Mbrëmë u zhvillua nata finale e Eurovision, ndërsa vendin e parë e siguroi Bullgaria me këngën “Bangaranga”.
Përfaqësuesi i Shqipërisë, Alis, i cili u ngjit i pesti në skenën e Vjenës me baladën “Nân”, dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm dhe thellësisht emocional. I shoqëruar nga mjeshtrja e skenës, aktorja e madhe Rajmonda Bulku, dyshja shqiptare krijoi një moment magjik, duke i rrëmbyer zemrat e spektatorëve në arenë, si dhe të miliona shikuesve në Shqipëri, Evropë dhe më gjerë.
Si u ndanë votat për Shqipërinë?
Në përfundim të llogaritjes së votave, Shqipëria arriti të grumbullojë në total 145 pikë, duke u renditur e 13-ta mes 25 vendeve që garuan në Natën finale. Kjo shifër vjen si një kombinim i vlerësimit të jurive profesionale të shteteve pjesëmarrëse dhe votave të publikut (diasporës dhe fansave evropianë).
Nga juritë e 35 shteteve, balada “Nân” u vlerësua nga 10 prej tyre, duke mbledhur 60 pikë në total, ku spikati vlerësimi maksimal nga Portugalia.
Pikët nga Juritë Profesionale për Alisin:
Portugalia: 12 pikë
Mali i Zi: 10 pikë
Kroacia: 8 pikë
Qipro: 8 pikë
Malta: 6 pikë
Azerbajxhani: 6 pikë
San Marino: 5 pikë
Belgjika: 3 pikë
Izraeli: 1 pikë
Greqia: 1 pikë
Nga ana tjetër, vota e publikut – e cila u mblodh përmes telefonatave, SMS-ve dhe votimit online gjatë kohës që dritarja ishte e hapur – i dha Shqipërisë një mbështetje domethënëse prej 85 pikësh. bw