VOAL

VOAL

VOAL iu uron nga zemra të gjithë besimtarëve: Gëzuar e me fat Kurban Bajrami! Paqe tek çdo besimtar i Zotit, tek çdo njeri në këtë botë!

July 20, 2021
blank

Komentet

blank

U nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, përcillet për në banesën e fundit Mirush Kabashi

Pasi u mbajtën për disa orë homazhe në nder të aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi është përcjellë për në banesën e fundit.

Që nga ora 10:00 deri në 13:00, në nder të tij, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvilluan homazhet, ku në shenjë respekti për aktorin, morën pjesë artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare. Kabashi, artist i merituar, do të prehet në varrezat e Sharrës.

Aktori i madh, Mirush Kabashi u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 75-vjeçare, pas një beteje 3-vjeçare me një sëmundje të rëndë.bw

blank

Rreth 30 mijë shqiptarë kanë shkuar në Britaninë e Madhe nëpërmjet Kanali i La Manshit gjatë vitit 2023

Shifrat tregojnë sa shqiptarë kanë kaluar me gomone.

Më shumë se 29,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin e La Manshit me mjete të vogla lundruese deri më tani këtë vit, shkruan Daily Mail që thekson se kjo është shifra e dytë më e lartë vjetore. Sipas tabloidit britanik një total prej 29,090 njerëz kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm në 585 gomone, mesatarisht 50 njerëz të grumbulluar në secilën anije të vogël.

Image

Shifrat e bërë publike sot tregojnë se shtetasit turq tashme përbëjnë më shumë se një në 10 emigrantë që shkojnë në Britani, ndërsa shqiptarët përfaqësojnë 3% krahasuar me gati një të tretën vitin e kaluar.

Afganët përbëjnë grupin më të madh të të ardhurve nga 1 janari deri më 29 nëntor 2023 – 20% e totalit – e njëjta përqindje si për të gjithë vitin 2022. Grupi tjetër më i madh janë iranianët me 12%, pak më pak nga 13% e vitit të fundit.

Image

Shifrat u shfaqën sot ndërsa James Cleverly nënshkroi një traktat të ri me Ruandën  në një përpjekje për të ringjallur një skemë për të dëbuar emigrantët e Kanalit në vendin e Afrikës Lindore.

Image

“Shqiptarët përfaqësojnë 3% të shifrës së këtij viti, krahasuar me 28% vitin e kaluar, sipas të dhënave provizore. Por përqindja e atyre që janë turq është rritur nga 2% në 2022 në 11% deri më tani këtë vit”, shkruan ndër të tjera Daily Mail.

Image

Image

blank

Qeveria holandeze ia premton 2.5 miliardë euro Ukrainës për vitin 2024

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe ministrja e Jashtme e Holandës, Hanke Bruins Slot. Kiev, 5 dhjetor 2023.

Qeveria e Holandës i ka ndarë 2.5 miliardë euro për ta mbështetur Ukrainën në vitin 2024, tha ministrja e Jashtme e këtij vendi, Hanke Bruins Slot, gjatë një vizite në Kiev të martën.

Lufta agresore e Rusisë në Ukrainë po futet në një dimër tjetër dhe kjo ka bërë që të rriten shqetësimet se përpjekjet e Kievit për ta zmbrapsur pushtimin rus, që nisi në shkurt 2022, mund të dështojnë pa mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit.

Bruins Slot i siguroi autoritetet ukrainase për mbështetjen e vazhdueshme nga vendi i saj.

“Mesazhi im për ministrin Kuleba ishte i njëjti si për të gjithë juve këtu. Mbështetja jonë për juve është e garantuar”, tha ajo pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Ajo theksoi se vendi i saj e hapi një qendër stërvitore për avionët luftarakë F-16 në Rumani më 13 nëntor dhe se po punon me Shtetet e Bashkuara, Danimarkën dhe vende të tjera për t’u kujdesur që Ukraina do të mundë t’i përdorë sa më shpejt avionët luftarakë.

“Siguria juaj është siguria jonë”, shtoi ajo.

Temë e bisedës mes saj dhe Kulebas ishte edhe synimi i Ukrainës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

“E ardhmja juaj është me ne”, nënvizoi ajo.

Kuleba tha se, derisa vëmendja e mediave është përqendruar në konfliktin në Lindjen e Mesme, “vëmendja politike” nuk ka është hequr nga Ukraina.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’iu drejtohet sonte përmes një videoje senatorëve amerikanë, për shkak të frikës se përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar Rusinë mund të dështojnë nëse ajo nuk e ka mbështetjen e vazhdueshme nga Perëndimi.

Administrata Biden i ka kërkuar Kongresit ta miratojë kërkesën e Shtëpisë së Bardhë prej gati 106 miliardë dollarësh për t’i financuar luftërat në Ukrainë, Izrael dhe nevojat e tjera të sigurisë.rel

blank

Komandanti i KFOR-it: Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo kërcënimi në veri të Kosovës

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulash tha se trupat e NATO-s kanë marrë masa të nevojshme për t`iu përgjigjur çdo lloje dhune të mundshme.

Ai deklaroi se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet me diplomaci duke i dhënë përparësi dialogut Kosovë-Serbi.

“Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj. Pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, deklaroi ai për Rtk.

Komandanti i KFOR-it tha se tensionet në rajon janë rritur, pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në maj.

“Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, deklaroi numri një i KFOR-it.

blank

Albin Kurti: ‘Mirush Kabashi, ky shpirt artisti me origjinë nga Gjakova, iu fal gjithë kulturës e popullit shqiptar’

Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë.
Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.
Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.
Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!
I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.
Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin!

blank

Rezultate shokuese për arsimin- Del PISA 2022: Nxënësit shqiptarë shënojnë rënien më të madhe në botë

Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në testin e PISA 2022, që monitoron performancën e nxënësve në nivel parauniversitar.

Në renditjen e publikuar sot, Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në mbarë planetin, në krahasim me rezultatet e PISA 2018.

Testi i “PISA” është testi kryesor ndërkombëtar për edukimin fillor dhe të mesëm.

Rezultati i testit për vitin 2022 dëshmon që Shqipëria është në nivele të ulëta në arsim.

Shqipëria ka humbur plot 47 vende në lexim, 41 vende në shkencë dhe 69 vende në matematikë në krahasim me rezultatet e viti 2018, duke shënuar përkeqësimet më të mëdha në krahasim me të gjitha vendet e marra në konsideratë në nivel global.

Nxënësit shqiptarë janë poshtë nivelit mesatar të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.

Rënien më të madhe Shqipëria e ka pasuar në matematikë. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit, së pashku me Autoritetin Palestinez dhe Xhamajkën. Shqipëria ka humbur plo 69 pikë, duke shënuar rënien më të madhe në të gjithë globin.

Sa i përket leximit, Shqipëria është sërish ndër vendet e fundit në nivel global, duke u renditur njësoj si Republika Domenikane, Autoriteti Palestinez dhe Filipinet. Në këtë fushë, Shqipëria ka humbur 47 pikë, duke shënuar sërish rënien më të madhe në botë.

Edhe kur bie fjala te shkenca, Shqipëria është ndër vendet e fundit, njësoj si Jordania apo El Salvadori dhe Guatemala. Shqipëria ka humbur 41 pikë në këtë drejtim.

Testi i PISA-s bëhet me nxënësit 15-vjeçarë, duke eksploruar se sa të aftë janë ata në matematikë, shkencë apo lexim.

Në përgjithësi, në mbarë planetin janë shënuar rënie në krahasim me vitin 2018, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndërkohë PISA thekson se një tjetër problem që mund të ketë ndikuar në këtë rëne në Shqipëri ka qenë edhe tërmeti i vitit 2019.

PISA shton po ashtu se vetë nxënësit shqiptarë thonë se nuk e kanë marrë shumë seriozisht testin në krahasim me vitin 2018. Sipas ekspertëve, edhe të dhënat tregojnë se ata nuk janë përfshirë seriozisht në testim dhe pyetësor.

blank

Arti në zi! Shuhet ‘Sokrati’, ndërron jetë në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi

Arti në zi! Ndërron jetë aktori i njohur Mirush Kabashi. Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, pasi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje. Ndërkohë ai ishte fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma lëvizës.

Kush ishte Mirush Kabashi
Ai ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha te ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

 

Çmimet
Ne festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit.

 

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
(BalkanWeb)

blank

Konventa e Bernës përsërit thirrjen për ndalimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës

Pas një kërkesë në shtator, e cila ra në vesh të shurdhët, Konventa e Bernës përsëriti thirrjen ndaj qeverisë shqiptare  për të ndërprerë punimet për projektin e debatueshëm të aeroportit të Vlorës dhe zhvillimin e një studimit të ndikimit në mjedis.

Nga Vladimir Karaj-BIRN

Konventa e Bernës përsëriti të hënën kërkesën për qeverinë shqiptare për të ndërprerë punimet për aeroportin e Vlorës. Kërkesa vjen pasi një e tillë më herët në shtator nuk është marrë parasysh nga qeveria.

Në një njoftim për shtyp organizatat mjedisore EuroNatur, EcoAlbania dhe PPNEA, thonë se thirrja e dytë mban parasysh specifikisht faktin që ‘ndërtimi i aeroportit në ekosistemin delikat vijoi edhe pse Komiteti Drejtues i Konventës për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve Natyrore në Europë kërkoi ndalimin e punës atje tre muaj më parë’.

Njëlloj si në shtator Konventa i kërkon qeverisë shqiptare që të pezullojë punimet dhe që bashkë me organizatat jo qeveritare të mjedisit të ndërmarrë një studim serioz mjedisor të zonës. Konventa sugjeron që të shikohet mundësia për vendndodhje alternative të aeroportit.

‘Qeveri shqiptare pretendon që ka prioritet thelbësor procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ndjekja e rekomandimeve të Konventës së Bernës e mbështet këtë objektiv, në të kundërt mos zbatimi i këtyre rekomandimev dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk është ndihmues’, citohet në deklaratën për shtyp  Zydjon Vorpsi, menaxher projekti pranë PPNEA.

Shqipëria e ka firmosur Konventën e Bernës në vitin 1995 dhe është bërë anëtare e plotë e saj në vitin 1999.

Kontestimet nga aktivistët mjedisorë për aeroportin e Vlorës nisën menjëherë sapo planet e qeverisë për ndërtimin e tij morën formë në vitin 2021, duke kundërshtuar procedurën dhe po ashtu Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. VNM-ja për aeroportin u cilësua një farsë, pasi mjetet e rënda kishin filluar punimet në sheshin e ndërtimit para përfundimit të dëgjesave publike.

Projekti i aeroporti i Vlorës është një premtim i hershëm elektoral i kryeministrit Edi Rama, i cili u shty përpara pavarësisht se vetë studimet e qeverisë e vlerësuan atë të paleverdisshëm nga ana ekonomike, me risqe të larta dhe normë të ulët të kthimit të investimit. Për të nxitur investimin qeveria mori përsipër që të kompensojë të ardhurat e munguara të investitorëve privatë, duke vënë në dispozicion të projektit rreth 138 milionë euro të taksapaguesve përgjatë 10 viteve të para të operimit.

Në mars të vitit 2021, fitues u shpall konsorciumi i kompanive Mabco Construction në pronësinë e biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli në partneritet me kompaninë turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte në Turqi, Kazakistan dhe Ukrainë. Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro për ndërtimin e aeroportit, por rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke, YDA Group u largua nga projekti dhe i shiti Pacollit paketën e vet prej 40% të aksioneve për një vlerë minimale prej 4450 eurosh.

blank

Kurti përshëndet bashkimin e pesë partive në Luginë: Shqiptarët të përfaqësohen në parlamentin e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, këtë të diel mirëpriti në Prishtinë përfaqësuesit e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të cilët përtej dallimeve politike lokale, kanë vendosur të mblidhen rreth një liste të përbashkët për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit në Serbi.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, ka grumbulluar rreth vetes Partinë për Veprim Demokratik të udhëhequr nga Shaip Kamberi, Partinë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës, Lëvizjen e Progresit Demokratik të Shqipërim Musliut, Unionin Demokratik Shqiptar me Naser Azirin dhe Aleancën për Luginën, të përfaqësuar nga Armend Aliu.

Diskriminimi në përfaqësim, pasivizimi i adresave, padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve janë çështje e brenga për të cilat ka nevojë që të flitet me zë të bashkuar e të koordinuar, u tha në takim.

Kryeministri Kurti u uroi përfaqësuesve të këtyre pesë partive politike për dakordimin e arritur dhe u dëshiroi përgatitje e fushatë të suksesshme për zgjedhjet e 17 dhjetorit, e të cilat kanë rëndësi të veçantë për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë si dhe për synimet e përbashkëta për drejtësi dhe barazi për shqiptarët si pakicë kombëtare atje.

Edhe politikani shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi ka njoftuar se me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kamberi shkruan se “shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm”.

Ai shton se kryeministrin Kurti e njoftuan për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament.

  • blank
blank

Vjosa Osmani takim me Presidentin e KE, Ursula von der Leyen: Diskutuam se si mund të afrojmë Kosovën me BE-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Osmani ka shkruar në rrjetin social X, se me von der Leyen ka biseduar mbi përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Gjithmonë një kënaqësi e madhe për t’u takuar me presidenten e Komisionit Evropian Ursula vonder Leyen dhe të diskutojmë se si mund ta afrojmë Republikën e Kosovës me BE-në”, shkruan Osmani.

https://twitter.com/VjosaOsmaniPRKS/status/1731317436534718878

blank

Monitor: Ku shkuan 730 milionë euro të Rindërtimit nga tërmeti?

Shpenzimet faktike deri në nëntor të këtij viti për Programin e Rindërtimit kapën vlerën 80 miliardë lekë, apo rreth 730 milionë euro. Teksa po mbyllet viti i katërt i zbatimit, askush nuk di të thotë me saktësi se kur do të përfundojë. Tirana dhe Durrësi vijojnë të jenë kantiere të hapura në disa drejtime. Zvarritja e procesit të përfundimit të banesave ka bërë që ende mijëra familje të mbeten peng i shtëpive me qira. Bonusi i paguar për to nga buxheti i shtetit nga fillimi i programit e deri në fund të këtij viti llogaritet në rreth 80 milionë euro. Përtej dramës sociale, ajo që ngre më shumë pikëpyetje është mungesa e një bilanci se çfarë ka ndodhur me qindra miliona eurot e shpenzuara. Negocimi në tavolinë i rindërtimit, mungesa e transparencës nga bashkitë dhe qeveria për ecurinë, si dhe copëzimi në disa institucione i programit, e ka bërë të vështirë të kuptohet çfarë është përfunduar, çfarë është në proces e çfarë mbetet ende për t’u bërë, shkruan Nertila Maho në revistën Monitor.

Prej fillimit të vitit 2020 e deri në nëntor 2023, shpenzimet faktike për rindërtimin, programin më të madh që ka zbatuar ndonjëherë një qeveri në vendin tonë, ishin rreth 80 miliardë lekë ( 730 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Ky program nisi në funksion të rikuperimit të pasojave që shkaktoi tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 dhe ende vijon me kantiere të hapura.

ur kanë kaluar katër vite dhe po hyjmë në të pestin, është bërë gjithmonë e më e vështirë të kuptohet se pse ende mijëra familje janë rrugëve pa marrë banesën e premtuar.

Në fillim, projekti nisi me hapa të shpejtë dhe peshën më të madhe e përqendroi në vitet 2021 dhe 2022, kur nisën të shpërndaheshin banesat e para të reja.

Këtë vit, edhe vetë përfaqësuesve të qeverisë apo njësive vendore të prekura duket sikur u ka rënë ritmi i deklaratave për një program që përfundimi i shtyhet vazhdimisht.

Rindërtimi pati kontraste edhe në zbatim, ku projektet që u menaxhuan nga donatorët përfunduan ndërsa projektet me mbështetjen e buxhetit vijojnë.

Në këtë kontekst, krahasimi është i thjeshtë. Turqia, që u angazhua me një projekt të madh në Laç, përfundoi në kohë rekord ndërtimin e mbi 500 apartamenteve që u kaluan më pas qytetarëve.

Më shpejt përfundoi edhe Thumana, ku u ndërtuan 278 apartamente dhe 155 njësi individuale. Pak më shumë se 500 njësi individuale banimi janë përfunduar që vitin e kaluar edhe në rrethinat e Tiranës në zona si Vaqarri, Zall Herri, Ndroqi.

Dy lagjet e reja që po ngrihen në kryeqytet lidhur me rindërtimin, siç është “5 Maji” dhe “KombinArt” janë ende në proces dhe mijëra familje mbeten në shtëpi me qira në pritje të përfundimit.

Në Durrës, deri më tani, kanë marrë një banesë të re 331 familje, por më të shumtë janë ata që ende nuk e kanë marrë një të tillë dhe që pritet të transferohen në Spitallë, ku punimet vijojnë.

Kur pjesa e luanit e programit të Rindërtimit tashmë është konsumuar me më shumë se 3/4 e kostos së parashikuar të shpenzuar, pikëpyetjet që ngrihen janë të shumta, të lidhura me transparencën e projektit, përdorimin eficient të parave publike, pasojat negative financiare e sociale nga zvarritja e zbatimit, problematikat në zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe monitorimin e zbatimit.

Rindërtimi, deri në fund të 2023, shpenzimet totale arrijnë 92 miliardë

Buxheti i ndryshuar i vitit 2023 rialokoi fonde në një sërë zërash, ku ndër të tjera edhe rindërtimi. Në këtë zë, qeveria parashikoi që fondet të shtoheshin me 12 miliardë lekë.

Kjo shifër mbetet për t’u shpenzuar deri në fund të vitit, teksa aktualisht deri në nëntor, shpenzimet faktike sipas Ministrisë së Financave ishin 80 miliardë lekë.

“Në kuadër të realizimit të programeve të procesit të Rindërtimit, në ligjin e buxhetit të viteve 2020-2023 u sanksionua krijimi dhe administrimi i Fondit të Rindërtimit, i cili parashikonte fondet për financimin e nevojave lidhur me rindërtimin.

Shpenzimet faktike që nga momenti i krijimit të këtij fondi deri në nëntor të vitit 2023 janë: 28.5 miliardë lekë për njësitë e qeverisjes qendrore, 52 miliardë lekë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në total 80 miliardë lekë.

Me Aktin Normativ nr.5, datë 18.10.2023 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.84/2022, ‘Për buxhetin e vitit 2023’, fondi i rindërtimit për vitin 2023, u shtua me 12 miliardë lekë për financimin e plotë të të gjithë punimeve të kryera dhe avancimin e tyre” konfirmuan Financat për “Monitor”.

Kjo do të thotë se në total, në mbyllje të 2023, fondet e shpenzuara për rindërtimin do të arrijnë 92 miliardë lekë, apo rreth 840 milionë euro.

Për vitin 2024, qeveria ka parashikuar në Buxhetin tashmë të miratuar nga Parlamenti, një fond prej 7 miliardë lekësh, apo rreth 65 milionë euro, por askush nuk mund të thotë nëse programi do të shkojë përtej këtij viti apo do të shënojë mbylljen e tij.

Durrësi dhe Tirana, ende kantiere të hapura, nuk ka afat për përfundimin

Durrësi dhe Tirana janë Bashkitë me më shumë familje në pritje të një apartamenti apo banese të re, pas tërmetit të katër viteve më parë dhe që banesat iu klasifikuan me nivel dëmi DS5 (totalisht të shkatërruara).

Në Bashkinë e Durrësit u kategorizuan si DS5 me miratim nga Këshilli Bashkiak 1098 banesa individuale.

Sa u takon pallateve për rindërtim, ishin 12 në Durrës, 7 në njësinë administrative të Sukthit dhe 1 pallat në njësinë administrative Katund i Ri në të njëjtin vend ku ishin më parë.

Për Durrësin u miratuan edhe dy të reja për zhvillim siç janë Manza dhe Spitalla. E para tashmë e përfunduar prej kohësh dhe e planifikuar për strehimin e 226 familjeve ndërkohë e dyta, e projektuar për 996 apartamente në 85 pallate 4-katërshe ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj, por apartamentet ende nuk janë dorëzuar.

Një procedurë e tillë nuk pritet të jetë e lehtë, pasi familjet që kanë pasur një apartament në Durrës kanë shprehur rezistencë për t’u zhvendosur në këtë zonë të re. Edhe pse një pjesë kanë pranuar, ka ende nga ata që nuk janë dakord. Një fakt të tillë e pohon edhe vetë Bashkia.

“Në lidhje me banesat individuale kanë shprehur vullnetin e tyre qytetarët për t’u zhvendosur në zonat e reja për zhvillim, ndërsa në lidhje me banorët që kanë jetuar në apartamente është hasur vështirësi në fillim, por me punën dhe angazhimin e njësive është bërë i mundur ndërgjegjësimi i familjeve dhe është marrë mirëkuptimi dhe kanë pranuar të transferohen shumë familje”, – pohon Bashkia për “Monitor”.

Lidhur me ndërtesat që u klasifikuan si DS4, ku duhet të bëhen riforcime për t’i kthyer parametrat e sigurisë, Bashkia e Durrësit nënvizon se ka ende punë para, edhe pse fondet janë miratuar.

“Për sa u përket objekteve me nivel dëmi DS4, janë në total 96 objekte me nivel dëmi DS4 pallate dhe 101 shtëpi individuale, për të cilat janë miratuar fondet për riforcimin e tyre, disa prej tyre kanë përfunduar, disa të tjera janë në proces zbatimi punimesh riforcimi”, – konfirmon Bashkia.

Tirana, nga ana tjetër, ka dy zona të reja zhvillimi me disa mijëra familje që ende janë nëpër banesa me qira, diçka që ka bërë që në buxhetin e bashkisë, fondet e strehimit të kenë peshë më të lartë vitet e fundit.

Në zonën e 5 Majit synohet që të strehohen 11 mijë banorë, ndërkohë që parashikohen 3500 apartamente, kurse në Kombinat, e pagëzuar si “KomninArt”, Bashkia deklaroi se do të shtrihej në disa faza. Në fazën e parë do të ndërtoheshin rreth 3 mijë apartamente.

Premtimet e Bashkisë se banorët do të ishin në një shtëpi të re ndryshojnë afat herë pas here, por fakt është që sot këto lagje të reja janë ende të papërfunduara. Këtë e konfirmoi vetë kryebashkliaku Veliaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2024 të Bashkisë që ai drejton.

“Te lagjja ‘5 Maji’ jemi afër fundit me banesat aty, ndërkohë edhe 7 pallatet në Kombinat po mbarojnë, por do ishte mëkat që ta linim pa infrastrukturë.

Ne nuk duam të bëjmë konvikte për njerëzit që i gjeti fatkeqësia e tërmetit. Aty do të transferohen edhe institucione të qeverisë dhe të bashkisë, por mbi të gjitha, do të bëjmë infrastrukturë. Se po i lamë vetëm si banesa, pa infrastrukturë, pa rrugët e mira, pa parqe, pa parking, nuk shkon.

Një pjesë e buxhetit do të shkojë për infrastrukturën mbështetëse të këtyre lagjeve”, u shpreh Veliaj.

Afatet për mbylljen e rindërtimit në të dyja Bashkitë, si Durrësi dhe Tirana, janë të paparashikuara. Këto të fundit, që prej fillimit, ndryshojnë vazhdimisht duke e shtuar kalvarin social të familjeve që presin të kenë një çati mbi kokë pas fatkeqësisë së 2019-s.

Zvarritja rëndon buxhetet e strehimit, mbi 80 mln euro si bonus qiraje

Teksa programi i rindërtimit nisi në vitin 2020, pritshmëria ishte që numri i qytetarëve që u lindi e drejta për një bonus qiraje, të ulej gradualisht vit pas viti me ecurinë e zbatimit të projekteve dhe marrjen në dorëzim të banesave.

Por edhe sot, Bashki si Durrësi e Tirana paguajnë bonus qiraje për mijëra familje.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e tij të buxhetit faktik 2022, raportonte se vetëm Bashkia e Tiranës ka paguar disa dhjetëra miliona euro në disa vite për bonusin e qirasë.

Drama sociale bëhet edhe më e madhe po të kemi parasysh që Bashkitë, jo në të gjitha rastet e kanë paguar këtë detyrim, duke i lënë familjet t’i bëjnë këto pagesa.

“Ecuria në mungesë të ritmeve të duhura të ndërtimit të banesave për të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019, po sjell në mënyrë të vazhdueshme kosto shtesë për buxhetin, në kuadër të strehimit.

Në fillim të vitit 2022 ishin parashikuar 1 miliard lekë për qiranë e akomodimit të 11 300 familjeve të pastreha nga tërmeti, me supozimin se një pjesë e familjeve do të strehoheshin në objektet e filluara gjatë viteve 2020-2021”, – thuhet në raportin e KLSH.

Ky i fundit nënvizon se numri i familjeve përfituese të subvencionit të qirasë vijoi të jetë ende i lartë, duke sjellë për pasojë rishikimin dhe miratimin e buxhetit shtesë për vlerën 1.69 miliardë lekë dhe në dhjetor 2022, u ul me 350 milionë, për shkak se Bashkia e Tiranës mbuloi me fondet e veta pagesat për dy muaj.

Përfundimisht, plani për shpenzim qiraje ishte në vlerën 2.3 miliardë lekë dhe rezulton se fondi i përdorur për vitin 2022 është 2.19 miliardë lekë, ose 95%.

Nga sa më sipër konstatohet se, mungesa e arritjes së kryerjes së shpenzimeve të planifikuara për rindërtimin, krahas problemeve sociale për strehimin dhe infrastrukturën publike, vijon të sjellë kosto shtesë për buxhetin, e cila për vitin 2022 është më së paku 1.3 miliardë lekë” – nënvizon KLSH.

Në një interpelancë të këtij viti, ish-ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, pranoi se vetëm për vitin 2023 ishin parashikuar 500 milionë lekë si zë për bonusin e qirasë, duke bërë që kumulativja në disa vite të paguara nga buxheti i shtetit të shkojë 8.8 miliardë lekë apo rreth 80 milionë euro.

KLSH vlerëson se, në disa raste, bashkitë nuk kanë paguar detyrimet e qirasë, duke ngarkuar financiarisht familjet e prekura.

“Nga auditimi në MFE konstatohet se ka disa bashki të cilat nuk kanë kryer çdo muaj subvencionime për qiratë, si: Bashkia e Tiranës nuk ka kryer pagesa për qiratë në muajt shkurt, qershor, korrik, gusht, nëntor; Bashkia e Mirditës nuk ka kryer pagesa për muajin janar, shkurt, maj, nëntor; Bashkia e Rrogozhinës nuk ka kryer pagesa për muajin janar, shkurt, prill, qershor, korrik etj.

Mosrealizimi i shpenzimeve të programuara për rindërtimin, sjell kosto shtesë për buxhetin edhe në drejtim të zgjatjes së afatit të qirasë për banorët, ndërtesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti dhe kanë qenë parashikuar që të përfundojë ndërtimi i tyre, krahas problemeve të tjera sociale të strehimit”, – thuhet në raportin e buxhetit faktik të 2022 të KLSH-së.

Rindërtimi kritikohet për transparencën dhe negocimin në vend të garës

Programi i rindërtimit është kritikuar vazhdimisht për aspekte të ndryshme, por mbi të gjitha për mënyrën sesi u koordinua. Përfshirja e një sërë institucionesh dhe mosruajtja e një standardi raportimi nga të gjithë, e bëri të vështirë nxjerrjen e bilanceve fazë pas faze. Një tjetër element i kritikuar ishte forma sesi u zhvilluan procedurat e prokurimit.

Në vend të një gare të hapur, ku konkurrenca do të rriste pjesëmarrjen, e për rrjedhojë do të kishte edhe ndikim në ofertat financiare, nën argumentin e emergjencës u zgjodh negocimi dhe një ligj i veçantë.

Kjo formë së fundmi u kritikua edhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë që nënvizonte se “shpenzimet e rindërtimit pas tërmetit nuk kishin transparencë, pasi nuk u integruan në procedurat e rregullta të financave publike”.

Preferenca për të negociuar në tavolinë me biznesin është parë si një rrezik për klientelizëm dhe korrupsion. Të paktën kështu gjykon Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës (AIS) që ka ndjekur nga afër thuajse çdo hallkë të këtij programi.

“Procedurat për kontraktim për veprat pjesë e programit të rindërtimit nuk janë transparente, ato janë bërë me procedurë të limituar (kufizuar, jo e hapur), ofertat janë pranuar dhe vlerësuar jashtë sistemit elektronik në tryezë biznesi dhe shteti.

Kjo për shkak të Ligjit Korruptiv që u zbatua për këtë Program. Për pasojë, rreziku për klientelizëm dhe korrupsion të jetë tepër i lartë”, pohon znj. Brahaj.

Sipas saj, ka një problem të theksuar edhe me ndjekjen e programit në hallkat e tjera dhe e gjithë kjo ka të bëjë me formulën e ndjekur të prokurimit dhe shpalljes së fituesve kur paratë ende mungojnë pasi buxhetet nuk janë të alokuara drejtpërdrejt.

“Pas njoftimit të fituesit, qoftë autoriteti kontraktues bashki, e qoftë biznesi fitues, duhet të presin Ministrinë e Rindërtimit (tashmë e shkrirë) dhe Qeverinë të bëjë alokim fondi nëpërmjet VKM-së.

Kjo formë e konkurrimit pa buxhet dhe pritjes për buxhet pa afat të paracaktuar ka dëmtuar ecurinë e punës në disa bashki e në fund ka shënuar një formë jo shumë transparente dhe me kosto të keqpërdorimit të kontraktimit dhe financimit me para publike.

Mendoj që buxhetimi i deritanishëm për projekte rindërtimi ka nevojë për 10 deri në 15 miliardë lekë të tjera për të mbyllur të gjitha procedurat ku është njoftuar një Biznes Fitues”, – nënvizon znj. Brahaj./MONITOR

blank

Ukraina godet thellë në Rusi- Kurthi që u përdor për të hedhur në erë hekurudhën e rëndësishme

Shërbimet sekrete ukrainase kanë goditur thellë në brendësi të Rusisë, duke shkatërruar një hekurudhë të rëndësishme.

Kështu raporton BBC, duke iu referuar një zyrtari të lartë.

Sipas rrjetit britanik, ukrainasit kanë shkatërruar një hekurudhë të linjës Baikal Amur, që kalon pranë kufirit me Kinën dhe që njihet si një nyje kyçe për qëllime ushtarake ruse.

Shërbimet sekrete ukrainase përdorën një kurth për të nxjerrë plotësisht jashtë funksionit këtë hekurudhë.

Fillimisht u raportua se kishte një incident në tunelin Severomuysky, më i gjati në Rusi.

Në tunelin prej 15 kilometra u tha se po dilte tym nga një cisternë. Por zyrtarët ukrainas thanë se në fakt ata kishin hedhur në erë një tren mallrash brenda tunelit.

Rusët ranë në kurth dhe përdorën një urë alternative.

“Kjo ishte pikërisht ajo që donte shërbimi sekret. Gjatë kohës që treni po kalonte mbi urën alternative, të lartë 35 metra, shpërtheu eksplozivi,” tha zyrtari ukrainas.

Rusia ka nisur hetimet për terrorizëm, edhe pse nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se ka pasur dy shpërthime.

Por në median sociale ka pasur raportime për dy shpërthime trenash në këtë zonë.


Send this to a friend