VOAL

VOAL

Puigdemont lirohet nga arresti, por duhet të mbetet në Belgjikë

November 6, 2017

Komentet

Çfarë mund ta ndalë gjuhën e ashpër të Serbisë karshi Kosovës?

Mimoza Sadiku, Ludmilla Cvetkoviq

 

Deklarata e një ministreje të Qeverisë së Serbisë se do ta “spastronte etnikisht” Kosovën po të ishte në krye të shtetit më 1998, për vëzhguesit në Kosovë dhe në Serbi është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës.

Ata kërkojnë që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se as mediat, as shoqëria civile s’mund ta ndryshojnë gjuhën dhe qëndrimin e Serbisë karshi Kosovës.

Por ai thekson se Bashkimi Evropian ka në duar instrumente, në kuadër të rrugës evropiane të Serbisë, për të parandaluar një retorikë të tillë.

“Mund t’i vendosë disa sanksione, do të thosha, në mënyrë që ta zvogëlojë këtë farë qëndrimi zyrtar të Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën, për stigmatizimin e shqiptarëve dhe moslejimin e realizmit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy shoqërive”, thotë ai.

Sipas Blakajt, instrumente të tilla veçse përfshihen në kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE, “mirëpo, mund të jenë edhe më specifikë – tek e fundit, të bëjnë edhe një lloj presioni ndërkombëtar kur ndodhin këto fjalime nga zyrtarët serbë”.

Bashkimi Evropian, i cili e ka kushtëzuar përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit me normalizimin e marrëdhënieve, e dënoi deklaratën që ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, bëri më 11 korrik në televizionin serb, Kurir.

Sipas BE-së, ajo “është në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, përgjegjësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

“Shiptari” e “të dalë nga mali”

Por, Paunoviq nuk është zyrtarja e vetme që ka bërë deklarata fyese apo nxitëse ndaj shqiptarëve.

Ana Bërnabiq, kur ishte kryeministre e Serbisë më 2019, tha se udhëheqësit e Kosovës ishin njerëz “të dalë nga mali” dhe “u bënë pjesë e elitës politike”.

Bërnabiq, më vonë si kryetare e Kuvendit, përdori edhe termin fyes “shiptari”, duke iu referuar mediave në Kosovë.

Ndonëse shqiptarët e quajnë veten “shqiptarë”, termi “shiptar” në gjuhën serbe konsiderohet fyes.

Forma neutrale dhe zyrtare është “Albanci”. Në vitin 2018, një gjykatë në Serbi konstatoi se përdorimi i termit “shiptar” përbën gjuhë të urrejtjes.

Megjithatë, këtë term e kanë përdorur në disa raste edhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë, përfshirë Aleksandar Vullinin, i cili ndër vite ka mbajtur poste të rëndësishme në Qeverinë e Serbisë, si dhe ish-drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, aktualisht ministër i Jashtëm.

Objekt i ofendimeve kanë qenë edhe zyrtarë të lartë të Kosovës.

Së voni, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, “fundërrinë terroriste”, ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, iu referua atij si “Hitleri i vogël”.

Kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, më 4 mars 2025, tregoi raportimet e mediave në Kosovë dhe përdori ndaj tyre terma ofendues.

Kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq, më 4 mars 2025, tregoi raportimet e mediave në Kosovë dhe përdori ndaj tyre terma ofendues.

“Model politik”

Historiani serb, Sërgjan Millosheviq, thotë se qasja e pushtetit në Serbi ndaj shqiptarëve është karakterizuar prej dekadash nga retorika “degraduese, çnjerëzore dhe haptazi shoviniste”, e cila, sipas tij, i paraqet shqiptarët si një “kërcënim demografik dhe qytetërues”.

Ai thotë se rasti i Paunoviqit është pjesë e një modeli të kahershëm politik, ku shqiptarët nuk trajtohen si qytetarë të barabartë, por reduktohen në numra, natalitet dhe një kërcënim për serbët.

“Pas krimeve të kryera gjatë viteve ‘90, një gjuhë e tillë paraqet vazhdimin e një lloj ‘kontributi vullnetar’ të Serbisë zyrtare për pavarësinë e Kosovës, sepse konfirmon pikërisht politikën e poshtërimit dhe përjashtimit, e cila vazhdon ta shkatërrojë mundësinë e jetesës së përbashkët”, thotë ai.

Për Blakajn, kjo gjuhë tregon se elita politike në Serbi nuk është shkëputur asnjëherë nga politika që ka udhëhequr ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq – i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – karshi Kosovës.

“Asnjëherë nuk kemi dëgjuar asnjë zyrtar të lartë serbë që ka shprehur keqardhje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, që i ka pranuar viktimat, që ka folur për varrezat masive që janë gjetur në Serbi”, thotë Blakaj.

Ai paralajmëron se deklarata si ato të Paunoviqit, të cilat i cilëson si “luftënxitëse”, mund të shtyjnë individë ose grupe që, “kur të krijohen kushtet”, t’i shndërrojnë paragjykimet dhe stigmatizimin ndaj shqiptarëve në veprime konkrete.

Si shembull, ai përmend sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 2023.

Qeveria në detyrë e Kosovës e dënoi ashpër deklaratën e ministres serbe.

Qeveria në detyrë e Kosovës e dënoi ashpër deklaratën e ministres serbe.

Reagimet në Kosovë dhe Serbi

Disa serbë të Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se deklarata të tilla janë “problematike dhe provokuese” dhe se, në fund, dëmtojnë vetë komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila e shpalli Paunoviqin person të padëshiruar, tha se Serbia nuk është distancuar asnjëherë nga politika e Millosheviqit.

Sipas saj, qëndrimet e tilla nuk janë thjesht deklarime, por “aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”.

Presidenti serb, Vuçiq, tha se deklarata e Paunoviqit nuk pasqyron politikën zyrtare të Serbisë.

Vetë Paunoviq – nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit – nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.

Gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa më shumë se 1.500 persona – shumica shqiptarë – vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Tribunali i Hagës konstatoi se udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme dhe drejtuesit e aparatit të sigurisë ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.

Për krime kundër shqiptarëve të Kosovës u dënuan disa zyrtarë të lartë politikë, policorë dhe ushtarakë serbë. rel

Kos shpreh habi që Paunoviq vazhdon të jetë ministre

Radio Evropa e Lirë

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre.

Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos, gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane të Parlamentit Evropian.

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë serbe, Snezhana Paunoviq, duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo deklaroi më 11 korrik se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.

Kjo deklaratë u dënua edhe nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas Londrës, gjuha e përdorur nga Paunoviq është “e neveritshme” dhe referencat për spastrim etnik s’kanë vend në shoqërinë e sotme.

Përmes një deklarate, një zëdhënës i Zyrës për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, tha se në kohën kur shtetet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe shumetnike “deklaratat si këto synojnë të rihapin përçarjet e vjetra dhe të nxisin tensione”.

“Udhëheqësit e përgjegjshëm politikë duhet të refuzojnë një gjuhë të tillë”, u tha në deklaratë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar për Paunoviqin, duke thënë se deklarata e saj nuk pasqyron vullnetin e tij, e as të Qeverisë së Serbisë, duke shtuar se politika e shtetit serb është dialogu, e jo kurrë spastrimi etnik.

Paunoviq – nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, partisë së dikurshme të Millosheviqit – nuk i tërhoqi fjalët e saj, por tha më 16 korrik se ato “janë nxjerrë jashtë kontekstit” dhe i kërkoi falje Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë për reagimet që ka shkaktuar.

Deklarata e saj se do ta spastronte etnikisht Kosovën nëse do të ishte në krye të shtetit më 1998 nxiti reagime të shumta dhe Kosova më 14 korrik e shpalli atë person të padëshiruar, duke i ndaluar ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin nëpër territorin e Kosovës.

Vëzhgues nga Kosova dhe Serbia thanë Radion Evropa e Lirë se deklarata e Paunoviqit është pjesë e një modeli politik të Serbisë karshi Kosovës, duke kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të mos mjaftohet vetëm me reagime, por të ndërmarrë veprime konkrete ndaj Serbisë.

Nga Qeveria në detyrë e Kosovës i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “problemi qëndron se shteti i Serbisë nuk ka bërë asnjëherë asnjë lloj distancimi nga politika e Millosheviqit”.

“Është mirë që të gjithë – përveçse ta dënojnë këtë gjuhë – ta kenë edhe në mendje kur flasin me Serbinë për integrimin, reformat dhe fondet, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, thanë nga ekzekutivi kosovar.

Udhëheqësit e atëhershëm shtetërorë dhe forcat e sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë u dënuan nga Tribunali i Hagës për dëbimin me dhunë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, në periudhën mars-qershor të vitit 1999.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1.500 persona, shumica prej tyre shqiptarë, vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, shkalla e harmonizimit të Serbisë me politikën e sanksioneve të BE-së është pak më shumë se 60 për qind. Deri më tani, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë apo Bjellorusisë në përputhje me vendimet e bllokut evropian, i cili deri tani i ka miratuar Moskës 20 paketa sanksionesh si përgjigje ndaj agresionit kundër Ukrainës.

Komisionarja Kos, duke folur para eurodeputetëve, vlerësoi se mbështetja e ulët për integrimin evropian në Serbi është edhe pasojë e mesazheve që dërgojnë politikanët, si dhe e mënyrës se si raportojnë mediat. Ajo theksoi se është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë antievropiane, veçanërisht kundër deputetëve të Parlamentit Evropian, gazetarëve dhe të gjithë atyre që kritikojnë zhvillimet në vend.

Protestat- Marta Kos kundër Ramës: Shfuqizoni ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura dhe ligjin për investimet strategjike

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka komentuar situatën në Shqipëri, duke u ndalur te protestat kundër qeverisë dhe te reformat që lidhen me procesin e integrimit europian.

Kos theksoi se mbrojtja e mjedisit është pjesë e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin me atë europian. Ajo kujtoi se me autoritetet shqiptare ishte rënë dakord që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura, si edhe ligji për investimet strategjike.

 

 

“Përpara se të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për zonat e mbrojtura dhe të shfuqizohej ligji për investimet strategjike. Këto ndryshime do të duheshin bërë për të mbyllur negociatat për kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Inkurajoj autoritetet, siç dëgjuam që do ta bëjnë këtë gjë, që të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur. E dimë që kjo është një çështje shumë e rëndësishme në debatin publik shqiptar.

Protestat janë pjesë e proceseve më të gjera demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta është pjesë thelbësore e proceseve demokratike. Kështu që qeveria shqiptare duhet të marrë hapa përpara dhe të trajtojë shqetësimet e qytetarëve.

Por, siç thashë, procesi i anëtarësimit është një proces në vazhdimësi. Kapitulli 27 është një kapitull kërkues, kështu që sigurisht jo vetëm për shkak të kësaj proteste, por mbi të gjitha që Shqipëria të harmonizojë legjislacionin për të cilin kemi rënë dakord kur çelëm grupkapitullin. Jemi të sigurt që asgjë nuk do të ndodhë në këtë fushë që nuk do të jetë e harmonizuar me legjislacionin evropian.”, deklaroi Marta Kos.

Komisionerja nënvizoi se trajtimi i protestave dhe adresimi i shqetësimeve të qytetarëve janë pjesë e funksionimit normal të një demokracie, ndërsa përsëriti se harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian mbetet një kusht i rëndësishëm për ecurinë e negociatave të anëtarësimit. bw

Eurodeputeti Sandro Gozi kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave për “spastrimin etnik” të Kosovës

ITALI– Deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, për Kosovën kanë shkaktuar reagime të forta në arenën ndërkombëtare. Eurodeputeti italian Sandro Gozi i ka cilësuar ato si skandaloze, dhe i ka kërkuar presidentit Aleksander Vuçiç që të marrë masa ndaj ministres.

Ai deklaroi se qëndrimet e ministres lidhen me politikat për të cilat ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq u akuzua para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa zyrtarë të tjerë serbë dhe jugosllavë u dënuan për krime lufte.

““Në çdo demokraci të bazuar në sundimin e ligjit, deklarata të tilla do të ishin të papajtueshme me ushtrimin e një funksioni publik. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto deklarata dhe të sigurojë shkarkimin e saj të menjëhershëm”, tha Gozi.

Reagimi i eurodeputetit erdhi pas deklaratës së Paunoviçit për televizionin serb “Kurir”, ku ajo u shpreh se, nëse do të kishte qenë në vendin e Millosheviçit në vitin 1998, do të kishte ndjekur një politikë të spastrimit etnik në Kosovë. Deklarata ka nxitur reagime dhe dënime edhe nga institucionet dhe figura politike në Kosovë./Dosja.al

“Për 45 ditë i treguam Europës se Rama është një Lukashenko i dytë”- Aktivisti: Njëlloj si Ramiz Alia na akuzojnë si agjentë të huaj

Në nisje të protestës së 45-të njëri prej aktivistëve u shpreh se protesta i ka treguar Europës se Rama është një Lukashenko i dytë dhe jo një lider novator siç e paraqet veten.

Ai shtoi se qeveria po sillet njëlloj si ajo e Ramiz Alisë gjatë protestave të studentëve në fillim të ’90.

Protestuesi: Arritjet e kësaj proteste, për 45 ditë janë të jashtëzakonshme. Të paimagjinueshme deri në ditën që kjo protestë nisi.

Kjo protestë ka denoncuar fuqishëm korrupsioni ne kësaj qeverie. Dalja masive e rinisë e ka mplakur këtë qeveri të korruptuar si kurrë më parë. Për 45 ditë qëndresë paqësore kemi arritur t’ja çjerrim maskën këtij kryeministër që kudo që shkonte paraqitej dhe propagandonte veten si lider novator. Por për 45 ditë i treguam Europës dhe jo vetëm se ky nuk është lider novator, por Edi Rama thjesht është një Lukashenko i dytë. Justifikohet se e mban pushtetin me votat e popullit. Sistemi autokratik ku pakica përfiton në kurriz të shumicës. Kjo e ka nxjerrë popullin në shesh.

Kjo rini kaq kreative për 45 ditë ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Njësoj si Ramiz Alia po abuzojnë se pas qytetarëve të lirë dhe të ndershëm qëndrojnë forca të errëta. Faleminderit gazetarëve që na sollën në vëmendje deklaratat e Ramiz Alisë se nuk ka asnjë dallim ai sistem para 90, që përpiqen të na delegjitimojnë me akuza të pavërteta.  Në pamundësi, kryeministri bashkë me qeverinë kanë vendosur të na përgjigjen me arrogancë ndërsa ne përgjigjemi me rezistencë derisa ata të largohen. Panorama

Presidenti gjerman: Rusia ka shkatërruar arkitekturën evropiane të sigurisë me agresionin ndaj Ukrainës

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 ka shkelur arkitekturën evropiane të sigurisë, ndërsa paralajmëroi se Evropa po përballet me një periudhë të re sfidash gjeopolitike.

Në një intervistë për televizionin publik gjerman ZDF, Steinmeier tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndryshimet në politikën amerikane përbëjnë një “pikë kthese të dyfishtë historike”, duke kërkuar një qasje realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Rusia, me sulmin e saj ndaj Ukrainës në vitin 2022, theu arkitekturën evropiane të sigurisë”, u shpreh presidenti gjerman.

Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, Steinmeier tha se administrata e presidentit Donald Trump po reflekton një ndryshim në perceptimin e vlerave tradicionale, por theksoi se Gjermania dhe Evropa vazhdojnë të kenë nevojë për partneritetin me SHBA-në.

“Ne kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara. Për Gjermaninë dhe Evropën është thelbësore të mbrojmë rendin ndërkombëtar, ligjin dhe rregullat”, tha ai.

Presidenti gjerman shprehu gjithashtu shqetësim për rritjen e forcave populiste dhe ekstremiste, duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë me përgjegjësi për të mbrojtur demokracinë.

“Kur qytetarët shkojnë në votime, nuk vendosin vetëm për një parti politike, por edhe për ruajtjen e sistemit demokratik apo hapjen e rrugës për alternativa autoritare”, deklaroi Steinmeier.

Në planin e brendshëm, ai përshëndeti reformat e fundit të qeverisë federale në fushën e pensioneve, shëndetësisë dhe sigurimeve shoqërore, duke theksuar se suksesi i tyre do të varet nga rritja ekonomike dhe zbatimi i qëndrueshëm i tyre.

Ukraina merr dritën jeshile për të prodhuar raketa Patriot

Mike Eckel

Ditën kur Rusia bombardoi Kievin për herë të tretë brenda një jave, presidenti ukrainas ndodhej 1.200 kilometra larg, duke kërkuar leje për të prodhuar armët që mund të ndalonin, ose së paku të zbusnin, sulmet shkatërruese të Rusisë.

Ukrainës i duhen shumë gjëra ndërsa përpiqet t’i rezistojë pushtimit të plotë rus, që ka hyrë tashmë në muajin e 52-të.

Por, mbi të gjitha, asaj i duhet një mënyrë për të zmbrapsur armët shkatërruese që Rusia po përdor kundër saj: raketat balistike.

Deri vonë, sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot konsiderohej mënyra e vetme e besueshme për të interceptuar raketat balistike.

Por rezervat ukrainase të raketave interceptuese për këtë sistem po shterojnë, e edhe Shtetet e Bashkuara kanë më pak rezerva, pasi shumë prej tyre janë përdorur nga forcat amerikane në Lindjen e Mesme për t’u mbrojtur nga sulmet iraniane.

Për këtë arsye, Kievi kërkon t’i prodhojë vetë raketat interceptuese për sistemin Patriot.

Por, për ta bërë këtë, i duhet miratimi i Uashingtonit.

Më 8 korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mori atë që kërkonte.

“Do t’ua japim të drejtën të prodhojnë Patriot”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, i ulur pranë Zelenskyt në margjinat e samitit të NATO-s në Turqi.

“Do t’ju japim licencën për të prodhuar Patriot. Kështu nuk do të mund të ankoheni se nuk po ju japim mjaftueshëm. Do t’ju them: ‘Prodhoni vetë’”, shtoi Trump.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ankara, 8 korrik 2026.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ankara, 8 korrik 2026.

Nëse presidenti amerikan e mban premtimin e tij, Ukraina do të përfitonte ndjeshëm.

Kjo do të forconte jo vetëm pozitën e presidentit Zelensky, por edhe mbrojtjen ajrore të vendit, e cila po përballet me sulme gjithnjë e më intensive.

Kievi, në veçanti, ka qenë objektiv i sulmeve të njëpasnjëshme me dronë, raketa lundruese dhe raketa balistike ruse.

Sulmi i 2 korrikut, ku u vranë më shumë se 30 persona, ishte një nga më të përgjakshmit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Por, edhe pse Rusia i ka intensifikuar sulmet, Ukraina ka arritur të përmirësojë ndjeshëm mbrojtjen e saj ajrore gjatë luftës.

Forcat ajrore ukrainase kanë rritur aftësinë për të rrëzuar dronët dhe raketat lundruese ruse, ndërsa industria vendase e mbrojtjes ka shtuar prodhimin e sistemeve të reja të armatimit, përfshirë ato për mbrojtjen ajrore.

Që nga janari, sipas vlerësimeve të organizatës londineze Qendra për Qëndrueshmërinë e Informacionit, Ukraina ka arritur të rrëzojë 90 për qind të dronëve rusë me rreze të gjatë veprimi dhe 80 për qind të 722 raketave lundruese të lëshuara nga Rusia.

Por, situata është krejt ndryshe kur bëhet fjalë për raketat balistike.

Nga 522 raketat balistike që Rusia ka lëshuar këtë vit, rreth 70 për qind kanë arritur objektivat e tyre, pa u ndalur nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Arma kryesore balistike e Rusisë është raketa tokë-tokë Iskander-M, me rreze veprimi rreth 500 kilometra dhe shpejtësi deri në 7 mach, që i mundëson të godasë objektiva brenda pak minutash.

Gjatë sulmit të 6 korrikut, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, asnjë nga 23 raketat Iskander-M nuk është rrëzuar.

Po ashtu, gjashtë raketa hipersonike Tsirkon goditën objektivat e tyre, pasi Ukraina nuk kishte mjaftueshëm raketa interceptuese për t’i ndalur.

“Për t’i rrëzuar raketat balistike duhen mjetet e duhura. Ne kemi mjaft sisteme, por ajo që na mungon, është një furnizim i qëndrueshëm me raketa interceptuese”, tha zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, koloneli Yuriy Ihnat, pas sulmit të 2 korrikut.

Sipas tij, Rusia po e shfrytëzon mungesën e raketave interceptuese Patriot, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në nivel global.

“Rusia e di se Ukraina – dhe në fakt e gjithë bota – po përballet me mungesë serioze të raketave interceptuese Patriot. Pikërisht për këtë arsye, ajo mbështetet gjithnjë e më shumë te sulmet me raketa balistike”, tha Ihnat.

“Raketat Patriot janë jashtëzakonisht komplekse”

Sistemi Patriot, i prodhuar nga kompanitë amerikane Lockheed Martin dhe RTX Corporation, nuk përbëhet vetëm nga raketat interceptuese.

Një bateri Patriot përfshin edhe lëshuesin e raketave, radarin, antenën me frekuencë të lartë, qendrën e komandimit dhe një gjenerator energjie.

Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, kostoja e një sistemi të plotë Patriot arrin në rreth 1.1 miliard dollarë.

Prej tyre, rreth 400 milionë dollarë kushtojnë lëshuesi dhe pajisjet e tjera, ndërsa 690 milionë dollarë raketat interceptuese.

Besohet se Ukraina disponon të paktën shtatë sisteme Patriot: tri të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, tri nga Gjermania dhe të paktën një nga një grup i aleatëve evropianë.

Megjithatë, jo të gjitha janë funksionale në të njëjtën kohë, kryesisht për shkak të mirëmbajtjes.

Përveç Patriotit, Ukraina përdor edhe sistemin franko-italian të mbrojtjes ajrore SAMP/T.

Ky sistem është efektiv kundër raketave lundruese dhe dronëve, por konsiderohet më pak i besueshëm përballë raketave balistike, të cilat fluturojnë më lart dhe me shpejtësi shumë më të madhe.

Ajo që Ukrainës i mungon më së shumti, janë vetë raketat interceptuese të sistemit Patriot, modelet PAC-2 dhe PAC-3.

Prej muajsh, zyrtarët ukrainas i kanë kërkuar administratës amerikane leje për t’i prodhuar vetë këto raketa.

Njëkohësisht, ata kanë kërkuar mbështetje edhe nga aleatët evropianë.

“Ukrainasit na kanë thënë se mund të zhvillojnë një raketë interceptuese pothuajse të barasvlershme me modelin PAC-2 brenda më pak se një viti dhe se mund ta prodhojnë në numër të madh”, tha një diplomat i lartë i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ekspertët janë skeptikë se Ukraina do të jetë në gjendje të nisë prodhimin masiv të këtyre raketave në një periudhë të shkurtër.

“Nuk jam i mendimit se ne në Ukrainë mund të krijojmë prodhim të licencuar” të raketave PAC-3, thotë Valeriy Romanenko, ish-oficer i mbrojtjes ajrore në Ukrainë, i cili tani ligjëron në Universitetin Kombëtar të Aviacionit në Kiev.

Sipas tij, ekzistojnë dy pengesa kryesore.

“Së pari, të gjitha ndërmarrjet tona janë objektiv i sulmeve me raketa balistike ruse dhe aktualisht nuk jemi në gjendje t’i mbrojmë ato. Së dyti, do të përballemi me të njëjtat probleme si prodhuesit aktualë – mungesën e komponentëve”, thotë Romanenko.

Edhe Jennifer Kavanagh, studiuese e lartë dhe drejtoreshë e analizave ushtarake në organizatën amerikane Defense Priorities, vlerëson se miratimi politik nuk mjafton.

“Trump mund ta ketë dhënë miratimin e tij, por plani ende nuk është i realizueshëm. Ukraina duhet të ndërtojë objekte prodhimi që i përmbushin standardet e eksportit, t’i sigurojë komponentët e nevojshëm dhe të kalojë një sërë procedurash ligjore amerikane”, thotë Kavanagh.

Sipas saj, edhe nëse Ukraina arrin t’i prodhojë raketat Patriot, kjo nuk do të ndodhë shpejt.

“Në rastin më të mirë, ato do të prodhohen në numër të kufizuar dhe vetëm pas një ose më shumë vitesh. Kjo nuk është diçka që do ta ndihmojë Ukrainën në një periudhë afatshkurtër”, thotë ajo.

Kavanagh paralajmëron edhe për një tjetër rrezik: mundësinë që teknologjia e klasifikuar të përfundojë në duart e kundërshtarëve të SHBA-së.

“Ka rreziqe shumë të mëdha në transferimin e kësaj teknologjie në Ukrainë. Sipas mendimit tim, nëse Ukraina merr licencën, është shumë e mundshme që teknologjia të përfundojë në duart e Rusisë dhe Kinës”, thotë ajo.

Sipas Romanenkos, për Ukrainën do të ishte më e dobishme një strategji tjetër: sigurimi i më shumë raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur fabrikat ruse të armëve dhe njësitë që lëshojnë raketa balistike.

Ai përmend si shembull raketat amerikane Tomahawk.

Ai thotë se, vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Mbrojtjes dha miratimin për furnizimin e Ukrainës me raketa Tomahawk, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë nga Shtëpia e Bardhë.

“Unë jam mbështetës i mbrojtjes aktive. Duhet t’i godasim prodhuesit rusë të raketave dhe njësitë që i lëshojnë këto raketa balistike”, thotë Romanenko.

“Për të goditur në mënyrë efektive industrinë ushtarake ruse, na duhen raketa të fuqishme me rreze të gjatë veprimi, si Tomahawk ose raketa lundruese që lëshohen nga avionët”, shton ai.

Kompania ukrainase Fire Point, e njohur për zhvillimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi dhe të raketave lundruese Flamingo, po punon për një sistem vendas të mbrojtjes ajrore.

Qëllimi është që ky sistem të plotësojë, ose në të ardhmen edhe të zëvendësojë, sistemin Patriot.

Muajin e kaluar, kompania njoftoi se kishte testuar me sukses sistemin e ri, të quajtur Freya.

Por, analistët paralajmërojnë se do të duhen edhe disa muaj përpara se ky sistem të jetë plotësisht operacional dhe i gatshëm për përdorim në fushën e betejës.

Përgatiti: Valona Tela

Ukraina, dronë që do të rrëzojnë dronët

VOAL- Ukraina ka nevojë urgjente për sisteme anti-ajrore Patriot për t’u mbrojtur nga sulmet raketore ruse, ndërsa mbështetet gjithnjë e më shumë në dronë të tjerë për t’u mbrojtur nga dronët. Midis tyre është një interceptor nga Shtetet e Bashkuara, i projektuar nga një kompani e Silicon Valley dhe i bazuar në sensorë dhe inteligjencë artificiale. Kushton rreth 15 000 dollarë. Kjo është teknologji moderne e luftës, e cila po testohet në terren në teatrin ukrainas të luftës. “Ky dron është projektuar për të zbuluar në mënyrë autonome objektivat ajrore, për t’i ndjekur ato dhe për t’i shkatërruar automatikisht. Është shumë i besueshëm dhe efektiv”, shpjegon ushtria e Kievit. Burrat e Divizionit të 101-të Autonom Kundërajror të Korpusit të 30-të Detar të Forcave të Armatosura të Ukrainës kapin dronë si Shahed-ët rusë brenda një rrezeje prej rreth 40 kilometrash midis Mykolaiv dhe Kherson, në jug të vendit. Ata mbështeten në informacionin nga lart dhe paralajmërojnë për sulme. Kur objektivi zbulohet nga instrumentet, ai vihet në shënjestër. 

Teknologjitë dhe aftësitë kërkohen në të gjithë botën

Ekzistojnë gjithashtu modele ukrainase më të lira, por po aq efektive. Teknologjitë që Kievi ka zhvilluar gjatë këtyre katër viteve të konfliktit tani kërkohen në të gjithë botën, por sipas zëdhënësit të Forcave Ajrore Yuriy Ignat, “Perëndimi nuk është i interesuar vetëm për zgjidhjet teknologjike, por edhe për taktikat e vendosjes së tyre. Mund të kesh teknologjinë, por pa njohuritë, nuk do të arrish shumë larg. Mund të kesh një radar ose një interceptor dhe të mos dish vërtet si ta përdorësh atë. Kjo është arsyeja pse instruktorët tanë shkuan në Lindjen e Mesme. Në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme janë njerëzit. Është përvoja në terren.” Ushtarët në terren kanë shumë liri veprimi. Sipas zëdhënësit, “Ekuipazhi në terren merr vendimet. Nëse shohin, për shembull, një dron zbulues, mund ta rrëzojnë atë me një dron më të lirë dhe ta ruajnë atë më të shtrenjtë për një Shahed. Me fjalë të tjera, ata vendosin: kanë përvojën dhe zgjedhin se cilin dron të përdorin kundër çdo objektivi specifik. Dhe kjo është thelbësore, sepse – siç e dimë – fondet janë të kufizuara.”RSI

Tensionet dhe shoqërimi i protestuesve para Kuvendit, Demokratët Evropianë: Pushteti s’mund të ushtrojë presion për zbatimin e ligjit kundër qytetarëve! Do të ngrinte pyetje serioze për integrimin

Demokratët Evropianë kanë reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke komentuar tensionet dhe shoqërimet e djeshme të disa protestuesve para Kuvendit teksa mbahej seanca plenare. 

 

Demokratët Evropianë përmendin disa biseda që kanë qarkulluar, ku dyshohet se deputetë socialistë kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.

Ata theksojnë se nëse këto biseda konfirmohen atëherë do të ngrihej një pyetje serioze për Shqipërinë, e cila kërkon të anëtarësohet në BE, që nëse pushteti politik mund të ushtrojë presion për zbatimin e ligjit kundër qytetarëve.

Sipas tyre, protestat paqësore duhet të mbrohen, dhe nuk mund të “shtypen” nga policia.

“Dje, në ditën e 31-të të protestave në Shqipëri, policia ndërhyri për herë të parë dhe pasuan arrestimet. Nëse bisedat e dyshuara të brendshme midis deputetëve socialistë konfirmohen — mesazhe që thuhet se diskutojnë një kërkesë për ndërhyrje policore kundër protestuesve — kjo do të ngrinte një pyetje serioze për një vend që kërkon rrugën e BE-së: a mund të ushtrojë ndonjëherë presion pushteti politik mbi zbatimin e ligjit kundër qytetarëve? Protestat paqësore duhet të mbrohen, jo të heshten nga forca policore.”, thuhet në reagim. gsh

Dokument: Media austriake: Parlamentarja e BE-së Jutta Paulus ngre akuza: Letër nga Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi synon të ndikojë në votim

Parlamentarja e BE-së Jutta Paulus ngre akuza: Letër nga rrethi i Ramës që synon të ndikojë në votim

exxtra24.at Ekipi Editorial

Bruksel/Tiranë. Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus (Të Gjelbrit/EFA) ka zbuluar në kanalin e saj zyrtar në Instagram se ka marrë një letër nga dy politikanë të lartë të partisë në pushtet në Shqipëri pak para votimit për raportin e vitit 2025 për Shqipërinë.

Sipas saj, letrat ishin nga Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi, të dy figura kryesore në Partinë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama.

Letër para votimit vendimtar

Paulus shpjegon se ajo – së bashku me anëtarë të tjerë të Parlamentit Evropian – ka marrë një letër menjëherë para votimit. Në të, dy eurodeputetët u kërkuan në mënyrë të qartë eurodeputetëve të mos mbështesin amendamentet 4 dhe 17 të raportit për Shqipërinë.

Sipas dokumenteve të publikuara në Instagram, Balla dhe Muzhaqi argumentuan se amendamentet bazoheshin në një fushatë dezinformimi dhe e keqinterpretuan situatën rreth projektit të diskutueshëm të zhvillimit në Zvërnec. Ata theksuan, ndër të tjera, se: nuk ishte lëshuar ende asnjë leje ndërtimi, ishin planifikuar vlerësime gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, statusi i mbrojtur i zonës së prekur mbetej në fuqi dhe toka në fjalë ishte në pronësi private.

Paulus flet për përpjekje ndërhyrjeje Në postimin e saj, Jutta Paulus e përshkruan procesin si një përpjekje për të ndikuar në vendimin e saj dhe atë të anëtarëve të tjerë të Parlamentit Europian. Ajo sqaron se ndërhyrja erdhi direkt nga dy përfaqësues kryesorë të partisë në pushtet në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, eurodeputetja bëri një sqarim të rëndësishëm: Në një deklaratë të mëparshme, ajo kishte dhënë përshtypjen se letra erdhi direkt nga Kryeministri Edi Rama. Më vonë ajo e korrigjoi këtë në mënyrë të qartë. Sipas rrëfimit të saj, letra nuk u nënshkrua dhe u dërgua personalisht nga Edi Rama, por nga dy anëtarët e Parlamentit, Taulant Balla dhe Bora Muzhaqi. Dokumenti u publikua Postimi në Instagram përfshin edhe foto të letrës së plotë në gjuhën angleze. Tregon se letra iu drejtua Anëtarëve të Parlamentit Europian dhe u kërkoi atyre që të refuzonin Amendamentet 4 dhe 17. Nënshkruesit e justifikuan këtë me perspektivën e tyre mbi projektin dhe u kërkuan eurodeputetëve të mbështesnin qëndrimin e tyre. Nëse letra ndikoi në të vërtetë në sjelljen e votimit të eurodeputetëve individualë nuk është e qartë nga postimi. Megjithatë, është e sigurt se Jutta Paulus e bëri çështjen publike dhe e paraqiti atë si një shembull se si përfaqësuesit e partisë në pushtet shqiptare paraqitën qëndrimin e tyre para eurodeputetëve menjëherë para një vendimi të rëndësishëm nga Parlamenti Europian.

https://www.exxtra24.at/eu-abgeordnete-jutta-paulus-erhebt-vorwuerfe-schreiben-aus-ramas-umfeld-sollte-einfluss-auf-abstimmung-nehmen/

Braktisi PS-në dhe iu bashkua protestuesve- Marjana Koçeku ‘shuplakë’ Ramës nga Brukseli: Europa të kthejë sytë drejt Shqipërisë. Pushteti i korruptuar dhe arbitrar po kapërcen çdo kufi!

Ish-deputetja e PS, Marjana Koçeku e cila braktisi grupin parlamentar socialist Edi Ramën dhe iu bashkua protestuesve në shesh, i ka kërkuar Brukselit të kthejë sytë drejt Shqipërisë.

Në një postim në rrjetet sociale, “Neomalsorja” bën të ditur se ndodhet në Parlamentin Europian, me ftesë të disa eurodeputetëve, me të cilët, sipas saj, do të diskutojë për protestat qytetare dhe problematikat e shumta me të cilat përballet Shqipëria.

Ajo e cilëson qeverinë si të korruptuar dhe e akuzon pushtetin për arbitraritet, duke theksuar se po kapërcen çdo kufi.

Postimi
Evropa duhet t’i kthejë sytë drejt Shqipnisë ma shumë se kurrë. Jam e nderueme që këto ditë ndodhem në Parlamentin Evropian në Bruksel, me ftesë të disa eurodeputetëve, me të cilët do të diskutojmë mbi çështjet mjedisore, protestat e këtyne 30-ditëve dhe problematikat e shumta që po përballet vendi ynë, veçanërisht korrupsionin dhe arbitraritetin e nji pushteti që po kapërcen çdo kufi. bw

Eurodeputetja tha se Rama i kërkoi të mos votonin amendamentet në PE, zbardhet email-i drejtuar ligjvënësve evropianë: Mos i mbështesni, janë rezultat i një fushate dezinformimi

Zbardhet emaili drejtuar deputetëve të Parlamentit Evropian nga qeveria për të mos votuar dy amendamente në raportin për Shqipërinë, që kishin të bënin me projektin në Zvërnec, që shkaktoi protestën masive të qytetarëve.


Një ditë më parë, eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, e cila mori pjesë në protestën kundër qeverisë, deklaroi se kryeministri Edi Rama i kishte dërguar një email duke i kërkuar që të mos votonte një amendament para votimit të raportit për Shqipërinë.

Në emailin, e dërguar më 16 qershor, nga Bora Muzhaqi dhe Taulant Balla, pretendohet se amendamentet 4 dhe 17 “nuk bazohen në premisa të vërteta”, por janë “rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën”, duke u bërë thirrje anëtarëve të PE-së që të mos i mbështesin.

“Amendamentet 4 dhe 17 nuk bazohen në premisa të vërteta, por janë rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën, prandaj ju kërkojmë me respekt të MOS i mbështesni këto dy amendamente.”, thuhet në email.

Në email, thuhet se projekti nuk ka marrë ende leje ndërtimi, por vetëm leje zhvillimi, e cila nuk autorizon nisjen e punimeve. Gjithashtu theksohet se çdo ndërtim do të kërkojë një vlerësim të thelluar të ndikimit në mjedis, ndërsa statusi i mbrojtur i zonës Pishë Poro–Nartë, sipas qeverisë, nuk ka ndryshuar.

EMAILI I PLOTE:

Emaili i plotë:

Nga: Bora Muzhaqi

Dërguar: 16 qershor 2026, ora 22:16

Cc: Taulant Balla

Subjekti: Argumentet mbi kundërshtimin e Amendamenteve 4 dhe 17 në Raportin për Shqipërinë 2025

Të nderuar Anëtarë të Parlamentit Evropian,

Po ju drejtohemi pasi ndoqëm sot në seancën plenare debatin mbi Raportin për Shqipërinë 2025, për t’ju falënderuar për raportin, ashtu siç u miratua në AFET, dhe për të shprehur shqetësimet tona lidhur me amendamentet 4 dhe 17.

Amendamentet 4 dhe 17 nuk bazohen në premisa të vërteta, por janë rezultat i një fushate dezinformimi për të shtrembëruar të vërtetën, prandaj ju kërkojmë me respekt të MOS i mbështesni këto dy amendamente.

Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të fakteve dhe, në bashkëngjitje, një shpjegim më të detajuar të tyre.

Së pari, projekti në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me Deltën e Vjosës dhe nuk ka marrë leje ndërtimi. Ajo që është miratuar është vetëm një leje zhvillimi, e cila hap rrugën për përgatitjen e projektit, por nuk autorizon kryerjen e punimeve të ndërtimit.

Së dyti, përpara se të merret në konsideratë ndonjë ndërtim, zhvilluesi duhet të paraqesë një projekt të detajuar arkitektonik, dokumentacion të plotë teknik dhe, më e rëndësishmja, një Vlerësim të Thelluar të Ndikimit në Mjedis, i cili duhet të shqyrtojë ndikimet e mundshme të projektit mbi biodiversitetin, habitatet, ekosistemet, integritetin e peizazhit, lagunën dhe zonat bregdetare, si dhe qëndrueshmërinë mjedisore afatgjatë. Ky Vlerësim i Thelluar i Ndikimit në Mjedis duhet gjithashtu të sigurojë përputhshmërinë me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Evropian dhe të Shqipërisë.

Së treti, statusi i mbrojtur i zonës nuk ka ndryshuar. Zona e Pishë Poro–Nartës ishte dhe mbetet një Peizazh i Mbrojtur, Kategoria V sipas IUCN, që nga viti 2004, gjë që lejon zhvillimin në një mënyrë që siguron bashkëjetesën e qëndrueshme të vlerave natyrore, biodiversitetit dhe veprimtarisë njerëzore.

Së katërti, sa i përket çështjeve të pronësisë, toka në fjalë është pronë private dhe qeveria shqiptare nuk është palë në asnjë transaksion pronësie që lidhet me këtë projekt.

Siç kemi dëshmuar, ne e mbështesim plotësisht mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë, siç është shprehur në raport, dhe do të vazhdojmë të ndjekim acquis-in e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Shfrytëzojmë këtë rast për të falënderuar raportuesin, Andreas Schieder, si dhe raportuesit në hije për punën dhe angazhimin e tyre të shkëlqyer në këtë Raport për Shqipërinë 2025. gsh


Send this to a friend