Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka nisur Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane po diskutojnë me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.
Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.
Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.
“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.
Pritjet e Kosovës – liberalizimi i vizave
Nga Kosova në këtë takim po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani.
Para samitit, Osmani u tha gazetarëve se Kosova synon që në samit të theksojë që e ka vendin në Bashkimin Evropian.
“Ne e kemi vendin këtu, në mes të familjeve të kombeve evropiane, ku kemi kontribuar me shekuj. Ne kemi nevojë një mesazh të unifikuar të BE-së për Ballkanin Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë të lihet për keqdashësit, natyrisht që do ta përdorin”, tha Osmani.
Pritjet e opinionit kosovar nga samiti kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes.
Vërehet se ka rritje të mbështetjes që liberalizimi të bëhet sa më shpejt, por nuk ka pasur indikacione konkrete se kjo do të mund të përfshihej edhe në dokumentet e samitit.
Infografikë
Edhe sa shkallë deri te liberalizimi i vizave?
E pyetur nëse ka shpresa se në këtë samit do të ketë përparime në procesin e liberalizimit të vizave, Osmani tha se shpreson, por nuk dëshiron të nxisë pritje nga njerëzit.
Ndërkaq, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka paralajmëruar se do të ngritë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit, si dhe në takimin tradicional që ajo ka me Këshillin Evropian.
“U takova me presidenten e Kosovës. Ishte qëndrim i qartë për pozicionin që fuqishëm kemi miratuar nga ky Parlament për liberalizim e vizave që duhet t’i jepet Kosovës. Kemi qenë dhe do të mbetemi të zëshëm në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
Edhe pse ka pasur paralajmërime se ky samit do të bojkotohet nga liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, edhe këto vende kanë konfirmuar se do të marrin pjesë.
Rama: Bullgaria ka kidnapuar dy vende të NATO-s
Para samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli lidhur me veton bullgare që ende po e pengon avancimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së.
“Është turp që një vend i NATO-s, Bullgaria, kidnapon dy vende tjera të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në mes të një lufte të nxehtë në Evropë me 26 vende të tjera që rrinë pa lëvizur duke treguar një pafuqi të frikshme”, tha ai.
Rama foli edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur të inicuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, duke e quajtur shumë të nevojshme.
“Ballkani i Hapur është përgjigja e vërtetë në këtë situatë derisa rruga e integrimit (për në BE) do të vazhdojë sepse nuk ka alternativë tjetër, por shpirti evropian duhet të ndërtohet në rajonin tonë, sepse nuk duhet ta lëmë rajonin të mbetet prapa. Ballkani i Hapur është i hapur për të gjithë”, tha Rama.
Vuçiq: Nuk pres asgjë
Para gazetarëve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që t’i nënshtrohet sërish presionit për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe deklaroi se ata që e ngrenë këtë çështje do të “marrin përgjigjen e tij”.
“Ne tashmë kemi votuar kundër agresionit në Ukrainë në OKB dhe mbështesim Ukrainën territoriale, ashtu siç mbështesim integritetin territorial të Serbisë, gjë që nuk është rasti me shumë anëtarë të BE-së”, tha Vuçiq në fillim të samitit. I pyetur se çfarë pret nga samiti i sotëm, Vuçiq është përgjigjur shkurt: “Asgjë”.
Përpara takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviw tha se ai pret që BE-ja të përsërisë angazhimin e saj për të vazhduar procesin e Bashkimit Evropian dhe të krijojë parakushte për integrimin e parashikueshëm të Ballkanit Perëndimor në BE.
Gjithashtu, është paralajmëruar se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojnë konferencë të përbashkët për shtyp.
Pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen sërish pasditen e 23 qershorit për të diskutuar për zgjerimin. Krahas vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të merren edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor.
Në fokus të garës do të jetë mundësia e dhënies së dritës jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.
Në fund të samitit, sonte vonë, liderët do të miratojnë konkluzionet në të cilat, për herë të parë pas një kohe të gjatë, do të konfirmojnë “angazhimin e qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE” dhe do të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit i anëtarësimit.
“Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e përgatitur për miratim në këtë samit.
Në këtë dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.
“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft.
VOAL- Ish-modelja braziliane Thalita do Valle, e cila luftoi me trupat ukrainase së bashku me vëllain e saj, u vra gjatë bombardimeve ruse në Kharkiv. Familja tha se 39-vjeçari^ja vdiq nga asfiksia pasi u bllokua në një bunker të djegur nga shpërthimet.
“Kishte sulme ruse dhe batalioni u nda. Thalita u strehua në bunker, vdiq më 30 qershor nga asfiksia, nuk u godit nga predha”, tha vëllai Theo Rodrigo Vieira, duke shtuar se motra e tij po dërgonte mesazhe nga fronti praktikisht. çdo ditë ajo punonte edhe si shpëtimtare edhe si vrapuese.
Do Valle kishte qenë modele përpara se të studionte drejtësi. Më pas ajo punoi me organizata bamirëse, më vonë iu bashkua forcave kurde Peshmerga në Irak, ku u trajnua si gjuajtëse dhe luftoi kundër IS.
Vieira tha se motra e saj kishte mbërritur në Ukrainë tri javë më parë përpara se të dërgohej në qytetin e Kharkiv, i cili nuk është më nën sulmin e drejtpërdrejtë rus, por ende bombardohet shpesh nga përtej kufirit. rsi-eb
Numri i të vdekurve u rrit në nëntë të mërkurën nga shembja e një akullnaje të dielën në vargmalet italiane të Dolomitit, tha Maurizio Fugatti, president i provincës së Trentos, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhduan përpjekjet për gjetjen e viktimave të tjera.
Dy viktimat e fundit u zbuluan nga dronët të mërkurën në një cep të mbetjeve të ortekut, të shkaktuar nga shembja e akullnajës, thanë zyrtarët. Pesë alpinistë që besohet se kanë qenë pranë ortekut ende nuk janë gjetur. Kushtet e pasigurta në mal po pengojnë ekipet e kërkim-shpëtimit të punojnë pranë zonës ku ka rënë orteku.
Një ekip policie i specializuar në analizimin e ADN-së është thirrur gjithashtu për të ndihmuar në identifikimin e viktimave. Orteku ndodhi kur një pjesë e akullnajës me madhësinë e një ndërtese banimi u shkëput nga mali Marmolada, me një lartësi prej rreth 3300 metrash.
Një pjesë e madhe e Italisë po përballet me një valë të nxehti dhe shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po rrezikon shkrirjen dhe shkëputjen e më shumë akullnajave nga malet.
Personi i akuzuar për shpërthimin e eksplozivëve të vendosur në makinën e gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, në vrasjen e vitit 2017, ka rrëfyer krimin në një intervistë me një reporter të Reuters.
Teksa ka bërë me dije se së shpejti do të zbulojë të tjerët që u përfshinë në komplotin për ta vrarë gazetaren, George Degiorgio tha se nëse do të kishte ditur më shumë për Galizian atëherë ai do të kishte kërkuar më shumë para për të kryer vrasjen.
“Po ta dija, do të kisha kërkuar 10 milionë. Jo 150 mijë euro”, theksoi ai, duke iu referuar shumës që tha se është paguar për vrasjen e gazetares. “Për mua ishte vetëm një punë. Po. E njëjta gjë këtu!”, i tha ai gazetarit të Reuters. Dhe më pas shtoi: “Sigurisht që më vjen keq”.
Intervista me Degiorgio u krye gjatë hulumtimit për një podcast mbi rastin e Caruana Galizia, të titulluar “Kush e vrau Dafnen?”
Rrëfimi i tij erdhi pas disa përpjekjeve nga avokatët e Degiorgio që nga viti 2021 për të siguruar një falje në këmbim të dëshmisë për rolin e tij në vrasjen e Caruana Galizia dhe krime të tjera të supozuara që përfshijnë figura të shquara në Maltë.
Më 22 qershor, Gjykata e Apelit Malteze hodhi poshtë ankesat e mbetura ligjore të Degiorgio kundër akuzave për vrasje kundër tij dhe vëllait të tij Alfred, i cili është i bashkëakuzuar. Vendimi hap rrugën për vazhdimin e gjykimit.
Vrasja me bombë në makinë e gazetares investigative tronditi Evropën. Autoritetet malteze akuzojnë Degiorgio dhe dy burra të tjerë, vëllain e tij Alfred dhe një bashkëpunëtor, të quajtur Vince Muscat për vrasjen e Caruana Galizia në tetor 2017 me urdhër të një biznesmeni shumë të njohur në vend.
Degiorgio i tha Reuters se do të deklarohej fajtor përpara çdo gjyqi të jurisë. “Unë do të flas me gjyqtarin,” tha ai. Ai la të kuptohej se do të dëshmonte për të implikuar të tjerë në vrasje dhe një komplot të mëparshëm për të vrarë gazetaren, i cili nuk u realizua. Motivi i tij, tha ai, është të kërkojë një ulje të dënimit për veten dhe Alfredin dhe të sigurojë që “ne të mos dalim fajtorët e vetëm!”
Deri më tani, të dy vëllezërit Degiorgio kishin mohuar përfshirjen në vrasje. Muscat u deklarua fajtor për akuzat për vrasje në vitin 2020 dhe mori një dënim të reduktuar me 15 vjet burg në këmbim të dëshmisë për atë rast dhe disa krime të tjera.
Një nga biznesmenët më të pasur të ishullit, Jørgen Fenek, u akuzua gjithashtu në nëntor 2019 se kishte udhëzuar Degiorgio dhe dy bashkëpunëtorët e tij për të kryer ekzekutimin. Fenech i ka mohuar akuzat, por ende nuk ka paraqitur mbrojtjen e tij. Në një deklaratë, avokati i tij, Gianluca Caruana Curran, tha se Fenech ka në plan të provojë në gjykatë se ai “në asnjë mënyrë nuk donte, kërkoi ose financoi në mënyrë aktive” vrasjen e Caruana Galizia.
“Ndërsa deklarohet kategorikisht i pafajshëm, Fenech pohon se me provat e disponueshme, hetimet e pavarura dhe serioze mund të çojnë në arrestimin dhe ngritjen e aktakuzës së autorëve të vërtetë pas vrasjes”.
Fenech u identifikua si organizatori nga një ndërmjetës i dyshuar, shoferi i taksisë Melvin Teuma, i cili i shpëtoi ndjekjes penale për rolin e tij në këtë çështje në këmbim të dëshmisë. Teuma deklaroi se ai e organizoi vrasjen me vëllezërit Degiorgio në emër të Fenekut. Ai dëshmoi se nuk ia zbuloi kurrë identitetin e Fenech bandës Degiorgio.
Në intervistë, Degiorgio tha se ishte i gatshëm të dëshmonte se një figurë e lartë politike malteze ishte përpjekur të organizonte një goditje ndaj Caruana Galizia në një komplot të veçantë dy vjet më parë. Degiorgio theksoi gjithashtu se do të ofrohej të dëshmonte për përfshirjen e dy ish-ministrave të lartë në një grabitje të armatosur.
Reuters nuk po jep detaje të mëtejshme të akuzave në këtë fazë ose nuk po përmend personat e akuzuar nga Degiorgio, të cilët të gjithë mohojnë çdo përfshirje në ndonjë krim. Caruana Galizia u vra pasi ekspozoi një sërë akuzash për korrupsion kundër njerëzve të shquar, duke përfshirë ministra në qeverinë e Partisë Laburiste të ishullit. Vrasja e saj ngriti dyshime se disa nga njerëzit që ajo po hetonte mund të ishin të përfshirë në planet e saj të vrasjes.
Fenech, i cili akuzohet për urdhrin e vrasjes së gazetares, u identifikua për herë të parë në lidhje me Caruana Galizia në artikujt e nëntorit 2018 nga Reuters dhe Times of Malta. Raportet e cilësonin atë si pronar të një kompanie të njohur si “17 Black” që Caruana Galizia pretendoi se, pa dhënë prova, ishte përdorur për të korruptuar politikanë. Fenech drejtoi gjithashtu një projekt të diskutueshëm termocentrali në Maltë.
Sipas provave të prokurorisë të paraqitura në gjykatë në disa seanca paraprake që nga viti 2018, George Degiorgio dhe banda e tij e ndoqën reporteren gjatë gjithë verës së vitit 2017. Në orët e para të 16 tetorit 2017, prokurorët pretendojnë se banda vendosi një bombë poshtë njërës prej sediljeve në makinën e saj.
Atë pasdite, Degiorgio thuhet se ishte në një jaht në Grand Harbour të ishullit kur vëllai i tij Alfred, i cili po shikonte shtëpinë, i telefonoi për të thënë se gazetarja hipi në makinën e saj dhe u largua. Degiorgio më pas dërgoi një mesazh me tekst nga jahti në një pajisje celulare që aktivizoi bombën, thanë prokurorët në gjykatë.
Pasi makina shpërtheu, djali i Caruana Galizia, Matthew, dëgjoi shpërthimin, vrapoi nga shtëpia e familjes dhe gjeti trupin e nënës së tij. Që atëherë ai ka bërë fushatë për drejtësi për nënën e tij. I pyetur në lidhje me komentet e Degiorgio-s, ai i tha Reuters: “Vetë fjalët e George Degiorgio-s tregojnë se ai është një vrasës gjakftohtë që nuk meriton asnjë falje”./ Reuters
Kryetarja e Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, tha të hënën se mbrojtja e dëshmitarëve vazhdon të mbetet përparësi e punës së kësaj gjykate dhe është një prej arsyeve kryesore të themelimit të saj.
Ajo i bëri këto komente gjatë një debati online duke theksuar rëndësinë e siç tha dënimit të dy ish drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për frikësim dëshmitarësh dhe pengim të drejtësisë.
“Rasti nuk ka të bëjë me krimet e luftës kundër njerëzimit por është një rast i rëndësishëm për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ky rast kishte të bënte me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin, sigurinë e mirëqenies dhe lirinë e dëshmitarëve nga frika. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi është një nga shtyllat kryesore për themelimin e Gjykatës së Posaçme”, tha ajo.
Zonja Trendafilova tha se Gjykata e Posaçme tashmë ka filluar hapat e parë të funksionimit duke nisur gjykimin e parë dhe është në pritje të rasteve tjera.
Puna e Gjykatës së Posaçme është kritikuar shpesh në Kosovë, ndërsa ditë më parë kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vizitoi disa nga ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare që po mbahen në paraburgim, akuzoi Gjykatën e Posaçme që nuk i jep llogari askujt dhe shtroi nevojën e krijimit të një mekanizmi të kontrollit dhe të llogaridhënies.
“E kam lexuar deklaratën e zotit Konjufca, kryetarit të Parlamentit dhe më duhet të shpreh pikëpamjen time. Ne jemi gjykatë. Asnjë gjykatë nuk mund të jetë nën mbikëqyrje që vjen nga legjislativi apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur dhe kjo nuk ndodh askund në asnjë vend që promovon sundimin e ligjit”, tha zonja Trendafilova.
Aktualisht në Hagë ndodhen ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe dy ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.
Që të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më 15 shtator u hap procesi i parë gjyqësor për krime lufte, ndaj zotit Mustafa, i cili akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Anije ruse mallrash në brigjet e portit Karasu të Detit të Zi. Turqi, 3 korrik 2022.
RFE/RL
Një zyrtar turk dhe kompania operuese e portit konfirmuan më 4 korrik se autoritetet kanë ndaluar një anije ruse mallrash dhe po hetojnë pretendimet e Ukrainës se ajo po transportonte grurë të vjedhur.
“Sipas kërkesës, anija e quajtur Zhibek Zholy u ndalua në Karasu”, tha një zyrtar i lartë për Reuters.
“Akuzat janë duke u hetuar tërësisht. Nuk shkruhet se kujt i përket gruri”.
Më 3 korrik, Vasyl Bodnar, ambasadori i Ukrainës në Turqi, tha se Zhibek Zholy u ndalua nga autoritetet doganore turke.
Ukraina i kishte kërkuar Ankarasë ta ndalonte atë, duke akuzuar Moskën për vjedhjen e grurit nga territoret që forcat ruse kanë kapur që nga fillimi i pushtimit të tyre më 24 shkurt. Kiev tha se anija u nis nga Berdjansk, një port ukrainas i pushtuar nga forcat ruse.
Kremlini ka mohuar se Rusia ka vjedhur drith ukrainas.
Më 30 qershor, Evgeny Balitsky, kreu i administratës së emëruar nga Moska në rajonin Zaporizhzhja të Ukrainës, tha në Telegram se anija ishte larguar nga porti Berdjansk dhe ishte nisur për në “vendet mike”.
Ai tha se anija ishte e ngarkuar me 7,000 ton grurë, por ai nuk specifikoi se cilat vende konsideroheshin “miqësore” dhe as nuk dha ndonjë detaj mbi origjinën e grurit. Bodnar tha se hetuesit do të takohen në Turqi më 4 korrik për të përcaktuar fatin e anijes dhe se Ukraina po kërkonte kthim e grurit.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për vjedhjen e grurit të saj gjatë pushtimit dhe bllokimin e porteve të saj për të parandaluar largimin e grurit nga vendi, gjë që ka ndihmuar në një mungesë globale të ushqimit.
Moska e ka mohuar marrjen e grurit ukrainas, por imazhet satelitore dhe të dhënat GPS janë përdorur për të mbështetur pretendimet se Rusia ka transportuar grurë nga Ukraina përmes portit të Krimesë të Sevastopolit. Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014.
Drithërat janë një nga industritë kryesore të Ukrainës. Eksportet arritën në 12.2 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe përbënin gati një të pestën e eksporteve të vendit. Portet e Detit të Zi të Ukrainës, duke përfshirë Berdjansk, trajtonin rreth 6 milionë tonë drithëra dhe kultura të tjera çdo muaj përpara luftës.
Përplasje të ashpra vazhdojnë përgjatë gjithë vijës së frontit në Donbass”. Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes të cituar nga Ukrinform.
Lideri ukrainas ka shpjeguar se “epiqendra është, natyrisht, në qytetet e rajonit të Lugansk”. Zelensky shtoi se “aktiviteti i armikut në rajonin e Kharkiv është duke u intensifikuar.
“Ne kemi arritur të dëbojmë pushtuesit nga Ivanivka, në rajonin e Khersonit dhe vazhdojmë të ushtrojmë presion në jug të vendit tonë,” shtoi ai.
Po ashtu, ai bëri të ditur se 1027 qytete dhe qyteza janë liruar në Ukrainë ndërsa 2620 të tjera ende nën pushtimin rus.
“Pas 24 shkurtit, territori i dhjetë rajoneve u prek nga pushtuesit. Gjatë kësaj periudhe, 1027 qytete dhe qyteza u çliruan dhe 2610 të tjera janë ende nën pushtimin rus.” /abcnews.al/
Autoritetet ruse kanë hequr flamurin polak nga memoriali në Pyllin Katyn që shënon zonën ku ndodhën vrasjet masive të oficerëve polakë nga forcat sovjetike në prill-maj 1940.
Zyrtarët lokalë më 25 qershor konfirmuan se flamuri ishte hequr kur kanë nisur tensionet midis Rusisë dhe Polonisë, e cila ka mbështetur zëshëm Kievin dhe ka ofruar ndihmë pas vendimit të Kremlinit për të pushtuar Ukrainën.
Andrei Borisov, kryebashkiaku i Smolensk, tha në rrjetet sociale se vendimi është marrë nga Ministria e Kulturës.
“Unë do të shpreh mendimin tim të përgjithshëm: Nuk mund të ketë flamuj polakë në memorialet ruse! Dhe pas deklaratave të sinqerta anti-ruse të politikanëve polakë, aq më tepër”, postoi ai në platformën e mediave sociale VKontakte, së bashku me një foto.
“Ministria e Kulturës e Federatës Ruse mori vendimin e duhur duke hequr flamurin polak. Katyn është një memorial rus,” shtoi ai.
Pasi nazistët shkaktuan Luftën e Dytë Botërore duke pushtuar Poloninë më 1 shtator 1939, sovjetikët pushtuan pjesën lindore të vendit, duke masakruar përfundimisht më shumë se 20,000 oficerë polakë që kishin zënë rob në Katyn.
Bashkimi Sovjetik fillimisht fajësoi nazistët për vrasjet, por në vitin 1990 i dha fund dekadave të mohimeve dhe pranoi të vërtetën./REL/eng
Ka reaguar në Twitter Ian Brzezinski nga Këshilli Atlantik si më poshtë” Rusia heq flamurin polak nga Memoriali i Katinit ku gjatë Luftës së Dytë Botërore autoritetet sovjetike ekzekutuan mbi 20,000 oficerë dhe udhëheqës polakë të mbajtur si të burgosur.Kjo është një përpjekje tjetër e #Putin për të rishkruar historinë dhe fshehur mizoritë sovjetike.”
Norvegjia ka premtuar 1 miliard euro për të mbështetur popullin e Ukrainës.
Lajmi u bë me dije nga kryeministri i vendit Jonas Gahr Store. Në një komunikim me gazetarët në një konferencë të përbashkët me presidentin e Ukrainës Volodymir Zelensky, ai tha se Norvegjia solidarizohet me qytetarët ukrainas.
“Unë kam ardhur në Kiev për të thënë pas pesë muajsh lufte të tmerrshme, Norvegjia do të zotohet për solidaritet me popullin e Ukrainës. Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës me një miliard euro në mbështetje”, tha kryeministri.
Financimi pritet të përdore për ndihmë humanitare si edhe për rindërtim të zonave të shkatërruara në Ukrainë.
Zelensky falënderoi homologun e tij norvegjez për paketën e mbështetjes, duke shtuar: Pranë Ukrainës ndodhen miq të vërtetë”.
“Ambiciet ekspansioniste të Putinit nuk do të ndalen në Ukrainë. Ato kanë të bëjnë gjithashtu me republikat baltike, Poloninë, Lituaninë dhe vendet e tjera që po trokasin në dyert e NATO-s”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një konferencë për shtyp, shkruan la repubblica.
“Nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s nuk është për shkak të frymës ekspansioniste, por sepse duan të mbrohen nga një kërcënim real, domethënë Rusia e udhëhequr nga Putin”, vazhdoi Sanchez, “nëse nuk mbrojmë Ukrainën, kostoja dhe çmimi që do të paguanim në të tashmen dhe në të ardhmen do të ishte shumë më i madh”./abcnews.al
I vetmi anëtar i mbijetuar i një grupi ekstremistësh të Shtetit Islamik u dënua të mërkurën për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm për sulmin e vitit 2015 në Paris, në të cilin u vranë 130 njerëz. Ky ishte një nga sulmet më vdekjeprurëse në kohë paqeje në historinë e Francës.
Gjykata speciale dënoi gjithashtu 19 burra të tjerë të përfshirë në sulm pas një gjyqi nëntë-mujor. Ata humbën jetën gjatë sulmit pasi aktivizuan jelekët me eksploziv.
I dyshuari kryesor Salah Abdeslam u shpall fajtor për vrasje dhe tentativë vrasjeje në lidhje me komplotin terrorist. Gjykata konstatoi se jeleku i tij me eksplozivë nuk funksionoi, duke hedhur poshtë argumentin e tij se ai hoqi jelekun sepse vendosi të mos bëhej pjesë e sulmit në natën e 13 nëntorit të vitit 2015.
32 vjeçari Abdeslam, shtetas belg me origjinë marokene, mori të dënimin më të rëndë të mundshëm në Francë.
Nga të pandehurit, përveç Abdeslamit, 18 morën dënime të ndryshme lidhur me terrorizmin dhe një tjetër u dënua për një akuzë më të lehtë mashtrimi.
Gjatë gjyqit, Abdeslam shprehu pikëpamjet e tij radikale, qau, u kërkoi falje viktimave dhe iu lut gjyqtarëve që t’ia falnin gabimet.
Për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit e sulmit vdekjeprurës në Paris, gjyqi ka qenë i rëndë, por i rëndësishëm në përpjekjet e tyre për drejtësi dhe përmbyllje të një kapitulli të vështirë të jetës së tyre.
Të mbledhur në takimin e nivelit të lartë në Madrid të Spanjës, udhëheqësit e NATO-s miratuan konceptin e ri strategjik të aleancës, ku Rusia shpallet rreziku numër një për aleancën dhe u zotuan të rrisin mbështetjen për Ukrainën. Ndërsa aleanca miratoi gjithashtu kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës, Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep takimi i NATO-s. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e anijeve të reja luftarake në Spanjë, si dhe avionë F-35 në Britani.
Udhëheqësit e NATO-s miratuan sot konceptin e ri strategjik të aleancës, dokument që hartohet një herë në dhjetë vjet. Strategjia më e fundit e NATO-s e vitit 2010 e përcaktonte Rusinë një “partnere strategjike”. Tashmë, aleanca e konsideron Moskën një rrezik parësor.
“Sot, udhëheqësit e NATO-s morën vendimin historik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë për t’u bërë vende anëtare të NATO-s… Udhëheqësit miratuan konceptin e ri strategjik të NATO-s që po publikohet në këto momente. Ky është një koncept i ri strategjik… E bën të qartë se Rusia përbën rrezikun më domethënës dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë”, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Denoncimi i veprimeve të Rusisë nuk erdhi papritur. Shefi i aleancës ishte shprehur paraprakisht se lufta e Rusisë në Ukrainë kishte krijuar krizën më të madhe të sigurisë për Evropën, që nga Lufta e Dytë Botërore.
E krijuar rreth 70 vite më parë për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik, NATO mbajti takimin e saj në Madrid në një botë të transformuar nga sulmi i Rusisë ndaj vendit fqinj, Ukrainës, që shtyu Suedinë dhe Finlandën të dëshirojnë sigurinë që ofron anëtarësimi në NATO. Ndërsa aleanca miratoi dërgimin e ftesës zyrtare për anëtarësimin e tyre, zoti Stoltenberg u shpreh se lufta solli “ndryshimin më të madh të mbrojtjes tonë kolektive që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Strategjia e re shpalos përqasjen e NATO-s edhe për çështje si siguria kibernetike, ndryshimi klimatik, apo rritja e ndikimit ekonomik dhe ushtarak të Kinës.
Presidenti amerikan Joe Biden foli nga Madridi për një mesazh të pagabueshëm që po jep NATO.
“Në këtë takim, aleanca mirëpret Finlandën dhe Suedinë. Aplikimi historik për anëtarësim, si dhe vendimi i tyre për ta lënë traditën e neutralitetit dhe për t’iu bashkuar aleancës së NATO-s, do të na bëjë më të fortë dhe më të sigurtë. Po dërgojmë një mesazh të pagabueshëm se NATO është e fortë, e bashkuar, dhe se hapat që do të ndërmarrim në këtë takim do të rrisin më tej fuqinë tonë të përbashkët”, tha Presidenti Biden.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një rritje të ndjeshme të pranisë ushtarake në Evropë, përfshirë edhe një bazë të përhershme ushtarake amerikane në Poloni, dislokimin e dy destrojerëve të tjerë në bazën Rota në Spanjë, si dhe të dy skuadriljeve të reja me avionë F35 në Britani.
Kryeministri britanik Boris Johnson e përshkroi takimin e NATO-s si një takim historik.
“Mendoj se mësimi i parë nga sot është se nëse Vladimir Putini po shpresonte se do të kishte prani më të vogël të NATO-s në frontin e tij perëndimor, si rezultat i sulmit të tij të paprovokuar dhe të paligjshëm në Ukrainë, ai ka rezultuar plotësisht i gabuar. Ai po merr në këmbim më shumë NATO. Ky është një takim historik në shumë mënyra; kemi tashmë dy vende të reja që po anëtarësohen, Finlandën dhe Suedinë. Një hap i jashtëzakonshëm përpara për aleancën tonë”, tha zoti Johnson.
Alenaca do të dërgojë ftesa zyrtare për anëtarësim për këto dy vende dhe vendimi për anëtarësimin e tyre do të duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare.
Sulmi i Rusisë ndaj vendit fqinj ka lëkundur paqen në Evropë dhe e ka shtyrë NATO-n të dislokojë forca dhe armatime në Evropën Lindore në përmasa të papara që nga Lufta e Ftohtë. Vendet anëtare kanë dërguar gjithashtu miliarda dollarë ndihma ushtarake dhe civile në Ukrainë.
Komentet