Përçmuesve të Luftës e këngës sonë
Për Luftën,
U zura
Sot
Me dikë në kafene
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe,
Të zihesh të grindesh, s’ka sens,s’ka pse!
***
Po!
Ne
I kënduam Luftës.
Si thoni ju
Të mos i këndonim kapedanes,
Guximtares, trimreshes, luftëtares,
Partizanes me yll në ballë,
Sjellëses së lirisë,
Çlirimtares ?
Mbi zaje inkandeshente
Dhe dëborë flakësh,
Si Kapaneo
I Ferrit
U vu
Atdheu ynë;
Si Kapaneo i Dantes
Që s’diti të nënshtrohej
Në shekuj,
Në jetë
E si mund ta linim ne atdheun
Të nënshtrohej në shekullin njëzetë ?
Si thoni ju
Të mos i këndonim trimërisë së malit
Me yll mbi kapelen madein angle,
Si thoni ju të mos i këndonim,
Pushkës fisnike me gjalmë,
Pushkës modeste,
Pa stolira ari,
Argjendi,
Fildishi;
Të mos i këndonim ne pushkës trime
Që po na sillte blerimin, pranverën,
Të mos buçiste për të kënga
Dhe fjala jonë me melodi,
Me tingëllim ari:
Dalëngadalë
Po na vjen
Behari?
***
Po! Ne
I kënduam pushkës me gjalmë
Pushkës që rrëzoi aeroplanin kob.
I kënduam
Llastiqeve
Të Colit
Që me to qërronte
Gjermanët me helmeta.
Pse të mos i këndonim llastiqeve,
Armës më të vjetër
Armës më të re?
Me çfarë e vrau Davidi Goliathin,
A s’e vrau me një gur, hedhur me hobè…?
Ne,
U kënduam dëshmorëve:
Si thoni ju
Të mos u këndonim plagëve të gjokseve,
Plagëve si bozhure në lule të ballit
Të mos u bënim kurora
Me degët
E dafinave?
Në dani të pështyni,
Pështyni plagët e turpshme të shpinave!
***
Si thoni ju
T’i linim
Pa poezi, pa këngë,
Plagët bozhure, trimëresha,
Plagët heroina të djemve partizanë ?
Mjaft!
Me numra
Dhe llogari plagësh.
Plagët për Liri s’numërohen
Plagët e Lirisë nuk përfliten, s’namatisen,
Plagët e Lirisë vetëm venerohen…
***
Për Luftën,
U zura
Sot
Në kafe
Me dikë
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe
Të zihesh, grindesh, nuk ka sens,
Nuk ka përse!
***
Ne luftuam.
Mjaft!
As topi
S’e luan.
Pyetni malet
Pyetni dhe fushat,
Pyetni dëshmitarët tanë,
Pyetini yjet, vetëtimat, retë
Që mes plumbave, breshërit, na panë
Pyetni bubullimat dhe rrufetë
Që mbi ballin tonë me yll,
Binin ditë dhe net…
Edhe
Pse fëmijë ,
Pse i vogël fare,
Edhe unë luftova
E ndihmova dhe unë
Luftën Nacional Çlirimtare:
Vdekje Fashizmit!,
Thirra
Para
Pushtuesve
Fashistë, gjermanë,
Dhe këndova këngën
S’e pushova këngën,
O i vogël
O partizan
Dhe e këndova
Deri në Çlirim:
O, i vogël, o partizan,
O Coli im vogël, o shoku im.
***
Po, ne
Kënduam
Këngën e ditës:
Karkaleci majё grurit,
Karkaleci në lëndinë
Do ta djegim me vajguri
Do ta djegim me benzinë
***
Si thoni ju,
Tё mos e digjnim karkalecin,
Ta linim tё na hante
Grurin,
Misrin,
Blerimin;
Tё mbeteshim pa bukë,
Të mbetej atdheu
I uritur
Pa blerim
Të mbetej fusha
Pa një fije bari të njomë
Pa një vatër, pa një copë blerim?
Po ne
E dogjëm
Karklecin kob
Dhe gruri u tërbua,
Si karkalecat edhe uria
U përzhit, u dogj, u shkrumbua…
***
Si thoni ju, tё mos i kёndonim shiut
Kur binte njё vesё shi,
Dhe zbukuronte
Dheun
Dynjanë,
Dhe ne e masnim me metër,
E bënim bluzë, triko, xhaketë, fustan.
Fustanin
Me pika,
Plot me luleshqerra,
Për fejesa, dasma, gëzime,
Na e sillte si dhuratë, pranvera.
Ne
I kënduam,
I thurёm poezi
Kanalit tё Myzeqesё:
Ec e ec e s’ka tё sosur,
Ky kanali i Myzeqesё,
Sa i gjatё e sa i gjёrё,
I çan fushat mes pёr mes.
***
Si thoni ju,
Të mos i këndonim kanalit
Kanalit që e hapëm të uritur, pa bukë,
Por e hapëm me këngë, me gojën e tharë
Me gojën tonë të zhuritur.
Edhe pse adoleshent
Edhe pse i mitur,
Hapa dhe unë
Kanal
Në Çukas
Dhe Vlashuk
Që Fusha ime Myzeqare të jepte grurë
Të gatuante, të piqte më shumë bukë…
***
Si thoni ju,
Tё mos i këndonim kanalit
Qё bёri tё valëzonin grunajat,
Tё shushurinte tёrshёra, thekra,
Që blerimi të merrte ngjyrёn më të blertё,
Qё mbi grunoret tё pluskonin fluturat
Mbi pjatën e luleshqerrës
Të zuzonte bleta
Të thithte nektarin.
Të ngarkohej me polen të artë
Të të thithte nektarin e kulluar
Të ëmbëlsonte të mjaltonte gojën me mjaltë.
Pse nuk shkruam ne për qiej të kaltër,
Për flutura, për syrin e zi?
Po si mund
Të këndonim,
Si mund tё shkruanim ne atëherë
Pёr qiej tё kaltër e flutura
Për buzët si burbuqe,
Për syrin e kaltër,
Për syrin e zi,
Kur fushës i thahej buza,
Kur bujku lutej për një pikë shi ?
***
Ju
Talleni,
E shikoni me qesëndi
Kombajnën e kuqe
Ekskavatorin gri
Blu, banene
Portokalli …
Por
Ajo kombajnë, ai ekskavator
Gёzoi shpinat e bujqëve,
Shpinat tona punëtore.
Shpinat tona fshatare,
Që jo vetëm gёzuan,
Por shpërthyen
Në ovacione,
Në duartrokitje, në urra,
Në thirrje të stuhishme pranverore.
Shpinat shpëtuan prej draprit, kurrizi,
Kurrizët shpëtuan nga këputja
Shpatullat fshatare shpëtuan
Nga lodhja, mundimi
***
Tё kalbur nё plagё,
S’mund t’i kёndonim
Kometave,
Yjeve,
Hёnёs së re
Që na kujtonte draprin
Dhe, kurrizet ndjenin këputje.
Kur hëna rritej dhe bëhej e plotë,
Na kujtonte ajo misërniken e verdhë
Që e shihnim netëve dhe s’e hanim dot;
Si’mund t’i këndonim ne
Zemrës, vetullës,
Gjinjve;
Syrit të kaltër,
Dhe syrit
Të zi,
Kur vendi ulërinte
Jo vetëm për bukën e gojës,
Për dhe për më tepër, për më shumë liri…
***
Për Luftën,
U zura
Sot
Me militantë të rinj
Në një kafene
Megjithëse pas luftës,
Bisedohet vetëm për qetësi
Të zihesh, grindesh, s’ka përse!
Korrik, 2008 – nëntor 2017
http://mysite.com