Viti 2009 duket se do t’i japë një goditje rutinës së 18 viteve të shkuara në lidhje me një proçes, sa të nevojshëm aq dhe të rëndësishëm, atë të dekomunistizimit të Shqipërisë. Projekt ligjet dhe vendimet e fundit të Qeverisë e të Kuvendit duket se shkojnë n’atë drejtim. Projekt ligji për “Pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të Administratës publike dhe të zgjedhurve”, vendimi për të ngritur një obelisk, kushtuar viktimave te dhunës komuniste, projekt vendimi për krijimin e një Instituti për hetimin e nxjerrjen në dritë të krimit komunist e fillimi i praktikave për dëmshpërblimin e të dënuarve të diktaturës së proletariatit, përbëjnë një paketë shpresëdhënëse.
Na oshëtijnë ende në veshë thirrjet e studentëve të dhjetorit 1990 “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”; e kemi ende para sysh atë ditë të ftohtë shkurti me diell, kur populli i Tiranës tërhiqte zvarrë nëpër rrugët e saj shtatoren e Enver Hoxhës. Shumë ujë ka rrjedhur nën urë që atëhere, por Shqipëria “demokraci evropiane” mbeti vetëm një mirazh, një ëndërr idealistësh që u zvenit shpejt, ashtu sikurse frymëzuesit e saj që sot, mbas gati njëzet vitesh, ose janë kthyer në grumbullues barkmëdhenj parash, ose janë zhdukur nga qarkullimi, ose rropaten në ndonjë skutë të botës së madhe, duke luftuar për mbijetesë. Shqipëria eci në rrugën e saj të paracaktuar nga strategji lokale e globale që synonin jo të përmbysnin plotësisht një rend shoqëror të dështuar e kriminal, por t’a çonin në ngrirje, me qëllim që t’a kthenin ngadalë në një tjetër rend, pa dhunën e hapur policore e të gjitha pasojat e saj, por në funksion të idesë së shkrimtarit të njohur italian Tomazo de Lampeduza “ të ndryshojmë gjithshka për të mos ndryshuar asgjë”.
Kështu dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare, i kërkuar me forcë nga përfaqësues të njohur t’inteligjencës si shkrimtari Ismail Kadarè e të tjerë, mbeti vetëm një qëllim i bukur e asgjë më tepër. Sot vihet re një prirje e Qeverisë dhe e Kuvendit për të fituar “ kohën e humbur” e një breshëri masash e vendimesh, të përmendura më sipër, i paraqiten shqiptarëve për t’i bindur ata se, më së fundi, komunizmi është vënë në bangën e t’akuzuarve pa shpresë shpëtimi.
“Më mirë vonë se kurrë” thotë një proverb universal. Mosbesimi, i mbjellë në këto 18 vite kalese, shumëkënd e bën skeptik para kësaj breshërie që jo rastësisht përkon me vitin e fundit të qeverimit të shumicës në pushtet e, për pasojë, me vitin e zgjedhjeve politike. Dyshimi bëhet i detyrueshëm: a mos është vetëm një fasadë projektesh që duken e zhduken në vartësi të çastit politik e në funksion të kërkesave të votave brënda e të miratimit të institucioneve ndërkombëtare jashtë? Sa duhet t’i besojmë vullnetit të mirë të ideatorëve të këtyre nismave? Çfarë fshihet mbrapa kësaj fushate të rradhës dekomunistizimi?
Janë pyetje të ligjëshme që secili duhet t’i bëjë vetes kur sheh se këto projekt ligje po krijojnë një dasi të qartë ndërmjet institucioneve kryesore të Vendit. Këto masa duhet të ishin marrë në vitet e shkuara 1992-93 kur PD, si forcë e re e opozitës antikomuniste kishte dy të tretat e Kuvendit. Një kompleks rrethanash e arsyesh, kryesisht mungesa e vullnetit, përcaktuan një gjëndje vëndqëndrimi që u zgjat plot 18 vite. Ndërkaq ish nomenklatura komuniste që u bë kapitaliste, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, e kaloi hendekun, të cilin më 1992 e shihte si të pakapërxyeshëm. Nuk dua të zgjatem mbi këtë pikë, mbasi nuk është objekt i këtij shkrimi, por që spjegon deri diku zvarritjen 18-vjeçare dhe nismat e tanishme. Për të sqaruar idetë duhet të shohim përmbajtjen e nismave të sipërpërmendura, duke filluar nga projekt ligji “Për pastërtinë e figurave…”
Neni 2 përcakton: “Objekti i ligjit është përcaktimi i subjekteve dhe funksioneve të larta shtetërore të cilat janë të papajtueshme me veprimtarinë publike të zyrtarit për shkak, të qënies si anëtar, drejtues, apo bashkëpuntor në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së proletariatit apo të ish Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, rastet e papajtueshmërisë dhe proçedurat e verifikimit dhe pasojat e këtyre proçedurave.” Nuk është shumë i qartë termi “strukturat politikbërëse”, por logjikisht këtu duhet të hyjnë të gjitha forumet dhe institucionet partiake dhe shtetërore të regjimit. Po të ishte kështu do të kishim me të vërtetë një dekomunistizim të plotë dhe një ripërtëritje të klasës politike në të gjitha nivelet, mbasi dhe ish anëtarët e thjeshtë të partisë do të penalizoheshin. Kjo gjë nuk më duket as e drejtë dhe as e mundëshme, prandaj mendoj se ky ligj, tepër i vonuar, nuk do të ketë pasoja konkrete, pra s’do të ndyshojë asgjë. Jo më kot theksoj vonesën, sepse tashmë janë shumë të paktë ata që do të dëmtoheshin nga ky ligj, mbasi shumica kanë dalë në pension ose janë në prag të tij. Projekt ligji është një gjethe fiku për të mbuluar mungesën e vullnetit të klasës politike për të dekomunistizuar shoqërinë shqiptare.
Neni 4 i projekt ligjit: “Pastëria e figurës morale të funksionarit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme, me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, të një prej detyrave/cilësive të mëposhtëme: a…),b…),c..,)d) I dënuar me vendim penal të formës së prerë për krime kundër njerëzimit ose për veprat penale të shpifjes, të kallzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në proçese politike…” Pa qënë jurist do të mundohem t’analizoj përmbajtjen e kësaj klauzole të nenit. Në rastin më të mirë të dënuarit për “krime kundër njerëzimit”, në mëndjen e përpiluesve të projekt ligjit duhet të jenë njëjtësuar me ata që, gjatë luftës, i u kundërvunë lëvizjes komuniste e që mund t’akuzoheshin nga një drejtësi”proletare” si bashkëpuntorë të gjermanëve që u dënuan në Nurenberg. Këta njerëz kanë dhjetëvjeçarë që nuk jetojnë më por, siç duket, ligjvënësi i trëmbet ringjalljes së tyre. Në këtë rast kemi të bëjmë me fantaligje që s’kanë asgjë të përbashkët me kohën tonë dhe problemet e saj. Ndërsa “veprat penale të shpifjes, të kallzimit të rremë ose dëshmisë së rreme në proçeset politike” më sjellin ndër mend gjyqet e panumurta ndaj grupeve kundër pushtetit, agjenturave dhe madje, ato më të rëndomtat, për agjitacion e propagandë, si shpifjet e nxirjet e “realitetit të ndritur socialist”. Këtu ligjvënësi është treguar i sinqertë, mbasi strategjia e tij në gjithë këta vite ka qenë ndalimi i ish të dënuarve të diktaturës për të hyrë në ingranazhet e pushtetit. Pika D e nenit 4 e sanksionon plotësisht këtë synim
Pastaj projekt ligji merret me Autoritetin që do të ketë detyrën e zbatimit të tij. Është pozitiv fakti që pesë antarët e Autoritetit duhet të jenë juristë të diplomuar e me një stazh pune, por më tingëllon jo bindës kur ata duhet të jenë përfaqësues të forcave politike të Kuvendit. A nuk jemi në gjëndje të shkëputemi nga mendësia e plotfuqishmërisë së partitokracisë, të krijojmë institucionet me të vërtetë të pavarura, jashtë ndikimit të politikës? Kur t’i a arrijmë kësaj mund të themi se jemi vënë në rrugën e shtetit ligjor të çfarëdo modeli. Një tjetër gjë pozitive që parashikon projekt ligji është e drejta e subjektit të verifikuar për t’u ankuar në gjykatën e apelit. Përpilimi i dosjeve dhe përpunimi i tyre në faza të ndryshme mund të sjellin edhe pasaktësira që mund të penalizojnë njerëz të pafajshëm. Nuk di se deri ku një trup gjykues do të kishte burrërinë të hidhte poshtë një vendim t’Autoritetit, por uroj që drejtësia të kryejë funksionin e saj.
Sa i përket kësaj të fundit besoj se ka shumë për të thënë në lidhje me rolin e saj në proçesin e dekomunistizimit. Cilido gjykatës që do të lexonte dosjen e poetëve martirë Genc Leka e Vilson Blloshmi, të botuar në gazetën 55, do t’a ndiente për detyrë karshi profesionit të tij të hapte një proçes të rregullt gjyqësor e të vinte para përgjegjësisë gjithë atë lukuni njerëzish që nga funksionarët e Ministrisë së Brëndëshme, të Komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv e deri tek operativët e sigurimit, spiunët e dëshmitarët që kurdisën nga hiçi një proçes që i mori jetën dy shqiptarëve në lulen e moshës. Nuk di a i ka shkuar kujt ndër mënd një gjë e tillë, por nuk më rezulton që ndokush t’a ketë sendërtuar. Në një shoqëri të lirë e demokratike një gjë e tillë quhet ”detyrueshmëri e proçesit penal”.
Duke u rikthyer tek projekt ligji që rëndom quhet i “hapjes së dosjeve”, dua të ndalem në pikën më të rëndësishme për mua, si ish i dënuar politik, në nenin 26: “ E drejta për t’u njohur me dosjet personale”. Paragrafi 2 formulohet kështu: “ Për njohjen e këtyre të dhënave shtetasi paraqet kërkesë me shkrim në Autoritetin Shtetëror. Autoriteti, brënda 30 ditësh nga paraqitja e kërkesës, është i detyruar të kthejë përgjigje negative nëse nuk ka të dhëna ose nëse ka të dhëna të sigurojë mundësinë të njihet me to. Në çdo rast shtetasi njihet vetëm me të dhënat personale të tij dhe i ndalohet të njihet me të dhënat apo emrat e personave të tretë që mund të përmbajë dosja e tij.”
Nga përvoja vetiake e paraburgimit sjell ndër mënd një bisedë me hetuesin i cili më tha: “ Ti ke tre dëshmitarë. Njëri është ky i proçesit, me të cilin je ballafaquar, dy të tjerët sa të jesh e sa të rrosh nuk do t’i marrësh vesh kurrë.” Profecia e hetuesit djalosh më 1980 bëhet një realitet i zymtë sot, mbas gati tridhjetë vitesh, kur un ende vras mëndjen për të gjetur ata njerëz që sado pak, për një arsye a një tjetër, kontribuan në tragjedinë time. Sot ligjvënësi i Shtetit “demokratik” më mohon përgjithmonë të drejtën e shenjtë timen për të njohur emrat e atyre që, në një farë mënyre, kanë përcaktuar fatkeqësinë time. Cili shtet, cili autoritet i çfarëdo forme i njeh të drejtën vetes t’i mohojë qytetarit një kërkesë të tillë më se të ligjëshme? Cinizmi i kësaj pike të nenit 26 i kalon kufijtë e një demokracie, është shprehje e diktaturës dhe metodave të saj. Në rastin më të mirë është një kujtesë e asaj kohe kur Sigurimi i shtetit ishte zot i plotfuqishëm i fateve të qytetarëve të Shqipërisë. Nëse ka ish të dënuar që miratojnë këtë nen të projekt ligjit le të protestojnë para Presidencës, un jam në anën e Kryetarit të Shtetit që nuk e firmos atë, mbasi ai nen zhvlerëson gjithë impiantin e ligjit. Atyre që kësaj pikpamje i kundërvenë justifikimin e lindjes së kundërshtive shoqërore me rrezik dhune vetiake, u them që tani se ai rrezik nuk ekziston. Kur nuk u vërtetuan hakmarrjet ndaj sigurimsave, hetuesve, prokurorëve, gjykatësve, dëshmitarëve të hapur, askush nuk do të hakmerret ndaj shokëve të fatkeqësive, që një sistem barbar e kriminal i degradoi shpirtërisht duke bërë levë mbi dobësinë e natyrës nerëzorë dhe mjetet e pashëmbullta të dhunës së ushtruar.
Vërejtjeve për projekt ligjin e figurave që nuk mund të quhet ai i hapjes së dosjeve, do t’i shtoj disa mendime mbi praktikën e dëmshpërblimeve të viteve të burgut apo internimit. Është e lëvdueshme nisma e Qeverisë aktuale për të dhënë, në një farë mase, dëmshpërblimet për ish të përndjekurit mbas kaq vitesh sorollatjeje e premtimesh të pambajtura. Së pari dua të sqaroj termin “dëmshpërblim” dhe idenë që krijon në publikun e gjërë. Për autoritetet shtetërore, por edhe për publikun e gjërë, ai konceptohet si një shprehje bujarie e zemërgjërësie që shteti dhe shoqëria vënë në jetë në dobi të viktimave të dhunës komuniste. Nuk është ashtu, shteti dhe shoqëria e sotme lajnë një borxh që homologët e tyre të kaluar e kanë marrë me dhunë e padrejtësisht. Është fjala për punën e papaguar të të dënuarve politikë. Të dënuarit politikë në Shqipërinë komuniste, simbas modelit të gulagëve stalinianë, që nga kampet e para të tharjes së kënetave, tek veprat industriale, tek minierat kanë derdhur djersën e tyre pa shpërblim, ose si shpërblim kanë patur një garuzhde çaj apo lëng fasulesh e preshësh së bashku me dhunën e policëve. Paratë e asaj pune kolosale kanë shkuar në arkën e shtetit socialist. Shteti i sotëm demokratik, trashëgimtar material i homologut komunist, me dëmshpërblimet në të holla nuk lan borxhin moral për jetët e gjymtuara padrejtësisht, por borxhin material të punës së papaguar. Si në shumë fusha të tjera, dhe në këtë është shumë i vonuar, mbasi ish të dënuarit e moshuar ikën nga kjo jetë me shpresat e zhgënjyera nga lojrat e politikës.
Të gjithë i dimë vështirësitë financiare të Shtetit, por pasuria e tij në banesa e objekte të tjera nuk duhej falur për synime zgjedhore. Ajo duhej shitur me çmime t’arsyeshme e fondi i krijuar të shërbente për të paguar borxhet ish të dënuarve e, njëkohësisht, për të zgjidhur problemin e pronarëve të shtëpive private që ende sot nuk kanë mundësi të hyjnë në shtëpitë e tyre. Kriteret e vendosura për dëmshpërblimet, nëse do të zbatohen ashtu sikurse është njoftuar, lënë shumë për të dëshiruar. Nga shumat e llogaritura simbas kohës së dënimit zbriten “letrat me vlerë” të dhëna 13-14 vite më parë e të pavëna në shfrytëzim, ashtu sikurse kreditë falas që i janë dhënë ish të dënuarve në mungesë strehimi. Truket e Ministrisë së Financave synojnë të kufizojnë shpenzimet, por imoraliteti i një vendimi të këtillë i kalon kufijtë e arsyes. “Letrat me vlerë” qenë një gjetje e Qeverisë Meksi për të bërë ish të dënuarit bashkëpuntorë në privatizimet. Si ide nuk ishte për t’u hedhur poshtë por, në praktikë, për arsye të ndryshme, në shumicën dërmuese të tyre nuk u vunë në punë dhe mbetën “letra pa vlerë”. Madje Shteti i atëhershëm sponsorizoi një shoqëri si Anglo-Adriatica për t’i grumbulluar ato në shkëmbim të dëftesave dhe premtimit të investimeve në fusha të ndryshme. Kështu shumica e njerëzve i depozitoi aty, ku u shkrinë si kripa n’ujë, nën sytë indiferentë të institucioneve të Shtetit. Zbritja sot nga shuma e dëmshpërblimit më duket se nuk ka bazë as morale, as ligjore, është thjesht një grabitje arbitrare e ligjësuar e shtetit ndaj qytetarëve, madje ndaj pjesës më fatkeqe të tyre.
Po ashtu nuk më duket e drejtë dhe zbritja e kredive të dhëna për shtëpitë kur ato në fillim ishin falas. Ato kredi patën fondet e tyre të posaçme që nuk ishin bazuar në llogaritë e dëmshpërblimit të viteve të burgut. Ato i u dhanë njerëzve që ishin pa strehim e, si të tilla, edhe nëse do të kthehen, duhet të zbatohet pagesa me këste e jo zbritja e menjëherëshme e gjithë shumës nga llogaria e viteve të burgut. Nuk e kuptoj se si burokratët e ministrive përkatëse nuk bëhen të vetëdijshëm se, nëpërmjet këtyre veprimeve, japin imazhin e një shteti larg qytetarëve, madje që vret mëndjen ditë e natë si t’u a hedhë atyre.
Obelisku i premtuar pa dyshim është një hap përpara në proçesin e dekomunistizimit që, përsa i përket simboleve dhe rishkrimit të historisë, ka bërë shumë pak ose aspak për t’i ndryshuar faqen Vendit. Mjafton t’i hidhet një sy listave të gjata të emrave që mbajnë rrugët, sheshet e institucionet për të kuptuar qëndresën e fortë të kulturës komuniste ndaj ndryshimeve. Do t’ishte një detyrë e dorës së parë e Institutit të projektuar për t’u marrë me krimet e komunizmit të nxjerrë në pah vlerat e antikomunizmit. A do të jetë në gjëndje t’a kryejë këtë detyrë madhore ndaj së shkuarës dhe së ardhmes së Kombit? Përgjigja është një rrudhje krahësh që luhatet mes shpresës dhe mosbesimit. Shpresa mbështetet në një rini të shkolluar e në një klasë intelektuale të vetëdijshme e të vendosur të ndryshojë gjërat në drejtim të përparimit, kurse mosbesimi nga fakti se dhe një rezolutë e vetme, e kërkuar nga Parlamenti evropian, për dënimin e krimit komunist në Shqipëri, i dha shkas gati gjysmës së Kuvendit të largohet nga salla për të mos e votuar.
*Janar 2009
“Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet