Aktivisti shqiptar që jeton në Londër, Artan Daci, duke komentuar protestën për largimin e qeverisë, deklaroi se shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe tashmë nuk kanë më frikë që të ngrihen kundër sistemit politik.
Në një intervistë për News24, ai theksoi se qytetarët duhet të jenë të gjithë të bashkuar për të bërë të mundur largimin e qeverisë së Ramës dhe çrrënjosjen e sistemit politik që ai e cilësoi si të korruptuar.
“Është diçka shumë e bukur që ka ndodhur se po kthehemi kundër një sistemi politik të korruptuar dhe të gjithë janë ndërgjegjësuar. Iu ka dalë frika kundrejt sistemit. Kjo protestë ka dhënë frymëzim njerëzve që të kërkojnë drejtësinë e tyre kundrejt sistemit. “, tha ai.
Ai foli edhe për organizimin që po bëhet për pjesëmarrjen e diasporës më 12 shtator në shesh. Aktivisti tha se po organizohen që protesta të marrë një ritëm tjetër, duke shtuar se është i nevojshëm përshkallëzimi.
“Zoti Rama nuk dëshiron ta japë dorëheqjen, por duke u bashkuar do të ketë të vështirë të qëndrojë. Sa më shumë të jemi, aq më e vështirë do të jetë për të. Ne po organizojmë që protesta të marrë ritëm tjetër dhe jo vetëm në darkë para kryeministrisë. Duhet përshkallëzim dhe të ketë qëndresë. “, shtoi ai.
Sipas tij, dorëheqja e Ramës është e afërt.“Rama nuk e ka shumë të gjatë. Unë besoj këtë sepse shikohet në 93 ditë protestë nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Shqipërisë diçka e tillë. Edhe me ardhjen e shtatorit e diasporës, do të ketë impaktin e saj dhe besoj se do të jetë shumë e vështirë për kryeministrin që të mbajë postin e tij.”, tha aktivisti.