‘Shqipëria në rrezik’ – Berisha: Protesta do jetë epike! Kjo qeveri nuk e meriton të jetë në pushtet as një ditë të vetme
Kryetari demokrat, Sali Berisha, foli në konferencën e organizuar për promovimin e librit ‘Shqipëria në rrezik’ nga shoqëria civile.
“Ky libër është një homazh për kauzat dhe aktivistët e shoqërisë civile, i kanë promovuar dhe mbrojtur këto kauza.
Por nga ana tjetër, është edhe një mesazh-thirrje për të gjithë shqiptarët, të bashkohen me këto kauza të drejta.
Kauza, të cilat kanë një emërues të përbashkët, mbrojtjen e lirive të shqiptarëve.
Është një nderim dhe homazh gjithashtu për të gjithë ata që nesër do mbushin bulevardin në një protestë epike, do thosha unë, në një protestë të një rëndësie jetike për Shqipërinë, pasi siç del çdo orë dhe çdo ditë, Edi Rama dhe ekipi i tij abuzon me liritë, me financat, me qenien, me dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Temperaturat janë të larta, por më e lartë është edhe urrejtja popullore për këtë dhunues të kauzave të lirive. Gjithçka lidhet me liritë e qytetarëve shqiptarë,” tha Berisha.
Megaskandali i inceneratorëve/ Berisha: Mafia qeveritare përdori të moshuarit për të vjedhur 60 mln euro
Kryetari demokrat, Sali Berisha, u ndal në fjalën e tij gjatë promovimit të librit ‘Shqipëria në rrezik’ edhe te megaskandali i inceneratorëve.
“Qytetarët janë njohur tashmë me mënyrën më të paimagjinueshme të vjedhjes së parave të thesarit të shtetit, duke shpallur biznesmenë njerëz të moshuar në azile, njerëz të cilëve u kanë vjedhur kartat e identitetit, njerëz që nuk kanë asnjë lidhje, por kanë vetëm një fat, mafia qeveritare e djegësave ka vendosur t’i përdorur ata për të vjedhur 60 milionë euro.
Ndërkohë qytetarëve që përballen me rritje të papërmbajtshme të çmimeve, nuk u kompensohet një qindarkë e vetme. E pamë në parlament që qindra milionë euro të fituara nga rritja e çmimeve, të marra nga xhepat e qytetarëve, nuk iu kthyen atyre, por u ndanë me oligarkët.
Shohim që në këtë periudhë krize të madhe, Edi Rama nuk njeh kufi në vjedhjet e tij. Çon te Zoto-Mërtiri, te ushtarët e vet të hajnisë, në aferën e djegësave, çdo ditë nga 80 mijë euro, për të treguar karakterin qesharak të hetimit që zhvillohet sot ndaj kësaj afere.
Kemi të bëjmë me një person, për të cilin qytetarët shqiptarë nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë për t’u vjedhur dhe mashtruar.
Këto përgjigje do i japë protesta nesër dhe në vazhdim,” tha Berisha.
Berisha: Protesta duhet të jetë magnet për shoqërinë e heshtur, Rama nuk njeh kufi në vjedhje
Kryetari demokrat, tha në promovimin e librit ‘Shqipëria në rrezik’ se protesta e 7 korrikut duhet të jetë një magnet për shoqërinë e heshtur.
“Entuziazmi është shumë i madh, pakënaqësia është e pakufishme. Le të bëjmë gjithçka për të protestuar protestën tonë në një magnet për shoqërinë e heshtur shqiptare.
Për atë shoqëri që ndjek me dëshpërim të madh këto zhvillime, por që duhet të vendosë të reagojë dhe të heqë dorë nga pasiviteti.
Duhet të ngrihemi për t’i thënë këtij autokrati se kohërat i ke të numëruara,” tha Berisha.
“Ne do të ecim të pandalshëm në këtë rrugë, sepse kjo qeveri nuk e meriton të jetë në pushtet as edhe një ditë të vetme”.
Berisha: Objektivi i protestës së 7 korrikut dhe protestave të tjera do jetë largimi i Edi Ramës
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në fund të promovimit të librit ‘Shqipëria në rrezik’, se protesta ka objektiv largimin e Edi Ramës.
“Ju garantoj që zërat tuaj, kauzat tuaja janë kauza të drejta, të cilat do marrin përgjigjen më të merituar me largimin e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij.
Natyrisht, largimi i kësaj qeverie është hapi i parë, jetik dhe i domosdoshëm për të rikthyer në Shqipëri ligjin, liritë dhe për të zhbërë padrejtësitë evidente, të qarta ndaj qytetarëve.
Ju siguroj se për ne, prapa çdo kauze qëndron një liri e dhunuar, pavarësisht grupit apo përmasave të grupit që është prekur prej saj.
Konsiderojmë jetike banesën, shtëpinë dhe një dhunim antikushtetues, antiligjor në përputhje me këtë do mbajmë qëndrimet tona.
Por unë mendoj se protesta është rruga, është mënyra për t’i hapur rrugë zhbërjes së padrejtësive.
Të gjithë viktimat e arbitraritetit dhe të korrupsionit, duhet të bashkohen nesër me ne në protestë.
Nesër është një ditë e veçantë, shumë e veçantë. E thatë qartë që kauzat janë të shumta, janë të dhimbshme. Janë ulëritëse.
Por monizmi i plotë është shkaku themelor i tyre. Ndaj dhe ne zgjidhjen e këtyre kauzave, e gjejmë me largimin e kësaj qeverie nga pushteti.
Dorëheqja dhe largimi i qeverisë së Edi Ramës është objektivi kryesor, është qëllimi më i madh i protestës së 7 korrikut dhe protestave që do vijnë më pas të popullit opozitar,” tha Berisha.
Protesta/ Zbulohet fletëpalosja e PD: 7×7 arsye bëjnë 49 dhe jo 42! Boll më me kauza të shitura!
Një ditë para protestës së thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është zbuluar edhe fletëpalosja e PD.
Siç mund ta shihni, fletëpalosja e PD nis me fjalët “Shqipëria në rrezik! Mos thuaj: Ç’më duhet mua?”
Ndërkohë, siç shihet në fletë, ironizohet edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha, teksa shkruhet se “7×7 arsye bëjnë 49 (dhe jo 42)! Boll më me kauza të shitura!”.
Protesta/ Berisha fton qytetarët dhe paralajmëron: Mos provokoni! Rama të mendojë dorëheqjen
Kryetari demokrat, Sali Berisha, dha një prononcim për mediat pas përfundimit të promovimit të librit ‘Shqipëria në rrezik’.
“Sot u promovua ky libër, si manifest i kauzave të drejta, i kauzave të dhunuara të qytetarëve shqiptarë, kauzave të cilat janë një thirrje për ccdo shqiptar të bashkohet nesër në protestën e 7 korrikut për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij nga pushteti.
Situata është jashtëzakonisht e ndezur, pakënaqësia dhe urrejtja për këtë qeveri ka rrokur qiellin.
Pandjeshmëria e saj është gjithashtu po kaq e madhe.
Mos të harrojmë se një kauzë të drejtë, asgjë nuk mund ta mposhtë.
Ndaj shfrytëzoj këtë rast, për të ftuar ccdo qytetar të këtij vendi, të kontribuojë me praninë e tij në suksesin e protestës.
Paralajmëroj, paralajmëroj të gjithë llojet e policive se ccdo presion, ccdo qëndrim, ccdo përpjekje për të intimiduar, për të dhunuar, për të penguar popullin opozitar, do të regjistrohet dhe do marrë ndëshkim personal të merituar ligjor.
Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit. Është e vërtetë që vapa dhe temperaturat janë të larta, por më të larta janë temperaturat e brendshme të njerëzve që vijnë të protestojnë ndaj këtij regjimi.
Nesër pra është një ditë e madhe. Nesër është një ditë frymëzimi. Një ditë beteje e vërtetë.
Opozita zbret në shesh si opozitë e vërtetë pas kaq vitesh. Edi Rama është i ftuar të mendojë dorëheqjen e tij sa më parë,” tha Berisha.
Berisha u përgjigjet pyetjeve: Skenari i protestës është i qartë! Përshëndes Renis Gjokën dhe Big Bastën
Kryetari demokrat, Sali Berisha, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me protestën e nesërme. Pas promovimit të librit ‘Shqipëria në rrezik’, Berisha dha një prononcim për mediat:
Pyetje: Z.Berisha, në lidhje me agjendën, do të niseni nga selia blu? Dhe nëse keni biseduar me kryetarët e degëve, sa do të jetë numri i protestuesve nesër?
Sali Berisha: Më lejoni të përshëndes para jush autorët e himnit të protestës së 7 korrikut, Renis Gjokën dhe Big Bastën. Të cilët me një pasion dhe me kreativitet i dhanë protestës barrakudën e saj.
Pyetje: Cilët do të jenë skenarët e protestës së nesërme? Do tentohet hyrja në Kryeministri? Sa do të jenë numri i pjesëmarrësve?
Sali Berisha: Pjesëmarrësit kam një numër që do të jetë një protestë gjigante, masive, por që të më kërkoni numër të saktë mua, mos gaboni, se dy gjëra nuk merrni kurrë nga unë, përqindje, parashikime në përqindje dhe numër.
Pyetje: Cili do të jetë skenari i protestës?
Sali Berisha: Skenari i protestës është i qartë, betejë për lirinë dhe kundër padrejtësive të mëdha me të cilat përballen këta qytetarë.
Pyetje: Zoti Berisha, në këtë protestë ju do të udhëhiqni, apo do të udhëhiqeni?
Sali Berisha: Të gjitha opsionet janë të mundshme, plotësisht, edhe të udhëheq edhe të më udhëheqin.
Pyetje: Të nesërmen e protestës…?
Sali Berisha: Beteja vazhdon. Nuk ka të ndalur!
syri.net
Komentet