VOAL

VOAL

Si të bëhet ndryshimi i shtetit, pushtetit dhe shoqërisë kosovare? – Nga AGRON SHABANI

September 20, 2018

Komentet

Shqipëria duhet të hapë konsullatën në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës!!- Nga REFIK HASANI

Shqipëria ka obligim moral e kushtetues të brengoset edhe për shqiptarët jashta shtetit administrativ, ku shqiptarët në Serbi kanë organizuar Referendumin e Krahinës së Sanxhakut, mbajtur më datën 25,26 dhe 27 tetor 1992.
Kurse, përveç Referendumit të Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur më datën 1 e 2 mars 1992, është edhe kryengritja e armatosur ku, përmes Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, është sakrificë e kësaj krahine për realizim të drejtës së këtij Referendimi.
Shqipëria ende nuk ka krijuar asnjë fond, kurse Republika e Kosovës tani ka fondin për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kurse të pa mbështetur mbesin shqiptarët në Sanxhak.
Publikisht apeloj se Shqipëria, është momenti fundit që të angazhohet seriozisht dhe të hapë konsullatë si në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës, që kjo të ndihmonte mjaft.
 Konsullata shqiptare duhet të hapet në Luginën e Preshevës, para se ta pësojë si Sanxhaku.
Këto dy Krahina janë Rajonet më të pazhvilluara ekonomikisht dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën.

Sot në Zvicër votohet! Nga Elida Buçpapaj

Sot ditë e diel. Në Zvicër votohet.

Por në mëngjesin e vonë askush nuk e kish prishur gjumin. Qyteza jonë ende flinte të mblidhte energji për javën që do të nisë nesër.

Të flesh në ditën e zgjedhjeve, pa ndryshuar ritualin, nuk do të thotë se qytetarët këtu nuk janë të përgjegjshëm për detyrimin e tyre kushtetutes. Tashmë ky detyrim përgjithësisht është kryer.

Votohet për dy iniciativa popullore që kanë lidhje me pensionet e pleqërisë dhe dy votime në nivel bashkiak.

Iniciativa e parë me sloganin «Für ein besseres Leben im Alter», “Për një jetë më të mirë në pleqëri” kërkon votim për të drejtën e pensionit të 13-të AHV. Kjo nismë u dorëzua nga Federata Zvicerane e Sindikatave në maj 2021. Këshilli Federal dhe Parlamenti rekomandojnë refuzimin e nismës. Kjo iniciativë ose nismë popullore pati si shkas pasojat e inflacionit që ka rritur çmimet, ulur fuqinë blerëse. Ndërkohë janë rritur blerësit nga Zvicra nëpër supermerkatot e shteteve limitrofe Gjermani, Francë dhe Itali.

Sindikatat bëjnë thirrje që kjo iniciativë të votohet “pro”. Nëse kjo nismë do të kalojë sot, do të ketë një kosto prej rreth 5 miliardë franga zvicerane në vit dhe do të hyjë në fuqi më 2026.

Iniciativa e dytë me nismëtarë të rinjtë liberalë radikalë synon të rrisë moshën e pensionit për burrat dhe gratë në 66 vjeç, nga 65 vjeç për burrat dhe 64 për gratë (pensioni i grave do të shkojë në 65 në vitin 2025).

Një muaj më parë, sikur ndodh rëndom, në kutitë e postës Bashkia shpërndau zarfat tek të gjithë qytetarët me të drejtë vote. Ishin dy zarfa. Një për zgjedhjet e reja në këshillin e qytetit dhe zarfi tjetër për dy iniciativat popullore dhe një votim për këshillin bashkiak. Kësaj here u votua në rang konfederate dhe të bashkisë. Zvicra ka një sistem politik të ndërtuar në tre nivele, atë të konfederatës, të kantoneve dhe të bashkive. Në zarfa gjeje gjithçka që duhej: broshurat sqaruese me qendrimet e qeverisë, fletëpalosje, listat e kandidatëve sipas partive, zarfat e vogla me fletën e votimit për dy iniciativat, fleta me emrin dhe firmën dhe lista bosh me 7 kandidatë që priste të mbushej me dorë me propozimet nga secili votues. Votat numërohen nga administrata në bashki, partitë nuk afrohen.

I njëjti zarf që sillte dokumentacionin do të kthehej me postë B të paguar, prandaj këshillohej që hapja të bëhej me kujdes pa e dëmtuar zarfin.

Zarfat kthehen me postë ose hidhen direkt në kutinë e Bashkisë së qytezës dhe kështu shkon në rang konfederate.

Ndonjë i vonuar mund të shkojë të votojë edhe sot direkt.

Por kur dolëm për xhiron e mëngjesit rreth orës dhjetë, qyteti ende flinte.

Tashmë fati i këtyre dy inicitivave popullore është vendosur, po ashtu edhe të zgjedhurit për këshillin e qytetit dhe pjesërisht atë bashkiak.Rezultatin e ka vendosur sovrani.

Duke parë këtë proces zgjedhor që shkon “vaj”sikur gjithë të tjerët këtu në Zvicër, pa kontestime, ku rezultati jepet menjëherë posa mbyllen kutitë e votimit, vendi i referendumeve dhe iniciativave popullore, me një sistem demokratik unik, demokraci direkte, që nuk e favorizon kultin e liderit apo të individit, ku këshilltarët e Konfederatës, dmth anëtarët e qeverisë përdorin trenat dhe udhëtojnë pa skorta, ne zviceranëve me rrënjë shqiptare mendja na rreh për Atdheun e Shqipeve, Shqipërinë, e cila ka mbetur si një Republikë Banane me një sistem zgjedhor që i ka kthyer në feudalë kryetarët e partive. Se vendosin ata cilët do të jenë të zgjedhurit e tyre të zemrës në listat e votimeve për në Parlamentin paçavër apo ministrat e korruptuar në qeveri.

Edvin Rama, që në mënyrë pompoze pret e përcjell samite si furrtar amator simitesh, është kryeministri i një vendi që po shpopullohet në mënyrë drastike nga rinia, i gatshëm ta kthejë Shqipërinë në një burg për refugjatë të papranuar nga Bashkimi Europian, si konçesion me politikanët e BE për të zgjatur pushtetin. Për tri mandate në pushtet, janë larguar 1 milionë shqiptarë! Dhe është duke përgatitur mandatin e katërt, ndërsa mban të fshehur rezultatet e censusit që tregon se në Shqipëri kanë mbetur 1.4 milionë shqiptarë.

Protestat dhe presioni i BE-së e SHBA  e detyruan edhe aleatin e tij Aleksandër Vuçiç, një lider autokrat me një background nga koha e regjimit kriminal të Milosheviçit,  të rishpallë zgjedhjet e reja pas manipulimit të zgjedhjeve më të fundit.

Largimi i Vuçiqit është në prag të derës.

Po në Shqipëri si do të bëhet!

A do të reformojë faktori politik sistemin zgjedhor që kërkon edhe ndryshime të Kushtetutës?

Apo në zgjedhjet e 2025 që po trokasin në derë do të përsëritet horrori zgjedhor, me numërime tribale votash që zgjasin me javë dhe, në fund, me zgjedhje të vjedhura dhe lideri ballkanik në shoqërinë e Aleksandër Soros do të organizojë samite te tjera për rrëzimin e sistemit demokratik në të gjithë Ballkanin!

E pra, Zvicra ka qenë gjithnjë model për Rilindasit!

Ata të vërtetët!

Karlsoni dhe Putini (Mjerimi i një gazetari në intervistë me një kryediktator mashtrues)- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Gazetari i njohur amerikan Taker Karlson (Tucker Carlson – 1969), themelues i videoplatformës “Tucker Carlson Network”, në fillim të muajit shkurt, shkoi për një vizitë në Moskë për t’i marrë një intervistë kryediktatorit rus dhe kryekriminelit të popullit ukrainas, Vladimir Putin. Intervista u zhvillua më 08 shkurt. Ishte një intervistë e gjatë, me 49 pyetje, që vazhdoi dy orë. Gjendet e botuar në faqen e internetit “Komsomolskaja pravda” të datës 08 shkurt.

Kur kemi parasysh që intervista u zhvillua në përtejanën (sfondin) e luftës agresive dyvjeçare të Rusisë fashiste kundër Ukrainës, si një shtet i pavarur dhe sovran, domosdo që në pyetjet e gazetarit dhe në përgjigjet e Putinit, të bëjnë përshtypje dy gjëra:
Së pari, gazetari, në atë intervistë, tërthorazi, ka zbuluar formimin e tij të mangët, për të mos thënë injorancën e tij, lidhur me historinë e marrëdhënieve të Ukrainës me Rusinë.
Së dyti, gjatë përgjigjeve, Putini mashtronte në një mënyrë tejet skandaloze. Mosreagimi i gazetarit ndaj atyre mashtrimeve, e nxori edhe shumë më tepër në pah mjerimin e tij, si një përfaqësues i një mjeti amerikan të informimit masiv pa formim intelektual.
Kuptohet vetvetiu se kur një gazetar interviston kryepolitikanin e një vendi të huaj, ai, paraprakisht, duhet ta njohë mirë, madje deri në imtësi, historinë e atij vendi, në mënyrë që, në mbrojtje të dinjitetit profesional, ta kapë “mat” kryepolitikanin, në rast se ky thotë të pavërteta. Pra, gazetari duhet të dallohet për horizont të gjerë kulturor, për përgatitje enciklopedike në disa fusha të dijes. Për më tepër, në atë intervistë, gazetari zbuloi injorancën e vet edhe lidhur me historinë e Ukrainës.
Gjithçka që Putini rrëfeu në atë intervistë, ishte një mashtrim i kulluar, karakteristik për kastën politike të Rusisë, si kështjellë e krimeve shumëshekullore kundër popujve të tjerë. Por këtu do të ndalemi vetëm në disa prej mashtrimeve më të bujshme të Putinit, ndaj të cilave gazetari Taker Karlson nuk reagoi absolutisht.

1. Putini e filloi intervistën me një mashtrim skandaloz – me mohimin e lashtësisë së etnisë ukrainase, duke ia shitur gazetarit për lashtësi të Rusisë. Por e vërteta historike është krejt ndryshe.
Putinin, si kryediktatorin e Kremlinit dhe kryekriminelin e shovinizmit gjakatar rus, e gërryen smira vazhdimisht, për arsye se jo Moska, por Kievi ka qenë dhe mbetet kryeqendra e kulturës sllavianolindore. Kievi është themeluar në vitin 482, kurse Moska 665 vjet më vonë, më 1147. Madje edhe Moskën një princ ukrainas e pati themeluar, Juri Dollgoruki (1090-1157), princi i madh i Kievit. Përballë ndërtesës së Bashkisë së Moskës, ngrihet shtatorja e tij madhështore. Prandaj kriminelët e Kremlinit, me Putinin në krye, kanë si pikësynim ta zhdukin Ukrainën nga harta, në mënyrë që një kryeqendër e tillë të jetë vetëm Moska. Gazetari jo vetëm që nuk reagoi ndaj këtij mashtrimi, por, përkundrazi, e përshëndeti Putinin me shprehjen “dijet tuaja janë enciklopedike”!!!
Zanafilla e tërmeteve politike mes Ukrainës dhe Rusisë është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste, që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet nga Rusia, për çka udhëheqja staliniste e Moskës e ndëshkoi rëndë popullin ukrainas me urinë masive me kolektivizimin e detyrueshëm dhe me grumbullimin e dhunshëm të drithit në vitet 1928-1933, me pasojë vdekjen nga uria të 3 milionë e 941 mijë njerëzve.
2. Putini vazhdon mashtrimin e radhës:
“Gjatë formimit të Bashkimit Sovjetik, jemi tashmë në vitin 1922, bolshevikët filluan të formojnë Bashkimin Sovjetik dhe krijuan Ukrainën Sovjetike, e cila deri asokohe, përgjithësisht, nuk ekzistonte”.
Pra, sipas Putinit, Ukraina nuk paska ekzistuar absolutisht, por një ditë të bukur të vitit 1922 na e paskan shpikur Lenini me Stalinin, si republikë të Bashkimit Sovjetik!
Gazetari Karlson, për mjerimin e tij intelektual dhe profesional, reagoi në një mënyrë të pahijshme ndaj këtij mashtrimi: “Gjithçka në rregull”.
3. Një mashtrim tjetër i Putinit është edhe më zbavitës:
“… para Luftës II Botërore, kur Polonia pati bashkëpunuar me Gjermaninë, pati refuzuar të plotësonte kërkesat e Hitlerit.., nuk i dha korridorin e Dancingut… dhe polakët e detyruan Hitlerin të fillonte Luftën II Botërore pikërisht nga territori i tyre. Pse lufta filloi më 1 shtator 1939 pikërisht nga Polonia? Kjo rezultoi e pabindur. Hitlerit s’i mbeti rrugë tjetër për realizimin e planeve të tij për ta filluar pikërisht nga Polonia. Meqë ra fjala, Bashkimi Sovjetik – kam lexuar dokumente arkivore – ka mbajtur një qëndrim shumë të ndershëm…”.
Putini mashtron paturpësisht kur deklaron për qëndrim “të ndershëm” nga ana e Bashkimit Sovjetik. Ai anashkalon qëllimisht fajtorin e vërtetë të fillimit të Luftës II Botërore – Bashkimin Sovjetik dhe, konkretisht, Paktin Molotov-Ribentrop.
Në historinë e Luftës II Botërore, kryepërtejanën (kryesfondin) e saj e zë përplasja e Gjermanisë naziste me Bashkimin Sovjetik, pas sulmit të befasishëm të trupave gjermane të 22 qershorit të vitit 1941. Arsyet e nisjes së atij sulmi duhen kërkuar pikërisht në Paktin e mossulmimit Molotov-Ribentrop, që u nënshkrua në Moskë më 23 gusht 1939. Ai pakt kishte në themel pabesinë e të dyja palëve ndaj njëra-tjetrës: ndarjen e Polonisë. Por ai pakt fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte nën këmbë demokracitë perëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e ushtrisë së kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Ajo pabesi e dyfishtë, të dyja palëve u kushtoi me miliona të vrarë dhe shkatërrime të pallogaritshme.
Pabesinë e politikës sovjetike ndaj demokracive perëndimore, e zbulon haptas vetë Stalini. Në një fjalim që ka mbajtur vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit në fjalë, pra, më 19 gusht 1939, në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ai shtjellon haptazi idenë kryesore të Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:
“Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le ta shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Vtoruju mirovuju vojnu naçali Germanjija i Sovjetskij Sojuz” (Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “sokrytoe.net”. 23 korrik 2009).
Për sulmin që Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte kundër Gjermanisë, dëshmon ish-oficeri i zbulimit sovjetik Viktor Suvorov. Ai deklaron:
“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufijtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik – E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara”” (Citohet sipas:Viktor Suvorov. “Ledokoll. Kto naçall Vtoruju Mirovuju Vojnu” (Akullthyesja. Kush e filloi Luftën II Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).
4. Në odisenë e mashtrimeve të veta para gazetarit Karlson, Putini e hodhi fjalën edhe te ngjarjet në Jugollavi në fundin e viteve ’90. Ai shpifi pa iu skuqur faqja:
“… ne nuk mund të mos ngrinim zërin për serbët, për mbrojtjen e tyre… Rusia nuk mund të mos ngrinte zërin për serbët, sepse serbët janë gjithashtu një komb i veçantë, i afërt për ne, janë të kulturës ortodokse etj. Ky është një popull i shumëvuajtur gjatë brezave”.
Dhe për mbrojtjen e serbëve, Kremlini mori masa konkrete. Ish-ambasadori ynë në Moskë, Shaqir Vukaj, shkruan:
“… në prag të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, opinioni publik rus ishte nxitur aq shumë në favor të serbëve dhe kundër shqiptarëve, sa vetëm gjatë katër ditëve të para, mbas fillimit të bobardimeve, në Rusi janë regjistruar 70 mijë vullnetarë për të shkuar në Kosovë e për të Iuftuar përkrah serbëve, kundër shqiptarëve e NATO-s….”. (Citohet sipas: Shaqir Vukaj. “Si u regjistruan në Rusi 70 mijë vullnetarë për të Iuftuar përkrah serbëve kundër shqiptarëve”. Faqja e internetit “Kosova ime”. 24 dhjetor 2019).
Putini, si përfaqësues i shovinizmit rusomadh, armikut tradicional të kombit shqiptar që prej Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe deri në ditët tona, sigurisht që kështu do të shprehej për kriminelët serbë, “kushërinjtë” e rusëve, duke i cilësuar si “popull i shumëvuajtur”, paçka se e vërteta historike tregon të kundërtën: populli serb jo vetëm që nuk ka qenë i shumëvuajtur, por ka qenë edhe mbështetje e fuqishme e të gjitha luftërave agresive që shovinizmi serbomadh ka pasë zhvilluar në Gadishullin e Ilirisë. Sigurisht që Putini në atë intervistë do t’i anashkalonte bombardimet 78-ditore të NATO-s kundër Serbisë në pranverën e vitit 1999 për krimet, shkatërrimet dhe masakrat e rënda që ajo kishte kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës. Po si është e mundur që ato bombardime i anashkaloi edhe gazetari intervistues Taker Karlson, duke mos e pyetur Putinin për arsyen e kryerjes së tyre? Do ta sqarojmë më poshtë se pse nuk e pyeti.
5. Në vijim të intervistës, Taker Karlson iu drejtua Putinit edhe me pyetjen e mëposhtme:
“Ju mendoni se Zelenski e ka lirinë për të zhvilluar bisedime për rregullimin e këtij konflikti?”.
Në përgjigjen që dha, Putini nxori nga goja një të tillë xhevahir, që të bën të shkrihesh gazit aq shumë, saqë të duhet të mbash ijët me dorë. Ja xhevahiri i tij:
“Nuk e di. Këtu është punë hollësirash, unë, natyrisht, e kam të vështirë të gjykoj. Por mendoj se e ka, sidoqoftë, ka qenë një rast. Sepse pikërisht babai i tij ka luftuar kundër fashistëve, kundër nazistëve në kohën e Luftës II Botërore, unë dikur pata folur me të për një gjë të tillë. I pata thënë: “Vollodia, ç’po bën kështu? Pse po i përkrah sot neonazistët në Ukrainë, ndërkohë që babai yt ka luftuar me fashistët. Ai ka qenë ushtar i frontit”.
Vajmedet për Rusinë se kë ka president! Sipas trulajthiturit Putin, babai i Zelenskit qenka veteran i luftës kundër trupave gjermane në Luftën II Botërore. Në të vërtetë, babai i Vladimir Zelenskit, Aleksandër Zelenski, ka lindur dy vjet pas përfundimit të asaj lufte, pra, në vitin 1947, është shkencëtar në fushën e gjeologjisë, doktor i shkencave teknike prej vitit 2003 dhe mban titullin “Profesor” prej vitit 2005. Putini, me sa duket, për shkak të humbjeve kolosale të ushtrisë fashiste ruse, nga radhët e së cilës, deri ditën e sotme, 01 mars 2024, janë vrarë 414 680 ushtarë dhe oficerë, mund të ketë pësuar ndonjë tronditje në tru dhe prandaj babain e presidentit ukrainas ia shet gazetarit amerikan për veteran të luftës.
5. Për t’i mbushur mendjen gazetarit amerikan se etnia ukrainase nuk ekziston, se ukrainasit na qenkan rusë, Putini vazhdon avazin e mashtrimit, duke deklaruar për një rast gjatë luftimeve në Ukrainë, një rast ky, i shpikur nga mendja e tij:
“Në fushën e luftimit ndodh një përplasje e armatosur, ja një shembull konkret: disa ushtarë ukrainas u gjendën të rrethuar – ky është rast konkret nga jeta, është fjala për veprime luftarake – ushtarët tanë u bëjnë thirrje: “Mundësi për të shpëtuar nuk keni, dorëzohuni! Dilni, do t’ju sigurohet jeta, dorëzohuni!”. Dhe sakaq prej andej vjen thirrja në rusisht, në një rusishte të pastër: “Rusët nuk dorëzohen!” – dhe të gjithë u vranë. Ata deri tani e ndiejnë veten rusë”.
Ky mashtrim trashanik i Putinit më solli në kujtesë librin e sipërcituar të Viktor Suvorovit, në të cilin thekson se që para fillimit të luftës, me urdhër të Stalinit, e gjithë vija mbrojtëse në kufijtë perëndimorë, qe zhdukur krejtësisht me hedhje në erë, me pretendimin se Bashkimi Sovjetik nuk bën kurrë luftë mbrojtëse, bën vetëm luftë mësymëse. Po çfarë ndodhi faktikisht me rusët “trima” të Putinit që “nuk dinë të dorëzohen”, kur sapo filloi sulmi gjerman më 22 qershor 1941?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep Zonja Julia Llatёjnina (1966), gazetare opozitare ruse, shkrimtare, drejtuese emisionesh radiotelevizive. Më 09 shtator 2017 ajo pati njoftuar në efirin e radiostacionit “Jehona e Moskës” se ishte larguar nga Rusia, pasi disa të panjohur i patën djegur makinën. Ajo qe shfaqur në efir me skaip (skype) dhe pati rrëfyer se ndodhej jashtë vendit, së bashku me prindërit. Që në gushtin e vitit 2016, gazetaren e pati sulmuar një i panjohur jo larg zyrës së radiostacionit të lartpërmendur dhe i hodhi përsipër fekale. Asokohe ajo pati menduar se shkak i atij incidenti të turpshëm ishin artikujt e saj analitikë, të botuar në organin “Novaja gazeta”. Ajo shkruan:
“Më 22 qershor (të vitit 1941 – E.Y.) populli rus u shndërrua në turma frikacake… Si ta shpjegojmë atë burracakëri të pashembullt të popullit rus, i cili, duke zotëruar një armatim që ua kalonte gjermanëve edhe për nga sasia, edhe për nga cilësia, e pati braktisur armatimin dhe qe hedhur në anën e gjermanëve?” (Citohet sipas: “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. Julia Llatёjnina. Faqja e internetit “Adskije novosti”, 19 shkurt 2015).
Në një tjetër informacion për kohën e luftës thuhet:
“Prej 22 qershorit 1941 deri më 09 maj 1945, qenë zënë robër nga ushtria gjermane 5,7 milionë ushtarë dhe oficerë sovjetikë” (Citohet sipas: “Robërit sovjetikë: gjenocidi më masiv i Luftës II Botërore”. Faqja e internetit “RAPSI (Agjencia ruse e informacionit juridik dhe gjyqësor)”. 16 korrik 2021).
6. Lidhur me Rusinë, si një vend “paqësor”, i cili “nuk ka sulmuar kurrë vende të tjera”, Putini i përcolli gazetarit amerikan një mashtrim edhe më skandaloz. Ja çfarë i deklaroi:
“Ne nuk sulmojmë askënd”.
Zejen e mashtrimit politika ruse e ka ngritur në art. Sekretari i shtypit i Putinit, Dhimitër Peskovi (1967), pak ditë para sulmit kundër Ukrainës, në televizionin shtetëror “Rusia 1”, deklaroi:
“Rusia, gjatë tërë historisë së saj, kurrë nuk ka sulmuar ndokënd. Rusia, e cila ka përjetuar kaq luftëra, është vendi i fundit në Evropë që do të dëshironte të shqiptonte fjalën “luftë” (Citohet sipas: “Peskov: Rusia, gjatë tërë historisë së saj, kurrë nuk ka sulmuar ndokënd. Faqja e internetit “Fontanka.ru”. 20 shkurt 2022).
Në mbështetje të mashtrimeve të bandës kriminale të Kremlinit, del edhe kisha ortodokse ruse. Kreu i saj, Kirilli (1946), ka deklaruar:
“Ne nuk duam të luftojmë me askënd. Rusia kurrë nuk ka sulmuar ndokënd”. (Citohet sipas: “Kreu i kishës ortodokse ruse: Rusia kurrë nuk ka sulmuar ndokënd”. Faqja e internetit e gazetës “The Moscow Times”. 03 maj 2022).
Përballë këtyre mashtrimeve me bujë të madhe, e vërteta historike dëshmon të kundërtën:
Gjenerali rus Aleksej Kuropatkin (1848-1925), në një memorandum që i pati dërguar carit në vitin 1900, shkruante:
“Gjatë 200 vjetëve që lamë pas, Rusia ka pasë qenë në gjendje lufte 128 vjet dhe në gjendje paqeje 72 vjet. Nga 128 vjet luftë, 5 vjet ka zhvilluar luftëra mbrojtëse dhe 123 vjet luftëra pushtuese” (Citohet sipas: “Sa herë ka luftuar Rusia”. Faqja e internetit “Livejournal”. 07 prill 2013).
Në një tjetër dokument zbulohet edhe më shumë histeria agresive e shovinizmit gjakatar rus gjatë 500 vjetëve të kaluara. Aty thuhet:
“Rusia ka zhvilluar luftëra gjatë 489 vjetëve me 25 vende, domethënë praktikisht pothuajse çdo vit… Jo më kot në Rusi heroi më pozitiv popullor vlerësohet ushtari” (Citohet sipas: “Dhe luftim i përjetshëm… Sa herë ka luftuar Rusia gjatë 500 vjetëve të fundit”. Faqja e internetit “Novëje Izvjestija”. 03 dhjetor 2017).
Rusia ka zhvillur luftëra agresive edhe pas vitit 1900. Më 17 shtator 1939 sulmoi Poloninë, më 30 nëntor 1939 sulmoi Finlandën, mw 21 tetor 1956 sulmoi Hungarinë, më 21 gusht 1968 sulmoi Çekosllovakinë, më 24 dhjetor 1979 sulmoi Afganistanin.
Shtrohet pyetja: ç’e shtyu Taker Karlsonin të shkonte në Moskë për të intervistuar Putinin?
Në gusht të vitit 2023, kryeredaktorja e mediagrupit “Rusia sot”, Margarita Simonjan, anëtare e lukunisë së servilëve me damkë në shërbim të Putinit në kanalin televiziv shtetëror rus “Rusia 1”, deklaroi se Taker Karlsoni dëshironte të zhvillonte një intervistë me Putinin. S’kishte asgjë për t’u habitur, sepse ky gazetar njihet si simpatizant i Donald Trampit, i cili para do kohësh qe shprehur se në rast se rizgjidhej president, zëvendëspresident mund të jetë Taker Karlsoni, një njoftim ky, të cilin faqja e internetit “Komersant” në gjuhën ruse, e botonte me shumë kënaqësi më 19 nëntor 2023.
Pavarësisht se politika amerikane është e orientuar kundër politikës agresive të Rusisë, Taker Karlsoni ka një tjetër qëndrim. Në emisionet e mëhershme të tij në televizion, ai nuk e ka mbajtur të fshehtë simpatinë e vet ndaj presidentit rus. Kurse pas agresionit fashist rus kundër Ukrainës, Karlsoni pati deklaruar se “Rusia ka pasur arsye të forta për këtë sulm”! (Citohet sipas: “Kush është ky Taker Karlsoni?”. Faqja e internetit Lenta.ru”. 06 shkurt 2024. Një deklaratë e turpshme kjo, e cila e radhit këtë gazetar amerikan në krah të bandës kriminale të Putinit.
Pra, Taker Karlsoni, me simpatinë e tij për Putinin dhe Rusinë, ndjek gjurmët e atij të tij shpirtëror – Donald Trampit.
Ja çfarë shkruante para gati tetë vjetësh një gazetar dhe shkrimtar anglez:
“Në dhjetor (2015 – E.Y.), disa muaj para se Trampi të propozohej nga partia republikane si kandidat për president, Putini e pati quajtur “njeri të ndritur, të talentuar, pa as dyshimin më të vogël…”. Trampi, nga ana e vet, u shpreh për Putinin me simpati, duke e quajtur “udhëheqës të fortë”, me të cilin do të dëshironte të kishte marrëdhënie shumë të mira… Mjetet ruse të informimit masiv janë kryesisht në mbështetje të Trampit, i cili, në financimin e bizneseve të veta me pasuri të paluajtshme, tradicionalisht, vazhdon t’i var shpresat te paratë ruse” (Citohet sipas: Julian Borger. “Nuk ka dyshim që Putini përkrah Trampin”. Faqja e internetit e gazetës “The Guardian”. 26 korrik 2016).
Më lart përmendëm simpatinë që Putini, gjatë intervistës, i shprehu Taker Karlsonit për serbët, duke i quajtur “popull i shumëvuajtur”. Me siguri që ky gazetar me “paha të madhe”, duke anashkaluar, ashtu si edhe Putini, masakrat e kriminelëve serbë në Kosovë, s’luan nga istikami i Trampit në qëndrimin kundër shqiptarëve dhe sidomos kundër Republikës së Kosovës. Ja çfarë deklaronte Trampi në hapje të fushatës elektorale në dhjetor të vitit 2015 për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2016:
“Për mua personalisht, bombardimi i serbëve është një turp i vërtetë. Ndërkohë, Klintonët këtë e vlerësojnë si një sukses të paparë. Kërkoj ndjesë para popullit serb për të gjitha gabimet e politikës amerikane. Në qoftë se unë do të vij në krye të Amerikës, atëherë ka për të ndryshuar kursi i politikës së jashme, i cili deri tani shpeshherë ka qenë i gabuar” (Citohet sipas“Trampi i kërkoi falje Serbisë… për Klintonët”. Faqja e internetit “stihiya.org”. 25 dhjetor 2015).
Këtë informacion e ka pasë transmetuar edhe Radiostacioni “Zëri i Amerikës”, në datën 13 tetor 2016.
Para se Taker Karlsoni të fillonte intervistën me Putinin, shpresuam se ai do t’i drejtonte pyetje për luftën në Ukrainë, për krimet e ushtrisë fashiste ruse kundër popullit ukrainas, krime këto, të konkretizuara me masakra kundër popullsisë civile, si në rastin e qytetit Buça, ku bishat e tërbuara ruse vranë 410 fëmijë, gra dhe pleq dhe i groposën në një varr masiv. Shpresuam se gazetari do ta pyeste Putinin se cila ishte arsyeja që ushtria fashiste ruse gjuan me atileri të rëndë, me raketa dhe me avionë dhe shkatërron infrastrukturën e qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës, si pallate banimi, çerdhe dhe kopshte fëmijësh, spitale, shkolla, objekte të tjera të traditës kulturore ukrainase. Por, farkeqësisht, shpresuam më kot. Taker Karlsoni paskej shkuar në Moskë për një tjetër qëllim, me tre objektiva kryesore:
Së pari, për të regjistruar enciklopedinë e mashtrimeve të Putinit dhe për t’ia shitur ato si të vërteta opinionit publik amerikan.
Së dyti, për të ngritur lart në sytë e opinionit publik amerikan kredinë e Putinit, i cili, në mbarë botën vlerësohet si simbol i krimit dhe i barbarisë së egër ruse, të mishëruar në shekuj kundër popujve të tjerë.
Së treti, për të ndikuar mbi opinionin publik rus në prag të zgjedhjeve presidenciale të këtij muaji, që të votojë për Putinin, si president i përjetshëm.
Me intervistën që i mori Putinit, gazetari Taker Karlson të kujton fjalën e urtë në vijim:
“Gazetaria është mbretëria e një durimi të jashtëzakonshëm për të zbuluar po aq të vërtetën, sa edhe gënjeshtrën”.
Gazetarëve amerikanë, të sojit të Taker Karlsonit, u shkon shumë për shtat aforizmi i famshëm i shkrimtarit dhe poetit irlandez Oskar Uaild (Oscar Wilde 1854-1900), i cili ka thënë:
“Në Amerikë presidenti qeveris katër vjet, kurse gazetarët gjithë jetën”.
Në mbyllje dëshirojmë të theksojnë edhe diçka tjetër. Një ditë më parë, në internet qe botuar informacioni në vijim:
“Analisti Genc Burimi, teksa komentoi artikullin e medias franceze “Mediapart” për kryeministrin Rama, tha se ky i fundit është trajtuar njësoj si Vladimir Putini” (Citohet sipas: “Artikulli i medias franceze për Ramën, Burimi: U trajtua njësoj si Vladimir Putini”. Faqja e internetit “Politico”. 29 shkurt 2024).
Po ditën e djeshme, 29 shkurt, Faqja e internetit “Pamfleti” kishte botuar artikullin me titull “Media franceze “nxin” Ramën: Si ka mundësi që Perëndimi mbështet një autokrat si ai?”.
Por çuditërisht, Blinkeni, gjatë vizitës në Tiranë, për Ramën deklaroi:
“Zoti kryeministër është jo vetëm udhëheqës i shkëlqyer, por kryeministër i mirë”. (Citohet sipas: “Blinken propagandë Ramës: Udhëheqës i shkëlqyer dhe kryeministër i mirë! U ka dhënë drita të bukura”. Faqja e internetit “Bold News”. 15 shkurt 2024).
Dy gjëra të çuditshme: kreu i diplomacisë amerikane lavdëron Ramën, i cili, faktikisht, është fytyra më e urryer për mbarë kombin shqiptar për shkak të shpopullimit katastrofik që i ka shkaktuar vendit tonë, të cilin, që prej shtatorit të vitit 2013 dhe deri tani, e kanë braktisur më shumë se një milionë njerëz. Kurse një krekacor i gazetarisë amerikane, si Taker Karlsoni, shkon dhe interviston Putinin, kryekriminelin e popullit ukrainas dhe shpreh mbështetjen e tij për sulmin fashist kundër Ukrainës.

Autoriteti i lokaleve- Nga Andon Dede, Nju York

Ky shkrim për bukën, më kujton Tiranën e dikurshme që kishte disa lokale apo dhe kuzhinierë të njohur që siguronin një klientelë të jashtzakonshme, ndonëse në kushte jo fort komode. Po kujtoj vetëm disa raste.

I pari më kujtohet lokali “Tymi”, siç i thoshim ne, se në fakt e kishte emrin “Kosova”, nga fshati me të njëjtin emër i Përmetit, prej nga ishte pronari i lokalit, që shquhej për qoftet e famëshme. Ai quhej Andon Kote, ( jo ai që shkruante e botonte tek “Luftëtari”, por një tjetër ). Lokali linte shumë për të dëshëruar, po të niseshe nga komoditeti dhe paraqitja e jashtëme apo dhe e brendshme, në përgjithësi. Po të mos e dije se si qe, nuk të bëhej të hyje atje. Por i kishte dalë një nam apo opinion i tillë, saqë me vështirësi mund nuk gjeje vende. Sa hyje, të bënte përshtypje tymi që sundonte tërë hapësirën e që i kishte dhënë dhe emrin. Nëpër sallë qenë disa tavolina të zakonshme, nga ato që duhet të qëndroje më këmbë. Por, ato mbusheshin shumë shpejt. Dhe, si zgjidhje, kishin gjetur fuçitë e birrës, atje tek fundi i sallës, teke apo njera mbi tjetrën. Nga një anë nuk kishte gjë më të shëmtuar por, pikërisht aty qëndronte dhe bukuria e orgjinaliteti i tyre. Shërbehej birrë por nuk mungonin dhe pije të tjera. Si meze kryesisht qofte zgare. Unë kam qënë disa herë atje, me shokë e miq dhe jemi kënaqur shumë më tepër se në çdo lokal tjetër luksoz.

Lokal tjetër, që të tërhiqte vemendjen, qe një mëngjezore apo si punë restoranti ku gatuante Osmani, një tiranas simpatik, flokëkaçurel. Ai gjithashtu qe i famshëm për qoftet që i servirte me pilaf, por dhe për gatime të tjera. Në fillim ai kishte një lokal privat por, kur u shtetëzuar të gjitha, Osmani punoi tek një lokal tek Rruga e Postës, pranë Pazarit të Ri. Megjithëse kushtet e punës e të furnizimit tashmë kishin ndryshuar për keq, por dora e Osmanit ndjehej kudo dhe kontrastonte me gjithë mëngjezoret e tjera. Klientela e tij qe e jashtëzakonshme. Radha fillonte tek lokali i tij dhe përfundonte afër bustit të Avni Rustemit. Kryesisht për pilaf me qofte.

Lokal tjetër që më kujtohet nga ajo kohë, ka qenë ai i Cile Mukës, në Gjirokastër. Edhe ai për qoftet e famshme që gatuante, që shoqëronin zakonisht rakinë. Cilja, që në mos gabohem qe nga Zagoria, ia kishte marrë aq shumë dorën përagatitjes së qofteve sa që tërhiqte shumë klientë si Osmani e Andoni tek “Tymi”. Kjo e frymëzoi një ditë dhe Dritëro Agollin që botoi një shkrim që pati shumë jehonë:”Cile Muken e kam pranë dhe Kulturën përkarshi”. Aty ai kritikonte veprimatrinë anemike të Shtëpisë apo Pallatit të Kulturës që nuk e përligjte veten sa që njerëzit, siç konstatonte Dritëroi, preferonin më shumë të uleshin tek lokali i Ciles se sa të ndiqnin ndonjë shfaqje apo veprimari tjetër të institucionit kulturor. Vëllai im, Thanasi, që ka banuar në Gjirokatsër, dhe që i ka shijuar me vite të tëra rakinë e qoftet e Ciles, më tregonte se sekreti i tij ishte se përdorte erëzat të ndryshme nga mali, sidomos për përballuar mugesën e mishit.

Më kujtohet se kanë qënë dhe në Elbasan disa lokale të vogla, njëkatëshe, ku shërbehej raki me meze alla-shqiptarëshe, sidomos fërgesë, djathë e salcë kosi; me bukë misri të thekur që të kënaqin shpirtin. Nuk më kujtohet as emri i lokalit e as i mjeshtërave të gatimit, por mua më kanë mbetur në mendje si lokale që të nuk harrohen kollaj.

Së fundi, dua të ndalem edhe tek një lokal që brezi im nuk e harron kollaj. Është fjala për Kafenën e Maries, në Milot. Ajo qe përherë plot me kalimtarët e rastit që bënin një pushim të shkurtër aty. I kishte dalë aq shumë nami, sa që kur kishim shërbime në Veri, e quanim një kënaqasi të rrallë që do gjerbnim e shijonim kafen e Maries. Më kishte tërhequr vëmëndjen që kur nisa punën së pari në Mirditë, si teknik gjeolog e më pas si gazetar. Nuk mbaj mend që të kemi kaluar aty dhe të mos jemi ndalur tek Kafeneja e Maries. Dhe ajo kishte qënë private në fillim e pas u shtetëzua. Nami që kishte fituar e ruajti klientelen gjatë gjithë kohës. Isha kurioz të depërtoja sadopak e ku qëndronte sekreti i saj. Ndaj, sa herë shkoja atje, ndiqja me vëmëndje procedurën e përgatitjes së kafes nga ajo. Kishte përgatitur një bazament që e mbushte me rërë dhe poshtë, prush i ndezur, me dru apo ymyr. Në xhevze fare të zakonshme teneqeje, hidhte kafen dhe sheqerin, sipas porosisë së klientëve, ujin dhe i fundoste në rërën e nxehtë. Kjo e shpejtonte procedurën: në pak minuta kafet ishin gati. Gjithë sa shihja nuk kishin ndonjë gjë të vecantë. Edhe vetë në shtëpi, kafen turke e përgatisja, pak a shumë, kështu si Marija. Po ku qëndronte atëhere sekreti i saj? Për më tepër që në përgatitjen e kafes ka vetëm tre elementë:kafe, ujë dhe sheqer? Por, edhe në këtë thjeshtësi, ka plot faktorë që ndikojnë. Po radhis vetëm disa: vetë lloji i kafes, mënyra e pjekjes, janë tepër të rëndësishme. Ka një teknikë jo fort të thjeshtë: kur vjen momenti i pjekjes, fare lehtë mund të të digjet, nëse nuk e largon në kohë; dhe kjo nuk është aq e thjesht po të mos ia kesh marrë dorën. Ka mendime që gjatë pjekjes mund ti shtosh brenda në qebap, ndonjë “ingredient”tjetër. Dikush më pat sugjeruar dyllë blete etj. Ka të bëjë dhe mënyra e përgatitjes: ka që e hedhin që në fillim kafen, sheqerin dhe ujët dhe e lënë të ziejë, sa të marrë valë, siç ma ka mësuar mamaja. Dhe nga përvoja ime më se gjysmëshekullore, nuk i dalë keq, si për vete dhe për miqtë që kanë pasur rast të shijojnë kafen time. Ka të tjerë që, më parë, ziejnë ujin e pastaj shtojnë në të kafen e sheqerin. Të tjerë, sugjerojnë që pasi të ketë marrë valë, ta presësh më një pikë uji të ftohtë etj.etj.

Nuk është qëllimi im të jap leksione për kafen por u ndala tek ky shëmbull për të ilustruat temën që nisa: duken gjëra kaq të thjeshta, por ja që nuk janë përherë të tilla. Kanë dhe këto sekretet e veta.

Po kaloj tani në një shëmbull tjetër. Lexoja para disa kohësh, në një revistë amerikane, një shkrim për lokalin e famshëm të Antoni Athanasit, “Pjer 4”, në Boston, të një gazetari amerikan. Ai e fillonte shkrimin me një pyetje provokuese: “Kur shkojmë për të ngrënë drekë apo darkë diku, ku duhet të ndalojmë: tek lokalet që kanë shumë njerëz që dhe presin apo, për të përfituar kohë, tek ata që nuk ka nevojë të presësh në radhë? Dhe përgjigja e tij, qe e prerë: tek ata që ka shumë njerëz(!). Sakrifica e pritjes shpërblehet me kënaqësinë që do të shijosh më pas(!). Këtë konkluzion ma merr mendja që e ka nxjerrë edhe secili prej nesh, pavarësisht se jo gjithmonë kemi kohën e nevojshme për të pritur etj.

Mu kujtua gjithë kjo tek vajtëm në Astoria, të Kuinsit, në Nju York, kohë më parë. Shohim në një vend radhë të gjatë. Interesohemi se përse po prisnin dhe marrim vesh se fjala për lokalin “Kiklides”, që për nga emri, presupozohej të qe grek, si shumë të tjerë në atë zonë. Propozova që të zbatonim këshillën e atij gazetarit që na serviri biznesmeni i famshëm shqiptar. Pa e zgjatur, shkuam në lokal tek menaxherja. Na duhej të prisnim rreth një orë. Pranuam, pak si qejfprishur se na u duk kohë e gjatë. Vetë lokali nuk të imponohej për nga pamja. Një gjë fare e zakonshme, mbase edhe nën mesataren: një ndërtesë e vogë, me një oborr të mbuluar nga disa pjergulla, në mos gaboj. Po të niseshe nga aparenca e jashtme, as që e vlente të sakrifikoje. Por le ta vënë në provë formulën e sugjeruar. Dhe pritëm. Ndërkohë marrim vesh se lokali ka për pronar një shqiptar, Ardian Skenderi, apo Adin, sic e thërrasin. Kjo na e shtoi edhe më shumë kureshtjen por dhe dëshirën e mirë për të darkuar aty. Njerëzit që prisnin shtoheshin. E, pra, çudi: ç’i tërhiqte në aktë lokal?!

Kur na erdhi koha, hymë e zumë vend në sallë. Përshtypja e jashtme prapë po ajo: në një hapësirë të vogël tërë ato tavolina sa mezi lëvizje. Hedh sytë nga kuzhina; dhe ajo fare e vogël.. “Hejdede, thashë me vete, ku qënka sekreti i gjithë që kësaj klientele që s’i jep kohë as të marrësh frymë normalisht?” Më në fund, na erdhi porosia. Harrova të them se lokali ka nëntiutllin:”Prodhime deti”, ndaj dhe ne porositëm peshk. Filluam, më në fund, të hamë. U deshën vetëm pak minuta që të kuptojmë gjithçka: gatim perfekt! Peshk i pjekur në mënyrën më të shijshme që kishim provuar ndonjëherë(!). Ja pra, ku qe sekreti: freskia e peshkut dhe gatimi i tij! E harruam pamjen e jashtme të lokalit apo dhe ngushtësinë e brendshme. Nuk na erdhi keq as për kohën që pritëm: të gjtha i përligji kënaqësia që na dha darka e shijshme.
————–
P.S. : Për fat të keq, i famshmi Pjer-4, doli nga Biznesi. Jam 100 përqind i sigurt se iu ka ardhur keq të gjithëve, por …nuk ia vjen që të zgjatem: logjika i biznesit bën çudira!
Kurse Adi ka hapur lokal të ri, modern, madje edhe një tjetër në Manhaten.

NË KUJTIM TË BABAIT TONË MEHMET BUÇPAPAJ, NË 40-VJETORIN E NDARJES SË TIJ NGA JETA- Nga SKËNDER BUÇPAPAJ

Historia e babës tim është historia e një njeriu që nuk u pajtua asnjëherë me komunizmin dhe që u përball deri në frymën e fundit me luftën e klasave, diferencimin dhe pasojat që pati kolektivizimi absurd dhe shtetëzimi total i ekonomisë.
Mehmet Bubrrec Buçpapaj lindi më 1914 në fshatin Tplâ të Tropojës në një familje që, dy breza më parë, kishte zbritur nga lagjia Kapuçprush e Bujanit të Epër. Ishte krenar për prejardhjen e tij nga Bujani i Krasniqes dhe për të treguar këtë përkatësi ai firmoste gjithmonë me ‘MBujaku’.
Që i vogël tregoi etje për dijen. Ndonëse autodidakt, arriti të jetë një ndër njerëzit më të ditur të krahinës. Në moshën tetëvjeçare, zbriti në Shkodër me babain për t’u regjistruar si nxënës konviktor. I mori provimet me sukses dhe u regjistrua në klasën e tretë. U sëmur nga gripi dhe i ati u detyrua ta merrte me vete. Ëndrra e tij për të vazhduar studimet në shkolla nuk u realizua, por kurrë nuk hoqi dorë nga dija.
Babai im u mësoi shkrim e këndim vëllezërve të tij më të vegjël: Aliut, Xhemajlit dhe Halilit, djalit të tezes Sejdi Braha (Doçi), kushëririt Ali Ibishi (Buçpapaj) dhe bashkëfshatarit Qazim Zeqa (Malaj) dhe nipit nga Iballa Ibrahim Dauti. Xhemajli, Sejdiu, Ali Ibishi, Ibrahim Dauti (Nga Iballa) dhe Qazim Zeqa u bënë ndër kuadrot e larta kryesore në Tropojë dhe gjithnjë ruanin kaligrafinë e mësuesit të tyre të parë.
Ishte vetëm trembëdhjetë vjeç kur gjyshi, Bubrrec Alia, ra në burg. Ai, me një tjetër malësor, kishin marrë përsipër të mblidhnin taksat e të gjithë Tropojës. Ata dështuan në mbledhjen e rregullt të taksave, ortaku e denoncoi se ishte faji i tij dhe gjyshi u burgos.
Babai shkoi në qendrën e nënprefekturës, në Tropojë për të mësuar për fatin e Bubrrec Alisë. I thanë se është dërguar në burgun e Kukësit. Zenun Colit, avokat, nëpunës i nënprefekturës i erdhi keq dhe vendosi ta ndihmonte. Ia dha një letër për avokatin më të mirë të Kukësit, me të cilin kishin mbaruar studimet. E këshilloi që të ndiqte shtyllat e telefonit, në mënyrë që të shkonte drejt e në qytetin e Kukësit.
Avokati pranoi menjëherë të merrej me çështjen. Babai u lumturua kur e bindi gjyshin që të bashkëpunonte sa më ngusht me avokatin. U rrëzua akuza e denoncuesit dhe kështu që Bubrrec Alia mori pafajësinë.
Gjyshi ishte një patriot. Në betejën e Qafë Morinës më 1909 ai ishte plagosur në këmbë, por kishte mbijetuar. Në këtë betejë kushërini i tij Ali Jakup Buçpapaj (Papuça) mbeti i vrarë në grykën e topit turk. Edhe sot i këndohet kënga në Malsi dhe Kosovë. Disa vite më parë në prill 1881 Smajl Hysen Buçpapaj kishte mbetur i copëtuar nga gjylet e topave turk, me bashkëfshatarin e tij Mic Sokoli. Edhe këtë moment e ka përjetësuar kënga popullore.
Gjyshi kishte qenë nxënës në medresenë e Shkupit, ku kishte mësuar osmanishten, por i ishte dashur ta ndërpriste ngaqë i vdiq para kohe i ati dhe, si djalë i vetëm i shtëpisë, i duhej të merrej me familjen, pronat, pasuritë e trashëguara.
Gjyshi ishte njeri i ditur. Ai e njihte osmanishten nga Medreseja e Shkupit, të cilën ia pati mësuar edhe babës tim Mehmetit i cili kishte prirje për gjithçka.
Që në moshë fare të re babai u dallua për talentin e tij si mjeshtër ndërtimi por edhe si projektues i thjeshtë i tyre. U bë i kërkuar në ndërtimet e kullave të reja anembanë Malësisë. Në këtë kohë vuri miqësi të ngushtë e të përhershme me mjeshtra të tillë si Hasan Uka i Luzhës, Shaban Syla i Babinës, Ali Haxhia i Luzhës, Zeqir Halili i Viçidolit e të tjerë. Ende pa shkuar në ushtri mori përsipër dhe e realizoi me sukses ndërtimin e tyrbes së Sheh Alisë në Tplâ.
Ushtrinë e mbaroi në Shkodër në vitin 1934. Ishte një ushtar që u shqua për përgatitijen fizike, por edhe atë teorike dhe kjo konfirmohet me dekoratat dhe shpërblimet që kishte marrë nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë. Në atë kohë kishte pak të rinj në vend që dinin shkrim dhe këndim dhe aq më tepër me atë kualitet si të babës tonë, i cili u shqua në përvetësimin e doktrinës ushtarake. Baba ishte edhe një shenjëtar i spikatur, një snjaperist siç thuhet sot, biles ma i miri i kohës së tij në ushtrinë mbretërore. Eprorët e tij donin ta mbanin në ushtri duke i ofruar ndjekjen e kualifikimit të duhur për t’u bërë officer, por baba i refuzoi për shkak të nevojës për t’u kthyer në shtepi, tek familja, por lidhjet me Shkodrën nuk do t’i ndërpriste kurrë.
Atje u njoh me tregtarë të zotë të asaj kohe. Baba, duke qënë një njeri më kulturë, biles nga më të kulturuarit në Malsinë e Gjakovës për kohën, gjatë kohës së ushtrisë në Shkodër, por edhe në vijim gjatë viteve të tregtisë me këtë qytet, kishte blerë thuasje të gjitha botimet që nxirrnin dhjetra shtypshkronja të Shkodrës duke krijuar në mënyrë të habtishme një bibliotekë me libra të autorëve të njohur përfshirë ato të Gjergj Fishtës. Në Shkodër kishte mësuar edhe italisht për të lexuar dhe komunikuar mjaftueshëm.
Nuk do pyetje, ai ishte një njeri i prerë për ekonominë e tregut dhe tregtinë dhe Shkodra ia dha këtë mundësi.
Baba e përmendte më së shpeshti Man Tepelinë. I vendosi lidhjet me këta tregtarë dhe, sapo mbaroi shërbimin e detyrueshëm, me bashkëfshatarët e tij Rexhep Selimi (Mehmetaj) dhe Bekë Sylejmani (Ponari) hapën dyqan privat në fshat. Me Bekën ishin bashkëmoshatarë dhe kishin shoqëri të ngushtë gjithë jetën.
Tregtia iu eci me sukses. Një prej tyre, sipas radhës, qëndronte në dyqan. Dy të tjerët dërgonin mallra me karvane kuajsh në Shkodër dhe merrnin mallra prej andej. Klientët e tyre ishin nga fshatra të ndryshme nga të dyja anët e Drinit.
Sipas traditës, qysh nga Lidhja e Prizrenit dhe në vazhdim, familja jonë u përfshi ndër të parat në Malësi në formacionet e luftës për liri. Shtëpia jonë u bë strehë e luftëtarëve si Fadil Hoxha, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xheladin Hana e të tjerë. Në kujtimet e Fadil Hoxhës “Kur pranvera vonohet” është një personazh me emrin Bubrrec, por Fadili ngjarjet i vendoste në një fshat tjetër të Tropojës, duke shmangur rrezikun që personazhi i tij të mos e pësonte nga regjimi i Enver Hoxhës. Babai nuk kishte respekt për Fadilin. E kishte njohur në Tiranë, kur, për një hall të tijin, kishte shkuar të takonte Kolë Bibë Mirakajn, atëherë ministër i Brendshëm. Kola ishte nga Iballa e Pukës, fqinj me njerëzit e gjyshes tonë, e cila ishte po nga Iballa. Babai tregonte se Fadili brohoriste Duçe-Jakomoni derisa i shterroi zëri. Unë mendoja se thjesht babai kishte inat me Fadilin ngaqë ai fliste kundër demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, prandaj i jepte ngjyrime të tepëruara negative atij. Por shumë më vonë kam lexuar se Fadili kishte qenë veprimtar i Partisë Fashiste.
Por tregonte respekt për Hajdar Dushin, i cili i kishte dhe i lexonte në origjinal gjermanisht literaturën komuniste. Thonë se ai hartoi edhe Rezolutën e Konferencës së Bujanit, ku sanksionohej që Kosova të vetvendoste pas mbarimit të Luftës, “për t’u bashkue më Shqipninë.” Ai tregonte pa demagogji se komunistët nuk do ta lejonin pronën private, do ta kolektivizonin bujqësinë, do ta ndalonin fenë, do të zhvillonin luftë klasash ndaj çdo mospajtimi me ideologjinë komuniste.
Familja jonë kishte një traditë të luftës kundër pushtuesve ku qysh nga Lidhja e Prizrenit, në luftrat e Palvë-Gucisë dhe deri më sot, 23 djem të fisit Buçpapaj kanë rënë deshmorë në tokë të Kosovës. Kështu që hapja e minierës së kromit në Kam nga pushtuesit italianë u konsiderua nga malsorët si vjedhje e pasurisë tonë kombëtare të cilët organizuan një sulm të armatosur ku mori pjesë edhe xhaxhai ynë Fazliu, bashkë me kusherinjtë tanë Selim Braha dhe Halil Beli etj. Regjimi fshasit u vu në ndjekje të tyre dhe xhaxhai doli në mal, ndërkohë që familja u lidh me resistencën antifashiste.
Fashistët italianë, në prag të dimrit 1942-1943, si hakmarrje, vendosën të digjnin kullën tonë, si pjesëmarrëse në resistencën antifashiste dhe si strehuese e luftëtarëve të lirisë. Ata dogjën stallën e bagëtive ndërkohë që mbushën me sanë dhe me kashtë misri gjithë ahurin e shtepisë së madhe të Buçpapajve për t’i vënë edhe asaj flakën. Por Xhemajl Bubrreci, vetëm 16 vjeç, bashkë me Isa Selim Bajraktarin (djalin e hallës) ua nisën pushkën. Italianët u detyruan t’iu përgjigjën dhe i ndoqën të dy deri në Mollë të Kuqe (Bujan), por pa rezultat. Shtëpia e madhe shpëtoi nga zjarrvënia, ndërsa familja nuk ishte e sigurt, kështu që u vendos në Iballë të Pukës, tek dajët e babës, deri në pranverë.
Me formimin e këshillave të para Nacionalçlirimtare, babai u zgjodh sekretar për Tplâ-Dushaj, ndërsa kryetar u zgjodh Hoxhë Dusha.
Me nënën time Gjylë Ismail Meshi babai u martua më 1 janar 1944. Pjekja, përcjellja e nuses nga fshati Kosturr i Hasit, u bë në fshatin Shëngjergj në breg të Drinit. Në pjekje mungoi miku i shtëpisë Din Zenel Bajrakari, i cili ishte delegat në mbledhjen e Konferencës së Bujanit, mungoi edhe djali i tezes së babait, Selim Braha, i cili ishte rojë tek shtëpia e Sali Manit, ku mbahej konferenca. Ata erdhën në ditën e dytë të dasmës.
Më 1944, familja jonë u denoncua se mbante dhe shpërndante trakte partizane. Nazistët, pasi bastisën gjithë shtëpinë e nuk gjetën gjë, i rreshtuan të madh e të vogël para popullit. Azai i fshatit, Ahmet Alia (Ponari) garantoi se denoncimi ishte i rremë dhe e shpëtoi familjen tonë nga rreziku.
Më 1945 babai u zgjodh kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar për fshatin Tplà- Dushaj. Këtu filluan përplasjet e para midis babait dhe pushtetit komunist.
Atë vit Fazli Bubrreci, vëllai i madh i babait, një ndër luftëtarët e parë të lirisë në Tropojë, komandant skuadre në Brigadën XXV Sulmuese, ra në burg në Shkodër. Atë e shoqëronte një dosje nga Jugosllavia, e tëra në serbisht. Babai iu mori vërtetime të gjithë bashkëluftëtarëve të xhaxhait dhe xhaxhait iu dha pafajësia.
Një ndër masat e para që u muarën pas vendosjes së pushtetit komunist ishte dorëzimi i të gjitha librave të autorëve reaksionarë në qendër të rrethit. Kështu që babait dhe vëllait të tij iu desh të mbartte me kuaj librat dhe t’i dorëzonte, sipas urdhërit, të cilat komunistët i dogjën. Shumicën e këtyre librave siç ishin ato të Fishtës dhe shkrimtarëve katolikë të veriut, por edhe shumë përkthime, ishin shpallur nga regjimi komunist të ndaluara.
Në kuadrin e shtetëzimeve, babai dhe dy ortakët e tij u detyruan të mbyllnin dyqanin privat. Dyqani i parë shtetëror u hap vite më vonë.
Ndërkohë baba si një njeri me talent dhe kurajë kishte hapur punishten e parë të përpunimit të leshit në Tropojë me të cilën fitonte shumë. Ai i bëntë përpunimin bazë në Tpla dhe pastaj e dërgonte në Shkodër ku e shiste me çmim më të lartë. Po kështu kishte hapur edhe punishten e parë të përpunimit të qumshtit (për nxjerrjen e gjalpit) në krahinë, ku përsëri siguronte të ardhura nga vetë porositësit dhe nga fermerët. Ai kishte plane për të zgjeruar biznesin e tij, por regjimi komunist erdhi duke e ngushtuar pronën private deri në zhdukjen e saj.
Babai ra në mospajtim të thellë me regjimin, kur pushteti në qendër të rrethit, pasi e kishte shpallur dëshmor xhaxhain e vogël Halil Bubrrecin, korrier i formacioneve të lirisë, vrarë në verën e vitit 1944 në bjeshkë, me argumente të paqëndrueshme ia hoqën këtë titull.
Në ato vite, të cilat quhen edhe periudha e Koçi Xoxes, ndodhte që malësorët arrestoheshin në shtëpitë e tyre dhe vriteshin gjatë rrugës për në qendrën e rrethit me pretekstin e orvatjes për arratisje. Edhe ata që i shpëtonin plumbit, rriheshin derisa bëheshin pelte. Akuzat më të shpeshta ndaj malësorëve në atë kohë ishin për fshehje armësh, për strehim të të arratisurve kundër regjimit ose pse iu dërgonin ushqim dhe veshje në mal. Babai, në të gjitha rastet, i shoqëroi vetë të gjithë të arrestuarit deri në qendër të rrethit. Madje edhe iu dilte zot duke argumentuar se ishin krejtësisht të pafajshëm. Akuzat, pothuaj në tërësi, ishin të pabaza, thjesht bëheshin për hakmarrja të vjetra.
Më 1949 babai shkoi vullnetar në fazën përfundimtare të tharrjes së kënetës së Maliqit. Atje punoi murator në kanal, në ujëra të ftohta dhe u kthye në shtëpi i sëmurë, në një gjendje të tillë që askush nuk e njihte as nuk i besonte se ishte vërtet ai, Mehmet Bubrreci. U paralizua pothuaj plotësisht nga të dyja këmbët. Rastësisht shpëtoi pa e prerë njërën këmbë. Ishte në sallën e operacionit, po debatonte me mjekët ngaqë nuk pranonte ta bënte operacionin me narkozë, kur erdhi lajmi se ishte miratuar kura dhe kishin ardhur medikamentet e porositura UNRRA-s nga Spitali Civil në Tiranë. Kurimi do të vazhdonte gjatë. Çdo vit të paktën një muaj e kalonte në spital. Deri vonë në shtëpi janë ruajtur patericat të cilat i përdorte në atë periudhë. Më vonë, për disa vite të tjera, lëvizte me bastun. Në këtë periudhë, duke mos pasë shumë shpresa te shërimi i plotë, bleu një makinë qepëse dhe vendosi të merrej me rrobaqepësi. Në shtëpinë tonë, deri vonë ndodhej makina qepëse të cilën babai e pati përdorur vetëm për pak vite.
Në këtë kohë ra në burg për herë të dytë xhaxhai i madh, Fazliu. Këtë herë akuzohej për agjitacion e propagandë. Më 1948, pas prishjes me jugosllavët dhe mbylljes së kufirit më Kosovën, u pa qartë se ajo i kishte mbetur Serbisë. Xhaxhai i madh Faslia e akuzoi publiksht Enver Hoxhën se e kishte tradhtuar Kosovën dhe vetë luftën çlirimtare, pasi ai dhe tre vellezërit e tij, si shumica e malësorëve të Tropojës, u ishin bashkangjitë radhëve të Brigëdës XXV Sulmuese për të Çliruar Kosovën nga nazistët dhe bashkuar me Shqipërinë. Këtë koncept e shprehte edhe rezoluta e Konferencës së Bujanit, por tani bashkë me Kosovën i kishte mbetur Serbisë edhe Gjakova një qytet jetik për Malsinë e Gjakovës. Xhaxhai deri sa vdiq kur merzitej e këndonte këngën e njohur në Malsi “Hajmedet se u mshel Gjakova.”
Për këtë xhaxhai u dënua me 15 vjet burg politik. E kishte vënë në shenjestër kryetari i Degës, Kopi Nika, një nga xhelatët më të mëdhenj të diktaturës. Babai takoi sërish të gjithë bashkëluftëtarët e xhaxhait dhe ua mori deklaratat e tyre. Takoi edhe dëshmitarët dhe ata i ndryshuan dëshmitë e tyre. Xhaxhai u dënua përfundimisht vetëm me një vit burg. Por qëndroi dy vite në burg, meqë vendimi i Gjykatës së Lartë, kishte mbetur nëpër shkresat e sekretarisë së burgut dhe vetëm një kontroll nga lart e zbuloi shkresën për lirimin e xhaxhait.
Xhaxhai i madh, Fazli Bubrreci, u trajtua krejt padrejtësisht nga pushteti në fshat dhe në rreth deri në fund të jetës si i dënuar politik me 15 vjet burg. Në të gjitha biografitë tona zyrtare, xhaxhai figuronte si i dënuar 15 vjet me burg politik. Politika zyrtare në Tropojë konsideroi se familja jonë, me qëndrimet e pasluftës, e kishte mohuar luftën e bërë prej saj. Kështu që, në historikun e Luftës Nacionalçlirimtare të Tropojës, të përfunduar në vitet 1980, roli i familjes sonë në Luftën Nacionalçlirimtare ishte reduktuar vetëm tek emri i gjyshes, Shkurtë Isufi, si nënë që kishte pritur dhe përcjellë partizanë. Në një kohë që dy xhaxhallarët, Ali Bubrreci dhe Xhemajl Bubrreci, merrnin pension veterani, sepse, me dokumente vërtetohej se ishin pjesëmarrës vullnetarë të Luftës Nacionalçlirimtare. Këtë përcaktim e kishin të gjithë ata që kishin marrë pjesë në formacione para 24 majit 1944, Kongresit të Përmetit. Pas asaj date të gjithë pjesëmarrësit në këto formacione, nuk ishin më vullnetarë, por ishin rekrutë të mobilizuar dhe pjesëmarrja në formacione iu quhej kryerje e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në këtë kategori të fundit hynin të gjithë pjesëmarrësit në Brigadën XXV sulmuese, me luftëtarë kryesisht nga Tropoja dhe Hasi.
Kjo ishte në padrejtësi ekstreme ndaj familjes sonë, një nga ato deformime flagrante të cilat e kanë lënë Tropojën pa një histori lokale të saj.
Më 1953 në Tplâ u krijua kooperativa bujqësore, e para në Tropojë dhe një ndër të parat në veriun e vendit. Një vit më parë katër vëllezërit- Fazliu, Mehmeti, Aliu, Xhemajli ishin ndarë. Ngaqë toka e cila i takoi babai ishte disi më larg, atij nuk i takoi pjesë nga shtëpia, kështu që filloi ndërtimin e shtëpisë së vet. Tre vëllezërit e tjerë u përfshinë ndër të parët në kooperativë.
Nëna ime, falë shëndetit fizik e formimit të saj shpirtëror dhe edukatës përkryer nga familja prej së cilës vinte, nga Meshajt e Kosturrit, do të ishte krahu i djathtë i fuqishëm i babait në të gjitha sfidat. Ajo përballoi me dinjitet barrën e shtepisë dhe rritjes së fëmijëve, por edhe rënien e vëllait të saj Isuf Meshi në burg politik për 25 vjet.
Babai kërkoi pension invaliditeti. Iu desh të bënte letra deri në kreun e vendit. Sapo i plotësoi dokumentet për pension, ra një zjarr në komitetin ekzekutiv të rrethit dhe u dogj çdo dokument, ndër të tjera edhe dokumentet e pensionit të babait.
Kjo, por edhe formimi i tij për ekonominë e lirë të tregut, ndikoi në vendimin e patundur të babait për të mos u bërë anëtar i kooperativës bujqësore dhe kjo e vuri gjithë familjen tonë në qendër të luftës së klasave në fshat, shumë më egërsisht se ndaj kulakëve, ish-kulakëve, të burgosurve politikë apo ish të burgosurve politikë të fshatit. Këta hynë në kooperativë sapo iu dha shansi i parë. Dhe ishin më të bindurit ndaj vijës së partisë. Nga vitet 1960 Tplâni u bë edhe qendër internimi. Edhe ndaj të internuarve udhëheqja e Tplànit mbante qëndrim dukshëm më të butë se ndaj familjes sonë.
Kam qenë i vogël kur kryetari i kooperativës, bashkë me udhëheqjen, erdhën në oborrin e shtëpisë sonë. Doli babai, dola dhe unë. Kryetari i kërkoi babait të anëtarësohej në kooperativë dhe ia kujtoi se ishte i vetmi që nuk e kishte bërë këtë gjë në fshatin tonë. Babai kundërshtoi me vendosmëri: “Unë jam një njeri i sëmurë, invalid pa pension, kam shumë fëmijë. Kooperativa nuk mund të na mbajë.” Ia përmendi kryetarit disa familje që kishin dorëzuar plot toka e bagëti e, në pak vite, ishin katandisur në mjerim. “Nuk mund t’i lë edhe fëmijët e mi të vdesin urie,” këmbënguli babai. Kryetari kërcënoi: “Unë do ta marr tokën tënde dhe shtëpia jote do të bëhet strehë e traktorëve të SMT-së!” Kryetari ishte nga një familje me të cilën ne kishim gjithmonë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore. Ai e dinte gjendjen shëndetësore të babait. Në vizitën e Enver Hoxhës në Tropojë më 1952, ai i kishte kërkuar atij dy gjëra: Që Tplâni të bëhet kooperativë bujqësore dhe që Mehmet Bubrrecit, të sëmurë në tharjen e kënetës në Maliq, t’i jepet pension invaliditeti. Enver Hoxha ia kishte pranuar të dyja kërkesat.
Dimrin e 1962-1963 babai e kaloi në Spitalin Civil Nr. 1 në Tiranë. Unë dhe ai shkëmbyem letra gjatë atyre muajve. Babai iu jepte shumë rëndësi letërkëmbimeve, si mënyrë për të mos e ndërprerë komunikimin me njerëzit e rëndësishëm të jetës. Unë nuk e trashëgova këtë cilësi nga babai.
Si djali i madh që isha, e gjithë shtëpia ishte nën përgjegjësinë time. Mua ma lehtësoi përgjegjësinë gjyshi nga ana e nënës, Zmajl Isuf Meshi, një luftëtar trim i Bajram Currit në kryengritjet për çlirimin e Kosovës dhe ngritjen e Flamurit kombëtar në Shkup me 13 gusht 1913.
Megjithëse në moshë të shtyrë (në vitin 1967 u nda nga jeta) prania e tij gjatë atyre muajve ishte shumë e rëndësishme. Babain nuk e kam parë kurrë më të trishtuar se atëherë, kur sapo kishte dalë nga spitali.
Në verën e vitit 1963 kryetari i kooperativës vendosi që të mos e lejojë ujitjen e arave dhe livadheve tona. Babai shkoi te kryetari i lokalitetit Halil Breçani dhe iu ankua. Ai ia dha një shkresë ku urdhëronte kryetarin e kooperativës të na e lejonte radhën e ujit. Kryetari i kooperativës nuk deshi t’ia dinte. Babai shkoi te kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit Mehmet Rama dhe iu ankua. Edhe ai ia dha një shkresë ku e urdhëronte kryetarin e kooperativës që të na e lejonte ujin. Kryetari i kooperativës nuk deshi përsëri t’ia dinte. Prej atëherë ne nuk na u lejua uji i vaditjes në tokën tonë. Kështu që rendimenti i prodhimit binte shumë. Dhe ne detyroheshim të shisnim bagëtinë për të blerë drithë.
Në pranverën e vitit 1967, në kuadrin e revolucioni maoist që u zhvillua edhe në Shqipëri, familja jonë u vu përsëri në qendër të luftës së klasave. Organizata e rinisë e kooperativës me sekretar K. Rr. dhe zëvendëssekretare B. A. na e vunë një fletërrufe në derën e shtëpisë, e madhe sa e gjithë dera. Përveç refuzimit të vendosur për të mos hyrë në kooperativë, motra ime e madhe ishte martuar me nipin e Tahir Hoxhës së Gashit, ish-oficer i Monarkisë, që në Konferencën e Pezës bashkë me krahun nacionalist të Abaz Kupit u ndanë nga krahu komunist, duke mbetur armik i tij. Pas luftës ai u arratis në Kosovë dhe trajtohej si armik i regjimit, edhe pse ishte një patriot dhe nga një familje e shquar patriotike e Malsisë dhe e Kosovës (Baba i tij Abdullah Hoxha një nga udhëheqësit e kryengritjes antiosmane më 1909 u var nga turqit në Gjakovë bashkë me Shaban Binakin e Krasniqes), ndërsa i vëllai Sadik Hoxha një klerik i nderuar qëndroi në fshatin e tij, në Hoxhaj të Gashit.
Organizata e partisë urdhëroi që të mblidhej organizata e Frontit, me rend dite: Mehmet Bubrreci, për krushqi me reaksionarët, të dilte para gjithë popullit dhe të përjashtohej nga Fronti, pra të deklasohej edhe zyrtarisht. Babai im u mbrojt në mënyrë spektakolare. Dhe asnjë prej fshatarëve të thjeshtë që e morën fjalën nuk e sulmoi babën. Edhe kryetari i Frontit, Hysen Mehmeti, mik i ngushtë i babait që nga fëmijëra e tyre, i doli në përkrahje. Organizata e partisë e kooperativës dështoi plotësisht.
Familjes sonë, në verën e vitit 1967, iu ndalua të dilte në bjeshkë, siç bënim çdo vit, sepse, sipas tyre, duke qenë familje reaksionare, mund të arratiseshim. Selim Zenuni (Malaj), nga një familje me të cilën kishim lidhje të mira të përhershme, si dhe mik i ngushtë i babait që nga fëmijërira, u bë garant dhe ne dolëm në bjeshkë atë verë dhe verat e tjera.
Toka jonë iu bashkua kooperativës bujqësore vetëm në pranverën e vitit 1968, e fundit në fshat dhe në rreth, ndoshta e fundit apo ndër të fundit në shkallë vendi. Shtëpia dhe toka jonë, (arat dhe livadhet) ndodheshin në mes të fushës. Babai i mbillte arat tona me misër të bardhë, në mënyrë që ne fëmijët të mos guxonim të merrnim qoftë një kalli misri në arat e kooperativës, të cilat mbilleshin me misër të verdhë. Kështu që ne as vetë, as me bagëtinë nuk ia bënim asnjë lloj dëmi kooperativës. Ekonomia jonë ishte e mjaftueshme për të mbajtur kënaqshëm familjen tonë. Atë ne e kishim krijuar me djersën tonë nga më i madhi te më i vogli dhe askujt në botë nuk ia kishim nevojën as për gjënë më të vogël. Ne 10 fëmijët e rritnim njëri-tjetrin dhe ishim krah i fortë i të dy prindërve.
Babai kishte një formim të tillë shpirtëror që të mos kalonte asnjë ditë pa i bërë të paktën njëherë dikujt ndonjë të mirë. Njeri me duar të arta, nga ata që çfarë i shihte syri ia bënte dora, ai iu ndodhej fshatarëve në ndihmë që nga ndreqja e orëve të murit, tek riparimet e veglave bujqësore, tek riparimet e samarëve të kuajve e tjerë. Gjithçka e bënte falas dhe në mënyrë të përkryer.
Vazhdimisht abonohej në “Zëri i Popullit”, ose “Bashkimi”, biles për shumë vite babai kishte dërguar lajme për ngjarjet nga Tropoja për gazetën “Bashkimi”, duke qenë korrespondent vullnetar i saj.
Baba blinte librat e autorëve më të mirë të kohës duke bërë një bibliotekë nga më të pasurat në vend, pasion që e kishte trashëguar nga babai i vet dhe që e kishte ndjekur qysh prej viteve 1930 kur Gjyshi ynë Bubrreci Alia i merrte me autograf librat e Gjergj Fishtës dhe Hil Mosit në Shkodër.
Deri më 1970, në elektrifikimin e plotë të vendit as në fshatin tonë nuk kishte radio. Në vitet e para të krjimit të kooperativës, në qendrën e atëhershme në Arën e Butë, pranë Ponarëve kishte një radio me vajguri. Derisa ajo nuk punoi më, vazhdimisht një numër i madh fshatarësh grumbullohej dhe e dëgjonte. Ndonjëherë e dëgjoja unë.
Vetëm një vit më parë, më 1969, në 25 vjetorin e çlirimit të vendit, erdhën radiot kineze “Iliria” me bateri. Gazeta e përditshme ia mundësonte babait të merrte vesh politikën ditore të PPSH.
Në shtëpi babai mbante Kodet e ligjeve në fuqi (Kushtetuta, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Kodi Civil, Kodi i Procedurës Civile, Kodi i Familjes e tjerë). Në fshat vinin nga rrethi juristë për t’ia shpjeguar ligjet e reja. Postieri i fshatit, njeri shumë i mirë dhe nga një familje shumë e mirë, e sillte lajmin edhe tek ne. Kur e pyesnin në udhëheqjen e fshatit a e lajmërove Mehmet Bubrrecin, postieri përgjigjej se se babai ia tregonte atij ligjet për të cilët bëhej fjalë: “Ja ku i kam ligjet për të cilët po më lajmëron.”
Nga Tplâni, por edhe nga fshatrat përreth, fshatarët që donin të zgjidhnin problemet e tyre duke iu drejtuar udhëheqjes në rreth apo në Tiranë, vinin te babai. Duke qenë njohës i ligjeve, ai ua hartonte letrat. Ngaqë nuk bëja gabime gramatikore, i shkruaja unë të diktuara nga baba. Ngaqë letrat kishin sukses, ata që kërkonin ndihmë nga babai vetëm shtoheshin.
Baba kishte fituar nga leximet nga kulturë juridike të mirë, por edhe kishte një prirje të lindur gjykimin dhe interpretimin e gjërave, konflikteve apo të çështjeve të ndryshme civile apo penale.
Ai kishte aftësi të rralla për ta mbrojtur një çështje apo paraqitur diçka si të mirë, apo për ta demaskuar dhe shkatërruar atë si diçka të keqe apo shumë të keqe. Fjala e tij dhe batutat e tij kishin shumë influencë për mirë apo për keq si në familje, por edhe në komunitet dhe shpeshherë këto krijonin probleme.
Kujtimin më të bukur me babain e kam nga një vizitë që bëmë bashkë me të, tek një mik i tij në Shkodër në ditët e fundit të vitit 1958 dhe ditët e para të vitit 1959. Shtëpia e mikut të tij ndodhej në Parrucë, afërsisht aty ku më vonë ndahej rruga për në konviktin e djemve të Institutit të Lartë të Shkodrës, ku ndodhej një librari e madhe, ku fillonte lulishtja dhe busti i Qemal Stafës dhe, pak më larg, Biblioteka e Shkodrës. Familja mikpritëse, një familje e bukur, përbëhej nga dy fëmijë (një djalë rreth 8 vjeç dhe një vajzë rreth 10 vjeçe) dhe nga çifti prindëror, i cili ishte rreth të dyzetave. Ata banonin në një apartament në katin e tretë të një pallati. Kishte rënë shumë shi dhe ato ditë e netë vazhdonte të binte. Uji i liqenit vinte gati deri në qendër të qytetit. Prindërit e fëmijëve dilnin herët nga shtëpia dhe ktheheshin vonë. Ne fëmijët dilnim shpesh në dritare dhe zbaviteshim duke parë automjetet, sidomos kamionët e mëdhenj, kur çanin ujin dhe përhapnin dallgë.
Nganjëherë dilnim në qytet me babain dhe mikpritësin. Shkonim te Kafja e Madhe. Mbaj mend Dervish Dashin, i cili nganjëherë dehej aq shumë sa i rrihte muret e kafes me bastunin e tij. Mua më bënin përshtypje të jashtëzakonshme tregu tejet i pasur fshatar, trumat karakteristike, biçikletat e shumta, sidomos fëmijët me biçikleta. I kërkova tim eti të ma blinte një biçikletë fëmijësh. Më bënin përshtypje të veçantë altoparlantët nëpër shtylla, ngado të shkoje, që transmetonin pa ndërprerë emisionet e radios. Më bënte përshtypje atmosfera e Vitit të Ri, me imitimet e kristaleve të borës nëpër xhame dhe dritat shumëngjyrëshe. Ndodhte që na zinte shiu dhe ne ktheheshim në shtëpi me pajtonë. Nga dritaret e vogla të tyre ne shikonim qytetin nëpërmjet shirave. Nuk mund të ketë në botë udhëtim më të rehatshëm më fantastik.
Kur isha student në Shkodër, e kërkoja me mendje shtëpinë ku kisha qenë mik. Aty ndodhej një pallat i madh tashmë dhe nuk kishte gjurmë të të mëparshmit. Babai nuk më kishte folur asnjëherë më vonë për fatin e asaj familjeje, me sa duket jo i mirë, si për shumëkënd në Shkodrën e asaj kohe.
Me Shkodrën që atëherë krijova lidhjet shpirtërore më të veçanta, sepse ishte qyteti i parë i vërtetë për mua dhe sepse asgjëkund nuk ka si Shkodra. Kur u kthyem në Tplà, mua më bënin pyetje pa fund për Shkodrën. Nganjëherë më mungonin përgjigjet dhe unë trilloja. Ishin trillimet e mia të para me qytet.
Një kujtim tjetër tejet i bukur me babain është i shumë viteve më vonë. Në pranverën e vitit 1977, në Godinën 14 të Qytetit Studenti, kur sapo ishim kthyer nga leksionet, më lajmëruan se po të kërkon babai, një e papritur e jashtëzakonshme për mua, sepse babai nuk më kishte ardhur kurrë tek dera e shkollës që nga klasa e parë e deri atë ditë.
Më tregoi se do të qëndronte vetëm pak orë në Tiranë. Vinte nga Shkodra ku pati bërë vizitë te okulisti dhe do të merrte syzet e reja te reparti optik. Ne shkuam bashkë te “Kursal”, pimë kafe dhe dolëm. Sapo dolëm, përballë nesh po vinte Ismail Kadare, i cili në atë kohë i jepte kursit tonë leksione për letërsinë perëndimore. U përshëndetëm me Ismailin. Dhe me nxitim shkuam te reparti optik, morëm syzet dhe arritëm të kapnim trenin për në Laç. Prej andej babai do të kthehej në Shkodër dhe pastaj në Tropojë.
I mbeti në mendje Ismaili. “Sa i ri, bre! Qenka djalë i ri, Ismaili, bre! Nuk e kam menduar kaq të ri Ismailin!”
Mua më mbeti peng për gjithë jetën që nuk u ndalëm për disa minuta me shkrimtarin. Kadaré në shtëpinë tonë ishte i pranishëm që në vitin 1958. Baba ishte një lexues i rregullt i romaneve të Ismail Kadaresë përfshirë edhe “Dimrin e vetmisë së madhe, i botuar në vitin 1973 në Tiranë dhe këtë e dinë të gjithë në fshat, sepse ua sygjeronte për t’i lexuar. E çmonte shumë Kadarenë si shkrimtar.
Libri i tij “Princesha Argjiro” ishte ndër librat që lexoheshin me zë të lartë dhe me lotë në sy. Prej atëherë asnjë libër i tij nuk ka munguar në shtëpinë tonë. Nuk ka mbetur njeri me të cilin ka biseduar dhe që babai të mos i ketë treguar se e kishte parë Ismailin nga afër, se, ndryshe nga ç’e mendonte, Ismaili ishte një djalë i ri.
Babai, si tregtar, mjeshtër ndërtimi, bujk e tjerë, në asnjë rrethanë, kudo që është ndodhur, nuk e ka lëshuar nga dora librin. Dhe kjo e bënte të ndihej i barabartë me çdo intelektual, të çdo fushe, me të cilin ai bisedonte. Edhe në ato pak vite të pensionit që ai i gëzoi, libri ishte aleati më i pandarë. Në kohën tjetër merrej me pemët e shumëllojshme që e rrethonin shtëpinë tonë. Meqë ne ndodheshim në mes të fushës, në pranverë, verë e vjeshtë, nga qendrat e punës të Bajram Curri vinin për të punuar në arat e kooperativës në kuadrin e aksioneve me goditje të përqëndruar, siç quheshin ato në atë kohë. Ata vinin te bunari ynë, nën një pjergull të madhe, shuanin etjen, freskoheshin, babai kënaqej të bisedonte me ta dhe t’iu shërbente edhe me pemët e stinës.
Që i vogël më kishte mësuar si të bëja drutë për dimër, si të ngarkoja kalin me dru. Prej moshës 10 vjeç unë e endja kalin nga vërrini në bjeshkë disa herë në verë. Bjeshkët i kishim larg, rreth 12 orë. Rrugët ishin kryesisht pa njerëz dhe, nëse barra e kalit rrëzohej, mund të mbetesha me orë të tëra pa asnjë ndihmë. Babai më mësonte që, nëse barrëve iu merrte ana, të vendosja një gur në anën më të lehtë për të krijuar baraspeshimin. Më kishte mësuar të lëroj tokën me parmendë, të kosis, si dhe të gjitha punët e tjera bujqësore. Në një kënd të saj, ara e madhe e kishte tokën të rëndë, mua më duhej ta mbaja parmendën peshë gati gjithë kohën, sepse ajo mund të shkonte shumë thellë. Kështu që mua më mbusheshin duar me flluska. Kjo përvojë mbartej tek vëllezërit e tjerë.
I kishte në shtëpi të gjitha veglat e mjeshtrit të ndërtimit, përfshirë ato të gdhendjes së drurit, pasi ishte të gjendje të bëntë gdhendjet më të holla në dru (me shijet e një skulptori) me të cilat zbukurohej dhoma jonë e pritjes nga më të bukurat në Krahinë.
Mua nuk ma ka lejuar asnjëherë t’i prek me dorë, as vëllezërve të tjerë, sepse ishte shume merakli dhe kishte frikë se mos ia prishinim dhe atij i vinin vazhdimisht njerëz që i këkonin ndihmë, por edhe bënin porosi. Në fillim të viteve 1980, kur ndërmorëm ndërtimet në shtëpi, u bë tejet pesimist. Nuk besonte se do t’ia dalim. Kooperativa na i caktonte mjeshtrat që të punonin në shtëpinë tonë, por, nga ana tjetër, i porositeshin të mos punonin asgjë. Kështu që ata punonin ndonjë orë, pastaj largoheshin e nuk ktheheshin me javë. Pengesa të mëdha na u krijuan edhe në transportin e gurëve, të rërës, të gëlqeres, të trarëve, të dërrasave, të të gjitha materialeve të ndërtimit. Edhe ndodhja e shtëpisë në mes të fushës i shtonte vështirësitë.
U detyruam t’i hyjmë punës vetë. Ngaqë ne nuk ishim marrë me mjeshtëritë e gurit as të drurit, nuk na besoi. Një verë të tërë Muja në atë kohë student i letërsisë së Tiranë, i nxori gurët e shtëpisë. Pastaj bëmë transportet dhe filluam punën. Muja dhe Flamuri merreshin me ndërtimin e mureve dhe suvatimet duke treguar një aftësi të rrallë. Ne të tjerët merreshim me proceset e tjera kryesisht me punimin e drurit. Nëna na i shërbente për mrekulli vaktet dhe na sillte pa pushim ujë nga kroi. Kur babai pa se ne jo më kot ishim bij mjeshtri dhe se gjithçka po shkonte për mrekulli, e pranoi se shtëpia po ndërtohej dhe u lumturua, pasi ndërtuam një shtëpi me dy kate dhe më shumë dhoma, me ndarje nga brenda me mur guri, duke u bërë një vilë e pavdekshme që nuk e rrezuan as termetet që ranë në vitet në vijim dhe as dimrat më shumë borë edhe këto vitet e fundit ku nuk ka mbetur askush aty, pasi kemi lëvizur të gjithë. Do Zoti të rikthehemi dhe rivitalizojmë aty shtëpinë bashkë me ekonominë dhe resurset e tokës pjellore që e rrethon.
Në dhjetorin e vitit 1983 u shtrua në spital në Bajram Curri. Qëndroi deri në fund të janarit të vitit 1984. Dy javë pas daljes nga spitali, në natën mes 16-17 shkurtit, pësoi infarkt. Mjeku i fshatit nuk ndodhej në Tplâ. Mua më njoftoi me telefon vëllai i dytë, Hasani. Moti ishte shumë i egërsuar dhe rrugët për në Tplà ishin shumë të vështira për të marrë ndihmën mjekësore. Rreth orës 2 të natës vëllai më njoftoi se babai ndërroi jetë. Unë i njoftova me telegrame të gjithë miqtë dhe të afërmit tanë. Ata njoftuan të tjerët, të cilëve nuk mund t’iu dërgoheshin telegramet. Dhe u nisën të gjithë për të marrë pjesë në varrimin e babait, që do të bëhej në mesditën e 17 shkurtit. Muja që ishte student në Tiranë mbërriti pak orë pasi e kishim varrosur babën.
Në varrimin e babait, me vendim të udhëheqjes së kooperativës, nuk mori pjesë asnjë anëtar i administratës së kooperativës, nuk mori pjesë asnjë anëtar i PPSH, nuk mori pjesë askush nga udhëheqjet e organizatave të masave. Ishte një bojkot total. Asnjë kulaku, ish-kulaku, ish të burgosuri politik, asnjë të internuari nuk i kishte ndodhur një bojkot i tillë total. Aq e madhe ishte armiqësia e udhëheqjes së kooperativës ndaj babait tim. Aq e përbindshme, sa dhe absurde ishte urrejtja ndaj tij. Sepse, ndërkohë Mehmet Bubrreci ishte gjithnjë anëtar i Frontit Demokratik, nuk ishte përjashtuar asnjëherë dhe madje nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë vërejtje apo ndonjë masë ndëshkuese të asnjë lloji.
Në atë kohë unë jepja mësim në gjimnazin e Bajram Currit dhe isha metodist në kabinetin pedagogjik të rrethit. Miqtë e mi nga arsimi dhe kultura erdhën në varrimin e babait të gjithë dhe Rrethi i Bokës, ku janë varrezat e farefisit tonë, u mbush me makina. Mbërritën ndërkohë të gjithë miqtë, të afërmit, dashamirët nga fshatra të Tropojës, të Hasit, të Pukës, të Kukësit. Erdhën, i madh i vogël, fshatarët e Tplànit dhe të Dushajve. Edhe në të pamen e babait, një javë të tërë, erdhën njerëz të panumërt për ngushëllime. Telegramet e ngushëllimit vazhduan për ditë të tëra nga miqtë dhe të afërmit tanë të Tropojës, Tiranës e tjerë. Babai im, edhe me vdekjen e tij, arriti ta sfidojë udhëheqjen e fshatit dhe të kooperativës. Ai e kishte urryer gjithë jetën komunizmin, e kishte urryer luftën kundër fesë, e kishte urryer vetizolimin e vendit, por, më hapur se gjithçka kishte urryer kooperativën. Kishte bindje absolute se kooperativat do të prisheshin.
Pasi erdhi shumë i sëmurë nga aksioni për tharjen e kënetës së Maliqit, mua babai më kishte mësuar me idenë e vdekjes së tij të paktën qëkur unë isha 4 vjeç. Në pranverë më thoshte: “Mua kjo pranverë më gjeti, por nuk dihet a më gjen pranvera tjetër, prandaj ti je i madhi i shtëpisë.” Në prag të dimrit, më thoshte: “Ky dimër po më gjen, por nuk dihet a e kapërcej apo jo. Ti je i madhi i shtëpisë.” Kur babai vërtet vdiq, unë isha 30 vjeç, por më dukej vetja shumë herë më i madh në moshë. Dhe më të rinj se unë ishin edhe 4 vëllezërit e tjerë dhe dy motra. Tri motrat e tjera ishin më të mëdha se unë.
Ndërsa babai im ndahej nga jeta, unë ndjeja si tashmë 70 vitet e tij iu bashkoheshin 30 viteve të mia.

NDALIMI I DINARIT, KOMUNAVE DHE ZYRAVE ILEGALE TË SERBISË, PJESË E SOVRANITETIT TË KOSOVËS- Nga IDRIZ ZEQIRAJ

     Njësoj si për konvertimin e akronimeve të ndryshme të targave, në RKS, edhe për heqjen nga qarkullimi në treg të dinarit serb, bëhet “shumë zhurmë për asgjë!” Për të dyja rastet, Kushtetuta e Republikës të Kosovës, i përjashton nga legjitimiteti i përdorimit, ashtu siç veprohet edhe në praktikën ndërkombëtare.
     Realisht, edhe targat edhe dinari duhej të ishin punë e kryer, qysh në qershorin e vitit 1999, përfshi këtu edhe mos mbylljen e Urës së Ibrit, e cila është unike për nga paligjshmëria! Çështja e Urës i është faturuar KFOR-it francez, me ujdinë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Agim Çekun. Dhe, duke u nisur nga rekrutimi i Hashim Thaçit në Shërbimin Sekret francez DGSE, nëpërmjet frengut Arnaud Danjean, dhëndër i Serbisë, rezulton implikimi i Francës, si mike tradicionale e Serbisë, në aleancë prej një shekulli e gjysmë, gjithnjë me amputime të tërësisë territoriale të shqiptarëve, edhe faturimi i mbylljes të Urës së Ibrit është i saktë.
          Faktike: Qeveria është konsultuar, paraprakisht, 
                     me partnerët për ndalimin e dinarit 
     Vendimi i BQK-së, rrjedhimisht, edhe i Qeverisë të Kosovës, nisur nga rregullorja përcaktuese, se euro është e vetmja monedhë përdoruese në të gjithë territorin e Kosovës, është në plotni i ligjshshëm. Dhe, si i tillë nuk ka asnjë arsye të zhurmohet, për zbatimin e një rregulloreje ligjërisht të njohur.
     Zyrtari i lartë amerikan, Jim O`Brian, bëri një denoncim domëthënës, më saktë, vet demantim, të cilin askush nuk po e përmend, pra, po e heshtin, disi, qëllimshëm:
     “Ndonëse SHBA kishin këshilluar Qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë (lexo: mos ndalimin e përdorimit të dinarit – shënimi im), ajo vendosi ta zbatojë atë”, – thotë O`Brian.
     Zotëri O`Brian është, paksa, konfuz, i paqartë, kur thotë: “Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin?!” Dhe, shton: “SHBA të shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për të mos e lejuar përdorimin e dinarit!” Pra, zyrtari O`Brian shmang çfarëdo afatizimi kohor, se kur duhet të zbatohet vendimi i BQK-së, rrjedhimisht i aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Madje, ai anashkalon si vendim të BQK-së, qëllimshëm, për ta akuzuar ekskluzivisht Qeverinë, kryesisht kryeministrin Albin Kurtin.
     Dhe, kjo i demanton të gjithë “kombëtarët” dhe ndërkombëtarët, kur thonë se “Qeveria për ndalimin e  dinarit, nuk është konsultuar me aleatët ndërkombëtarë, madje as me partneren besnike Amerikë!?” Rrenë qoftë! Konsultimi qoftë për targat, më parë, qoftë për dinarin tani, qenka konsultuar, paraprakisht, me ndërkombëtarët, përfshi edhe partneren Amerikë. Por, kërkesa e Qeverisë është refuzuar, për të mos e shqetësuar Serbinë, për ta vazhduar ledhatimin e saj, në përpjekjen për ta ndarë nga tutela e korracuar të mëmës Rusi. Dhe, e gjithë kjo është bërë dhe vazhdon të bëhet në kurriz të Kosovës. Mëkat i madh i të gjithë botës demokratike!
     Akuza në adresë të Qeverisë së Kosovës, se paraprakisht duhej të bëhej informimi i mjaftueshëm, lidhur me ndalimin e përdorimit të dinarit në treg, në një masë, është e pranueshme. Por, edhe pse njoftimi dhe shpjegimi u bë një muaj më parë, qytetarët serbë të Kosovës nuk treguan asnjë interesim, për të nismuar veprimet që rekomandoi BQK dhe, më pastaj, Qeveria! Sepse serbët e Kosovës, në përgjithësi, dhe ata në veriun e Mitrovicës, në veçanti, marrin porosi dhe urdhëra nga Beogradi zyrtar, për të mos pranuar asgjë nga shteti i Kosovës, përveç financimin me euro.
    BQK, qysh me shpalljen e vendimit, komunikoi edhe udhëzimet përkatëse, se si mund të veprohet në konvertimin e dinarit në monedhën euro. Në mes tjerash, u tha se janë 33.000 xhirollogari të hapura nga qytetarët serbë të Kosovës në bankat vendore, të gatshme për bartjen e parave në euro nga Serbia. Por, ajo që nuk u bë me kohë, po kompensohet tani, me një angazhim enorme, që nga BQK-ja, Qeveria dhe personalisht kryeministri Albin Kurti, me stafin e tij qeverisës.
     Madje, edhe zgjatja e afatit tre mujor nga BQK-ja, për t`u informuar edhe mëtej, për të bërë përgaditjet e nevojshme konvertuese bankare, pa ndëshkim dhe me shërbime gratis, është tregues i mjaftueshëm se gjithçka po korrigjohet krejt logjikshëm. Dhe, kjo duhet vlerësuar si një kërkim-falje publike, për vonesën e një informimi të bollshëm, qysh në ditën e marrjes së vendimit tërësisht ligjor, siç është ndalimi i dinarit.
          Akuza arificiale për goditjen e Kurtit dhe Qeverisë së tij!
     Tragjizmi artificial, kthehet në një komedi qesharake. Të thuhet se “Qeveria e Kosovës ka lënë qytetarët serbë pa bukë, qiranë pa paguar, energjinë elektrike gjithashtu”, është një shpikje e absurditet dhe bie ndesh me të vërtetën faktike. Të ardhurat, dinarët, nga Serbia, janë të dubluara, të dyfishuara, për qëllime djallëzore dhe armiqësore ndaj Kosovës, për t`i përdorur serbët e Kosovës, për protesta e rezistencë, kundër shtetit vendor, me synimin e hapur për ta zhvatur një pjesë të territorit të Kosovës dhe bashkangjitjes Serbisë. Ndërsa për presidentin Vuçiq, ky fnancim shërben si klientelë elektorale të tij, njësoj siç u shërbejnë 40.000 “veteranët” e rrejshëm partive-banda të PAN-it në Kosovë.
     Realisht, në mes shteteve normale, ky favorizim i një pakice, në raport me qytetarët tjerë, nuk do të lejohej, sepse është diskriminim për komunitetet tjera pakicë, si dhe për barazinë shoqërore dhe jetësore të qytetarëve të Kosovës.
      Qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, trajtohen njësoj, sipas ligjeve vendore, qoftë në marrjen e pensioneve, qoftë në ndihmat sociale. Shefi i dikasterit social të Kosovës, ka deklaruar, me fakte, se të gjitha familjet në nevojë, gëzojnë ndihmën sociale të përcaktuar me ligj. Dhe, kjo është llogaritur në plotësimin e nevojave elementare jetësore, sidomos për ato ushqimore.
     Serbia është e detyruar të paguajë pensionet, jo vetëm të serbëve, por edhe të gjithë pensionistëve të Kosovës, për kohën që kanë punuar në ish-Jugosllavi, sepse, me shuarjen e Jugosllavisë si shtet, depozitat financiare të pensioneve, i ka grabitur Serbia! Për gjithçka tjetër, qeveritë e Kosovës obligohen t`i sigurojnë qytetarët e vetë, përfshirë edhe serbët, si qytetarë legjitim të saj. Kosova nuk ka kërkuar nga Serbia t´ia ushqejë qytetarët e saj, qofshin ata edhe serbë.
     Mënyra se si vepron Serbia, me paratë e futura në Kosovë, është një ndërhyrje flagrante, një provokim kriminal shtetëror. Edhe për çështjen e dinarit, presidenti serb Vuçiq, nuk e fsheh qëllimin: “Koordinimi bankar Kosovë-Serbi,  lidhur me konvertimin e dinarit në euro, është njohje e Kosovës dhe këtë nuk e bëjmë ne”! Andaj, mjafton ky qëndrim i presidentit serb, për të demantuar të gjitha akuzat e pabaza, vendore e ndërkombëtare, ndaj Qeverisë të Kosovës. Madje, kjo dëshmon mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Vuçiqit dhe të Serbisë, dikur pushtuese e vrastare dhe tani agresore e kërcënuese jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë Ballkanin, në veçanti, për atë Perëndimor.
        Opozita PAN-iste me Ramën e njëzëshme
               me Serbinë dhe ndërkombëtarët!
      Pyetja e përsëritur me tepri, pse ndërkombëtarët nuk po e përkrahin Kosovën dhe Albin Kurtin, për “problemin” e stisur të dinarit, përgjigja është thënë, madje edhe përsëritur mjaftueshëm. Megjithatë, ndonëse falsifikimi, gënjeshtra shumëzohet në pafundësi, ne detyrohemi ta demantojmë e kundërshtojmë me fakte, se ndërkombëtarët me përkëdhelje dhe favore, madje, në vijimësi, të bëra Serbisë, ëndërrojnë ta shkëpusin nga Rusia, qoftë edhe me shpërblime në dëm të popullit, shtetit më të ri të botës, Kosovës.
      Edhe pse një shkëputje si kjo, e kërkuar nga ndërkombëtarët, është në interes të popullit serbë dhe të paqes rajonale dhe të përbotshme, ëndrra nacionaliste pushtuese e Serbisë e pengon ta pranojë. Sepse në saje të vëllazërisë me Rusinë, ajo ka grabitur në tavolinë, në kancelaritë e Berlinit, të Londrës e Parisit, përgjatë dy shekujve të kaluar, më shumë se gjysmën e territoreve të Shqipërisë Etnike.
     Janë bashkuar, “si mishi me thojin, Serbia, Edvin Rama, me partinë e tij bandë-enveriste; opozita e legene e bandite e PAN-it të Kosovës; shumësia absolute e medieve qendrore e lokale; pjesa më e madhe e analistëve lakej të paguar, të ekstremit stalinist; ish-prokurorë e gjyqëtarë, të djeshëm dhe të sotëm, të cilët kanë shkatërruar, madje, me fund, sistemin e drejtësisë në Kosovë; akademikë, ish-ambasadorë e avoketër lëpiracakë; e gjithë këlyshëria numerike e Hashim Thaçit; dhe, së fundi, zyrtarët ndërkombëtarë, e me shumë e shumë keqardhje edhe disa nga ata amerikanë, janë koordinuar -an bloc-, jo vetëm për mos përkrahje të Kosovës dhe Kurtit, por, për dëmtim të shtetit të Kosovës dhe shkarkimin e kryeministrit Albin Kurtit!
     “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, – thotë zyrtari i lartë amerikan – Jim O`Brian! Është kjo një deklaratë, fare e paprovokuar nga ana e Kosovës, si e tillë, e papritur dhe rrast shokuese për popullin e Kosovës dhe Shqiptarinë e përbotshme. Madje, është sa shantazhuese e kërcënuese, po aq edhe hiç diplomatike.
     Nëse Serbia ka partnere ideologjike e fisnore, gjak sllav, Rusinë, Kosova dhe shqiptarët kanë partnere besnike, të paktën, përtej një shekulli Amerikën. Periudhën 50-vjeçare, të sundimtarit fashist Enver Hoxha, i cili, veç krimeve të tjera numerike, i ka vrarë dhe lënë pa varr edhe 6.000 intelektual nacionalistë, kombëtarë, të shkolluar në Universitetet e Evropës dhe të botës. Hoxha kriminel ishte bisht i sllavizmit serbo-rus, me akuzat lehaqene kundër SHBA-së, politika amerikane kurrë nuk e ka identifikuar me popullin shqiptar. Dhe, për këtë bota shqiptare është përjetësisht mirënjohëse, shtetarëve dhe popullit amerikanë ndër dekada e shekuj.
 
       Stopimi i zyrave dhe institucioneve të 
       Serbisë në Kosovë, i domosdoshëm!
 
     Serbia i vajton edhe 7 (shtatë) komunat ilegale, paralele serbe, të cilat funksiononin nën sistemin e Serbisë. Këtij vajtimi i mbajnë “ison”, si në këngët labe, edhe ndërkombëtarët dhe disa bastardë shqipfolës, hafije të Serbisë. Shteti i Kosovës, qeveria e tij, duhet të fillojë suprimimin, mbylljen e disa komunave-fshat të Kosovës, me shumicë serbe, të cilat, as për së afërmi, nuk i plotësojnë normat kushtetuese, me numrin e pakët të banorëve që e përbejnë “komunën” minore. Kosova duhet të stopojë, një herë e përgjithmonë të gjitha zyrat, të cilat bëjnë politikën e Serbisë, brenda shtetit të Kosovës si dhe të ndalojë të gjitha ndërhyrjet në institucionet arsimore dhe shëndetësore, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.
     Ndërkombëtarët i konsiderojnë hapa të rëndësishëm të bërë nga Serbia heqjen e targave të paligjshme dhe dokumentet doganore, ndërkohë që ato kanë qenë domosdo e kohës. Dhe, tmerrësisht e çuditshme, në këmbim të këtyre i kërkohet bërja e “Zajednicës”, edhe pse dihet qëllimi i kësaj kërkese identike me atë të krijimit të -Republika Srpska” të Dodikut në Bosnje e Hercegovinë! Për ta shtuar -zullumin-, ndërkombëtarët kërkojnë, madje, ngulmërisht, edhe aprovimin dhe zbatimin e vendimit të vitit 1997, të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, për dhurimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit!!! “Luaje macë kryet e buallit!”
     Kjo na kutjton fabulën e mirënjohur “Ujku dhe qingji”, i pari ishte lart rrjedhës së ujit, ndërsa i dyti poshtë kësaj rrjedhe. Dhe, megjithatë, paradoksalisht, ujku me mujëshinë e tij e akuzonte qingjin se “po ia turbullon ujin”!?
 
           Intrigimet e opozitës me Serbinë dhe 
       ndërkombëtarët, po e rrezikojnë Kosovën
     Janë shpeshtuar intrigimet dhe shpifjet kriminale për shkarkimin e kryeministrit Albin Kurtit dhe të qeverisë së tij. Vërtet, Albini bëri dy faje (them faje dhe jo gabime, siç ngatërrohen këto dy terma në Kosovë): 1) Përçmimi i sekretarit Blinken, me cilësorin “naiv”; dhe 2) “Drafti i fundit franko-gjerman, është më i miri i deritashëm”, ndërkohë që shumësia e kompetencave, e shprehur në emërtesa institucionale në -Draft-statut-, është tmerruese, sepse Drafti është hartuar në Beograd dhe Paris!
     Kurse, nëse e ka pranuar si marrëveshje për dialogim dhe jo zbatim, pa një seleksionim, thjeshtëzim dhe spastrim radikal, të thellë e përmbajtësor, duhet pasur mirëkuptim. Në të kundërtën qortimi për kryeministrin është i mangët, kurse penalizimi meritor. Sepse, duke pasur precedent Bosnjen, kush aprovon një Asociacion, të ofruar si ky franko-gjerman, përjashtohet nga çfarëdo arsyetimi dhe aq më pak amnistimi.
     “Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë, për t`i shërbyer qytetarëve të saj”, – shkreton zyrtari O`Brian. Ndërkohë që, asnjë qeveri e deritashme nuk është përkujdesur, sikur kjo e Albinit, për familjet në nevojë, duke shpërndarë miliona euro në tërë Kosovën, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake. Për këtë është akuzuar nga opozita e çoroditur se, gjoja, po jepë “vitra”, po shpërndanë, dhuronë lëmosha për vota!
     Është opozita e inkriminuar e partive-banda të koaliconuara në PAN, e cila po pengon Vettingun dhe reformat tjera në sistemin e rrënuar të drejtësisë, për të vazhduar hetimin e dosjeve të krimeve vrastare dhe korruptive-hajnore. Kjo opozitë vazhdon të mos lejojë spastrimin nga lista të 40.000 veteranëve të rremë dhe ndalimin e miliona euro, për dhjetra avoketër, për mbrojtjen e të akuzuarëve për vrasje të kundërshtarëve politikë shqiptarë, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Me këto para të abuzuara kriminalisht, do të përballohej e gjithë jeta sociale e skamnorëve, invalidëve, pagesa e protezave, parapëgjikëve, tetrapelgjikëve, të verbërve dhe trajtimin dinjitoz të pensionistëve të Kosovës.
        Presioni absurd: “Kosova ta bëjë -njëanshëm- “Zajednicën”
          dhe kadastrimin e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit!”
     Sipas rrjedhjeve të informacionit, mësohet se edhe sekretari Blinken, në takimin në Tiranë,  me kryeministrin monstër të Shqipërisë, mikun e Vuçiqit, shkatërruesin e opozitës shqiptare, Edvin Ramën, ka shprehur mendimin, për ta “zëvendësuar qeverinë e Albin Kurtit”, pa e fshehur shqetësimin “për mbështetjen e madhe që ka Albini në Kosovë”. Dhe, mendohet se ky është edhe qëllimi kryesor i vizitës të sekretarit Blinken! Kjo është mjaft shqetësuese, sepse Kosova ende vazhdon të jetë me banda “nëpër këmbë”! Dhe, qasja për një shtet ligjor në Kosovë ndërpritet, për t`u lënë hapësirë, sërishmi, bandave hajnore të PAN-it.
     Realisht, populli i Kosovës është i shqetësuar, deri në pagjumësi të vazhdueshme, për pazarët e pista që bënë ish-shtetarët e tij kriminelë e hajna, duke nënshkruar marrëveshje, të cilat e tjetërsojnë një pjesë të territorit tokësor të Kosovës, në adresë të fqinjit armik, Serbisë. Ata shtetarë e pushtetarë bastardë, duke qenë të shantazhuar me dosje kriminale, vrastare e hajni zyrtare, u vunë në shërbim të agjenturave të huaja. Dhe, për t`i shpëtuar ndëshkimit, rrënuan sistemin e drejtësisë vendore dhe tani, së bashku me Edvin Ramën, Richard Grenell-in, Vuçiqin dhe të tjerë, janë në ethe për t`i kthyer sërishmi në pushtet. Sepse me ata, rrast të shantazhuar, i plotësojnë të gjitha kërkesat e Serbisë dhe të ndërkombëtarëve.
     Intrigimi Rama-Blinken shkon edhe më larg. “Kosova të bëjë pjesën e saj, pastaj BE-ja dhe SHBA-ja të merren me Serbinë!” Deshifrimi është i lexueshëm: Kosova ta pranojë “Zajednicën” serbe dhe të zbatojë vendimin e Millosheviqit të vitit 1997, vetëm një vit para luftës, kadastrimin e 24 hektarëve tokë shtetërore të Kosovës, në pronësi të Manastirit të Deçanit”. Dhe, pastaj, të luajë koçe Vuçiqi, Serbia me Kosovën dhe ndërkombëtarët – njëherësh. Ndërkohë, miqtë ndërkombëtarë, politikanë, diplomatë, akademikë, gazetarë, analistë amerikanë, gjermanë, anglezë, austriakë, kroatë dhe të tjerë nga BE-ja, na japin porosi të qartë: “Mos bëni asnjë lloj Asociacioni, pa njohjen -de fakto dhe de jure – nga Serbia hileqare, mashtruese dhe kriminale e dëshmuar!
         Populli i Kosovës mirënjohës SHBA dhe BE, 
         për lirinë, por besojmë në këndelljen aktuale
     Agjenti i FBI-së amerikane, Charles McGonigal, javën e kaluar u dënua me 28 muaj burg, për marrjen e 255 mijë dollarëve dhe fshehjen e kontakteve me zyrtarët e Shqipërisë, Agron Nezaj dhe kryeministri shqiptar, Edvin Rama. Tashmë, dihet se binomi Rama-Nezaj, në lidhje me Sorosin dhe McGonigal, përgaditën dosjen shpifëse për liderin e opozitës shqiptare, Dr. Prof. Sali Berisha, duke e ndikuar sekretarin Blinken, për shpalljen “non grata” të Familjes Berisha, nën akuzën falsifikuese dhe absurde për ndikim në një rast të konsideruar, paushall, korruptiv!
     Senatorë, kongresmenë, akademikë, personalitete të shquara, republikanë dhe demokratë amerikanë, kanë reaguar dhe qortuar rëndë Administratën e Presidentit Biden, respektivisht, DASH, për një vendim ndëshkimi, fatalisht e fundësisht, të pa drejtë dhe kanë bërë thirrje për korrigjim dhe tërheqje të vendimit të gabuar. Sepse, sipas tyre, ish-Presidenti, ish-kryeministri Berisha, në sytë e popullit amerikan dhe shqiptarëve mbarë, ka qenë e mbetet shtetar i ndershëm dhe miku më i madh i Amerikës.
     Dr. Sali Berisha është burrë i Malësisë të Gjakovës dhe nuk mund të heshte, kur i shantazhuari me dosje kriminale, Hashim Thaçi, Edvin Rama, Baton Haxhiu, në koordinim me Sorosin e Vuçiqin, bënin pazare të pista, për faljen e veriut të Mitrovicës Serbisë, në këmbim të mbylljes të Gjykatës Speciale në Hagë, respektivish, lirisë të Hashimit me “komandantët” e tij, të inkriminuar në krimet politike vrastare dhe abuzive ekonomike.
     Qeveria aktuale e Kosovës, duhet të veprojë, siç bëri Presidenti Rugova, qysh në vitet `90-a, kur ua bëri “bllok” shtetarëve dhe pushtetarëve të Shqipërisë: “Kosova i ka udhëheqësit e vetë dhe askush në Shqipëri nuk është i autorizuar të flasë në emër të Kosovës”. Kështu i devalvoi të gjithë dallavaregjinjtë, të cilët donin të përfitonin në kurriz të Kosovës, njësoj si matrapazi Edvin Rama sot.

Të duash Ukrainën më shumë se Kosovën- Nga SHABAN MURATI

Shënim nga blloku diplomatik

Në datën 28 shkurt 2024 kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski nënshkruan në Tiranë “Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Ukrainës”.

Megjithëse ka 11 vjet kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama ende nuk ka nënshkruar një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën.

Enigma dhe misteri është se kryeministri Rama, kur paraqiti programin e qeverisë së tij të parë, që u miratua nga Kuvendi në 15 shtator 2013, kishte futur në programin qeveritar nënshkrimin e një Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën.

Në kapitullin e politikës së jashtme të programit qeveritar të kryeministrit Rama, nën titullin “Bashkëpunimi strategjik me Kosovën”, lexohet detyra: “Do të nënshkruajmë Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë”.

Nuk dihet ende se cili presion i jashtëm ose mendje e mbrapshtë në Shqipëri i ktheu atij mendjen. Në kundërshtim me programin e tij qeveritar, kryeministri Rama pas disa muajsh në 11 janar 2014 nënshkroi një “Deklaratë për Bashkëpunimin  dhe Partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës”.

Në planin juridik dhe diplomatik “Deklarata” nuk ka asnjë vlerë dhe efekt, përveç reklamës propagandistike, që kanë deklaratat politike midis dy shteteve. Traktati është forma më e lartë kontratuale juridike e marrëdhënive midis dy shteteve. Pse ka vendosur qeveria të mos nënshkruajë Traktat me Kosovën, për këtë duhet pyetur kryeministri i Shqipërisë.

Tërheq vëmendjen fakti se me Traktatin e ri me Ukrainën, Shqipëria figuron se ka nënshkruar “Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi” me 3 shtete, që nuk e njohin Kosovën. Ukraina i shtohet Greqisë dhe Rumanisë.

Vetëm një mendjelehtësi diplomatike mund të sugjerojë nënshkrimin tani të një “Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi” me një shtet si Ukraina, që është në luftë e sipër, që ka gjysmën e territorit të pushtuar nga trupat ruse dhe i cili ka në rend të ditës ekzistencën e tij si shtet.

Vetëm një mendjelehësi shtetërore mund të shpjegojë që Shqipëria nënshkruan Traktat Miqësie me një shtet si Ukraina, e cila vazhdon të shpërfillë interesin kombëtar shqiptar dhe vazhdon të mos njohë Kosovën për hatër të Serbisë, që është aleati strategjik dhe i vetëm ballkanik i Rusisë, shtetit pushtues të Ukrainës.

Duket se kryeministri i Shqipërisë don më shumë Ukrainën se sa Kosovën.

Referendumi, aspiratë e Luginës së Preshevës- Nga REFIK HASANI

Sivjet shënojmë 32 vjetorin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, popullata me shumicë shqiptare të Komunës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, shpalli këtë Krahinë si Autonome, duke themeluar edhe Kuvendin për Autonomi Territoriale-Politike të shqiptarëve.

Këto tri komuna, kan mbetur padrejtësisht nënë administrimin e Serbisë, prandaj kemi shprehur vullnetin në mënyrë demokratike, për të gëzuar lirinë në të drejtat individuale dhe kolektive, për të qenë të barabartë jo më pak se të tjerët.

Referendumi ishte dhe mbeti si një formësim i angazhimit si kolektivitet i organizuar i këtij Rajoni. Është treguar pjekuria e faktorizimit politik i manifestuar si rezistencë e shqiptarëve të treguar përmesë organzimit dhe daljes për votim në referendumin plebishitar. Ishte udhërrëfyes për vizionin e të adhmes politike.

Më datën 1 e 2 mars të vitit 1992, u mbajtën për dy ditë rreshtë, shprehja e vullnetit dhe ishte përcaktimi politik i së ardhmes duke marrë përgjegjësinë për ta shtruarë-ngritur për zgjidhje çështjen e kësaj Krahine-duke respektuar aspiratën e shprehur në formë plebishitare të Referendumit.

Sivjet, jan 32 vjetë nga Referendumi që shënon qëndresën dhe sakrificën në përpjekjet për organizim e mobilizimin e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Jemi të diskriminuar edhe në pasivizimin e adresave-një pastrim entik i heshtur, jemi të diskriminuar në parfaqësim në institucione Lokale dhe Qendrore të Republikës së Serbisë, jemi të diskriminuar në zingjirin Komandues të Policisë, në Gjykata, Prokurori, Shëndetësi, Administratë Tatimore, jemi diskriminuar edhe në kulturë, në ruajtjen trashëgimisë kulturo-historike, në informim, në investime të zhvillimin ekonomik.

Kjo Krahinë shqiptare, është e diskriminuar, pasi ky është Rajoni më i prapambetur dhe më i diskriminuar në gjithë Evropën.

Referendumi i mbajtur më datën e 1 e 2 mars të vitit 1992, dhe kryengritja e armatosur dhe formimi i UÇPMB-ës, që luftoi dhe arriti në ndërkombëtarizimin e çështjes së këtij Rajoni, tregon se statusi i saj politik, nuk është zgjidhur ende.

© Refik HASANI

Në ndjekje të faktit: Numri i Janarit i Diellit ka dalë në shkurt apo para një muaji?- Nga Elida Buçpapaj

Pas daljes me opinionin të botuar më 13 shkurt rreth situatës së degraduar të lidërshipit të Vatrës, menjëherë pas përjashtimit skandaloz banditesk të gjashtë Vatranëve Veteranë, mora kërcënime me gjyq.

Këto kërcënime ishin publike në rrjetin social nga një ish anëtare e kryesisë së Vatrës, e cila pretendon se është dorëhequr nga kjo kryesi në nëntor. Zonjës në fjalë në opinionin tim i bëja thirrje të dorëhiqej, pasi në numrin e dhjetorit të Diellit, që unë i referohesha, ajo rezultonte në kryesi.

Pra, ish anëtarja e kryesisë së Vatrës më akuzon se unë kam manipuluar faktet dhe prandaj ajo do të më hedhë në gjyq këtu në Zvicër!

Përpara se të shkruaja opinionin, mora informacion se i vetmi numër i Diellit që qarkullonte më 13 Shkurt 2024, ishte ai i dhjetorit që, sipas Vatranëve, kishte dalë në janar, pasi gazeta Dielli del një numër e vonuar, dmth numri i dhjetorit del në janar, i janarit në shkurt e kështu me rradhë.

Ndërkohë, Vatranë veteranë po thonë se numri i janarit i Diellit ka dalë më 24 shkurt, por ata nuk e kanë marrë ende në dorë gazetën, krejt ndryshe nga ish anëtarja e kryesisë së Vatrës që pretendon se, prej një muaji, ajo e ka numrin e janarit të Diellit në shtëpinë e saj.

Dhe jo vetëm kaq, por zonja në fjalë, që pretendon se ka dhënë dorëheqjen nga kryesia e Vatrës në nëntor, por që në gazetën Dielli të dhjetorit dalë në janar rezultonte të ishte në kryesi, në mënyrë publike postoi në murin tim të Facebook-ut ku unë kisha botuar opinionin, screenshote nga numri i janarit të Diellit, që, sikur e nxorëm në spikamë, zonja në fjalë pretendon se e ka në shtëpi që prej një muaji!

Ish anëtarja e kryesisë së Vatrës e paska prej një muaji numrin e Janarit të gazetës Dielli, ndërsa Vatranë Veteranë që thonë se ky numër ka dalë më 24 shkurt, e pse nuk e paskan?

Po gënjen ish anëtarja e kryesisë së Vatrës?

Sepse janë një grup Vatranësh veteranë, emra shumë të nderuar që insistojnë se numri i Janarit të Diellit ka dalë në shkurt.

Përpara se ta shkruaja opinionin, kisha marrë info nga Vatranët veteranë. Pra kisha në dorë një burim shumë të sigurt informacioni. Kur them Vatranë veteranë, do të thotë duke filluar me nga gjysmë shekulli kontribute në Vatër, me emrat e të cilëve Vatra është identifikuar, krejt ndryshe nga ish anëtarja e Vatrës një rishtare me vetëm 2.3 vjet anëtarësi e cila vetëm pas 5 muaj anëtare e Vatrës u katapultua në kryesi, pa asnjë kontribut në Federatën Panshqiptare.

Unë do të vazhdoj ta ndjek narrativën e numrit të Janarit të Diellit për të vërtetuar se kush gënjen.

Nëse është gënjeshtare kjo zonjë që më fyen, duke cënuar në integritetin tim profesional e moral dhe duke më kërcënuar publikisht me padi në gjykatë për manipulim!

Kush manipulon: unë bashkë me Vatranët Veteranë apo ajo?!

Kush gënjen: unë bashkë me Vatranët Veteranë apo ajo?

A nuk meriton padi në gjykatë personi që fyen dhe sulmon një botuese dhe gazetare gjatë ushtrimit të detyrës?!

E dashur Iris Halili, të bëj thirrje të japësh dorëheqje nga kryesia ilegjitime e Vatrës! Nga Elida Buçpapaj

Numri i dhjetorit të Diellit 2023, i cili ka dalë në muajin Janar, ku mund të shihet qartë kryesia e Vatrës

Përshëndetje me admirim të veçantë për katër profesorë- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI

 

Në numrin 709 të gazetës së përjavshme “Nacional” (24 shkurt – 02 mars 2024) ishin botuar tri analiza shkencore, me autorë shkencëtarët e shquar Prof. Elena Kocaqi, Prof. Agron Dalipaj, Prof. Sazan Guri, si edhe intervista e Prof. Albert Nikolla, me temë kryesore lashtësinë e gjuhës shqipe.

Si nxitje për tri analizat dhe intervistën, ka shërbyer, së pari, botimi në numrin e fundit të revistës amerikane“Science”, një revistë kjo me autoritet të lartë shkencor në mbarë botën, në të cilën theksohet se gjuha shqipe është ndër tri gjuhët që kanë rrjedhur nga protoindoeuropianishtja, dhe, së dyti, përfundimi që ka nxjerrë Universiteti i Leipzigut, ku nënvizohet posaçërisht se shqipja është gjuha e gjallë më e vjetër e folur deri më sot dhe e para e shkëputur prej qendrës së gjuhëve indoevropiane.

Katër profesorët e nderuar, në mbështetje të shumë studiuesve të huaj, mbrojnë me dinjitet të lartë shkencor lashtësinë e gjuhës shqipe.

Prof. Elena Kocaqi, intelektualja e shquar, me brumosje të shkëlqyer atdhetarie, kërkon debat shkencor dhe përballje publike me autorët e peticionit kundër gjuhës shqipe.

Profesori Agron Dalipaj shpreh dëshpërimin e vet që asnjë akademik i ngrehinës akademike të Tiranës, nuk e ka përshëndetur artikullin e revistës “Science” dhe as nuk e ka falënderuar Universitetin e Leipzigut.

S’ka asgjë për t’u habitur, sepse në atë akademi ka jo pak përkrahës të politikës antikombëtare të qeverisë Rama. Ajo akademi ka në krye një komunist të regjur, si Skënder Gjinushi, i cili, me paditurinë e vet në fushën e gjuhësisë, të kujton atë fjalën e urtë të trevave të Labërisë “la dhitë dhe u bë zabit”.

E ashtuquajtura Akademi e Shkencave, në të vërtetë, është Akademi Politike, sepse ajo ndjek gjurmët e politikës tradhtare të kastës sunduese neokomuniste të Ramës, pasardhësit të kryediktatorit Enver Hoxha, kryeargatit të Beogradit.

Të deklarosh se shqipja ka një moshë rreth 1500-vjeçare dhe se ajo na qenka krijuar pas ardhjes së sllavëve në Gadishullin e Ilirisë, do të thotë që shqiptarët nuk na qenkan popull rrënjës në trojet e veta etnike, do të thotë t’i bësh shërbimin më të madh serbosllavizmit, armikut të tërbuar të kombit shqiptar.

Me këtë rast, dëshiroj t’i përshëndes përzemërsisht katër profesorët që përmenda në fillim dhe t’ju uroj shëndet, mbarësi, jetë të gjatë dhe suksese në veprimtarinë e tyre të çmuar shkencore, me vlera të jashtëzakonshme kombëtare.

Tradhtarë, si mund ta shisni parajsën, ngrohtësinë e tokës sonë? Nga Aurel Dasareti

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

Nëse nuk kemi freskinë e ajrit dhe pastërtinë e ujit, si mund të jetojmë pa të?
Ideja e lig nuk është e huaj për ne. Ishte “xhaxhai” si idhull për shkatërruesin aktual të Kombit më të vjetër evropian, pellazg-ilir-shqiptar. Regjimi kriminal është një grup i veçantë pushteti në një vend jodemokratik.
***
Çdo pjesë e atij vendi është një botë për njerëzit e mi. Kombin tim. Atdheun e paraardhësve të mi. Çdo gjilpërë e ndritshme e pishës, çdo breg me rërë, çdo mjegull në pyllin e errët, çdo flutur a insekt, janë të shenjta në kujtesën dhe përvojën e popullit tim. Lëngjet që qarkullojnë nëpër pemë mbajnë kujtimin e arbrit.
Njerëzit tanë nuk harrojnë vendin e lindjes së tyre kur shkojnë për një shëtitje midis yjeve. Të vdekurit tanë nuk e harrojnë kurrë këtë vend të bukur, sepse është nëna e pellazgëve-ilirëve. Ne jemi pjesë e vendit dhe ajo është pjesë e jona. Lulet aromatike janë motrat tona, shqiponja e madhe, të gjithë janë vëllezërit tanë. Majat shkëmbore, kullotat e harlisura, ngrohtësia e trupit të një fëmije, të gjitha i përkasin të njëjtës familje.
Pra, kur tradhtarët dërgojnë fjalë se duan të shesin tokën tonë, ata qelbësira kërkojnë shumë prej nesh. Kështu që ne do ta ruajmë vendin vetë dhe do të jemi në gjendje të jetojmë të qetë. Ajo do të jetë babai dhe nëna jonë, ne do të jemi fëmijët e tij. Sepse ai vend është i shenjtë për ne. Ai ujë i shkëlqyeshëm që rrjedh përmes pragjeve dhe lumenjve nuk është vetëm ujë, por edhe gjaku i paraardhësve tanë. Zhurma e ujit është zëri i babait të babait tim. Lumenjtë mahnitës janë vëllezërit tanë, ata na shuajnë etjen.
Ne e dimë që pushtuesit që erdhën nga xhunglat dhe shpellat aziatike nuk i kuptojnë jetët tona. Një pjesë e tokës është e njëjtë për të si tjetra, sepse ai është një i barbar i huaj që vjen natën dhe merr nga toka e huaj çfarë të dojë. Toka shqiptare-ilire-pellazge nuk është vëllai i tij, por armiku i tij dhe kur ai e pushton atë lëviz përpara. Ai i lë varret e pronarëve të vërtetë dhe nuk shqetësohet. Varret e baballarëve tanë dhe vendi që i lindi fëmijët janë harruar. Pushtuesi dhe këlyshët e tij i trajton nënën-tokë dhe vëlla-qiellin si gjëra që mund të blihen, të plaçkiten, të shiten si një tufë ose bizhuteri me shkëlqim. Oreksi i armiqve tradicional: të gllabërojë tokën tonë dhe të lërë pas vetes vetëm vrasje e shkretim.
Shqiptari preferon tingullin e butë të erës kur luan me faqen e kënetës, si dhe aromën e ajrit të pastruar nga shiu i mesditës ose aromën e pishës ose vreshtit.
Ajri është i çmuar për njeriun tonë sepse të gjitha gjallesat ndajnë të njëjtën frymë – kafsha, pema, njeriu. Shqipfolësi dobiç duket se nuk e vëren ajrin që po merr frymë. Ashtu si një njeri që vdes për shumë ditë, ai është i mpirë deri në erë të keqe. Por nëse ju shisni tokën tonë duhet të mbani mend se ajri është i çmuar për ne, ai ajër ndan shpirtin e tij me gjithë jetën që mbështet. Era që i dha gjyshit tim frymën e parë do të pranojë edhe psherëtimën e tij të fundit. Dhe ne nuk shesim tokën tonë (detin, lumenjtë, liqenet, kodrinat, malet, pyjet, fushat, ajrin, diellin, qiellin). Jo. Duhet ta ruani atë si një vend të shenjtë, si një vend ku edhe një turist i huaj mund të vijë të provojë erën, e cila ëmbëlsohet nga aroma e luleve të egra.
Ju duhet t’u mësoni fëmijëve tuaj se toka nën këmbët e tyre është hiri i gjyshërve të tyre. Në mënyrë që ata të respektojnë vendin, thuaju fëmijëve tuaj se vendi është i lidhur me ne. Mësojuni fëmijëve tuaj siç bënë paraardhësit tanë se toka jonë është nëna jonë. Çdo gjë që mund ti ndodhe asaj do të ndodhë edhe me bijtë e tokës.
Ne e dimë këtë: toka nuk i përket njeriut; njeriu i përket tokës. Ne e dimë atë. Të gjitha gjërat janë të lidhura si gjaku që bashkon familjen.
Pavarësisht se çfarë godet ose i ndodh vendit, do të ndodhë me bijtë e vendit. Njeriu nuk thur indin e jetës; ai është thjesht bel në të. Çfarëdo që të bëjë endje, ia bën vetes.
Pavarësisht se çfarë godet vendin, ai do të godasë bijtë e vendit. Shqiptarët autokton. Njeriu nuk thur indin e jetës; ai është vetëm gjallë.
Edhe një burrë (grua) shqiptar(e), Zoti i të cilit flet dhe ecën me të si mik me një mik, nuk mund të përjashtohet nga një fat i përbashkët.
Tradhtarë, kriminelë! Ajo tokë e shenjtë është e dashur për Zotin dhe t’i bësh dëm tokës sonë do të thotë të përçmosh dhe provokosh Krijuesin e saj. Ndotni shtratin tuaj dhe një natë do të mbyteni në plehrat e juaj.
Por në rrënimin tënd do të digjesh shkëlqyeshëm, i ndezur nga fuqia e Zotit që të solli në atë tokë dhe për një qëllim të veçantë të dha sundimin mbi të por ty e keqpërdor. Fati është një mister për ne, sepse ne nuk e dimë se kur do të theren të gjithë „delet“ dhe kur do të zbuten „kuajt“ e egër, qoshet e fshehta të pyllit të rënduara nga aroma e shumë njerëzve dhe pamja e kodrave të pjekura. Ku është shkurre, kërcell të bimës që mban degët e gjethet, lulet e frytet?
Ku është shqiponja? Ajo iku.
Thjeshtë, fundi i jetës dhe fillimi i luftës për mbijetesë.
***
Ajo që u përcoll kështu brez pas brezi me të njëjtën ngadalësi si rritja e pemës, ishte jeta, por ishte edhe vetëdija njerëzore. Zhvillim i mrekullueshëm! Nga llava e lëngshme, nga pluhuri i një ylli, nga një qelizë e gjallë e mbirë nga një mrekulli: nga kjo kemi nisur dhe pak nga pak jemi ngritur për të shkruar kantata për atdheun dhe për të matur rrjedhën e yjeve.

Letra që i dërgova sot një mikut tim nga Mirdita- Nga AUREL DASARETI

 

Pasiguri e madhe dhe rrezik real i zhdukjes së popullit shqiptar, rrezik real i një lufte botërore, veçanërisht nëse Ukraina humb luftën çlirimtare kundër Rusisë barbare.

Jo vetëm në Rusinë fashiste-terroriste, por në të gjithë botën “demokratike”, do të ketë zgjedhje “të lira dhe të ndershme” për sundimtarin e ardhshëm, veçanërisht në shtetet më të fuqishme. Por rezultati dhe pasojat për shqiptarët? Pavarësisht se cili perandor fiton zgjedhjet, për ne shqiptarët:

Jo vetëm në Rusinë fashiste-terroriste, por në gjithë botën “demokratike” do të ketë zgjedhje “të lira dhe të ndershme” për sundimtarin e radhës, sidomos në shtetet më të fuqishme. Por, rezultati dhe pasojat për shqiptarët? Pa marrë parasysh se cili perandor i fiton zgjedhjet, për ne shqiptarët është:“Hyp se të vrava zhdryp se të vrava”.

Jeni të rrethuar nga armiqtë e jashtëm, megjithatë keni luksin të adhuroni kuislingët, tradhtarët e vendit. Prandaj, për të zvogëluar rrezikun, filloni me nudistin e droguar dhe hidhni edhe jashtëqitjet tjera në kosha të plehrave. Bashkohuni tani, menjëherë, situata kërkon unitetin e përgjithshëm pavarësisht se ku jeni dhe çfarë besoni, përndryshe ferri është i hapur për ju…

Shpresoj, se të bashkuar do t`ia dalim.

Aurel Dasareti 


Send this to a friend