VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Video – TIMS rrëzoi alibinë e Kajmakut, PD: Marku të lëshojë fletarrestin

By | September 3, 2019

Komentet

VIDEO/ Shihni si policia ndjek makinën e Sotës me 863 mijë euro dhe patentat e Tahirit

Mbrëmjen e shpalljes së vendimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brenbdshëm Saimir Tahiri, gazetari Basir Çollaku publikoi në emisionin “Open” në Top Channel një video.

 

Pamjet disa-sekondëshe sipas tij tregojnë momentet pak para se të ndalohej biznesmeni Orest Sota në oborrin e kompanisë “Kurum”, në Elbasan më 1 nëntor 2017, të cilit gjatë një kontrolli të ushtruar iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe bashkëshortes së tij.

Sota po akuzohet aktualisht për veprat penale “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së të ardhurave” dhe çështja ka kaluar nga Krimet e Rënda në Prokurorinë e Elbasanit. Prokuroria dyshonte fillimisht se paratë e gjetura në makinën e Sotës i përkisnin ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri. Mbetet ende e paqartë se si Prokuroria e ndau çështjen “Sota” nga ajo “Tahiri”.

Biznesmeni dhe avokati i tij pretenduan se paratë rrjedhin nga burime të ligjshme dhe janë tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë 10 vite më parë dhe mbaheshin në qarkullim të lirë me qëllim kurimin e nënës së Sotës dhe për blerje të hekurit në kompaninë “Kurum”.

Sipas gazetarit Basir Çollaku kjo video rrëzon pretendimet zyrtare se Sota është ndjekur me makinë nga policia pasi nuk i ka qëndruar postbllokut dhe më pas ka hyrë me forcë në ambientet e kompanisë “Kurim”. Çollaku tha se siç duket nga pamjet, Sotës i është hapur dera kryesore dhe se më pas duket që vjen policia.

WhatsApp Video 2019-09-19 at 230443 from LAPSI. AL on Vimeo.

Rritet numri i azilkërkuesve nga Siria dhe Iraku në Kosovë (video)

Silueta e dy fëmijëve emigrantë në Idomeni të Greqisë, reflekton në një mur ku shkruan: “Lejoni ta kalojnë kufirin”.
Taulant Qenaj

Të ikur nga lufta dhe zonat e konfliktit, një numër i madh i refugjatëve vijnë në Kosovë, për të vazhduar më pas transit drejt vendeve perëndimore. Derisa në vitin 2015, kur në Kosovë brenda vitit kishin hyrë 88 persona nga vende të ndryshme, numri është rritur çdo vit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, për periudhën janar-gusht të këtij viti, numri i emigrantëve të parregullt që kanë hyrë në Kosovë është 753 persona. Emigrantët kryesisht janë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe territoret palestineze.

Javën e kaluar në territorin e Kosovës kanë hyrë 22 emigrantë të cilët tashmë janë vendosur në Qendrën për Azil në fshatin Magure të Lipjanit.

Udhëheqësi i kësaj qendre, Fitim Zariqi, tha për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i vitit e deri në muajin shtator, këtë strehimore e kanë frekuentuar gjithsej 902 emigrantë.

Sipas tij, vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të emigrantëve të cilët vijnë në Kosovë.

“Ka ardhje pak më shumë se vitet e kaluara, megjithatë për ne ende është në suaza të menaxhimit normal. Prej që është hapur Qendra për Azil, nga viti 2010, vazhdimisht kanë frekuentuar azilkërkues ose persona që vijnë nga vatrat e luftës dhe konfliktit”, tha Zariqi.

Zariqi tha se emigrantët, që kryesisht ikin nga zonat e luftës, e përdorin Kosovën si vend transit për të depërtuar në vendet perëndimore.

“Shumica, kohët e fundit janë duke ardhur nga territori i Shqipërisë, vitet e kaluara kanë ardhur më shumë nga Maqedonia (e Veriut), por që nga viti i kaluar kanë filluar të vijnë nga Shqipëria, pra e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit. Gjatë intervistave që i bëjmë ne, ata tregojnë që kanë lëvizur nga Greqia, në Shqipëri, pastaj kanë hyrë në Kosovë ilegalisht dhe pretendojnë që të kërkojnë azil, të qëndrojnë disa ditë këtu dhe pastaj të vazhdojnë tutje për në vendet perëndimore”¸ tha Zariqi.

Arton Demhasaj nga organizata Çohu, tha për Radion Evropa e Lirë se më herët emigrantët prej Maqedonisë së Veriut kanë hyrë direkt në Serbi, por për shkak të forcimit të sigurisë në atë kufi, ata po vazhdojnë të hynë nga ana e Kosovës, pasi sipas tij, kalimi nga Kosova në Serbi, mund të jetë më i lehtë.

“Duke marrë parasysh numrin e madh të emigrantëve, sidomos sirianë që janë në Turqi edhe që e kanë si rrugë transitore për të kaluar brenda vendeve të Bashkimit Evropian apo kalimin që mundet të ndodhë përmes vendeve të Ballkanit, që pastaj të hyjnë ndoshta përmes Serbisë të hynë në Hungari dhe për të hyrë në vendet e Bashkimin Evropian, atëherë është pra kjo rruga më e lehtë që ata të kenë qasje për të shkuar në BE”, tha Demhasaj.

Azilkërkues që kanë qëndruar për disa ditë në Kosovë, vitet e fundit më së shumti ka pasur nga vendet ku ka konflikte, e që janë Siria dhe Iraku.

Numri më i madh është i emigrantëve nga Siria. Vetëm vitin e kaluar rreth 200 sirianë kanë kërkuar azil në Kosovë.

Patrullime të përbashkëta policore mes Serbisë dhe Kinës në Beograd

Jela Franceschi

Patrullim i përbashkët mes policëve serbë dhe kinezë në Beograd

Policia e Serbisë mori përforcimet e saj të para policore nga Kina për të përballuar një numër në rritje të turistëve dhe punëtorëve kinezë. Gjashtë oficerë të policisë kineze arritën për një muaj patrullim të përbashkët me homologët e tyre serbë.

Ceremonia e mirëseardhjes u mbajt të mërkurën në qendër të Beogradit.

Serbia është përfshirë në planin “Një brezë, një rrugë” të Kinës, i cili ka hapur lidhje tregtare për kompanitë kineze dhe ka lëvruar një miliard dollarë kredi për ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, termocentraleve dhe infrastrukturës së telekomit në Serbi, por kryesisht duke punësuar punëtorë kinezë.

Mijëra turistë kinezë po vizitojnë gjithashtu Beogradin dhe dy qytete të tjera serbe, ku dy patrulla të tjera policie pritet të dislokohen më vonë këtë vit.

Ambasadorja kineze në Serbi Chen Bo njoftoi se do të krijohet një linjë telefonike për shtetasit kinezë që do të vizitojnë komunitetet lokale kineze dhe ndërmarrjet dhe institucionet me financim kinez në Serbi. Ajo tha se prania reciproke e policisë serbe do të fillojë së shpejti edhe në Kinë.

Në prill, Serbia dhe gjigandi i debatueshëm i teknologjisë kineze Huawei filluan një projekt të quajtur ‘Qytetet e Sigurta’, i cili përfshin montimin e qindra kamerave të mbikqyrjes në Beograd dhe zhvillimin e programeve kompjuterike për identifikimin nëpërmjet fytyrës.

Kina, në fillim të kësaj vere, filloi patrullime të ngjashme me dy vende anëtare të Bashkimit Evropian, Kroacinë dhe Italinë.

Dokumenti i ri- PD nxjerr identitetin tjetër që ka përdorur Mark Babani, kryebashkiaku i Vaut të Dejës

Publikohet dokumenti i ri për arrestimin dhe dëbimin e përsëritur të Mark Babanit, kryebashkiaku i zgjedhur më 30 qershor në Vaun e Dejës. Mark Babani u arrestua në Itali në vitin 1996 me emrin Fatmir Babaj, nje identitet tjeter sipas PD, qe ka perdorur Babani, dy vjet pas debimit te tij nga Italia.

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

Kriminelët e Edi Ramës në bashkitë e vendit vazhdojnë t’i rezistojnë ligjit të dekrizminalizmit me ndihmën dhe mbështetjen e Edi Ramës dhe shërbëtores së tij në prokurori. Është e kotë që e zgjasin agoninë e tyre dhe të shefit të tyre, pasi vendin e kanë të gjithë prapa hekurave. Edhe Valdrin Pjetri i Shkodrës, edhe Agim Kajmaku i Vorës, edhe Mark Babani i Vaut të Dejës.

Si në rastin e Valdrin Pjetrit, denoncimet e bëra publike nga Partia Demokratike, u provuan të drejta dhe të vërteta edhe për Agim Kajmakun e Vorës nga Gjykata e Janinës.

Megjithëse krimineli i Ramës në Vorë, nga njëra anë mashtronte publikun se nuk ishte arrestuar kurrë, fshehurazi ishte angazhuar që të mbyllte çështjen e hapur penale në Greqi, ku ishte arrestuar me emrin Jorgo Toto.

Edhe hajduti i makinave në Siçili, Mark Babani, i cili vazhdon të mbajë në mënyrë të paligjshme Bashkinë e Vaut të Dejës ka mohuar faktet për fallsifikimin e formularit të dekriminalizimit, vepër për të cilën duhet të shkarkohet e të arrestohet.

Mark Babani ka përdorur disa emra për të mbuluar të kaluarën e tij kriminale, por ai nuk mund ta fshehë dot të vërtetën.

Partia Demokratike ka siguruar dokumenta të tjerë, që provojnë përtej çdo dyshimi se përfaqësuesi i Edi Ramës në Vaun e Dejës është një kriminel dhe si i tillë duhet të ndëshkohet sipas ligjit.

Përveç dokumentit për arrestimin në 1994-ën me një emër tjetër, dënimin, burgosjen dhe dëbimin nga Italia për vjedhjen e makinave në Siçili nga Mark Babani, Partia Demokratike disponon dokumenta që Mark Babani ka përdorur një identitet tjetër të rremë për të hyrë në Itali 2 vjet më vonë, në 1996-ën.

Dokumenti që po paraqesim, që gjithashtu është nxjerr nga sistemi shtetëror i burgjeve në Itali, ka një element plus, të cilin Mark Babani nuk mund ta mohojë. Në këtë dokument është fotografia e tij me emrin Fatmir Babaj. Në vitin 1996, me këtë identet të rremë, krimineli i Edi Ramës në Vaun e Dejës, ka tentuar të hyjë në Itali, pasi ishte dëbuar për vjedhjen e makinave, por është arrestuar sërish nga policia italiane.

Kartela e arrestimit tregon qartë se Mark Babani me emrin Fatmir Babaj kishte shkelur dënimin e gjykatës për dëbimin e tij nga Italia si hajdut makinash në vitin 1994. Policia italiane bëri lidhjen se Fatmiri në foto dhe Marku i Ramës në Bashkinë e Vaut të Dejës janë i njëjti person.

Ai u arrestua më datë 24 janar 1996 me identitetin e rremë Fatmir Babaj, dhe u mbajtë në burg deri më datë 27 Janar 1996, ku u provua se ishte Marq Babaj, i dënuar në Itali për vjedhje në rrethana rënduese të kryer në bashkëpunim.

Siç faktojnë dokumentat, Mark Babani u dëbua për herë të dytë brenda dy vjetëve nga Italia.

Dokumentat që po bëjmë sot publikë janë autentikë. Foto në sistemin Italian të burgjeve, provon se Fatmir Babaj i vitit 1996, është i nëjti me Marq Babaj e vitit 1994, dhe ekzaktësisht i njëjti person me Mark Babanin, kandidatin e Edi Ramës për Bashkinë e Vaut të Dejës.

Mashtrimet dhe përbetimet e Mark Babanit mund të ndihmojnë atë dhe Edi Ramën për të blerë kohë, por e kanë të pamundur të ndryshojnë fatin e tyre politik.

Mark Babani është subjekt i ligjit të dekriminalzimit dhe duhet të procedohet menjëherë penalisht për fallsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit.

Çdo vonesë nga ana e prokurorisë tregon bashkëpunimin në krim të Arta Markut dhe varëtësve të saj në Prokurorinë e Përgjithshme.

Video- Nostalgjikët e diktatorit në Pezë me flamuj, brohoritje e portrete të Enver Hoxhës

PEZE

Fotografi të Enver Hoxhës dhe brohoritjet në emër të tij dhe të Partisë Komuniste ishin prezent edhe sot në festimet me rastin e 77-vjetorit të Konferencës së Pezës.

Menjëherë pas ceremonisë zyrtare ku ishin të pranishëm, Presidenti Ilir Meta, zv/kryeministri Erion Brace, kreu i Bashkisë Erion Veliaj, ministra e deputetë, një grup me antarë të Partisë Komuniste u shfaqën edhe këtë vit në Pezë, me foton e Enver Hoxhës, kurora me lule e flamurin kombëtar.

Antarët e Partisë Komuniste marshuan të pashqetësuar deri tek Varrezat e Dëshmorëve të Pezës ku nderuan kujtimin e të rënëve në luftë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri vazhdon largimi i popullsisë (video)

Në Shqipëri zona të tëra, jo vetëm malore, por edhe afër qyteteve, po vijojnë të braktisen nga popullsia, ndonëse kanë pasuri dhe investime të mëdha të vetë individëve.

Fshati “Andon Poçi” në Gjirokastër pak vite më parë numëronte rreth 40 biznese dhe 700 banorë, por tani ka vetëm një biznes dhe rreth 80 banorë.

Sipas banorëve arsyeja e mbylljes së bizneseve prodhuese është mosmbrojtja e prodhimit vendas përmes politikave qeveritare. Disa ferma blektorale, të përpunimit të qumështit, madje edhe njësi për riciklimin e mbetjeve që u hapën pas viteve nëntëdhjetë në fshatin “Andon Poçi” tashmë janë mbyllur dhe sipërmarrësit janë larguar sërish në emigracion.

Vilat e banimit në vlerën e disa qindra mijë dollarëve, pothuasje janë braktisur, ndërsa banorët thonë se të rinjtë nuk kthehen për të jetuar në fshatin ku investuan kursimet e emigracionit.

Sipas banorëve, zona megjithëse ka pasuri të mëdha po braktiset prej mungesës së sigurisë për të ardhmen. Ky fshat në Luginën e Drinos është edhe nga zonat e rralla në Shqipëri ku një pjesë e madhe e banorëve vuajtën burgjet dhe persekutimet e regjimit komunist.

Një memorial në qendër të fshatit përkujton dhjetëra persona, familjet e të cilëve u interrnuan dhe u persekutuan në kampet që regjimi komunist ngriti në zona të ndryshme të Shqipërisë.

“Vëlla i dashur ky vend është i joti”, PD nxjerr audiopërgjimin e sulmon Artan Lamen: Duhet të ishte në burg (video)

TIRANË

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kreun e Kadastrës, Artan Lame, duke e akuzuar për ndërhyrje për punësime në administratë. Në një dalje para mediave ish-deputetja Oriola Pampuri deklaroi se Lame duhet të ishte në burg pasi sipas PD ai ka përdorur administratën për fushatë elektorale, ndërsa shton se “vazhdon të mashtrojë shqiptarët me propagandën e Edi Ramës për punësime me konkurs”.

“Jemi dy muaj para zgjedhjeve që do të thotë se nga historia e deputetëve, kandidatë bashkie, kërkojnë ndihmë dhe mbështetje…E keni parë se Legalizimet është një nga gjerat më të rëndësishme që konsiderohet, kështu që deri në zgjedhje, historinë e ditës së shtunë nuk dua ta dëgjoj. Për sa kohë që unë ditën e shtunë jam në punë, kush mendon se do të rri pushim, fare thjesht le ta thotë dhe natyrisht të ikë pastaj. Në rastet kur janë larguar njerëz të tjerë, ua kam thënë ministrave e deputetëve përkatës; vëlla i dashur, ky vend është i joti.”, thuhej në audion ku fliste Lame, e cila u ripublikua sot nga PD. Audiopërgjimi i përket kohës para zgjedhjeve të 2017, ndërsa u bë publik nga PD në janar të vitit të kaluar.

DEKLARATA E PARTISE DEMOKRATIKE

Propaganda e Edi Ramës me punësimet shtetërore është një nga çështjet penalizuese jo vetëm për integrimin europian, por, mbi të gjitha, për keqfunksionimin dhe korrupsionin endemik, i përhapur në çfo qelizë të administratës shtetërore.

Shembull tipik i kësaj propagande është Agjencia e Kadastrës, e drejtuar prej 6 vitesh nga Artan Lame me emrin e Agjencisë së Legalizimeve. Pak ditë më parë, Artan Lame, pa u skuqur fare, foli për konkurs të ndershëm në plotësimin e disa dhjetëra vendeve të reja të punës të hapur në ketë agjenci me shtrirje në të gjithë vendin. Por gjithçka është një teatër.

Artan Lame, si gjithë kolegët e tjerë pjesë të qeverisë grabitëse të Edi Ramës, nuk mund të organizojnë konkurse të ndershme. Ata dinë vetëm të punësojnë militantë partiakë, që i përdorin në zgjedhje në shkelje të ligjit ndaj kundërshtarit politik. Artan Lame është modeli tipik i kësaj skeme skandaloze që ka mbajtur peng administratën publike gjithë keto vite, duke punësuar militantë që vijnë me lista nga partia në pushtet dhe, në vend t’u shërbejnë qytetarëve, i shërbejnë partisë në pushtet në kohë fushatash elektorale.

Rreth një vit më parë, kjo u provua me një material autentik, të publikuar në media, ku Artan Lame dëgjohet që pranon ndërhyrjen e deputetëve socialistë për marrjen në punë të militantëve dhe përdorimin e tyre gjatë fushatës. Ju ftoj ta ndekim këtë pjesë, ku Artan Lame nuk është në rolin e një shtetari që flet për konkurse, por në rolin e një partiaku që emëron militantët e sjellë nga partia.

Teatri që luhet me shqiptarët dhe tallja e tyre nga Artan Lame dhe shefi tij Edi Rama është e qartë. Në vend që ky funksionar i qeverisë të ishte sot në burg për përdorimin e administratës në fushatë, vazhdon të mashtrojë shqiptarët me propagandën e Edi Ramës për punësime me konkurs.

Modeli i vërtetë i Artan Lames dhe gjithë të ngjashmëve të tij është vetë Edi Rama. Dosja 339, e trajtuar gjerësisht nga Zëri i Amerikës pak muaj më parë, provoi se është Kryeministri ai që ndêrhyn drejtpërdrejt për prishjen e konkurseve të administratës dhe, në mënyrë kriminale, ndërhyn nga zyrat e tij për të larguar më të aftët dhe për të punësuar militantët partiakë apo njerëzit e kriminalizuar.

Edi Rama ka ngritur një shtet mafioz, ku gara në zgjedhje, gara për vendet e punës, gara për tenderat janë fasadë e një pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar. Pra daj, sot Shqipëria ka vetëm një zgjidhje, largimin e Edi Ramës!

Zëri i Amerikës: Nderimi i dëshmorëve nacionalistë në Gjirokastër (video)

Në varrezat e dëshmorëve nacionalistë në Grehot të Gjirokastrës u kryen të shtunën nderime për 37 luftëtarë të Ballit Kombëtar, që ranë 76 vjet më parë në luftime me pushtuesit italianë. Organizata e Ballit Kombëtar në Shqipëri e shënon 14 shtatorin si “Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë”. Familjarët e viktimave kërkuan sot që historia shqiptare për këtë ngjarje të rishkruhet pasi është manipuluar gjatë viteve të regjimit komunist. Ndërsa një grupim reagoi ashpër në ceremoni ndaj pranisë në parlamentin e sotëm shqiptar të përfaqësueve të Ballit Kombëtar.


Familjarë të dëshmorëve nacionalistë nderuan në varrezat e Grehotit 37 luftëtarë të Ballit Kombëtar, që ranë 76 vjet më parë në përpjekje me pushtuesit italianë. Mes familjarëve në ceremoni ishin edhe perfaqësues politikë te Partisë Demokratike, Ballit Kombëtar dhe ish të persektuarve politikë. Pas vendosjes se kurorave, oratorët nderuan kontributin e komandatëve të çetave të Ballit Kombëtar dhe Komandatit të Përgjithshëm Hysni Lepenica të cilët u vranë në përpjekjen me forcat fashiste italiane në 14 shtator të vitit 1943. Ish deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha se historia shqiptare për ketë ngjarje duhej të fliste për të vertetën e cila u manipulua gjatë viteve të regjimit komunist.

“Në qoftë se ka një tension dhe ka një ndrydhje të shoqërisë shqiptare është pikërisht fakti i munegsës së të vërtetës e cila për 50 vite, por edhe për tridhjetë vite pas rënies së sistemit, kjo shoqëri dhe ndoshta edhe institucionet nuk ia arritën të hidhnin dritë mbi të vërtetën”, tha zoti Alibeaj.

Ndërsa Kryetari i Organizatës së te Përndjekurve Politikë Antikomunistë Nebil Çika tha se 14 shtatori ishte një ditë e shënuar, jo vetëm për nacionalistët, por për kombin shqiptar.

“Është një ditë e shënur, por është edhe një ditë që duhet të reflektojë në rishikimin e historisë sonë. Janë këta dëshmorë nacionalistë të shpallur nga shteti shqiptar që na vendosin ne në anën e drejtë të historisë. Kemi dëgjuar 100 herë që përmendet nga politikanët se kush është ana e drejtë e historisë. Ata kishin ideal perëndimin, Shtete e Bashkuara të Amerikës, Europën,pra një Shqipëri perëndimore, demokratike, të lirë”, tha zoti Çika.

Gjatë ceremonisë, një grupim pjesëmarrës reagoi me tone të ashpra ndaj politikanëve të partive të sotme të Ballit Kombëtar të cilën janë pjesë e parlamentit shqiptar. Sipas reagimeve, prania e tyre në parlament ishte një shenjë tradhëtie ndaj vlerave të të parëve të tyre. Masakra e Grehotit vlerësohet nga burimet historike se u shkaktua nga një sulm i beftë i ushtarëve italianë që përgatiteshin të braktisnin kazermat e Grehotit pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri.

Nacionalistët e mbledhur nga disa krahina që kishin negociuar për një dorëzim pa kushte u qëlluan në pabesi dhe 37 luftëtarë, mes të cilëve edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica humbën jetën.

Tiranë: Thatësira zbulon fiktivitetin e shifrave të ekonomisë (video)

Ilirian Agolli

Ekonomia shqiptare është duke kaluar një periudhë të vështirë, ku rritja ekonomike pritet të tkurret ndjeshëm, investimet vendase dhe të huaja janë në rënie dhe ku deficiti dhe borxhi vazhdojnë të mbeten në nivele kritike, bashkë me disnivelin e eksport-importeve.

Kështu i përshkruajnë me pak fjalë zhvillimet ekonomike të vendit studiues të ekonomisë. Studiuesit pohojnë se thatësira e sivjetme nxori zbuluar brishtësinë e ekonomisë shqiptare, sepse rritja e vjetshme ekonomike erdhi kryesisht prej shirave dhe shitjes masive të energjisë elektrike.

“Nëse rritja ekonomike udhëhiqet vetëm nga sektori i energjisë elektrike, kur i gjithë prodhimi i energjisë elektrike është krejtësisht në dorë të tekave të natyrës, atëherë ne nuk kontrollojmë dot dhe nuk jemi në gjendje të projektojmë zhvillimet ekonomike të vitit. Kjo brishtësi është një nga problemet serioze që ka ekonomia e Shqipërisë. Shumë nga problemet e këtij viti kanë ardhur prej thatësirës dhe sigurimit të energjisë elektrike, po ashtu edhe me ndikime të forta mbi bujqësinë, që zë 20 për qind të prodhimit kombëtar” – tha studiuesi Selami Xhepa.

Ndërsa drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi thotë se vjet nuk pati rritje ekonomike, sa kohë që ajo u sigurua vetëm nga shirat dhe shitja e energjisë elektrike.

“Sipas të dhënave zyrtare, kemi një përgjysmim të rritjes ekonomike nga 4% vjet në 2 për qind në 6 muajt e parë të këtij viti. Dua ta theksoj se nuk ka një përgjysmim të rritjes ekonomike, por rritja e vitit të kaluar ishte fiktive. Thjesht ra shumë shi dhe u shit shumë energji, por kjo nuk është rritje ekonomike reale” – tha zonja Liperi e Revistës Monitor.

Mungesa e investimeve të huaja shihet po ashtu si një problem kryesor, sepse Shqipëria nuk është tërheqëse prej taksave të larta, dhe investimet e huaja po shkojnë në vendet fqinje.

“Burimet që financojnë rritjen e ekonomisë, investimet e brendshme dhe ato të huaja, vazhdojnë të mbeten problematike. Mungojnë investime të huaja të rëndësishme, ndërsa investimet vendase janë të dobëta, gjykuar nga indikatori i kredisë. Kredia e re në ekonomi vazhdon të mbetet e dobët, dhe sistemi bankar më shumë vazhdon të mbetet i angazhuar në kthimin e kredive të mëparshme. Ndaj zhvillimi më i dukshëm i ekonomisë do të dojë një periudhë më të gjatë kohe” – tha zoti Xhepa.

Ekspertët thonë se e vetmja shpresë po mbetet turizmi, i cili duket se ka lëvizje, por fitimet e tij nuk po shfaqen në përmirësimin e treguesve, ose se ka evazion fiskal dhe fitmiet fshihen, ose se konsumi i turistave ka zëvendësuar konsumin e shqiptarëve tashmë të larguar nga vendi.

Papunësia është një tjetër problem kryesor. Zonja Liperi thotë se në 6 muajt e parë të vitit janë punësuar vetëm 1 mijë e 200 persona, ose 200 vetë në muaj.

“Duke parë gjithë këto lëvizje me turizmin, mendoj se rritja ekonomike duhet të kishte qenë më e lartë. Ose ka evazion, se, pavarësisht aksionin anti-informalitet, të ardhurat nga tatimet nuk janë rritur, përkundrazi tvsh-ja e brendshme, si matës kryesor, është në rënie, ose kanë ikur njerëzit dhe turistët që kanë ardhur kanë zëvendësuar atë konsum të munguar nga emigracioni shqiptar i përshpejtuar” – tha zonja Liperi.

Ekspertët pohojnë se paqëndrueshmëria e ligjeve ekonomike dhe trazirat politike janë faktorë shtesë që dëmtojnë ekonominë, po edhe kur ato kanë qenë të qëndrueshme, shifrat nuk kanë patur ndonjë përmirësim domethënës e të ndjeshëm.

U përkujtua kryengritja antikomuniste e Postribës (video)

Pëllumb Sulo

Banorë të Shkodrës dhe Postribës përkujtuan 73 vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, e cila cilësohet si e para kryengritje antikomuniste në Shqipëri.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke foluar gjatë ceremonisë përkujtimore tha se banorët e Shkodrës dhe Postribës ishin të parët që e kuptuan rrezikun që po i kanosej vendit, ndaj edhe vendosën ti kundërvihen. Zonja Ademi tha se mesazhet e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës vazhdojnë të jenë aktuale.

“Sot, Kryengritja Antikomuniste e Postribës, mesazhet e saj janë më aktuale se kurrë. Një diktaturë ka filluar të instalohet në këtë vend. Po shkelen me dhunën e pushtetit edhe liritë më elementare, por edhe të shenjta, të cilat i kemi fituar prej 30 vitesh.”

Në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës merrnin pjesë disa prej ish deputetëve të Partisë Demokratike. Sekretari Organizativ i kësaj partie, Gazmend Bardhi, tha se banorët e Postribës e kuptuan të parët rrezikun që po i kanosesj vendit ndaj dhe reaguan.

“73 vite më pas, Kryengritja e Postribës mbetet aktuale sepse na thërret për të qendruar sërisht, për të luftuar për lirinë, për të drejtat humane, përkushtimin për të mos pranuar sundimin.”

E nisur para kohe, Kryengritja Antikomuniste e Postribës dështoi. Fazë Shabaj, banore i Postribës, thotë se kryengrija u pasua nga një masakër e gjërë e komunistëve mbi popullsinë e Postribës.

“Qeveria komuniste bëri një terror të paparë në Postribë. Pushkatoi mbi 22 vetë, u dogjën mbi 60 shtëpi me të gjithë pasuritë dhe u burgosën mbi 300 vetë në burgjet e komunizmit.”

Ndërsa Hamzë Kazazi, djali i njërit prej udhëheqësve të Kryengritjes së Postribës, Jup Kazazit, tha se komunistët shfrytëzuan dështimin e kryengritjes për të terrorizuar popullsinë e pafajshme.

“Edhe dihen masakrat që ka pësu Postriba edhe Shkodra. Duke përfitu prej kësaj, komunizmi eleminoi kë deshti; klerin katolik, klerin musliman, intelektualët me kulturë prendimore.”

I pranishëm në përkujtimin e Kryengritjes Antikomuniste të Prostribës, Nebil Çika, i cili drejton Shoqatën Antikomuniste të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë tha se prej kohësh vërehen përpjekje që ngjarje të tilla si ajo e Postribës të mbahen thjeshtë në kornizën e ngjarjeve përkujtimore.

“Ka një përpjekje titanike të politikës dhe rretheve akademike për ta mbajtë vetëm si datë historike. Por kjo nuk është datë historike, është symbol i qendresës tonë antikomuniste. Është shumë aktuale për situatën që po përjetojmë politikisht.”

Për qendresën ndaj komunizmit, Postriba dhe Malësia e Madhe janë nderuar nga Presidentët e Shqipërisë me urdhërin e lartë “Nderi i Kombit”.

Meta zbulon informacionin sekret: Do digjnin Kuvendin e Shqipërisë, ja çfarë do të shfrytëzohej (video)

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka zbuluar sot në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, një informacion sekret dhe të klasifikuar, që mori një ditë para se të shfuqizonte 30 qershorin si datën e  mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vend.

Ai ka thënë se nga burime tërësisht të besueshme është njoftuar se persona të caktuar do të digjnin Kuvendin e Shqipërisë.


“Presidenti për shkak të detyrës së tij ka pasur informacione të mjaftueshme si në rrugë zyrtare dhe shtetërore, edhe përmes burimeve të tjera për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të vecantë në datën 7 qershor një ditë para se presidenti të bënte publik vendimin për shfuqizimin e datës 30 qershor ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar, nëse komisioni do të njihet mund të ndodhë, pasi të merrej leja dhe te verifikohen certifikatat e sigurisë të anëtarëve të komisionit. Me pak fjalë, ky informacion bënte të qartë që persona të caktuar do të përpiqeshin të shfrytëzonin mitingun e opozitës më 8 qershor, edhe për djegien e kuvendit të Shqipërisë”- tha Meta.

Me tej presidenti sqaroi:

Ky ishte informacion i besueshëm, po të kishe parasysh pasojat nga këto protesta e konfrontime, i keni parasysh deklarartat e ministrisë së brendshme për shumë policë të plagosur, duke e kombinuar këtë informacion mora ate vendim. Një ngjarje e cila mund të prodhonte pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit të vendit tonë që me aq ngjarje që ishin bërë deri në atë moment ishte shkatërruar. Historia e vendit tonë për fat të keq nga 2 prilli e deri në 21 janar është plot me ngjarje të tilla të hidhura ku përmes protestave e gjatë protestave kemi pasur viktima dhe isha i bindur se ishte detyra ime që të bëja gjithcka që në datën 8 qershor të evitohej në mënyrë të padiskutueshme një ngjarje e tillë e të krijoja mundësi për një dritare e reflektim midis palëve sikurse e thotë edhe qartë raporti i OSBE-ODIHR pra gjithcka ishte antagonizëm i përbashkët i dy palëve që dëmtonte dhe cënonte integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Antagonizëm do të thotë armiqësi, kështu që në këto kushte, kjo do të ishte një goditje shumë e fortë jo thjesht për zgjedhjet e 30 qershorit, por kthim i madh mbrapa per vendin. Të dyja palët kishin dhënë shembull të shkëlqyer për të ecur përpara në rrugën e konfliktit pa marre pergjegjesite e asaj qe mund te ndodhte. Jam i detyruar të shoh interesin kombëtar të vendit si president.