Në plot një muaj kryeministri i Shqipërisë Rama i paska shpallë luftë demokratëve pa e kuptuar.
I ka shpallë luftë jo kundërshtarëve të përjetshëm që i ka në parlament, por atyre ndërkombëtarë.
Në listë EDP (The European Democratic Party) i është shtuar edhe Demokratët në SHBA.
Po e nisim me të fundit. Demokratët e SHBA-së të cilët pas një muaji ndodhen përpara kutive të votimit kundër republikanëve, Rama ju është drejtuar pa u kuptuar mirë shkaku. Nga sipërfaqësorja e veprimtarive pak ditë pas kthimit nga OKB-ja nuk kemi ndonjë veprimtari për t’u shënuar veç një takimi të kryetarit të GPS Taulant Balla që në Nju Jork ishte edhe shoqërues pranë hotelit, por edhe kur i jepej mundësia postonte ndonjë takim të improvizuar bashkë me ambasadorin Bushati. Mëngjesin e së Martës 22 Shtator, 2026 në 0rën 09:26, pas informacionit se ndaj Drejtoreshës së SHISH ishte lëshuar nga SPAK ‘urdhër arresti shtëpiak’, kryeministri në fund të postimit ‘X’ shkruante:-“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.“
Ky rresht i fundit i shkruar, fundosi gjithë humorin e javës së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të delegacionit zyrtar dhe kreut mes padurimit dhe ngecjes për t’u kthyer në atdhe për ta parë nga afër gjendjen, shëndetin e qeverisë dhe shpirtin e aleatëve. Ulje-ngritjet emocionale testuan tërësisht javën politike që pasoi duke shënuar dy tre ndalesa tranzite në Aeroportin e Rinasit ku drejtimet ishin Nju Jork kthim dhe Bruksel vajtje ardhje. Pas fjalës në OKB, video-mesazhit për median dhe publikun me kthimin në Rinas ku veç pranimit se drejtoresha e shërbimeve sekrete tashmë: “…kishte hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveç se ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend“, serioziteti i kësaj të parës si shprehje e mbrojtësit të drejtësisë menjëherë i vuri kundërpeshën dhe sinjalin se rasti në fjalë ende i prezumuar për pafajësi deri në daljen e vendimit të formës së prerë nga gjykata të cilësohej prej kryeministrit Rama “turlilloj fantazish konspirative nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën“. Thelbi i këtij reagimi synoi të tregonte se kryeministri është i distancuar me 180° si nga qëndrimi për të shprehur “përgjegjësinë personale” po ashtu edhe për vendosjen e mburojës numerike me të (83-1), të deputetëve socialistë për të siguruar mbrojtjen politike (mbajtjen e njëri-tjetrit) në Kuvend.
Vizitat nga Ursula von der Leyen Presidente e KE-n dhe ambasadorit të SHBA-së Erik Wendt dhanë dy mesazhe. Europa kërkon “Integrimin dhe Planin e Rritjes“ ndërsa SHBA të theksuar prej dy vitesh “thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar“.
Nuk mund ta themi me siguri se çfarë kuptimi dhe përmbajtje ka koha e zgjedhur për të lëshuar si titull në ATSH dhe mediat “Rama demokrateve amerikanë: Mos na përdorni për t’u hakmarrë ndaj Trumpit“, ku në një kohë jep dëshirën për një fitore të Kongresit nga demokratët në zgjedhjet Nëntorit në SHBA duke e rifutur veten në vëmendje mes zhvillimeve që lidhin politikën dhe investimet ende të pa miratuara për kuadrin shkencor mjedisor siç janë Sazani dhe Zvërneci në Shqipëri të penguara dhe të njohura ndërkombëtarisht nga protestat e pandërprera në ditën e 125-të të njohura me emrin “Revolucioni i Flamingove”.
Jemi ende në një test dhe periudhë njohje kur në Tiranë ka mbërritur ambasadori i SHBA-së. Zoti Eric Wendt ka realizuar takime me presidentin, kryeministrin, ministrin e jashtëm, ministrin e mbrojtjes kryetarin e Kuvendit, sikurse dha edhe në një pritje zyrtare për fillimin e veprimtarisë së tij, por ku vu re mungesa e dy drejtuesve kryesor të mazhorancës dhe opozitës Rama dhe Berisha për shkak të angazhimeve (apo mos marrjes së ftesës). Përtej qartësimeve shaka-ironia e Ramës se:-“U kam thënë miqve të mi demokratë në Amerikë që, nëse nuk arrini ta mundni Trumpin në Amerikë, mos vini në Shqipëri për t’u hakmarrë. Kjo nuk është e drejtë“, e tejkalon pasjen e shëndoshë të marrëdhënieve jo sepse taktikisht zgjidhet një media e huaj si ‘WELT’*, por konfidenca e tepruar me mediat për të shpërndarë sinjalet se deri ku se janë prerë ndjesitë.
Në të vërtetë po t’i kërkosh ndjesitë ato janë aty në shesh prej 125 ditësh.
Poshtë zyrës dhe në çdo kusht moti dhe kohe vizitorësh.
Në gjithë Shqipërinë dhe në shumë vende të Evropës jo thjeshtë i njohur si “Revolucioni i Flamingove”, por si Shqipëria nuk është për shitje!”.
Kjo frazë ka brenda energjinë e qytetarëve shqiptarë të bashkuar në Shqipëri dhe diasporë, që nuk të lejojnë O kryeministër që t’i marrësh autorësinë e ndryshimit dhe të zhvillimit të vendit.
“Shqipëria nuk është për Shitje”, ka thyer çdo investim mediatik dhe digjital të propagandës së shtetit duke i kaluar kufijtë.
Kur në krye të këtij shënimi u shprehëm se Rama i ka shpallë luftë demokratëve Evropianë dhe atyre të SHBA-së, kjo është e vërtetë. E theksuar veçanërisht prej 1 muaji sepse përpjekjet autoritare për ta përçarë një lëvizje me shpirt të ri kundër korrupsionit, Rilindja në pushtet prej 14 vitesh nuk e kishte parashikuar. Si shembull do të përmendim Sekretari e Përgjithshëm Sandro Gozi i EDP-s (The European Democratic Party), i cili pak para vizitës së Ursula von der Leyen drejtoi shqetësimin se Presidentja e KE-së:-“…duhet të pyesë Edi Ramën se çfarë po ndodh në Shqipëri”. Si politikan i qendrës dhe pro integrimit Sandro Gozi ka qenë i mirë informuar me zhvillimet e protestës që në muajt e parë. Ashpërsisht ai e ka “bombarduar” Ramën përmes rrjeteve sociale për qëndrimin ndaj protestës në Tiranë ku veçanërisht ka qortuar veprimet e dhunshme (ndaj palëve), ushtrimin e censurës dhe ndalimin e fjalës së lirë në media, rrjetet sociale dhe në manifestime duke nënvizuar edhe situatat e sulmit që kryeministri Rama i ka bërë Demokratëve Evropianë me shprehjen :- “Në katër nga gjashtë postimet tuaja të fundit, ju sulmoni demokratët evropianë”.
Jo vetëm as majtas dhe as djathtas, por i izoluar në mbulimin me korrupsion Rama nuk gjen dot rrugëdalje.
_____________
* Rrjeti Global i Reporterëve të Axel Springer bashkon gazetarë nga redaksitë e ndryshme të Axel Springer – përfshirë BILD, BUSINESS INSIDER, FAKT, ONET, POLITICO, THE TELEGRAPH dhe WELT.