Nga zyra e emisarit amerikan, Richard Grenell, nuk kanë pranuar që të komentojnë fare letrën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dërguar në adresë të zëvëndëspresidentit amerikan, Mike Pence, në të cilën lideri i VV’së ishte ankuar se Thaçi ka keqinformuar Grenellin rreth idesë së shkëmbimit të territoreve.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër zëvëndës presidentit amerikan, Mike Pence, në të cilën ka shprehur shqetësimet e tij se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka keqinformuar emisarin e Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve.
Dërgimin e letrës dhe përmbajtjen e saj e kanë shpjeguar edhe nga zyra e kryeministrit në detyrë.
“Ai (Kryeministri Albin Kurti) nuk është ankuar për Ambasadorin Grenell, por ka shprehur shqetësimin e tij mbi planet e Presidentit Thaçi për shkëmbim territorial, eufemizëm për ndarje të Kosovës, për të cilat nuk e ka informuar si duhet Ambasadorin Grenell”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për Kallxo.com.
Përveç tjerash në këtë letër, Kurti ka shprehur shqetësimet e tij për veprimet e presidnetit Thaçi rreth krijimit të qeverisë së re pas realizimit të mocionit të mosbesimit.
Gazeta Express lidhur me këtë letër të Kurtit në drejtim të zv.presidnetit amerikan Pence të mëkurën ka kontaktuar zyrën e emisarit të Trump, Richard Grenell, për t’i pyetur nëse janë në dijeni të një komunikimi të tillë të Kurtit me njeriun e dytë të administratës së Trump.
Dick Custin, zëdhënësi i Përfaqësuesit Special Presidencial të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se asnjëherë s’i komentojnë komunikimet personale diplomatike.
“Ne kurrë nuk komentojme rreth çfarëdo komunikimi diplomatik personal që mund të ekzistojë ose që mund të mos ekzistojë.”, thuhet në përgjigjen e Custin për Gazetën Express.
Për letrën e Kurtit drejtuar Pence sot ka folur gjithashtu edhe kreu i shtetit, Hashim Thaçi.
Presidenti ka thënë se Kurti mund t’i shkruaj kujtdo që dëshiron, por sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin realitetin në Kosovë.
“Institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës ka pasur gjithmonë besim në përkushtimin dhe rolin e SHBA-së.Nuk janë me rëndësi deklarimet e Beogradit, sa është me rëndësi uniteti. Sa i përket letrave që theksuat unë nuk jam duke lexuar, nuk i kam pasur nëpër duart e mia. Është e lirë që t’i shkruajnë kujtdo çkado, nuk e kam ndërmend të merrem me këto letra. SHBA-ja e njeh realitetin në Kosovë shumë mirë dhe të gjithë të tjerët” është shprehur sot presidenti Thaçi në një konferencë për media.
Që nga ulja e Kurtit në karrigen e kryeministrit përplasjet e tij me presidentin Hashim Thaçi rreth asaj se kush duhet të udhëheq dialogun me Serbinë kanë qenë të vazhdueshme.
Kurti kishte propozuar një ekipë për dialogun, duke e vendosur veten në krye, mirëpo një gjë e tillë nga presidenca ishte interpretuar vetëm si një dëshirë e Kurtit.
Komentet