VOAL

VOAL

Shtohen ndjeshëm rastet e të prekurve nga gripi – Kujdesi që ju duhet

January 14, 2020
blank

Komentet

blank

Hani si filozofi lashtë, menyja e Aristotelit

Sipas Aristotelit, bota bazohej në katër elementë: toka, zjarri, uji, ajri, por kishte dhe një element të pestë…

Një element – që ai e quajti ‘eter’ – i cili përfaqësonte të palindurin, të pavarurin e të përhershmin, forcën hyjnore ose vetë Zotin.

Duke u bazuar në këto karakteristika, profesori i kuzhinës Giorgos Palisidis ka krijuar atë që ai e quan “Menuja Aristoteliane”, bazuar në ushqime dhe përbërës nga Greqia veriore, vendlindja e filozofit të madh.

Recetat që Palisidis krijon në ditët e sotme bazohen edhe në gjetjet arkeologjike që na kanë ndihmuar të kuptojmë përbërësit që grekët e lashtë përdornin në kuzhinat e tyre.

Menuja e Aristotelit
Në nisje të këtij projekti kaq interesant, profesori i kuzhinës synonte të sillte në tryezën moderne, ‘dietën e të parëve’.

Gjatë 3 viteve të fundit, dhjetë hotele dhe shtatë restorante në zonën piktoreske të Khalkidikisë kanë nisur të shërbejnë menynë Aristoteliane.

“Në katër elementët e teorisë – toka, uji, zjarri dhe ajri, Aristoteli shtoi eterin, elementin e pestë, për të përshkruar të palindurin, të pathyeshmin, të pandryshueshmin, atë që kombinon të gjitha në një substancë,” tha Palisidis.

“Në të njëjtën kohë, referencat e filozofit të madh grek për 4 shijet bazë: të kripur, të thartë, të ëmbël dhe të hidhur u shoqëruan me rekomandime për kombinimin e të paktën 2 prej tyre në të njëjtën kohë, duke synuar kulmin e shijes, një përvojë eksplozive”, shtoi ai.

“Kjo përvojë u përcaktua më vonë nga japonezët me fjalën ‘umami’ për të përshkruar një shije të pestë dhe një intensitet shijeje të ngjashëm me atë që gjendet në ushqime si viçi, shafrani, e verdha e vezës, kardamoni, mishi i qengjit, kërpudha dhe tartufi”, shtoi Palisidis.

Profesori tha se ideja origjinale për Menunë Aristoteliane i erdhi në vitin 2016.

Theksi në dietën e re iu kushtua elementit të pestë, eterit.

Në bashkëpunim me Shoqatën e Hoteleve në Kalkidki-së, pjesëmarrësit e parë u ftuan të shijonin katër elementët e natyrës: zjarrin, përmes gastronomisë lokale; ajrin, përmes vizitave në vende me pamje magjepsëse; ujin, përmes ushqimeve të detit; dhe tokën, përmes verës, tsipouris dhe vajit të ullirit.

Pesë elementët dhe sekreti i dietës së filozofit të lashtë grek
Hapi tjetër ishte zbulimi i elementit të pestë, misterit që çdo vizitor ftohet të zbulojë nga vizita e tij në Stageira-n antike, vendlindjen e filozofit të madh, Aristotelit.

Palisidis prezantoi një menu model për të zbatuar filozofinë e Aristotelit në përvojën e ngrënies. Qëllimi ishte të provokonte një eksperiencë duke shijuar gatime dhe produkte nga vendi ku lindi filozofi i madh.

Mbi këto baza, tavolina e darkës së parë përmbante pesë kavanoza balte në vend të pjatave pasi grekët e lashtë gatuanin në enë balte.

Secili prej elementeve të natyrës, siç përshkruhet nga Aristoteli, përfaqësohej nga përbërësit bazë.

Për shembull, ajri përfaqësohej nga një zog; toka me verën dhe vajin e ullirit të prodhuar nga vreshti; uji nga frutat e detit; zjarri me elementin që gatuan frutat e detit; dhe eteri me një shije ‘umami’ që rezulton nga frutat e thata dhe domatet e thara në diell, mjalti, barishtet, vera dhe uthulla e ëmbël balsamike.

Fantazia, duke u bazuar në këta pesë elementë dhe ushqimet e shumta të Mesdheut magjepsës, mund ta shtyjnë këdo të bëjë kombinime marramendëse të cilat i përshtaten këtyre elementëve në tryezat e tyre të ardhshme.

“Menyja Aristoteliane është një propozim ideal ushqimor për këdo pasi kombinon karakteristikat e dietës mesdhetare – ushqime të pasura me fibra, probiotikë, anti-oksidantë dhe ushqimet e konsumuara të gjalla si frutat apo ullinjtë”, shprehet Palisidis.

Mos harroni… ajri, uji, toka, zjarri dhe…eteri.

Tani lëreni imagjinatën tuaj të lundrojë e lirë!

blank

Lule Qumështorja e Shqipërisë – Fuqitë shëruese

Lule Qumështorja përdoret gjërësisht për të pastruar rrugët e frymëmarrjes dhe për të trajtuar astmën.

Lule Qumështorja gjendjet kudo në Shqipëri, si në zonat malore ashtu edhe bregdetare.

Prania e saj në natyrën shqiptare është një vlerë e shtuar jo vetëm për hijeshinë e shtuar në pejsazhe por mbi të gjitha për vlerat kurative që ajo ka për shëndetin.

Lule Qumështorja është një bimë që i ka dhënë jetë shumë specieve të ndryshme në botën e bimëve.

Ajo është e pasur në vlera, për vetë faktin se pothuajse të gjitha pjesët e bimës kanë vlera të larta mjekësore.

Në momentin që prisni një gjethe ose një kërcell të saj, do të vini re një lëng qumështor që mpikset menjëherë. Ky lëng është toksik nëse bie në kontakt me lëkurën.

Rrjedhimisht, ndërkohë që disa pjesë të Lule Qumështores mund të përdoren në mjekësinë popullore, bima vetë mund të jetë toksike.

Këshillohet që në përpunimin ose këputjen e saj të përdoren doreza. Farat e Lule Qumështores nuk shiten në treg dhe kanë një jetëgjatësi të kufizuar.

Të dhëna interesante për vlerat ushqimore dhe mjekësore

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, Lule Qumështorja, përmban disa minerale shumë të rëndësishme, në veçanti sodiumin, kaliumin, kalciumin dhe lithiumin. Bima përmban gjithashtu beta karoten, vitaminë C dhe fenolë.

Lule Qumështorja përdoret gjërësisht për të pastruar rrugët e frymëmarrjes dhe për të trajtuar astmën.

Ajo ka një efekt zgjerues dhe çlirues për rrugët e frymëmarrjes që e bën ideale për shumë simptoma që prekin ato.

Rrënja e bimës ka efekt kundër të vjellave. Siç e përmendëm edhe më lart, ndonëse gjethet, rrënjët dhe lulet kanë vlera mjekësore, qumështi që ato nxjerrin është helmues dhe mund të dëmtojë lëkurën dhe sipërfaqe të tjera të trupit.

Vlerat shëndetsore dhe Përdorimet Terapeutike

Lule Qumështorja përdoret gjërësisht për të trajtuar bronshitin dhe problemet që kanë të bëjnë me astmën.

Kjo lule ofron shërim dhe çlirim nga simptoma të shkaktuara nga i ftohti dhe gripi.

Përdorime të tjera të Lule Qumështores i gjeni si më poshtë.

• Gjethet e Lule Qumështores vijnë në ndihmë kundër irritimeve të lëkurës. Qumështi mund të jetë toksik por eshtë efikas për heqjen e lythave.
• Ekstrakti i luleve të copëtuara të Qumështores mund të shërojnë infeksionet e syrit dhe inflamacionet e tij.
• Bima besohet të ofrojë shërim nga ethet tropikale sepse lehtëson prodhimin e trombociteve.
• Lule Qumështorja mund të përdoret edhe për të trajtuar pickimin e gjarpërit.
• Lule Qumështorja njihet të ketë vlera kundër krimbave dhe parazitëve të tjerë që prekin organizmin.
• Lule Qumështorja stimulon prodhimin e qumështit tek nënat lehonë.
• Rrënja e Lule Qumështores mund të transformohet në një pastë për të shëruar dhimbjet e stomakut. Megjithatë, ajo duhet konsumuar vetëm në doza të rekomanduara sepse mund të shkaktojë të vjella.
• Lule Qumështorja mendohet të ketë vlera antivirale dhe është përdorur në trajtimet e disenterisë dhe zbutjen e simptomave të diaresë.
• Ekspertët e mjekësisë popullore Kineze e përdorin këtë barishte për efektin e saj laksativ. Ajo largon lëngjet e tepërta nga trupi, zbut edemën dhe inflamacionin në gjendrat limfatike.

blank

Përparim në rritjen e embrionit sintetik, por rritja e organeve njerëzore mbetet larg për t’u arritur

VOA/AFP

Shkencëtarët e qelizave embrionale thonë se kanë krijuar për herë të parë “embrione sintetike” pa përdorur spermën, vezët apo fekondimin, por perspektiva e përdorimit të një teknike të tillë për rritjen e organeve njerëzore për transplantim mbetet e largët.

Lajmi u përshëndet si një hap i madh përpara, megjithëse disa ekspertë thanë se rezultati nuk mund të konsiderohet plotësisht si embrion dhe paralajmëruan për mundësinë e shkeljeve etike në të ardhmen.

Në hulumtimin e botuar këtë javë në revistën Cell, shkencëtarët në Institutin e Shkencës Weizmann në Izrael thanë se gjetën një mënyrë për t’i bërë qelizat embrionale të miut të vetë-bashkohen në struktura të ngjashme me embrionin në laborator.

Ata filluan duke mbledhur qeliza nga lëkura e minjve, dhe më pas i bënë ato të ktheheshin në gjendjen e qelizave embrionale.

Qelizat embrionale më pas u vendosën në një inkubator të posaçëm të krijuar nga studiuesit, i cili lëvizte vazhdimisht për të imituar barkun e nënës.
Shumica dërrmuese e qelizave nuk arritën të formonin asgjë.

Por 50 – 0.5 përqind e 10,000 qelizave në total – u mblodhën në sfera, e më pas në struktura të ngjashme me embrionin, thanë studiuesit.

Pas tetë ditësh – rreth një e treta e periudhës 20-ditore të shtatzënisë së miut – kishte shenja të hershme të trurit dhe rrahjes së zemrës, shtuan studiuesit.
Ato u përshkruan si 95% të ngjashëm me embrionet normale të miut.

‘Koha do ta tregojë’

Nëse organet e njeriut mund të rriteshin një ditë në laborator, teknika mund të sigurojë transplante që do të mund t’u shpëtonin jetën mijëra njerëzve çdo vit.

Shkencëtari i qelizave embrionale Jacob Hanna, i cili udhëhoqi hulumtimin, i tha agjencisë AFP se “Problemi i madh me transplantimin është se duhet të gjesh një donator me të cilin të përputhen parametrat dhe ADN-ja nuk është kurrë identike me pacientin”.

Por duke përdorur teknikën e re, një ditë shkencëtarët mund të marrin qeliza nga mëlçia e një pacienti, për shembull, dhe t’i përdorin ato për të krijuar qeliza embrionale, për të rritur një embrion sintetik dhe pastaj “i transplanton ato përsëri te pacienti”, tha shkencëtari Hanna.

“Qeliza do të krijohet nga pacienti, kështu që do të jetë ADN-ja e njëjtë – pa patur nevojë për të gjetur donatorë dhe organizmi nuk do të ketë refuzim,” shtoi ai.

Ndërsa ato janë strukturat më të avancuara sintetike të ngjashme me embrionet e rritura ndonjëherë, disa shkencëtarë që nuk u përfshinë në kërkim paralajmëruan që të mos i quanin ato “embrione”.

“Këto nuk janë embrione,” tha për AFP-në shkencëtari francez i qelizave embrionale Laurent David.
Ai preferoi t’i quante ato embrioide, emërtimi për një grup qelizash që i ngjajnë embrionit.
Megjithatë, zoti David mirëpriti hulumtimin “shumë bindës”, për të cilin ai tha se mund të lejojë eksperimente të mëtejshme për të kuptuar saktësisht se si formohen organet.

Përveç organeve, shkencëtari Hanna tha se embrioidet mund të ndihmojnë gjithashtu në identifikimin e objektivave të rinj për barnat dhe potencialisht të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve për një sërë çështjesh si humbja e shtatzënisë, infertiliteti, endometrioza dhe preeklampsia.
“Koha do ta tregojë”, tha ai.

Hanna, një palestinez që drejtoi kërkimin në institutin në Izrael, tha: “Shkenca është largimi im nga realiteti i ashpër me të cilin përballem ndërsa jetoj në atdheun tim.”
“Dhe unë jam një nga ata me shumë ‘fat’”, shtoi ai.

Autori i studimit është një student i doktoraturës nga territori palestinez i Gazës, që ka nevojë për një leje speciale që rinovohet rregullisht për ta lejuar atë të punojë në institutin në qytetin izraelit të Rehovotit.

Implikimet etike

Jacob Hanna ka themeluar kompaninë, Renewal Bio, për të cilën tha se “do të përqëndrohet në testimin e aplikacioneve të mundshme klinike të embrioneve sintetike njerëzore”.

Ai tha se ata kishin miratimin për një testim të tillë në Izrael dhe se ai ishte i ligjshëm në shumë vende të tjera si SHBA dhe Britani.

“Duhet të kujtojmë se embrionet sintetike janë embrioide dhe jo embrione reale dhe nuk kanë potencial për t’u bërë të zbatueshme,” tha ai.

Por studiuesit që nuk u përfshinë në studim thanë se ishte shumë herët për të konsideruar përdorimin e një teknike të tillë për njerëzit.

Alfonso Martinez Arias i Universitetit Pompeu Fabra të Spanjës tha se zbulimi “hap derën për studime të ngjashme me qelizat njerëzore, megjithëse ka shumë pengesa rregullatore për të kaluar në fillim dhe, nga pikëpamja e eksperimenteve, ato të kryera tek sistemet njerëzore mbeten prapa atyre të kryera tek minjtë”.

Synimi për të marrë rezultate të ngjashme nga qelizat njerëzore ka të ngjarë të hapë një debat të ashpër etike.

“Megjithëse perspektiva e embrioneve sintetike njerëzore është ende e largët, do të jetë thelbësore të përfshihemi në diskutime më të gjera rreth ndërlikimeve ligjore dhe etike të një kërkimi të tillë,” tha James Briscoe nga Instituti britanik Francis Crick.

blank

Si të pastroni një Ekspres Moka – Këshilla për ta bërë atë të shkëlqejë si në fillim

Moka është një makineri që shërben për përgatitjen e kafesë, e cila u shpik gati 100 vjet më parë.Foto:Flickr

Moka është një makineri që shërben për përgatitjen e kafesë, e cila u shpik gati 100 vjet më parë.

Ata që e adhurojnë kafenë dhe janë meraklinj të mëdhenj, ja dinë mirë vlerën.

Me kalimin e kohës dhe përdormin e shpeshë, ajo fillon të zërë njolla dhe të vjetërohet. Por me pastrimin e duhur, ju mund ta ruani si të ishte e re.

AgroWeb.org në këtë artikull ndan me ju disa sekrete të cilat do ta bëjnë më të lehtë pastrimin e saj dhe do i japë më shumë shkëqim se kurrë.

Gjithashtu do ju njohim edhe me disa këshilla të vlefshme për ta ruajtur sa më gjatë atë.

Si të pastroni eksperesin tuaj Moka

Për të pastruar në mënyrë korrekte pjesët e jashtme të saj, thjesht duhet ta shpëlani mirë pas çdo përdorimi dhe ta thani për të shmangur formimin e njollave.

Herë pas here, përdorni një sfungjer të butë (për të mos gërvishtur makinerinë) të spërkatur me ujë dhe uthull të bardhë.

Kështu do të mund të lustroni lehtësisht pjesën e poshtme e cila në kontakt me flakën mund të bëhet e zezë.

Ju mund të shtoni një majë luge sodë buke në uthull dhe moka do të shkëlqejë si e re.

Ndërsa për të pasur një filtër të pastër është e rëndësishme ta shpëlani mirë me ujë të rrjedhshëm e të ftohtë përpara se ta mbushni me kafe.

Gjithashtu kur vrimat zihen, zhyteni filtrin në ujë të vluar me lëng limoni për 30 minuta, më pas shpëlajeni dhe thajeni mirë.

Nëse vrimat ende nuk janë pastruar, provoni t’i lironi ato me një kruese dhëmbësh.

Pjesa që duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje është rezervuari. Brenda tij shpesh, edhe nëse nuk e vëreni, mund të krijohen njolla për shkak të lëndëve kimike të pranishme në ujë.

Për ta pastruar, mjafton ta mbushni me ujë dhe uthull të bardhë, shtoni një majë luge kripë, mbylleni pa e mbushur filtrin me pluhurin e kafesë, vendoseni në sobë dhe lëreni sa uji të dalë jashtë.

Në fund bëni një proces bosh, vetëm me ujë, për të eliminuar erën e uthullës.

Me kalimin e kohës, guarnicioni grumbullon mbetje të pluhurit të kafesë dhe konsumohet. Nëse është i ndotur, thjesht pastrojeni me ujë të nxehtë dhe uthull. Por nëse është gërryer dhe konsumuar, duhet të blini të ri.

Një herë në muaj, për të pasur një moka që shkëlqen dhe për të shijuar një kafe denjë,  ju këshillojmë të çmontoni të gjitha pjesët dhe t’i lini të zhyten në ujë me uthull për 30 minuta. Nëse moka është prej alumini mund të përdorni edhe acid citrik, ose limon.

Në fund shpëlajini dhe thajini ato, por mos harroni të bëni një proces bosh për të eliminuar erën e uthullës.

Gabimet që duhen shmangur

Asnjëherë mos përdorni sapun sepse nëse nuk shpëlahet mirë do ta bëjë kafenë tuaj të pakonsumueshme.

Nëse sapo keni blerë një moka dhe mezi prisni të bëni një kafe, mos harroni të bëni fillimisht një proces provë që do të eliminojë shijen e metalit.

Mos e lini gjatë kafen në makineri, sidomos në verë sepse rrezikoni që kafeja ose pluhuri i përdorur të myket.

Përpara se ta ruani mokën në dollapin e kuzhinës, mos harroni ta çmontoni, ta lani dhe ta thani mirë me një leckë pambuku. Në këtë mënyrë do të shmangni krijimin e njollave dhe mykut.

Nëse e shtrëngoni shumë mokën kur e mbyllni, rrezikoni që guarnicioni të konsumohet shpej. Dhe nëse nuk e shtrëngoni mjaftueshëm kafeja juaj do të derdhet. Me pak fjalë, kini kujdes.

blank

Të flasësh me veten është shenjë inteligjence

Ekspertët thonë se të shprehurit e mendimeve me zë të lartë të ndihmon të kesh një botëkuptim më të qartë të të tashmes dhe të ardhmes.

Mund të të ketë ndodhur edhe ty që po lexon këtë artikull. Mund ta kesh gjetur veten duke menduar me zë të lartë pavarësisht ambientit apo njerëzve që të rrethojnë.

Mos u shqetëso, nuk ka asnjë problem. Sipas ekspertëve të folurit me veten është diçka shumë e mirë.

E Folura Me Veten Dhe Rëndësia e Saj

Njeriu flet me veten në heshtje gjatë gjithë kohës.

Këto monologje janë të shëndetshme dhe e mbajnë mendjen në punë.

Falë të folurës së brendshme, ne jemi në gjendje të organizojmë mendimet, planifikojmë veprimet, konsolidojmë kujtesën dhe të përpunojmë emocionet.

Ekspertët thonë se të shprehurit e mendimeve me zë të lartë të ndihmon të kesh një botëkuptim më të qartë të të tashmes dhe të ardhmes.

Sipas tyre, mënyra se si i flasim vetes dhe me veten është një monolog i çmuarr që shpalos mendimet, gjendjen emocionale dhe sjelljen.

Të Flasësh Me Veten Për Shëndetin Mendor

Një nga mënyrat më të mira për ruajtjen e shëndetit mendor është që të shkruani gjërat për të cilat jeni mirënjohës dhe më pas të qëndroni para pasqyrës dhe t’i përsërisni ato që keni shkruar me zë të lartë.

Një praktikë e tillë do ju vëjë në pozita të mira me veten dhe do ju udhëheqë drejt një dashurie më të madhe për veten.

Studimet kanë konfirmuar se njerëzit që flasin mirë me veten dhe për veten kanë një sjellje, perspektivë dhe reagim më të mirë.

Psikologët inkurajojnë njerëzit që t’i përshpërisin vetes fjalë të mira herë pas here, pavarësisht situatës ku ndodhen.

Sipas tyre përshpëritja e fjalëve positive ndaj vetes mund të na japë më shumë forcë dhe kurajo për tu përballur më një situatë jo të zakontë.

Nëse ndiheni kritikues apo negativë ndaj vetes e folura me veten mund t’ju ndihmojë të keni një perspektivë më të qartë të asaj që po ndodh.

Ekspertët janë të bindur se e folura me veten mund të jetë një shenjë e një mendje në formë dhe një personi tejet intelektual./AgroWeb.org

blank

Shqipëria me përqindjen më të lartë të njerëzve në Europë që nuk mund të ndjekin një dietë të shëndetshme!

  • Disa njerëz përjetojnë panik dhe ankth thjesht kur i shohin apo mendojnë për perimet.

Rreth 20% e popullsisë në Shqipëri gjatë vitit 2020 nuk kishin mundësi të ndiqnin një dietë të shëndetshme, sipas një studimi krahasues të Bankës Botërore që u publikua së fundmi.

Në këtë studim, Shqipëria rezultoi si vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë në Europë që nuk kanë mundësi të ushqehen shëndetshëm.

Përballueshmëria e dietës u bazua në çmimet e artikujve ushqimorë të marra nga Programi Ndërkombëtar i Krahasimit (ICP), të kombinuara me të dhënat e përbërjes së ushqimit dhe kërkesat ushqyese nga një gamë e gjerë burimesh, duke përfshirë udhëzimet kombëtare dietike.

Pas Shqipërisë përqindjen më të lartë të popullsisë, që nuk kishte mundësi të ndiqte dietën e shëndetshme e kishte Maqedonia me 18%. Vendet e tjera të Rajonit dhe Europës kanë një përqindje shumë më të ulët të popullsisë që nuk kanë mundësi të ndjekin një ditë të shëndetshme.

Në vitin 2020, kostoja mesatare ditore globale e një diete të shëndetshme e krahasuar me fuqinë blerës ishte 3,54 dollarë. Në vendet me të ardhura të ulëta kostoja mesatare ishte 3,20 dollarë, ndërsa në vendet me të ardhura të larta ishte pak më e lartë në 3,35 dollarë. Kostoja më e lartë u vu re në vendet me të ardhura të mesme të larta, ku një dietë e shëndetshme kushtonte 3,76 dollarë, ndërsa në vendet me të ardhura të mesme të ulëta mesatarja ishte pak më e ulët në 3,70 dollarë.

Këto kosto janë shumë më tepër se komponenti ushqimor (52%) i kufirit aktual ndërkombëtar të varfërisë prej 1,90 dollarë në ditë.

Krahasimi i këtyre kostove me të dhënat e shpërndarjes së të ardhurave tregon nivelin e përballueshmërisë së dietës. Rreth 42% – ose 3.07 miliardë njerëz nuk mund të përballonin një dietë të shëndetshme në vitin 2020. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe ato me të ardhura mesatare më të ulëta proporcionet u rritën në 88% dhe 69% respektivisht, dhe në dymbëdhjetë vendet më të prekura – të gjitha në Afrikën Sub-Sahariane, mbi 90% e popullsisë nuk mund të përballonte një dietë të shëndetshme.

Përqindja e njerëzve të paaftë për të përballuar një dietë të shëndetshme ra në të gjitha grupet e të ardhurave dhe në shumicën e rajoneve midis 2017 dhe 2019, por u rrit përsëri në vitin 2020. Kjo mund t’i atribuohet rritjes së mprehtë në nivel global të çmimeve të ushqimeve të konsumit në gjysmën e dytë të 2020 duke ndikuar në përballueshmërinë.

Më te shtrenjta nga grupet ushqimore janë ushqimet me origjinë shtazore, me çmim mesatarisht 0,87 dollarë për sasinë ditore të nevojshme për një dietë të shëndetshme. Për këtë grup ushqimor, kostoja më e lartë e regjistruar është në Azinë Jugore me 1,08 dollarë. Perimet janë të dytat më të shtrenjta me 0,79 dollarë ndërsa frutat kushtojnë mesatarisht 0,66 dollarë.

Burimi: Revista Monitor

blank

Koha e duhur për mbledhjen dhe tharjen e kamomilit

Shumë njerëz preferojnë ta rrisin vetë kamomilin në shtëpi ose në kopësht.

Çaji i kamomilit është një nga çajrat bimorë më qetësues për trurin dhe shpirtin.

Për lehtësi, konsumatori zgjedh çajrat me bustinë të cilat për fat të keq nuk ofrojnë vlerat e pastra shëndetësore të kamomilit.

Kjo bimë e shkëlqyer për shëndetin mund të rritet mjaft lehtë në shtëpi.

Ajo ka nevojë për pak përkujdesje, megjithatë duhet të tregoheni të kujdesshëm në mbledhjen dhe tharjen e luleve.

Si Të Mbillni Kamomilin Në Kushtet E Shtëpisë

Kamomilin mund ta mbillni nëpërmjet farave, filizave apo rrënjëve.

Farat duhen mbjellë 6-8 javë përpara ngricës së fundit të pritshme.

Mbusheni vazon me dhe’ të lehtë dhe futini farat 6 milimetra nën të.

Vazoja duhet ujitur rregullisht por nuk duhet tepruar.

Temperatura e dheut duhet të jetë e ngrohtë.

Filizat pritet të dalin pas 14-21 ditësh.

4 javë më vonë në vazo duhet të hidhni tretësira fertilizuese ushqyese për t’u dhënë filizave më shumë fuqi.

Mbrojini vazot nga nxehtësia dhe era por nxirrini rregullisht në ballkon.

Kur filizat të jenë të fortë, transferojini ato në vazo më të mëdha dhe mbajini në ajër të pastër dhe në vend të ndriçuar mirë nga dielli.

Kamomili ka nevojë për pak përkujdesje.

Koha e Duhur Për Mbledhjen e Luleve, Tharjen Dhe Përgatitjen Si Çaj

Mbledhja e luleve të kamomilit është një proces i vazhdueshëm sepse ato çelin dhe lulëzojnë gjatë gjithë verës.

Ato janë gati kur petalet janë hapur tërësisht dhe janë gati në të rënë.

Lulet nuk duhen mbledhur parakohe sepse nuk do të ofrojnë vlerat e tyre maksimale.

Koha më e mirë për të mbledhur lulet është në mëngjes pas tharjes së vesës dhe përpara mesditës.

Pasi t’i keni mbledhur, lulet mund t’i lani dhe më pas t’i thani me delikatesë me letër kuzhine.

Më pas ju mund t’i vendosni mbi një napë të bardhë pambuku dhe tu jepni 1-2 javë që të thahen.

Lulet duhen vendosur në një vend të errët, të ngrohtë e mbi të gjitha të thatë.

Kur lulet të jenë tharë, futini në një kavanoz qelqi të cilin duhet ta mbani larg ndriçimit të fortë të diellit për të ruajtur ngjyrën, aromën dhe vlerat mjekësore.

Për përgatitjen e cajit ju mund të përdorni 2-3 lugë caji me lule në një filxhan me ujë të nxehtë.

blank

Si të rrisni speca djegës në vazot e shtëpisë

Specat djegës preferojnë një dhè të pasur me pleh organik dhe ushqyes për perimet.

Specat djegës ndezin gatimet tuaja por edhe zbukurojnë shtëpitë me ngjyrat e tyre aq të bukura. Në vend që t’i blini në treg, rritini vetë në shtëpi që mos t’ju mungojnë kurrë.

AgroWeb.org do t’ju mësojë se si të rrisni vetë specat djegës duke nisur që nga fara.

Shumica e shitësve të farave do t’ju mundësojnë një larmi farash të llojeve të specave djegës të intensitetit të ndryshëm. Nëse nuk ju pëlqejnë farat, mund të blini fidanë, por ndryshe nga farat, larmia e fidanëve është më e kufizuar.

Farat duhet t’i mbillni në vazo të vogla të mbushura me komposto dheu me pleh organik dhe pleh të kulluar mirë. Vazot vendosini në një vend të ndriçuar mirë, siç është parmaku i dritares. Temperaturat e larta përshpejtojnë çeljen e filizave.

Temperatura ideale e dheut duhet të jetë 21 gradë celcius ose më shumë. Për të siguruar këtë, mund ta vendosni vazon nën një shtresë me ngrohje elektrike, por nëse i mbillni në pranverë nuk do të keni probleme të tilla.

Filizat duhen rritur deri sa të kenë çelur tre deri në katër tufa gjethesh. Më pas mund t’i transferoni në një vazo më të madhe.

Pasi të ketë kaluar rreziku i ngricave, nxirrini vazot një herë në ditë për një javë në ballkon që filizat të forcohen. Ata do të jenë gati për t’u zhvendosur në një hapësirë tjetër dhe nuk do të përjetojnë shokun e të ndërruarit ambient.

Kushtet e rritjes

Nuk është çudi që specat djegës rriten mirë në temperatura të nxehtë. Ato mund t’i mbillni në një vend të ndriçuar mirë por nëse është ftohtë sigurohuni t’i mbështillni me shtresa plastike. Temperatura ideale e ajrit duhet të jetë 20 deri në 32 gradë.

Specat djegës preferojnë një dhè të pasur me pleh organik dhe ushqyes për perimet. Zona përreth bimës duhet të jetë e njomë, por jo shumë e lagur dhe as e thatë.

Nëse e teproni me ujin, specat do e humbasin elementin djegës. Bima çel më shumë fruta nëse e rrisni në një vazo.

Ndaj, të pasurit një shtëpi të vogël nuk është justifikim për mosrritjen e tyre. Mjafton një vazo dhe do të përfitoni shumë speca djegës. Lulet e bimës duhen pllenuar me dorë ose me një furçë të vogël.

Mbledhja e specave

Duhet të prisni deri sa specat të marrin ngjyrën e thellë të së kuqes, portokallisë, të verdhës, vjollcës apo çfarëdo lloj ngjyre tjetër të varietetit që keni blerë.

Nëse ju pëlqejnë specat që janë pak djegës atëherë mblidhini kur janë jeshilë, por sa më gjatë të qëndrojnë në bimë, aq më përvëlues do të jenë.

Specat janë shumë më të mirë kur konsumohen të freskët nga bima, por mos e hani menjëherë nëse nuk jeni të sigurt për nivelin e djegies që mund të përballoni. Disa speca janë aq djegës sa mund t’ju përvëlojnë për orë të tëra.

Nëse dëshironi të masni nivelin e djegies së specit, përfshijeni në ushqimin që keni gatuar. Disa speca të tjerë mund të thahen ose të ngrihen për ruajtje më të gjatë.

Specat e thatë mund të ruhen në formën e tyre të plotë ose të grihen si pluhur.

blank

Vuani nga dhimbjet kronike? Si ju ndihmon fizioterapia

 

Rreth 20.4% e të rriturve në të gjithë botën u prekën nga ndonjë lloj i dhimbjes kronike vetëm përgjatë vitit 2019, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Amerikë.

Ndryshe nga dhimbjet akute të cilat shfaqen dhe zbehen në momente të caktuara, dhimbjet kronike janë një problem serioz që ndikon jetën e shumë njerëzve, ku pjesa më e madhe e të prekurve janë gra.

Kjo dhimbje shfaqet në çdo moment dhe të prekë çdo pjesë të trupit tuaj, duke u bërë kështu një nga arsyet kryesore që ul edhe cilësinë e jetesës.

Cilat janë shkaqet kryesore të dhimbjes kronike?

Ekspertët në të gjithë botën shprehen se jetesa me një dhimbje kronike është e vështirë dhe ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e të gjithë organizmit.

“Dhimbja kronike është ajo formë e dhimbjes e cila është e vazhdueshme dhe e përsëritur për një periudhë kohe më shumë se 3 muaj” – Xhesika Gjonaj, Fizioterapiste.

Tri shkaqet kryesore sipas ekspertes së fizioterapisë mund të jenë dëmtimet e nervave, mosfunksionimet dhe dhimbjet idipopatike ose dhimbjet e shkaktuara pa shkak.

“Këto dhimbje shqërohen me sëmundje me origjinë reumatologjike, onologjike, neurologjike, muskuloskeletore siç janë fibromialgjia, artriti reumatoid, osteoporoza etj.”, shprehet Gjonaj.

Mund të shkaktojnë problematika të shumta në përqëndrim, në zhvillimin e aktiviteteve të përditshme, pagjumësi, stres, depresion apo humbje të peshës.

Si mund të trajtohen dhimbjet kronike?

Sipas të dhënave nga WebMD, medikamentet arrijnë të kurojnë vetëm 58% të sëmundjeve të këtij lloji.

Ndërsa për pjesën tjetër shpesh dhimbjet kronike mund të mbeten të pa trajtuara për periudha shumë të gjata.

Duke krijuar më pas një lidhje të drejpërdrejtë me sëmundje të tjera si depresioni.

Një nga metodat më efikase për trajtimin në mënyrë graduale këtë problem është stili i jetesës, lëvzija dhe riaftësimi i zonës ku shfaqet dhimbja, përmes fizioterapisë.

Me anë të ushtrimeve dhe seancave të programeve të veçanta ushtrimore mund të arrihet rritja e rezistencës në zonën me dhimbje duke rritur edhe lëvizshmërinë në të.

Sipas ekspertes, rehabilitimi përfshin terapinë manuale që ndihmon me reduktimin e dhimbjeve kronike.

“Qëllimi kryesor i fizioterapisë është të riedukojë pacientët me një stil jetese të shëndetshëm e aktiv.”, thotë Gjonaj për AgroWeb.

Në këtë mënyrë një pacient me dhimbje kronike mund të arrijë të menaxhojë me lehtë episodet e dhimbjes duke i’u rikthyer jetesës së përditshme.

blank

OBSH: Mbi 18.000 raste me linë e majmunëve në botë, shumica në Evropë

Një punonjës i kujdesit shëndetësor përgatit një shiringë në një klinikë vaksinimi kundër lisë së majmunëve në Montreal. Kanada, 6 qershor 2022.

RFE/RL

Mbi 18.000 raste të lisë së majmunëve janë të raportuara në 78 vende të botës, shumica prej tyre në Evropë, tha të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë globale shëndetësore nga OBSH-ja të shtunën, për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të rasteve dhe shqetësimeve se mund të bëhet endemike në më shumë vende.

Deri tani, 98 për qind e rasteve jashtë vendeve në Afrikë ku virusi është endemik janë raportuar tek burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, tha OBSH-ja.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, kërkoi nga ky grup që ta reduktojnë numrin e partnerëve seksual.

“Ky është një shpërthim që mund të ndalet… Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është të zvogëloni rrezikun e ekspozimit”, tha Tedros në një konferencë për media në Gjenevë. “Kjo do të thotë të bësh zgjedhje të sigurta për veten dhe të tjerët”.

Lija e majmunëve është në proces të riemërimit, për të shmangur përdorimin e emrit në mënyrë raciste, tha drejtori i urgjencave të OBSH-së, Mike Ryan.

Agjencia e OKB-së rekomandon vaksinimin për grupet me rrezik të lartë, duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, të cilët kanë shumë partnerë seksualë.

Ai tha se duhen disa javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës për t’u mbrojtur plotësisht.

Në shërthimin e tanishëm, rreth 10 për qind e pacientëve janë shtruar në spital dhe pesë kanë vdekur, të gjithë në Afrikë, tha OBSH-ja.

Lia e majmunëve ka qenë një problem i shëndetit publik i neglizhuar globalisht për dekada në pjesë të Afrikës.

Rreziku i lisë së majmunëve globalisht është i moderuar, me përjashtim të Evropës, ku OBSH-ja e ka vlerësuar atë si të lartë.

Sa është e rrezikshme lia e majmunëve?

Në përgjithësi lia e majmunëve shkakton simptoma të lehta, përfshirë: ethe, dhimbje dhe puçrra në lëkurë të mbushura me qelb. Sipas OBSH-së, njerëzit kryesisht shërohen në një periudhë prej dy deri në katër javë.

Virusin mund ta përhapë çdokush, por shpërthimi aktual jashtë Afrikës është i përqendruar pothuajse vetëm te burrat që kanë marrëdhënie seksuale me burra.

Lia e majmunëve përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit intim – lëkurë më lëkurë – me dikë që ka skuqje aktive, si dhe nëpërmjet kontaktit me rroba të kontaminuara ose në shtrat.

Megjithatë, ajo nuk transmetohet aq lehtë sa virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë COVID-19.

“COVID përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe është shumë infektiv. Ky nuk duket se është rasti me linë e majmunëve”, thotë dr Martin Hirsch nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets të SHBA-së.

Simptomat e lisë së majmunëve shpesh zhduken vetvetiu brenda javësh.

blank

Mini Kopshti i perimeve të shëndetshme në shtëpi

Shumica e perimeve që rriten lehtë në vazo të vogla ose të mëdha kanë nevojë për diell, ose më saktë të paktën 6 orë në ditë.

Rritja e perimeve në vazo është një mënyrë shumë e lehtë për të marrë prej perimeve të shëndetshme, aromën dhe freskinë më të mirë.

Megjithatë rritja e perimeve nuk ndodh brenda natës dhe kërkon mund e djersë.

E vërteta është se me përkujdesjen dhe trajtimin e duhur, perimet rriten mjaft mirë edhe në saksi të përmasave të ndryshme.

AgroWeb.org do t’ju udhëzojë më poshtë se si të krijoni një kopësht të vogë perimesh në shtëpinë tuaj.

Sekretet e Oazit Të Ushqimeve Të Shëndetshme

Shumica e perimeve që rriten lehtë në vazo të vogla ose të mëdha kanë nevojë për diell, ose më saktë të paktën 6 orë në ditë.

Specat, domatet dhe perime të tjera lulëzojnë siç duhet nëse qëndrojnë në një vend të ajrosur mirë dhe të ndriçuar.

Nëse jetoni në vende të ftohta, atëherë vazot mbajini në një zonë me pamje nga jugu.

Nëse jetoni në vende të ngrohta, qëndroni larg sipërfaqeve të betonit sepse ngrohen shumë.

Nëse zgjidhni vazo të mëdha që zënë shumë vend atëherë vendosini ato në karroca që t’i lëvizni sa herë ka nevojë.

Nevojat Bazë Për Një Kopësht Me Perime

Së pari, duhet të zgjidhni vazo të mëdha që mund të mbajnë sasi të mjaftueshme të perimeve, u japin atyre hapësirë dhe lejojnë qarkullim të ajrit dhe kullim të ujit.

Vazot prej balte kanë nevojë për më shumë vëmendje dhe ujitje në krahasim me vazot e tjera.

Vazot me ngjyrë përthithin shumë nxehtësi dhe e bëjnë ambientin rrethues të rrënjës së perimes shumë të nxehtë.

Shmangni vazot prej druri të përpunuar për shkak të përbërësve kimikë që mund të përthithen nga perimet.

Kur vjen puna tek përmasat, sa më e madhe vazoja aq më mirë do të jetë për ju.

Vazot e mëdha e mbajnë lagështinë më gjatë dhe ujitja e shpeshtë nuk është e nevojshme.

Kastravecat, specat dhe domatet kanë nevojë për hapësirë, ndaj vazot e mëdha u përshtaten shumë mirë.

Bimët që rriten vertikalisht kanë nevojë për një sistem mbështetës kryesisht prej druri që mund të instalohet brenda në vazo.

Mbushja e Vazove Me Dheun E Duhur

Cilësia e dheut dhe plehut të përdorur është një faktor i rëndësishëm për rritjen e mbarë të perimeve në saksi.

Për më tepër, duke qenë se kullimi është i rëndësishëm, AgroWeb.org ju këshillon të siguroheni që të merrni gjithnjë guralecë të bardhë dhe t’i vendosni në fund të vazos.

Sa i përket dheut, merrni gjithmonë pleh organik të pasur që t’i ushqejë rrënjët e perimeve.

Mbjellja e Perimeve Në Vazo

Blini në treg farat e perimeve të përzgjedhura ose merrni fidanë të gatshëm të cilët mund t’i rrisni brenda në shtëpi.

Më pas mund tu ndërroni vend duke i nxjerrë në verandë, ballkon apo kopësht.

Fasulet, misri, karrotat dhe spinaqi rriten shumë mirë me fara.

Pas mbjelljes, ujitja është një proces thelbësor për mbarëvajtjen e këtij misioni.

Një muaj pas daljes së filizave, perimet kanë nevojë për fertilizues të tretur në ujë.

Ata duhen pastruar nga insektet dhe barishtet e këqija.

Pas mbledhjes së perimeve, pastrojini vazot mirë me ujë të bollshëm dhe dheun ruajeni për më vonë, për sa kohë keni hequr mbetjet e dëmshme.

Perimet Që Rriten Mirë Në Vazo :

Për të krijuar kopështin personal mund të zgjidhni mes: panxharit, patëllxhanit, kastravecit, karrotës.

Lakra, qepa, brokoli, speci, spinaqi, kungulli dhe domatja janë gjithashtu zgjedhje të mira.

blank

Lidhja midis ajrit të ndotur dhe sëmundjes së demencës!

Një rritje e lehtë e niveleve të ndotjes, gjatë një dekade në lagje të caktuara, u shoqërua me një rrezik më të madh të demencës për banorët.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, demenca është një term që përshkruan një grup simptomash: si humbja graduale e kujtesës, rënia e aftësisë për të menduar dhe arsyetuar, si dhe problemet me komunikimin.

Prekja e funksioneve konjitive shoqërohet shpesh, dhe zakonisht paraprihet, nga përkeqësimi i kontrollit emocional, sjelljes shoqërore dhe motivimit.

Prej kohësh dihet se ndotja mund të dëmtojë zemrën dhe mushkëritë, por hulumtimet e reja zbulojnë se si ajo ndikon edhe në shëndetin e trurit.

AgroWeb.org ju njeh më poshtë me hulumtimin e ri rreth ndikimit të ajrit tejet të ndotur në shëndetin e trurit.

Çfarë tregon studimi rreth ndotjes së ajrit dhe demencës?

Një studim afatgjatë në të cilin AgroWeb.org u mbështet, lidh ekspozimin ndaj niveleve të larta të ndotjes së ajrit, me një rrezik në rritje të prekjes nga demenca.

“Ne zbuluam se një rritje prej 1 mikrogram për metër kub ekspozimi në ajër të ndotur, lidhej me një rrezik të shtuar të zhvillimit  të kësaj sëmundjeje.”, tha autorja kryesore e studimit Rachel Shaffer, që kreu studimin në Departamentin e Shkencave të Shëndetit Mjedisor dhe Profesional në Universitetin e Uashingtonit.

Një rritje e lehtë e niveleve të ndotjes, gjatë një dekade në lagje të caktuara, u shoqërua me një rrezik më të madh të demencës për banorët.

“Ne e dimë që demenca zhvillohet për një periudhe të gjatë kohore,” tha ajo.

“Duhen vite, madje edhe dekada, që këto patologji të zhvillohen në tru. Prandaj ishte e nevojshme të vlerësonim ekspozimin e banorëve gjatë për një periudhë të zgjatur kohore.”

Ndotja e ajrit njihet si një nga faktorët kryesorë të rrezikut për demencën.

Studimi sugjeron se ndotja e ajrit mund të dëmtojë trurin dhe se zvogëlimi i ekspozimit të njerëzve ndaj ajrit të ndotur mund të ndihmojë në uljen e niveleve të demencës.

“Fillimish mendonin se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur shkaktonte vetëm probleme me frymëmarrjen, pastaj kuptuam se ai ka gjithashtu ka efekte të padëshirueshme kardiovaskulare, dhe tani kemi dëshmi të efekteve të tij në tru,” shprehen studiuesit.

Ata vënë në dukje se një mënyrë se si individët mund të ulin rrezikun këtë rrezik, është duke mbajtur një maskë.

Studiuesit shprehen gjithashtu se nuk është e drejtë që vetëm njerëzit ta mbajnë këtë barrë mbi supe.

Duke u bazuar në këto të dhëna, politikat në nivel lokal dhe kombëtar, mund të vihen në lëvizje për të kontrolluar burimet e ndotjes së grimcave të ajrit./AgroWeb.org


Send this to a friend