VISARET E KOMBIT
martirëve të Kishës Katolike Shqiptare
Nga Agim Xh. Dëshnica
Një shkëmb,
një kishë, një kryq,
një portë me hark, kube,
altar i thjeshtë e shenjtëri!
Teposhtë, ai Fan i lashtë ndër valë,
prej Ilirie rrjedh, murmuron.
Ai lumë dëshmish me gjak e dhimbje!
Nga shkëmbi vjen kumbim kambane,
jehon në brigje e kulla varg,
kjo thirrje bese e shpirtit tënd!
At Bernardin, At Bernardin,
ngroh në faltore besimtarë,
meshon përunjshëm
për t’lumin Zot e për Krishtlindje,
për shenjtëritë me ruzare,
për Atme e besë!
Kungon me frymë lirie
ferishte, engjëj!
Kurorëzon çifte,
e për të thinjur
një pleqëri të bardhë uron!
At Bernardin, At Bernardin
tok me At Donatin, [1]
në qelë poetësh, dijetarësh,
ende gjallon ai kandil
dhe pena e artë,
në ato visare
na fton e shndrin!
Bernardin, Bernardin
tok me Donatin!
Afër sharkisë e lahutarit,
pranë çiftelisë
e rreth valltarëve,
me shtojzovalle e me fatí.
dëgjoni larg, sokola mali,
sipër shkrepash,
në prozhme e kroje,
me hej e ho!
“Janë ra vashat me gja n’lumë,
kanë gjetë lumën tanë ngri n’akull!…
Nand’ varra Gjergji n’ shtat m’i ka
Shkapet bajlozin e sokëllin.”
At Bernadin e At Donat!
Ku vallë, prehet kurmi juaj?
Vrastarët jua kanë prishë shtatin,
Shpirtin , askund!
Kur djajtë digjen në skëterrë,
shpirti juaj lumnon në Parriz!
—
[1] At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti,
dijetarë e mbledhës të krijimtarisë
popullore të Veriut.
NË MJEGULLA TRAGJEDISH
Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,
Pelerinë e flokë supeve, era ia trazon.
Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e gurta.
Shfaqet lart nën hije resh të murme,
në kulla, bedena këshjellash tragjike.
Në pallatet e ngrysur hyn,
shkel në gjurmë,
mbretërish e mbretëresash,
princash e princesash,
kalorësish hijerëndë.
Heton me radhë intrigantë,
hapa besnikësh e rojesh,
Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;
qan të dashuruarët e pafaj;
ndëshkon vrasës të pabesë.
Në kulla, bedena e shkallë të gurta,
veç terr, pluhur, frymë shkretëtire.
Ndër sallat mister, hijet sillen qark,
pa shenjë, pa fjalë, veç heshtja flet,
nga thellësi e mjegullt e kohrave.
Kupolat kumbojnë,
nga zëri titanik i perandorit:
Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!
Atëhere bjer o Qesar!
Në sallat e hollet e zymta,
ushton thirrja tragjike
e princit Hamlet:
Të rrosh a të mos rrosh,
kjo është çeshtja!
O prapësi o dreq,
që unë paskam lindur të të ndreq!
Makbeth! Makbeth!
Më kot! Më kot! lan duart e krimit;
Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës lëvizi!
Bujar Makdafi, vjen për ndëshkim!
Shekspiri kundron trishtueshëm,
sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.
U qetëson plagët trimave të drejtësisë,
përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;
gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;
kumte të ndritur, lë për njerëzimin.
DËGJOJ, NJË ZË SJELL OQEANI!
Në breg, buzë ujërash,
që s’i merr gjumi,
ashtu si unë nëpër kujtime,
kam dal dhe endem si ajri vet,
fytyrën diellit t’ia shoh sërish,
me purpur rrezesh përmbi valë
pas yjesh nate, që shkuan të flenë
sy e duar ndër ngjyra të përvëloj.
Më dridhëron gjëmimi i thellë,
te gjoksi i lagur i shkëmbinjve,
kur ulen e brofin pulëbardhat,
kur dallgët bien e ngrihen valle
e shtërgu digjet pas reve larg,
përmes zhaurimash kap një zë,
tek vjen me ditën mbi krahë të erës.
Më shfaqet befas djaloshi Memli,*
emër i trishtë, ndodhish tragjike,
me ballin dritë e sytë e zi,
te një Kështjellë legjendare,
mbi hon shkëmbor te Kroi i Vajës,
nën hijet fresk, përmes ullinjve,
e gërsheta hardhish të brishta,
i dashuruar pas ngjyrës së qiellit!…
Hedh sytë për nga oqeani,
dëgjoj ankime thellësish pa fund,
rënkime valësh ndër shkumëzime,
një thirrmë nga zemër e re,
tek ulet tok me pulëbardhat,
më vjen pranë e më rrëfehet!…
………
* Memli – personazh kryesor
në romanin “Gremina e dashurisë”
të Mustafa Greblleshit.
Gjithnje nder shkrimet Tua dishka.., shume interesante!
Dy dijetaret Franceskan zgjohen prej Jush z. Agim…
Ju lumte pena i Nderuem! Me shume respekt.