Në një intervistë të veçantë për “Odeon”, sopranoja e njohur Inva Mula ndau emocionet dhe surprizat që mbart edicioni i tetë i Festivalit MIK, i cili këtë vit i kushtohet tenorit legjendar Gaqo Çako, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij. Përmes një pune të kujdesshme arkivore, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë dhe të shohë regjistrime të rralla të artistit, të ruajtura ndër vite në fondet e Arkivit të Filmit dhe të Teatrit të Operas dhe Baletit.
“Është fat për ne që të arrijmë t’i bëjmë këtë homazh Gaqo Çakos, por edhe përgjegjësi shumë e madhe, pasi figura e tij është shumë e madhe. Nuk kemi vetëm vepra që do interpretohen, por kemi edhe tregim të jetës së tij. Është bërë një punë e madhe në arkivin e Filmit shqiptar, në arkivin e Teatrit të Operas dhe Baletit. Është bërë një punë shumë e madhe për të nxjerrë dhe filmime që nuk janë shfaqur asnjëherë. Publiku do ketë rastin të shohë gjëra shumë të rralla. Fatmirësisht ekzistojnë. Gaqo Çako gjithmonë ka qenë një princ në artin shqiptar, dhe gjithmonë ka pasur fokus për ta filmuar, por nuk kanë dalë asnjëherë këto filmime. Do nxjerrim inçizime të hershme të Gaqo Çakos me zërin e tij, me brilancën e zërit të tij, me elegancën e portretit e fizikut të tij dhe me ngjyrat e një timbrike që unë edhe në karrierën time rrallë e kam dëgjuar kudo në botë,” – u shpreh Inva Mula.
Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni, është edhe interpretimi i saj për herë të parë në skenë me të birin, Antoni Çako, në natën e dytë të festivalit, që është njëkohësisht nata homazh për Gaqo Çakon. Një ngjitje në skenë që mbart simbolikë familjare dhe emocionale.
E pyetur nga gazetarja Egla Xhemalaj për këtë moment të rrallë, Mula u shpreh:
“Është një element shumë i rëndësishëm. Nëse do merrja nipin e një gjyshi tjetër, ndoshta do flisja më shumë për një gjë të tillë. Hera e parë që këndoj me djalin tim, në festivalin tim të krijuar nga unë, në homazhin e 90-vjetorit të gjyshit të djalit tim… besoj e ka brenda mesazhin edhe emocionin. Duhet ta kuptoni sa e lumtur jam për të arritur një gjë të tillë. Uroj të mbetet një nga pikat e rëndësishme të takimit tonë artistik. Është ritakim artistik shumë i rëndësishëm për mua, për gjithë rrugëtimin tim. Këto takime janë shumë të rralla, që nuk i ndodhin çdo njeriu. Ndodhin për disa arsye të caktuara. I jam mirënjohëse jetës që ma kthen një gjë të tillë për Gaqo Çakon, që e kam adhuruar gjithë jetën të arrij të këndoj me djalin tim, që është nipi i tij.”
Edicioni i sivjetëm i MIK Festival shpalos kështu jo vetëm vlera muzikore, por edhe një ndjeshmëri të thellë artistike dhe njerëzore duke u kthyer në një urë ndër breza përmes artit, kujtesës dhe dashurisë familjare.
Komentet