Të gjitha projektet e Bablokut po dalin afera korrupsioni, SPAK merr 3 të pandehur për Aeroportin e Vlorës!
Të gjitha projektet infrastrukturore që prezanton me bujë kryeministri, po dalin afera të pastra korrupsioni.
Aeroporti i Vlorës, na u shit si një super projekt, i cili do të rriste imazhin e vendit dhe do të shtonte numrin e turistëve. Por ky projekt jo vetëm që nuk po realizohet, por duket se është përfshirë nga skandalet e njëpasnjëshme.
Përveç përplasjeve mes administratorëve të kompanisë që po ndërton aeroportin, në lojë ka hyrë edhe SPAK, duke konfirmuar se pazari i Edi Ramës me Astrit Pacollin ka qenë një aferë e pastër.
Sipas burimeve, tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, që në mars të vitit 2021 shpallën fitues konsorciumin për ndërtimin dhe operimin e aeroportit, janë akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”. Ata janë zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe sot SPAK u ka komunikuar akuzat.
Hetimet e SPAK fokusohen në mënyrën se si është zhvilluar procedura e dhënies me koncesion, nga momenti i shpalljes së parë në fund të vitit 2019 deri në përfundimin e saj në mars 2021. Dyshimet janë se, përmes veprimeve apo mosveprimeve, zyrtarët kanë favorizuar konsorciumin fitues, i përbërë nga “Mabco Construction”, kompania turke “YDA” dhe “2A Group”, në një projekt me vlerë rreth 104.3 milionë euro dhe me afat operimi 35-vjeçar.
Kontrata koncesionare u nënshkrua në prill të vitit 2021. Më pas u krijua edhe shoqëria koncesionare “Vlora International Airport”, me ndarjen fillestare të aksioneve mes tre kompanive. Por dinamika e projektit ndryshoi pas tërheqjes së kompanisë turke “YDA”, e cila shiti aksionet e saj te “Mabco Construction”, duke rikonfiguruar raportet mes ortakëve.
Kjo lëvizje u pasua nga përplasje mes aksionerëve të mbetur. Kompania “2A Group” ka pretenduar rritje të pjesëmarrjes në aksione deri në 49%, duke çuar çështjen në gjykatë. Konflikti ka marrë edhe dimension penal, pasi palët kanë depozituar kallëzime ndaj njëra-tjetrës për mashtrim, ndërkohë që një tjetër hetim lidhet me një kredi të marrë në emër të kompanisë koncesionare.
Paralelisht me zhvillimet mes privatëve, SPAK po vijon hetimet për të identifikuar përgjegjësi të mundshme edhe në nivele më të larta vendimmarrjeje. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se verifikimet nuk kufizohen vetëm te anëtarët e komisionit, por mund të shtrihen edhe te zyrtarë të tjerë të përfshirë në procedurë.
Projekti i Aeroportit të Vlorës, i njoftuar fillimisht në vitin 2018 si një investim strategjik, vijon të mbetet ende pa një afat të qartë për përfundimin dhe nisjen e operimit, ndërkohë që tashmë është shndërruar në objekt hetimi penal në disa drejtime. /Pamfleti