Por kush janë Krutanët? Asnji dokument historik, s’më ka rânë në dorë qi të na sigurojë mbi fatin e popullsís së Krujës kur hýnë Turqit n’atë qytet njimbëdhetë vjet mbas vdekës së Fatosit t’onë (). Por ka gjasë qi as këta mos të kenë qênë mâ të mëshirshëm për atë popullsí se vetë kundërshtari legjendar i tyne për rojën anmike qi gjet në kështjellin e t’et kur u kthye mbas tridhetë vjet mërgimi. Sod në Krujë s’ka asnji familje me tradita të vjetra. Të tânë gati e tregojnë origjinën e tyne, kush mâ të largë e kush mâ t’afër, nga vise tjera, mâ e shuma prej viseve jo fort të mërgueme. Na Merlikajt b.f. siç kam pasë ndëgjue prej tim ungj, () jemi të shpërngulun në Krujë prej Malit të Bardhë të Kurbinit shumë breza mâ para. Kemi pasun në fushë t’atij katundi do tokë të trashigueme qyshë moti së bashku me Allmuçajt, krutanë edhe ata, qi sod janë shue e qi në vogjlí t’eme u pritshim e u përcillshim ke shoshoqi si në vllazní, por pa qênë kurrkush i zoti me i lidhun brezat krye më krye deri në të parin t’onë të përbashkët. Ajo tokë atje në Mal të Bardhë ishte e vetmja dëshmí konkrete e origjinës s’onë, si dhe prova, veç traditës së vazhdueshme, e gjakut të përbashkët me Allmuçajt. Ajo tokë, tue mos i rânë kush mbrapa, tue e lânë mbas dore për nji kohë të gjatë, pak nga pak u përvetue prej katundarvet rreth e rrotull qi kishin krahë me punue, ndërsa neve për nevojat t’ona na mjaftojshin ato të qytetit.
Me lavdrue veten njeriu âsht marre. Me lavdrue atdheun e vet, kombin e vet, me gjithë qi edhe vetë asht pjestar i këtij quhet detyrë. Besoj pra se edhe nji qytet me popullsín e tij, ku na ka pamë sýni për të parën herë dritën e diellit, po qe për t’u lavdrue mund të lavdrohet pa pasun kush të drejtë me na paditun për mungesë modestije. Në fund të fundit trandafille pa gjêmba s’ka e kur i këndojmë hymne trândafilles nuk don me thânë qi u a këndojmë gjêmbavet.
Popull’i Krujës, pra, âsht nji popull i squet, por sidomos thellsisht i ndershëm. S’e kam ndie kurrë veten mâ kryenaltë për qytetin t’em sesa nji herë në nji kafe të Vjenës në 1926. U njoha atje me nji trgtar të madh të Stambollit. T’a marrmen vesht ai prej emnit t’em qi ishem krutan (), më pyeti nëse e njihshem “nji farë” Ismail Kasmi. Ky “nji farë” Ismail Kasmi ishte tregtari mâ pasaniku i vêndit t’em. Sod kemi edhe krushqi me shtëpín e tij. Atëherë ishim vetëm bashkqytetarë qi njiheshim, por as miq jo. Po më thoshte tregtar’i Stambollit:
“Në jetën t’eme s’kam pamë njerí mâ të ndershëm se atë burrë. Para luftës ballkanike kishim magaze edhe në Selanik. Kasmin e kishim myshterí. Para se të plaste lufta na kishte mbetun borxh nji kusur të vogël, nja njiqind lira. Lufta na shtrëngoi me e shkrehun magazen e Selanikut, u dyndëm e shkuem në Stamboll e s’u kthyem mâ atje. Mbaroi lufta ballkanike, kaloi edhe ajo e madhja e 1914-s e me Shqipnín qe premë çdo marredhânje tregtare për Turqín. Me gjithë këtê nji ditë prej ditsh kê po shoh në magazet t’eme? Ismail Kasmin! Faleminderës Zotit!…. edhe u gzova qi pashë nji klient të vjetër e të dashun edhe u habita. Kafe e muhabet, e po e pyes mikun e papritun: “Po tý, Ismail Aga, ç’erë e bekueme të paska hjedhun ksaj ane? Mos ke ardhun për ndonji mjekim?….” jo,jo! Ismail Aga s’e kishte bâmë gjith’atë rrugë as për mjekim as për dëfrim e aqë mâ pak për tregtí. Ai mbasi kishte kalue për Selanik për me më kërkue e atje s’më kishte gjetun, kishte ardhun në Stamboll nergut e vetëm për me më lamë borxhin mue! Nji borxh qi un e kishem fshimë kryekëput prej mêndsh e qi e kishem nxjerrë sa fijsh në tregtín t’eme me tê. Por Ismail Kasmi s’e kishte harrue e kishte ardhun postafat qyshë prej Kruje për t’a lamë….
Kështu asht krutani: Xhiu i Fajës shkon në Stamboll me lânë kryet për nji gjysmë fjale qi i kishte dhânë mikut me i marrë gjakun, Ismail Kasmi për me lamë nji borxh qi edhe vetë i zoti e kishte harrue. Fjals, besa, detyra për tê ka vetëm nji ligjë: me e mbajtun e me e krye me çdo kusht.
Krutani âsht modest. Nuk mbahet, s’krenohet, s’lavdrohet. Âsht trim, por trim i pafjalë e i padukë. Për fjalë e sjellje të tija s’e blen kush për pesë pare. Trimnín e tregon vetëm kur e zên puna për projën e vet e të të drejtave të veta, për mikun, për zakonet. Sa âsht fanatik në projën e nderës së vet, me gjith’aqë shkrupull nderon edhe tjetrin, kushdo qoftë. Gadi në të tâna zakonet e tija ka mbetun malsuer. Në punë gjaqesh ndjek pikë për pikë Kanunin e malevet. Gjakun e lyp vetëm prej mashkujve të rritun e t’armatosun të tymit të gjaksit krye për krye (). A e muer gjakun, ka për t’i dërgue anmikut pleqt ke dera për pajtim e s’ka ndodhun kurrë qi ky mos t’i shtrohet Kanûnit.
Krutani asht puntuer. Strukun n’atë rrânxë mali me q’ata ullîj qi nji vjetë bâjnë e dý jo, me nji copë arë të shkretë në ndonji luginë ndërmjet dý sukash a vetëm me nja dý pash kopësht para shtëpís, me nji copë dyqan qi punon mirë vetëm nji ditë në javët me katundarët, me ndonji dele, dhí a lopë në derë, lufton i ziu me jetën si të mundet, veç të rrojë me nderë. “Në Krujë ha pula gurë” thotë nji fjalë e moçme e vêndit. Kallzohet se dikur paska qênë mbledhun Kruja në kuvênd e gadi paska pasë vêndosun me e ulë qytetin në fushë mbi xhaden e Shkodrës. Sigurisht s’ka qênë pun’e lehtë me lânë plâng e shtëpí me kujtime shekullore mbas shpine për me fillue gadi një jetë të re. Prandej bisedimi do të ketë qênë mjaft i nxetë, mjaft i ashpër ndërmjet tradicjonalistavet e antarvet guximtarë të një sýnese të largët qi premtonte, së paku për brezat e ardhshëm e mbas shumë sakrificash, nji jetë mâ të volitshme se poplat e shkrepat e të parvet në nji skânj mali ku nuk shihej kurrë nji fytyrë jabanxhiu. Nji qytet n’atë fushë të bukur, në nji vênd qëndruer, p.sh. andej anës së Gjoles a mâ nalt kah Zeza, jo veç qi do t’i a kishte premë udhën konkurrencës tregtare të Tiranës mbi shumë katunde të Krujës, por do të kishte tërhjekun e bâmë krejt për vete edhe krahinën e pasun t’Ishmit e treqind shtëpí Prez. E mbandej xhamija e madhe, me qênë nji stacjon përmbi nji damar tregtije aqë të rândsishëm! Ky argument’i fundit kishte magjepsun sidomos esnafin e Krujës, tregtarët qi ishin, si me thânë, ajka e qytetarvet. Por ja ku del q’atje përtej dikush, ndoshta nji teshë i ngratë qi deri atë ças s’e kishte përfillë kurrkush e ai vetë soll kishte ndêjtun e ndëgjue se ç’po thojshin burra mâ të parë e mâ të mêndshëm, edhe thotë: “Or shokë, a e flas nji fjalë edhe un qi s’dij gjâ, qi jam mâ i mbetmi i të gjithve këtu në këtë kuvênd burrash e zotnísh? Ju besa mjaft mirë jeni tue thânë se kjo rrânxë mali ku na kanë lânë të parët t’anë fort vênd i vorfën e i shmangun âsht. E po thotë Zotnija e Juej me ramë atje poshtë në xhadet të madhe, se atje kishte me na rrjedhë allishverishi si zalli e kishte me na bâmë rahat. Për mue, qe besa, më falni, por kjo kaprroqja e ime s’po më mbushet bash fort se xhadja do të na bjerë atë fitim të madh qi po shpresohet. A thue s’ka qênë kush ndonji herë në Lesh prej sa jemi këtu në këtë kuvênd? Un pra po, kam qênë, e kam pamë e e njoh mirë Leshën. Ky qytet, qyshse âsht ngrefun, q’aty në breg të Drinit e përmedis xhades së madhe ka qênë, asnji karvan s’ka pasë kah me i a mbajtun pa ramë nëpër tê për me votun në Shkodër, në Gjakovë e në Prizren. E pra me gjithë këtê s’e pashë kurrë n’atë qytet nji tregtar qi të ketë bâmë prokopí. Mendohi mirë, burra, para se me dhânë nji vendim të pamatun, se edhe të parët t’anë s’kanë qênë, jo, aqë të pamênd kur e kanë themelue këtë qytet këtu, për vete, për ne e për tânë sa do të lejnë e të vdesin mbas nesh”!
E pat! Kruja mbet atje ke qe, tek e kishin themelue të parët “për vete, për ne e për sa do të lejnë e do të vdesin mbas nesh”, sikur tha ai sukllari i panjohun n’atë kuvênd të hershëm të qytetit ku kishin të drejtë me marrë pjesë e me folë i madhi e i vogli, pasaniku e vobeku (). Ajo mbet atje në vorfnín e vet, por edhe me historín e vet, madhështore e krenare. A ka themel historik ky kuvênd a s’ka, nuk e dij. Âsht nji gojdhânë. Krutanët kanë mbetun besnikë të gurvet, të shkrepavet, të malit të tyne. Por vorfnija i ka shtrëngue me e kërkue kafshatën e vet edhe për jashta; gjithmonë, veç në Shqipní, vetëm në Shqipní e ndër vise jo aqë të largta. Gjêjmë krutanë në Durrës, Shijak, Tiranë, Mat, Thkellë me dyqane. Kah Juga asnji s’e ka kapërcye Vlonën. Në dhena të huej, as në Stamboll e vênde tjera të Turqís nuk gjindet farë Krutani. Edhe kudo qi kanë vojtun janë mundue me bâmë ndonji tregtí të vogël e rrallë janë pasunue. Krutani âsht mohimi vetë i çdo aventure. Vullëndohet me pak, por punën e don të ndershme e të sigurtë. Âsht i urtë, kryeulët në sjellje, por krenar, hijerândë përmbrênda. Puntorë, shërbtorë, rrogtarë krutanë nuk gjên kurrkund përjashta. Krutani qi shkon e pajtohet rrogtar me gjâ të gjallë, me kafshë barrtore a me qé ke nji zotní, bashvendës i vet, mbahet baras me djelmt e shtëpís. Ai këta i quen vëllazën, zotnín e njeh vetëm për të parë shtëpije, granija për tê janë motra e nâna atje ku punon. Han në nji tryezë me gjindën e shtëpís.
Mikpritja në Krujë vetëm tash vonë, nën influksin e nji tog rrethanash të ndryshme, ka marrë aty-këtu pak si hije qyteti. Në vogjlín t’eme çdo derë krutane ishte e hapët për të njohun e të panjohun, nji për nji si ndër malsít t’ona mâ bujaret. Grueja krutane i shërben mikut në shtëpí të saj si t’a kishte farefis të vetin a të burrit. Nusja ashtu siç i lante kâmbët gjindës së vet i a lante edhe mikut. Sod ky zakon âsht vjetrue e lânë, por un i a kam mbërrîmë.
Më bie ndër mênd ç’më ka ndodhun nji herë në shtëpí t’onë kur ishem fëmijë:
Nji të dielle mbrâma kishin ardhun te na miq kurbîjas, për me ndjehun të hânën, për ditë pazari, në qytet.Ndër ta ishte edhe nji nuse e re bashkë me të shoqin. Kjo qet nji varg kështênjë të zieme e m’a dëften së largu tue më thërritun për me m’a dhânë. Kur i u afrova muer me më puthun; por un, shen e verë për vargun e gështenjvet, para se të më puthte ajo mue, kap e puth un atê, gjâ qi s’asht zakon ndër né. Shkoi gazi në kupë të qiellit e un zûna me qamë prej marres.
Dom Nikollë Kaçorri () më ka pasë diftue nji herë ç’i kishte pasë ndodhun në Krujë në të ri të tij:
“Porsa kishem dalë prej seminarit të Shkodrës, prift i ri e sekretar i Kryepeshkopit të Durrsit, Monsinjor Bianchi-t – nis tue më thânë Dom Nikolli dhe vijon: – Plaku (), me gjithë qi vetë kurbîjas, s’kishte pasë qênë ndonji herë në Krujë, në këtë qytet me nji popullsí qind për qind myslimane, e s’kishte nji mendim të mirë për bashkatdhetarët t’anë mohamedanë përgjithsisht. Un vetë edhe mâ zi se ai. Nji ditë i mbushet mêndja Arqipeshkvit me shkue e vizitue atë qytet, veç për kujtimin e Gjergj Kastriotit. Të dý hypim nji mëngjesi dý kualve shalet , nji rrogtar me vete e nisemi për Krujë. Mbërrîmë atje mbas dite vonë. Arqipeshkvi e un, dý priftën katholiq me nji shërbtuer, katolik edhe ai, në nji vênd thjesht mysliman. Mu në krye të pazarit ishte nji han. U zdrypëm kualvet aty dhe lypëm nji odë. Hanxhiu na prîni e na hypi për do shkallësh të çudiçme nalt në pod e na çeli nji odë. S’kishte asgjâ mbrênda posë nji hasre të vjetër shtruem. Pyetëm në kishte shtresa e mbulesa për të flêjtun. Hanxhiu, Senë Picorri, na përgjigjet: – jo, zotní, këtu s’ka kurrgjâ as për të ngrânë as për të flêjtun, veç po çoj e marr në shtëpí. Por këtu nuk âsht vênd për z.T’uej, âsht ma mirë me urdhnue në shtëpí t’eme? Qyrim shoshoqin me Arqipeshkvin e ky i përgjigjet hanxhiut bujar: – Jo, jo; faleminderës, na po bûjmë e ti veç na bâ hall për haje e të shtruena… U hap zâni nëpër Pazar se dý priftën kishin mbërrîmë në qytet e kishin ramë në hant. Nji zotní vjen e hyp ke na, ishte nji tregtar. Na përshëndet e na thotë: Zotní, nuk besoj se keni ardhun këtu për me koritun Krujën. Këtu s’mbahet mênd me pasë ramë kush i përjashtëm ndonji herë në han. Urdhnoni në shtëpí t’eme, s’e kam fort larg pazarit, po rrijmë e bâjmë muhabet, po hajmë e pijmë ç’të na ketë falë Zoti e ju po bâni rahat, se jeni edhe lodhun mbas gjith’asaj rruge të gjatë. Vijni nga Durrsi, në mos gabofsha…. Ç’me bâmë? Arqipeshkvi ka ramë gjall’e ngusht. Bani e i tha njânit jo e duhet me vijue n’atë fjalë edhe me tjerët. S’i a njohim as zakonet nji qyteti qi ishim tue pamë për herë të parë. Mbas pak kohe i a befti edhe nji zotní tjetër e edhe me atê kështu shkoi puna. Për mos me e zgjatun, kur mbërrîni darka neve na qe mbushun oda e hanit me dyshekë leshi e jorgana mëndafshi, çarçafë qi me marrë miza mjaltë në ta e mbandej gjellë si me pasë qênë ftue në darsëm! Veç pleshtat e hanit na mërzitën pak, por për tjetër s’po shkoj mâ gjatë mbi bujarín e qytetit t’and, se s’përshkruhet. E po t’a pohoj se ka qênë bash nj’ajo rasë qi më ka çelë sýt për me pamë e me besue se paskish për njimênd nji popull shqiptar me të gjitha vërtytet e moçme e jo vetëm mysliman, katoliq e ortodoks qi flasin të njâjtën gjuhë pa mujtun me u marrë vesht shoq me shoq.
SHËNIMI I VOAL
“Qytet’i im”, një esé e mrekullueshme e Mustafa Krujës, për qytetin të lindjes, që ai e ka për mbiemër, Krujën, veç të tjerash, ka rëndësi historike, sepse është shkrimi i fundit i Mustafa Krujës.
Nipi i tij, Eugjen Merlika, e ka nxjerrë nga revista Shejzat e Ernest Koliqit dhe e ka përgatitur dhe e dërgon për botim për herë të parë tek VOAL. Esenë VOAL po e boton me disa vijime.
I jemi shumë mirënjohës për këtë nder të veçantë mikut dhe kolegut tonë të çmuar Eugjen Merlika.
Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Kruja, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.
Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.