VOAL

VOAL

Si do të votojnë amerikanët e brezit të mijëvjeçarit?

August 23, 2016

Komentet

Ky vit mund të përcaktojë fatin e luftës në Ukrainë

Steve Gutterman

Më 21 shkurt 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka bërë një fjalim me tone të ashpra, duke ua ka ndryshuar mendjen shumë njerëzve që kanë besuar se Rusia nuk do të nisë pushtim të shkallës së plotë në Ukrainë.

Më pak se 72 orë më vonë, raketat ruse janë nisur drejt territorit ukrainas, dhe forcat ushtarake ruse e kanë kaluar kufirin.

Sipas inteligjencës perëndimore, Putin ka besuar se Ukrainën do ta pushtojë brenda javëve, nëse jo ditëve.

Kështu nuk ka ndodhur, dhe tani lufta i ka mbushur dy vjet. A do të përfundojë në vitin e tretë?

Me siguri jo. Mirëpo një ngërç në bisedime mund të jetë mashtrues, pasi i vetëkënaqë mbështetësit e Kievit me situatën aktuale në kohën kur një faktor shumë i rëndësishëm i luftës është vënë në pikëpyetje: ndihma ushtarake e Perëndimit për Kievin.

“Është gjithmonë e rrezikshme të bëjmë parashikime, mirëpo është e vështirë të imagjinojmë se lufta do të përfundojë deri në fund të vitit 2024”, ka thënë Ruth Deyermon, ligjëruese në Departamentin për Studime të Luftës në Kolegjin King të Londrës.

“Siç janë gjërat tani, asnjëra palë nuk duket se ka kapacitet për një mposhtje vendimtare të palës tjetër. Që të arrihet diçka e tillë, duhet të ketë ndryshim rrënjësor të faktorëve të jashtëm, sidomos kur është fjala për nivelin e përkrahjes që ofron Perëndimi”, ka thënë Deyermond në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Natyrisht që më shumë mbështetje prej anës së Perëndimit do t’i ndihmojë Ukrainës që të bëjë përparim për çlirim të territorit”, ka shtuar ajo, “ndërsa një zbehje e mbështetjes së Perëndimit do të rezultojë me një Ukrainë që pajtohet me kushtet e vëna prej Rusisë në bisedimet për paqe”.

Olga Oliker, drejtore e programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka qenë më direkte në vlerësime.

“Nëse Ukraina mbetet pa armë dhe njerëz, po, lufta do të përfundojë vitin e ardhshëm”, ka thënë Oliker në një intervistë përmes telefonit.

“Gjithmonë ekziston mundësia që dorëzimi i njërës palë t’i japë fund luftës”, ka thënë ajo.

“Dhe nëse mbeteni pa armë dhe njerëz, nuk ekzistojnë shumë mundësi tjera”.

Zhvendosja e baticave të luftës

Situata në luftë ka ndryshuar disa herë prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Në përgjithësi viti 2022 ka qenë viti i Ukrainës, pasi e ka befasuar gjithë botën duke i mbijetuar, por edhe duke e luftuar bindshëm Rusinë rreth Kievit në javët e para të luftës.

Më vonë, forcat mbrojtëse ukrainase kanë arritur të rikthejnë pjesë të mëdha të territoreve rreth Harkivit dhe Hersonit.

Më 2023, një ofensivë e shumëpritur e Kievit, e nisur në qershor, nuk i ka prodhuar rezultatet e synuara, që të depërtohet në “korridorin tokësor” që mundëson kalimin prej territorit ukrainas në Krime, gadishullin ukrainas të pushtuar prej Moskës më 2014.

Në një intervistë të publikuar nga The Economist më 1 nëntor, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosua të Ukrainës në atë kohë, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, e ka përshkruar situatën në fushëbetejë si “ngërç” – fjalë që te disa në Ukrainë e kanë lënë shijen e disfatës, përfshirë te presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjërat kanë ndryahuar që atëherë, më pak në fushëbetejë, por më shumë në Uashington, pasi një lloj tjetër ngërçi atje përbën kërcënim për mbrojtjen e Ukrainës.

Rreth dy javë para deklaratave të Zuluzhniyt, të cilat mund të kenë kontribuuar në shkarkimin e tij këtë muaj, presidenti amerikan, Joe Biden, ka propozuar ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë të 60 miliardë dollarëve, kryesisht për armë.

Katër muaj më vonë, pas shumë diskutimeve e mospajtimeve në Kongresin amerikane dhe bllokadës së vënë prej republikanëve, paketa e ndihmës nuk është miratuar ende, edhe as nuk dihet se kur mund të ndodhë diçka e tillë.

Në fushëbetejë, zhurma e armëve të zjarrit në Ukrainë është duke u zbehur secilën herë që pakësohen armët, dhe situata rreth Avdivkas nuk i ngjan aspak ngërçit.

Pas shumë muajsh të luftimeve, forcat ushtarake ruse e kanë kapur këtë qytet të shkatërruar të Donbasit.

Rritje e vetëbesimit?

Sikurse në betejën e gjatë për Bahmutin, edhe fitorja në Avdivka i ka kushtuar shumë Rusisë, me humbje të numrit të ushtarëve dhe armëve.

Megjithatë, kjo fitore shkon në të mirë të presidentit rus, Vladimir Putin pak para zgjedhjeve të presidenciale të 15-17 marsit, të cilat pritet t’ia sigurojnë edhe gjashtë vjet në pushtet, dhe mund t’ia kenë rritur vetëbesimin për luftën.

Ky rezultat mund t’ia ketë hapur rrugën Moskës që të pushojë më shumë territor.

“Nëse forcat ruse vazhdojnë të avancojnë përtej Avdivkas dhe të fitojnë kontroll në rrjetin transportues, përfshirë perëndimin e Bahmutit, ato do të përbëjnë kërcënim për një lokacion më strategjik, Pokrovskin, rreth 80 kilometra larg”, ka thënë analistja ushtarake Dara Massicot, hulumtuese e lartë në Institutin për Paqe Ndërkombëtare Carnegie”, në një postim në X, të njohur më parë si Twitter, më 20 shkurt.

“Trajnimi i liderëve ushtarakë rusë dhe këndvështrimet e tyre do t’i bindin se tani është koha për realizim objektivash: njësitet ukrainase kanë mungesa të municioneve dhe numrit të ushtarëve, ndihma amerikane është duke u vonuar”, dhe Perëndimi ende nuk i ka përmbushur synimet për prodhim të municionit, ka shkruar Massicot.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë ndihmë ushtarake shtesë, atëherë kapacitetet ushtarake ukrainase do të përkeqësohen”, ka thënë Mark Cancian, analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington, përmes një emaili.

“Në atë situatë, pres që ata të pajtohen për një lloj armëpushimi të negociuar, që i mundëson Rusisë të pushtojë territorin e kapur”.

Ndihma ushtarake amerikane e ka përjetuar pikun në verën e kaluar me rreth 1.4 miliard dollarë në muaj, ndërsa sasia e pajisjeve ushtarake që dërgon SHBA-ja në Ukrainë do të zvogëlohet për 80-90 për qind deri në verën e vitit 2024, nëse Kongresi nuk e miraton një pako të re ndihme, ka thënë Cancian për Radion Evropa e Lirë më herët gjatë muajit.

Megjithatë, edhe nëse ndihma e pakësuar amerikane dhe faktorë tjerë çojnë në pauzë, nuk pritet të ndikojnë me dhënie fund të luftës në këtë vit.

Një arsye është që Ukraina “është tejet e fokusuar në rindërtim dhe mbrojtje kundër sulmeve të vazhdueshme ruse”, kanë thënë analistët Massicot, Micheal Kofman dhe Rob Lee në një koment të publikuar më 26 janar, për situatën në luftë, pas kundërofensivës së vitit 2023.

Sipas tyre, pavarësisht nivelit të ndihmës së Perëndimit, Kievi është i vendosur që të shmangë çfarëdo marrëveshje që do t’i çimentonte fitoret territoriale prej anës së Rusisë, qofshin ato edhe të përkohshme.

Një tjetër faktor është se pavarësisht kapjes së Avdivkës, ende është e paqartë sa thellë mund të depërtojnë forcat ruse më 2024.

Shefi ukrainas i inteligjencës, gjenerali Kyrylo Budanov, ka thënë për të përditshmen amerikane The Wall Street Journal se forcat ruse “nuk kanë forcë” për të arritur atë që e ka konsideruar synimin e tyre strategjik, për zaptim të rajoneve Donjeck dhe Luhansk – të cilat përbëjnë Donbasin – në tërësinë e tyre, këtë vit.

Ndërkohë, analistët kanë thënë se për Rusinë, mbajtja e territorit që kontrollon tani, dhe kapja e një pjese tjetër në lindje dhe jug, është vetëm njëra pjesë e planit, pasi ekzistojnë edhe ambicie tjera që kërkojnë më shumë kohë për t’u përmbushur.

“Rusia ende synon nënshtrimin e Ukrainës, dhe tani beson se është duke fituar”, kanë thënë Jack Watling dhe Nick Reynolds, analistë ushtarakë në Institutin Royal United Services, me bazë në Britani, në një koment që e kanë publikuar më 13 shkurt.

“Në kushtet për dorëzim që i propozojnë tani ndërmjetësuesit rusë përfshihet që Ukraina të heqë dorë prej kontrollit mbi territorin e pushtuar prej Rusisë, përfshirë Harkivin, në disa versione përfshihet edhe Odesa, të pajtohet që nuk do t’i bashkohet NATO-s, dhe të ketë një udhëheqës shteti të miratuar prej Rusisë”.

Rusia shpreson që të gjitha këto t’i arrijë përmes një procesi me tri faza, kanë shkruar Watling dhe Reynolds:

  • duke ia shteruar Ukrainës të gjitha municionet, duke e mbajtur vijën e frontit nën presion të vazhdueshëm,
  • “duke thyer vendosmërinë e partnerëve ndërkombëtarë për të dërguar ndihmë ushtarake në Kiev”, dhe
  • duke shënuar fitore në fushëbetejë, “të cilat do të mund të përdoren kundër Kievit, duke e detyruar që të kapitullojë sipas kushteve të vëna prej Rusisë”.

“Planifikimet për zbatim të këtyre objektivave tregojnë se ata parashohin që fitorja të arrihet më 2026”, kanë shkruar ata.

Pjesa më e rëndësishme e ekuacionit është që Rusisë mund t’i rriten ambiciet, dhe atë në periudhë të shkurtër.

Pas gati një çereku në pushtet, Putinit i kanë ndryshuar synimet, varësisht prej avancimeve apo kthimeve mbrapa që i ka pasur.

“Është me rëndësi që të përmendim që synimet e Rusisë mund të zgjerohen, varësisht prej suksesit”, kanë thënë analistët e RUSI-t, dhe “duke marrë parasysh që Kremlini i ka shkelur pothuajse të gjitha marrëveshjet e rëndësishme me Ukrainën dhe NATO-n, nuk ka garanci që edhe nëse Rusia i merr të gjitha ato që ka dashur prej negociatave, ajo nuk do të ndalet derisa të pushtojë gjithë Ukrainën, apo të detyrohet të përdorë forcën diku tjetër”.

Në anën tjetër, dështimi i Rusisë për të shënuar përparim substancial më 2024, do të nënkuptojë që suksesi në të ardhmen do të jetë shumë i vështirë.

Pika kyçe këtu është ndihma e Perëndimit.

“Teoria ruse e fitores është e mundshme nëse partnerët ndërkombëtare të Ukrainës dështojnë që ta furnizojnë si duhet ushtrinë ukrainase”, kanë shkruar Watling dhe Reynolds.

“Megjithatë, nëse partnerët e Ukrainës vazhdojnë të ofrojnë municione të mjaftueshme dhe trajnime mbështetëse, për t’i përballuar sulmet ruse më 2024, atëherë Rusia ka pak mundësi që të shënojë përparim të madh më 2025. Nëse Rusia nuk sheh mundësi për fitore më 2025, atëherë me vështirësi mund ta detyrojë Kievin që të kapitullojë më 2026”.

Analistë tjerë pajtohen se ajo që do të ndodhë këtë vit, do ta përcaktojë rrjedhën e luftës.

“Vendimet që merren tani do të përcaktojnë nëse ushtria ukrainase ka burime të mjaftueshme për t’i mbajtur pozicionet që ka më 2024, që t’i zmbrapsë sulmet ruse dhe të rindërtojë forcën për vitin 2025 e përtej”, ka thënë Massicot për Radion Evropa e Lirë.

“Shenjat tregojnë që luftimet do të vazhdojnë deri të paktën fillimin e vitit 2025”, ka thënë Deyermond.

“Çfarë ndodh më pas, përfshirë sa shpejt dhe në çfarë rrethane përfundon lufta, do të varen prej asaj që ndodh këtë vit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Peticioni i plotë drejtuar AMA-s nga një grup studiuesish, intelektualësh, studentësh e qytetarësh të tjerë

PETICIONI I PLOTË

Drejtuar:

Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Ministrisë së Arsimit

Agjencisë për Media dhe Informim

Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit

Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)

Me këtë peticion, ne, një grup studiuesish, intelektualësh, studentësh e qytetarësh të tjerë, shumë të shqetësuar për cilësinë e mediave audiovizive dhe respektimin e informacionit shkencor, dëshirojmë t’ju drejtohemi me një kërkesë të rëndësishme dhe urgjente.

Niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante. Disa studio televizive janë kthyer në platforma për individë të papërgatitur nga ana shkencore, të cilët promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë dhe nëna e të gjitha gjuhëve, se të gjitha gjuhët e botës shpjegohen me anë të shqipes, se ajo është gjuhë e natyrës, se kjo gjuhë nis me fillesat e njerëzimit etj. Formulime të tilla nuk kanë asgjë shkencore dhe, si të tilla, kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik.

Institucioni që ka për detyrë të ruajë publikun nga informacione të gabuara, të dëmshme e të rrezikshme është AMA. Ky institucion i ka të përfshira në statutin e vet këtë detyrë dhe këtë përgjegjësi në pikën “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, përmes “garantimit të së drejtës së informimit” dhe “respektimit të standardit letrar të gjuhës shqipe”.

A mund të lejohet përbaltja e figurave me kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, si ajo e Prof. Eqrem Çabejt, të njohur ndërkombëtarisht nga shkenca albanologjike? Krijohet përshtypja se mediat dhe disa prej personave të ftuar prej tyre duan të krijojnë një “shkencë” shqiptare, që i kundërvihet asaj botërore, çka na bën qesharakë në sy të botës. Në disa emisione televizive sulmohet me një gjuhë antishkencore, gjithçka që është arritur për një kohë shumë të gjatë nga studimet albanologjike dhe, kështu, padija po rreh të mbizotërojë mbi dijen.

Agresivitetin e disa individëve, të cilëve u mungon çdo lloj ekspertize e profesionalizmi në fushën e gjuhësisë, por që pretendojnë se kanë monopolin e së vërtetës, e tolerojnë dhe e ushqejnë drejtues emisionesh televizivë që i popullarizojnë jo vetëm duke i ftuar vazhdimisht në studiot e tyre, por edhe duke i përkrahur në idetë e tyre haluçinante. Ky agresivitet ka sjellë stepjen e përfaqësuesve të mendimit të njëmendtë shkencor në vendin tonë, pasi ndaj këtyre të fundit nuk kursehen shpifje, sharje e deri kërcënime. Studimi i vjetërsisë së gjuhës shqipe nuk mund t’u lihet pseudoalbanologëve, etimologëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë.

Liri e medias nuk do të thotë mungesë përgjegjësie në media. Duke u bërë jehonë gjithfarë “zbulimesh” lidhur me vjetërsinë e shqipes, disa kanale televizivë kanë ngjallur një histeri nacionalizmi që u siguron “zbuluesve” mijëra pëlqime në portalet e tyre. Në fakt, shkenca nuk krijon dot turmë ndjekësish, përveç se në regjime totalitarë, kur përdoret për propagandë. Dhe shkencëtarët, në kërkimet e tyre shkencore e në ballafaqimet mes tyre, nuk përdorin gjuhë agresive e fyese, por argumente shkencorë.

Kjo gjendje, pra sulmi i pseudoshkencës ndaj shkencës së vërtetë, duhet konsideruar një çështje kombëtare shumë serioze, dhe një problem që u shtohet problemeve të tjera me të cilët ndeshet vendi ynë; ajo krijon e shton mosmarrëveshje e dasi krejt të panevojshme e dëmprurëse mes bashkatdhetarësh.

Një tjetër detyrim i AMA-s, i përcaktuar në statutin e këtij autoriteti, është moslejimi i konflikteve ndëretnike në emisionet televizive. Ky detyrim duket se nuk zbatohet si duhet kur lejohen të paraqiten si të vërteta të dhëna historike që nuk kanë asnjë bazë lidhur me prejardhjen e shqiptarëve e të fqinjëve tanë, siç ndodh kur vendeve të tjerë u mohohen kombi, historia, gjuha.

As standardi letrar i shqipes nuk respektohet në mediat tona. Natyrisht, ky detyrim duhet të jetë për drejtuesit e emisioneve, për folësit e lajmeve, për njoftime me karakter zyrtar dhe jo për letërsinë artistike, jo për këngët, jo për të ftuarit.

Për t’i vënë fre kësaj gjendjeje shqetësuese, sugjerojmë:

(a) Të merren masat e duhura që AMA të kryejë detyrën e saj për kontrollin e cilësisë së emisioneve në mediat tona;

(b) Burimet dhe studimet shkencore të identifikohen e të prezantohen në mënyrë të qartë në të gjitha raportimet shkencore;

(c) Në emisionet televizive të flitet me një gjuhë të kuptueshme për të shpjeguar terminologjinë shkencore për audiencën e gjerë;

(ç) Ministria e Arsimit të mos lejojë mësimdhënësit t’u mësojnë nxënësve e studentëve teori të pamiratuara nga shkenca;

(d) Qeveria, e së pari ministria e Arsimit, të ketë një agjendë për ngritjen e nivelit kulturor të qytetarëve, që këta të mos bien pre e gjithfarë teorish antishkencore.

Mbështetësit e peticionit

Prof. Rexhep QOSJA, Prof. Bamir TOPI, Prof. Fatos TARIFA, Prof. Ksenofon KRISAFI, Prof. Xhevat LLOSHI, Prof. Pëllumb XHUFI, Prof. Emil LAFE, Prof. Aristotel SPIRO, Prof. Rami MEMUSHAJ, Prof. Gjovalin SHKURTAJ, Prof. Neritan CEKA, Prof. Eno KOÇO, Prof. Aleksandër XHUVANI, Prof. Luljeta BOZO, Prof. Marenglen SPIRO, Prof. Valter MEMISHA, Prof. Agim VINCA, Prof. Shefkije ISLAMAJ, Prof. Ethem RUKA, Prof. Llukan PUKA, Prof. Ferid HUDHRI, Prof. Arben BABOÇI, Prof. Artan HOXHA, Prof. Anila PAPARISTO, Prof. Gëzim HOXHA, Prof. Arjan GJONÇA, Prof. Elida MIRAJ, Prof. Ilirjana DEMA, Prof. Ilir GJIPALI, Prof. Floresha DADO, Prof. Ilir YZEIRI, Prof. Irena NIKA, Prof. Josif MINGA, Prof. Bardhyl DEMIRAJ, Prof. Mimoza KORE, Prof. Kristina JORGAQI, Prof. Ermal BAZE, Prof. Mila BUXHELI, Prof. Vasil S.TOLE, Prof. Albert DOJA, Prof. Asoc. Fiona TODHRI, Prof. Asoc. Fatos DERVISHI, Prof. Asoc. Djana KASTRATI, Prof. Asoc. Mirela BOGDANI, Prof. Asoc. Ilir KALEMAJ, Prof. Asoc. Enkelejda KAPIA, Prof. Asoc. Antoneta POLO, Prof.Asoc. Zamira ÇAVO, Prof. Asoc. Nora MALAJ, Prof. Asoc. Roland LAMI, Prof. Asoc. Muhamet BELA, Prof. Asoc. Teuta TOSKA, Dr. Ina ARAPI, Dr. Rudina JASINI, Dr. Ermal HASIMJA, Dr. Juli KRISAFI, Dr. Albana MUCEKU, Dr. Alketa DUMANI, Dr. Ledina FERHATI, Dr. Zef PREÇI, Dr. Vasillaq KURETA, Dr. Pirro PAPALILO, Dr. Manjola LUMANI, Dr. Jorgji KOTE, Dr. Aida ZHUPA, Dr. Saemira GJIPALI, Dr. Ledion KRISAFI, Dr. Fabiola ELEZAJ, Dr. Gerti SQAPI, Dr. Alket DINO, Dr. Elidiana ABAZI, Piro MISHA, Diana ÇULI, Kujtim ÇASHKU, Erion BRAÇE, Arta DADE, Zef MAZI, Artan IMAMI, Alba MALLTEZI, Fatbardh KADILLI, Adrian THANO, Sokol GJOKA, Idajet BEQIRI, Anila SMORGRAV, Dritan HILA, Petro KOÇI, Hektor RUCI, Xhevdet SHEHU, Elsida SINAJ, Mimoza KOÇIU, Adri NURELLARI, Spartak BRAHO, Spiro THOMAI, Nezir SELIMI, Elisa GJERANI, Fatos MIRAÇI, Atilda MALOKU, Kristi ZIÇISHTI, Fatos ÇOÇOLI, Shpëtim NAZARKO, Roland QAFOKU, Genti LASKU, Mikail VASILI, Luljeta NDOKA, Greta PETRO, Erion KURTI, Esmeralda NOVAKU, Albana META, Ervin PEPI, Gentiana KAPLLANI, Kostandina XHAFERRI, Albana LAKNORI, Gloria MOLLAJ, Spartak GJINI, Shefqet KERCELLI, Elvana AGUSHI, Gladiola GOLEMI, Nase JANI, Blerta LAZEBEU, Mario KUÇI, Kiço KALAJA, Jorida TOLLKUÇI, Arben IDRIZI, Shaban CANAJ, Valentina POSTOLI, Foqion POSTOLI, Vjollca TREBICKA, Ilir TREBICKA, Lira LASKU, Agim KONDA, Dritan KONDA, Bardhyl KONDA, Frederik KONDA, Laura KONDA, Shqiponja KONDA, Dea DOKSANI, Eneida MARKU, Valbona PAJO-BALA, Benard BABAJ, Keiti KONDI, Shpresa GORREJA, Agron NUSHAJ, Qemal AGALLIU, Bledi FILIPI, Donika OMARI, Tatjana SELENICA, Pandeli PASKO KUTELI, Fanie GJERMENI, Rajmonda BELLI GJENÇAJ, Lina CEKA, Arlinda DUDAJ, Pëllumb KULLA, Ndue DEDAJ, Pandeli KOÇI, Donika STASA, Ermira TREBICKA, Mateo GORREJA, Arta DAKA, Myzejen KASHARI, Dhurata POPI, Dorina SOTA, Henri SOTA, Ergest ZEMBLAKU, Elisabeta VELIU, Laert PETRITI, Kristaq LALA, Edra MAKU, Llazar STASA, Luiza SULA, Lindita GIXHA, Sokol GJERMENI, Valbona SHESHI, Besa ALCANI, Denisa GJEKA, Mario SOTA, Vjollca HILA, Llazar GJERMENI, Leonora KORITA, Fitim ISMAILI, Klodian MUCA, Gori DAKA, Donika GJIKA, Bersan SPAHO, Bedrie GORREJA, Valentina QERACA, Liri MALI, Leni LALA, Prokop GORREJA, Liri PRIFTI, Naunka VODO, Bernina VELIU, Marin FRANI, Detan HOXHA, Vangjel MALI, Mario PRENDA, Ramiz GJONI, Burbuqe GJONI, Eduart RRËZA, Violeta GJEÇI, Sanie PETRITI, Kristi ZEZO, Elisa VELO, Kimete LIÇO.

(Kliko këtu për të lexuar peticionin format PDF)

Skandali te varrezat e Tufinës, varr masiv, eshtrat e fëmijëve në paketime ëmbëlsirash, të rriturit në qese mbeturinash

Piranjat e kanë nisur sezonin e ri me një investigim të fortë që duhet të ketë reagim të menjëhershëm nga institucionet. Varrezat e Tufinës fshehin një makth të vërtetë, pasi përveç zhvarrosjes, shitjes së tokave nga dy herë, ka dhe një varr masiv me eshtrat e foshnjave.

Klodi denoncoi në emision për gazetarin Eraldo Harlicaj se nuk gjente varrin e vëllait të tij. ‘Nuk gjej varrin e vëllait. Bëra kërkime të shumta, por asgjë. Nuk e gjej dot, pavarësisht të dhënave që më japin përgjegjësit e varrezës’.

Piranjat së bashku me Klodin ndjekin gjithë procesin e kërkimit, por më kot, pasi varri nuk gjendet dhe nuk dihet se çfarë ka ndodhur me të. Me shumë mundësi ka pasur një mbivendosje varresh, pasi të gjitha të dhënat tregojnë diçka të tillë.

Në krahun tjetër, Klodi ka një dyshim se eshtrat e vëllait të tij mund të jenë zhvendosur te muralja e fëmijëve. ‘Kur më thanë se mund të jenë në murale e mendova si diçka pozitive, pasi do kishte eshtrat, emrin, mbiemrin dhe të dhënat. Por nuk ishte kështu’, tha ai.

Pavarësisht se shpresat ishin të vogla, shkojmë drejt murales së fëmijëve. Pamja që shohim është horror. Një kanal i betonuar me një gjatësi rreth 40 metra na shfaqet para syve.

Mbeturina të shumta dhe asnjë lloj kujdesi shihet me sy të lirë, por kur afrohemi më nga afër shohim se pllakat e betonit janë të thyera dhe skandali i vërtetë është brenda kësaj varreze masive.

Eshtra të shumtë të vendosura në paketime të tejdukshme ëmbëlsirash janë të hedhura pa kujdesin më të vogël mbi njëra-tjetrën. Pamja është e frikshme dhe vlen për t’u përmendur se një pjesë e mire e këtyre kasketave janë të hapura.

Emrat e fëmijëve janë të shënuara me lapostil dhe në shumicën e rasteve shumë vështirë të dallueshme. Megjithatë, ky nuk ishte fundi, pasi në një sektor tjetër të kësaj varreze masive u gjetën të hedhura në qese mbeturinash mbetje kockore të personave të rritur.

Disa dhjetëra trupa ishin të hedhur në qese pa kujdesin më të vogël, ndërsa në një prej qeseve që ishin të hapura dalloheshin qartë mbetjet kockore të një personi të seksit femër.

Kjo mungesë vlerësimi dhe nderimi ndaj të vdekurve bëri që gazetari Eraldo Harlicaj të kërkonte ‘llogari’ te drejtoresha e Agjencisë së Shërbimit Funeral në Bashkinë e Tiranës, Raimonda Shino. Kjo e fundit u shfaq mjaft krenare për muralet. ‘Jam shumë krenare për punën time. Nuk kam nevojën të shoh pamjet, pasi e di çfarë kam në varrezat e Tufinës. Muralet tona janë modele, krenohemi me to’, tha ajo në mënyrë absurde.

Kjo ishte vetëm pjesa e pare e historisë, pasi vazhdimi i skandalit të varrezave të Tufinës do të vazhdojë dhe javën tjetër të emisionit…sn

Aty ku të gjithë majmen nga varfëria e popullit! – Nga KIM MEHMETI

Lexova diku se një grup studiuesish e intelektualësh, të shqetësuar për nivelin e ulët të informacionit shkencor nëpër mediat tona, paskan nënshkruar një peticion përmes të cilit kërkojnë nga studiot televizive të mos jenë të hapura për individë të papërgatitur shkencëtarisht?!

Thënë më qartë, nënshkruesit e këtij peticioni kërkojnë që pseudo shkenca të mos luftohet me zërin shkencorë, por ashtu si në kohët e Xhaxhit Enver – me cenzorë e censurë dhe me ligje e dekrete!

Pse, mos vallë dikush ka pritur që intelektualët tanë të nënshkruajnë peticion kundër rrënimit të mbëmendjes shqiptare, si për shembull, kundër rrënimit të Teatrit Kombëtare në Tiranë?!

Apo mos vallë dikush ka besuar se intelektualët tanë janë aq naiv sa të nënshkruajnë peticion kundër pushtetarëve që ua mbushin grazhdin nga i cili majmen, pra kundër atyre që e zhvatën popullin dhe i shpopulluan ‘Shqipëritë’ tona?!

Jo, elitat tona shkencore, kulturore…, nuk merren me sistemin e rrënuar arsimor, as me idiotët e dobishëm shqiptarë të Kishës Ortodokse Serbe që e përçajnë popullin në baza fetare dhe thonë se fatkeqësia jonë kombëtare është feja islame, por ato elita merren me ata që më së paku e dëmtojnë shoqërinë tonë, më ata që thonë se edhe shpendët e flasin gjuhën shqipe!

Siç duket intelektualëve tanë nuk u pengon financimi i amoralit, paturpësisë dhe shthurjes mediatike, pra ata nuk i shqetëson shkatërrimin i familjes shqiptare, por i lë pa gjumë veprimtaria e atyre që thonë se edhe toka edhe qielli kanë përkatësi etnike shqiptare!?

Sidoqoftë, peticioni i lartë përmendur i intelektualëve dhe studiuesve shqiptarë më së miri e shpërfaq të vërtetën se askujt nuk i pengon pse jemi bë shoqëri ku votuesi blihet më lirë se një dele, ku është turp të turpërohesh dhe ku ke përshtypjen se edhe hajduti edhe bardi, edhe krimineli edhe i ndershmi, edhe i pafytyri edhe i ndërgjegjshmi…, të gjithë sa janë, pasurohen e majmen nga varfëria shqiptare!

Nga Ndriçim Kulla – ‘Në të s’ëmës’ do shkojnë hakmarrjet dhe intrigat e tua politike, Edi Rama!

Të shkruash për një kryeministër si  ty nuk duket të jetë diçka e vështirë, pasi jo vetëm bëmat e tua të gjithë kohës së qeverisjes janë në sytë e të gjithëve dhe ulërijnë me lakuriqësinë e paaftësisë së parashtrimit të prioriteteve qeverisëse, por  sidomos skandaleve dhe rekordeve të korrupsionit dhe mënyrave të menaxhimit të krizave të rindërtimit dhe pandemisë, të aferave korruptive të inceneratorëve, të intrigave makbethiane me Mcgonigal, kapjen peng të Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt etj. të cilat së fundi po të bëjnë kryeministrin  e veçantë duke ecur rrugëve si ai Mbreti Lakuriq i përrallës së Andersenit.

Ty  të  duhet të ecësh  edhe mbas tre vjetëve rrugëve të Shqipërisë i veshur me petkun e rindërtuesit të shtëpive të shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme të fundvitit të para katër vjetëve, por harron se as nuk dite atëherë t’u shërbeje në kohë qytetarëve dhe as e përligje dot  mirënjohjen e komunitetit ndërkombëtar që u tregua aq shumë bujar, aq shumë ndihmues dhe aq shumë solidar me popullin shqiptar.

Pse e them  këtë?!

Sepse ritmi aq shumë i ulët i realizimit të kësaj detyre që ishte mision që ndërkombëtarët ia kanë  dhënë detyrë qeverisë dhe aspak program fushate që paturpësisht u trumbetua nga qeveria, të bën të ecësh lakuriq me paaftësinë tënde të organizimit dhe menaxhimit. Aq më tepër që mungesa e transparencës së të gjitha ritmeve të këtij procesi, pa kokë e pa strukturë, jo vetëm të bëri Pinok përpara njerëzve, por edhe të nxori zbuluar para ndërkombëtarëve.

Po njëlloj, të bën të ecësh lakuriq në çdo dalje në publik apo ekrane për t’u dukur   vetja sikur je i veshur madhërishëm me petkun e shëruesit apo vaksinuesit të madh të problemeve të kombit shqiptar, ndërsa mënyra se si ndërhyre në konfliktin Kosovë – Serbi para dhe pas sulmit të shovinistëve serb në Banjskë  tregon qartë se me çfarë vaksine tradhtie orvatesh të injektosh interesin kombëtar. Duke u sjellë si prodhues dhe si shpikës i vaksinave të problemacitetit kombëtar, madje i të gjitha vaksinave problemore që duhej të kishte Shqipëria tashmë para dhe mbrapa të ndjek hija prej bashkëpunëtori krimi e aferës monstruoze McGonigal që miqtë e tu lobistë të japin kurajo që të shprehesh se nuk je i shqetësuar.

Duket që dëshira  jote  prej mburraveci proverbial është bërë një mall tashmë mjeran, sepse po sheh që shumëkush nuk po pi më nga uji i gamiles tënde që po soset në shkretëtirën e vetmisë ku do të dergjesh në perspektivën tënde  politike të dëshpërimit. Vetëm se një gjë po e harron dhe bën krim që e harron. Ky popull i varfëruar më shumë se kurrë gjatë mandateve të tua dhe i shfrytëzuar si kurrë ndonjëherë, deri në palcë nga PPP-të e tua korruptive nuk harron dhe do të kërkojë llogari deri në poshtërsinë e tënde më të fundit, edhe sikur ti  të arratisesh në vetminë e zhgaravinave të tua alla kreative.

Edhe aty në mes bojërave të studios së Surrelit apo të një galerie që mund të hapësh në Paris apo Berlin me lekët që ke ndarë me oligarkët, pamëshirëmisht edhe në kohën e pandemisë, ty do të  kërkojnë një për një çdo gjë që i ke bërë dhe si i ke bërë gjatë këtyre viteve.

Do ta kërkojnë edhe për zvarritjen që i solle ekonomisë nga mungesa e vizionit, edhe për lënien në dorë të fatit dhe të darës shtrënguese të pandemisë, të të gjitha llojeve të bizneseve që “ulërinin” për ndihmë ekonomike nga shteti i tyre që i kishin paguar taksat një jetë të tërë, dhe që si askund në Evropë e botë, morën  si ndihmë veç lëmoshë, tallje dhe propagandë fyese, lustruar në ekranet,fotografitë e mashtruesit global  dhe shtypin kapilar të qeverisë, si planin më të mirë të mundshëm të “pamundësisë ekonomike” ku e ka zhytur vendin kriza qeverisëse.

Po si qershia mbi tortë e propagandës ose bishti prapa shallvareve të kryeministrit qëndron  arroganca  tënde dallkauke, që përtej qinqjit të veshur “modern” me brekushe e çitjane të modës, fsheh  “ujkun” e pangopur për pushtet që i shkon për bukuri personazhit të Fishtës me emrin   “brandevrek hafija”.  Vetëm se këtij ujku duket se i kanë  rënë përfundimisht dhëmbët, pasi shqiptarët nuk harrojnë asgjë, as patriotizmin e nëndheshëm që shpie ujë në  tradhtinë më të madhe kombëtare  me idenë e tij   të ndarjes së trojeve shqiptare në Kosovë, as me plagët qindramiliona eurosh të borxheve në Arbitrazh që i le trashëgim çdo qytetari shqiptar, megallomania jote  e verbër. Çdo familje shqiptare do të kërkojë llogarinë deri në qindarkën e fundit,për paaftësinë haluçinante ligjore dhe mungesës së respektimit të kontratave që kryeministri e ka në ADN-në e vet, duke ia transmetuar kështu si “mesazh udhëheqës” të gjithë zyrtarëve të administratës së tij”.

Mund të zgjatesh më shumë në listën e bëmave që ja kanë zhveshur rrobat e qepura aq bukur me propagandë të kryeministrit që tashmë në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2025 që e ka nisur një vit e gjysmë më përpara, duke futur  liderin e opozitës në burg politikë ngaqë nuk di të ofrojë gjë tjetër përveç represionit, edhe kur i thonë që je lakuriq, i ngjan vetja si i veshur. Është rrjedhojë e një gjendjeje të vështirë një sëmundje e tillë e vetëbesimit që e bën të vazhdojë të ecë lakuriq, ndaj arroganca  e dalldisë që e kap herë pas here, duke sharë e fyer sa majtas sa djathtas, kë sheh e kë mendon më parë, nuk ka shumë rëndësi për ta mbuluar trupin e tij të stërmadh të gënjeshtrës dhe paturpësisë.

Çdo fyerje  dhe poshtërsi e hedhur si dorashkë sfide ndaj opozitës është thjesht një gjethe fiku që s’mbulon dot asgjë, përkundrazi e bën akoma dhe më grotesk. Mund t’i ngatërrohet goja edhe nga inati, mund t’i shpërfytyrohet  fytyra nga frika, edhe nga urrejtja, por edhe nga psikoza e humbjes kur merr fjalët e përçmimit dhe urrejtjes e i përdredh  nëpër gojë. Ndaj, nuk dihet se cila nga këto simptoma psikologjike e ka shpënë deri në përdorimin e fjalës “në të s’ëmës”   dikur ndaj një ish-drejtuesi rilindas , por ama dihet në mënyrë të sigurt se kemi të bëjmë me një rast patologjik, të cilit i duhet t’i përgjigjesh me po të njëjtën arrogancë.

Ndaj “në të s’ëmës” do shkojnë të gjitha hakmarrjet, kultura e mbrapsht politike dhe  intrigat e tua makbethiane, Edi Rama!

Kjo është përgjigjja paraprake e fitores triumfale që po përgatit fundin e   monstrës tënde.

As afrikanët nuk duan të vijnë Shqipëri: Ne kemi nevojë për siguri sepse nuk e dimë…

Marrëveshja Shqipëri-Itali për ndërtimin e dy qendrave në Shëngjin e Gjadër për të strehuar emigrantët dhe azilkerkues, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet.

Mediat e huaja shkruajnë se për disa nga njerëzit që aktualisht strehohen në një kamp në Tunis, Shqipëria nuk është destinacioni i zgjedhur për ta. Refugjatët shprehen skeptikë për gjendjen e sigurisë në Shqipëri.

“Ne kemi nevojë për siguri sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne në Shqipëri,- tha Ahmed, një sudanez.

Sipas marrëveshjes pesëvjeçare, Shqipëria do të strehonte deri në 3000 emigrantë të shpëtuar nga ujërat ndërkombëtare në çdo kohë. Meqë kërkesat për azil pritet të zgjasin rreth një muaj për t’u përpunuar, numri i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë deri në 36,000 në një vit.

Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe ideja e dërgimit të azilkërkuesve jashtë bllokut është e diskutueshme. Marrëveshja u miratua nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si një shembull i të menduarit jashtë kutisë, por është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave. Marrëveshja, e nënshkruar në nëntor midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni, është pjesë e përpjekjeve të Melonit për të ndarë barrën e trajtimit të migracionit me vendet e tjera evropiane./African News

https://www.africanews.com/embed/2485202

CSIC- Shqipëria, vendi me arsimin e lartë më të dobët në Europë dhe rajon

Shqipëria në Rankimim Botëror të Universiteteve dhe Shkollave të Larta dhe Kolegjeve. Janar 2024.

“Rankimi i Webometrikës së Universiteteve Botërore” është një iniciativë e Laboratorit Cybermetrics, një grup kërkimor që i përket Consejo Superior de Investigaciones Científicas (CSIC), organi më i madh i kërkimit publik në Spanjë. CSIC është ndër organizatat e para kërkimore bazë në Evropë.

Sipas CSIC, Rankimi i Universiteteve, Kolegjeve dhe Shkollave të Larta në Shqipëri (44 subjekte)është nga vendi i 4047 deri në vendin 31806 në botë. Vendi nr 1 në Shqipëri i përket Univeristetit të Tiranës.

11 vendet e para në Shqipëri janë:

University of Tirana / Universiteti i Tiranës(4047 në botë)
Epoka University / Universiteti Epoka(4433 në botë)
Agricultural University of Tirana / Universiteti Bujqësor i Tiranës(4447 në botë)
University of Vlora / Universiteti Ismail Qemali (5302 në botë)
University of Medicine Tirana / Universiteti i Mjekësisë Tiranë (5482 në botë)
University Aleksandër Moisiu Durres / Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës 5696 (në botë)
University POLIS / Universiteti Polis (6037 në botë)
Polytechnic University of Tirana / Universiteti Politeknik i Tiranës (6217 në botë)
University Europian i Tiranes / Universiteti Europian i Tiranës (6235 në botë)
Università Nostra Signora del Buon Consiglio Tirana / Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë (6255 në botë)
University Aleksander Xhuvani Elbasan / Universiteti Aleksandër XhuvaniElbasan (6579 në botë)

University Aleksander Xhuvani Elbasan është vetëm në vendin e 11-të. Qyteti ku u çel Shkolla e Parë e Arsimit Profesional Arsimor në Gjuhën Shqipenë dhjetor të vitit 1909. Qyteti i Theodhor Haxhifilipit i njohur si Dhaskal Tod’hri (Elbasan, 1730 – 1805) i cili ka qenë mësues, përkthyes dhe hartues i një alfabeti unik të gjuhës shqipe i njohur si Alfabeti i Todrit, me 53 shkronja, për të cilin albanalogu Johann Georg von Hahn që prej vitit 1850, në një artikull, e më pas në librin “Albanesische Studien” të vitit 1854 alfabetin e konsideronte si shumë të lashtë, të derivuar nga pellazgët.Sot Theodor Haxhifilipi ose Dhaskal Todhri konsiderohet dëshmori i parë i shkollës shqipe.

University Aleksander Xhuvani, Elbasan renditet në vendin 311 në Ballkan.

Ndërsa Universiteti i Tiranës, Nr 1 në Shqipëri, renditet në vendin 221 në Ballkan.

Në Europë, Universiteti i Tiranës(4047 në botë) si Universitet i parë i një vendi lë pas vetëm:

University of the Faroe Islands (4245 në botë)
University of Greenland / Ilisimatusarfik / Grønlands Universitet (4555 në botë)
Universita degli Studi della Repubblica di San Marino (5528 në botë)
Universitat d’Andorra (9272 në botë)
University of Gibraltar (14066 në botë)

Në Ballkan dhe rajon vendet dhe numri i Universiteteve të Rankuara më lart se Universiteti i Tiranës janë:

Bullgaria – 10 Universitete që renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Bosnje Hercegovina, 5 Universitete që renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Kroacia – 5 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Qipro – 6 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Greqia – 25 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Mali i Zi – 1 Universitetqë renditet më lart se Universiteti i Tiranës

Rumani – 28 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Serbia – 5 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Kosova -1 Universitet, Universiteti i Prishtinës. (2953 në botë)

Sllovenia – 4 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Maqedonia – 3 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Turqia – 128 Universiteteqë renditen më lart se Universiteti i Tiranës

Nga koncerti filarmonik te zgjimi nën zhurmën e aeroplanëve: Ukrainaset në Kosovë kujtojnë ditën kur nisi lufta

Gentiana Kadrija

Pas një nate të bukur në një koncert filarmonie, Lyudmila Makey u zgjua nga zhurma e avionëve që kalonin mbi dritaret e shtëpisë së saj në Kropivnitski në Ukrainën qendrore.

Rusia kishte filluar të sulmonte Ukrainën në shkallë të plotë.

Tentimi për të kontaktuar vajzën e saj në Kiev – kryeqytetin ukrainas – ishte gjëja e parë që Lyudmila bëri mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022.

Por, iu desh të priste tërë ditën që të mund të mësonte se ajo ishte mirë.

“Njëzet e katër shkurti ishte me ngjyrë të zezë, gri dhe të bardhë. Nuk pashë ngjyra të tjera”, thotë Lyudmila në një bisedë me Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, derisa kujton ditën kur Kremlini filloi pushtimin e vendit të saj.

Lyudmila në sheshin e Prishtinës. Ajo tregon se ndihet mirë në Kosovë.

Lyudmila në sheshin e Prishtinës. Ajo tregon se ndihet mirë në Kosovë.

Ngjyrat e ylberit, thotë ajo, u zbehën për ukrainasit atë ditë.

“Doja ta evakuoja vajzën time nga Kievi por nuk e dija si ta bëja, sepse nuk kishim asnjë mundësi. Vetëm në mbrëmje ajo më telefonoi dhe më tha, ‘Nënë, jam mirë, jam gjallë’”, thotë gazetarja ukrainase e strehuar në Kosovë prej prillit të vitit 2022.

Edhe pse nuk e priste të fillonte, për luftën veçse po diskutohej në bisedat me shoqërinë e saj.

“Dëgjova muzikë (më 23 shkurt në filarmoni) dhe ndjeva se ky koncert mund të jetë koncerti i fundit në jetën time. Dhe kujtoj bisedën me kolegët dhe miqtë atë ditë, ‘ndoshta ditën tjetër lufta mund të fillojë’”, thotë Lyudmila.

Një ditë më pas, ajo thotë se ndodhi dita më e tmerrshme e jetës së saj – tmerri që vazhdoi.

“Nuk dinim si të reagonim, ku të fshiheshim, çfarë të bënim”, thotë ajo, derisa tregon se fillimisht ishin larguar në një tjetër qytet për t’u strehuar.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, mori jetët e mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare.

Aktualisht, mbi 6 milionë njerëz jetojnë si refugjatë jashtë Ukrainës.

Dikur familja e Lyudmilas besonte se lufta e fundit për të cilën do të flisnin ishte Lufta e Dytë Botërore – ku edhe humbi gjyshin e saj.

“Fatkeqësisht e kishim gabim”.

Lufta në Ukrainë e ka thyer familjen e saj, duke i ndarë familjarët në vende të ndryshme. Disa prej tyre u larguan në vende të tjera të Evropës, ndërsa të tjerë qëndruan në Ukrainë.

Me insistimin e njërës vajzë të saj, që jetonte Bratislavë të Sllovakisë, Lyudmila iu bashkua asaj, pak kohë pas nisi lufta.

Atje kishte lexuar për programin për gazetarë rezidentë, vendosi të aplikonte, dhe në prill të 2022-ës arriti në Kosovë.

“Gazetarët në Rezidencë” është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias – ECPMF dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Përmes këtij programi mundësohet strehimi i përkohshëm për gazetarët ukrainas.

Kosova, po ashtu, është rreshtuar krah Perëndimit, duke i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur më 2022 në Ukrainë.

Në qendër të Prishtinës shihet një poster me mbishkrimin ‘Ukraina e lirë’.

Në qendër të Prishtinës shihet një poster me mbishkrimin ‘Ukraina e lirë’.

Në Kosovë, Lyudmilas i janë bashkuar edhe 13 gazetare të tjera ukrainase.

Ato ndjekin kurse të gjuhës angleze në Prishtinë dhe angazhohen në projekte me mediat ukrainase dhe ato evropiane.

Në mesin e tyre edhe Tetiana Kraselnikova nga Kremençuku, po ashtu, në Ukrainën qendrore dhe Iryna Synelnyk nga Çernihivi, qytet në veri të Ukrainës.

“Ende nuk mund të besoj se kjo është e vërtetë, sepse është një situatë e tmerrshme, shpresoj që të përfundojë me fitoren tonë”, thotë Tetiana në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, e cila në Prishtinë është bashkë me djalin e saj nëntëvjeçar.

Tetiana Kraselnikova.

Tetiana Kraselnikova.

Një ditë para pushtimit rus, ajo kishte marrë pjesë në një festë me kolegët e saj. Të nesërmen, thotë ajo, kuptuan se ishte bombarduar klinika në të cilën do të operohej babai i saj.

“Ne besuam se ndoshta do të zgjasë një muaj, por nuk ishte e vërtetë. Ne nuk po mund të shohim fundin”, thotë ajo.

Iryna nga Çernihivi, më 24 shkurt 2022, u zgjua nga një telefonatë e motrës së saj, duke i thënë se kishte filluar pushtimi.

“Nuk e besoja fillimisht, si ishte e mundur në qendër të Evropës, në shekullin 21?”, pyet ajo.

“U shqetësova për familjen sepse nuk e dija çfarë do të ndodhte, është e tmerrshme kur nuk e di se çfarë të pret”.

Iryna Synelnyk.

Iryna Synelnyk.

Disa ditë para se të niste lufta, ajo e kishte humbur babanë si pasojë e COVID-19.

“Nuk isha gati, nuk dija çfarë të bëja, jetova gjashtë javë në territor të pushtuar”, thotë ajo.

Edhe Lyudmila, edhe Tetiana, edhe Iryna ndihen të sigurta në Kosovë, por ëndërrojnë të kthehen në shtëpi.

“Jetoj në Prishtinë, por zemra dhe mendja ime janë në Ukrainë. E di kush janë miqtë dhe armiqtë tanë. E di që kam fuqi të jem e dobishme për Ukrainën, por edhe për Kosovën – këtu takova shumë njerëz, shumë të këndshëm, të shoqërueshëm. Ata ishin gati të na ndihmonin, sepse edhe ata e kujtojnë kohën e luftës këtu në vitet 1998-1999”, thotë Lyudmila.

“Kur më pyesin se a e pëlqej Kosovën, unë ju them jo – e dua Kosovën, është shtëpia dhe dashuria ime e dytë. Kështu do të jetë gjithmonë”, thotë ajo.

Tri prej 14 gazetareve ukrainase që jetojnë aktualisht në Kosovë.

Tri prej 14 gazetareve ukrainase që jetojnë aktualisht në Kosovë.

Presidenti rus Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

https://www.evropaelire.org/a/ukrainset-ne-kosove-kujtojne-diten-kur-nisi-lufta/32832361.html

AP: Pakti Shqipëri-Itali për azilin ngre shqetësime për të drejtat e njeriut

Shqipëria ka rënë dakord të presë dy qendra të trajtimit të emigrantëve në territorin e saj që do të drejtohen plotësisht nga Italia, sipas një marrëveshjeje që shqetëson shumë aktivistë të të drejtave të njeriut. Megjithatë, Bashkimi Europian, e sheh marrëveshjen si një model të mundshëm në të ardhmen, shkruan Associated Press

Italia është ankuar prej kohësh për mungesën e ndihmës së mjaftueshme nga partnerët e saj të BE-së në trajtimin e emigrantëve që mbërrijnë në brigjet e saj nga Afrika veriore. Kryeministrja e krahut të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni është e prirur të tregojë se po merr masa pasi mbërritjet u rritën me 55% këtë vit, në afro 160,000 persona – edhe pse ende shumë nën nivelet e arritura gjatë krizës së 2015-ës.

Në janar, dhoma e ulët e parlamentit të Italisë miratoi marrëveshjen e re me Shqipërinë jo-anëtare të BE-së, e ndjekur një muaj më vonë nga Senati.

Gjithashtu në janar, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë hodhi poshtë një sfidë ligjore që mund të kishte bllokuar marrëveshjen. Parlamenti i Shqipërisë miratoi marrëveshjen me 77 vota pro të enjten, ndërsa 63 ligjvënës rezultuan të papranishëm pasi opozita refuzoi të merrte pjesë. Presidenti gjithashtu do të nxjerrë një dekret si hapi përfundimtar i miratimit.

Ja çfarë do të thotë e gjithë kjo:

Sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare të shpallur në nëntor, Shqipëria do të strehojë deri në 36,000 emigrantë në vit, ndërsa Roma shpejton kërkesat e tyre për azil.

Ata që kapen brenda ujërave territoriale të Italisë, ose nga anijet e shpëtimit të operuara nga organizata joqeveritare, do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së për të aplikuar për azil në Itali dhe për t’i trajtuar kërkesat e tyre atje.

Italia ka rënë dakord të marrë mbrapsht çdo migrant, kërkesa e të cilit është refuzuar dhe ata ka të ngjarë të riatdhesohen. Fëmijët dhe gratë shtatzëna nuk do të mbulohen nga plani.

Një nga qendrat e trajtimit do të vendoset në portin e Shëngjinit, një nga zonat kryesore turistike në detin Adriatik, rreth 75 kilometra në jug të kryeqytetit shqiptar, Tiranës.

Objekti i dytë do të jetë 20 kilometra në veri në një ish-aeroport ushtarak në Gjadër. Italia do të shpenzojë rreth 600 milionë euro gjatë pesë viteve për ndërtimin dhe funksionimin e dy qendrave nën juridiksionin italian. Deri në 3000 emigrantë mund të qëndrojnë në të dy objektet në të njëjtën kohë. Siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.

Objektet pritet të jenë në funksion deri në pranverë.

Çfarë do të fitojë Italia?

Marrëveshja mund të ndihmojë në lehtësimin e mbipopullimit kronik në qendrat fillestare të trajtimit të azilit në Itali, ku mbahen qindra mijëra emigrantë pas udhëtimeve të rrezikshme detare nëpër Detin Mesdhe nga Libia, Tunizia, Turqia dhe vende të tjera.

Italia ka kërkuar më shumë ndihmë nga vendet e saj të BE-së.

Shumë prej migrantëve nuk kanë të drejtë për azil pasi largohen për shkak të varfërisë, jo përndjekjes apo luftës. Ndërsa presin një vendim përfundimtar për kërkesat e tyre për azil, shumë prej tyre shkojnë në Europën veriore, me shpresën për të gjetur familje ose punë.

Çfarë fiton Shqipëria?

Kur u njoftua marrëveshja, Meloni tha se Shqipëria “sillet sikur të ishte një” nga vendet anëtare të BE-së. Shqipëria “është jo vetëm mike e Italisë, por edhe mike e Bashkimit Europian”, tha ajo.

Shumë njerëz në Shqipëri e shohin këtë si kompensim për mikpritjen italiane kur mijëra shqiptarë që ikën nga varfëria pas rënies së komunizmit në 1991 gjetën strehim në Itali.

Shqipëria, një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor, nuk i përket BE-së, por po kërkon anëtarësim, duke filluar bisedimet me Brukselin vitin e kaluar. Pavarësisht varfërisë, ajo ka një histori të pranimit të refugjatëve, duke përfshirë anëtarë të grupit etnik ujgur të Kinës, afganë dhe disidentë nga Irani, si dhe ka pritur një milion shqiptarë etnikë nga Kosova fqinje gjatë kohës së luftës në 1999.

Por anëtarët e opozitës së qendrës së djathtë të Shqipërisë e kundërshtuan marrëveshjen për arsye të të drejtave të njeriut. Tridhjetë ligjvënës të opozitës shkuan në Gjykatën Kushtetuese në një përpjekje të pasuksesshme për të bllokuar ratifikimin.

Cilat janë shqetësimet për aspektin humanitar dhe ligjor?

Ekspertët e migracionit thonë se marrëveshja ndjek një prirje shqetësuese të vendeve të BE-së që shikojnë përtej kufijve të bllokut për të menaxhuar migracionin. Danimarka ka hedhur idenë e dërgimit të azilkërkuesve që do të mbahen në vendet afrikane.

Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut ka shprehur një sërë shqetësimesh, duke përfshirë nëse migrantët do të kenë akses në ndihmën e duhur ligjore.

Komisioni Europian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të BE-së, e la të hapur derën për marrëveshjen, për sa kohë që ajo zbatohet vetëm për emigrantët e kapur në ujërat ndërkombëtare.

Instituti i Politikave të Migracionit në Europë thotë se marrëveshja nuk përshkruan se cilat procedura të migracionit do të ndiqen, duke lënë pyetje të hapura se si do të funksiononte saktësisht procesi./ Nga Associated Press sn

Më 23 shkurt 1848 u botua në Napoli gazeta e parë shqiptare ‘L’albanese d’Italia’

Më 23 shkurt të vitit 1848, u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”.

Ky botim periodik, që cilësohet si gurthemeli i shtypit kombëtar, qe nën drejtimin e një prej figurave qendrore të periudhës së Rilindjes, shkrimtarit arbëresh Jeronim de Rada.

Gazeta, shkruar kryesisht në gjuhën italiane dhe pjesërisht në arbërisht, shërbeu si një tribunë e komunikimit të mesazheve politike, shoqërore e kulturore, në përpjekje për të krijuar dhe informuar opinionin publik të komunitetit arbëresh në Itali. Për këtë qëllim, në disa prej numrave të saj, janë publikuar lajme të shumta mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

De Rada, i cili gëzon atributet e “babait” të gazetarisë shqiptare, përveç konceptimit të periodikut, kish marrë nën ngarkim të plotë kryerjen e çdo procesi të parashikuar deri tek shtypshkrimi i përmbajtjes. Në vijim, do t’i vinte në ndihmë një bashkëpunëtor, studenti Nicola Castagna. Personaliteti i botës arbëreshe, ndërmori në vitin 1883 edhe botimin e revistës së parë në gjuhën shqipe, “Flamuri i Arbërit”.

Image

Image

Si përpiqet Rusia të ndikojë në Ballkan përmes Forumit Mysliman Evropian?

Kryetari i Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Vahed Niyazov, gjatë një vizite në Kosovë, në korrik të vitit 2021. (Fotografi e marrë prej llogarisë së Forumit në Facebook).

Krenare Cubolli

 

 

Kur tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit qenë rritur në gushtin e vitit 2022 për shkak të çështjes së targave ilegale serbe të automjeteve, të cilat përdoreshin në veri të Kosovës, Forumi Mysliman Evropian kishte shprehur shqetësimin e tij se myslimanët mund të pësonin nga ndonjë incident i mundshëm.

Kjo, megjithatë, nuk ka qenë hera e parë që kjo organizatë ka shfaqur interesim për rajonin e Ballkanit.

Puna e saj është përmendur së voni në një raport që ka përpiluar Royal United Services Institute (RUSI), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i konsideruar instituti më i vjetër në botë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Në raportin e titulluar “Kërcënimi nga lufta jokonvencionale e Rusisë përtej Ukrainës, 2022–‘24” përmenden taktika të ndryshme të Rusisë për të krijuar përçarje në Evropë.

Aty përfshihet edhe strategjia e Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj në botën myslimane, nëpërmjet organizatave dhe fondacioneve bamirëse.

Një ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov, i cili tenton të popullarizojë si figurë fetare ish-udhëheqësin çeçen, njëherësh babanë e udhëheqësit aktual të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili është aleat i presidentit rus, Vladimir Putin.

Punë të ngjashme bën edhe Forumi Mysliman Evropian.

Sipas raportit britanik, “organizata është sidomos aktive në Ballkan, ku ka krijuar lidhje me përfaqësues autoritarë myslimanë (jo vetëm fetarë, po edhe figura politike) në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar këtij entiteti për një koment lidhur me gjetjet e raportit të RUSI-t, por ai nuk qenë i qasshëm.

Në ueb-faqen e saj, në internet, nuk gjenden të dhëna për mënyrën e financimit të organizatës.

Çfarë raportesh ka Kosova me Forumin Mysliman Evropian?

Në korrik të vitit 2021, një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian, i kryesuar nga kryetari i tij, qëndroi për vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe në Fakultetin e Studimeve Islame. Delegacioni qe pritur nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava, dhe nga bashkëpunëtorët e tij.

Atëbotë, zyrtarë të BIK-ut i patën thënë Radios Evropa e Lirë se delegacionin e kishin pritur vetëm në shenjë respekti dhe se nuk kishin qenë në dijeni se me kë ka afërsi organizata.

Delegacioni pati zhvilluar një mori vizitash edhe në vendet e tjera në Ballkanit.

Në faqen e Këshillit të Myftinjve të Rusisë, vizita ishte paralajmëruar si mundësi për të avancuar në një nivel tjetër bashkëpunimin mes myslimanëve të Ballkanit dhe atyre të Rusisë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë takimit me kryetarin e Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Vahed Niyazov në Prishtinë. (Fotografi e Bashkësisë Islame të Kosovës).

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, gjatë takimit me kryetarin e Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Vahed Niyazov në Prishtinë. (Fotografi e Bashkësisë Islame të Kosovës).

Çfarë dihet për Forumin dhe kush e udhëheq atë?

Forumi Mysliman Evropian është organizatë e themeluar në tetorin e vitit 2018 dhe i ka disa zyra në Evropë.

Udhëheqës i Forumit është Abdul-Vahed Niyazov. Në të kaluarën, ai besohet se ka qenë udhëheqës i lëvizjes “Myslimanët në mbështetje të presidentit Putin”, dhe gjatë një periudhe ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumë, dhomën e poshtme të Parlamentit rus.

Sipas ueb-faqes së Forumit, ai angazhohet për ofrim të ndihmës për integrim të emigrantëve myslimanë në shoqëritë evropiane, për ndërtim të xhamive dhe qendrave kulturore, apo për zhvillim të industrisë Halal në Evropë.

Por, Zyra e Departamentit për Siguri Shtetërore e Lituanisë ka thënë në raportin vjetor të 2023-tës se Forumi përhap propagandë kundër Perëndimit.

Sipas autoriteteve lituaneze, pozitat kryesore në Forum u takojnë udhëheqësve të organizatave myslimane ruse, të cilat kanë lidhje me administratën presidenciale të Rusisë.

Në të kaluarën, Niyazov është parë në takime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Sipas autoriteteve të Lituanisë, Niyazovit i është ndaluar hyrja në zonën Shengen, në Evropë, prej tetorit të vitit 2022.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban me Abdul-Vahed Niyazovin dhe një pjesëtar tjetër të Forumit në gusht të vitit 2023. (Fotografi e marrë prej llogarisë së Niyazovit në Instagram)

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban me Abdul-Vahed Niyazovin dhe një pjesëtar tjetër të Forumit në gusht të vitit 2023. (Fotografi e marrë prej llogarisë së Niyazovit në Instagram)

Cilat janë lidhjet e Forumit Mysliman Evropian me Ballkanin?

Pjesë e këshillit të Forumit Mysliman Evropian, nga rajoni i Ballkanit, janë myftinjtë e Serbisë, Mevlud Dudiq dhe Abdullah Numan, pastaj Behixhudin Shehapi nga Maqedonia e Veriut dhe Rifat Feiziq nga Mali i Zi.

Një myfti i Serbisë ka marrë pjesë edhe në themelimin e Forumit, më 2018, në Barcelonë.

Në faqen e Forumit në rrjetin social Facebook publikohen shpesh fotografi të xhamive nëpër Ballkan dhe aktivitetet e tyre.

Me raste shprehet edhe mbështetje për ndonjë figurë politike, sikurse Bakir Izetbegoviq, ish-president i Bosnje e Hercegovinës, apo Muammer Zukorliq, zëvendëskryetar tashmë i ndjerë i Parlamentit të Serbisë.

Në rrjetet sociale, në postime kryesisht në gjuhën ruse, Forumi deklaron mbështetje edhe për figura kontroverse, siç është Andrew Tate.

Ish-kikboksieri amerikano-britanik është përgëzuar nga organizata për konvertim në islam, me shpresën se ai do t’i promovojë vlerat islamike.

Aktualisht, Tate po përballet me procese gjyqësore në Rumani, pasi akuzohet për përdhunim dhe trafikim, akuza që ai i ka hedhur poshtë.

Andrew Tate.

Andrew Tate.

Luftimi i propagandës ruse

Jakub Kalensky nga Qendra për Ndikim Hibrid COI, me bazë në Finlandë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se Evropa duhet t’i rrisë kapacitetet për identifikim dhe dokumentim të dezinformatave që nisen prej Rusisë.

“Besohet se Rusia tani ndan 2 miliardë euro për operacione dezinformimi brenda vitit, derisa përgjigja e BE-së financohet prej 12 milionë eurove”, ka thënë ai.

“Nëse i kemi 2 miliardë euro përballë 12 milionë eurove, e dimë qartë fundin. Nuk ka rëndësi nëse fushata e BE-së është më e mirë, në fund Rusia do të fitojë”, është shprehur Kalensky.

Dosja e INTERPOL-it për Radoiçiqin – Dënimi i mundshëm maksimal: Burgim i përjetshëm

Milan Radoiçiq, personi i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. Radojçiq, i cili i priu grupit terrorist në Basnjskë, aktualisht ndodhet në Serbi ku i është caktuar masa e largimit nga Serbia dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë. Javëve të fundit është shtuar presioni ndaj autoriteteve në Beograd që ta burgosin por ata kanë refuzuar.

INTERPOL-i e lëshoi fletarrest për Radoiçiqin, për të cilin thotë se ka kryer dy vepra penale në Kosovë: krim të ndërlidhur me terrorizëm dhe pastrim parash.

Gazeta Express ka siguruar raportin për Radoiçiqin në INTERPOL, i cili së fundmi është përditësuar më 16 shkurt 2024.

Në pjesën e fakteve për rastin, në dosje shkruhet :”Më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake dhe bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjskës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”.

“Gjithashtu ka dyshime të arsyeshme se në cilësinë e kreut të një grupi kriminal duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2017 deri më 24 shtator 2023, nëpërmjet veprimtarive kriminale të kontrabandës së mallrave, kërcënimeve, shantazheve dhe kontrollit të grupit kriminal, ka krijuar të ardhura, të cilat më pas i ka konvertuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si investimi i milionave në një vilë dhe blerja e një ‘penthouse’, barit, veturave dhe mjeteve të tjera motorike me qëllim të fshehjes/maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet tutje në dosjen e INTERPOL-it.

Te pjesa e informacionit gjyqësor, në raport shkruhen veprat për të cilat dyshohet Radoiçiq: “‘Veprat e rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës’, në kundërshtim me nenin 126, ‘Kryerja e veprës terroriste’ në kundërshtim me nenin 129, dhe ‘Pastrimi i parave’ në kundërshtim me nenin 302 të Kodit Penal të Kosovës (2019)”

“Dënimi i mundshëm maksimal: Burgim i përjetshëm”, thuhet më tej në raport.

Kërkesa për lëshimin e fletarrestit është bërë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe është përcjellë për në INTERPOL nga shefja e UNMIK-ut më 3 tetor të vitit të kaluar.

Kur raporti u përditësua, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla shkroi se të dyshuarit për sulmin në Banjskë janë futu në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhër arreste.

“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, tha Sveçla më 16 shkurt.

INTERPOL-i nuk e ka konfirmuar në mënyrë specifike lëshimin e fletarrestit.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, të mbështetur nga Beogradi, e kishte marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës. Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim zjarri mes grupit të armatosur serb dhe Policisë së Kosovës, ishin vrarë edhe tre pjesëtarë të grupit të Radoiçiqit.

Institucionet e Kosovës thonë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq qëndron pas këtij sulmi. Presidentja Vjosa Osmani tha së fundmi se vetë disa liderë ia kanë konfirmuar asaj këtë.


Send this to a friend