VOAL

VOAL

SHBA në pritje të publikimit të raportit për UFO-t

June 24, 2021

Komentet

CNN: Kamala Harris mund të jetë arma më e mirë e demokratëve!

Rizgjedhja e Presidentit amerikan Joe Biden nuk shihet nga të gjithë si një nga mundësitë më të larta për të ndodhur. Pasi shpesh sipas sondazheve Biden po përballet me një rënie të numrit mbështetësve të tij. Diskutimet kanë kaluar edhe tek mosha e Biden, duke e parë si një 81-vjeçar që vështirë se mund të përballojë debate të ashpra, shkruan CNN. Megjithatë ndryshe mund të thuhet për Kamala Harris.

Sipas CNN demokratët mund ta vendosin Harris në qendër gjatë fushatës presidenciale 2024.

Ajo jo vetëm që nuk shihet si pengesë, por edhe mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për të ndihmuar në sigurimin e një fitoreje në garën presidenciale.

“Ajo mund të jetë arma sekrete e partisë”, kështu shkruan më tej në artikullin e publikuar së fundmi në CNN.

Sipas një sondazhi të New York Times/ Siena College në nëntor Harris është renditur si më e populluara në krahasim me Biden. Me Harris duke bërë fushatë në krah të tij, Biden do ta ketë ndoshta sfidën pak më lehtë.

Parë nga ky këndvështrim Harris “ka ndryshuar” strukturën brenda partisë së saj dhe mes elektoratit. Shtrirja e saj do të jetë veçanërisht e rëndësishme mes votuesve të rinj.

Biden fitoi 60 % të votuesve nën 30 vjeç në zgjedhjet e vitit 2020 dhe ky target do të jetë sërish i rëndësishëm për të arritur një fitore në 2024.

Një tjetër çështje me rëndësi është ajo e emigrantëve, një temë që ajo mund ta trajtojë drejtpërdrejt, pasi kujtojmë që në një takim të zhvilluar në kampus kolegjin në Flagstaff, Arizona, ajo përmendi përvojën e saj si një nënë emigrante. Mund të shihet si një frymëzim, një arsye që demokratët të festojnë, lloji i figurës që miliona njerëz mund të gjejnë veten. Megjithatë kritikët ndaj saj janë të shumë.

Demokratët duhet të përqafojnë atë që republikanët i trembeshin prej kohësh; “se kjo zëvendëspresidente nuk ka të bëjë vetëm me avancimin e interesave të politikbërjes së Uashingtonit. Por gjithashtu bëhet fjalë për të ardhmen e partisë”.sn

Senatorja Shaheen: Radoiçiqi duhet të arrestohet për Banjskën

Senatorja amerikane, demokratja Jeanne Shaheen, tha se Millan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjet e shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

Shaheen, që po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, tha se është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se sa i përket Radoiçiqit, palët duhet të bashkëpunojnë.

“Unë mendoj se ata duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta çojnë në burg. Ai e ka pranuar përfshirjen e tij dhe ajo çfarë ndodhi më 24 shtator, vrasjet [e një polici të Kosovës dhe tre sulmuesve serbë], tani ai duhet të mbahet përgjegjës për këto veprime. Kosova dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë për këtë çështje”, tha ajo gjatë një paneli që kishte në fokus situatën në Ballkan.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve që pasuan në këtë fshat të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serb.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, të cilin e konsideron terrorist, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të. Prishtina po ashtu ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë Radoiçiqin.

Ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarrestime.

Pas ngjarjeve në Banjskë, Serbia e la të lirë Radoiçiqin, por me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia, e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, deklaroi Sveçla më 16 shkurt.

Disa ditë sulmit, Sveçla kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se mbi “80 terroristë” kishin qenë të përfshirë në të.

Gjatë panelit të diskutimit në Munih, senatorja demokrate Shaheen, e cila në të kaluarën ka vizituar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë, tha se është e rëndësishme që SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të përqendrohen në atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, qoftë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, në situatën në Bosnje e Hercegovinë apo në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sa i përket temës së fundit, ajo tha se shtetet që ndërmarrin vendime të vështira dhe bëjnë reforma, duhet të shpërblehen në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

“Ne po ndërtojmë një koalicion në Senat për nevojën se ne duhet të mbështesim përpjekjet në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Shaheen shtoi se do të vazhdojë të shtyjë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, që të mbështesë përpjekjet për paqe në Ballkanin Perëndimor.

“Dua të theksoj se këto përpjekje diplomatike janë publike dhe private. Pra, ka gjëra që ndodhin në prapaskena që ndihmojnë në ‘lëvizjen e topit’ në mënyrë që të lëvizin gjërat që thuhen publikisht”, tha Shaheen.

Kosova e konsideron SHBA-në aleaten më të madhe të saj. Por, së fundi raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit janë tendosur pasi Kosova nisi zbatimin e një rregulloreje për pagesa me para të gatshme, që përjashton përdorimin për pagesa të dinarit serb – valutë që përdoret nga popullata serbe në Kosovë.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se mospërfillja e kërkesës së tyre për shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

SHBA-ja ka argumentuar se rregullorja është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.rel

Trumpi shkund aleatët e NATO-s

Valona Tela

Me një personel ushtarak prej 1.3 milion vetash, Shtetet e Bashkuara kanë ushtrinë më të madhe në aleancën 31-anëtarëshe të NATO-s me plot 3.3 milionë pjesëtarë.

Trupat amerikane janë të dislokuara gjetkë në Evropë: në vende anëtare të NATO-s, si Polonia, Lituania, Letonia e Gjermania, por edhe në vende joanëtare, si Kosova apo Qiproja. Qëllim i tyre është paqeruajtja ose ndonjë mision tjetër bashkëpunimi. Në Kosovë, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka aktualisht mbi 4.400 ushtarë, prej tyre 572 amerikanë. Mandat i tyre është të ruajnë paqen dhe të frenojnë ndonjë armiqësi të re kundër Kosovës.

Javën e kaluar, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili pritet të garojë sërish në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, i ka shtangur aleatët këndej Atlantikut, me disa deklarata që sfidojnë karakterin unitar të NATO-s. Duke folur në një tubim politik në Karolinë të Jugut, ai ka thënë se SHBA-ja mund të mos i mbrojë aleatët që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje, në rast se sulmohen nga Rusia.

“Nuk do t’ju mbroj. Në fakt, do ta inkurajoja [Rusinë] të bëjë çfarë dreqi do. Duhet të paguani. Duhet të paguani faturat”, ka thënë Trump.

Lemeri – ka qenë emëruesi i përbashkët i reagimeve të aleatëve në Evropë. Ndërsa, presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka shumë gjasa të sfidohet nga Trumpi në garën për rizgjedhje në nëntor, ka thënë se deklaratat e tij janë “të rrezikshme, të turpshme dhe joamerikane”.

“Derisa unë jam president, nëse [presidenti rus, Vladimir] Putin sulmon një anëtar të NATO-s, SHBA-ja do të mbrojë çdo inç të territorit të NATO-s”, ka thënë Biden.

E themeluar qysh më 1949, me qëllim që të bllokonte zgjerimin e Bashkimit të atëhershëm Sovjetik, aleanca më e madhe ushtarake në botë funksionon mbi parimin e mbrojtjes së përbashkët, që do të thotë se sulmi kundër një anëtari, konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

Kur Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, NATO-ja ka thënë se ai përbën “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve”.

Por, Trump ka histori të gjatë të komenteve nxitëse kundër NATO-s. Si president nga viti 2017 deri më 2021, ai ka kritikuar vazhdimisht shtetet anëtare që nuk e kalojnë pragun minimal të shpenzimeve për mbrojtje dhe në disa raste ka thënë se do të donte që SHBA-ja edhe të tërhiqej krejtësisht nga NATO-ja.

Për të parandaluar tërheqjen eventuale, Kongresi amerikan ka miratuar dhjetorin e kaluar një ligj, që e kufizon fuqinë e presidentit në këtë drejtim.

Ligji thotë se presidenti “nuk e pezullon, ndërpret ose tërheq pjesëmarrjen e SHBA-së nga Traktati i Atlantikut të Veriut, pa votën e shumicës në Senat ose pa një akt të miratuar nga Kongresi”.

Kjo, megjithatë, nuk e ndalon një president të bëjë veprime që e përçajnë NATO-n, thotë Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, ai thotë se presidenti amerikan ka kompetenca të jashtëzakonshme mbi mënyrat se si SHBA-ja ndërvepron me aleatët. Ai mund ta zvogëlojë numrin e stërvitjeve në të cilat marrin pjesë amerikanët, mund t’i ndalojë pagesat për infrastrukturën e NATO-s dhe jo vetëm.

“Ai mund t’i reduktojë veprimet dhe angazhimet e Amerikës, përfshirë praninë në Kosovë, praninë në shtetet e Baltikut, ose praninë në Gjermani. Si komandant i përgjithshëm, ka shumë opsione, për të cilat njerëzit duhet të mendojnë”, thotë Volker.

Edhe në këtë skenar, shton ai, SHBA-ja do të obligohej t’i mbronte aleatët e NATO-s, por nuk do të ishte e përgatitur. Sipas tij, nuk mjafton vetëm të thuhet se “jemi bashkë” – “duhet pasur edhe kapacitete”.

Dhe, kësaj deklarate i bën jehonë edhe Kathleen McInnis, eksperte e NATO-s në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“I gjithë diskutimi është fokusuar në atë se kush shpenzon më shumë në mbrojtje dhe kemi harruar situatën në tërësi. Pa prani në Evropë, SHBA-ja nuk mund të marrë pjesë në operacione të koalicioneve, në ekspedita, në operacione kundër terrorizmit në Afrikë apo në Lindje të Mesme. NATO-ja ia vlen jashtëzakonisht shumë për paratë që jep SHBA-ja”, thotë McInnis për Exposenë.

SHBA-ja, pas Polonisë, është kontribuuesja më e madhe financiare në NATO. Fuqia e NATO-s për të penguar sulmet e një agresori, mbështetet ekskluzivisht tek armatimi i SHBA-së, thotë Volker.

“Shtetet e Bashkuara posedojnë 50 deri në 60 për qind të kapaciteteve ushtarake të NATO-s. Ato e kanë parandaluesin bërthamor që e mbulon të gjithë aleancën. Nuk mendoj se është e lehtë të zëvendësohet”, sipas tij.

Shumë presidentë amerikanë, nga Harry Truman deri te Barack Obama, u kanë bërë po ashtu thirrje shteteve evropiane që t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje, por shumica e kanë bërë këtë privatisht.

Sipas të dhënave që ka publikuar NATO-ja, në vitin 2023, vetëm 11 nga 31 vendet anëtare kanë zbatuar udhëzuesin e aleancës për të shpenzuar së paku dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje (PBB).

“Polonia, për shembull, do të shpenzojë 4% të PBB-së së saj për mbrojtje këtë vit. Ajo po blen edhe pajisje moderne dhe po ndërton një nga ushtritë më të mira në NATO për momentin. Edhe vende të tjera kanë filluar ta bëjnë këtë. Por, disa vende të mëdha, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, kanë investuar pak dhe nuk i kanë kapacitetet që do të duheshin”, thotë Volker.

Dhe, pikërisht zyrtarët ushtarakë në vendet si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania e kanë paralajmëruar publikun e tyre që të përgatitet për luftë potenciale me Rusinë.

“Është një moment vërtet shqetësues”, thotë McInnis nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Do të duhej shumë punë për ta mbështetur mbrojtjen e Evropës kundër pushtimit të mundshëm rus. Lufta tani është në Ukrainë, por ka shumë spekulime se Moska mund ta zhvendosë atë në ish-territoret e saj perandorake, që tani janë vende të NATO-s”, shton ajo.

Kremlini nuk i ka komentuar deklaratat e Trumpit, të cilat ai vetë i ka përsëritur edhe këtë javë.

Por, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Evropa nuk duhet të bëjë përpjekje për të vazhduar e vetme në mbrojtje.

“Çdo përpjekje për ta shkëputur Evropën nga Amerika e Veriut, do ta ndante edhe Evropën. Qëllimi im kryesor është që, pavarësisht dallimeve që kemi, të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Stoltenberg.

Dhe, pyetja që ia vlen të konsiderohet në këtë situatë, është: A mund të mbijetojë NATO-ja pa Amerikën?

“Teknikisht, NATO-ja është organizatë e të gjitha vendeve anëtare dhe nëse një vend anëtar, dëshiron të largohet me vullnetin e tij, asgjë nuk ndryshon për askënd. Pra, teknikisht, NATO-ja do të jetë aty, por nuk do t’i ketë kapacitetet që i ka me Shtetet e Bashkuara dhe këtu është dallimi”, thotë Volker.

“Do të ishte shumë ndryshe. Kapacitetet do të ishin shumë ndryshe. Evropa ka parandalues bërthamor. Edhe Mbretëria e Bashkuar, edhe Franca kanë armë bërthamore. Pra, ekziston një lloj i mbrojtjes. Do të ishte më sfiduese, por jo e pamundur”, thotë McInnis.

Deri më tash, asnjë vend nuk është tërhequr ndonjëherë nga NATO-ja. Neni i statutit të NATO-s që tregon se si një vend mund të tërhiqet, është edhe një dëshmi se sa e rëndësishme është SHBA-ja për organizatën.

Sipas këtij neni, “një vend që dëshiron të tërhiqet, duhet t’i njoftojë Shtetet e Bashkuara një vit përpara se planifikon të dalë”.

Javën e kaluar, kur republikanët në Kongresin amerikan kanë bllokuar një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u është kthyer atyre me fjalët:

“Të nderuar senatorë republikanë të Amerikës, Ronald Reagan, i cili ka ndihmuar miliona prej nesh për të rifituar lirinë dhe pavarësinë tonë, do të jetë rrotulluar sot në varr. Turp të keni”, ka shkruar Tusk në platformën X më 8 shkurt.

Ronald Reagan ka shërbyer si president i SHBA-së nga viti 1981 deri më 1989. Ai njihej për vendosmërinë e tij për të shkatërruar komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik.

Reagan mund të jetë rrotulluar në varr edhe kur pasardhësi i tij i mundshëm, Donald Tump, ka thyer premtimin e SHBA-së se do t’i mbrojë aleatët evropianë, nëse ata nuk i rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes. Për më tepër, ai ka inkurajuar edhe Rusinë që “të bëjë çfarë dreqi të dojë” me ta.

Blinken uron Kosovën: Mbështesim aspiratat në deklaratën tuaj të pavarësisë e kushtetutë, për kontribut në stabilitet e fqinjësi të mirë

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar Kosovën me rastin e përvjetorit të 16-të të pavarësisë. Blinken shprehet se SHBA vlerëson partneritetin e qëndrueshëm të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes dy popujve.

Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA inkurajon Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje reciproke të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes përfundimtare reciproke.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, ka shkruar Blinken.

“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të prosperojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken.

“Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paç një vit të qetë dhe të begatë përpara”, ka përfunduar Blinken.bw

Biden uron 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës: Inkurajojmë Prishtinën të përmbushë detyrimet e dialogut me Serbinë

Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.

 

“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, me lehtësim të BE-së, që nga viti 2011.

 

SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.

Palët ndër vite kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në praktikë. Një prej marrëveshjeve që faktori ndërkombëtar i kërkon me ngulm Kosovës që ta zbatojë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit dhe u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

 

BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar por është obligative për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet./REL

 

Donald Trumpi përsërit kërcënimet se do të sakrifikojë aleatët e NATO-s për Rusinë

Donald Trumpi ka ripërsërtur kërcënimet për të minuar NATO-n, duke thënë se SHBA nuk do të mbrojë aleatët që nuk do të paguajnë mjaftueshëm për të ruajtur aleancën nëse ai kthehet vitin e ardhshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur në një tubim në Karolinën e Jugut, ish-presidenti amerikan tha se “unë po thosha, ‘Shiko, nëse ata nuk do të paguajnë, ne nuk do t’i mbrojmë ata, në rregull? Dhe Biden, i cili tha, ‘Oh , kjo është aq e keqe. Kjo është aq e tmerrshme’. Jo … askush nuk i paguan faturat. Një nga krerët e shtetit pyeti se “a do të thotë kjo që ju nuk do të na mbroni nëse ne nuk paguajmë faturat tona?” Kjo është pikërisht ajo që do të thotë. Unë nuk do t’ju mbroj”.

Trump ndezi zemërim dhe alarmin javën e kaluar kur tha se do të inkurajonte Rusinë të sulmonte anëtarët e NATO-s, të cilat nuk shpenzojnë për mbrojtjen 2 për qind të GJDP-së, raporton theguardian.

Biden shprehu zemërimin e tij, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën se çfarë mendonte për komentet e Trumpit.

“A mund ta imagjinoni ish-presidentin e SHBA-së ta thotë këtë? E gjithë bota e ka dëgjuar. Gjëja më e keqe është se ai e ka ndërmend ta bëjë. Asnjë president tjetër në historinë tonë nuk është përkulur para një diktatori rus. Më lejoni ta bëj këtë sa më qartë që të mundem. Nuk do ta bëj kurrë. Për hir të Zotit, është marrëzi. E turpshme. E rrezikshme. Joamerikane”, pohoi 81-vjeçari. Në Bruksel, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se Trumpi me këtë deklaratë kërcënoi se do të “minojë besueshmërinë e NATO-s”.

Sipas Sky News, SHBA shpenzon shumë më tepër se çdo nga 30 shtetet e tjera anëtare për mbrojtjen, me të dhënat e NATO-s që tregojnë se vendi shpenzoi 860 miliardë dollarë në vitin 2023 – që është 3.49 për qind e GJDP-së së saj, një masë e pasurisë totale të një vendi.

Ndryshe, 31 anëtarët e NATO-s kanë rënë dakord për një objektiv për të shpenzuar të paktën 2 për qind të GJDP-së për mbrojtjen, por vlerësimet e vetë aleancës tregojnë se vetëm 11 vende po shpenzojnë kaq shumë.

Shifra prej 2 për qind përshkruhet si një udhëzues nga NATO dhe nuk është e detyrueshme – megjithëse aleanca thotë se “shërben si një tregues i vullnetit politik të një vendi për të kontribuar në përpjekjet e përbashkëta të mbrojtjes së NATO-s”.bw

Kryetari i Komisioni të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron për një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare

VOA

Kryetari republikan i Komisionit për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve i bëri thirrje administratës së Presidentit Biden të mërkurën të deklasifikojë informacionin për atë që ai e quajti një kërcënim serioz të sigurisë kombëtare.

Ligjvënësi Mike Turner nuk dha detaje për natyrën e kërcënimit dhe administrata e Presidentit Biden refuzoi të jepte përgjigje. Por disa nga ligjvënësit kryesorë, përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson kërkuan të bëhet kujdes për të mos ngjallur panik.

Një këshilltar i lartë i një ligjvënësi tha, se sipas tij, kërcënimi lidhet me një armë ruse kundër-satelitore në hapësirë, për të cilën ende nuk dihet nëse është vendosur në hapësirë apo jo. Një armë e tillë mund të paraqesë rrezik të madh për satelitët amerikanë.

Këshilltari, i cili foli me kusht që të mos të identifikohet, tha se ende nuk është e qartë nëse kjo armë ruse ka kapacitet bërthamor, por shtoi se ky është burimi i frikës.

Zoti Turner gjatë ditës së mërkurë u dërgoi një letër anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve duke thënë se komisioni ka “identifikuar një çështje urgjente për një kapacitet të huaj destabilizues ushtarak” që duhet të ndahet me të gjithë politikbërësit e Kongresit. Ai i nxiti ata të shkojnë në një dhomë të sigurtë për t’u njohur me informacionin.

Zoti Turner është njëri prej zërave që kërkon një politikë më të fuqishme kombëtare amerikane, që e ka përplasur atë me disa nga kolegët e tij republikanë që ndjekin një politikë më izoluese. Ai ka bërë thirrje për forcim të mjeteve të përgjimit të qeverisë amerikane, ndërkohë që disa republikanë dhe demokratë të vijës liberale, kanë ngritur shqetësime rreth privatësisë.

Ai po ashtu përkrah vazhdimin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë në një kohë kur çështja e sigurimit të financimit është e pasigurtë për shkak të kundërshtimit në Dhomën e Përfaqësuesve ku shumicën e përbëjnë republikanët.

Kryetari i kësaj dhome, Johnson tha se nuk është i autorizuar të zbulojë informacionin sekret. “Duam t’i sigurojmë të gjithë, se jemi në kontroll të situatës. Po punojmë dhe nuk ka nevojë për alarm,” u tha ai gazetarëve në Kapitol.

Ligjëvënësi demokrat Jim Himes, anëtar i lartë i Komisionit për Zbulimin, tha në një deklaratë se informacioni sekret është “i rëndësishëm” por “nuk ka arsye për panik.”

Komisioni i Zbulimit i Senatit deklaroi se po e përcjell situatën.

“Do të vazhdojmë ta trajtojmë me seriozitet këtë çështje dhe jemi duke diskutuar hapat e ardhshëm me administratën,” deklaruan kryetari i komisionit Senatori Mark Warner dhe Senatori Marco Rubio, nën-kryetari republikan. “Ndërkohë, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos zbuluar burimet dhe metodat që mund të jenë qenësore për t’iu ofruar Shteteve të Bashkuara një mori opsionesh për veprim”, shtuan ata.

Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit shprehën pakënaqësi me mënyrën se si zoti Turner ngriti shqetësimet e tij. Deklarata e tij duket se e zuri të papërgatitur administratën e Presidentit Biden.

Këshilltari i Presidentit për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai do të takohej të enjten, sipas një takimi të programuar ditë më parë, me ligjvënësin Turner dhe udhëheqësit e tjerë të lartë të Dhomës së Përfaqësuesve. Zoti Sullivan nuk e bëri të ditur temën e takimin dhe nuk dha detaje për deklaratën e zotit Turner.

“Do të takohem me të dhe me anëtarët e tjerë nesër,” deklaroi zoti Sullivan. “Nuk mund të them asgjë më shumë në këtë moment.”

Ai e pranoi se nuk është procedurë e zakonshme të ofrohet një takim i tillë me ligjvënësit.

“Mund të them se personalisht kam kontaktuar… (me ligjvënësit e Komisionit). Është shumë e pazakontë që një këshilltar i sigurisë kombëtare ta bëjë këtë,” tha zoti Sullivan. Ai tha se ka kontaktuar me ta në fillim të javës.

Krytari i Dhomës së Përfaëqsuesve Johnson tha se ai i ka dërguar një letër muajin e kaluar Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar takim me presidentin për të diskutuar “çështjen serioze të sigurisë kombëtare që është sekrete.” Ai tha se takimi me zotin Sullivan të enjten është në përgjigje të kërkesës së tij.

Biden i shkruan letër Vuçiçit, i përmend kompromiset për Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka inkurajuar Serbisë të marrë veprime proaktive për dialogun me Kosovën, teksa i ka përmendur se për normalizim të shpejtë duhet të përfshihen edhe kompromiset po që se është e nevojshme.

Në një letër drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë së Serbisë, Biden ka garantuar se SHBA-ja do të punojë ngushtë me Serbinë e Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog.

“Inkurajoj Serbinë të bëjë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur të jenë të nevojshme, me synim që të normalizohen shpejt marrëdhëniet me Kosovën përmes dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet ndër të tjera në letrën e Biden për Vuçiçin.

Presidenti amerikan ka thënë se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiçit, u është bashkuar 140 vendeve demokratike të botës në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e rëndësishme që të mbetemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe ta dënojmë luftën brutale të Rusisë”, vijon letra e tij.

Siç ka raportuar “N1”, në letrën e Biden për Vuçiçin theksohet se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, është kyç për të ardhmen paqësore dhe të suksesshme të Serbisë dhe rajonit”.sn

Dhoma e Përfaqësuesve voton për shkarkimin e sekretarit të Sigurisë Kombëtare

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë votuar për shkarkimin e shefit të emigracionit të presidentit amerikan, Joe Biden. Çështja më pas do të shkojë në Senat, ku do të mbahet gjykimi ndaj sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, i cili është anëtari i parë i kabinetit amerikan që po përballet me këtë procedurë në pothuajse 150 vjet.

Konservatorët në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, fajësojnë sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, për rritjen e hyrjeve ilegale nga Meksika, që ata e kanë cilësuar si “katastrofë humanitare”.

Ligjvënësit miratuan dy akuza ndaj tij, përkatësisht atë për “refuzim të vullnetshëm dhe sistematik” për të zbatuar ligjin e imigracionit dhe “shkelje të besimit të publikut”.

Ky ishte tentimi i dytë i republikanëve ndaj Mayorkas, pas përpjekjet e para për të nisur procedurat për shkarkimin e tij dështuan javën e kaluar.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 214 vota për dhe 213 kundër për procesin që në anglisht njihet si “impeachment” dhe çështja tani do të kalojë Senat, ku pritet të mbahet gjyqi.

“Përveç shpalljes së luftës, impeachment është padyshim autoriteti më serioz që i është dhënë Dhomës dhe ne e kemi trajtuar këtë çështje në përputhje me rrethanat”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

“Pasi që sekretari po refuzon të bëjë punën e tij për të cilën është konfirmuar në Senat, Dhoma duhet të reagojë”, shtoi ai.

Por, Biden menjëherë kundërshtoi këtë vendim të ligjvënësve në Dhomë duke e cilësuar si “akt flagrant antikushtetues që ka vënë në shënjestër një nëpunës të nderuar publik në mënyrë që të luhen lojëra të ulëta politike”.

Herën e fundit që Dhoma kishte votuar për nisjen e gjyqit ndaj një anëtari të kabinetit ishte më 1987 ndaj sekretarit të Luftës, William Belknap, që u akuzua për korrupsion.

Megjithatë, Mayorkas pritet të lirohet nga akuzat e Dhomës gjatë gjyqit në Senatin e udhëhequr nga demokratët.

Votimi ndaj Mayorkas ndodhi në kohën kur Dhoma dhe Senati po përplasen lidhur me frenimin e emigrantëve ilegalë. Në dhjetor, u shënua rekord pasi në ditë në kufirin SHBA-Meksikë u ndaluan 10.000 emigrantë ilegalë.

Çfarë është “impeachment”?

Procedura për shkarkimin e një pjesëtari të Qeverisë amerikane, apo edhe ndaj presidentit, që në anglisht njihet si “impeachment”, do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.
Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e zyrtarit nga detyra.rel

Yuri Kim: Vizita e Sekretarit Blinken në Shqipëri, e përqendruar tek e ardhmja e vendit, Ballkanit Perëndimor dhe Evropës

VOA

Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim tha të martën se vizita e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Shqipëri të enjten do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.

Zonja Kim foli në një konferencë telefonike për shtypin së bashku me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien lidhur me vizitën e zotit Blinken në Shqipëri dhe atë në Mynih për Konferencën e Sigurisë.

“Vizita vjen pasi ne kemi hyrë në 100 vjetorin e dytë të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe në një kohë kur duam të falenderojmë kryeministrin Rama dhe shqiptarët për rolin e tyre si bashkëpenëmbajtës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2022 deri në 2023. Shqipëria është tani në Këshillin e të Drejtave të Njeriut”, tha ajo.

Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Matthew Miller para disa ditësh për vizitën e zotit Blinken në Shqipëri, thuhej se Shqipëria është “një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i qëndrueshëm në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”

Ish-ambasadorja e Shqipërisë Yuri Kim tha se zoti Blinken do të veçojë bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.

“Duam t’i falënderojmë që ishin mikpritës kryesorë për afganët në nevojë dhe shqiptarët vazhduan kështu traditën e tyre historike për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha zonja Kim.

Ajo tha se Sekretari Blinken do të qendrojë në Shqipëri që nga ora 11:00 paradite deri në 7-8 në mbrëmje dhe gjatë vizitës do të ketë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe me Kryeministrin Edi Rama, si edhe do të dalë para medias me zotin Rama.

Ish-ambasadorja Kim tha gjithashtu se zoti Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.

Ajo tha se takimi është i rëndësishëm jo vetëm për shkak se do të jetë një bashkëbisedim me të rinj që kanë studiuar në SHBA, por edhe pse mbahet tek Piramida që dikur ka qenë simbol i komunizmit dhe regjimit shtypës dhe izolues.

“Por rreth dy vjet më parë, Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, bashkëpunuan për ta shndërruar piramidën në thelb një inkubator për inovacionin në teknologji, kështu që mendoj se është një ide e bukur”, tha ajo.

Zoti O’Brien në komentet e tij, tha se në Konferencën e Mynihut, ku do të mbajë një fjalim kryesor Nënpresidentja Kamala Harris, Sekretari i Shtetit, Blinken do ta vënë theksin tek mbështetja për Ukrainën tek konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Tajvanit.

Ndihmës sekretari i Shtetit tha se SHBA do të sigurojë gjithashtu aleatët për mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit, duke iu përgjigjur shqetësimeve pas komenteve të ish-presidentit Donald Trump për NATO-n.

O’Brien: Qeveria të tërhiqet nga vendimi për dinarin

VOA/Arben Xhixho

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit. Në një intervistë për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, zoti O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan. Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë, thotë zoti O’Brien. Vendet modern të Evrops, thotë zoti O’Brien i zgjidhin këto çështje me dialog paraprak dhe informojnë banorët me kohë. Zyrtari amerikan tha se kishte patur disa kontakte me kryeministrin Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.

I pyetur lidhur me marrëdhëniet Kosovë Serbi që pas marrëveshjeve të Ohrit, zoti O’Brien tha se zbatimi i tyre, i përket secilës palë të ndërmarrë veprimet e veta, e pakushtëzuar nga pala tjetër. Serbia tha ai, ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes de-fakto të Kosovës, si çështja e targave dhe dokumenteve doganore. I pyetur nëse Beogradi qëndron prapa sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë, Zoti O’Brien tha se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të, tërhoqi trupat afër kufirit me Kosovën dhe se Uashingtoni pret që Serbia të ndjekë penalisht personat përgjegjës.

Zëri i Amerikës: Zoti O’Brien, vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për të nxjerrë nga qarkullimi dinarin serb është acarimi i fundit në marrëdhëniet ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë. Qeveria në Prishtinë thotë se dëshiron të zbatojë ligjet e veta, Kushtetutën e saj, të lejojë vetëm Euron si monedhë të vetme. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po thonë ndryshe. A mund të na tregoni përse mendoni kështu?

Jim O’Brien: Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin.

Zëri i Amerikës: Duket që Qeveria e Kosovës e kuptoi këtë edhe pas trysnisë ndaj saj dhe Banka Qendrore njoftoi për një shtyrje tre mujore. A është kjo kohë e mjaftueshme, sipas mendimit tuaj?

Jim O’Brien: Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane.

Zëri i Amerikës: A keni biseduar me Kryeministrin për shqetësimet tuaja dhe për këtë sugjerim?

Jim O’Brien: Kemi patur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas.

Zëri i Amerikës: Dhe si e prit ai vlerësimin tuaj?

Jim O’Brien: Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere.

Zëri i Amerikës: Zoti O’Brien, Bashkimi Evropian ka vendosur disa masa kufizuese ndaj Kosovës, pa i quajtur sanksione. A planifikojnë Shtetet e Bashkuara ta bëjnë të njejtën gjë, nëse Prishtina këmbëngul në qëndrimin e saj?

Jim O’Brien: Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere.

Zëri i Amerikës: A e shihni çështjen e dinarit të lidhur me Asociacionin?

Jim O’Brien: Çështja është se çfarë problemi po synon të zgjidhë vendimi i ri. Është e drejtë e Kosovës të vendosë se çfarë valute po dërgohet në juridiksionin e saj. Asociacioni do ta zgjidhte këtë problem duke qartësuar çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët.

Zëri i Amerikës: Qeveria e zotit Kurti ka rënë dakort për asociacionin, që do ta zgjidhte çështjen e dinarit, por e konsideron atë si lëshim të madh që i është bërë Beogradit në këmbim të njohjes de facto të Kosovës, apo që të paktën Beogradi të nënshkruajë marrëveshjet për të cilat janë pajtuar palët. A ka të drejtë zoti Kurti? A duhet njohja de facto të ndodhë paralelisht me krijimin e Asociacionit?

Jim O’Brien: Në pranverën e kaluar, në Ohër, dy palët janë pajtuar për një sërë veprimesh që duhet t’i ndërmarrin njëra pas tjetrës, secila pavarësisht prej veprimeve të palës tjetrës. Dhe tani janë krijuar rrethana që i lejojnë të dy palët të fajësojnë njera tjetrën në vend që të punojnë që banorët e tyre të jenë të lirë dhe më të përparuar.
Dua të theksoj se qysh nga tetori, Serbia ka bërë dy hapa të rëndësishëm të normalizimit apo të njohjes de facto të Kosovës, përmes zbatimit të targave të makinave dhe dokumenteve doganore. Këto janë synime që janë kërkuar për një kohë të gjatë dhe u realizuan dhe besoj se ka gjëra të tjera, që do të ndodhin në këtë aspekt, nëse i kthehemi dialogut në vend që të veprojmë jashtë tij, siç vendosi të bëjë qeveria (e Kosovës).

Zëri i Amerikës: Por sipas një letre që kryeministrja e Serbisë Bërnabiç u ka dërguar zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ajo realisht hedh poshtë përmbajtjen e atyre marrëveshjeve.

Jim O’Brien: Mendoj se varianti i parë i letrës, që hodhi poshtë (marrëveshjen), është tërhequr. Ato që unë shikoj, janë veprimet, njohja de facto. Normalizimi në këto dy komponentë kyçë u bë në muajt e fundit dhe ka diskutime për gjëra tjera që mund të bëhen, nëse punojmë ashtu siç punojnë shtetet moderne evropiane.

Zëri i Amerikës: Dua t’iu pyes për incidentin në Banjskë, i cili duket se ka ndryshuar paksa qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë. A mendoni se Beogradi qëndron prapa tij?

Jim O’Brien: Pas incidentit të Banjskës, e kemi bërë të qartë se KFOR-i mbron të gjithë njerëzit e Kosovës, përfshirë ata në pjesën veriore. U kemi bërë thirrje të dy qeverive të jenë transparente dhe të hapura me KFOR-in dhe dua të theksoj se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të. Ata kanë arrestuar dhe janë pajtuar se do t’i ndjekin penalisht njerëzit që janë drejtpërdrejt përgjegjës për incidentin në Banjskë dhe trupat serbe janë tërhequr nga pjesa afër kufirit. Të gjithë këto hapa janë bërë dhe pastaj, pas Banjskës u ndërmorën hapa drejt njohjes de facto me doganën dhe targat.

Këta janë hapa të rëndësishëm që erdhën si rezultat i përgjigjes dhe përkushtimit ndaj dialogut. Pra, ne duam përkushtim për të punuar drejt zgjidhjes praktike të këtyre problemeve, jo ndërmarrjes së masave të njëanshme për përfitime vetjake që shqetësojnë partnerët tuaj po aq sa shqetësojnë qytetarët tuaj.

Vendimi – Afera me Ramën/ Gjykatësja amerikane ‘fundos’ McGonigal në prag të dënimit: Rëndohet niveli i akuzës

Pak ditë përpara 16 shkurtit, kur pritet të jepet vendimi final për dosjen shqiptare të Charles McGonigal, gjykatësja e kësaj çështje ka rënduar akoma më shumë pozitën e ish-agjentit të lartë të FBI, që u korruptua për llogari të Edi Ramës.

Gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly ka dhënë vendimin e saj të fundit përpara se të japë dënimin për pretencën e kërkuar nga prokuroria, e cila thotë se McGonigal duhet të vuajë edhe 30 muaj burg për dosjen shqiptare. Përveç kësaj, McGonigal duhet të paguajë edhe 95 mijë dollarë gjobë.

Në qendër të vendimit të fundit të gjykatëses është fakti se akuza ndaj McGonigal është rënduar me tre nivele. Kështu, fillimisht McGonigal ka pranuar fajin për akuzën e ‘fshehjes së fakteve materiale’. Avokatët e McGonigal thanë se niveli bazë i këtij krimi, përllogaritur në ligjet penale amerikane, është 6. Por për shkak të rrethanave rënduese, prokuroria thotë se ky nivel ka shkuar në 16.

Avokatët e McGonigal thonë se kjo është një përllogaritje e gabuar, ndaj kërkuan nga gjykatësja rrëzimin e kërkesës së prokurorisë. Megjithatë, gjykatësja thotë se përllogaritja është e saktë dhe se niveli total i krimit të McGonigal është 16 dhe jo 6. Sipas saj, përgjegjësia penale e McGonigal është rënduar për disa arsye.

Së pari, për shkak se prokuroria pretendon me të drejtë se duhet imponuar përgjegjësi penale për ‘këdo që me vetëdije… fsheh, mbulon, falsifikon ose bën një hyrje të rreme në çdo regjistër, dokument ose objekt të prekshëm me qëllim për të penguar ose ndikuar në hetimin ose administrimin e duhur të çdo çështje brenda juridiksionit të çdo departamenti apo agjencie të Shteteve të Bashkuara’.

Më tej, gjykatësja pranon si të bazuar kërkesën e prokurorisë se rritja e përgjegjësisë penale është bërë sepse ‘vepra e të pandehurit përfshin ndërhyrje thelbësore në administrimin e drejtësisë, që përkufizohet si përfundim i parakohshëm ose i papërshtatshëm i një hetimi për një krim, i një aktakuze, një aktgjykimi ose ndonjë vendimi gjyqësor të bazuar në dëshmi të rreme ose prova të rreme; ose shpenzimet e panevojshme të konsiderueshme qeveritare ose burimet e gjykatës’.

Në pretencën e prokurorisë thuhet se i pandehuri kishte fshehur natyrën e vërtetë të marrëdhënies së tij me personin A, në këtë rast Agron Nezën, dhe ka pranuar se ka folur ‘me një zyrtar të huaj për një çështje për të cilën personi A kishte interes financiar dhe hapi hetim penal bazuar në informacionin që i dha personi A, pa bërë publike se kishte marrë qindra mijëra dollarë nga personi A.

Në fund, gjykatësja thotë se akoma më i rëndë është fakti se veprimet e McGonigal gjatë veprës së tij rezultuan ‘në një shpenzim të panevojshëm të burimeve të konsiderueshme qeveritare’. Jo vetëm kaq, por burimet qeveritare u shpenzuan edhe sepse FBI nisi një rishikim të brendshëm të shumë hetimeve për ‘të siguruar se asnjë prej tyre nuk ishte komprometuar gjatë mandatit të të pandehurit si agjent special i FBI-së dhe agjent special mbikëqyrës’.

“Për shkak se veprimet e të pandehurit në lidhje me veprën e tij kërkuan një hetim të qeverisë që rezultoi në shpenzime të panevojshme qeveritare, në këtë rast garantohet një rritje me tre nivele,” thuhet në vendim.

Kujtojmë se vendimi final për Charles McGonigal do jepet më 16 shkurt. Ndërkohë prokuroria amerikane ka pranuar për herë të parë se qeveria shqiptare e Edi Ramës ka korruptuar një agjent të lartë të FBI për llogaritë e saj politike. Qëllimi final ishte dëmtimi i opozitës shqiptare./syri.net


Send this to a friend