Kjo javë shënon pikën kulmore të ceremonive përkujtimore me rastin e 25 vjetorit të sulmit terrorist mbi kullat binjake në Nju Jork më 11 Shtator 2001. Vend të rëndësishëm në veprimtaritë e rastit po zenë edhe kujtimet, botimet, filmat dhe ekspozitat fotografike në nderim të kujtimit të 2981 viktimave, ndërmjet të cilëve edhe tre shqiptarë.
Padyshim që këtu spikat edhe romani i ikonës së Radiotelevizionit tonë, shkrimtarit Skifter Këlliçi ”Shtatori i gjëmës së madhe”. I botuar me titullin ” Disastrous September” edhe në SHBA dhe vitin e kaluar në Romë me titullin ” Settembre disastroso” nga Botuesi ”Veliero” ai është i pari dhe deri tani i vetmi roman në letërsinë ndërkombëtare që zbërthen dinamikën e asaj tragjedie, që tregon se si terroristët rrëmbyen dy avionë dhe me ta goditën kullat binjake në Nju Jork; dhe kjo natyrisht ia shton akoma më shumë vlerat dhe meritat romanit.
Siç e ka treguar më parë vetë autori, këtu ka ndikuar edhe fakti që mëngjesin e asaj dite të zezë, ai me bashkëshorten e ndjerë ishin në Aeroportin e Bostonit, ku punonin si roje sigurie në pikën e kontrollit të kalimit të pasagjerëve; pikërisht aty kishin kaluar pa u vënë re kryeterroristët që kryen aktin makabër, gjë të cilën ai e mësoi pak orë më vonë, kur u dha lajmi në median amerikane dhe atë botërore.
Ashtu siç ka shkruar muajt e fundit në disa të përditshme dhe revista italiane shkrimtarja dhe kritikja letrare Francesca Gallello, “Shtatori Fatkeq ndërthur trillimin dhe kujtesën. Përmes personazheve imagjinarë dhe rindërtimeve narrative, Këlliçi na udhëheq mes hijeve të Kullave Binjake, brenda çasteve pezull të një dite që ndryshoi botën. Zëri i gazetarit Sokol Kama bëhet simbol i detyrës morale për të treguar, duke u dhënë dinjitet viktimave dhe duke e kthyer heshtjen në dëshmi”.
Te “Shtatori i gjëmës së madhe” Skifter Këlliçi i shmanget ndërtimit tradicional të romaneve, si hyrja, pikëlidhja, zhvillimi, pika kulmore, zgjidhja dhe mbyllja. Ai na dhuron një strukturë krejt ndryshe, me pikëlidhje të menjëhershme, zhvillimin e ngjarjeve në lartësinë e pikës kulmore, si në një rrafshnaltë tejet të zgjatur.
Grafiku i emocioneve përngjan me atë të një fjalie pyetëse që përfundon me intonacion të lartë. Romani me një narrativë të ndërtuar thjesht i ngjan grafikut të një fjalie dëftore që fillon me intonacion të ulët, arrin pikën kulmore dhe pastaj bie gjatë mbylljes. Në roman lexuesi përjeton tmerret e pikës kulmore dhe pret derisa të bien tensionet me emocione të larta, por kjo nuk ndodh dhe ato mbeten në rrafshnaltën e pikës kulmore. Zhvillimet i mbajnë pikat kulminante të emocioneve. Kompozicioni i ndërlikuar bën që lexuesi të përjetojë emocione të forta deri në fund të romanit. Ndërkohë, të papriturat e shumta dhe të ndërlikuara shtojnë interesin për të mësuar se çfarë do të ndodhë pas çdo çasti intrigues dhe se ç’zgjidhje do t’u japë autori ngjarjeve të reja shqetësuese me mëdyshjet e personazheve.
Nivel i narrativës
Ashtu siç e përmend në Parathënien e vet kritikja italiane Gallello: “Në këtë roman çdo fjalë është e përzgjedhur me kujdes, çdo skenë është ndërtuar për të lënë gjurmë që nuk kufizohet vetëm në rrëfenja por denoncon”.
Autori ka përdorur një narrativë të nivelit të lartë dhe të tensionuar artistike të realizuar përmes sinonimeve, fjalëve të reja dhe ndërtimit sintaksor të fjalisë. Ligjërimi i përpiktë i personazheve të trevave të shqiptarisë bën edhe lokalizimin historik dhe trevëror. Ligjërimi i Marko Muzakës për historinë e dhimbshme të shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut na çon në More dhe në kolonitë arbëreshe në Itali. Po ashtu tregimet e Besmirit nga Kosova që lidhet me Martën nga Mali i Zi, na njohin me luftën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, për t’i shpëtuar genocidit serbomalazez.
Endjet nëpër Kosovë, Shqipëri, Greqi, Itali dhe Amerikë janë përshkruar me fjalor të pasur dhe me figuracion artistik; ndërkohë që përdorimi i fjalëve krahinore në të dy dialektet jep një tablo të gjallë të zgjuarësisë, guximit, papërkulshmërisë përpara çdo vështirësie, mbajtjen gjallë të dashurisë për vendlindjen, me shpresën e madhe se një ditë do të kthehen në vendlindjen e dashur.
Prurje dhe personazhe përfaqësuese
Siç është shprehur edhe kritika letrare, ky roman nuk kufizohet në rrëfimin e 11 shtatorit: ai mishëron një mozaik jetësh, emocionesh dhe kulturash që bashkohen në një moment tragjedie globale. Romanit i japin një frymëmarrje mbarë kombëtare edhe prurjet e personazheve tejet veprues në jetën e tyre në etapa të ndryshme historike brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Subjekti i romanit në tërësinë e vet është realizuar nëpërmjet telereporterit Stivi Ferguson, si personazh lidhës dhe përçues i veprimtarisë së dy shqiptarëve. Në fakt, veprimtaria dhe historia vetjake e personazheve shpalos historinë e dhimbshme në kohë të ndryshme, përfshirë edhe periudhën e monizmit dhe të demokracisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, Zhaklina jepet me nota dhe tone tepër të qytetëruara, si punonjëse e përkushtuar që nxit dhe u bën jehonë veprimeve të personazheve.
Përpjekja për të realizuar një dokumentar mban gjallë gjithë zhvillimin e subjektit. Përjetimet e Zhaklinës në punë, në jetën shoqërore dhe atë dashurore shtojnë emocionet, ndërkohë që edhe çastet e bisedave bëhen më gazmore dhe të prekshme. Falë përjetimeve të saj, lexuesi njihet dhe përjeton tmerret e fundit tragjike. Një kundërvënie e padëshiruar: dasëm-vdekje, anti-tezë tepër e dhimbshme, tragjike.
Nëpërmjet personazhit arbëresh Marko Muzaka njihemi me historinë e dhimbshme të shqiptarëve të mërguar pas vdekjes së Skënderbeut. Kujtesa dhe ndjenjat e forta të dhimbjes për ato endje pa fund për shkak të persekutimit e mbajnë gjallë dhe e përçojnë atdhetarinë brez pas brezi.
Besimi nga Kosova me rrëfimet e tij emocionalisht të dhimbshme shpalos egërsinë e genocidit serb që synonte spastrimin etnik të trevave të Kosovës me popullsi shqiptare. Shtegtimi i dhimbshëm i Besimit drejt Shqipërisë, i mbushur me zhgënjim në Jugosllavi, me besim se në Shqipëri do merrnin fund vuajtjet, nuk i dha kënaqësi, madje zhgënjimi në Shqipëri i dha goditjen më të madhe. Lidhja e Besmirit me Martën, vajzë nga Mali i Zi, i jep mundësi autorit, Skifter Këlliçi, të njehsojë mendimin famëkeq të shpopullimit të trevave shqiptare edhe në Mal të Zi. Shpërnguljet dhe degëdisjet e shqiptarëve nga trevat e tyre historike përshkruhen me një ligjërim të pasur në fjalor, me fjalë të reja dhe sinonime me kuptime të larmishme.
Vlen të theksohet se në ligjërimet e personazheve, shkrimtari Këlliçi, tregon kujdes për fjalorin krahinor, që romani të përfshijë të gjitha trevat e shqiptarisë. Besim Istrefi nga Prishtina, Rrok Camaj nga Gruda, Marko Muzaka arbëresh, gazetari Sokol Kama nga Tirana etj janë prurje të cilat mbështetin temën shqiptaro-amerikane kushtuar ngjarjes gjëmëmadhe të 11 shtatorit 2001.
Befasime emocionale
Vlerë tjetër e shtuar e romanit është se aty ka shumë të papritura. Një ndër to është historia e Steve dhe Zhaklinës. Siç pohon kritikja Francesca Gallello “Historia e tyre e ndërprerë në prag të martesës bëhet simbol i gjithë jetëve të ndërprera”. Të papriturat në roman sjellin emocione të shumta, të cilat të nxitin të vazhdosh leximin për të përjetuar e njohur sfidat për çdo ngjarje. E papritura prish humorin, qetësinë dhe rrjedhshmërinë e çastit, shton dyshimin, trishtimin, frikën se diçka nuk po ecën. Çuditërisht, dyshimet e personazheve si Sokoli dhe Fetia gjatë kontrollit të pranimit të udhëtarëve shkaktojnë përplasje me Përgjegjësin e tyre. Ky i fundit interesohet vetëm për imazhin e mirë të kompanisë dhe nuk do tia dijë për rreziqet që u kanosen udhëtarëve. Ai jo vetëm nuk shqetësohet nga informacioni që merr, por i kërcënon ata për pushim nga puna. Në kulmin e gëzimit dhe të haresë, kur po ngrihej dolli për dasmën e Stivit me Zhaklinën, gjatë fluturimit në avion, ndodh e papritura makabre: kryhet sulmi i egër terrorist. Çdo gjë përmbyset në mënyrë katastrofale. Kur pasagjerët të shtangur dhe tronditur kërkonin të dinin se çfarë po ndodhte, ata u gjendën përballë thikave dhe shisheve me spray djegës. Krejt papritur, kënaqësisë së udhëtimit dhe dollive për dasmën e pritshme iu shfaq tmerri për jetë a vdekje. Këto dhe të papritura të tjera krijojnë drama shpirtërore tepër të dhimbshme.
Mungoi toleranca Zero
Romani tregon se një shkak tjetër që solli gjëmën e madhe ishte pakujdesia dhe mosvlerësimi sa duhet i Rregullores lidhur me pranimin e sendeve të lejueshme të udhëtarëve në pikën e kontrollit. Toleranca zero e domosdoshme në të tilla raste ishte e munguara e madhe në atë 11 Shtator tragjik. Kontrollorët vërenin se futeshin brisqe jo më të mëdhenj se sa fotodokumenti dhe shishe erëmbajtëse që mund të shkaktonin viktima. Dyshimet e Sokolit, të përshkruara me një hamendësim të rrezikshëm, nxjerrin në pah zgjuarësinë në vlerësimin e mjeteve me të cilat mund të abuzohej dhe tregojnë korrektësi në kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë. Mangësitë e Rregullores përshkruhen në mendimet dhe dyshimet e kontrollorëve, të cilët përjetojnë emocione të forta, që e bëjnë tepër tërheqës romanin. Skifter Këllici i përshkruan me ndjenja të forta dhimbjeje pasojat që mund të vinin nga këto tolerime të rrezikshme dhe kjo e bën akoma edhe më tërheqës romanin. Sepse gjatë përjetimit të emocioneve, lexuesit krijojnë simpati për kontrollorët e përpiktë në detyrë. Përgjegjësit të tyre i janë errur sytë nga ruajtja me çdo kusht e imazhit të kompanisë, ndaj e qorton dhe e kërcënon Sokolin.
Dyshimet e kontrollorëve ishin lajmëtarët e tragjedisë së rëndë që ndodhi tek kullat binjake. Kujdesi dhe shqetësimi i tyre është i gjallë dhe plot ngarkesë emocionale, duke fituar respektin e lexuesve.
Gjithsesi, gabon kush mendon se me goditjen e kullave binjake dhe dhimbjen e madhe, ngjarjet e mëpastajme do të ulnin emocionet dhe forcën e përjetimit të tyre. Në fakt, fill pas skenave horror brenda avionëve lindin ndjesi të reja tronditëse. Ndaj edhe nuk ka rënie të kurbës së zhvillimit të ngjarjeve. Lufta për mbijetesë e fatkeqëve brenda kullave ndeshet me qëndresën e terroristëve, të cilët mashtrojnë dhe masakrojnë. Lufta për jetë a vdekje e mban të ndezur ndjenjën e urrejtjes, e cila u jep forcë udhëtarëve të çajnë përpara për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë. Përshfaqja e përfytyrimit të ditës së dasmës tek Stivi në hotel, është përshkruar me nota mallëngjimi dhe dhimbjeje. Përfytyrimi këtu shërben si një mesazh për të vepruar në kohën e duhur që në të ardhmen të mos përsëriten më kurrë skena dhe tragjedi të tilla.
Ja pse ”Shtatori i gjëmës së madhe” bart dhe përcjell vlera të mëdha gjithëkohore me mesazhin kryesor se terrorizmi mbetet rrezik i përhershëm për çdo vend.
Ai mbetet një roman tepër tërheqës për lexuesin, si për temën shqiptaro-amerikane që trajton, ashtu edhe për nivelin e lartë letraro-artistik të paraqitjes në tërësinë e vet.




Komentet