Nga kolltuku i pasagjerit kryetari i GPS, Balla lexoi mbi telefon një reagim rreth vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për masat disiplinore ndaj gjashtë deputetëve të PD gjatë dhjetorit të kaluar. Leksioni ligjor në lëvizje që ishte formuluar si një reagim që u përshkua në ankthin e një trafiku rruge plot gropa të segmentit Tiranë-Kamëz, ku Taulanti shpjegoi se ç’ është autodichia*. Thelbi i së cilës për të mbeti shprehimisht:- “Në këto raste vepron parimi i autodichia-s, pra që janë organet e vetë parlamentit që gjykojnë veten dhe askush tjetër. Përjashtimet duhet të parashikohen shprehimisht në Kushtetutë apo në një ligj të posaçëm. Ndryshe nuk i hyn dot brenda gardhit.”
I tëri ky shpjegim në pak më shumë se 2 minuta jep pikërisht konceptin me të cilin individët që drejtojnë parti shtetin e qeverisin vendin janë mazhoranca numerike me forcën e kartonit që fshin kuptimin e pluralizmit parlamentar. Ai rëndohet më tej kur fakti kërkon të mbulohet edhe me shembuj nga institucione legjislative perëndimore të cilat nuk preken nga gjyqësori.
Pyetja që shtrohet është se:-Kjo pavarësi vjen nga përvoja dhe integriteti i institucioneve, jetëgjatësisë së marrëdhënieve të institucioneve në një sistem demokratik apo nga presioni i korrupsionit dhe i krimit që i influencon dhe i detyron ligjbërësit të rrethohen me paprekshmëri nga veprimet dhe akuzat?
Duke e përfunduar reagimin me pyetjen që ja mbyll gojën kundërshtarit dhe publikut kur Taulanti shprehet se:-“Tani kush do reagojë, KLGJ, ILD apo shoqatat?!”, këtu kuptohet qartë se qëndrimet e politikës në pushtet kanë ndërtuar jo vetëm gardhin, por atë që edhe ligjet që ata po i bëjnë janë fortifikime për të mbrojtur veten dhe korrupsionin.
Mos e shihni thjeshtë Taulantin se ka bërë një lapsus teknik kur thotë:-… Autodichia . Shihni më parë mendësinë e tij se deri ku shkon. Me kryeministrin që ndodhet në Samitin e Barcelonës ku janë mbledhur progresistët e majtë nga njëra anë dhe me Ministrin e Jashtëm në Forumin Diplomatik të Antalia-s nga ana tjetër, Taulant Ballën shiheni më thellë se ai ka lirinë brenda segmentit Tiranë-Kamëz e kthim që të shpalosë jo vetëm gafat ligjore e politike, por edhe ato civile me shkeljen e rregullave administrative, në emër të aktivizmit politik dhe pëlqyeshmërisë ndër militantë në zonat ku ai zhvillon takime.
A nuk janë zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, një mundësi parandaluese e aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës?
Pra kështu pretendohet se respektohen rregullat dhe jemi ‘të gjithë janë të barabartë përpara ligjit’.
______
*Autodichia – vetë gjykim, një shprehje e autonomisë vetëqeverisëse, që siguron se subjektet e jashtme, përfshirë gjyqësorin, të mos ndërhyjnë në punët e brendshme.
*rripi i sigurisë – Pika 8. e Nenit 170 të Kodit Rrugor të RSH– Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit për fëmijë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5000 (pesë mijë) deri në 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë. Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij fëmije. Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.
18 Prill, 2026


























Rinia rilindi shpresën
Së fundmi kanë nisur protestat e të rinjëve e që po vazhdojnë të nxisin fjalë, reagime, veprime në shumë drejtime. Kanë ngrohur e po ngrohin qeniet tona që ka kohë që i ka pushtuar plogështia e shoqëruar me ngrica dhe acar. Reshat Kripa e ndjen këtë ngrohtësi nga zjarri i ndezur i revoltës së sotme duke kujtuar vrullet e kohës së rinisë së brezit të tij me fjalët që bashkojnë breza e gjenerata të tëra shqiptare: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Paolo Coelho thotë diku se një luftëtar drite nxit veten dhe të tjerët për të vepruar. Shumë gjëra janë thënë, përpjekje janë bërë e po bëhen, gjurmë e shenja kanë mbetur e do mbesin, shumëçka është shkruar e po shkruhet për rolin e moshës së mesme që duket të jetë ura që qëndron mes brigjeve të fëmijërisë e pleqërisë. Kimete Berisha derisa shkruan për protesën e sotme në Tiranë, përmend edhe protestat tona të këtej gardhit. Dhe lutet për një njeri që nga traktori u hidhte lakra e i këshillonte ta mbanin shpirtin edhe me to. Dhe na bije ndër mend se një pjesë e mirë e jetës sonë na ka shkuar edhe protestave. Ato që si fëmijë i mbajmë mend që nga viti 1989 e edhe pas vitit 1999 s’kanë reshtur organizimet, grevat, protestat për të pagjeturit e të pakthyerit e luftës, pastaj kundër ndarjes së urës mbi Ibër, kundër marrëveshjeve e planeve të hapura a të fshehura, kundër privatizimeve e lloj-lloj padrejtësie që na erdhi na të huajt a nga tanët, a nga kombinim strukturash e klanesh. E gati gjithëherë të pakënaqur me rezultatet. “O, vend gërmadhash, në ty shembej çdo gjë, /ç’dhembje nuk shprehe, ç’dhembje nuk të vërshen!”, janë vargje të poezisë “Këngë e dëshpëruar” të Pablo Nerudës. Dhe kthehemi te studentët që duan dhe po mundohen të mos i lënë të korruptuarit (o)pozitarë e të gjitha krahëve qofshin të mos infiltrohen. Këtë drojë e shfaqi edhe Shinasi Rama në një shkrim të tij duke paralajmëruar studentët se beteja nuk është aspak e lehtë dhe partitë e sotme për të ruajtur pushtetin që e ndrrojnë me rotacion do të bëjnë ç’është e mundur që këtë pakënaqësi ta fusin qorrsokaqeve, dhe do të ishte ogur i mirë sikur kjo protestë të shpiente kah rrugëzgjidhjet e drejta e të vërteta në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Diku tjetër, në një faqe të dikurshme të gazetës “Çlirimi” shohim poezinë me titullin “Apel” të François Hirsch që fillon: “Rini, /Juaja fuqi kujt mund t’i vyejë/Nëse mëmëdheu loton/E zemrën tuaj peshë s’e çon”, dhe poezia vazhdon t’i drejtohet rinisë të jetë e pakompromis në luftën kundër padrejtësive e tiranisë. Ndërsa në një intervistë Hysamedin Feraj thotë se protesta s’është partiake por është politike kurse partitë janë antipolitike e të përpiqemi dhe të urojmë në suksesin e studentëve që vendin tonë nga të pajetueshëm t’ia kthejmë jetën e mirëqenien, përfundon Feraj. Nuk po dijmë çka të marrim nga poezia e Rexhep Hoxhës:”Rinia, ajo e diellit”, megjithatë po shkoqisim këtë strofë:
“M’bie n’mend rinia e Skënderbeut,/Ajo që në zemër ka plot guxim;/Ajo që t’zezat i zhbin prej dheut,/Ajo që t’drejtën ka për parim./”Dhe po vëmë dhe ca fjalë të Lazër Shantos që i pamë: “Nji zemër studentit sot qi nuk asht e zoja për sakrificë, o do të thahet o do të pelsasë”. Kjo shpresë që rilindi na bëftë që të hyjmë në një vit të mbarë. Protesta kumbon, protesta vazhdon…