Gusht 2021, Prishtinë
1.
Ideja e marrëveshjes historike me Serbinë është më e vjetër se pavarësia e Kosovës. Fill i saj shkon herët. Qysh në plenumin e IV të LK të Serbisë, maj 1968, Dobrica Qosiqi parashestonte kirurgjinë gjeopolitike. Ndërkaq pas vitit 1981 do të shpallte hapur prerjen e trupit të saj.
Një kompromis ose “Fauler-kompromis” (i ndyrë) rezultoi dhe pjesë e bisedave të tij, tashmë President i Jugosllavisë së tretë, me përfaqësues e të dërguar amerikanë në fillimvitet 90-të, të turbullta si vetë horizonti i Kosovës.
Në një prononcim lamtumirës, ambasadori amerikan Zimmerman, mbështeste “autonominë substanciale”. Por në takime pune, si do rrjedhojë më pas nga rrethi i Qosiqit, preferonte ose status federal ose ndarje të Kosovës. Dhe pjesa shqiptare pastaj do kishte të drejtën e bashkimit me Shqipërinë. Gjatë luftës do të rreshtohej kundër bombardimit dhe, në revistën “National Interest”, përsëriste tezën, tani pak të reviduar: vetëm ndarjen e Kosovës!
Rikoncipimin e Jugosllavisë së tretë, ku Kosova do ishte subjekt i tretë konstituiv brenda një Serbie federale, në fakt, më parë se ai do t’a hidhte të dizajnuar në tregtizën politike Ivan Gjuriq. Ishte viti i largët 1990 dhe profesori parisien i historisë kandidonte për president në farsën e zgjedhjeve shumëpartiake të Serbisë.
Por dhe kjo thirrje do t’kalojë shurdhër ndër ata që, dhjetë vjet më vonë, do të firmosnin kapitulimin e Kumanovës.
Pastaj, sipas burimeve serbe që i referohen shefit të kabinetit Ivan Mërkiq, Eprori Qosiq do ia prezantonte idenë e vet të hershme Millosheviqit. Madje me sugjerimin se për këtë, viti 1992, paskësh bërë dhe një dakordësi preliminare me Ibrahim Rugovën. Por pa e vënë akoma në tryezë statusin e fundmë të Kosovës. Ndarja, botuar dhe në gazetën italjane “Limes” (po ky vit, 1992) do ishte: tridhjetë përqind e territorit (zona lindore e qendrore) do mbetej në Serbi, e pjesa tjetër shqiptarëve.
Kurse (sa fisnik zotnia!) Stiven Majstoroviq, politolog në Universitetin e Kolorados, në flakën e luftës, viti 1998, tregohej më dorëlirë: serbët do mjaftoheshin vetëm me një të katërtën e territorit të Kosovës së ndarë.
Ndërkaq, rikthimi i idesë pas një dekade, do të bëhej shkak i rëniës së Atit shpirtëror serb. Sllobodani që kishte prekur qiellin e fuqisë politike, doli kundër saj dhe konstelacioni i forcave kje i tillë që ai të fitonte.
Ndërkohë, anipse koncept i rrëzuar, eksperti i urbanistikës, akademiku Branislav Kërstiq ngulmonte. Tashmë kishte gatitur dhe skicëplanin e ndarjes që bënte Kosovën copë e grimë.
Ishte viti i prakluftës 1996
dhe (sërish sipas shtypit serb të kohës) fuqimëdhenjtë ndërkombëtarë hodhën poshtë mundin e tij. Por ai, konzistent e i tronditur për humbjen, do shfaqej sërish në vitin 2001. I ndjekur më pas nga historiani e diplomati D. Batakoviq, tani pledonte një zgjidhje të moderuar: kantonizimin zvicëran të Kosovës, por gjithnjë brenda Serbisë. Porse bashkë me ta, do vdisnin dhe planet e tyre të pafat…
2.
Pastaj ndodhi lufta. Dhe shqiptarët menduan: në vend të tokës, dhamë gjakun si tagër për pavarësinë. Mirëpo, për kanceleritë e mëdha kalvari, morti, gjaku e lotët janë romantikë. Nuk lëvizin dot lokomotivën e rëndë a rezonin akullor të tyre.
Të zgjëruar tri herë në hapsira jetike të popujve përreth (si pohon vetë transmigruesi Drashkoviq, ky shoven i errtë e liberal mashtrues), serbët kishin absolvuar këtë shkollë. Brutale dhe e padrejtë gjithsesi, por kjo është bota.
Ndaj dhe do rifillonte turri, tashmë i vështirë e deshpërues, për t’a mbajtur a reintegruar Kosovën ku ishte shuar e delegjitimuar shteti serb.
Konferenca e sigurisë për Europën juglindore që mbahej në Belgrad, viti 2001, kje rast i mirë. Dhe koordinatori i Zyrës për Kosovën N. Çoviq, i pari pas luftës, hidhte në qarkullim projektin e Kosovës dy-entitetare.
Këtë dëshmonin dhe depeshët që publikonte Wikiliks i vitit 2010. Aty thuhej se diplomatët amerikanë ishin vënë në dijeni me intencën e liderëve belgradas: serbët në veri të Ibrit nuk duan dhe nuk njohin autoritetin shtetëror të Prishtinës.
Ishte Premieri Xhinxhiq, një skofjar i rremë europeist, i vrarë më vonë nga “beretat e kuqe”, që do ndiqte gjurmët e pararendësve. Tre vjet pas zbarkimit çlirimtar të aleatëve i shkruante me ngut një Letër Premierit brit Tony Blair. Ishte i shqetësuar. Koha nuk priste. Po etablohej shoqëria dhe shteti i Kosovës…Pokështu dhe Presidenti Tadiq, babai i të cilit, filozofi Ljubomir thoshte me cinizëm pas pranverës së madhe të 81-shit: ligji i shkak-pasojës mëson se shqiptarët janë fajtorë për fatkeqësinë e vet.
Dhe të dy, në kohë të ndryshme, do riaktivizonin idenë e njëjtë që mendohej e arkivuar: kërkonin njësi të përbashkët politike që do përbëhej nga dy Enitete barazisht sovrane. Por, ngjashëm me federatën kroato-boshnjake, përherë brenda shtetit të Serbisë.
Ndër vite më pas, mbretëroi një heshtje dhe, mbase, një çorientim taktik serb.
U desh kohë që, e skajuar pak nënujshëm, ideja e ndarjes së Kosovës të shfaqej në syprinë. Kryediplomati serb Daçiq, maj 2011, në intervistën për “Zërin” e Prishtinës, artikulonte sërish formulën e kompromisit me shqiptarë që përfshinte elementin territorial. Keqpritja në Berlin bëri që kolegët e partisë së tij t’a quanin interpretim të gabuar. Ai kishte kërkuar vetëm linja përkufizimi etnik. Veçse sërish, tërë Kosovën brenda Serbisë..!
Nga serbët nuk ishte e papritshme. “Alfabeti shpirtëror” ngjante një truk. Një mit i shpifur. Ata i sëmbonte një humbje tjetër: pasuritë e Kosovës. Si shkruante dijetari i fushës, Dragan Cvjetiçanin, rezervat e saj të thëngjillit do t’i mjaftonin Serbisë për njëzet shekujt e ardhshëm.
Por, për çudi, përpjekjeve dhe skenarëve serbë i bashkohej me të zbritur në Prishtinë dhe Bernard Kushner, administratori i parë i OKB-së në Kosovë. Pa vonuar, ai do të involvohej në diskursin e ringjallur të tyre: propozonte kantonizimin e Kosovës. Por ndërhyrja e tij u hodh poshtë. Nuk përkonte me vizionin e atëhershëm të ndërkombëtarëve për një Kosovë unitare.
Sado fjalëbutë e i ndjeshëm, francezi nuk dilte dot nga skema e vjetër. Fjalia e famshme e vartësit të Gertrude Bell: “tmerrohem për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë”, nuk i prishte gjakun.
Republikë e barabartë në Jugosllavinë e tretë “të Zhablakut”, ishte opcion i pranueshëm edhe për shqiptarët e Rezistencës së armatosur. Mirëpo me një ndryshim: pa entitete tjera serbe brenda saj.Teksa nisej për Rambuje, anëtari i dërgatës që i përkiste formacionit të luftës, J. K., i pyetur për këtë alternativë, thotë: po, si jo! Megjithëse kundruar nga distanca e sotme, paksa realiste atëherë, ishte e habitshme shpejtësia e përgjigjës e, sidomos, toni entuziast i saj…
3.
Që këtej pra, logjika pragmatike amerikane këso herë, dikton: Kosova u shkëput prej Serbisë. Por, për të kompletuar fizonominë e re ballkanëse si hemisferë përendimore, duhet të shkëputet dhe Serbia prej Rusisë. E kjo ka një çmim. Serbët, më kthjelltë se askush, e dinë këtë. Dhe këtë çmim është Kosova që duhet të paguaj: ose pjesë nga sovraniteti unitar ose pjesë nga territori i saj.
Dilemë e vështirë. Vdekshëm e tillë.
Ndaj dhe gjendemi sërish te kushti dramatik: gjaku s’paskësh qenë i mjaftë. As vaji. Shnjerëzimi i femrës shqiptare. Të zhdukurit pa emër e varr. As qelekullat e reja, tashmë, të nëndheshme gjithandej tokës armiqësore.
Pavarësia, vetëjetesa e lirë, kërkon flijim të ri: ose humbje trualli ose shtet hibrid bikomunitar. Një kohë mendoja se ishte optimale zgjidhja e parë. Thjeshtë nuk dua Serbi në Kosovë! As sot, as n’mot dhe askurrë.
4.
Mirëpo, me gjasë, karta serbiane është më e keqe se dyshimi dhe më e fshehtë se loja e politikës shqiptare.
Thërrime nga platforma, elaborate e doktrina të mëhershme vijnë vrânshëm drejt nesh. Thika e skicave të atëbotshme ngulej thellë deri në Prishtinë, në lindje dhe deri në Pejë, në perëndim, duke prerë gati gjysmën e saj.
Po tani?
Edhepse gjithçka është mister, Belgradi, me gjasë, ka Letrën e parë dhe Letrën e dytë.
Ndërsa e para, maksimaliste, kërkon njëj forme radikale të dyjat bashkë: rrëmbimin e tri qyteteve të veriut e, njëkohësisht, Entitet serb në juglindje të Kosovës dhe ngjashëm me Athosin, “republikë të murgjëve” për kompleksin e objekteve të kultit ortodoks.
E dyta, ndërkaq, parasheh copëtimin e moderuar dhe shpërbërjen e brendshme të Republikës (në gjurmë të planimetristit Kërstiq, përfshirë shëmbullin e Athosit, prapë), që nuk do ishte më as unitare dhe as shqiptare…
Porse, siç doli nga takimet e fundme me ndërmjetësin Lajçak, Presidenti serb do të kthehej sërish disa vite pas. Propozon zgjidhjen e arnuar: Kosova e ndarë entitetesh, do ishte një Republikë autonome e tipit sovjetik brenda Serbisë.
Kurse, keqardhshëm them se Letrat e vjetra të Kosovës ishin fluide, të hallakatura e plot mjegull. Qoftë dhe si përfundim intuitiv, spekulim, supozim a pëshpërimë..!
E, m’anë tjetër Letrat e reja e kanë të vështirë të kthejnë gjithçka në pikëfillimin e bisedimeve. Aherë kur Kosova akoma kishte rol në tavolinë. Kohët janë të liga dhe qeni i keq, tashmë, ka sjellur ujkun në shtëpi!
Në fund fare, sidoqoftë, kujtoj tri fakte interesante që, disi, rrëmojnë brenda oborrit serbian.
Në zjarrin e luftës, viti 1998, Zoran Angjelkoviq, kryetar i të ashtuquajturit “Këshill provizorial i Kosovës e Metohisë”, luste delegacionin rus që t’a konsiderojë seriozisht ndarjen e Kosovës. Përgjigja që mori ishte zhgënjyese: tani është tepër vonë!
Mandej, së dyti, e besoj realizmin historik të autorit të romanit “Koha e vdekjes”. Në intervistën e fundit para se të ikte nga kjo botë D. Qosiq, flet: çështja e Kosovës është zgjidhur. Humbëm luftën me shqiptarë. Ajo mbetet gjasë e shekujve që vijnë. Nëse ndonjëherë…
Dhe, së mbrami, V. Kostiç kryetar i Akademisë serbe të shkencave e arteve, para një kohe, ndërsa dëgjoheshin tone e këmbana lufte, do thërriste i brëngosur: një luftë e re do ishte lufta e fundit e serbëve në histori…
Megjithatë, pabesi kudo. Shqiptarët, të tërë kombëtarisht, duhet të jenë më unikë e të zgjuar se kurrë. Arkitekturës së re gjeopolitike, ngjizur në fund të mijëvjeçarit, i bëhen tani matjet dhe latimet e fundit epokale.
R. K.
Komentet