VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Vendimi ndaj Berishës, Amb. Kim: Ata që habiten nuk janë të sinqertë

By | September 17, 2021
blank

Komentet

blank

Intervista – Kupchan: Ballkani të përgatitet për rikthim të angazhimit intensiv amerikan

Krenare Cubolli

Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rajoni i Ballkanit gjendet në listën e prioriteteve të administratës amerikane.

Kupchan, njëherësh profesor në Universitetin Georgetown në Uashington, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të bashkojnë forcat për zgjidhje të mosmarrëveshjeve në rajonin e Ballkanit, në mënyrë që të mbajnë larg ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, Christopher Hill, i nominuari i presidentit amerikan, Joe Biden, për ambasador në Serbi, është njeri me përvojë të jashtëzakonshme në Ballkan dhe nam të madh në Uashington, si dhe me shumë peshë në qarqet diplomatike.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Kupchan, administrata amerikane ka nominuar së fundmi ambasadorë të rinj në tri shtete të Ballkanit. Jeffrey Hovenier në Kosovë, Christopher Hill në Serbi dhe Michael Murphy në Bosnje-Hercegovinë. Gabriel Escobar është po ashtu i ri në pozitën e tij si zëvendës-ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe si i dërguar për Ballkanin. Disa thonë se këto vendime tregojnë që Shtetet e Bashkuara kanë synime serioze në këtë rajon. Si e komentoni këtë?

Charles Kupchan: Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë.

Pra është person që ka lidhje për kohë të gjatë me këtë rajon. Po ashtu mendoj që këto janë edhe përpjekje për të investuar në diplomatë të karrierës në shërbim të jashtëm, për t’u rimëkëmbur nga epoka e (ish-presidentit amerikan, Donald) Trump, kur nuk ka pasur shumë performancë të mirë në Departamentin e Shtetit. Prandaj mendoj se është kombinim i përfshirjes së profesionistëve të karrierës dhe shqetësimeve të presidentit për Ballkanin.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet me prioritet për administratën Biden, në mënyrë që të përfundohen proceset e zvarritura nga e kaluara?

Charles Kupchan: Nëse dëshironi të thoni se a është prioritet global? Përgjigja është jo. Unë them se ai ka dy prioritete kyçe. E para, që e dominon presidencën e tij, është rregullimi i gjërave brenda SHBA-së, miratimi në Kongres i paketave të mëdha për investime, për të ndihmuar popullin amerikan dhe për t’u siguruar se epoka e Trumpit, apo diçka e ngjashme, nuk do të përsëritet më kurrë.

E dyta ka të bëjë me implikimet nga rritja e Kinës. Rritja e Kinës, në disa mënyra përbën temë kyçe gjeopolitike të kohës sonë. Mirëpo nëse dikush pyet se cilat janë prioritetet rajonale, mendoj se Ballkani është ngritur në listë, kryesisht për shkak të punëve të papërfunduara të komunitetit atlantik. Mendoj se ndarja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë, ka krijuar disa efekte politike, të cilat nuk janë përfunduar ende.

Unë mendoj se e di si përfundon kjo gjë. Kjo çështje përfundon me integrimin e plotë të rajonit në institucione atlantike. Vetëm se nuk e dimë kur do të ndodhë kjo gjë. Mendoj se administrata Biden do ta bëjë këtë gjë prioritet.

“SHBA dhe BE të bashkojnë forcat për marrëdhëniet Kosovë-Serbi”

Radio Evropa e Lirë: Në dëshminë e tij para Komitetit të Senatit për Punë të Jashtme, më herët gjatë këtij muaji, Hovenier ka thënë se nëse i konfirmohet nominimi, ai do ta inkurajojë Kosovën që të angazhohet me konstruktivitet, fleksibilitet dhe urgjencë në dialog me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. A mund të shohim një marrëveshje në mes të dyja vendeve gjatë mandatit të tyre? Në çfarë shkalle e shihni fleksibilitetin e dy palëve në arritjen e një marrëveshjeje?

Charles Kupchan: Mendoj se duhet dhënë merita, kur ka të tilla. Administrata Trump ka bërë përparim në këtë fushë, pra ka pasur lëvizje në aspektin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ato çfarë do të shohim tani janë përpjekje për kaluar në aspektin politik dhe për të normalizuar marrëdhënet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk e besoj që dikush ka iluzione për këtë punë. Do të jetë e vështirë. Politika në të dyja anët është shumë e vështirë. Mirëpo mendoj se janë bashkuar forcat në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që mund të krijojnë presion të jashtëm dhe stimujt e nevojshëm për të orkestruar përparim. Mendoj se një nga gabimet që ka bërë administrata Biden është se ka ndjekur rrugën si e vetme, dhe BE-ja po ashtu rrugë të vetme. Pres të shoh SHBA-në dhe BE-në që të bashkohen për të shënuar përparim në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ky më duket ekipi më i mirë për të çuar çështje përpara.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket kësaj çështjeje, më 21 tetor, Parlamenti Evropian ka kritikuar Bashkimin Evropian se nuk ka përmbushur premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor. Disa ligjvënës i kanë konsideruar premtimet dhe konkluzat nga Samiti i Bërdos si “fjalë boshe”, duke përmendur refuzimin për të ofruar afate kohore për procesin e zgjerimit. Ndërkohë, BE-ja dhe SHBA-ja janë pajtuar për të forcuar edhe më shumë angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, për t’i ndihmuar rajonit që të shënojë përparim në rrugën evropiane. Çfarë mund të presim nga një përkushtim i tillë?

Charles Kupchan: Kritikat nga Parlamenti Evropian nuk janë për t’u befasuar dhe të paarsyeshme. Një kombinim i krizave politike brenda Evropës Perëndimore dhe Shteteve e Bashkuara, plus pandemia, kanë ndikuar që një periudhë të ketë më shumë fokus brenda. Prioritetet kanë qenë rimëkëmbja e ekonomisë, luftimi i pandemisë së koronavirusit, kthimi i njerëzve në punë dhe kjo ka bërë që të ketë më pak vëmendje në agjendën e politikës së jashtme. Sa i përket Evropës, kemi parë një lodhje nga zgjerimi dhe një fokus në Brexit dhe menaxhim të situatës pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Ende nuk e kemi tejkaluar pandeminë, ende duhet bërë shumë punë. Mirëpo e vërej që, si në Bruksel, ashtu edhe në Uashington, ka një marrëveshje që për çështjet e papërfunduara në rajonin e Ballkanit, kjo është kohë e përshtatshme për t’i adresuar ato. Vlen të përmendet se ajo çfarë po motivon të dyja palët e Atlantikut janë Rusia dhe Kina. Rusia ende përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet politike në rajon, në të mirë të saj. Kina është duke tentuar të depërtojë në Evropën Juglindore. Prandaj SHBA-ja dhe BE-ja dëshirojnë ta mbajnë Ballkanin Perëndimor larg ndikimit rus dhe atij kinez. Dhe kjo gjë nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe drejtimin e të gjitha shteteve të rajonit në rrugë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë në Bosnjë. Ambasada amerikane në Bosnje-Hercegovinë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se SHBA-ja është e gatshme të përdorë të gjitha sanksionet e mundshme kundër atyre që dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe. Kjo deklaratë ka ardhur pas vendimit të Republikës Sërpska që në mënyrë jokushtetuese të miratojë një ligj për krijim të një agjencie për ilaçe, në nivel entiteti. Është thënë se e njëjta gjë do të ndodhë me forcat e armatosura të Bosnjës, Agjencinë e Sigurisë dhe Autoritetin Indirekt të Tatimeve. Si i komentoni vendimet e anëtarit të presidencës trepalëshe, Milorad Dodikut dhe deri në çfarë niveli mund të përdoren sanksionet amerikane?

Charles Kupchan: Nuk dua të spekulojë se çfarë hapa specifikë mund të marrë SHBA, qoftë vetëm, apo në koordinim me BE-në. Mirëpo ka zemërim në të dyja anët e Atlantikut rreth zhvillimeve politike në Republikën Sërpska, në lidhje me mënyrën sesi Dodik është duke luajtur lojë të rrezikshme dhe është duke qëndruar në pushtet në Bosnje-Hercegovinë. Sërish, nuk dua të spekulojë, mirëpo më duket se ka nevojë në rritje për të shënuar përparim të rëndësishëm në rajon.

Qoftë përmes sanksioneve, apo përmes rishikimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe për të krijuar struktuara që vendosin më pak theks në partitë që udhëheqin në baza politike. Mbetet të shihet. Mirëpo shihet qartë se tentimet për të krijuar politikë më të shëndetshme dhe konstruktive në Bosnje-Hercegovinë janë një nga prioritetet në rajon, bashkë me normalizimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Rusia i shfrytëzon gjithmonë ndasitë”

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni pozicionin e Rusisë në ndasitë politike në Bosnje?

Charles Kupchan: Rusia është shtet që gjithmonë tenton që të shfrytëzojë nga ndasitë. Dhe është e mirë në këtë gjë. Kjo është një nga arsyet pse them se BE-ja dhe SHBA-ja do të tentojnë të ndihmojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshje politike. Në rastin e Serbisë, rusët janë shumë të mirë për të shfrytëzuar ndasitë politike brenda Ballkanit Perëndimor. Prandaj ky është arsyetim i mirë për të tentuar që të tejkalohen ndasitë politike nga e kaluara.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm nisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Por, a mund të bëjë diçka Uashingtoni për ta përshpejtuar këtë proces?

Charles Kupchan: Shtetet e Bashkuara në këtë rast janë të interesuara në negociatat për anëtarësim në BE, mirëpo nuk mendoj se janë lojtare dhe mund të ushtrojnë shumë ndikim të jashtëm. As nuk mendoj që duhet. Fusha e vetme ku them unë se diplomacia e SHBA-së dhe BE-së duhet të jetë në linjë, ka të bëjë me Serbinë dhe Kosovën. Ajo çfarë po shohim tani janë mënyra për të ofruar një sërë stimujsh, bashkë me shkopinj e karota, për t’i shtyrë palët më afër njëra-tjetrës. Dhe një nga joshjet më të mëdha për zgjidhje të mosmarrëveshjeve është perspektiva e anëtarësimit në BE. Prandaj them se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të punojnë ngusht, për faktin e joshjes së fuqishme të anëtarësimit në bllokun evropian.

“Christopher Hill, njeri me shumë peshë në qarqet diplomatike”

Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se do të jenë prioritetet e Christopher Hill-it në Serbi? Vetëm Kosova, apo edhe diçka tjetër?

Charles Kupchan: Do ta ketë një agjendë të gjerë. Marrëdhënia me Kosovën do të zë pjesën më të madh, por gjithashtu edhe përfshirja ruse në Serbi, më pas ekonomia ruse dhe nevoja për ta bartur Serbinë në drejtimin e duhur, jo vetëm në aspektin politik, por edhe atë ekonomik. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë besoj se do ta dominojë mandatin e tij, për aq kohë sa ekziston si çështje në rajon dhe që vazhdon të krijojë tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve etnikë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në linja kufitare në Maqedoni të Veriut. Mendoj se kjo çështje është e vështirë, por që do të ndihmojë në përmirësim të marrëdhënieve në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Christopher Hill ka luajtur rol të rëndësishëm në vitet e 90-ta, kur marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Uashingonit kanë qenë në pikën më të ulët. Çfarë ndikimi do të ketë përvoja e tij nga periudha e përgjakshme, për marrëdhëniet në të ardhmen me elitën politike në Serbi, të udhëhequr nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq?

Charles Kupchan: Fillimisht, Christopher Hill, i njeh lojtarët dhe do të ketë marrëdhënie personale të fuqishme me disa prej figurave të rëndësishme në rajon. Dhe kjo është gjë e mirë për fillim. Nuk do t’i duhet të krijojë lidhje. Së dyti, ai është njeri me përvojë të jashtëzakonshme dhe ka shumë kredibilitet në Uashington. Kjo nënkupton se ai do të ketë qasje të drejtpërdrejtë jo vetëm te Sekretari (amerikan i Shtetit, Antony) Blinken, por edhe në Shtëpi të Bardhë dhe lojtarë tjerë kyçë. Ai ka shumë peshë në qarqet diplomatike. Ai ka shumë përvojë brenda Departamentit të Shtetit. Ka qenë edhe jashtë për një kohë dhe ka krijuar reputacion si komentator i zgjuar, si dhe analist. Ai është një prej individëve më me përvojë dhe reputacion të lartë dhe mendoj që ky është lajm i mirë për Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Ambasadorit amerikan në Mal të Zi do t’i përfundojë mandati shumë shpejt. Marrë parasysh rritjen e interesimit për situatën në Ballkan, a mendoni se ambasadori i ri në këtë shtet do të jetë dikush me njohuri më të mëdha për çështjet e Ballkanit? Thënë me fjalë tjera, a do ta përdorë Departamenti amerikan i Shtetit recetën serbe – sikurse me rastin e zotit Hill – edhe në rastin e Malit të Zi?

Charles Kupchan: Është e vështirë që të thuhet se kë mund ta dërgojë atje Departamenti amerikan i Shtetit. Mirëpo mendoj se diskutimi lë të kuptohet se rajoni është në listën e prioriteteve. Në këtë rajon janë duke u dërguar diplomatë me përvojë, qoftë si ambasadorë apo edhe zëvëndës-ndihmës Sekretari për këtë rajon, si dikush me reputacion të madh. Mesazhi që është duke u dërguar është se, SHBA-ja e sheh rajonin si prioritet. Qeveritë në rajon duhet të jenë të përgatitura dhe mund të presin rikthim të angazhimit intensiv amerikan.

blank

E SHKRUARA MBETET! JETA DHE SFIDAT E NJË MËSUESI GAZETAR – Intervistoi: FRAN GJOKA

– Intervistë me mësuesin dhe gazetarin e njohur, Ibrahim Hajdarmataj-

Kush është Ibrahim Hajdarmataj?

blank

Ibrahim Ukë Hajdarmataj lindi në pranverën e vitit 1947 në fshatin Zogaj të Malësisë së Gjakovës, në Tropojë. Arsimin fillor e mbaroi në vendlindje. Arsimin 7- vjeҫar e vijoi në Kukës  dhe e përfundoi në qytetin “Bajram Curri”. Ka mbaruar shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe më vonë, Fakultetin e Gjuhë-Letersisë në UT në Tiranë Pas mbarimit të Fakultetit, me korespondencë, ka mbaruar një kurs specializimi në Letërsi. Pothuajse gjatë gjithë kohës punoi në vendlindje, në pozicionet: mësues, Z/drejtor dhe Drejtor gjimnazi, Drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Shef Kuadri, Kryetar i Këshillit Popullor të fshatit të Bashkuar, Zogaj. Tani është pensionist. Jeton e punon në vendlindje si fermer. Kur bisedon me të, nuk të ndërpret fjalën, të jep kurajë, besim, optimizëm, të lë të flasësh dhe kur fillon ai, ke qejf ta dëgjosh, është i kuptueshëm, flet thjeshtë. Edhe pse po i afrohet të 75-tave, ai ruan sinqeritetin, pastërtinë shpirtërore me një qëndrim të vyer. Forca e logjikës së tij shoqërohet gjithnjë me një sjellje njerëzore, thjeshtësi e aftësi komunikuese. Kudo ku punoi e drejtoi, asnjëherë nuk i uli vlerat deri në nivelin “korruptiv” të punës së tij. Sa drejtoi, asnjëherë nuk diti t’i diferencojë njerëzit sipas shoqërisë-miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që i jepte profesioni, edukimi dhe kultura e lartë qytetare, edhe se ka vite në pension, ai punon dhe u shërben me devotshmëri familjes së tij. CV-ja e tij sot është tepër e pasur, e shoqëruar me shumë vlera, me një sjellje modeste e ngazëllyese. Kam rastisur shpesh të takohemi e të bisedojmë, veçanërisht kur biseda binte te tema e ndryshimeve të tranzicionit të tejzgjatur, gjithnjë i hapur, me vështrimin e ëmbël e të resppektueshëm, bashkëbisedon me pasion, ligjikë e argument për vlera aletrnative, për ide dhe mendime të dobishme për demokracinë në Shqipëri.I ngritur në dinjitet, parimor, jashtë çdo dukurie negative, Ibrahimi eshte dhe mbetet një vella, shok, mik e bashkëshort ideal dhe një familjar i shkëlqyer.

 

-Keni më shumë se gjysmë shekulli që kontribuoni dukshëm në fushën e arsimit dhe të gazetarisë. Cilat nga kontributet tuaja do të veçonit?

Pas viteve 60 fillova punën e mësuesisë në vendlindje. Aso kohe kishte vetëm shkollë fillore (katër klase). Nuk harroj kurrë Idriz Logun, i cili ishte Shef i Arsimit në Tropojë. Pas një inspektim/ kontrolli që më bëri, mbeti i kënaqur nga puna ime dhe më pyeti nëse kisha ndonjë problem apo kërkesë. Unë i thashë se dëshira më e madhe e imja, e nxënësve dhe e prindërve ishte ndërtimi i një shkolle 7-vjeçare. Idrizi, pasi u mendua, tha:-E gëzofshi shkollën 7-vjeçare. Këtë urim ai e bëri realitet pas një viti. Në atë kohë ndiqja Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë me korrespondencë në Tiranë dhe vijova të jepja lëndën e gjuhës shqipe dhe leximit letrar në shkollën 7-vjeҫare. Paradite mësoja nxënësit dhe pasdite, tre herë në javë, mësoja prindërit e tyre, të cilët kishin mbaruar vetëm arsimin 4-vjeҫar. Vitet kalonin dhe në fshatin tonë u bë një aktiv partie që drejtohej nga Sekretarja e Komitetit të Partisë së Rrethit Tropojë, Mira Marku, ndërsa nga Tirana, i deleguar kishte ardhur anëtari i KQPPSh dhe këshilltar i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi. Nga fundi i aktivit të Partisë, Mehmet Karakushi thotë:-Nëse ka ndonjëri ndonjë problem të veçantë apo kërkesë, ta thotë.     Meqenëse unë isha dhëndërr i tij pra, nusja ime ishte motra e tij, njëherësh edhe kolegia ime,  mora zemër dhe fola: -Po, unë kam një kërkesë. Duhet të hapet shkolla e mesme këtu në Zogaj, drejtim gjimnazi dhe bujqësore. Mehmeti u kthye nga Mira dhe e pyeti se si i bëhej. Mira foli për Zogajt si një fshat me perspektivë, 60 km larg qytetit dhe se kërkesa ishte me vend. Mehmeti kontaktoi Tefta Camin, e cila në atë kohë ishte ministre e arsimit. Ajo e miratoi kërkesën tonë dhe brenda dy viteve u ngrit shkolla e mesme në Zogaj. Kjo shkollë u shërbente edhe nxënësve nga disa fshatra të Hasit dhe vijon punën si institucion i dijes dhe edukimit edhe në ditët e sotme. Unë vijova punën si mësues në gjimnaz, pastaj si Z/drejtor e Drejtor i gjimnazit. Kam qenë i angazhuar me shoqërinë civile, sidomos si aktivist për projekte të mbështetura nga Fondacioni Soros, falë të cilit kam botuar për vite me radhë gazetën “Ylberi i Zogajve” dhe “Biznesmenët e Arsimit”, në cilësinë e kryeredaktorit. Nuk e harroj kur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, pas takimit me disa gazetarë, dolëm për kafe me Qemal Sakajevën e Mehmet Elezin, të cilët më thanë: -Je i veçantë. Gazetën tënde të Zogajve e vlerësojmë në të njëjtin nivel me gazetat e Tiranës. Gazetat kombëtare kanë vlerësim pozitiv për gazetën e Zogajve! Kolegët e mi mësues, Hasan Hyka dhe Skënder Demaliaj u bënë profesorë në universitet dhe kanë gradë shkencore. Janë doktorë shkencash dhe shefa katedre. Kolegut tim, mësues Pëllumb Sulo, gjatë analizës së një ore mësimi, i thashë se e kishte vendin si gazetar. Sot ai është gazetar te “Zëri i Amerikës”. Kolegu im, Skënder Buҫpapaj e bëri analizën e orës mësimore në mënyrë poetike dhe unë i thashë se ai kishte lindur poet dhe se mund të shkëlqente vetëm në poezi. Skënderi u bë gazetar dhe kryeredaktor i gazetës “Drita”, Drejtor i Televizionit Shtetëror dhe Kryeredaktor i gazetës “Bota sot” në Prishtinë e Zvicër. Është poet i përmasave botërore.

-Cilët ishin artikujt tuaj të parë në shtyp? Mund të na thoni ndonjë mbresë të veҫantë?

-Artikujt e mi të parë janë botuar në revistën “Pionieri”. Një ndihmë të madhe në atë kohë më ka dhënë redaktori i kësaj reviste, gazetari i njohur, Murat Gecaj dhe më pas kryeredaktori i gazetës“Mësuesi”, Bedri Dedja. Që në vitet ’60 nuk jam ndalur së shkruari artikuj për gazetat. Në gazetën “Bashkimi” më kanë përkrahur Fiqiri Vogli, Hamit Boriçi dhe Qemal Sakajeva, të cilët kanë qënë kryeredaktorë në këtë gazetë. Më vonë, në këtë gazetë erdhi dhe Murat Gecaj,  duke e bërë redaksinë e kësaj gazete një shtëpi të dytë timen. Me kryeredaktorët, gazetarët Murat Gecaj e Viron Kona, më hapeshin dyert e Ministrisë së Arsimit. Edhe sot, që janë pensionistë,  me ish – drejtuesit e gazetës“Mësuesi”, Kozma Grillo, Bardhyl Xhamo apo Sejdo Hako, Viron Kona, Vjollca Spaho, Andon Andoni takohemi e bisedojmë me orë të tëra, me respekt për punën që kemi bërë ndër vite. Duke qenë se isha shumë aktiv, ATSH më dërgonte çdo dite lajmet në Zogaj. Në kujtesë më vijnë gazetarët tropojanë Ramiz Lushaj, Gani Qerimi, Riza Çela, etj. Aso kohe zhvilloheshin shumë aktivitete kombëtare të shtypit në Tiranë, Durrës, Shkodër, Peshkopi, Krujë e Sarandë. Takimi me Ismail Kadarenë në qytetin “Bajram Curri”, më duket sikur ka ndodhur sot. I shoqëruar nga dy shkrimtarë, ai bëri një takim me të rinjtë dhe kërkonte mendime për emrin e një reviste të re që do të botohej. Ismaili mendonte që ky emër të ishte “Ylli i Kuq”, por unë i thashë se nuk kishte yll të zi. Ylli personifikonte ngjyrën e kuqe, prandaj sugjerova që revista të pagëzohej thjeshtë “Ylli” dhe pas shumë diskutimeve, kështu u vendos. Krahas anëve pozitive, shpesh në shkrimet e mia trajtoheshin probleme e shqetësime dhe ata që merreshin me shkrime në atë kohë, më kuptojnë fare mirë. Pas viteve ’60 botova një reportazh në gazetën “Bashkimi” me titull “Tetë ura mbi lumin Skatina”. Ky lum kalonte mes fshatit Zogaj. Disa njerëz, dashakeqë të mi, i kishin shkruar një letër Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë në Tropojë, duke i thënë se tetë ura në lumin e Skatinës nuk janë realitet. Vjen Sekretari në Zogaj, mbledh popullin dhe më ballafaqon mua me letrën. Ai kërkoi t’i tregoja tetë urat mbi Skatinë. Unë, me gjakftohtësi, i thashë se çdo mjet i hedhur mbi lum e që shërben për të kaluar lumin, quhet globalisht urë. Pra, edhe një tra hekuri i madh që ka hedhur miniera mbi këtë lum për të kaluar njerëzit, quhet urë. Edhe vigjet e thjeshta janë ura kalimi deri tek ura me beton. Nga burimi i këtij lumi e deri në derdhje janë jo tetë, por tetëmbëdhjetë ura. Kështu shpëtova pa u dënuar, duke u vetëmbrojtur.

-Keni shkruar në dy sisteme, atë të partisë-shtet dhe në demokraci. Ku e ndieni ju ndryshimin, veҫanërisht në përmbajtjen e shkrimeve tuaja?

-Unë shkrova në të dy sistemet. Në periudhën e monizmit disa shkrime ishin me rekomandim, disa kishin ideologji e propagandë. Nuk mund të shkruaje gjithҫka, se shkrimet kontrolloheshin dhe nëse botohej pa dashje, duke i kaluar kryeredaktorit, autori i shkrimit mbante përgjegjësi për devijim të vijës së partisë, për ideologji borgjeze dhe merreshin masa për autorin deri në heqje lirie, me burgim. Sot shkruan ҫfarë të duash.

-Si e vlerësoni ju demokracinë shqiptare në këto 30 vite?

-Unë e vlerësoj demokracinë shqiptare dhe jam optimist se do të bëhet më mirë. Ne shqiptarët ngutemi (nxitohemi) pak, i duam gjërat menjëherë. Për të ngrënë bukë misri duhen kaluar shumë etapa, durimi e pune. Nuk plotësohen dëshirat menjëherë. Po nuk punove tokën, të mbjellësh misrin, ta vadisësh, ta plehërosh, ta prashisësh, ta mbushësh, ta korrësh, ta zhveshësh, ta përpunosh, ta bluash e në fund ta gatuash. Pra, nuk bëhet për një ditë, por do kohën e vet. Kështu është edhe demokracia. Do të bëhet më mirë, por duhet kohë, durim, punë, vetëm punë për të arritur rezultate.

-Meqë jeni në kufi me Kosovën martire, çfarë mund të na thoni për bashkëpunimet në fushën e medias dhe të arsimit?

-Gjatë viteve që kam punuar si Drejtor gjimnazi në Zogaj-Tropojë, kam arritur një bashkëpunim të frytshëm në drejtim të përfaqësimit të vlerave artistike, kulturore e sportive. Po kështu në fushën pedagogjike, psikologjike, në metodikën e mësimdhënies përmes shkëmbimit të përvojave dhe plan-programeve me gjimnazin e Gjakovës, Deҫanit, Pejës, Fushë-Kosovës e Prishtinës. Drejtuesit e këtyre shkollave na kanë dhuruar herëpashere, për gjimnazin e Zogajve, kompjutera, tavolina, karrige, dollapë e libra dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës. Ndërsa në fushën e medias kam patur e kam një bashkëpunim shumë të mirë me Radio Gjakovën, revistën “Gjakova PRESS”, me gazetën “Bota Sot” dhe me shumë portale në Prishtinë.

-Para disa vitesh keni botuar librin “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”, vepër voluminoze kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Viron Kona. Pse e zgjodhët këtë shkrimtar?

-Zgjodha Viron Konën, autor i 50 librave, i përkthyer në disa shtete, fitues i 8 çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.

-Ju keni shumë miqësi në diasporë. Cilët do të donit të përmendnit në këtë intervistë dhe pse?

-Në fillim dua të përmend Fatmir Tereziun në Londër, i cili është drejtues i portalit “Fjala e lirë” dhe i gazetës “Albania”. Ai është profesor në universitetin e Londrës dhe shkrimtar e gazetar i vëmendshëm ndaj gjithë shqiptarëve dhe anglezëve. Në Suedi është Sokol Demaku,  i cili drejton portalin “Dituria”, revistën dhe televizionin “Boras” në Suedi. Shqiptaro-amerikani Zeqir Lushaj, i cili me portalin “Zemra shqiptare” është bërë një zemër e madhe për gjithë shqiptarët. Ka shumë e shumë të tjerë, me të cilët bashkëpunoj në fushën e medias. Anisa Hykaj, koordinatore e revistës “Universi” në Tiranë, Emil Lafe, kryeredaktor i revistës “Perla” Tiranë, Zeki Vehapi, kryeredaktor i gazetës “Gjakova Press” në Gjakovë-Kosovë, Tahir Gjonbalaj, Plavë-Mali i Zi, Xhemaledin Salihu, Preshevë-Serbi, Nail Draga, Podgoricë-Mali i Zi, Skënder Zogaj, Prizren-Kosovë, Bashkia Shkup, Maqedonia e Veriut, Emine Hoti nga Norvegjia, e cila thirret dhe “Marigoja shqiptare në Norvegji”, veprimtari Frasher Racaj, në Pejë e shumё tё tjerё.

-Po me gazetën “Nacional”, si bashkëpunoni?

-Kjo gazetë, jo vetëm ka zëvendësuar gazetën “Drita” dhe revistën letrare “Nëntori”, por i ka tejkaluar parametrat e tyre. Kjo gazetë ka shumë bashkëpunëtorë dhe shkon te lexuesit në ҫdo kontinent.

-A ju kujtohet ndonjë gjë që nuk e cekëm?

-Po, disa vite me parë, “Care International” në Kukës bëri të mundur financimin e ushqimit falas për nxënës e mësues në Zogaj, një vakt i rëndësishëm ushqimor, kur unë isha Drejtor në gjimnaz. Kjo veprimtari ishte shtrirë në shumë shkolla të Kukësit, Hasit dhe në Zogaj të Tropojës. Nxënës e mësues kishin një vakt të bollshëm e të shëndetshëm, pasi në kohën kur kjo gjë realizohej, ushqyerja në Shqipëri kishte deficenca e ndikonte në procesin e të nxënit të nxënësit. E kam për nder të kujtoj rininë tonë të hershme pedagogjike në Shkodër me Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj. Shokë klase e banke prej disa vitesh. Me mbarimin e shkollës për mësuesi, Gjovalini emërohet mësues në fshatin Rrilë të Lezhës, ndërsa unë në vendlindjen time, Zogaj. Vitet kalonin dhe profesori ynë i nderuar i hyri me pasion gjuhësisë, duke u bërë i njohur sot jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Gjuhëtari, akademiku, Prof. Dr. Gjovalini i titulluar i lëndëve të albanalogjisë dhe me plot gojën do të thoja radhitet sot ndër figurat e shquara të gjuhësisë, si: Xhuvani, Çabej, A. Kostallari etj. I urojmë me gjithë zemër akademikut tonë të nderuar, Gjovalin Shkurtaj, shëndet të plotë e jetë të gjatë në shërbim të gjuhësisë shqiptare.

-Çfarë do t’u thonit bashkëpunëtorëve dhe kolegëve?

-Bashkëfshatarëve të mi në Zogaj do t’u bëja thirrje që të mbanin e të kujdeseshin sa më shumë për bletët. Mjalti i trumzës i Zogajve është mjalti më i mirë në Europë dhe ka fituar çmim ndërkombëtar. Gering, besnik i Hitlerit në Luftën e II-të Botërore, kur nisi një divizion drejt Kosovës, vetë Hitleri mori hartën dhe shënoi me laps të kuq “Zogajn”, pastaj kishte thënë komandantit gjerman:-Dua mjaltin e Trumzës me hoje të Zogajt. Kaq i njohur dhe i vlerësuar ishte mjalti i Zogajve. Si kryetar i OJF i arsimtarëve, nga kolegët mësues do të kërkoja sa më shumë edukim e mësim të nxënësve, pasi kjo punë kolosale do të reflektohet nesër në ardhmërinë e shtetit tonë. Për ata që merren me fushën e letrave, do të thosha se nuk është vonë kurrë për të shkruar. E shkruara mbetet! Sa më shumë shkrime të përgjithëshme pozitive, aq më shumë hapa përpara drejt demokracisë bëjmë. Faleminderit!

blank

“Basha më ka bërë bllok në Twitter, kjo më irriton”- Eksperti gjerman pranë CDU-së flet hapur: Kreu i PD-së në Europë vinte vetëm për foto, kjo ishte shqetësuese

Një konflikt i hapur ka lidnur tashmë midis njeriut që ka këshilluar Partinë Demokratike, Martin Henze dhe liderit të saj Lulzim Basha. Duket që kritikat e vazhdueshme në media kanë bërë që Basha të marrë një vendim  për të bllokuar nga rrjeti social Twitter, Martin Henze.

Në një intervistë për “Shekulli Online”, Martin Henze rendit dështimet e Bashës, por sidomos e vë theksin tek përjashtimi i paligjshëm i Sali Berishës nga grupi parlamentar.

Gjithashtu, Henze, është i bindur se Basha dhe Rama janë duke bashkëpunuar dhe shumë shpejt kjo gjë do të duket në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Zoti Henze, shkurtimisht çfarë ka mes jush dhe Z. Basha?

Duhet të pyesni drejtuesin e PD -së. Ajo që është irrituese është se ai më bllokoi në Twitter më 09 tetor 2021. Nuk mund të përjashtohet që ai gjithashtu të na akuzojë ne gjermanët, ose mua, për antiamerikanizëm, siç bëri me Berishën dhe anëtarët e PD-së. Le të jemi seriozë, Basha është krejtësisht jashtë thellësisë së tij dhe duket se ka probleme domethënëse me faktin se ne i kemi treguar atij se veprimet e tij javët e fundit nuk janë në përputhje me ligjin, nuk përshtaten me Evropën dhe se ne gjithashtu kemi një problem me çështjen e errët të gjykatave në Shqipëri dhe aktivitetet e tij në SHBA. Ne kemi parë dosjet nga SHBA dhe Shqipëria dhe kemi parë gjithashtu informacione nga shërbimet e sigurisë. I gjithë procesi është aventurier. Fakti që ai mendon se mund ta shmangë diskursin duke bllokuar miqtë më të ngushtë të PD -së dhe miqtë e ngushtë të kombit shqiptar në Tëitter fatkeqësisht na tregon një model të sjelljes infantile të zotit Basha. Unë gjithashtu mendoj se është absolutisht problematike që ai duket se ka anashkaluar të gjithë opozitën dhe ka bërë një marrëveshje me Ramën. Ai duket se po luan një lojë të madhe dhe tani po përdor taktikat e vjetra për të akuzuar qeverinë për korrupsion, duke cituar figura nganjëherë të çuditshme ekonomike dhe, si në nëntë vitet e fundit, duke diskutuar PPP-të në vend të koncepteve dhe qëllimeve, që do të ishte detyra të një opozite në një vend që është në gjendje emergjence ekzistenciale. Sidoqoftë, kjo është një lojë e vjetër me role e Ramës dhe Bashës, por në prapavijë po bëhen marrëveshje të tjera. Publiku, megjithatë, supozohet të mendojë se po zhvillohen diskutime. Por ajo që është gjithashtu problematike është se paralelisht ai po akuzon të gjithë ndjekësit në publikun e partisë për antiamerikanizëm, absurd. Unë rrallë kam parë një komb kaq krenar dhe anëtarë të PD -së që qëndrojnë kaq pranë në krah të SHBA -së dhe Evropës. Sa i përket Berishës, unë vetëm mund të rekomandoj të telefononi Bush Jr., i cili do të befasohet kur telefonatat t’i thonë atij se Berisha është anti-Amerikan.

Cili është problemi?

Në fakt ka disa probleme, çështja qendrore në PD është sjellja antidemokratike e Bashës.

Cilat janë?

Në Evropë ne presim që një drejtues partie i një Partie Demokratike në Shqipëri t’i bindet kushtetutës dhe ligjeve të partisë, për fat të keq kjo nuk ndodh këtu me veprimet e Bashës, në mënyrë të përsëritur. Basha nuk ka autoritetin në rolin e tij si drejtues partie për të përjashtuar një anëtar të zgjedhur të parlamentit, në këtë rast Sali Berisha, nga grupi parlamentar. Kjo është një çështje origjinale për grupin parlamentar. Përveç kësaj, natyrisht, është gjithashtu një çështje plotësuese për organet e partisë. Nëse diçka e tillë do të kishte ndodhur në Evropë, kreu i partisë do të kishte kërkuar falje për përpjekjen e tij për të thyer ligjin me qëllim dhe do të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i tij brenda 24 orëve dhe do të ishte caktuar një datë për zgjedhjen e një drejtuesi të ri. Fatkeqësisht, ai nuk e bëri këtë, duke privuar veten nga çdo legjitimitet për t’u shfaqur si demokrat. Një patriot demokrat dhe shqiptar respekton kushtetutën, ligjet e partisë dhe gjithashtu dinjitetin e kolegëve të tij të partisë. PD u paraqit për zgjedhje më 25 prill 2021 me një listë homogjene, z. Berisha është në listë dhe kështu është zgjedhur nga sovrani si anëtar i PD, në këtë drejtim ai është gjithashtu një anëtar i lindur i grupit parlamentar të PD, ai nuk mund të përjashtohet ashtu si ai. Formimi i një grupi parlamentar bazohet në ushtrimin e mandatit falas të garantuar për secilin deputet individual, jo në parti. Ky është rasti edhe në Shqipëri. Kjo përfshin të drejtën për të formuar një grup parlamentar me deputetë të tjerë dhe për të qëndruar së bashku me ta, si dhe të drejtën e anëtarëve të tjerë të grupit parlamentar për të përjashtuar një deputet individual nga radhët e tyre. E drejta e statusit të deputetit shqiptar dhe e drejta që rezulton për të formuar një grup parlamentar janë arsyeja dhe kufiri i vendimit të grupit parlamentar për përjashtimin e një prej anëtarëve të tij. Interesat e mbrojtura me kushtetutë të grupit parlamentar dhe funksioni i tij për drejtimin efektiv të parlamentit rezultojnë në një kufi kushtetues për të drejtat e deputetëve individualë. Prandaj, përjashtimi i një grupi parlamentar presupozon një procedurë që plotëson kërkesat minimale të sundimit të ligjit dhe një vendim të asamblesë së grupit parlamentar të PD -së në parlamentin shqiptar që është i lirë nga arbitrariteti. Kjo nuk është çështje e PD -së si parti, është çështje e statusit kushtetues të mandatit parlamentar dhe nuk është çështje e një drejtuesi partie dhe veçanërisht nuk është çështje e një ambasadori amerikan. Prandaj, pyetja është nëse kreu i PD -së, si kreu i PD -së, mori vendimin, apo si një drejtues i grupit. Nëse ai do të merrte vendimin e përjashtimit si drejtues partie, vendimi do të ishte shumë i paligjshëm. Nëse ai do të merrte vendimin si drejtues i grupit parlamentar, megjithëse nuk e di nëse ai ishte zgjedhur tashmë si drejtues i grupit parlamentar, atëherë vendimi do të ishte gjithashtu i paligjshëm, sepse vendimi kërkon një vendim të shumicës së të gjithë grupit parlamentar.

Pra, a ju kuptoj drejt, vendimi i Kryetarit PD për përjashtimin e deputetit Berisha është i paligjshëm.

Në fakt, vendimi është me të meta të mëdha dhe nuk tregon sundimin minimal të ligjit në rastin e zotit Basha. Jam shume i irrituar. Një procedurë e tillë nuk i përshtatet një partie që është anëtare e Partive Popullore Evropiane. Asnjë udhëheqës partie në Evropë nuk do të sillej kështu. Ajo tregon se ai nuk e kupton se çfarë do të thotë shteti ligjor, i mishëruar në kushtetutën e shtetit shqiptar, domethënë supremacia dhe nënshtrimi i politikës ndaj kushtetutës. Parimi bazë i një republike parlamentare.

Ju e keni mbështetur opozitën demokratike prej vitesh, pse ky konflikt tani?

Sigurisht, është e rëndësishme në Shqipëri që të ketë jo vetëm një parti qeverisëse, por duhet të ketë edhe një opozitë të fortë, përndryshe asnjë demokraci nuk mund të funksionojë. PD është një parti popullore evropiane, kështu që ne duhet ta mbështesim atë. PD ka bërë një punë të shkëlqyeshme, ata ndihmuan në organizimin e revolucionit në 1992, ata sollën integrimin e plotë në Perëndim, pranimin në NATO dhe ata arritën të mbrojnë shqiptarët në Kosovë, së bashku me gjermanët, amerikanët dhe britanikët, dhe ata arritën të parandalonin që shteti shqiptar të mos pushtohej nga serbët në vitet ’90. Ata gjithashtu arritën që BE -ja të jepte anëtarësimin e Shqipërisë në vitin 2014, e cila ishte rezultat i 12 viteve të qeverisjes efektive nga personalitetet e opozitës aktuale. Sigurisht, çdo politikan ose qeveri bën gabime, por në fund ne duhet të shikojmë rezultatet dhe efektet. Rezultatet janë mbresëlënëse. PD ka ekspertë të shkëlqyer dhe anëtarë shumë të përkushtuar.

Po Basha?

Pasi na bllokoi në Twitter, ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me të për tre vitet e fundit dhe mund të krijojmë një opinion shumë të mirë për të. Ne ishim në gjendje të përjetonim një nivel të ulët të fuqisë për sa i përket përmbajtjes dhe njohjes së çështjeve faktike, një dobësi e theksuar në zhvillimin strategjik të koncepteve dhe fushatave, të cilat ndikuan në politikën e jashtme dhe të brendshme, por për fat të keq edhe në politikën ekonomike. Ne e kishim atë në Evropë disa herë në vitin 2019, por ai dukej se ishte më i interesuar për fotot sesa për diskutimet teknike, gjë që ishte shumë shqetësuese. Në kontrast të plotë, ekspertët e tjerë në PD, dëshmuan se personalitetet ishin një gëzim. Ata janë gjithashtu të fortë nga ana konceptuale, përfshirë Berishën, i cili jo vetëm që është konceptualisht i fortë, por gjithashtu mund të arrijë në zemrat e njerëzve. As këtë nuk e kam përjetuar me Bashën. Ai nuk ka cilësi udhëheqëse, jo pa arsye ai nuk ka fituar zgjedhjet në 9 vitet e fundit. Por, ne kemi vënë besimin tonë në ekip, kjo ishte ideja.

Dhe?

Ata e shohin atë mjaft mirë në vendimin e Bashës për të nxjerrë nga grupi i deputetëve Berishën. Ai ka hequr maskën, nuk është lojtar i skuadrës, edhe ne jemi verbuar pak atje. Deputetëve iu kërkua të vinin në ndërtesën e partisë në orën 6 pasdite të së dielës. Të gjithë ata ishin të pranishëm në kohë, ai që mungonte ishte Basha. E pritën Bashën, ardhja e tij u vonua. Ndërsa ata ishin duke pritur, Basha njoftoi në TV se Berisha ishte përjashtuar nga grupi parlamentar. Ky proces më kujtoi kohët socialiste para vitit 1989. Ky format tregon frymën ekipore të Bashës, e cila është afër zeros. Në këtë pikë, ai ka hedhur poshtë çdo kuptim bazë të demokracisë dhe detyrimin për të respektuar kushtetutën. Ai nuk u lejua të merrte këtë vendim dhe gjëja më shpërthyese në këtë veprim të Bashës është përbuzja e tij ndaj organeve demokratike brenda PD -së, të cilën ai nuk e mori seriozisht fare dhe i vuri deputetët dhe anëtarët e partisë para televizionit si fëmijët e shkollës. Një organizatë partiake duhet të ketë besim te një drejtues partie se nga njëra anë ai do të respektojë rregullat e ligjit dhe nga ana tjetër do të ketë gjithashtu parime etike, domethënë të trajtojë të gjithë anëtarët e partisë me respekt, duke respektuar ligjin. Mënyra se si ai sillej me anëtarin e partisë Berisha dhe anëtarët e tjerë nuk është gjithashtu e saktë për arsye etike dhe morale – kjo nuk është mënyra për t’u marrë me kolegët.

Çfarë duhet bërë tani?

Është e rëndësishme që ligjshmëria të futet përsëri në organizatën partiake të partisë demokratike. Kjo sigurisht që mund të jetë e mundur vetëm përmes zgjedhjes së një kryetari ose ekipi të përkohshëm të përbërë nga kryetarët e mëparshëm të PD -së ose kryetarin e fundit të PD -së, sepse kjo natyrisht është një kusht që Lulzim Basha të japë dorëheqjen vullnetarisht ose të votohet për shkak të masivitetit të tij shkelje e ligjit. Atëherë rruga do të ishte e qartë për të pajtuar përsëri anëtarët e partisë përmes riorganizimit tuaj të PD -së, në periudhën e parë të tranzicionit një kryetar i përkohshëm duhet të marrë detyrën i cili mund të arrijë dhe të stabilizojë përsëri zemrën e partisë demokratike, vetëm një mund ta bëjë këtë.

Përgatiti: Erjon Dervishi 

 

blank

Intervista – Liv Torres: Çmimi Nobel i Paqes hedh dritë mbi nevojën për informacion të besueshëm

Komiteti Norvegjez i Nobelit i dha Çmimin Nobel për Paqe 2021 gazetarëve Maria Ressa dhe Dmitry Muratov për përpjekjet e tyre për të mbrojtur lirinë e shprehjes, si një parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme. Liv Tørres, drejtore e programit Pathfinders for Peace, Just and Inclusive në Qendrën e Universitetit të Nju Jorkut e cila ka shërbyer më parë si drejtore ekzekutive e Qendrës Nobel për Paqen thotë se fitorja e çmimit ndryshon gjithçka për laureatët dhe sjell në qendër të vëmendjes çështjet e tyre. Gazetarja e Zërit të Amerikës Rudina Dervishi mori disa opinione të saj lidhur me rëndësinë e çmimit Nobel të Paqes të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Zonja Tørres doja të dija reagimin tuaj për fituesit e çmimit Nobel të Paqes – Maria Ressa dhe Dmitry Muratov – A u befasuat nga përzgjedhja dhe çfarë rëndësie ka ky çmim këtë viti?

Liv Tørres: Së pari më duhet të përgëzoj të dy fituesit. Unë mendoj se është një çmim i dhënë në kohën e duhur. Mendoj se është shumë e rëndësishme. Komiteti është duke vënë në dukje rëndësinë e lirisë së fjalës dhe rolin e rëndësishëm që media dhe gazetarët po luajnë tani në ndërtimin e demokracisë dhe paqes së qëndrueshme siç thonë ata në argumentimin e tyre për çmimin Nobel. Ne kemi parë gjatë viteve të fundit se liria e fjalës dhe media e lirë është nën presion në rritje në mbarë botën. Ne gjithashtu shohim që lajmet e rreme po përhapen me shpejtësi dhe po mbizotërojnë shumë vende. Kështu që media e lirë dhe e pavarur dhe roli i gazetarëve tani është kritik. Pra, ky çmim ka qënë i mirëpritur nga një spektër i gjerë i komunitetit ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Çmimi Nobel për Paqen vuri në qendër të vëmendjes gazetarinë – luftën për informacion të lirë e të pavarur dhe të bazuar në fakte. Pse mendoni se kjo çështje është kaq e rëndësishme, kur ka çështje të tjera të menjëhershme me të cilat po përballemi si ndryshimi i klimës – Ju keni shërbyer si drejtore ekzekutive e Qendrës së Çmimit Nobel, sa i vështirë mendoni se ka qenë procesi i vendimit këtë vit?

Liv Tørres: Vendimi ka qënë i vështirë pasi pati shumë kandidatura, 329 këtë vit. Realiteti është se media dhe liria e fjalës janë vërtet shtylla kritike për të gjitha çështjet e tjera. Ne tani po jetojmë në një botë me polarizim të thellë, populizëm, shtypje të të drejtave demokratike. Shohim që po rritet zemërimi në shumë vende mes njerëzve që janë të ngopur me pabarazinë në rritje dhe kanë pak besim tek udhëheqësit e tyre. Në një situatë të tillë të kesh besim tek informacioni që marrim, të kesh besim se në fakt ekziston një gazetari e pavarur, e besueshme dhe se gazetarët që bëjnë punën e tyre është një shtyllë kritike në mënyrë që institucionet të punojnë më mirë, që udhëheqësit të punojnë së bashku, që ne të bëjmë një punë më të mirë si qytetarë dhe në fakt që të zgjidhim pastaj edhe çështjet e ndryshimit të klimës në një plan më afatgjatë dhe në perspektivë.

Zëri i Amerikës: Çmimi Nobel i Paqes ka qënë i debatueshëm disa herë dhe është kritikuar se ka qënë shumë i politizuar dhe jo sipas standarteve të vendosura nga Alfred Nobel. Përse është ende i rëndësishëm Çmimi Nobel?

Liv Tørres: Çmimi Nobel për Paqen ka ende rëndësi sepse që nga viti 1901 gjatë viteve, kanë arritur të zgjedhin kryesisht ata që duhet ta marrin atë. Dhe unë mendoj se është pjesë e punës të jesh i diskutueshëm herë pas here. Në testamentin që Alfred Nobel la pas ai tha se njerëzit ose institucionet që kishin bërë më shumë për vëllazërimin mes kombeve, çarmatimin dhe ndërtimin e rrugëve të paqes duhet të konsiderohen seriozisht dhe të merren parasysh për çmimin. Dhe kjo është e diskutueshme në vetvete., Kështu që unë mendoj se çmimi duhet të bëhet i diskutueshëm herë pas here. Nëse çmimi nuk është i diskutueshëm, ai nuk do të ishte një çmim shumë i rëndësishëm në të vërtetë. Gjatë shumë viteve, ata kanë bërë zgjedhje të drejta. Kur shohim pas sigurisht që ka çmime që janë më të diskutueshme se të tjerat, por në përgjithësi, kanë bërë zgjedhje të duhura.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndryshimi sjell ky çmim dhe çfarë mund të presim nga dy gazetarët që e fituan atë këtë vit?

Liv Tørres: Sigurisht që ata marrin një shumë të konsiderueshme fondesh, marrin medaljen e artë. Në fakt unë kam takuar shumë laureatë gjatë viteve të mia në Qendrën Nobel të Paqes dhe më pas. Ata të gjithë thonë se ajo që është më e rëndësishmja është se çmimi në fakt sjell në qendër të vëmendjes së mbarë botës çështjet e tyre. Shumë prej tyre nuk janë aq të njohur para marrjes së çmimit. Por nga njoftimi i çmimit, ata papritmas hidhen në këtë stuhi të madhe mediatike globale ku të gjithë duan të dinë për ta. Ky është çmimi më i njohur në botë ndoshta pas Lojrave Olimpike. Çmimi Nobel për Paqen është i njohur kudo, dhe fitimi i çmimit ndryshon gjithçka për laureatët dhe sjell një qendër të vëmendjes çështjet e tyre, e cila nga ana tjetër përforcon zërin e tyre dhe mesazhet që ata duan të sjellin.
Doja të shtoja se përveç se jam shumë e lumtur për çmimin, që mendoj se është i rëndësishëm për kohën që jetojmë, jam gjithashtu veçanërisht e lumtur që një nga laureatet e ardhshme është grua. Ajo është gruaja e parë që merr një Çmim Nobel këtë vit, dhe ka një pakicë grash laureate. Kështu që të kesh më shumë gra laureate mendoj se është një gjë e mirë gjithashtu në një periudhë ku çështjet dhe të drejtat e grave janë gjithashtu nën presion.

blank

Përjashtimi i Berishës, Robert Papa: Ambasadorja Juri Kim cenoi sovranitetin (VIDEO)

Gazetari Robert Papa nga studio e lajmeve në MCN TV ka komentuar lidhur me situatën e krijuar së fundmi në Partinë Demokratike ku është shprehur se vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës ka ardhur si rezultat i një trysnie të madhe.

Ai shton se një ambasador amerikan nuk mund të ndikojë kaq hapur në një parti, prandaj sipas tij ka diçka që nuk shkon në gjithë këtë, teksa e cilëson një sjellje të panatyrshme trajtimin e ambasadores ndaj shqiptarëve

Ai ka pasur trysni pa diskutim dhe e kuptoj, por ambasadori amerikan nuk mund të ndikojë te një parti haptas, presioni ka qenë i madh por prapë ka diçka që nuk shkon, sepse Berisha prapë vazhdon dhe pas përjashtimit të jetë pjesë. Basha se ka forcën për të hequr Berishën. Me shpalljen non grata të tij, i takon Berishës të merret dhe ta zgjidhë problemin. Berisha është një aset te PD. Basha duhet të jepte një dorëheqje, të çbunkerizohej PD sepse të gjitha pushtetet drejtohen nga partitë. Nuk ka kryetar partish në Amerikë. As nuk bën lista, as nuk e njeh kush, është thjesht si një zëdhënës i partisë.  E kam thënë dhe më herët, partitë vazhdojnë si gazerma ushtarake. Edhe nëse do kishte fituar Basha do vazhdonte njësoj si Rama, të njëjtët oligarkë. Duhet të jesh i hapur, më duket e panatyrshme sjellja e një ambasadore të trajtosh shqiptarët në atë mënyrë. Diplomacia ka grada si në ushtri. Ka përfituar atë emërim, por jo në këtë mënyrë. Ne jemi vend sovran, pro amerikan, nuk mund të thuash ti parti antiamerikane dhe kujt një partie që bëri përmbysje dhe një njeriu si Berisha që ka qenë dy herë në shtëpinë e bardhë.

I pyetur se shpesh është thënë që nëse nuk përjashtohej zoti Berisha, Partia Demokratike rrezikonte të shpallej organizatë kriminale dhe nëse është realist ky skenar, Papa tha se, “Nuk e besoj që të shpallet i tillë një grupim i madh. Presioni mund të ketë qenë por ska se si. Nuk mund ti thuash parti terroriste edhe sikur Berisha të ketë vjedhur etj etj. Çoje në këshill kombëtar sepse vota zgjidh çdo gjë”.

Sa i përket rikthimin në terren të Sali Berishës pas 30 vitesh dhe ndjesën ndaj demokratëve dhe a është kjo një betejë për të reformuar këtë parti apo luftë personale, gazetari Papa argumentoi se, “Unë them se çdo e keqe ka një të mirë. Pse nuk e zgjodhën non grata Berishën në 2017. Ai po i bën një të mirë partisë sepse po e hap”.

Ndërsa përtej betejës ligjore që zonja Kokalari do të ketë me Partinë Demokratike, i puyetur nëse beson se Lulzim Basha ka qenë peng i dosjes së lobimit rus tha se, “Janë folur dhe më parë, është hedhur ideja se Basha ka përdorur rreth 1 mln dollarë për lobim, por se sa është e vërtet duhen hetime. Por Shqipëria ka ardhur stadi për foto me kongresmenë, kontaktet me diplomacinë amerikane kryhen me ata që janë këtu. Akuzat janë të rënda. Fakti që Berisha thotë se Lu ma ka sjellë këtë dosje do të thotë se dhe ai ka ditur, dhe nëse akuzat janë të vërteta problem do jetë dhe për Berishën. Sepse lobimi bie ndesh me sigurinë. Mjaft me lobingje, ndërkohë që ne shqiptarët me aksesin tonë mund të sigurojmë dhe takime falas me kongresmenë. Pastaj po kalove me klana të tjera, nuk e di ku i gjen partia një milion dollarë, është shifër e madhe. Amerikanët për para nuk të falin. Nuk ka shqiptarë që të jep, ka ligj në amerikë, ka faturë i ul te taksat”.

 

blank

“Ti mund të vritesh në minierë, këto t’i shpëtojmë”, Visar Zhiti rrëfen bisedën me shokun e qelisë që e bindi të shkruajë

Shkrimtari i njohur Visar Zhiti rrëfeu në një bisedë me gazetaren Nisida Tufa, në emisionin ‘Kjo javë’, vitet e vështira në burg, si edhe poezitë e shkruara atje.

“Ato së pari nisën të bëhen me mend në qeli, gjatë kohës që isha në pyetje, në hetuesi. Në hetuesi është një qeli e zhveshur ku je vetëm, ke një dyshime edhe ajo po aq e zhveshur, ndodh që mund të jetë e kalbur nëse është e drunjtë, dhe në këtë shkretimë, janë ato alarmet e brendshme që ka njeriu për të shpëtuar, për të dalë në të nesërmen.” tha Zhiti, ndërsa tregoi bisedën me shokun e qelisë, që e bindi t’i hedhe në letër poezitë e tij.

“Pasi dola në gjyq e u dënova më cuan në kamp, shkoj atje me shokë që i gjeta atje që i njhja edhe më parë, pra kisha edhe një besim paraprak, u tregoj që kam bërë poezi me mend në qeli. Ata i dëgjuan, shoku im më i ngushtë që gjeta aty me tha se duhet t’i shkruajmë këto poezi, t’i ruajmë se janë dëshmi. Më bëri shumë përshtypje kjo gjë, ‘janë dëshmi më tha, t’i mund të vritesh në minerë, të paktën të shpëtojë…’, ky mesazh m’u duk shumë tronditës.” rrëfen Zhiti.

PYETJA: Ju shkruani: ‘Asnjë dorë nuk duhet të prekë fletët e jetës tënde që e burgosëm, por fytyrën e dëshiruar të dashurisë shpesh ledhatojnë fshehurazi’. Shkruhet në një gjendje shpirtërore të zymtë. Si dukeshin ato ditë? Kur shkruanit?

VISAR ZHITI: Ato së pari nisën të bëhen me mend në qeli, gjatë kohës që isha në pyetje, në hetuesi. Në hetuesi është një qeli e zhveshur ku je vetëm, ke një dyshime edhe ajo po aq e zhveshur, ndodh që mund të jetë e kalbur nëse është e drunjtë, dhe në këtë shkretimë, janë ato alarmet e brendshme që ka njeriu për të shpëtuar, për të dalë në të nesërmen. Se dita në një qeli të zbrazët pa njeri, ku uria është e madhe është shumë e rëndë. Për të mbijetuar, për të tejkaluar, për të dalë në të nesërme, nëse do të vinte ajo, fillova të krijoj poezi me mend për c’ka po më ndodhte. Pasi dola në gjyq e u dënova më cuan në kamp, shkoj atje me shokë që i gjeta atje që i njhja edhe më parë, pra kisha edhe një besim paraprak, u tregoj që kam bërë poezi me mend në qeli. Ata i dëgjuan, shoku im më i ngushtë që gjeta aty me tha se duhet t’i shkruajmë këto poezi, t’i ruajmë se janë dëshmi. Më bëri shumë përshtypje kjo gjë, ‘janë dëshmi më tha, t’i mund të vritesh në minerë, të paktën të shpëtojë…’, ky mesazh m’u duk shumë tronditës. Ishte besimi që ka diçka më përjet nesh, më të fuqishme se ne, dhe më të fuqishmit që po na dënonin. Edhe nisa të shkruaj.

PYETJA: Kur nisët të shkruanit, udhëhiqeshit nga ankthi apo jo ..

VISA ZHITI: Kur nisa të shkruaj pasi hodha ato që ishin bërë me mend dhe i morën shokët e mi t’i fshihnin atje ku as unë nuk e dija, sepse nëse do kapesha, pyetesha apo do gaboja ti thoja që i ka filani dhe s’di ku i vënë, në këtë përditshmëri të re dhe tragjike, të zymtë prej skllavi në burg, fillova të hedh nga një thirrje e brendshme po e quajmë, dëshmitë e kësaj jete. Është një dëshmi e jetës sime në kushte te pazakonta. Si një i burgosur politik është kisha të gjitha shqetësimet njerëzore të jetës time, por edhe të vendit tim, nuk del dot jashtë vendit. Shpresoj që këto duken, pasqyrohen, unë do thosha se ajo ëshë një poemë e tëra, një poemë epike , e rëndë, e zymtë. Ndjehem i lumtur që ky libër, që nuk kisha menduar ta botoja të tillë, anastatik, por ishte thirrja që ma bëri brezi i ri i tanishëm. Botuesi vendosi të dalë anastatik, sipas tij krijonte një intimitet më të madh me lexuesin.

PYETJA: U prek në një farë mënyre terreni juaj..

VISAR ZHITI: Po, ishte një gjë shumë e bukur. Ime shoqe e kishte ëndërr një botim të tillë. Thirrja e një shkrimtari të ri 22 vjecar sot, Andreas Dushi që e kërkon të dalë ashtu sepse është dëshmi thotë dhe shoqërimi me një pasthënie akademike brilante të studiuesit Dr. Luan Topciut, unë u binda dhe më vjen mirë që doli një libër i tillë. Është edhe dorëshkrim edhe dëshmi. Në mungesë të një muzeu të Spacit apo Qafë Barit, ndoshta ky është një muze i heshtuar shpirtëror i asaj vuajtje, izolimi që nuk është vetëm i imi, por është edhe i Atdheut.

PYETJA: Këto poezi janë shkruar si në burgun e Spacit edhe të Qafë Barit..

VISAR ZHITI: Aty ku më cuan..

PYETJA: Ishin dy eksperienca të ndryshme por me një emëruar të përbashkët cilat mund të konsiderohen momentet më të vështira në burg?

VISAR ZHITI: Puna në minierë, jo vetëm ishte e rëndë, punë prej skllavi dhe nuk kishin asnjë ndryshim nga minierat në kohën e rendit skllavo pronar. Punonim në errësirë mund të ecnim tre km në barkun e malit, mund të zbrisnim edhe dy kilomtër të tjera derisa të shkonim atje ku ishte minerali. Në errësirë me kandilë karbiti, dhe ato edhe shuheshin nga era, nga marteli që punonte në minierë. Në ca shina, që shpesh herë ato ujrat acidike i brenin dhe vagonat që shtynim ne si skllevër binin dhe mezi i ngrinim. Kishte fronte në temperatura deri në 50 gradë C, të merrej fryma, hidhje dy lopata për të mbushur vagonin dhe largoheshe për të marrë frymë dhe përsëri të conte polici atje. Ose kishte fronte me temperatura nën zero, ose dilje nga kjo temperaturë 50 gradë C duke shtyrë vagonin dhe dilje jashtë në dëborë, nuk kishim kohë të vishnim diçka më të trashë. Pra, gati lakuriq si Krishti shtynim ato vagona në të ftohtë në dëborë. Shkurt, ishin kushte anormale. Të pasqyroje këtë me një poezi, nuk di ç’të them…

PYETJA:  Me gjithë këto eksperienca çnjerëzore, ju e kishit dëshirën, vullnetin dhe energjinë për të shkruar…

VISAR ZHITI: Ndoshta është fuqia e njeriut e tillë, që ka një qiri të fundit që nuk e shuan kurrë.

blank

Intervista – Visar Zhiti: PD erdhi si një klithmë e si një ëndërr që Shqipëria të bëhej sa më parë euroatlantike

Shkrimtari dhe poeti i njohur, Visar Zhiti, komentoi në një intervistë për “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, vendimin e SHBA për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Si ish-demokrat dhe si qytetar, Zhiti tha se nuk e dëshiron një vendim të tillë për Berishën, dhe se e shqetëson.

Por, më tej, ai shtoi se demokracia që u krijua pas komunizmit, ishte “sa e ëndërruar, po aq e pabukur, po aq me shqetësime, edhe me mashtrime, zhgënjime, por ne i gëzoheshim lirisë, gëzoheshim që po zbulonim vetveten, që po krijonim një pronë, ishim të zhveshur. Kjo solli dhe një korrupsion galopant, një luftë politike të egër”.

PYETJA: Ju jetoni në SHBA, një vend që e ka shpallur “non grata” ish-kryeministrin Berisha, a mund të kem një koment për këtë dhe të gjitha zhvillimet në PD…

Zhiti: Është një pyetje e vështirë. Më vjen keq që ne i kërkojmë kujtdo, gjithçka. Kjo do specialistin, njeriun e dosjeve, të punës. Unë e çmoj seriozitetin institucional të SHBA, është etalon i demokracisë dhe lirisë botërore, i punëve serioze dhe punëve të mëdha, një pararojë e botës. Kuptohet dhe atje, në ecurinë e tyre, ka probleme, që ata i dinë dhe i ngrenë mes tyre. DASH është shumë serioz, duhet të mendosh thellë të thuash ‘e besoj apo jo’. Unë si qytetar dhe si pjesë e atij krahu të përvuajtur, që iu bashkua duke u thirrur më afër nga forcat demokratike, nuk e dëshiroj një gjë të tillë, më shqetëson si qytetar, por kam vështirë të jap një mendim, sepse nëse marrëdhëniet e mia personale me emrat që përmendet ju kanë qenë jo vetëm normale, por shumë të mira, edhe një bashkëpunim dinjitoz, nuk do të thotë se unë i di gjërat. Kritikat që ne kemi pasur si qytetarë të gjithë së bashku për demokracinë që po ndërtohej, natyrisht të bën të mendohesh, a ishte kjo demokracia që duhej, a ishte kjo ajo që ëndërruam. Ëndrra nuk arrihet kurrë, zotësi është të ëndërrosh, jo t’i arrish. Demokracia që ndërtuam ne ishte sa e ëndërruar, po aq e pabukur, po aq me shqetësime, edhe me mashtrime, zhgënjime, por ne i gëzoheshim lirisë, gëzoheshim që po zbulonim vetveten, që po krijonim një pronë, ishim të zhveshur. Kjo solli dhe një korrupsion galopant, një luftë politike të egër, një media në shërbim të pushtetit dhe anasjellas. Do të thosha që ka shpërdorim në demokracinë tonë.

Në ç’kushte e shihni ju sot PD, sa e dëmtuar është nga të gjitha këto që po ndodhin?

Zhiti:Aq sa mund të jetë shqetësuese dhe e rënduar gjendja, aq mund të mendohet lehtësuese dhe zgjidhëse. Pa një tronditje të tillë, gjërat ndoshta do të shkonin me ato pakënaqësi me ato gabime, dhe kur gabimi sjell gabimin krijohet kultura e gabimeve. Duhet shpëtuar nga kultura e gabimeve, PD është një pasuri kombëtare, pasuri e mëndesisë së shqiptarëve dhe e veprimit të shqiptarëve për të bërë një jetë ndryshe, për të bërë një vend ndryshe, një Atdhe ndryshe. Në dolëm nga një diktaturë, alarmante, nga një parti moniste, që prej makijazheve diti të bëjë lëvizjet e duhur, diti të bëjë edhe ndryshimet e duhura. Kurse PD erdhi si një klithmë e si një ëndërr që Shqipëria të bëhej sa më parë, euroatlantike. Nga do vinin këta demokratë, që do bënin këtë gjë. Kuptohet erdhën nga një e kaluar e përbashkët. Kuptohet unë kam frikë ta përsëris, që ne po ndërtonim demokracinë me armiqtë e demokracisë. Duhet të ndërtonim kapitalizmin me armiqtë e pronës private, ata që i kishin futur në burgje pasanikët, tani këta po bëheshin pronarë. Erdhi një liri, bashkë më shpërdorimin e kësaj lirie. Erdhi në demokraci bashkë me karikaturën e kësaj demokracie, ndoshta ishin të pashmangshme. Një tronditje e tillë, unë shpresoj që t’i bëjë mirë demokracisë në vend.

Pse po e dëmton z.Berisha …

Zhiti:Ndoshta janë ato bisturitë që hyjnë mbi trupin e sëmurë për të hequr tumorin. Me këtë nuk kam parasysh cili po i bën këtë aksion, kam parasysh aksionin në vetvete.

Pse po e dëmton ish-Presidenti Nishani .. .

Zhiti:Nuk e di nuk kam punuar me të, e solli rasti të propozohesha në një detyrë në Vatikan, sic e kujtuat. Gjë që habiti edhe të huajt, unë jam thirrur nga ambasadori italian për të më dhënë vizën për të ikur në Itali. Nuk kam një herë që grupet parlamentare të të gjitha krahve të jenë dakord me një figurë. Ai që duhet të ishte përbashkuesi ai del kundra dhe mua më dha shijen që ky njeri nuk vepron për idealin. Ky njeri e shpërdoroi fatin që i dha Shqipëria dhe lëvizjet e tij janë vetëm në interes të tij dhe interesi i tij nuk është interesi im, nuk është interesi i Shqipërisë, apo i demokracisë. Në këtë drejtim më vjen keq që u përqëndruam te një njeri, por te njerëzit si ky janë dëmi i madh i vendit.

Sa ju ka mbetur peng që nuk mundët të shkonit ambasador në Vatikan?

Zhiti:Jo, absolutisht nuk kam asnjë peng. Unë shkova në Vatikan, mirënjohës atyre që ma besuan këtë punë, dhe bëra të njëjtën punë. Unë po të isha ambasador nuk do gjeja Papë tjetër, gjeta një pritje të mrekullueshme, rëndësia ishte e jashtëzakonshme për vijimin e jetës sime. I vetmi peng mund të jetë ajo që a munda ta shpërblej atë që mu besua. Puna ime në Vatikan është vlerësuar edhe nga këtu edhe nga sekretaria e shtetit atje. Pata fatin e madh që në atë kohë u shenjtërua Nënë Tereza. Edhe pse i vetëm, me goditje apo pengesa klanore të këtejshme, arrita të bëj një punë të mrekullueshme dhe u lumturuan 38 martirë, bashkëvuajtës të mi edhe pse mund të mos kem qenë në të njëjtën kohë në burg. Pra, unë isha në këtë kohë. Na zuri edhe 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënies diplomatike me Vatikanin, pata fatin të jem në këtë periudhë e të zbuloj mrekullinë vatikanase.

 Ju do të largoheni në fillim të tetorit..

Zhiti:Po do të shkoj në shtëpinë tjetër, atje ku punon edhe ime shoqe. Nuk e pranoj si sentiment fjalën largim, është një mbartje në shtëpinë tjetër. Dua të kuptohemi nuk është se kam një shtëpi tjetër, apo kam bërë ndonjë pasuri. Jam ndër më të varfërit, nuk kam ndonjë pasuri, por pasuri quaj nëse Shqipëria është më e mirë, ka një demokraci të vërtetë, një liri të vërtetë.

Dhe thoni .. ‘Doja t’i ikja një makthi dhe erdha në SHBA si ai që kërkon t’i dorëzohet një ëndrre, kemi me vete historinë tonë’ …

Është ajo që folëm, tronditja, përcarja që e quajtët ju, që unë mendoj të dalë një gjë më e mirë. PD të jetë vërtetë parti demokratike, është si ajo perla që krijohet mbi guacka, krijohet mbi një plagë. Perla që e dimë aq të bukur, ajo perlë që vezullon, ajo është plagë në fakt. Pra, plaga kthehet në perlë në ato guacka, është një mësim shumë i bukur që plagët t’i kthejmë në perlë, në vlerë.

Për t’ju kthyer librit, një formë e shkruari shumë origjinale, që të bën ta prekësh nga afër, ajo që unë ju pyes është: A ka një letërsi tjetër?

Është e vetmja pyetje që dëshiroj të më bëhet dhe e quaj veten me fat në këtë bisedë. Kuptohet është një studim teorik, se letërsia është një e tërë e përbashkët dhe të gjithë autorët janë si ata lumenjtë që derdhen në det dhe letërsia është një pasuri e një vendi e një gjuhe. Kushtet, rrethanat ne kaluam një traumë gjysmë shekullore, diktatura krijoi me dhunë realizmin socialist, një letërsi që duhet t’i shërbente jo letërsisë, por diktaturës sic është propaganda, për fat të keq ajo u realizua. U bë një letërsi që nuk ishte më letërsi, po ishte në shërbim të një sistemi totalitarist jo në shërbim të emocionit njerëzor të letërsisë në vetvete. Por njeriu siç e kujtuat edhe ju me këtë libër, ka atë qëndresën dhe e ka dhënë zoti qëndresën, të jetë njeriu edhe kur nuk të lejojnë rrethanat të jesh njeri. Dhe u shkruajt edhe një letërsi tjetër, në kushte të tjera, në kushte burgu, në kushte internimi. Nga ata autorë që mund të mos ishin në burg apo internim por në shtëpitë e tyre, ëndërronin një letërsi të lirë, të vërtetë, me emocionin artistik që i takon të ketë letërsia. Tani pas ’90 dolën që ka vepra të tilla. E kam thënë, kam edhe botimet e mia, e kam rrëfyer që ‘kjo letërsi tjetër’ është pjesë e gjithë letërsisë, vjen të zëvendësojë atë që ishte, vjen të sjellë vetveten të tregojë atë që s’e kishte treguar ajo. Shqipëria për fat ka sjellë një letërsi tjetër të shëndetshme, të begatë të moralshme, me emra martirësh, poet dramaturg, romancierë dhe duhet të gjejë më shumë hapsirë, më shumë vend, në tekstet e shkollës, klimën letrare nga kolegët. Latinët kanë një shprehje, ‘sado i pasur qofsh, nuk e blen dot të kaluarën tënde’, në s’kemi cfarë i bëjmë asaj të kaluare. Prej asaj vetëm duhet të nxjerrim mësim dhe të shpëtojmë nga retorika e të rrëfyerit të vuajtjeve tona, sepse edhe jemi bërë të bezsdishëm. Ne vuajtjes duhet t’i nxjerrim vlerën, t’i nxjerrim mësimin. Vuajtjen duhet ta tregojmë nën urdhrin suprem se ajo ishte e vërtetë, por për të mos u përsëritur, c’ishte e keqja dhe t’i besojmë e ta duam e ta kultivojmë për më tej, c’ishte e bukur dhe fisnike.

A keni ju një mësazh për politikanët?

Nuk i jap vetes aq shumë të drejta, që të jap mesazhe apo këshilla. Ne jemi në të njëjtën varkë dhe s’di si të them.. mesazhi është : Ta duan më shumë vendin jo si mundësi për t’u pasuruar prej tij, por për ta pasuruar atë dhe kështu jemi pasuruar të gjithë sëbashku. Për një politikë më njerëzore, më normale, jo një politikë klanore dhe të egër, që të mos ta duam tjetrin, pozitë ose opozitës, sepse po e bën ai ose sepse po e thotë ai, por ta shohim c’është e vlefshme për të gjithë. Kjo është e mundur. Nëse më lejoni të them një porosi hebraike, në formë anekdodike:

Në një varkë dikujt i shkrep të nxjerrë thikën dhe të rrëmojë vendin e varkës ku është ai, edhe e pyesin,
– Çfarë po bën..
– Po bëj një vrimë’-i thotë.
– Si po bën një vrimë, po ajo do fusë ujë,- i thonë.
– Po c’keni ju, po e bëj atje ku jam unë, jo atje ku je ti”- i thotë.

Por, varka është e përbashkët dhe ujin e fut keq për të gjithë. Në këtë drejtim, ndoshta këshilla më e mirë do të ishte ajo që thuhet se e ka thënë Churchill që, politikani mendon për zgjedhjet e ardhshme, por burri i shtetit mendon për ardhmërinë. Ju lutem mendoni për ardhmërinë, do të thosha!

blank

Intervista – Besnik Bislimi: Priten masa të tjera të reciprocitetit

Taulant Qenaj

Qeveria e Kosovës ka thënë se më 2 tetor, fillimisht ushtarët e KFOR-it do të vendosen në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë para se të largohen njësitë speciale të Policisë të Kosovës dhe largimi i barrikadave nga serbët lokalë. Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova tashmë ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse që do të fillojnë t’ua vendosin veturave nga Serbia, që nga 4 tetori. Bislimi ka thënë se Serbia ka krijuar tensione në veri të cilat kanë alarmuar bashkësinë ndërkombëtare. Ai ka thënë se në të ardhmen është e logjikshme të priten masa tjera të reciprocitetit. Ai ka shtuar se targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit 2022. Duke folur për projektin e gazit të mbështetur nga administrata amerikane Bislimi ka thënë se: “Kosova nuk është tërhequr nga procesi i gazit. Kosova ka kërkuar kohë që të marrë një vendim të kualifikuar”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Bislimi, a mund të na tregoni si do të ndodhë zhbllokimi i pikave kufitare? Kush do të tërhiqet e para, policia apo barrikadat?

Besnik Bislimi: Zhbllokimi është paraparë për ditën e nesërme (e shtunë, 2 tetor). Paraprakisht duhet njësit i KFOR-it të vendoset në vendkalimet kufitare dhe në bashkëveprim me njësitë speciale të Policisë së Kosovës të informohen për të gjitha elementet që janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin e vendkalimeve kufitare dhe sigurinë e tyre.

Pastaj, pasi të jenë kryer të gjitha këto proceduar, në orën 08:00 është paraparë që të fillojë zhvendosja e njëhershme edhe e barrikadës edhe e policisë speciale dhe me këtë kompletohet. Do të thotë, nuk ka sekuencë që njëra palë duhet të tërhiqet para tjetrës, por zhvendosja bëhet në mënyrë të njëkohshme. I vetmi dallim është që forcat e KFOR-it duhet të vendosen disa orë para se të fillojë zhvendosja e barrikadës dhe ndjesive speciale dhe po ashtu, ajo që është me rëndësi që ta përkujtojë secilën herë sesi duket, është burim i keqinterpretimeve të qëllimshme, kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin e policisë kufitare dhe policisë së rregullt. Kjo masë nuk i prekë ata. Ata vazhdojnë punën e tyre. Punën dhe funksionet e tyre nuk i kanë marrë përsipër njësitë speciale të policisë, ato kanë pasur për detyrë vetëm ruajtjen e pikave kufitare dhe qetësisë atje.

blank

Infografikë

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë

Kosova ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse

Radio Evropa e Lirë: A mund të ndodhë që të ketë ndonjë lëvizje më herët apo çdo gjë do të fillojë nesër në orën 08:00?

Besnik Bislimi: Nga ana jonë nuk ka tendenca për t’i zhvendosur afatet. Ajo që është me rëndësi të thuhet është se në rast se nuk respektohen afatet, atëherë marrëveshje konsiderohet si e pavlerë dhe pala e cila tregohet jobashkëpunuese do të jetë ajo e cila do të identifikohet si palë bllokuese e dialogut, por nuk ka ndonjë arsye, që të paktën nga ana e policisë, të fillojë zhvendosja. Barrikada është ilegale. Ajo mund të tërhiqet në çdo moment dhe vetëm se do e lehtësonte punën pastaj për nesër, por përndryshe nga ana e njësive speciale të policisë nuk ka kurrfarë arsye, edhe nuk ka logjikë që procesi të fillojë para se të bartet në mënyrë logjistike gjithçka te KFOR-i dhe para se të fillojë edhe tërheqja e barrikadës apo barrikadave.

Radio Evropa e Lirë: A është Kosova e gatshme teknikisht ta zbatojë marrëveshjen? A janë gati letrat ngjitëse që do të vendosen në targa?

Besnik Bislimi: Kosova ka qenë e gatshme qysh moti. Kosova ka rreth 300 mijë stikersa (v.j. letra ngjitëse), kur po them 300 mijë stikersa po mendoj 300 mijë pako, për arsye se një pako i ka katër stikers, kaq sa nevojitën për secilën veturë për të mbuluar shenjat e shtetësisë dhe simbolet. Dhe këto mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtëmujor ndërkufitarë. Edhe marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh, kështu që pala jonë është komplet e përgatitur.

Tensionet në veri përmes fotografive
Fotogaleri

Tensionet në veri përmes fotografive

Forcat e NATO-s në Kosovë kanë shtuar patrullimet e tyre afër kufirit me Serbinë, e cila ka dislokuar automjete të blinduara afër pikës kufitare me Kosovën. Ndërkohë, serbët lokalë në Kosovë po vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara me kamionë rrugët drejt kufirit, në Jarinjë dhe Bërnjak, teksa pjesëtarë të njësitit special të Policisë së Kosovës po e monitorojnë situatën në vazhdimësi. (Përgatiti: Trim Haliti)

Pala jonë i ka informatat për qarkullimin ditor, javor, mujor dhe vjetor të veturave në secilën pikë kufitare, rrjedhimisht e ka aftësinë të bëjë projektimin e sasive që nevojiten për funksionim të mirëfilltë të secilës pikë kufitare. Po ashtu është e gatshme dhe ka vendosur që të alokojë edhe staf shtesë policorë, në mënyrë që të reduktohet në maksimum koha e nevojshme për qytetarët të cilët do të pajisen me afishe ngjitëse apo me stikers.

Bislimi: Bashkësia ndërkombëtare u alarmua nga tensionet e krijuara nga Serbia

Radio Evropa e Lirë: Opozita iu ka akuzuar se keni pyetur Beogradin për largimin e njësive speciale që është çështje e brendshme e Kosovës. Si i përgjigjeni këtyre kritikave?

Besnik Bislimi: Ne nuk kemi negociuar me Serbinë në asnjë moment për tërheqjen e njësive speciale. Krijimi artificial i tensioneve në veri nga ana e Serbisë ka alarmuar gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe ka qenë kërkesë e tyre që ne të japim hisen tonë të kontributi me qetësimin e situatës dhe rrjedhimisht dakordimin për tërheqjen e njësive speciale. Unë kam biseduar me zotin (të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav) Lajçak dhe jo me Serbinë. Dhe po ashtu është me rëndësi të thuhet se nuk është në pjesën e detyrave të njësive speciale të vendoset në mënyrë statike të qëndrojë atje, për arsye se më nuk do të ishin speciale.

Njësitë speciale (të Policisë së Kosovës) e kanë kryer detyrën e vetë në mënyrë shembullore, kanë arritur kontrollin në vendkalimet kufitare me sukses të plotë, pa shkaktuar asnjë incident të vetëm. Përkundër faktit që provokimet të cilave u janë nënshtruar në vazhdimësi kanë qenë shumë të mëdha, po them prapë, rrugën e fundit që e kanë bërë njësitë speciale të Kosovës dhe për ne ka qenë e rëndësishme që pritja e tyre në asnjë moment mos të krijojë vakum që do ta rrezikonte edhe sigurinë e stafit tonë nëpër pikat kufitare, por edhe të vetë objekteve tona, aseteve tona në kufi.

Por, është shumë me rëndësi që edhe kritikat që vijnë nga vendi, të trajtohen brenda në kontekst të asaj se kush e thotë dhe pse e thotë sepse në fakt të gjitha argumentet që vijnë nga ta janë argumente kundër tyre, për shembull argumenti i ligjshmërisë së targave ‘KM’.

Ato targa ‘KM’ operojnë të lira në veri të Kosovës nga viti 2008, rrjedhimisht ne nuk kemi vendosur kurrfarë ligjshmërie, në fakt ne kemi de-legalizuar atë, për arsye se në këtë marrëveshje ato trajtohen vetëm si targa të Serbisë që nuk njihen në Kosovë, dhe targat e Serbisë të cilat ne nuk i njohim, i mbulojmë me stikers. Deri më 30 shtator, këto targa kanë lëvizur të lira në veri dhe rrjedhimisht argumenti është i paqëndrueshëm.

Nëse Serbia nuk e respekton marrëveshjen, “detyrohemi të intervenojmë”

Radio Evropa e Lirë: A mund të ketë ndonjë masë tjetër reciprociteti në ditët e ardhshme?

Besnik Bislimi: Mendoj që kjo nuk lidhet asgjë me këtë lëvizje. Ne shpresojmë që Serbia ta implementojë në tërësi marrëveshjen e arritur në Bruksel. Në rast se vërejmë deformime në terren, atëherë ne do të detyrohemi të intervenojmë. Por kjo as nuk kufizon, as nuk hap hapësira për intervenime në fusha të tjera.

Ne kemi dërguar para disa javëve ose më shumë se një muaj, një shkresë në drejtim të zyrave të qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Zvicrës dhe Britanisë të Madhe ku i kemi informuar për të gjitha trajtimet e pabarabarta të eksporteve të Kosovës drejt Serbisë. Prej disa prej tyre kemi marrë përgjigje.

Në të ardhmen, është e logjikshme të priten edhe vendime të tjera që tregojnë vendosjen e plotë të principit të trajtimit të barabartë të palëve në marrëveshjet apo në marrëdhëniet reciproke.

Letrat ngjitëse, falas

Radio Evropa e Lirë: Nga e hëna, shoferët e të dy shteteve a do të paguajnë taksën prej pesë eurosh siç ishte deri tani?

Besnik Bislimi: Të hënën, në orën 08:00 parashihet futja në fuqi e sistemit të stikerasve (letër ngjitëse) dhe rrjedhimisht nuk aplikohet më kurrfarë pagese. Stikersat janë falas dhe u shpërndahen vozitësve në hyrje të pikave kufitare. Ajo që është me rëndësi është që ata i vendosin vetë stikersët dhe nuk mund të futen brenda territorit të Kosovës pa i mbuluar të gjitha simbolet dhe elementet e shtetësisë të shtetit reciprok.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, njëjtë do të bëjnë edhe shoferët e Kosovës që hyjnë andej?

Besnik Bislimi: Kjo është pritja.

Bislimi: Targat ‘KM’ nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit të vitit 2022

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të ndodhë me targat ‘KM’ dhe targat tjera të ngjashme që kanë qarkulluar deri tash në Kosovë?

Besnik Bislimi: Targat që kanë qarkulluar deri tani në veri, nga dita e hënë (4 tetor) konsiderohen si targa të Serbisë, të një shteti të cilin ne ende nuk e njohim. Ky trajtim vlen për gjashtë muaj, për arsye se brenda gjashtë muajsh, Grupi Punues e ka për detyrë të gjejë një zgjidhje permanente sipas standardeve dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian. Nuk besoj që ka standard apo praktikë të një shteti evropian, ku ata nxjerrin targa për qytete të shteteve tjera. Prandaj, kjo nënkupton edhe logjikisht këto targa nuk do të ekzistojnë pas 21 prillit të vitit 2022.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur kritika nga opozita lidhur me këtë marrëveshje, duke thënë se qeveria e ka barazuar Policinë e Kosovës me protestuesit që kanë bllokuar rrugët. Cili është komenti juaj?

Besnik Bislimi: Nuk ka asnjë vendim të vetëm që ka marrë Qeveria e Kosovës, që nga data e marrjes së detyrës më 22 mars të vitit 2021, që opozita nuk e ka konsideruar si shumë të dëmshëm, shumë të gabueshëm, shumë të rrezikshëm. Sikur të kishte vetëm pak të vërtetë në këto kritika, atëherë do të ishte e çuditshme që shteti ekziston edhe më tutje pas këtyre gashtë muajve. Merreni me kujdes dhe trajtoni vetëm si kritika të atyre të cilët i kanë nënshkruar të gjitha ato marrëveshje ,që tani për neve janë barrë për çdo proces të dialogut.

Bislimi thotë se nuk ka marrëveshje të fshehtë

Sikur marrëveshjet e tyre të kishin qenë të mira do të ishin implementuar deri më tani. Problemet kryesore me të cilat ne ballafaqohemi, e një prej tyre është edhe tensioni në veri, janë produkt i të gjitha atyre vendimeve ‘të mira’ dhe ‘të mençura’ që kanë marrë këta për dhjetë vjet. Ndërkaq, kjo çfarë kemi bërë ne është sadopak po mundohemi të minimizojmë dëmet dhe ta të vendosim principin e barazisë që këta e kanë shkelur që nga dita e parë e negocimit me Serbinë.

Nuk ka asnjë marrëveshje ku pala e Kosovës është trajtuar barabartë me atë serbe, dhe tani atyre ju duket e çuditshme mënyra sesi ne negociojmë me Serbinë.

Duhet ta kuptoni se marrëveshja e 30 shtatorit është e ndryshme, është e një kahu tjetër prej marrëveshjeve të mëparshme. Dikush që mendon që marrëveshjet e deritanishme kanë qenë të mira, s’ka si të mos mendojë që kjo është e keqe. Ata të cilët mendojnë se marrëveshjet e deritanishme (nuk) kanë qenë të dëmshme, nuk kanë si të mendojë që kjo e 30 shtatorit është e mirë, sepse është e një kahu tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A ka marrëveshja edhe pjesë tjera apo vetëm ajo që është publikuar? Pse nuk e publikoni marrëveshjen në tërësi?

Besnik Bislimi: Në Qeverinë Kurti nuk ka pika të fshehta, nuk ka marrëveshje të fshehta. Ajo që e ka nxjerr zoti Lajçak është marrëveshja e vetme që është dakorduar, nuk ka asgjë tjetër. Ato janë të gjitha konspiracione dhe janë tentativa që sado pak ta zhvlerësojnë rolin e marrëveshjes dhe rëndësinë. Por, nuk do të ndodhë asnjëherë që ne të arrijmë ndonjë marrëveshje që të mos bëhet publike, të jeni të sigurt.

“Kosova nuk është tërhequr” nga gazi, por ka kërkuar kohë

Radio Evropa e Lirë: Opozita po ashtu po akuzon se qeveria po e dëmton partneritetin me SHBA-në duke i thënë jo projektit të gazit. A është duke rrezikuar Kosova mbështetjen nga SHBA-ja duke i thënë jo këtij projekti?

Besnik Bislimi: Është mirë që Qeverinë e Kosovës mos ta mundoni shumë që të merret me komente të kësaj opozite. Opozita definitivisht e ka humbur rrugën, ose më mirë të them, janë rrugës drejt zhdukjes.

Nuk ka asnjë problem me partneritetin me Amerikën, dakordimi me MCC-në po vazhdon, ka bashkëpunim e ide të rialokimit të mjeteve. Kosova nuk është tërhequr nga procesi i gazit. Kosova ka kërkuar kohë që të marrë një vendim të kualifikuar.

Nuk po flasim këtu për një investim 300 mijë euro apo 500 mijë euro, por jemi duke folur për investime të qindra miliona eurove, dhe këtu nuk mund të bëhen gabime të vogla, mund të bëhen vetëm gabime të mëdha dhe secili zyrtar amerikan ka mirëkuptim dhe madje vlerësim për një qeveri e cila është e kujdesshme kur ka të bëjë me vendim që prekin buxhetin e shtetit, sepse janë taksa të qytetarëve të Kosovës dhe taksa të taksapaguesve të SHBA-së.

Ajo që ne kemi thënë është që tranzicioni është i gjatë, tranzicioni është i kushtueshëm. Ne e kemi për obligim që në periudhën e tranzicionit të energjisë, të garantojmë vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe energji me çmime të përballueshme për qytetarët.

Vetëm gjatë këtij viti, çmimi i gazit në tregun evropian është trefishuar. Kjo tregon që nevoja për qeverinë që të jetë sa më e kujdesshme në projekte të tilla të jetë edhe më prezentë.

blank

Konstitucionalisti Shkëlqim Hajdari: Ndryshimet kushtetuese emergjencë kombëtare, ka humbur balanca e pushteteve

TIRANË

Ish-prokurori dhe ish-drejtuesi i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, i ftuar në emisionin “Top Talk” në Top Channel, ka folur për dënimin e Adriatik Llallës, duke e cilësuar si një nga efektet pozitive që po prodhon Reforma në Drejtësi.

Sipas tij, dënimi i ish-kryprokurorit do të forcojë besimin e shqiptarëve te drejtësia. Më tej, Hajdari foli për nevojën e ndryshimeve kushtetuese në vendin tonë, në mënyrë që të krijohet një ndarje dhe balancim i pushteteve, ashtu siç duhet të jenë në një demokraci funksionale. Ish-prokurori dha edhe propozimet e tij për ndryshimet që duhet të bëhen, teksa u shpreh se të gjitha këto sugjerime do të sillen shumë shpejt në një libër.

Intervista e plotë:

Ju keni dhënë një intervistë të fortë për ‘Zërin e Amerikës’, në vitin 2016 mos gaboj, ku keni paralajmëruar kapjen e Prokurorisë dhe të kryeprokurorit.

Beteja që u bë nga Shoqata e Prokurorëve, që me ardhjen e Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë dhe deri me shpërthimet publike ndaj sjelljes së tij, është një qetsim shpirtëror. Personi në fjalë i bëri prokurorisë shqiptare gjithë ato dëme. Një zyrtar i lartë, nuk ka rëndësi se çfarë dëmesh i shkakton vetes së vet, por çfarë dëmesh i bën institucionit. Kam qenë i bindur atëherë, se denoncimin e krimeve të personit në fjalë nuk e kam bërë nisur nga arsye personale, por duke dashur shumë që organi i Prokurorisë të mos përfundontë në mandatin e tij, në gjendjen siç përfundoi. Gjithsesi, dënimi i djeshëm i zotërisë është i dyanshëm. Nga njëra anë, njerëzit që kanë besuar të reforma që u bë e thellë në drejtësi, janë shpresëplotë që ky do të shërbejë si një ogur i mirë në të ardhemn. Edhe zyrtarë të lartë, ashtu si njerëz që kanë punuar për shtetin shqiptar, njerëz të përgjegjshëm, janë të trishtuar, sepse kanë kuptuar tashmë atë që ne e dinim në fillim, që kur e kishim zotërinë në krye të institucionit dhe e denoncuam, që çfarë njeriu kanë prodhuar ata që e prodhuan, për të drejtuar organin më të lartë të akt-akuzës.

Me “ata që e prodhuan”, ke parasysh politikën dhe individë të politikës, apo thjesht rrethana kohe?

Sigurisht që e prodhoi politika, jo vetëm prokurorin e fundit, por edhe prokurorë të mëparshëm, Zotëria në fjalë nuk justifikoi qenien minimale të disa parimeve që duhet të ketë Prokurori i Përgjithshëm.

Ju e dini që unë nuk dua të flas në mënyrë të përgjithsme dhe ju nuk e rezervoni zakonisht të folurën direkte. Është Adriatik Llalla produkt i një lobimi Basha- Meta në krye të Prokurorisë? Kjo është e thënë, por gjithsesi do të doja ta pikëzoja këtë.

Kjo jo vetëm që është e sigurtë, por kjo është konkrete, sepse bashkimi i këtyre dy forcave politike prodhoi Prokurorin e Përgjithshëm në fjalë.

Kam parasysh më shumë idenë e njerëzve, sesa të forcave politike.

Nëse ne biem dakord, që partitë politike, sidomos pas ndryshimeve të vitit 2008, këto forca kolegjiale, demokratike, organizime vullnetare, janë kthyer në parti të kryetarëve, atëherë përgjigja është e saktë, që ka qenë produkt i tyre.

Është Adriatik Llalla këmba e tërhequr zvarrë edhe për këta njerëz që lobuan, që ky njeri të vinte në krye të Prokurorisë dhe të bënte ato që bëri? Mund të jetn, Berisha, Meta apo njerëz të tjerë të qeverisë, peshqit e radhës?

Kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem i tillë, që reforma e thellë që kemi bërë në sistemin e drejtësisë e ka përmbysur totalisht atë, ku politika prodhonte të gjithë kupolën e drejtësisë, Prokurorin e Përgjithsëhm, anëtarët e Gjykatës së Lartë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, drejtuesit e zyrave kryesore të Prokurorisë, e kemi përmbysur të tërë. Jam i binduar që në ditët, muajt, vitet në vazhdim, historia e Reformës në Drejtësi ka për të qenë një histori suksesi. Pa përmendur emra, se unë jam njeri i parimeve të forta, zoti Llalla është vetëm fillimi. Është një gjë pozitive, sepse në kuptimin e besueshmërisë së publikut në organet e reja të drejtësisë ka qenë i lëkundur. Shpresoj shumë, ashtu sikurse shpresojnë edhe faktorët ndërkombëtarë që mbështesin reformën, edhe publiku shqiptar, që pas këtij rasti, por edhe rasteve të tjera që janë nën hetim, SPAK-u do të rezultojë histori suksesi.

U bë një debat dinamik te “Open” i koleges Eni Vasili dhe doja të të pyesja për cilësimin e veprës penale. Qëndron fakti që kryeprokurori u dënua vetëm për çëshjte pasurie, duke pasur parasysh se çfarë ka pasur në dorë?

Prokurori është dënuar për ato vepra penale për të cilat prokurorët kanë pasur mundësi t’i provojnë. Vlersoj vendimin e Gjykatës. Shpresoj që ai vendim të jetë i bazuar në prova dhe të shërbejë që çdo zyrtar, qoftë i organeve shtetërorë, qoftë i organeve të tjera të shtetit shqiptar, ta kuptoj që tashmë koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar, për hir të forcës që ke pasur, ose që mendon se e ke aktualisht.

Nga pikëpamja formale dhe ligjore po, por nga pikëpamja faktike jo, sepse Llalla është në liri dhe nuk e di deri në çfarë afati mund t’i shpëtojë dënimit? Si do vazhdojë kjo historia për sa kohë që ai është jashtë?

Varet se për çafrë lirie e keni fjalën ju, sepse një njeri që është dënuar dhe ka marrë rrugët e botës, duke shpresuar shumë që të mos jetë i sëmurë, sepse është njeri mbi të gjitha, pra nuk është në liri. Ne që kemi hetuar nga 25 vjet, kemi kuptuar se njerëzit që janë në të tilla pozita, e vuajnë më shumë kur janë jashtë, se kur janë brenda.

Ky 2 vjeçari i dënimit, si do të vazhdojë nga pikëpamja proceduriale?

Nuk ma merr mendja se do të plotësohen afatet e parashkrimit për personin në fjalë, sepse bashkëpunimi ndërkombëtar i autoriteteve ligjzbatuese shqiptare është perfekt dhe ne kemi parë që njerëzit në pak kohë janë vënë në zbatimin të vendimeve penale që kanë dhënë gjykatat shqiptare.

Ndërkohë që flisni me shumë pathos për Reformën në Drejtësi, e  cila ka prodhuar në aksionin publik, në analiza politike dhe mediatike, shumë pikëpyetje për efektet e saj. Duket sikur në mendjen tuaj Reforma në Drejtësi po funksionon, po jep produkt dhe lë hapur versionin e problemeve në organe të tjera kushtetuese. Ju jeni nga njerëzit që po përpiqeni të sillni në vëmendje, që siukurse u bë Reforma në Drejtësi, të ketë një reformë tërthore kushtetuese, edhe në raport me institucionet e tjera.

Të falenderoj, sepse për këtë pjesë të bisedës nuk kam pasur dëshirë të flas fare, por u përgjigja në respekt të pyetjeve që bëre. Kjo është pjesa që kam më shumë qejf që të flas sot para shqiptarëve dhe kolegëve, mes të cilëve disa burra të nderuar të këtij vendi kemi vite që mendojmë: “Mirë Reformën në Drejtësi e përmbysëm, e rregulluam, e ndamë nga politika, i futëm në sistemin e karrierës, po me dy pushtetet e tjera, lëgjislativ dhe ekzekutiv, çfarë do të bëjë Shqipëria?” Këto dy pushtete kanë mbetur prapa pushtetit gjyqësor, janë pushtete të pareformuara. Ato duhet të reformohen nëpërmjet ndryshimeve thellësisht demokratike, kushtetuese dhe të kodeve përkatëse të ligjeve organike. Nuk mundet që një pushtet të shkojë në qiell dhe tjetri të mbetet në tokë. Organet e drejtësisë, sistemi gjyqësor, të gjithë biem dakord, që është histori suksesi, produktet e tij do t’i marrim në vitet në vazhdim. Kemi mbështetje të ekspertizës më të mirë ndërkombëtare dhe rezultatet e Refomës në Drejtësi janë të sigurta. Në dorë shqiptarët kanë vetëm për t’i përshpejtuar ose ngadalëuar, por si rrugë, si orgaznizim, si frymë, është i sigurt.

Në Shqipëri, pushteti i votës, i përfaqësimit, i delegimit të sovranitetit të popullit shqiptar te deputetët, disa prej të cilëve bëhen ministra, vuan, lëngon. Ky pushtet ka nevojë për ndryshime thellësisht demokratike, për ringritjen e demokracisë në Shqipëri.

Si do të ndodhë kjo? Për zgjedhje po ndryshojmë gati çdo Kod Zgjedhor, prapë do ta ndryshojmë?

Kodi Zgjedhor është derivat. Unë e kam fjalën për ndryshime që shkojnë përtej Kodit. Për ta kuptuar publiku dhe jo për nga rëndësia, unë them ta fillojmë nga aty ku prodhohet vota, për të shkuar deri te qeverisja, Parlamenti dhe Presidenti. Ne duhet të marrim masa të rëndësishme që vota e qytetarit të jetë e drejtpërdrejtë, që s’ka mundësi të blihet, të mos tjetërsohet. Listat e votimit duhet të jenë 100% të hapura, siç u bë ndryshimi kushtetues, pra për ato forca politike që e duan 100% të hapura në garë demokratike dhe për ato që nuk e duan, ta mbajnë 1/3 e mbyllur.

E dyta, neve na dha rezultat njësia 10 në votimet që bëmë dhe tregoi se votimi elektronik është histori suksesi. Nuk ka asnjë lloj pendgese që votimi, identifikimi dhe numërimi elektronik të bëhet në këtë formë qysh në zgjedhjet e pushtetit vendor. Palët do të kenë vullnet, sepse të gjitha forcat politike, qoftë ajo që është në qeveri edhe opozita, target të tyre kanë integrimin në Bashkimin Europian. Në BE nuk mund të shkosh dot me rezultate të votimit që i nxjerr pas dy javësh, por mund të shkosh që rezultatin ta nxjerrësh si Kosova, minimumi për 15 minuta. Identifikim, votim, numërim, certifikim elektronik, në këtë mënyrë depolitizohen komisionet e numërimit dhe i gjithë sistemi relaksohet.

Ndërtimi i punës konkrete, pa u vonuar asnjë orë e minutë, për të krijuar kushte e mundësi për të mundësuar votimin për shqiptarët me vendbanim të përkohshëm jashtë vendit.

U tha, por nuk u bë!

Do të bëhet, sepse partitë politike do të vihen para opinionit publik me deklarimet që kanë bërë para këtyre zgjedhjeve.

Po kjo është përgjegjshmëri shumë e lartë. Po të ishim kaq të përgjegjshëm do të ishim 30 vjet përpara Bashkimit Europian.

Këto gjëra që them unë sot janë shqetësim edhe i mazhorancës, edhe i opozitës shqiptare. Shpresoj të jenë serioz, ta kuptojnë këtë sepse ndryshe Shqipëria do të vazhdojë të lëngojë sa i përket qeverisjes.

Në estabilishmentin politik si bëhet vonë askujt që po lëngon Shqipëria.

Në zgjedhjet e fundit kanë marrë pjesë 1 milionë e 700 mijë votues. Nëse nuk bëhen këto reformat e thella, që shqiptarët të besojnë te qarkullimi i elitave, demokracia, balanca e pushteteve, mund të përfundojë edhe me 900 mijë votues. Unë besoj, se politikanët shqiptarë përgjegjshmërinë ndaj atdheut dhe vendit, e kanë. Shpresoj shumë që të jenë ndriçuar.

Zoti Hajdari, më duket se po jetoni një vegim politik, pasi në realitet vështirë se mund t’i gjesh këto që ju thoni.

Unë nuk jam futurist, jam idealist- pozitivist. Ka shumë media, kamera televizive, që mund të tregojnë, se për zhvillime që kanë të bëjnë me ndryshime kryesisht në fushën e të drejtës, çfarë kam thënë, analizuar dhe parashikuar, ka dalë.

Shqipëria ka nevojë për të rregulluar numrin e zonave zgjedhore. Nuk mundet që Shqipëria të votojë në 12 qarqe, ku vota e qytetarëve të Kukësit nuk përkthehet në numër mandatesh me votën për numër popullsie votuesish të Tiranës. Shqipëria mundet të eksperimentojë dhe për të mbetur një popull unik, me gjithë studimet që kanë bërë shumë njerëz, pjesë e të cilëve edhe unë jam. Ata në të ardhmen do të artikulohen edhe vetë, njerëz të nderuar të këtij vendi, juristë, ish-politikanë. Shqipëria mund të shkojë me 4 zona zgjedhore, të cilat përafrojnë numrin e votuesve me numrin e mandateve. Mund t’iu ngushtosh akoma më shumë hapësirat përfaqësuesve të krimit të organizuar në politikë, dhe mundet që numri i përfaqësuesve të populit nga 140 të bihet dakord dhe të shkohet me 100 deputetë. Këto janë pjesë e diskutimve.

E fundit, përsa i përket votës, partitë politike duhet të marrin parasysh deputetët, që të forcojnë akoma më shumë mundësinë e mospërfshirjes së parave të pista të krimit dhe korupsionit në zgjedhje.

Ne s’po bëjmë dot transparencën e fondeve. Kjo që thoni është shumë idealiste. Me letra jemi shumë mirë ne.

Ne do të paraqesim drafte konkrete. Asnjë nuk besonte që ne do të ndalonim pjesëmarrës në Parlament të krimit të organizaur dhe korrupsionit. Ligji i dekriminalizmit i penalizoi. Edhe ndonjë që mund të jetë futur dhe është aktualisht aty, të presë pasi shumë shejt nuk ka për të qenë aty. Një votë e prodhuar në mënyrë të ndershme, do të prodhojë edhe Parlament të ndershëm, me atë pjesën që do të qeverisë dhe atë pjesën që do ta kontrollojë qeverisjen. Edhe këtu duhet të bëhen ndrshime, sepse opozita pas ndryshimeve në vitin 2008 nuk ka asnjë mekanizëm konkret që të kontrollojë një qeveri.

Ka mocionin e besimit dhe mosbesimit.

Ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 u bënë në atë fomrë, që opozita të mos ketë mundësi për të shkarkuar një kryeministër dhe qeveri. Ekziston formalisht. Ne duhet të ndryshojmë si mocionin e besimit, ashtu edhe atë të mosbesimit, që çdo qeveri në Shqipëri, në një republikë parlamentare të ketë kontroll parlamentar.

Pse nuk e kërkon opozita?

Nuk e di. Unë s’kam lidhje as me opozitën, as me mazhorancën.

Berisha ka paralajmëruar marrëveshjetë fshehtë mes Ramës dhe Bashës për ndryshime kushtetuese. Për këto flisni edhe ju?

Nuk e di çfarë thotë Berisha, por ai është autori dhe që në vitin 2008, bashkë me kryeministrin Rama, bënë ndryshimet. Unë e di shumë mirë që iniciatori ka qenë Berisha, i cili rrëzoi edhe gurin e fudnit të dominosë dhe pa asnjë konsult, pa asnjë diskutim u përmbys gjithë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Pati disa burra që votuan kundër këtyre ndryshimeve, si Prof. Rexhep Uka, Besnik Mustafai, Arben Malaj, ish-presidenti Bamir Topi. Këto ndryshime, ndryshe nga 2008, duhet të bëhen në dritën e diellit, jo me kulisa. Pjesë e diskutimit duhet të bëhen të gjitha partitë politike, profesorë të së drejtës ndërkombëtare, etj.

Për një qeverisje të mirë, duhet të riorganizojmë mënyrën e referndumeve në Shqipëri, sepse praktikisht nuk bëhen. Në një libër, që do të botohet shumë shpejt, do të jenë të argumentuara të gjitha këto çështje. Duhet të rregullojmë ligjet për referendumet, që të jenë efiçente dhe që parti politike apo organizata të bëjnë referendume për çështje të caktuara. Duhet të rregullojmë veprimtarinë e komisioneve hetimore parlamentare për të pasur produkt. Duhet të shikojmë dhe përmirësojmë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me PPP-të, borxhin publik, koncesionet.

Kjo duket si ta bësh Kushtetutën nga e para.

Kushtetuta do të preket vetëm një herë, por me kushtin që të gjitha këto ndryshime, përfshirë edhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, me ato argumente që janë dhënë në studio televizive, se çfarë të mire sjell kjo, të bëhen transaparente, të marrin kohën e duhur nëpër tryeza diskutimesh, të ketë vullnet që të mos bëhen ndryshime kushtetuese ku gjithsecili nga palët politike apo individë shohin interesin e tyre, por të shikojnë modele nga vendet anëtare të BE-së apo vendet e rajonit, që kanë më mirë se Shqipëria ndarjen, balancimin dhe funksionimin e tre pushteteve në Shqipëri.

Po të garantoj këtu në studion tënde dhe nëpërmjet teje gjithë shqiptarët, se numri i njerëzve të ndershëm, edhe brenda partive politike që janë sot deputetë, është kaq i madh dhe kaq shumë po presin që të fillojë procesi për këto ndryshime kushtetuese, saqë në ditët në vijim do të shohësh emra konkretë që do të deklarohen pro këtyre ndryshimeve, që janë emergjencë kombëtare për Shqipërinë.

blank

Intervista – Escobar: Do t’i përdorim në mënyrë agresive mekanizmat kundër korrupsionit

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar thotë se përparësia kryesore në këtë detyrë do të jetë integrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në një intervistë gjithëpërfshirëse për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Escobar, i emëruar rishtazi në këtë detyrë, ndalet në tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dialogut mes tyre, luftën kundër korrupsionit, përcaktimin publik nga Sekretari i Shtetit të ish Kryeministrit Sali Berisha, në situatën në Bosnje Hercegovinë dhe në rolin e Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar cilat do të jenë përparësitë tuaja për Ballkanin Perëndimor? Cilat do të jenë çështjet më të ngutshme me të cilat do të merreni?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Janë dy çështje shumë, shumë të rëndësishme. Çështja e parë, që është afatmesme, ne do të donim të shihnim integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne mendojmë se këto vende kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, sepse janë kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht evropianë. Shumë nga vendet kanë bërë tashmë reforma të jashtëzakonshme. Dhe për Evropën, ky është një hap që ia vlen ta ndërmarrë.

Ato ndajnë të njëjtat vlera e interesa të përbashkëta me pjesën tjetër të Evropës. Pra, kjo është e rëndësishme dhe do të jetë një përparësi. Paralel me këtë është edhe anëtarësimi në NATO, për ata që janë të interesuar. Kjo padyshim do të më kërkojë që të punoj shumë ngushtë me partnerët tanë evropianë, shumë prej të cilëve ndajnë pikëpamjen tonë rreth kësaj çështjeje. Por nga perspektiva jonë, ky duhet të jetë një proces, që duhet bërë dinamik dhe aktiv. Kështu që do të doja të shihja njëfarë dinamizmi në këtë proces.

Procesi tjetër ka të bëjë me të ardhmen, për brezin e ardhshëm të Ballkanit. Dhe për këtë ne po shqyrtojmë mundësi ekonomike. Ballkani Perëndimor është një zonë e mundësive. Ata janë dinamikë, kanë universitete të shkëlqyera, kanë njerëz shumë të kualifikuar. Për fat të keq, shumë njerëz nuk shohin mundësi në vendet e tyre dhe po largohen. Me kalimin e kohës, ky largim do të bëhej një problem strategjik, jo vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Pra unë jam shumë i interersuar për gjithë këto çështje dhe ide për integrimin ekonomik. Nëse shikoni Ballkanin Perëndimor në tërësi, teorikisht mund të keni një grup ekonomik prej gjashtë vendesh, ndoshta edhe më shumë, prej rreth 20 milionë banorësh, me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 125 miliardë dollarësh dhe me ritme të rritjes ekonomike deri në 5%. Duke pasur parasysh këtë, do të ishte rajoni me rritjen më të shpejtë në Evropë. Dhe kjo është pozitive, për ne politikisht, dhe mendoj se do të jetë pozitive edhe për investitorët amerikanë, që duan të shikojnë atë pjesë të botës.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar për rolin e Rusisë dhe Kinës në rajon? Analistët thonë se mungesa e një roli të fuqishëm të SHBA-së do të bëjë që boshllëku të mbushet nga Rusia dhe Kina.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po jam i shqetësuar. Të jem i sinqertë, mendoj se në hapësirën Evropiane dhe në atë të Evropës Perëndimore, vendet duhet të ndihen se kanë mundësi të tjera përveç Kinës nga pikëpamja ekonomike. Hapja e zyrës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim në Beograd ishte një shembull i shkëlqyer i angazhimit tonë në rajon. Unë po punoj shumë ngushtë me Dhomat Amerikane të Tregtisë në të gjitha këto vende, si një mënyrë për të inkurajuar njerëzit që të shohin përtej Kinës për projekte të mëdha infrastrukturore dhe investime, sepse investimi ynë në fakt, vjen me përfitime afatgjata për rajonin.

Në rastin e Rusisë ne mendojmë se shumë nga gjërat që bën Rusia për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendeve, veçanërisht në Mali të Zi, është shumë destabilizuese, na largon më shumë nga rruga e integrimit evropian dhe akoma më larg nga pajtimi shumë-etnik.

Zëri i Amerikës: Sa i shqetësuar jeni nga tensionet e fundit që kanë shpërthyer mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave? A po e bëjnë të dyja palët për përfitime politike me zgjedhësit e tyre, apo ekziston një mundësi serioze e përshkallëzimit të situatës?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shikoni, më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme.

Për sa i takon çështjes më të gjerë të dialogut, ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim.

Zëri i Amerikës: SHBA dëshiron të shohë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen reciproke mes dy vendeve dhe mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që zvarritet prej 10 vitesh, pa shumë përparim. A është koha për një qasje të re?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Jo qasje, mendoj se është koha për një përpjekje të përtërirë për dialogun. Dialogu ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Zëri i Amerikës: Çfarë doni të thoni me “përpjekje e përtërirë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja se, me gjithë respektin për kolegët tanë evropianë, njerëzit në rajon, nuk janë gjithmonë të bindur se Evropa i pranon ata. Pra Evropa duhet t’u japë atyre një mesazh, se këto vende do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të anëtarësohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kësaj përpjekjeje. Por përpjekja ka të bëjë me të gjithë rajonin. Ajo përfshin Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë për popujt e këtyre vendeve, se ata do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Në Bashkimin Evropian ka 5 vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është një pengesë për BE për të dalë me një qëndrim. A mund të ndihmojë SHBA-ja në njohjen e Kosovës nga këto vende?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Mendoj se në fund, nëse arrihet përparim në Bashkimin Evropian, në procesin e udhëhequr nga BE-ja, njohja nga këto pesë vende do të ndodhë. Nuk është se këto pesë vende besojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por për arsyet e tyre të brendshme, kanë vendosur të presin për të parë rezultatet e dialogut. Prandaj dialogu është i rëndësishëm.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Kosova dhe Serbia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë administratës së Presidentit Biden?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shpresoj të jetë kështu, pasi ne duhet të ecim përpara me çështje e tjera, siç është ajo e statusit të vendit kandidat dhe integrimi ekonomik për të gjithë rajonin.

Zëri i Amerikës: Një nga paraardhësit tuaj, Hoyt Yee e paralajmëroi Serbinë se nuk mund të rrijë e ulur në dy karrige, nga njera anë ShBA dhe BE dhe nga ana tjetër Rusia dhe Kina. Serbia është afruar me të dyja këto vende. Si e shihni ju këtë prirje? A është Serbia një partner i besueshëm në rajon?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Serbia është një partner i mirë. Ata janë partnerë të mirë në shumë çështje, si ajo e bashkëpunimit në fushën e zbatimit e ligjit, apo në disa prej përpjekjeve tona për migrimin për shembull. Ata po punojnë shumë ngushtë me ne për shumë çështje, qofshin rajonale apo bilaterale. Serbia është motori ekonomik i rajonit dhe e hapur për integrim ekonomik me pjesën tjetër të rajonit. Presidenti Vuçic na ka siguruar se ndërsa ai po bën përpara në nismën për Ballkanin e Hapur, ai është i hapur për të gjashtë (vendet). Pra, pyetja nuk është, nëse Serbia po i afrohet më shumë perëndimit, sepse në fakt, 70 ose 80 për qind e ekonomisë së saj është e lidhur me perëndimin, shumica e diasporave të saj ndodhen në Perëndim, shumica e investimeve të saj vijnë nga perëndimi. Kështu që pyetja është: a mund ta bindë ai publikun për këtë fakt? Ka diçka që njerëzit nuk e kuptojnë, se Rusia nuk investon në Serbi. Rusia nuk i jep ndihmë humanitare Serbisë. Ndërsa Kina, nuk ka investime cilësore si ato që ne ofrojmë. Kështu që Hoyt Yee kishte të drejtë, Serbia nuk mund të ulet në dy karrige. Nga ana kulturore, ekonomike, sociale, ata kanë bërë një zgjedhje dhe na takon ne t’i ndihmojmë të lëvizin në këtë drejtim, në mënyrë konkrete, përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Si e shikojnë Shtetet e Bashkuara konceptin e “Botës Serbe” dhe nismat e tjera, që ka ndërmarrë Presidenti Vuçiç për të promovuar “identitetin dhe unitetin serb” në rajon? A mund të bëhet kjo një prirje destabilizuese për rajonin?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Kjo mbetet për t’u parë. Por mund t’ju them se nuk ka asnjë konflikt mes njerëzve që duan të festojnë traditat e tyre kulturore duke jetuar në një vend tjetër. Këtu në ShBA ne festojmë traditat kulturore të njëri-tjetrit. Problemi lind kur kjo shdërrohet në një përparësi ushtarako-politike. Ne absolutisht besojmë se qytetarët e etnive të ndryshme, që jetojnë në një vend tjetër, janë qytetarë të vendit ku jetojnë dhe kanë përgjegjësi ndaj atij vendi. Vende të tjera nga jashtë, duhet ta kenë këtë të qartë, pavarësisht ku gjenden këto etni, në Kosovë, Maqedoni e Veriut, apo Mali të Zi. Është një çështje që krijon shumë pështjellim për njerëzit në rajon. Por ne besojmë se Ballkani, si një rajon shumë-etnik i botës, ka shumë për të festuar në aspektin kulturor.

Zëri i Amerikës: Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor po shprehin zhgënjim për shkak të vonesave të integrimit në BE. BE-ja vetë vuan nga e ashtuquajtura “lodhje” nga zgjerimi, ose ka problemet e saj të brendshme. Kohët e fundit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bllokuar për shkak të Bullgarisë. A mundet SHBA të nxisë për një zgjidhje dhe si e shihni procesin për të ardhmen e këtyre dy vendeve?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Për sa i takon çështjes së lodhjes nga zgjerimi; vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë shumë për t’i dhënë Bashkimin Evropian, do ta bëjnë Bashkimin Evropian më të fortë, do ta bëjnë atë ekonomikisht më të qëndrueshëm, sepse këto vende janë mjaft konkurruese.

Zëri i Amerikës: Po a mendon BE-ja kështu?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Mendoj se disa vende të BE-së po. Por sinqerisht mendoj se BE-ja përfiton nga anëtarësimi i tyre. Kështu që ata duhet të kërkojnë të bëjnë një gjë të tillë. Nëse shikoni sjelljen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në NATO, ato kanë qenë anëtare të forta. Ato kanë qenë kontribues të mëdhenj dhe kanë qenë partnerë besnikë. Pra, kjo është ajo që Bashkimi Evropian mund të presë nga këto dy vende. Pra, po, ne do të angazhohemi me partnerët tanë evropianë për të gjetur një mënyrë për t’i bërë ata të lëvizin shpejt në procesin e anëtarësimit.

Zëri i Amerikës: Vendimi i Sekretarit Blinken për përcaktimin publik të ish-Presidentit Sali Berisha për korrupsion madhor, ka shkaktuar polemika në Shqipëri, për faktin se ai nuk ka qenë në asnjë pozicion vendimmarrës në të paktën 8 vitet e fundit. Ndërsa ky është një vendim politik nga SHBA, për të çuar përpara interesat e saj kombëtare, disa njerëz ngrenë pikëpyetje se përse ky vendim u mor tani. Në mungesë të një procesi të rregullt ligjor në Shqipëri, a rrezikojnë këto përcaktime të mos arrijnë synimet e dëshiruara? Nësë një gjykatë shqiptare, apo autoritetet shqiptare do t’i kërkojnë SHBA-së të ndajë informacionet, pasi ju thoni se keni prova, nëse ata ua kërkojnë, a janë Shtetet e Bashkuara të gatshme të japin informacione?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me frenimin e korrupsionit, nuk lidhej me zgjedhjet, me palët brenda…

Zëri i Amerikës: Kur them koha, kam parasysh që ndodhi pas 8 vitesh që ai nuk ishte në pushtet dhe jo koha kur u shpall, menjëherë pas zgjedhjeve.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ka disa arsye, e para, kemi kompetenca të reja. Pastaj, gjatë asaj periudhe, duhej bërë hulumtimi dhe duhej të siguroheshim, që jemi në gjendje të bëjmë përpunimin e informacionit. Në lidhje me kalimin e informacionit tek Shqipëria, ne kemi tashmë një bashkëpunim shumë të fortë në fushën e zbatimit të ligjit, por edhe në fushën ushtarake dhe përcjellim shumë informacione. Nuk do të komentoj për ndonjë procedurë të veçantë ligjore, por ne kemi partneritet të mirë me Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Qeveria aktuale ka qenë në pushtet për 8 vjet dhe korrupsioni në Shqipëri ka qenë, po citoj këtu raportin e Departamentit të Shtetit: “i gjithë-përhapur”. Por nuk kemi parë përcaktimin e ndonjë zyrtari në pushtet. A pritet të shohim përcaktime të tjera në të ardhmen?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan.

Zëri i Amerikës: Për sa i takon Malit të Zi, siç e përmendët, Rusia po luan një rol destabilizues atje. Çfarë po bëjnë bëjnë Shtetet e Bashkuara për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm të këtij vendi?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: E di që po e përsëris, por integrimi evropian dhe anëtarësimi në NATO, janë mjete shumë të rëndësishme për ta bërë këtë. Gjithashtu dërgimi i mesazhe për palët e veçanta, se sjella në qeveri dhe qeverisje e faktorëve destabilizues, është një fenomen shumë shqetësues.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tek Bosnja. Mathew Palmer, paraardhësi juaj, ka marrë pozicionin e të dërguarit për zgjedhjet në Bosnje Hercegovinë. Që nga viti 2006 BE-ja ka luajtur rolin udhëheqës në Bosnje, por pa arritur ndonjë përparim. A pritet që ShBA të luajnë tani një rol më aktiv?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Unë nuk do të thoja që BE ka patur rolin udhëheqës, por ka luajur rol kryesor. Shtetet e Bashkuara janë investuar gjithmonë shumë në Bosnje, që pas Dejtonit dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Ne ofrojmë një sasi të konsiderueshme financimi për zyrën e Përfaqësuesit të Lartë. Nënkryetari kryesor i Përfaqësuesit të Lartë është gjithmonë një amerikan. Ne kemi një program të fuqishëm në kuadër të USAID-it në Bosnjë, kreu i OSBE-së, zyrtari tjetër i lartë, paralel me Përfaqësuesin e Lartë, është zakonisht një ambasador amerikan. Ne mbetemi të interesuar për sa i takon Bosnjës. Vazhdimi i zotit Palmer me Bosnjen, flet për përkushtimin tonë ndaj rajonit. Do të doja të shihja përparim më të shpejtë nga të gjitha anët, për ta bërë Bosnjës një shtet më funksional, një vend, që në fakt mund të shprehë një lloj konsensusi politik si komb, për të qenë në gjendje të bëjë gjërat që duhet të bëjë për popullin e vet.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni është shumë i përhapur në Bosnje. Interesi i ShBA-së është që të luftojë korrupsionin në këtë vend, por çfarë mund të bëhet për ta kapërcyer status-quo-në?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vitin e kaluar, Presidenti Biden njoftoi një seri mekanizmash të reja që parashikojnë sanksione posaçërisht kundër korrupsionit, jo domosdoshmërisht kundër veprimtarive kriminale, por korrupsionit. Ne planifikojmë t’i përdorim këto mekanizma në mënyrë shumë agresive.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësi serbo-boshnjak Milorad Dodik ka qenë në listën e sanksioneve që nga viti 2017. Pavarësisht përcaktimit të tij publik, zyrtarët amerikanë, si zoti Palmer dhe Ambasadori Nelson janë takuar me të kohët e fundit. A do të takoheni edhe ju dhe nëse po, cili do të ishte mesazhi juaj për të?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk besoj se do të takohem me të. Kjo mbetet për t’u parë. Vendimi im nëse do të takohem apo jo me Dodik, do të varet nga qëndrimi i tij. Përsa kohë që ai vazhdon të bojkotojë institucionet qendrore, nuk besoj se do të takohem me të. Por edhe nëse ndryshon qëndrim, takimi mbetet për t’u shqyrtuar.

blank

Mesiq: Dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh

Aneta Duroviq

Në punët e brendshme të Malit të Zi, përmes Kishës Ortodokse Serbe, “ka ndërhyrë një politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të ‘botës serbe’”, thotë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë.

Në këtë mënyrë, Mesiq komenton tensionet në Mal të Zi që ka shkaktuar shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Malazezët janë thellësisht të ndarë për lidhjet e vendit të tyre me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Mesiq thotë se, qartazi, “dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh”.

Sipas tij, në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, ndërsa për Kosovën thotë se është njohur në masë të madhe dhe se të tjerët që nuk e kanë pranuar, “do ta bëjnë këtë”.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shihet ajo që po ndodh në Mal të Zi si një çështje e brendshme fetare apo një çështje e politikës së jashtme, me implikime të qarta për rajonin?

Stjepan Mesiq: Ngjarjet në Mal të Zi janë çështje e tij e brendshme, por ka edhe implikime të tjera. Është e qartë se bëhet fjalë për ndërhyrje të Kishës në punët shtetërore – gjë që nuk është e mirë.

Konkretisht, bëhet fjalë për ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe, të udhëheqjes së Kishës Ortodokse në Beograd, në çështjet fetare, por edhe në punët shtetërore të Malit të Zi.

Në Mal të Zi është treguar se kjo nuk është vetëm ndërhyrje e Kishës, por, përmes Kishës, ndërhyn edhe politika – ajo politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të “botës serbe”. Pra, kjo është vetëm një pjesë e asaj politike.

Në Mal të Zi, sikur te të gjithë ne, Kisha është e ndarë nga shteti, por në Mal të Zi është specifike.

Kisha Ortodokse Malazeze ka qenë autoqefale dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kishës, as Kisha në punët e shtetit.

Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi, si e shihni politikën aktuale të Serbisë në rajon?

Stjepan Mesiq: E shoh nga një pikë kritike, për disa arsye. Të gjithë ata që merren me politikë, e dinë se ne mund të kishim kaluar pa luftë. Është shumë e qartë se Jugosllavia e Titos kishte tre faktorë kryesorë integrues. Një ishte Tito dhe karizma e tij si fitues i luftës pas Luftës së Dytë Botërore.

Faktor i dytë ishte Partia Komuniste e Lidhjes së Komunistëve, që u prish me vullnetin e Sllobodan Millosheviqit dhe Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Dhe, faktor i tretë ishte Ushtria Jugosllave, e cila pushoi të jetë jugosllave, sepse sllovenët, shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët e lanë atë.

Ajo u shndërrua në ushtri serbe dhe Sllobodan Millosheviq ishte i bindur se mund t’i arrinte qëllimet politike me atë ushtri. Qëllimi i tij politik nuk ishte as federata, as konfederata, ai ishte kundër kësaj. Millosheviq e ka mashtruar botën se lufton për Jugosllavinë. Bota ka qenë e ndjeshme ndaj Jugosllavisë për shkak të meritave të saj në dhe pas luftës.

Millosheviq i ka mashtruar edhe serbët. I ka mashtruar sepse ka thënë: “Ju keni jetuar në një shtet, do të jetoni akoma në një shtet”. Ai nuk ka menduar në Jugosllavi, sepse atë e ka shkatërruar me të gjitha mjetet. Ai u ka thënë atyre: “Ju duhet t’i jepni dhunti Serbisë së Madhe në territore”. Kjo ka qenë politika e tij; 65 për qind e Bosnje e Hercegovinës, ndërsa nga të tjerët çfarë të mundet.

Ai nuk e ka llogaritur Slloveninë. Në Slloveni nuk ka popullatë autoktone serbe.

Për shkak të zhdukjes së faktorëve integrues, duhej arritur një marrëveshje e re politike. Kjo është ajo që nuk kemi arritur ta bëjmë.

Si anëtar i Presidencës së Jugosllavisë dhe më vonë si kryetar i Presidencës, unë kam bërë përpjekje në çdo mënyrë që të gjej një marrëveshje të re politike. Ajo ishte konfederata. Sikur ta kishim arritur atë, do ta kishim shmangur luftën, sepse do të ishim pajtuar.

Ajo do ta shpëtonte vendin në çdo rast; të gjithë elementët përbërës, të gjitha republikat do ta vazhdonin rrugën e tyre drejt Evropës më vete.

Kështu kemi fituar “copëtimin” e Jugosllavisë në luftën e provokuar, që e donte Millosheviqi.

Aty, ai ka gjetur bashkëpunëtor presidentin e Kroacisë, Franjo Tugjman, sepse edhe ai ka menduar se mund t’i zgjerojë pak kufijtë kroatë. Pra, përpjekja për të rënë dakord për ndarjen e Bosnjës ka qenë shkaku i vërtetë i luftës.

Kemi pasur 100,000 të vdekur dhe kufiri nuk ka ndryshuar asnjë milimetër.

Radio Evropa e Lirë: A vëreni ngjashmëri në proceset e sotme në Mal të Zi, Bosnje, Kosovë me ngjarjet e fillimit të viteve ’90?

Stjepan Mesiq: Duket qartë se dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh.

Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk ka.

Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë, me 100,000 viktima, me aq armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani?

E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo shkeljeje të kufijve që ekzistojnë sot.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojë në rajon ajo që po ndodh në Mal të Zi? A mund të transferohet në rajon?

Stjepan Mesiq: Nuk do të përhapet në rajon, por do të ishte mirë që njerëzit në Mal të Zi të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se nuk ka ndryshim të kufijve. Sepse, në fakt, kjo është një përpjekje e Serbisë që, përmes fesë, ta bëjë atë që nuk ka mundur ta bëjë me politikën shtetërore. Kjo është përpjekja e fundit e disa qarqeve, nuk i akuzoj të gjithë. Këto janë iluzione dhe kjo nuk do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: A kanë lidhje proceset negociuese mes Kosovës dhe Serbisë me atë që po ndodh në relacionin Podgoricë-Beograd?

Stjepan Mesiq: Vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme.

Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën.

Ajo e akuzon Millosheviqin, jo sepse ai ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre.

Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj.

Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual.

Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës.

Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet… atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira.

Përgatiti: Valona Tela
blank

Muharrem Salihu: Medvegja është interes kombëtar, sepse sëbashku me Preshevën dhe Bujanocin janë muri mbrojtës i Kosovës

Intervistë me Muharrem Salihun, aktivistin e denjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, veçanarisht të shqiptarëve në komunën e Medvegjës.

Salihu është njëri ndër të paktët i cili çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë në përgjithësi, në Medvegjë në veçanti e ka ngritur deri te instancat më të larta ndërkombëtare, sidomos në tryezat e Brukselit.

“Krahina shqiptare duhet të nxjerrë një elitë të re politike sa më parë, në të kundërtën jemi të mbaruar që të gjithë. Krahina jonë ka shumë kuadro të njohur edhe jashta rajonit por që nuk u jipet hapsirë. Sa më shumë tretemi, aq më shumë parti mahallash krijohen”

Z.Salihu ju qysh herët keni migruar në perëndim, atje keni arritur të krijoni një kapital të jashtëzakonshëm, një rreth njerzish kapitalist me renome ndërkombëtare, dhe për të qenë i sinqertë nuk keni qenë aspak i mvarur në mirëqenien apo suksesin biznesor nga Medvegja apo Lugina. Megjithatë juve u kthyet në Medvegjë, investuat, themeluat kompani. Cila është ajo gjëja më themelore që ju motivoi të ktheheni në Medvegjë?

Salihu: Nga Medvegja isha i larguar vetëm fizikisht!. Asnjehërë nuk e kam harruar e lëre më tani kur ajo ka nevojë për ne, më shumë se kurrë më parë. Pse? Sepse Medvegja është mëmëdheu ynë. Ende e kam të gjallë vjershën e Çajupit:

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.

Besoj se i kuptoni, motivet që më lidhin me Medvegjën, mëmëdheun tonë.

Mëse i bindur se Medvegjën nuk e gjetët sikurse e kishit paramenduar, por juve vazhduat që ti nxisni edhe të tjerët që ta ngrisin zërin më shumë se zakonisht për problemet me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët e komunës së Medvegjës. Sa gjetët përkrahje në këtë drejtim?

Salihu: Me keqardhje e them se për gjendjen e krijuar në krahinën tonë shqiptare Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc jemi vetë fajtorët “kryesor”. Nëse ne besojmë se serbët janë të vendosur të na largojnë, atëherë është pa kuptim të merremi me ta, por me vetën tonë! Ku kemi gabuar, dhe ku nuk duhet të gabojmë, ndërsa në kontekstin e përgjithshëm jemi më mirë se kurrë: kemi dy shtete që teorikisht mund të kujdesen për ne!

Nuk mundet dhe nuk duhet të presim me mirë nga ana e shtetit ku jetojme, ndonëse duhet t’i shfrytëzojmë hapësirat e lirisë brenda ligjeve në fuqi! Prandaj, në keto kushte është infantile të ushqejme pritshmeritë tona prej të tjerëve, kur dekada me radhe perfaqësohemi kryesisht nga perfaqësues oportunistë, të kushtëzuar, të varur, dhe shumë rralle nga individë te realizuar në jetën e tyre.

Më vjen rënd ta them por këtë e ilustron fakti qe 90 % e përfaqësuesve tanë politikë nuk janë interesuar për keto investime. Shpesh here nga Presheva dhe Bujanoci, kryesisht për interesa te tyre politike kan vizituar pushtetin Lokal ketu në Medvegjë, edhe pse aty nuk ka shqiptarë, por ata nuk kan gjetur forcë për të vizituar kompaninë tonë.

Është e kuptueshme se këto investime jan në kundershtim të plotë me politikat zhvillimore të pushtetit lokal dhe qëndror, dhe këtë e dija para se të vija këtu, mirëpo të pengohem apo të mos mbështetem nga të zgjedhurit shqiptarë, është pak si tepër! Në limite të mundesive që kishin, më kanë pënguar relativisht shumë.

Por sot jam i lumtur që është krijuar një mundësi konkrete për të ofruar punë shumë familjeve tona.

Me padurim po presim tejkalimin e pandemisë e cila ka shkaktuar çrregullime të medha në nivel global, pra edhe në në Medvegjë.

LajmiAL: Përveç pasivizimit, vendbanimet shqiptare në komunën e Medvegjës janë të prekur edhe nga mungesa e zhvillimit ekonomik, papunësia e sidmos mungesa e infrastrukturës. Sa është e vështirë që të realizohet ëndrrra e medvegjasve për kthim dhe gjallërim në atë pjesë të Luginës së Preshevës?

Salihu: Si thashë më sipër, është pa kuptim të bëjmë përgjegjës serbët për fatin tonë, kur dihet se investimi i tyre historik është për të na larguar nga trojet tona. Ndaj them se fati i Medvegjës është i mvarur kryesisht nga politika jonë kombtare!

Politikat e ndryshme shtëterore që po bën Shqiperia apo Kosova, mund të jenë edhe të dobishme për njërën apo tjetrën por jo edhe për ne, në krahinen shqiptare të PMB-së. Nuk ka politika kombëtare të dizenjuara për ne, ndonëse Medvegja është interes kombtarë sepse sëbashku me Preshevën dhe Bujanocin janë muri mbrojtës i Kosovës.

Medvegja në veçanti duke qëndruar në linjë kufizuese toksore me komunen e Kamenicës, Prishtinës dhe Podujevës në një vijë lineare prej dhjetra kilometra gjatësi, por edhe për hirë të relievit që ka, është hapsirë e një rëndësie të veçantë.

Në keto dekada të fundit nuk është vërejtur ndonjë angazhim i theksuar nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Përkundrazi shpesh herë ka qëndruar në anën e gabuar duke shikuar politikën “shtetrore” por jo edhe kombëtare!

Ka patur më shumë interesim për ne kur Kosova nuk ka qenë shtet, prej Presidentit Rugova se sa sot, me përjashtim të akteve të veçanta të solidaritetit të qeverisë Kurti, të cilat për shkak se nuk ishin të mirëmenduara, nuk prodhuan efektet e dëshiruara.

Është negociuar me Serbinë, por nuk janë mbajtur parasysh interesat tona.

Shembull:

*marrëveshja e pikave kufitare të integruara, len Medvegjën pa një pikë të tillë dhe kështu bizneset e Medvegjës shkëputen fizikisht nga Kosova edhe pse janë vetëm 60 km larg nga Prishtina;

*Marveshja e lëvizjes së lirë, gjithashtu lehtëson qarkullimin në rajon, por nuk është konsideruar fakti se lëvizja është parapre të bëhet vetëm me Letër njoftim, ndërkohë që afro 8000 shqiptarë të pasivizuar jan pa letër njoftim dhe de facto ata nuk kanë mundësi të vizitojnë më shtëpinë e tyre, e sidomos ata nga perëndimi!

Kto janë marrëveshje të dëmshme për ne shqiptaret në Medvegjë por gjithesesi baza e një zhvillimi të shëndoshë Ekonomik mbetet Infrastruktura.

Mungon infrastruktura dhe këtë e dinë të gjithë!

Jan vetëm 37 km gjatësi që autostrada e ngelur në dalje të Prishtinës, të arrijë e deri në mes të Bajës dhe Medvegjës.

Për zhvillim ekonomik nevoiten edhe kuadro përveq infrastrukturës!

Kosova dhe Shqipëria dekada me radhë po stimulojnë largimin e kuadrove shqiptare nga krahina Jonë, duke siguruar vende të rezervuara për studentët nga kjo krahinë. Ndërsa botërisht është e ditur se diplomat e tyre nuk pranohen në Serbi, kto vazhdojne tutje.

Do të duhej, por nuk është vone edhe tani, që të ndajn fonde dhe ngrenë fakultete/universitet në krahinën shqiptare dhe kuadrot do te mbeteshin në vendlindjen e tyre!.

blank
Harta

Z.Salihu, pavarësisht insistimit tuaj të pandërprerë, nuk është se dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës kanë bërë mjaftueshëm në zgjidhjen e problemeve të shqitarëve të Luginës së Preshevës.
Për të mos thënë se kohëve të fundit këto dy shtete na kanë parë edhe vetëm si objekt humanitar, duke investuar vetëm në raste kur përballemi me fatkeqësi natyrore. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë?

Salihu: Falë AFEDS, dhe një numri të madhë kuadrove vullnetare që aty gravitojnë, sot problemet e shqiptarëve në Serbi, jan të njohura nga qarqet më relevante te politikbërjes kombëtare, rajonale, kontinentale dhe boterore. Ne kemi arritur të investojmë Kongresin Amerikan; Parlamentin Europian i cili në raportin e tij të përvitshëm për Serbinë, flet për pasivizimin e adresave; OSBE-në, Komitetin Serb të Helsinkit; Parlamentin dhe qeverinë italiane, përveç atyre të Kosovës dhe Shqipërisë.

Takimi i ardheshem i dy qeverive shqiptare do të jetë një rast ku krahina shqiptare në Serbi do të duhej të ishte “kryefjala” e takimit. Pse? Sepse ne jemi në zgrip të ekzistencës sonë: politikat e pasivizimit, po largojnë dramatikisht gjithë shqiptarët, në fillim nga Medvegja, e më pas nga krejt 3 komunat.

Koha nuk pret më, o sot, ose kurrë. Reciprociteti real është i lidhur me njerëzit. Unë pres që Kosova ta ngrejë zërin në Bruksel dhe ka sinjale pozitive në këtë drejtim. Edhe opozita e Shqipërisë ka nisur të flasë për fatin tonë. Mirpo duhet bashkëpunim dhe qasje panshqiptare. Për këtë mbledhjet e dy qeverive, duhet të kenë një forum më të gjerë të aktorëve kombëtarë. Mes vedi, por dhe me qeveritë.

Forumi shqiptare per zhvillim ekonomik ne Serbi (AFEDS), është i gatshëm të jap kontributin e tij edhe në këtë rast!

blank
Harta 2

A është mungesa e unitetit mes faktorit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe si do të duhet të dukej nëse vërtetë do të kishte unitet për zgjidhje të problemeve?

Salihu: Po, ka mungesë apsolutë!

Krahina shqiptare duhet të nxjerrë një elitë të re politike sa më parë, në të kundërtën jemi të mbaruar që të gjithë. Krahina jonë ka shumë kuadro të njohur edhe jashta rajonit por që nuk u jipet hapsirë. Sa më shumë tretemi, aq më shumë parti mahallash krijohen.

Duhet urgjentisht komprimimi i këtyre subjekteve dhe nëse “liderët“ aktualë e pengojnë këtë, atëherë duhet një lëvizje e re që përfshinë dhe përfaqëson tërë krahinën, madje krejt shqiptarët në Serbi. Një e vetme!
Ne jemi në gjendje të jashtëzakonshme! Nuk e kemi luksin e pluralizmit Politik, aq më tepër në një shtet i cili nuk ka pluralizem por vetëm nacionalizem!

Sa është i gatshëm sipas jush Beogradi zyrtarë ti qaset zgjidhjes së problemeve në Luginë dhe a mund ta kushtëzojnë shqiptarët Qeverinë e Sërbisë në raport me BE-në?

Salihu: Sfidoj cilin do intelektual i cili më jep një shembull kur Serbia u ka lejuar- dhuruar të drejta shqiptarëve! Ne duhet t’ia imponojmë me forcën tonë, brenda hapësirave ligjore dhe kushtetuese. Prandaj uniteti në nivel lokal është jetik për në dhe me pastaj inkuadrimi në një politikë kombëtare!

Duhet politikë kombëtare, që shfrytëzon iniciativat si Procesin e Berlinit dhe në këtë kuadër Ballkan Open, apo marrëdhëniet dypalëshe, për t’i bërë presion Serbisë.

Pluralizëm për shqiptarët do të thotë opportunitet individual, maximalisht oportunitet mahalle…

Një Trupë me tri koka, me rotacion dhe me individë me integritet është ajo që i nevoitet krahinave shqiptare në Serbi! Por duhet të përfshijmë të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata të 3 komunave.

Z.Salihu ku i shihni shqiptarët e Luginës së Preshevës pas 10 viteve?

Salihu: Nëse realizojmë me sa u tha më sipër, krahina shqiptare pas 10 viteve do të jetë njëra prej gjymtyrëve kryesore të tërësisë sonë kombëtare. Ka një pozicion gjeografik të shkëlqyer; kemi pasuri natyrore dhe njerëzore; kemi dy shtete kombëtare; kemi kuadro në diasporë dhe fuqi ekonomike gjithashtu. Pse të mos fitojmë këtë rol?

Nëse jo, më vjen keq, por do tretemi deri në zhdukje, duke u bërë një komunitet endacak rrugëve të botës, që mbajmë në ndonjë sirtar tapitë e tokave tona, apo fotografi nga vendlindja. Kuadrot tona të famshme partiake do kenë ikur, pasi duke humbur përqindjet e popullsisë, në krye të komunave më në fund do të ketë vetëm serbë të financuar fuqishëm nga qendra. Më në fund, vetëm atëherë Serbia do të jetësojë politika zhvillimore për trojet tona, tashmë pa shqiptarë./LajmiAL


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend