ARSIMI DHE PUNËSIMI NË VITET E TRANZICIONIT…
Gjatë periudhës së Mbretërisë dhe në sistemin totalitar u investua për arsimin, dhe, nga një vend me shumicën e popullsisë analfabete, u arrit që të shkonin në shkollë të gjitha shtresat e shoqërisë. U krijua një traditë e mirë e kultit të dijes, vlerësimit të intelektualit, profesionistit, shkencëtarit dhe eruditit. Shkollat ishin zerioze, mësimi ishte i shenjtë dhe vlerësimet shume rigoroze. Çertifikata apo diploma që merrje, pasqyronin dijet dhe kompetencën kudo. Në periudhën e tranzicionit, kjo traditë u gërrye dhe sot jemi përballë një situatë fatale, aq kohë sa ka shitje note dhe diplomash. Cilësia e arsimit është shumë e ulët. Njerëzit janë ftohur me dijen dhe me librin. Kush e vrau librin? Kush i përbuz njerëzit e librit? Kush bëhet shok, ortak me hajnat, kriminelët dhe të korruptuarit? Sigurisht, ai që nuk është mik me librin dhe kulturën. Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, do të duhet të kalonte nga shfletimi shoqëror i librit,jo nga analfabetizmi, deri në foltoren e Kuvendit, ku sheh deputetë, që nuk dinë të shkruajnë, pa le më të lexojnë. Flitet me entuziazëm për Tetorin e librit…të lexuarit e librit, bëhet nami me dhe për librin, falë propagandës. Pallavra, gjendja eshte e tillë, që po të shohësh shifrat tronditesh. Gënjeshtrat për librin dhe diturinë janë të modeluara, gjoja sipas kërkesave të BEsë …. Dilni, shihni, nëse deputetët apo ministrat, frekuentojnë bibliotekat apo blejnë libra, brenda ose jashtë vendit. Ata mund të blejnë gjithçka, por libra,ah, ah, është herezi! Mundet, ndonjëri prej tyre. Me padituri shkohet drejt tunelit të mbyllur, kjo është e sigurt.
Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit, në Universitetin e Uashingtonit, (The Lancet) ka bërë krahasime të zhvillimit të kapitalit njerëzor në nivel global (195 vende) nga viti 1990 -2016. Studimi tregoi se Shqipëria kishte bërë regresin më të madh në Europë, madje në rang global, në këto 26 vite. Në vitin 1990 Shqipëria u rendit e 75-ta në botë për zhvillimin e kapitalit njerëzor, por në vitin 2016 ajo u rendit në vendin 91, duke humbur plot 16 pozicione në renditjen globale. Sigurisht, kjo gjendje lidhet me degradimin e arsimit, largimin nga parametrat cilësorë dhe sasiorë që karakterizojnë shoqëritë e zhvilluara.
“Modeli arsimor që kemi zgjedhur të ndjekim, ai i Finlandës, që është më efikasi në Europë, ka dështuar të ushtrohet në kushtet e Shqipërisë. Finlanda arriti, në 2015-ën, vendin e dytë në botë për njohuritë e larta që 15-vjeçarët atje kanë për shkencat, matematikën dhe të lexuarit, sipas Programit për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ndërsa Shqipëria u rendit shumë poshtë mesatares në rang botëror, duke u krahasuar me vende të Azisë dhe Afrikës, edhe pse vitet e fundit ka bërë përmirësime. Por çfarë ka bërë Finlanda, që është prijësi i arsimit në Europë? Në shtetin e vogël nordik, prej rreth 5 milionë banorësh, është më e vështirë të bëhesh mësues, se sa mjek, jurist apo ekonomist. Shkollat e larta të mësuesisë përzgjedhin 10 përqindëshin më të mirë të gjimnazistëve dhe kurrikulat e kanë të kombinuar, në mënyrë të përsosur, praktikën me teorinë. Teksa Shqipëria ëndërron Finlandën, për gati 30 vite rresht , që kur ka rënë sistemi komunist, degët e mësuesisë ndiqen nga 20%-shi më i dobët i studentëve. Lëndët e mësuesisë ishin aq pak të zgjedhura, sa prej vitesh degët e matematikës, biokimisë, jo vetëm që kanë thithur gjimnazistët e 10% më të lartë, por shpesh janë degdisur me kuota bosh…Modeli i Finlandës te ne, është një dështim, pa llogaritur faktin se Shqipëria sistematikisht, gjatë tri dekadave të fundit, ka financuar arsimin me rreth 3% të PBB-së, teksa Finlanda, (modeli që ne themi se po ndjekim), edhe sot e kësaj dite, jep 7% të fondeve të buxhetit për arsimin. Fëmijët në Finlandë nisin shkollën në moshën 7 vjeç, mësimi fillon pas orës 9. Në gjashtë vitet e para kanë vetëm një mësues dhe, për më tepër, shkolla nuk konceptohet si një detyrim. Gjithkush prej nesh e dimë se Shqipëria nuk ngjan askund me modelin që thotë se ka zgjedhur.” UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim), bëri një vlerësim për politikat arsimore në Shqipëri dhe gjeti se, ende deri më 2017, mësimdhënia në vendin tonë ka dështuar të nxisë kreativitetin dhe aftësitë. Citoj nga përfundimet e gjetura në realitetin tonë arsimor: “Gjatë dekadave të fundit, shkollat duhet të ndryshonin rolin e tyre; nga riprodhimi me saktësi i lëndëve, drejt nxitjes së rritjes dhe zhvillimit të mendimit kritik dhe kompetencave dixhitale për pjesëmarrje në shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë dhe përtej saj”, – shprehen ekspertët e UNESCO-s. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm, ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018, nga 68 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku, në vitin 2018, janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak se në vitin 1991. Vetëm në dy vitet e fundit, shkollën e vijuan 46 mijë fëmijë më pak. Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43.700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 29.000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit. Gjithashtu, numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, dhe ka mbetur me 1134 shkolla. Afërisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këto dy vitet e fundit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit. Numri i klasave është reduktuar më tej. Nga 37 mijë klasa që ishin në fillim të viteve 1990, aktualisht janë rreth 11 mijë klasa. Numri i tyre është reduktuar me 70% përgjatë 28 viteve. Sipas INSTAT, ulja e numrit të nxënësve ka sjellë dhe një rënie të raportit nxënës për mësues, në 17.8 në vitin akademik 2017-2018, nga 19.1 në vitin akademik 2013-2017, për ciklin 9-vjeçar. Ministria e Arsimit pohoi se, prej vitit 2009 migrimi i brendshëm i popullatës, nga fshatrat dhe qytetet e vogla, drejt qendrave më të mëdha urbane, emigracioni dhe rënia e numrit të lindjeve, kanë bërë që shkollat në zona urbane të kenë më shumë nxënës se sa në ato rurale.” Kuptohet që ajo çka thotë Ministria e linjës është një justifikim. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë më të thella dhe ndërfaktoriale. Pse po zbrazen shkollat? -pyet revista “Monitor”, dhe jep këtë përgjigje që të tmerron. Rënia e numrit të nxënësve ka ardhur në proporcion të drejtë me tkurrjen e peshës së grupmoshave të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milion persona, ndërsa në vitin 2017, ka zbritur në vetëm rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim. Pesha e popullsisë 0-14 vjeç ka zbritur në 18% të totalit, nga 32% që ishte në vitin 1989. Në të kundërt, teksa vendi ka përjetuar pas viteve ’90 rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv, ku janë larguar kryesisht moshat e reja, është rritur pesha e të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001, po sipas INSTAT. Norma e lindshmërisë ka rënë në 1.5 fëmijë për grua në fund të 2017-s nga më shumë se 5.6 fëmijë në fillim të viteve 1990. Kjo normë është nga më të ulëtat në Europë dhe do të thotë se nënat nuk zëvendësojnë as vetveten. Ky është një sinjal alarmues për pakësim të pashmangshme të popullsisë së Shqipërisë, në vitet në vijim. Ndryshimi i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të afërme, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë-ofertën për punë (me ndikim në profilet e universiteteve), ashtu dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve. Rigjallërimi i ciklit të emigracionit është një tjetër faktor i rëndësishëm. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur në 33 mijë persona në 2016-n dhe 26 mijë në 2017-n. Këto shifra shkruhen në Raportin Vjetor të Situatës së Azilantëve, të publikuar fillimisht nga Bashkimi Europian.Demografët e INSTAT kanë komentuar më parë se, një ndër faktorët kryesorë të rënies së lindjeve këtë vit, lidhet me emigrimin. Në vitin 2015, një valë emigracioni prej 67 mijë personash u regjistruan si azilantë në vendet e BE-së, një nivel rekord i viteve të fundit. Qendra kërkimore “PewResearch”, që ka përpunuar të dhënat e Eurostat për emigracionin në vendet e BE-së në vitin 2015, tregoi se 80% e azilkërkuesve shqiptarë ishin nën 35 vjeç, moshë e cila realizon 90% të riprodhimit. Karakteristikë themelore e valës së emigracionit këtë herë ishte ikja e familjeve, ndryshe nga vendet aziatike, ku emigrojnë kryesisht vetëm meshkujt. Azilkërkuesit nga vende si: Rusia, Serbia, Ukraina dhe Shqipëria kanë tendencë për t’u zhvendosur si familje. Edhe numri i aplikimeve për Lotarinë Amerikane nga shqiptarët, është i lartë. Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) i varën shpresat e tyre tek “ëndrra amerikane”, duke aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe duke u renditur të parët në Europë, që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për lotari. Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptarëve që aplikuan për Lotarinë Amerikane, është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin në 2007-n, në 2018-n, numri i aplikimeve, kapi shifrën rekord 367 mijë, sipas statistikave të Departamentit Amerikan të Shtetit. Rritja e aplikimeve në Lotarinë Amerikane ka qenë e lartë, veçanërisht pas vitit 2013. “UNESCO ka rekomanduar se, Shqipëria duhet të përdorë më mirë procedurat e emërimit të mësuesve, për të trajtuar pabarazitë në sistemin arsimor. Një analizë e rezultateve të “PISA 2009″, tregoi se nxënësit shqiptarë në zonat rurale kishin më pak të ngjarë të kishin mësues që përdornin praktika të efektshme të mësimdhënie. Për vitin shkollor 2015-’16, disa Drejtori Arsimore Rajonale, sidomos në pjesën verilindore të vendit, raportuan një numër të konsiderueshëm vendesh të lira, të paplotësuara me aplikantë. UNESCO i ka kërkuar Shqipërisë që të punojë për të siguruar numrin e nevojshëm dhe shpërndarjen e duhur të mësuesve, për të trajtuar çdo pabarazi në sistemin e arsimit. UNESCO paralajmëron se nuk ka zgjidhje të thjeshtë për këtë problem.”
Le të shohim tani se si është kurba e financimit për arsimin duke i`u referuar disa shifrave dhe cila është prirja. Një arsim i përparuar dhe modern ka nevojë edhe për mbështetje financiare, nëse realisht kemi bindjen se “Arsimi ndryshon veten, me qëllim për t’i hapur rrugën ndryshimit të shoqërisë në tërësi.” Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB-së së saj, para viteve 1990, për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD jepnin në atë kohë. Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% e PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit. Sipas UNESCOs Shqipëria vijon të ketë financim të ulët për arsimin, në raport me PBB, krahasuar me vendet e tjera të kontinentit. Historikisht, në Shqipëri, shpenzimet e qeverisë për arsimin kanë qenë të ulëta, dhe përgjatë 15 viteve të fundit mbeten kryesisht deri nën 3.5% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB). Në vitin 2007, një vit përpara krizës ekonomike financiare dhe recesionit ekonomik, përqindja përkatëse mezi arriti ne 3.2%. Pas krizës, financimet për arsimin kanë qenë sistematikisht poshtë 3% të PBB-së. Shpenzimet private/familjare për arsimin si përqindje e PPB-së kanë qenë në rritje që në 2011, dhe, duke ruajtur këtë tendencë, arriti në 0.9% në fundin e vitit 2015 dhe pak më shumë se 1% më 2017. Financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht në cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat pavaforizuara të popullsisë. Në vend që hendeku i financimeve në arsim të plotësohet, qeveria planifikoi të kundërtën, fondet u ulën më tej gjatë tri viteve në vijim. Sipas planifikimit afatmesëm të Ministrisë së Financave, shpenzimet për arsimin nga 3.1 – 3.3% e PBB-së më 20182019 zbritën në 3%, në 2020 dhe 2021. Shqipëria u rendit e fundit në rajon për shpenzimet dedikuar arsimit gjatë vitit të kaluar. Shqipëria shpenzoi 3.1% të PBB-së për arsimin, teksa në vendet e tjera të rajonit, ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së. Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim në familje arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit më 2016, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë- Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raportonte në anketën e buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit familjar ishte zero.
LE TË SHOHIM TREGUESIN TJETËR, PUNËSIMIN
Në një shoqëri të shëndetshme me ekonomi funksionale, treguesi kryesor i rritjes dhe zhvillimit është punësimi dhe kryesisht i gjeneratave të reja, pra, i pjesës vitale të shoqërisë, e cila presupozohet që të këtë arsimim më të mirë se brezat e mëparshëm, të jetë ithtare e ritmit të lartë të ndryshimit, si dhe të zotërojë teknologjitë e reja, që kushtëzojnë ecjen e përshpejtuar të një shoqërie në veçanti dhe të asaj globale në tërësi. Deri para viteve 90 popullsia në Shqipëri ishte e re. Mosha mesatare ishte shumë e ulët dhe nga më të mirat në Europë dhe më gjërë. “Para viteve ’90 Shqipëria kishte një moshë mesatare shumë të re, 27 vjeç, duke qënë në këtë mënyrë dhe popullsia me moshë mesatare më të re në Europë. Por vit pas viti ajo ka ndryshuar, për të ardhur në 2015n me 8 vjet rritje (pra 35 vjeç.) Plakja e popullsisë është një fenomen shqetësues në pjesën më të madhe të botës. Kjo ka rritur frikën se shumë vende nuk do të kenë kapacitete të mjaftueshme punonjësish për të mbajtur një numër gjithnjë e në rritje të moshuarish. Për shkak të lindshmërisë shumë të ulët, të regjistruar aktualisht në Shqipëri dhe vijimit të emigrimit të të rinjve, parashikimet janë që popullsia do të vijojë të plaket.” Ja sa ka qen popullësia në Shqipëri ndër vite, sipas statistikave zyrtare:
Viti Mijë banorë
1923 814
1945 1122
1989 3182
2014 2884
Tabela e mësipërme tregon numrin e popullsisë në Shqipëri që nga censusi i pare, i organizuar në vitin 1923. Si paraqitet punësimi i të rinjve në Shqipëri? Le t`i referohemi të dhënave të ILO-Organizata Ndërkombëtare e Punës. Në bazë të një studimi që ka kryer kjo organizatë, në lidhje me punësimin e të rinjve në vendet e Europës, dhe nivelin e papunësisë; shifrat për Shqipërinë janë alarmante.” Në të gjithë Europën, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk po ndjekin shkollën apo ndonjë trajnim. Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka ilustruar me një hartë se si është situata e punësimit të të rinjve në Europë, me të dhënat e vitit 2018, dhe Shqipëria, fatkeqësisht, renditet në krye të Europës për përqindjen më të lartë të të rinjve të papunë, të paarsimuar dhe të patrajnuar, me 32.8% të totalit, duke ia kaluar edhe Moldavisë, vendit më të varfër të Europës. Papunësia e të rinjve është një fenomen shqetësues në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Malit të Zi. Në Bosnje dhe Hercegovinë përqindja e të rinjve të papunë ishte 26.4, ndërsa në Maqedoni dhe Serbi, përkatësisht 24.9 dhe 23.8 për qind. Në Kosovë, norma e papunësisë përllogaritet rreth 30.1%. Për të rinjtë e papunë, rrugëzgjidhje mbetet emigrimi në vendet ku norma e papunësisë së të rinjve është shumë më e ulët. Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, po përjeton një valë emigrimi të grupmoshave të reja drejt vendeve të Europës Perëndimore. Norma e papunësisë së të rinjve është më e ulët në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore. Holanda ka përqindjen më të ulët të të rinjve të papunë, me vetëm 4%. Pas saj renditet Norvegjia, ku papunësia te të rinjtë, në 2018-n, ishte 4.6%.Në Gjermani, Çeki, Zvicër, Austri dhe Suedi, norma e papunësisë varon nga 6-6.5%. “Politika dhe ekonomia janë pandashmërisht të lidhura…nga të dyja kërkohet që të frenohet rritja e diferencës midis të varfërve dhe të pasurve, të ndërtohet një shtet më social dhe me një angazhim më serioz në përmbushjen e këtij objektivi. Qeverisja e ka për detyrë të punojë fort për të siguruar çdo të drejtë civile të qytetarëve të vet, por njëkohësisht ajo duhet të ketë njërin sy tek të drejtat ekonomike, duke theksuar jo vetëm të drejtën e pronës, por edhe luftën e vazhdueshme ndaj pabarazisë ekonomike…Modifikimi paksa i kursit të zhvillimit të vendit drejt një shteti social, duket se është i pashmangshëm për të zbutur sado pak kundërshtinë e dukshme ndaj reformave të ashpra që qeveritë ndërmarrin.”
Shoqëria duket si e kapur në kurth. Nga njëra anë, që të ndryshojë gjendjen e varfërisë dhe që t’i hapë rrugë zhvillimit, duhet të rrisë arsimimin dhe të ketë të garantuar punësimin; nga ana tjetër, ky lloj ndryshimi kërkon investim nga familjet për arsimimin e fëmijëve dhe sigurimin e një jetese më të mirë e më dinjitoze. Me pak fjalë, duhen më shumë të ardhura për të investuar për edukimin e fëmijëve dhe ato realisht nuk janë. Si mund të dilet nga kjo gjendje, që Joseph Stiglitz e quan “Çmimi i Pabarazisë,” në librin e tij me të njejtin titull? Mungesa e të ardhurave,- nënvizon ai, – e bën të vështirë mundësinë e familjeve për të qenë produktive në mënyra të ndryshme. Mungesa e mundësive monetare i redukton aftësitë e tyre për të investuar për fëmijët dhe jetën e tyre. Atyre u duhet një banesë më e mirë dhë për këtë duhet të marrin kredi në bankë, e cila kërkon një kolateral si garanci, përndryshe, kushtet e kreditimit nuk mund të jenë të favorshme. Nëse në shoqëri, shumica e popullatës është e varfër dhe në pamundësi për mbështetur edukimin e fëmijëve të tyre, atëhere problemi është mbarëshoqëror.” Pasoja më e rëndësishme e këtij jo perfeksioni është se, në këtë botë, ku shumë familje kanë pak mundësi monetare ose nuk kanë hiç, dhe, ku qeveritë kanë mundësi të kufizuara për të ofruar për shkollimin, atje ka një mungesë investimesh për kapitalin njerëzor.”
( fundi i pjesës së tretë-vijon)
Komentet