VOAL

VOAL

Vendimi i gjykatësit federal bllokon përkohësisht urdhrin ekzekutiv të Trumpit

February 4, 2017

Komentet

Vizita e Zelenskit/ Joseph: Njohja e Kosovës nga Ukraina do e zgjidhte ngërçin e Ballkanit

 

Eksperti amerikan për çështjet e rajonit, Edward Joseph, ishte i ftuari i edicionit të mbrëmjes në SYRI TV.

Përballë moderatores Armela Ferko, profesori i universitetit ‘John Hopkins’ foli për vizitën e presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski në Tiranë.

“Mendoj se në epokën në të cilën jetojmë, takime të tilla, ku mesa di do marrë edhe presidenti i Ukrainës, zoti Zelenski, në kontekstin gjeopolitik ku jetojmë, edhe takimet simbolike janë të rëndësishme. Prandaj unë nuk do e zbehja rëndësinë e këtij takimi,” tha ai, duke theksuar se njësoj Rusia edhe në Ballkan duan t’u imponohen fqinjëve.

“Fatkeqësisht në Ballkan ne shohim një vend në veçanti që kërkon të mbajë një qëndrim pro-rus dhe kjo është vërtet një problem. Shpresoj që prania e zotit Zelenski në Tiranë do e bëjë të qartë se një pozicion i tillë është i gabuar dhe nuk mund të mbështetet në këtë epokë.

Shqipëria përballet me probleme të sigurisë dhe kërcënime të sigurisë por nuk janë të ngjashme me ato të vendeve fqinje. Shqipëria nuk ka një pakicë serbe të konsiderueshme, prandaj ju nuk mund të jeni në të njëjtin presion siç janë vendet e tjera që janë vazhdimisht nën kërcënimin e aneksimit apo kërkesave të mëtejshme të pakicave. Nuk kemi as problemin e nënshtrimit siç Serbia kërkon të nënshtrojë Malin e Zi apo siç Rusia kërkon të nënshtrojë Ukrainën.

Serbia jo vetëm që nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por ka edhe marrëdhënie të aferta me Iranin pasi ky vend refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës,” tha profesori amerikan.

Sipas tij, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të ishte një veprim i shkëlqyer për situatën në rajon.

“Mendoj se do ishte lëvizje e shkëlqyer nëse kryeministri ia bën këtë kërkesë presidentit Zelenski. Sepse unë kam shkruar një artikull para një viti. Në këtë artikull unë shpjegoj se njohja e Kosovës prej Ukrainës mund t’i japë një zgjidhje ngërçit mes Kosovës dhe Serbisë dhe problemit të Ballkanit të shkaktuar nga mohimi i Serbisë për njohjen e këtij vendi. Njohja e Kosovës prej Ukrainës do e zgjidhte këtë ngërç,” tha Joseph.

Duke folur për situatën mes Serbisë dhe Kosovës, ai thotë se nuk sheh progres.

“Borrell e ka bërë të qartë se ai ka folur me Kurtin dhe Vuçiç dhe nuk ka asnjë lloj progresi. Ka një marrëveshje që e kanë pranuar fillimisht në Bruksel në shkurt. Më pas pati një presion më të detajuar në mars. Më pas ishte statuti i asociacionit për komunat me shumicë serbe. Kryeministri Kurti thotë se e ka pranuar dhe thotë se Vuçiç duhet ta nënshkruajë. Në fakt Serbia është shprehur se nuk do zbatojë një pjesë të mirë të detyrimeve që lindin nga kjo marrëveshje. Unë besoj se pozicioni i Kurtit është i arsyeshëm. Ai kërkon që presidenti Vuçiç ta nënshkruajë dhe kjo është normale. Përgjigjja është se marrëveshja e shkurtit të vitit të kaluar nuk po çon në asnjë zgjidhje,” theksoi analisti amerikan.

Joseph: Rama të dalë nga Ballkani i Hapur! Blinken gaboi që nuk ngriti problemin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri

Analisti amerikan, Edward Joseph, profesor i universitetit ‘John Hopkins’, i ftuar nga gazetarja Armela Ferko në SYRI TV, foli edhe për marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit Edi Rama me presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Kryeministri Rama nuk ka pse të ketë marrëdhënie të këqija me Serbinë. Nuk ka asgjë të keqe të kesh marrëdhënie të mira me një fqinj dhe nuk ka asgjë të keqe të nxisësh ardhjen e turistëve serbë të vizitojnë Shqipërinë. Kjo i jep nxitje ekonomisë dhe krijon ura mirëkuptimi mes njerëzve.

Kryeministri Rama duhet të kuptojë se cilat janë kërcënimet e vërteta të sigurisë në rajon. Kur shohim këtë qëndrim të Serbisë ndaj Rusisë, ndaj Kinës, ku presidenti Vuçiç sapo ka njoftuar se presidenti i Kinës do të vizitojë Serbinë, kur e shohim këtë sulm ndaj Kosovës, Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjësi ndaj asaj që ka ndodhur, dhe konkretisht asaj që ndodhi në Banjskë në shtator. Sulmet e armatosura ndaj një vendi të pavarur sovran që mbrohet nga NATO. Në qoftë se sulmi në Banjskë do ishte përmbyllur, do kishte situata dhune dhe ushtarë të KFOR dhe amerikanë mund të ishin vrarë.

Çështja është që Rama t’i mbajë sytë e hapur dhe të kuptojë se cili përbën kërcënim ndaj rajonit dhe të sigurohet që Shqipëria në marrëdhëniet e saj në rajon të jetë në konsistencë me qëllimet e veta për t’u bërë pjesë e BE dhe për të qenë aleate e denjë e NATO-s,” tha profesori amerikan.

Gjatë kësaj interviste, ai tha se kryeministri Edi Rama duhet të dalë nga Ballkani i Hapur.

“Unë kam dhënë një intervistë muajin e kaluar dhe kam thënë se gabimi është fakti se SHBA projekton frikën që ka ndaj Beogradit dhe Vuçiç përfiton nga kjo shprehje e frikës. Kryeministri Rama duhet ta ketë të qartë rrezikun e kësaj sjellje dhe qëndrimi ndaj Beogradit.

Do t’ju thoja një gjë që mund të bëjë kryeministri Rama, ai duhet të jetë udhëheqës i Procesit të Berlinit. Puna me gjermanët, puna me fqinjët për të bërë reforma ekonomike nën suazën e Procesit të Berlinit duhet të vazhdojë dhe jo nën suazën e Ballkanit të Hapur. Kjo sepse nuk është vetëm Kosova që e kundërshton Ballkanin e Hapur, por edhe Mali i Zi, Bosnja ka shumë kundërshtime të forta ndaj Ballkanit të Hapur. Edhe në Maqedoninë e Veriut janë të shqetësuar për Ballkanin e Hapur dhe rolin që do luajë Beogradi,” tha Joseph.

Në fund, ai tha se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken gaboi që nuk ngriti në Tiranë çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të demokracisë në përgjithësi.

“Administrata Biden ka gabimet e veta. Sekretari Blinken është i përfshirë në mënyrë aktive në rajon. Shohim korrespondencën e tij, vizitën e tij në Tiranë ku sekretari Blinken shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë SHBA. Kryeministri Rama sigurisht që i meriton këto lëvdata, por ajo që duhet të shohim nga SHBA është që të ngrenë zërin në emër të demokracisë. Sekretari Blinken duhej të ishte takuar me anëtarët e opozitës, duhej t’ia kishte bërë të qartë kryeministrit Rama se janë të domosdoshme zgjedhje konkurruese, të drejta, transparente sepse janë hallkë thelbësore e demokracisë. Duhet një parlament funksional sepse kjo përbën thelbin e demokracisë. Ky ishte gabim nga ana e Blinken sepse SHBA e humbi mundësinë me vizitën në Tiranë për të takuar të gjitha palët, jo vetëm zotin Rama, në mënyrë që t’i jepte jehonë parimeve demokratike,” deklaroi Joseph.

Ushtria amerikane përdor fondet e veta për të stërvitur forcat ukrainase

VOA/Carla Babb

Ushtria amerikane është detyruar të përdor fonde nga buxheti i saj për të mbuluar shpenzimet e stërvitjes së forcave ukrainase. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, kjo strategji mund të ndikojë tek burimet financiare të ushtrisë amerikane në Evropë, ndërsa agresioni rus kundër Ukrainës hyn në vitin e tretë.

Ndërkohë që Kongresi ende nuk ka miratuar një buxhet për mbrojtjen dhe Dhoma e Përfaqësuesve nuk ka shqyrtuar votimin për një paketë ndihme shtesë për Ukrainën, ushtria amerikane po shfrytëzon fondet e saj për stërvitjen e forcave ukrainase.

“Është një mision i rëndësishëm. Ne nuk mund t’ua kthejmë shpinën. Ushtria amerikane duhet të marrë vendime të vështira që do të ndikojnë tek të gjitha forcat ushtarake”, thotë për Zërin e Amerikës Sabrina Singh, zëdhënëse e Pentagonit.


Zyrtarët e ushtrisë i thanë Zërit të Amerikës se nëse nuk miratohet buxheti, ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë do t’i mbarojnë fondet për gjithçka, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, si dhe operacionet dhe stërvitjet amerikane me aleatët e NATO-s – në fillim të verës.

Zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh, thotë se mungesa e fondeve po ngre kambanat e alarmit.

“Jemi në një situatë të vështirë dhe nuk jemi në gjendje të zhvillojmë modernizimin apo ndryshojmë programet. Është njëlloj si të luftosh me një krah të lidhur pas shpine”.

Analistët theksojnë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po ndikon gjerësisht mbi kontinentin evropian.

“Kufizimi i stërvitjes dhe gatishmërisë së forcave amerikane në Evropë është një dhuratë tjetër për Vladimir Putinin”, thotë analisti Brad Bowman me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Veterani i ushtrisë amerikane, Brad Bowman, thotë se kjo do të inkurajojë vazhdimin e agresionit rus dhe do të ketë çmim më të lartë se buxheti aktual apo paketat e ndihmës shtesë për Ukrainën.

“Duhet t’u sigurojmë ukrainasve armë sot, që të mos humbim jetë amerikane nesër. Është kaq e thjeshtë”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës i tha rrjetit CNN se Ukraina nuk do ta kishte humbur qytetin Avdiivka kohët e fundit, nëse Ukraina “do të ishte furnizuar me municionin e duhur të artilerisë” që nevojitej për ta mbrojtur qytetin. Zëdhënësja e Pentagonit pajtohet me vlerësimin e Kievit.

“Tërheqja nga Avdiivka ishte strategjike, ishte një tërheqje për shkak të mosveprimit të Kongresit. Është e lidhur drejtpërdrejt”, thotë zëdhënësja Sing, duke nënkuptuar paketën e ndihmës për Ukrainën që nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Ky është muaji i pestë radhazi që Pentagoni vepron pa një buxhet të plotë. Që nga fundi i dhjetorit nuk është dërguar ndihmë e re ushtarake për Ukrainën.

Vicky Hartzler: Askush nuk duhet të arrestohet pa fakte dhe pa akuzë

Intervista – Arrestimi i liderit të opozitës shqiptare

E ftuar ditën e sotme në ‘Syri Televizion’,  ish-kongresmenia republikane, Vicky Hartzler, ka komentuar situatën aktuale të opozitës në Shqipëri, dhe u ndal konkretisht tek vendimi i arrestit të shtëpisë ndaj liderit opozitar Sali Berisha.

Hartzler u shpreh se asksuh nuk duhet të burgoset pa pasur fakte apo prova konkrete dhe se është mjaft e shqetësuar lidhur me mënyrën se si qeveria shqiptare po e trajton këtë çështje.

Biseda në studio: 

Vicky Hartzler: ‘Besoj se askush nuk duhet të burgoset, qoftë edhe në banesë pa u ngritur akuza apo pa pasur fakte dhe prova derisa të dalë vendimi prerë i gjykatës. Pra duhet të nxirren në pah këto fakte dhe të meret një vendim.

Pyetje: Duket se fushata mes Biden dhe zotit Trump ka probleme, dhe për këtë të fundit proceset gjyqësore po tentohet të mos kandidojë Zoti Trump? Pra kur kjo ndodh në Amerikë a duhet të shpresojnë shqiptarët për diçka ndryshe në vendin e tyre?

Vicky Hartzler: Edhe unë jam e shqetësuar me atë që po i ndodh Zotit Trump dhe me akuzat që janë ngritur kundër tij, të cilat për mua janë të pabaza dhe duket sikur janë qepur për t’i mbyllur gojën sepse ai përbën një kërcënim politik për Biden dhe në të kaluarën vendi ynë nuk është sjellur kurrë kështu, nuk ka ngritur akuza kundër dikujt vetëm për qëllime të dëmtimit politik apofinanciar.

Është një situatë shqetësuese, por prap besoj se ka ende shpresë për Shqipërinë, ndërsa ajo që po ndodh në SHBA them se do të ndryshohet pasi populli amerikan nuk e mbështet këtë që po zhvillohet

Unë do të inkurajoja popullin shqiptar që të qëndrojnë të fortë dhe të mos marin asnjë formë dhe vendim për t’ju mbyllur gojën atyre që duan të shprehin mendimin e lirë.

Klea Sula/Syri.net

Lajmi i Javës: McGonigal gjithësej 6.5 vite burg – dënohet me 28 muaj burg për marrjen e 225 mijë dollarëve, fshehjen e kontakteve me zyrtarët e Shqipërisë

Keida Kostreci

Gjykata federale e Uashingtonit dënoi të premten me 28 muaj burg ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.

Gjykatësja e çështjes Colleen Kollar-Kotelly tha në sallën e gjyqit para dhënies së dënimit se fakti që zoti McGonigal kishte marrë para nga dikush që e kishte prezantuar me zyrtarë të huaj në Shqipëri “është një shkelje shumë serioze” dhe se mesa duket në fund të karrierës së tij, zoti McGonigal kishte humbur “kompasin moral”.

Në seancën që e ndoqi në sallën e gjyqit Zëri i Amerikës, gjykatësja tha se nuk mund mund të kishte motivacion tjetër përveçse “pangopësi por edhe arrogancë” që zoti McGonigal kishte menduar se mund të bënte veprime të tilla, pa pasoja.

Gjykatësja tha se në vendimin e saj, ajo kishte marrë parasysh se ai kishte marrë përgjegjësinë duke pranuar fajësinë për marrjen e 225 mijë dollarëve nga zoti Nezaj dhe lidhjet me zyrtarët e Shqipërisë dhe se kishte shprehur pendesë.

Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i kishin kërkuar gjykatës, dënimin e zotit McGonigal me 30 muaj burgim dhe një gjobë prej 95 mijë dollarësh, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, siç thuhet në memorandumin lidhur me akuzat për rastin e Shqipërisë.

Në seancë, prokurorja Elizabeth Ann Aloi, tha se shkeljet e zotit McGonigal ishin flagrante dhe përbënin korrupsion.

Kemi të bëjmë me një zyrtar të lartë të FBI-së që shiti postin “për 225, 000 dollarë”, tha ajo.

“Ai nuk mori para nga një mik i ngushtë, tha ajo duke iu referuar zotit Neza, por nga dikush që po e lidhte me zyrtarë të huaj”, tha ajo.

Prokurorja vazhdoi më tej duke thënë se ai “kishte shkuar aq larg sa kishte hapur një hetim në FBI për një lobist”, nga informacionet që kishte marrë nga burimet e tij të lidhjeve në Shqipëri, tha prokurorja.

Vetë zoti McGonigal shprehu keqardhjen për veprimet e tij.

Në përfundim të seancës, zoti McGonigal nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të Zërit të Amerikës duke thënë “jo tani” ndërsa avokati i tij, Seth DuCharme tha se “jemi shumë të lehtësuar”.

Megjithëse avokatët e zotit McGonigal kërkuan që dënimi nga gjykata e Uashingtonit të llogaritej në të njëjtën kohë me atë të Nju Jorkut, ku ai është dënuar me 50 muaj burg lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, gjykatësja vendosi që dënimi në Uashington të ishte i veçantë.

Nëse dënimet do të konsideroheshin të njëkohëshme, do të thoshte që dënimi i gjykatës së Uashingtonit të ishte pjesë e 50 muajve të caktuara për gjyqin e Nju Jorkut, por si prokurorët ashtu edhe gjykatësja ishin dakord se zoti McGonigal duhet të vuante dënim të veçantë për akuzat e lidhura me Shqipërinë.

Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private. Ai gjithashtu kishte fshehur takimet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, këshilltarin e tij Dorian Duçka dhe persona të tjerë.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato”, ishin shprehur prokurorët në dokumentin ku kërkonin dënimin e zotit McGonigal.

Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësisë në gjykatën federale në Uashington, për të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Duçka, në këmbim të rrëzimit të 8 pikave të tjera që kishte akt-padia.

Kryeministri Rama ka deklaruar se zotin Neza “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”.

Prokurorët: Akuzat mund të vërtetohen “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”

Marrëveshja e arritur në shtator mes zotit McGonigal dhe prokurorëve, bëri të mundur që çështja të mos shkonte në gjyq. Por aty theksohej se përmes saj palët deklarojnë se “nëse çështja do të shkonte në gjyq” …Shtetet e Bashkuara (prokurorët) mund t’i provonin faktet për të cilat zoti McGonigal pranoi fajësinë “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Në seancën e shtatorit, zoti McGonigal iu përgjigj “po” të gjitha akt-akuzave për këto fakte.

Ato përfshinin mes të tjerash vizitat e tij në Shqipëri, takimet me kryeministrin Rama dhe “mbajtjen e një marrëdhënieje të vazhdueshme me të” dhe zotin Duçka, si edhe faktin se ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”.

Hapja e hetimit për lobistin amerikan

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare.

Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së.

Zoti McGonigal informoi Departamentin amerikan të Drejtësisë për këtë rast, më 25 nëntor, “pasi një ditë më parë ai kishte marrë informacion mbi lobistin amerikan” nga zoti Duçka.

Në atë kohë, pikërisht dy ditë më parë, më 22 nëntor, BIRN, kishte bërë publik faktin se Muzin kishte deklaruar se kishte marrë 500 mijë dollarë nga Partia Demokratike.

Ndërsa në janar 2018, ish zyrtari i FBI-së, merr sërish informacion, këtë herë nga shqiptaro-amerikani Neza. Ky i fundit, sipas aktakuzës, e ka marrë informacionin nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë.

Kur vitin e kaluar foli në parlament për këtë çështje zoti Rama tha se “koha së cilës i referohet ky moment, përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë, përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim, të fshehura?”, duke shtuar se “po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare”.

Por në fakt, në atë kohë, nuk ishte folur për financime ruse. Shkrimi i botuar nga BIRN nuk merrej fare me këtë çështje, e cila doli në dritë më vonë, në mars 2018, pas dyshimeve të ngritura nga një shkrimi i botuar nga revista amerikane “Mother Jones”.

Nga ana tjetër, kryeministri nuk ka dhënë asnjëherë shpjegime se përse Neza dhe Duçka u angazhuan drejtpërdrejt në këtë çështje, i pari duke u shërbyer si burimi konfidencial për FBI-së për këtë rast dhe i dyti, këshilltari i zotit Rama, duke sponsorizuar udhëtimet e dëshmitarëve nga Evropa për takimet e tyre me FBI-në, ndërkohë që zoti McGonigal nuk kishte informuar FBI-në për marrëdhënien e tij financiare me zotin Neza, apo kontaktet e tij të vazhdueshme me zotin Duçka.

Dokumentat tek të cilat ka qasje Zëri i Amerikës, dëshmojnë se hetimi ishte hapur në shkurt të vitit 2018, për disa mospërputhje në plotësimin e dokumentave të FARA-s, ligjit për regjistrimin e lobistëve dhe se kishte ngjallur pikëpyetje dhe te vetë personeli i FBI-së.

Pikëpyetjet e zyrtarëve të FBI-së lidhur me kërkesën për hetimin e lobistit

Në mbështetje të këtij fakti, prokurorët bashkangjisin një letër të një agjenti të FBI-së ku janë redaktuar disa të dhëna identifikuese. Letra mban datën 16 mars 2018 dhe zyrtari që e shkruan pyet se “pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime” më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrimin si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?”

Më tej, zyrari shkruan se kërkon që të jetë në gjendje t’u përgjigjet eprorëve nëse lindin pyetje. “Do të doja t’ju shpjegoja atyre se pse po punojmë për një çështje SIM/FARA të lidhur me Shqipërinë, kur çdo ditë unë luftoj për burime për disa çështje të sigurisë kombëtare që kanë lidhje me disa vende që paraqesin kërcënim të lartë si..”, thuhet në letër ku emrat e vendeve të tjera janë të fshira.

Po ashtu është bashkangjitur edhe vendimi për mbylljen e hetimit, që mban datën 25 korrik 2019, pas daljes në pension të zotit McGonigal, ku thuhet se “zyra e FBI-së e Nju Jorkut nuk ka arritur në përfundimin se —- (emër i redaktuar) ka kryer aktivitet kriminal ndërsa përfaqësonte një forcë politike të huaj dhe se kishte plotësuar dokumentacionin e duhur për FARA-n në Departamentin e Drejtësisë”. Në këtë vendim përmendet me emër Partia Demokratike e Shqipërisë.

Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë, edhe në një gjykatë në Nju Jork, lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar. Me 15 dhjetor 55-vjeçari McGonigal u dënua nga gjykata federale e Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg.

https://www.zeriamerikes.com/a/7491486.html

https://www.voanews.com/a/former-fbi-agent-sentenced-to-prison-had-failed-to-disclose-ties-to-albanian-officials-/7492297.html

Biden i afrohet edhe më shtetit të vetëm narko të Evropës – Blinken shkoi qëllimisht në Tiranë para vendimit për McGonigal Nga John R. Schindler

Një tjetër gazetar i njohur amerikan thekson se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e vizitoi Shqipërinë qëllimisht një ditë përpara vendimit të gjykatës për ish-agjentin e lartë të FBI, Charles McGonigal.

Bëhet fjalë për gazetarin dhe analistin e njohur John R. Schindler, i cili shkruan në gazetën amerikane ‘Washington Examiner’.

I pyetur nga një lexues nëse vërtet po nënkupton se Blinken vizitoi Tiranën qëllimisht një ditë para vendimit, Schindler shkruan në median sociale se nuk po e nënkupton, por po e deklaron.

“Nuk po e nënkuptoj këtë, por po e deklaroj.

Pse ju mendoni se kryediplomati amerikan nuk është i vetëdijshëm për aferën McGonigal, skandalin më të madh të korrupsionit të huaj në historinë e FBI-së, i cili është raportuar gjerësisht në media, duke përfshirë mediat kryesore, plus njoftimet për shtyp të shumta nga Departamenti i Drejtësisë?” shkruan Schindler.

Më poshtë shkrimi i plotë i tij në ‘Washington Examiner’.

Biden i afrohet më shumë narkoshtetit të vetëm të Europës

Koha, thonë, është gjithçka. Të enjten e shkuar, Sekretari i Shtetit Antony Blinken bëri një ndalesë në Shqipëri. Ai e bëri këtë gjatë udhëtimit për në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Ndërsa ndodhej në Tiranë, Blinken zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin socialist Edi Rama. Kryediplomati i Amerikës përshëndeti aleatin tonë në NATO si një partner “të jashtëzakonshëm” amerikan, duke vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, ndihmën për refugjatët nga disfata jonë e fundit në Afganistan, plus “një qasje të përbashkët për të luftuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat e rrezikshme dhe për të ndërtuar një ekosistem informacioni elastik” (çfarëdo që të thotë kjo). Blinken vijoi:

Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e përsosur apo e shpejtë, por po jep rezultate reale dhe e dëgjuat kryeministrin duke i përshkruar. Sot u takova me gjyqtarë dhe prokurorë kyç që po ndihmojnë në udhëheqjen e përpjekjeve për reforma. Zyrtarët e korruptuar po mbajnë përgjegjësi. Anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbasin pasuritë e tyre.

A e di Blinkeni se cilin vend po vizitonte? Mos mendonte se kishte zbritur në Danimarkë?

Në planetin Tokë, sundimi për pak më shumë se një dekadë i Ramës e ka bërë Shqipërinë e vogël të bëhet një qendër kryesore globale e kontrabandës së drogës, si dhe narkoshteti i vetëm në Europë. Nën qeverisjen socialiste, kriminelët shqiptarë janë bërë globalë, duke përhapur tentakulat e tyre në mbarë botën. Kudo që shkojnë gangsterët shqiptarë, pasojnë dhuna dhe kaosi, më së fundmi në Ekuador. Ky nuk është sekret. Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në mbarë botën janë plotësisht të vetëdijshme se sa sukses ka Shqipëria në krimin e organizuar në disa kontinente, gjë që është alarmante.

Në dhjetor, policia spanjolle shkatërroi një bandë shqiptare, duke sekuestruar 11 ton kokainë. Disa javë më parë, policia në katër vende europiane shkatërroi një tjetër grup shqiptar të krimit të organizuar të përfshirë në kontrabandën e drogës nga Amerika Latine në Europë, duke arrestuar rreth pesë duzina mafiozësh. Me siguri Blinkeni ka dëgjuar për të gjitha këto.

Megjithatë, koha për këtë vizitë sigurisht që nuk ishte e mirë. Të nesërmen pasi kryediplomati amerikan lëvdoi publikisht Ramën dhe qeverisjen e tij, një gjykatës federal në Uashington dënoi një ish-zyrtar të lartë të FBI-së me më shumë se dy vjet burg për marrjen ryshfeti nga qeveria Rama. Në përputhje me marrëveshjen e tij për pranimin e fajësisë me Departamentin e Drejtësisë, Charles McGonigal, mori një dënim me 28 muaj burg për marrjen e 225,000 dollarëve ryshfet në vitin 2017 nga një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete shqiptare që vepronte për llogari të Tiranës. Kjo marrëveshje e pistë përfshinte takime të shumta mes McGonigal-it dhe Ramës. Përveç dënimit që McGonigal mori në dhjetor nga një gjykatë federale në Nju Jork për akuza të veçanta në lidhje me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë, në bashkëpunim me një oligark të lartë të Kremlinit, agjenti i turpëruar po përballet me gjithsej 6 vjet e gjysmë pas hekurave kur ai të paraqitet në burg muajin e ardhshëm.

Aspekti shqiptar i çështjes McGonigal, i cili mund të jetë skandali më i keq i korrupsionit në historinë e FBI-së, është më i rëndi, pasi ka ndodhur kur ai ishte ende i punësuar në FBI. Se çfarë dëmi i bëri McGonigal sigurisë sonë kombëtare në këmbim të parave nuk mund të thuhet ende, por mund të jetë i madh.

As mediat nuk duken të interesuara për ta zbuluar. Siç e kam raportuar më parë, ka akuza të besueshme se McGonigal ishte përfshirë në shantazhe të oligarkëve ballkanikë për të pasuruar qeverinë Rama, si dhe agjentin batakçi të FBI-së, deri në dhjetëra miliona dollarë. Megjithatë, për çfarëdolloj arsyeje, shumica e mediave duket se nuk kanë interes për ta eksploruar këtë. As Departamenti i Drejtësisë. FBI-ja, natyrisht, dëshiron që ky makth të marrë fund.

Për arsye që janë të vështira për t’u deshifruar, administrata Biden vazhdon të ndërhyjë për Ramën dhe qeverinë e tij aleate të gangsterëve, duke përfshirë mbështetjen publike të Blinkenit javën e kaluar. Mund të mos jetë e rastësishme që Rama ka simpatinë e Alex Sorosit, 38-vjeçarit që ka marrë përsipër misionin global të babait të tij të famshëm miliarder për financimin e kauzave progresive në të gjithë botën. I riu Soros bën vizita të rregullta në Tiranë dhe shoqërohet me kryeministrin, të cilin Alex Sorosi e quan “vëllai im”, duke postuar fotot e tyre mes vëllezërish në rrjetet sociale, ndërsa Rama është po aq i papërmbajtur për takimet e tij të shpeshta me “i dashur miku im.”

Pse është Alex Sorosi kaq i interesuar për një vend të vogël ballkanik me më pak se 3 milion njerëz që sinqerisht nuk figuron në ekonominë globale (përveç kontrabandës së paligjshme të drogës) është një mister. Javën e kaluar, për ditën e Shën Valentinit, Alex Sorosi bëri publike të dashurën e tij të re, e cila rezulton të jetë Huma Abedin, ish-gruaja 47-vjeçare e deputetit të turpëruar Anthony Weiner, plus shërbyesja/Mini-unë prej shumë vitesh e Hillary Clinton-it. Kjo e bën Alex Sorosin pjesë të familjes së gjerë Clinton.

Nëse republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve gjejnë kohë, mbase duhet të pyesin se çfarë po ndodh.

John R. Schindler shërbeu në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare si analist i lartë i inteligjencës dhe oficer kundërzbulimi.

Biden cozies up closer to Europe’s only narco state

CNN: Kamala Harris mund të jetë arma më e mirë e demokratëve!

Rizgjedhja e Presidentit amerikan Joe Biden nuk shihet nga të gjithë si një nga mundësitë më të larta për të ndodhur. Pasi shpesh sipas sondazheve Biden po përballet me një rënie të numrit mbështetësve të tij. Diskutimet kanë kaluar edhe tek mosha e Biden, duke e parë si një 81-vjeçar që vështirë se mund të përballojë debate të ashpra, shkruan CNN. Megjithatë ndryshe mund të thuhet për Kamala Harris.

Sipas CNN demokratët mund ta vendosin Harris në qendër gjatë fushatës presidenciale 2024.

Ajo jo vetëm që nuk shihet si pengesë, por edhe mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për të ndihmuar në sigurimin e një fitoreje në garën presidenciale.

“Ajo mund të jetë arma sekrete e partisë”, kështu shkruan më tej në artikullin e publikuar së fundmi në CNN.

Sipas një sondazhi të New York Times/ Siena College në nëntor Harris është renditur si më e populluara në krahasim me Biden. Me Harris duke bërë fushatë në krah të tij, Biden do ta ketë ndoshta sfidën pak më lehtë.

Parë nga ky këndvështrim Harris “ka ndryshuar” strukturën brenda partisë së saj dhe mes elektoratit. Shtrirja e saj do të jetë veçanërisht e rëndësishme mes votuesve të rinj.

Biden fitoi 60 % të votuesve nën 30 vjeç në zgjedhjet e vitit 2020 dhe ky target do të jetë sërish i rëndësishëm për të arritur një fitore në 2024.

Një tjetër çështje me rëndësi është ajo e emigrantëve, një temë që ajo mund ta trajtojë drejtpërdrejt, pasi kujtojmë që në një takim të zhvilluar në kampus kolegjin në Flagstaff, Arizona, ajo përmendi përvojën e saj si një nënë emigrante. Mund të shihet si një frymëzim, një arsye që demokratët të festojnë, lloji i figurës që miliona njerëz mund të gjejnë veten. Megjithatë kritikët ndaj saj janë të shumë.

Demokratët duhet të përqafojnë atë që republikanët i trembeshin prej kohësh; “se kjo zëvendëspresidente nuk ka të bëjë vetëm me avancimin e interesave të politikbërjes së Uashingtonit. Por gjithashtu bëhet fjalë për të ardhmen e partisë”.sn

Senatorja Shaheen: Radoiçiqi duhet të arrestohet për Banjskën

Senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Shaheen, që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se sa i përket Radoiçiqit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, vrasjet [e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë], tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që kishte në fokus situatën në Ballkan.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve që pasuan në këtë fshat të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serb.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë Radoiçiqin.

Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarrestime.

Pas ngjarjeve në Banjskë, Serbia e la të lirë Radoiçiqin, por me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia, e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, deklaroi Sveçla më 16 shkurt.

Disa ditë sulmit, Sveçla kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se mbi “80 terroristë” kishin qenë të përfshirë në të.

Gjatë panelit të diskutimit në Munih, senatorja demokrate Shaheen, e cila në të kaluarën ka vizituar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, tha se është e rëndësishme që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të përqendrohen në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, qoftë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, në situatën në Bosnje e Hercegovinë apo në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sa i përket temës së fundit, ajo tha se shtetet që ndërmarrin vendime të vështira dhe bëjnë reforma, duhet të shpërblehen në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

“Ne po ndërtojmë një koalicion në Senat për nevojën se ne duhet të mbështesim përpjekjet në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Shaheen shtoi se do të vazhdojë të shtyjë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, që të mbështesë përpjekjet për paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Dua të theksoj se këto përpjekje diplomatike janë publike dhe private. Pra, ka gjëra që ndodhin në prapaskena që ndihmojnë në ‘lëvizjen e topit’ në mënyrë që të lëvizin gjërat që thuhen publikisht”, tha Shaheen.

Kosova e konsideron SHBA-në aleaten më të madhe të saj. Por, së fundi raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë tendosur pasi Kosova nisi zbatimin e një rregulloreje për pagesa me para të gatshme, që përjashton përdorimin për pagesa të dinarit serb – valutë që përdoret nga popullata serbe në Kosovë.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se mospërfillja e kërkesës së tyre për shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

SHBA-ja ka argumentuar se rregullorja është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.rel

Trumpi shkund aleatët e NATO-s

Valona Tela

Me një personel ushtarak prej 1.3 milion vetash, Shtetet e Bashkuara kanë ushtrinë më të madhe në aleancën 31-anëtarëshe të NATO-s me plot 3.3 milionë pjesëtarë.

Trupat amerikane janë të dislokuara gjetkë në Evropë: në vende anëtare të NATO-s, si Polonia, Lituania, Letonia e Gjermania, por edhe në vende joanëtare, si Kosova apo Qiproja. Qëllim i tyre është paqeruajtja ose ndonjë mision tjetër bashkëpunimi. Në Kosovë, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka aktualisht mbi 4.400 ushtarë, prej tyre 572 amerikanë. Mandat i tyre është të ruajnë paqen dhe të frenojnë ndonjë armiqësi të re kundër Kosovës.

Javën e kaluar, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili pritet të garojë sërish në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i ka shtangur aleatët këndej Atlantikut, me disa deklarata që sfidojnë karakterin unitar të NATO-s. Duke folur në një tubim politik në Karolinë të Jugut, ai ka thënë se SHBA-ja mund të mos i mbrojë aleatët që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje, në rast se sulmohen nga Rusia.

“Nuk do t’ju mbroj. Në fakt, do ta inkurajoja [Rusinë] të bëjë çfarë dreqi do. Duhet të paguani. Duhet të paguani faturat”, ka thënë Trump.

Lemeri – ka qenë emëruesi i përbashkët i reagimeve të aleatëve në Evropë. Ndërsa, presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka shumë gjasa të sfidohet nga Trumpi në garën për rizgjedhje në nëntor, ka thënë se deklaratat e tij janë “të rrezikshme, të turpshme dhe joamerikane”.

“Derisa unë jam president, nëse [presidenti rus, Vladimir] Putin sulmon një anëtar të NATO-s, SHBA-ja do të mbrojë çdo inç të territorit të NATO-s”, ka thënë Biden.

E themeluar qysh më 1949, me qëllim që të bllokonte zgjerimin e Bashkimit të atëhershëm Sovjetik, aleanca më e madhe ushtarake në botë funksionon mbi parimin e mbrojtjes së përbashkët, që do të thotë se sulmi kundër një anëtari, konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

Kur Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, NATO-ja ka thënë se ai përbën “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve”.

Por, Trump ka histori të gjatë të komenteve nxitëse kundër NATO-s. Si president nga viti 2017 deri më 2021, ai ka kritikuar vazhdimisht shtetet anëtare që nuk e kalojnë pragun minimal të shpenzimeve për mbrojtje dhe në disa raste ka thënë se do të donte që SHBA-ja edhe të tërhiqej krejtësisht nga NATO-ja.

Për të parandaluar tërheqjen eventuale, Kongresi amerikan ka miratuar dhjetorin e kaluar një ligj, që e kufizon fuqinë e presidentit në këtë drejtim.

Ligji thotë se presidenti “nuk e pezullon, ndërpret ose tërheq pjesëmarrjen e SHBA-së nga Traktati i Atlantikut të Veriut, pa votën e shumicës në Senat ose pa një akt të miratuar nga Kongresi”.

Kjo, megjithatë, nuk e ndalon një president të bëjë veprime që e përçajnë NATO-n, thotë Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se presidenti amerikan ka kompetenca të jashtëzakonshme mbi mënyrat se si SHBA-ja ndërvepron me aleatët. Ai mund ta zvogëlojë numrin e stërvitjeve në të cilat marrin pjesë amerikanët, mund t’i ndalojë pagesat për infrastrukturën e NATO-s dhe jo vetëm.

“Ai mund t’i reduktojë veprimet dhe angazhimet e Amerikës, përfshirë praninë në Kosovë, praninë në shtetet e Baltikut, ose praninë në Gjermani. Si komandant i përgjithshëm, ka shumë opsione, për të cilat njerëzit duhet të mendojnë”, thotë Volker.

Edhe në këtë skenar, shton ai, SHBA-ja do të obligohej t’i mbronte aleatët e NATO-s, por nuk do të ishte e përgatitur. Sipas tij, nuk mjafton vetëm të thuhet se “jemi bashkë” – “duhet pasur edhe kapacitete”.

Dhe, kësaj deklarate i bën jehonë edhe Kathleen McInnis, eksperte e NATO-s në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“I gjithë diskutimi është fokusuar në atë se kush shpenzon më shumë në mbrojtje dhe kemi harruar situatën në tërësi. Pa prani në Evropë, SHBA-ja nuk mund të marrë pjesë në operacione të koalicioneve, në ekspedita, në operacione kundër terrorizmit në Afrikë apo në Lindje të Mesme. NATO-ja ia vlen jashtëzakonisht shumë për paratë që jep SHBA-ja”, thotë McInnis për Exposenë.

SHBA-ja, pas Polonisë, është kontribuuesja më e madhe financiare në NATO. Fuqia e NATO-s për të penguar sulmet e një agresori, mbështetet ekskluzivisht tek armatimi i SHBA-së, thotë Volker.

“Shtetet e Bashkuara posedojnë 50 deri në 60 për qind të kapaciteteve ushtarake të NATO-s. Ato e kanë parandaluesin bërthamor që e mbulon të gjithë aleancën. Nuk mendoj se është e lehtë të zëvendësohet”, sipas tij.

Shumë presidentë amerikanë, nga Harry Truman deri te Barack Obama, u kanë bërë po ashtu thirrje shteteve evropiane që t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje, por shumica e kanë bërë këtë privatisht.

Sipas të dhënave që ka publikuar NATO-ja, në vitin 2023, vetëm 11 nga 31 vendet anëtare kanë zbatuar udhëzuesin e aleancës për të shpenzuar së paku dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje (PBB).

“Polonia, për shembull, do të shpenzojë 4% të PBB-së së saj për mbrojtje këtë vit. Ajo po blen edhe pajisje moderne dhe po ndërton një nga ushtritë më të mira në NATO për momentin. Edhe vende të tjera kanë filluar ta bëjnë këtë. Por, disa vende të mëdha, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, kanë investuar pak dhe nuk i kanë kapacitetet që do të duheshin”, thotë Volker.

Dhe, pikërisht zyrtarët ushtarakë në vendet si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania e kanë paralajmëruar publikun e tyre që të përgatitet për luftë potenciale me Rusinë.

“Është një moment vërtet shqetësues”, thotë McInnis nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Do të duhej shumë punë për ta mbështetur mbrojtjen e Evropës kundër pushtimit të mundshëm rus. Lufta tani është në Ukrainë, por ka shumë spekulime se Moska mund ta zhvendosë atë në ish-territoret e saj perandorake, që tani janë vende të NATO-s”, shton ajo.

Kremlini nuk i ka komentuar deklaratat e Trumpit, të cilat ai vetë i ka përsëritur edhe këtë javë.

Por, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Evropa nuk duhet të bëjë përpjekje për të vazhduar e vetme në mbrojtje.

“Çdo përpjekje për ta shkëputur Evropën nga Amerika e Veriut, do ta ndante edhe Evropën. Qëllimi im kryesor është që, pavarësisht dallimeve që kemi, të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Stoltenberg.

Dhe, pyetja që ia vlen të konsiderohet në këtë situatë, është: A mund të mbijetojë NATO-ja pa Amerikën?

“Teknikisht, NATO-ja është organizatë e të gjitha vendeve anëtare dhe nëse një vend anëtar, dëshiron të largohet me vullnetin e tij, asgjë nuk ndryshon për askënd. Pra, teknikisht, NATO-ja do të jetë aty, por nuk do t’i ketë kapacitetet që i ka me Shtetet e Bashkuara dhe këtu është dallimi”, thotë Volker.

“Do të ishte shumë ndryshe. Kapacitetet do të ishin shumë ndryshe. Evropa ka parandalues bërthamor. Edhe Mbretëria e Bashkuar, edhe Franca kanë armë bërthamore. Pra, ekziston një lloj i mbrojtjes. Do të ishte më sfiduese, por jo e pamundur”, thotë McInnis.

Deri më tash, asnjë vend nuk është tërhequr ndonjëherë nga NATO-ja. Neni i statutit të NATO-s që tregon se si një vend mund të tërhiqet, është edhe një dëshmi se sa e rëndësishme është SHBA-ja për organizatën.

Sipas këtij neni, “një vend që dëshiron të tërhiqet, duhet t’i njoftojë Shtetet e Bashkuara një vit përpara se planifikon të dalë”.

Javën e kaluar, kur republikanët në Kongresin amerikan kanë bllokuar një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u është kthyer atyre me fjalët:

“Të nderuar senatorë republikanë të Amerikës, Ronald Reagan, i cili ka ndihmuar miliona prej nesh për të rifituar lirinë dhe pavarësinë tonë, do të jetë rrotulluar sot në varr. Turp të keni”, ka shkruar Tusk në platformën X më 8 shkurt.

Ronald Reagan ka shërbyer si president i SHBA-së nga viti 1981 deri më 1989. Ai njihej për vendosmërinë e tij për të shkatërruar komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik.

Reagan mund të jetë rrotulluar në varr edhe kur pasardhësi i tij i mundshëm, Donald Tump, ka thyer premtimin e SHBA-së se do t’i mbrojë aleatët evropianë, nëse ata nuk i rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes. Për më tepër, ai ka inkurajuar edhe Rusinë që “të bëjë çfarë dreqi të dojë” me ta.

Blinken uron Kosovën: Mbështesim aspiratat në deklaratën tuaj të pavarësisë e kushtetutë, për kontribut në stabilitet e fqinjësi të mirë

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar Kosovën me rastin e përvjetorit të 16-të të pavarësisë. Blinken shprehet se SHBA vlerëson partneritetin e qëndrueshëm të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes dy popujve.

Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA inkurajon Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje reciproke të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes përfundimtare reciproke.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, ka shkruar Blinken.

“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të prosperojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken.

“Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paç një vit të qetë dhe të begatë përpara”, ka përfunduar Blinken.bw

Biden uron 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës: Inkurajojmë Prishtinën të përmbushë detyrimet e dialogut me Serbinë

Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.

 

“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, me lehtësim të BE-së, që nga viti 2011.

 

SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.

Palët ndër vite kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në praktikë. Një prej marrëveshjeve që faktori ndërkombëtar i kërkon me ngulm Kosovës që ta zbatojë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit dhe u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

 

BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar por është obligative për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet./REL

 

Donald Trumpi përsërit kërcënimet se do të sakrifikojë aleatët e NATO-s për Rusinë

Donald Trumpi ka ripërsërtur kërcënimet për të minuar NATO-n, duke thënë se SHBA nuk do të mbrojë aleatët që nuk do të paguajnë mjaftueshëm për të ruajtur aleancën nëse ai kthehet vitin e ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur në një tubim në Karolinën e Jugut, ish-presidenti amerikan tha se “unë po thosha, ‘Shiko, nëse ata nuk do të paguajnë, ne nuk do t’i mbrojmë ata, në rregull? Dhe Biden, i cili tha, ‘Oh , kjo është aq e keqe. Kjo është aq e tmerrshme’. Jo … askush nuk i paguan faturat. Një nga krerët e shtetit pyeti se “a do të thotë kjo që ju nuk do të na mbroni nëse ne nuk paguajmë faturat tona?” Kjo është pikërisht ajo që do të thotë. Unë nuk do t’ju mbroj”.

Trump ndezi zemërim dhe alarmin javën e kaluar kur tha se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte anëtarët e NATO-s, të cilat nuk shpenzojnë për mbrojtjen 2 për qind të GJDP-së, raporton theguardian.

Biden shprehu zemërimin e tij, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën se çfarë mendonte për komentet e Trumpit.

“A mund ta imagjinoni ish-presidentin e SHBA-së ta thotë këtë? E gjithë bota e ka dëgjuar. Gjëja më e keqe është se ai e ka ndërmend ta bëjë. Asnjë president tjetër në historinë tonë nuk është përkulur para një diktatori rus. Më lejoni ta bëj këtë sa më qartë që të mundem. Nuk do ta bëj kurrë. Për hir të Zotit, është marrëzi. E turpshme. E rrezikshme. Joamerikane”, pohoi 81-vjeçari. Në Bruksel, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se Trumpi me këtë deklaratë kërcënoi se do të “minojë besueshmërinë e NATO-s”.

Sipas Sky News, SHBA shpenzon shumë më tepër se çdo nga 30 shtetet e tjera anëtare për mbrojtjen, me të dhënat e NATO-s që tregojnë se vendi shpenzoi 860 miliardë dollarë në vitin 2023 – që është 3.49 për qind e GJDP-së së saj, një masë e pasurisë totale të një vendi.

Ndryshe, 31 anëtarët e NATO-s kanë rënë dakord për një objektiv për të shpenzuar të paktën 2 për qind të GJDP-së për mbrojtjen, por vlerësimet e vetë aleancës tregojnë se vetëm 11 vende po shpenzojnë kaq shumë.

Shifra prej 2 për qind përshkruhet si një udhëzues nga NATO dhe nuk është e detyrueshme – megjithëse aleanca thotë se “shërben si një tregues i vullnetit politik të një vendi për të kontribuar në përpjekjet e përbashkëta të mbrojtjes së NATO-s”.bw


Send this to a friend