VOAL

VOAL

Vrasjet në UÇK, kërkohet dorëheqja e ambasadorit të Kosovës në Tiranë

March 15, 2016
blank

Komentet

blank

Ish drejtuesit e Veteranëve të UÇK-së dënohen me nga 4 vjet e gjysmë heqje lirie

VOA

Gjykata e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë shpalli fajtorë dy ish drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe i dënoi me nga katër vjet e gjysmë heqje lirie nën akuzat “për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Duka shpallur vendimin, trupi gjykues theksoi se “kjo çështje ka të bëjë me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e proceseve gjyqësore dhe sigurinë, mirëqenien dhe çlirimin nga frika të qindra personave, të cilët janë paraqitur për të përmbushur detyrën e tyre qytetare si dëshmitarë. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi qëndron në themelin e çdo sistemi të drejtësisë penale, qoftë ai vendor apo ndërkombëtar”.

Gjykata i përshkroi veprimet e të akuzuarve si “sfidë ndaj atij themeli dhe për rrjedhojë si kërcënim për drejtësinë.

Të dy ata arrestuan më 25 shtator të vitit 2020 dhe në dënimin e tyre llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Akuzat ndaj tyre u ngritën pasi Organizata e Veteranëve të Luftës, në shtator të vitit 2020, tha se kishte marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria e Specializuar tha se “Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u organizuan në bashkërendim për shpërndarjen e paautorizuar të informacionit të besueshëm dhe jo publik, duke marrë një vendim nëse ose se si të shpërndahen, duke organizuar dhe duke marr pjesë në konferencat për shtyp dhe paraqitje publike ku informacioni i besueshëm dhe jo publik është përhapur dhe diskutuar publikisht”.

Prokuroria tha se me këto veprime, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë shkelur fshehtësinë e procedurës dhe frikësuar dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si rrjedhojë, penguan punën dhe hetimet e kësaj prokurorie.

Zoti Gucati dhe zoti Haradinaj kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat.

Aktualisht në Hagë tashmë ndodhen edhe ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe dy ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Që të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 15 shtator u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj zotit Mustafa, i cili akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

blank

Aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës përplas Vulinin me Sarrazinin

RFE/RL

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se Kosova i përket Këshillit të Evropës, duke nxitur reagime në Beograd.

Ai qëndroi të premten në Prishtinë dhe gjatë një konference për media, pas takimit me kryediplomaten e Kosovës, Donika Gërvalla, shprehu mbështetjen e tij, pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.

“Gjermania e njeh shtetin e Kosovës dhe natyrisht që ne vërtetë duam që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve, dhe ne jemi për këtë aplikim [në Këshillin e Evropës], madje e kemi mbështetur dhe po ashtu ne do të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë për të ndihmuar në këtë proces dhe të jemi koordinator së bashku me ju”, tha ai.

Sarrazin më 14 maj ka shpërndarë një video nga kjo konferencë, gjë që ka nxitur reagimin e ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin.

Vullin tha se këto deklarata të të dërguarit gjerman janë “hipokrizi dhe ofenduese”.

“Të thuash në Prishtinë se e ashtuquajtura Kosovë duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe në Beograd të flasësh për perspektivën evropiane të Serbisë është hipokrizi, por edhe ofenduese”, tha Vullin përmes një deklarate.

Sipas tij, në Këshillin e Evropës nuk ka vend për Serbinë dhe Kosovën, pasi kjo e fundit, sipas tij është “nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara”.

“Shpesh Bashkimi Evropian paralajmëron Serbinë se nuk mund të ulet në dy karrige, pra le të lejojmë që ata ta praktikojnë këtë për vete, BE-ja nuk mund të ulet në dy karrige dhe të kërkojë që Serbia të përafrojë politikën e saj me bllokun dhe në të njëjtën kohë të mbështesë Prishtinën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.

Bashkimi Evropian megjithatë nuk ka komentuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Por, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, kanë mirëpritur aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.

Rohde ka thënë se Kosova i përket Këshillit të Evropës, ndërkaq, Abbott ka thënë se aplikimi i Kosovës është sinjal se Kosova është e përkushtuar për demokraci, sundim të ligjit dhe mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

blank

Bogujevci: Shqipëria dëmtoi veten që nuk e dënoi genocidin në Srebrenicë

Një imazh i keq është krijuar për Shqipërinë pasi rrëzoi rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjës, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci. Sipas saj, për çështjet e ndjeshme duhet të ketë konsensus të plotë brenda Kuvendit.

“Është e gabueshme si proces, si ka vijuar. S’mundet një rezolutë kaq e ndjeshme të trajtohet siç është bërë. Është gabim i dyanshëm. Për shembull, në Kuvend të Kosovës kur kemi pasur rezoluta të tilla si ajo për gjenocidin në Kosovë, e atë për Srebrenicë dhe atë rreth agresionit në Ukrainë, përveç të tjerave, kur ka rezoluta të tilla është tepër e rëndësishme të krijohet unitet, të ulet, të diskutohet e të trajtohet si duhet.

Përveç një deklarate, janë të rëndësishme përmbajtjet e faktet që qëndrojnë brenda.  Sado që janë dokumente që s’detyrojnë vendimmarrje, kanë peshën e vet si deklarata të përbashkëta që nxirren prej Kuvendit. Kjo që ka ndodhur në Shqipëri ka qenë dëm për Shqipërinë. Askush s’pyet kush e ka iniciuar, kush votoi pro e kush kundër.

Në imazhin e botës është që s’është votuar një rezolutë nga Shqipëria, që dënon gjenocidin në Srebrenicë.  Këtu fatkeqësisht kanë humbur të gjithë. Kanë krijuar imazh jo të mirë për Shqipërinë në tërësi.

Duhet të kihet kujdes kur trajtohen këto tema të ndjeshme që të ketë trajtim me dinjitet. Më vjen keq kur i shoh kolegët nga të dyja anët për betejë në temën kaq të ndjeshme”, ka thënë ajo në “Java Sonte me Rronin” në KTV.

Propozim-rezoluta në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzua të enjten, në mes të përplasjeve të ashpra të pushtetit me opozitën.

blank

Kurti: Serbia nuk do marrëveshje, atë e pengon përparimi i Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur rreth dështimit të arritjes së një marrëveshje përfundimtare për çështjen e targave, e cila është diskutuar të premten në takimin ndërmjet kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimit dhe atij nga serbia, Petar Petkoviq, shkruan Fadil Sertolli i RTKlive.com.

Kreu i ekzekutivit Albin Kurti në një lidhje direkte në RTK tha se Serbia nuk është e interesuar të arrijë marrëveshje. Ai tha nuk e ka ndjekur përse afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, porse beson që ndërmjetësuesi Lajçak do ta shpjegoj se cila pale nuk ishte konstruktive.

“Unë për vete nuk kam dilema. E di që kyrenegociatori ynë, Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ, por qartazi Beogradi s’është i interesuar të ketë marrëveshje”, tha Kurti në RTK.

Ndërkaq, ka thënë ai, se nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit.

“I takon ndërmjetësit, që ta sqaroj sepse konkretisht nuk u arrite marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër”, tha Kurti në RTK.

Madje i pari i qeverisë së Kosovës tha se Serbia tashmë e ka shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, ngase siç shprehet Kurti, Kosova po përparon e kjo gjë po e pengon Serbinë.

“Presidenti i Serbisë është duke shtuar agresivitetin ndaj Kosovës, dhe unë besoj që kjo ka të bëjë me suksesin e Kosovës. Ne po përparojmë në të gjitha fushat, e kjo i pengon atij. Ne e bëjmë punën tonë por duhet edhe kancelaritë perëndimor t’i tregojnë Beogradit që nuk mund të vazhdojë kësisoj më tutje”, tha Kurti në RTK.

blank

VOA- Hagë, akuza të reja ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Leonat Shehu

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë të martën se janë të pafajshëm ndërsa kërkuan që procesi gjyqësor ndaj tyre të fillojë sa më shpejt. Ata i bënë këto komente gjatë një seance në Gjykatën e Kosovës për krime lufte në Hagë pas akuzave të reja ndaj tyre të ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi thanë të martën se ndjehen të pafajshëm përballë akuzave të reja të ngritura nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë.

Më 29 prill, Prokuroria e Specializuar dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare me pretendimet se të akuzuarit kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit edhe në komunën e Gjilanit dhe fshtatrat Budakovë e Semetishtë të komunës së Suharekës.

Sipas prokurorisë, krimet janë kryer gjatë periudhës së vitit 1998 dhe 1999 ndaj të paktën 12 personave.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë se janë të pafajshëm.

“Amandamentet tuaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj por nuk kam arrit prandaj edhe nuk i kam kuptuar. Deklarohem i pafajshëm”, tha Hashim Thaçi.

“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh edhe pozitën dhe pafajsinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar. Deklarohem i pafajshëm”, tha Kadri Veseli.

“I kam lexuar dokumentat, aktakuzën edhe këtë shtesën e fundit dhe mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bindur se veprat e tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time, prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm”, tha Jakup Krasniqi.

“E kam lexuar dhe kam kuptuar dhe pohoj edhe njëherë se nuk kam të bëj asgjë me krimet dhe as me akuzat e prezantuara në aktakuzë”, tha Rexhep Selimi.

Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020. Prokuroria e Posaçme, i ngarkon ata për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave. Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara prej saj, janë kryer midis afërsisht prillit të vitit 1998 dhe gushtit të vitit 1999 në një numër zonash në Kosovë dhe Shqipëri.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës 11 vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998–1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

blank

Video: 1 shtator 1995- Presidenti Rugova i përgjigjej pyetjes rreth deklaratës së Presidentit Berisha për Kosovën

VOAL- Kjo video është postuar në faqen e tij në facebook nga lideri historik demokrat Sali Berisha, me shënimin “Nje koment i Presidentit Rugova me dt 1. 9. 1995! sb”

Në konferencën e përjavshme për shtyp, lideri legjendar i  Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova, i përgjigjet pyetjes që ia drejton atij një gazetare rreth deklaratës së Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha se “nëse Kosova do sulmohet nga Serbia, ne do të reagojmë si një komb..”!

 

 

blank

Carpenter: Presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Carpenter, ka publikuar komentet e tij të dhëna sa i përket raportit të shefit të OSBE-së, Michael Davenport, për Republikën e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Carpenter ka thënë se SHBA-ja e mbështet fuqishëm punën e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe vlerëson bashkëpunimin e ngushtë në përkrahje të zhvillimet të Kosovës si një anëtare e sigurt, demokratike dhe gjithëpërfshirëse e komunitetit evropian të kombeve.

Carpenter ka theksuar se puna e misionit të OSBE-së është edhe më e rëndësishme në Kosovë, marrë parasysh luftën e Rusisë në Ukrainë, zhvillim ky që nënvizon nevojën për të mbrojtur vlerat mbi të cilat bazohet OSBE-ja dhe që Misioni kërkon të avancojë përmes mandatit dhe punës së tij.

Tutje ambasadori i SHBA-së në OSBE ka përmendur zgjedhjet lokale të nëntorit 2021, duke thënë se ka qenë një arritje e madhe fakti që KQZ-ja ka arritur të organizojë këto zgjedhje pa mbështetjen e misionit të OSBE-së. Gjithashtu shefi i misionit të përhershëm të SHBA-së në OSBE, ka thënë se këto zgjedhje kanë prodhuar shumë zyrtarë për herë të parë, gjë që është një dëshmi e gjallërisë dhe demokracisë në Kosovë.

Misioni i SHBA-së gjithashtu thotë se vlerëson faktin që OSBE-ja kishte shprehur gatishmëri për të mbështetur pjesëmarrjen e serbëve me të drejtë vote në Kosovë në zgjedhjet e Serbisë.

“Ne inkurajojmë prioritizimin e vazhdueshëm të përpjekjeve të ekipit tuaj për demokratizimin, së bashku me qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore në qeverisjen vendore. Ne gjithashtu përgëzojmë gatishmërinë e Misionit për të mbështetur edhe një herë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës me të drejtë në zgjedhjet e Serbisë”, thuhet në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të Misionit të SHBA-së në OSBE, raporton Express.

Tutje thuhet se misioni i SHBA-së është duke monitoruar nga afër incidentet që kanë pasur për target Policinë e Kosovës në veri, duke thënë se i dënojnë të tillat dhe kërkojnë hetim për to.

“Këto sulme ndodhën derisa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne bëmë paralajmërim kundër spekulimeve që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, thekson tutje komunikata.

Misioni i SHBA-së në OSBE tutje thotë se kërkon paqe, drejtësi dhe të ardhme për një Kosovë që është plotësisht e integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe pjesë e një Evrope të lirë dhe reziliente.

Në fund Carpenter vlerëson mënyrën e raportimit periodik për Kosovën përmes OSBE-së dhe në fund shpreh keqardhjen që Kosova s’është aty për të përfaqësuar veten. Carpeneter thotë se e presin me padurim ditën kur Kosova do të jetë pjesë e misionit të OSBE-së dhe thotë se një gjë e tillë mund të ndodh.

“Vetëm duke dëgjuar drejtpërdrejt nga zyrtarët e vendit pritës, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, mund të kuptojmë plotësisht dinamikën në terren dhe të përcaktojmë se si t’i trajtojmë ato më së miri. Prandaj, ne e mirëpresim këtë praktikë dhe inkurajojmë që ajo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Ne e presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë”, përfundon komunikata./GazetaExpress/

blank

NATO: Përfshirja e Kosovës në Partneritet për Paqe kërkon miratimin e vendeve anëtare

RFE/RL

Paralajmërimet e Kosovës se do të kërkojë përfshirje në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, shihen si dëshmi e përkushtimit të këtij shteti për të ndjekur rrugën e integrimeve euroatlantike, por diplomatët në Bruksel rikujtojnë se realizimi i këtyre aspiratave varet nga vullneti kolektiv i të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës.

Shtetësinë e Kosovës nuk e njohin katër vende anëtare të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja dhe ky fakt mund të bëhet pengesë edhe për përfshirjen formale të Kosovës në Partneritetin për Paqe.

“Të gjitha vendimet në NATO, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i NATO-s”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

NATO-ja nuk e ka mbështetur zyrtarisht as transformimin e Forcës të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, ndonëse ky hap është mbështetur nga shumë shtete anëtare.

Nga NATO-ja vazhdojnë të insistojnë se mbështesin aktivitetet e ndërtimit të forcave të sigurisë së Kosovës, por nënvizojnë se kjo vlen vetëm për “mandatin e tyre origjinal”.

“NATO-ja mbetet tërësisht e përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Misioni ynë i KFOR-it vazhdon të ofrojë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nga viti 1999. Çfarëdo ndryshimi në paraqitjen e KFOR-it mbetet e bazuar në kushtet dhe në kalendarin kohor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s.

Nga aspekti politik, NATO-ja vazhdon të mbështesë normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë edhe ato përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Procesin e dialogut, NATO-ja e konsideron “zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të dyja palët dhe gjithë rajonin”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

blank

Kurti paralajmëron aplikimin e Kosovës në KE dhe Partneritet për Paqe

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova, së shpejti, do të dorëzojë aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kurti i bëri komentet në Berlin, pas një takimi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Scholz priti të mërkurën në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit reagoi ndaj paralajmërimeve të Kosovës se do të bëjë përpjekje të anëtarësohet në organizata të reja ndërkombëtare.

“Nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit, edhe ne do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën dhe interesat kombëtare”, tha Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar.

Kancelari Scholz tha se shpreson se Serbia nuk do të largohet nga ato organizata, ku Kosova do të mund të anëtarësohet.

“Unë dua që Serbia të qëndrojë në Këshillin e Evropës. Kontributi i dhënë atje është i rëndësishëm”, tha Scholz.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Partneriteti për Paqe, ndërkaq, është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.

Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

blank

Akuzat Prokurorisë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, flitet për rrëmbime e vrasje edhe në Gjilan

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Për krimet që prokuroria pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

“Betimi për Drejtësi” iu sjell më poshtë pretendimet e prokurorisë në akuzat e reja ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, të cilat thotë se ndodhën në Gjilan.

Sipas aneksit numër shtatë që trajton pretendimet e Prokurorisë për krimet në Gjilan, në fund të korrikut 1999, tregohet se si një viktimë u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin në Gjilan.

Prokuroria thotë se në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe karta e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit, si dhe nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi.

“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të [REDAKTUAR] duke e ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së gjithashtu i shkaktuan viktimës vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tij njerëzor, duke e keqtrajtuar atë dhe/ose përmes kushteve të paraburgimit. Në Konvikt, siç u theksua edhe më sipër, [REDAKTUAR] u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe karta e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit”, thotë prokuroria.

Tutje, thuhet se në pas, në një bodrum, të paktën tre burra rrahën me radhë viktimën, i cili ishte ulur dhe i lidhur. E goditën me shkopinj, kryesisht në shpinë, për të paktën 40 minuta deri në një orë, në prani të një burri tjetër dhe në afërsi të të tjerëve.

“Njëri prej burrave vuri një pistoletë dhe ia drejtoi viktimës. Rrahja u krye në një mënyrë të organizuar në dukje dhe njëri nga burrat dha udhëzime se si ta rrihte viktimën. Gjatë rrahjes, viktima është marrë në pyetje”, thuhet nga ana e prokurorisë.

Prokuroria thotë se [REDAKTUAR] pati mavijosje dhe kontuzione që u deshën rreth një muaj për t’u shëruar dhe kishte gjendje psikologjike që vazhduan pas lirimit të tij.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, autorët morën pjesë dhe ishin në dijeni të ndalimit të viktimës dhe/ose rrethanave të arrestimit të tij.

Tutje, flitet për një rast tjetër, ku thuhet se në fund të korrikut 1999, autorët i shkaktuan dhimbje ose vuajtje të forta [REDAKTUAR], ndërsa ai ishte i ndaluar dhe keqtrajtuar në Konvikt.

“Gjatë ndalimit dhe keqtrajtimit të tij, [REDAKTUAR] u mor në pyetje në lidhje me serbët në ushtri, një incident gjatë të cilit një shqiptar ishte qëlluar, nëse viktima kishte armë ose ishte ushtarak, dhe për një vendndodhje që supozohej se përdorej nga një post komandues serb dhe forcat serbe. Autorët i thanë viktimës se duhej të jepte një deklaratë sepse ai vazhdonte të punonte [REDAKTUAR], i kërkuan viktimës të punonte për ta dhe i thanë viktimës të largohej nga Kosova”, thuhet në aneks të prokurorisë.

Më pas, flitet për një rast tjetër, ku thuhet se [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR] u rrëmbyen në Gjilan vetëm dy ditë larg njëri-tjetrit, më [REDAKTUAR] 1999, respektivisht.

“[REDAKTUAR] u shoqërua në drejtim të Konviktit dhe nuk u pa më, derisa trupi i tij u gjet në qershor 2000. Vetëm dy ditë më vonë, në [REDAKTUAR] korrik 1999, [REDAKTUAR] u rrëmbye, u dërgua në Konvikt dhe nuk u pa kurrë, derisa trupi i tij u gjet në vitin 2002. [REDAKTUAR]”, thuhet tutje.

Më pas, në aneks trajtohet një rast tjetër, për një rrëmbim tjetër, të cilin e pretendon prokuroria në akuzën e saj.

“[REDAKTUAR] i cili u mor nga shtëpia e tij në [REDAKTUAR] korrik 1999, së bashku me fqinjin e tij, [REDAKTUAR] dhe një të afërm, [REDAKTUAR], nga tre ose katër burra me të zeza dhe nga fqinji i tij, [REDAKTUAR] . Ndërsa gratë u liruan sapo arritën pranë Konviktit, [REDAKTUAR] nuk u pa më derisa trupi i tij u gjet në qershor 2000.”, thuhet në aneksin e prokurorisë.

Gjykatësi i procedurës paraprake pasi ka konfirmuar akuzat e reja, ka caktuar 10 majin si datën kur të akuzuarit do të dalin para gjykatës.

Thaçi pritet të dalë nga ora 10:00 deri në 10:45, Veseli nga ora 11:15 deri në orën 12:00, Krasniqi nga ora 14:00 deri në 14:45 dhe Selimi nga ora 15:15 deri në orën 16:00.

Ndryshe, në vendimin e gjykatësit paraprak, me anë të së cilit ka caktuar datën e paraqitjes së tyre, thuhet se më 3 shtator 2021, ZPS ka paraqitur një aktakuzë të ndryshuar për t’u konfirmuar nga gjykatësi paraprak.

Tutje, thuhet se më 22 prill 2022, pasi urdhëruan palët të paraqisnin dhe u mor përgjigja e mbrojtjes dhe e ZPS-së, mbi materialin mbështetës të amendamenteve që konsiderohet se përbëjnë akuza të reja që mbështesin konstatimin e dyshimit të bazuar mirë në pajtim me rregullin 86 (4) të Rregullores, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën e ndryshuar

Kurse, thuhet se më 29 prill 2022, ZPS- ja dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar publikisht të redaktuar dhe dokumentet përkatëse

Më 9 nëntor të vitit të kaluar, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

blank

Mehaj: Fondi i Sigurisë, i nevojshëm për të arritur kapacitetet ushtarake

RFE/RL

Fondi i Sigurisë është i sigurt dhe është themeluar për shkak të rrethanave gjeopolitike në botë dhe jo vetëm luftës së Rusisë në Ukrainë, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

Gjatë një raportimi para Komisionit parlamentar për Siguri më 4 maj, Mehaj nuk dha detaje lidhur me atë se sa mjete janë mbledhur deri më tani, por tha se çdo mjet shtesë është i nevojshëm për institucionet e sigurisë së Kosovës, që të arrihen synimet ushtarake.

“Mjetet e mbledhura financiare nga ky fond, synohen të përdoren në përputhje me strategjinë shtetërore të Kosovës, që pritet të miratohet shumë shpejt nga Qeveria e Kosovës”, tha Mehaj.

“Forca, ushtria dhe policia ofrojnë siguri dhe e dimë që na është shtuar buxheti, por për t’i arritur kapacitetet edhe nevojat ushtarake të sigurisë, nuk po flas vetëm nevojat ushtarake, por edhe ato të ushtrisë, është i nevojshëm çdo buxhet shtesë që i jepet ushtrisë dhe policisë”, shtoi ai.

Më herët, deputetë të opozitës, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile, kanë thënë se ky fond duhet të jetë transparent dhe nuk ka arsye që të mbahet i fshehtë. Sipas tyre, ekzekutivi duhet të tregojë se sa para janë grumbulluar dhe si do të shfrytëzohen ato. Megjithatë, Mehaj tha se ky fond kontrollohet nga Ministria e Financave, Thesari dhe Zyra e kryeministrit.

Mehaj tha se i gjithë procesi i themelimit të këtij fondi ka qenë në “koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara, me partnerët tanë, kështu që ata që publikojnë lajme të rreme, më vjen keq për ta, por ne nuk kemi bërë asgjë pa koordinim me partnerët”.

Më 1 mars, Qeveria e Kosovës njoftoi për themelimin e Fondit të Sigurisë, në të cilin, qytetarë dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.

Ministri Mehaj tha se pavarësisht se buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës është rritur, ende nuk janë përmbushur nevojat e sigurisë.

Buxheti për këtë vit për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 100 milionë euro. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se shuma e ndarë për ushtrinë përbën 1.3 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Në tetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri ligje, përmes së cilave mundësohet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës. Ky proces është paraparë të zgjasë dhjetë vjet.

blank

Prokuroria e Specializuar dorëzon aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve

Zyra e Prokurorit të Specializuar të premtën e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, raporton Gazeta Express.

Versionin e redaktuar të aktakuzës së re, Gjykata Speciale e ka publikuar të hënën në web-faqen e saj.

Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të prentenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza e re është më pak konfidenciale dhe ka më pak pjesë të redaktuara.

Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.

Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Më 4 korrik, një person (REDAKTUAR) po ngiste mbi një kamionetë, kur tre burra u ndaluan nga (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), të cilët kishin veshur uniforma të zeza dhe mbanin pushkë automatike. Një person i tretë me uniformë mbërriti dhe qëndroi përballë me një raketahedhëse. I futën në bagazhin e automjetit dhe i dërguan në një shtëpi në Budakovë. Të tre burrat u vendosën në një bodrum dhe pastaj u rrahën”, thuhet ndër tjerash në pjesër e reja të aktakuzës.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së, pa u specifikuar me emra, akuzohen se u kishin shkaktuar “vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike”, si dhe kishin “sulmuar dinjitetin e viktimave, duke i ndaluar në mënyrë arbitrare”.

“Një person (REDAKTUAR) dhe një shqiptar tjetër, kur u arrestuan rreth datës 4 korrik 1998 iu drejtuan edhe armët. Ndërsa po largoheshin nga vendi i arrestimit, u qëllua në (REDAKTUAR). Pas arrestimit tre burrat i dërguan në një shtëpi në Budakovë, dhe i rrahën për një orë. Tre burrat konsideroheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe u torturuan edhe me ujë të nxehtë”, thuhet më tej në aktakuzë.

Në versionin e ndryshuar të aktakuzës janë përfshirë edhe vrasje që pretendohet të jenë kryer në Budakovë e Semetishtë.

“Kufomat e të arrestuarve u gjetën rreth datës 23 gusht 1998, me gjurmët e armëve që i përkiste personit (REDAKTUAR). Analiza e ADN-së konfirmoi se njëra nga kufomat e varrosura ishte e (REDAKTUAR)”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë, dhe shtohet se kjo “demonstroi qëllimin e tyre për t’i vrarë, ose për t’iu shkaktuar lëndime me dashje”.

Në konviktin e Gjilanit, në disa raste, pretendohet të jenë kryer krime të ngjashme, për të cilat Prokuroria i bën përgjegjës Thaçin dhe të tjerët.

“Në konvikt, një person (REDAKTUAR), u kontrollua dhe iu morën çelësat e veturës, dhe iu shqye patent-shoferi. Ai pasi u arrestua, u rrah me shkopinj, dhe njëri prej personave e vendosi pistolentën te viktima. Rrahja u krye në mënyrë të organizuar, dhe një nga personat jepte udhëzime si të kryhej rrahja”, thuhet në pjesët shtesë të aktakuzës.

Përmendet edhe një rast tjetër, ku sipas Prokurorisë, një person ishte rrëmbyer në Gjilan për t’u dërguar drejt konviktit, dhe sipas Prokurorisë “nuk u pa kurrë më”.

“Trupi i tij u gjet më 2 qershor 2000. Vetëm dy ditë më vonë, një tjetër person, u arrestua dhe u dërgua në konvikt dhe nuk u pa më kurrë. Trupi i tij u gjet në vitin 2022”, thuhet në aktakuzë.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Më 4 nëntor të vitit 2020, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.


Send this to a friend