VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

VIRUSI PYET PO KET A E DINI: KUSH ASHT PRONARI TEK KOPSHTIJET E “RILINDJES”? – Nga Fritz RADOVANI

By | April 20, 2021
blank

Komentet

blank

Analiza e “DW”: Kush është Hamasi dhe ku e merr sasinë e madhe të raketave që po lëshon në Izrael

Kush e mbështet Hamasin dhe prej ku i marrin raketat? Kundërshtari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës po lufton me sasi të mëdha raketash Izraelin.

“Radikal islamik” – kjo fjalë kyçe përdoret rregullisht në disa media gjermane në lidhje me Hamasin. Gjatë përshkallëzimit të fundit, atribuimi ka ndryshuar: tani flitet më shumë për një organizatë terroriste islamike. Shumica e shteteve perëndimore bëjnë gjithashtu një vlerësim të ngjashëm. Përjashtime janë Norvegjia dhe Zvicra, të cilat, duke iu referuar neutralitetit të tyre, mbajnë kontakte edhe me Hamasin – i cili në fund të fundit është edhe politikisht në pushtet në Rripin e Gazës që nga viti 2007. Vendet e tjera shkojnë edhe më tej në mbështetjen e tyre.

Si arriti Hamasi atje ku është sot?

Hamasi u themelua në gjysmën e dytë të viteve 1980 dhe ishte që atëherë në opozitë me OÇP, Organizatën për Çlirimin e Palestinës të Jaser Arafatit. E diskutueshme është nëse në fillimet e tij Hamasi u mbështet edhe me para nga qeveria izraelite si një kundërpeshë – një skenar që të gjitha palët e refuzojnë sot me forcë. Ndryshe nga OÇP-ja, Hamasi i mohon Izraelit të drejtën për të ekzistuar; emblema e Hamasit tregon Kupolën e Shkëmbit në Jeruzalem dhe, midis flamujve palestinezë, skicën e një shteti të pandarë palestinez, i cili përfshin edhe territorin e shtetit izraelit.

Arafati bëri paqe me Izraelin në 1993 si pjesë e Procesit të Oslos, duke i dhënë fund kështu Intifadës së Parë – por Hamasi nuk e njohu këtë dhe vazhdoi të kryente sulme në territorin izraelit. Në vitin 2006, Hamasi fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet në Rripin e Gazës, të cilat u konsoliduan një vit më vonë me një veprim të ngjashëm me grusht shteti. Që nga ajo kohë, territoret palestineze janë ndarë jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht: partia e moderuar Fatah nën Mahmoud Abbas sundon në Bregun Perëndimor.

Në Gaza, Hamasi i vazhdoi sulmet e tij “vetëmbrojtëse” ndaj Izraelit dhe ka patur tre shkëmbime me ushtrinë Izraelite: 2008/09, 2012 dhe 2014.

Kush e mbështet Hamasin?

Rripi i Gazës është një nga zonat më të populluara në botë. Ai dhe është mjaft i izoluar ekonomikisht me kufij të fortifikuar me Izraelin dhe Egjiptin në jug dhe lindje dhe Detin Mesdhe në perëndim. Pjesë të mëdha të popullsisë jetojnë në varfëri të madhe dhe varen nga ndihma humanitare – e cila, megjithatë, kohët e fundit është pakësuar rëndë nën presionin e Presidentit të mëparshëm të SHBA, Donald Trump. Hamas vazhdon të gërmojë tunele kontrabandë për transportin e armëve, veçanërisht në drejtim të Egjiptit, megjithatë qeveria e atjeshme nuk ka interes ta lejojë këtë.

Një nga donatorët dhe aleatët më të rëndësishëm të Hamasit është Katari: në vitin 2012, Emiri ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi udhëheqjen e Hamasit në Gaza. Shteti i vogël i Gjirit deri tani ka transferuar më shumë se 1.5 miliardë euro. Sidoqoftë, Izraeli shpreson që Katari t’i bashkohet “Marrëveshjes Abraham” të iniciuar nga Trumpi dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, si disa shtete të tjera arabe.

Një aleat tjetër i rëndësishëm i Hamasit është Turqia: menjëherë para sulmeve të fundit me raketa nga Hamasi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan i premtoi në një bisedë udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, se do ta mbështesë.

Nga vijnë raketat?

Zjarri me raketa, të cilat Hamasët i drejtojnë që prej së hënës drejt Izraelit i kapërcen kulmet e deritashme të përshkallëzimit duke u nisur edhe vetëm nga shifrat: të martën, Hamasi njoftoi se kishte goditur me 130 raketa brenda pak minutash – numër me të cilin që sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite “Iron Dome” (“Kupola e Hekurt”) e kishte të vështirë t’i përballonte. Që nga e premtja, ushtria izraelite numëroi më shumë se 1.800 predha të hedhura nga Gaza. Kjo në një kohë kur çdo raketë mbrojtëse e “Kupolës së Hekurt” është shumë më e shkathët, precize dhe sigurisht më e shtrenjtë se ajo e sulmuesit.

Për një kohë të gjatë u përdorën në veçanti raketa nga Irani. Analisti Fabian Hinz, i cili është specializuar për raketat në Lindjen e Mesme, i tha transmetuesit publik gjerman ZDF: “Dihej që grupe të ndryshme e kanë zgjeruar masivisht arsenalin e tyre të raketave dhe se numri i raketave në dispozicion të tyre është në mijëra, konfirmuar disa herë nga burime izraelite “. Kështu Jerusalem Post citoi këtë javë burime të inteligjencës, që deklaruan se madhësia e arsenalit të Hamasit përbëhet nga 5000-6000 raketa. Kësaj i shtohen deri 8000 raketa të tjera në pronësi të grupit Xhihadi Islamik, që bashkëpunon pjesërisht me Hamasin.

Sipas Hinzit, raketat iraniane ishin kontrabanduar prej kohësh përmes Sudanit dhe më në fund nga ana egjiptiane në Rripin e Gazës – por kjo nuk ka qenë aq e lehtë që kur diktatori sudanez Omar al-Bashir u largua nga pushteti në vitin 2019. Ndërkohë, megjithatë, Hamasi thuhet se shumicën e raketave të tij i prodhon në vend, në Rripin e Gazës – pjesërisht me ndihmë të huaj.

blank

Dëshmia e rrallë e Ipeshkvit: Dom Mark Gjani vdiq nga torturat i varun nder shpatulla, tue ia hjedhë trupin qenve, e mbeturinat e tij i lëshuen në…

Dom Zef Simoni

Publikohet një studim i panjohur i Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me rradhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shejtë, Papa Gjon Pali i II-të.

Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushktuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Me 16 gusht të vjetit 1944, me rastin e festës së Shën Rrokut që kremtohet posaçërisht në Shirokë, një fshat buzë liqenit të Shkodrës, në proçesionin e kësaj dite, Dom Ndre Zadeja, meshtari i detyrës, gojëtari në za dhe shkrimtari i zgjedhun, i flaktë në zemër, e nder vepra për “Fe e Atdhe”, binom që kishte karakterizuar Klerin Katolik historikisht, e sidomos në kohët e luftave të Gjergj Kastriotit-Skanderbeut, këto fjalë i tha popullit e rinisë: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i sprovue të këqiat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”. Këto fjalë i tha tre muej e pak, para se të hynte komunizmi në Shqipni, e gati shtatë muej para se të pushkatohej meshtari i zjarrtë, i vlershëm Dom Ndre Zadeja, i pari meshtar i pushkatuem në Shkodër, mbas murit të vorrezave katolike, me datën 25 mars 1945, ditë e dielle, ngjarje kjo që tronditi Shkodrën, rrethet, malësitë dhe mbarë Shqipninë.

Komunistët e morën vesh vonë, se mesha e mesnatës për Krishtlindje, me 24 të dhetorit 1944 në Kishën Katedrale, nuk do të thuhej, se mos ngjante ndonjë turbullim. Por regjimi i ri nuk e duronte këte veprim. Prandaj disa nacionalë-çlirimtarë të krishtenë edhe ndonjë komunist i krishtenë, ndonëse vonë, rreth orës dy të mbasdrekes, i’u drejtuen Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit, me lutje të thuhej Mesha e Mesnatës. Mbasi Imzoti u tha se: ‘tashti asht tepër vonë me lajmue popullin’, këta i premtuen se merrshin përsipër ta lajmojshin. Shkojshin derë në derë tue thanë: “Sonte thuhet mesha e mos kini frikë, pse besimi asht i lirë”. Për ma tepër, po të thonte kush se besimi nuk do të ishte i lirë, kjo do të quhej prej regjimit të ri një shpifje, një parullë e fortë e reaksionit, e do të kishte ndeshkime. Shej i sigurtë se nuk do të kishte dredhi u ba të ramet e kumbonëve në mbarë qytetin e një popull i madh mori pjesë qetësisht e me shumë gëzim në Meshen e Mesnatës.

Por regjimi i ri nuk mundi të durojë gjatë, nuk mundi të qëndronte pa gënjeshtrat e veta e pa gënjeshtarë në gjithçka.

Filloi shpejt përsekutimi, një përsekutim i posaçëm në botë e në historinë e kombit tonë, një masakër fanatike dhe e vazhdueshme pesëdhjetëvjeçare, për të rrenue gjithshka me vlerë që ishte arrijtë sidomos mbas pavarësisë. Lufta kundër Kishës e besimit katolik në këtë kohë mund të ndahet në tri faza:

E para, fillon nga vjeti 1945 deri në 1950. Asht ajo e zhdukjes së klerit, me burgime e pushkatime, mbas torturave fort çnjerëzore, të zhdukjes së vlerave shpirtnore e kulturore katolike në mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, drejtue prej Enver Hoxhës, mbështetë në politiken sllave direkt në Shqipni, drejtue prej Titos.

E dyta fazë, nisë nga vjeti 1951 deri në 1960, e asht ajo që na po e quajmë një lloj pakësimi të ashpërsimit të luftës kundër fesë, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë.

E treta, mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vjetin 1961, por tue mbajtë vijën staliniane, ajo e periudhës kineze, kur do të ngjajnë presione kineze, mbyllja e kishave dhe e të gjitha institucioneve fetare në Shqipni, me revolucionin kultural, deri në 1990.

Shqipnia, kishtarisht kishte pesë dioqeza dhe Abacinë Nullius të Mirditës.

Ishte arkidioqeza e Shkodrës, qendër metropolitane që drejtohej nga arqipeshkvi i saj, Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkvia e Durrësit me arqipeshkvin Imzot Vinçenc Prennushin, që ishte edhe Administrator i Shqipnisë së Jugut, Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv i dioqezës së Sapës, Ipeshkvia e Lezhës me Imzot Luigj Bumçin, Ipeshkvia e Pultit me Imzot Bernardin Shllakun, Abacia Nullius e Mirditës, me qendër në Orosh me Ipeshkvin Imzot Frano Gjinin dhe Delegatin Apostolik, me qendër në Shkoder, Imzot Leone Nigris.

Gjindeshin në Shqipni disa urdhna rregulltarësh e rregulltaresh. Urdhni i Shën Françeskut me provinçialin në Shkodër, urdhën i hershëm qysh në shekullin XIII, që, simbas tradítës, me ardhjen e Shën Françeskut në Lezhë. Një urdhen që mbante misionin edhe në zonat ma të vështira të Dukagjinit. Lavroi gjuhën shqipe e hapi një farë shkolle të mesme në Pëdhanën e Zejmenit, në shekullin e shtatëmbëdhetë, edhe dy shkolla, ajo e Troshanit dhe e Blinishtit. Në qytetin e Shkodrës fretënt kambëzbathë, me sandale, hapshin të parën shkollë fillore publike në Shqipni, për të vorfënit, me 1861.

Ma vonë të vorfnit e Asisit hapën edhe liceun “Illyricum” i një niveli të naltë, me nxanës nga mbarë Shqipnia e për të krishtenë e muslimanë. Një urdhën që dha figura të shqueme të dijës në të gjitha fushat si gjuhëtarë, shkrimtarë, profesorë të shquem të kulturës klasike greko-romake, historianë si: Mons. Vinçenc Prennushi, Atë Anton Harapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, me të nipin e vet françeskan, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj e të tjerë, të gjithë të pregatitun në Universitetet e Europës, tue shti kulturën pozitive të Europës e tue i dhanë një zhvillim të madh kulturës shqiptare.

Shoqnia “Jezus”, me fillesën e vet në Shkodër, në vjetin 1841, bante një mision të përmendun për të rranjosë fenë me devocione e lutje që do të mbesin të paharrueshme edhe gjatë përsekutimit në zemrat e buzët e popullit. Një mision, që zbuste zakonet e ashpra e pajtonte gjaqet e shumta që arrijshin në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, deri në numrin 4000 pajtime.

Një shoqni që sjell e zhvillon një kulturë të mirë europiane e kulturë kombëtare në Seminarin Papnuer dhe në liceun e Kolegjes Saveriane, tue pasë njerëz të shquem, si: Atë Jak Jungun, Atë Genovizzi-n, Atë Anton Xanonin, Dom Ndré Mjedën, Atë Mark Harapin, Atë Gjon Karmën, Atë Jak Gardin-in, Atë Daniel Dajanin, Atë Giovanni Fausti-n, Atë F. Cordignano-n, Atë Zef Valentini-n, Atë Pjetër Meshkallën, Atë Ndoc Saraçin, Atë Zef Saraçin, etj.

Salezianët e salezianet, të përhapun në disa qendra në Shqipni, të cilët simbas drejtuesit e pedagogut të madh Dom Gjon Bosko, merreshin kryesisht me rini, tue shtie nder ata shpirtin e uratës e të punës. Orionitët, edhe këta në gjasim të Salezianëve.

Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Vinçenciane, të cilat punojshin aq shumë për edukimin e vajzave në shoqni fetare, në shkolla femnore e Vinçencianët nder spitale. Ishte dhe një numër i madh meshtarësh që shërbejshin në famullitë, o gjindeshin në qytete për të mbajtë shkollat, licetë.

Ndër dhunat e para të qeverisë komuniste ndaj Kishës, kje mospranimi i Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, në vjetin 1945, kur po kthente mbas vizitës te Papa, prej Rome në Shqipni. Tue zbritë në Durrës, i kje ndalue të hymit. Në vendin e tij emnohej si Zavendës – delegat Apostolik, Ipeshkvi i Abacisë Nullius, Imzot Frano Gjini. Imzot Gaspër Thaçi, së bashku me Imzot Vinçenc Prennushin u thirrën prej Enver Hoxhës që u kërkonte bashkëpunim, me konditë që këta të shkëputeshin nga Selia Shejte. Të dy refuzuan me guxim këto propozime.

Mbas vdekjes së Imzot Gasper Thaçit, Enver Hoxha provoi përsëri një tentativë tjetër, tue thirrë Imzot Frano Gjinin. Refuzimi i Imzot Gjinit ishte i premë: “Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shejte”. Asnjë nga Kleri Katolik nuk pranoi skizëm gjatë historisë së përsekutimit.

I pari meshtar i pushkatuem në Shqipni ka qenë Dom Lazer Shantoja në vjetin 1945. I’u banë tortura të tmerrshme në trupin e tij, tue e copëtue kambësh e duersh. Kur e pau e ama e vet në atë gjendje, i u lut qeverisë tue i thanë se: “E paguej unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askuj në atë gjendje”!

Shpejt u arrestuen meshtarë françeskanë, si: Atë Gegë Luma, famullitar në Berishë, e me radhë Atë Dioniz Makaj, në Nikaj e Mertur, Atë Alfons Çuni, Atë Gaspër Suma e Atë Sebastian Dedaj në Theth e Gomsiqe, meshtari misionar gjerman Dom Zef Maksen, e sa e sa të tjerë.

U burgosën Atë Gjergj Vata, i cili nuk ishte konsakrue ende meshtar, e Atë Jak Gardin-i i Shoqnisë “Jezus”, italian me origjinë, por me vepra, shqiptar i fortë.

Në liceun e Françeskanëve edhe atë të Jezuitëve, në vjetin shkolluer 1945, imponohej nga regjimi formimi i një celule të rinisë. Vinte një propagandist që fliste. Prezent ishte edhe një profesor, simbas radhe. Në radhën që kishte pasë Atë Jak Gardin-i, i kishte paraqitë mbledhjes së të rijve disa objeksione. Ditën e Shën Luigj Gonzagës, me 21 qershuer, Atë Gardini mbajti predkun në kishë tue naltue figurën e shejtit.

Në kishë ishin edhe disa “agjentë civila”, që shënojshin fjalët e tij mbi Zotin e Shejtin. Në këtë ditë të 21 qershorit, ora 9 të mbramjes u arrestue. Ky ishte shkaku i arrestimit dhe i dënimit me dhjetë vjet burgim, që do t’i kalonte nepër burgjet e kampet e punës të Maliqit të Korçes e të Bedenit të Kavajës, pasqyrue ne librin e tij “Dhetë vjet burg në Shqipni”, i përkthyem në disa gjuhë të Europës dhe në gjuhën shqipe prej Mons. Simon Filipaj.

Me datën 21 të qershorit u arrestue për të parën herë dhe Atë Gjergj Vataj.

Me 31 të dhetorit 1945, u zbulue organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar” me të krishtenë, myslimanë e rrajën e kishte në Seminarin Papnuer në Shkodër. Prej një zelli atdhetar, disa seminaristë vepruen pa dijeninë e të pareve, me disa aksione shtypi, me trakte që shkaktuen edhe arrestimin e pushkatimin e Atë Giovanni Fausti-t, italian, nënprovinçial i Shoqnisë “Jezus” dhe të Atë Daniel Dajanit, shqiptar, Rektor i Kolegjës e i Seminarit.

Në një grup me këta bashkuen edhe intelektualin aq të shquem shqiptar, Atë Gjon Shllakun, nxanës i neotomistit të shekullit, Jean Jacques Maritain, të akuzuem padrejtësisht se kishte formue demokristianen. Me këtë grup u pushkatue dhe organizatori kryesor, seminaristi Mark Çuni. Gjithësej shtatë vetë, në një ditë të mbylltë me shi e me vaj, të datës 4 mars 1946.

Në dosjet e tyne të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, në momentet para pushkatimit, u gjetën fjalët: “Rrnoftë Krishti Mbret” dhe “Falim anmiqtë tanë”.

Lëvizja e Postribës, me 9 shtatuer 1946, arrestoi dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë ata në ketë levizje. Arrestohen Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Laca. Të tre këta prelatë u pushkatuen.

Në vjetin 1946, zbuluen në malësi të Dukagjinit Atë Anton Harapin, anëtarin e Regjencës, që mbas torturave të randa, u pushkatue së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin.

Provinçialin e françeskanëve, Atë Mati Prennushin, dhe gardianin e fretenve në Shkodër, Atë Çiprian Nikën, të akuzuem me shpifje se kishin futë armët te lteri i kishës së Shënandout, në kishën françeskane të Gjuhadolit, të cilët, mbas një qëndrimi trimash në gjyq, u pushkatuen e vdiqën martirë.

U dënuen e vuejtën randë nder burgje Atë Pal Dodaj, Atë Donat Kurti, Atë Aleks Baqli, Dom Tomë Laca, Atë Mëhill Miraj, Dom Nikollë Shelqeti, Dom Mark Hasi, Fra Zef Pllumi. Kuvendi i françeskanëve të Gjuhadolit u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme që na e përshkruen saktë Atë Zef Pllumi në librin e vet “Rrno per me tregue” dhe në një burg, ku marrin frymë afër 700 të burgosunish.

Edhe frateli i përvuejtë i françeskanëve, fra Ndue Vilaj, që pësoi vetëm tortura, kurse frateli i shquem nga Kosova, i Jezuitëve, Gjon Pantalija, vdiq mbrendë nder tortura. Atë Pal Dodës, i’u gjet nder mundime si një motër e mirë, Drita Kosturi, e si një vëlla i vërtetë nder çastet e vështira, në burgun e Durrësit, Imzot Vinçenc Prennushit, Arshi Pipa.

Shumë meshtarë e rregulltarë u arrestuen, u torturuan dhe u dënuen me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Herë mbas here, në orët e para të agimit, mbas vorrezave të Rrëmajit në Shkoder, dëgjoheshin krismat e pushkëve që shtrijshin përdhé meshtarë, rregulltarë e sa civilë katolikë e muslimanë. Llojet e torturave ishin nga ma të ndryshmet, si: korrenti elektrik, mbushja e gojës me krypë, kamxhiku e druni, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë të akullt për disa ditë, me ecë kambë zbathë mbi pllaka të kuquna metalike, me të shtie vezë të zieme nën stjetull, pakësimi i ushqimit për të shkaktue vdekjen, ilaçe për të shkatërrue sistemin nervuer e për të ba të flasësh çka nuk di as ai vetë, e lloje të tjera të shpikuna nga njerëz të Sigurimit të pashpirt.

Vinë me radhë, Dom Anton Muzaj, i torturuem për vdekje, të cilin e liruen gjallë e për gazep, që mbas pak muejsh, vdiq në arqipeshkvi në moshën 29-vjeçare. Dom Dedë Maçaj, porsa meshtar i ri, u pushkatue para regjimentit ushtarak në Përmet.

Do të vdisshin, pa gjyqe, ndër tortura, Atë Bernardin Palaj, të cilit, i lidhën trupin me një tel të ndryshkun, vdiq nga sëmundja e tetanozit. Dom Lekë Sirdani e Dom Pjetër Çuni, arrestohen e do të vdesin ndër tortura me krena teposhtë në gropat e zeza. Dom Dedë Plani, Dom Luigj Bushati e Dom Luigj Prendushi, u pushkatuen. Atë Bernardin Llupi u pushkatue në Pejë. Dom Alfons Tracki e Dom Zef Maksen, i pari me origjinë polake dhe i dyti gjerman, u pushkatuen. Atë Serafin Kodës i duel shpirti me gabzherrin e nxjerrun nga fyti. Papa Pandit, prift i ritit oriental në Korçë, i prenë kokën, tue i’a vendosë mbi trupin e tij të vdekun e Papa Josifin, prift i ritit oriental në Elbasan, e mbytën në kampin e punës së mundimeve në kënetën e Maliqit.

Këta janë shembuj të naltë të jetës para vdekjes në jug, të cilët i përshkoi në shekullin e parë Apostulli Pal, e Apostulli Andrea. Krishtënimi nuk ka hy në Shqipni nga pushtuesi. Roma e kishte pushtue Ilirinë, por ajo ka persekutue idhtas të krishtenët e krejt Perandorisë.

Dom Mark Gjanit, tue e torturue, i kerkuen ta mohonte Krishtin. Përkundrazi Dom Marku tha fjalët e fundit mes dhimbave: “Rrnoftë Krishti Mbret!” Vdiq i varun nder shpatulla, tue i’a hjedhë trupin qejve e mbeturinat e tij i lëshuen në përrue. Tamam ashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit, e me prelatin e lavdishëm, Imzot Pjetër Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tue nxjerrë prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedës, Mons. Gaspër Thaçit, Mons. Ernest Cozzi-t, Mons. Bernardin Shllakut, Atë Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa dijtë gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba një monument.

Motër Maria Tuci, përsonë që i kushtohej Zotit, kje arrestue e provoi torturat e një lloji antinjerëzuer, por qëndroi heroike për të ruejtë fe e nder. Mbasi u lirue nga hetuesia, vdiq shpejt në spitalin e Shkodrës. Tortura të jashtëzakonshme provuen Atë Anton Luli, pater i “Shoqnisë Jezus”, që pat torturën e “Lojës me top”, korrentin e rrymës elektrike e torturën e mijëve e tjera të paraqituna në librin e tij: “Atë Anton Luli S.J. Ne e dijshim martir…” Atë Frano Kiri provoi në Sigurim tri ditë e tri net, i lidhun me trupin e një të vdekuni dhe e zgjidhën, “ndërsa kullojshin langjet e trupit të të vdekunit” fakt i shkruem nga Atë Konrad Gjolaj në librin e tij “Çinarët”. Kurse Atë Gjon Karmën, jezuit, e shtinë në një arkivol për së gjalli, të mbuluem me kapak, tue pasë ndonjë birë të çilun, por pa e dijtë i torturuemi. /Memorie.al

blank

Amik Kasaruho: Personalitet e Kishës Katolike që dhanë mësim në Shkollat Shqiptare – Nga Ndue Hoti

Ne kuadrin e 109 vjetorit te KUVENDIT te Rrubikut ne prag te PAVARSISE, me 12 maj 1912.
Amik Kasaruho: Personalitet e Kishës Katolike që dhanë mësim në Shkollat Shqiptare, May 4, 2017
(n.h. : Vertete Shqiperia nuk kishte arsim masiv, por kishte individe mjaft me nivel te larte, te nivelit europjan e botnor)…
Sipas Amik Kasaruhos në ”Kisha katolike dhe shkolla e parë shqipe” ishin; At Leonardo De Martino (arbëresh) (1830-1923), poet; At Ndue Bytyçi (1847-1917) poet, studiues i pedagogjisë: At Anton Xanoni (1863-1915) shkrimtar, autor tekstesh shkollore dhe përpilues antologjish letrare; Dom Ndre Mjeda (1866-1937), poet dhe filolog; At Pashk Bardhi (1870-1948), shkrimtar; At Shtjefen Gjeçovi (1874-1948), etnolog, studiues i të drejtës zakonore: At Gjergj Fishta, (1871-1940), poet; At Anton Harapi (1888-1946), orator, publicist; At Justin Rrota (1889-1964), linguist; At Marin Sirdani (1885-1962), shkrimtar dhe historian; At Bernardin Palaj (1894-1949), etnolog dhe poet; At Pal Dodaj (1880-1951) publicist; At Donat Kurti (1903-1983), etnolog dhe pedagogjist; At Benedikt Dema (1904-1960), shkrimtar dhe publicist; At Gjon Shllaku (1907-1946), filozof dhe pedagogjist; At Daniel Dajani (1916-1947), publicist.
Shtypshkronjat
Mjafton me thanë, se qyshë ndër vjetët ma të para kjenë sjellë shtypshkronjat në Shqypni. Përmendët ajo e Obotit në vj.1493. Një mjegull aziatike na ndanë prej atyne kohve e gjatë robnisë kje shue gjithshka. Me të mëkambun të shkollave u ndie edhe nëvoja e shtypit e, katolikët kjenë që ia sollën të parat shtypshkronja vendit tonë.
Në vj. 1871 Jezuitët prunë në Shkodër ma të parën shtypshkronjë në këto ana.
Pesë vjet mbrapa botohët me te libri shqip i Don Engjëll Radojës “Dotrina e Kerscten”; në vj. 1881 “Gramatika për gjuhë shqype” e P. J. Jungg S. J., e në vj. 1892, “Vakinat e ligs herscme e t’ ligs ree”, të Don Pashko Babit. Ç’prej asaj kohë e deri me sot kjo shtypshkronjë ka botue ma shumë se 320 vepra të ndryshme, shqip e në gjuhë të hueja.
Në vj. 1909 Don Ndoc Nikaj, pruni në Shkodër me shpenzime të veta një shtypshkronjë të re “Nikaj”, që botoi deri në vj. 1922 afër 52 vepra në gjuhë shqipe. Po me këte të Shkodrës me makina ma moderne çili një tjetër në Tiranë (që asht edhe sot në vj. 2012 F.R).
Në vj. 1913 Dr. Terenc Tocci, pat sjellë në Shkodër shtypshkronjën ‘Taraboshi”.
Në vj. 1916 Françeskanët sollën në Shkodër një shtypshkronjë, me të cillën u botuen afer 112 vepra të ndryshme të gjitha në gjuhë shqipe, me ndonjë përjashtim.
Shkrimtarët e librat
Për me e paraqitë në një mënyrë ma të gjallë shkakun, që i dha zhvillimit të gjuhës e të kulturës, të shikohën librat e shkrimët e botueme e dorëshkrimet e ruejtuna nëpër biblioteka.
Në ketë katalog të madh, që edhe ne na vjen mërzi me e lexue, gjejmë libra: Besimi, Morali, Gramatologjije, Letërature, Historie, Socjologjie, Didaktike, Filozofije,Shkencash positive, etj. Shkrimtarët katolikë shqiptarë, përveç se ndahën në shenjë për zotësi, janë edhe të lodhëshëm, pse, për me ia mërrijtë idealit, që kanë pasë synim, të kulturës e t’Atdheut, përdorin edhe shtypin e jashtëm e gjuhët e hueja; kështu, që, asht punë e vështirë me e paraqitë në mënyrë të saktë e të plotësuem vëprimin e tyne. Megjithkëte kemi mërrijtë, për kurjozitet, me i numërue veprat ma të njohtuna e me caktue simbas shekujsh numurin e tyne aproksimativ.
Prej këtej mund të shihët se, para vjetës 1800 gjuha e jonë s’ kishte me pasë asnjë shqipe, po t’u hiqëshin shkrimtarët katolikë deri n’ atë kohë d.m.th. D.Gjon Buzuku 1555, D. Fran Bardhi 1635, D. Pjetër Budi 1664, Emz. Pjetër Bogdani 1685, Autorët Fran Geskaj, qi kemi përmendë, tue folë mbi shkolla, Kuvendi i Arbënit 1706, Kazazi 1743, dhe po t’u hiqëshin edhe autorët jashta Shqipnije d.m.th. Lukë Matranga 1592, Nil Catalani 1694, Nikoll Filia 1736, D. Jul Variboba 1762, Teodor Cavallioti 1770 etj. të cillët i ngritën një monument të pamort gjuhës sonë.
Leteratura e jonë mandej, s’ kishte me e pasë as të katërtën pjesë, për mos me thanë krejt pa gja, të materialit e të përparimit që ka sot, po t’ u hiqëshin 460 vepra të numërueme deri tashti, pa marrë parasyshë të përkohëshmet, e po t’u përjashtonin 136 shkrimtarë katolikë, prej të cillëve kjenë që morën pjesë në Kongres të Manastirit e në Komisjonin letrar të vj. 1916.
Prej vj. 1555 deri në vj. 1700 njohim 12 vepra, e 9 autorë, Imzotë Buzuku, Imzot Bardhi, Imzot Budi, Imzot Bogdani, Dom Barleti, Tivarasi etj.
Prej vj. 1700 deri në vj. 1800, kemi 11 vepra, 9 autorë e 6 dorëshkrime, ndër këta P. Francesk M. de Lecce O. F. M., Kuvendi i Arbnit, D. Gjon Kazazi etj.
Prej vj. 1800 deri në vj. 1900, kemi numërue 81 vepra, 34 autorë e 4 dorëshkrime.
Ndahën në shenjë në këte kohë: P. Leonardo de Martino OFM, që, i pari nisë e lëmon vjerrshat shqipe mbas metrikës moderne e, mundohët me shpirtë me interesue botën e qytetnueme për çeshtje shqiptare.
Monografia e parë shqiptare asht ajo e Pashko Vasës “Shqypnia dhe Shqyptarët” 1879.
Zef Jubani (i Ndok Hilës), i cilli n’ anë të Veriut kje i pari që mblodhi kangë shqipe e i përkthei në italisht.
Pashko Vasa, i cilli mësimet fillore i bani në shkollën françeskane në Shkodër, filloi me shkrue që ndër vjetët e para e botoi 6 vepra në gjuhë të ndryshme për pavarësi shqiptare. Kaq me urti e dije punoi, sa, mërrijti me ia mbushë mendën Abdull Hamidit t’i epte lejën me ngritë në vj. 1879, një shoqni letrare shqiptarësh mbrendë në Stambollë. Në këte rasë Pashko Vasa, në bashkëpunim me të tjerë, trajtoi një alfabet të përgjithshëm për shqiptarë e që, atëherë, ai ka parasyshë unitetin e kombit, dashtninë ndaj të cillit e shprehi plot ndijesi në kangën, që këndojmë edhe sot në poemën “E mjera Shqipni”: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni……….”
D. Ndoc Nikaj, i cilli filloi që në vj. 1888 me i dhanë kombit libra shqip. Shkroi shumë ndër të përkohëshme e fletore; deri sot ka shkrue 12 vepra.
Në vitin 1889 u shkruejt romani i parë: “Marçia” nga Dom Ndoc Nikaj,
Mandej, janë për t’u përmendë: D. Engjëll Radoja, D. Pjetër Zarishi, P. Françesk Rossi da Montalto O. F. M., P. Jak Jungg S. J., D. Ndue Bytyci, P. Tomë Marcozzi O. F. M., D. Pashko Junki, D. Pashko Babi e tjerë shkrimtarë të rinjë, të cillëve u del zani në shekullin e XX.
Duhët pasë parasyshë, se edhe andej detit, n’Itali, katolikët italo-shqiptarë tregojnë një dashni të posaçme për Atdhe të lanun, zhvillojnë një literaturë fort të haptë e i apin nxitje të madhe kulturës e idesë kombëtare. Dallohën në shenjë ndër ata të herëshmitt: Lukë Matranga, Nikoll Filia, Jul Variboba, Nil Catalani etj; ndër ata ma të vonët: Jeronim de Rada, i cilli, përveç shkrimësh të panumur e propagandët, shkroi edhe 13 vepra me randësi për gjuhë e çashtje kombëtare; P. Anton Santori O.F.M. që shkroi tri vepra shqip e shumë vjerrsha satirike;
Zef Serembe; Zef Schiro, që shkroi 9 vepra me randësi e shumë shkrime rasët; Zef Camarda etj.
Në vitin 1899 Imzot Prengë Doçi, Abat i Mirditës themelon në Shkodër Shoqninë Letrare “Bashkimi”.
Prej vj. 1900 deri në vj. 1912, pra, mbrenda 12 vjetëve, gjejmë 59 vepra e 16 autorë. Dallohën, sidomos: P. Gjergj Fishta O. F. M., që në ketë kohë shkruen:”Lahuta e MaIcis” 1905; “Anxat e Parnasit” 1907; “Pika voeset” 1909 etj. deri në ditë të sotme gjithsejtë 17 vepra, të gjitha shqip e plot ndjesi kombëtare.
Luigi Gurakuqi, i cilli, gjithë dashni për Atdhe e kaloi rininë e vet në mërgim, s’le të përkohëshme pa e mbushë me artikuj të vet, s’ len shoqëni shqiptarësh pa marrë pjesë edhe ai vetë. Shkruen 6 vepra të ndryshme.
P. Anton M. Xanoni S. J. i cilli, si punëtor i palodhun i gjuhës shqipe, shkroi mase 14 vepra e la shumë dorëshkrime.
Ashtë poema “Sintezë” e At Bernardin Palajt( i Palajve të Shllakut),
Në vitin 1925 ashtë vepra e parë në fushën e stilistikës ” Literatyra Shqype” e At Justin Rrotës.
Në Shkodër u botua e para vepër albanologjike, e para Histori e Letërsise Shqype, e para vepër Enciklopedike.
P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M. i cilli, që në rini të vet u vu me mbledhë prej gojës së popullit shka asht ma e bukur në gjuhë e ndër doke tona; shkroi shumë në tëpërkohëshmën “Albania” e, na la 7 vepra të ndryshme, ndër të cillat edhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit”.
Përveç këtyne, dallohën në shenjë si shkrimtarë të mirë në të përkohëshme e fletore:
P. Pashk Bardhi, Hilë Mosi, Filip Shiroka, Mati Logoreci, Gaspër Merturi, Kolë Thaçi etj.
Prej vj. 1912 deri në vj. 1933 shkrimtarët shtohën e punojnë përherë e ma me zell.
Kemi mërrijtë me numërue 304 vepra të ndryshme e 69 autorë. Kanë një randësi të posaçme:
Dr. Terenc Tocci për artikuj, që shkruen e për 8 vepra që boton;
P. Vinçenc Prennushi O. F. M. për artikuj të panumur e për 20 vepra të ndryshme.
P. Fulvio Cordignano S. J. që shkruen mbi shumë çashtje të ndryshme e dy libra.
P. Ndoc Saraçi S. J. i cilli, boton 13 libra shkolle.
Karl Koliqi, që shkruen në shumë të përkohëshme e fletore, përkëthen mirë 8 vepra.
Ernest Koliqi, i cilli tue bashkëpunue ndër shumë të përkohëshme, mërrinë me fitue një stil të rrjedhëshëm e elegant, shkruen vetë e perkëthei gjithësejtë tri vepra.
Ma shumë dallohën gjatë kësaj kohë për botime të ndryshme e artikuj me randësi:
P. Ambroz Marlaskaj O.F.M., Gaspër Mikeli, P. Anton Harapi O.F.M., Gaspër Beltoja, D. Lazër Shantoja, P. Marin Sirdani O.F.M., Zef M. Harapi, P. Justin Rrota O.F.M., Kolë Kamsi, D. Gaspër Gurakuqi, D. Lekë Sirdani etj.
Disa dijetarë klerikë katolikë dhe ish studenta të shkollave jezuite dhe françeskane të pas Luftës Dytë Botnore
…..disa nga intelektualet e sotëm shkodranë të periudhës së mbas Luftës së Dytë Botnore e deri në ditët e sotme. Po fillojmë me perkthyesit e mëdhenj, prof. Gjon Shllaku, prof. Henrik Laca, prof.Pashko Gjeci, Frano Alkaj, prof. Ernest Koliqi, akademik, Injac Zamputti(nanën prej Shllakut e babën italian), Nikolle Daka, Mark Dema, Ferdinand Leka, Zef Simoni e te tjere ma të ri që banë aq bukur me folë shqip Homerin e Danten, Gëten e mjaft kryevepra të letërsise botnore., personalitete keto që i blatuen kultures kombetare aq shumë vlera shkencore albanologjike, gjuhesore, etnografike, arkeologjike, historike, bibliografike, muzeale e çfarë jo tjeter………… At Marin Beçikemit, At Donat Kurti, Luigj Gurakuqi, Marin Sirdani, At Justin Rrota, Gjon Sinishta, Vitor Vola, Stefë Curani, Rrok Zojzi, prof.Kolë Ashta, Nikollë Mazrreku, Gasper Gurakuqi, Anton Logoreci, Luigj Marleka, Injac Zamputi, prof. Luigj Benusi, prof. Pjetër Radovani,….
Në letërsi
Disa prej personaliteteve shkodrane te letersise e arteve, të së shkuemes pa të cilet nuk mund të kishte histori shqiptare letersie, arti e kulture ; shkrimtaret At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Pashko Vasa, Dom Ndoc Nikaj, Dom Ndre Zadeja, At Anton Harapi, Imzot Vinçens Prennushi, Hilë Mosi, Gasper Pali, profesor Benedikt Dema, Dom Lazer Shantoja, Zef Zorba,.. “Imzot Lazër Mjedën, meshtar e atdhetar i flaktë, themelues i shoqërive letrare e botuese, mecenat e lavrues i letrave shqipe;
– Imzot Prengë Doçin, luftëtar i idealeve të binomit “Fe e Atdhe”, politikan e diplomat, themelues i shoqërisë “Bashkimi” e autor krijimesh artistike;
Mosnjohja e letërsisë shqipe në gegnishte
“…..sot 70% e letërsisë shqipe e shkrueme në Gjuhën Gegënishte, nuk njihet fare nga intelektualët dhe brezi i ri, ndonse gjoja kanë mbarue edhe shkolla të nalta, por tue mos harrue se këto shkolla i kanë përfundue me librat e botuem nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, të mbytun fund e krye me rrena, mashtrime dhe me ideologjinë antiatdhetare marksiste – leniniste…. Fritz Radovani “Kur Gegët do të ndiejnë veten N’Atdheun e vet?!” Pershndetje Konferencёs shkencore me temё “Gegnishtja sot…” Melbourne, 19 Dhjetor 2011.
Pjetër Bogdani(1625-1689), ipeshkvi i Shkodrës dhe arqipeshkvi i Shkupit më 1667 vdiq i sëmurë në Prizren dhe dëshira e tij e shprehun dikur u ba realitet. ”Ah, sikur të kisha një kandil të ndezun e të ndriçoja atë tokë të vorfën të Shqipnisë dhe të Serbisë, një pjesë e madhe e secilës flet shqip”.
Tags: (1871-1940)Amik Kasaruhos në ”Kisha katolike dhe shkolla e parë shqipe” ishin; At Leonardo De Martino (arbëresh) (1830-1923)At Ndue Bytyçi (1847-1917) poetautor tekstesh shkollore dhe përpilues antologjish letrare; Dom Ndre Mjeda (1866-1937)etnologetnolog dhe pedagogjist; At Benedikt Dema (1904-1960)etnolog dhe poet; At Pal Dodaj (1880-1951) publicist; At Donat Kurti (1903-1983)filozof dhe pedagogjist; At Daniel Dajani (1916-1947)Kisha katolike shqiptareKleriket qe kane dhene mesim ne shkollat shqipelinguist; At Marin Sirdani (1885-1962)oratorpoet dhe filolog; At Pashk Bardhi (1870-1948)poet; At Anton Harapi (1888-1946)poet; At Ndue Bytyçipublicist; At Justin Rrota (1889-1964)publicist.shkrimtar dhe historian; At Bernardin Palaj (1894-1949)shkrimtar dhe publicist; At Gjon Shllaku (1907-1946)shkrimtar; At Shtjefen Gjeçovi (1874-1948)studiues i pedagogjisë: At Anton Xanoni (1863-1915) shkrimtarstudiues i të drejtës zakonore: At Gjergj Fishta
blank
blank
blank
blank

At Pal DODAJ(1889-1951), figure e shquar ne Levizjen per PAVARSI ne GUREZ-BREGU i MATES-1912 – Nga Ndue Hoti

Ne kuadrin e 109 vjetorit te KUVENDIT te Rubikut

Atë Pal Dodaj lindi në Janjevë afër Prishtinës, në Kosovë, më 3 shtator të vitit 1889. Ende i vogël, shkoi në Shkodër për t’u shkolluar ndër Etërit Françeskanë, me synimin që të vishte zhgunin e Shën Françeskut të Asizit. Nisi prandaj mësimet në Kolegjin e Troshanit, ndërsa noviciatin e jetës rregulltare si dhe studimet filozofike e teologjike i kreu në Firence të Italisë. Aty, më 19 korrik 1902 kremtoi edhe Meshën e Parë, për t’u kthyer menjëherë në Atdhe, i gatshëm për t’i shërbyer Kishës e Kombit.
Filloi punën si profesor i filozofisë, ndërsa u caktua edhe si epror Guardian e më pas, epror provincial i parë shqiptar i Provincës Françeskane Shqiptare. I dashur me të gjithë, Atë Pal Dodaj solli në provincë frymën e gëzimit të vërtetë françeskan, të paqes e të të mirave. Atë Pal Dodaj njihet edhe si mbrojtës e mbështetës së njerëzve që kultivonin kulturën e ndihmonin çështjen e Kombit Shqiptar. Kuvendin Françeskan të Rubikut e ktheu në strehë mbrojtjeje për të përndjekurit nga padrejtësitë e një kështjellë të idealeve të lirisë e të pavarësisë. Atë Pal Dodaj qe historian e publicist. Botoi në revistën “Hylli i Dritës” e në shumë revista të huaja. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.
La pas vete edhe vepra të rëndësishme si kronika, “Shqipnia e kohës së mesme” (1913), “Dorëshkrimet e Atë Gjeçovit” (Romë 1936), “Provinça misionare e Zojës Nunciatë në Shqipëni” (1923). Veprimtaria e françeskanëve në Shqipni (Milano 1940); së bashku me Atë Gjergj Fishtën e Zef Schiroin përktheu në italisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit” që u botua nga Akademia Italiane në Romë më 1941.

Për të gjitha këto e veprimtari tjera në fusha të ndryshme në shërbim të popullit e Kishës, Atë Pal Dodaj ka merita të padiskutueshme sepse punoi dhe i shërbeu “Dritës së Vërtetë” e regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi duke e torturuar mizorisht sepse ishte errësirë e, derisa i afrohej vdekjes, për shkak të moshës së shtyrë, e dënoi edhe me pushkatim, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm, prej nga e liroi shumë shpejt motra vdekje, që erdhi dhe e mori për dore në një nga qelitë e burgut komunist më 5 shtator 1951, për ta sjell në Dritën e Vërtetë të Amshimit.

Një fragment nga vepra e Atë Paulinit, prof. Margjokaj: Kontributi i Pukës për pavarsí të Shqipnisë, titulluar “Rrubigu, çerdhe e atdhedashësve”.

Shkruan françeskani shqiptar Prof. Atë Paulinit Margjokaj:
“Rrubigu kje porsi çerdhe kû u struken njerz me randsí, të cilët mâ vonë u banë ministra, deputet e komandanta ushtrijet; mâ teper se njiherë edhe vetë N.M. e Tij mbreti i sotshem” – kshtu lexohet në Hylli i Dritës 1937, Nr fruer-marc, fq 74.
Në Rrubig, si na kumbton i atë Pal Dodaj në të njajtin vend të cituem, kje shkrue memorandum-i5, në bazë të të cilit në kongresin e Shkupit Shqipnija do të delte autonome. Ky dokument u shkrue n’emen të kryetarve të Shqipnisë së Mesme e të Veriut e u kompilue me bashkëpunimin e ipeshkvit të Lezhës (emzot Luigj Bumçit), t’ipeshkvit të Zadrimës-Pukë (Emzot Gjergj Koleci), të Pal Dodaj, të Gjergj Fishtës e të Dom Nikollë Kimzës.
Si shperthei lufta ballkanike, prap në kuvendin e Rrubigut kjenë mbajtë dý mbledhje tjera: njana nen kryesinë e arqipeshkvit të Durrësit, imzot Prenk Bianchi, tjetra nen ipeshkvin e Zadrimës e nen Abatin e Mirditës (Prenk Doçi). Nder kto dý mledhje u rrah çashtja nëse ishte mâ mirë per Shqiptarë me u bashkue me Lidhjen Ballkanike apo me u bâ me ushtrí otomane, mbasi të kishim xjerrë prej Turkisë sigurimin e pavarsisë kombtare. Pal Dodaj nuk na e thotë kjartë n’artikullin e vet (Hylli i Dritës, citue sypri) se si e danë ket çashtje, ai na thotë vetem se “kto dý mbledhje paten per qellim me dá a ishte mâ mirë…”, por nuk thotë se kshtu apo ashtu e dane.
Poeti kombtar ka dashtë me na e bâ të pavdekshem emnin e ktij frati, prandej e ka shtî në Lahutë të Malsisë. Në kangen 28 na kallxon Fishta se si nji heró i Malsisë, me emen Llesh Nik Daka, jet i varruem randë në Rrushkull afer Durrësit prej pushkve trathtare shqiptare e se ky lypë me e çue në kishë të Fretenve në Rrubig, ku dishron me kenë i vorruem ( kjo ngarje âsht hist

Atë Pal Dodaj ishte Kosovar prej Janjevet, prej kah âsht kenë edhe Atë Shtjefen Geçovi, qi Serbët e mbyten në vj. 1929, prej kah âsht kenë edhe Atë Luigj Paliqi, qi shkjetë e paten mbytë me 7 marc 1913, prej kah ishte edhe Atë Loro Mitroviqi (Mazreku) qi e mbyten komunistat serbo-shqiptarë ase mâ mirë me thanë shqiptarët komunistë të shtymë prej Serbve në vj. 1943. Sikurse kta tre freten kosovarë i kan mbytë Serbët, nuk âsht per t’u pritë tjeter veçse edhe i katerti, Atë Pal Dodaj, të hidhej në burg komunist dhe aty të vdiste. Në Rrubig lajmet i merrte Atë Pal Dodaj prej nji miku të vet qi rrite në Shengjin. Ky ishte agjent i Loyd-it Trieshtin (Shoqnija e Vaporreve mâ e madhja e Austro-Ungerisë) e quhej Fr. U. Matković. Si kroat qi ishte, simpatizote per Shqiptarë e ishte i njoftun me Pater Palin shum vjet perpara. Krye javet ky merrte prej Matkovićit jo vetem gazeta me shumicë, por edhe lajme tjera të shkrueme nder letra të mshehuna nder gazeta mbrendë, lajme qi Matkovići i ndiete prej vetë oficerave serb e malazez (Shengjinin e kishin kta në dorë qysh në fillim të luftës ballkanike) si edhe prej kapitanavet t’anijeve qi kalojshin neper limâ. Mund të thohet prá se kurrnji vend në Shqipní nuk kishte aso here mundsinë me e njoftë mâ mirë gjendjen e Shqipnisë si edhe gjendjen e politikës europjane në lidhní me atdhenë t’onë në rrezik me mbetë i shkyem nder çapoj t’anmiqvet”.

blank

MALEVE TONA KRESHNIKE NUK I MBAROJNË KURR BURRAT! – Nga Fritz RADOVANI

 

blank

DON DEDË MALAJ

(1917 – 1959)

“E Premtja e zezê nê Shqipni ka fillue me 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa tê mbarojê komunizmi!” Don D. MALAJ, 24 Prill 1959, kur asht hap gjyqi komunist kunder Tij në Shkoder.

     M U E J    MAJI   2 0 2 1 :  K u j t o j m ë …

6 Maji 1405 – U le Gjergj Gjon Kastrioti – Skenderbeu, Princ i Shqipnisë.

4 Maji 1874 U le Imzot Jul BONATTI, U dënue 5 vjet burg pa dijtë asnjë shkak. Ishte dijetar dhe perkthyes i njohun i disa gjuhve… E sollen nga Italia… Vdiq në një çmendi i shkymë copa copa…

5 Maji 1877 U le At Pashko PRELA (1877 – 1966) Në 1945 Rektor i Kishës së Tiranës.

17 Maji 1896 Asht le At Gjon Karma. Mbas 17 vjetësh burg u interrnue … Vdes në 1975.

12 Maji 1904 u le At Mëhill TROSHANI. Arrestohet në Tiranë me 28 Tetor 1947.  Prap në 1967 arrestohet per Pagzim të një fëmije…Dënohet 8 vjet, dhe në fjalen e fundit tha: “Nuk kerkoj asgja prej jush, po idenë teme do ta mbroj deri në vdekje!”

31 Maji 1915 U le Don Pashko Muzhani. Asht dënue me akuza fallco 15 vjet burg… Vuejti dënimin në kampet e shfarosjes komuniste.

6 Maji 1916 U le At Gjergj VATA S.J. Fillon Kalvarin në 1945. I arrestuem tri herë… Por, i pathyeshem deri në fundin e jetës !

21 Maji 1916 U le At  Sebastian DEDA. Në vitin 1946 u dënue 5 vjet…

Vdiq në 1984. E mbylli jeten tue punue në ngarkim shkarkim.

19 Maji 1919 U le Don Zef BICI, I pushkatuem me 10 Maji 1968 me “Revolucionin kultural të 1967”.

15 Maji 1921 U le në Kosovë Don Anton Muzaj, në hetuesi tek kuvendi i fretenve u smue  nga torturat dhe vdiq në vitin 1948.

8 Maji 1924 At Gjergj FISHTA: Fjalim mbi vorrin e Avni Rrustemit në Vlonë.

30 Maji 1940 Asht le në Shkoder piktori Ferdinand PACI. Vdiq me 13 Shtator 1969 aksidentalisht në Dukagjin…

6 Maji 1942 Vdes tragjikisht Norbert JOKLI (25 Shkurt 1877) Dijetar i madh dhe albanolog.

  • Në gjysmen e muejt Maji 1945 fillojnë interrnimet në gjithë Shqipninë e Veriut, kryesisht në Qarkun Shkoder. Nder të parat asht Familja Mirakaj në Pukë, Familja e Ndoc Jakoves, etj…

25 Maji 1945 Mbasi u largue nga komunistët Delegati Apostolik i Vatikanit në Shqipni Imzot Leone Nigris, Ai ngarkoi Imz. Frano Gjinin Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, të cilin Enver Hoxha e pushkatoi si të gjithë tjerët me 11 Mars 1948 në Shkoder.

26 Maji 1946 Vdiq në vetizolim Argjipeshkvi i Shkodres Imzot Gasper THAÇI.

11 Maji 1947 Mbytet me tortura i zhytun n’ ujë në hetuesinë e Lezhës At Serafin KODA (54 vjeç)…

12 Maji 1947 arrestohet At Paskal Filip GJADRI në Tiranë dhe ban 6 vjet burg të randë…

15 Maji 1948 Don Nikoll LASKAJ (1898) Mbytet në kampin e shfarosjes së Bedenit Kavajë…

10 Maji 1950 Arrestohen në Shkoder studentat e Gjimnazit “29 Nandori” … Perjashtohen nga ai Gjimnaz edhe 70 studenta tjerë vetem per arsye biografije e “Luftë Kllasash”…

9 Maji 1956 Don Ndue SOKU Shugurohet Meshtar. Nuk pajtohet me kurr “Revolucionin kultural të 1967”.

4 Maji 1958 Don Simon JUBANI Shugurohet Meshtar nga Imz. E. Çoba… Bani 26 vjet burg në Burrel, tue lanë kujtimet ma të mira. Me 4 Nandor 1989 tha Meshen në Rrmaji, mbas mbylljes së Kishave.

11 Maji 1959 Pushkatohet Don Dedë MALAJ (1920 – 1959) Gjyqtari i madh i komunizmit.

1 Maji 1960 lirohet nga burgu At Petraq Isak (1914  – 1997) mbasi bani 15 vjet bug.

10 Maji 1968 Pushkatohet Don Mark DUSHI me “Revolucionin kultural 1967”.

5 Maji 1969 Vdes Don Ndre LUFI (1888 – 1969) Klerik i njohun me një qendrim burrnor në burg.

Maji 1973 Vdes në burgun Ballsh Don Anton DOÇi (1915 – 1973) . Bani 13 vjet burg…

21 Maji 1973 Revolta e Burgut Spaçit ku pushkatohen: Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj. Ndersa 78 të burgosunve tjerë u shtohen vitet e dënimit.

13 Maji 1981 Papës GJON PALI II i bahet atentat në oborrin e Kishës Shen Pjetrit… Papa Gjon Pali II shpetoi, po me Ate shpetoi Qytetnimi e Shpresa! E nuk vonoi e, Bota e qytetnueme dermoi prangat e robnisë vllavrasëse…

19 Maji 1992 Vdes Don Kolec TONI (1932 – 1992),  vuejti 11 vjet burg nga 1976…

8 Maji 1995 Vdes Gjon Sinishta, Drejtues i “Buletinit Katolik Shqiptar” Kaliforni USA.

15 Maji 1999 Shugurohet Meshtar Don Nikolin PERGJINI, mbas disa vitesh interrnim.

Asht Famullitar i Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” New York.

***

20 MAJI 1997 PAPA GJON PALI II PRET NË VATIKAN NË NJË VIZITË PRIVATE NANË TEREZEN … PAPA KA THANË PER NANË TEREZEN:
●“NANË TEREZA ASHT GRUEJA QË I DHA FORMË SHEKULLIT XX.”

E ndoshta, Shqiptarët e Trojeve tona ose nuk e dijnë këte thanje ose, e kanë “harrue”!

Sot ma fort se kurr asht mirë me “i thirrë kujtesës”..!

            Melbourne,  Maji 2021.

blank

40 VJETORI I ATENTATIT KUNDER PAPA GJON PALI II – Nga Fritz RADOVANI

13 MAJI 1981: VATIKAN, ORA 17.17’…

U bane 40 vjetë kur Vatikani u la me gjakun e Papës polak Gjon Pali II…

Atentatori turk Ali Akgja u arrestue dhe vazhdoi hetuesinë n’ Itali.

Gjithshka u mbyll pa fillue mbas vizitës së Papës në dhomë t’ atentatorit.

Atentati kunder Papës Gjon Pali II, ishte një atentat i Shekullit XX…

Ndoshta, njëditë Historia e atij Shekulli vrastar edhe do të flasin, po a ka me na thanë të vertetë se: “Kush ishin organizatorët e vrasjes së Papës?!”

Nuk besoj!!.. Nuk besoj, se organizatorët, kush mund ti dinte atëherë?!

E fatkeqsisht, as pistoleta që e gjuejti Papen: “Nuk e din kush e mbushi?”

Vrastarët e Yjeve të kësaj Botë, gjuejn edhe Diellin… Po Ata.., jetojnë!!

Vazhdojnë me jetue ashtusi, Shpresat e njerzimit atëditë me 13 Maji…

E pra, qé thanja e vjeter e Maleve tona: “Jo, jo kurr, nuk vdes i miri!!”

Një Botë në pritje të lajmeve, një Botë e zhytun nder krisma armësh…

Një Botë me sy nga Papa e, një Botë tue lotue per Gjon Palin e II… Ishte po ajo Rini botnore që rreth Papës Gjon Pali II, gjeti gzimin e jetës, gjeti shpresat e Lirisë, gjeti rrugen e qytetnimit e, mbi të gjitha këta: Paqen !

E në cilin kontinent nuk kishte shkelë Papa Gjon Pali II ?? – Aty ku ishte vorfnia ishte edhe prania e Tij, dhe bash aty shtrohej sofra buzqeshjes, e adhurimit, e dashunisë, e vllaznimit dhe e shpresës per t’ ardhmen…

Po, po, n’ atë sofer Rinia botnore, e lidhun bese, burrnije e bujarije, bash aty betohej per një t’ ardhme të lirë, të dashtun dhe plot siguri tek Papa !

Vertetë Papa Gjon Pali II shpetoi, po me Ate shpetoi Qytetnimi e Shpresa!

E nuk vonoi e, Bota e qytetnueme dermoi prangat e robnisë vllavrasëse…

            Melbourne, 12 Maji 2021.

blank

Kush më spiunoi mua në burg Nga Gëzim Peshkëpia

Po jua tregoj: Dalip Zhaboli ka qene ushtarak me grade te larte ne ushtri.

Me ju tregue raportimet (spiunlliqet) e tij qe me ka bere vitet e fundit te denimit duhen faqe te tera.

Ai vetë i burgosur, ka qene aktiv dhe shume i rrezikshem deri ne fund te burgosjes.

Mbas rrëzimit të sistemi komunist, ai vendoset ne post te larte: Drejtor i kampeve e burgjeve.

Ky emerim me pruri ne konkluzione me te thella se per nje emërim ne nje post te tille duhet te “sitej” mire ne nje site te imet.

Kjo me ben te besoj fjalet se keta persona vendoseshin ne poste te tilla dhe duhej te sherbenin me zell se ndryshe u tundesh karta e rekrutimit dhe keshtu i priste diskreditimi.

Origjina e tij nuk na thote gje, prandaj fatmirsisht te jene te qete ata qe mund te supozonin se i takonte shtreses qe trashegonte emer, qytetari e ndonje sherbim te bere kombit si prindet e te tjereve qe zuri shoqeri gjate burgosjes.

Pra nje pleh nga i cili nuk mund te pritej kurrgje e jo me shoqeri e besnikeri.

Mbasi doli nga burgu dhe une erdha nga Gjermania kemi ndenjur ne tavoline shpesh me te e shoket e mij. Kemi kaluar prane neper kaq darka familjare.

Vazhdonte hipokrizia me shprese se nuk do merrja vesh nje dite se raportet qe kishte shkulur nga Dosja ime do kishin goje te flisnin.

Vazhdonte te luante rolin qe i dhane ne revolten e Qaf-Barit kur u hap fjala se rrihesh e pelliste.

I vajten me kot gjeneral plehut.

Gjate burgosjes kam njohur dhe njerez te shtreses qe kishin qene kundra asaj times, por qe kishin reflektuar ndaj mashtrimit qe u ishte bere qofte dhe ndaj idealeve per te cilet ata kishin luftuar.

Kam pasur plot miq prej tyre dhe per ta ruaj respekt si njerez me karakter dhe te ndershem.

Çfare pret prej nje njeriu qe te perqafon per te ndare dhimbjen kur ti humb Nenen e me pas ulet e shkruan “raportin” per operativin dhe i tregon rrezikshmerine qe ke ti per tu arratisur.

Vetem rrethanat e prune qe te lirohem duke fituar disa muaj nga amnistia, sepse riarrestimin tim e kishte “qendisur” mire usta Dalipi i cili kishte vene ne aksion duke e perpunuar e udhezuar spiunin e dale boje Z.SH. qe paralel me të, tëe bente te besueshme shpifjet.

Keto raporte kishin kaluar tek dega e brendshme e Fierit (tek Zv kryetari Per sigurimin) i cili i shkruan Komandes që të mos më lenë me pune jashte rrethimit. Pra me kishte çuar shumë prane ridënimit.

Kam sa e sa te tjera per te thene por tani per te nuk ndjej me as meshire por ndot.

Prita se do reagonte.

I dhashe te kuptoje ne ditelindjen e nje shoku ne lulishten “1 Maji” se jam ne dijeni te gjithçkaje dhe u ngrita nga vendi kur mu ul prane, por megjithese kane kaluar shume kohe para me shumë se dy vjetesh, ai ka prapë ka paturpesine te me testoje duke me kerkuar te behemi miq ne Fb.

Gjykojeni vete se çfare specie eshte!

Per kerkese faljeje nuk behet fjale, sepse ajo kerkon qytetari,kerkon te jesh njeri.

Nuk ka vrasje ndergjegje sepse ndergjegja i mungon !

blank

XX – 2021 VITI AT PJETER MESHKALLA S.J. – 120 VJETORI KUR U Lé N’ SHKODER I MADHI AT MESHKALLA! (Përgatiti FRITZ RADOVANI, 2021)

 

Në kampin e krypores së Vlonës…

 

Vazhdonte Kalvarin…

 

Padër Pjeter Mëshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët.

Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashokë, që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata, para figurës së Tij, ishin të pafuqishëm edhe për mjeshtrinë e flligtë vrastare të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjën, e sidomos kur para tyne ndodhej i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Mëshkalla. Qendrimi i këtyne burrave nder hetuesi  zbulon misterin… Ja një rasë:

Mbas dënimit, mënjëherë e dërguen në kampin e kryporës së Vlonës. Porsa kishte mbërrijtë, i kishte tregue një mikut: “Jam kenë shumë i lumtun gjatë hetuesisë, se qysh ditën e parë kuptova që gjatë kontrollit të shtëpisë seme, Sigurimi nuk kishte mujtë me e gjetë të Shejtnueshmin Sakramend, që e kam pasë të fshehun!”. Atje Ai do të punonte ndër këneta për me realizue qellimin e komunistëve për të cilin ishin angazhue ata,  –zhdukjën e Tij fizike-… Rinia Shqiptare e prangueme mu në lulen e rinisë dhe pa asnjë shpresë me shpetue nga prangat e diktaturës barbare komuniste nder kampët e shfarosjes ishte krejtë tjeter per ata që mërrijtën me e njohtë nder vuejtje.

Nder ata kampe të mënershme mbrenda Shpirtit tyne ishte brumosë sakrifica… Një dashuni krejt’e pakuptueshme që në shumë rasa perfundonte edhe në vetflijim per shokun. Per ne që s’ e kemi provue ajo asht e panjohun dhe e pakuptueshme.

At Mëshkalla ishte nder njohësit ma të saktë të brumjos s’anës Shpirtnore të rinisë sonë nder hetuesitë e kampet komuniste. Ai fliste me kompetenca per mënyren me të cilen ka punue dhe veprue sigurimi i shtetit per me shrranjosë edukaten qytetare dhe shkollore në Shqipni. Mjetet ishin ma antikombtarët…

At Mëshkalla ishte i pergatitun mirë për djallzitë e sigurimit…

Ai filloi punën me grupin e shokëve ku ishte caktue. Shkonte rreth një ore në kambë larg kampit për me u gjetë në vendin e punës dhe me lopatë do të realizonte normën e caktueme. Mos realizimi i saj sillte pasoja të randa për të burgosunit. Porsa mori lopatën në dorë me fillue punën, çfarë ndodhi?

 

Grupi i djelmëve të rijë, që ishin “bashfajtorë” me té, e që ishin gjetë të gjithë  prej Toskënije, të zgjedhun me qellim për mos me dijtë kush asht “meshtari plak” prej Shkodret.

Ata i kërkuen një nder Pjetrit, mbasi ata nuk dinin në atë çast emnin me të cilin do të njihej ma vonë shoku i punës së tyne, i porsa ardhun në kampin e shfarosjes së Vlonës.

Ata kërkuan prej Pjetrit që ky të shkonte jo fort larg me mbushë ujë për me pi ata gjatë kohës së punës. Atë rrugë ky do ta bante dy-tri herë në ditë. Kohën tjetër do ta kalonte nën hijën e një pemës aty afër, ndërsa normën e punës së Tij (sot krejt e panjohun prej nesh) do ta kryenin djelmtë e rijë.

He pra, gjeni si ndodhi kjo punë!?… -Ata nuk e dinin fare kush ishte  Ky “plak” 66 vjeçar… nga Shkodra.

Ata dinin vetëm një gja; të dërmoheshin e të shkallmoheshin ndër moçale, kanale e këneta për me mujtë me nxjerrë të paktën kockat nga ai vend, mbasi gjithshka humbte në llomin e baltën që përzihej me gjakun e djersën e Tyne, e që sa vinte dhe i thithte përmbrenda për me i kalbëzue, me i tretë, me i zhdukë, për mos me u pa ma kurr në faqe të dheut, përveç karakterit të Tyne, që sa vinte e brumosej me idealin për të cilin kishin hy në atë vend: Antikomunizmin.

E këta djelmë nuk ishin vetëm prej Tiranet apo prej Shkodret, ku kishte punue e jetue Padër Mëshkalla me rininë, por Ata ishin prej krejt Shqipnisë. Kjo ishte arësyeja që ata edhe e respektonin, sepse edhe Ai i përkiste rinisë së mbarë Atdheut.

Nëse sot Rinia Shqiptare mërrinë me e kuptue kush ishte dhe kush mbeti nder fletët e historisë së martirizimit të Popullit Shqiptar, nga barbarizmi i tiranisë komuniste, aty do të gjeni mija e mija Figura të nderueme që koha me siguri njëditë do ti vendosin në vendin e merituem. Janë mija të rijë që sot nuk po i kujtohen emnat e Tyne të nderuem e, shka asht edhe ma keq punohet per me i harrue… Jo, jo, Atdheu per Ata, sot tue fillue nga ma të masakruemit kerkon me vendosë një lule mbi gropen e Tyne të “harrueme”, bash aty nder ferrat e Zallit të Kirit, si dikur… Nanat tona ndeznin një kandil që s’fikej kurr!

Mos harroni se Shqiptarët me gjakun e Tyne kanë çimentue Përmendoren e lavdishme dhe të perjetëshme antikomuniste në kontinentin Europjan…  

Melbourne, 11 Maji 2021.

blank

Revista franceze (1910)- “Festa e Luleve” në Shqipëri i dedikohet heroit kombëtar Gjergj Kastrioti. Ja çfarë bëjnë shqiptarët një ditë para dhe gjatë saj.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Festa e luleve në Shqipëri – Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën e saj të luleve Kastriotit, heroit kombëtar; çdo vit në fillim të Bajramit, ato ngjiten në tarracën e shtëpive dhe hedhin një mori lulesh në drejtim të tokës dhe Lindjes.

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2021

 

Revista franceze “Mon bonheur” ka botuar, me 10 korrik 1910, një shkrim në lidhje me “festën e luleve” në Shqipëri për nder të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Për nder të një heroi kombëtar

Festa e Luleve në Shqipëri

 

 

blank

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Festa e Luleve, për nder të Skënderbeut, zhvillohet në fillim të Bajramit, d.m.th. Pashkëve myslimane. Ka këtë karakter të veçantë, e festuar nga shqiptarët, të cilët janë muhamedanë (myslimanë) dhe të lidhur me Turqinë, për të festuar kujtimin dhe bëmat e heroit të madh kombëtar që çliroi Shqipërinë nga zgjedha e turqve.

 

Një natë para Festës së Luleve, burrat e Shqipërisë, të gjithë luftëtarë, mblidhen së bashku dhe pleqtë u tregojnë të rinjve historinë e Skënderbeut, e cila është përcjellë nga brezi në brez.

 

Emri i vërtetë i heroit është Aleksandër Gergj Kastrioti. Babai i tij ishte një nga zotërit epirotë të cilët u nënshtruan nga Sulltan Amurati II ose Murati II; dhe ai u detyrua t’ia dorëzonte të birin pushtuesit si një premtim të besnikërisë së tij. Kastrioti u rrit në fenë myslimane, në oborrin e Muratit. Trimëria e tij dhe gjeniu i hershëm ushtarak e mahnitën Sulltanin, aq sa ai ia besoi, kur ishte vetëm njëzet vjeç, një ushtri të fuqishme për të shkuar dhe pushtuar Serbinë. Ishte rreth vitit 1424. Por papritmas babai i tij vdiq. Dhe, me nxitjen e shqiptarëve, Kastrioti braktisi turqit dhe u kthye për ta vendosur veten në krye të shqiptarëve; Në fillim ai kishte vetëm treqind ushtarë.

 

Një rapsodi shumë e vjetër tregon se si ai shpiku një mënyrë për të marrë Krujën, kryeqytetin e Shqipërisë, të mbajtur nga turqit. Të gjitha shtëpitë, gjatë Festës së Luleve, kumbojnë me këto tinguj heroikë.

 

Djali i ri dhe i lavdishëm i Shqipërisë hyn me guxim te sekretari i tiranit.

 

— Çfarë dëshiron, Skënderbe i lavdishëm? thërret shërbëtori i Muratit.

 

— Më thërrit Kastriot shqiptari! tha i riu me krenari. Tani e tutje nuk do të kem tjetër titull dhe emër.

 

— Mos vallë je i dehur për herë të parë?

 

— Jam i dehur nga hakmarrja, dhe kam etje për liri!

 

— Ti je më shumë se i dehur : ti je i çmendur!

 

— Ulu qetësisht para tavolinës, sekretar me mendje të rëndë. Shkruaj një urdhër për guvernatorin e Krujës dhe rekomandoji atij të dorëzojë kryeqytetin e Shqipërisë në duart e mia përndryshe do të dënohet me vdekje.

 

— Kurrë!

 

— Po, menjëherë. Ja! ky është tehu i shpatës sime kundër fytit tënd. A e ndjen të ftohtin vdekjeprurës? A e di se kjo shpatë nuk heziton kurrë? Shkruaj! Shkruaj urdhrin.

 

Tani, me urdhrin e shkruar, Kastrioti rend me galop drejt Krujës së shtrenjtë, qytetit, nënës dhe atdheut të tij.

 

— Hej! guvernator! A di të lexosh?

 

Në mbrëmje, Kastrioti dhe treqind shqiptarë kishin shfarosur garnizonin turk.

 

Kjo ndodhi në 1443. Ali Pasha erdhi, me një ushtri prej dyzet mijë burrash, për të rimarrë qytetin; pothuajse të gjithë turqit u masakruan. Disa herë vetë Sulltani e rrethoi Krujën; dhe gjithmonë Kastrioti asgjësoi ushtritë e tij. Kastrioti vdiq në 1467 dhe Shqipëria u rikthye në një anarki e cila përsëri ishte fatale për lirinë e saj.

 

Pasi luftëtarët kanë kaluar natën duke kënduar lavdinë e heroit kombëtar, gratë në agim ngjiten në tarracat e shtëpive. Ato mbajnë në duar shporta plot lule dhe simbolikisht i hedhin ato, si drejt tokës ashtu edhe drejt Lindjes.

 

Midis këngëve antike, të cilat ekzistojnë me bollëk në Shqipëri dhe Maqedoni, ka një që shpjegon këtë simbolikë poetike.

 

Gratë këndojnë, duke hedhur lule :

 

Ti ishe i ri si trëndafilat dhe i bukur si agimi, o hero, kur ti u shfaqe fitimtar para vajzave dhe nënave të Shqipërisë, ti ishe i sinqertë si vesa dhe i fuqishëm si dielli që lind.

 

Ti ndriçove natën ku gjithçka ishte zhytur. Djepet dridheshin nga gëzimi, fëmijët e vegjël belbëzonin këngët e çlirimit, varret dridheshin nga shpresa.

 

Sot djepet gjallërojnë dhe varret janë përgjithmonë në gjumë, lule, bieni butësisht në zemrën e Shqipërisë, në zemrën e heroit!

 

Nuk ka një grua apo vajzë shqiptare që harron t’i bëjë dhuratën e saj të luleve Kastriotit. Lule vërtet bien, por ato thahen dhe, sa herë që popujt e tjerë ballkanikë ngrihen kundër turqve, shqiptarët do të radhiten përkrah shtypësit.

 

Megjithatë një pasardhës i princërve të Shqipërisë po formon, atje, disa komitete sekrete për një rilindje kombëtare. A do të ketë sukses? Lulet bien dhe ato thahen.

 

Léon Charpentier

blank

Rrëfyer nga Vehbi Furxhiu, publicist dhe botues i gazetës “Korça” Dudka, gruaja më e bukur e Korçës, por edhe më e përvuajtura Nga Vepror Hasani

 

Edhe sot shumëkush tregon se pas viteve 1944 në varret e qytetit të Korçës dëgjohej herë pas herë një vajtim gruaje. Ata që njihnin historinë e Dudkës, mendonin se ishin vajtimet e saj. Edhe pse e vdekur ajo ndjente se diçka e keqe po ndodhte me fëmijët e vet. Kishte shpresuar shumë te një Shqipëri e lirë, dhe te të gjithë ata që ishin përpjekur për një jetë më të mirë, por tashmë gjithë patriotët po nëpërkëmbeshin, burgoseshin dhe internoheshin. Po ndodhte ajo që Hafiz Ali Korça kishte shkruar në vitin 1927. Edhe e vdekur ndjente se diçka e keqe e kishte zaptuar vendin e saj. Askush nuk kujtohej më për Fan Nolin, miqtë e tij dhe njerëzit e ndershëm. Dudka kishte lindur për t’i dhënë dashuri kësaj bote. Edhe sot e kësaj dite në varret e Korçës ngjan sikur dëgjohet rrënkimi i saj. Kush ishte Dudka?

Këtë histori e mësuam nga Vehbi Furxhiu, gazetari i mirënjohur, botuesi i gazetës Korça, mik i Dritëro Agollit, një nga themeluesit e Partisë Socialiste të Shqipërrisë, zëvëndëskryetar i përgjithshëm i Lëvizjes Shqiptare për Mirkuptim dhe Paqe.

Dudka

Ajo e kishte emrin Mamudi, por të gjithë e thërrisnin Dudka. Ishte vajza me e bukur e Korçës, një bukuri e tillë si ajo nuk kishte për të zbritur më në rrugët e kalladrëmta të qytetit. Ishte hyjneshë e zbritur nga qielli. Për të linin mendjen myslimanë e të krishterë. Trokitjet e nallaneve të saj çmendnin Korçën e tërë. Ishte kjo arsyeja që të gjithë e thërrisnin me përkëdheli “Dudka”. Askush nuk e dinte kush do të kishte fatin të ishte princ i saj. Gjithkush prej të pamartuarve kishte vetëm një dëshirë: të martohej me të, pa le të vdiste! Dudka rridhte nga familja Gjizma, nga më të vjetrat e Korçës. Djemtë e tregtarëve të mëdhenjë të qytetit bënin çdo lloj përpjekje për t’u afruar me të, por ajo çuditërisht dukej e paarritshme për cilindo. Zjarri i beqarëve ndizej edhe më tepër. Ishte njësoj sikur të thoshe: “Shih me sy e plas me zemër”. Dudka ishte mjeke popullore e talentuar, Këtë dhunti e kishte të trashëguar nga gjyshja. Prekja e duarve të saj e largonte dhimbjen si me magji. Kishte shpëtuar nga vdekja njerëz të sëmurë që kishin zënë shtratin e nuk shpresonin t’i riktheheshin më jetës. Tashmë të sëmurë ishin gjithë beqarët. Për cilin do të bëhej ilaç ajo? Në derën e shtëpisë së saj trokisnin vazhdimisht njerëz të pasur, tregëtarë me emër, myslimanë e të krishterë. Të gjithë kërkonin dorën e saj për djemtë e tyre. por deri atëherë babai i vajzës nuk ia kishte dhënë fjalën askujt. Ëndrra e Dudkës paskësh qenë një nga djemtë e familjes së Tabakëve, Shaqir bej Tabaku. “Ata janë jo vetëm të pasur, – kishte thënë ajo, – por edhe me shkollë, pasurinë e prishin për Shqipërinë; kështu ka bërë edhe stërgjyshi dhe gjyshi im”.
Vehbi Furxhi, rrëfën

Krushqia rriti miqësinë mes dy familjeve më të vjetra të Korçës. Tabakët kishin patur gjithnjë dëshirën për miqësi me familjen Gjizma, por edhe Gjizmat e dëshironte afrimin me Tabakët. Martesa e Dudkës i lidhi përjetësisht dy familjet e mëdha. Miqësia u dha krahë të ndihmonin më shumë Shqipërinë, vendi kishte nevojë për familjet e mëdha. Martesa u bë në vitin 1881, Shaqir bej Tabaku ishte vetëm 20 vjeç, dasma e çiftit mbeti e paharruar, edhe sot mbahet mend si një nga dasmat më të mëdha të Korçës. Ditën e dasmës nuk mbeti njeri pa hyrë në familjen e Tabakëve, urimi i të gjithëve ishte: “Shaban, djali të të trashëgohet dhe u bëftë me një rreth fëmijë!” Dhe ashtu ndodhi vërtet, Shaqir bej Tabaku dhe Dudka patën 7 fëmijë; katër djem dhe tri vajza. Shpresonin të ishin gjithnjë të lumtur, dhe ashtu si prindërit e tyre, të ndihmonin Shqipërinë. Nuk u shkoi kurrë nëpër mend se mund të vinte një ditë që mund të përballeshin me shkatërrimin, burgosje dhe internime. Dasma e çiftit vazhdoi deri në mëngjes, njerëzit po largoheshin me fjalët “Çiftit jetë të lumtur!”

Më shumë se pasurinë vlerësonin arsimin

Dudka ishte e kënaqur me djalin që kishte përzgjedhur. Më shumë se pasuria asaj i pëlqente shkollimi, në fisin e saj kishte patur gjithnjë njerëz të arsimuar. Edhe Shaqir bej Tabaku, bashkëshorti i saj, kishte përfunduar shkëlqyeshëm gjimnazin turko- francez të Manastirit dhe fliste disa gjuhë të huaja. Dudka e dinte këtë. Çdo vit priste që biri i Shaban bej Tabakut të kthehej nga Manastiri. Ajo e dinte me saktësi kur përfundonte viti shkollor dhe ditën kur kthehej i adhuruari i saj. Për Dudkën, Shaqiri ishte djali më i mirë i Korçës. Të gjitha këto i tregonte kur ishte e martuar. Edhe babai i Shaqirit, Shaban bej Tabaku, ishte njeri arsimdashës. Gjithnjë kishte ëndërruar që biri i tij të shkollohej dhe më në fund ia kishte mbërritur qëllimit. “Më shumë se pasuria, duhet shkolla”, – thoshte Shaban bej Tabaku. Fisi i Tabakve rridhte nga familjet më të vjetra dhe të pasura të Korçës. Tabakët që nga gjysh-stërgjyshi ishin marrë me prodhimin dhe tregtimin e lëkurës e të shollës. E tregtonin në Greqi, Maqedoni dhe vende të tjera, kurse një pjesë të mirë të mallit e shisnin në vend. Familja e Tabakve ishte në ortakëri me familjen e Vani Çevos, një nga prodhuesit e mëdhenj të lëkurës. Myslimanë dhe të krishterë punonin bashkë, madje thuhet se hanin bukë me një lugë dhe pinin ujë në të njëjtën gotë. Pasuria e tyre shtohej vit pas viti. Tabakët njiheshin edhe për patriotizmin e tyre. Ashtu si Shaban bej Tabaku edhe biri i tij, Shaqiri, kishte nisur të ëndërronte për një Shqipëri ndryshe që të kishte shkollën dhe gjuhën shqipe. Gjatë kohës që studionte në Manastir ishte njohur me Halil Bërzeshtën, Jashar Bitinckën dhe shumë të tjerë; me ta mbeti mik i përhershëm.

Shkolla shqipe

Edhe pse kishin kaluar disa vjet nga martesa e tyre, Shaqiri dhe Dudka vazhdonin të mbeteshin çifti më i adhuruar i qytetit të Korçës; ishin gjithnjë të dashuruar. Dudka gjatë gjithë kohës vazhdonte të mbetej shtatzënë. Nga kjo martesë lindën katër djem: Hasani, Arifi, Seiti, Refati dhe tri vajza. Deri atë çast askush nuk e dinte se jeta e fëmijve të Tabakëve do të ishte më e tmerrshme se skëterra; i priste një fat i keq. Dudka ëndërronte që edhe në Korçë të kishte një shkollë në gjuhën shqipe, të njëjtën ëndërr kishte edhe Shaqir bej Tabaku. “Do të ishte mirë, – që fëmijët të mësonin këtu dhe të mësonin shqip, do të shpenzoja gjithë floririn, – i thoshte ajo të shoqit, – vetëm të kishim shkollën tonë.” E mbështeste bashkëshortin në çdo iniciativë të tij. Shaqir bej Tabaku pas përfundimit të gjimnazit turko-francez në Manastir nisi të bënte gjithçka mundte për gjuhën shqipe. Përveç takimeve me Halil Bërzeshtën dhe Jashar Bitinckën në familjen e Tabakve kishte filluar të hynin Orhan Pojani, Vani Cico Kosturi, Thimi Marko e njerëz të tjerë të rëndësishëm. Ata ishin ndër veprimtarët e parë të gjuhës shqipe. Më në fund, më 8 mars 1887 u çel Mësonjtorja e parë Shqipe. Më pas, në mësonjëtoren e parë punoi si mësues edhe kushëriri i parë i Dudkës, Afiz Ali Korça. Dudka nuk përmbahej nga gëzimi.
Festuan çeljen e mësonjëtores
Më të vjetrit tregojnë se ditën e çeljes së mësonjtores, në lagjen e Tabakve u festua gjithë ditën. Kishte ardhur aty dhe familja Gjizma e Dudkës, ortaku, Vani Çevo dhe shumë familje të tjera. Tabakët porositën orkestër në Leskovik dhe Manastir. Tabakët dhe Mytevelinjtë ishin lagjet më të njohura të Korçës. Atë dtë festoi gjithë Korça, Dudka dukej edhe më e bukur se çdo herë tjetër. Nuk reshti asnjë çast për të qirasur mysafirët. Një vit më pas, bashkëshorti i saj, i aktivizuar prej kohësh me Rilindjen, u zgjodh anëtar i Këshillit të Mësimit Shqip. Dudka gjithnjë kishte shpresuar te zotësia e bashkëshortit të saj. Shpresonte edhe atëherë kur refuzonte dorën e kërkuar nga familjet e mëdha myslimane dhe të krishtera, sepse priste trokitjen e familjes së Tabakëve. “Tashmë ndihem mëse e kënaqur” – thoshte Dudka. E ardhmja dukej sikur do të ishte edhe më e mirë për të dhe familjen e saj.

Arrestimi i Shaqir bej Tabakut

Shaqir bej Tabaku bëri gjithçka mundi për gjuhën shqipe, por përkushtimi i tij ra në sy të Patriarkanës së Stambollit dhe Portës së Lartë. Në vitin 1902 e arrestuan në mesnatë dhe mes errësirës e morën me vete pa thënë asgjë se ku po e çonin. Ditë më pas u mor vesh se Shaqir bej Tabaku kishte përfunduar në Manastir në burgjet e Anadollit. Qëndroi atje për tre vjet me radhë. Ndoshta nuk do të kishte dalë kurrë prej andej, nëse nuk do të ishin përpjekur patriotët shqiptarë. U kthye në Korçë në vitin 1905. Për tre vjet me radhë, Dudka nuk doli nga shtëpia, qëndroi me fëmijët e vet duke iu lutur Zotit që burri i saj të kthehej shëndoshë e mirë. Për tre vjet edhe ajo qëndroi mbyllur si i shoqi. Në rrugët e Korçës e panë vetëm ditën kur Shaqir beu u kthye nga burgjet e Manastirit. Dolën bashkë, ashtu siç dilnin pas martesës. Lumturia e tyre ishte rikthyer. Dudka përsëri i kërkoi të shoqit të vazhdonte me gjuhën shqipe. “Përkrahja ime nuk do të mungojë kurrë” – i thoshte ajo. Fati i familjes Tabaku mbeti i lidhur me fatin e Shqipërisë. Në vitin 1908, Shaqir bej Tabaku, u zgjodh anëtar i Kryesisë së shoqërisë “Përparimi”, e cila synonte hapjen e shkollave shqipe në rajonin e Korçës. Gjatë kësaj kohe u çel shkolla e Radanecit, e Dvoranit, e Qatromit, e Ravonikut dhe disa shkolla të tjera. Në vitin 1912 tabakët festuan përsëri, kësaj radhe festohej Pavarësia e Shqipërisë. Shaqir bej Tabaku përshëndeti aktin e shumëpritur të ngritjes së flamurit në Vlorë. Tashmë shpresat ishin të mëdha.

Fan Noli kërkoi ndihmën e Tabakëve

Që nga viti 1912 kaluan katër vite të tjera. Korça u shpall Krahinë Autonome. Shaqir beu u zgjodh anëtar i Kryesisë prej 17 vetash. Roli i tij qe i rëndësishëm sepse ishte njohës i mirë i gjuhës frënge dhe mik i ngushtë i gjeneralit francez, De Kuen. Krahina Autonome e Korçës nuk zgjati shumë, por i mbështetur gjithnjë nga Dudka, Shaqir Tabaku vijoji rrugën patriotike. Në vitin 1923, në familjen e Tabakve mbërriti Fan Noli, hyri në shtëpinë e Shaban bej Shaqirit për një gotë raki dhe për të kërkuar përkrahjen e tyre. Tabakët e siguruan Nolin se do të ishin me të. Në familjen e Tabakëve erdhën edhe njerëzit e Afiz Ali Korçës, ky i fundit që nga viti 1920, kishte qenë kryetar i Komunitetit Mysliman për gjithë Shqipërinë, kishte dhënë shumë për tolerancën fetare, respektohej nga myslimanët dhe të krishterët. Brez pas brezi kishin shpresuar për një Shqipëri të lirë, ndoshta tashmë po gjendeshin pranë saj. Ajo ditë mbeti e paharruar edhe për hyjneshën e zbritur nga qielli që mbante emrin Dudkë. Ashtu si ajo që shëronte njerëzit me mjekime popullore edhe Noli iu duk si shëronjës i madh i Shqipërisë. Vitet kaluan shpejt, më 1927 Shaqir beu vdiq. Dudka nuk e përballoi dot dhimbjen, s’kaloi shumë kohë, vdiq edhe ajo. Ashtu si Shaqir Tabaku edhe Dudka u përcollën në banesen e fundit nga e gjithë Korça. Pas lanë 7 fëmijë, shumë nipër dhe mbesa.

Rrënimi i familjes Tabaku

Me fillimin e Luftës Nacionalçlirimtare 10 nipër dhe mbesa të Shaqir bej Tabakut luftuan për lirinë e vendit, por fatkeqësitë që përjetuan ishin të mëdha. Sabaedin Tabaku vdiq nga torturat e gjermanëve. Të zhgënjyer mbetën edhe nga ata që erdhën në pushtet: Refati, djali i Shaqir bej Tabakut u dënua dy herë radhazi: herën e parë sepse, sipas komunistëve, Tabakët nuk tregonin floririn që kishin fshehur, kurse herën e dytë për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor; vdiq në burgun e Laçit, as sot nuk dihet ku janë eshtrat e tij, la pas tri vajza jetime. Por e keqja nuk përfundoi këtu: djali i vajzës së Shaqir bej Tabakut, u pushkatua pa gjyq në vitin 1943, u akuzua për pikëpamje perëndimore dhe qendrim antibolshevik. Hakmarrja përfshiu edhe fisin e Dudkës: Hafëz Ali Korça, njeriu i disa shoqërive patriotike, autori i 23 botimeve letrare dhe shkencore, u burgos dhe u internua; vdiq në internim në qytetin e Kavajës në vitin 1957, u dënua sepse në vitin 1927 kishte dalë kundër bolshevizmit; sot është qytetar nderi i qytetit të Kavajës. Edhe dhëndri i Shaqir bej Tabakut, bashkëshorti i Cetka Tabakut, u burgos si shumë tabakë të tjerë. Që nga viti 1944, pasuria e tyre, floriri, banesat e gjithçka tjetër u sekuestrua. Megjithatë, fisi Tabaku la pas një sërë intelektualësh: Belul efendi Korçën, Nexhip Thëllimin, Idajet Thellimi, Osman Thëllimin, Muamer Liço Panaritin, Xhevat Korçën, por edhe jeta e tyre pati peripeci të shumtat, kështu e përfundoi tregimin e tij të trishtuar, dhe publicisti i njohur Vehbi Furxhiu
Mbyllje

Çifti Tabaku, nuk arriti t’i shihte tmerret e komunistëve, nuk i panë burgosjet e fëmijve të tyre, por edhe të mbesave dhe të nipërve. Nuk i panë sekuestrimet dhe grabitjen e floririt, pasuri që e kishin vënë që nga gjysh-stërgjyshi. Megjithatë shumë kush në Korçë tregon se pas viteve 1944 në varret e qytetit të Korçës vazhdimisht dëgjohej një vajtim gruaje. Ata që kishin dëgjuar historinë e Dudkës, mendonin se ishin rënkimet e saj. Edhe pse e vdekur ajo ndjente atë çka po ndodhte me fëmijët e saj dhe me njerëzit me të cilët ishte rritur. Kishte shpresuar shumë te një Shqipëri e lirë, dhe te të gjithë ata që ishin përpjekur për të, por tashmë gjithë patriotët po arrestoheshin, burgoseshin dhe internoheshin. Këtë fat pati dhe fisi Tabaku. Edhe e vdekur ajo ndjente se diçka e keqe e kishte zaptuar vendin e saj. Po ndodhte ajo që kishte shkruar në vitin 1927 Hafëz Ali Korça për bolshevizmin. Ndaj edhe pse të vdekur ndjenin çfarë ndodhte me pasardhësit e tyre, ndaj here pas herë në varrezat e Korçës degjohej një vajtim i dhimbshëm, thoshin se ai vajtim ishte i Dudkës.

 

blank

Kush është Vehbi Furxhiu

 

Vehbi Furxhi u lind në qytetin e Korçës në një familje nga më të vjetrat e këtij qyteti. Babai i tij ka qenë mësues, gjyshi patriot dhe mik i Fan Nolit, pjesë e parisë së Korçës.Vehbi Furxhi përfundoi studimet Në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Kursin pasuniversitar për Filozofi. Ka punuar si mësues, drejtor shkolle, drejtor i Pallatit të Kulturës Korçë, shef Arsimi-Kulturës dhe Sportit për Korçën dhe Devollin, Drejtor i Radio Korça. Në korrik të vitit 1989 botoi në revistën Hosteni Nr.13, në 2 faqe tregimin satiriko-humoristik me titull: “Tre refenjza të VËRTETA” . Mbas botimit të këtij tregimi i cili pati një jehone të madhe, për botuesin e saj u morën masa të rrepta nga pushteti i asaj kohe. Vehbi Furxhiu është i njohur si publicist. Ështe Zv/kryetar i Përgjithshem i Lëvizjes Shqiptare për Mirkuptim e Paqe dhe Kryetar i Kësaj Shoqate për Prefekturën e Korçës. Ka përfaqësuar Shqipërine në 2 kongrese të paqes në Athinë dhe Selenik. Që nga dhjetori 1992 e deri më sot boton pa ndërprerje Gazetën e Pavarur “Korça”. Si publicist ai ka shkruar e shkruan në shtypin qendor, përveç shkrimeve në gazetën “Korça”.

 

blankblankblank

 

blank

(Video) 21 vite nga rënia e heroit Ekrem Rexha – Komandant Drini

blank
Djali, Drin Rexha, ishte vetëm 10 muajsh kur i vranë të jatin
THIRRJE PËR DREJTËSI EDHE NË 21 VJETORIN E PËRKUJTIMIT TË VRASJES SË EKREM REXHA- KOMANDANT DRINI
Të shtunën, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes së Ekrem Rexhës- komandant Drini, janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Landovicë të Prizrenit dhe në Memorialin e tij që ndodhet para Shtëpisë së Bardhë. Edhe në këtë përvjetor, u bë thirrje për drejtësi në rastin e vrasjes së një prej strategëve më të shquar të luftës së UÇK-së në Kosovën e pasluftës.
Në 21 vjetorin e vrasjes, është nderuar jeta dhe vepra e heroit të Kosovës, Ekrem Rexhës- komandant Drini, nga familjarë të tij, bashkëluftëtarë, qytetarë, si dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Bashkëshortja, Hajrije Rexha dhe djali Drini, thonë se në këtë përvjetor, me emocione të përziera mes mallit e krenarisë e kujtojmë komandant Drinin, i cili përkundër sakrificës mbinjerëzore në shërbim të çlirimit të vendit, padrejtësisht është vrarë në Kosovën e çliruar.
Bashkëshortja dhe djali i komandant Drinit, edhe në këtë përvjetor bëjnë thirrje për drejtësi, dhe autorët e vrasjes të marrin dënimin e merituar.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se veprat e komandant Drinit gjatë luftës së UÇK-së dhe angazhimet e tij në Kosovën e pasluftës, janë shembull i një figure të lartë që ka buruar nga populli ynë i shumë përvuajtur, dhe apeloi tek organet kompente që të zbardhin rastin e vrasjes së tij, dhe kriminelët të vihen para drejtësisë.
Zbulimin e vrasësve të ish komandantit të tij dhe ideatorit të themelimit të Asociacionit të Veteranëve të UÇK-së në Prizren , e kërkoi edhe sekretari i kësaj organizate, Isa Berisha. Ndërkaq, kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, e vlerësoi lartë figurën e komandant Drinit në shërbim të luftës për çlirimin e Kosovës. Ndryshe, komandant Drini, është vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë në Prizren.
Në 21 vjetorin e vrasjes tinëzare të Ekrem Rexhës komandant Drinit, së bashku me familjen Rexha, përfaqësuesit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe drejtorët komunalë, bëmë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë dhe pranë memorialit të Komandant Drinit – Ekrem Rexha.
Komandant Drini ishte një ndër figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe po ashtu ishte strategu i çlirimit të Prizrenit. Në përkujtim të jetës dhe veprës madhështore të tij, në nëntor të vitit të kaluar, e patëm përuruar memorialin e tij në qendër të qytetit, edhe pse ndoshta kjo ishte më e pakta që qeverisja jonë lokale ka arritur të bëjë për këtë hero që vjen rrallë herë.
Edhe pse kanë kaluar plot 21 vite nga kjo vrasje makabre, drejtësia ende nuk e ka gjetur vendin e duhur. Sot e asaj dite, familja e komandantit, qytetarët e Prizrenit dhe e gjithë Kosova, jemi duke e pritur drejtësinë e vonuar andaj, uroj që institucionet e reja të vendit të punojnë maksimalisht për zbulimin e atyre që e kryen këtë krim mizor.
Lavdi jetës dhe veprës së komandant Drinit!
Lavdi gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit!
Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka
Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren

Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren. Kjo vrasje pati ndodhur në rrethana misterioze. Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, edhe pas angazhimit, ka dështuar për gjetjen e vrasësve të tij.

20 vjet pas vrasjes së tij, familjarët ende kërkojnë zbardhjen e vrasjes së “Drinit”. Ruzhdi Rexha, vëllai i “Drinit”, tregon se dëshira e familjes është që kjo vrasje të ndriçohet sa më shpejt. “Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje”, thotë Rexha, shkruan “PrizrenPress”.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, u vra para shtëpisë së vet në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, sa po punonte drejtor për Emergjencë në Komunën e Prizrenit. Sapo kishte dalë në oborr ta ndezte veturën për të shkuar në punë dhe po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit e cila ishte shpuar qëllimisht, ishte qëlluar me armë automatike.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren, janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për ta zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e Dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren që, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Gjykata Speciale pritet ta rikthejë rastin e vrasjes së “Drinit”. Ajo në dhjetor të vitit 2018 ka ftuar dëshmitarin kryesor të këtij krimi, Remzi Shalën. Ai nuk i ishte përgjigjur ftesës. Në vitin 2002 Shala ishte dëshmitari kryesor në gjykimin e kësaj vrasje, ku i dyshuari kryesor kishte qenë një komandant, gjithashtu i njohur i luftës, Sali Veseli.

Shala gjatë luftës kishte bashkëvepruar me Veselin, ndërsa pas luftës ishte bërë shofer i tij. Pas vrasjes së komandant “Drinit”, Shala u bë dëshmitari kryesor kundër mikut dhe shefit të tij. Remzi Shala nga Suhareka u pat vetëdeklaruar se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë.

Njëra nga vrasjet më misterioze që pati tronditur Prizrenin pas luftës ka qenë vrasja e komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’.

Vëllai i “Drinit”, Ruzhdi Rexha, ka humbur besimin në drejtësi. “Në atë kohë ishte UNMIK-u. Edhe pse i mbajti dy procese, dështoi në zbardhjen e vrasjes së ‘Drinit’. Ne jemi djegur dhe nuk e di a mund t’i besojmë më profesionalizimit të drejtësisë ndërkombëtare”, shprehet ai për “PrizrenPress”.

Ai thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar dy herë në gjetjen e vrasësve të “Drinit”. “Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë që kjo vrasje të zbardhet nga organet tona. Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje. Për ne është e rëndësishme që të zbardhet vrasja, pavarësisht se kush e bënë, vendorë apo ndërkombëtarë“, shprehet ai.

 

 

 

 

 

 

 

blank

VIRUSI PYET PO KET A E DINI SE “SHQIPNIA KISHTE FILOZOF..!” – Nga Fritz RADOVANI

Profesori i madh i matematikës Petro Fundo, nga Korça, ka pasë krye studimet universitare në Francë, dhe në vitin 1946 e sollën në Shkoder…

E larguen nga Shkodra, ku erdhi prap në vitin 1954. Në vitin 1956 kur unë kam dhanë provimet e maturës në shkollen Pedagogjike, Prof. Fundo, kje perfaqsues i ministrisë nder provime… Nga martesa e Tij në Shkoder, mu dha rasa me u njohtë afer dhe, me kuptue se Prof. Fundo jo vetem, që ishte Profesor i madh i matematikës, po ishte edhe Filozof i perkryem.

Tregonte njëherë i nderuemi Prof. Fundo: Ishim duke ngrënë në një trapez, kur ishim studentë në Francë, unë dhe Foto Bala nga Himara. Erdhi aty edhe Enver Hoxha, ky ishte i rregjistruar në universitet, por nuk di mëse merrej. Provime nuk jepte. Ishte i pashëm. Pak mbasi u ul, pyeti Foton, çfarë do të dëshroje të bëje kur të mbarosh shkollën? Foto iu përgjigj, do të doja të tregëtoja me Francën. Më pyeti edhe mua, po ti Petro? – Unë i përgjigja, Profesor. Mbas pak u kujtova ta pyes edhe unë atë, po ti Enver, çfarë do të bëhesh? – Ai u përgjigj: “TERRORIST”!

Edhe sot nuk e di sësi më shpëtoi nga dora piruni që isha duke ngrenë.., e, për çudi, vetëm atij ia plotësoi Zoti dëshirën!!..” 

Dhe e plotsonte mendimin e Tij Profesor Fundo, se “me të vertetë Enver Hoxha ishte një terrorist i lindur aqsa edhe imoral…”

Ndersa, nga pikpamja filozofike persëriste shpesh mendimin e saktë se: Diktatorët si ay, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjës!”. Kjo asht një thanje e Profesor Petro Fundos, që koha e ka vertetue plotsisht sot në Shqipni! Kanë kalue 36 vjetë që diktatori ka ngordhë, dhe Shqiptarët po vazhdojnë me votue per te, si në vitet e diktaturës së pashoqe komuniste!

Votimet e 25 Prillit 2021, janë votimet e shperbamjes së Shqipnisë!

Shqiptarët e Gjergj Kastriotit nuk duhet të pranojnë asnjëherë skllavninë komuniste, mbasi per me mërrijtë në 2021… Asht derdhë shumë gjak!

O sot o kurr, emnat e sundimtarve terrorist fshini nga faqja e Dheut! “Ata do të vazhdojnë për të sunduar  Shqiptarët!”, thonte Prof. Fundo…

            Melbourne, 8 Maji 2021                                  


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend