VOAL

VOAL

U mblodhën 100 mijë firma kundër dëbimit të të riut shqiptar nga Britania, autoritetet marrin vendimin përfundimtar

July 31, 2019

Komentet

Diaspora e Kosovës investoi 380 milionë euro në patundshmëri, remitancat afro 1 miliard euro

KOSOVË- Mërgimtarët kanë dërguar në Kosovë 984.1 milionë euro vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa investimet direkte në patundshmëri deri në fund të korrikut kanë arritur në 379.81 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave lidhet me diasporën.

Paratë që hyjnë nga jashtë vazhdojnë të përbëjnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave për ekonominë e Kosovës. Gjatë vitit 2026, remitancat e dërguara nga diaspora kanë shënuar rritje, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kapitalit të ardhur nga jashtë është orientuar drejt blerjes së patundshmërive.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht 2026, remitancat kanë arritur në 984.1 milionë euro. Në të njëjtën periudhë të vitit 2025, diaspora kishte dërguar 922 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.74 për qind, apo rreth 62.1 milionë euro më shumë.

Ndërkohë, të dhënat për investimet direkte tregojnë se deri në fund të korrikut 2026, investimet direkte në Kosovë kanë arritur në 587.26 milionë euro.

Nga kjo shumë, 379.81 milionë euro janë investuar në patundshmëri, kryesisht nga diaspora. Kjo do të thotë se rreth 64.7 për qind e investimeve direkte të regjistruara deri në fund të korrikut janë përqendruar në sektorin e patundshmërive.

Sipas BQK-së, nga totali prej 587.26 milionë eurosh të investimeve direkte, 442.89 milionë euro përbëjnë kapital të ri, 64.05 milionë euro fitim të riinvestuar, ndërsa 80.33 milionë euro janë kredi ndërmjet kompanive investuese.

Në strukturën e investimeve direkte, patundshmëritë kanë një diferencë të madhe në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, vetëm 9.6 për qind e investimeve të huaja direkte janë përqendruar në sektorin prodhues, 2.8 për qind në tregti, ndërsa vetëm 2 për qind në energji.

Kështu, nga investimet direkte të regjistruara deri në fund të korrikut, pjesa më e madhe është orientuar në patundshmëri, ndërsa sektorët prodhues, tregtia dhe energjia kanë marrë pjesë dukshëm më të vogla të kapitalit.

Gati 1 miliard euro remitanca në tetë muaj

Pesha e diasporës në ekonominë e Kosovës shihet edhe përmes shumës së remitancave të dërguara gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave preliminare të BQK-së, 984.1 milionë euro kanë hyrë në Kosovë përmes remitancave vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2026.

Në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kjo shumë ishte 922 milionë euro. Rritja prej 6.74 për qind nënkupton se në Kosovë kanë hyrë rreth 62 milionë euro më shumë nga remitancat krahasuar me janar-gushtin e vitit 2025.

Këto mjete përbëjnë një nga burimet kryesore të të ardhurave që vijnë nga jashtë vendit dhe përdoren nga familjet për nevoja të ndryshme, përfshirë shpenzimet e përditshme, blerjen e banesave e pronave të tjera, kursimet dhe investimet.

BQK-ja ka bërë të ditur se remitancat në vitin 2025 përbënin rreth 13 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto nominal të Kosovës, duke treguar peshën që kanë transfertat e diasporës në ekonominë vendore.

Megjithatë, BQK-ja nuk disponon të dhëna të detajuara që tregojnë saktësisht se sa nga remitancat përdoren për konsum, sa për kursime dhe sa për investime nga familjet.

Gjermania dhe Zvicra, burimet kryesore të parave

Pjesa më e madhe e remitancave që vijnë në Kosovë vazhdon të jetë e lidhur me diasporën në Gjermani dhe Zvicër.

Sipas BQK-së, Gjermania mbetet burimi kryesor i remitancave, me një pjesëmarrje që gjatë viteve ka lëvizur kryesisht ndërmjet 35 dhe 44 për qind të totalit të remitancave.

Pas Gjermanisë renditet Zvicra, e cila gjatë viteve ka përbërë rreth 16 deri në 24 për qind të remitancave të pranuara në Kosovë.

Përveç këtyre dy shteteve, kontribute të rëndësishme vijnë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Belgjika, Franca, Italia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sipas BQK-së, nuk janë vërejtur ndryshime të mëdha në renditjen e vendeve kryesore prej nga vijnë remitancat. Gjermania dhe Zvicra vazhdojnë të mbeten dy burimet kryesore të parave të dërguara në Kosovë.

Agjencitë për transferimin e mjeteve vazhdojnë të jenë kanali kryesor përmes të cilit diaspora dërgon para në Kosovë.

Gjatë periudhës janar-gusht 2026, 56 për qind e remitancave janë dërguar përmes agjencive për transferimin e mjeteve.

Kanalet bankare janë renditur të dytat, me 18 për qind të totalit të remitancave gjatë kësaj periudhe.

Pjesa tjetër e mjeteve është dërguar përmes kanaleve të tjera, ku përfshihen transfertat informale, remitancat në mallra dhe forma të tjera të dërgimit të mjeteve.

Të dhënat tregojnë se, përveç remitancave të regjistruara në sistemin financiar, një pjesë e mjeteve të diasporës arrin në Kosovë edhe përmes formave të tjera, të cilat BQK-ja i përfshin në kategorinë e kanaleve të tjera.

Patundshmëritë marrin pjesën më të madhe të investimeve direkte

Përderisa diaspora vazhdon të dërgojë shuma të mëdha parash në Kosovë, një pjesë e rëndësishme e kapitalit të ardhur nga jashtë është orientuar drejt patundshmërive.

Nga 587.26 milionë euro investime direkte të regjistruara deri në fund të korrikut 2026, 379.81 milionë euro janë investuar në patundshmëri.

Kjo shumë është rreth 64.7 për qind e të gjitha investimeve direkte të regjistruara gjatë kësaj periudhe.

Sipas BQK-së, këto investime janë kryesisht të lidhura me diasporën.

Në raport me sektorët e tjerë, diferenca është e theksuar. Sektori prodhues ka tërhequr 9.6 për qind të investimeve të huaja direkte gjatë gjashtëmujorit të parë, tregtia 2.8 për qind, ndërsa energjia vetëm 2 për qind.

Sipas standardeve ndërkombëtare të statistikave të Bilancit të Pagesave, BQK-ja i regjistron remitancat si transfere personale ndërmjet ekonomive familjare rezidente dhe jorezidente. Për nga natyra, këto mjete mund të përdoren për konsum, investime, kursime ose nevoja të tjera individuale, por BQK-ja nuk ka të dhëna statistikore të detajuara për destinimin përfundimtar të tyre në nivel të familjeve.

Ndërkohë, shifra prej 379.81 milionë eurosh të investuara në patundshmëri paraqet vlerën e regjistruar të investimeve direkte në këtë sektor deri në fund të korrikut 2026, ku sipas BQK-së pjesa kryesore e investimeve lidhet me diasporën./Monitor

Rrethohet Kryeministria, protestuesit “pushtojnë” edhe rrugët. 5 orë revoltë, Diaspora merr në dorë Tiranën – rritet presioni ndaj Ramës

Për më shumë se 5 orë, Tirana është kthyer në arenën e një proteste të fuqishme, me qindra qytetarë dhe pjesëtarë të Diasporës që janë mbledhur përpara Kryeministrisë.

Protestuesit kanë “pushtuar” rrugët përreth godinës së Kryeministrisë por edhe disa segmente të kryeqytetit, ndërsa thirrjet dhe pankartat kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij kanë shoqëruar protestën gjatë gjithë mbrëmjes.

Tubimi, i nisur prej orës 19:00, ka sjellë bllokime të qarkullimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Prania e madhe e protestuesve ka krijuar një situatë të pazakontë përreth Kryeministrisë, ku tanimë protestohet prej plot 105 ditësh.

Një pjesë e rëndësishme e protestës është pjesëmarrja e qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët janë kthyer në Tiranë për t’iu bashkuar revoltës. Mesazhi i tyre është i qartë, kërkojnë ndryshim dhe një reagim më të fortë politik ndaj situatës në vend.

Kërkesa kryesore e revoltës mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama. gsh

“Diaspora në shtëpi, pse ndalohen në kufi”, protestuesit thirrje të fuqishme para ambasadës të Malit të Zi

Protestuesit kanë marshuar dhe janë ndaluar përpara ambasadës së Malit të Zi në Tiranë.

Ata bënë thirrje të fuqishme si “Diaspora në shtëpi, pse ndalohen në kufi”, “Diaspora është me ne”, “UÇK” etj.

Kjo lëvizje e protestuesve vjen pasi në shtetin malazez, pranë Nikshiçit është ndaluar nga autoritetet e Malit të Zi një autokolonë me përfaqësues të diasporës, që janë nisur për të ardhur në protestën e Tiranës gjatë ditës së nesërme.

Më tej, protestuesit kanë kënduar këngë patriotike shqiptare, duke bërë thirrje që të lejohet diaspora të jetë e pranishme në protestën e madhe të së shtunës. gsh

“Nga Anglia drejt Tiranës” Protestë e shqiptarëve në Britani, diaspora niset me autokolonë për protestën e 12 shtatorit

Komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar ka zhvilluar dje një protestë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke denoncuar korrupsionin galopant, kapjen e shtetit dhe politikat që kanë detyruar të rinjtë të braktisin vendin.

Me parulla kundër ekzekutivit dhe thirrje për çmontimin e sistemit korruptiv, shqiptarët e diasporës e bënë të qartë se zëri i tyre do të dëgjohet drejtpërdrejt në rrugët e kryeqytetit.

Protestuesit njoftuan nisjen e një autokolone të madhe automjetesh nga Anglia drejt Shqipërisë, me synim zbarkimin në Tiranë për t’iu bashkuar protestës masive të 12 shtatorit.

Ky marshim automobilistik që do të përshkojë Europën shihet si një mesazh i fortë se diaspora është e gatshme të sakrifikojë për t’iu kundërvënë qeverisjes aktuale. bw

Vajza e Mirush Kabashit futet në politikë- Garon për Këshillin Bashkiak në Kanada: Mbështes protestat në Shqipëri, qytetarët po ngrenë zërin!

Mendi Kabashi, vajza e aktorit të madh shqiptar Mirush Kabashi, është në garë për një vend në Këshillin Bashkiak të Mississauga-s në Ontario të Kanadasë. Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufa, Kabashi rrëfeu rrugëtimin e saj nga Shqipëria drejt Kanadasë, angazhimin në komunitet dhe arsyen që e shtyu të hyjë në politikën lokale. Kabashi kandidon për zgjedhjet e 26 tetorit, në një garë lokale që përfshin një komunitet prej rreth 65 mijë banorësh. Ajo tregoi se fushata po zhvillohet kryesisht në terren, derë më derë, duke takuar banorët dhe duke dëgjuar problematikat e tyre.

“Politika lokale nuk është ideologji, është shërbim”, u shpreh Kabashi, duke theksuar se vendimin për të kandiduar e sheh si një mision përtej ambicies personale. Rrugëtimi i Mendi Kabashit ka kaluar nëpër disa etapa të rëndësishme. Në moshën 17-vjeçare ajo nisi studimet në Akademinë Ushtarake në Modena, ndërsa më pas punoi si këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes. Sot jeton dhe punon në Toronto, ku është e angazhuar në menaxhimin e komuniteteve.

 

Për të, politika lokale është një mënyrë për të sjellë më pranë institucioneve zërin e qytetarëve. “Dua t’ua bëj jetën njerëzve më të mirë, duke shfrytëzuar gjithë potencialin që ka kjo lagje apo kjo njësi bashkiake. Mendoj se kam kualifikimet dhe përgatitjen për të bërë më të mirën, por mbi të gjitha vullnetin, ndershmërinë dhe përkushtimin”, deklaroi Kabashi.

Ajo tregoi se pjesë e rëndësishme e fushatës është kontakti i drejtpërdrejtë me banorët. Sipas saj, qindra qytetarë kanë pranuar të mbështesin publikisht fushatën e saj, duke vendosur në banesat e tyre materialet promocionale të kandidaturës. “Shumë njerëz më thonë: ‘Me këto kualifikime që ke, duhet të kishe kandiduar për kryetare bashkie, jo për këshilltare bashkiake’. Unë shpesh bëj shaka dhe u them: herën tjetër”, rrëfeu ajo. Kabashi e sheh kandidimin e saj edhe si një mundësi për një përfaqësim më të madh të shqiptarëve në jetën qytetare dhe politike të Kanadasë.
Ajo vlerësoi gjithashtu mbështetjen e komunitetit dhe të strukturave me të cilat është angazhuar gjatë kësaj periudhe.
E pyetur nga gazetarja Tufa për protestat në Shqipëri dhe zhvillimet politike në vend, Mendi Kabashi tha se nuk e sheh veten të angazhuar aktualisht në politikën shqiptare, por u shpreh qartë në mbështetje të të drejtës së qytetarëve për të protestuar.

INTERVISTA

Nisida Tufa: Mendi Kabashi, vajza e të madhit Mirush Kabashi nga Tirana në Modena e tani në garë për Misaga në Kanada. Mendi kandidon në Misaga Ontario për këshillin bashkiak në datën 26 tetor. Garë lokale me rreth 65.000 banorë ku tashmë në fushatë po troket derë më derë për të biseduar e për të qenë më afër. Kam kënaqësinë ta kem atë drejtpërdrejtë tani në një lidhje online natyrisht në pamundësi për ta patur në studio. Përshëndetje Mendi.

Mendi Kabashi: Përshëndetje Nisida. Shumë faleminderit për ftesën. Besoj do ishte krenar për mua babai. Unë në gjurmët e tij dua që të ta vazhdoj trashëgimin e tij duke lënë një emër të mirë, duke qenë në shërbim të qytetarëve të komunitetit ku jetoj dhe t’i shërbej atyre me dinjitet, përulësi dhe devotshmëri dita ditës, duke i prekur jetët e njerëzve për të lënë një shije të mirë te këto, jo vetëm dhe një kujtim të mirë, jo vetëm një për një titull apo për një karrige, nuk e bëj këtë për asnjë gjë. E bëj për një qëllim shumë më të madh se vetja ime.

Nisida Tufa: Nga Akademia Ushtarake në Modena në moshën 17 vjeç tek këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes e tani menaxhere komunitetesh në Toronto. Si ishte ky rrugëtim që shkon deri tek vendimi për në politikë dhe ky angazhim siç jemi në fushatë tani?
Mendi Kabashi:
Unë e kam thënë shpesh që politika lokale nuk është ideologji, është shërbim dhe me këtë slogan që më kumbon në vesh gjatë gjithë rrugëtimit tim jam futur e kam nisur këtë aventurë në një farë mënyre që sigurisht më nxjerr jashtë komfortit dhe më merr kohë nga çdo gjë sidomos familja. Megjithatë e konsideroj domethënë siç e thashë një qëllim shumë më të madh se vetja ime dhe e bëj me përkushtimin dhe dashurinë më të madhe. Dua që t’i prek njerëzve jetët e këtyre njerëzve duke i bërë më të mira, duke i shfrytëzuar gjithë potencialin që ka kjo lagje apo kjo njësi bashkiake dhe mendoj që kam të gjitha kualifikimet dhe përgatitjen për të bërë më të mirën, po mbi të gjitha vullnetin edhe ndershmërinë edhe përkushtimin për të bërë më të mirën. Unë në fakt çdo ditë trokas në dyer dhe duke filluar nga shtëpitë tek banorët që jetojnë nëpër pallate, nëpër hyrje, mund të them që gjëja që më mbush me shumë gëzim është që qindra banorë kanë pranuar që të jenë pjesë e fushatës time, domethënë këto shenjat e fushatës me foton time, me informacionin në websajtit tim. Domethënë këto quhen lins edhe po ju siç e dini vota është sekrete në një farë mënyre, por shumë njerëz nuk ndihen komfort që ta ndajnë. Ndërkohë këta njerëz më besojnë kaq shumë sa janë dakord që për një muaj rresht ta mbajnë atë sloganin tim apo figurën time, fytyrën time me gjithë informacionin e fushatës përpara shtëpisë së tyre me krenari dhe kjo sigurisht më mbush me shumë gëzim, por dhe me shumë përgjegjësi edhe kur dëgjoj kur ka shumë komente të tilla si; “me këto kualifikime që ke ti duhet të kishe kandiduar për kryetare bashkie, jo për këshilltare bashkiake”. Edhe unë shpesh herë bëj shaka dhe i them; herën tjetër !

Edhe shumë të tjerë të që më thonë dita ditës: “We need someone like you” edhe duket që është xhenuine domethënë ajo që thonë janë njerëz që me të vërtetë duan dhe kanë dëshirën për të parë ndryshim po dhe një frymë të re dhe një njeri të përkushtuar dhe me energji.

Babai na rriti, na mësoi se si të japim, po nuk na mësoi se si të kërkojmë. Ne si familje kemi shumë të vështirë domethënë të kërkojmë, të shtrijmë dorën. Po në këtë rast unë për një qëllim që është shumë më i madh se unë, pasi kjo nuk është gara e Mendika Bashit, kjo është gara përfaqësim më të madh të shqiptarëve në jetën qytetare dhe politike të Kanadasë dhe i bëj thirrje kujtdo shqiptari që është që është afër meje jo vetëm në Misaga, por dhe rrethe për qark pafund shqiptarë ato që nuk mundet të japin votën, që të bashkohen dhe të ecin me mua në këtë rrugëtim, sepse e vetmja gjë që është vetëm e imja atë ditë është emri në letër, në fletën e votimit dhe ditëlindja ime që përkoj në ditën e zgjedhjeve me 26 tetor. Ndërkohë pjesa tjetër, fitorja do jetë e jona. Nuk e konsideroj këtë si një garë që po i fitoj vetëm. Ndaj dhe dua të përfitoj dhe nga rasti të falënderoj EPAK ku jam dhe kryetare e degës së Musisakës e shpallur tani së fundmi si Albanian Kenedian Political Comiri, djemtë me të cilët unë e kam nisur këtë rrugëtim kanë qenë me mua dhe do jenë me mua në çdo hap. Gjëja e parë që do të bëja pasi të mbarojnë zgjedhjet është të marr avionin dhe të vij në Shqipëri të takoj Mirushin tim të vogël sepse kam disa muaj që nuk e shoh djalin dhe dua të falënderoj mamin për ndihmën e madhe që më ka dhënë. T’i futesh diçkaje të tillë sigurisht merr sakrifica dhe nga jeta familjare. Kjo do jetë gjëja e parë. T’i them faleminderit familjes time për këtë ndihmë kaq të madhe që më kanë dhënë. Po mbi të gjitha të përqafoj fëmijët e mi dhe që është qëllimi për të lënë një emër të mirë siç e bëri im at. Jemi krenare për emrin që mbajmë. Unë dua ta vazhdoj atë rrugëtim me dinjitet dhe përkushtim dhe në shërbim të komunitetit.

Nisida Tufa: Çfarë mendimi keni për protestën në Shqipëri?
Mendi Kabashi: Më është bërë disa herë kjo pyetje edhe të them të drejtën është diçka që unë nuk e kam sjellë në mendje përsa i përket angazhimit në politikën shqiptare se mendoj që të dyja palët nuk jemi gati për gjëra-tjetrën.
Për sa i përket protestës jam tërësisht në mbështetje të zërit të qytetarëve, sidomos për faktin që unë për këtë kam nisur këtë rrugëtim për ta sjellë këtu zërin e qytetarëve shqiptarë apo kudo nga vijnë nga çfarëdo lloj ngjyre besimi apo bekgraundi, domethënë më afër bashkisë. Ky është qëllimi im kryesor. Domethënë çdo përfaqësues në politikën lokale apo kudo qoftë duhet të jetë përfaqësues i zërit të qytetarëve. Sot qytetarët shqiptarë po ngrenë zërin sepse nuk duan ta humbin atë dhe mendoj që ky mision duhet të vazhdojë derisa zëri të kumbojë fort dhe qëllimet dhe vullneti i qytetarëve të çohet deri në fund.

Aktivisti Artan Daci nga Londra: Më 12 shtator autokolona e diasporës vjen në Tiranë, protesta do të ketë formate të tjera

Aktivisti shqiptar që jeton në Londër, Artan Daci, duke komentuar protestën për largimin e qeverisë, deklaroi se shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe tashmë nuk kanë më frikë që të ngrihen kundër sistemit politik.

Në një intervistë për News24, ai theksoi se qytetarët duhet të jenë të gjithë të bashkuar për të bërë të mundur largimin e qeverisë së Ramës dhe çrrënjosjen e sistemit politik që ai e cilësoi si të korruptuar.

“Është diçka shumë e bukur që ka ndodhur se po kthehemi kundër një sistemi politik të korruptuar dhe të gjithë janë ndërgjegjësuar. Iu ka dalë frika kundrejt sistemit. Kjo protestë ka dhënë frymëzim njerëzve që të kërkojnë drejtësinë e tyre kundrejt sistemit. “, tha ai.

Ai foli edhe për organizimin që po bëhet për pjesëmarrjen e diasporës më 12 shtator në shesh. Aktivisti tha se po organizohen që protesta të marrë një ritëm tjetër, duke shtuar se është i nevojshëm përshkallëzimi.

“Zoti Rama nuk dëshiron ta japë dorëheqjen, por duke u bashkuar do të ketë të vështirë të qëndrojë. Sa më shumë të jemi, aq më e vështirë do të jetë për të. Ne po organizojmë që protesta të marrë ritëm tjetër dhe jo vetëm në darkë para kryeministrisë. Duhet përshkallëzim dhe të ketë qëndresë. “, shtoi ai.

Sipas tij, dorëheqja e Ramës është e afërt.“Rama nuk e ka shumë të gjatë. Unë besoj këtë sepse shikohet në 93 ditë protestë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë diçka e tillë. Edhe me ardhjen e shtatorit e diasporës, do të ketë impaktin e saj dhe besoj se do të jetë shumë e vështirë për kryeministrin që të mbajë postin e tij.”, tha aktivisti.

TIME e vendos shqiptaren Mira Murati në mesin e figurave më të fuqishme të Inteligjencës Artificiale

SHBA- Revista TIME ka publikuar listën TIME100 AI 2026, duke përfshirë 100 personat që kanë ndikimin më të madh në zhvillimin dhe drejtimin e Inteligjencës Artificiale në botë. Lista përfshin drejtues të kompanive të mëdha të teknologjisë, studiues, sipërmarrës, politikëbërës dhe figura nga industria kreative, në një kohë kur ndikimi ekonomik dhe social i AI po shkakton gjithnjë e më shumë debate.

Në kopertinën globale të këtij viti është edhe Mira Murati, ish-drejtuese e teknologjisë në OpenAI dhe një nga figurat më të njohura shqiptare në industrinë e Al. Ajo shfaqet në mesin e emrave më të fuqishëm të teknologjisë, përkrah Sam Altman, Elon Musk, Dario Amodei, Jeff Bezos, Larry Ellison, Ilya Sutskever, Fei-Fei Li, Arvind Krishna dhe Eddie Wu.

TIME i ka ndarë 100 emrat në katër kategori: Liderë, Inovatorë, Formësues dhe Mendimtarë. Në mesin e liderëve janë drejtues të OpenAI, përfshirë Sam Altman, Mark Chen dhe Greg Brockman, si dhe Elon Musk, drejtuesit e Anthropic Dario dhe Daniela Amodei, drejtuesi i IBM Arvind Krishna dhe figura të tjera të rëndësishme të industrisë.

Krahas drejtuesve të teknologjisë, lista përfshin edhe figura nga politika, arti, biznesi dhe organizatat ndërkombëtare, si Joseph Gordon-Levitt, Paris Hilton, David Sacks dhe Liz Shuler. Lista përfshin gjithashtu emra që po zhvillojnë teknologji dhe aplikime të reja të AI, mes tyre studiues, sipërmarrës dhe drejtues kompanish.

Në këtë kategori është edhe aktori dhe regjisori Ben Affleck, duke reflektuar ndikimin në rritje të Al në industrinë kreative. Në kategorinë e formësuesve është përfshirë Doreen Bogdan-Martin, sekretare e përgjithshme e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, ndërsa aktori Joseph Gordon-Levitt është vlerësuar për angazhimin e tij në mbrojtje të krijuesve dhe përfshirjen e artistëve në vendimet mbi zhvillimin e AI.

Kryeredaktori i TIME, Sam Jacobs, tha se lista e këtij viti pasqyron një industri të AI gjithnjë e më “shpërthyese dhe përçarëse”, ku përplasen interesat teknologjike, ekonomike, politike dhe krijuese. Lista përfshin edhe një numër të konsiderueshëm figurash nga industria kineze e teknologjisë dhe AI, duke treguar konkurrencën në rritje mes Kinës dhe SHBA-së për dominimin e kësaj teknologjie./Dosja.al

Diaspora zbarkon në Tiranë! Aktivisti zbulon detajet e protestave më 14, 15 dhe 16 gusht: Karvanë makinash nga Europa drejt bulevardit!

Aktivisti Edison Lika ka zbuluar detaje lidhur me organizimin e protestave në kryeqytet, duke konfirmuar se gjatë datave 14, 15 dhe 16 gusht do të ketë një pjesëmarrje masive të diasporës shqiptare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’iu bashkuar rezistencës qytetare.

 

I ftuar në studion e News24, Lika theksoi se mbështetja e diasporës ka qenë e jashtëzakonshme që nga ditët e para të qëndresës, ku bashkëatdhetarët janë organizuar paralelisht edhe në vendet ku jetojnë. Ai u shpreh se kjo protestë është shtrirë edhe jashtë kufijve, ku sipas informacioneve është protestuar në më shumë se 70 qytete të ndryshme në të gjithë Perëndimin.

Sa i përket datave simbolike 14, 15 dhe 16 gusht, Lika zbuloi se shqiptarët e diasporës janë vetë-organizuar me udhëtime tokësore në grup për të mbërritur në Tiranë. Qytetarët kanë lajmëruar praninë e tyre për t’u bërë pjesë e rezistencës në shesh, ku grupe të shumta janë nisur me makina nga qytete të Gjermanisë, janë bashkuar me të tjerë në Austri dhe do të hyjnë në Shqipëri nga pikat kufitare si Muriqani. Të gjithë bashkë do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’iu bashkuar protestës masive.

Më tej, Lika nënvizoi se diaspora është bërë tashmë një faktor serioz politik në mbështetje të ndryshimit në vend. Në përmbyllje, ai konfirmoi se organizatorët po punojnë me intensitet të lartë paralelisht edhe për aksionin e radhës protestues që do të zhvillohet gjatë muajit shtator.

“Më 14, 15 dhe 16 Diaspora na bashkohet në shesh”- Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Të vendosur deri në largimin e Ramës

Aktivistja Sidorela Vatnikaj në protestën kundër kryeministrit Edi Rama theksoi se Diaspora i është bashkuar masivisisht revoltës kundër Ramës.

 

Një thirrje për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku janë, brenda dhe jashtë vendit të protestojnë dhe të bashkohen për të rrëzuar regjimit.

Ndërsa tha se Diaspora po organizohet për të ardhur me 14 , 15 dhe 16 gusht.

“Shqiptarët kanë organizuar dhjetëra protesta në të gjitha qytetet europiane dhe të Amerikës dhe kudo ku jetojnë. Kemi parë një pushtet që I detyruan shqiptarët të largoheshin . Ne do jemi këtu për të bërë Shqipërinë e Re. Ne jemi lodhur duke ikur dhe kemi vendosur që të jemi këtu. Në këto 68 ditë kemi parë se sa e madhe është fuqia e bashkimit e solidaritetit”, tha ajo. gsh

“Diaspora ka bërë 300 protesta deri tani”- Studentja nga Gjermania: Nga 14-16 gusht do jemi këtu të bashkuar për revolucion dhe për Shqipërinë e re!

Një vajzë e re studente shqiptare në Gjermani, deklaroi nga podiumi i protestës në ditën e 66-të të saj se askush nuk e mendonte se rezistenca qytetare do vijonte kaq gjatë, edhe me mbështetjen e Diasporës.

 

Ajo deklaroi se deri tani në Diasporë ishin mbajtur të paktën 300 protesta dhe 10 prej tyre në Mynih. Ajo shprehu mbështetjen e plotë për protestuesit, deri në realizimin e qëllimit për një Shqipëri të re.

“300 protesta të mbajtura deri tani në diasporë. Vetëm në Mynih janë mbajtur deri tani 10 protesta. Diaspora është me ju, keni mbështetjen e saj”, tha ajo.

Studentja lajmëroi se edhe në datat 14-16 gusht emigrantët do të jenë masivisht në Tiranë për të protestuar kombëtarisht.

“Në datën 14, 15 e 16 do të jemi këtu me diasporën në shesh së bashku. Do të jemi këtu për Shqipërinë e re dhe revolucionin tonë. Jemi të gjithë bashkë për të sjellë Shqipërinë e re. Na duhen njerëz me dinjitet dhe ne jemi njerëz me dinjitet. Ne po e bëjmë revolucionin tani, Shqipëria nuk ka parë ndonjëherë që për 66 ditë të mbahet protestë dhe marshim, jemi bashkë”, përfundoi studentja thirrjen e saj publike. Panorama

“Rama i ka ditët e numëruara” Diaspora zbarkon më 1 gusht në Tiranë, paralajmërohet protestë masive, kërkesë e panegociueshme mbetet dorëheqja e kryeministrit

Lëvizja qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë zhvilloi dje protestën e saj të 61-të radhazi, duke vijuar mobilizimin e përditshëm në Tiranë.

Gjatë tubimit, organizatorët përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa njoftuan se protesta e radhës, e planifikuar për nesër, më 1 gusht, pritet të jetë një protestë kombëtare me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe të diasporës shqiptare.

Sipas njoftimeve të shpërndara nga komunitetet e diasporës në rrjetet sociale, protesta do të zhvillohet në Bulevard, ndërsa shqiptarët brenda dhe jashtë vendit janë ftuar t’i bashkohen tubimit.

“Ka nisur numërimi mbrapsht. Vrisni frikën, merrni pjesë në protestë. Rama i ka ditët e numëruara”, ishin thirrjet e bëra dje në protestën para Kryeministrisë.

Organizatorët kanë bërë apel për pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e 1 gushtit, duke e cilësuar atë si një nga mobilizimet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, ndërsa theksojnë se pjesëmarrja e diasporës do të jetë një element kyç i tubimit. bw

“Rama i konsumuar politikisht, harroi se si godiste policinë dikur”, aktivisti paralajmëron kthimin e tretë të diasporës: Protesta të fuqishme, pjesëmarrje edhe më masive

Teksa sot mbahet protesta e 57, aktivisti shqiptar i diasporës së Londrës, Bledar Meti, paralajmëroi një kthim të tretë edhe më të fortë të shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve shqiptare. Në një intervistë për emisionin ‘News24 fundjavë’ me Megi Latifin, Meti tha se do të vendoset se kur do të jetë organizimi në fjalë, në gusht apo shtator.

Ai tha se Rama është konsumuar politikisht, duke u ndalur te disa skandale të ish-ministrave të tij apo dhe te ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Aktivisti shtoi se Rama nuk ka tagër moral.

“Kthimi i tretë do të jetë më i organizuar, me pjesëmarrje më të madhe. Do të asistojmë në një kanalizim institucional. Jemi në dilemën, cila do të jetë më efikase, gushti, apo shtatori. Këto pushime për Diasporën, do të jenë festë dhe protestë. Nuk e shmang dot faktin se janë përpjekur që të na hyjnë në çdo organizim që kemi bërë. Është evidentuar që Tirana të na krijojë pak përçarje. Kemi arritur që të evidentojmë pjesë private të organizimeve tona. Janë publikuar takime shumë të ngushta, pasi kemi qenë 400 veta. Aty ka pasur dhe njerëz që ia kanë shitur shpirtin djallit. Janë përpjekur që të na baltosur, por nuk ia dalin dot. Janë përpjekur që të na hyjnë të na krijojnë përçarje, por nuk do të ndodhë! Ky do të jetë kthimi, e treta dhe e vërteta. I gjithë ky grupim duhet të jetë më i organizuar. Shqiptarë, qëndroni. Shqiptarët e diasporës po punojnë për të ardhur dhe për të qenë gjatë jush. Gjatë gushtit, iu kemi bërë thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen protestës. Festë dhe protestë dhe protestoni.”, tha ai.

Ndërsa shpjegoi se për portalin po merren edhe mendime të diasporës dhe grupeve të interesit në të gjithë botën ku ka shqiptarë. . “Në Britani kemi marrë një mendim dhe përfshirje për zhvillimin e portalit me diasporën dhe me aktorë konkretë, intelektualë, përsona që përfaqësojnë aktorë me rëndësi. Sepse gjithpërfshirja duhet të jetë transparente, nga Australia në Kaliforni dhe më gjerë në të gjithë botën, për t’i dalë zot atdheut”, tha Meti.


Send this to a friend