“Një jetë me dinjitet i ndriçon historitë personale duke i shndërruar ato në universale”
Ditën e shtunë me 18 Maj në ora 1:00 pas dreke do mbahet promovimi i librit “Një Jetë Disa Histori” me autor Marjana Bulku në sallën e “Producers Club Theatres” në zemër të Manhatanit në Nju Jork. Ndonëse i ftuar nga Zonja Bulku për të marrë pjesë në promovimin e veprës së saj më të fundit – për arsye familjare — nuk mund të marr pjesë – në këtë rast gëzimi e shpërblimi për kolegën, gazetarën dhe publicistën e njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. I kërkoj ndjesë Marjanës për mos pjesëmarrjen time, por nuk mund t’i iksha përgjegjësisë profesionale që të mos i them dy tre fjalë me rastin e promovimit të kësaj vepre publicistike të kolegës tonë të nderuar.
Libri i autores Marjana Bulku, “Një jetë disa histori” është një botim publicistik me intervista, profile shqiptaro-amerikanësh, esse dhe refleksione letraro-gazetareske të autores. Ky publikim ka si qëllim të sjellë bashkë individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë, përvoja dhe sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët sot dhe nesër, thuhet në njoftimin e botuesit.
“Shqiptarët e Amerikës janë një galeri e pasur kulturore, historike, akademike, politike e tjera…” shprehet autorja në parathënjen e librit “Një Jetë Disa Histori”, ndërsa shton se vendosi të krijojë këtë “muzeum” të disa prej shqiptaro-amerikanëve, intervistat dhe profilet e cilëve përfshihen në këtë vepër, emra të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe më gjërë. Por, autorja shprehet se qëllimi i saj me këtë botim, është diçka që shkon përtej emrave të përveçëm të pasqyruar këtu. Ajo pretendon se përtej emrave, në komunitetin shqiptaro-amerikan ekziston një “galeri e pasur vlerash dhe kontributesh, projektesh ambicioze, botime e shkrime, takime e ngjarje të cilat gjejnë gjurmë jo vetëm pse ndodhin në kontinentin e demokracisë ku hedh sytë dhe ëndërrat shpresa e tërë botës por sepse sejcila prej historive mbart kaq shumë sakrifica dhe përpjekjet, e madje edhe sukses…”.
E vërteta është se personalitetet shqiptaro-amerikane të pasqyruara në këtë vëllimin “Një Jetë Disa Histori”, të autores Marjana Bulku janë vetëm disa prej shumë të tjerëve — personalitete shqiptaro-amerikane, dashamirë të vlerave dhe veprave të dobishme por edhe të bukura për botën tonë amerikane dhe shqiptare.
Merita e Zonjës Bulku me botimin e këtij libri është se ajo pasqyron disa prej shqiptaro-amerikanëve që ajo ka menduar se me zgjuarsinë dhe me vullnetin e punës së tyre këtu në Shtetet e Bashkuara janë dalluar në jetën amerikane ku na ka hedhur fati. Disa para më shumë se një gjysëm shekulli dhe të tjerët të ardhur më vonë. Persona të cilët me punën e tyre në jetën e përditshme amerikane dhe në komunitetin tonë këtu, por edhe para të huajve – secili në atë mënyrën dhe fushën e vet — japin prova të aftësisë krijuese dhe prodhuese të racës shqiptare jashtë trojeve arbërore – shpesh nën rrethana jo të kollajta.
Këta janë njerëz modestë, shumë prej të cilëve i njoh edhe personalisht, të cilët duhen admiruar dhe që meritojnë mirënjohje prej të gjithë neve, shqiptaro-amerikanë, që me jetën dhe veprimtarinë e tyre “kanë ndikuar, përmes historive të tyre, në historinë tonë të përbashkët kombëtare.”
Si të tillë, këtyre bashkombasve tanë të përzgjedhur “me shumë kujdes”, sipas autores, si komunitet duhet tu rrimë afër, t’i mbështesim dhe t’i inkurajojmë, sidomos këta të brezit të ri, kur, sipas mundësive, veprat e tyre e nganjiherë edhe jeta i kushtohet çeshtjes kombëtare, mbi dhe përtej punëve të përditshme që bëjnë, për të mbajtur familjet e veta në këtë vend.
Si shpërblim, në minimum, të gjithë e kemi për detyrë të përfillim nismat e tyre në dobi komunitetit dhe të çeshtjes së përgjithshme kombëtare megjithse larg atdheut.
T’i ndihmojmë dhe t’i nxisim ata që të ushtrojnë profesionet e tyre, përherë e më shumë e më mirë, sidomos edhe në fushën e vlerave dhe të lulëzimeve shpirtërore, kulturore e kombëtare në këtë oqean të madh që e quajmë Amerikën tonë të dashur.
Të admirojmë punën e tyre të fituar me përvojë e mundime e shpesh, fatbardhësisht, të kurorzëuar me sukses.
Marjana Bulku, me librin më të ri të saj, “Një Jetë Disa Histori”, bën pikërisht këtë shërbim. Një botim me vend dhe në kohën e duhur rrëfimesh nepërmjet pyetjesh shumë dimensionale në lami të ndryshme, mbi jetën dhe veprimtarinë e disa shqiptaro-amerikanëve, duke paraqitur, nepërmjet tyre, me shumë hijeshi shprehëse, fuqitë krijuese të racës shqiptare, qoftë edhe këtu në mërgimin e largët. Duke rritur kështu, njëkohësisht, edhe pasuritë dhe vlerat kombëtare në dobi të të mirës së përbashkët – duke qenë të bindur se fjala dhe kultura e lirë, jo vetëm kontribojnën si mjet lartësimi personal e kombëtar, por nganjëherë mund të jetë edhe më e fortë se pushka.
Më në fund, dua të shprehi kënaqësinë time kur vërej se personat e intervistuar ose të profilizuar në këtë vëllim të “Një Jetë dhe Disa Historive” në mërgim, pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan – përfshir në një hark individësh të përzgjedhur nga autorja, por që janë me prejardhje nga viset dhe krahinat më të ndryshme të trojeve shqiptare – të mërgatës së vjetër anti-komuniste dhe të mërgatës së pas 90-ave.
Natyrisht, se kjo tregon paanshmërinë krahinore balancuese të autores, viktimë e të cilës mund të biem shpesh edhe shumë prej nesh. Mbi të gjitha, autorja njëkohësisht, dëshmon me këtë vepër, pa paragjykime, se trunku i fisit arbëror, qoftë edhe këtu në mërgim e larg Atdheut — shpesh në rrethana jo të volitshme veprimtarie plot sfida — gjithnjë ushqehet në rrënjë të gjalla të veprimtarisë së vet, që madje as mërgimi dhe jeta moderne e shekullit XXI, në këtë shtet-planet, nuk mund t’i thajë ato. Prandej, le ta konsiderojmë veprën e autores Marjana Bulku “Një Jetë Disa Histori”, si një pasqyrë e përkushtimit dhe përpjekjeve të disa antarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan për të ecur përpara, duke ia kushtuar ngritjes së Kombit, dijen dhe pendën.
Urimet më të përzemërta autores për këtë vepër që pasqyron disa prej zërave shqiptaro-amerikanë në fushë të ndryshme të veprimtarive të tyre. Urojmë edhe vepra të tjera nga autorja e “Një Jetë Disa Histori”, në zbardhjen e arritjeve të komunitetit.
Le të jetë ky libër i Zonjës Bulku edhe një dëshmi mirënjohejeje e kontributeve të jetës dhe veprimtarisë së disa shqiptaro-amerikanëve dhe promovimi të shërbejë, njëkohsisht, edhe si nxitje për brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve që të aktivizohen – me pendë dhe me vepra, aktivitete të ndryshme të komunitetit ku jetojnë, duke sjellur histori të reja në të mirë të komunitetit më të gjërë shqiptaro-amerikan dhe në interes të Kombit – në këtë vend të lirisë e demokracisë.
Urimet e mia autores Bulku dhe sukses në ndërmarrjen bujare të saj — për të qitë në dritë, për aq sa është e mundur, nepërmjet historive individuale — veprimtaritë e komunitetit shqiptaro-amerikan të Nju Jorkut me rrethe, por jo vetëm, gjatë viteve dhe dekadave të kaluara.
Frank Shkreli