VOAL

VOAL

Samiti i G20 në Romë, liderët hedhin monedhën në Fontana di Trevi

October 31, 2021

Komentet

Izraeli udhëzon ushtrinë të përgatisë plane për largimin e palestinezëve nga Gaza

Palestinezët e zhvendosur nga lufta duke u kthyer në shtëpitë e tyre në veri të Gazës më 27 janar 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Ministri izraelit i Mbrojtjes ka thënë se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës, në linjë me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta.

Israel Katz tha më 6 shkurt se plani “do të përfshijë opsione për t’u larguar përmes pikakalimeve tokësore si dhe një marrëveshje të posaçme për largim nga deti dhe ajri”.

Ai tha se mirëpret planin “e guximshëm të Trumpit, që mund të lejojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të largohet në pjesë të ndryshme të botës”.

Katz nuk tha se nëse palestinezët do të mund të ktheheshin një ditë në Gazë, që është bërë gjerësisht e pabanuar pas fushatës ushtarake 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më herët gjatë javës, Trump propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër derisa SHBA-ja të rindërtonte territorin.

Zyrtarët amerikanë më pas thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më.

Detajet e planit të Trumpit, që u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Propozimi i presidentit amerikan ka shkaktuar shqetësim se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Armëpushimi me disa faza, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar, ndaloi përkohësisht më shumë se një vit luftime në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë u vranë më shumë se 47.000 palestinezë.

Lufta detyroi popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të zhvendoseshin nga shtëpitë e tyre, shpesh më shumë se një herë, dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në enklavë.

Një vlerësim i dëmeve, i bërë nga Kombet e Bashkuara i publikuar në janar, tregoi se pastrimi i mbi 50 milionë tonë rrënojave të mbetura si pasojë e bombardimeve të Izraelit, mund të zgjasë 21 vjet.

Britania kundërshton çdo përpjekje për zhvendosje të palestinezëve nga Rripi i Gazës

Britania do të kundërshtojë çdo përpjekje për të zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës në vendet fqinje arabe kundër vullnetit të tyre, tha ministri i qeverisë Starmer.

 

“Nuk duhet të ketë zhvendosje të detyruar të palestinezëve, apo çfarëdolloj reduktim në territorin e Rripit të Gazës”, tha Sekretarja e Zhvillimit Ndërkombëtar Anneliese Dodds në Dhomën e Komunave.

Presidenti amerikan Donald Trump propozoi në fillim të kësaj jave zhvendosjen e palestinezëve nga Rripi i Gazës, teksa shtoi se SHBA-të kanë në planë të marrin kontrollin e Gazës për ta zhvilluar atë.

Ai tha se parashikon ndërtimin e një resorti ku komunitetet të ndryshme të mund të jetojnë në mënyrë harmonike.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se propozimi i Trump ishte “i jashtëzakonshëm” dhe bëri thirrje që ai të shqyrtohej. bw

Thirrja e SHBA-së për zgjedhje në Ukrainë: Hap drejt paqes apo dhuratë për Putinin?

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork, në shtator 2024.

 

Todd Prince

Premtimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund shpejt luftës së Rusisë kundër Ukrainës mori një kthesë të papritur kur i dërguari i tij tha se administrata do të donte që Kievi të mbante zgjedhje, potencialisht këtë vit dhe veçanërisht nëse arrihet një armëpushim.

Deklaratat e Keith Kellogg e nxorën në pah një çështje të ndjeshme dhe të pazgjidhur në politikën ukrainase, ndërsa përpjekjet e SHBA-së për të nisur bisedimet e paqes po shtohen dhe Kremlini po kërkon të diskreditojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke pretenduar se ai është jolegjitim.

Në një intervistë për Reuters më 1 shkurt, Kellogg tha se zgjedhjet në Ukrainë “duhet të mbahen” dhe mund të zhvillohen pas një marrëveshjeje armëpushimi, diçka që ai ka thënë se mund të arrihet brenda disa muajsh.

“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje edhe gjatë kohës së luftës. Mendoj se është e rëndësishme që ato të mbahen”, tha Kellogg për Reuters. “Mendoj se është e dobishme për demokracinë. Kjo është bukuria e një demokracie të fortë: ke më shumë se një person që mund të kandidojnë”.

Por, Zelensky ka deklaruar se zgjedhjet do të mbahen vetëm pasi të përfundojë faza aktive e luftës dhe të shfuqizohet gjendja e luftës. Në një intervistë me gazetarin britanik, Piers Morgan, ai theksoi se mbajtja e zgjedhjeve tani do të ishte e pamundur për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe sfidave logjistike, përfshirë mënyrën se si do të votonin ushtarët, qytetarët e zhvendosur dhe njerëzit në territoret e pushtuara.

Mikhail Alexeev, një politolog në Universitetin Shtetëror të San Diegos që fokusohet te Rusia dhe Ukraina, tha se administrata e Trumpit ka gjasa ta ketë ngritur çështjen e zgjedhjeve me shpresën se mund ta lehtësojë procesin e negociatave. Por, ai tha se kjo mund të jetë në favor të Rusisë, duke e quajtur atë një “manovër të rrezikshme dhe një lojë politike nga Kremlini”.

Putini ka thënë në mënyrë të përsëritur se Moska është e hapur për bisedime, por shumë ekspertë dyshojnë se ai do të vepronte me sinqeritet. Ata thonë se Putini do t’i përdorte negociatat për të krijuar imazhin e një aktori bashkëpunues, ndërsa do të fitonte kohë për të përmirësuar më tej pozicionin e Rusisë në terren në Ukrainë, ku ka bërë përparime – megjithëse me një kosto të madhe në jetë njerëzore – që shumë muaj.

“Nëse Putini arrin të vonojë administratën e SHBA-së edhe për disa muaj, atëherë ai mund të ushtrojë më shumë presion në fushën e betejës”, tha Alexeev.

*Video nga arkivi: Autoblindat që SHBA-ja i ka dhuruar Ukrainës kanë luajtur rol kyç në ngadalësimin e përparimit të forcave ruse në territoret ukrainase

Putini ka thënë vazhdimisht se Zelensky nuk do ta ketë autoritetin për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, duke pretenduar se ai është jolegjitim sepse mandati i tij pesëvjeçar ishte planifikuar të përfundonte në maj të vitit 2024, pas zgjedhjeve presidenciale të marsit.

Por, Kushtetuta e Ukrainës e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në kohën kur shteti është në gjendje lufte, që u shpall nga Zelensky kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe – ashtu si pushtimi – vazhdon edhe sot pas disa zgjatjeve të njëpasnjëshme.

Megjithatë, ukrainasit kanë debatuar për rëndësinë e mbajtjes së një zgjedhjeje presidenciale që nga viti 2023, kur ky debat u ndikua nga presioni perëndimor dhe propaganda ruse.

Senatori amerikan republikan, Lindsey Graham, një aleat i Trumpit, udhëtoi për në Kiev në maj të atij viti dhe i bëri thirrje Zelenskyt të vazhdonte me zgjedhjet sipas planit.

Ndërsa, kundërshtimi i republikanëve ndaj ndihmave së mëtejshme për Ukrainën u rrit në Kongres përpara një bllokimi disa mujor që dëmtoi pozicionin e Kievit në fushën e betejës, pasi që forcat ukrainase mbështeten kryesisht te armët amerikane.

Në atë kohë, shumë ukrainas, përfshirë liderët e opozitës dhe grupet e shoqërisë civile, dolën kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës, duke paralajmëruar se kjo do të përçante shoqërinë në një moment kritik të historisë së Ukrainës. Ata gjithashtu thanë se kjo do të rrezikonte jetën e njerëzve, duke pasur parasysh bombardimet e vazhdueshme të Rusisë ndaj zonave civile.

Ka shumë çështje të tjera me të cilat do të përballet Ukraina nëse përpiqet të mbajë zgjedhje gjatë luftës, apo edhe menjëherë pas një armëpushimi. Më shumë se 6 milionë njerëz janë larguar jashtë vendit, gati 4 milionë janë zhvendosur brenda vendit dhe rreth 1 milion janë në shërbim ushtarak, gjë që e vështirëson votimin. Së bashku, ata përfaqësojnë rreth një të katërtën e popullsisë.

“Zgjedhjet dhe një luftë në shkallë të gjerë janë të papërshtatshme. Kjo ide është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe do të çojë në humbjen e legjitimitetit të procesit dhe institucioneve të zgjedhura dhe, me shumë gjasa, në një destabilizim të rëndësishëm të shtetit në tërësi. Nëse një garë e lirë politike është e pamundur në kushte lufte, atëherë zgjedhjet nuk mund të jenë të lira”, thuhej në një deklaratë të nënshkruar nga 100 grupe të shoqërisë civile në shtator të vitit 2023.

“Të thuash se Zelensky nuk është një autoritet legjitim është plotësisht e pakuptimtë dhe absurde”, tha Alexeev.

Në një intervistë në televizionin kombëtar më 2 janar, Zelensky tha se zgjedhjet ishin të mundshme më 2025, por vetëm pas një armëpushimi.

Dhe pas komenteve të Kelloggut, një ndihmës i Zelenskyt i tha Reuters se “nëse plani i tij është thjesht një armëpushim dhe zgjedhje, ai është një plan i dështuar – Putini nuk do të frikësohet vetëm nga këto dy gjëra”.

Zelensky dhe Qeveria e tij thonë se garancitë e fuqishme të sigurisë për Ukrainën do të jenë një kusht thelbësor për çdo armëpushim apo marrëveshje paqeje.

Gjatë një vizite në Paris javën e kaluar, ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i cili humbi përballë Zelenskyt në zgjedhjet e 2019 dhe është një kundërshtar i mundshëm në një garë të ardhshme, hodhi poshtë idenë e mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës, duke thënë se i vetmi “fitues” i një vote të tillë do të ishte Putini.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Doruntina Baftiu

Zhvendosja e palestinezëve në shtete të tjera- Ministri i Jashtëm turk: Çështje e papranueshme

Kryediplomati turk kritikoi të mërkurën propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin Rripin e Gazës dhe të zhvendosin palestinezët në vende të tjera.

Kjo është një çështje e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, për agjencinë zyrtare të lajmeve Anadolu.

Ai tha se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza ishte diçka që “as ne dhe as rajoni nuk mund ta pranojmë”.

Është e gabuar edhe ta sjellësh atë për diskutim”, shtoi ai.sn

“Nuk do të lejojmë të shkelen të drejtat e popullit tonë”, presidenti palestinez Abbas kundërshton kategorikisht deklaratat e Trumpit për kontrollin e Gazës

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas hodhi poshtë “kategorikisht” deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të Rripit të Gazës nga SHBA, si dhe deklaratat e tij të përsëritura për transferimin e detyruar të palestinezëve jashtë atdheut të tyre.

“Presidenti Mahmoud Abbas dhe udhëheqja palestineze kundërshtojnë kategorikisht deklaratat për blerjen e Rripit të Gazës dhe zhvendosjen e palestinezëve nga atdheu i tyre”, thuhet në një deklaratë zyrtare nga presidenti palestinez.

“Përgjigja ndaj deklaratave amerikane për zhvendosjen” e palestinezëve nga Gaza, vëren Abbas, është se “ne nuk do të lejojmë të shkelen të drejtat e popullit tonë”. bw

Trumpi firmos memorandumin presidencial: Presion maksimal ndaj Iranit! Reuters: Synon t’i çojë eksportet e naftës të Teheranit në zero

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka rikthyer fushatën e tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, duke synuar të reduktojë eksportet e naftës së Iranit në zero për të parandaluar Teheranin nga sigurimi i një arme bërthamore. Para takimit të tij me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trump nënshkroi një memorandum presidencial që rivendos politikën e ashpër të Uashingtonit ndaj Iranit, e cila ishte praktikuar gjatë mandatit të tij të parë.

Gjatë nënshkrimit të memorandumit, Trump e përshkroi atë si shumë të ashpër dhe tha se ishte i hapur për një marrëveshje me Iranin, duke shprehur gatishmërinë për të biseduar me udhëheqësin iranian. Ai theksoi: “Me mua, është shumë e thjeshtë: Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore.” I pyetur se sa afër është Teherani për të pasur një armë, Trump u përgjigj: “Ata janë shumë afër.”

Trump ka akuzuar ish-Presidentin Joe Biden për dështimin në zbatimin rigoroz të sanksioneve ndaj eksporteve të naftës, gjë që, sipas tij, ka inkurajuar Teheranin duke i lejuar të shesë naftë për të financuar një program armësh bërthamore dhe milici të armatosura në Lindjen e Mesme. Sipas të dhënave të Administratës së Informacionit të Energjisë së SHBA-së, eksportet e naftës së Iranit sollën 53 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe 54 miliardë dollarë një vit më parë. Prodhimi gjatë vitit 2024 ishte në nivelin më të lartë që nga viti 2018, bazuar në të dhënat e OPEC-ut.

Memorandumi i Trump-it, ndër të tjera, urdhëron sekretarin e Thesarit të SHBA-së të imponojë “presion maksimal ekonomik” ndaj Iranit, duke përfshirë sanksione dhe mekanizma zbatimi ndaj atyre që shkelin sanksionet ekzistuese. Gjithashtu, ai urdhëron Departamentin e Thesarit dhe atë të Shtetit për të zbatuar një fushatë që synon “të çojë eksportet e naftës së Iranit në zero.”

Kina blen naftë nga Irani
Kina nuk i njeh sanksionet amerikane dhe kompanitë kineze janë blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane. Kina dhe Irani kanë ndërtuar gjithashtu një sistem tregtar që përdor kryesisht juanin kinez dhe një rrjet ndërmjetësuesish, duke shmangur përdorimin e dollarit dhe mbikëqyrjen nga rregullatorët amerikanë.

Kevin Book, një analist në ClearView Energy, tha se administrata Trump mund të zbatojë ligjin Stop Harboring Iranian Petroleum (SHIP) të vitit 2024 për të kufizuar disa eksporte të naftës iraniane.

Ky ligj, i cili nuk u zbatua rreptësisht nga administrata Biden, lejon marrjen e masave ndaj porteve dhe rafinerive të huaja që përpunojnë naftë të eksportuar nga Irani në kundërshtim me sanksionet. Book vuri në dukje se vendimi i muajit të kaluar nga Shandong Port Group për të ndaluar anijet e sanksionuara nga SHBA të ankoroheshin në portet e saj në provincën lindore kineze tregon ndikimin që SHIP mund të ketë.

Trump gjithashtu i ka dhënë udhëzime ambasadorit të tij në OKB të bashkëpunojë me aleatët për të “rikthyer sanksionet dhe kufizimet ndërkombëtare ndaj Iranit”, sipas marrëveshjes së vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive kryesore botërore. Kjo marrëveshje kishte hequr sanksionet ndaj Teheranit në këmbim të kufizimeve mbi programin e tij bërthamor.

SHBA doli nga marrëveshja në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Trump, dhe Irani filloi të largohej nga angazhimet e tij bërthamore sipas kësaj marrëveshje. Në vitin 2020, administrata Trump u përpoq gjithashtu të rikthente sanksionet ndërkombëtare sipas kësaj marrëveshje, por Këshilli i Sigurimit i OKB-së e hodhi poshtë këtë lëvizje.

Britania, Franca dhe Gjermania i thanë Këshillit të Sigurimit të OKB-së në dhjetor se janë të gatshme – nëse është e nevojshme – të rikthejnë të gjitha sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit për të parandaluar vendin nga sigurimi i një arme bërthamore.

Ato do ta humbasin mundësinë për ta bërë këtë më 18 tetor, kur të skadojë një rezolutë e OKB-së e vitit 2015. Kjo rezolutë e kishte sanksionuar marrëveshjen e Iranit me Britaninë, Gjermaninë, Francën, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën, e cila hoqi sanksionet ndaj Teheranit në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor.

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, ka deklaruar se rikthimi i sanksioneve ndaj Teheranit do të ishte “i paligjshëm dhe kundërproduktiv”.

Diplomatë europianë dhe iranianë u takuan në nëntor dhe janar për të diskutuar nëse mund të punonin për të qetësuar tensionet rajonale, përfshirë edhe mbi programin bërthamor të Teheranit, përpara rikthimit të Trump-it në detyrë.bw

Ukraina refuzon përpjekjet e SHBA-së për paqe, teksa Putini refuzon të takohet me Zelenskyn

Radio Evropa e Lirë

Kievi ka thënë se propozimin e Uashingtonit për paqe deri më tani është “plan i dështuar”, duke argumentuar se përpjekjet e Uashingtonit për një armëpushim dhe zgjedhje në Ukrainë nuk janë të mjaftueshme për të “frikësuar” presidentin rus Vladimir Putin.

Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, tha më 2 shkurt se të dyja palët duhet të bëjnë koncesione nëse shpresojnë të negociojnë një zgjidhje për luftën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, “veçse ka lënë të kuptohet se do të zbusë qëndrimin e tij”, tha Kelogg. “Dhe presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu do të zbusë qëndrimin e tij”.

“Ne do të kemi diskutime me të gjithë dhe besoj në një të ardhme të afërt”, shtoi ai. “Do kjo është e mirë për të dyja palët”.

Kellogg i tha Reuters se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të mbajë zgjedhje, potencialisht në fund të këtij viti, veçmas nëse arrihet marrëveshje për ndaljen e luftimeve.

Dmytro Lytvyn, ndihmës i Zelenskyt, tha më 2 shkurt se “nuk e kemi parë intervistën e plotë të zotit Kellogg, por vetëm disa citate për zgjedhjet, prandaj është e vështirë që të vlerësohet qëndrimi i tij”.

“Por, nëse plani i tij është vetëm armëpushim dhe zgjedhje, është një plan i dështuar – Putin nuk do të frikësohet vetëm me këto dy gjëra”, tha ai për Reuters.

Në Ukrainë vazhdon të jetë në fuqi gjendja e luftës dhe shteti nuk ka mbajtur zgjedhje që kur Rusia ka nisur pushtimin e shtetit më 2022 – diçka që Kellogg tha se lejohet sipas Kushtetutës ukrainase.

Putin e ka cilësuar Zelenskyn si udhëheqës “jolegjitim”, pasi mandati i tij presidencial zyrtarisht ka skaduar.

Pas deklaratave të Kelloggit, Trump tha se bisedimet me Ukrainën dhe Rusinë po shkojnë “shumë mirë”.

“Ne kemi takime dhe bisedime të arazhuara me shumë palë, përfshirë Ukrainën dhe Rusinë. Mendoj se këto diskutime janë duke shkuar shumë mirë”, tha ai pa përmendur diçka specifike.

Zelensky ka refuzuar çfarëdo marrëveshje që do t’i kërkonte atij të bëjë koncesione territoriale me Rusinë, shtet që kontrollon pjesë të mëdha të juglindjes së Ukrainës dhe Gadishullin e Krimesë.

Disa nga territoret, Moska i ka marrë nën kontroll më 2014 para se të niste pushtimin në shkallë të plotë.

Megjithatë, Ukraina – që ka më pak armë e më pak ushtarë sesa forcat ruse – ka pësuar humbje të mëdha në fushëbetejë në muajt e fundit, duke rritur presionin ndaj Zelenskyt që të zbusë qëndrimin sa i përket humbjes së territorit, të paktën përkohësisht.

E ardhmja e ndihmës ushtarake amerikane po ashtu është e paqartë. Trump ka kritikuar sasinë e ndihmës që i është dhënë Kievit, që sipas Kellogg arriti në vlerë prej 174 miliardë dollarësh gjatë administratës paraprake.

Rusia po ashtu ka pësuar humbje të mëdha në fushëbetejë dhe ekonomia e saj është rrënuar për shkak të shpenzimeve ushtarake dhe sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.

Trump është zotuar se do t’i japë fund luftës shpejtë, por nuk ka dhënë detaje për ndonjë plan të mundshëm me të cilin do të mund të pajtoheshin palët.

Kellogg më 31 janar tha se Trumpi kishte një strategji “solide” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, brenda muajsh. Por, as ai nuk ka dhënë detaje se si do të ndodhë kjo.

Vlerësimi i të dërguarit Kellogg vjen teksa në prapaskenë po zhvillohen negociata për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare.

Putin ka thënë se ka vullnet që të takohet dhe ka përgëzuar Trumpin për nismën. Ai po ashtu ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Zelenskyn, gjë që potencialisht mund të ndërlikojë çfarëdo negociate në të ardhmen.

Ukraina kërkon garanci afatgjata të sigurisë, përfshirë edhe mundësinë e dërgimit të trupave paqeruajtëse perëndimore për të parandaluar Rusinë që të rindërtojë forcat e saj dhe ta sulmojë sërish pas një armëpushim.

Moska, vritet lideri paraushtarak pro-rus

Armen Sarkysian ishte objektivi i një sulmi me bombë që la dy të vdekur dhe tre të plagosur në hyrje të një ndërtese banimi – Ai vdiq në spital

VOAL- Një shpërthim në hollin e një ndërtese banimi në brigjet e lumit Moskva, 12 kilometra larg Kremlinit, vrau dy persona dhe plagosi tre të hënën në mëngjes, sipas një numri të ri të raportuar nga agjencia ruse e lajmeve Tass dhe gazeta e përditshme Kommersant.

Objektivi i sulmit, sipas mediave lokale, ishte lideri paraushtarak Armen Sarkisyan. I lindur në Ukrainë, por me origjinë të dukshme armene, ai ishte themeluesi i batalionit paraushtarak “ArBat” i cili lufton përkrah trupave ruse, veçanërisht në Donbass. Sarkysian, i cili shoqërohej nga truproja, fillimisht u plagos rëndë dhe më pas vdiq në spital.

Dinamika të kujton sulmet e mëparshme në Rusi që i atribuohen shërbimeve sekrete ukrainase, më i fundit është ai kundër gjeneralit Igor Kirillov, i vrarë nga një bombë në kryeqytet në dhjetor. Kievi nuk e ka komentuar lajmin. RSI

Trumpi përsërit thirrjen për Kanadanë: Duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve!

Presidenti Donald Trump ka “paralajmëruar” sërish Kanadanë në luftën tregtare të nisur mes vendeve, duke përsëritur se vendi fqinj duhet të bëhet “shteti i 51-të i SHBA-ve”.

Udhëheqësi amerikan tha këtë fundjavë se do të vendosë tarifa 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika.

Të dy vendet u kundërpërgjigjën me tarifa hakmarrëse, me udhëheqësit e tyre përkatës që njoftuan masat të shtunën mbrëma.

Duke folur në platformën e tij “Truth Social” të dielën pasdite, Trump tha: “Ne paguajmë qindra miliarda dollarë për të SUBVENCIONUAR Kanadanë. Pse? Nuk ka asnjë arsye.

“Ne nuk kemi nevojë për asgjë që ata kanë. Ne kemi energji të pakufizuar”, shkroi ai.

Ai shtoi se pa “subvencionimin masiv” Kanadaja “do të pushojë së ekzistuari.

“Prandaj, Kanadaja duhet të bëhet shteti ynë i dashur i 51-të. Taksa shumë më të ulëta dhe mbrojtje shumë më e mirë ushtarake për popullin e Kanadasë – DHE PA TARIFA” theksoi Trump.

Administrata Trump kishte thënë se tarifat synonin të ndalonin përhapjen dhe prodhimin e fentanilit opioid, si dhe të bënin presion ndaj fqinjëve të Amerikës për të kufizuar emigracionin e paligjshëm në SHBA. bw

Rusia akuzohet për vrasjen e qytetarëve të vet në një sulm në Kursk

Radio Evropa e Lirë

Ushtria ukrainase dhe presidenti Volodymyr Zelensky kanë thënë se forcat ruse kanë goditur një shkollë me konvikt në rajonin rus të Kurskut – të pushtuar nga Ukraina – duke vrarë të paktën katër “qytetarë të vet” dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Sulmi i 1 shkurtit ka ndodhur disa orë pasi Kievi ka raportuar që të paktën 10 persona janë vrarë, si pasojë e një sulmi rus në një zonë banimi në qytetin ukrainas Poltava.

“Avioni rus goditi një shkollë me konvikt në qytezën Sudzha në rajonin e Kurskut me një bombë. Sulmi është kryer qëllimshëm”, ka thënë ushtria ukrainase.

Në raportime të pakonfirmuara është thënë se shumica e viktimave janë persona të moshuar që përkohësisht janë strehuar në ndërtesë.

“Në kohën e sulmit, dhjetëra banorë lokalë kanë qenë brenda në ndërtesë, duke u përgatitur për t’u evakuuar”, ka thënë ushtria ukrainase, duke shtuar se të paktën 84 civilë janë “shpëtuar dhe u është ofruar ndihmë mjekësore”.

Zelensky ka shkruar në X – dikur Twitter – se “kështu kryen luftë Rusia – Sudzha, rajoni i Kurskut, territor rus, shkollë me konvikt, me civilë duke u bërë gati për t’u evakuuar”.

“Bombë ajrore ruse. Ata e kanë shkatërruar ndërtesën edhe pse dhjetëra civilë ishin brenda. Bombat ruse shkatërruan shtëpitë ukrainase në mënyrë të njëjtë. Edhe kundër civilëve të vet, ushtria ruse po përdor taktika të ngjashme”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më vonë se forcat ushtarake ukrainase e kanë kryer sulmin.

“Më 1 shkurt, forcat e armatosura ukrainase kanë kryer edhe një krim tjetër lufte, duke kryer sulm të shënjestruar në një shkollë me konvikt në qytetin Sudzha”, ka thënë ministria përmes një deklarate.

Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Në gusht të vitit të kaluar, Ukraina ka zaptuar territor në rajonin rus Kursk, në kuadër të një ofensive të befasishme. Ndonëse ka humbur territor prej atëherë, Ukraina ka nisur sërish ofensivë më vonë, për të rikthyer tokën e humbur.

Forcat ruse kanë angazhuar rreth 11.000 ushtarë të Koresë së Veriut, për të luftuar krah ushtrisë ruse në rajonin e Kurskut, mirëpo janë përballur me humbje të mëdha, sipas zyrtarëve ukrainas dhe atyre perëndimorë.

Hamasi liron 3 pengje, Izraeli liron 183 të burgosur palestinezë

Militantët palestinezë të Hamasit lirojnë Keith Siegel, i cili mbahej peng në Gazë që nga sulmi vdekjeprurës i 7 tetorit 2023. Gazë, 1 shkurt 2025.

 

VOA Marrë nga Associated Press

Militantët e grupit Hamas liruan të shtunën tre burra që po mbaheshin peng në Rripin e Gazës ndërsa Izraeli liroi 183 të burgosur palestinezë si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi që i dha fund luftimeve 15 mujore në Gazë.

Militantët i dorëzuan zyrtarëve të Kryqit të Kuq në qytetin Khan Younis shtetasin Yarden Bibas si dhe francezo-izraelitin Ofer Kalderon, ndërsa amerikano-izraeliti Keith Siegel, i cili dukej i zbehtë dhe i dobët, iu dorëzua Kryqit të Kuq të shtunën në mëngjes, në qytetin e Gazës, në veri.

Të tre u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, që shkaktoi luftën. Lirimi i tyre e çon në 18 numrin e pengjeve të liruar që nga fillimi i armëpushimit më 19 janar.

Zyrtarët e burgjeve izraelite njoftuan lirimin e të 183 të burgosurve palestinezë të shtunën. Rreth 111 të arrestuar pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, u liruan në Gazë. Të tjerë u kthyen në Bregun Perëndimor ku u pritën me brohorima.

Trumpi deklaron sërish se dëshiron të takojë Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trumpi, ka thënë më 31 janar se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin mund të bisedojnë shumë shpejt dhe të bëjnë të ditur diçka të rëndësishme drejt dhënies fund të konfliktit në Ukrainë.

“Ne do të flasim, dhe mendoj që do të bëjmë diçka të rëndësishme”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Ne duam t’i japim fund asaj lufte”.

Sipas Trumpit, administrata e tij veçse ka pasur “diskutime shumë serioze për luftën në fjalë”, dhe për tentimet për t’i dhënë fund saj.

“Është një situatë pa asnjë kuptim dhe duhet të marrë fund”.

Trump nuk ka treguar se kush prej administratës së tij ka qenë në kontakt me rusët, mirëpo ka insistuar se dy palët “veçse po flasin”. Ai nuk ka treguar nëse personalisht është përfshirë në diskutime.

Trump ka thënë javën e kaluar se do të dëshironte të takohet me Putinin sa më shpejt për t’i dhënë fund luftës.

Ai ka thënë se në bazë të asaj që ka dëgjuar, edhe Putin do të dëshironte ta takonte.

“Secilën ditë që nuk takohemi, ushtarët po vriten në fushëbetejë”, ka thënë ai më 23 janar.

Keith Kellogg, gjeneral i pensionuar amerikan, i angazhuar për t’i udhëhequr bisedimet për dhënie fund të luftës, ka thënë në një konferencë për media më 7 janar se janë duke u bërë parapërgatitje për bisedimet mes Trumpit dhe Putinit.

Ai ka thënë se ka mundësi që Trump do të arrijë të bisedojë me Putinin dhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trump ka thënë në fushatën zgjedhore se do t’i japë fund konfliktit në Ukrainë brenda 24 orëve të marrjes së detyrës. Tani shpreson që t’i japë fund luftës brenda gjashtë muajsh.

Përgjatë fushatës, Trump ka thënë se Rusia nuk do ta pushtonte kurrë Ukrainën, nëse ai do të ishte president, ndërsa këtë pretendim e ka përsëritur edhe më 31 janar.

Trump është kritik i ndihmës që i ka dërguar Uashingtoni Kievit, dhe ka thënë se Ukraina do të duhej të bënte koncesione para nisjes së luftës, gati tre vjet më parë.

Në një intervistë të realizuar së fundmi për një televizion shtetëror rus, Putin e ka lavdëruar Trumpin si “burrë të mençur dhe pragmatik”, i cili është i fokusuar në interesat amerikane.

“Ne kemi pasur gjithmonë marrëdhënie të stilit biznesor, pragmatik, por edhe në mirëbesim, me presidentin aktual amerikan”, ka thënë Putin.

Presidenti rus e ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve direkte për paqe me Zelenskyn. Putin ka thënë se nuk e konsideron Zelenskyn lider legjitim të Ukrainës.

Zgjedhjet në Ukrainë do të duhej të mbaheshin më 31 mars 2024, mirëpo janë shtyrë sepse shteti është ende nën gjendje të luftës, për shkak të konfliktit.


Send this to a friend