Nga Beqir SINA – New York
Ndërsa Budapesti bën publike bashkëpunëtorët e diktaturës, Tirana mbetet e vetmja, që nuk ka bërë dekomunistizimin.
Më 4 nëntor 2026 Hungaria hap zyrtarisht dosjet e Sigurimit komunist. Qeveria e Péter Magyar dhe partia Tisza, atë që nuk e bën paraardhsit e tij po bëjnë publike emrat e rreth 50–60 mijë personave, që bashkëpunuan ose u monitoruan nga shërbimet sekrete midis 1945–1989.
Platforma nyitottaktak.hu do t’i bëjë të kërkueshme këto dokumente,dhe do ti ekspozojë ata. Një fazë e dytë në shkurt 2027, Hungaria thotë se do të sjell rreth 9 mijë dosje të detajuara.
Qeveria e Magyar ka thënë se :” Ky vërtet është një hap i vonuar, por real, i lidhur me 70-vjetorin e Revolucionit të 1956-ës, që synon transparencë dhe përballje me të kaluarën.”
Në Shqipëri, ndërkohë, në protestat e këtyre ditëve dëgjohet prapë thirrja “poshtë komunizmi”. Në sheshe, në rrugë, në grupe të rinjsh që nuk e kanë jetuar asnjë ditë të diktaturës, ky slogan sa vjen e po përsëritet.
Pyetja që ngrihet vetvetiu është: a ka ende arsye që një thirrje e tillë të bëhet kuaz si në vitet ’90, një thirrje e gjithë shqiptarëve, por tani e përshtatur me kohën dhe me një brez që nuk di fare se çfarë ka qenë komunizmi në Shqipëri?
Përgjigja është e dyfishtë. Po, ka arsye. Jo, nuk mund të jetë e njëjtë.
Shqipëria, vuajti komunizmin më rëndë se çdo vend tjetër i kampit. Internimet, burgjet, ekzekutimet, izolimi total, kontrolli mbi mendimin, mbi familjen, mbi jetën e përditshme , marrja e pronës pronarve, lanë plagë që ende nuk janë mbyllur.
Gjatë 35 viteve të tranzicionit, shteti nuk hapi dosjet e plota të Sigurimit, nuk bëri pastrim real të aparatit, nuk u dha pronat pronarve, dhe e fundosi edhe më shumë shtresën e përndjekurve politik.
Ata që mbajtën mbi shpinë diktaturën sot nuk gjejnë vend askund në shoqërinë shqiptare, por vetëm shfrytëzohen politikisht nga pushteti né ndonjë rast si një farë Halit Valteri që zgërdhihet kur i thotë Rama ” që vhen nga partia e mutit”.
Modelet e ndjekura nga PS dhe ish-PPSH e kanë bërë këtë fundosje pjesë të vazhdimësisë, së saj.
Në dekadën e parë të demokracisë, ish-kuadrot e Komitetit Qendror dhe të Byrosë Politike u ricikluan dhevu sistemuan shpejt. Më vonë në krye të PS ish PPSH erdhi Edi Rama – biri i Kristaq Ramës dhe nipi i Spiro Kolekës – i cili i zëvendësoi ish-nomenklaturën e partisë me bijtë e Bllokut, në një mirëkuptim të qartë midis trashëgimtarëve të vjetër dhe të rinj.
Spiunët dhe të rekrutuarit e tyre, shumë prej të cilëve vinin nga familje komuniste, u fshehën. Ish-oficerë, ushtarakë dhe policë, mësues të përgatitur dhe stërvitur ideologjikisht me partinë, u shfaqën pas viteve ’90 menjëherë si “të përndjekur”, derisa u vodhën statusin e vërtetë të viktimave.
Të kaluarën e tyre ata e konvertuan me mekanizmat që kishin shërbyer në Partinë e Punës dhe e përdorën për azil politik jashtë shtetit. Derisa u shitën lehtë si demokratë e të djathtë, por sa herë që PS kishte nevojë, ngrinin krye e bëheshin “socialistë”, dhe votojnë Edi Ramën dhe duan që të mos largohet ai, se athere u humb partia.
Tani një brez i ri, që nuk e njeh as kampin, as qelinë, as frikën e vazhdueshme të spiunimit, thërret “poshtë komunizmi”. Për ta, kjo thirrje është më shumë simbol se kujtim.
Është kundër një sistemi që e shohin të rifituar në forma të reja, në klientelizëm, në mungesë transparence, në korrupsion të paparë dhe në vazhdimësinë e privilegjeve të dikurshme, në mënyrën si pushteti trajton ende të vërtetën e së kaluarës.
Ata që i dëgjojnë ndoshta nuk e dinë se çfarë do të thotë të rritesh me frikën se dikush nga familja mund të internohej, se fjala e thënë në shtëpi mund të çonte në burg, se e ardhmja ishte e mbyllur dhe Shqipëria ishte e gjitha e rrethuar me tela me gjemba.
Por sot ndjejnë pasojat e një shoqërie që nuk ka bërë llogari me veten, të një shteti që ende mbron dosjet dhe riciklon njerëz.
Kryeministri i Shqipërisë, jo një herë në parlament, ende satirizon e tallet me partitë tradicionale si Balli Kombëtar, duke i quajtur parti hale e parti hajdute pulash. Në ndërkohë Shqipëria, mbetet i vetmi vend në kampin lindor që nuk ka bërë dekomunistizimin.
Shqipëria, duhet të bëjë publike emrat e personave që bashkëpunuan ose u monitoruan nga shërbimet sekrete midis 1945–1989, nëse do të shkojë në Evropë. Nuk ka mundësi që e gjithë Evropa Lindore ta bëjë dhe Shqipëria e Edi Ramës jo.
Hapja e dosjeve, nëse do të ndodhte në Shqipëri, do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e sotme dhe do t’i jepte fund këtij tranzicioni të gjatë e të lodhshëm për shqiptarët.
Madje, do të ekspozonte rrjetet e vjetra që ende ushtrojnë ndikim, do të detyronte shumë figura publike të japin llogari dhe do të dobësonte legjitimitetin e atyre që kanë ndërtuar karrierën mbi fshehjen e së kaluarës.
Në protestat e sotme, ku të rinjtë kërkojnë drejtësi dhe ndryshim, kjo hapje do t’i jepte përmbajtje thirrjes “poshtë komunizmi”, duke e kthyer nga slogan në kërkesë konkrete.
Pa të, protestat rrezikojnë të mbeten sipërfaqësore dhe, si Revolucioni Flamingo apo Vjeshta Studentore, të dështojnë.
Sepse, Rama ka për t’i gënjyer e mashtruar me ligje e reforma që ai të mos largohet.
Fatkeqësisht, tranzicioni shqiptar nuk solli ndryshim real, por boshatisje. Vendin e kanë braktisur qindra mijëra të rinj, të dëshpëruar nga mungesa e mundësive dhe nga vazhdimësia e të njëjtave struktura pushteti.
Emigrimi masiv, humbja e besimit te institucionet, korrupsioni i thellë dhe rikthimi i logjikës së privilegjit janë fenomenet që e shoqërojnë këtë boshatisje.
Ndërsa Hungaria hap dosjet për të rivendosur besimin, Shqipëria vazhdon të humbasë njerëz dhe të fshehë të vërtetën.
Për ata që e jetuan, thirrja “poshtë komunizmi” sot ka një tingull të veçantë. Është si të dëgjosh një zë të vjetër që kthehet, por tani i thënë nga gojë që nuk e kanë njohur dhimbjen.
Kjo sot ngjall një përzierje ndjenjash: kënaqësi që nuk është harruar krejt, por edhe hidhërim, sepse ata që e kanë vuajtur realisht apo trashëgimtarët e tyre e dinë se sa sipërfaqësore mbetet kur në krye të vendit është PS-ja e sojit Edi Rama dhe dosjet vazhdojnë të mbeten të mbyllura.
Thirrja “Poshtë komunizmi” sot në Shqipëri – për të mos thënë ose paralelizuar me atë të viteve ’90 që ju bashkua edhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” – ka arsye të ekzistojë, dhe të bëhet kauz.
Por ajo thirrje tani duhet të bëhet më e fortë dhe të shoqërohet me kërkesën: hapni dosjet, tregoni emrat, jepni drejtësi. Bëhuni edhe ju si Péter Magyar, si Hungaria.
Vetëm atëherë një brez që nuk e njeh komunizmin do të kuptojë pse ajo thirrje nuk është nostalgji, por nevojë që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa.
Ka ardhur koha!