Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë firmosur një tjetër leje ndërtimi për një projekt madhor në një nga zonat më të shtrenjta dhe të lakmuara të kryeqytetit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një kulle me 15 kate mbi tokë dhe 5 kate parkimi nëntokë, e cila do të ngrihet pranë stadiumit “Air Albania”, në rrugën “Dervish Hima”.
Projekti parashikon një godinë me arkitekturë të veçantë, të frymëzuar nga forma organike të kërpudhave, ndërsa zhvillues i pronës është kompania “TDT & Partners”, në pronësi të Dajlan Avdisë dhe Glendi Abdit. Dy sipërmarrësit janë emra të njohur në sektorin e ndërtimit, me aktivitete të shtrira kryesisht në Tiranë, Sarandë dhe zona bregdetare si Kepi i Rodonit.


Nga 15 katet mbi tokë, tre prej tyre do të jenë të destinuara për funksione shërbimi, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për banim.

Kati përdhe do të shërbejë për aktivitete tregtare dhe shërbime për zonën, me një lartësi prej 5 metrash. Kati i parë do të përdoret për zyra, ndërsa në katin e sipërm të godinës parashikohet një restorant panoramik. Katet e banimit janë konceptuar me struktura të përsëritura, ku elementi dallues janë ballkonet, të cilat ndryshojnë formë nga një kat në tjetrin.

Sipas projektit arkitektonik, ballkonet janë menduar të jenë të mëdha dhe të valëzuara, duke rrethuar trupin e ndërtesës. Për të ruajtur privatësinë mes apartamenteve, janë parashikuar elementë dekorativë vertikalë, të cilët ndajnë hapësirat e jashtme të banimit. Fasada kryesore do të dominohet nga xhami, ndërsa forma e përgjithshme e objektit synon të krijojë një pamje skulpturore dhe të dallueshme në panoramën urbane të zonës.
Në dokumentet shoqëruese të projektit theksohet se koncepti estetik është ndërtuar mbi interpretimin modern të formave natyrore të kërpudhave, të përkthyera në elementë gjeometrikë. Këto forma do të reflektohen jo vetëm në ballkone, por edhe në disa detaje skulpturore të shpërndara në pjesë të ndryshme të objektit.


Ndërkohë, emrat e dy pronarëve të kompanisë kanë qenë të pranishëm edhe në projekte të tjera ndërtimi që kanë ngjallur debate publike, veçanërisht në zona të ndjeshme si Kalaja e Lëkurësit dhe Kepi i Rodonit. Në raste konfliktesh pronësie apo zhvillimesh të diskutueshme, shpesh janë shfaqur dy vëllezër me mbiemra të ndryshëm, njëri prej të cilëve mban edhe shtetësi gjermane. Dyshimet për përfshirje interesash të treta kanë qenë të pranishme, megjithatë verifikimi i tyre mbetet në kompetencë të institucioneve ligjzbatuese.
Nga analiza e historikut të kompanisë rezulton se “TDT & Partners” është blerë nga Glendi Abdi dhe Dajlan Avdia në vitin 2017, kur pronari i mëparshëm ishte Petrit Ismaili. Që prej asaj kohe, kompania ka zgjeruar ndjeshëm aktivitetin në sektorin e ndërtimit.
Sa i përket kapaciteteve financiare, bilanci më i fundit i depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit i përket vitit 2025, për aktivitetin ekonomik të vitit 2024. Sipas këtij bilanci, kompania ka deklaruar një fitim vjetor rreth 450 mijë euro, shifër që ngre pikëpyetje mbi përballueshmërinë financiare të një projekti me përmasa të tilla. /Publik.al