VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Studentët mbulojnë Ministrinë, nxjerrin kartonët e kuq (Video)

By | December 6, 2018

Komentet

(Video) Visar Zhiti: Nuk mund të bëjmë demokraci me njerëzit që bënë diktaturën

“Po ndërtojmë një demokraci me ata që bënë dhe diktaturën” Është një deklaratë shumë indinjuese nga shkrimtari Visar Zhiti i cili mbi supet e tij ka vuajtur vitet e diktaturës komuniste.

Por, edhe kur sot kohët duhet të ishin ndryshe, sërish persekutorët ngrenë gishtin mbi të persekutuarin.

Edmond Çaja, dikur kryepolic në kampin e Qafë Barit, dhe që sot jeton i lirë në Gjermani e akuzon Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit.

“Ky bashkë me ata jo vetëm nuk shfaqin pendesë, dhe duken shumë larg pendesës, por kanë kurajon dhe paturpësinë që në një kohë tjetër, kur edhe ata nuk janë më policë dhe unë nuk jam më i burgosur politik, por jemi në një shoqëri demokratike, ata kanë kurajon të flasin kundër viktimave të tyre. 

 

Në asnjë vend të botës nuk mund të ngrejë gishtin persekutori kundër të persekutuarve, sidomos në kushtet e tanishme kur unë jam në kohën time, ne që ëndërruam demokracinë dhe u sakrifikuam dhe u martirizuam dhe me butësi tregojmë çfarë ndodhi, këta vërsulen në mënyrën më të përbindshme. Nëse atëherë po bënte i detyruar detyrën, sot që nuk është më në atë detyre dhe jeton në një nga vendet më të demokratizuara, flet si një polic, ndëshkon si një polic dhe kjo është e padurueshme dhe e patolerueshme” tha Zhiti në studion e RTV Ora 

Zhiti nuk fsheh zhgënjimin për Autoritetin e Dosjes i cili nuk reagon duke thënë të vërtetën.

Visar Zhiti: “Në një rast të tillë, sic ju e kujtoni, në një konflikt të shefit të policisë të burgut me të burgosurin e tij dhe ai bën një shpifje, atëherë Autoriteti i Dosjeve apo institucionet e tjera duhet të mbajnë qëndrim, duhet të tregojnë si është e vërteta. Nëse ai që e thotë këtë zbulohet me dokumentacion, të mbajë përgjegjësi ai që akuzohet, ndryshe përgjegjësia e ndëshkimit duhet të bjerë në atë që shpif, qoftë Autoriteti i Dosjeve, qoftë institucione të tjera, qoftë shteti duhet tu japin përgjigje këtyre gjërave. Nëse ata i mbajnë të pazgjidhura, do të thotë se u intereson zgjatja e së keqes.”

Ende në diplomaci ka bashkëpunëtorë të sigurimit edhe po shkojmë afro tre dekada nga rrëzimi i diktaturës së komunizmit

Visar Zhiti: “ Po janë, gjenden në shumë institucione. Së pari, duhen rrëfyer. Së dyti, është një ndër gazetarët më të mirë europianë, Adam Icnik, i cili thotë që në rastet e listave të bashkëpunëtorëve, duhen parë sa dëme i kanë sjellë shoqërisë. Meqë kemi dosje, kemi autoritete, kemi të gjitha levat, institucione, të shohin sa dëme kanë bërë dhe në bazë të tyre të mbahet qëndrimi dhe ndoshta jemi disa vonë, por janë të panevojshëm këta njerëz në institucione. Nuk mund të bëjmë demokraci me këta njerëz që bënë diktaturën.”

 

Ish sigurimsat pushtojnë administratën shtetërore, vetëm në polici mbi 500 të tillë

Në studion e Top Talk, drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa u shpreh se në administratën shtetërore janë qindra ish-sigurimsa të punësuar.

“Ka një kapitull në raportin tim që raportohet për praninë e madhe në institucionet tona të pavarura dhe varura, të administratës nga ish-sigurimsa. Janë me qindra ish-sigurimsa. 519 ish-sigurimsa janë vetëm në Policinë e Shtetit. Apeli im është që të reagojnë ndaj kësaj situate”, tha Tufa.

Më pas, drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit tha se kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja iu ka kërkuar autoriteteve hapjen e dosjeve për ish-sigurimsat që punojnë në shtet. Kjo sipas tij është një shenjë e mbarë.

NË PRISHTINË U MBAJT AKADEMI PËRKUJTIMORE PËR MASAKRËN E TIVARIT – Nga Frank Shkreli

Ja edhe shënjat e para të një interesimi zyrtar për njërën prej tragjedive më të mëdha të historisë së Kombit shqiptar. Ditën e martë në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit. Sipas lajmeve, në tubimin e organizuar nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, foli Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, Zëvëndës Kryeministri i Kosovës, Z. Enver Hoxhaj dhe Drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla.

Në fjalën e tij me këtë rast, Kryeministri i Kosovës, Z. Haradinaj e cilësoi Masakrën e Tivarit, si njërën prej ngjarjeve më të dhimbëshme, si një ngjarje, ndaj së cilës është bërë më së shumti padrejtësi në gjithë këto vite. Udhëheqsi i qeverisë së Kosovës u kujtoi të pranishëmve se këtë vit janë janë mbushur 74-vjet nga Masakra e Tivarit, që atëherë, “Nën ndikimin e hegjemonizmit serb u mobilizuan dhunshëm 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte, një pjesë e të cilët pastaj u vranë dhe u hodhën në varreza masive, prej të cilëve shumica djem e burra të Kosovës”.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo ditë duhet të kujtohet jo vetëm si një datë tragjike në historinë e Kombit shqiptar, por edhe të përdoret si një rast që të merren masa dhe veprime të nevojshme për të zbuluar të vërtetën mbi këtë masakër, ashtu që sipas tij të, “nxjerrim në dritë të drejtën”. Ai shtoi se e vërteta e këtij krimi makabër është mohuar për një kohë të gjatë, ndërkohë që pasardhësit e këtyre martirëve nuk kanë marrë kurrë asnjë përgjigje dhe se as nuk u ndëshkua askush për vrasjen e tyre. Z. Haradinaj tha me këtë rast se zbulimi i së vërtetës dhe ndëshkimi i përgjegjësve të këtij krimi – një ndëshkim të pakën edhe para historisë, pasi shumë prej tyre mund të mos jetojnë më — duhet të ndodhë sepse, sipas tij, “Pa ndëshkimin e atyre që urdhëruan dhe kryen krimet, ato krime mund të përsëritën, kurdo. Së këndejmi, është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë ata që kaluan ferrin e Tivarit — pas vdekjes — si martirë”, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore mbajtur në Prishtinë të martën, me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës tha se kjo tragjedi e fshehur për shumë dekada nga qeveritë komuniste në të kaluarën, më në fund, ka filluar të tërheq vëmendjen e historianëve dhe po studiohet, por, sipas tij, kjo gjë po bëhet gjithnjë nga pikëpamje të ndryshme ideologjike. “Kuptohet se, motivi i kësaj masakre, ishte spastrimi etnik i Kosovës. Kolonat e të rinjve kosovarë që ecën për një javë, në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve të atëhershëm, ishin stigmatizuar si reaksionarë”, ka thënë Z. Haradinaj. Në fund të fjalës së tij me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës e cilësoi Masakrën e Tivarit si njërën prej “faqeve më të errëta të historisë së Ballkanit, e drejtuar kundër shqiptarëve të Kosovës”, si një përpjekje për të spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët autoktonë, ndërkohë që bëri thirrje se për “zbardhjen e saj të plotë, duhet të ndërveprojnë të gjitha palët e involvuara…në frymën e bashkpunimit rajonal”, ka përfunduar Kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, Zëvëndës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Enver Hoxhaj foli për atë që ai cilësoi si “dimensioni njerëzor i tragjedisë së Tivarit, i njerës prej tragjedive më të përgjakshme, më të dhimbshme për shqiptarët e Kosovës, por edhe një tragjedi që ka përmasa ballkanike, në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore.” Z. Hoxhaj e cilësoi Masakrën e Tivarit, “Jo si një zhvillim periferik, por ka qenë qëllim i vet luftës”, tha ai. Masakra e Tivarit “Nuk ka qenë një ngjarje e izoluar”, u shpreh Zevëndës-Kryeministri i Kosovës, “Por ka qenë një vazhdimësi e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë edhe para Masakrës së Tivarit, prej luftërave ballkanike, 1912-13, por edhe një vazhdimësi e asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, sidomos në kontekstin e viteve 90-ta dhe të politikës së spastrimit etnik të vitit 1998-99.” Nga dimensioni politik, vazhdoi mëtej Zoti Hoxhaj, Masakra e Tivarit tregon edhe natyrën e re të regjimit të ri komunist, i cili po instalohej në ato anë. “Thënë shkurt”, u shpreh zyrtari i lartë i Kosovës, “Maskara e Tivarit është një tragjedi dhe një paralajmërim se si një padrejtësi e vjetër po zevëndësohej me një padrejtësi të re” , nenvijoi ai, duke shtuar se, “Masakra e Tivarit ishte gjithashtu edhe një paralajmërim për një sistem të padrejtë që ka qenë komunizmi – ai jugosllav edhe komunizmi shqiptar, sisteme të padrejta, që heret ose vonë, shpërbëhen”, theksoi Z. Hoxhaj.

Zevëndës-Kryeministri i Republikës së Kosovës u bëri thirrje institucioneve akademike të Kosovës që të bëhen studime të mëtejshme të plota — për të mos thënë përfundimtare — në lidhje me këtë tragjedi dhe të mos hesitojnë që të trajtojnë, si rolin që kanë luajtur komunistët jugosllavë, ashtu edhe edhe rolin e komunistëve shqiptarë, në Maskarën e Tivarit.

Natyrisht se zbardhja e plotë e së vërtetës dhe e fakteve historike mbi Masakrën e Tivarit është detyrë dhe përgjegjësi e historianëve dhe akademikëve shqiptarë në Prishtinë dhe në Tiranë – por duhet të trajtohet larg influencave ideologjike të së kaluarës komuniste, pasi këta heronjë të Kombit shqiptar ishin viktimat e para – jo vetëm të një regjimi të padrejtë siç e cilësoi Z. Hoxhaj – por, mbi të gjitha, të një regjimi kriminal komunist sllavo-aziatik, që skllavëroi një popull të tërë për pothuaj gjysëm shekulli.

Organizimi i Akademisë Përkujtimore në Prishtinë mbi Masakrën e Tivarit — nën përkujdesjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ku folësi kryesor ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj dhe ku foli gjithashtu edhe Zëvëndës Kryeministri i Kosovës, Z. Enver Hoxhaj — tregon rëndësinë që duhet t’i kushtojnë dhe përgjegjësinë historike, kombëtare dhe morale që duhet të kenë politikanët shqiptarë anë e mbanë trojeve shqiptare mbi çështje të tilla, përfshir edhe rolin që duhet të luaj politika dhe përfaqsuesit e saj në një shoqëri të lirë — në mbështetje të zbardhjes së të vërtetave të dhimbëshme historike, siç është Masakra e Tivarit.

Për këtë, udhëheqsit e Republikës së Kosovës meritojnë vlerësimin tonë jo vetëm për përkujdesjen e organizimit të kësaj Akademie Përkujtimore, me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit, por edhe për pjesmarrjen e tyre në punimet e saja. Simbolikisht dhe realisht, ky është një mesazh tepër i rëndësishëm dhe domethënës për vullnetin e tyre për të zbuluar, më në fund, të vërtetën mbi një prej krimeve më të rënda kundër Kombit shqiptar në trojet e veta — e planifikuar, e drejtuar dhe miratuar nga një bandë kriminelësh, mbështetës të komunizmit ndërkombëtar, të maskuar si çlirimtarë të popujve.

Një reagim nga Profesor Sami Repishti, dëshmitar i kësaj ngjarjeje:

 

 “Mirëmengjezi e falemnderit Frank për kete shkrim me randësi. 

Unë i kam pa kosovarët në Shkodër, të gjithë leckamanë me rroba civile, te rij dhe të lodhun e të raskapitun mbas nji udhëtimi NË KAMBË prej Prizrenit deri në Shkodër e Tivar. 

Ruheshin nga të dy anët me vajza partizane ma të shumëten me mashinka dhe plot urrejtje. Atë natë, u ndigjue lajmi se nji lundër e mbushun me kosovarë ashtë fundosë në Bunë, sepse ura ishte prishë.

Ma vonë erdhi lajmi nga ata që shpëtuen se të gjithë ishin vra. Asnji shenj pendese nuk u tregue nga autoritetet komuniste as nga anëtaret e partisë.

 Tragjedi për kosovarët, tragjedi për të gjithë ne shkodranët që deshmuem kete ngjarje dhe nuk u ba asgja. “Kishte vdeke ora!”

Te fala Sami”

Opozita përshkallëzon protestën, nesër bllokohen 5 akset kryesore të vendit

Opozita do të protestojë ditën e nesërme. Burime pranë selisë së PD bëjnë me dije se ditën e nesërme në orën 18:30 opozita do të bllokojë akset kryesore në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera. Mësohet se janë 5 qarqe që do të bllokojnë akset e tyre, paralelisht me bllokimin që do të bëhet në sheshin “Shqiponja”. Bllokimet e tjera do të bëhen në Fier, Elbasan, Milot, Durres, Kavajë.

“Kam pasur presione nga halabakë”, Agron Tufa padit në gjykatë për fyerje dhe shpifje Brahon, Brokajn, Vujkajn dhe…

Kreu i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa, ka paditur ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës disa persona publiikë, duke i akuzuar për fyerje dhe shpifje ndaj personit të tij.

Braho ka paditur kontretisht Spartak Brahon, Sabit Brokajn, Shaqir Vukajn, Arben Dukën, Fatos Tarifën, dhe gazetën Dita.

Kjo është bërë për shkak të detyrës dhe dëshirës së një segmenti të trashëgimisë Enveristë, të cilët kërkojnë rikthimin e diktaturës më të pistë të shekullit. Përmes padisë unë kërkoj që drejtësia e shtetit tonë ti vendose përpara provave të pakundërshtueshme dhe tu gjej vendin shpifjeve dhe kërcënimeve dhe frymës përçarës rracore mes shoqërisë tonë për rikthimin edhe më të egër të luftës së klasave”, u shpreh Tufa në një deklaratë për mediat.

I pyetur lidhur me “dosjen e Gramoz Ruçit”, ai u shpreh: Unë ende nuk di ndonjë fakt, nëse do të kishim një dijeni do ta trajtonim në respekt të ligjeve.  Unë flas këto që janë aktualisht  të dukshme dhe që nuk kam nguruar ti bëj publike. Kjo është një çështje që i përket një institucioni më të specifikuar që merret me gjërat personale. Për këtë çështje mund të merret Autoriteti i Hapjes së Dosjeve.

“Vazhdimisht kam pasur presion. Presion në punë, presion halabakësh, presion nga makina në makinë, presion me mesazh, pra të gjitha format e presionit që mua vetëm sa më zbavitin”, u shpreh Tufa.

KS i OKB-së miratoi rezolutën për dhunën seksuale gjatë luftës

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë mbi dhunën seksuale gjatë luftës.

Miratimi u bë pas heqjes së një klauzole për shëndetin riprodhues të grave në mënyrë që të shmanget vetoja e SHBA-së.

Rezoluta e paraqitur nga Gjermania u miratua me 13 vota pro dhe asnjë kundër ndërkaq në votim abstenuan Rusia dhe Kina.

Shtetet e Bashkuara thuhet se kanë dashur të përdorin veton ndaj rezolutës për shkak të një reference në tekst për të drejtat riprodhuese, e cila nga Uashingtoni shihet si një inkurajim për abortin.

Në selinë e OKB-së gjatë diskutimeve për miratimin e kësaj rezolute ka qëndruar edhe një delegacion nga Kosova i udhëhequr nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Këtë e ka bërë të ditur Jahjaga përmes një postimi në Facebook.

Më 24 prill 1941 lindi Richard Holbrooke, diplomat i shquar amerikan, mik i madh i shqiptarëve

VOAL – Richard Charles Albert Holbrooke (24 prill 1941 – 13 dhjetor 2010) ishte një diplomat amerikan, botues, autor, profesor, zyrtar i Korpusit të Paqes dhe bankier i investimeve.

Ai ishte i vetmi person që kishte mbajtur postin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për dy rajone të ndryshme të botës (Azia 1977-1981 dhe Evropa nga 1994 deri në 1996).

Nga viti 1993 deri në vitin 1994, ai ishte Ambasadori i SHBA në Gjermani. I njohur gjerësisht në qarqet diplomatike dhe gazetareske, Holbrooke arriti një rëndësi të madhe publike kur ai, së bashku me ish kryeministrin suedez Karl Bildt, ndërmjetësoi një marrëveshje paqeje midis fraksioneve ndërluftuese në Bosnje që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit në vitin 1995. Holbrooke ishte një konkurrent kryesor për të pasuar Warren Christopher në pension si Sekretar i Shtetit, por më 1996 Presidenti Bill Clinton zgjodhi Madeleine Albright në këtë post. Nga viti 1999 deri në vitin 2001, Holbrooke shërbeu si ambasador i SHBA në Kombet e Bashkuara.

Ai ishte këshilltar i fushatës presidenciale të Senatorit John Kerry më 2004. Holbrooke u bashkua me fushatën presidenciale të senatores Hillary Clinton dhe u bë një këshilltar i lartë i politikës së jashtme. Holbrooke u konsiderua si një kandidat i mundshëm për Sekretaren e Shtetit nëse Kerry zgjidhej President. Në janar 2009, Holbrooke u emërua këshilltar special për Pakistanin dhe Afganistanin, duke punuar nën Presidentin Barak Obama dhe Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton. Ai shërbeu derisa vdiq nga komplikimet e një diseksioni të aortës më 13 dhjetor 2010.

Ambicia e paplotësuar e Hollbrukut ishte që të bëhej Sekretarja e Shtetit; ai, së bashku me George Kennan dhe Chip Bohlen, u konsideruan ndër diplomatët më me influencë të SHBA që nuk arritën kurrë drejtimin e kabinetit. Shumë mendojnë se për rolin në Marrëveshjet e Dejtonit meritonte çmimin Nobel për Paqen.

Në vitin 1997, Holbrooke u bë një i dërguar i posaçëm për Qipron dhe Ballkanin. Gjatë viteve 1998 dhe 1999, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm presidencial, Holbrooke punoi për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave të armatosura të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po luftonin për një Kosovë të pavarur. Holbrooke u kthye në Bosnje dy vjet më vonë në qytetin e Sarajevës. Në mars të vitit 1999 ai udhëtoi për në Beograd për të dorëzuar ultimatumin presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç përpara fillimit të sulmit të NATO-s. Holbrooke shkroi artikuj të shumtë rreth përvojave të tij në Ballkan dhe në vitin 1998 botoi librin e përshëndetur “Për t’i dhënë fund një lufte”, një kujtim i kohës së tij si kryenegociator i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, duke i dhënë fund luftës civile në Bosnje. New York Times e renditi librin si një nga njëmbëdhjetë librat më të mirë të vitit në vitin 1998.

Fjalët e fundit të Hollbruk para se të operohej, në një shkëmbim komik me mjekun e tij, ishin: “Ju keni marrë përsipër t’i jepni fund kësaj lufte në Afganistan”.

Frank Rich i New York Times shkruante: “Vdekja e tij e parakohshme, ndërsa heroikisht mbante ngarkesën dërrmuese të Afganistanit dhe Pakistanit, është tragjike në më shumë mënyra që amerikanët ende nuk i kuptojnë.”

Më 14 janar 2011, shërbimi përkujtimor i Hollbrukut u mbajt në Qendrën John F. Kennedy për Artet e Performancës.

Më 2014 iu kushtua filmi Diplomacia.

Në vitin 2015, i biri David Holbrook ishte regjisor i fillmit dokumentar, The Diplomat, i cili pasqyroi jetën dhe arritjet e babait të tij.

Një rrugë në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës, ka marrë emrin e tij, në transliterimin shqip “Riçard Holbruk”.

Visar Zhiti: Sulmet që na bëhen sot nga persekutorët e djeshëm, janë fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit

Fatmira Nikolli  – Xhelatët dhe viktimat e komunizmit janë vënë sërish përballë në demokraci, në një “luftë” ku po trajtohen si të barabartë e ku ndonëse kanë kaluar 30 vite nga rënia e regjimit, askush prej atyre që mbajtën poste drejtuese nuk u penalizua për krimet kundër njerëzimit. Kur debati me/për të shkuarën ka mbetur vetëm temë tryezash për trajnime, pa arritur kurrë në llogaridhënie e mbajtje përgjegjësie, vendi ynë ka njohur vetëm një “gjyq kafesh” si shpagim për mëkatet zhurmëmëdha. Asnjë fjalë për jetët e humbura, jetët e shkërmoqura, asnjë fjalë e asnjë penalizim për ligjet “mesjetare” apo tejkalimin e tyre. Asnjë i dënuar për krimet që pat bërë në emër të popullit, asnjë i dënuar as për ata që e patën tejkaluar ligjin dhe patën persekutuar për interesa të vetat nën maskën e makabritetit të një regjimi autoritar. Dikush është “dëmshpërblyer” me para nga shteti për jetën e çuar dëm e tmerret e jetuara, por a blihet e shkuara me para? Përgjigja është doemos jo, sepse askush e asgjë nuk t’i kthen dot më mbrapsht vitet e humbura në skuta, lluca e burgje. Përtej kësaj, shembulli i krijuar në vendin tonë është precedent i rrezikshëm. Të mos dënosh kriminelët e një regjimi dhe të krijosh modelin e kulturën e mosndëshkimit (duke i mbytur klithmat me këste të dhëna para zgjedhjeve si lëmoshë), ka krijuar siç dihet Shqipërinë e rrudhur në banorë, kur shumëkush zgjedh të ikë nga një vend që nuk e njeh drejtësinë as në raport me të shkuarën, as në raport me të tashmen. Thënë kjo, ne ende rrekemi të “blejmë” të shkuarën përmes “dëmshpërblimeve”, qoftë kjo si shpagim për ish- të përndjekurit, qoftë kjo si mitmarrje për tashmen. Modeli që vendosëm e pranuam dikur, duke mos vënë para drejtësisë fajtorët është kthyer në sistem dhe sistemet janë të vështira të zhbëhen. Si rrjedhojë e sa më sipër, ne po përballemi me një situatë logjikisht krejt utopike. Xhelatët e kahershëm po shijojnë lirinë në “kapitalizmin” që patën dënuar e madje janë ende xhelatët tanë. Tashmë në një formë të re. Duke qenë se mbrojtja më e mirë është sulmi, në mungesën e institucioneve që do të duhej t’i kishin dënuar a t’i dënonin edhe tani, ata përdorin të drejtën e fjalës për të sulmuar e “dënuar” së dyti ata që i patën dënuar e sulmuar njëherë, duke i çuar jetët e tyre në tehun e thikës. Duke qenë se shpesh na e ka ënda të krahasohemi me Gjermaninë a të marrim shembull prej saj (jo vetëm) por kryesisht për çështjet e përballjes me të shkuarën, ish-xhelatët nazistë janë arrestuar dhe dërguar para drejtësisë edhe kur i kanë kaluar të 80-at, edhe me identitete të ndryshuara e, edhe nëse kishin shkuar literalisht në fund të botës. Rasti shqiptar është mjerisht i dhimbshëm dhe i turpshëm: ne nuk vumë askënd para drejtësisë, por i emëruam në sistemet e drejtësisë, që edhe njëherë të na interpretojnë ligjet sipas midesë së vet. Ata u ribënë ekspertët “sui generis”. Ndërsa të përndjekurit u “gëzoheshin” thërrimeve që ua hodhën, përndjekësit ndërtuan një sistem të ri sipas modelit të vjetër, kur në krye të piramidës qëndrojnë ironikisht, po ata. Çorba që kemi gatuar është prishur e mban erë, por ne kemi zgjedhur të mbyllim hundët. Jemi sërish të mësuar e bashkëjetojmë me banalitetin e së keqes, që tashmë ka ndërruar formë për t’u kthyer në normalitet e mënyrë e të qenurit. Nuk ka një përgjigje deri kur as pse kaq gjatë. Nuk ka një përgjigje për asgjë. Për aq kohë sa amullia vazhdon, për aq kohë sa sistemi është ky, na mbetet vetëm të shohim se deri ku do shkojnë dhe nëse do dinë të ndalin. Ne na është dhënë në duar lodra e lirisë, por dikush tjetër e ka telekomandën e saj. Ne mund të mendojmë se ajo nuk funksionon, por dikush tjetër e ka ndalur atë.



RASTI “VISAR ZHITI”

Së fundmi, Edmond Caja, ish-kryepolic në kampin e Qafë- Barit e me banim në Gjermani e ka akuzuar Visar Zhitin si gënjeshtar dhe bashkëpunëtor të regjimit. Ndërsa një debat i gjerë ka përfshirë atë, një deputet dhe disa prej shoqatave që kanë në fokus të punës së tyre zbardhjen e krimeve të së shkuarës, shteti shqiptar, luan rolin e vëzhguesit asnjanës. I pyetur nga “GSH” për sulmet që atij dhe Agron Tufës i janë bërë së fundmi nga disa personazhe publike që kanë qenë pjesë e strukturave në regjimin komunist e për të cilët ka edhe dokumente, shkrimtari Visar Zhiti, që ka vuajtur burgjet dhe persekutimin komunist, qe mjaft i qartë. “Sulmet që na bëhen sot nga ata që kanë mbajtur uniformat e diktaturës së dikurshme, që kanë punuar në organet e dhunës a të mbrojtjes së saj, pra nga ata që kishin punë persekutimin janë jo vetëm fantazmagori absurde dhe patologji e revanshit, por edhe të rrezikshme, pra të dënueshme”, tha Zhiti për “GSH”. Në prononcimin e tij, ai theksoi se ,“janë dy herë të dënueshme, herën e parë duheshin dënuar si dhunues profesionistë dhe tani si shpifës ordinerë, ndotës të mjedisit mendor e shpirtëror”. Shkrimtari, që përmes letërsisë së burgut ka rrëfyer si ishte të jetoje mes kampeve e burgjeve komunistë në Shqipëri, tha se të paktën “na vjen mirë që atë që s’e ka bërë dhe s’po e bën dot politika moralisht dhe drejtësia ligjërisht, po e bën opinioni i shëndoshë, që për fat ende është, për aq sa ka mundur të gjejë hapësira mediatike, duke shpërthyer kundër kthimit të vegimeve horror e mashtrimit tradicional. Intelektualë, ish-të persekutuar, gazetarë, anonimë, shkrimtarë, grupime të tyre etj., edhe nga vende të tjera të botës, që nga Italia, Zvicra e në SHBA, gazeta ‘Dielli’, VOAL, PEN-i Internacional etj. janë të indinjuar, madje të fyer”.

Në fund të prononcimit të tij për “GSH”, Zhiti tha se “po goditet e vërteta, qëndresa ndaj totalitarizmit barbar, morali, po nëpërkëmbet vuajtja njerëzore, shumëçka që meriton nderim. Të keqes i duhet prerë rruga, ndryshe ajo bëhet më e keqe dhe e qëndrueshme, s’ikën siç dhe na ka ndodhur gjatë, shumë gjatë. Këtë duan të bëjnë ata, të dikurshmit e tanishëm, të tmerrshëm e fantazmagorikë”.

REAGIMI
Ka pasur së fundmi edhe një reagim nga PEN-i shqiptar, që gjykon se sulmet ndaj shkrimtarit Visar Zhiti janë veprime të qëllimshme, akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Entela Kasi, presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë (PEN Internacional, me seli në Londër) thotë se sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish-i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane sulmohet në Shqipëri. Sipas saj, sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar. “Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të ‘PEN International’ dhe jo vetëm. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë!”, shkruan presidentja e PEN-it shqiptar. Për të, kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila pas rënies së Murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

“Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në ‘PEN International’, lidhur me këtë çështje. Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti? Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN, Qendrës së Shqipërisë”, nënvizon ajo. Në vijim, Kasi vëren se për aq kohë ata që shkruan aktekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane, në auditorë të promovuar, të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri e për më tepër të jenë misionarë të lirisë. Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti. Sot shoqëria politike, institucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti. Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim, ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cenohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri”, thekson Entela Kasi në emër të PEN-it shqiptar.

Çfarë do të ndodhë në protestën e 11 majit – Përshkallzohet situata, do bllokohen akset

Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e ardhshme në 11 maj në orën 18:30 të pasdites. Në mbledhjen e organizuar, opozita ka diskutuar edhe për zhvillimin e saj si dhe rrjedhën që do të marri. Bëhet me dije se aksioni opozitar tanimë do të vijojë edhe me bllokimin e akseve rrugësh, sidomos ato kombëtare. Në takimin e mbajtur ditën e djeshme me kryetarët e bashkive të djathta, Basha ka diskutuar për të gjitha detajet, përfshi edhe për kohëzgjatjen e kësaj proteste.



Kujtojmë se deri tani, opozita ka mbajtur 9 protesta. Në protestën e fundit përpara Kryeministrisë e përpara Parlamentit, pati edhe përplasje mes policisë dhe protestuesve. Mbetet për t’u parë nëse protesta e 10 e opozitës do të sjellë një përshkallzim të situatës, ashtu si flitet tashmë nëpër korridoret e PD.

Blerim Reka me bashkëshorten i drejtohet kutive të votimit, bën thirrje për zgjedhje demokratike

Sot në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet presidenciale, e në votime ka dalë edhe kandidati shqiptar për president Blerim Reka, raporton Gazeta Express nga vendi i ngjarjes.Reka ka bërë thirrje për zgjedhje demokratike.

Blerim Reka ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, vite më parë, ndërsa ka qenë edhe ambasador i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, ai është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Prishtinës.

Papa Françesku i shtrirë në altar (fotot)

Papa Françesku, edhe pse në moshën 82 vjeçare, e sfidon veten për të kryer ritualin e lutjes ashtu siç e kërkon rasti. Këtë herë Ati i Shenjtë është shtirë në dysheme në shenjë përuljeje për të përkujtuar kryqëzimin e Krishtit.

 

I ndihmuar nga priftërinjtë e kishës, Papa Françesku u përul në altar për të përkujtuar kryqëzimin e Krishtit.

I shtrirë në qilim, me fytyrë nga toka dhe me duart poshtë kokës Ati i Shenjtë udhëhoqi lutjet e të Premtes së Madhe para qindra adhuruesve në Vatikan.

Mesha e të premtes është ndjekur nga mijëra pelegrinë dhe turistë të ardhur në Bazilikën e Shën Pjetrit nga e gjithë bota.

Mark Gjonaj bën thirrje: Shqiptarët në mbarë botën të bojkotojnë produktet serbe

Asamblisti i New Yorkut, Mark Gjonaj, u ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve në mbarë botën të bojkotojnë produktet serbe. Ka thënë se lufta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ende nuk ka përfunduar pasi ende nuk janë dënuar kriminelët serbë që kanë vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, kanë dëbuar 1 milion banorë nga Kosova dhe kanë dhunuar mbi 20 mijë persona.

Në një bisedë për Express, Gjonaj ka thënë se shqiptarët duhet të vazhdojnë lobimin për Kosovën dhe Shqipërinë dhe të mos mendojnë se kanë përfunduar ndihmën për atdhe.

“Më së paku që mund të bëjmë është që gjithë shqiptarët të bojkotojnë produktet serbe. Duhet të rigrupohemi dhe të bëhemi bashkë kundër Serbisë. Ne po përkujtojmë 20 vjetorin e luftës, të masakrave që kanë kryer serbët në Kosovë”, ka thënë Gjonaj, për Express.

Mark Gjonaj është në një vizitë bashkë me anëtarët e Batalionit Atlantiku, ku disa shqiptarë ishin ardhur nga Amerika dhe ishin bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se produktet serbë duhet të bojkotohen edhe për shkak se ende më shumë se 1600 shqiptarë vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe nuk u janë gjetur eshtrat.

“T’i bojkotojmë produktet e Serbisë, në emër të viktimave dhe të të zhdukurve. Serbët duhet të dalin para drejtësisë për krimet e bëra në luftë, kurse në botën tjetër do të dënohen nga Zoti”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. Më shumë se pesë muaj kanë kaluar kur një pjesë e madhe e produkteve të Serbisë dhe Bosnjës janë bllokuar të hyjnë në shtetin kosovar.

Mark Gjonaj u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve tjerë në rajon të bojkotojnë produktet serbe.