VOAL

VOAL

Studiues shqiptarë e amerikanë dhe politikanë të opozitës diskutojnë për krizën shumëplanëshe në Shqipëri

May 15, 2020

Komentet

Të tallur dhe të dhunuar: Kriza e thellë e bullizmit në shkollat shqiptare

Bullizmi nuk është një fenomen i ri për sistemin arsimor shqiptar, por forma e tij ndryshoi gjatë periudhës së pandemisë, duke targetuar mijëra fëmijë në rrjetet sociale dhe në grupet e nxënësve në internet.

Nga Ermelinda Hoxhaj, BIRN

Aida [nuk është emri i vërtetë] nuk ia fal vetes që nuk e kuptoi momentin kur e bija nisi të thyhej. Ajo ndryshoi sjellje dhe ra nga mësimet në vitin e parë të gjimnazit, por nëna e saj i mësoi problemet vetëm pasi 15-vjeçarja tentoi të vriste veten.

“Kur e kam gjetur në shtëpi pa ndjenja se kishte konsumuar qetësues, nuk di ta përshkruaj frikën, ndjenjat që më kaluan ato çaste,” tregon gruaja nga Fieri në kushtet e anonimatit.

Aida tregon se e bija kishte tentuar t’i bënte keq vetes, pasi ishte targetuar me komente tallëse në rrjetet sociale dhe në grupe nxënësish për shkak të pëlqimit ndaj një shoku të klasës. Ajo është vetëm një nga mijëra viktimat e identifikuara të bullizmit në sistemin arsimor të Shqipërisë.

Mësues, psikologë dhe punonjës socialë të intervistuar nga BIRN flasin për një krizë të bullizmit në shkollat shqiptare, ku rastet e raportuara janë trefishuar gjatë viteve të fundit, ndërsa mijëra raste të tjera mendohet se kalojnë në heshtje dhe pa u trajtuar.

Bullizmi nuk është një fenomen i ri dhe çdo brez në Shqipëri është përballur me historitë e veta të dhunës psikologjike dhe fizike në moshën e fëmijërisë apo adoleshencës.

Megjithatë, ekspertët flasin për një formë të re që lulëzoi në periudhën e pandemisë; bullizmi i kohëve të fundit është zhvendosur nga korridoret e shkollave në rrjetet sociale apo grupet e aplikacioneve online – çka vështirëson identifikimin dhe trajtimin e duhur të rasteve.

“Ajo që kam vënë re është se [bullizmi online] ka rritje vitet e fundit dhe i referohem periudhës së pandemisë që e kishim çdo gjë online. Që nga ai moment është edhe më i fortë si fenomen,” thotë Majlinda Ziu, drejtoreshë e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë.

“Shpesh krijojnë grupe Whatsapp, pavarësisht atyre grupeve të shkollës, apo në rrjete sociale.  Hapin faqe për të bërë presion,” shtoi ajo, duke theksuar se bullizmi kalon më pas nga bota virtuale në atë realen.

Trefishim rastesh

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkruan bullizmin si një shqetësim madhor të shëndetit publik dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve. Agresioni i vazhdueshëm psikologjik ose fizik sipas OBSH shkakton pasoja serioze në edukimin dhe shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Raportet tregojnë gjithashtu se fëmijët që janë subjekt i bullizmit performojnë më keq në mësime dhe mund të vuajnë nga ankthi, frika, stresi emocional, pagjumësia dhe dhimbja psikosomatike. Fëmijët e bullizuar kanë gjithashtu rrezik të shtuar për sjellje vetëvrasjeje.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi nga katër drejtoritë rajonale të arsimit Parauniversitar tregojnë një trefishim të rasteve të raportuara të bullizmit përgjatë pesë viteve të fundit në Shqipëri.

Nga 327 raste të raportuara në rang vendi në vitin 2019, numri u rrit në 1077 raste në fund të vitit 2023. Në total, rreth 3 mijë raste të bullizmit janë raportuar në katër drejtoritë rajonale të Durrësit, Korçës, Fierit dhe Lezhës gjatë viteve 2019-2023.

Rreth 60% e rasteve u regjistruan nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, e cila mbulon edhe shkollat e Tiranës me numrin më të madh të nxënësve në rang vendi.

Sipas drejtorive arsimore, rastet e bullizmit janë bërë më të vështira për t’u adresuar, pasi e kanë zanafillën e tyre te konfliktet në rrjetet sociale.

“Ndërveprimet negative të shpërndara në mënyra të ndryshme, përfshirë situatën e bullizmit në rrjete sociale dhe mesazhe të dëmshme online, ka bërë që kjo dukuri të ketë ndikim në klimën e shkollës dhe sjelljes së nxënësve,” i tha BIRN drejtoria rajonale e Durrësit.

Bullizmi online është kthyer tashmë në një fenomen shqetësues edhe për Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Lezhë.

“Adoleshentët janë më të prirur për të përjetuar bullizmin në rrjetet sociale, përfshirë fyerjet në internet, shpërndarje të imazheve të turpshme apo përjashtim nga grupet online,” tha ajo.

Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt, e ngritur nga organizata CRCA Shqipëri raporton gjithashtu një rritje galopante të rasteve të bullizmit online në raport me format e tjera të abuzimit me fëmijët dhe adoleshentët.

Dhjetë vite më parë, bullizmi online zinte vetëm 2% të raportimeve në këtë platformë, ndërsa aktualisht zë 33% të rasteve.

“Çështja e bulizmit online është kthyer në problemin më shqetësues tek fëmijët,” thotë Altin Hazizaj, drejtues i CRCA Shqipëri. “Ato që arrin të kapë sistemi janë vetëm maja e ajsbergut,” shtoi ai.

‘Fuks, spiun, çun mami’

Adelina Pjetra është psikologe klinike në Tiranë dhe thotë se trajton rreth 100 raste të fëmijëve apo adoleshentëve të bullizuar përgjatë një viti. Ajo beson se rastet më të shumta janë të paraportuara.

Pjetra thotë gjithashtu se prindërit u drejtohen specialistëve për ndihmë vetëm atëherë kur situata është tepër e rënduar.

“Vijnë kur është pika finale. Prindërit bëhen alert kur ka një tenativë për vetëvrasje, kur fëmija i tyre ka tentuar t’i bëjë dëm vetes. Rrallë ka familje që kërkojnë ndihmë më herët se sa kjo situatë,” theksoi ajo.

Mënyra si përjetohet bullizmi sipas psikologëve është e ndryshme; dikush e kalon me ankth të shtuar, dikush ka pagjumësi të theksuar dhe të tjerë shfaqin forma të çrregullime të të ushqyerit. Ata apelojnë që prindërit duhet të jenë më të kujdesshëm për të diktuar ndryshimin e sjelljes së fëmijëve të tyre që në fazat e para, në mënyrë që edhe trajtimi të jetë më i shpejtë.

Lediona Asabella, punonjëse sociale në gjimnazin “Besnik Sykja” në Tiranë, thotë se shumica e rasteve që ajo trajton e kanë burimin te prishja e miqësive – e cila kthehet më pas në një mjet shantazhimi mes adoleshentëve. Armët që ata përdorin kundër njëri-tjetrit janë sekretet, të cilat i hedhin më pas për konsum nëpër rrjetet sociale.

“Rastet më ekstreme i kemi në faqet virtuale, ku një numër i madh dhunohet, ofendohen në mënyrë kolektive. Pra ku nuk ka emra se kush po e bën. Hapin faqe, se adoleshentët janë mjeshtra për teknologji,” thotë Asabella.

“Kjo është forma më e rënduar tani dhe shumë e përhapur,” shtoi ajo.

Mësuesit theksojnë se bullizmi nis të shprehet në moshën 12-13 vjeçare dhe disa prej problematikave mbarten nga shkolla 9-vjeçare në gjimnaz.

“Sepse dëshira për t’u dukur, për të shfaqur veten dhe për të dominuar grupin nis që në klasë të 7-të,” tha Ziu nga gjimnazi “Sami Frashëri”.

Ajo thotë se oficeri i sigurisë merr informacion për këto konflikte përpara se nxënësit të regjistrohen në gjimnazin e drejtuar prej saj dhe në raste të problemeve njoftohen menjëherë prindërit dhe punonjësit e sigurisë.

Megjithatë, nuk mungojnë rastet kur bullizmi prek edhe mosha më të vogla.

Vitin e kaluar, një djalë 11-vjeçar u targetua nga shokët e tij të klasës në një shkollë të Tiranës, pasi i tregoi prindërve se njëri prej tyre kishte ardhur në shkollë me një thikë. Prindërit i treguan mësueses për situatën, por pasojat i vuajti djali i tyre.

“Fuks, spiun, tradhëtar, çun mami ishin vetëm disa nga epitetet që përdoreshin kundër tij,” tregon e ëma.

“Aq kritike u bë situata sa djali nuk donte të shkonte më në shkollë, në klasë rrinte vetëm.  Nisi makthe natën, qante,” shtoi ajo, duke theksuar se për këto fenomene nuk janë të përgatitur as prindërit dhe as sistemi arsimor.

Problemet e familjes  

Ekspertët bien dakord se kriza në sistemin arsimor reflekton në njëfarë mënyre edhe krizën e familjes shqiptare pas një periudhe prej 3 dekadash tranzicion. Problemet e mëdha të dhunës në familje, divorceve, gjendjes së keqe ekonomike apo emigracionit reflektohen gjithashtu te sjellja e fëmijëve.

Punonjësja sociale, Lediona Asabella i tha BIRN se në gjimnazin e saj ka shumë fëmijë që punojnë, që rriten me gjyshërit ose që janë sjellë në Tiranë për një sistem më të mirë arsimor – por që u mungon autoriteti prindëror.

“Kemi shumë raste të nxënësve që rriten me gjyshër, të cilët nuk i kontrollojnë dot dhe mungon autoriteti i prindit, se mund të jenë të divorcuar apo në emigrim,” tha Asabella.

“Ka pasur raste që prindërve u kam sugjeruar që t’i marrin fëmijët, t’i mbajnë pranë vetes, se është më mirë në një qytet të vogël dhe në kujdesin e tyre, sesa në një qytet të madh dhe pa kujdes,” shtoi ajo.

Edhe Majlinda Ziu nga gjimnazi “Sami Frashëri” vëren se prindërit nuk kanë shpeshherë informacione për problemet e fëmijëve të tyre, pasi janë të zënë me punët apo problemet e tyre. Në mungesë të tyre, nxënësit mbushin orë të gjata me rrjetet sociale dhe u drejtohen shokëve të tyre për modele, që mund të jenë të gabuarat.

“Ka prindër që vinë në shkollë dhe befasohen dhe thonë që s’e kam parë këtë anë të fëmijës. Ndaj kontrolli prindëror duhet të jetë shumë i fortë, sidomos sa i përket raportiti që ka fëmija me teknologjinë. Sepse aty janë në kontakt me të gjitha rreziqet edhe me të panjohur,” tha Ziu.

Modelet e gabuara të jetës së përditshme apo të mediave sociale ndikojnë gjithashtu në personalitetin e fëmijëve. Sipas psikologes Adelina Pjetra, fëmijët i shohin shembujt e gabuar si modele suksesi dhe i imitojnë ato në jetën e tyre të përditshme.

Ndonjëherë, prindërit janë edhe vetë të varur nga rrjetet sociale, ndaj ekspertët i këshillojnë ata  që të hedhin sa më pak foto të fëmijëve në internet. Megjithatë, rastet më të vështira shfaqen ato ku agresorët janë njëkohësisht edhe viktima për shkak të dhunës së përjetuar në familjen e tyre.

“Kur i futemi me themel familjes, rezulton se janë përdorur forma dhune, forma izolimi, forma nga më të ndryshme të dhunimit të një fëmije. Dhe duke parë këtë model, ka marrë modelin që unë po bëj pak shaka me shokët e mi dhe nuk kanë përse të lëndohen kaq shumë, pasi ai vetë ka qenë i lënduar nga personat që duhet ta mbrojnë,” thotë Asabella.

Sistemi i referimit

Mbrojtja e fëmijëve dhe e të drejtave të tyre është një detyrim ligjor në Shqipëri dhe një nga strukturat përgjegjëse janë Njësitë për Mbrojtjen e Fëmijës, NJMF, të ngritura pranë secilës prej 61 bashkive të vendit.

Por këto struktura funksionojnë me staf të reduktuar, të cilët duhet të përballojnë disa shkolla njëkohësisht.

Klaudio Pulaha, punonjës social pranë linjës kombëtare për fëmijë “Alo 116” ngre si shqetësim mbylljen e shumicës së rasteve të bullizmit brenda shkollave, pa u referuar pranë Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Një drejtor apo nëndrejtor shkolle nuk është ekspert i fushës, pavarësisht dëshirës së mirë për të trajtuar rastin. Nëse një punonjës social apo psikolog, që nuk e trajton dot rastin me ato kushte dhe mundësi sa ka në shkollë, duhet ta referojë tek punonjësit e mbrotjes së fëmijëve, por nuk refrohen,” tha Pulaha.

Ai thekson gjithashtu se roli i psikologëve apo punonjësve socialë në shkolla nuk është mjaftueshëm i fuqizuar, çka sjell një nënraportim të rasteve të bullizmit.

Por Asabella nga gjimnazi “Besnik Sykja” e kundërshton këtë ide, ndërsa vlerëson se institucionet arsimore në Shqipëri janë bërë më të hapura dhe më të kujdesshme ndaj këtyre fenomeneve.

Megjithatë, ajo shton se jo të gjitha rastet mund të referohen.

“Brenda institucionit mund të mbyllen raste me më pak problematika dhe ti e ke në monitorim, sepse dhe referimi i rasteve ka disa kufizime,” tha Asabella.

“Tek NJMF-ja referohen ato rastet që kanë elementët e dhunës, shantazhit e problematikave më të rënda,” shtoi ajo duke theksuar se mungesa e qendrave të rehabilitimit e bën të vështirë trajtimin e këtyre rasteve.

Pasi e bija u bullizua deri në pikën që tentoi t’i bënte keq vetes, Aida nuk e gjeti zgjidhjen te sistemi publik, por te zhvendosja e saj në një shkollë private.

“U ndoq për kohë të gjatë me psikolog, por tani është mire. Nuk ka probleme dhe në mësime ka avancuar goxha,” përfundoi ajo.

Rekord i zi- Eurostat: Mbi 35% e të rinjve përballen me privime të rënda

Më shumë se një në 3 të rinj të moshës nga 15-29 vjeç në Shqipëri vuajnë nga privimi i rëndë material. Ky është treguesi më negativ në të gjitha vendet e Europës me një diferencë të theksuar nga vendi i parafundit.

Të dhënat janë bërë publike nga një publikim i posaçëm i Eurostat, zyrës së statistikave të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat në vitin 2021, mbi 35.1 për qind e të rinjve shqiptarë të moshës nga 15 deri në 29 vjeç vuanin nga privimi i rëndë material. Kjo është norma më e lartë në të gjithë kontinentin. Vendi i dytë me treguesin më të përkeqësuar në Europë është Romania me 23.1 për qind, ndërsa mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian është 6.1 për qind.

Shkalla e privimit të rëndë material dhe social (SMSD) është një tregues që tregon një mungesë të detyrueshme të sendeve të nevojshme dhe të dëshirueshme për të bërë një jetë të përshtatshme . Treguesi, i miratuar nga Komiteti i Mbrojtjes Sociale në Bruksel, bën dallimin midis individëve që nuk mund të përballojnë një të mirë, shërbim ose aktivitet shoqëror të caktuar. Ai përkufizohet si përqindja e popullsisë që përjeton mungesë të detyrueshme të të paktën 7 nga 13 artikuj privimi (6 të lidhura me individin dhe 7 të lidhura me familjen).

Lista e artikujve në nivel familjar:
-Aftësia për të përballuar shpenzime të papritura
-Kapaciteti për të përballuar pagesën për një javë pushim vjetor larg shtëpisë
-Kapaciteti për t’u përballur me pagesat e prapambetura (për pagesat e hipotekës ose qirasë, faturat e shërbimeve, këstet e blerjes me qira ose pagesa të tjera kredie)
-Kapaciteti për të përballuar një vakt me mish, pulë, peshk ose ekuivalent vegjetarian një herë në dy ditë
-Aftësia për ta mbajtur shtëpinë në mënyrë adekuate të ngrohtë
-Aksesi në një makinë/fugon për përdorim personal
-Zëvendësimi i mobiljeve të konsumuara

Lista e artikujve në nivel individual:
-Pasja e një lidhje interneti
-Zëvendësimi i rrobave të konsumuara me disa të reja
-Të kesh dy palë këpucë që përshtaten siç duhet (përfshirë një palë këpucë për çdo mot)
-Shpenzimi i një sasie të vogël parash çdo javë për veten e tij/saj
-Pasja e aktiviteteve të rregullta të kohës së lirë
-Takimi me miqtë/familjen për një pije/ vakt të paktën një herë në muaj.

Sipas Eurostat, 35.1 për qind e të rinjve shqiptarë kanë mungesë të paktën të 7 artikujve nga 13 artikujt e mësipërm./KAPITALI

Mirë se ju gjeta bashkguximtarë! Nga Florim Zeqa

Takimet e fillimvitit me drejtuesit e partisë GUXO në Prishtinë dhe me disa nga drejtuesit e degëve në Diasporë, ishin fillimi i negociatave dhe marrëveshjeve paraprake për rrugëtimin e ri dhe të përgashkët me këtë subjekt politik.
Janë pikëpamjet, vizioni dhe programi politik ato që na bashkojnë në rrugën e fuqizimit të ndryshimit politik të arritur më 14 Shkurt 2021, ndryshim ky, i cili e bëri ndarjen nga epoka e errët e keq-qeverisjes, katandisjes së shtetit dhe vlerave njerëzore në përgjithësi.
Kthimi kah e mbara dhe kah vlerat e mirëfillta të shoqërisë sonë është pika më kulmore e bashkrendimit dhe veprimeve tona në shërbim të shtetit ligjor dhe demokratik, në shërbim të qytetarëve dhe të gjitha etniteteve pa dallime ideologjike apo fetare.
Në radhë të parë janë shteti dhe barazia qytetare, e cila nuk guxon të nëpërkëmbet nga askush.
Në GUXO dhe me GUXO të gjithë do të jemi të barabartë, pavarësisht radhës dhe renditjes numerike. Pak do të ketë rëndësi cili është i pari, i mesit apo i fundit në rresht. Të gjithë do ta kemi të njëjtën mundësi për të kontribuar për të mirën e vendit dhe qytetarëve.
Pra, në GUXO nuk do të ketë diskriminim gjinor dhe as racor, nuk do të ketë grupe të interesit, nuk do të ketë të privilegjuar dhe as të diskriminuar, do të ketë barazi qytetare dhe prosperitet për të gjithë pa dallim.
Pra, do të ketë respektim të vlerave dhe meritokracisë në kuptimin e plotë të fjalës.
Do të çmohet dhe vlerësohet lartë puna e çdo anëtari të partisë në mënyrë individuale pa asnjë preferencë apo paragjykim. Do të merr secili atë që e fiton me punën dhe angazhimin e tij personal, e jo siq ka ndodhur deri më tani nëpër subjektet tjera, ku avancimet partiake bëheshin nga preferencat e liderit të partisë, pa i pyetur fare strukturat partiake.
Nga sot edhe zyrtarisht në GUXO
I bindur në këto vlera dhe parime të dakorduara paraprakisht me drejtuesit e partisë GUXO, unë Florim Zeqa deklarohem me sa vijon: “Nga sot do e fillojë punën me përkushtim të madh në partinë GUXO për të mirën e shtetit dhe qytetarëve në përputhje të plotë me përcaktimet e mia paraprake ideologjike dhe politike”.
Jam ai që isha dje, do të jemë nesër dhe përgjithmonë. Përjetësisht mbështetës i filozofisë politike rugoviane dhe ushtar besnik i atdheut tim të shenjt.
Zoti ju bekoftë vëllëzër dhe motra të vizionit rugovian!
Florim Zeqa, 27 Shkurt 2024
Orsago (TV-Itali)

Zelensky në CNN: “Nëse nuk na ndihmon Amerika, Rusia do të fitojë”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një interviste me CNN të hënën

 

VOAL- “Pa ndihmën amerikane, Rusia mund të fitojë dhe miliona ukrainas do të vdesin”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për CNN të hënën në mbrëmje. I intervistuar nga Kaitlan Collins, kreu i shtetit saktësoi gjithashtu se kishte folur me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, republikanin Mike Johnson, dhe ky i fundit e siguroi atë se “do të bëjë gjithçka për të mbështetur Ukrainën”.

“Më duhet t’i besoj atij”, shtoi Zelensky, duke vënë në dukje se “paratë amerikane përfundojnë kryesisht në prodhimin ushtarak amerikan, jo në buxhetin tonë”. Megjithatë, politikani ukrainas premtoi reforma për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit.

Gjatë intervistës, presidenti deklaroi gjithashtu se beson se kërcënimet e Donald Trump “janë vetëm fjalë dhe nuk mendoj se do t’i zbatojë”, duke iu referuar premtimit të Trump për të mos mbrojtur vendet e Aleancës Atlantike që nuk paguajnë kuotën e duhur.

Lidhur me ish-kreun e shtetit amerikan, i cili kandidon për një mandat të dytë në nëntor, Volodymyr Zelensky tha gjithashtu se ai nuk mund të “kuptojë se si mund të ishte në anën e Vladimir Putinit. Trumpi nuk e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë. Dhe nëse ai e mbështet atë, do të jetë kundër amerikanëve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara”, shtoi Zelensky.rsi-eb

Dalin shifrat- Abuzimet me Festivalin e 62-të të RTSH-së

Festivali i 62-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar pati si gjithmonë debat publik. Një pjesë e madhe e njerëzve thanë që qe i pavlerë, një pjesë tjetër, ata që e kishin organizuar, se ia kishte arritur qëllimit.

Në fakt, kanë kaluar dy muaj dhe lind një pyetje shumë e thjeshtë: “Cilën nga këngët mbajnë mend qytetarët nga ky festival? Apo çfarë ishte kaq e paharrueshme nga një event që në faturë rezulton të jetë mbi 600 milionë lekë sipas një preventivi të përgjithshëm, ndërkohë që shuma e kërkuar pretendohet se është edhe më tepër?”

ABUZIMET NË FESTIVALIN E RTSH-së

Sipas kësaj tabele që ka siguruar, duket qartazi se në Festivalin e 62-të, paratë janë bërë rrush e kumbulla, raporton CNA

Image

Janë shtuar paratë për mjete me qira. Pra, mjetet janë një nga zërat krahasues të tabelës së mëposhtme. Janë shtuar paratë për këngët konkurruese, këngët pjesëmarrëse, kjo është një gjë normale që mund të shtohet.

Janë shtuar pagesat për të ftuarit me më shumë se dy herë, gati 3 herë më shumë pagesa. Janë mbi 60 milionë lekë për të ftuarit.

ImageImage

Dikush gjatë kohës së festivalit tha se prezantuesit nuk dinin të flisnin as mirë shqip dhe prezantimi ishte një nga pikat më skandaloze, por ja që paskan kushtuar tri herë më shumë se festivali i vitit të shkuar.

Të ftuarit e tjerë dhe mjetet me qira pra, kanë qenë një zë kryesor që shkon afërsisht në 200 milionë lekë. Mbi 30% të vlerës totale të shpenzimeve e kanë mbuluar të ftuarit dhe mjetet me qira.

Shkojmë më tej. Ka një vlerë tjetër gati të mbidyfishuar që është skenografia. Dhe skenografia është pjesa më e thjeshtë për t’u abuzuar dhe vjedhur, pasi ajo montohet-çmontohet dhe askund nuk lë gjurmë.

Image

Pra, një skenografi, e cila ka kushtuar 60 milionë lekë një vit më parë, këtë vit ka kushtuar 140 milionë lekë. Në qoftë se do të marrim këta tre zëra, ky është festivali.Pra, mjete me qira, pagesa për të ftuarit dhe skenografia, ku dy nga zërat e fundit janë dy apo trefishuar.

Pjesa tjetër janë këngët pjesëmarrëse që ne përmendëm më sipër, stafi artistik, stafi realizues, stafi teknik, të cilëve u janë ulur pagesat në krahasim me një vit më parë. Pra i gjithë shpenzimi është rritur në shumë totale për akomodimin e të ftuarve për mjete me qira, pagesat për të ftuarit dhe skenografia. Zërat e tjerë janë me ulje.

Në fakt, sipas të dhënave, festivali rezulton të jetë rreth 150 milionë lekë më shumë se ai i një viti më parë.

Kërkesa për informacion

CNA thotë se u ka çuar tri shkresa zyrtare, kreut të RTSH-së, drejtorit Alfred Peza dhe kryetarit të Këshillit Drejtues të RTSH-së, zotit Leka Bungo, për të na dhënë këto shifra që ne të mos gabonim, të ishim profesionistë dhe të mos thoshin pse s’na pyetët. Të kishim më pas një komunikim zyrtar dhe një prononcim nga zoti Peza apo dhe zoti Bungo se pse janë rritur këta zëra shpenzimesh?

 

-Pse festivali duhet të kushtonte rreth 30% më shumë sesa një vit më parë kur nuk është se la një gjurmë më të madhe?

-Pse duhet të shtoheshin kaq shumë shpenzime për mjete me qira?

-Pse duhet të shpenzoheshin kaq shumë për të ftuar dhe pse duhet gati të trefishohej skenografia kur ka pasur skenografi me kosto më të ulëta, në një kohë më të shkurtër dhe me vlera tepër-tepër më të ulëta sesa ajo që ka bërë këtë vit RTSH-ja e që nuk ka qenë ndonjë skenografi apo ndonjë sukses i madh i këtij Festivali të 62-të të RTSH-së?

Ka shumë “pse”?

Sepse netëve u pa që salla e Pallatit të Kongreseve ishte bosh.

Një event qindra miliona lekë në duart e Alfred Pezës dhe Leka Bungos me këtë tabelë ku e keni krahasimisht sqaruese.

Pas refuzimit të përgjigjes së kërkesës për informacion nga CNA, kjo e fundit thotë se investigimi për këtë çështje do të thellohe dhe se shumë detaje tjera do të dalin në dritë në vijim për atë se çfarë ka ndodhur me Festivalin e RTSH-së.

Gjithashtu abuzimet dhe shpërdorimi i detyrës me largimin e njerëzve nga puna si në raste për inate personale, qejfe dhe hareme, por këto do t’u përkasin të tjera shkrimeve.

Tashmë fokusi do të jetë te shpenzimet preventive që ne kemi në dispozicion për festivalin, te shpenzimet që janë bërë, te zërat ku ka dyshime se ka abuzime dhe mund të jenë vjedhur fondet si dhe skandalin tjetër që me vajtjen e Alfred Pezës u kërkua gati të dyfishohej vlera e shpenzimeve për festivalin të çohej në vlerën e 730 milionë lekëve.

Më pas u refuzua nga Bordi nga Këshilli Administrativ me në krye Leka Bungon që uli një vlerë lekësh, por më pas miratoi një ngritje maksimale deri në 650 milionë lekë.

Ka zëra dhe për shkak të marrëveshjeve të ndryshme, pazare dhe pagesa për koncertin e fundvitit (atë të vitit të ri), pagesa të cilat po verifikohen zyrtarisht, megjithëse deri më sot nuk kemi marrë përgjigje zyrtare nga RTSH-ja dhe Këshilli Drejtues, pra nga Alfred Peza dhe Leka Bungo.

Pra, fshehja e dokumenteve dhe moskthimi i përgjigjes zyrtare mbi shifrat dhe shumat e përdorura tregojnë qartazi se ka dyshime thelbësore që aty ka pasur abuzime dhe vjedhje të fondeve, pasi zërat janë të shumëfishuar dhe gati më shumë se gjysmën e vlerës së festivalit, gati 70-80 % të vlerës, e mbulojnë zërat që ne përmendëm më lart se skenografia, pagesat për të ftuarit, mjetet me qira, këngët pjesëmarrëse, por edhe stafi artistik.

Ndërkohë që stafi realizues, stafi teknik komisioni përzgjedhës i festivalit, shpenzimet e tjera thelbësore janë me mjaft ulje.

Kjo i vlen në fakt thellimit të investigimit nga ana jonë, por edhe hetimeve të strukturave përgjegjëse a ka apo jo një vepër penale, vjedhje, abuzime të fondeve të RTSH-së, me një skemë të caktuar mes kreut të Këshillit Drejtues dhe drejtorit të RTSH-së.

 

VOA: Shqipëri, ndërtimi i “Hec Skavica”, debate të reja për një projekt të vjetër

Mimoza Picari

Në Shqipëri diskutimet mbi ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në kaskadën e lumit Drin, mbi 3 hidrocetralet e tjera, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, kanë një zanafillë që prej periudhës së komunizmit. Vetëm në dy dekadat e fundit ky projekt ka marrë vemendjen e disa kompanive në të paktën 3 raste, por proçedurat kanë dështuar. Së fundi, përmes kontenstimeve të shumta, po diskutohet për ndërtimin e kësaj vepre hidroenergjitike nga Shoqëria “Bechtel International Inc”. Për këtë qëllim parlamenti 3 vjet më parë miratoi një ligj të posaçëm. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Tiranë, Mimoza Picari sjell një ballafaqim të argumentave të shoqërisë civile, juristëve dhe autoriteteve publike mbi këtë çështje.

Që prej vitit 2021, kur u miratua ligji që përcakton “Procedurën e veçantë për negocimin, ekzekutimin dhe miratimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc”, për projektimin dhe ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, e më pas dhe një VKM për miratimin e kontratës së fazës së parë për shërbime teknike mes KESH dhe kompanisë në fjalë, dy shoqata që përfaqësojnë interesat e banorëve e luginës së Drinit të Zi, si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kanë ngritur disa shqetësime, të cilat u konkretizuan me ankime në Gjykatën Kushtetuese. Ato pretendojnë se HEC-i i Sakvicës, cënon jetën e mbi 15 mijë banorëve në mbi 40 fshatra dhe sjell dëme të paripariueshme mjedisore, të trashëgimisë kulturore dhe të veprimtarisë ekonomike në zonë. Ankimuesit çmojnë se edhe ligji në vetvete shkel disa parime kushtetuese, si të drejtën e informimit për çështjet mjedisore, liritë ekonomike dhe shmang konkurencën pasi përcakton një kompani të vetme për studimin dhe ndërtimin.

Nga ana tjetër autoritetet zyrtare argumentojnë se ndërtimi i HEC Skavicës, do të rrisë prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve në vend, i cili aktutalisht mbulon mbi 70% të nevojave në vend, si dhe do të shmangë përmbytjet në zonën e nënshkodrës. Ligji përcakton dy faza. Faza e parë parashikon kryerjen e studimeve dhe analizave në zonë, dhe faza e dytë ndërtimin, që do ta varet nga rezultatet e studimit. Projekti ndodhet në fazën e parë. KESH, ka paguar shoqërinë “Bechtel Limited”- dega në Shqipëri, për kryerjen e studimit me një vlerë prej rreth 16 milionë euro.

Një prej kontenstimeve lidhet me mungesën e studimeve për zonat që preken, vlerësimin ekonomik apo kostot, para se të miratohej ligji.

“Çdo ligj para hartimit dhe miratimit duhet të kalojë përmes një vlerësimi paraprak. Në këtë rast nuk u bë asgjë. Qeveria nuk di sa banorë do preken, sa është volumi ekonomik i zonës dhe për më tepër nuk di as sa është potenciali në të ardhmen e këtij volumi ekonomik. Sepse nuk ka asnjë studim. Në invenstime kaq të mëdha duhe të ketë studime”- u shpreh për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i Res Publica.

Përfaqësues të qeverisë të pyetur në Gjykatën kushtetuese, në dhjetor të vitit të kaluar gjatë seancës ku u parashtruan argumentat e palëve, se përse nuk ishin kryer studime para miratimit të ligjit, thanë se ligji u miratua pikërisht për këtë arsye, që në fazën e parë të kryhen studimet dhe të përllogariten kostot. Autoritetet publike i mëshuan faktit se ndërtimi i Hidrocentralit i përket fazë së dytë, dhe varet nga rezultatet e studimit. Ndërkohë ligji parashikon që Shoqëria “Bechtel International Inc.” do ndihmojë qeverinë në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin.

Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese u ndalën në seancë edhe tek arsyet i miratimit të këtij ligji.

“Përse kemi nevojë për një ligj për procedurën e negocimit? Nga buron nevoja për këtë ligj? Pra është i dedikuar, është vetëm për kompaninë “Bechtel”, vetëm për Skavicën. Cila është baza ligjore? Përse e bën qeveria kët?. Është vullnet politik? Apo është detyrim ligjor? Kjo është pyetja”- tha Holta Zaçaj Kryetare e Gjykatës Kushtetuese në seancën që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor të 2023-it.

“Mund të negociohet me një subjekt privat vetëm nëpërmjet një procedure ligjore. Sot ne njohim disa forma se si negociohet me palët private. Është ligji i prokurimit, ai i konçensioneve, sepse të negociosh me një subjeket privat kushtetuta të jep të drejtë, sidomos për ato projekte që kanë një kufizim të të drejtave, duhet hartuar një ligj në kuptim të nenit 17. Në rast se ka një cënim të të drejtave ose kufizim për një interes publik të bëhet me një proçedurë që e cakton ligji”- u shpreh Herald Jonuzaj, Përfaqësues i Këshillit të Ministrave në të njëjtën seancë.

Ndërkohë KSHH i tha Zërit të Amerikës se në këtë rast kemi cënim të parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike pasi anashkalohen një sërë ligjesh që parashikojnë garë të hapur dhe konkurencë.

“Është anashkaluar krejtësisht legjislacioni në fuqi, mbi prokurimet publike, konçensionet, Partneritetet Publike Private, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis apo për vlerësimin strategjik të mjedisit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Rast i ngjashëm i një ligji që përcakton procedurë të vecantë për të negociuar me një kompani të vetme, është ai për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2021. Ndërkohë në Qendrën e Botimeve Zyrtare Zëri i Amerikës konstatoi dhe ligje të tjera të kësaj natyre, si ai për ndërtimin e portit të Karpenit, të aeroportit të Vlorës, për ndërtimin e rrugës së Arbrit, apo për sigurinë kibernetike. Juristët që mbrojnë të drejtat e banorëve të luginës së Drinit të Zi, kanë një qasje kritike kur bëhet fjalë për miratimin e ligjeve të tilla që përcaktojnë kompani të veçanta për ndërtimin e veprave të ndryshme.

“Praktika të tilla, unë i konsideroj korrupsion legjislativ, përmes dhënies së privilegjeve më anë të ligjit, duke krijuar imunitet kolektiv për vendimarrësit. Kjo është gjëja me e dëmshme për një shtet të së drejtës”- tha për Zërin e Amerikës Jordan Daci, avokat.

Por një nga shqetësimet serioze të shoqatave që kundërshtojnë ndërtimin e HEC Skavicës, lidhet me faktin se ligji parashikon që si studimi i ndikimit në mjedis ashtu dhe ndërtimi të kryhet nga Shoqëria “Bechtel”. Avokati Dorian Matlija është skeptik edhe pse oponenca do të kryhet nga KESH.

“Studimet e kësaj natyre që janë të fazës së parë duhet t’i bëjë organi që zhvillon projektin, që në rastin konkret është KESH-i, apo Ministria përkatëse. Nuk mund t’i bëjë subjekti privat i kontraktuar, aq më tepër kur ky subjekt është po ai që do të ndërtojë dhe veprën. Jemi në konflikt të hapur interesi”- vijoi Dorian Matlija, Avokat.

Ky ishte një moment që mori dhe vëmendjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjatë seancës ku palët parashtruan argumentat.

“Përse është e njëjta kompani që bën dhe studimin e fizibilitetit dhe sipas ligjit është po ajo që do të lidhë dhe kontratën e dytë që ka të bëjë më zbatimin. A ka një arsye”- iu drejtua Holta Zaçaj Kryetare e Gjykatës Kushtetuese përfaqësuesit e qeverisë.

“ Nuk shoh ndonjë pengesë ligjore. Mund të jetë një studim që nesër kompania në fazën e dytë tërhiqet. Kjo nuk do të thotë se ne mund të mos vazhdojmë me një kompani tjetër”- u përgjigj Herald Jonuzaj, Përfaqësues i Këshillit të Ministrave.

E drejta për të informuar publikun që preket nga ndërtimi i HEC Skavicës për çështjet mjedisore, gjithashtu ngjalli interesin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese, në seancën e dhjetorit të vitit të kaluar.

“Publiku i ndikuar kur duhet të pyetet, para miratimit të ligjit, apo pas miratimit të ligjit”- pyeti Elsa Toska, Anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

“Mendimi i publikut do të merret në momentin që janë realizuar këto studime, mbi bazën e të dhënave shkencore por edhe studimet që palët i kanë bërë me inisiativën e tyre. Kur të vijë faza e dytë e shqyrtimit dhe e dhënies së të drejtës për ndërtimin e hidrocentralit e cila patjetër do kalojë në Kuvend, kërkon konsultim të gjerë”- u përgjigj Mimoza Arbi përfaqësuese e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjykata kushtetuese, duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cënimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore. Gjykata i la detyrë autoriteteve publike ta riparojnë shkeljen e konstatuar dhe të garantojnë të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit, si dhe detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

“Qeveria duhet të ketë vullnetin maksimal për të dëgjuar banorët dhe mbi të gjitha të dëgjojë ekspertët dhe institucionet e vetë shtetit shqiptar, Akademinë e Shkencave, Institutin e Historisë, atë të Arkeologjisë. Të gjithë në bashkëpunim do të mund t’i provojnë qeverisë që kjo inisiativë është e gabuar”- vijoi Jordan Daci, avokat.

Edhe pse organizatat joqeveritare, nuk u legjitimuan për pjesën më të madhe të pretendimeve të tyre, si për cënimin e lirive ekonomike dhe të konkurencës, të dëmtimit të mjedisit, trashëgimisë kulturore apo të të drejtave të banorëve të luginës së Drinit të Zi, që preken nga ndërtimi i HEC të Skavicës, i konfirmuan Zërit të Amerikës se do ta vijojnë betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese, nëse kalohet në fazën e dytë të ligjit që parashikon ndërtimin e kësaj vepre hidroenergjitike.

Zelensky intervistë për CNN: Nuk e kuptoj si Trumpi mund të jetë në anën e Putinit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të jetë kundër amerikanëve nëse zgjedh të mbështesë Rusinë në lidhje me Ukrainën.

Në një intervistë për CNN, Zelensky ka thënë se nuk mund ta kuptojë se si Trump mund të jetë në anën e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Është e pabesueshme”, ka shtuar ai.

Trumpi, i cili është në prag të bëhet kandidati presidencial republikan, në të kaluarën ka refuzuar të tregojë nëse dëshiron që Rusia apo Ukraina ta fitojnë luftën.

Zelensky tha se ai besonte se Trumpi nuk i kupton qëllimet e Putinit.

“Unë mendoj se Donald Trumpi nuk e njeh Putinin. E di që e ka takuar, por kurrë nuk ka luftuar me Putinin. Ushtria amerikane nuk ka luftuar kurrë me ushtrinë ruse. Nuk mendoj se ai e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë”, ka thënë ai.

Zelensky më tej ka thënë se ka biseduar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson për paketën e ndihmës dhe është ndjerë optimist pas asaj bisede.

“Tha se do të bëjë gjithçka për ta mbështetur Ukrainën. Ai është në anën tonë dhe e kupton se sa heroikë janë njerëzit tanë, ushtarët dhe civilët tanë”, është shprehur ai.BW

Kurti: Partnerja jonë tregtare është BE-ja, s’duam të bashkëpunojmë me Rusinë

Fotografi e disa prej udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në samitin në Londër më 26 shkurt 2024.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partnerët kyçë tregtarë të Kosovës janë shtetet e Bashkimit Evropian.

Në samitin për investime në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Londër, Kurti u pyet për partneritetin tregtar me shtetet që nuk e njohin Kosovën. Ai tha se një nga to është Rusia, me të cilën, Kosova, sipas tij, nuk do partneritet.

“Partnerja jonë kyçe tregtare është BE-ja dhe ne duam që ta forcojmë dhe thellojmë këtë bashkëpunim”, tha Kurti në samitin e organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Ne nuk kemi raporte me Federatën Ruse, ne i kemi vendosur sanksione Federatës Ruse. Ne duam që Ukraina të fitojë dhe na duhet e gjithë Evropa demokratike dhe bota të shohim Kremlinin dhe presidentin despotik [Vladimir] Putin të mposhtur. Nuk jemi duke bashkëpunuar me ta, edhe nëse ata do të donim, ne nuk duam. Kemi disa importe nga Kina, por shtetet e BE-së janë partneret tona kyçe tregtare”, shtoi ai.

Gjatë panelit të diskutimit, ku morën pjesë gjashtë kryeministrat e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor u tha se përmirësimi i infrastrukturës rrugore, hekurudhore e detare, tranzicioni në energji të gjelbër, por edhe zbatimi i reformave për përmirësimin e mjedisit biznesor janë tri prioritetet kyçe të këtyre shteteve, sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

Në Londër, udhëheqësit e gjashtë shteteve ballkanike thanë se pozita gjeografike e tyre, që shërben si lidhje me pjesë të ndryshme të Evropës, bën që rajoni të jetë tërheqës për investitorë të huaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në shtetin e tij ka fuqi të re punëtore dhe kosto konkurruese tregtare.

“Qeveria jonë është e fokusuar në sundim të ligjit, në luftimin e korrupsionit dhe në linjë të plotë me SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar në aspektin gjeopolitik dhe në vlera edhe në aspektin e të bërit biznes”.

Pas panelit, kryeministri Kurti po ashtu njoftoi për nënshkrimin e një memorandumi të mirëkuptimit me BERZH-in në vlerë prej 400 milionë eurosh investime “në sektorët tanë prioritarë” për periudhën 2024-2027.

“Mbi 340 milionë euro në kredi sovrane dhe grante në 11 vjetët që kur jemi bërë anëtar” të BERZH-it, shkroi Kurti në X, që më herët njihej si Twitter.

Gjatë panelit, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se shteti i saj është i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, në shndërrimin në një ekonomi të inovacionit teknologjik.

Nga BERZHI, Shqipëria dhe Serbia u vlerësuan për punën e tyre sa i përket tranzicionit në energji të gjelbër. Shqipëria tha se tashmë varet krejtësisht nga energjia diellore dhe ajo me erë, ndërkaq edhe shtetet e tjera të rajonit, përshirë Kosovën, njoftuan për planet e tyre për të përdorur resurset e ripërtërishme për energji.

Kryeministri Kurti përmendi përmbylljen e ankandit për një park të energjisë diellore në Kosovë, me kapacitet prodhimi prej 100 megavatësh në orë. Ai paralajmëroi për një projekt të ngjashëm, por me energji të erës, më vonë gjatë këtij viti.

“Na duhen më shumë investime [të huaja direkte]. Por, Kosova është vend ku mund të bëhen investime, sepse ato veçse po ndodhin”, tha Kurti.

Lidhjet më të mira mes shteteve të rajonit, gjatë samitit, u tha se ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të lëvizë drejt tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, të gjashtë shtetet ballkanike përmendën projektet e tyre rrugore, hekurudhore që lidhin më mirë me njëra-tjetrën dhe me pjesën tjetër të Evropës.

Gjatë samitit, kryeministrja serbe Bërbaniq teksa iu referohej shifrave për investime dhe rritje ekonomike, tha se ato iu referohen Serbisë Qendrore, pa përfshirë “Kosovën dhe Metohinë”, që tha se është pjesë e Serbisë.

Kësaj deklarate iu përgjigj Kurti:

“Emri i shtetit tim është Republika e Kosovës. Nuk është ashtu siç iu referua këtu si ‘Kosovë e Metohi’. Po të ndiqja këtë shembull, do t’iu merrja shumë kohë sepse në vend të Serbi do të thosha: Serbia dhe Vojvodia dhe Sanxhaku, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës dhe rajoni i Timokut”, tha Kurti, teksa Bërnabiq u dëgjua duke thënë se një deklaratë e tillë nuk përkon me realitetin.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe njihet nga 117 shtete, por Serbia vazhdon ta konsiderojë pjesë të saj.

Tensionet mes dy shteteve janë rritur së fundmi për shkak të një vendimi të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa me para të gatshme.

Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka kërkuar që çështja të zgjidhet në këtë proces.

Shtetet e Bashkuara, që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në proces por e mbështesin atë, kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, duke thënë se vendimi nuk ka marrë parasysh efektet negative që ka te komuniteti serb.

SHBA-ja dhe BE-ja po ashtu i kërkojnë palëve që përmes dialogut të arrijnë deri te një zgjidhje, me SHBA-në që ka thënë se një marrëveshje nga dialogu, eventualisht do të çonte drejt njohjes së ndërsjellë.REL

Serbia aleate e Moskës godet rusët që janë kundër luftës

VOAL/Marrë nga Associated Press

Kur Elena Koposova nënshkroi një letër të hapur kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë, ajo nuk priste një reagim në shtetin e saj të ri, Serbinë.

Fundja, Serbia po kërkon formalisht të anëtarësohet në Bashkimin Evropian duke pranuar të gjitha vlerat demokratike që shkojnë së bashku me anëtarësimin, mendoi ajo. Tani, ajo e sheh se kishte gabuar.

Dy vjet pas nënshkrimit të letrës, 54 vjeçarja ruse po apelon një urdhër dëbimi pasi u shpall si kërcënim për sigurinë kombëtare të Serbisë dhe iu hoq leja e qëndrimit. Përkthyesja e letërsisë tha se e vetmja arsye që mund ta mendonte është peticioni kundër luftës që e kishte nënshkruar.

“Unë nuk jam aktiviste, por firmosa një letër kundër luftës kur sapo filloi agresioni rus në Ukrainë”, tha ajo në një intervistë. “Edhe duke mos qenë aktiviste, nuk mund të heshtja për këtë. Ndaj, unë vetëm vendosa emrin tim në letrën e hapur ku thuhej se lufta është krim dhe duhet të bashkohemi të gjithë për t’i dhënë fund asaj”.

Zonja Koposova nuk është e vetmja. Serbia hapi kufijtë e saj në vitet e fundit për dhjetëra mijëra rusë që ikën nga qeveria e presidentit Vladimir Putin dhe nga lufta në Ukrainë. Aktivistët rusë pro-demokracisë në vendin ballkanik, tani thonë se së paku një duzinë kohët e fundit u përballën me ndalim të hyrjes ose iu hoqën lejet e qëndrimit, me arsyetimin se paraqesin kërcënim për sigurinë e Serbisë.

Të paktën tetë të tjerë kanë frikë të flasin publikisht për problemet e tyre ligjore me autoritetet serbe, nga frika se kjo mund të rrezikojë mundësinë e tyre për të qëndruar në Serbi së bashku me familjet e tyre, thonë veprimtarët rusë kundër luftës.

“Ishte shumë e papritur, shumë tronditëse”, tha Koposova duke përshkruar ditën kur mori urdhrin e dëbimit, i cili nuk shpjegon arsyen e masës, por vetëm pohon se ajo paraqet “kërcënim për sigurinë kombëtare” dhe duhet të largohet nga vendi. brenda 30 ditësh.

Ajo dhe burri i saj kanë ndërtuar një shtëpi moderne në një copë tokë në një fshat jashtë Beogradit, ku jetojnë me dy fëmijët, të moshës 6 dhe 14 vjeç, të cilët ndjekin shkollat lokale.

Veprimtarët për të drejtat e njeriut thonë se problemet me lejet e qëndrimit tregojnë për një marrëdhënie të ngushtë midis presidentit gjithnjë e më autokratik të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidentit Putin, pavarësisht kërkesës formale të Serbisë për anëtarësim në BE. Presidenti Vuçiç ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër aleatit tradicional sllav, ndërkohë që ka lejuar mediat propagandistike të Moskës si RT dhe Sputnik të përhapin rrëfimin e tyre në gjithë Ballkanin.

“Autoritetet në Beograd dhe ato në Moskë janë politikisht shumë të afërt”, tha Predrag Petroviç, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, një institut i pavarur që ka kërkuar një shpjegim nga Ministria e Brendshme për masat kundër rusëve.

“Kritikët e regjimit të Putinit paraqesin një kërcënim të madh për regjimin në Moskë”, tha zoti Petroviç. “Kjo është arsyeja pse këta njerëz janë në shënjestër të autoriteteve serbe”.

Zyrtarët serbë deri tani nuk kanë komentuar në lidhje me rastet e raportuara që përfshijnë shtetas rusë dhe ministria e Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur një kërkese të agjencisë së lajmeve Associated Press për një intervistë, ose një koment për këtë çështje.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë dy vjet më parë, shumë rusë erdhën në Serbi sepse nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në shtetin mik ballkanik, një pikënisje për një emigrim të mundshëm në të ardhmen në perëndim. Shumë po i shmangeshin rekrutimit, ndërsa të tjerët, si familja Koposova, e cila erdhi më herët, thjesht ishin ngopur me qeverinë e presidentit Putin dhe kërkuan një jetë më të mirë diku jashtë Rusisë.

Peter Nikitin, një nga themeluesit e Shoqërisë Demokratike Ruse, kaloi dy ditë në aeroportin e Beogradit verën e kaluar kur iu hoq leja e hyrjes, megjithëse ai e ka gruan serbe dhe ka jetuar në Serbi për shtatë vjet. Peter Nikitin më vonë u lejua të hynte në vend, por një procedurë ligjore në lidhje me dokumentet e tij të qëndrimit është në vazhdim e sipër.

“Nuk kam asnjë dyshim se kjo po bëhet me urdhër të drejtpërdrejtë nga Rusia, qoftë nëpërmjet ambasadës ose drejtpërdrejt nga Moska”, këmbëngul zoti Nikitin, grupi i të cilit ka organizuar gjithashtu protesta kundër luftës në Ukrainë dhe demonstrata që kërkojnë liri për të burgosurit politikë, përfshirë Alexei Navalnyn, një udhëheqës i opozitës ruse dhe një kritik i Putinit, i cili vdiq më 16 shkurt në një burg në Rusi.

Zoti Nikitin tha se në mesin e veprimtarëve kundër luftës që u përballën me masat e autoriteteve serbe është edhe bashkëthemeluesi i grupit RDS, Vladimir Volokhonsky, i cili tani jeton në Gjermani.

Nën sanksione ishin gjithashtu Yevgeny Irzhansky, i cili organizoi koncerte me grupet kundër Putinit në në Serbi dhe që atëherë është zhvendosur në Argjentinë me gruan e tij, si dhe Ilya Zernov, një i ri rus të cilit iu ndalua të kthehej në Serbi pasi u sulmua nga një nacionalist serb i së djathtës ekstreme kur u përpoq të fshinte një pikturë murale që bënte thirrje “Vdekje Ukrainës”, në qendër të Beogradit.

Nikitin tha se qëllimi i këtyre masave është frikësimi i veprimtarëve kundër luftës.

“I vetmi shpjegim për këtë është se ata duan t’i trembin të gjithë”, tha ai. “Sepse nëse nuk mund të nënshkruani një letër kundër luftës, atëherë nuk mund të bëni asgjë”.

“Çështja është se rusët që janë kundër luftës nuk po protestojnë këtu kundër askujt në Serbi”, tha z. Nikitin. “Ne jemi të shqetësuar vetëm për vendin tonë dhe për vendin tonë fqinj, i cili po vuan nga vendi ynë tani”.

Marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë datojnë prej shekujsh dhe të dyja vendet ndajnë gjithashtu një origjinë të përbashkët sllave dhe besimin e krishterë ortodoks. Rusia mbështet pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.

Serbia dhe Rusia mbajnë gjithashtu lidhje të ngushta midis shërbimeve të tyre të sigurisë.

Ish shefi i sigurimit shtetëror serb, Aleksandar Vulin, i cili u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për ndihmë Rusisë për veprimtari keqdashëse në rajonin e Ballkanit, së fundmi mori një dekoratë nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë për bashkëpunim të ngushtë midis dy agjencive të spiunazhit. Vulini thuhet se ishte i përfshirë në përgjimin e veprimtarëve të shquar të opozitës ruse që u takuan në Beograd në prag të luftës në Ukrainë dhe që më vonë u burgosën në Rusi.

Për zonjën Koposova, vendimi i autoriteteve serbe për ta dëbuar nga vendi do të thotë se ajo dhe familja e saj mund të humbasin gjithçka, nëse ankesa e saj refuzohet.

Familja nuk mund të kthehet në Rusi sepse ka shitur të gjithë pronën e saj, është e shpallur si veprimtare kundër Putinit dhe burri i saj mund të rekrutohet për të luftuar në Ukrainë, tha zonja Koposova.

“Kjo është shtëpia jonë e vetme, e vetmja shtëpi që kanë fëmijët tanë”, tha ajo me lot në sy.

‘Më në fund e binda babanë’: Vajza që iu bë forcë nënës së përdhunuar në luftë

Arton Konushevci dhe Mahir Sijamija

Ishte vetëm 11 vjeçe kur pa me sy tmerrin e nënës së saj. Forcat serbe tërhoqën zvarrë atë dhe disa gra të tjera.

“Unë dhe motrat e mia nuk donim ta lejonim të shkonte…  E tërhiqnim nga rrobat, por paramilitarët e morën me forcë”, thotë Flutura.

Sot 36 vjeçe, ajo shpërthen në vaj teksa kujton ditën kur e ëma iu përdhunua gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

“Dua gra të bukura”, ishin fjalët e ushtarit serb, që thotë se i ushtojnë ende në vesh.

Bashkë me rreth 100 persona të tjerë – kryesisht gra e fëmijë – ajo me nënën dhe motrat po strehoheshin në një shtëpi të madhe, për t’u mbrojtur nga sulmet.

Ishte një lloj taktike e luftës e ushtrisë serbe që burrat t’i ndanin nga gratë. Nuk e kujton saktësisht se sa qëndruan të sigurta në atë shtëpi, por thotë se “shumë shpejt” e bastisën.

Thirrjet e fëmijëve përreth “mami, nënë, gjyshe…”, kur ata ndaheshin nga personat e dashur, i sillen ende në kujtesë.

“Nënën time e morën të dytën. Një grua tjetër e morën të parën… Pastaj, i morën edhe gjashtë gra të tjera”, tregon Flutura.

Image

Për katër orë thotë se dëgjoi britmat e grave që përdhunoheshin e rriheshin vetëm pak metra jashtë shtëpisë. Atëkohë thotë se nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte.

“Tash e di. Kur erdhi pas katër orësh, nëna ishte e zhveshur, vetëm me një gjë në krah”, kujton Flutura.

Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ulur pranë i qëndron nëna. Me shikimin e ngrirë në një pikë, ajo nuk dëshiron të flasë shumë.

“Kam hequr shumë… Jam frikësuar… I kam pasur fëmijët e vegjël”, thotë 63-vjeçarja.

Ajo është vetëm një nga rreth 20.000 personat që besohet se u përdhunuan gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.

Tash e dy vjet ka edhe statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, i cili i siguron një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si shërbime shëndetësore falas.

Me ligjin në Kosovë, i miratuar nga viti 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.

E, Flutura ishte ajo që e bindi nënën e saj për të aplikuar për këtë status, pasi fillimisht bindi babain.

Ishte ajo që i tregoi babait se nëna ishte përdhunuar, por ai nuk e priti mirë.

“Më ka thënë: a e di se ku jeton, nuk dua të më thonë njerëzit që e ke gruan të dhunuar në luftë”, kujton Flutura fjalët e të atit.

Për një kohë, ajo e kishte lënë mënjanë çështjen, por vetëm fizikisht, e jo në mendje. Dhe, pastaj, bisedoi sërish me babain. Donte me çdo kusht që e ëma të merrte statusin që i takonte.

“Kundërshtimet nga babai vazhduan gjatë, më shumë se pesë muaj, derisa në fund e binda”, thotë Flutura.

Pas miratimit të tij, iu desh më pak kohë për ta bindur të ëmën që kishte mbyllur në vete kujtimin e llahtarshëm. Të dyja bashkë iu drejtuan një organizate, përmes së cilës bëhej aplikimi për statusin e viktimës së dhunës seksuale në luftë.

Image

Prej aty e deri te paraqitja përpara një komisioni qeveritar, që bën verifikimin e aplikuesit, Flutura nuk i ishte ndarë në asnjë moment.

“Kur nëna ka dalë para komisionit, jam lutur dhe kam thënë: o Zot, jepi fuqi që të tregohet e fortë”, rrëfen Flutura në vaj.

Dhe, përgjigjen pozitive nga komisioni e morën pas gjashtë muajsh.

“Kur i kam treguar babait se ka pasur sukses, ai ka filluar të qajë si fëmijë”. Edhe pse “shpesh hidhërohet”, ajo shprehet e sigurt se edhe ai ndjen një lloj lehtësimi sikurse nëna dhe gjithë pjesa tjetër e familjes.

Sa persona e kanë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës në Kosovë?

Nga shkurti i vitit 2018, kur nisi aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, atë e siguruan mbi 1.600 persona.

Sipas të dhënave të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), të siguruara nga REL-i, në vitin 2023, statusi i tillë iu njoh 54 personave – tetë prej tyre burra, pjesa tjetër gra.

Viktimat e dhunës seksuale aplikojnë për njohje të statusit të tyre përmes disa organizatave të përzgjedhura nga Qeveria e Kosovës dhe miratimin, pastaj, e bën një komision qeveritar.

Për aplikim, viktima duhet të plotësojë një formular me të dhëna e detaje për vendin dhe periudhën kur ka ndodhur përdhunimi, me deklarata nga dëshmitarët dhe me raporte eventuale mjekësore.

Ato kalojnë te komisioni, e nëse komisioni nuk bindet, viktima duhet të dalë fizikisht para tij.

Organizata joqeveritare, që merren me të drejtat e grave, thonë se shumë viktima hezitojnë ende të aplikojnë për statusin, nga frika e stigmatizimit, përjashtimit dhe paragjykimit.

Por, pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar, viktimat nuk mundën të aplikojnë për këtë status edhe për faktin se afati për aplikim të tillë kishte skaduar më 5 shkurt të vitit 2023

Muajin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ky afat është vazhduar deri më 15 maj, 2025.

“Zëri juaj ka rëndësi dhe e vërteta duhet të dëgjohet. Guximi juaj në kërkim të drejtësisë e në zbardhjen e së vërtetës është një dëshmi e shpirtit tuaj të paepur. Ne qëndrojmë me ju dhe pranë jush në ndjekjen e drejtësisë”, tha atëkohë Osmani.

Më herët, ajo kishte deklaruar se “afati i aplikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale duhet të jetë i pakufizuar”.

Të njëjtën gjë e kishte kërkuar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duke thënë se kufizimi i tillë është në kundërshtim me konventat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Organizata si kjo e kanë kritikuar disa herë edhe  punën e komisionit qeveritar , duke thënë se ajo shpesh zhargitet, por vetë komisioni ka këmbëngulur se vepron në përputhje me ligjin.

Gati njëzet e pesë vjet pas luftës, autoritetet në Kosovë dënuan vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale gjatë luftës.

Ish-rezervisti i policisë serbe,  Zoran Vukotiq , u dënua në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim, ndërsa në nëntor të vitit 2022 atij  iu rikonfirmua dënimi .

Flutura thotë se për nënën dhe familjen e saj, nuk ka rëndësi pensioni që siguron statusi, por “mllefi që ka hequr nëna prej vetes”.

“…sepse kur të del dikush në përkrahje, e largon pak prej trupit tënd”, thotë Flutura, e cila sot është edhe vetë nënë/ Radio Evropa e Lirë © Shkurt 2024 RFE/RL, Inc.

Image

Image

Kur “The New York Times” pasqyronte arratisjen e Ismail Qemalit nga Konstandinopoja- Nga Evarist Beqiri

 

Arratisja e Ismail Qemalit nga Stambolli më 1 maj 1900, bëri bujë të madhe në pallatin perandorak “Yildiz”, dhe e tronditi Sulltan Abdyl Hamidin II. Kjo ngjarje pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Gazeta e mirënjohur amerikane “The New York Times”, në dy artikuj që mbajnë datat 2 maj, 1900 dhe 3 maj, 1900, do të pasqyronte lajmin dhe kërkesën për azil të Ismail Qemalit në luftanijen britanike. NYT e përshkruan emërimin e tij si guvernator i Tripolit, si të barazvlefshëm me internimin e tij.

Ismail Qemali menjëherë pasi u njoh me vendimin e Sulltanit për emërimin e tij si guvernator i Tripolit, vendosi të arratisjes nga Stambolli për në Evropë, me ndihmën dhe mbrojtjen e ambasadorit britanik në Stamboll Sir Nicholas O’Connor. Ismail Qemali përgjatë gjithë jetës së tij ishte një liberal filobritanik. Dhe njohjet e tij në qarqet e larta të politikës dhe diplomacisë britanike, ai i shfrytëzoi fillimisht për të siguruar përkrahjen britanike, në realizimin e një grusht shteti të dështuar ndaj Sulltan Abdyl Hamidid II dhe më pas për themelimin e Shqipërisë.

Në vitin 1901, Ismail Qemali mori pjesë në ceremoninë mortore të Mbretreshës Viktoria në Londër. Ismail Qemali ishte ndër të paktët personalitete otomane që përpiqej të ndryshonte sistemin e qeverisjes në Perandorinë Osmane. Me mbështetjen e ambasadorit të atëhershëm britanik në Stamboll Sir Philip Currie, Ismail Qemali, botonte gazetën me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar), e cila promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese, dhe po korrte sukses në qarqet intelektuale otomane.

Në vijim, vetëm pas këmbënguljes së madhe të sulltanit kjo gazetë u mbyll. Sulltan Abyl Hamidi II, u përmbajt nga vendimi për ta arrestuar Ismail Qemalin, vetëm për shkak se ai gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe dhe një veprim i tillë do të kishte pasoja në marrëdhëniet dypalëshe. Por, menjëherë pas një manifestimi në konsullatën britanike, të organizuar nga Ismail Qemali, Sulltani vendosi dëbimin e Ismail Qemalit, duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit.

Ky ishte i vetmi ndëshkim që Sulltani mund t’i jepte atij në atë moment. Sulltan Abyl Hamidi II ishte i vetëdijshëm për mbrojtjen që do t’i jepnin atij britanikët, në rast të arrestimit ose internimit të Ismail Qemalit. Prandaj, Sulltani e pa largimin e Ismail Qemalit nga kryeqyteti në këtë formë si zgjidhjen më të mirë. Tripoli ishte një nga provincat më të largëta dhe më të vështira të Perandorisë Osmane, e cila kishte lidhje me Stambollin vetëm me rrugë detare.

Gazeta “The New York Times” thekson rëndësinë që kishte kjo ngjarje duke e krahasuar me arratisjen e kunatit të Sulltan Abdyl Hamidit II, princit Damad Mahmud Pashës, ish-ministër i drejtësisë dhe ish-ambasador:“Arratisja e Ismail Qemalit nuk është më pak e rëndësishme sesa ajo e Mahmud Pashës, kunatit të Sulltanit, i cili u zhduk nga Konstandinopoja më, 14 dhjetor, dhe konsiderohet si një tjetër simptomë e gjendjes aktuale në Turqi.”

Ismail Qemali përshkruhej nga shtypi evropian si “një njeri i drejtë, i ndriçuar, dhe i edukuar”. Lajmi i arratisjes së Ismail Qemalit u pasqyrua gjerësisht në shtypin e evropian të kohës dhe bëri bujë edhe në Shqipëri. Ky moment do të shënonte një pikë kthese vendimtare për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të ardhmen e saj. Arratisja nga Stambolli e veshi Ismail Qemalin me një aureolë të shndritshme dhe me mantelin e heroit në sytë e shqiptarëve.

Në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale e Stambollit e dënoi Ismail Qemalin me vdekje në mungesë, me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile. Ai u akuzua për “orvatje për të nxitur popullin kundër Qeverisë dhe Sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”. Kujtesa popullore e ka fiksuar me këto vargje emblematike këtë çast:

“O Qemal kur te përzunë

Kur të përzuri Turqia
Cili je ti more burrë?

Që na vjen nga Shqipëria
Unë jam ‘Smail Qemali
Mbrapa më vjen historia

Sazan e Karaburun
Janë vatanet e mia
Do ti marrë se s’është punë
Është e jona Shqipëria.”

Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Petroviç do t’i shkruante proverbialisht ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, baronit Kaliçe, në një raport të datës 14 maj 1900, se “tek Ismail Qemali, shqiptarët shohin udhëheqësin e tyre të ardhshëm.” Nga Brukseli, në tetor të vitit 1900, Ismail Qemali do t’ju drejtonte një thirrje gjithë shqiptarëve, ku ndër të tjera shkruante: “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj, duhet të bashkohemi dhe ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit, duke i treguar Europës se shqiptari ka mbetur gjithmonë europian në gjak dhe se nuk dëshiron gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet”.

Dhe në fund, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të mëdha, veprimtaria e Ismail Qemal Vlorës dhe patriotëve të tjerë shqiptarë, në vitet 1900-1912, do të rezultonte vendimtare dhe do të kurorëzohej me Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorën historike aty ku rreh fort zemra e shqiptarisë…

*Autor i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”

Fëmijët e varrezave, 24 shkurt 2024, Tiranë Nga Alba Kepi

“Zoti ju lehtësoftë”, “Qoftë i xhenetit”, “Boni sevap”, “A t’jua pastroj çdo javë?”…

——

Mëngjes i zhurmshëm, kush grindet me borinë e makinës, dikush tjetër me këmbësorët e këta me njëri-tjetrin.
Në trotuare fëmijë e adoleshentë që shkojnë në shkollë.
Duke shkuar drejt periferisë, Tirana bëhet e qetë.
Më thellë e qyteti është më i heshtur, e akoma më tej heshtja merr forma varri.
Tufinë, varrezat publike.
Mëngjesi i shkurtit këtu është therës. Dajti ftoh ajrin e deri në mesditë ruan në zemrën e tij diellin.
Në çdo parcelë gjen 2-3-4 fëmijë ulur buzë bordurave të varreve e presin.
Janë fëmijët e varrezave, të padukshmit nga shoqëria, shteti, Bashkia.
I gjen cdo mëngjes pranë varreve, o gropave të hapura gati për t’u mbyllur pas pak orësh.
Kanë filluar ditën e punës ndërsa moshatarët e tyre, në qëndrën e zhurmshme, kanë nisur mësimin.
Presin me durim sa mbaron takimin me pllakën e mermerit, derisa kokën e vë drejt mbi shpatull e sheh qiellin.
“Zoti t’lehtësoftë dhimbjen, t’pastë lënë ymrin, qoftë i xhenetit”, e një lumë urimesh dëgjon të vijnë pas.
Është një djalë rreth 10 vjec, buçko me një felpë të kuqe që i mbron kokën nga i ftohti, nga ku i dalin një tufê flokêsh biond.
Mbi trup mban veshur një xhup lëkure, burrash.
I rrinte i gjatë deri te gjunjët, poshtë të cilëve dukeshin çorapet ku kishte futur tutat.
Fliste ngadalë me fjalët e një të rrituri, dhe dorën e një vogëlushi zgjatur lëmoshë.
“A do të ta pastrojë cdo ditë?”, “Më jep sa të duash”, “Bo sevap”.
Ai zë i njomë kishte marrë ngjyra të rrituri e jepte këshilla se si buqetën e luleve duhej ta hapja, t’ua prisja bishtat për të mos i vjedhur. Lulet ishin shtrenjtuar në dyqane e i merrnin mbi varre për t’i rishitur.
Në parcelën ngjitur rrinin 2-3 fëmijë të tjerë. Po ndjekin me sy një automjet që vjen nga lart. Sapo ndaloi u drejtuan tek ai.
U ulën disa metra larg e me durim presin sa takimi shpirtëror të mbarojë e të thonë;
“Zoti ju lehtësoftë”, “Qoftë i xhenetit”, “Boni sevap”, “A t’jua pastroj cdo javë?”…
Fëmijët e varrezave i gjen çdo ditë mes heshtjes së varreve e heshtjes së shtetit.
“A shkon në shkollë?”
“PO, POOO”, thërret buçko biond e pêr pak sekonda nuk e sheh më gjëkund.
Fëmijët e varrezave janë të padukshmit e shoqërisë, Bashkisë e institucioneve.
Nuk dihet sa janë.
Nuk dihet në janë viktima shfrytëzimi o fatkeqë të familjes?
Varret janë vendloja e tyre.
Harresa, loja e preferuar e shtetit.


Send this to a friend