1 të çdo shteti të së drejtës?

Si e fsheh kokën si struc i përdorur politikisht, pa dhënë asnjë shpjegim? A nuk po e sheh greminën ku po e shpie kjo pabarazi në vendosjen e çdokujt përpara ligjit?

Ka ardhur koha që populli dhe ndërkombëtarët të kërkojnë “ kokën dhe trupin” e Spak në tryezën e gjykimit dhe të drejtësisë. Nuk ka shanse që kaq  shumë skandale e masakra elektorale, demokratike dhe financiare që ai po anashalon dhe bën sikur mënjanon, të mos i ngjajnë më si mëlçi, por t’i peshojnë si një gur i rëndë varur pas qafe. Dhe fundosja në fund të detit për gjithcka që s’po bën do të jetë  ajo që do t’i  afrohet shumë shpejt një ditë.

Inteligjenca çeke: Kina josh akademikët me ryshfet nga profilet e rreme të LinkedIn

Agjencia kombëtare e inteligjencës e Republikës Çeke thotë se Kina po përdor profile të rreme në LinkedIn për të korruptuar akademikët për të shkruar raporte të favorshme për Kinën. 

Shërbimi Çek i Informacionit të Sigurisë shkroi në raportin e tyre vjetor të vitit 2023 se operativët kinezë po u drejtohen akademikëve në LinkedIn për të mbledhur informacione “jo publike” rreth asaj që po ndodh në peizazhin politik të vendit.

Shërbimet e inteligjencës kineze “përdorin profile të mbulimit” nga kompani të mëdha kërkimi apo konsulence me bazë në Singapor apo Hong Kong për të kontaktuar me akademikët.

Më pas, ata kërkojnë nga akademikët të krijojnë raporte dhe studime “në fusha që korrespondojnë me interesat politike të Kinës”, për një “shpërblim financiar”, vazhdon raporti.

Kinezët gjithashtu do të përpiqen të joshin akademikët duke u ofruar atyre udhëtime të financuara plotësisht në Kinë për të shkuar në ngjarje të sponsorizuara nga shteti, duke krijuar një rrjet “kontaktesh që ndihen borxhli dhe mund të jenë të prirur të mbështesin interesat kineze në Republikën Çeke”.

“Sa herë që kinezët mësojnë për një ngjarje në Republikën Çeke ku mund të shfaqen komente negative për Kinën, ajo fillon të ndërmarrë hapa sistematikë për të marrë informacione të ndjeshme në lidhje me vendndodhjen, përmbajtjen dhe pjesëmarrësit e ngjarjes”, thuhet në raport.

Një zëdhënës nga LinkedIn tha për Euronews Next në një deklaratë se krijimi i një llogarie të rreme “është një shkelje e qartë e kushteve tona të shërbimit”, ekipi i tyre fokusohet në heqjen e llogarive të rreme bazuar në “sistemet e brendshme kundër abuzimit”.

Një raport i LinkedIn thotë se një kombinim i “mbrojtjeve të automatizuara” dhe hetimeve manuale bllokuan 99.6 për qind të llogarive të rreme që u ndaluan midis korrikut dhe dhjetorit 2023 përpara se përdoruesit t’i gjenin dhe t’i raportonin ato .

Taktika të ngjashme në MB, SHBA

Një raport i publikuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (DOD) në maj akuzoi aktorët shtetërorë kinezë për krijimin e profileve të rreme dhe “kërkesave fitimprurëse për punë” për të synuar punonjësit aktualë dhe të mëparshëm të shërbimit publik.

Qëllimi është të “joshin objektivat që të zbulojnë informacione të ndjeshme ose të bëhen aktive të rekrutuara”, përmes një taktike me rrezik të ulët dhe me kosto të ulët, që kalon përmes mbrojtjeve të tjera të sigurisë kibernetike, vazhdoi raporti.

Çdo punonjës i DOD është në rrezik, tha raporti, dhe, nëse komprometohen, këta punonjës kanë potencialin të “shkatërrojnë sigurinë kombëtare duke mundësuar përsëritjen teknologjike, kundërpërgjigjen e strategjisë së fushëbetejës dhe kompromentimin e personelit kritik”.

Ken McCallum, kreu i MI5, i tha Guardian tetorin e kaluar se mbi 20,000 qytetarë britanikë janë kontaktuar nga aktorët shtetërorë kinezë në LinkedIn.

Qëllimi, sipas McCallum, ishte të merreshin sekretet e industrisë ose teknologjisë duke vjedhur informacione nga njerëzit duke u paraqitur si konsulentë rekrutimi në platformë. sn

Senati italian ngre alarmin: Arratisjet, përleshjet apo krimet e tjera të kryera në kampet e refugjatëve janë përgjegjësi e Shqipërisë

Prestigjozia “La Stampa” ka nxjerrë një artikull ku shqyrton përgatitjet dhe problemet që po hasen në ndërtimin e qendrave për emigrantë në Shqipëri, të cilat janë pjesë e një marrëveshjeje ndërmjet qeverive italiane dhe shqiptare. 

Theksi bie në disa shqetësime kryesore në lidhje me ndërtimin e këtyre qendrave. Së pari, ka vonesa të konsiderueshme në përfundimin e projekteve, me hapjen e qendrave që parashikohet të ndodhë me katër muaj vonesë nga plani origjinal. Së dyti, artikulli shpreh shqetësim për sfidat ligjore, duke përfshirë ngarkesën e madhe në sistemin gjyqësor italian, që do të trajtojë krimet e kryera në këto qendra. Ka gjithashtu shqetësime për organizimin dhe financimin e mbikëqyrjes, duke përfshirë ndarjen e rolit midis forcave italiane dhe atyre shqiptare. Këto aspekte krijojnë një kompleksitet të lartë për menaxhimin e situatës dhe ndikojnë në efikasitetin e operacioneve në këto qendra.

ARTIKULLI I PLOTË

Brenda dy deri në tre javëve, qendrat për migrantët në Shqipëri do të jenë të gatshme. Megjithëse koha është më e gjatë se sa kishte shpresuar qeveria, në fund Palazzo Chigi është i kënaqur. U mbajt një takim operativ për të bërë bilancin e situatës, të kryesuar nga nënsekretari i presidencës së Këshillit të Ministrave, Alfredo Mantovano. Në takim ishin të pranishëm gjithashtu ministrat Matteo Piantedosi dhe Guido Crosetto, si dhe prefekti i Romës, Lamberto Giannini, i cili do të jetë përgjegjësi për administratën përfundimtare, ndërsa drejtori i policisë së Romës do të kujdeset për sigurinë teknike dhe Gjykata e Romës do të merret me procedurat gjyqësore.

Hapja e dy qendrave, njëra në portin e Shëngjinit për të menaxhuar ardhjen e anijeve me migrantë dhe tjetra në Gjader, në malësi, ku migrantët do të mbahen në pritje të mundshëm për riatdhesim të përshpejtuar, do të ndodhë me katër muaj vonesë nga plani fillestar.

Sipas parashikimeve, shumë shpejt do të bëhet e ditur se Inxhinieria Ushtarake ka përfunduar punën e saj dhe Ministria e Brendshme do të marrë strukturën në dorëzim. Nëse kolaudimi do të kalojë pa probleme, do të fillojnë procedurat siç është parashikuar në Protokollin Italia-Shqipëri të pranverës së kaluar.

Ministria e Brendshme e Italisë ka sqaruar sindikatave të policisë se mbikëqyrja dhe menaxhimi i rendit publik në këto qendra do të realizohet nga një kontingjent ndërforcash prej 300 agjentësh. Ky kontingjent përbëhet nga 176 policë, 77 karabinierë dhe 47 nga Guardia di Finanza. Policia do të dërgojë gjithashtu në Shqipëri 4 drejtues dhe 2 zëvendës-komisarë. Përveç kësaj, do të ketë edhe operatorë të Policisë Penitenciare për të menaxhuar të burgosurit e mundshëm.

Ministria e Brendshme italiane thekson se në Shëngjin dhe Gjader do të zbatohet eksteritorialiteti dhe legjislacioni italian. Të gjitha çështjet që ndodhin jashtë këtyre qendrave, si arratisjet, përleshjet apo krimet e tjera të kryera nga qytetarët jo të BE-së, do të mbulohen nga policia shqiptare. Policia shqiptare gjithashtu do të ketë përgjegjësi për sigurinë e hotelit ku do të akomodohet stafi italian, i cili do të marrë një kompensim prej 100 euro në ditë, plus ushqimin dhe akomodimin të mbuluar nga administrata.

Shërbimi në Shqipëri është shumë i kërkuar për shkak të përfitimeve financiare, aq sa sindikata Siap ka kërkuar një “rotacion midis të gjitha njësive të lëvizshme dhe zyrave të tjera për detyrat jashtë rendit publik.” sn

Misioni “top sekret” dhe ushtaraku gjerman që shpëtoi hebrejtë në Shqipëri! Biseda në takimin misterioz me djalin shkodran! Ç’ndodhi më 1944

FILIP GURAZIU/ Djaloshi 22 vjeçar Ludovik Deda, biri i familjes së njohun shkodrane, të Dedjakupve, në vjetin 1944 ishte në shërbim të forcave ushtarake gjermane në rolin e nënoficierit të nji reparti ushtarak shqiptar, kryesisht për ruejtjen e rregullit e të qetësisë në qytetin e Shkodrës e rreth tij. Në paraditen e nji ditë dimni me acar, në fund të muejit janar të vjetit 1944, korrieri i shtabit të Whermacht-it të dislokuem në Shkodër, i dorëzoi Ludovik Dedës nji zarf i cili përmbante thirrjen për nji takim me komandantin gjerman, në zyrën e tij, po atë mbasdite në orën 15.00.

 

Në orarin e caktuem, Ludoviku u paraqit në zyrën e Komandantit, i cili e priti me mirësjellje e shkurt e me pak fjalë e urdhnoi që të nesërmen ora 12.00 të me qenë në Bar “Kursal” Tiranë, ku do të ishte edhe vetë ai për nji çeshtje që do ta kuptonte të nesërmen, e para se të delte prej zyrës, e porositi: “Kujdes, askush nuk duhet të jetë në dijeni për bisedën e sotme”!

Të nesërmen, fiks në orën 12.00, kur Ludoviku hyni në mjedisin e Bar “Kursalit “ Tiranë, dalloi në nji tavolinë, si në qoshe, komandantin gjerman që e përshëndeti dhe e ftoi të ulej. Mbas pak komandanti, thirri kamerierin dhe pyeti Ludovikun se ç’ka dëshironte t’i servirej. – Faleminderit, kafe dhe ujë ishte përgjigja e shpejtë e Ludovikut, i cili ndihej shumë i emocionuem prej këtij takimi misterioz! Ndërsa Ludoviku pinte kafen, te tavolina u afrue nji burrë i cili i përshëndeti në një gjermanishte me theks ndryshe dhe u ul me qetësi. Menjiherë komandanti bani prezantimin e Ludoviku kuptoi se personi i tretë në tavolinë ishte “ish shefi i shërbimeve sekrete italiane në Shqipni”. Duket se gjermanët, që kishin zanë rob e internue drejt “kampeve te vdekjes” (si tradhëtarë ) pjesë të madhe të efektivit të ushtrisë italiane që gjindej në Shqipni mbas kapitullimit te Italisë fashiste me 10.09.1943, kishin pasë mbajtë si këshilltar të veçantë pranë tyne ( sepse i duhej për njohunitë e përvojën që kishte në mjedisin shqiptar) burrin që ndodhej përballë Ludovikut në atë takim.

Mbasi ndërruan bisedën e mirësjelljes, komandanti gjerman paraqiti detyrën që duhej të kryente Ludoviku: “Me qenë se ushtria gjermane kishte nevojë për landë druni, e cila do të transportohej prej Shkodrës në rrugë ujore nëpërmjet lumit Buna, delte nevoja e blemjes së nji mjeti lundrues detaro-lumor për ushtrinë gjermane i cili fillimisht duhej të lundronte prej Durrësit e të ankorohej në portin lumor të Shkodrës”. Në takim Ludovikut iu dha porosi që për veprimin e masipërm të takonte nji person me eksperiencë në fushën e anijeve lundruese në Durrës, iu dorëzue edhe shuma monetare për kryemjen e aksionit së bashku me porosinë që për çdo problem të mundshëm të merrte kontakt vetëm me komandantin gjerman.

Mbas disa ditëve, Ludoviku takoi personin e rekomanduem në Durrës e simbas këshillës së tij bleu nji anije detaro- lumore prej druni me kapacitet rreth 150 T. me emnin “Papagali”, pagoi paradhanie edhe dy specialista të fushës së lundrimit ( drejtuesin e mekanikun e anijes) për shërbimin që do të bajshin e së bashku me ta lundroi drejt Shkodrës. Lundrimi shkoi mbarë, anijen e ankoruen në gjiun që krijon shkambi i Fabrikës së Çimentos në Shkodër në lumin Buna ku po i pritshin dy ushtarë gjermane të cilët e morën anijen në ruejtje.

Në takimin e radhës me komandantin gjerman në Shkodër, ku Ludoviku kishte shkue për raportimin e kryemjes së detyrës, kuptoi të vërtetën e misionit “Top sekret “; komandanti gjerman, së bashku me disa bashkëpunëtorë besnikë (oficierë të Werhmacht-it në Shkodër në bashkëpunim me…?, kishin marrë përsipër shpëtimin e dhjetëra familjeve hebreje prej kthetrave të reparteve famëkeqe “S.S” naziste. Këto familje me banim të mëparshëm në Serbi, Kosovë e Maqedoni kishin pasë qenë me “fat”, sepse kishin mbrritë me i shpëtue synit vigjilente te S.S-ve e tashma qëndrojshin të fshehuna në shtëpitë e shkodranëve. Komanda e ushtrisë gjermane në Shkodër “kishte marrë prej kolegëve të tyne në Vlonë nji kërkesë për furnizim me landë druni për nevojat e ushtrisë” e cila do të transportohej me anijen “Papagali”. Landa e drunit do të sistemohej në kuvertë, kurse pjesëtarët e familjeve hebreje do të vendoseshin të fshehun poshtë druve në barkun e anijes me tjetër destinacion…! Ludoviku mori detyrën me qëndrue 24 orë pranë anijes e me shoqnue grupin e hebrejve deri në destinacionin përfundimtar.

Aksioni ishte me shumë të paprituna, por deri në këtë fazë çdo gja kishte shkue simbas programit. Vështirësia ma e madhe konsiderohej organizimi i sistemimit klandestin të familjeve hebreje poshtë në barkun e anijes, sepse rruga prej qytetit të Shkodrës deri te vendi i ankorimit të anijes kalon detyrimisht mbi urën e Bunës, ku S.S. nazistë kishin pikën e kontrollit!

Së pari, anija u ngarkue me landën drunore në kuvertë; në nji pozicion të msheftë ishte lanë rrugë e lirë për hymjen në barkun e anijes, poshtë turrës së druve. Me qenë se procesi i futjes në anije i familjeve hebreje parashikohej i gjatë, mbasi u pat pleqnue që në kalimin e kontrollit të “ S.S.-ve”( te ura e Bunës), hebrejt e veshun si katundarë të zonës e të shoqnuem prej shqiptarve, të mos ishin ma shumë se dy së bashku, doli problemi se dikuj mund t’i lindte dyshimi se pse anija për ndihmë ushtrisë gjermane, tashma e ngarkueme me dru, pra e gatëshme për lundrim nuk nisej drejt destinacionit, por po qëndronte në vend kaq gjatë? Për këtë arsye dy mekanikë të “zgjedhun” të ushtrisë gjermane filluen sistemimin e motorrit e të mekanizmit të anijes “Papagali” e cila “ për çudi, rezultoi se kishte pasë shumë difekte…”

Procesi i programuem i kalimit të kontrollit në urën e Bunës e sistemimi i fshehtë i hebrejve në barkun anijes rezultoi i gjatë, u deshën gati 17 ditë që 45 persona, pjesëtarë të familjeve hebreje të strehoheshin në klandestinitet në anije. Nga ana tjetër, sa ma shumë persona strehoheshin në barkun e anijes aq ma i vështirë paraqitej procesi i plotësimit të nevojave jetike të tyne në kushtet e klandestinitetit… Ma në fund erdhi dita e nisjes, 25 Shkurt 1944, atë ditë “pasagjerëve të anijes” iu shtuen edhe dy oficierë gjermanë. Buna kishte plot ujë. Lundrimi filloi mbarë, anija lundronte me shpejtësi e ndihmueme edhe prej rrymës lumore. Disa postoblloqe ushtarake gjermane që kontrollojshin e pengojshin lundrimin pa leje me anën e rrjetave prej hekuri në lum, u kaluen pa kontroll të hollësishëm, sepse ishin oficierët gjermanë në kuvertë që komunikojshin me kolegët e tyne të kontrollit të cilëve i paraqitshin edhe dokumentin e urdhnit të komandës gjermane për dërgesën e landës drunore në Vlonë.

Optimizimi që emocionoi pasagjerët kur anija doli prej grykës së lumit Buna e filloi lundrimin në detin Adriatik drejt botës së lirë më destinacion Bari- Itali, në atë periudhë kohore zonë e çlirueme prej forcave aleate, nuk vazhdoi gjatë, sepse papritmas motori i anijes u bllokue! Anija “ Papagali” ishte në mëshirën e dallgëve, që për fat atë ditë ishin mjaft të qeta… Shqetësimi ishte maksimal; mekanikët punojshin vrullshëm për gjetjen e difektit, kurse oficierët gjerman vunë në përdorim radion “dhanësë e marrëse” e me kodet e tyne sekrete mbrritën me komunikue me “ato…” që ishin të interesuem për aksionin e shpëtimit të hebrejve. Papritmas në distancë rreth 100 m. prej anijes “ mbiu” mbi sipërfaqen e detit nji nëndetëse britanike e cila rimorkjoi anijen “ Papagali” deri në destinacion, ne Bari-It., ku të tanë pasagjerët e anijes, fillimisht, gjetën strehim në kampin e refugjatëve të luftës me vend ndodhje afër qytetit të BaritIt.

Vlen të shënohet se kjo ngjarje, aq e veçantë sa humanitare, por dhe me vlerë sepse nderon jo vetëm moralin e shqiptarëve, por edhe të gjermanëve tue demostrue se jo të tanë ushtaraket gjermanë ishin kundër hebrejëve, nuk kujtohet prej askujt? Po pse? Nuk dihet ngjarja? Jo, jo dihet , por nuk duen me e dijtë…, sepse nuk duen me e kujtue…!

Në fillim të mijëvjeçarit të tretë, rastësisht mora pjesë në nji takim të Shoqatës së Miqësisë Shqiptare – Izraelite, që u mbajt në sallën e Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’ në Shkodër, ku u kujtuen dhe u nderuen disa familje qytetare shkodrane që kishin strehue familjet hebreje, tue rrezikue edhe jetën e tyne, gjatë terrorit nazist në kohën e luftës së dytë botnore. Më kujtohet se në atë takim , kërkova fjalën e shkurtimisht tregova ngjarjen e këtij shkrimi; pata mbetë pak befasuem sepse drejtuesit e aktivitetit nuk treguen asnji lloj interesimi mbi çka tregova. Mbrapa, kur me mendjen tima bana analizën psiko-politke të mjedisit drejtues të aktiviteti, falë eksperiencës së jetës time nën diktaturën komuniste, çdo gja m’u sqarue!

No coment! Gjithçka flet vetë! Përpunimi dogmatik puritanist ideologjik i nji pjese të shoqnisë njërëzore nuk i lejon të kuptojnë realitetin, të vërtetën që na rrethon: “E mira dhe e keqja bashkëjetojnë në nji binom të pandashëm si në simbiozë.; “ s’ka të mirë pa të keqe dhe s’ka të keqe pa të mirë”, duem apo s’duem, ky asht realiteti.

“Reddite quae sunt Caesaris Caesari et quae sunt Dei Deo – Jepni Çezarit atë që asht e Çezarit dhe Zotit atë që asht e Zotit”

Mbetet në nderin tonë paraqitja e nderimit dhe e mirënjohjes publike për veprën humanitare të shpëtimit të familjeve hebreje prej kthetrave të S.S nazistë, tue rezikue edhe jetën e tyne në pranverën e 1944-tës për komandantin e disa oficierë ( besnikë të tij ) të Whermachtit në Shkodër, për banorët e Shkodrës si dhe në veçanti për mikun tim, që sot nuk jeton ma, të ndjerin Ludovik Deda.

Shënim:

Shkrimi respekton rrëfimin e personazhit kryesor të ngjarjes, z. Ludovik Dedës, i zhvilluem në shtëpinë tij; Pescara-It, Tetor 1997. Atyne që ngjarja e masipërme mund t’i duket e pabesueshme i ftoj të verifikojnë arkivat e kampit të refugjatëve të Luftës së Dytë Botërore në afërsi të qytetit të Barit-it., ku ruhet e vërteta.

/Gazeta Panorama

Analiza e DW: Pse Scholz do paqe “të shpejtë” në Ukrainë?

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është i mendimit se ka ardhur koha për bisedime paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Opozita gjermane e kritikon qeverinë. Edhe Moska ka reaguar.

Në kancelarinë e Berlinit ekziston mendimi, se ka ardhur koha për përpjekje më intensive diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në një intervistë me ZDF më 8 shtator, kancelari Olaf Scholz tha: “Unë mendoj se tani është momenti kur ne gjithashtu duhet të diskutojmë se si mund të kalojmë nga kjo situatë lufte në paqe më shpejt sesa duket aktualisht.” Por socialdemokrati nuk ka dhënë ndonjë sugjerim konkret për këtë. Megjithatë, ai mbështeti idenë që Rusia gjithashtu duhet të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të paqes në Zvicër.

Kritika nga opozita, mbështetje brenda koalicionit
Opozita konservatore e CDU/CSU në Berlin reagoi menjëherë ashpër pas fjalëve të Scholz. “Kjo lëvizje e kancelarit ishte e parashikueshme sepse përshtatet në strategjinë e pjesëve brenda SPD që duan ta shtyjnë me kujdes Ukrainën në një paqe të rreme të diktuar nga Rusia, në të cilën mbështetja gradualisht zvogëlohet dhe në vend të kësaj kërkohen negociata të rreme,” tha politikani i CDU-së për çështjet e jashtme, Roderich Kiesewetter për “Bild”. Edhe kolegu i tij i partisë së tij, Jürgen Hardt theksoi për Berliner Zeitung se “nuk mund t’i bësh Putinit një nder më të madh sesa ta detyrosh Ukrainën në tryezën e bisedimeve ndërsa ai vazhdon të vrasë në Donbass”. “Ne të gjithë duam negociata, por i takon agresorit të ndalojë agresionin”, tha Hardt.

Skeptikë janë edhe Të Gjelbrit, pjesë e koalicionit qeveritar. Sipas agjencisë së lajmeve dpa, bashkëkryetar i Të Gjelbërve, Omid Nouripour tha në Berlin se gatishmëria në Kremlin për të pasur “diskutime në kushte të barabarta” nuk është veçanërisht e madhe. Megjithatë, negociatat me Rusinë janë të nevojshme, edhe në formën e konferencave të paqes, tha bashkëkryetari federal i Aleancës 90/Të Gjelbërit.
Skepticizëm gjen edhe tek liberalët, FPD. Zëdhënësi i politikës së jashtme të FDP-së, Ulrich Lechte, i tha Berliner Zeitung se ndërsa partia e tij është e mendimit se diplomacia asnjëherë nuk është e pakët, ai e konsideron të pamundur që Putin të jetë i gatshëm të ulet në tryezë me Ukrainën dhe të tërheqë trupat e tij. “Një paqe e re e rremë, siç u ra dakord përfundimisht me marrëveshjen Minsk II, për mendimin tim është krejtësisht e papranueshme”, tha Lechte.

Zgjedhjet e landeve – lufta në Ukrainë
Deklarat e Scholz për të ulur Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e bisedimeve nuk është e befasishme për vëzhguesit. Humbjet e hidhura të socialdemokratëve në zgjedhjet shtetërore në shtetet lindore të Gjermanisë, Saksoni dhe Tyringi, ka të ngjarë të jenë një nga arsyet e komenteve të kancelarit, siç janë edhe zgjedhjet e ardhshme në landin e Brandenburgut, gjithashtu në Gjermaninë Lindore, më 22 shtator. Ky land aktualisht qeveriset nga kolegu i partisë së Scholz-it, Dietmar Woidke.
Alex Yusupov, drejtues i programit për Rusinë në Fondacionin Friedrich Ebert, beson se Scholz do të mbështetë Woidken dhe dëshiron të sinjalizojë se edhe Berlini zyrtar mendon, “që lufta duhet të përfundojë sa më shpejt se vonë – gjithashtu me negociata dhe jo vetëm me mjete ushtarake”. Në një intervistë për DW, politologu theksoi se partitë populiste do ta përdornin si avantazhin e tyre, nëse kancelari do të shpërfillte çështjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Kurse politologu ukrainas, Volodymyr Fesenko mendon, se Scholz po përpiqet të gjejë një ekuilibër të caktuar politik. “Ai e ka parë trendin. Tema e bisedimeve të paqes është duke u diskutuar në mënyrë aktive dhe Scholz për këtë arsye ka vendosur të flasë për të, veçanërisht pas takimit të fundit me Zelensky,” tha Fesenko. Ai është i bindur se kancelari synon t’i përshtatet atmosferës politike të brendshme dhe kështu të forcojë pozicionin e tij përpara zgjedhjeve federale të vitit të ardhshëm.

Por Fesenko sheh një theks të ri të vendosur nga Scholz. Deri më tani, është mbajtur qëndrimi që vetëm Ukraina duhet të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh do të fillojnë negociatat me Rusinë, thekson Fesenko. “Tani Scholz e shpreh pak më ndryshe, por deklarata e tij nuk përmban asgjë konkrete dhe asgjë të bujshme.” Fesenko beson, se debatet për negociatat e paqes do të shtohen dukshëm pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.

Ka Gjermania influencë tek Rusia?
Andrij Melnyk, ish-ambasadori i Ukrainës në Gjermani, i tha së fundmi Berliner Zeitung: “Personalisht, unë besoj se kancelari Olaf Scholz mund të bëhet kreativ dhe të përdorë kanalet ekzistuese diplomatike të Gjermanisë për të parë nëse bisedimet me Putinin do të kishin kuptim.”

Por çfarë do të thotë kjo konkretisht? Studiuesi i shkencave politike, Alex Yusupov beson se Berlini nuk mund të furnizojë Ukrainën me armë dhe në të njëjtën kohë të veprojë si një ndërmjetës neutral në negociata. “Gjermania ka humbur çdo ndikim mbi Rusinë. Kremlini nuk e sheh Berlinin si një aktor të pavarur,” thekson eksperti. Gjermania është në anën e Kievit, kështu që Berlini definitivisht nuk do të iniciojë “Minsk III”.

Vetë, Kremlini reagoi i rezervuar pas deklaratave të Scholz për të shtuar përpjekjet diplomatike. Sipas Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, aktualisht nuk ka parakushte për fillimin e një procesi paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës. Nuk pati deklarata nga “vendi që dirigjon të gjithë këtë proces dhe Perëndimin kolektivisht”, tha ai, ku nënkuptohen Shtetet e Bashkuara.

Ukraina kujton formulën e paqes
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal siguroi gazetarët më 10 shtator se Kievi dëshiron të tërheqë një përfaqësues të Rusisë për bisedime në samitin e ardhshëm të paqes në mënyrë që të “parandalojë manipulimin nga ana e Federatës Ruse dhe t’u demonstrojë të gjithë pjesëmarrësve aftësinë ose paaftësinë e tyre për të negociuar paqen.” Në korrik, Moska refuzoi të marrë pjesë me arsyetimin se Rusia “nuk i pranon ultimatumet” që ndjekin “formulën” e presidentit ukrainas.

Ndërkohë, Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky, kujtoi në Telegram se e vetmja rrugë drejt drejtësisë është “ekskluzivisht formula ukrainase e paqes, normat e së drejtës ndërkombëtare si edhe integriteti territorial dhe sovraniteti i Ukrainës”

Gjendje e jashtëzakonshme në disa shtete, reshjet e fuqishme shkaktojnë përmbytje në Europën Qendrore

Në disa zona në jug të Austrisë shpallet gjendje e jashtëzakonshme prej vërshimeve. Kryesisht në landin Niederösterreich të Austrisë gjendja është e rënduar.

Për shkak tëreshjeve të dendura “janë shkaktuar dhe pritet të ketë edhe më tej përmbytje masive në mbarë rajonin”, i tha zëvendëskryeministri i landit Niederösterreich, Stephan Pernkopf, agjencisë austriake të lajmeve APA. Në disa zona ka rrezik për rreshqitje toke, sepse toka është tërësisht e lagësht. Në shumë zona rrugët janë mbuluar nga uji. Një sërë fshatrash janë të shkëputur prej pjesës tjetër të vendit.

Ky land ka njoftuar ndërkohë edhe për një të vdekur prej vërshimeve. Një punonjës i zjarrëfikësit humbi jetën duke punuar me një pompë thisëse të ujit në një qilar, sikurse njoftoi shtabi i krizës.

Niederösterreich është landi i goditur më rëndë prej reshjeve dhe motit ekstrem. Në këtë land përreth Vjenës jetojnë 1,7 milionë njerëz. Natën në të gdhirë të ditës së dielë (15.09.2024) pati gati 4500 aksione të zjarrëfikësit. Në disa komuna në veri të Vjenë u desh të shpëtohen njrëzit e bllokuar nga masa e ujit nëpër shtëpi. Ekipet e emergjencës përdorën helikopterët e gomonet. Shumë banorë pranë zonave të lumenjve u lajmëruan për evakuuim që të largoheshin nga shtëpitë.


Kritike është gjendja edhe në zonën e lumenjve Kamp dhe Krems, që derdhen në Danub.

Evakuime në Çeki
Edhe në Çeki vërshimet e përmbytjet i kanë vënë në gjendje emergjence ekipet e shpëtimit. Katër vetë konsiderohen të humbur pasi i ka rrëmbyer masa e ujit. Më i prekur është rajoni në lindje të vendit në kufi me Poloninë. Gjatë fundjavës kryebashkiaku i Cesky Tesin urdhëroi evakuiimin e mijëra banorëve nga qendra e qytetit. Lumi Olsa, një degë e Oderit, rrezikon të vërshojë jashtë shtratit.

Pakësimi i reshjeve pritet gjatë ditës së hënë (16.09.2024).

Për shkak të motit ekstrem në Çeki mbetën pa energji rreth 250.000 shtëpi, njoftoi agjencia CTK duke iu referuar furnizuesit me energji.
Reshje dhe përmbytje ka pasur edhe në Poloni e Rumani. Nga të dy këto vende njoftohet edhe për viktima një person në Poloni dhe pesë të vdekur në Rumani. Në Rumani janë dëmtuar rreth 5000 shtëpi dhe qindra njerëz u desh të shpëtohen prje vërshimeve. “Kjo është një katastrofë e përmasave epike”, tha kryetari i bashkisë së fshatit Slobozia Conachi në rajonin Galati. Janë përmbytur rreth 700 shtëpi, vuri në duke Emil Dragomir. Presidenti rumun Klaus Iohannis dekalroi: “Ne jemi konfrontuar sërish me pasojat e ndryshimit të klimës, që po bëhen gjithnjë e më fort evidente në kontinent me pasoja dramatike.”/DW

Analiza e DW: A duhet të rrëzojë NATO dronët rusë mbi Ukrainë?

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, 8 shtator, dy avionë luftarakë rumunë F-16 u ngritën nga baza ajrore në Borca, një qytet afër kufirit me Ukrainën. Banorët e rajonit u paralajmëruan me mesazhe në celular për mundësi rreziku. Paralajmërimi u dha pasi sistemi rumun i vëzhgimit me radarë zbuloi një dron rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune. Droni thuhet se qëndroi atje për më shumë se 30 minuta dhe përfundimisht u kthye përsëri në drejtim të Ukrainës.

 

Nuk ishte ky incidenti i parë i këtij lloji në Rumani në territorin e NATO-s. Vetëm një ditë më parë, një dron rus u rrëzua në Letoni. Numri i incidenteve të tilla është rritur në katër javët e fundit dhe Rusia duket e gatshme të rrezikojë edhe më shumë. “Situata po përkeqësohet dhe NATO duhet të gjejë një përgjigje tani,” tha për Deutsche Wellen, Jamie Shea, ish-zëvendës ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfidat e reja të sigurisë.

Shea, tani një bashkëpunëtor i lartë në Friends of Europe, një institut kërkimi në Bruksel, argumenton se aleanca duhet “t’u japë anëtarëve të saj mbrojtje më të madhe”. Aleanca ka premtuar se do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

A po teston Rusia NATO-n?

NATO ka dënuar shkeljet e fundit të hapësirës ajrore nga Rusia, duke i quajtur ato “të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme”. Megjithatë, në një postim në rrjetin social X, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s në largim, Mirce Joana, theksoi se aleanca nuk ka asnjë informacion që “tregon një sulm të qëllimshëm nga Rusia ndaj aleatëve”.

Ekspertë të tillë si Jan Kalberg, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane me qendër në Uashington, dyshojnë se Rusia mund të shqyrtojë përgjigjen e NATO-s dhe të përpiqet të gjejë mospërputhje “midis asaj që themi dhe asaj që bëjmë”. Ata gjithashtu mund të përpiqen të testojnë aftësinë e aleatëve për të komunikuar, tha ai për DW.

Kjo çështje ishte ndër temat e diskutuara gjatë një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel këtë javë. Presioni ndaj NATO-s për të shkuar përtej masave tashmë të vendosura, duke përfshirë rritjen e mbikëqyrjes, patrullimet ajrore dhe vendosjen e më shumë sistemeve të mbrojtjes ajrore në rajonet lindore të aleancës, duket se po rritet.

A duhet që NATO të rrëzojë dronët rusë?

Në një intervistë të fundit me “Financial Times”, ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski tha se Polonia, ashtu si vendet e tjera në kufi me Ukrainën, kanë “detyrë” të rrëzojnë raketat ruse përpara se ato të hyjnë në hapësirën e tyre ajrore. Në nëntor 2022, dy fermerë u vranë kur një raketë – këtë herë një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase – shpërtheu jashtë fshatit Pshevodov, rreth pesë kilometra në perëndim të kufirit ukrainas.

Si një komb sovran, Polonia me siguri mund të bëjë gjithçka që e sheh të nevojshme për mbrojtjen e saj, por qeveria polake nuk ka gjasa të lëvizë në këtë drejtim pa një vendim kolektiv të Aleancës. NATO e ka kundërshtuar deri tani propozimin, duke përmendur rrezikun që aleanca të bëhet pjesë e konfliktit.

A mund të ndihmojë një zonë tampon në kufirin me Ukrainën?

Zgjerimi i mbrojtjes ajrore polake ose rumune mbi Ukrainën perëndimore do ta ndihmonte Poloninë jo vetëm të mbrojë qytetarët e saj, por edhe qytetet ukrainase si Lviv, thotë Berzina. Ky do të ishte një efekt anësor i rëndësishëm dhe i mirëpritur për Ukrainën me afrimin e dimrit, kur Rusia mund të sulmojë edhe më shumë infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Shea pret po ashtu një rritje të incidenteve në hapësirën ajrore të NATO-s duke pasur parasysh numrin në rritje të sulmeve ruse në Ukrainën perëndimore. “Pyetja e vërtetë është: a duhet të vdesë dikush tjetër, përveç dy polakëve, dhe sa duhet të përkeqësohet situata përpara se të zgjidhet një çështje e tillë?

Por Shea theksoi, se nëse NATO vendos të përdorë sistemet e saj kundërajrore përtej kufirit me Ukrainën, “përdorimi duhet të jetë mjaftueshëm i kufizuar” për të shmangur përshtypjen se “Perëndimi po futet në luftë”. Megjithatë, mburoja “duhet të jetë operative efektive” jo vetëm për të kapur dronët, por edhe raketat balistike përpara se ato të mund të kalojnë në territorin e NATO-s. Sipas tij, një zonë prej 100 kilometrash brenda territorit ukrainas është ndoshta “minimumi që siguron kohë të mjaftueshme për zbulim, vëzhgim dhe përgjim”.

Pengesat politike për aleatët e NATO-s

Në fund të fundit, ky është një vendim politik. Ekspertët pajtohen se NATO ka burimet për të krijuar një zonë sigurie në kufirin me Ukrainën, nëse vendos ta bëjë këtë. Por me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA dhe me politikën komplekse të brendshme në Francë dhe Gjermani, qeveritë e këtyre vendeve duket se kanë pak dëshirë të marrin vendime që mund të kritikohen si sjellje e vendeve të tyre buzë luftës me Rusinë. “Derisa rusët të na sulmojnë qëllimisht, ne do të mbyllim një sy”, tha ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea. Por nëse një dron rus kërcënon seriozisht një zonë civile në territorin e NATO-s, kjo mund të ndryshojë të gjithë situatën

Analiza e REL: Pse askush në BE nuk kujtohet për aplikimin e Kosovës?

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar.

 

Presidenca hungareze, me mandat deri në fund të këtij viti, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse do të bëjë ndonjë hap. Qeveria e Kosovës shpreson që po.

“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar politik i Qeverisë së Kosovës.

Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.

Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues.

Përmes një pyetësori, pastaj, Komisioni vlerëson gatishmërinë e vendit aplikues për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, përkatësisht për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Në proces të zgjerimit janë aktualisht dhjetë shtete, gjashtë të Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se janë dy arsye përse aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ka mbetur në sirtar për gati dy vjet.

“E para është arsyeja formale, ose fakti që Kosova nuk është njohur nga pesë vende anëtare të BE-së [Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja], ndërsa procesi i zgjerimit është mes vendeve anëtare dhe vendit që aplikon – nuk është proces me institucionet e BE-së. Andaj, për të avancuar më tej, duhet pajtimi i të gjitha vendeve anëtare ose, së paku, asnjë vend anëtar të mos e kundërshtojë”.

“E dyta është mungesa e vullnetit politik nga ana e BE-së, pasi disa vende duan ta lidhin këtë edhe me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë Palokaj.

Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë. BE-ja, si ndërmjetësuese, ka theksuar rëndësinë e rezultateve në këtë proces, si parakusht për përparimin e tyre në rrugën evropiane.

Por, përkundër kësaj, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe shumë prej marrëveshjeve të arritura, nuk zbatohen.

Udhëheqësit politikë, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiç i Serbisë, nuk janë takuar saktësisht një vit. Qeveria e Kurtit, ndërkohë, ka bërë disa veprime, si heqja e dinarit serb nga përdorimi apo mbyllja e institucioneve paralele serbe, të cilat Bashkimi Evropian i ka konsideruar si të njëanshme dhe me ndikim negativ.

Kosova, për më shumë se një vit, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat lidhen me tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Kosova nuk u është përgjigjur as kërkesave të vazhdueshme të disa vendeve anëtare të BE-së për të ndërmarrë hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vend të tyre, Qeveria akuzon Serbinë për qasje jokonstruktive dhe BE-në për trajtim jo të barabartë, edhe pse kjo e fundit nuk pajtohet.

“Sa u përket ‘hapave të njëanshëm’ dhe kritikave të BE-së, parë në kontekstin e integrimit drejt Bashkimit Evropian, ato do të duhej të vlerësoheshin pozitivisht dhe si hapa shtytës të funksionimit dhe sundimit të ligjit në vend, si dhe të luftimit të aktiviteteve ilegale dhe bandave kriminale. Pra, ata nuk do të duhej të ndikonin në prolongimin e procesit evropian”, thotë këshilltari i Qeverisë, Kadiu.

Tefta Kelmendi, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, vlerëson për Exposenë se perspektivat evropiane të Kosovës, tash për tash, janë të zymta. Sipas saj, BE-së, fillimisht, i duhet të gjejë një mënyrë se si ta vazhdojë ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si ta rikthejë besimin e Qeverisë së Kosovës.

“Ekziston një perceptim [në Kosovë] për njëanshmëri dhe trajtim jo të barabartë nga BE-ja. Kjo mund të mendohet kështu për faktin se BE-ja aplikon masa të caktuara kundër Kosovës, ndërkohë që udhëheqësit evropianë udhëtojnë në Beograd për të bërë marrëveshje të rëndësishme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është një figurë problematike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, thotë Kelmendi.

Që gjërat të lëvizin përpara, Kelmendi i rekomandon edhe Kosovës një angazhim më strategjik, të përmbahet nga marrja e vendimeve të pakoordinuara dhe t’i qaset dialogut me një vizion më afatgjatë, duke u fokusuar edhe në sigurinë dhe besimin e qytetarëve në veri.

“Në kontekstin e një lufte në Evropë dhe gjithashtu të një politike të paparashikueshme të SHBA-së në rajon, mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova ta kuptojë se duhet t’i mbajë miqtë afër. Ajo duhet t’i rimendojë vërtet pasojat nëse vazhdon të mbetet e izoluar nga BE-ja ose shtetet e saj anëtare”, thotë Kelmendi.

Palokaj paralajmëron se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE mund të mbetet në sirtar për kohë të pakufishme, pasi, siç thotë, nuk ka ndonjë afat që e obligon shtetin që kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së, për ta nxjerrë në rend dite.

Për shembull, në rastin e Shqipërisë, nga koha e aplikimit deri te marrja e statusit të vendit kandidat kanë kaluar pesë vjet.

Palokaj thotë se vendimi është krejtësisht politik.

“Do të duhet një shtytje e madhe politike sidomos nga dy vendet kryesore të BE-së, Gjermania dhe Franca. Ato janë në krye të përpjekjeve për të detyruar Kosovën dhe Serbinë që t’i normalizojnë raportet. Këto dy vende kanë edhe fjalën kryesore në QUINT. Po ashtu, kanë qenë vendimtare për të mos e mundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe nuk ka dyshim se ato do ta lidhin edhe çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën me ecurinë e dialogut”, thotë Palokaj.

Në fillim të këtij muaji, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka rikonfirmuar angazhimin e saj për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ashtu si edhe të Ukrainës dhe Moldavisë, por ka paralajmëruar se duhen edhe vendime të vështira.

Si vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të përballen me zgjedhje të vështira. Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të trajtohen. Integrimi në BE do të varet nga qeveritë dhe nga marrja e vendimeve të vështira, e ndonjëherë edhe jopopullore. Por, kjo është koha në të cilën jetojmë. Shtyrja e vendimeve nënkupton marrjen e vendimeve të gabuara”, ka thënë von der Leyen në Forumin e Bledit.

Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë vendet e para në Ballkanin Perëndimor që i kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE, më 2012, përkatësisht më 2014.

Ndërsa Serbia mbetet më mbrapa, për shkak të mospërshtatjes së politikave të saj me ato të BE-së, për Malin e Zi flitet me data konkrete.

Në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian tashmë ekziston një plan i përgatitur kalendarik, sipas të cilit Mali i Zi do të mund ta përmbyllte të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2026 dhe, në rrethana ideale, të bëhet anëtar i BE-së më 2028.

BE-ja, për herë të fundit, është zgjeruar me Kroacinë në vitin 2013.

Sipas një studimi që ka bërë Qendra e Kërkimeve Pew, janë dashur mesatarisht nëntë vjet për secilin nga 21 anëtarë aktualë që t’i bashkohen BE-së. Qipros dhe Maltës u janë dashur pothuajse nga 14 vjet për t’u bërë zyrtarisht anëtare.

E, në Prishtinë disa qytetarë të anketuar janë më optimistë; disa të tjerë shpresat i varin te politikëbërësit.

“Shpresoj që [Kosova] në dy-tre vjetët e ardhshëm të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret ende, por shpresoj të shkojë në këtë rrugë”, thotë Fitore Mataj.

“Pse të mos anëtarësohet Kosova në BE, kur dihet se ka një rini shumë të shëndoshë, një mentalitet shumë të shëndoshë?”, pyet Drin Makolli.

“Është duke avancuar nëpër shumë fusha dhe profesione të ndryshme. Unë mund ta shoh Kosovën brenda pesë vjetësh si anëtare të BE-së”, thotë ai.

Për Samir Hasanin, “kjo varet nga politikanët tanë, nga politikat e tyre në raport me evropianët”.

“Ndoshta brenda pesë vjetësh, ndoshta brenda mandatit pas zgjedhjeve që do të vijnë”, thotë ai.

“Mendoj se çështja e anëtarësimit në BE është komplet e kushtëzuar nga dialogu dhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Sa më shpejt që të ndodhë kjo, mendoj se edhe [çështja e anëtarësimit] do të kryhet më shpejt”, shpreh bindjen Emir Ademi.

Kryeministri Kurti, më herët, ka kërkuar që dialogu me Serbinë të ndahet prej procesit të integrimit evropian, pasi, sipas tij, procesi i normalizimit të marrëdhënieve varet më shumë nga Serbia sesa nga Kosova. Por, BE-ja këmbëngul që këto procese nuk mund të ndahen.

Rruga përpara mund të jetë e pasigurt, edhe aplikimi i Kosovës mund të mbledhë pluhur në sirtar, por vendosmëria në mesin e autoriteteve për integrim duket e palëkundur.

40 minuta në luftë me grupin e Radojiçiqit: Si ndodhi sulmi ku u vra polici Afrim Bunjaku sipas aktakuzës së PSRK

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pas gati një viti pas sulmit në Banjskë për 45 persona, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Por, si ndodhi ngjarja sipas aktakuzës së PSRK-së?

Një ekip i Policisë së Kosovës ishte nisur në drejtim të Kushtovës. Me të arritur në fshatin Banjskë, vërejnë se në urën në hyrje të fshatit, dy kamionë ishin vendosur duke bllokuar rrugën.

Dyshimet e para ishin se kamionët përdoreshin për kontrabandë, e pasi njoftuan Dhomën Komanduese, dy vetura të stacionit policor të Zveçanit erdhën si asistencë në vendin e ngjarjes, e me ta ishte edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Prita ishte përgatitur ashtu që ekipet policore të qëndronin në dritë derisa ambienti përreth ishte i errët. Urdhri erdhi të largohen kamionët nga rruga.

Derisa zyrtarët policorë po tentonin t’i largonin kamionët, ndodh një shpërthim në afërsi të rreshterit.

Bunjaku kishte marr plagë në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe. Në momentin që policët tentojnë ta tërheqin rreshterin, rreth 50 persona nga 20 pozicione, e disa në afërsi prej 10 metrave, fillojnë të qëllojnë pa ndërpre në drejtim të tyre.

Si kundërpërgjigje, edhe zyrtarët policorë shkrepin andej kah vinin predhat.

Në mënyrë që të dobësohet dukshmëria, policët e Kosovës qëllojnë ndriçimin e rrugës.

Policët e Kosovës arrijnë ta tërheqin rreshterin dhe me veturën që vazhdimisht qëllohej nga plumbat, nisen për Mitrovicë të kërkojnë ndihmë emergjente. Atje kuptohet se rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë.

Zyrtarët policorë kishin luftuar kundër të akuzuarve për terrorizëm për afro 40 minuta. /Betimi për Drejtësi/

Pas sulmit ku u vra Bunjaku, grupi i Radojiçiqit ishin strehuar në hotelin e Banjskës – rrëfejnë dëshmitarët

300 metra larg Manastirit të Banjskës, mysafirët në hotelin “Rajska Banja” ishin zgjuar nga gjumi si pasojë e luftimeve.

Të shtënat nuk ishin ndalur deri në agim. Atëherë mysafirët kishin parë se hoteli ishte mbushur njerëz me armë të gjata dhe të maskuar në uniforma të gjelbra, në mesin e tyre kishte edhe të plagosur.

Kur dëshmitari “kishte zbritur në recepcion për të pyetur se çfarë po ndodhte, kishte marrë informatë se nuk kishte ndonjë sulm dhe duhet të kthehej në dhomë.”

Të frikësuar për gjendjen e jashtëzakonshme, dëshmitari rrëfen në Prokurori se janë nisur për në bodrumin e hotelit bashkë me të tjerë ku edhe kanë qëndruar deri në mëngjes.

Mysafirët s’ishin lejuar të largohen nga hoteli deri në ora 10 e mëngjesit. /BetimipërDrejtësi/


Send this to a friend