Alba Kepi:– Atëherë përshëndetje të gjithëve. E nisim këtë takim me prezantimin tonë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës është regjistruar në Zvicër në vitin 2021. Ai përbëhet nga gazetarët shqiptarë që ushtrojnë profesionin e tyre në Zvicër, Itali, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Misioni qendror i shoqatës sonë është liria e fjalës dhe e mediave si një domosdoshmëri etike për një shoqëri të lirë demokratike. Zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme janë baza themelore për një demokraci të vërtetë e funksionale. Roli sovran i mediave, të cilat nuk ju nënshtrohen trysnive dhe joshjeve nga regjimi dhe tentakulat e tij të zeza financiare, është i pazëvendësueshëm që Shqipëria të ketë zgjedhje të standardeve të demokracisë perëndimore. E pikërisht në këtë fokus ka nisur dhe ky cikël takimesh virtuale i unionit tonë me politikanë e kandidatë në zgjedhjet parlamentare dhe në zgjedhjet vendore që e kemi titulluar pikërisht shtatë pyetje. Ju prezantoj bordin drejtues të Unionit të gazetarëve shqiptarë profesionistë të diasporës. Zoti Skënder Buçpapaj, kryetari i urdhrit tonë që lidhet nga Zvicra. Zoti Artan Kutra që lidhet nga Franca, nënkryetar i shoqatës tonë, zonja Elida Buçpapaj që lidhet nga Zvicra, zonja Rafaela Prifti që lidhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zoti Ardian Murraj që lidhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zoti Genci Burimi që lidhet nga Franca dhe unë Alba Kepi që lidhem nga Italia.
I ftuar i bisedës tonë në studio shtatë pyetje është kandidati i pavarur për bashkinë e Beratit Zoti Pavllo Shkarpa. Qyteti i Beratit shkon në zgjedhje të parakohshme në 9 nëntor 2025 pas dorëheqjes së kryetarit të bashkisë Ervin Demo i Partisë Socialiste i cili u zgjodh deputet në zgjedhjet parlamentare të majit 2025. Kjo dorëheqje erdhi në bazë të ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe aktualisht detyrën e kryetarit të bashkisë në Berat e mban Ervin Ceca i komanduar nga Këshilli Bashkiak i Beratit. Për kujtesë të publikut që na ndjek, nga viti 1992 deri në vitin 1999, Berati është drejtuar nga Partia Demokratike prej vitit 1999. Deri sot drejtimi i bashkisë ka qenë në duart e Partisë Socialiste.