(Rama dhe sedra për t’u ulur në tryezën e BE-së me Shqipërinë anëtare)
U tolerua dhe u përkëdhel shumë gjatë 13-14 viteve të pushtetit kryeministri Rama.
Si “novator” ai futi frymën e Rilindjes Socialiste dhe përmes kësaj ideologjie shkërmoqi parimet e politikës socialiste dhe ndërtoi nepotizmin dhe patronazhimin si një strukturë në shërbim të vetes dhe u kthye në forcë shkatërruese në çdo fushë të jetës dhe të veprimtarisë së popullit shqiptar. Korrupsioni i heshtur dhe i hapur u bë bonusi i pasurimit të zyrtarit të shtetit, veshja me pushtet dhe funksione që kanë si burim jo meritën, por vjedhjen.
Çdo asamble dhe kongres u shoqërua me teza madhore transformimesh që u pritën nga elita drejtuese pa kritikë në pjesën më të madhe dhe vetëm me duartrokitje dhe zbatim deri sa viti 2026 në çdo muaj u shoqërua me kriza (skandale), deri sa tek ky muaji i nëntë Shtatori, kriza e bartur “polli” kërcënimin e sigurisë kombëtare.
Skandali më i fundit i “arrestit shtëpiak” të drejtueses së SHISH Vlora Hyseni për lidhje me krimin e organizuar që i fshiu kryeministrit përkohësisht daljet ndërkombëtare, po luhet në Nju Jork nga ana e tij si një histori periferike e një vendi të vogël dhe të parëndësishëm.
Shqipëria këto ditë ka fituar pasi ka humbur liderin global që i dha mend mbarë botës duke nënshtruar dhe mos përfillur popullsinë e vendit të vet. Madje edhe atyre që përzuri dhe që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe që quhen diasporë.
Edhe Evropa nga ana tjetër do të fitojë sepse po zbulon një rrjet trafiqesh që është ngritur në sistem dhe ku fatkeqësisht ndihmat për zhvillim ekonomik dhe institucional janë përdorur më së shumti për ngritjen e një autokrati dhe parti shteti që ka kompromentuar pluralizmin.
Kur përmendim termin “Sinjali i Palexuar i Dorëheqjes”, kemi parasysh një deklaratë të komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos e cila më 23 Shtator, 2026 deklaronte:-“Siç e dini, zgjerimi nuk funksionon me data. Por sa më shumë që vendi i afrohet përfundimit të pjesës teknike të anëtarësimit, aq më shumë mund të flasim për të ose të përdorim vitet”. Propaganda e qeverisë Rama e përdori atë në një mesazh lajmi të ATSH-s si:-“Komisioni Evropian po punon për përfundimin e procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në dhjetor të vitit 2027”.
A lexohej ky si një sinjal që Rama duhet të përgatisë veten për dorëheqje duke marrë trofenë e uljes në tryezë për anëtarësimin të Shqipërisë?
Skandalet dhe lindja e deformuar e shtetit nuk mund t’i japin Ramës më kohë as për dy javë e jo më për 14 muaj. Dhjetori i 2027 është një gur kilometrik i rëndësishëm i Shqipërisë drejt Evropës duke i shërbyer asaj për ndarjen e menjëhershme nga krimi dhe korrupsioni, narkotrafiku dhe ku përparësi duhet të ketë ngritja e një qeverie teknike për të kryer përfundimisht zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është presioni që duket se do t’i shtohet protestës qytetare tashmë prej katër muajsh dhe me vëmendje ndërkombëtare që e eklipson Ramën sot për çdo temë dhe tezë, surprizë apo budallallëk që ai do të bëjë nga foltorja e OKB-s.
Sipas njoftimeve të fundit kryeministri Rama është shfaqur sipas ATSH në Nju Jork pas 3-4 ditësh pa dalje publike në një takim mbi duke deklaruar:-“Ka kaq shumë gjëra që duhet t’i kuptojmë e t’i diskutojmë së bashku me njëri-tjetrin, dhe ka kaq shumë mençuri atje jashtë, të cilën Evropa nuk ka arritur ta përvetësojë dhe ta zbatojë”.
Ky ishte mesazhi i parafundit dhe heqja e merakut të fundit për të zbuluar heshtjen disaditore të Ramës.
Kudo kush nga shqiptarët e diasporës që e kanë pikasur apo kanë parë rrotull shoqërues si Taulant Balla, Pjerin Ndreu e të tjerë zyrtarë që duket se bëjnë “rojen hotelit”, janë pritur me thirrje protestuese.
Ndërkohë fjala e tij në OKB ka rënë edhe një vend më poshtë nga renditja e oratorit të 12 që ishte një ditë më parë në pozicionin e 13.
Arësyet dhe shpjegimet ende nuk dihen.
Por megjithatë Prania Besnike e rilindësve sot ka rastin ta zgjasë orarin e pritjes së popullit për ta ndjekur daljen e munguar të udhëheqësit, “live from New York!”…
25 Shtator, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)