VOAL

VOAL

RRUSTEM GECI – 15 POEZI NGA LIBRI ‘ROGANA’

May 27, 2015

Komentet

QYTET’I IM- Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e katërt)

 

Por kush janë Krutanët? Asnji dokument historik, s’më ka rânë në dorë qi të na sigurojë mbi fatin e popullsís së Krujës kur hýnë Turqit n’atë qytet njimbëdhetë vjet mbas vdekës së Fatosit t’onë (). Por ka gjasë qi as këta mos të kenë qênë mâ të mëshirshëm për atë popullsí se vetë kundërshtari legjendar i tyne për rojën anmike qi gjet në kështjellin e t’et kur u kthye mbas tridhetë vjet mërgimi. Sod në Krujë s’ka asnji familje me tradita të vjetra. Të tânë gati e tregojnë origjinën e tyne, kush mâ të largë e kush mâ t’afër, nga vise tjera, mâ e shuma prej viseve jo fort të mërgueme. Na Merlikajt b.f. siç kam pasë ndëgjue prej tim ungj, () jemi të shpërngulun në Krujë prej Malit të Bardhë të Kurbinit shumë breza mâ para. Kemi pasun në fushë t’atij katundi do tokë të trashigueme qyshë moti së bashku me Allmuçajt, krutanë edhe ata, qi sod janë shue e qi në vogjlí t’eme u pritshim e u përcillshim ke shoshoqi si në vllazní, por pa qênë kurrkush i zoti me i lidhun brezat krye më krye deri në të parin t’onë të përbashkët. Ajo tokë atje në Mal të Bardhë ishte e vetmja dëshmí konkrete e origjinës s’onë, si dhe prova, veç traditës së vazhdueshme, e gjakut të përbashkët me Allmuçajt. Ajo tokë, tue mos i rânë kush mbrapa, tue e lânë mbas dore për nji kohë të gjatë, pak nga pak u përvetue prej katundarvet rreth e rrotull qi kishin krahë me punue, ndërsa neve për nevojat t’ona na mjaftojshin ato të qytetit.

Me lavdrue veten njeriu âsht marre. Me lavdrue atdheun e vet, kombin e vet, me gjithë qi edhe vetë asht pjestar i këtij quhet detyrë. Besoj pra se edhe nji qytet me popullsín e tij, ku na ka pamë sýni për të parën herë dritën e diellit, po qe për t’u lavdrue mund të lavdrohet pa pasun kush të drejtë me na paditun për mungesë modestije. Në fund të fundit trandafille pa gjêmba s’ka e kur i këndojmë hymne trândafilles nuk don me thânë qi u a këndojmë gjêmbavet.

Popull’i Krujës, pra, âsht nji popull i squet, por sidomos thellsisht i ndershëm. S’e kam ndie kurrë veten mâ kryenaltë për qytetin t’em sesa nji herë në nji kafe të Vjenës në 1926. U njoha atje me nji trgtar të madh të Stambollit. T’a marrmen vesht ai prej emnit t’em qi ishem krutan (), më pyeti nëse e njihshem “nji farë” Ismail Kasmi. Ky “nji farë” Ismail Kasmi ishte tregtari mâ pasaniku i vêndit t’em. Sod kemi edhe krushqi me shtëpín e tij. Atëherë ishim vetëm bashkqytetarë qi njiheshim, por as miq jo. Po më thoshte tregtar’i Stambollit:

“Në jetën t’eme s’kam pamë njerí mâ të ndershëm se atë burrë. Para luftës ballkanike kishim magaze edhe në Selanik. Kasmin e kishim myshterí. Para se të plaste lufta na kishte mbetun borxh nji kusur të vogël, nja njiqind lira. Lufta na shtrëngoi me e shkrehun magazen e Selanikut, u dyndëm e shkuem në Stamboll e s’u kthyem mâ atje. Mbaroi lufta ballkanike, kaloi edhe ajo e madhja e 1914-s e me Shqipnín qe premë çdo marredhânje tregtare për Turqín. Me gjithë këtê nji ditë prej ditsh kê po shoh në magazet t’eme? Ismail Kasmin! Faleminderës Zotit!…. edhe u gzova qi pashë nji klient të vjetër e të dashun edhe u habita. Kafe e muhabet, e po e pyes mikun e papritun: “Po tý, Ismail Aga, ç’erë e bekueme të paska hjedhun ksaj ane? Mos ke ardhun për ndonji mjekim?….” jo,jo! Ismail Aga s’e kishte bâmë gjith’atë rrugë as për mjekim as për dëfrim e aqë mâ pak për tregtí. Ai mbasi kishte kalue për Selanik për me më kërkue e atje s’më kishte gjetun, kishte ardhun në Stamboll nergut e vetëm për me më lamë borxhin mue! Nji borxh qi un e kishem fshimë kryekëput prej mêndsh e qi e kishem nxjerrë sa fijsh në tregtín t’eme me tê. Por Ismail Kasmi s’e kishte harrue e kishte ardhun postafat qyshë prej Kruje për t’a lamë….

Kështu asht krutani: Xhiu i Fajës shkon në Stamboll me lânë kryet për nji gjysmë fjale qi i kishte dhânë mikut me i marrë gjakun, Ismail Kasmi për me lamë nji borxh qi edhe vetë i zoti e kishte harrue. Fjals, besa, detyra për tê ka vetëm nji ligjë: me e mbajtun e me e krye me çdo kusht.

Krutani âsht modest. Nuk mbahet, s’krenohet, s’lavdrohet. Âsht trim, por trim i pafjalë e i padukë. Për fjalë e sjellje të tija s’e blen kush për pesë pare. Trimnín e tregon vetëm kur e zên puna për projën e vet e të të drejtave të veta, për mikun, për zakonet. Sa âsht fanatik në projën e nderës së vet, me gjith’aqë shkrupull nderon edhe tjetrin, kushdo qoftë. Gadi në të tâna zakonet e tija ka mbetun malsuer. Në punë gjaqesh ndjek pikë për pikë Kanunin e malevet. Gjakun e lyp vetëm prej mashkujve të rritun e t’armatosun të tymit të gjaksit krye për krye (). A e muer gjakun, ka për t’i dërgue anmikut pleqt ke dera për pajtim e s’ka ndodhun kurrë qi ky mos t’i shtrohet Kanûnit.

Krutani asht puntuer. Strukun n’atë rrânxë mali me q’ata ullîj qi nji vjetë bâjnë e dý jo, me nji copë arë të shkretë në ndonji luginë ndërmjet dý sukash a vetëm me nja dý pash kopësht para shtëpís, me nji copë dyqan qi punon mirë vetëm nji ditë në javët me katundarët, me ndonji dele, dhí a lopë në derë, lufton i ziu me jetën si të mundet, veç të rrojë me nderë. “Në Krujë ha pula gurë” thotë nji fjalë e moçme e vêndit. Kallzohet se dikur paska qênë mbledhun Kruja në kuvênd e gadi paska pasë vêndosun me e ulë qytetin në fushë mbi xhaden e Shkodrës. Sigurisht s’ka qênë pun’e lehtë me lânë plâng e shtëpí me kujtime shekullore mbas shpine për me fillue gadi një jetë të re. Prandej bisedimi do të ketë qênë mjaft i nxetë, mjaft i ashpër ndërmjet tradicjonalistavet e antarvet guximtarë të një sýnese të largët qi premtonte, së paku për brezat e ardhshëm e mbas shumë sakrificash, nji jetë mâ të volitshme se poplat e shkrepat e të parvet në nji skânj mali ku nuk shihej kurrë nji fytyrë jabanxhiu. Nji qytet n’atë fushë të bukur, në nji vênd qëndruer, p.sh. andej anës së Gjoles a mâ nalt kah Zeza, jo veç qi do t’i a kishte premë udhën konkurrencës tregtare të Tiranës mbi shumë katunde të Krujës, por do të kishte tërhjekun e bâmë krejt për vete edhe krahinën e pasun t’Ishmit e treqind shtëpí Prez. E mbandej xhamija e madhe, me qênë nji stacjon përmbi nji damar tregtije aqë të rândsishëm! Ky argument’i fundit kishte magjepsun sidomos esnafin e Krujës, tregtarët qi ishin, si me thânë, ajka e qytetarvet. Por ja ku del q’atje përtej dikush, ndoshta nji teshë i ngratë qi deri atë ças s’e kishte përfillë kurrkush e ai vetë soll kishte ndêjtun e ndëgjue se ç’po thojshin burra mâ të parë e mâ të mêndshëm, edhe thotë: “Or shokë, a e flas nji fjalë edhe un qi s’dij gjâ, qi jam mâ i mbetmi i të gjithve këtu në këtë kuvênd burrash e zotnísh? Ju besa mjaft mirë jeni tue thânë se kjo rrânxë mali ku na kanë lânë të parët t’anë fort vênd i vorfën e i shmangun âsht. E po thotë Zotnija e Juej me ramë atje poshtë në xhadet të madhe, se atje kishte me na rrjedhë allishverishi si zalli e kishte me na bâmë rahat. Për mue, qe besa, më falni, por kjo kaprroqja e ime s’po më mbushet bash fort se xhadja do të na bjerë atë fitim të madh qi po shpresohet. A thue s’ka qênë kush ndonji herë në Lesh prej sa jemi këtu në këtë kuvênd? Un pra po, kam qênë, e kam pamë e e njoh mirë Leshën. Ky qytet, qyshse âsht ngrefun, q’aty në breg të Drinit e përmedis xhades së madhe ka qênë, asnji karvan s’ka pasë kah me i a mbajtun pa ramë nëpër tê për me votun në Shkodër, në Gjakovë e në Prizren. E pra me gjithë këtê s’e pashë kurrë n’atë qytet nji tregtar qi të ketë bâmë prokopí. Mendohi mirë, burra, para se me dhânë nji vendim të pamatun, se edhe të parët t’anë s’kanë qênë, jo, aqë të pamênd kur e kanë themelue këtë qytet këtu, për vete, për ne e për tânë sa do të lejnë e të vdesin mbas nesh”!

E pat! Kruja mbet atje ke qe, tek e kishin themelue të parët “për vete, për ne e për sa do të lejnë e do të vdesin mbas nesh”, sikur tha ai sukllari i panjohun n’atë kuvênd të hershëm të qytetit ku kishin të drejtë me marrë pjesë e me folë i madhi e i vogli, pasaniku e vobeku (). Ajo mbet atje në vorfnín e vet, por edhe me historín e vet, madhështore e krenare. A ka themel historik ky kuvênd a s’ka, nuk e dij. Âsht nji gojdhânë. Krutanët kanë mbetun besnikë të gurvet, të shkrepavet, të malit të tyne. Por vorfnija i ka shtrëngue me e kërkue kafshatën e vet edhe për jashta; gjithmonë, veç në Shqipní, vetëm në Shqipní e ndër vise jo aqë të largta. Gjêjmë krutanë në Durrës, Shijak, Tiranë, Mat, Thkellë me dyqane. Kah Juga asnji s’e ka kapërcye Vlonën. Në dhena të huej, as në Stamboll e vênde tjera të Turqís nuk gjindet farë Krutani. Edhe kudo qi kanë vojtun janë mundue me bâmë ndonji tregtí të vogël e rrallë janë pasunue. Krutani âsht mohimi vetë i çdo aventure. Vullëndohet me pak, por punën e don të ndershme e të sigurtë. Âsht i urtë, kryeulët në sjellje, por krenar, hijerândë përmbrênda. Puntorë, shërbtorë, rrogtarë krutanë nuk gjên kurrkund përjashta. Krutani qi shkon e pajtohet rrogtar me gjâ të gjallë, me kafshë barrtore a me qé ke nji zotní, bashvendës i vet, mbahet baras me djelmt e shtëpís. Ai këta i quen vëllazën, zotnín e njeh vetëm për të parë shtëpije, granija për tê janë motra e nâna atje ku punon. Han në nji tryezë me gjindën e shtëpís.

Mikpritja në Krujë vetëm tash vonë, nën influksin e nji tog rrethanash të ndryshme, ka marrë aty-këtu pak si hije qyteti. Në vogjlín t’eme çdo derë krutane ishte e hapët për të njohun e të panjohun, nji për nji si ndër malsít t’ona mâ bujaret. Grueja krutane i shërben mikut në shtëpí të saj si t’a kishte farefis të vetin a të burrit. Nusja ashtu siç i lante kâmbët gjindës së vet i a lante edhe mikut. Sod ky zakon âsht vjetrue e lânë, por un i a kam mbërrîmë.

Më bie ndër mênd ç’më ka ndodhun nji herë në shtëpí t’onë kur ishem fëmijë:

Nji të dielle mbrâma kishin ardhun te na miq kurbîjas, për me ndjehun të hânën, për ditë pazari, në qytet.Ndër ta ishte edhe nji nuse e re bashkë me të shoqin. Kjo qet nji varg kështênjë të zieme e m’a dëften së largu tue më thërritun për me m’a dhânë. Kur i u afrova muer me më puthun; por un, shen e verë për vargun e gështenjvet, para se të më puthte ajo mue, kap e puth un atê, gjâ qi s’asht zakon ndër né. Shkoi gazi në kupë të qiellit e un zûna me qamë prej marres.

Dom Nikollë Kaçorri () më ka pasë diftue nji herë ç’i kishte pasë ndodhun në Krujë në të ri të tij:

“Porsa kishem dalë prej seminarit të Shkodrës, prift i ri e sekretar i Kryepeshkopit të Durrsit, Monsinjor Bianchi-t – nis tue më thânë Dom Nikolli dhe vijon: – Plaku (), me gjithë qi vetë kurbîjas, s’kishte pasë qênë ndonji herë në Krujë, në këtë qytet me nji popullsí qind për qind myslimane, e s’kishte nji mendim të mirë për bashkatdhetarët t’anë mohamedanë përgjithsisht. Un vetë edhe mâ zi se ai. Nji ditë i mbushet mêndja Arqipeshkvit me shkue e vizitue atë qytet, veç për kujtimin e Gjergj Kastriotit. Të dý hypim nji mëngjesi dý kualve shalet , nji rrogtar me vete e nisemi për Krujë. Mbërrîmë atje mbas dite vonë. Arqipeshkvi e un, dý priftën katholiq me nji shërbtuer, katolik edhe ai, në nji vênd thjesht mysliman. Mu në krye të pazarit ishte nji han. U zdrypëm kualvet aty dhe lypëm nji odë. Hanxhiu na prîni e na hypi për do shkallësh të çudiçme nalt në pod e na çeli nji odë. S’kishte asgjâ mbrênda posë nji hasre të vjetër shtruem. Pyetëm në kishte shtresa e mbulesa për të flêjtun. Hanxhiu, Senë Picorri, na përgjigjet: – jo, zotní, këtu s’ka kurrgjâ as për të ngrânë as për të flêjtun, veç po çoj e marr në shtëpí. Por këtu nuk âsht vênd për z.T’uej, âsht ma mirë me urdhnue në shtëpí t’eme? Qyrim shoshoqin me Arqipeshkvin e ky i përgjigjet hanxhiut bujar: – Jo, jo; faleminderës, na po bûjmë e ti veç na bâ hall për haje e të shtruena… U hap zâni nëpër Pazar se dý priftën kishin mbërrîmë në qytet e kishin ramë në hant. Nji zotní vjen e hyp ke na, ishte nji tregtar. Na përshëndet e na thotë: Zotní, nuk besoj se keni ardhun këtu për me koritun Krujën. Këtu s’mbahet mênd me pasë ramë kush i përjashtëm ndonji herë në han. Urdhnoni në shtëpí t’eme, s’e kam fort larg pazarit, po rrijmë e bâjmë muhabet, po hajmë e pijmë ç’të na ketë falë Zoti e ju po bâni rahat, se jeni edhe lodhun mbas gjith’asaj rruge të gjatë. Vijni nga Durrsi, në mos gabofsha…. Ç’me bâmë? Arqipeshkvi ka ramë gjall’e ngusht. Bani e i tha njânit jo e duhet me vijue n’atë fjalë edhe me tjerët. S’i a njohim as zakonet nji qyteti qi ishim tue pamë për herë të parë. Mbas pak kohe i a befti edhe nji zotní tjetër e edhe me atê kështu shkoi puna. Për mos me e zgjatun, kur mbërrîni darka neve na qe mbushun oda e hanit me dyshekë leshi e jorgana mëndafshi, çarçafë qi me marrë miza mjaltë në ta e mbandej gjellë si me pasë qênë ftue në darsëm! Veç pleshtat e hanit na mërzitën pak, por për tjetër s’po shkoj mâ gjatë mbi bujarín e qytetit t’and, se s’përshkruhet. E po t’a pohoj se ka qênë bash nj’ajo rasë qi më ka çelë sýt për me pamë e me besue se paskish për njimênd nji popull shqiptar me të gjitha vërtytet e moçme e jo vetëm mysliman, katoliq e ortodoks qi flasin të njâjtën gjuhë pa mujtun me u marrë vesht shoq me shoq.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernest Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Botohet dhe promovohet në Rumani romani i Andreas Dushit “Në besë të tatuazhit tënd”

Shtëpia botuese “A” në Rumani ka botuar romanin “Në besë të tatuazhit tënd” të shkrimtarit shqiptar Andreas Dushi, përkthyer nga Cătălina Frâncu. Ky botim titullohet “Legenda tatuajului” që në shqip do të ishte “Legjenda e tatuazhit”.
Me këtë rast, me datë 14 maj 2024, Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune ka organizuar në Bukuresht promovimin e romanit, ku i ftuar ishte vetë autori. Gjatë aktivitetit, pasi përshëndetën sekretari i shtetit dhe kryetari i Asociaţia Liga Albanezilor din România, z. Radu Săvulescu si dhe deputeti i Kuvendit të Rumanisë, z. Bogdan-Alin Stoica, e mori fjalën kritiku i njohur, ish zëvendësministri i kulturës në Rumani, aktualisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë për qytetin e Krajovës, z. Mihai Firică. Ai u ndal në një qasje poetike ndaj tekstit, duke veçuar narracionin unik, të ri dhe bashkëkohor. Gjatë fjalës së tij, sqaroi se koncepti i moshës në letërsi nuk mund të jetë i njëjtë me moshën biologjike, prandaj për një shkrimtar diskutimi duhet të fillojë dhe të mbarojë te vepra.
Pas tij, kritiku, shkrimtari dhe përkthyesi, ndër të tjera edhe kryeredaktori revistës “Albanica”, dr. Luan Topçiu vlerësoi tekstin, duke thënë se gjatë leximit të romanit, nuk mund të mos na tërheqin vemendjen teknikat moderne të prozës bashkëkohore: kolazhi, kalime lehtësisht nga një regjistër rrëfimi në një tjetër, teknika dinamike të cilat – në alternimin e tyre – na paraqesin imazhin e njeriut modern të epokës digjitale.
Takimi vijoi me lexime të fragmenteve të romanit nga aktorja e njohur Doina Ghiţescu për t’u pasuar me një sesion autografesh nga autori.
“Në besë të tautazhit tënd” u botua nga shtëpia botuese “Onufri” në vitin 2022. Është fitues i çmimit letrar “Atë Zef Pllumi” për vitin 2023 si dhe është në gjuhën italiane me titullin “Ballata del tatuaggio” nga Besa Editrice, nën përkthimin e Fabio dhe Kriselda Rocchi.

BALADË E BURRIT NË GURË- Nga Albert HABAZAJ

 

Mjeshtrit popullor të gurit, Selman Pazo nga Vranishti i Labërisë

Heshtjerëndë, imazh i gurit,
Ëndrrakaltër që i vogël,
Gurit dha besën e burrit
Kur ngjarjet ashtu i rrodhën…

Dhe i dha besën e labit
Selman Pazo nga Vranishti,
Zë qëndis gurët e malit
Shpirt i tij, dora dhe gishti.

Në kurriz hallet i mori
Dhe jetoi burrërisht,
Tym të bardhë oxhaku nxorri
Te Selmani bujarisht.

Dhe Kujtesa e Kulturës
E mban në radhë me fisnikë,
Sepse në sy të furtunës
Djers’ e nderit loton pikë …

Baladë e gurit për tingujt,
Baladë e burrit në gurë,
Bleta që bën mjaltë të hidhur,
Të çmuar për të sëmurë,

Selman Pazo nuk ka dy
Mjeshtër i culës së gurit.
Është njeri a legjendë ky?!
Në folklor – shtiz’ e flamurit.

Vlorë, e hënë, 20 janar 2020

FOTOALBUM: Ish kryeministri Mustafa Kruja me Shuk Gurakuqin në Gjenovë më 1936

 

VOAL- Në kuadrin e ciklit “Fotoalbum” sot po sjellim një foto historike ku nacionalisti i shquar, ish kryeministri Mustafa Kruja, ka dalë me Shuk Gurakuqin në Gjenovë më 1936.

Shuk Gurakuqi (Shkodër, 28 mars 1888 – 13 prill 1969) ka qenë ekonomist financier, vullnetar i Luftës së Koplikut, deputet i të parit kuvend shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjes. Pas pushtimit italian u emërua ministër Financash në qeverinë e Mustafa Krujës.

Mustafa Merlika Kruja ndërroi jetë në mërgim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1958.

 

Manifestimi dhe Konkursi letrar Azem Shkreli po afrohet…

Manifestimi dhe Konkursi letrar Azem Shkreli po afrohet…
Të kalojmë disa çaste me mysafirët e ndëruar;
Prof.Dr. Anton Nikë Berisha dhe Prof. Avni Spahiu

QYTET’I IM- Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e tretë)

 

Poshtë, shtrîmë në prêhën të tij, qyteti; nji amfithjatër pa masë, me kullat e bardha hallakatun ndër grupe të vogla ase mbë vete, mbë faqe ase mbi kurriz kodrash, disa me shpinë kah mali e sýt drejtuem andej larg deri ke brigjet e detit, do tjera ijën kah mali e faqen kah shoqet e veta, siç e kanë lypun kapricet topografike të vêndit, fytyrat e tyne të fshehuna pjesrisht nëpër degat e ullijvet si faqe të njoma vashash me flokët e mëndafshët të derdhun përpara. Mâ përtej Krasta, pararoja strategjike e qytetit, me shkrepat e këlqertë të saj, minierë e Krujës së vorfën, aty-këtu mbjellë me kumí këlqerje qi buçasin tym e flakë shkurresh. Dikur kjo ka qênë krejt e veshun me shkozë, shqopë e dushk qi ushqejshin tufa dhish dhe mbajshin qytetin me drû; mbandej nevoja e këlqeres për ditë mâ e madhe për vêndin e për qytetet e Durrsit e Tiranës e xhveshi gadi krejt. Kur punim’i linjitit, qi duket se s’mungon në tokën t’onë, ka për t’u zhvillue si duhet kumít e këlqeres do të fillojnë me punue me tê në forma moderne, atëherë Kruja ka me pasun nji fat ekonomik mâ të mirë, Krastën e vet prap të veshun, të gjelbër e të bukur edhe atê. Kur mbaron Krasta fillon fusha e Krujës. Nji katund i ksaj fushe ka monopolizue në gjuhën e vêndit kët’emën, quhet ai Fusha e Krûs. Por në të vërtetë kjo fushë shtrîhet për së gjati qyshë prej Ujit të Matës me Milot, Gurëz e breg deti deri në lum të Tërkuzit ku bashkohet me fushën e Tiranës; e për së gjâni ke merr fund Krasta e deri në lumë t’Ishmit e të Gjoles tue u kapun me fushën e Prezës. Soditsi i kalás së Krujës të tânë këtë panoramë, qyshë prej vetullës së Sarisalltikut, 500 metra mbi tê, e deri në buzë t’Adriatikut me kodrat gjelbrore të gjithë atyne fushave, me arnajë e livadhe, me dushknajë e zabele, me lumna e shena t’argjêntë qi gjarpnojnë nëpër to, me kullat e bardha të mbjella nga pak kudo, me malthin e Ishmit e kalán e Prezës dhe tutje deri në limanin e Durrsit e në qytetin e Tiranës, krejt e ka para sýve të këndellun të tij.

Por Krutani këtë thesar shpirtnuer qi i ka falë natyra në shtëpi të vet nuk e çmon. Atij, si gjâ e përditshme qi âsht, i u ka bâmë kjo nji gja e zakonshme. Âsht i përjashtmi qi i a ndien shijen e qi, t’i a ndiemen nji herë, s’ka për t’a harrue mâ në të tânë jetën e tij. Edhe ky veç, po vojt deri në qytet e i a përtoi me bâmë edhe ato 500 metra tërmale për me dalë deri në Sarisalltik, ka me mbetun si ai peregrini qi ka vizitue Vêndet e Shênjta e âsht kthye pa pamë vorrin e Krishtit në Jeruzalem ase Gurin e zí në Mekë. E dij, kush shkon me vizitue Krujën, për gja të shênjtë kishte me kërkue atje, në mos vorrin, qi mjerisht s’âsht mâ kurrkund, as në Lesh ku ka qênë, nemose nji kujtim ç’faret do të fatosit me të cilin lidhet ngusht emn’ i atij qyteti qe pesë shekuj e këndej. Por kot, kujtime t’atilla s’ka për të gjetun, posë kalás, e cila, as ajo s’paraqet fizionomín e kohës së Kastriotvet e t’Uranit (). As qi po e kam ndërmênd këtu un me i krahasue vizitorit të Krujës Shênjtin Sarisalltik të bektashijvet me Jezu-Krishtin e gjithë botës së krishtenë ase me Profetin Isá dhe Gurin e Zi të qabes së botës mohamedane. Sarisalltiku i gjorë s’ka kso pretendimesh. Por nj’ashtu sikur peregrini qi shkon në Jeruzalem e ai qi ve në Mekë nuk mund t’a quej detyrën e tij fetare të kryeme e as shpirtin e tij të kënaqun deri sa s’ka pamë edhe atë gjâ të shênjtë kryesore, po ashtu as turisti i Krujës, pa dalë edhe në majë t’atij mali, të cilin vêndi e thërret edhe me emnin e shênjtit qi ka lânë atje kujtimet e veta, s’e ka mbarue qëllimin turistik dhe në shpirtin e vet, pa ditun ka lânë nji gjymtí të paplotsueshme. Me nji mundim të vogël, nji hypje asaj faqje mali nji oret, të shumën dý për pa i u marrë fryma asnji herë ai do të kishte para sýve të tij panoramën mâ madhështore qi mund t’i paraqitet nji njeriu në jetën e vet: prej maleve të Leshës e deri ke baba-Tomorri në nji të përfshime sýni me gjithë ç’mban kjo mbrênda tokë e det. Qytet’i Krujës, qi pa dyshim ka për t’u bâmë nji ditë qêndra turistike mâ e rândsishmja në Shqipnín t’onë, qán për nji teleferik me majën e malit të vet. Kjo âsht e nevojshme sidomos për sedentarë shum’a pak si un, qi u pëlqen me këndellë sýt , por pa i mundue shumë kâmbët. Më bie ndër mênd kur qeshë ngjitun nji herë deri në qafë të Jungfrau-t (), me hekurudhën e posaçme t’atij mali për me pamë akullinëne famshme nên tê. Mbandej i shkrova nji letër Dom Lazër Shantojës, () të cilit veç artevet i pëlqente edhe turizma e alpinizma. M’u përgjegj: “Mos të qofsha falë pse ke hypun në 3500 metra…. me tren. A jé i zoti me u ngjitun kâmbë si un?”

Naltsija 1100 metrash dhe afrija me qytetin do t’a kishin bâmë malin e Krujës nji vênd verimi të çmueshëm. Por mjerisht i mungojnë gjâna të tjera shumë mâ të rândsishme për këtë shërbim. Mali ka trajtën e nji piramidi katërfaqsh të premë rregullisht me kryenajë rrafshore. Prandej të gjitha ernat, nga çdo anë qi të fryjnë , atje janë në shtëpi të vet. Mâ e shuma e sipërfaqes së kryenajës âsht fushë pa drûj, veç nji pjese t’anvet të veriut e të verilindjes. Në këto anë ka ah. Ujë n’atë mal ka fare pak, vetëm nji krue “ke Lugjt” pak pa mbërrîmë në buzët. I thonë “ke Lugjt”, se atje gjinden dy lugj të gjatë drûni për të pimë ujë gomarët qi bâjnë drû e patavra sidhe disa qind krenë dele qi dalin verës n’atë bjeshkë.

Heret, due me thânë deri në djalní t’eme, deri qi s’pat fillue vargu i papremë i mjerimeve të vêndit t’onë fatkeq me luftat ballkanike e, në daçim me pavarsín e tij qi do t’i sillte lumtunín, mund të them se s’ka pasun familje krutane – pa përjashtue edhe shumë katundarë – qi dilte n’atë mal për nji piknik në nji ditë vere të çdo vjete. Çilej stina ditën e Shën Gjergjit. Burra, grá, kalamâj shum’a pak të mbërrîshëm, kapshin përpjetën varg e varg, heret për me sosun në majë pa u shtrîmë dielli faqeá së malit. E shumta e burravet ishin t’armatosun, simbas zakonit, dhe argtimi mâ i madhi i tyne ishte me shtimë mbë nishan (qitja në shênj)

U ngrihshin tre a katër shênje në largsí të ndryshme, u dajshin burrat grupe-grupe, fillonte qitja, u gjuejshin shênjet nji herë, u ngrihshin prap e prap për së dyti e për së treti…. deri sa të gjithë vizitorët e Sarisalltikut t’a ndiejshin veten të nginjun me kët argtim. Mbrapa shetina, lojna të ndryshme, kângë burrash e grásh. Mâ në fund burrat i a nisshin pijes, prap me kângë e muhabet, grupe grupe e u përgatitshin për drekë. Mbas dreke pushim, gjumë deri qi t’u kthiellojshin kokat e turbullueme nga rakija, e rrushit ase e detit (mastika); q’atje së voni edhe nji herë qitje në shênj e nja nji orë a dý para se të ngrysej u niste gjindja për kthim, tufë-tufë, ku tue këndue e ku tue shtimë ase të dyja bashkë.

Stina e vizitave në Sarisalltik, e fillueme kështu ditën e Shën Gjergjit si nji peregrinim i përgjithshëm, vazhdonte deri në fund të gushtit. Por andej e mbrapa në nji tjetër formë. Dikuj i âsht shfaqun n’ândërr detyrimi me i kushtue nji kurban atij shênjti, dikush e ka pasë bâmë vetë këtë kusht si nji falënderim për nji të mirë, për nji gzim qi e ka gjetun, tjetri vetëm i âsht tekun me gzue veten, familjen edhe nji palë dashamirë të tij qi i pëlqente me ftue, gadi për ditë bâhej nji gostë, mâ të shumtën për drekë, por shpesh edhe për darkë, me nji, dý a tre desh për kurbana atje nën hijen e Sarisalltikut. Lëkurat e kurbanavet i jitshin falë teqes, dmth. dervishit qi e ruente. Teqja kishte gjelltoren e ênët qi duheshin për të hângër. Por s’ishin vetëm lëkurat e kurbanavet qi fitonte dervishi nga vizitat; shumë vizitorë i falshin edhe të holla. Për vizitorët qi flêjshin atje, Sarisalltiku ka edhe dý konaqe, nji me 4-5 oda edhe nji tjetër, këtë shi në buzë malit, me njo odë të vetme por të madhe. Të gjitha natyrisht përdhesa. Kështu, madje , edhe herë mbas here era s’e lên pa u a zbulue pullazin. Në qoftë se ai pullaz qi çon peshë era ka qênë ndërtue me bamirësí të dikuj, popull’i Krujës e përfol sikur bâmirsi i ka pasun ato pare haram e se prandej Shênjti Sarisalltik, qi s’e duron haramin, ka çue erën me e hjedhun poshtë.

Âsht interesante gojdhâna e këtij shênjti. Pikë së pari âsht rasa me shënue se në qoftë qi ai ka ekzistue njimênd ndonji herë moti nji njeri i përshpirtshëm n’atë majë mali, duhet të ketë qênë nji eremit. Vênd’i tij atje nalt âsht nji shpellë. Sdrypet nja tri metra thellë e aty nji bërryl i ksaj shpelle asht damë me mur, si nji sacrarium i shênjtit. Hýhet mbrênda prej nji dere të vogël. Në fund nji presë me dërrasa, mbrapa së cilës duket se do të jetë nji greminë. Kurrgjâ s’ka në këtë qelzë shkâmbi veç nji kutije drûni, ku të devotshmit qi hýjnë atje për me i u falë shênjtit hjedhin nga nji pare. Këta i a nisin qyshë prej prakut të derës me nderue e lutun shênjtin, qi s’ka lânë kurrfarë shênji aty, me zâ t’ulët vetë me vete e tue puthun muret e shpellës.

Nja dý metra mâ poshtë ka nji shtresë dërrasash në nji anë, mbuluem me nji hasër, ku mund t’ulen nja dhetë vetë rreth e përqark n’atë fresk shpelle. Dritë ka mjaft, se gryka e shpellës âsht e gjânë. Zbresim tekembramja edhe nja dhetë metra ma poshtë, nji palë shkallë gurit, ndërtuem fare rregull me nji prjerrje normale, edhe mbërrîjmë në nji krue me çep të mbyllun e me nji lug guri nên tê. Pijmë ujë. E ç’farë uji! Aq’ i ftohët, sa âsht gadi e pamundun me e mbarue nji gotë të tânë në nji hov. Mbas murit të kroit ka nji “depozitë”, qi nuk dij a âsht e natyrshme apo e ndërtueme. Përmbi tê qëndron nji “gur rrumbullak” si nji bullungë e tavanit të shpellës. Prej këtij guri pikon në depozitët ata ujë. S’i kam pamë me sý as depozitën as gurin rrumbullak, por m’i kanë thânë. Pikat qi gjerbojnë e bien në hurdhët ndihen fare kthiellët. Guri rrumbullak po s’e muerëm shkrolarisht kët’epitet ka gjasë të jetë nji stalaktite.

Kjo, shpella e Sarisalltikut. Tash legjenda na e tregon këtë shênjt për Shën Spiridionin, qi e ka kufomën “të pacenueme” në Qerfos (Korfuz). Qi nji shênjt bektashian t’identifikohet prej bektashive vetë me nji shênjt të krishtenë s’âsht aspak çudí për kê ka pasun rasë me ndëgjue, si un, disa ndërpretime interesante prej gojës së fetarve bektashijanë në këtë kuptim. Bie fjala H.T. Ahmet Sirri Dedeja, kryegjysh i bektashijvet të botës e i teqes bektashijane të Kajros, më ka lanë nji ditë me gojë hapët ndaj spiegimet e tija kso dore, si p.sh. mbi identifikimin e Aliut, të katërtit Khalife t’Islamit, me Shën Llín (Sh. Ilia) e mbi sa tjerë kështu. S’kanë asnji rândsí, simbas ndërpretimit të H.T., datat historike të jetës së njânit e të tjetrit shênjt t’identifikuem me shoshoqin. Âsht shpirti i atij ma të lashtit qi ka lemë përsri me trupin e mâ të vonshmit.

Por si fluturoi e duel ky shênjt prej majës së malit të Krujës deri në Qerfos?() Legjenda e përshkruen sikur ai ka qênë i mbësýmë prej kulshedrës e mbas nji luftimi të rreptë me tê s’i ka pamë shteg tjetër vetes veçse me ikun e me kërkue nji strehë mâ të sigurtë. Edhe këtê e ka gjetun në Qerfos. Tue fillue prej të Letit, në buzë të Krastës, gjatë xhades Krujë-Durrës e Tiranë ku sod gjinden vorrezët e Merlikajve, deri afër krojit të Fokës, ke bie në fushë, heret ka qênë nji kalldrám qi i thojshin Kalldrám i Qerres. Në gjysmë të këtij kalldrámi ka qênë (ka mot qi s’kam kalue mâ andej) nji kolibë e shtrueme me harasan qi në mest kishte nji gropë në formë të nji gjurme njeriu e pranë saj nji birë të vogël: gjurma e kâmbës së Shênjtit Sarisalltik dhe për brinjë ajo e shkopit të tij qi ka lânë tue ikun prej kulshedrës. Që prej malit të Krujës e deri atje në gjysmën e Krastës pak me thânë nja dý mijë metra në vijë ajrore, Shênjti Sarisalltikka kërcy me nji hapë të vetme. E tash shpejt po shohim mrekulli edhe mâ të madhe kso dore. Pak përmbi atë gjurmë anës së kalldrámit gjinden dý gurë të ngulun në tokë e krejt në trajtë konike, njani pak mâ i madh se tjetri. Populli, tue folë për atê vênd, thotë “ke Pilafët”. Ky emën asht fare normal, pse njimênd ajo âsht forma e atyne dý gurve. Por bukuria e legjendës âsht kjo, qi ma të madhin e atyne dy gurve, i cili âsht pakëz i cenuem nga fundi, na e tregon për pilaf gruni e mâ të voglin orizi, e Sarisalltiku, i ûntuem mbas gjith’asaj lufte me kulshedrën, ka dashun të hajë, ka fillue me nji lugë grunë – lugën sigurisht shênjti e kish marrë me vete në xhep – e mbasi i a ka mbërrîmë kulshedra me i u turrë mbrapa, i u ka dashun të kaptojë e pilafët atëherë janë bâmë gurë. Për çudi, veç, gjurma e shênjtit âsht disa qind metra larg pilafëve e âsht gjurma e parë dhe e vetmja qi ai ka lânë në tokë tue ikun, sepse prej andej me hapën e dytë ka fluturue e ramë fill e në Qerfos!

Edhe nji shênj tjetër na ka lânë Shênjti Sarisalltik në mal të Krujës. E ky âsht mjaft i dashun, i kandshëm: nji lulez e bardhë qi i gjân shumë asaj së deles, margaritës, por mâ e vocërr se ajo e me erë të mirë. Popull’i Krujës e quen shallnesh (Shën Llesh) edhe beson qi ka bimë prej pikave të djersës së Sarisalltikut kur ky po luftonte me kulshedrën e po ikte prej saj. Logjikisht ajo lule duhej të merrte emnin e Shën Spiridionit, mbasi Sarisalltiku âsht ky vetë, e jo atê të nji shênjti tjetër. Por mâ edhe logjika e emnit të lules s’ka si me qênë tjetër veçse nji pjesë e gjithë logjikës së ksaj legjende. Kjo lule n’asnji vênd tjetër nuk gjindet posë malit. Âsht vallë nji lule e rrallë, vetëm e malit të Krujës? Nuk dij s’kam fé pjese në botanikë.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernest Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

TRILUSSA FLET SHQIP- Shqipërime nga Ndrekë Zalli

 

Karlo Alberto Salustri, (Romë 1871 -1950), i njohur për publikun me emrin e artit ose pseudonimin anagramatik TRILUSSA, ishte një gaztar, shkrimtar e poet italian, kryesisht i njohur për sonetet e tij të shumta e të larmishme të shkruara në dialektin romak.
Ndër librat e tij mund të përmendim: “Dyzet sonete romake” (1895), “Njerëzit dhe bishat” (1914), “Ujqër dhe qengja” (1919).
Sot, për kënaqësinë e lexuesve, po sjellim një tufë sonetesh të këtij autori.

BARAZIA

Gjeli, që idenë e barazisë kishte fiksim,
Shqiponjës i shkroi: -Moj fisnike,
meqë ju rrini mbi ato male kreshnike,
ne duhet ta shmangim kyt distancim.

Sepse, mendoj, s’asht e drejtë aspak
që unë të rri ktu poshtë në batak,
por do t’ishte ma e fisme e me drejtësi
t’jetonim te dy në t’njajtin nivel e naltsi.

Ia ktheu Shqiponja: -Miku im,
me knaqësi e pranoj kyt propozim.
Don t’bahemi miq? Gati më ke,
por mos prit që unë të zbres atje.

Nëse t’gjesh forcën që duhet ia del
hap krahët që ktu sipër të vish,
por nëse s’ke shpirt që kyt ta arrish
unë po vazhdoj t’jem Shqipe e ti Gjel.

NUMRAT

-E di se vlej pak -i tha Zeros nji Njish.
-por ti nuk vlen asgjâ. Je thjesht nji hiç
si në vlerë po ashtu edhe në mendim
ti mbetesh nji gjâ bosh e pa përfundim.

-Ndërsa mue nëse zerot m’vihen varg,
nandë copë rrumbullake kshtu si ti,
e di sa bahem? Plot nji miliard!

-Punë numrash! Kshtu pak a shumë
ndodh edhe me nji diktator merhum
që rritet e forcohet në vlerë e fuqi
prej zerove t’shumta që shkojnë mbas tij.

MASKA

Para njizet vitesh edhe unë u maskova
e ende sot e ruej atë surrat kartoni
me t’cilin surratin tem mbulova.

Prej njizet vjetësh mbi nji dollap rri
ajo Maskë qesharake, që ka mbetun
gjithmonë po me t’njajtën shprehi,
përherë po me t’njajtën të qeshun.

-E si ia del?! –e pyeta nji ditë
-të mbash të njajtin gazmend
edhe n’çastet që zemra dhemb,
edhe kur n’telashe jam zhytë?!
E lumja ti, që kurrë s’ndryshon!
E lumja ti, që pa zemër jeton!

Maska m’u përgjigj: -E ti që loton
m’thuej çka fiton? Nji hiç! I vetmi qar
se njerëzit do t’thonë: “I shkreti qyqar,
sa gjynah … m’vjen keq sa s’beson!”…

Por realisht, m’beso, aspak s’u plas!
Ndaj ban si unë, që gjithmonë qesh:
e nëse ndodh që të kap trishtim
fytyrën mbuloje me surratin tim
e kshtu njerëzia s’do t’marrin vesh… –

Aty e mandej dhimbjet do të rrinë
mbas nji alegrie prej kartoni
e si nji egoist me famë do t’jetoni
që aspak nuk i plas për njerëzinë!

SHTERNGIMI I DORËS

Ai i dhanies së dorës gjithsecilit
vërtet që s’asht nji zakon i përkorë,
mund t’ndodhë t’ja japësh atë dorë
nji hajdutit, nji horit o nji katilit.

Mandej ajo dorë, e thatë o e djersitun,
me njerëz të ktij lloji kur asht tokë,
n’mikrobe e viruse mund t’jetë ngopë
e prej aty n’gojë e n’stomak me mbrritun.

Ndërsa me dorë n’zemër nëse përshëndet,
pa pikë dyshimi jo pak n’higjienë fiton
pa humbun asgjâ n’nderim e në respekt.
Pra kjo përshndetje, thanun me elegancë,
-T’kam e t’paça, mik… besoj se m’kupton,
sot ka ardhun koha me mbajtë pak distancë.

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT

Nji ditë të gjitha kafshët janë mbledhë
(ato që puna shtypëse i dërmonte),
vendosën që nji President me zgjedhë
që interesat e tyne të mbronte.

Të gjitha morën pjesë në atë takim:
Shoqatat e Derrave e t’Demave, t’pranishme si gjithmonë,
Grupimi Shala e Samari s’bani përjashtim,
as Liga e Pamvarun e Gomarëve banues në Romë;
Vllaznitë e Maceve Shpijake, të Qenve e të Kuajve,
Lidhjet e Deleve, të Lopëve e të Buajve …

Nji Gomar, me ambicien për t’u zgjedhë,
lëkurën e nji Luani mbi trup kishte hjedhë.

-Kafshë votuese -u tha -i prekun jam:
qytetaria, liria, përparimi… ky program
i vetmi e mâ i miri që unë kam
e mâ i përshtatshmi për kyt vend,
sepse asht i njajtë me tuejin! Prandaj
ju ftoj të votoni t’gjithë për emnin tem.

E n’fakt pikërisht ai u zgjodh!
I lumtun Gomari nji fjalim mban,
e veç atëherë populli shtazor pa
se ç’gabim të madh kishte bâ
me atë Gomar që u ishte shitun si Luan!

-Shpifës! -Mashtrues! -Rrenacak!
-Tashti që e mora kyt detyrë
– u tha Gomari -s’më plas aspak:
e do ta mbaj me çdo formë e mënyrë;
Edhe n’vrafshi vedin o n’vdekshi n’aksident;
Ishit ju vetë që më zgjodhët, pra durim!
Heshtni! E m’respektoni si President!

GOMARI E LUANI

Gomari tha: -N’kohë t’lashta, kaherë,
kur demokracia s’kishte lindë ende,
shtresa jonë nuk kishte asnji vlerë.
Gjyshi jem, për pak nderim nji marifet bani,
u mbulue me lëkurën e nji luani
e u trajtue me respekt e me nder.

Kanë ndrrue kohnat, s’asht si mâ parë
-i tha Luani -Tashti lëkura jeme
nuk vlen mâ nji lek, mor kumbar…

Sot, për fat t’keq, kam humbë autoritet
e shpesh jam unë që me marifet
më duhet t’maskohem si gomar!

DIPLOMACIA

Natyrisht që me termin diplomaci
kuptojmë diçka që shteteve u shërben
për të ruejtun marrëdhanie të mira,
me pak mashtrime e me pak djallëzi.

Shkaku që dikush quhet diplomat
asht se mashtron disi me edukatë
tu’ mshehun mendim e mëkat
mbrapa nji perdeje fasadë.

Ta xamë, nëse i them njanës nji fakt:
që burrin e saj e pashë me nji garipe,
i sinqertë mund t’jem, porse i patakt.

Përndryshe, nëse them: -Kujdes me ke rrin, moj mike…
Ajo mbetet me bryna, si ma parë,
por unë e paralajmrova n’formë diplomatike.

SHOKU

Nji Maçok i njoftun për bindjet socialiste
me t’vetmin synim ndonji post me gjetun,
nji ditë po i përvishej nji pule t’pjekun
n’kuzhinën e nji mikeje kapitaliste.

Kur nga nji dritare nalt në pullaz
-Shoku jem -i tha nji Maçok kojshi
-mendo se jam edhe unë ktu përbri
që klasës proletare i përkas!

-Unë që bindjet tueja mjaft mirë i di,
jam i sigurt se atë pulë që po hani,
sapo të zbres, në dysh do ta ndani.
sepse jemi shokë në ideal e në parti!

-Jo, jo! – ia ktheu Maçoku zemërzi
-Unë nuk ndaj asgjâ me asnjeri,
Jam socialist kur jam në agjërim,
ama kur ha s’njoh bindje e as parim!

 

POLITIKA

Nji larmi mendimesh n’shpi tonë ekziston;
baba jem asht nji demokristian,
e meqë asht i punësuem n’Vatikan,
çdo mbramje ai rruzaren reciton.

Ndër vllazën ma i madhi quhet Adrian
e asht i përmendun si socialist;
unë, ndryshe nga ai, jam monarkist,
ndërsa Ludoviku, njihet si republikan.

Çdo natë para darke sherri asht prezent,
zihemi shpesh
për kto t’bekueme parime,
njani thumbit, tjetri patkonit …Duket parlament!

Bajmë katrahurë! Por sapo ndigjojmë mamin
që na thotë se darka asht gati
t’gjithë jemi dakord me programin.

QENI E HANA

Njiherë nji Qen, në mes të nji rrugice,
Hanës po i lehte n’praninë e nji Mice…
-Lene n’punë t’saj! -tha ajo -Me tè çka ke?
-Pse po t’shikjon? Sa qesharak që je!
Hana i sheh t’gjitha, por s’jua var aspak
atyne që rrugëve vrasin e bajnë gjak.

-Për kyt -i tha Qeni -nuk e duroj!
-N’mes t’kaq shumë turpi, telashesh e derti
Ajo përherë e njajta! Kurrë nuk ndryshon.
Indiferente e pandryshueshme mbeti …
Do t’doja që hundën ta shtrembnonte
e sytë t’zgurdullonte… Por ndërmend s’i shkon!

-Sepse kto gjana ktu poshtë i ka pa shpesh,
-ia ktheu Mica -bota asht gjithmonë po ajo.
qysh kur Kaini vllaun e tij e bani pshesh.
Hana njilloj qeshi siç edhe tashti po qesh.
Ka qeshun gjithmonë e do t’qeshë përherë
edhe nëse nji ditë Abeli Kainin do të therë…

DASHI

Nji Dash madhosh e pak torollak,
tu’ kalue mbi urë pa pasë mendjen aspak,
ra në lumë e mbasi bâni: pllaq – pllaq,
u zhduk e mbi ujë mâ s’u shfaq!

Natyrisht që delet sapo lajmin mësuen
në vendin e ngjarjes të gjitha vrapuen
e nisën tu’ kja:
-Dashi i shkretë!
Që ishte aq i urtë!
Që ishte aq i qetë!…

Edhe Bariu shkoi me vrap, por nga nguti
që t’tregonte pikëllim të thellë ai desh’,
por n’vend që t’thoshte: – I shkreti Dash!
Thirri me t’madhe: -I shkreti lesh!

BARIU E QINGJAT

Sapo ilaçin magjik ai u ka dhanë
Që t’u vinte instinkti i etjes për gjak,
Bariu tha: -Asht e nevojshme sak
që Qingjat të bahen Luanë,
të shpallin luftë e t’jenë të fortë
kundër t’gjithë Ujqënve mbi tokë.

Deshmi që ky ke nji motiv i drejtë
ishte se Qingjat iu gjegjën ftesës pa hezitue,
çdo blegërimë n’nji ulërimë u shndërrue:
Vdekje Ujqve! Shporruni me të shpejtë!
Në po atë natë, me pak fjalë,
ujqërit ikën me bisht ndër shalë.

Sapo lufta u fitue, zotnija Bari,
mbasi festoi me fyell e me zumare,
-Tashti -thirri ai me të madhe
-çdo Luan të bahet Qingj përsëri
e n’interes të fermës e t’biznesit
të kthehet urtë e butë në shpi.

Por ata ia kthyen: – O torollak!
Tashti, lum miku, që e pamë kjartë
se jemi të guximshëm e të fortë
e jo kafshë për t’u mbajtë në vathë e lak!
Pra, ki kujdes, sepse tash e tutje
do t’jemi ne zotët e ksaj fushe!

MBRETI E GAFORRJA

-Nji Mbret që po shetiste n’breg të detit
Thirri: -Xuna nji gaforre t’madhe ktu n’cektinë!”
I tha Oborrtari: “Kush mos t’Ju ndijnë!
Peshkimi i gaforreve s’asht punë Mbretit!”
-Atëherë -tha Gaforrja me vedi t’vet –
do t’thojnë se jam unë që xuna nji Mbret!

 

ERA E KALLAMI

-Kurseje mundimin, kot e ke që shfryn
-i tha Kallami Erës -mirë e di që s’më thyen…
-Vërtet -i tha Era -me pemët shekullore luftoj,
por me ty knaqem e qeshem sa lotoj,
se ti përkulesh deri në tokë kur kaloj!

 

ZEMËRIMI

Eme shoqe, që asht nevrike shumë,
kur ne shamatohemi për hiçgjâ
me m’gjuejt grushta kresë ves e ka,
sepse e din që aty s’duroj as unë.

Unë i përgjërohem: -Shpirt, mjaft mâ!
Përndryshe do t’lëndohesh keq… –
por ajo, megjithatë, dorë nuk heq
deri që t’i jap edhe unë disa…

 

LUMTUNIA

Asht nji bletë që ndalon
mbi gonxhen e nji drandofili;
i thith nektarin e shkon…
Realisht e në tanësi,
ajo që quhet lumtuni
asht diçka që s’peshon.

 

KARAKTERI

Nji ditë Kameleonit nga balta i flet Zhapiku:
-Ti ngjyrat i ke gjithmonë gati, lum miku.
Të bardhë e të zezë… t’gjitha i ke provue!…
Të kuqe e të verdhë, të gjelbër e blu…

M’thuej çka dreqin ndër mend të shkon?
Dukesh si ylber! S’ka ditë
që mendimet s’të ndryshojnë
e n’bazë të tyne ngjyrën e kostumin ndërron
në varësi t’ambientit e t’gjânave që t’rrethojnë.

Ndërsa unë, siç më sheh, rri gri përherë,
sepse jetoj n’mes të baltës dimën-verë,
por ama prestigjin tem kurrë nuk e shes.
Ndoshta gaboj, por ky jam e i tillë do të mbes!

-Gjithësecili në arsyet e tija beson
-ia ktheu Kameleoni –Çka t’i bash?
Unë përherë ndërroj e ti kurrë nuk ndryshon:
Mbase që të dy mendojmë dallash!

XIXËLLONJA
Hana e plotë Xixëllonjën ngacmon:
-Ndoshta, zonjushë, e ban për kursime.
por krejt e dobët asht drita që lëshon…
-Po, -ia ktheu ajo -por asht drita ime!

KAMELEONI E FLUTURA

Nji ditë Flutura e lodhun tu’ fluturue,
mbi nji lule molle u ul për t’pushue,
fshehun ndër degë Kameleoni e përgjonte,
ajo e vuni ré e nga lart e përçmonte.

-Çka t’kam bâ?- e qortoi me dhimbje në ftyrë,
-Je vërtet i mjerë, s’ke shpirt as ngjyrë!
-Dakord, -ia ktheu ai, -por kam edhe trù e uri.
E ajo: -Je vetëm e i shëmtuem, kjo ka randsi.

Kafsha e ngathët ngadalë drejt saj rrëshqiti
e diçka çuditshëm tu’ e pâ çuçuriti
-…Mos e harro nji gjâ, moj Flutur,
që je edhe e shijshme përveçse e bukur.

Nji kafshatë e kandshme qe ajo vërtet,
e ai me gjuhën e gjatë i dha nji puthje t’nxehtë…
Në jetë s’mjafton veç i mirë e i bukur t’jesh,
Se veç zemrës duhet dhe pak tru të kesh.

Ndahet nga jeta shkrimtarja nobeliste kanadeze Alice Munro

Shkrimtarja kanadeze, fituese e çmimit Nobel për letërsinë në vitin 2013, ishte 92 vjeçe

 

VOAL- Shkrimtarja kanadeze Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2013, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Ajo vuajti nga demenca: ajo vdiq në një shtëpi të moshuarish në provincën e Ontarios. Kështu shkruan gazeta The Globe and Mail.

Shkrimtarja vendosi t’i thotë lamtumirë shkrimit në vitin 2013, vit kur fitoi çmimin Nobel. Ajo botoi tregimin e saj të parë, Dimensionet e një hije, në vitin 1950 ndërsa ishte studente në Universitetin e Ontarios Perëndimore. Përmbledhja e saj e parë prej 15 tregimesh, “Vallëzimi i hijeve të lumtura” u publikua në Kanada në vitin 1968, duke arritur sukses të shkëlqyer me publikun dhe kritikën dhe duke i dhënë autores të parin nga tre “Çmimet Letrare të Guvernatorit të Përgjithshëm”.

Një autore prodhuese dhe fituese e çmimeve të 14 përmbledhjeve me tregime të shkurtra, Alice Munro fitoi gjithashtu çmimin ndërkombëtar Man Booker 2009 për letërsinë e saj.

O e Bukura More- Esse nga Aristotel Mici

 

Kënga e herëshme “O e Bukura More” është një dëshmi e gjallë, që pohon emocionalisht bashkëjetesën midis etnive iliro-pellazge dhe helene që nga thellesia e shekujve të antikitetit e deri në kohët moderne nëpëtrevat greke dhe arbërore. Kjo ide përftohet edhe nga leximi me vëmendje i veprës madhore të Herodotit, i cili përmes shumë episodeve na e bën të qartë këtë mundësi bashkëjetese midis fiseve pellazgo-ilire, edhe popullates helene, që vihet re për gjatë shekujve me radhë, duke nisur nga periudha e Tebës dhe e Orakullit të Dodonës e deri në periudhëe Luftës Greko-Persiane. Pikërisht, nga koha e kësaj lufte, Prof. R.d`Angeli na sjell në kujtesë një episod kuptimplotë nga Herodoti, atë të komandantit të ushtrisë persiane Mardonit. Sipas historianit, ky general Persian, mbas betejës detare të Salaminës, vendosi të fushonte në Thesali, me qëllim që të kalonte atje dimrin vetëm me një pjesë të këmbësorisë, që do të shoqëronte Kserksin ne ekspeditën e tij kundër Helladës. Po ky Mardoniusi gjatë kësaj kohe deshte të këshillohej edhe me Orakujt e Helladës për planet e veta. Dhe, për këtë qëllim dërgoi një njeri me emrin Misi,  që ishte me prejardhje nga qyteti i Europusit të Karisë. Ky Mesi, ndërmjet orakujve të tjerë, u këshillua edhe me atë të Apolonit në Ptoos, që u perkiste Tebanëve dhe ndodhej në Beoti. Atë e shoqëronin tre tebanë, si roje, të cilët qenë porositur që të kopjomin në tabelëza tekstin e Orakullit. Po kur hynë në vendin e shenjtë, profetesha nisi të bënte fat-thënien në gjuhën barbare, domethënë Pellazge, gjithnjë sipas Herodotit. Ndërkaq, tre tebanët, ngelën të shtangur, të befasuar, sepse po dëgjonin një gjuhë pellazge, atje ku ata prisnin të flitej gjuha helene. Atëherë, njeriu nga Karisa, Misi, i cili e kuptonte fare mire gjuhën që fliste orakulli, ua mori nga duart tebanëve tabelëzat edhe shkroi vetë në ato atë, që thoshte fat-thëna, duke deklaruar se profetesha po e rrëfente profecinë e saj në gjuhën pellazge të Karisë 1

Pra, studiuesi d`Angeli, me anë të këtij fragmenti, të shkëputur nga vepra e Herodotit, rikonfirmon se pellazgjishtja ka qenë gjuhë massive jo vetëm në periudhën e qytetërimit Kreto-Mikenas, dhe të kohes së Homerit, po edhe gjatë dekadave të Luftës Greko- Persiane. Ky studiues, i qendron pa lëkundje pikëpamjes së tij se pellazgjishtja është një gjuhë shumë e lashtë universale, e cila në trajtën më të gjallë, na është transmentuar e përpiktë dhe e plotë në formën e gjuhës së sotme arbërore-shqipe. 2 Si rrjedhojë, nga ky episod, lejohemi të bëjmë deduksionin se midis pellazgo-ilirëve dhe helenëve ka pas ekzistuar nje përzjerje dhe bashkëvajtje historike, që nga kohët më të vjetra historike dhe deri në shekujt e fundit.  

Ky është një mësim që nxjerrim nga Herodoti, që, si pasoj edhe arvanitasit e periudhës së parë të Mesjetës, po edhe të kohëve më të vona mund të jenë vazhdim breznish i pararendësve të tyre pellago-ilire, siç janë, fjala vjen, thesprotët në Thesproti (Camëria e sotme). Natyrisht, gjatë kohës së Perandorisë Bizantine mund të kenë vajtur edhe valë shtresash të tjera nga krahinat e Arbërisë. Po Sidoqoftë, popullata arvanitase shqipfolëse në trevat helene të Moresë prej shekujsh, gjithësesi, ishte shumë e përhapur,  duke filluar nga malete Sulit, Konica, Korfuzi, e deri tek Paramithia , Arta, Parga, dhe më tutje si në More, Lemnos, Hidra, Spartë dhe ne Athinë, ku është dhe lagjja me emrin “Plaka”. Kjo hartë shqipfolëse e përhapur si në tërë Helladën e vjetër si edhe në krahinën e Moresë, e bën patriotin e shquar arvanitas, Aristidh Kolias, të deklaronte në veprën e tij se në Greqinë e vitit 1821 “Arvanitët janë shtetformues sepse 80 deri 90 përqind e heronjëve të Pavarësise së Greqisë janë arvanitas dhe, në parlamentin e parë të shtetit të ri grek dëgjohej shqipja po aq sa greqishtja, sa që u propozua të flitej në dy gjuhë, po qëshpejtë u ndalua” 3 Kur flet kështu Aristidh Kolias ka para sysh shumë sidomos heronjtë arvanitas, të cilët derdhën gjakun dhe ranë deshmorë për lirinë dhë pavarësinë e Helladës më 1821,  siç janë Kiço Xhavella, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, LaskarinaBubulina, Kostandin Kanari, Andrea Miauli , Teodor Griva e shumë e shumë të tjerë.

Po deklarim i studiuesit arvanitas A.Kolias është shumë vëllazëror dhe mirëdashës, kur ai vazhdon të thotë: Bashkëjetesa në shekuj dhe rrënjët pellazgjike, si popuj më të lashtë në Ballkan, na nxjerrin më të afërt se çdo popull tjetër përqark, prandaj le të lëmë luftrat dhe të shohim miqësinë dhe perparimin 4

Dendësia dhe përzjeraja e arvanitasve me popullatën helene, para revolucionit të vitit 1821, ka qenë mjaftë e dukshme; gjë që e kishin vënë re edhe dy personalitete franceze.

Përshtypjet e tyre, poligloti Rober d’Anxhely, i ka përfshirë në librin e vetë Enigma,i cili, në faqen 205 të veprës, ka shkruar:”

“…gjithë territoret e mbajtura, – më 1805 përshembull,-si helene, në realitet nuk kanë qen gjë tjetër veçse territore shqiptare dhe e vetmja gjuhë që kanë folur ka qenë shqipja. Dhe kjo gjendje në pjesën në më të madhe të këtyre territoreve vazhdon edhe sot të jetë po ajo.

Po kështu, si mund ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë Shatobrianin 5 , kur, duke folur për Athinën në veprën e tij“Itinerari i Palestinës”, e quan atë, (Athinën) “fshat shqiptar”. Po ashtu edhe Lamartini 6 , kur shkruan për familjen, që u kujdes për të në Greqi, sa kohë që ishte i sëmurë, thotë fare mirë:”familje shqiptare si të gjitha në të gjithë vendin (në Greqi)….kemi të bëjmë pra, në këto raste, me popullsi arvanitase, që ende fletë shqip” 7 ; Pra, edhe me këto pohime  shikojmënjë  realitet histoik të deklaruar nga dy personalitete tëkulturës franceze.

Kënga O e Bukura More’,  siç e përendëm edhe në fillimtë këtij shkrimi, na e demonstron bashkëjetesën shumëshekullore të Arvanitasve me  popullin Helen në disa  treva  të Greqisë. Kjo këngë, gati 500-vjeçare ushtinë e gjallë ende në Horën e Arbërshëve, po edhe tek  disa ngujimet të tjera arbërore në Itali. Kënga e ka zanafillën e vetë më 1534, me ardhjen e arvanitësve të Moresë në Piana degli Albanesi, një komune në Sicili. Këtë e gjejmë edhe në një një kronikë, që ka të bëjë më një aksion detar të admiralit Andrea Doria, i cili, me urdhër të mbretit të Napolit, më 1534, komandoi në atë vit  dyqind anije për të sjellë arvanitasit dhe helenët e Moresë në Napoli 8 . Shumë prej tyre do të vendoseshin në katundin “Piana degli Albanesi. Nga goja e të cilëve do të dilte kënga “O e Bukra More”, që i drejtohet vendlindjes me mall, brengë dhe dëshpërim, sepse tw larguarit kishin lënë pas njerëzit më të dashur, që nuk do t’i shihnin më kurrë, për shkak të dhunës dhe të mizorisë se turqve, që kishin pushtuar Morenë , Helladën si edhe Arbërinë:

O e bukura More,

Çë kur të lje,

Më nigjë të pe;

Atje kam unë Zotin- Tatë,

Atje kam u mëmën time,

Atje kam u tim vëlla.

O e bukura More

Që kur të lje

Më nigjë të pe 9

Mësimi i parë që nxjerrim nga kjo këngë ështe fakti që këta banorë vendas, arbëreshë (apo arvanitas) nuk kanë vajtur në More pas vdekjes së Skenderbeut, sepse nuk e shpëtonin dot kokën, duke lënë atdheun e zaptuar nga turqit dhe të shkonin në një vend tjetër të pushtuar po nga turqit. Mendimi më i drejtë është se ata atje, në More,duhet të jenë vendas të vjetër shekullor, Për këtë arsye ata i këndojnë me ngashërim Moresë si vendlindjes së tyre të stërlashtë- “Të Bukurës More”.

Kurse arbëreshët e ikur nga Arbëria në Itali i drjtohen mëmëdheut të tyre me apelativin

Arbëri:

Arbëri, matan detit na kujton,

Se ne të huaj po jemi te ky dhe!

Sa vjet shkuan! E zemra nuk harron

Që turku na la pa mëmëdhe. 10

Kështu edhe nga nëndialekti, a po e folmja e tyre, kuptohet se kemi dy lloj eksodesh me gen iliro- arbëror, që u vendosën në Itali, duke formuar koloni, katunde a po qyteza

shqipfolëse; pra, figurativisht kemi dy rrjedha të një gjaku dhe një gjuhe, që historia për shekuj i pat ndarë në trojet e tyre dhe koha i bashkoi në shtigjet e eksodit gati biblik.

Për arbëreshët e Moresë (arvanitasit), që këndojnë këngën “O e bukura More”, nuk ka diskutim që janë vendës në More (Pelepones) dhe vazhdues të stërgjyshërve të tyre , para pushtimit turk, nga koha e Bizantit, po, pse jo, edhe ajo e fiseve pellazgo-ilire, në ato troje, ku kishte parë dhe dëgjuar Herodoti si në More, në Lemnos, në Thesproti a po në Atikë. Po, ndërkohë, edhe pse të veçuar gjeografikisht nga trungu arbëror, për arsye të ndryshme historike, arbëreshët e Greqisë, arvanitasit, i kanë rezistuar kohës, duke ruajtur gjuhën, këngët, dhe zakonet e të parëve. Gjuha e tyre amëtare është e arbërishtes së herëshme, që në gjuhësi, për veçantinë e saj, është quajtur nga Prof.Sh.Demiraj, edhe arbërishte arkaike 11 .

Pikërisht me këtë të folmen e tyre karakteristike, arvanitasit e ardhur nga Moreja në Piana dei Albanezi të Sicilies,( që sot njihet edhe me emrin Hora Arbëreshe), na kanë sjellë këngën mbresëlënëse, “O e Bukura More” që na emocionon sa herë e dëgjojmë.

Bibliografi

Aristidh Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, shtëpia bot. 55,Tiranë, 2007

Dhimitër Pilika, Pellazgët origjina jonë e mohuar, Botimet Enciklop,Tiranë, 2005.

Herodoti, Historitë, Botimet IDK, Tiranë, 2010.

Kolec Traboini, E vërteta përvëluese e Aristir Kolias, Boston, 2005.

Lutfi Alia, “Kronika e eksodeve arbëreshe në Itali”, Zemra ahqiptare, 14-2- 2016.

Nermin Vlora Falaschi, L’Etrusco Lingua Viva, Bardi Editori – Roma,1989.

Robber d’Angely, Enigma, Toena,Tirana, 1998

Shaban Demiraj, Epiri ,Pellazghët, Etruskët dhe Shqiptarët, Infbotues, 2008 .

————————————————————————————————

1 Herodoti, Historitë,f. 501, shiko edhe Enigma, R.d`Angely, f.164

2 R. d`Dangely Enigma,

3 Kolec Traboini, E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias, Boston, 2005. f.32

4 K.Traboini, po atje

5 Francois Rene de Chateaubriand (1768- 1848) shkrimtar i famshëm francez.

6 Alphonse de Lamartine (1770-1869), poet romantic francez.

7 R.d`Angely, Enigma, f.205

8 Gazeta Zemra Shqiptare, Lutfi Alia, Kronika e eksodeve dhe vendbanimeve arbëreshe në Itali, 14- 2 – 2016

9 Fjalët e këngës janë sipas variantit që jep Dh.Kamarda (1821-1882) në librin e tij “Apendice al Saggio di grammatologia Comprata Sulla Lingua Albanese, botuar më 1866, duke pasur për bazë dorëshkrimin e Kieutit, 1708.

10 Vargje nga poezia “Vrull” e librit Vjersha të Zef Serembes, Tiranë, 1965

11 Sh. Demiraj, Epiri,Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, f,34.

Massachusetts

Shkurt 2020

QYTET’ I IM – Nga MUSTAFA KRUJA (Pjesa e dytë)

Nji tjetër kujtim kam prej Kumllukut. I bukur, i gzueshëm, intim ky. Ishim në vjetën 1920, 27 qershuer. E turbull aso kohe gjêndja e mbrêndshme e vêndit t’onë të ngratë qi s’pa ndonji herë dit me të vërtetë të qeta e të lume. Rrethânat më kishin bâmë me u tërhjekun në shtëpín e vjetër atnore. Atë ditë ishem thërritun për darkë ke nji mik e ishem ngjitun përpjetë kah qêndra qyshë herët me disa shokë. Shtëpija ku ishem i ftuem ishte në Varosh. Bashkë me shokët qi më shoqnojshin ishim ulë në buzë të Kumllukut tue pritun kohën për me shkue ke miku e me soditun nji falje dielli të mrekullueshme, si ato qi veç nji vênd si Kruja mund t’i ketë. Po ligjirojshim në qetsí me sý atje larg kah fusha e deti. Sinija e rrëgjyeshme e diellit po i u avitte dalkadalë e madhnisht rrethit t’ujit të ngjelbët t’Adriatikut tue na përshëndetun me rrezet e arta të saja edhe për nji natë të jetës s’onë. Kur qe! Pa prit’e pa kujtue disa pushkë njâna mbas tjetrës po e shklyejnë at’atmosferë pushimi shpirtnuer në prêhnin përkëdhelës të nânës natyrë. Ku ranë ato pushkë? Disi larg ishin prej nesh. Zân’i kishte të tânë gjasën e nji drejtimi të frikshëm, andej kah lagjia e ime. Po ç’mund të ishte? Nji pritë? Më vrau kush babën? Më vrau kush vëllán? Jo, ata personalisht s’kishin anmiq. “Mos t’ishe ti vetë këtu me ne”, po më thonte njâni prej shokvet, “na s’do të kishim humbun kohë deri tashti me këto hamêndje qi po bâjmë, por do të kishim vrullue pa tjetër andej kah shtëpija e jote; por për njerzit e tuj s’na merr mêndja ndonji rrezik”. Kështu filluem me u qetsue, por me gjithë këtê un s’ndejta pa e nisun nji vrap teposhtë për me marrë vesht. Pa shkue nji gjysmë ore i a mbërrîni lajmsi; e pamë nja pesdhetë metra larg ke po u ngjitte tërmal kah na me hapa të shpejta tue i u marrë fryma, por gjâ të keqe s’i thonte fytyra. “Sihariq! Sihariq”! bërtiti, “i ka lemë djalë Mustafës”! Kishte lemë Fatosi i im. Shokët deshën me shtimë, edhe ata, për gzim; por i ndala me të shpejtë. S’ishte rasa me trêmbun botën edhe na siç u trembëm vetë.

Zakon shqiptar! Gzimet e mëdhá, e të lemët e nji djali i tillë quhet ndër ne, do të festohen me pushkë. E mbasandej kush e paska fillue pushkën për Fatosin? Nji grue e fisit t’onë s’më bie ndër mênd tash se për cilën më kanë pasë thânë. Edhe grát dijnë t’a përdorin pushkën në Shqipní, dhe ka rasa në të cilat kanë dijtun t’a përdorin me shumë mjeshtrí e trimní. Flas për Shqiptaret e hershme këtu, se me luftare moderne âsht mbushun bota plot tashmâ!

Pak nên Tallajbéj vjen Pazar’i Krujës. Ky përbâhej aso kohe, siç besoj se do të jetë edhe sod, prej dy rreshtash të gjatë dyqanesh, nja 200 gjithsej, qi fillojshin me hanin e Picorit. Populli, për me diftue fillimin e pazarit thonte “ke hani”. Ndërmjet dy rreshtavet ishte rruga qi i dante, e shtrueme me gurë, kalldrâm me nji ulluk në medist për me mbledhun e marrë ujët e shiut qi rridhte prej pullazesh. Aq’e ngushtë ishte kjo rrugë, qi verës dyqanxhijt e mbulojshin me qingla strehë mbë strehë të dý anvet të dyqanevet për me ndalue diellin e kështu me bâmë mërriz në freskt të hijes. Se me të vërtetë mërriz bâjshin tregtarët e shkretë të Krujës, si bagtija, e jo veç në vapët, por gati gjithë ditën e javën, përveç së hânës qi ishte ditë pazari e gulojshin katundarët për me shitun e blemë.

Për të hânë po, kishte lëvizje; katundsija qitte me shitun drithnat e miellin, bagtín e prodhimet e saja: bulmetin, leshin, lëkurën; mbandej lândën e pishën e kështêjët. Burrat qi s’mund të dilshin vetë për shkak gjaqesh e ngalsash tjera a pse nuk i lëshonte puna, nxirshin grát, të tana zbuluet, myslimane e katolike, lidhun kryet me nji faculetë të bardhë të vêndit, të vêjtun në vegël, ase nji rubë të zezë a bojnash, simbas moshës, secila veshun me kostumin e krahinës së vet, fusha me mângore pëlhure të vêndit, përmbi të gupen ase mitanin, me çitjane e këpucë qyteti; malsija me linjë të gjatë, xhubletë e “apênga”. Të rejat e malsís të tâna me flokë të zez si pênda e korbit e kush s’i kishte kështu vetiu do t’i lyente me mazi, siç bâjshin edhe gratë e qytetit. Të mrekullueshme balluket e nuseve malsore lëshuem mbi nji ballë të bardhë si bora.

Këta, burra e grá, mblidheshin në gurishtën e ullishtës “përmbi dyqanet”. Kështu e cilsonte populli atë vênd. Atje e shtrojshin mallin qi kishin për të shitun. Vêndit i thojshin edhe “Pazar i grávet”, sepse ndërsa katundaret, nji për nji si burrat, shkojshin edhe nëpër dyqanet, Krutanet e qytetit s’e kishin këtë guxim, por u ndalshin përmbi dyqanet, ku edhe dyqanxhijt ngrihshin nga nji tândë dhe qitshin nji pjesë të mallit atje për ditë pazari. Drithna e kështênjë kishte herë herë edhe në bark të javës e atbotë u shitshin në Lamë. Ky ishte nji shesh i vogël në mest të pazarit, atje ku dy rreshtat e dyqanevet bâjshin nji kthim të vogël në të djathtë për me mbërrîmë kështu deri në Derexhik. Asnji Krutan nuk e dinte se ky emni Derexhik ishte nji fjalë turqishte qi don me thânë përrueth. Me të vërtetë atje e çán pazarin kryq nji rrëké shinash dimnorë me shtrat kalldrâmi qi kalonte nên sallën shkollore të Hasan Çitozit, nji shkollë fillore private ku edhe un kam pasë këndue për nji kohë të shkurtën para se me u ulë mbë gjunj përpara Molla Hysen Topçiut.

Pazar’i Krujës edhe atje merr nji kthim të lehtë kah e djathta për me mbarue nja 100 metra mâ përtej. Krutanët thonë: “Rrêjti ke hani, e besoi edhe vetë në Derexhik”.()

Rruga e pazarit vijon mbandej drejt portës kryesore të kalás. Në të djathtë dahet nji rrêmb e varet teposhtë kah lagja e Kavaçajve e pak mâ poshtë kah ajo e Dedelijve; atje përpiqet me rrugën e vjetër të qiraxhijvet Krujë-Durrës e pa mbërrîmë në Ballefenaj (Ball efendi) lëshon nji rrêmb tjetër në të mângjët për ke Zhillajt, Qoshelijt e Kuqnakët; mû nên Ballefendi shkon e mbaron ke përroi i Hoxhajve, ku piqet edhe me shtegun e përshkurtët të kâmbsorvet qi zbresin prej pazari kah han’i Picorit, për rrânxë të Namazgjahut, të teqes së Shemsi-Babait e të Ballefendiut. Në të mângjët të këtij përroi piqet me rrugën e subashit qi, tue lânë prap në të mângjët nji krue me të njâjtin emën e tue kapërcye përruen, kalon kah Selim-agajt; pret mâ poshtë edhe përruen e Deredés e piqet me sheshijollin nën Dërshaban (Dervish Shaban) e lagjen e Dallakvet; po aty lên në të mângjët Sulhoxhajt. Në të djathtën e përroit të Hoxhajve, rruga qi zbret nga Kavaçajt piqet me atê të Deredés qi lên në të djathtën e vet Pengilajt e shkon me u bashkue me sheshijollin ke t’Aliut të Dylës, ku dahet trish, në të mângjët për Dallakë, Dërshaban, Pengilajt e vjetër e teposhtë përmbi Allamanen t’onë e deri në Krastë; në të djathtë mban për Sutaj e në mest varet teposhtë me nji kalldrâm të vjetër kah Lisat e Çakallit, tue lânë menjiherë prap në të djathtën Ristant; mbërrîn ke Bregu, lên në të mângjët rrugën e lagjes s’onë, Merlikajt, kalon nëpër Dy Çinarët – dy rrapa vigâna, Zoti e di sa shekujsh, në bestytnín popullore çerdhe xhindësh – e mbaron në Krastë me lagjen e kodrën e Barunvet në të djathtë.

Mbas Subashit, ke Selimagajt, dahet rruga e Sarxhës, në të mângjët, qi tue u përshkue fushës së Llabufes (vakuf, vakf) mbërrîn te kroi homonim e shkon ke Bardhajt aty afër në të mângjët dhe kah Emirajt drejt tatpjetë.

******

Ballefendiu âsht nji shênjt i fortë, jo veç për bektashijt e Krujës, por për të tânë Krutanët, posë atyne të pakve qi urrejnë bektashizmën e tjerve qi s’besojnë në shêjtnín e vorrevet. Janë dy vorre (merkate, në gjuhë të besimtarvet; merkad, arab. vênd ku flêhet) Ballefendiu me të birin. Ky i biri, mbas legjendës, paska qênë bâmë viktimë e drejtsís ekstreme të t’et. I tmerrshëm Ballefendiu për drejtsí.I a paska pasë marrë shpirtin të birit – legjenda s’e shquen se në ç’mënyrë – për nji vesh rrush qi ky paska pasë këputun e ngrânë pa leje prej nji hardhije të huej. Nji nga mrekullít e tija qi rrëfehen âsht edhe ajo qi i ka dhânë emnin. S’më ka ramë me ndie se si e quejshin deri në këtë mrekullí qi kallzojnë për tê. Nji ditë Shênjti paska pamë rrugës dikê me nji kafshë përpara të ngarkueme me dy bolira dhe e pyetka të zotin se ç’kishte në to. Bolirat ishin plot me venë. Por i zoti ka pasun marre me e kallzue, mbasi vena për myslimanin âsht gjâ e ndalueme (haram), e prandej i përgjigjet Shênjtit se ishte mjaltë (turq. ball). Edhe Shênjti, qi, si shênjt qi ishte, e ka dijtun të vërtetën, i a kthyeka: “mjaltë (ball) pra t’u bâftë”! Për njimênd kur çilka i zoti bolirat në shtëpí për me nxjerrë venën, në vênt të ksaj paska gjetun mjaltë.

Askush s’din me na dëftye gjâ mbi origjinën e këtij shênjti. Shênjt bektashj, por kundra venës; mallkimin i a lëshon venës me nji frazë turqishte: Ball ollsun! Dhe prandej i jet emni Ball-Efendi. I vetmi mandej ndër shênjtnit bektashianë qi kam ndie me këtë titullin efendi.

E vërteta veç âsht qi ky shênjt nderohet e drohet fort në Krujë. N’emën e mbi vorr të tij bâhen bét mâ të rândat. Atij i kushtohen mbrênda në qytet mâ e shumta e kurbanvet për kushte të ndryshme, në teqe të tij shtrohen mâ e shumta e drekavet prej qytetarvet në rasa të këtilla.

******

Tash dalim e vazhdojmë rugën e pazarit deri në kalá. Në të djathtë duhet të përshëndes nji herë ryzhdijen t’eme ngjitun me zyrën e postelegrafës s’asaj kohe. Përmbi këtê gjindet sod nji shkollë e re shqipe, mjaft e mirë, ndërtuem prej Shtetit shqiptar. Mandej mbërrîjmë përpara portës së kalás. Atje përpiqen edhe dý rrugë të tjera. Në të djathtën varet ajo e Mezinajvet qi shkon rrânxës së murit perëndimor të kalás e deri në Meçaj; prej së mângjëtës vjen rrafsh përmbi Pazar ajo e Kakulit, qi mû n’atë vênd ku merr kët’emën bashkon atë të Kasmajve (dmth. të lagjes ekstreme rrânxës së malit në vazhdim të Varoshit kah juglindja) me atë të Berberajvet qi ngjitet përpjetë me nji prjerrje mjaft të fortë.

Kalaja e Krujës âsht nji shkâmb i damë mbë vete në pjesën lindore të qytetit. Mbërrîn gadi në nji naltsí me Varoshin. Rrafshina e saj ndjek topografín e përgjithshme të qytetit, dmth. shkon tue u përvjerrë prej anës së malit kah ajo e fushës. Rreth’i mureve mund t’arrijë në nja 1000 metra. Mbrênda në skânjin verijak të saj âsht kulla e sahatit të qytetit. Ky sahat dikur kishte pasun nji kumbonë të mrekullueshme. Por kumbim’i saj tepër i fortë, ndihej në Prez, thojshin pleqt, e për këtë e paskan pasë hjekun e zevëndsue me nji mâ të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Edhe kjo ndihej mjaft mirë në qytet , së paku deri në Merlikaj po. Ajo e vjetra pushonte për tokë mbrênda në kullë. Dikur i paska ramë në sý nji eksperti të huej, nji Austrijaku, s’kam mundun t’a marr vesht a ndonji konsulli apo ndonji turisti. Sigurisht vlerë artistike ka pasun, por ndoshta edhe historike. E kush din me t’a kallzue? Fakti âsht ky, qi nji ditë prej ditsh ajo kumbonë zhduket e askush nuk din t’a qarojë me detaje të sigurta atë mister. Mâ vonë, shumë mâ vonë, kur ishem burrnue e kishem fillue t’interesohem për gjâna historike të vêndit, më pat ramë me e marrë vesht se si ishte zhdukun kumbona e vjetër e sahatit t’onë. Nji patriot shqiptar banues në Durrës e nji krutan, të ngarkuem pa dyshim prej konsullit austriak t’asaj kohe në Durrës (kah fund’i shekullit të kaluem a kah fillim’i këtij), kanë gjetun mënyrën me e bartun e ngarkuem më ndonji vapor t’Austrís. M’a ka pasë diftue nji bashkqytetar i im tue më sigurue se e kishte ndie prej vetë gojës së protagonistit krutan, Ibrahim Kaloshit, të ksaj ndërmarrjeje. Këtë e paska pasë sigurue miku i Durrsit qi kur të dalë Shqipnija mbë vete ajo kumbonë do t’i kthehej Shtetit shqiptar. Deri sa ajo ishte gjâ Turku e Austria nji Fuqí e madhe qi përkrahte idén e pavarsís s’onë, ata e quejshin veprën e tyne nji akt miqsije për atë Pushtet e pa kurrnji dâm kundra atdheut të vet. E me të vërtetë i kam njohun fare mirë të dy si ndër patriotët mâ të vjetër e mâ të kulluet qi ka pasëun Shqipnia.

Mbrênda në kalá s’ka kurrgjâ të vjetër me nji vlerë historike: muret, bedenat, gërmadhat e nji hamami (bânjë turqishte), nji xhamí, sod e papërdorun e me minare të shêmbun, nji tyrbe e Dollmajvet, vorret e Toptanvet. Do të kishte pasun nji vlerë saraji, sidomos arkitektore, shtëpija e Toptanvet, qi mâ vonë, mbas shpërnguljes edhe të degës së fundit të tyne me Ismail beun prej Kruje në Tiranë, kishte përmbledhun gjithë zyrat qeveritare të nënprefekturës. Por edhe ai u la në rrenim, s’i ra kush mbrapa. Âmza (zyra e shtetit civil) e Krujës e dán qytetin në dý pjesë kryesore: Kalá e Varosh, tue përfshimë nên secilin nga këta dy emna shumë lagje të ndryshme. Zakon i vjetër, mesjetuer, kur gjithë banorët e qytetit banojshin mbrênda murevetë kalás e mâ vonë kur popullsia u shtue u krijuen banesa edhe përjashta e kjo pjesë e qytetit muer në Shqipní emnin slav varosh. Kalaja e Krujës vetë përmban në të vërtetë nji lagje të vogël banorësh, si gadi të gjitha lagjet e qytetitt’onë. Por ata janë për njimênd banorët mâ të privilegjuem të këtij qyteti. Rrethpámjen ma të gjanën, panoramën mâ të mrekullueshmen përpara sýve të tyne, pa pasun nevojë të lodhen, shpesh herë drejtpërdrejt prej dritores së shtëpís mbrênda në nji qytet, veç ata e kanë, e në të tânë botën ndoshta. Âsht kjo rrethpamje, kjo panoramë e pashoqe për nji qytet qi e bân Krujën nji ndër vêndet mâ të bukura të botës, siç e ka pohue, ndër shumë vizitorë të huej qi e kanë pamë, gazetar’i madh zviceran Wiliam Martin-i. Prej asnji pike shikimi tjetër të qytetit s’e ka njeriu para sýsh nji pámje aqë jashtzakonisht të bukur. Aty nji ashik i natyrës nuk mundet mos me e humbun veten. Në nji krah, mali; shkâmb kolos, masiv, madhështuer, kërcnues, aty për brinjë; me t’u bâmë sikur të tânë vigájt e mitologjís janë shkrîmë bashkë n’atë gur të gjallë për me përgjue mbi fatin e Shqipnís.

SHËNIMI I VOAL

 

“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.

Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernes Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton  me disa vijime.

I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Maji brenda meje- Poezi nga Përparim Hysi

 

Në fusha fëshfërit bari,
Flladi ia tund “jeletë”
Dalëngadalë një peizazh ari
Të kënaqet syri për rreth.

Një re bletësh gumzhin rrotull
Shkojnë e mblidhen në pemë
Tutje-thu,në rrugë,”popull”
Ca shpezë po lahen në liqen.

Dikush sikur po më ndjek prapa
Dhe ndalem pak që ta shoh
Për pak me dorë e kapa
Është një”mik” që kam kohë që e”njoh”.

Është një ketër që nga unë s’ndahet
E kam mësuar prej kohësh si”ogiç”
Ia di”huqin” se çfarë i hahet
Dhe është besnik ndaj miqësisë.

S’ka më besnik se një kafshë,
Kafsha nuk ha bukën e të përmbysi kupën
Ndaj,sa më sheh, më ndjek pas
Hallall,o ketër, ma paç bukën!

Zë hedh sytë mbi liqen
Është i mbushur me shpezë plym
Ky peizazh aq më pëlqen
Sa nga gëzimi jam bërë tym.

Se më vijnë peizazhe nga fshati
(unë, den baba den,jam fshatar)
Si balonë më mbushen mushkëritë nga gazi
Dhe në maji nuk jam fare moshatar.

Më vjen keq që nuk jam piktor,
Më vjen keq që nuk jam fotograf,
Të kundronit këtë peizazh kaq gazmor,
Kam frikë se vargjet nuk do jenë të mjaftë!

Sidoqoftë, një gjë duhet të dini
Maji brenda meje më kthen në”djalosh”
Pasi të lexoni vargjet,hajde dhe më shihni:
-Nuk jam më”thinjosh”…
Tiranë, 13 maji 2024

Artistja e madhe regjisore e Teatrit Poetik: Mall për Vendlindjen – Shfaqja 16 Maj

Më 16 Maj në Teatrin Migjeni do të shfaqet Teatri Poetik që do të sjellë perla nga veprimtaria poetike e poetëve shqiptarë.

Shfaqja titullohet Mall për vendlindjen dhe regjisore e shfaqjes është artistja e shquar Justina Aliaj.

Krijimtaria poetike do të interpretohet nga aktorët e shquar Justina Aliaj, Mjeshtër i Madh, Merita Smaja, Mjeshtër i Madh, Rajmonda Marku, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Asrtit Fani, Fritz Selmani.

Shfaqja do të shoqërohet me pjesmarrjen e Korit “Prenk Jakova” ne Drejtues Muzikor Gjon Shllaku.

Vetë Artisja e shquar Justina Aliaj bën me dije në rrjetin social datën e shfaqjes që po afron:

“Mirëdita miq e mikesha të dashtuna.

Kam kënaqësinë të ju vë në dijeni se shfaqja po afron.

Lus Zotin me na e shpërblye mundin e punën.

Jemi optimistë, vazhdojmë provat intesivisht deri të mërkurën.

Do të doja të ju kisha të gjithëve ju të dashtunit e mi të fb-ut.

Ashtu besoj edhe për ju.

Por, dëshirat na m’varen shpesh nga kushtet, nga distancat. Arsye mbi arsyet.

Kjoshi mirë.

Ju përqafoj me respekt.

E juaja”


Send this to a friend