Kam zgjedhur në këtë ditë të bukur e të bekuar, për të uruar mikun tim të shtrenjtë e të vyer Skënder Buçpapaj, me shënimet e mia (që në një moment të dytë do të zgjerohen) gjatë leximit dhe studimit të librit poetik: “Diell i shumëfishtë” (Skënder Buçpapaj, Onufripoezi, Tiranë, 2022). I dashur Skënder, urimi im i zemrës është: Jeta t’u bëftë Diell i Shumëfishtë!
Skënder Buçpapaj është nga ajo tipologji e pakët poetësh që në rrugëtimin e tij i ka mbetur besnik gjinisë së poezisë, e ka lartësuar atë, e ka shenjtëruar, i ka dhënë vlera e risi. Në këtë rrugëtim të suksesshëm poetik, poeti nga njëri libër në tjetër, si në motivin e trajtuar e këndvështruar, si në pasurinë frazeologjike e dimensionin stilistik, prania e çdo fjale mbart filozofinë e të rrëfyerit, Modeli i ofruar, krahas imazhit, (nocioni i pranisë së kohës sikur përputhet me qiellin), krahas shumështresimit poetik, krahas strukturave rrëfimore (sikur na kujtojnë vargjet e Iliadës) ruajnë të paprekur, të pastër, si gur të çmueshëm identitetin e poetit bashkëngjizur me identitetin e poezisë, e cila shpërfaqet estetikisht madhërishëm, dhe e bukura çel si ajo lulja brenda vargut, ku na befason e na mrekullon, e pse jo aroma e saj bën që t’i kthehesh përsëri… Dhe kthehemi! Është një nga librat e pakët që i shërben poezisë shqipe në mënyrë sublime, me të cilën poeti ka një marrëdhënie shpirti, magjie e vërtetësie. Te libri poetik “Diell i shumëfishtë” poezia vjen si dimension, ku flet: Lumi, zogjtë, dita e nata, shiu, retë, bukuria, qielli, zana…