Nën udhëheqjen e figurave të njohura Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, një delegacion i Bordit Ekzekutiv dhe i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane qëndroi për disa ditë gjatë kësaj jave në Washington.
Ngjarja kryesore ishte pjesëmarrja aktive në takimin vjetor të Organizatës së Ish-Anëtarëve të Kongresit Amerikan (FMC – Former Members of Congress). Në këtë takim bashkohen ish-anëtarë me anëtarë aktualë të Kongresit, ndahen mirënjohje për senatorë dhe kongresmenë të dalluar, si dhe diskutohen përvoja dhe mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të shtetit amerikan.
Ishte një kënaqësi e veçantë të dëgjoheshin deklaratat për bashkëpunim nga përfaqësues të të dy partive kryesore politike, republikane dhe demokrate.
Delegacioni i Ligës zhvilloi bashkëbisedime dhe takime të shumta e të rëndësishme para dhe gjatë këtij aktiviteti, me kongresmenë, senatorë dhe anëtarë të rëndësishëm të stafit të tyre, të specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndër ta veçohen: kongresmeni Gregory Meeks, nënkryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve; senatori John Boozman; senatori Raphael Warnock, kongresmeni Bill Huizenga; Grace Cason, asistente legjislative e senatores Tammy Duckworth; Samantha Schifrin, këshilltare për mbrojtje dhe politikë të jashtme, si dhe Wonyong Shim, asistent legjislativ i senatorit Cory Booker.
Temat kryesore të diskutimit përfshinin avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis popullit shqiptar dhe atij amerikan, përballjen me hegjemonizmin serb në Ballkan dhe zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Serbia mbetet burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në Ballkan. Regjimi i Millosheviçit shkaktoi katër luftëra, të cilat i humbi, dhe kreu gjenocid në Bosnje dhe Kosovë me synim dominimin rajonal dhe zgjerimin territorial. Politika e sotme e regjimit të Aleksandar Vuçiç vazhdon në të njëjtën linjë, megjithëse me metoda të ndryshme.
NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u detyrua të ndërhyjë ushtarakisht për të ndalur gjenocidin në Kosovë. SHBA-të kanë ndihmuar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kanë investuar vazhdimisht në ndërtimin e demokracisë dhe forcimin e shtetit.
Dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Për këtë arsye, përfshirja e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara konsiderohet e domosdoshme. Po ashtu, shtimi i pranisë së trupave amerikane në Bondsteel shihet si një faktor stabiliteti.
Vetëm anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të ndalojë përfundimisht agresionin serb dhe të garantojë paqe të qëndrueshme në rajon.
Për këtë arsye, kërkohet një angazhim më i madh i senatorëve, kongresmenëve dhe stafit të tyre profesional, në bashkëpunim me administratën amerikane, për forcimin e shtetit të Kosovës — një objektiv që përkon edhe me interesat strategjike të SHBA-ve në Evropë.
Populli i Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar mbeten ndër aleatët më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm të Amerikës, ndërkohë që Serbia vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me shtete si Rusia, Kina, Irani dhe aktorë të tjerë në kundërshtim me interesat amerikane.
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane