VOAL

VOAL

Vuçiçi: Njohjen e Kosovës po ma kërkon e gjithë bota, por nuk jam gati

May 7, 2018

Komentet

Serbia hesht ndaj kritikave të FBI-së: Si u arratis shtetasi kinez që kërkohet nga SHBA-ja?

Ludmilla Cvetkoviq

Xu Zewei, shtetas kinez që Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar për hakimin e hulumtimeve amerikane për COVID-19, u ekstradua në SHBA në fund të prillit nga Italia.

Një skenar të tillë e shmangu shtetasi kinez Cui Guanghai, pasi iku nga arresti shtëpiak në Beograd.

Ai ishte ndaluar me kërkesë të autoriteteve amerikane për shkak të akuzave për përndjekjen e një artisti kinez që jeton në SHBA.

Më vonë, në SHBA ai u akuzua edhe për tentativë kontrabandimi të pajisjeve ushtarake drejt Kinës.

Drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), Kash Patel, e përmendi pikërisht Serbinë si një nga vendet që shtetasit kinezë, në vend se t’i ekstradojë në SHBA, i kthen në Kinë.

Gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan më 12 maj, Patel, duke shpjeguar vizitën në Milano, tha se atje në paraburgim ndodhej një kriminel i nivelit të lartë kibernetik i lidhur me Partinë Komuniste të Kinës.

“Arritëm të siguronim një marrëveshje që ai person të dëbohej nga Italia në vend që të kthehej në Kinë, siç ka ndodhur shpesh në vende si Serbia”, tha ai.

Institucionet e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimin e shefit të FBI-së, Patel, të bërë në Kongresin amerikan.

Ndërkaq, Sërxhan Cvijiq nga organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ky është një sinjal shumë i keq për Serbinë.

Ai theksoi se, kur drejtori i FBI-së përmend një vend para Kongresit në kontekstin e Kinës, ekstradimeve dhe kërcënimeve të sigurisë, kjo “nuk është një shqetësim diplomatik kalimtar”.

“Kjo do të thotë se ai vend ka hyrë në diskursin amerikan të sigurisë si një aktor problematik”, vlerësoi ai.

Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mban raporte të ngushta dhe ka bashkëpunim politik, ekonomik dhe ushtarak me Kinën, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Kina është e angazhuar në projekte infrastrukturore në Serbi, merren kredi nga bankat kineze, ndërsa vitet e fundit Serbia ka intensifikuar blerjen e armëve kineze.

Kë kanë kërkuar SHBA-ja nga Serbia?

Drejtori i FBI-së nuk përmendi emra apo raste konkrete para Kongresit amerikan kur foli për Serbinë.

Por, duke folur më 28 prill për Fox News lidhur me ekstradimin e Xu Zeweit nga Italia, ai tha se kishte pasur një rast kur, në vitin 2025, një shtetas kinez ishte ndaluar në Serbi.

Ai shtoi se në fund ai “u kthye në Kinë, pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të siguruar ekstradimin e tij”.

Në shtator të vitit 2025 u bë e ditur se, pasi kishin hequr byzylykët elektronikë nga arresti shtëpiak në Beograd, kishin ikur shtetasi kinez Guanghai dhe britaniku John Miller.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ata dyshohen se “kanë koordinuar dhe udhëhequr një komplot për të frikësuar dhe kërcënuar një qytetar të Los Anxhelosit, i cili kishte kritikuar publikisht presidentin kinez Xi Jinping”.

Pas arratisjes së tyre, Gjykata e Lartë në Beograd urdhëroi shpalljen e tyre në kërkim.

Rasti i arratisjes mbetet ende i pazbardhur.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse të dy e kanë lëshuar territorin e Serbisë dhe si ka qenë e mundur të arratiseshin ndërsa ishin nën mbikëqyrje, përmes byzylykëve elektronikë.

Po ashtu, autoritetet nuk janë përgjigjur nëse ata janë duke u kërkuar.

Media hulumtuese BIRN raportoi në nëntor të vitit 2025 se vetëm një orë pasi Guanghai dhe Miller u zhdukën, nga aeroporti i Beogradit drejt Pekinit ishte nisur një avion privat i një kompanie kineze.

As Ambasada e Kinës në Beograd nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse kishte qenë në kontakt me Guanghai dhe Miller që nga momenti i arratisjes dhe nëse kishte marrë pjesë në çfarëdo mënyre në largimin e tyre nga Serbia.

Sërxhan Cvijiq nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, tha se përmendja e Serbisë në Kongres tregon se për SHBA-në ky rast po bëhet diçka “shumë më serioze sesa një keqkuptim diplomatik”.

“Për ta, kjo është pjesë e një çështjeje më të gjerë: nëse Serbia është një vend që bashkëpunon me SHBA-në në frenimin e ndikimit kinez, represionit transnacional dhe transferit të paligjshëm të teknologjisë, apo një vend që në momentet kyç u jep përparësi marrëdhënieve me Pekinin”, tha ai.

Autoritetet në Serbi, që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe (SNS) në vitin 2012, kanë zhvilluar intensivisht marrëdhëniet me Kinën dhe udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

Udhëheqësit e të dy vendeve i përshkruajnë marrëdhëniet mes shteteve si “miqësi prej çeliku”.

Nga ana tjetër, Kina për SHBA-në, siç tha Cvijiq, paraqet sfidën qendrore në aspektin e sigurisë, teknologjisë, ekonomisë, inteligjencës dhe gjeopolitikës.

Për këtë arsye, shtoi ai, është veçanërisht e rrezikshme që Serbia në këtë kontekst të lidhet me Kinën në Kongresin amerikan.

“Nëse Serbia në Uashington fillon të shihet si një vend ku shtetasit kinezë, të kërkuar nga drejtësia amerikane, mund të shmangin ekstradimin në SHBA dhe të përfundojnë në Kinë ose të zhduken nga procesi juridik, atëherë kjo dëmton drejtpërdrejt besimin ndaj Beogradit”, shtoi ai.

Si u përgjigjet Serbia kërkesave për ekstradim?

Cvijiq vlerësoi se rasti i arratisjes së shtetasit kinez nuk flet vetëm për një dështim në sistemin e sigurisë, por për një model shumë më të thellë të sjelljes së shtetit të Serbisë.

Kjo tregon, sipas tij, edhe selektivitet në sjelljen e autoriteteve serbe, kështu që kur SHBA-ja kërkon persona të lidhur me operacione kineze, ata arratisen nga arresti shtëpiak.

“Kur Rusia ose Bjellorusia ndjekin disidentët e tyre, institucionet serbe papritur dinë të jenë shumë bashkëpunuese, shumë të shpejta dhe shumë të ashpra”, tha ai.

Aktivisti dhe gazetari bjellorus Andrej Gnyot kaloi një vit në paraburgim në Serbi duke pritur vendimin për ekstradimin e tij në Minsk.

Pas heqjes së masës së paraburgimit, ai u largua nga Serbia më 31 tetor 2024.

Serbia po ashtu ka një histori problematike të ekstradimit të shtetasve turq drejt Turqisë, pavarësisht thirrjeve nga Kombet e Bashkuara që të përmbahet nga ekstradimet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë vazhdimisht se për Serbinë, përveç Kinës dhe Rusisë, po aq të rëndësishme janë edhe marrëdhëniet e mira me SHBA-në dhe BE-në.

Serbia është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor që është kandidate për anëtarësim në BE, por vitet e fundit ka stagnuar dhe ka mbetur prapa në procesin integrues.

Një nga arsyet për këtë është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Gjykata në Hagë ia hedh poshtë sërish kërkesën Mlladiqit për lirim nga burgu për arsye shëndetësore

Ratko Mlladiq gjatë gjykimit në Hagë më 2021.

 

Radio Evropa e Lirë

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës) ia ka hedhur poshtë përsëri kërkesën Ratko Mlladiqit për lirimin të përkohshëm nga burgu për arsye shëndetësore, ku ai po e vuan dënimin për krime të luftës.

Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

Mekanizmi tha të enjten se ekspertët e pavarur mjekësorë kanë konstatuar se Shërbimi Mjekësor i Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara dhe spitali i burgut po e vëzhgojnë dhe trajtojnë në mënyrë adekuate gjendjen shëndetësore të Mlladiqit.

“Ata nuk kanë hasur në mungesë të kujdesit ose trajtimit të duhur, që do ta arsyetonte lirimin e tij”, thuhet në njoftimin e Mekanizmit.

Mekanizimi shtoi se Mlladiq është vendosur përgjithmonë në një strukturë spitalore burgu të ndërtuar rishtazi, e cila është e pajisur për të ofruar kujdes multidisiplinor për të burgosurit me probleme komplekse mjekësore.

“Mlladiq po vendoset në një spital të ri burgu, të teknologjisë së fundit, me monitorim të vazhdueshëm dhe transferime të shpejta në spitale civile sipas nevojës”, tha ai.

Thuhet se i burgosuri ka kujdes të përshtatshëm paliativ, ndihmë me aktivitetet e përditshme, si dhe përkthyes dhe staf që flasin gjuhën e tij.

Mbrojtja e tij kërkoi lirim të përkohshëm për shkak të, siç u tha, shëndetit të tij të dëmtuar rëndë dhe nevojës për trajtim spitalor.

Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, e vizitoi atë më 20 prill dhe i kërkoi Hagës që t’ia mundësonte Mlladiqit të mjekohej në liri.

Kjo është hera e dytë që atij i refuzohet kërkesa për lirim nga burgu për arsye shëndetësore.

Në qershor të vitit 2025, mbrojtja e Mlladiqit kërkoi lirim të përkohshëm ose të parakohshëm bazuar në diagnozën e tij të dyshuar terminale dhe jetëgjatësinë e shkurtër.

Mekanizmi e hodhi poshtë kërkesën me arsyetimin se Mlladiq po merrte kujdes të plotë mjekësor.

Mlladiq u dënua përfundimisht në Hagë më 8 qershor 2021 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai ka qenë në paraburgim nën mbikëqyrjen e Mekanizmit Ndërkombëtar që nga arrestimi i tij në vitin 2011 në Serbi.

Vendimi i gjykatës së Hagës e shpalli atë fajtor për gjenocid kundër rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, një zonë e mbrojtur nga OKB-ja, në verën e vitit 1995, për persekutimin dhe transferimin me forcë të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe mbajtjen peng të paqeruajtësve të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995.

Ai u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

NATO-ja dhe Serbia i nisin stërvitjet e para të përbashkëta afër Bujanocit

Ushtarë të NATO-s dhe Serbisë gjatë fillimit të stërvitjeve të përbashkëta usharake pranë Bujanocit, 12 maj 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

NATO-ja dhe ushtria e Serbisë i kanë filluar stërvitjet e para të përbashkët ushtarake të martën në bazën ushtarake “Jugu” dhe poligonin e stërvitjes “Borovc” pranë Bujanocit, në jug të vendit, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Stërvitjet do të mbahet deri më 23 maj, nën organizimin e Komandës së Forcave Tokësore dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta nga Napoli.

Në këto stërvitje po marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të ushtrisë serbe dhe forcave të armatosura të Italisë, Rumanisë dhe Turqisë.

Pjesëmarrës janë gjithashtu edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga Britania e Madhe, Italia, Gjermania, Rumania, Shtetet e Bashkuara, Serbia, Turqia, Franca dhe Mali i Zi.

Udhëheqësi i stërvitjes është koloneli Branisllav Stevanoviq, zëvendëskomandant i Brigadës së Tretë të Ushtrisë së Serbisë.

“Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren, do të praktikohen taktikat, teknikat dhe procedurat e përdorura në operacionet e mbështetjes së paqes, siç janë siguria në baza, puna në pikat e kontrollit, kontrolli i tubimeve masive dhe luftimet urbane”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Sipas Ministrisë, stërvitja përfaqëson një vazhdim të bashkëpunimit midis Serbisë dhe NATO-s në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Ky bashkëpunim i shërben qëllimit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, përmirësimit të aftësive operacionale të forcave të armatosura dhe forcimit të besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Serbia është anëtare e programit të NATO-s, Partneritetit për Paqe, që nga viti 2006, por këmbëngul në neutralitetin ushtarak.

Pasi Rusia nisi pushtimin ushtarak të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia vendosi moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj.

Megjithatë, pati përjashtime, siç ishin stërvitjet ushtarake “Ujku Platin” në vitet 2023 dhe 2025, të cilat u mbajtën me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve të tjera anëtare të NATO-s.

Në Serbi, ekziston një narrativë negative ndaj NATO-s, e cila mbështetet edhe nga autoritetet, si rezultat i bombardimeve që ajo kreu kundër Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999 për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Në të kaluarën, përveç ushtrimeve me forcat e armatosura të SHBA-së, në të cilat morën pjesë disa anëtarë të tjerë të NATO-s, ushtria serbe ka zhvilluar stërvitje ushtarake edhe me ushtrinë kineze.

Në korrik të vitit 2025, një stërvitje dhjetëditore e forcave speciale të ushtrive të Serbisë dhe Kinës u mbajt në provincën kineze Hebei, pavarësisht paralajmërimit të Brukselit ndaj Beogradit.

Ndryshe nga vitet e kaluara, që nga viti 2022 nuk ka pasur ushtrime të përbashkëta midis Serbisë dhe Rusisë dhe Bjellorusisë.

Serbia është kritikuar nga Bashkimi Evropian për ushtrime të përbashkëta me këto vende.

Kjo është arsyeja pse Beogradi anuloi pjesëmarrjen e tij në ushtrimet ruse-bjelloruse-serbe në vitin 2020, sepse ato po zhvilloheshin në Bjellorusi në një kohë kur ky vend ishte i tronditur nga një krizë politike pas zgjedhjeve presidenciale.

Ish ministri polak i Drejtësisë u arratis nga Hungaria në SHBA, Polonia: Do të kërkojmë sqarime nga Uashingtoni dhe Budapesti

Polonia do të kërkojë shpjegime se si ish-ministri i Drejtësisë Zbigniew Ziobro, i cili akuzohet për abuzim me pushtetin, arriti të udhëtojë nga Hungaria në Shtetet e Bashkuara, njoftoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme polake.

 

Varshava shpresonte që pas largimit nga pushteti të Viktor Orban, i cili i kishte ofruar azil Zbigniew Ziobro dhe zëvendësministrit të tij Marcin Romanowski, dy të pandehurit do të ekstradoheshin në Poloni për t’u përballur me akuzat.

Autoritetet polake ua kishin konfiskuar të dy pasaportat. Vendndodhja e Romanowskit është e panjohur.

“Ne do t’u kërkojmë si SHBA-ve ashtu edhe Hungarisë kuadrin ligjor dhe faktet aktuale të largimit të Zbigniew Ziobro-s nga territori hungarez”, tha zëdhënësi.

“Dhe konkretisht, cili është dokumenti që i lejoi atij të kalonte kufirin dhe i dha të drejtën të hynte në Shtetet e Bashkuara. Shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet dhe të mos ndikojë në marrëdhëniet e mira midis Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë.

Zbigniew Ziobro është larguar nga Hungaria dhe ndodhet në Shtetet e Bashkuara, sipas raportimeve të mediave të huaja. Panorama

Alarm në Greqi! Gjendet një dron misterioz i mbushur me eksploziv në Detin Jon, ja skenarët e mundshëm

GREQI- Forcat e Armatosura greke janë vënë në gjendje alarmi pas gjetjes së një mjeti lundrues pa pilot, të mbushur me eksploziv pranë Lefkadës. Sipas mediave greke, ata e gjetën anijen në një shpellë pranë ishullit të Lefkadës të enjten dhe njoftuan rojen bregdetare, e cila më pas e tërhoqi atë në portin e afërt të Vasilikisë.

Raportet në mediat greke thonë se droni mbante eksplozivë dhe motori i tij ishte ende duke punuar kur u zbulua. Raportet gjithashtu sugjerojnë se anija mund të jetë prodhuar në Ukrainë ose e lidhur me luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë.

Në video nuk shihen shenja të dukshme që mund të ndihmojnë në identifikimin e origjinës së mjetit lundrues. Ekspertët ushtarakë grekë do të shqyrtojnë qëllimin e mundshëm të dronit dhe nëse ai përfundoi në ujërat territoriale greke për shkak të një defekti teknik apo humbjes së komunikimit me qendrën e tij të kontrollit.

Një version i raportuar është se droni mund të jetë përgatitur kundër “flotës në hije” të Rusisë – një term që i referohet qindra anijeve cisternë që transportojnë naftën dhe gazin e Moskës për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Gazeta greke Ta Nea thotë se anija ngjan me dronin MAGURA V5 të Ukrainës, i cili është përdorur në mënyrë efektive disa herë. Ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Dronët detarë ukrainasë kanë revolucionarizuar luftën detare që nga pushtimi i Moskës, duke ndjekur pa pushim anijet luftarake dhe tankerët rusë në det të hapur dhe madje edhe në bazat detare.

Ndërkohë, ushtria e Ukrainës nuk ka komentuar mbi raportet se ishte përgjegjëse për atë sulm, mijëra kilometra larg bregdetit të Ukrainës. Ekspertët dyshojnë se mjeti, i cili ngjan me dronët detarë “Magura” të përdorur në luftën e Ukrainës, mund të jetë transportuar fshehurazi për të kryer një sulm të mundshëm./Dosja.al

Peter Magyar betohet si kryeministër i Hungarisë, shënon fundin zyrtar të epokës 16-vjeçare të Viktor Orban

Lideri pro-evropian i qendrës së djathtë, Peter Magyar është betuar si kryeministër i Hungarisë, duke shënuar kështu fundin zyrtar të 16 viteve në pushtet të Viktor Orban.

 

Ceremonia e së shtunës, gjatë së cilës Magyar kishte ftuar njerëzit t’i bashkoheshin për të “shkruar historinë hungareze” së bashku dhe “për të kaluar nëpër portën e ndryshimit të regjimit”, vjen një muaj pasi partia e tij opozitare Tisza fitoi me shumicë dërrmuese në zgjedhjet parlamentare.

Rezultati shkaktoi gëzim në Budapest dhe më gjerë, pasi Orban dhe lëvizja e tij populiste dhe nacionaliste ishin mbajtur prej kohësh nga e djathta ekstreme globale si një shembull për t’u imituar.

Herët të shtunën, njerëzit filluan të vërshonin në sheshin jashtë parlamentit neo-gotik të vendit për të ndjekur seancën inauguruese që transmetohej në ekrane të mëdha. Sa herë që shfaqej skena hungareze, turma brohoriste, ndërsa disa fishkëllenin ligjvënës nga Fidesz dhe partia ekstreme e djathtë “Atdheu Ynë”.

Fitorja dërrmuese, e cila i dha Tiszës 141 vende në parlamentin me 199 vende, ishte një rezultat tronditës për Magyarin, i cili deri vonë kishte qenë një ish-anëtar pak i njohur i elitës së Fidesz-it. Ai u shfaq në publik në fillim të vitit 2024, pasi u kthye kundër partisë, duke zbuluar funksionimin e brendshëm të një sistemi që ai e përshkroi si të kalbur dhe duke akuzuar zyrtarët për zgjerimin e pushtetit dhe pasurisë së tyre në kurriz të hungarezëve të zakonshëm.

45-vjeçari është zotuar të përdorë shumicën e tij të madhe për të zhbërë sistemet e ndërtuara nga Orban, i cili e kishte mbushur gjyqësorin, median dhe shtetin e vendit me besnikë. Përtej kufijve të vendit, ai është zotuar gjithashtu të rindërtojë marrëdhënien e tendosur të Hungarisë me BE-në. Panorama

Alarm në Ballkan: NATO dhe BE bashkojnë frontin në Kosovë dhe Bosnje

NATO dhe Bashkimi Evropian po e trajtojnë gjithnjë e më shumë Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën si pjesë të një mjedisi të përbashkët strategjik, ku ndërthuren stabiliteti institucional dhe prania ushtarake euro-atlantike.

Vizita e përbashkët e kryetarëve të Komiteteve Ushtarake të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Sarajevë, më 28–29 prill, nxori në pah rëndësinë në rritje të Ballkanit Perëndimor në planifikimin euro-atlantik të sigurisë. Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dhe gjenerali Seán Clancy, kryetar i Komitetit Ushtarak të BE-së, zhvilluan takime të përbashkëta në të dyja kryeqytetet, duke lidhur politikisht dhe operacionalisht dy misione me mandate të ndryshme, por me të njëjtin objektiv: ruajtjen e stabilitetit.

Përzgjedhja e Prishtinës dhe Sarajevës nuk ishte rastësore. Në Kosovë, Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) vazhdon të operojë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me mandat për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë. Në Bosnjë-Hercegovinë, misioni EUFOR Althea mbetet operacioni më i madh ushtarak i Bashkimit Evropian në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke funksionuar sipas marrëveshjes “Berlin Plus”, që mundëson bashkëpunimin operacional me NATO-n, shkruan Indipendent Balkan News Agency.

Të dy misionet formojnë një arkitekturë sigurie me disa nivele. NATO mban rolin kryesor në parandalimin ushtarak dhe stabilizimin në Kosovë, ndërsa Bashkimi Evropian mbështet stabilitetin institucional dhe operacional në Bosnjë-Hercegovinë. Prania e përbashkët e dy drejtuesve ushtarakë i riktheu të dy misionet në të njëjtin kuadër strategjik, në një kohë kur siguria evropiane po ndikohet nga lufta në Ukrainë, paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme dhe debatet mbi forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës.

Në Prishtinë, dy zyrtarët u informuan nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, mbi situatën operative dhe zhvillimet e fundit në terren. Prania e një komandanti turk në krye të KFOR-it nënvizon rolin aktiv të Turqisë në misionin e NATO-s në Kosovë. Takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, i dhanë vizitës edhe një dimension politik.

Admirali Giuseppe Cavo Dragone theksoi se KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX. Referimi i tij ndaj “të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë” konsiderohet veçanërisht domethënës në një kontekst ende të shënuar nga tensionet etnike, strukturat paralele dhe çështjet e pazgjidhura të statusit.

Në Sarajevë, vizita përfshiu pothuajse të gjithë arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë. Dy drejtuesit ushtarakë u takuan me shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, gjeneral-lejtnant Gojko Knežević, komandantin e EUFOR-it, gjeneralmajor Maurizio Fronda, komandantin e Shtabit të NATO-s në Sarajevë, gjeneral brigade Matthew Valas, përfaqësuesin special të BE-së Luigi Soreca dhe komandantin operacional të BE-së, gjeneral-lejtnant Ludovic Pinon de Quincy.

Bosnjë-Hercegovina vazhdon të përballet me presion institucional dhe me çështje kushtetuese të pazgjidhura që vazhdojnë të sfidojnë marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa Kosova operon ende në një mjedis të formësuar nga çështje politike dhe etnike të pazgjidhura. Vlerësimi i përbashkët i këtyre dy dosjeve nga drejtuesit e Komiteteve Ushtarake të NATO-s dhe BE-së tregon se rajoni po trajtohet gjithnjë e më shumë si një hapësirë e vetme stabiliteti dhe jo si një grup krizash të izoluara.

Në Sarajevë, admirali Giuseppe Cavo Dragone deklaroi se NATO ka mbetur e përkushtuar prej tre dekadash ndaj sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, duke e përshkruar angazhimin e Aleancës për sigurinë, integritetin territorial dhe stabilitetin rajonal të vendit si “të palëkundur”. Kjo deklaratë merr peshë të veçantë në një moment kur rajoni po rikthehet në fokusin e planifikimit euro-atlantik si pjesë e krahut juglindor.

Ky zhvillim është pjesë e një rikalibrimi më të gjerë të vëmendjes strategjike të NATO-s, nga Baltiku dhe Deti i Zi drejt Ballkanit Perëndimor. Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar llogaritjet e sigurisë në Evropë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po shtojnë presionin mbi krahun jugor të Aleancës. Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor nuk shihet më vetëm si një zonë për menaxhimin e pasojave të konflikteve të së kaluarës, por si një hallkë kritike e sigurisë evropiane dhe euro-atlantike.

Lidhja mes misioneve në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe përpjekjeve më të gjera për forcimin e krahut juglindor tregon një qasje më koherente strategjike. Deti i Zi, Ballkani Perëndimor dhe Evropa Qendrore formojnë tashmë një hark më të gjerë interesi strategjik, ku prania ushtarake, stabiliteti institucional dhe parandalimi politik funksionojnë në mënyrë plotësuese.

Vizita në Prishtinë dhe Sarajevë nuk ndryshon në vetvete mandatet e KFOR-it dhe EUFOR Althea-s. Megjithatë, ajo konfirmon se NATO dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë koordinim më të afërt në një rajon ku çështjet e brendshme të pazgjidhura vazhdojnë të mbeten të hapura dhe ku presionet e jashtme janë në rritje.

Për Ballkanin Perëndimor, mesazhi është se stabiliteti nuk trajtohet më vetëm si çështje lokale, por si pjesë integrale e sigurisë evropiane. /Pamfleti/

Turqia zbulon raketën e re balistike ndërkontinentale, me rreze veprimi deri në 6 000 km

Turqia ka zbuluar publikisht raketën e saj të re balistike ndërkontinentale, “Yildirimhan” për herë të parë në ekspozitën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes SAHA 2026 në Stamboll.

Kjo shënon një hap tjetër në zhvillimin e aftësive strategjike të sulmit me rreze të gjatë veprimi të vendit. Raketa u zhvillua nga Qendra e Kërkimit dhe Zhvillimit e Ministrisë së Mbrojtjes Turke dhe sipas të dhënave të paraqitura në ekspozitë, mund të arrijë shpejtësi deri në Mach 25 (rreth 8.5 kilometra në sekondë) dhe ka një rreze veprimi deri në 6,000 kilometra.

Zbulimi i Yildirimhan vjen në një kohë kur Ankaraja po përshpejton investimet në industrinë e saj të brendshme të mbrojtjes, me një fokus të veçantë në zhvillimin e sistemeve të raketave me rreze të gjatë veprimi, platformave pa pilot dhe teknologjive hapësinore. bw

Sarajeva përkujton fëmijët e vrarë gjatë rrethimit 1992-1995

Banorë të Sarajevës duke u fshehur nga zjarri i snajperëve, 1993.

 

Radio Evropa e Lirë

Në Kantonin e Sarajevës, 5 maji është ditë zie në kujtim të fëmijëve të vrarë të Sarajevës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitet ’90.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë u vranë gjatë katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës (1992-1995).

Sipas vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore, së paku 53 prej tyre janë vrarë nga snajperët, ndërsa më shumë se 14 mijë janë plagosur.

Për krimet ndaj fëmijëve të kryera gjatë rrethimit, deri tani nuk është mbajtur askush përgjegjës.

Qeveria e Kantonit të Sarajevës, në vitin 2019, ka marrë vendim që 5 maji të shënohet si Dita e Kujtimit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës.

Muzeu Historik i Bosnje dhe Hercegovinës, që nga shkurti i vitit 2020, po mbledh sende personale të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, të cilat janë ekspozuar në kuadër të instalacionit memorial “Dhoma e Bardhë”.

Rrethimi i Sarajevës

Terrori ndaj qytetarëve të Sarajevës zgjati 1.425 ditë.

Sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë, sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës.

Për rrethimin e Sarajevës, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë ka dënuar me burgim të përjetshëm Stanisllav Galliqin, ndërsa Dragomir Millosheviq është dënuar me 29 vjet burg.

Të dy ata kanë qenë komandantë të Korpusit Sarajevë-Romanija, i cili e ka mbajtur qytetin nën rrethim për 44 muaj.

Disa pjesë të dënimeve të përjetshme të Radovan Karaxhiqit, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, lidhen po ashtu me terrorizimin e popullsisë civile të Sarajevës.

Në nivel vendor, për krimet në pjesët e rrethuara të qytetit janë ndjekur deri tani 12 persona.

Para Tribunalit të Hagës është akuzuar edhe ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, por ai ka vdekur gjatë procesit, në mars të vitit 2006, dhe gjykimi është ndërprerë.

Bilana Pllavshiq, ish-presidente e Republikës Sërpska, ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në krimet në Sarajevë dhe është dënuar me 11 vjet burg nga Gjykata e Hagës.

Aksidenti tragjik në Durrës- Mes dhimbjes dhe lotësh, familjarët përcjellin për në banesën e fundit 12-vjeçarin

Familjarët zemërthyer, të afërmit, bashkëmoshatarët dhe qytetarët e shumtë po i japin lamtumirën e fundit Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç.

DURRËS- Dy vogëlushët që humbën jetën në aksidentin tragjik të ditës së djeshme në Durrës, po përcillen për në banesën e fundit. Pamjet e shfaqura përmes fotos, tregojnë momente pikëllimi, dhimbje të pafund dhe lotësh.

Familjarët zemërthyer, të afërmit, bashkëmoshatarët dhe qytetarët e shumtë po i japin lamtumirën e fundit Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç. Me lule e kurora në duar, familjarë ndjekin të përlotur makinën e funeralit.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022./Dosja.al

Uashingtoni hyn në boshllëkun energjetik të Evropës në Ballkan

Një tubacion i ri gazi duhet ta lidhë Bosnjën qendrore me rrjetin kroat të gazit dhe terminalin e gazit të lëngshëm natyror në ishullin kroat të Kërkut.

 

Rikard Jozwiak

Prej se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka marrë detyrën vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Brukseli kanë pasur përplasje për tregtinë, për mbështetjen që i jepet Ukrainës dhe për shpenzimet ushtarake.

Tani, një fushë e re përplasjesh është Ballkani Perëndimor.

Rajoni, i pozicionuar mes interesave të BE-së dhe SHBA-së, si dhe ndikimit të Rusisë dhe Kinës, është kthyer në një objekt gare i fuqive të mëdha, për shkak të pozicionit të tij strategjik dhe ekonomisë së brishtë.

Asgjë nuk e shpjegon këtë më qartë sesa marrëveshjet e fundit të investitorëve amerikanë për projekte energjetike në Shqipëri, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë – vende që synojnë të shkëputen nga varësia ndaj furnizimeve ruse.

“Presidenti Trump po hap një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore”, tha sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, në Forumin e Biznesit të Iniciativës së Tri Deteve, që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë.

Përplasja e agjendave u bë e dukshme javën e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara realizuan investimin e tyre më të madh publik në Ballkanin Perëndimor prej vitesh, duke nënshkruar disa marrëveshje shumëmiliardëshe për eksportin e gazit dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

Pikë qendrore është gazsjellësi Ndërlidhja Jugore, me vlerë 1.5 miliard dollarë, mes Bosnjës dhe Kroacisë, i cili e lidh Bosnjën si me terminalin kroat të gazit të lëngshëm në ishullin Kërk, ashtu edhe me rrjetin më të gjerë të gazit në Evropë.

“Ekziston një pranim se ky është një rajon me rreziqe të mëdha dhe sa më shumë që i bën këto gjëra publike, aq më shumë provokon kundër-reagim – nga Moska, nga Pekini, madje edhe nga pjesë të Evropës”, tha për Radion Evropa e Lirë një ndihmës i Kongresit.

“Strategjia është që kapitali dhe projektet të lëvizin më shpejt se politika. Nëse gjithçka e paraqet si garë gjeopolitike, e ngadalëson procesin. Nëse e quan investim dhe infrastrukturë, ai ec përpara”, shtoi një tjetër.

Ëndrra për gazsjellësin

Bosnje e Hercegovina, një nga vendet më të varfra në Evropë, ka nevojë që gjërat të lëvizin dhe shpejt.

Aktualisht, ajo është plotësisht e varur nga furnizimet ruse me lëndë djegëse fosile, që vijnë përmes gazsjellësit Rrjedha Turke.

Terminali i Kërkut është një nyje e rëndësishme për gazin e lëngshëm natyror amerikan që hyn në Evropë, dhe marrëveshja e nënshkruar edhe nga SHBA-ja do të sigurojë që në rajon të arrijë edhe më shumë energji amerikane.

Vendet e Ballkanit duket se po kthehen drejt Shteteve të Bashkuara, pas dështimeve me vite për të siguruar financime nga Evropa.

“Mungesa e investimeve ka qenë një problem i gjatë në Ballkan”, thotë David J. Kostelancik, bashkëpunëtor i lartë në Programin e Rezistencës Demokratike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

“Duke u përqendruar në angazhimin diplomatik dhe duke lehtësuar financimet, SHBA-ja mund të rrisë investimet në sektorin e energjisë, që rrit konkurrueshmërinë dhe sigurinë, përfshirë sigurinë kibernetike dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, që i zbulojnë përpjekjet e aktorëve keqdashës për të fituar ndikim”, shton ai.

Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni mbështet shkëputjen e Ballkanit nga varësia energjetike ndaj Rusisë.

Por, politika energjetike tani po shndërrohet në një garë ndikimi, duke i vënë dy kryeqytetet përballë njëri-tjetrit.

Për të hapur rrugën për marrëveshjen e tubacionit, Bosnja ndryshoi legjislacionin, për të përcaktuar një kompani private amerikane – AAFS Infrastructure and Energy – si investitorin dhe zhvilluesin kryesor.

Sipas të dhënave të kompanisë dhe projektit, drejtori i AAFS Infrastructure and Energy është Jesse Binnall, ish-anëtar i ekipit ligjor të presidentit amerikan, Donald Trump, ndërsa zëvendes i tij është Joseph Flynn, vëllai i ish-këshilltarit për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Ligji i ri shmangu procedurën e hapur të tenderit – gjë që e zemëroi Brukselin dhe bëri që organizata Transparency International të paralajmëronte për krijimin e një “precedenti të rrezikshëm”.

Në një letër të datës 13 prill, ambasadori i BE-së në Sarajevë, Luigi Soreca, paralajmëroi se ligji i miratuar posaçërisht për projektin e gazsjellësit (lex specialis), mund të rrezikojë qasjen e Bosnjës në tregun evropian të energjisë, si dhe rreth 1 miliard euro financim nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Vendi ballkanik është pjesë e Komunitetit të Energjisë të Brukselit, i cili i shtrin ligjet e tij në këtë fushë edhe për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.

Ndërsa Sarajeva është vend kandidat për në BE që nga viti 2022, nuk ka asnjë indikacion se ajo do t’i bashkohet bllokut së shpejti, meqë Brukseli shpesh ankohet për mungesën e reformave të brendshme.

Zyrtarët në Bosnje thonë, gjithashtu, se marrëveshja me investitorët amerikanë vjen si përpjekje për ta ndihmuar vendin që të ecë drejt vetë synimit të BE-së për ndalimin e plotë të importeve të energjisë ruse deri më 1 janar 2028.

Ky është një synim i vështirë për Bosnjën, e cila nuk ka prodhim të vetin të gazit dhe është plotësisht e varur nga Rusia, e cila i siguron rreth 225 milionë metra kub gaz në vit.

Me perspektivën e anëtarësimit në BE ende të largët, Bosnja duket se ka zgjedhur t’i injorojë paralajmërimet e Evropës “për t’i shqyrtuar me kujdes detyrimet” në nënshkrimin e kontratave energjetike.

Bosnja, madje, iu bashkua edhe një iniciative amerikane për të forcuar furnizimin me energji të rajonit.

Ministri i saj i Jashtëm, Ellmedin Konakoviq, i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se “ishte ekonomikisht e rëndësishme për vendin”.

“Kjo pjesë e Evropës po kthehet tek arsyeja e shëndoshë. Rruga drejt prosperitetit është më shumë, jo më pak energji”, tha Wright.

Interesi ekonomik i SHBA-së në rajon është nxitur më tej nga miratimi i Aktit të Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor nga Kongresi amerikan, në muajin shkurt.

Ky akt, mes tjerash, i angazhon Shtetet e Bashkuara që të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik.

Javën e kaluar, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, priti një konferencë të investitorëve amerikanë, me qëllim tërheqjen e bizneseve amerikane për të investuar në projekte të shumta, të tilla si: një stacion i ri autobusësh dhe një spital në qytet, ndërtimi i një unaze rrugore dhe objekte të shumta të infrastrukturës sportive.

Grupi investues amerikan, Pantheon Atlas, nënshkroi një letër qëllimi me partnerin lokal, Koncar Group, për ndërtimin e një qendre të zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe të të dhënave në Kroaci, vitin e ardhshëm, me vlerë 58 miliardë dollarë dhe kapacitet energjetik të planifikuar prej 1 miliard gigavatesh.

Ndërkohë, në Tiranë, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje kornizë 20-vjeçare për furnizim me importe amerikane të gazit të lëngshëm natyror, me vlerë 6 miliardë dollarë. Ajo do ta lidhë furnizuesin lokal të energjisë, Albgaz, me firmën amerikane, Venture Global, dhe kompaninë greke, Aktor.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti thanë se pritet që të ketë edhe njoftime të tjera, por nuk dhanë detaje.

Ata shtuan se, ndërsa fokusi aktual është te Shqipëria, Bosnja dhe Kroacia, ekziston një ndjenjë e fortë se kjo politikë e re synon të jetë rajonale.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shihen si hapa të ardhshëm të logjikshëm nëse projektet e para realizohen, sidomos për faktin se Uashingtoni synon të ndërtojë një korridor më të integruar energjetik dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.

Kontribuoi: Alex Raufoglu; përktheu: Valona Tela

SA VITE SERBIA USHTROI PUSHTET NË KOSOVË ? Apo MATEMATIKA KUNDËR MITOMANISË Shkruan: Milutin L. Cerović

Le të shohim si matematika bëhet armik i mitit serb. Sepse po të mbaheshin ndonjëherë lojëra olimpike në gënjeshtër, medalja e artë, pa asnjë konkurrencë, do t’i takonte Serbisë.

Sidomos për temën e Kosovës legjendare.

Por nuk na duhen emocione as retorikë. Na duhen vetëm numrat.

Llogaritja – nga 1389 deri në 2026

Ta marrim periudhën e kufizuar që edhe vetë serbët pëlqejnë ta citojnë, nga Beteja e famshme e Kosovës në vitin 1389 e deri sot, në vitin 2026.

2026 − 1389 = 637 vite

Ky është korniza e përgjithshme kohore me të cilën operohet kur flitet për “Kosovën serbe”.

Tani ta shtrojmë pyetjen e vërtetë:

Sa nga këto 637 vite Kosova ka qenë realisht nën pushtetin e Serbisë?

Matematika e vërtetë

Serbia formalisht mori pushtetin mbi Kosovën në vitin 1912 dhe atë me forcë, përmes armëve, e jo me të drejtë.

Ai pushtet zgjati deri në vitin 1999, kur Kosova doli nga administrimi serb.

1999 − 1912 = 87 vite.

Pra, gjithsej vetëm 87 vite.

Përkundër kësaj, në 550 vitet e mbetura Kosova ishte nën të tjerët.

E megjithatë, logjika serbe pretendon se numri 87 është më i madh se numri 550.

Ja rekordi olimpik në matematikën mitomane.

Konteksti që heshtet

Të kthehemi në vitin 1878 dhe Kongresin e Berlinit, kur Serbia për herë të parë në histori u njoh ndërkombëtarisht si shtet. Me kufij që shtriheshin nga Beogradi deri në Vranjë.

Për Kosovën asnjë gjurmë. Asnjë përmendje.

Kosova u përvetësua vetëm në vitin 1912 – po atë vit kur Shqipëria u njoh ndërkombëtarisht si shtet i pavarur.

Rastësi? Vështirë.

Pyetja kyçe

Mbi çfarë baze Kosova ka qenë ndonjëherë “serbe”, kur Serbia nga të gjithë pushtuesit e ka mbajtur më së shkurtri dhe vetëm me pushkë e ka marrë?

Nëse nga ato 87 vite e zbresim periudhën e Jugosllavisë së Titos (45 vite), në të cilën Kosova nuk ishte nën Serbi por nën administrim federal — del se Serbia ka qeverisur Kosovën në mënyrë të pavarur vetëm rreth 42 vite.

Tani një postskriptum spektakolar për kishat dhe manastiret

Tregimet për kishat ortodokse dhe manastiret si “provë e Kosovës serbe” paraqesin një mashtrim të rëndë historik.

Këto objekte sakrale, si edhe ato në Mal të Zi, nuk janë dëshmi e një serbizmi fantomik.

Ato janë dëshmi e ortodoksisë.

Dhe ortodoksia nuk është shpikje serbe. Atë e kanë besuar edhe më herët dhe më thellë:

Bullgarët, grekët, maqedonasit, rumunët, malazezët…

Kisha nuk dëshmon se e kujt është toka. Dëshmon vetëm se e kujt ka qenë feja.

Prandaj ky tekst do të shkaktojë shumë polemika, por jo te ata që e duan historinë, por te ata që e duan mitin.

Te ata të cilëve faktet dhe matematika thjesht nuk u pëlqejnë.

Burimi:

Aktuelno, datë 30 prill 2026

 


Send this to a friend