Kamala Harris tha të mërkurën se “duhet të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve” pasi inkurajoi mbështetësit që të vazhdojnë të luftojnë për vizionin për vendin pas humbjes ndaj ish-Presidentit Donald Trump.
Nënpresidentja demokrate tha se beteja do të vazhdojë “në kutitë e votimit, në gjykata dhe në sferën publike”.
“Ndonjëherë beteja zgjat. Kjo nuk do të thotë se nuk do të fitojmë”, tha zonja Harris në fjalën e saj ku pranoi humbjen që e mbajti në Universitetin Howard, ku ka ndjekur studimet, një nga shkollat më të njohura të afrikano-amerikanëve, ku ajo shpresonte të mbante fjalimin e fitores.
“Megjithëse e pranoj humbjen në këto zgjedhje, nuk heq dorë nga beteja që e nxiti këtë fushatë,” tha zonja Harris. Guvernatori i Minesotës Tim Walz, kandidati për nënpresident, ishte i pranishëm, ashtu si edhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe ligjvënësja Barbara Lee, të dyja nga Kalifornia, shteti i lindjes i zonjës Harris.
Para fjalimit të saj, Kamala Harris telefonoi Presidentin e zgjedhur Donald Trump të mërkurën për të pranuar humbjen në garën presidenciale dhe për ta uruar atë për fitoren, sipas një këshilltari të lartë të nënpresidentes. Këshilltari, i cili nuk pranoi të identifikohej në mënyrë që të diskutonte për një bisedë private, tha se zonja Harris foli për nevojën për një transferim paqësor të pushtetit.
Nënpresidentja Harris u konsiderua si shpresa e Partisë Demokrate për fitore pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara por ajo u përball me refuzimin e votuesve amerikanë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Ajo humbi tek të gjitha shtetet që ishin vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve ndaj ish-Presidentit Trump të cilin ajo e përshkroi gjatë fushatës si një rrezik ekzistencial për institucionet themelore të vendit.
Zoti Trump duket se po fiton edhe votën popullore, për herë të parë në tre fushatat e tij për Shtëpinë e Bardhë – edhe pas dy proceseve që synonin shkarkimin e tij, shpalljes fajtor për krime dhe përpjekjes së tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të kaluara.
Nënpresidentja Harris planifikon të mbanjë një fjalim për të pranuar humbjen të mërkurën pasdite, siç njoftoi zyra e saj. Ajo do të flasë në Universitetin Howard në Uashington, ku ka kryer studimet dhe ku mbështetësit e saj ndoqën të martën në mbrëmje shpalljen e rezultateve për çdo shtet, përpara se të njoftohej që zonja Harris nuk do të fliste atë natë dhe zoti Trump po dilte në epërsi në shtetet vendimtare.
Zoti Biden planifikon të flasë para kombit për rezultatin e zgjedhjeve të enjten. Shtëpia e Bardhë tha se ai kishte folur me zonjën Harris dhe zotin Trump të mërkurën dhe ftoi presidentin e zgjedhur për një takim në Shtëpinë e Bardhë së shpejti.
David Plouffe, një këshilltar i lartë i zonjës Harris, tha se ekipi i fushatës “u përpoqën me mish me shpirt për vendin e tyre”.
“Ne u ngritëm nga një pikë shumë e ulët, por mesa duket jo mjaftueshëm,” tha ai. “Një humbje e dhimbshme”.
Tani si nënpresidente në detyrë, ajo pritet të drejtojë seancën e certifikimit të zgjedhjeve nga Kongresi. Është i njëjti rol që luajti Mike Pence katër vjet më parë, kur zoti Trump i nxiti mbështetësit e tij të shkonin drejt Kapitolit.
Megjithëse kritikët thanë se ajo ngjarje nxorri në pah kërcënimin që paraqet zoti Trump për demokracinë amerikane, kjo nuk i shkurajoi votuesit që ta rizgjidhnin atë.
Zonja Harris u bë kandidatja demokrate pasi zoti Biden pati një paraqitje të dobët në debatin presidencial të 27 qershorit përballë ish-Presidentit Trump. Ai u tërhoq nga gara më 21 korrik dhe mbështeti nënpresidenten e tij e cila bashkoi me shpejtësi Partinë Demokratike rreth kandidaturës së saj.
Turp e tmerr.Përse nuk merren masa kundër shpopullimit,shprazjes së trojeve shqiptare a nuk po shifni se ç’po bëhet o përfaqësues politik,intelektual etj.etj.të popullit shqiptarë.