VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Prezantohet “Harta e vuajtjeve të komunizmit”: Nga Jugu në Veri, 80 kampe dhe burgje

By | February 20, 2020

Komentet

Nuit et Jour (1945)- Gjon Mili, fotografi që çuditi Hollywood-in

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Shtator 2020

“Nuit et Jour” ka botuar, me 12 korrik të 1945, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me suksesin e Gjon Milit në Hollywood, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Koto fotografi kanë çuditur Hollywood-in

Nancy Coleman dhe Helmut Dantine shkojnë përballë njëri-tjetrit për tu puthur në filmin “Edge of Darkness”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Deanna Durbin e cila sapo është martuar për herë të dytë, gjithashtu ka ndryshuar partner në kinema, Edmond O’brien i jep asaj një puthje në “To night and for ever”. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Të çudisësh Hollywood-in nuk është një performancë disi banale. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhuratë qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh!” që shpreh habi.

Duke përdorur një proces që na duket relativisht i thjeshtë, Gjon Mili arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollywood-it reagime shumë të gjalla kurioziteti. Si u realizuan këto foto ? Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, thjesht përdori “flashin – blicin”, që është një shpërthim drite i çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të shpejtë. Një sistem i shpikjes së tij shkakton hapjen e qepenës së aparatit të tij sa herë që shfaqet një dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një sasi të madhe lëvizjesh një gjest që mezi zgjat një sekondë.

Nëntë lëvizje në ajër të “kërcimit të maces” të kryera për Gjon Milin nga balerina Alexis Smith, nëntë imazhe në një pllakë fotografike.
– Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it që të pozonin për të dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që ata bënë para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë e cila matet në të dhjetat e sekondës.

Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë.

LETËR – KËMBIM  MUSTAFA KRUJA – KARL GURAKUQI: Provimet e verës n’Universitet: simjet janë paraqitë në provimet e shqipes mâ se njiqind vetë

 

 

 

Ramleh, 31.III.1953

 

I dashuni Karl,

Po t’i përgjigjem pak me vonesë letrës me 17 fruer. S’dij a e ke ndëgjuem ndonji herë nji anekdot të vêndit t’onë: kur kishte pasë kthyem nji nuse në gjiní pasí po na e pyetka e âma nëse ishte e kënaqun te burri apo jo, e e bija i u përgjigjka kështu: “Besa nânké, me ç’më ndiejnë veshët, e lumja un; por me ç’më shohin sŷtë… e mjera un!” Edhe ti me kaqë fjalë të bukura m’a paske nisun e qëndisun këtë letër, qi tue i krahasuam me heshtjen t’ânde të kalueme i thashë vetes: “Me ç’po flet tash Karli, i lumi un; por në kujtofsha vjett e shkueme i mjeri un!” Me gjithë këtê, i dashuni Karl, po due vetëm me u mahitun, se jo saki me të ngamë mâ. Veçanë në këtë javë Pashkësh, qi s’ka hije fare me idhnuem kênd. Po i a nisim pra me paqë, miqsí e vllazní. Në këtë rasë të shênjtë po të përqafoj tue ju uruem tý e gjithë të tuvet gjithë të mirat qi ju deshiron zêmra.

Me historin’e institutavet islamike un s’jam marrë kurrë posaçe. Por tue të përgzuem me gjithë zêmër për emnimin t’ând n’atë kathedër, po të premtoj se kam me u interesuem këtu e me pamë se si mundem me të ndihmuem. Në gjeça ndonji vepër auktori të mirë kam me t’a dërguem. Libra gjermanisht këtu s’ka. As italisht libra shkence nuk gjinden. Por ndoshta frengjisht. Dâm qi ti nuk din anglishten, se dijetarë inglizë qi janë marrë me islamizmin ka shumë dhe janë mâ të mirët ndoshta. Un do të shikoj sidomos me gjetun ndonji auktor arab ase hindjan, dmth. mysliman.

Të falem nderës për tfillimin e planeve mbi studimin e mësimin e shqipes e të historisë shqiptare aty sidhe mbi veprimtarin’e ardhshme të Qêndrës. M’a ka ânda fort me qênë në dijení të këtyne. Dashtë Zoti e planet u zbatofshin krejt nj’ashtu si na pëlqen neve.

Më shkroi edhe Valentini për deshirin qi keni ju rreth’i kulturës shqiptare me më tërhjekun edhe mue andej. Edhe un i u përgjegja dje me adresën t’ânde. Po të jetë se ky deshir i juej ka me marrë formë konkrete, tash kemi me biseduem e me u marrë vesht. Sa për parimisht, i shkrova edhe Valentinit qi mâ fort se studimet shqiptare kurrgjâ tjetër s’më tërhjek po s’mujta me shkue ke im bir n’Amerikë. Këta tash mbrênda nja dy muejsh ndoshta ka me u marrë vesht. Aqë herë edhe pun’e juej aty ka me u pamë. A proposito[1] , vetëm tash vonë e kam marrë vesht qi Paluca qênka n’Amerikë. Thonë ndër ne se nuk dihet nga i vjen e mira familjes, nga djali apo nga vajza. Me gjasë, asaj së Palucës i paska ardhun prej vajzet. I kam dërguem “Abetarin” e,  me gjithë ata komplimenta qi i kam bâmë në tê, ende s’m’u ka përgjegjun! Nji tjetër a proposito: Dalina a je ti apo âsht Paluca? Se kush mundet me qênë tjetër?

Pjesën e këndimeve t’Abetarit kam dashun t’a mbyll… (a di me ça?) me Nakdomanicin! Por s’e kisha e s’mujta me e gjetun. Çdo libër i botuem shqip, me këtë vjershë të padekshme duhet të mbyllet, apo jo?

Po të bâj nji proponim, Karl. Po mbaroi brez’i ynë me ata pak kompetenta të gjuhës shqipe – s’janë mâ shumë se gishtat e nji dore – qi ka pa i pasë vumun nji themel të  shëndoshë gramatikës së saj, kemi me lânë përmbrapa nji dam të madh. Un, me Abetarin, i vûna këtij themeli nji gur. Ti vêni të dytin. Kishte me qênë ky: me i bâmë ksaj vepre me atë titull aqë modest e përgjithsisht të shkrimeve të mija ndër letra qi do të shkëmbejmë bashkë e ndër sa qi ka botuem e do të botojë Shqipnij’e Lirë kritikën t’ânde fjalë për fjalë e frasë për frasë e me m’i dërguem mue pjesë-pjesë mbas kohës qi të keshë. Kemi me u marrë vesht në shumicën e tyne, dmth. në shumicën e ndryshimevet qi kemi me bâ. Ky ka me qênë nji resultat qi ndoshta as na vetë s’do t’i biem krejt në tê rândsisë qi do të ketë për t’ardhëshmen. Pjesën tjetër, ku s’do të mundemi me ramë të dy mbë nji, kemi me e bâmë objekt shoshitjeje publike me anë të shtypit tue u bâmë nji thirrje të nxetë patrijotike gishtave tjerë qi gjinden jashtë qi të marrin pjesë n’atë shoshitje. E kështu ka me dalë ai themel i shëndoshë i gramatikës s’onë qi thashë. S’ka Mustafë, s’ka Karl, s’ka Palucë, s’ka Resul qi mund të hartojnë sod vetëm nji gramatikë të shqipes qi të jetë tekst! Por të gjithë bashkë mund të bâjnë punë të madhe fort. Mos u çudit: ma e madhe punë e këtyne âsht pikë së pari me pasun nji orthografí e përgjithësisht nji gramatikë të përbashkët! Rivist’e Qêndrës duhet të bâhet kryesisht tribun’e ksaj pune. Gjithçka tjetër: letërsí, poesí, historí janë kurrgjâ sod për popullin shqiptar ndaj gjuhën e tij, janë si centralet hydroelektrike të regjimit komunist kur populli po des zijet për bukë!

Me kaqë po e mbyll bisedën, tue pritun me filluem prap kur të keshë nge ti.

Mustafa

P.S. Qyr nji herë se ç’na ndodhi: Paluca e zbardhi faqen, njetash mora letrën e tij, nji letër të gjatë ku qahet fort për sŷtë i mjeri.

Do t’i keshë marrë ato copë Abetarësh për tre Gjermanët albanologë qi ishin në listën t’ânde e do të keshë kuptuem se post’e këtushme m’i ktheu dalë.

Edhe ime motër merr pjesë n’urimet e mija.

Mustafa.

 

 

 

Palermo, 26.6.1953

I dashtuni Mustafë,

Përsërí kaloi nji kohë e gjatë pa Të shkrue. As vetë nuk dij me i dhanë dum kësaj mungese nga ana e ême. Sot e nesër ditët kaluen tue mbetë në detyrë kundrejt Teje. Por faji, kujtoj, nuk âsht aq i madh, kur të mendohet se e kam gruen e sëmundë tash shum kohë. Duhet t’i shtrohet njij operacjoni për t’i hjekë nji fibromë n’âmë të fëmís, por, tue qênë se ka presjonin e gjakut të naltë, e shtŷjnë prej njij dite në të tjetrën. Gjindet nën mbikqyrjen e mjekvet, të cilët i kanë përshkrue nji kurë injekcjonesh e barnash, qi m’a kanë shkundë krejt kuletën e shkretë. N’anën tjetër, tash nji muej rresht jam i zânun me provimet e verës n’Universitet: simjet janë paraqitë në provimet e shqipes mâ se njiqind vetë; kam qênë në komisjon me Pater Valentinin, i cili âsht i kapërthyem edhe në katërqind punë tjera, kështu qi barra mâ e randë më ka takue mue. N’islamologjín kam pasë nandëdhetë ndigjues, mâ të shumtën femna, e n’apelin e parë të provimevet të këtij vjeti u paraqitën pesëdhetë. Mësimet e kësaj lande i kam përmbledhë andej e këndej prej auktorësh të ndryshëm,  gjermanë dhe italjanë. Mjerisht nuk dij turqisht ase arabisht, pse në këto dy gjuhë do të kishem gjetë sigurisht burime mâ të mira. Si libër leximi kam zgjedhë pjesë të ndryshme nga Kurani, kuptohet vetvetiu, në përkthimin italisht të Luigi Bonelli-t, qi kundrohet e mbahet mâ i miri n’Itali. Kam folë për mbrendín e Kuranit, për jetën e Muhametit e për themelimin e besimit musulman; kam trajtue në vija të përgjithëshme letërsín arabe dhe atë të Persís e mâ në fund kam bâ gjeografín e të gjitha vendeve islame, tue nisë nga Arabija e tue mbarue në Shqipní. Më duket se kam bâ nji punë të pëlqyeshme, pse, si kam mujtë me vrejtë, kam zgjue nji interesim në ndigjueset. Vjetin qi vjen, me qênë shëndosh, kam mendjen me folë për letërsín turke e për artin musulman në viset e ndryshme, sidomos në Spanjë e në Sicilí.

Tashti të vijmë te Qêndra e jonë: dishka kemi bâ; kemi marrë nji zyrë të përkohëshme, ku i kemi vû themelet njij Bibjotheke albanologjike, e cila do të përmbledhë, mbrenda mundësivet, çdo botim shqip dhe asish qi të shkruem në gjuhë të hueja, flasin për punët t’ona. Kemi bâ nji qarkore, qi u a kemi dërgue dashamirvet e të njoftunvet, për të na dhânë ndihmesën e vet në ketë nismë. Kemi shpresë të nxjerrim nga Qeverija Siciljane nji shumë të hollash, ashtu edhe nga Qeverija e Romës. Atëherë do të mund të bâjmë edhe blemje librash e do të mund të ndihmojmë edhe ata bashkëpuntorë, qi me shkrimet e veta do të na nderojnë revistën, qi kemi mendjen t’a botojmë sa mâ parë, tri herë në vjet, në trajtë libri. Sa për ardhjen t’Ande këtu, nuk kam lajme të preme, pse, si mund t’a marrish me mend, krejt çashtja qindron te fondi qi do të na jipet. Të kemi gjithmonë në zêmër e në gojë e me mzi presim ditën kur do të mundemi me Të dhânë lajmin e gëzueshëm për Të thirrë pranë nesh. Je i pari Ti qi do të gëzojsh me bashkëpunimin t’And të çmueshëm e të pakapërcyeshëm.

Në letrën t’Ande më pate pyetë se i kujt âsht pseudonymi “Dalina”. Po, Ti i ke ra në tê: unë shkruej në çdo numër të fletores, mâ të shumtën e herës, pa nënshkrim, por nga ndonji herë ata miqt e mij të Romës më pagzojnë me emnin “Dalina”, të cilin e pata përdorë nji herë në fillim, nuk e dij as unë sepse.

“Abetarin e të Mërguemit” u a pata dërgue albanologvet gjermanë, simbas dishirit t’And.

Pardje mora nji fletë nga Universiteti i München-it për të marrë pjesë në nji Kongres Ndërkombtar për Studime Indo-europjane n’at qytet në fillim të shtatorit.

Të marr ngrykë e Të puthi vëllaznisht, i yti Karl.

A ké pasë ndonji lajm nga Hamdiu? Ká shumë kohë, qi nuk i a kam ndigjue zânin as atij, as Hajdarit. – A ké pasë ndonji lajm prej Shqipnije. – A e ké marrë nji letër nga zojusha Cirrincione? Shum të fala nga ime shoqe e nga Gilberti.

[1] It. : me që ra fjala (E.M.)

Esmihan Hanëmi, nëna e Ali Pashë Tepelenës. Në histori është portretizuar si simbol i një egërsie të pashoqe. Po a ishte vërtetë e tillë? – Nga Dorian Koçi

 

Ky më poshtë është një ilustrim i hershëm i nënës së Ali Pashë Tepelenës. E ëma, Esmihan Hanëmi (Hanko), ishte bija e Zenel Beut të Konicës, feudalit më të fuqishëm shqiptar të asaj zone. Nëpërmjet beut të Konicës, me vajzën e të cilit qe martuar, Veli Beu, i ati i Ali Pashë Tepelenës  u lidh fort me familjet më të rëndësishme të vendit.

Në librin e vet për Ali Pashën, Aravatinos thotë se dera e Konicave ishte pasardhëse e Kastriotëve. Por ky fakt nuk i qëndron vërtetësisë historike. Vetë Faik Konica, një nga pasardhësit e shkëlqyer të kësaj dere, e mohon këtë fakt kur thotë: Një stërgjyshi im, i quajtur Mehmet Pasha rronte në kohë të dëgjuar dhe nuk është çudi që pas pakë brezash, populli ta ketë përzier me Skënderbenë.

Analet historike dëshmojnë se dera e Konicajve njihej ndryshe edhe si dera e Zenelbejllinjve, në emër të Zenel Beut, nipit të Mehmet Pashës, i përmendur për pasurinë dhe jetën e shkëlqyer që bënte.

Zenel Beu, nga martesa me motrën e Kurt Pashë Beratit, pati një bijë dhe një bir. E bija u martua me Veli Bej Tepelenën dhe lindi Alinë.

Ky detaj i lidhjes familjare të Ali Pashë Tepelenës me Kurt Pashën e Beratit është shumë i rëndësishëm, pasi tregon sërish statusin e rangut të familjes së Ali Pashë Tepelenës, si një prej familjeve aristokratike toske.

Kjo do të thotë që kjo familje nuk u gjend rastësisht në qendër të ngjarjeve, të cilat përcaktuan fatin vetëqeverisës të Epirit për më shumë se 35 vjet, siç tentojnë shpeshherë ta përshkruajnë burime të ndryshme të letërsisë së udhëtimeve, të cilat në të shumtën e rasteve janë kujdesur të përcjellin historitë lokale të Epirit, me një këndvështim më shumë orientalist, sesa i përgjigjen realitetit.

Ali Pasha Tepelena ishte shumë i lidhur me të ëmën pasi babai e la në moshën 12-13  vjeçare.

“Unë i detyrohem shumë asaj, – i pati thënë ai njëherë konsullit francez, Pukëvilit, sepse pas vdekjes së babait ne nuk trashëguam asgjë më tepër, veç pak streme tokë dhe disa kafshë. Edhe sot më djeg malli të dëgjoj këshillat e saj.

Ajo dy herë sakrifikoi për fatin e jetës sime; së pari që më bëri burrë dhe së dyti që më bëri vezir. Imagjinata e saj zbulonte përpara meje sekretet që do t’i kishte e ardhmja ime. Aso kohe Tepelena nuk përfaqësonte asgjë për mua, veçse, thjesht vendin ku pata lindur, prej nga unë duhet të lëshohesha në sulme mbi gjahun, që tanimë ishte konturuar në idetë e mia.

Nuk ëndërroja dhe as mendoja për gjë tjetër, veçse për barot, pasuri, pallate, me një fjalë për ato që me kalimin e kohës i realizova dhe ato që synoj të realizoj, sepse në pikën ku kam arritur, dalloj se nuk është maja e llogarive të mia”.

Autorë të ndryshëm janë munduar, kinse të depërtojnë në natyrën e veprimeve të Ali Pashë Tepelenës ta emërtojnë karrierën e tij një histori tipike orientale. Aliu paraqitet si imoral dhe i ulët, absolutisht i pamëshirshëm dhe hakmarrës.

Historia e ngjitjes së tij të shpejtë në pushtet, nga një pinjoll i një familjeje të mugët pseudofisnike të një fshati shqiptar, në sundimtar të një pashallëku të gjerë dhe fort të pasur, rrëfehet si një seri e pafund mizorish, mashtrimesh dhe veprash kriminale.

Në të gjitha historitë anekdotike, që tregohen për Aliun, një rol të rëndësishëm luan ambicia e Hankos, egërsia  dhe dëshira e saj e madhe për t’u hakmarrë, çka shkakton drama të mëdha njerëzore, si ato të Hormovës dhe të Kardhiqit.

Fëmijëria e vështirë e Ali Pashës, i mbetur jetim rreth moshës 12-13 vjeç, dëshira dhe mënyrat e tij për t’u përkujdesur për familjen, të ëmën dhe të motrën, në një mjedis të vështirë feudal, ku lulëzonte anarkia dhe dhuna, nuk shikohen si përpjekeje pozitive, por si një konglomerat ndjesish negative të tradhtive, intrigave dhe imoralitetit.

Tradhtitë e Aliut janë parë nga të gjithë autorët, jo si rrjedhojë psikologjike e një fëmijërie të vështirë dhe të ashpër, por si një imperativ biologjik, si një rezultat i paevitueshëm i edukimit të tij në ato rrethana jetësore.

Sipas këtij intepretimi, thelbi i vërtetë i orientalit karekterizohet nga një shthurje e trashëgueshme, sikur të ishte ndonjë karekteristikë fizike, etnike a racore.

Përgjithësisht, këtë lloj mizorie dhe tradhtie, të gjithë autorët ia veshin trashëgimisë së tij nga e ëma. Pothuajse në të gjitha veprat për Ali Pashën, asaj i kushtohen pasazhe të veçanta. Madje, edhe autorë si Hobhaus që flasin me admirim për Ali Pashën ose që nuk paragjykojnë sundimin e tij të ashpër, kur vjen rasti për të folur për të ëmën, e portretizojnë atë si simbol të një egërsie të pashoqe.

E ëma, Hankoja u bë strumbullari i i gjithë të ardhmes së tij edhe duket se bashkë me qumështin, ka thithur dhe prirjen drejt mizorisë dhe egërsisë.

Ky paragjykim dhe ky stereotip rreth Hankos nuk u shua as edhe një shekull më vonë.

Siç vëren me të drejtë studiuesja Katherin Flemming në veprën e vet “Bonaparti mysliman”, shkrimtarë, si William Plomer në veprën e vet “Diamandi i Epirit”, shkruan se ajo (Hankoja) kishte një ndikim shumë të fortë mbi ta (Aliun dhe Shanishanë) dhe bashkë me qumështin u mëkoi edhe ambicjen, babëzinë dhe urrejtjen.

Mirëpo, pavarësisht këtyre stereotipave që mbizotërojnë në monografitë dhe studimet për Ali Pashën, figura e Hankos duket se u është nështruar stereotiopave orientalistë në përshkrimin e saj, sepse ajo as më shumë as më pak ka qenë një nënë shqiptare që dëshironte më të mirën për birin e vet pas asnjë ngaa vetitë supernatyrale që i vishen.

Le Franc-tireur (1946)- Me fotografin e famshëm Gjon Mili do të kuptoni se fotografia është “një art që lëviz…” – Intervista ekskluzive në Paris

Tempete (Stuhia) nga Gjon Mili – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Shtator 2020

 

“Le Franc-tireur” ka botuar, të premten e 4 tetorit 1946, në faqen n°2, një intervistë të Gjon Milit, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Mbretërimit të kartolinës po i vjen fundi

Gjon Mili, amerikan dhe fotograf i shpejtësisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Ju keni lindur në U. S. A., Mili ?

 

— Jo. Në Shqipëri në 1904. Në Rumani deri më 1923. Pastaj New York City dhe menjëherë në shkollën e Bostonit…

 

Gjon Mili shtriu këmbët e tij të gjata poshtë tryezës së zyrës e cila ndodhej në një ndërtesë të rëndësishme e të denjë të “Place de la Concorde”.

 

Pamja e tij ndryshuese është e efektshme, për shpejtësinë, me një hundë aerodinamike, një mustaqe të vogël që duhet të jetë në gjendje të tërhiqet si ingranazhi i uljes së një avioni Thunderbolt. Gjon Mili është fotografi më i shpejtë në botë, i cili ju qëllon i gjallë me aparatet e tij të komplikuara. Siç e thotë qartë dhe fatmirësisht z. Jean-Paul Sartre, nuk bëhet fjalë që për të të jesh një i fotografuar “normal”, “një i vdekur i balsamuar, i lyer me hiposulfit…”.

 

***

 

Kjo është një histori tjetër.

 

Dhe Mili, në një gjendje të mirë, është i gatshëm ta na e tregojë.

 

— Në Boston, unë ndoqa mësime që do të më mundësonin postin e “fotografit inxhinier”. Ju nuk keni asgjë të ngjashme në Francë, besoj. Gjatë disa viteve, në mënyrë metodike shtyva njohuritë e mia në optikë, teknikë fotografike, energji elektrike, kimi dhe fizikë.

 

Pastaj hyra në Westinghouse si “inxhinier kërkimesh” në seksionin e studimeve të dritës. Kam punuar atëherë me H.-E. Edgerton i cili sapo kishte shpikur llambat speciale të cilat më lejojnë sot të arrij rezultate mjaft të jashtëzakonshme.

 

Procesi është ai që konsiston në prodhimin në një tub të vogël një blic shumë të fuqishëm, por të një shkurtësie që mund t’ju befasojë.

 

— 1 / 1.000 e sekondës ? …

 

— Shumë më shpejt. Këto llampa lejojnë “flashë” (blicë) që variojnë nga 1/1.000 e deri në të miliontën e sekondës. Me këtë zbulim shkencor, unë isha në gjendje të shtyja shumë më tej kërkimet e mia artistike.

 

***

 

— Studioja juaj është në New York apo Kaliforni ?

 

— Në New-York City : 6 East 23 rd. Është një nga më të mëdhatë në botë. Ne ishim në gjendje të realizonim filma aty, gjashtë vitin e kaluar. Hans Richter po xhiron në të një film surrealist.

 

— Bëjnë ende filma surrealist në Shtetet e Bashkuara ?

 

— Sigurisht. Dhe që do t’ju pëlqejnë, jam i sigurt.

 

Gjon Mili shikon lart dhe ky fotograf i pajisur mirë lëshon disa ide nga të cilat mund të frymëzohen amatorët më të përulur, pronarë të kutive katrore me objektivë akromatikë.

 

— Fotografia nuk është pikturë. Fotografia është një mënyrë e mrekullueshme për të kapur “një moment”. Fotoja është çasti. Dhe duke shkuar më tej, u përpoqa në disa nga punimet e mia të krijoja “një fjali fotografike”, falë sekuencave të mbivendosjeve të llogaritura.

 

— Pa dyshim, Mili. Por, në Francë, fotografët tanë më të mirë hasin pengesa. Është e vështirë të shkosh shumë larg me pajisje të rralla dhe në pamundësi materiale për të marrë mjetet moderne për të cilat më keni folur.

 

— Unë e di atë. Dhe unë i admiroj aq më shumë miqtë e mi në Evropë të cilët me pajisje të dobëta shpesh marrin rezultate të shkëlqyera : Bressai (Brassaï) për shembull. Teknika amerikane është shumë e përparuar, natyrisht…

 

Mili afrohet në dritare dhe shikon dritën delikate duke luajtur mbi gurët e vjetër të Place de la Concorde.

 

— Në Paris, megjithatë, përfundon ai, ju keni një avantazh të madh : kryeqyteti juaj është një qendër unike për të krijuar dhe shpikur…

 

Duhet të shkoni e të shikoni ekspozitën e të fotografuarve të Gjon Milit e cila sapo është hapur në 46, rue du Bac.

 

Ju do të zbuloni se çfarë na rrëfen objektivi i paepur i Milit për z. Paul Boncour, duke bërë thashetheme rreth paqes, të z. Truman, bekuesit “Babitt”, të z. Eden, nxënësit të vjetër të Eton-it, të z. Molotov  duke bindur Kongresin mbi vullnetin e mirë të U. R. S. S. Ju do të shihni një xhongler me topa, i kapur në mënyrë flagrante, me shpejtësinë e 15 “flashëve” për sekondë, ku secili blic përfaqëson 1 / 30.000 e sekondës. Ju do të mësoni se si një thikë pret ujin, si shiu godet çadrën, sesi një zezak luan daulle, sesi një vezë përhapet në tigan…

 

Dhe do të kuptoni, me Gjon Milin, se fotografia është “një art që lëviz”…

 

André JEAN

Elle (1946)- Ja çfarë mendonte shkrimtari dhe filozofi Sartre për Gjon Milin, fotografin më të mirë në botë që sapo kishte realizuar një fotografi të jashtëzakonshme

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Shtator 2020

 

“Elle” ka botuar, më 5 nëntor 1946, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me Gjon Milin, fotografin shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Gjon Mili mund të fotografojë një pikë uji që bie (rrjedh)

 

Gjon Mili, fotografi më i mirë në botë, ka aparatin më të mirë në botë me të cilin ka realizuar…

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

…këtë fotografi vërtet të jashtëzakonshme. Shikoni pikat e ujit që bien nga mjekra (nofulla) e kësaj gruaje…

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në vitin 1939, Gjon Mili ishte një amator i thjeshtë. Tani, ai është fotografi-reporter i parë në botë. Ky inxhinier elektrik amerikan, me origjinë shqiptare, mësoi frëngjisht në Bukuresht.

 

Gjon Mili ju kap krejtësisht të gjallë në gjendje të papërpunuar. Ju vazhdoni të luftoni në fotografinë e tij si peshku në rrjetë… Unë kisha njohur para tij vetëm fotografë me gjak të dobët, të cilët fotografonin me inat (pakënaqësi), ashtu sikur vrasim. Mili nuk ka inat. Atij i pëlqen gjithçka : të hajë, të pijë, të kërcejë. Ai e njeh Harlem-in më mirë se çdo i bardhë, Nju Jorkun më mirë se kushdo. Ai është i lumtur. Ai nuk dëshiron të të vrasë, akoma më keq, ai do t’ju kapë të gjallë”, shkruan për të J.-P. Sartre.

 

Mili erdhi në Paris me 200 kg material për të bërë disa fotografi të Konferencës së Paqes. Ai donte të kishte së bashku “Katër të Mëdhenjtë”. Sigurimi nuk pranoi. Mili e ngushëlloi veten duke organizuar një ekspozitë me fotot e tij, në hapjen e të cilës morën pjesë skulptori i madh amerikan Golder, René Domergue, J.-P. Sartre, Chaptman, kritiku i artit i “Life”… Ai ekspozoi gjithashtu aparatin e tij të jashtëzakonshëm të sofistikuar i cili operon elektrikisht në akumulatorë, bën tridhjetë mijë fotografi pa u rimbushur (karikuar) dhe funksionon në tridhjetë të mijtën e sekondës. Teknika e tij bazohet në “surimpression” (në shtypjen e dy ose më shumë imazheve në të njëjtën sipërfaqe të ndjeshme) dhe ndriçimin “nga poshtë”.

 

Më 12 shtator 1968 Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës

Me 14 maj 1955, Shqipëria, Bullgaria, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan Paktin e Varshavës, me qëllim mbrojtjen reciproke të palëve nënshkruese të traktatit.

Pakti i Varshavës ishte një Lidhje e shteteve komuniste të Evopës, e udhëhequr nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, i nënshkruar më 14 maj 1955 në Varshavë, me qëllim të miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmes reciproke në mes të Shqipërisë, Bullgarisë, Republikës Demokratike të Gjermanisë Polonisë, Rumanisë, Bashkimi të Republikave Socialiste Sovjetike, Republikës Socialiste të Çekosllovakisë dhe Hungarisë. Pakti i obligonte anëtarët e saj për konsultime mbi çështjet e interesit të përbashkët dhe për ndihmë të mënjëhershme ushtarake në rastë të ndonjë sulmi në Evropë mbi një apo më shumë anëtarë të paktit. Pas kalimit të afatit prej 20 viteve, afati i paktit zgjatej automatikisht për 10 viete tjera, nëse një vitë më parë nuk është bërë tërheqja e ndonjë anëtari.

Organet kryesore të paktit me qender në Moskë ishin: Byroja e Këshillit Politik (Polibyroja) dhe Kryekomanda e Bashkuar. BRSS-ja, gjithnjë kishte Kryekomanden e forcave të armatosura. Ata ishin, I. S. Konjev nga 1955-60, A. A. Greçko 1960-67, I. I. Jakupovskij 1967-76 dhe nga 1977-ta V. G. Kulikovi. Stacionimi i trupave sovjetike në vendet partnere, rregullohej me marrëveshje të veçanta bilaterale.

Historia

Pakti i Varshavës u zhvillua si një instrumet politik në duar të BRSS-së, si fuqi udhëheqëse e bllokut lindor. Përpjekjet e qeverisë kryengritëse hungareze të I. Nagit (I. Nagy), në tetor/nëntor 1955, për të tërhequr anëtarësimin e Hungarisë nga Pakti i Varshavës, ishin vendimtare për marshimin e trupave sovjetike në Hungari në nëntorin e vitit 1969-të. Përpjekjet e reformave komuniste në Çekosllovaki, në 1968, BRSS-së, ju duken jo vetëm si një devijimi nga ideologjia komuniste, por edhe si rrezik i mbajtjes së përbashkët të Lidhjes.

Pas marshimit të trupave sovjetike në Çekosllovaki, në gusht të 1968-ës, Shqipëria tërheqet nga Pakti i Varshavës.

Strategjia e Paktit

Për dallim nga strategjia e Organizatës së Kombeve Trans-Atlatike, Pakti i Varshavës, nuk ka publikuar asnjë konceptë mbrojtës kundë sulmeve. Rrethet e ndryshme ushtarake perendimore, në lidhje me këtë pohonin se sipas udhëheqjes komandues, oraganizimit, stërvitjeve dhe armatimit, Pakti i Varshavës punonte në një strategji ushtarake ofenzive/sulmuese. Shikuar nga shpërndarja hapësinore e trupave sovjetike, dhe gjendja gjithnjë në gadishmëri e tyre, mund të konkludohej se, Pakti i Varshaves mundohej të siguronte gadishmërin për konflikte të mundshme, pa ndonjë parapregatitje të posaçme dhe pa ndonjë marshim. Përmisimi i përditëshem i armatimit konvercionel dhe ati bërthamorë, i Paktit të Varshavës, le të kuptohet se ishin të gatëshme për çdo lloj lufte të mundëshme të asaj kohe. Me këtë strategji, Pakti i Varshavës ndiçte barazin me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe dominimin konvercionel në Evropë. Po ashtu në disa vende perendimore të Evropes mendohej se, armatimi i cili i ejkalonte nevojat vetëmrojtëse të Paktit të Varshavës, përdorej edhe për të shtypur interesat e Evropës perendimore, te cilat nga ana e tyre ksihin krijuar me pare (1949) Alaenacen e Atlantikut te Veriut.

Pakti dhe Shqipëria

Forcat ushtarake shqiptare nuk morën asnjëherë pjesë në manovrat e organizuara në kuadrin e Paktit të Varshavës.

Nga viti 1960, Shqipëria nuk mori më pjesë në asnjë aktivitet ose mbledhje të Paktit të Varshavës.

Me 12 shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga forcat e Paktit të Varshavës, Shqipëria deklaroi daljen Pakti i Varshavës.

LETËRKËMBIMI MUSTAFA KRUJA – KARL GURAKUQI: Prej familjes Merlikaj të gjithë janë në burgje e në fusha të përqëndrimit

Palermë, 28.12.1952

 

I dashtuni Mustafë,

 

Ká shum kohë qi pata marrë dy gisht letër prej Teje dhe mërrijta deri sot pá T’u përgjegjë. Ásht Gjystja e Ndocit, e cila ká ardhë me kalue disá ditë ke unë në Palermë, qi po më shtŷn me Të shkrue. Po përfitoj nga kjo rasë për me Të paraqitë urimet mâ të gjalla për Vjetin e Rí: qoftë me kambë të mbarë për Tý, për familjen T’Ande e për Shqipnín t’onë!

Me Të kallxue të drejtën, kam dâshtë me Të shkrue tash disá ditë. Sikurse e din, në vjetin 1948 patëm themelue këtu Institutin Ndërkombtár për Studime shqiptare, por mjerisht deri tash ká qënë gadi sá për êmën, pse na kanë mungue mjetet. I vetmi veprim i ynë ká qênë mbajtja e 6 studentave me bursë në Palermë. Në vjetin qi vjen kemi vendosë me i dhânë pak jetë kësaj Qêndre, do të vijë këtu P. Valentini, qi do të marrë drejtimin e së përkohëshmes trimuejore, qi do të fillojë në Marsin qi vjen. Rosolin Petrotta, kryetari i Qêndrës, më porositi me Të shkrue e me Të pyetë në se do t’ishesh gati me ardhë në Palermë e me bashkëpunue me né. Të lutem, më përgjegj sá mâ parë se çfarë mendimi ké. Unë, nga ana e ime, do të gëzoheshem shum, pse kam disá shkrime gjuhësore, për të cilat do të më hŷjshin shum në punë këshillet e Tua.

Të kthejmë përsërí te Gjystja, e cila Të falet pikë së pari shum e shum me shëndet si Tý ashtu edhe motrës, tue Ju urue me gjith zemër Motin e Rí me fatlumsí.

Gjovalini ká pasë kênë në Tunisi me punë e tash e kanë shpërngulë n’Ambashadën në Paris. Edhe Lilly âsht në punë në Romë e ká shkue te i vëllaj për me kalue festat, dhe Gjystja, për mos me ndêjë vetëm, ká ardhë te unë.

A ké marrë ndonji lajm prej Cajës e fëmijvet? Të lutet Gjystja t’i shkruejsh, pse ká shum dishír me dijtë ndonji send për ta. Kjo, besa, nuk Të lëshon kurr prej goje; ká simpatí të madhe për Tý, pse thotë se Ndoci s’ká dashtë kërkend mâ fort se Mustafën. Kur Të përmendë Tý, i bâhet sikur me e pasë gjallë Ndocin e shkretë. Gjystja Të ká pasë pritë me shum dishír, por tash – thotë – duket se Mustafa nuk ká mend me ardhë. Si po shkon motra me punë? A Të ká shkrue djali prej Amerike? Prej Asllanit a din gjâ? E për Qazimin? – Thotë Gjystja, qi mos t’a harrojsh me letër, mbassi pendën e ké gjithmonë në dorë. Të falet me shëndet me dashuni dhe T’uron përsërí.

Shum të fala nga ime shoqe dhe nga djali.

Të falem e të përqafoj vëllaznisht. I yti Karl.

 

 

 

Ramleh, 28.I.1953

 

I dashuni Karl,

Ka dit qi e kam marrë letrën t’ânde. E, si po e sheh, s’u nguta me t’u përgjegjun. Gati – gati m’u pat rrotullue mêndja nji herë me vu përgjegjun, në vênd t’ând, asaj zonje të dashun e atij zotnije qi të kishin bâmë me më kujtuem. Por, tekembramja, e shtrëngova pakëz veten e thashë: “Hajd more mâ, po a s’e njeh Karlin?!…”

Të kam pasë njohun, njimênd; por tash kujtoj se të njoha edhe mâ mirë. Mbas kaqë vjet shoqnije në Shqipní, së paku ndër mbledhjet e në bashkpunimin t’onë n’atë Institut qi mjerisht s’pat jetë të gjatë sikur shpresojshim, u pamë edhe në Vjenë. Këtu s’më qe dukun se kishe ndonji ankim prej meje. E s’më shkoi mêndja qi fytyr’e jote prej brunxi âsht e zonja mos me i a treguem kurrkuj, as anmikut, shpirtin. Ke cilsí diplomati, lum miku. Kur pata ndëgjuem mbasandej se kishe shkuem e zânë vênd në Palermo, qeshë gzuem si për tý vetë ashtu edhe për punë qi do të bâjshe. Se un tý të kam çëmuem, ndoshta edhe mâ tepër se vjyen, dhe pavarsisht nga çëmimi qi ti mund të kishe ase jo për vlerën t’eme në lâmën e përbashkët.

E pra më rrênte mêndja qi do të më shkruejshe e do të të shkruejsha. Por kisha qênë gënjyem. Ç’më vinte keq mâ fort, ishte se pse s’dijsha, n’atë thjeshtin’e marrë t’emen, me gjetun kund ndonji shkak. Më vinte prapë me e kërkuem këtê në karakterin t’ând. Apo ke pritun ndoshta qi t’isha un i pari me i a nisun korrespondencës me tý? Paj gjithkund në botë, e në Shqipní mâ tepër se askund, mosha i ka do privilegja. Më dërgove biblijografinë t’ânde pa nji gjymsë fjale, as nji të përshëndetun në ndonji faqe të saj nemose. T’u fala nderës me dý fjalë zëmrimi, por zëmrimi miqsuer. Ti prap heshte. E tash po më shkruen, po më shkruen e po m’uron, me këtë rasë, për vjetën e re. Faleminderës për këtê e të mbarë e pastë kâmbën kjo edhe për tý. Mirpo edhe ksi shtegu, vetë po më kallzon se paskan qênë tjerë qi të paskan shtŷmë. S’ka gjâ. Sido qoftë un e kam për detyrë me t’u përgjegjun, në mos tjetër për nj’atë barrë qi të paska ngarkuem Z. Petrotta. Këtij dojsha t’i çoj edhe ngushullimet e mija për dekën e të vllait, për atë vlerë të madhe qi paska humbun kultura shqiptare. E mbasi nuk i a dij adresën, po të lutem tý me më shkarkuem prej ksaj barre tue e siguruem për pjesmarrjen t’eme n’idhnimin qi i paska ramë.

Ti, mbasi po më difton se Qêndra Ndërkombtare e Studimevet Shqiptare po fillueka me botuem në marsin qi vjen nji rivistë nën drejtimin e të vlershmit mikut t’onë, P. Valentinit, po më thue qi Dr. Petrotta të paska ngarkuem me më pyetun nëse do t’isha gati “me ardhë në Palermë e me bashkpunue” me juve. Mâ par’e mâ dalë duhet t’i shfaq kryetarit të Qêndrës mirnjohjen për çëmimin qi paska për mue. E din ti, e din P. Valentini, ndoshta edhe Dr. Petrotta vetë e gjith kush më njeh, afshin t’em me i ndihmuem, me aqë sa jam i zoti, zhvillimit e përparimit të kulturës e veçanë të gjuhës s’onë. Por po shoh, nji herë pikë së pari, se oferta qi po më bâhet, nemose ashtu si po m’a kumton ti, âsht tepër lakonike. Kur t’i thuesh dikuj çou prej Aleksandrije e eja në Palermë për me i a kushtuem veprimtarinë t’ânde nji pune, âsht e dijtun se edhe kushdo me qênë ka nevojë të dijë pikë së pari, së paku në vijat e përgjithëshme, natyrën e asaj pune dhe kushtet qi i ofrohen. Në qoftë se pun’e ime aty do t’ishte vetëm nji bashkpunim në redaktimin e nji riviste kulturore qi paska me u botuem krye tre muejsh, kisha me thânë se nuk e vjyen barra qiranë as për mue, me ardhun e me banuem aty vet’i dyti, as për Qêndrën vetë. Ku t’a merrshim atë ditë qi Qêndra t’ishte e zonja me mbledhun e me shtimë në punë aty jo vetëm tri mise t’ish – Institutit t’onë në Tiranë, por të gjithë ata t’atij Instituti qi fati i ka hjedhun përjashta vêndit; pra edhe Koliqin, Resulin, Palucën, pa folë për shokët t’anë italjanë. Por kjo do t’ishte vetëm nji ândërr e bukur!

Un pra Dr. Petrottës po i përgjigjem tash për tash kështu:

Nuk më duket nji gjâ e ngutshme qi un të ju ap menjiherë nji fjalë të preme. Mbasi paska për t’ardhun, le të vijë nji herë aty P. Valentini. Atbotë mendoni të tre bashkë nëse ka përnjimênd puna nevojë për praninë t’eme aty. E në qoftë se e gjykoni se po, më kallzoni kushtet, morale e materjale, për positën e jetesën t’eme, e atëherë kam me u menduem edhe un vetë e me ju dhânë nji përgjegje të shpejtë. Tjetër gjâ do t’ishte nji bashkpunim i im vetëm së largu në rivistën e projektueme. Un prej politikës aktive, n’atë formë të përvajtueshme qi po na paraqitet ajo sod neve Shqiptarvet, gjindem kryekëput i mbënjanuem. Edhe ju e dijni qi, po të dojsha, kisha me i fituem mjaft do dollarë tue shkruem konferenca për Evropën e Lirë, qoftë edhe me nji emën të rrênshëm a të ndonji Shqiptari tjetër. Por këtë rrugë fitimi s’i a kam pamë vetes të denjë. E besa nevojë kam mjaft. Pra të tânë kohën e kam në disposicjon të kulturës e të gjuhës shqiptare. Kam punuem mjaft ka do vjet të këtij mërgimi e tektej për këtë qëllim. Keni për t’a pamë në nji faqe të posaçme t’ “Abetarit” t’em se ç’kam mundun me bâmë e ç’jam tue bâmë.

Këtë vepër modeste për të cilën ju fola, “Abetarin e të Mërguemit” do t’u a dërgoj gjith’atyne ku e dij se nuk shkon kot. E kam botuem me njimijë halle. Ende s’jam lamë krejt me shtypshkronjën. Të lutem Karl, në qoftë se t’intereson edhe tý, dërgoma nji listë adresash për dërgimin e këtij libri. Un shpuva nji ditë në postë nji bangë (kështu thotë populli në Krujë për pacco) me 10 copë me adresë “Centro Internazionale Studi Albanesi”. Por nuk m’a pranuen për arsye ligjore të këtushme. U dashkan dërguem nga nji e nga nji a, të shumtën, nga dý.

Edhe nji përgjegje të shkurtën tý për këto fjalë: “Un, nga an’e ime, do të gzohesha shumë, pse kam disa shkrime gjuhsore, për të cilat do të më hŷjshin në punë shumë kshillet e tua” (Falmë për ndryshimet orthografike, se s’më shkon dora ndryshe). Paj a kujton ti se un s’e kam menduem këtê për tý edhe për vete, pra në fund të fundit për Shqipninë e për shqipen? S’e kam deshiruem korrespondencën me tý për sŷt’e bukur të tu ase të mij!

Faleminderës qi po interesohe për njerzit e mij në Shqipní. Gjallë marr vesht se janë ata për të cilët je tue pyetun me emna. Prej familjes së madhe Merlikaj (jo Mër-) besa më janë dërmuem shumë. Të gjallët, përveç Asllanit, janë të tânë nëpër burgjet e fushat e përqëndrimit.

Tash besoj se ke mjaft. E shumë shëndet edhe prej Haxhires tý, s’at’shoqe edhe Gilbertit.

 

P.S. Në mos t’ardhë rândë për të shamet qi të përkasin, për të cilat ai kishte me u kënaqun sa s’ka e un jam gati me e pranuem për plak, kallzoja këtë letër edhe P. Valentinit kur të vijë aty.

 

 

Palermë, 17 Fruer 1953

I dashuni Mustafë,

Letra e Jote e 28 të mojit të kaluem, me Të kallxue të drejtën, më ka turbullue për së tepërmi e më ka tronditë. Më vjen shum keq, qi Ti e paske keqkuptue heshtjen t’eme e prej kësaj paske nxjerrë përfundimin, se unë qênkam njeri me dy faqe. Âsht e para herë, qi paditem kaq rândë, e, për mâ tepër, prej njij miku të zemrës, të cilin e kam çmue dhe e çmoj në nji mënyrë krejt të posaçme e për të cilin jam krenar t’a kém në krye të miqvet mâ të mirë qi kam pasë e kam endè sot.

E njof fajin t’êm. Do të më duhej mue me i a nisun korrespondencës me Ty, në mos tjetër, për shkak të moshës. M’a zên besë, more Mustafë, se arsyeja e kësaj mungese kundrejt Teje e ka rrâjën në kujdeset e jetesës, me të cilat deri tash së voni m’âsht dashtë të luftoj. Po të kishem pasë unë cilsí diplomati – sikurse po më cilson Ti me letrën t’Ânde – nuk do të ndodheshem në ketë gjendje në të cilën gjindem: vetë i treti në nji odë t’errët e ku ime shoqe âsht e shtërngueme të bâjë gjellat jashtë në verandë pa mbulojë e pa shtrojë, verë e dimën. Edhe mue më kanë proponue nji bashkëpunim në Komitetin “Shqiprija e Lirë”, tue më premtue nji shpërblim të majmë. Nuk e kam pranue, pse, sikurse Ti, nuk e shof veten në gjendje të caktoj nji rrugë të preme në ket pështjellim mendimesh, qi i ka kapërthye njerzit t’onë të mërgimit. Bashkëveproj në fletoren “L’Albanie Libre” për të vetmen arsye pse dishroj – me sa më lejojnë fuqít e pakta – me i bâ nji shërbim gjuhës dhe pse misat e Blokut, përveç se miq e shokë, për mue janë mâ të ndershmit e me ndiesí mâ të pastra se sa shum të tjerë qi sot po na shiten si atdhetarë të thjeshtë e padisin shokët si trathtarë e të shitun tek i hueji.

Të lutem prandej, i dashuni Mustafë, ndrroje mendimin e keq qi ké bâ për mue e më kundro, si përpara, si mik të çiltër, dashamirë të thjeshtë dhe admirues i cilsivet të Tua të rralla atdhetari, burri katërqindsh si n’e motit, idealisti të rrallë, puntori të palodhëshëm, njeriu fjale e miku të pa zhigla.

Nuk kam as nuk kam pasë kurr asnji ankim prej Teje; nuk më ke dhânë kurr ndonji shkak qi unë të zemroheshem me Ty. Të mbesim pra miq e vëllazën si përpara.

Le të ndrrojmë bisedim. Mbassi për katër vjetë me radhë zavendsova Prof. Gaetan Petrotën (e sëmundë) në kathedrën e gjuhës e të letërsís shqipe n’universitetin e këtushëm, mâ së fundi, tash nji muej më mërrijti emnimi zyrtar nga Roma, me të cilin më ngarkohet – mos u çudit! – kathedra e “Storia delle instituzioni islamiche”. I a kam nisë mësimit e i kam bâ disa orë (tri në javë), dhe me andje kam vrejtë se jam ndjekë me enthuzjazëm. Kam marrë për bazë dy auktorë, nji italjan e nji gjerman, profesorë të kësaj lande n’universitetin e Romës e të Leipzig-ut. Tashti due me Të lypë nji nderë: a ké mundësín me më këshillue ndonji shkrimtar arab apo turk – kuptohet vetvetiu – në ndonji përkthim gjermanisht ase italisht. Apo, mos je marrë Ti vetë ndonji herë me ketë landë, dhe atëherë do të Të luteshem me më kallxue se qysh të veproj.

Përveç kësaj lande, mësimin e shqipes e kemi ndá me P. Valentinin: ky ka marrë përsipër inkvadrimin e historís shqiptare prej kohvet mâ të lashta e deri sot; unë përkundrazi fillimet e gramatikës dhe historín e letërsís shqipe. Për kurs të veçantë kemi nxjerrë pjesë të randësishme nga Kanuni i Lekës; lexim, përkthim dhe analyzim.

Me P. Valentinin ndër këto ditë do të hapim dyert e Qêndrës Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare. Puna e parë do të jetë themelimi i njij bibljotheke albanologjike, bazën e së cilës do t’a sajojë bibljotheka e “Centro Studi Albanesi”, librat e së cilës na janë folë nga Akademija e Lincei-vet; do të vijnë pastaj dhuratat dhe blemjet. Puna e dytë do të jetë botimi i revistës “Quaderni” (120 – 160 faqesh krye tre muejsh). Landa e numrit të parë âsht gatí. Për ketë barrë të randë, qi shpresojmë të ketë nji zhvillim të gjânë, kemi nevojë për ndihmë, prandej Dr. Petrotta më pat thânë me T’u sjellë e me Të kërkue në se Ti në parim do të pranojshe me ardhë e me ngulë në Palermë. Âsht e dijtun, se Ti, pa nji pa dy, nuk mundesh me e lânë cakun e tashëm. Dishrojmë pra të dijmë në se Ti parimisht pranon me ardhë, e pastaj në mbështetje të përgjegjës s’Ate, Këshilli i Qêndrës do të caktojë kushtet. Sot nuk mundem të Të them kurrgjâ, pse P. Valentini ka shkue në Milan e Dr. Petrotta gjindet në Romë.

Do t’ishem shum i kënaqun me Të pasë këtu e me punue bashkë si nji herë në Tiranë. Do të kishem rasë me rrahë bashkarisht shum pika gjuhsije e do të mund të botoheshin ndoshta edhe punimet e vlefshme të Tua.

Të lumtë dora, more Mustafë, për botimin e “Abetarit”, për të cilin Të falem shum nderit. Je me të vërtetë për t’u çmue: në mërgim e me kujdese gjên kohë me u marrë me punë, qi, jo vetëm nuk qesin fitim, por kërkojnë shpenzime dhe të çame kreje. Idealizma e Jote âsht shembull për disa Shqiptarë të mërgimit, të cilët e çojnë jetën si zotnij të mëdhaj nepër lokale rendi të parë me gajofet plot e pa bâ kurrgjâ. Do të flas për tê në nji numër t’afërm të fletores “L′Albanie Libre”.

Simbas dishirit, po Të dërgoj nji listë drejtesash për dërgimin e librit t’And.

Të fala Haxhires. Shum përshëndetje nga ime shoqe e nga Gilberti.

Të falem e Të përqafoj vëllaznisht.

I yti Karl

 

 

(1 listë drejtesash)

 

Drejtesa për dërgimin e “Abetarit”

  1. Biblioteca Università degli Studi, Via Maqueda.
  2. Dr. Marco La Piana, Via Roma 83. Palermo.
  3. Dott. Rosolino Petrotta, Corso Calatafimi 89, Palermo.
  4. G. Valentini, Casa Professa. Palermo.
  5. Dottsa Angela Cirrincione, Via Fiume 13. Palermo.
  6. Petro Vuçani, Corso Pisani 79. Palermo.
  7. E. Mons. Giuseppe Perniciaro, Vescovo degli Albanesi. Piana degli Albanesi (Palermo).
  8. Angelo Leotti. Via Clem. Primodi 10. Bologna.
  9. Giacomo Marlekaj, o.f.m. Via Guinizelli 3. Bologna.
  10. Giovanni Giorgianni S.J. Ignatianum. Messina.
  11. Papas Lino Lo Jacono. Chiesa Martorana. Piazza Bellini 1. Palermo.
  12. Franz Babinger. Dachauer str. 140 c. II. St. R. München 19.
  13. Hans Krahe, Indogerm. Seminar d. Univ. Neue Aula. Tübingen (14 b).
  14. Max Lambertz, Markkleeberg 1 I (bei Leipzig) Auenstr. 2 I. (Bundesland Sachsen).

KRYENGRITJA E POSTRIBËS E JUP KAZAZI- Dokumente e prova që zbardhin të vërtetën – Nga Hamza Kazazi

Po shkruaj të vërteta e disa të dhëna për Kryengritjen e Postribës, që fatkeqësisht  akoma nuk është zbardhë siç duhet dhe i kam të bazuara kryesisht në dokumente e për më tepër disa të vërteta që nuk janë publikuar deri sot. Me durim prej vitesh kam arritë të gjej dokumente nga Arkivi i Shtetit, ai i Min. Br. dhe studime e gjihashtu kam të thëna prej njerëzish të mi pjesëmarrës.

Jup Kazazi bashkoi tri forcat politike që e patën zgjedhë kryetar të Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë dhe qe organizues kryesor i Luftës Reçit, një nga betejat më të mëdha kundër pushtuesit me 30-31 gusht 1943. Këtë e kam dokumentuar plotësisht.

Gjatë pushtimit gjerman, Jupi doli në mal me armë në dorë dhe bashkëpunoi me Misionin Ushtarak Anglez e ka dokumente. Letra e kolonelit Neel (Nil) komandant per veriun në Shqipëri shkruar motrës time Lirije me 29/10/1991 ndër të tjera thotë: “U kënaqa shumë që mora letër nga bija e mikut tim të vjetër dhe shokut të luftës Jup Kazazi, i cili na ndihmoi aq shumë gjatë kohëve të vështira qe unë dhe kapiteni Hibberdine kaluam në vendin tuaj me 1943-1944. Fatkeqësisht kapiteni Hibberdine vdiq gati dy vjet më parë, por jam i sigurt se edhe ai do të dëshironte të bashkohej me mua për me ju shprehë simpatinë tonë të thellë për rrethanat e trishtueshme që çuan në vdekjen e Babait tuaj dhe për të gjitha vështirsitë dhe humbjet mizore që ka pësuar familja e juaj, qysh kur komunistat morën në dorë vendin tuaj”. Jupi i ka pasë lënë të shoqes Nasibe emrat e tyre, që në rast se i ndodhte gjë atij, të kërkonte ndihmë ndërkombëtare nepërmjet tyre.

Jup Kazazi me vllezër vendosën të mos iknin jashtë, pse po të iknin të gjithë, ju a lëshonin krejtësisht komunistave. Ai thonte se ishte përpjekë veç për të mirën e vendit dhe mbasi patën filluar me folë komunistat, pati thënë se sa të mbaronte lufta, do të kërkonte vetë të delte në gjyq. (U panë si ishin gjyqet e komunizmit).

Me 23 nëntor 1944 Jup Kazazi organizoi arratisjen prej Shkodre nepërmjet Bunës me një anije të disa prej krerëve të politikës me në krye Mid’hat Frasherin. Ai shpëtoi ata njerëz, që po t’i kapnin do t’i pushkatonin të gjithë. Kanë pasë rast me ikë edhe më parë të 5 vllezërit, kur shoqruan kol. Neel me kap. Hibberdine në Shëngjin, ku erdhi e i mori nëndetsja në tetor 1944. Para se të niseshin, Neel i la si kujtim Jupit revolen e tij nagant dhe ajo qe arma me të cilën vrau vehten. Ata kanë pasë rast me ikë edhe dy herë të tjera. Të 5 vllezrit ndejën në Shqipëri kryesisht pse ai patën fjalën e kolonelit anglez, se po të organizonin lëvizje paqësore të konsiderueshme dhe në rast represioni të fortë, të bënin kryengritje e po ta mbanin pak ditë, do të ndërhynin menjëherë anglezët që kishin flotë në Mesdhe. Vendimi i Jaltës ishte që Shqipëria me Europën lindore mbeste nën influencën e B.S., por Anglia ishte kundra. Neel spjegonte se me Italinë e Shqipërinë aleate kontrollohej Kanali i Otrantos, pra Adriatiku e Joni, përndryshe hynte B.S. Kjo e bënte të besueshëm premtimin e tyre.

Me vlerë është ditari që Jupi mbajti për katër muaj rresht që prej daljes në mal. Aty është kopja e letrës që me 10/02/1945 i dërgonte Fiqiri Dines në Dibër. Dokumenti është një nga më të rëndësishmit që provojnë qëllimin kryesor për kryengritje të përgjithshme. Jupi mbasi i shkruan për rrethanat prej të cilave komunistët morën në dorë fatin e Atdheut e të Kombit, vazhdon: “Kjo gjendje e krijueme me anën e terrorit nuk mund të njasi (zgjasë) shumë, pse populli e ka kuptue se për çfarë qëllimit kanë luftue komunistat. Pra ardhja e këtyne në fuqi asht për dobinë t’onë e prandaj prej kësajë situate lypset të përfitojmë. Lypset të merremi vesht me njeni-tjetrin e të pregatisim nji lëvizje të përgjithshme para se të çarmatoset populli, përndryshe ka me kenë tepër vonë. Unë jam tue marrë kontakt me shokë e miq e kështu Ju lutem edhe Ju që të merreni vesht me krenë të Dibrës dhe të Matës e kështu të mund pregatisim nji lëvizje të përgjithshme në të gjithë Shqipninë. Këtu me mue asht edhe nji prej faktorve ma me randsi të çështjes Kombtare në jug. Po qe se pregatisim gja këndej, edhe ky drejtohet për në vendin e tij ku mund të bajë shum punë. Ju lutem të më jepni gjegje po sa të keni mundsi tue me spjegue edhe gjendjen e Kosovës e të Dibrës. Ju përshëndes me zemër. Jup Kazazi”. Personi për jugun ishte Abaz Ermenji dhe ndërmjet tij patën krijuar lidhjet kryesisht në Skrapar e në Vlorë. Në Vlorë e Durrës edhe Jupi kishte të njohur e lidhje.

Ditari fillon me 25 nëntor e shkruan se erdhi Salvaror Kurti dhe i sjell jalmin se partia komuniste kishte deklaruar dënimin me vdekje të Jupit me 4 vllezërit. Kwshtu që u detyruan të marrin armë e të dalin në mal. E me ç’të drejtë dënonte një parti e pa gjyq?

Po në ditar del se Postribasit e patën treguar antikomunizmin e tyre, qysh se i kishin mobilizuar me forcë e me 29 nëntor deshën t’i futnin në paradën në Shkodër. Ata refuzuan e komandantët komunista gati donin t’i vritnin por i lanë të lirë me ndërhyrjen e Riza Danit e Nuh Kazazit, kushri i joni, qe bërë komunist por i moderuar e nuk pati funksione.

Në dosjen e Jup Kazazit prej 171 faqesh e Ministrisë Brendëshme ka mjaft dokumente komunikime të sigurimit Shkodër e kriminelave si Zoi Themeli me shokë me ministrinë e letra, relacione e raporte të komandantave e komisarëve të mbrojtjes si Mihallaq Ziçishti.

Në fq.2 -Relacioni përfundimtar i Min. Mbr.: – Mbi aktivitetin kriminal të Jup Kazazit. Aty ndër të tjera thuhet: … ky dërgohet nga Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar në Shkodër, për të penguar L.N.Çl. dhe ta luftonte këtë. … ka bashkëpunuar me okupatorët dhe Qeverritë kuislinghe si dhe me Misionet Engleze që qëndronin pranë Legalitetit si Major Nili e tjerë.- Në çlirimin e Shqipërisë arratiset e qëndron brënda Shtetit në Qarkun e Shkodrës me qëllim riorganizimi të mbeturinave të reaksionit dhe tue u mbështetur në politikën Imperialiste të Anglo-Amerikanëve, për nji zbarkim në vendin t’onë dhe për t’a rrëzuar Pushtetin Popullor.- Në janar 1945 ka organizuar Kryengritjen e Koplikut të drejtuar nga Llesh Marashi, Preng Cali etj. kriminelë. Po kështu me 9 shtator 1946 në lidhje me kriminela të tjerë dhe organizatën e Deputetëve trathëtarë të Ballit, dhe Klerin Katolik organizoi nji forcë kriminelash dhe sulmoi Shkodrën për tu dhënë rast Imperialistëve të ndërhinin në vendin t’onë, por mbasi qëllimi i tija dështoi plotësisht dhe forcat ju asgjësuan, gjindet i fshehun në nji shtëpi në Qytet të Shkodrës dhe vret vehten, mbasi u rrethua e skishte shpëtim.

Relacioni është ndryshej me Fq.3 të ditëve të para. Në Fq. 2 deputetët e kleri shtohen me vonesë mbasi u vendos eliminimi i tyre.

 Për kryengritjen kanë qenë pjesëmarrës edhe të Legaliteti por nuk përmenden.

Fq. 9- Telegram tepër urgjent që Zoi Themeli i dërgon Drejtorisë Sigurimit Shtetit me datë 17/09/1946 ku thotë: Mbramë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Ne rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi e pa se neve gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe skishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve. Ne ministri kanë nënvizue “se e vramë neve” dhe shënimin “mirë”.

Fq.10- Telegram tepër urgjent Drejtorise Mbr. Popullit prej Fadil Kapisyzi /për shefin e Sek.M.P. me dt. 6/06/46. Aty shkruhet për informatë se: me Markun (Mark-gjoni Markun) ne Dibër ka shkuarë dhe Jup Kazazi. – Pra del se Jupi ka shkue edhe në Dibër.

Fq.11- Drejtorisë M.P. prej Zoji Themeli me 13/06/45: Sot në mëngjes forcat t’ona që ishin dërgue për të rrethue Jup Kazazin sa shkojnë ne vendin e caktuar perpiqen rrugës me Jupin. U zu i gjallë i vëllaj i Jupit Hamidi ndërsa Jupi dhe nji tjetër mundën të shpëtojnë. Është plagosë një nga ata por sdihet se kush Jupi ose shoku tjetër. Gjurmimet vazhdojnë.

Këtu Zoi Themeli gënjen ministrinë e tij nga frika pse nuk i kanë kapë. Në fakt 3 vllezërit Jupi, Zeneli e Hamidi i patën zbulue e rrethue natën në nji shpellë në Sumë. Ata pa pasë dalë mirë drita, sulmojnë duke shti papritmas, zbresin nepër grykën e prroit dhe çajnë rrethimin. Të nesërmen zbuluen Hamidin, mbas 3 ditësh Zenelin e plagosur e Jupi ju iku.

Fq.14- Drejtorise M. Popullit prej Zoi Themelit me 29/05/1945 ku thuhet se nji të arratisun që asht dorzue para disa ditësh Zef Gjergji nga Mazreku, e kanë lanë të lirë, mbasi mori përsipër të gjurmojë grupin e Jup Kazazit. Në fakt këtë herë nuk ka funksionuar.

Fq.19- 9/II/1946. Cen Elezi, banues në Dibër. Ky strehon dhe ndihmon per strehimin e t’arratisurve Fiqri Dines dhe Hysni Demës. Ju jep t’arratisurve në fjalë drejtimet me kalu prej një vendi në një vendë tjetrë dhe se këta qënkan në lidhje me Gjon Marka Gjonin dhe me Jup Kazazin. – Provë për lidhjet me Dibrën e Mirditën.

Fq.33,58,69,125- letra të Llesh Marashit bashkëpunimi e veprimi së bashku me Jupin.

Fq.36,36-1,37,37-1- Dt. 25/7/1944 letra Jup Kazazit prej Misionit Ushtarak të Aleatëve në Shqipninë veriore që fillon me ”I dashtuni Z. Kazazi” e mbaron me “Të fala të përzemërta. Juaji i sinqertë Major R.A.F. Neel”. Përsëri në Fq.39,39-1 dt. 16-12-1943 e në Fq.106-1 prova tjera për bashkëpunimin e Jupit me majorin Neel.

Fq.44- Letër e Mid’hat Frashërit drejtuar Jupit me 3/11/1944: I dashur Zoti Jup Kazazi -Me qenë se do të rrini në Malsinat e Shkodrës, ju lutem të keni kujdes të hyni në korespondencë me krenat e fuqive nacionaliste që gjinden në Vlorë e Shijak (e Durrës). … Këta janë burra që kanë dhënë prova të gjalla për ndjenjat e tyre nacionaliste dhe të cilët mund të paraqiten si grumbull përpara fuqive aleate, kur të zbarkojnë në Shqipëri. Ju urojmë punë të mbarë dhe të vlefshëme për Shqipërinë dhe sukses. –Të fala –Kryetari –Midhat Frashëri. – Pra ishte parashikuar me kohë qëndrimi i Jupit e përgatitja për zbarkim të aleatëve.

Fq.66- Në një letër që i shkruan Enver Bushati me 17/10/1944 ku edhe e njofton se Grupi Aglez është kthyer me nëndetse në Itali. Jupi ka shënuar me dorë të vet: Lajmëron edhe nisjen e Misjonit Ushtarak Anglez që u largue prej Shqipnijet, mbasi nuk e dinte se e kam percjellë unë. – Ata i përcolli në Shëngjin, ku i mori nëndetësja, Jupi me vllezër.

Fq.127- Me dt. 6/08/1946: Informomatë se Jup Kazazi asht ulë nga Dukagjini, asht nisë për Vorfë ku dyshohet se ka shkue tek Qerim Baculi, Mem Sadrija, Çek Selmani.

Fq. 128- Informacion Sek. II-te: Me dt.20/04/46 Jup Kazazi tue ardhë prej Sumet ka shkue në shtëpine e Ram Metës, asht takue dhe e kanë percjellë për në Zhup e dyshohet se ka shkue në shtëpinë e Sadik Zyberit deri në mbramjen e 22-shit e nuk dihet çfarë drejtimi ka marrë. Me 20/04/46 në shtëpinë e Halil Hysejnit në Bardhej janë ba lëvizje e dyshohet se asht ba nji mbledhje. Me 22/04 po ky person asht takue me Tahir Metin nga Mesi, ky person ka pasë lidhje direkt me Jupin dhe dyshohet mos kanë dijeni për lëvizjet e Jupit.

Fq. 130- Shkrue me dorë e pa datë tre informacione: Jup Kazazi simbas informatavet të sigurta prej tashti gjindet ne Sumë dhe rrin gjithashtu në Likaj. – Njerzit që mbajnë lidhje me Jupin janë: 1. Zyber Cafi, Kala 2. Dul Osja dhe i biri Muho Dyli nga Myselimi. – Jupi gjindet vet i treti tashti janë: Nexhat Boriçi dhe një farë Abaz.

– Raporti informativ i major Mihallaq Ziçishti komandant i qarkut M. Popullit – Min.Br. thotë: “…. kokat udhëheqëse të kriminelavet që u vranë ose u kapën si Jup Kazazi, Seit Kazazi, Pashuk Biba, Bajraktari i Shoshit, Murat Haxhija, Osman Haxhija (udhëheqësit e Postribës)”….

Po të analizohen dokumentet e dy arkivave e të tjera, del se i vetmi person që ka lëvizë në të gjithë veriun, është Jup Kazazi. Përveç Postribës e rreth Shkodrës, ka pasë lidhje e shkuar në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë, Dibër, nën Shkodër e Lezhë. Ka pasë lidhje me Gjonmarkajt, Mirakajt e Dinet e dalin lidhje me Matin, me Durrësin e Shijakun, Skraparin e Vlorën. Pra ishin lëvizje për të përgatitë kryengritjen e përpiqej t’i bashkonte të gjithë. Dalin bashkëveprim e kontakte me njerëz me influencë si Sulçe Beg Bushati e në Lezhë Xhemal Beg Mlika miq të familjes, Dedë Shabani, Kol Ashiku etj. Del se Jupi ka qëndrue kryesisht në Postribë, ku ka pasë miq bajraktarë e shumë njerëz të thjeshtë.

Fatkeqësi për liridashësit e fat per komunizmin ka qenë dështimi i parë për fillimin e kryengritjes, që ishte organizue mjaft mirë. Ishte vendosë me sulmue Shkodrën me 21 janar 1946 në mbledhjen e 80 krerëve në Vukatanë nën kryesinë e Jupit, por sulmi i një kollone ushtarake në Beltojë parakohe prej Hasan Isufit, bëri të organizohen e të mbledhin forca me mbrojtë Shkodrën. Gjithashtu filloi terrori, arrestime e pushkatime në këtë zonë dhe morën vesht për kryengritjen. Për këtë ka edhe dokumente.

Prof. Oran Butka në librin “Kryengritjet e para kundërkomuniste”, shkruan në bazë dokumentesh për përgatitjen që në janar se “…. qyteti do të ngrihej nga brënda, por do të mësyhej menjëherësh edhe nga jashtë prej kryengritësve të katundeve e krahinave për rreth: Postriba, Ana e Malit, Guri i Zi, Oblika, Beltoja, Rranzat, Ragami, Sheldija, Dukagjini etj. Per organizimin e saj me nismën e Jup Kazazit, u mblodhën në Vukatanë përfaqsuesit e ketyre katundeve e krahinave dhe vendosën që në daten 21 janar të sulmonin Shkodrën.” Kolë Ashiku, komandant i 9 katundeve deponon: “…. më erdhi një letër nga Jup Kazazi dhe Hasan Isufi. Ata më shkruanin se kishin krijuar lidhje me Mark Gjon Markun, i cili kishte komunikuar edhe me të tjerët për të përgatitur kryengritjen. Mati, Dibra, Lura e Luma ishin caktue me sulmue Tiranën, ndërsa prej urës së Mbretit e përpjetë do të mësyhej Shkodra. Hasani me shkruante se ai vetë do të mësynte nga ana e Bahçallekut, Halit Kazazi nga Tepja, Jupi me Pashukun nga Ura e Mesit, mua me caktuan si objektiv dhe prefekturën. Por do të ngrihej edhe qyteti…”. Këto janë të vërteta të rëndësishme, pse provohen e koinçidojne edhe me dokumente të tjerë dhe prej thënieve të mbijetuarve e nuk dalin as klerikë, as deputetë e as grupet e organizatat pothuaj totalisht të sajuara prej “sigurimit”.

Me shumë rëndësi e për t’u studiuar janë dokumentet e Arkivit Qendror Shtetnor e sidomos raportet që sekretari i Komitetit Qarkut PKSH të Shkodrës Spiro Pano por edhe Bilal Parruca i çojnë Komitetit Qendror, Koçi Xoxes etj. e anasjelltas. Aty dalin edhe udhëzimet e veprimet për diskriminimin në opinion, të dënuarve më vonë me vdekje, sidomos të klerit, të deputetëve Riza Dani, Kolë Prela etj.

1) Shkresa Nr.503/1 – 11/9/1946                                                                                 Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qëndror të PKSh Tiranë.

Në vijim të shkresës s’onë Nr.503 dt.9.9.1946, ju japim këto njoftime të reja rreth goditjes s’ilegalëve afër kazermave t’ona. Si del sot dhe në bazë të informatave të fundit, numri i atyrëve që kanë marrë pjesë në aksion nuk ka qenë 50 por gati 300 vetë nga katundet e komuneve Postribë e Gur’ i zi. Udhëheqësi i aksionit del Jup Kazazi dhe rreth tij një pjesë e mirë kulakësh, tipa kapadaijsh, tregtarësh të tatuar, oficerash të Zogut etj. Këta nuk ishin të gjithë të armatosur. …. ditët e fundit informohemi se të tilla aksjone do të bëhen gjoja në Lesh, Koplik e gjekët. … … Bazat t’ona janë të dobëta këtu, fshatarët e mesëm dhe pasanikë janë të lidhur me Jupin dhe këta kanë me vehte dhe fshatarë të varfër injorantë e të lëkundur. …. Ne tashti kemi marrë masat e para dhe goditjet tona vazhdojnë si në qytet si në fshat; njëkohësisht vazhdon demaskimi i kriminelit Jup Kazazi dhe dëmi që ju erdhi fshatarëve nga ky aventurjer. Është mirë që operacioni i rreptë kundra krerëve e bajraktarëve të Dukagjinit (e miqëve të tyre) të fillojë sa më parë e të paralizohet Shllaku i cili përbën një krah për Postribën. Njëkohësisht vazhdojnë masat në qytet e periferi duke patur kujdes që të goditen pronarët, tregtarët e tatuar, ish oficerat e Zogut se sa masa e varfër.  ….  P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano).

Ky dokument është shumë domethënës sepse autoritetet komuniste pohojnë vetë dobësinë e tyre, që fshatarët i kanë kundra të pasur e të varfër dhe pohojnë influencën e Jupit. Gjithashtu del se do të sulmonin edhe krahina të tjera.

2) Shkresa Nr.10/12 Res. –  3/10/1946

Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qëndror të P.K.Sh. Tiranë.

  1. Reaksioni dhe ne. – Nga proçesi që zhvillohet, sot del se reaksioni është përpjekur për një organizim më të mirë dhe për një veprim me të gjerë se ai i 9 shtatorit. Si duket, ilegalët, në kombinim me miqtë e tyre nëpër qendrat, mateshin të bënin aksione të kombinuara në Shkodër, Lesh, Koplik e ShënPal pas 15 shtatorit duke vazhduar njëkohësisht veprimtarine e tyre në Dukagjin. Mobilizimi shpejtoi veprimin e Postribës dhe masat e marruna nga ne, pas këtij veprimi, i çrregulluan planet e tyre.

Tashti del se reaksioni (koka e të cilit në qarkun tonë është kleri dhe prapa tij Int. Servi-si) ka marrë lidhje me elementin parì të së kaluarës, …. ky element parì mundi të gënjëjë fshatarët e Postribës e të Gurit të Zi e t’i hedhin kundra nesh. Përveç kësaj demagogjije, reaksioni ka përfituar dhe nga influenca që ushtrojnë Kazazët me shokë në fshatrat e Shkodrës, po ashtu dhe nga mungesa e një pune tonë serioze  në këto fshatra. .

Kleri. – Punon në heshtje dhe në mënyrë shumë konspirative… Ne kemi filluar një demaskim sistematik kundra gjithë atyre klerikëve që duan ta bëjnë kishën vatrë reaksioni (në bazë të udhëzimeve që patëm nga lartë) që hedhin parulla kundra nesh dhe që mundohen ta ftohin fshatarin t’onë nga pushteti. Bashkë me demaskimin kemi marrë edhe masa dhe mendojmë të godasim akoma ata priftërinj ose klerik që nuk heshtin… Organizata u udhëzua në lidhje me demaskimin e gjithë atyre klerikëve katolik e musulman (mbasi na del se edhe disa hoxhallarë kanë punuar kundra nesh të nxitur nga Kazazi me shokë) që hedhin parulla, që flasin kundra pushtetit ….

Qyteti. – Goditjet e Mbrojtjes këtu në qytet kanë dhënë gjer diku rezultate të mira (shumica e të arrestuarve implikohen) po akoma sot nuk kemi arritur të zbulojmë kokën drejtonjëse të këtij organizimi. Proçeset vazhdojnë, merren masa të rrepta, po rezistenca që ndeshim është e madhe. Ka raste që proceset vazhdojnë 4-5 ditë rrjesht (ndoshta edhe më tepër) pa mbritur në një përfundim. (d.m.th. torturat). … Organizata është mobilizuar e tëra në mënyrë që… të demaskojë përpjekjen e reaksionit, … të demaskojë Riza Danin, Kol Prelën dhe shokët e tyre, të shtojë informacionin dhe të skjarojë opinionin e popullit për goditjet t’ona, në mënyrë që këto goditje të aprovohen nga masa. …. Goditëm rëndë në Postribë (me pushkatime e djegëje shtëpijash), …. Por bashkë me axhitacionin është nevojë dhe për masa të repta (pushkatime në vend të elementit në se kemi informata se është armik i ynë e ka armë).  /  P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano)

Pra me 3 tetor del se kanë filluar me udhëzim nga lart demaskimin e klerit e të deputetëve.

Po të ishte për kryengritjen, ata i arrestonin menjëherë e jo të fillonin e vazhdonin demaskimin. Shumë e rëndësishme është se  nuk dalin fakte, dokumente, komunikime, informacione të sigurimit, të mbrojtjes etj. me mininistrinë e brendëshme e anasjelltas ose komiteti i partisë me KQ para ose menjëhere mbas kryengritjes, siç e ka publikuar edhe Autoriteti i Dosjeve të ish-sigurimit: nuk ju del asnjë fakt ose provë e megjithatë janë dënuar me vdekje.

3) Shkresa Nr.10/14 Res.  –  2/11/1946

Komiteti Qarkor i PKSH për Shkodrën: Komitetit Qendror të Partis K. Shqiptare Tiranë

.… 1. Proçesi i ngjarjeve pas “Postribës”…. Ndërsa përpara ngjarjes së Postribës vërehesh një aktivitet i gjerë i reaksionit (aktivitet ilegalësh në Pukë, Dukagjin, Malsi të Lezhës e Koplik-Këlmend, aktivitet klerikësh e bajraktarësh, … aktivitet kapadainjësh dhe intelektualësh në qytet etj.) sot vrehet një mpirje e tij dhe një tërheqje. Armiqt u goditën rënd në Dukagjin… Në qendër, me vrasjen e Jupit, të Seitit (vllai i Jupit), me vrasjen e njërit dhe kapjen e tjetrit të vëllezërve Hardolli, me dorëzimin e disa të tjerëve (Shefqet Muka, Xhemal Naipit, Musa Gjylbegajt etj), me arrestimin e një pjesë të mirë të atyrëve që janë implikuar në këtë proçes (Dom Nikoll Deda – prifti i Jubanit, Myzafer Pipa, Paulin Palaj, PjetërPalaj, Guljelm Suma e të tjerë) vazhdon tashti një pastrim i mirë i gjithë atyrve që kanë lëvizur dhe kanë punuar kundra, përpara ngjarjes së 9 shtatorit. Janë bërë në qark përmbi 270 arrestime, por këto arrestime janë me vend (vetëm fare pak mund të jenë pak fajtor) …  /  P. Komitetin Qarkor të Partisë (Spiro Pano)

Del se kanë filluar “të pastrojnë personat e rrezikshëm”, ata që i dinë kundërshtarë para kryengritjes. Ata donin të eliminonin elitën e vendit e qenë viktima të terrorit komunist.

4) Domethënës për temën tonë, sepse provon synimin e forcave nacionaliste për një kryengritje të përgjithshme,  është gjithashtu dokumenti: Datë 24/03/1946, ku Spiro Pano i shkruan Koçi Xoxes: “… Mark Gjon Markaj me pas dhjetë të arratisur ka hyrë në mëhallën Ndër Shetiroshit… Ka thënë që Rusija e pat e mbaroji… asht formue me ne Qeverija Shqiptare me të cilën kemi lidhje, Ballistat Zogistat po përgatiten për kryengritje, mbrenda dy ose tre muajve fillon lufta e përgjithëshme. Partija Komuniste nuk ka ma forca me dërgue në Mirditë. Na jemi me Anglo Amerikanët…”.

Edhe kur po jepte shpirt diktatura me 1990, historiani Demir Dyrmishi në librin e Institutit Historisë – Lufta për likuidimin e bandave kriminale dhe organizatave tradhëtare ne Shqipëri (1944-1948), fq. 81 e 82, pohon se kryengritja ishte per tu bërë e përgjithshme. Ai thotë: “Në mbrëmjen e 8 shtatorit të vitit 1946 iu afruan Shkodrës 450 kriminelë lufte klerikë, mbeturina të Ballit e Legalitetit, armiq të pushtetit popullor. Në mëngjesin e 9 shtatorit ato e sulmuan nga verilindja e jugperëndimi. Brenda qytetit armiqtë e pushtetit filluan të qëllojnë me armë. …. dhe në vazhdim: “Shpërthimi i goditjes kundërrevolucionare para kohe bëri që kriminelët e Luftës dhe armiqtë e pushtetit popullor në qarqet e rrethet e tjera të mos vepronin e të mos koordinonin planet kriminale me ata të Shkodrës…. Shkodra nuk u mor, kështu që anglo-amerikanëve, ashtu si një vit më parë iu pre mundësia për të zbarkuar trupat e tyre. …”

Për zhvillimin e Kryengritjes së Postribës do të shkruaj shumë pak, mbasi në gazetë nuk ka aq vend e shkrimi del i gjatë dhe për këtë është shkruar prej vitesh. Mendoj se ka rëndësi të madhe paraqitja e dokumenteve e provat për të vërtetën e gjëra që nuk njihen e të thellohen e të kërkojnë edhe historianët që nuk i dinë.

Për kryengritjen kishte kordinim me anët e tjera të Shqipërisë. Plani ka qenë i studiuar ushtarakisht kryesisht nga Zeneli akademist e Haliti oficera, pra specialista e me ta Jupi e Saiti dhe mbas janarit 1946 modifikuar simbas kushteve të reja prej Jupit. Kjo e sigurtë.

Me 9 shtator 1946 pa dalë drita, pse po merrnin djemët ushtarë, u dha kushtrimi e filloi Kryengritja e Postribës, e Postribës heroike e antikomuniste, e Postribës dhe e katundeve per rreth, prej ku u nisën edhe të pa armatosur burra trima e gati me dhanë jetën për liri me në krye bajraktarët. Ata u futën deri në qytet e jo deri tek kazermat. Për sulmin komunistat nuk dinin datën, por një fare përgatitje e kishin. Kryengritja u shua me terror e pasoja te tmerrëshme për luftarët e familjet e tyre. U vranë në luftime 12 vetë, pushkatuen menjëherë 18 vetë e u dogjën 30 shtëpi. Vetëm per Postribën janë 64 të pushkatuar dhe u mbushën burgjet e shumta të Shkodrës. U burgosën menjëherë në Shkodër 26 vetë dhe në katundet 69. Në qarkun e Shkodrës u bënë mbi 270 arrestime. Duhet të sqaroj se për këtë ngjarje është hapur fjalë se e ka ditë sigurimi, dhe e kanë lejuar, që të benin terror. Kjo është lojë e vetë sigurimit. Nuk është e vërtetë dhe dokumentohet.

E vërteta është se fillimi i kryengritjes ishte lënë me 16 shtator. Ishte planifikuar dhënia e alarmit nepërmjet kordinimit te përgatitur e lidhjeve me krahinat tjera të Shqipërisë e kryesisht të veriut. Po të fillonte kryengritja e përgjithshme, populli do të shtonte rradhët, mbasi e provoi “lirine” që fitoi.

E rëndësishme është që Jupi i pati lajmëruar se nuk duhet të fillonin sulmin, pse ishte lënë data 16 e nuk mbërrihej lidhja me krahinat tjera deri me datë 9 dhe vetëm një pjesë e zonës së Shkodrës nuk mund te përballonte një ushtri, si të nesërmen që mbërritën përforcime, topa e ata tanksa, që kishin në Tiranë me Beqir Ballukun në krye. Kështu nuk sulmoi as Kopliku, Shllaku, Dukagjini, Lezha e krahina. Këto i di të sigurta. I patën çuar fjalë që të vinte, por si mund të dilte në Shkodër ku e njifnin? Ai ju kërkoi të çonin 4-5 vetë me armë të fshehura e po t’i zbulonin e tek kontrolli të kalonin me forcë.

Për fillimin e kryengritjes e vërteta është se Dulo Kali ju mbushi mendjen bajraktarëve të sulmojnë dhe i bindi se mund ta merrnin Shkodrën. Bashkë me Dulin per fillimin, me sa di unë, ka qenë edhe Pjetër Shan Deda, por nuk jam krejt i sigurtë. Akti qe shumë i guximshëm e heroik, por i pa studiuar mirë. Atyre ju dha guxim dëshira e madhe për të fituar lirinë e per të rrëzuar diktaturën. Ky veprim nuk duhet parë sipërfaqësisht por duhet thelluar pse kuptohet qartë sa e rëndë ishte diktatura, derisa ishin të gjithë të gatshëm të sakrifikonin jetën për të fituar lirinë. Dulo Kali qe dënuar me pushkatim. E them me keqardhje se për Pjetër Dedën me të shoqen Marije pothuaj se nuk flitet. Ata të dy mbas kryengritjes i rrethuan, edhe ajo nuk pranoi të dorzohej e luftuan të dy deri sa u vranë heroikisht. Të luftojnë e të vriten burrë e grua së bashku, është akt shumë i rrallë në botë.

Mbas kryengritjes e torturave çnjerëzore ndaj të arrestuarve, arritën të zbulojnë ku ishte Jupi. E rrethuan në shtëpinë e dajës tij Rifat Koplikut me 17 shtator 1946. Arrestuan menjëherë Rifatin, djemët e tij Ahmeti 16 vjeç e Sadedini 14 vjeç e vllain Shyqyri. Ata i thirrnin të dorzohej e kishin frikë të afroheshin. Më vonë ndihet zëri që ju thotë: “Jup Kazazi nuk ju dorzohet i gjallë komunistave. Rroftë Shqipnija e lirë!”. U ndëgjua një krisëm arme, pra sakrifikoi vehten.

Ne të njëjtën mënyrë sakrifikoi vehten edhe vllai i katërt Saiti i zbuluar me 6 tetor.

Duhet të sqaroj edhe rolin e rëndësishëm të Abdullah Kazazit. Ai ka kryer në përgjithësi lidhjen e komunikimin e krahinave dhe të personave t’aktivizuar për kryengritjen me Jupin. Roli i Abdullahit si dhe Rifat Koplikut e Shyqyriut ishte se ata do delnin për të mobilizuar e të ngrinin shkodranët. Kanë qenë edhe të tjerë, e edhe nga ana katolike me sa di së paku tre vetë, që do të ngrinin njerëzit, por nuk kujtoj emra.

Dihet se Kryengritja e Postribës u bë preteksti per të akuzuar e eliminuar pjesën më të mirë të patriotëve, klerin, kryesisht atë katolik, e deputëtet opozitarë, që kërkuan të ndryshojnë e përmirsojnë gjendjen në mënyrë demokratike. Qenë viktima një pjesë e konsideruar e të dënuarve me burgje e me vdekje.

Këtë e dimë, e gjykon e ma thotë vetë i mbijetuemi Prof. Sami Repishti si dëshmitar i ngjarjeve e viktimë dhe as nuk e ka ditë se do të bëhej kryengritje. Në “Almanak” Nr.1, viti 2011 i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, kapitulli “Kryengritja e Postribës”, fq.43, thotë: “Faji joekzistues për të pafajshmit u krijua me propagandë dhe tortura. Këtë detyrë monstruoze e mori mbi vehte sigurimi kriminel që vepron akoma sot. Vetëm gjatë muajit shtator 1946, u arrestuan më shumë se 1200 qytetarë, 99% e të cilëve ishin të pafajshëm. Të tjerët ishin kundërshtarë të njohur të regjimit. Numri i burgjeve në Shkodër e kaloi shifrën 20. Me torturat më çnjerëzore viktimat e arrestimeve u detyruan të deklaronin se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën kanë patur dijeni për Lëvizjen e Postribës. Unë kam qenë njeri nga këto viktima. Kështu pushteti filloi të flasë për qytetarët shkodranë, tregtarë, pronarë tokash, itelektualë perëndimorë e, sidomos për klerin katolik, si organizatorë të Lëvizjes, dhe për kryengritësit si fshatarë të gënjyer”. Gjithashtu ka shkruar në “Panorama” me 9/09/2016.

Po në atë almanak fq.48-49 Prof. Kolec Topalli thotë: …“Megjithëse nuk pati asnjë aktivitet dhe asnjë lidhje me Lëvizjen e Postrribës, Cin Serreqi u vra se i përkiste një familje me emër në Shkodër, u vra pa asnjë faj, u vra për kulturën perëndimore, për antikomunizmin dhe qëndresën e tij. Ai nuk pranoi asnjë nga akuzat e rreme që ngriti për të Sigurimi, sepse ai nuk qe as organizator, as pjesëmarrës i Lëvizjes së Postrribës, e cila shpërbeu vetëm si pretekst nga pushteti gjakatar për të zhdukur elitën shkodrane, intelektualët më të spikatur të qytetit verior. Dhe mënyrat më barbare me të cilat u torturuan dhe u vranë, janë dëshmi e pafajësisë së tyre”. Prof. Repishti ka shkruar se Cin Serreqi i ka pasë konfidue kur ishin në qeli së bashku, se po e torturojshin tmerrësisht për me pranue për mbledhjen gjoja të bërë në shtëpinë e tij për fillimin e kryengritjes e të jepte emra, ndërsa ajo mbledhje as nuk ishte bërë. Po këtë deklaronte e mbesa Dorotea dhe i nipi Guljelm Serreqi. Theksoj se sigurimit ka sajue se gjoja në mbledhjen në shtëpinë e Cin Serreqit, që nuk asht bërë absolutisht, u planifikue Kryengritja dhe me këtë akuzë u denuen me vdekje Cini, Riza Dani e persona që deshtën të eleminojnë me gjithë ndonjë pjesemarrës si Dulo Kali. Aty përmendin edhe Rasim Gjyrezin, që në atë kohë ishte në mal me çetën e tij, pra e pa mundun të ishte në Shkodër.

Me rëndësi per t’u studiuar, thelluar e për t’u zbardhur janë akuzat për denimin e grupit të deputetëve. Të gjithë ata, per t’i denuar me vdekje, kanë akuzën “për organizim kryengritje t’armatosur”. E si mund t’i denonin? Pse donin demokraci, përmirësim të gjendjes ekonomike të popullit dhe qenë kundër kushtetutës së diktatorit? Ata u bënë heroj pse duke ditë rrezikun që i priste, dolën kundër diktaturës. Akuzën e ka pasë edhe kumbara im Shefqet Beja, pra miku më i respektuar i Jupit megjithëse me ide të ndryshme, që në gjyq ka thenë se ka ditë që kishte përgatitje për kryengritje, sikurse e ka ditë shteti shqiptar, por ai as kishte të bënte fare dhe se ka firmosë nga torturat e tmerrëshme fizike e psikilogjike. Po kështu edhe Riza Dani, mik i familjes, si pak persona ju ka rezistuar torturave dhe nuk ka pranuar asgjë.

Në Arkivin e Shtetit ka dokumenta me shumë interes, si për demaskimin e klerit e të deputetit Kol Prela etj. Me datë 16 shkurt 1946, Spiro Pano i shkruan Koçi Xoxes dhe i kërkon udhëzime veprimi për Kol Prela dhe don Luigj Pici. Ndërsa me 18 shkurt Koçi Xoxe i shkruan: Konspirative.- …. Për don Luigj Picin të fillohet demaskimi direkt duke u mbështetur në deklaratën e lëshuar pro kriminelave të luftes dhe fashistave. .. (që akuzonin priftat dhe i kishte mbrojtë). Për Kol Prelën (deputet) pregatitni terrenin në mënyrë të atillë qe t’i presim rrënjët nga populli …. Koçi Xoxe. Shtoj se don Luigj Picin e vrau sigurimi pabesisht në Koplik në nëntor 1946, ndërsa Kol Prela qe denuar me vdekje.

Në librin “Deputetët”, i Autoritetit të Dosjeve të ish sigurimit, 2016, del qartë dhe e sigurtë se për deputetët nuk del asnjë fakt e provë për implikimin e tyre me Kryengritjen dhe megjithatë me akuza falso janë dënuar me vdekje. Po ashtu dhe në “Akte gjyqësore politike 1946” i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, 2018.

Për veprën e sakrificën e Jupit, forcat shqiptare qe përgatiteshin në perëndim e dërgonin të quajturit diversantë, kanë çuar për të na marrë Nënën me ne dy fëmijët. Ne vitin 1948-49 ka ardhë një ditë vonë në shtëpi Hazizi, djali i Taip Halit Rrustja nga Bërdica i pushkatuar si bashkëluftar i Jupit dhe i ka thënë Nënës se e kishin çuar ta merrnin me gjithë dy fëmijët, se ishte i përgatitur mirë dhe i sigurtë për të kaluar kufirin e do të vinte të nesermen për përgjigje. Të nesërmen Nëna i tha se nuk mund të rrezikonte sadopak fëmijët. Mbas gati dy muajsh e zbuluan në Cukal. Ai djalosh luftoi e nuk u dorëzua.

Jup Kazazit me 2009 Qyteti i Shkodrës i dha titullin “Qytetar Nderi” dhe me 2017 Presidenti i Republikes Bujar Nishani i dha “Dekoratën e Artë të Shqiponjës.

Kryengritja e Postribës konsiderohet e para në Europë kundër komunizmit. Ajo mbetet heroike e simbol i luftës kundër komunizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Botë dhe ka rëndësi të jashtëzakonshme për qëllimin që ishte jo vetëm marrja e Shkodrës, por e gjithë Shqipërisë. Ajo nuk duhet të quhet lëvizje, por kryengritje, mbasi ishte populli që ngriti kryet. Nuk bjen me poshtë e duhet kujtuar Kryengritja e Malësisë së Madhe me 1945. Mendoj se konsiderohet e para Postriba pse ata sulmuan e Malësinë e sulmuan.

Unë kam nga Babai 7 të vrarë, 10 të burgosur, 1 internim e 2 internime mbas burgut, nga Nëna kam 2 të vrarë, 4 të burgosur e 1 internim mbas burgu. Prej të vrarëve janë 7 të zhdukur që vazhdojmë t’i kërkojmë e duhet të impenjohet shteti që nuk don të ja dijë.

Mendoni e gjykoni çka kaloi një nënë, gjyshja Hamide, që për pak muaj i vranë 3 djem, vllain, kunatin me djalë e burgosë dy djemët tjerë.

Thirrje historianëve e sidomos brezit të ri: Keni detyrën e rëndësishme të bëni siç duhet historinë e vendit tonë të martirizuar. Kërkoni e dokumentoni me durim e guxim.

Hamza Kazazi

Shtator 2020

LETËR – KËMBIM MUSTAFA KRUJA – ERNEST KOLIQI: Tajar Zavalani. Patriot, njeri i ndritun… E pra pikë burrnije shqiptare në vetvete!

 

 

 

Niagara Falls, 2 maj 1958

 

Fort i dashuni Ernest,

Nesër mbushet mueji që më ke shkruem e ndoshta do të t’a kisha vonuem edhe mâ përgjegjen sikur mos të të më kishte lajmuem Martini qi ishe në spital ku kishe bâmë nji “operim të vogël”. E pra, pa vonesë tjetër mâ, po të them nji qoftë e shkueme me zêmër vllaznore e me shpresë qi të jeshë shëndoshun krejt prej atij të keqi qi m’a pate çemun edhe në letrën t’ânde.

Mue nuk m’âsht dhânë me t’a përshkruem deri sod jetën t’eme… amerikane; po të flas tash për tê, qoftë edhe tue i ramë përshkurt.

Jetë vetmije, me kuptimin mâ të vërtetin të fjalës pa qênë përnjimênd nji eremit! Xhirja, me punët e saj në magaze petkash për gra, tue ndrequn ato qi s’u bien për shtat klijentevet, e në shkollë të rritunash, tue dhânë mësim të premi e të qepuni, sidhe të votun e t’ardhun me autobus, më bân përjashta plot 60 orë në javë. Jetë sakrificash për tê, them un; por e bân me gzim e i falet nderës Zotit qi e prûni në këtë vênd ku puna po i çmohet e po i shpërblehet. E duen fort të gjithë sa kanë të bâjnë me tê e prandej e ndien veten fort të kënaqun. Pagesat, për kategorin’e saj, nuk janë të mira, por rrethi qi ka bâmë n’atë firmë ku punon, ia hjek lakmín me pranuem oferta edhe mâ të mira qi i janë bâmë prej dý tjerash. Arsyeja e pagesës s’ultë âsht fakti qi këtu, kategorija e saj nuk âsht në “Union”, pra s’ka përmbrapa nji forcë qi e përkrah. Po mbasandej femnat përgjithsisht u paguekan mâ pak se mashkujt. Deri vjet, maksimumi fillestar i pagesës për femnat ishte 90 cent e mezi u bâ nji dollar vjet. Por shkolla, për ata 22 orë në muej qi mëson e paguen mjaft mirë, e paguen si profesjoniste, i bie aty nja 80 dollarë. Veçse, për fat të keq, vetëm gjashtë muej në vjetë mëson, efektivisht. Ka marrë edhe diplomë mësimi prej Shtetit të New Yorkut.

Ndryshe âsht puna e Bashkimit. Ky âsht kimist karrjere e âsht i pajtuem me muej si nëpunës e, posë rrogës, ka edhe shumë dobina tjera. P.sh., e ka bâmë operatën me 17 mars, tashmâ ka dit se â shëndosh si molla, sillet gjithkah e me gjithë këtê në zyrë ende s’ka kthyem! Sepse u dashka nji lejë me shkrim e doktorit qi e ka operuem, për me filluem përsri punën, e doktori ia ka caktuem ditën me kthyem në punë me 12 máj. Rroga? Kjo i ecën diça edhe mâ mirë tash se kur të jetë kthyem me punuem! Se shoqnija e vet qênka e detyrueme me i paguem, veçë rrogës, edhe nji shpërblim të veçantë të caktuem për mjekime  nëpunsit të vet qi u sëmûka.

Bashkimi punon vetëm 40 orët e rregullt në javë, për rrogën qi merr. Por kusurin e kohës qi i tepron nuk e ka për mue e as për shtëpí. Nuk e ka sidomos për shtëpí. E pra kush do t’i bâjë punët e shtëpisë? Grueja a vajza âsht zakon me i bâmë në Shqipní, e prandej edhe këtu në këtë shtëpí Shqiptarësh! Mirpo deri ku punon fuqija e vajzës së ngratë qi do të bâjë 60 orë në javë jashta shtëpije? Vjen në mbrâme vonë, do të hajë nji kafshatë, qi, po s’e gjet gati, s’ka vërtyt (takat) me e përgatitun. Në mëngjes, para se del, mezi gjênë kohë me lamë e shpërlamë e dëlirë. Pra për gjithku nuk mundet me mbërrîmë fuqija e koha e vajzës duhet të mbërrîjë ndihma e ime, e faleminderës të Madhit Zot qi më ka falë shëndeten, me gjithë moshën qi kam. Më duket vetja si nji nânë fëmijësh qi do të çohet e të bjerë me kujdesin e vogjëlimit të fëmijet! E po shoh se barra e nânës nuk qënka mâ e lehtë në nji familje se ajo e babës. Këtê të fundit e pat pasë provuem, të parën m’u desh me e provuem tash në pleqní pa pritun e pa kujtuem.

Qe pra, kjo âsht njâna arsye kryesore për jetën t’eme vetmitare. E dyta âsht gjuha. Un s’e kam pasun të lehtë me asnji gjuhë të huej, të nxânë autodidaktisht, për me e folë. E jo se mâ mund t’a kisha sod, si koshi mbas së vjelash, me anglishten, nji gjuhë fonetikisht kaqë të mbrapësht! E këndoj, Buenën, edhe substancjalisht kuptoj pa fjaluer gjithë ç’këndoj. Mirpo të folët ka nevojë për ushtrimin e organeve të veta e të marrët vesht për atë të veshet. E këto ushtrime nuk bâhen vetë me vete, por tue folë me tjerë, njiherë natyrisht shatra-patra e mbrapa dalkadalë gjithnji mâ mirë. Un s’kam as natyrën e bekueme të Xhires, qi s’i merr ndorë asnji fije gabimet qi bân. “Papi pa gabuem kurrkush s’ka nxânë (e drejta, ajo thotë “mësuem”!)” m’a bân mue, athue se s’po e dij. Administrata shkollore e qiti javën e kalueme me folë për 15 minuta në radjo mbi artin e saj – të premë e të qepun – pa pasë qênë përgatitun fare! Tue e ndëgjuem në shtëpí me Bashkimin kur po flitte në radjo, jemi shkrimë së qeshuni me guximin e saj, un për vete besa edhe me admirim të madh. Ka pasun edhe shumë komplimente prej disa zonja e zojushave qi e kishin ndëgjuem. Këtë mësim, këtu në Niagara Falls, e kanë krijuem tash së pari me Xhiren. Me qepun në maqinë kishte mësim, edhe mâ parë; por për petka të premë me model të blemë gati.

Tash torniamo a bomba,[1] se u largova tepër. Por a din se sa i zânë jam në këtë vetmí shtëpijake? Besa-besë edhe un vetë çuditem nga nji herë se si më hikin orët. E nuk janë vetëm punët e shtëpisë e, lidhun ke këto, të blemet përjashta qi m’a marrin kohën: janë edhe këndimet e shkrimet; ndër të parat vê kryesisht New York Times-in, pa të cillin më duket sikur s’kam hângër as bukë. Kështu kam pasun n’Egjypt Il Tempo e në Cannes Le Monde. Sa për shkrime, deri te Shêjzat kanë qênë vetëm letrat. Jam tue folë për këto gati dý vjet të këtushme. E tash dole edhe ti me rivistën t’ânde e më nxore nji punë të re.

Rivista e jote âsht edhe e imja. E kam pasë çmuem Shpirtin Shqiptar; Shêjzat edhe i due. Prandej dëshiroj me bâmë sa mâ shumë për to. Por qe ke s’po mundem. Për pajtime të jeshë i sigurtë se s’kam lânë gjâ mângut. E vërteta âsht ajo qi kam përshkruem vetë; ç’âsht bâmë në kundrështim të përfaqëshëm me pesimizën t’eme, në qoftë se mund të thuhet kështu, âsht resultat’i kombinimit të tri sendeve të rralla: vullnet’i mirë i nji pakice, patrijotizma e nji tjetër pakice edhe mâ të vogël e simpatía personale e nji të trete. Dashtë Zoti e u shtofshin të tre këta elementa. E vullnet’i mirë qi âsht pamë ndër të pakë për me paguem leftë e u shtoftë mâ tepër ndër ata qi s’i merr malli me kënduem, sidomos me kënduem shqip, ça na lypset për punën t’onë. A e ke vrejtun ti njëkëtë fenomen psikologjik ndër ne Shqiptarët? Porsa të kemi kryem nji shkollë fillore e të kemi nxânë me këndue e shkruem, bâhemi “intelektuálë”; po të kemi mbaruem nji gjimnaz, nuk njohim kënd mâ përmbi vete për dije, e kur t’ia kemi mbërrîmë me u “doktor”-uem ndër shkolla të hueja, për ne nuk gjinden mâ vepra të shkrueme shqip qi meritojnë me u kënduem! Natyrisht, përjashtimet s’mungojnë, por përjashtimet, sikurse dihet, vërtetojnë rregullën.

            Shêjzat po vijnë tue shkëlqyem përherë mâ bukur. A mundem me t’i lypun, un në kshill, emnat e vërtetë të pseudonimeve të panjohuna? Hilush Vilza po s’ka si me qênë tjetër kush posë teje. Vetëm se s’kam mundun t’a gjëj me mênd si ke mbërrîmë me ia afruem aqë fort të vërtetës do store qi kanë gjamë në Shqipní të mesme kur ti ishe ende kalamâ e, për atë kohë, aqë larg, atje në Shkodër. Gjin Duka do të jetë ndonji françeskan i ri, qi po premtueka bukur shumë për vazhdimin e traditavet t’Urdhnit të vet në Shqipní. Si i thonë? Mos âsht Marlekaj? Shkrimet në djalekt italo-shqiptar a mund të merren për gjâ gjenuine e këtij djalekti? E djaloshi Fuska kush âsht?

Jam tue të dërguem nji përkthim apolitik prej New York Times-it. Në t’a marrtë mêndja me e botuem në ndonji skânj kudo si ndryshí (varietà), mirë; ndryshe un s’kam bjerrë gjâ, se herë-herë bâj edhe kot përkthime të këtilla për ushtrim të gjuhës. E këtu tash edhe do pyetje tjera për bashkpunimin t’em.

Programa qi të pata proponuem vetë e qi kishte me qënë nji autobiografí e titullueme, po zâmë, Kujtime e shënime nga jeta e ime, po më duket se s’ka për të mûjtun me qënë e zbatueshme për Shêjzat. Kapitujt, mâ e shumta, sigurisht kishin me dalë të gjatë; e me u damë ndër pjesë të ndryshme për t’u botuem secila krye dy muejsh, drue se e bjerrin shijen. Sa për me alternuem perjodat e ndryshme të jetës âsht punë qi bâhet lehtas, kisha me thânë. Por drue se kapitujt nuk mund të botohen veçse nji copet, e këta nuk bân për rivistën, sidomos para se të mbarohet Buka e mbrûme (falmë, po un s’mundem kurrsesi me e shkruem me diftong, mbrûem, si t’a paskan vûmë në mbulojsët′).

Athue të vazhdoj Qukrrimet, për të cillat të tânë kishim me pasun nevojë, un vetë mâ i pari mbasi para se me i botuem do t’isha i shtrënguem me i studjuem mirë? Mendoje dhe ti e kshillohu, po deshe, edhe me Martinin nëse e bân ndopak interesante rivistën ky subjekt, dmth. nëse besoni qi këndohen këto studime gjuhësore. Sa për mue, s’âsht as nevoja me të thânë se ky âsht pasjon’i im.

Kolekcjonin e Shkëndijës besoj se ti do t’a keshë vetë aty; por sido qi të jetë në Romë diku do të gjindet sigurisht. E un jam tue iu lutun Vuçanit me anën t’ânde qi të më bâjë nji nderë të madhe; kur të ketë ngé, të më kopjojë dy artikujt e mij “Shkolla e ime” e “Ustai i im”. Do t’i isha mirnjohës.

Për recensjonin librit të Zavalanit, po qe se ti m’ep kohë, mendoj un edhe e bâj me maksimumin e objektivitetit për atë njeri.  Por më duhet kohë. Kohë me studjuem librin, me klasifikuem merita e shmerita, me kontrolluem pohime qi më duken të gabueme e me konsultuem vepra të ndryshme për këtë kontrollim, dhe mâ në fund me redaktuem artikullin. Këta lyp mjaft kohë, e un, siç t’a bâna me dijtun qyshë në krye, kohën e kam të kufizueme mbasi fati më bâni amvisë. Pra shkruejmë ti si me ia bâmë. Ndërkaqë e me ngé, un këndoj librin e bâj shënime. Tashti po t’a kallzoj lakuriq dyshimin qi më pat shtŷmë me t’i shkruem ata rreshta mbi veprën e Zavalanit. Parathâna e librit më sugjeroi se miku i ynë P. Valentini kishte koncepuem nji simpatí të veçantë për autorin. Gjâ qi nuk më çuditi, por më bâni pak gjeloz. Tajarit, për historin’e tij, i kishte dërguem dorshkrimet e veta; ndërsa un, për punimet e mija, i pata pasë kërkuem vetëm emnin e mâ së mirës vepër, me sa dinte ai, mbi historinë romake e as nuk më pat qënë përgjegjun. Sigurisht, duhet të ketë harruem, edhe ai si ti – se edhe tý t’a kam pasë kërkuem –, por qe ke s’mûjta me duruem pa u bâmë gjeloz; se mue, P. Valentini pa asnji dyshim më ka pasun – e më ka – mâ mik se Zavalanin. Tue kënduem mbasandej edhe se do të ngarkohej “nji ndër bashkpuntorë t’onë kompetenta në lâmën historike për nji recensjon “të denjë”, menjiherë më vot mëndja prap te miku i ynë e gjelozija m’u shtue.

Me Lemin e Lecin diku shifemi nga nji herë në të rrallë. Nuk na dajnë veçse 4-5 orë tren ose auto. Si âsht kthyem Lemi prej Rome s’kemi pasun rasë me u pamë mâ. Por kam kontakt të vazhdueshëm me letra e me telefon nëpër Ibrahim Kuqin prej Kruje qi banon në Cleveland, edhe ky, e e dij se janë mirë edhe me punë, faleminderës Zotit, në këtë krizë qi po kemi tash këtu. Ndër mâ se pesë miljon të papunë s’do t’ishte çudë qi t’u gjindshin edhe Shqiptarë. Prandej nuk mund të thomi se s’na ka dashun Zoti. Lemi e Leci patën shpresuem me tërhjekun këndej edhe Viktorin. Por duket se këtij s’iu mbush mëndja me e lânë Romën e amshueme.

Të fala të përzêmërta të gjithëve juve prej ne të treve e veçanë tý të përqafon me mallë Mustafa.

 

 

Trieshtë, 8.VII.1958

 

Mustafë i dashun,

U bâ nji kohë e gjatë qi mbeta pa të shkrue. Ti, burrnisht, s’i a ké vû mênden kësaj heshtjeje edhe ké vazhdue gjithënji me më dërgue letra. Kam pasun telashe me bishta të smundjes, me punë private e të përgjithëshme qi nuk po ecin kurrsesi, me do teza doktorate në shqipe (të cilat shkuen mirë) e me travajët provimesh e mbledhjesh qi përhera shkakton fundi i vjetit akademik. Tashti jam këtu si president e përfaqesus i Min. arsimit në nji komisjon provimesh maturiteti. Ngarkim me shum randësí! Pse përmblidhet në nji farë mbikqyrjeje të veprimtarís së komisarvet e … në do firma. Prandej, të thuesh, jam tue pushue e tue u argtue nëpër Trieshtë të bukur e plot kujtime në nji papunsí të plotë.

Piksëpari të jam mirnjohës për letër qi i shkrove t’em-vllaut Viktorit. Ka nevojë për trimnim. Âsht i plogët e i pasigurtë në vetveti. Mirpo të gjithë e pëlqejnë at tingull sentimental-nostalgjik qi kanë shkrimet e tija. Pardje ishem te Rrok Prendushi – i cili të kujton me nderim e simpatí – e më përmendi artikujt e Viktorit. Atij i duken si nji vazhdim i stilit t’ambël të Padër Vinçenc Prendushit. I ka rá deri diku në tê. Viktori, veç, s’ká pasunín e gjuhës së Vincencit e ká nji ndije mâ të hollë artistike.

Artikulli – a mâ mirë proza e thekëshme – qi më dërgove tash së mbrâmi, arrijti vonë, kur e gjithë lânda ishte në shtyp. Del në numrin shtatuer – tetuer.

Vazhdo, Mustafë, me vepra biografike. Syzimet gjuhsore qi dalin nga penda e jote janë shum të çmueshme por i lexon pak e kush. Mos i qit mbas dore, por mos u kufizo vetëm në to. Bota shqiptare pret me dijtë shka mendon Ti mbi problemet mâ jetësore t’ona. S’âsht nevoja me i shprehë mendimet drejt për s’drejti. Në nji studim si ai mbi Esad Pashën parimet qi kanë frymzue dhe frymzojnë veprimtarín t’ande dalin në shesh tërthorazi. Të rijt kanë disa aspiracjone për t’u lëvdue, por asnji idé të qartë. Pështjellimi i mendimeve dhe ignoranca e fillit të ngjarjeve historike i bân me rá nën zgjedhën e ndonji gjysmaku amoral.  Tapat biografike mjafton t’i përkufizojsh në 8 a 10 faqe të rivistës. Të dáme interesojnë mâ tepër.

Rivista po vazhdon çalas. Nuk doli kush me ma ngjitë dorën “taravolçe”. Deri tash, kam shpenzue, pare të mija, afro gjymsë miljoni. Pajtime vijnë pak. Deri në fund të këtij vjeti po e mbajmë me shum sakrifica, mandej… allah qerim – si thotë Jakë Guga.

Presim reçensjonin mbi Historia e Zavalanit. Ballistat e Detroitit i kanë bâ, po më thanë, nji pritje të përzëmërt këtij libri. E kanë blé me shumicë. Qe, ideali i të rijve: Tajar Zavalani. Patriot, njeri i ndritun, shkrimtar, kuptueshëm, shum i kulturuem… E pra pikë burrnije shqiptare në vetvete! Dikúr thonte se punon për botën e madhe, jo për nji miljon shqiptarë kecuna e malarikë! (……)

Intelektualët e kanë pushtue me shnjerzimin e tyne idén shqiptare. Kanë arsye të rijt me dyshue mbi gjithëshkahen e mbi gjíthëkêndin. Shëmbujt qi u kemi dhânë kanë qenë dërmuesa.

Martinin e ndihmova me botue romanin “Djella”. Âsht nji frymë e re qi po hŷn në qarkullim në letërsín t’onë. Sensibiliteti i Malsorve t’arsimuem po i pasunon letrat t’ona me vepra të forta e të vetvetishme. Edhe do autorë kosovarë kanë botue në këto kohnat e fundit tregime të thekëshme. Kultura klasike e lirija e frymzimit në Prendim, i  ep, veçse, Martinit nji syperaní të kuptueshme mbi romanxjera të Shqipnís sovjetike dhe të Kosovës.

Për sot kaq. Të fala Bashkimit e Xhires.

Ty të përqafon, Ernesti.

 

 

Romë, 17.XI.1958

 

Mustafë i dashun,

Po bâhet bukur do kohë qi nuk i kemi shkrue shoqishojt: e, prá, në mênd e në gojë të kemi papré këtu në rrethin t’onë romak. Si e din unë edhe në vjeshtë këtheva në Trieshtë për provimet riparimi. Mora edhe gruen kso here me vete. Tash jam këtu, vjeti akademik po fillon, puna vjen tue u shtue… e na tue u plakë!

Jemi tue pritun prej teje ndonji shkrim për Nr. 11-12 qi qyshë tashti âsht vû në shtyp me qëllim t’a qesim, po mujtem, para Kërshndellash. Përndryshej, d.m.th., po s’erdhi tash, na ço’ ndoj’send për numrin e parë (kallnduer-fruer) të vjetit të ri. Të lutem mendoje nji serí artikujsh (mundësisht historiko-shoqnorë me kujtime vetiake) për vjetin 1959. “Shêjzat”, sikur na dishmojnë letrat qi marrim, janë tue luejtun nji rol edhe formativ, d.m.th. po shkaktojnë nji sqarim idésh. Rivista pritet me simpati të çuditëshme në Shqiptarët e Jugoslavís. Ata numra qi dërgojmë atje kalojnë dorë në dorë e lexohen me kujdes të madh. Po t’ishte lirí, atje në Kosmet, në krah t’Ulqinit e të Tivarit e në Maqedoní do të mujshim me pasë me qindra pajtimtarësh!

Më pëlqei menjiherë neologjizmi bukur i hartuem prej teje: rokaqielli: e shtína menjiherë në punë në romanin t’im. Ti e din se unë jam ashik fjalësh me shum rrokje, kumbore e disi të rralla: gjâna këto të natyrëshme në nji dishepull të t’Annunzios si jam unë.          Na shkruej: Të fala Bashkimit e Xhires.

Tý, tue të përshëndetun edhe n’emën të familjes, të merr ngrykë

Ernesti.

Gjithsaherë qi të paraqitet rasa ndër miq aty fole nji fjalë nxitëse për sa u përket pajtimeve.

 

 

Romë, 10.XII.1958

Piazza Ungheria 6

 

Mustafë i dashun,

Shënimet gjuhsore… me vjershë në krye i morme dhe janë tue u shtypun. Ai miku qi të siellet për spjegime âsht nji arbresh… nga Santiago bile. S’don, veç, qi t’i dalë emni. Çon rregullisht pajtimin dhe kërkon libra shqip me blé.

Jemi tue u pregatitun me përballue vjetin e tretë të Shêjzave, qi fillon në kallnduer. Financjarisht po shkojmë me borxhe e me shpresë; kulturalisht kemi bindje se intelektualët shqiptarë me Ty në krye do të na ndihmojnë m’e përmirsue edhe ma tepër të përkohëshmen. Mustafë, artikujt t’tuej gjuhsorë janë të çmueshëm, por ka dhe tjerë qi, pa i u avitun zotnís s’ate, at argument munden m’e shtjellue. Jeta, Mustafë, jeta shqiptare qi u zhduk, jeta dhe ngjarjet ç’prej fillimit të qindvjetit e deri më sot, periudha qi Ti ké njoftë mâ tepër si protagonist se si spektator, duhet përshkrue dhe analizue. Të rijt s’dijnë kurrgjâ: kujtojnë se Shqipnija ka vetëm dý data: 7 prillin dhe 29 nândorin. Veprimtarín e patriotve të vjetër aspak s’e njofin. Kolori i atdhetaris po mbetet Mid-hat Frashëri. Pa shpírt polemizues, me objektivitet historjaku, me gjakftoftësi shkenctari, derdhi kujtimet t’Tueja sidomos para e fill mbas t’ashtuqujtunës Rilindje.

Nji nderë: jam tue bâ nji studjim mbi marredhânjet e t’Annunzios me Shqiptarë për llogarí del Vittoriali (Salò). A din me më thânë gjâ mbi pjekjet e Hasan Prishtinës me t’Annunzion? Bajram Curri e ká takue ndonji herë t’Annunzion? Ti ké pasun ndoj lidhje? Kush tjetër e pat afrue?

Të fala djalit e motrës.

Të përqafon, Ernesti.

 

 

Romë, 12.III.1959

Piazza Ungheria, 6

 

Të dashun Bashkim e Haxhíre,

Më falni qi mbeta kaq gjatë pa u shkrue. Gripi na ka trazue mue dhe gruen e fëmijt. Unë s’pata veç dý dit ethe, por më la nji dhimbë nd’ijë qi më shtrëngoj me ndijë në dyshek njâ dhetë dit (pa ethe) e nja dhetë tjera tue ecun shtrémba shtrémba nëpër shtëpí. Mandej më doli punë me Shêjzat. Numri kallnduer – fruer u nis. Atje u bjen në dorë mbas 15 ditve, kujtoj. Ka tre artikuj mbi Mustafën e shkretë.

E kam lexue pesë a gjashtë herë letrën t’ande, Bashkim. Ishte gjithsaherë nji përtrimje dhimbe. Sŷt m’u mbushëshin me lot. Prap, kur mendoj, nuk më bâhet m’e zânë “besë” se ai s’âsht mâ e se s’do të marr mâ letra. Duhet me i u shtrue vullnesës së Zotit si ju të dy si na të tjerët.

Tashti unë s’due, në Shêjzat, m’e lânë me aqë. Shikoni ndër shkrime a ka ndoj rend qi mund të botohet. Shkrimet e letra rueni si dritën e syve. Kurrkúj mos ia epni as për shqyrtim, sepse ndër letra mund të kenë gjâna qi âsht mirë me mbajtë sekret. Gjikime për njânin a tjetrin të shprehuna lirisht, jo vetëm prej Mustafës por edhe prej atyne qi i shkruejshin Mustafës, si unë e Kapídani, për shembull.

Nji gjâ tjetër. Përpiquni, ku të mundeni e si të mundeni, me i përhapun Shêjzat e me u gjetun pajtimtarë. Në kët rivistë mbetet shpirti i Tíj e rivista, herë pas here, do t’a përkujtojnë ashtu si meriton. Thoni edhe Hamdi Kërçikut me bâ pak propagandë. Po s’m’a ngjiten dorën miqt, âsht në rrezik kjo rivistë m’e ndalue botimin.

U përqafon me mall, i Jueji Ernesti.

 

 

 

Marrë nga “KUVEND LETRASH ME MIQTË” Vëllimi II

[1] Të kthehemi në temë  (E.M.)

Radiocorriere (1968)- Marrëdhënia speciale e regjisorit Lewis Gilbert me Bekim Fehmiun, ose siç e thërriste ndryshe “Beky Feymu”, gjatë xhirimeve të filmit “Aventurierët”

Bekim Fehmiu fotografuar në Romë, ku po xhirohet filmi. Për të qenë në gjendje të vepronte si duhet në anglisht, aktori jugosllav kaloi një kohë të gjatë në Londër, ku u përpoq të mësonte të gjitha nuancat e gjuhës. – Burimi : Radiocorriere (1968)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Shtator 2020

 

“Radiocorriere” ka botuar, më 17 gusht të 1968, në faqet n°34-35, një shkrim të gazetarit Gianni di Giovanni në lidhje me marrëdhënien speciale të regjisorit Lewis Gilbert me Bekim Fehmiu gjatë xhirimeve të filmit “Aventurierët”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Uliksi përgatitet të bëhet Rubirosa

nga Gianni di Giovanni

Burimi : Radiocorriere (1968)

Ai është duke xhiruar një film mbi jetën e playboy-it të famshëm: një mundësi e jashtëzakonshme për të arritur sukses në Shtetet e Bashkuara ku ata duan ta lançojnë atë si “egërsira që u pëlqen grave”. Ai do të ketë përkrah aktorë të njohur, nga Ernest Borgnine te Olivia De Havilland. Megjithatë ai ende ndihet i lidhur sentimentalisht me heroin homerik.

 

Romë, gusht.

 

“Ai është i çmendur”, bërtiti regjisori Lewis Gilbert, tani jashtë shpresës së Zotit, “ai është një i çmendur, po ju them”. Sekretarët e produksionit, zyrtarët e shtypit, ndihmësit e drejtorëve tundën kokën në shenjë pranimi. Por regjisori Lewis Gilbert tha se nuk i interesonte pëlqimi i të tjerëve. Ai tha sërish me një zë të ngjirur: “Nesër, e dua këtu në Romë të gjallë apo të vdekur. U kuptuam? Po, zotëria ka vendosur se në mendjen e tij është me të vërtetë Uliksi, televizioni ia ka ngulitur në tru këtij greko-shqiptari-jugosllav, le ta marrë djalli”. I rraskapitur, regjisori Lewis Gilbert u ul në një kolltuk. Gruaja e tij Hilda u ul në krahun e tij dhe i tha me zë të ulët, “I dashur (Darling), mos u bë i paduruar do të shohësh se do ta gjejnë” dhe i ledhatoi butësisht dorën. Por burri nuk i kushtoi vëmendje.

 

Një djalë i mirë

 

“Gjithë faji yt,” shpërtheu ai, “po, zonjë, është i gjithë faji yt. Ti u dashurove marrëzisht me atë djalë. Ah Lewis, ti duhet absolutisht të shohësh atë film, kjo është ajo që më the. Djali ka atë hijeshi magnetike (tërheqëse) që u pëlqen grave, ma përsërite këtë. Dhe unë si një idiot që të dëgjon të shkoj me ty në atë kinema në Paris, ku kishe parë “Ciganët e lumtur”, të zhytesh në Itali për të lançuar Bekim Fehmiun, Uliksin e televizionit, për një film që do t’i kushtojë produksionit shumë para. Të mjafton kjo tani.”

 

Uliksi ka fluturuar sërish dhe bravo kush e gjen. “Po si”, dhe regjisori amerikan i mbante duart në kokë, sikur t’i kishte plasur kafka, “po si? Unë e dërgoj atë në Londër për të mësuar anglisht, kësaj race fshatare dhe çfarë bën ai? Ai largohet dhe nuk e di më se ku ka shkuar. Unë e pres atë që prej tre muajsh dhe nuk jam aspak i gatshëm ta pres, duke endur kanavacën për njëzet vjet si Penelopa. Producentët e mi, producentët e filmit, nuk kanë durimin e personazheve të Homerit. Ata njerëz ia mbështjellin leckën rreth qafës, për ta mbytur”.

 

Për një kohë të gjatë britmat e regjisorit bënin që muret e kartonit të teatrit të dridheshin, pastaj pasi po errësohej, ndërsa amerikani i kërkonte falje gruas së tij për ulëritjen, bie zilja e telefonit në dhomën e rezervuar për regjisorin Gilbert në një hotel të madh të Romës.

 

“Alo Gilbert!”. Ishte Londra në telefon: “E gjetëm. Po sonte, me pak fjalë, vetëm tani, në një pub. Si thua? Po, ai është pak i hutuar por me pak fjalë ende qëndron në këmbë. A doni të dini se çfarë ka bërë? Epo mund të mos e besoni por Bekimi e ka kaluar gjithë këtë kohë pa marrë as edhe një orë të vetme leksioni anglishteje. Jo, Lewis mos bërtit, dëgjo. Ai ka bërë xhiro rreth Londrës tërë ditën, nga City në Docks për të mësuar të gjitha nuancat e gjuhës. Po, po pas gjithë kësaj Uliksi ynë është një djalë i mire”.

 

Disa ditë më vonë, në Cinecittà, ndodhi ky rit. “Ju nuk jeni më Uliksi, harrojeni atë”, tha regjisori, duke i dhënë goditjen e parë të gërshërëve mjekrës së zezë e të trashë që akoma zbukuronte fytyrën e heroit homerik të ekraneve të televizionit italian. “Dhe diçka tjetër Beky: nga ky moment emri juaj nuk është më Fehmiu, një emër që amerikanët kurrë nuk do të ishin në gjendje ta shqiptonin, por Feymu, Beky Feymu: është e qartë?”, Feymu i ri, tani pa flokë, tund kokën në shenjë pranimi. “Mirë, në rregull unë do të bëj siç thua ti”. Dhe sigurisht që nuk mund ta kishte kuptuar në atë moment që shpesh roli e përcakton aktorin deri në pikën që e bën atë të identifikohet plotësisht me karakterin që i dha jetë, në skenë, në ekran apo para kamerave. “Beky”, përgjigjen në Cinecittà ndaj atyre që pyesin për të, “Beky, dhe kush është ky Beky? Ah, doni Uliksin e televizionit? Dhe po, natyrisht që unë e njoh atë, dreq. Shko pak më tej, po lexon (përsërit) pjesën”.

 

Mirënjohje

 

Bekimi kthehet nga prapa, i përkulur mbi një skenar por përgjigjet menjëherë, pothuajse automatikisht: “Po, unë jam Uliksi”. Ai bën një gjest me dorën e tij, buzëqesh dhe i shkel syrin regjisorit. “Nëse ky atje më dëgjon, më vret. Vetëm këtë mëngjes ai më tha: Beky, për publikun italian ju jeni dikush, në rregull, por për publikun amerikan jeni më pak se zero, një i panjohur. Por është më mirë në këtë mënyrë, e di ? Sepse unë do të të lançoj me këtë parullë: Beky, egërsira që pëlqejnë gratë. Eh, çfarë mendon ?”.

 

Fehmiu hedh skenarin e filmit dhe bëhet i gjallë, duke bërë disa lëvizje. “Kini parasysh, unë nuk i jap goditje fatit dhe nëse ata duan të më lançojnë në Amerikë si James Dean i viteve shtatëdhjetë, unë them: në rregull. Por unë nuk mund të ndryshoj brenda natës, kjo nuk mundet. Unë nuk jam kukull. Ata thonë se Uliksi përfundimisht do të më kushtëzojë dhe unë përgjigjem: me pak fjalë, unë u diplomova në shkollën e Artit Dramatik të Beogradit duke luajtur pjesën e Uliksit, pata suksesin më të madh në jetën time duke luajtur Uliksin në televizion, çfarë duhet të bëj tani, të harroj që kam luajtur shumë teatër grek para se të mbërrija në kinema? Ata vazhdojnë të më thonë se në këtë film do të kem përkrah meje Candice Bergen, Olivia De Havilland, Ernest Borgnine, James Mason, Charles Aznavour dhe Rossano Brazzi. Unë përgjigjem se jam i nderuar dhe i lumtur, dhe e them këtë pa ironi, e kundërta nuk do të ishte mirë. Të luash lojën aventureske të një playboy të stilit të lartë si Porfirio Rubirosa para kamerës nuk është punë e vogël. Por, për sa kohë që jam në Itali, unë mbetem romantikisht i lidhur me atë personazh që më zbuloi para miliona spektatorëve. Jo, jo, reagimi im nuk është sentimentalizëm, mbase është realizëm, mbase mirënjohje : le ta quajmë atë që na pëlqen por pse duhet të harroj papritur suksesin tim?”.

 

Polemika është ndoshta pak e tepruar dhe duket vërtet gratis (falas) nëse nuk merrni parasysh dramën e këtij njeriu që në këto ditë duhet të heqë qafe me forcë jo vetëm personazhin që e bëri atë një aktor të suksesshëm, por edhe të një skeme mendore në të cilën deri tani u përshtat me lehtësi. Përballë gjykimit të publikut amerikan, duke mos zhgënjyer pritjet e regjisorit dhe producentëve: këto janë problemet që shqetësojnë ish-Uliksin dhe e mbajnë atë të tensionuar dhe nervoz. Një ankth (stres) që aktori nuk dëshiron t’i rrëfejë as vetes.

 

Një gjykim

Bekim Fehmiu, një dhe dy: pranë, me mjekrën e Uliksit; më sipër, në aspektin e tij më të fundit, i kërkuar nga regjisori i filmit mbi jetën e Porfirio Rubirosa-s. Për ta lançuar në Amerikë, ata gjithashtu do të ndryshojnë emrin e tij: do të bëhet Beky Feymu, më e lehtë për shqiptimin anglo-sakson. – Burimi : Radiocorriere (1968)

 

“Nuk i mbyll sytë ndaj suksesit. Unë kam lindur i varfër, në Serajevë, prindërit e mi ishin nga Prizreni, një fshat shqiptar, në atë kohë. Unë isha i shtati nga tetë fëmijët. Ata më thirrën Bekim, që përkthehet Benedetto, dhe si djalosh thanë se kisha djallin në trupin tim. Por fakti është që unë doja të dilja nga fshati dhe mjerimi dhe kur në vend erdhi një kompani, vendosa që me çdo kusht të bëhesha aktor dhe ia dola mbanë. Kam punuar shumë por gjithçka më ka shkuar mirë. Tani më intereson të jem vetvetja.”

 

Shihet se Fehmiu po reciton tani. Suksesi ka rëndësi për të, me të vërtetë: ai e nuhat atë, e sheh atë, e ndjek me kokëfortësi. Ai përsërit me krenari gjykimin që Lewis ka për të: “Ai është aktori më profesional dhe më i disiplinuar nga të rinjtë që kam takuar ndonjëherë. Jam i bindur që do të ketë një sukses të qëndrueshëm në ekran. Feymu është lloji i njeriut modern, me gjallëri dhe forcë të madhe karakteri, por me një nuancë mërzie dhe vetmie që ndjen trishtim. Përmbledhja e gjithë kësaj së bashku në një personazh filmi është e mundur vetëm për një aktor të shkëlqyeshëm dhe unë besoj fuqimisht se Feymu është ky aktor”.

 

Ndoshta regjisori nuk vuri re një gjë: që nën lëkurën e një njeriu të vrazhdë, burrit të fortë, Uliksit të guximshëm, është një i ri i qetë, i ndrojtur, i etur për t’u ndjekur, kuptuar, dëgjuar.

Traktati i Lozanës, fatkeqësia e trojeve dhe e popullsisë çame Nga Dr. Hekuran Rapaj

 

Me gjithë shpresat që ushqenin shqiptarët te Konferenca e Paqes e Versajës, kjo Konferencë nuk solli asnjë ndryshim në gjendjen e popullsisë shqiptare, që kishte mbetur nën qeverisjen greke. Gjendja u ndërlikua, bëhej gjithnjë e më e mprehtë dhe ngjarjet rrokulliseshin shpejt në verën e vitit 1922, pas disfatës greke në luftë me Turqinë, në Azinë e Vogël. Të gjitha palët përgatiteshin për konferencën e paqes, që Fuqitë e Mëdha e të Lidhjes së Kombeve, propozonin të mbahej në Lozanë.

Konferenca e Lozanës filloi punimet më 21 nëntor të vitit 1922. Qeveria e Ankarasë ruajti qëndrimin themelor, se Turqia duhej trajtuar si një vend i pavarur e sovran, i barabartë me të gjithë të tjerët që përfaqësoheshin në konferencë. Në diskutimin e çështjeve që lidheshin me kontrollin e financave dhe të drejtësisë turke, mbrojtjen e pakicave, kapitullimet, ngushticat e të tjera si këto, Turqia, në mënyrë absolute nuk u lëkund përballë çdo propozimi që mund të prekte sovranitetin turk. Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha dhe të Lidhjes së Kombeve, Traktati i Lozanës u nënshkrua më 30 janar të vitit 1923.

Dr. Hekuran Rapaj

Së fundmi, në Traktatin e Lozanës, qëndron dhe një marrëveshje e lidhur veçmas mes Turqisë dhe Greqisë, e cila caktoi një shkëmbim të detyruar të popullsisë që përfshinte afro 1.3 milionë grekë dhe gjysmë milioni turk gjithsej. Ajo përfshinte të gjithë grekët që jetonin në Anadolli dhe në Traki, me përjashtim të atyre që kishin jetuar në Stamboll përpara vitit 1918, si dhe të gjithë turqit në Greqi, përveç atyre në Trakën Perëndimore. Shkëmbimi në të vërtetë kishte filluar gjatë ditëve të fundit të Luftës për Pavarësinë e Turqisë, kur qindra mijëra grekë u shpërngulën nga Izmiri në Greqi. Kjo marrëveshje i bëri palët shumë më homogjene se më parë.

Mirëpo, me këto vendime, popullsia myslimane shqiptare çame kërcënohej nga një rrezik i madh, nga një fushatë e re shpërnguljesh masive. Duke filluar nga dhjetori i vitit 1922, përpara se të nënshkruhej Traktati i Lozanës, përfaqësuesit e popullsisë e të shoqatave çame i dërguan qeverisë shqiptare disa memorandume, në të cilat vihej në dukje se autoritetet vendore greke, në bashkëpunim me përfaqësues të institucioneve fetare ortodokse në Janinë, të komiteteve vorioepirote etj., kishin projektuar shpërnguljen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e viseve të tyre me refugjatë grekë. Në të vërtetë, ky kolonizim tanimë kishte filluar, refugjatë grekë, të sjellë nga Turqia, po vendoseshin në Margëlliç, Pargë, Gumenicë, Filat etj.

Ndërkaq, qeveria shqiptare, duke u mbështetur në Traktatin e Lozanës dhe në detyrimet që qeveria greke kishte marrë me Traktatin e Sevrës (në periferi të Parisit), më 10 gusht 1920, ndërmjet aleatëve e Turqisë,  protestoi pranë Fuqive të Mëdha e pranë Lidhjes së Kombeve për përndjekjet e popullsisë çame. Me kërkesën e qeverisë shqiptare, më 11 e më 19 janar 1923, çështja e popullsisë shqiptare myslimane në trojet shqiptare në Greqi, u diskutua në Konferencën e Lozanës. Në mbledhjen e saj të 19 janarit 1923 u parashtruan argumente bindëse për shqiptarësinë e kësaj popullsie. Më 20 janar 1923, kryetari i Seksionit të Pakicave në Konferencën e Lozanës, z. Montanja (Montagna), në një letër drejtuar Mehdi Frashërit, i deleguari i shtetit shqiptar pranë Konferencës së Lozanës, theksonte se më 19 janar 1923, përfaqësuesit turq dhe ata grekë deklaruan qartë se pakicat shqiptare myslimane të Greqisë e ortodoksët shqiptarë të Turqisë ishin të përjashtuar nga shkëmbimi i detyruar i popullsisë greke e turke, që duhej të bëhej ndërmjet Greqisë e Turqisë. Ky përfundim u shënua në procesverbalet e Konferencës dhe kishte vlerën e një deklarate zyrtare, që shërbeu si pikë referimi për qëndresën e popullsisë shqiptare kundër shpërnguljes me dhunë në Turqi, si edhe për mbrojtjen e saj nga ana e qeverisë shqiptare.

Qeveria greke nxori urdhëresa zyrtare për përjashtimin nga shkëmbimi të popullsisë shqiptare myslimane. Por si përherë, në kundërshtim me ato që nxirrte vetë e në mënyrë të kundërligjshme, nënguvernatorët në Prevezë, Paramithi, Margëlliç, Filat, në krahinat shqiptare të Konicës, të Kosturit, të Follorinës etj. nxorën njoftime zyrtare, sipas të cilave të gjithë shqiptarët myslimanë do të dërgoheshin në Azi. Në vjeshtën e në dimrin e vitit 1923 u duk qartë se ishte planifikuar një strategji e tërë për shpërnguljen e shpronësimin e popullsisë shqiptare dhe për kolonizimin e trojeve të saj me refugjatë grekë të ardhur nga Anadolli. Shqiptarëve myslimanë iu hoq e drejta e votës për zgjedhjet parlamentare, u dha urdhër të liroheshin 75 përqind e shtëpive të tyre për të vendosur refugjatë. Në të vërtetë shtëpitë po rekuizoheshin. Sipas vendimeve të njëanshme të mëparshme të viteve 1917 e 1919, shqiptarëve iu hoq e drejta e shitjes së pasurisë së patundshme. Nga shtatori i vitit 1923, ky kufizim u shtri edhe në shitjen e pasurive të luajtshme. Shqiptarëve u ishte hequr gjithashtu prej kohe e drejta për të dhënë me qira pronat e tyre me një afat prej më shumë se një viti.

Për të goditur më tej popullsinë shqiptare të Çamërisë u shfrytëzua zbatimi i reformës agrare, që u shpall në vitin 1920. Sipas saj dhe sipas akteve të mëvonshme ligjore, do të prekeshin me shpërblim vetëm sipërfaqet prej mbi 30 hektarë tokë. Ndërkaq, u urdhërua që në çifligjet e caktuara për shpronësim sipas reformës agrare, në kundërshtim me legjislacionin grek, të mos u jepej prodhimi pronarëve shqiptarë gjersa të vendosnin komisionet përkatëse të shpronësimeve. Ky urdhër përfshiu edhe rekuizimin e prodhimeve të magazinuara, të shtëpive, të dyqaneve, të kafeneve etj. Urdhra të tillë çonin në varfërimin e mëtejshëm të pronarëve myslimanë shqiptarë, duke sjellë uri e deri vdekje në radhët e fshatarëve të vegjël. Në kundërshtim me ligjin agrar, u shpronësuan pronarët edhe kur kishin sipërfaqe më të vogla se 30 hektarë. U zbatua forma e shpronësimit “të fshehtë”, kur shteti grek merrte në duart e tij “tokat e braktisura” etj. Me këto rrugë, fshatarë grekë, refugjatë e madje shqiptarë të krishterë shtinë në dorë shumicën e pronave bujqësore të popullsisë myslimane shqiptare. Keqtrajtimeve të shqiptarëve nga autoritetet vendore e nga xhandarmëria iu shtuan edhe ato të bandave, që filluan të qarkullonin në këtë periudhë në rrethinat e Janinës, të Margëlliçit, në Filat etj., duke e bëre të padurueshme jetën e popullsisë shqiptare.

Në këto rrethana u shtua trysnia mbi popullsinë shqiptare myslimane, për ta detyruar të pohonte se ishte me kombësi turke dhe se dëshironte të mërgonte në Turqi. Familje të tëra, të mbetura në një gjendje të mjerueshme, të paditur, të gënjyer nga propaganda greke e, në disa raste, edhe nga klerikë fanatikë ose të korruptuar myslimanë, të mbetur pa prona e pa shtëpi, u deklaruan si turq dhe u shpallën si të shkëmbyeshëm.

Megjithatë, shumica më e madhe e popullsisë shqiptare deklaroi se ishte shqiptare, se përkatësia fetare nuk mund të identifikohej me kombësinë, se nuk kishte asgjë të përbashkët me popullsinë turke nga kombësia, nga gjuha e nga zakonet dhe se kishte luftuar kundër sundimit osman. Në praktikë u hodhën hapa të rinj për spastrimin etnik të trojeve shqiptare.

Kjo gjendje nuk ndryshoi edhe pas fillimit të veprimtarisë së Komisionit të Shkëmbimit të Popullatave, i ngritur nga Lidhja e Kombeve dhe i quajtur “Komisioni Mikst”, me kryetar spanjollin gjeneral De Lara. Ky Komision arriti në Athinë në vjeshtë të vitit 1923. U krijuan gjithashtu nënkomisioni përkatës, për krahinën e Çamërisë, në të cilin bënin pjesë një përfaqësues turk, një grek dhe një i paanshëm evropian, të caktuar nga Lidhja e Kombeve. Mirëpo, përfaqësues shqiptar nuk kishte. Komisioni kishte për detyrë që, duke u mbështetur në deklaratën e 19 janarit 1923, të mos lejonin shkëmbimin e popullsisë shqiptare myslimane. Ato duhej të ndërhynin në rastet e kundërshtimeve nga shqiptarët dhe vetëm me miratimin përfundimtar të Komisionit Mikst do të merreshin vendimet përfundimtare.

Për shkëmbimin e popullsive u ngritën pranë autoriteteve shtetërore greke disa zyra të posaçme, por shqiptarët myslimanë autoktonë kalonin në sprova të gjata për të dëshmuar origjinën e tyre shqiptare, gjë që ishte tepër e vështirë; popullsia shqiptare edhe pse ishte autoktone në këto troje nuk kishte jetuar brenda tokave të shtetit shqiptar, të krijuar në vitin 1912, gjë që shfrytëzohej nga administrata greke për t’i mohuar asaj kombësinë.

Në praktikë, për të vërtetuar kombësinë, shqiptarëve myslimanë u duhej të kalonin nga zyrat vendore në ato qendrore, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në nënkomisionet e Komisionit Mikst, ku i nënshtroheshin hetimeve përkatëse për gjuhën, për traditat, për deklarimet e tyre mbi kombësinë etj. Edhe kur u njihej kombësia nga autoritetet greke, kërkohej një certifikatë përfundimtare nga Komisioni Mikst. Në rastin kur shqiptarët cilësoheshin të shkëmbyeshëm, nuk lejoheshin për vite të shisnin pasuritë e tyre të paluajtshme. Në këtë mënyrë shqiptarët, që detyroheshin të shpërnguleshin, viheshin në kushte të mjerueshme financiare, ndërsa ata që shpëtonin, duhej të përballonin vështirësi të pafund në veprimet e nevojshme me autoritetet vendore, gjyqësore, për të rimarrë pronat dhe pasuritë, që në shumë raste nuk arritën t’i marrin. Ato mbetën në duart e refugjatëve grekë, të shtetit e të Bankës Kombëtare Greke. Një fatkeqësi e jashtëzakonshme për shqiptarët e Çamërisë.

Në përgjigje të protestave të popullsisë çame dhe të qeverisë shqiptare, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, në seancën e 10-të të Sesionit të 27-të, më 17 dhjetor 1923, trajtoi posaçërisht çështjen e myslimanëve shqiptarë në Greqi. Këshilli miratoi një rezolutë të posaçme për çështjen çame, ku ngulte këmbë që nga pala greke të zbatohej Deklarata e 19 janarit 1923, për “mosshkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi”. Një ndihmë të veçantë për këtë dha edhe konsulli i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Benedikt Blinishti, një nga projektuesit e zbatuesit kryesorë të politikave të shtetit shqiptar për çështjen çame. Ai këmbënguli që qeveria greke të shpjegonte qartë se ç’kuptonte me termin mysliman “me prejardhje shqiptare” dhe që ajo të hartonte sa më parë regjistrat përkatës për këtë popullsi, të cilat nuk ishin në Greqi.

Në vitet 1923, 1924, 1925 deri në pranverën e vitit 1926, edhe shqiptarët myslimanë të Çamërisë, të Konicës, të Janinës etj. iu nënshtruan në përmasa më të mëdha shkëmbimit dhe përndjekjeve në të gjitha drejtimet. U hartuan listat e shqiptarëve myslimanë të parashikuar për shkëmbim, të cilëve iu rekuizuan shtëpitë e pasuritë në dobi të refugjatëve grekë. Në vitin 1925 dhe në fillim të vitit 1926, nga 3 419 shtëpi myslimane dhe 535 të krishtere që kishte në Çamëri, refugjatët grekë u sistemuan në 1 943 shtëpi myslimane dhe në asnjë shtëpi greke a të krishtere shqiptare. Pronarët shqiptarë u vendosën në anekset e shtëpive të tyre, në stalla, në fusha etj., në kushte të padurueshme jetese. Popullsia çame protestoi në të gjitha organet e shtetit grek. Megjithëse autoritetet greke i paraqitën këto masa si të përkohshme, ato morën në shumë raste formë përfundimtare. Përveç shtëpive, edhe arat, vreshtat, ullinjtë, prodhimet etj. ranë në duar të refugjatëve grekë. E kështu veproi qeveria greke, fqinji jonë jugor, duke e thelluar ende plagën e përgjakshme gangrenë të Çamërisë.

Në gusht e shtator të vitit 1924, qeveria shqiptare e shtroi përsëri çështjen çame në Lidhjen e Kombeve. Ajo kërkoi që çështja e origjinës të trajtohej me kujdes nga Komisioni Mikst dhe e kritikoi këtë forum për njëanshmëri, pse kishte pranuar të shkëmbehej një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare myslimane. Në sesionin e 30-të të Lidhjes së Kombeve, më 29 shtator 1924, ku mori pjesë vetë kryetari i qeverisë shqiptare, Fan Noli, u dukën frytet e ndërhyrjes shqiptare. U ngarkua një raportues për të grumbulluar të dhënat përkatëse, z. De Leone, dhe sipas propozimeve të tij në dhjetor të atij viti, u formua një komision i ri mandatimi i Lidhjes së Kombeve me një përfaqësues turk, një grek dhe tre anëtarë nga shtete asnjanës. Ky komision, i pavarur nga Komisioni Mikst, kishte kompetenca të plota për të marrë në mbrojtje myslimanët shqiptarë në Greqi. Ai do të mblidhte të dhëna konkrete, kryesisht në fshatrat myslimane në Çamëri, në Konicë, në Janinë, në Prevezë etj.

Në qershor 1925, Komisioni ndërmori një turne në Epir, kryesisht në qytetet e Gumenicës, të Janinës e të Konicës, duke kërkuar që banorët e fshatrave të Çamërisë të paraqiteshin pranë tij. Hetimet nuk qenë të plota, madje gjatë këtij turneu, nuk pati rënie a zbutje të ndjeshme të shkëmbimit të shqiptarëve. Në disa raste, ky Komision ishte i pranishëm në dëbimin e shumë shqiptarëve, si p.sh. në qytetin e Konicës.

Në verën e vitit 1925, një rrezik i ri u paraqit përpara shqiptarëve, kur palët turke e greke, në korrik të atij viti, pranuan shkëmbimin e 5 000 shqiptarëve të tjerë myslimanë të Epirit. Si rrjedhim i mosmiratimit të kësaj marrëveshjeje nga Komisioni Mikst dhe nga ai i Mandateve, ajo nuk u zbatua. Por nënkomisioni i Epirit miratoi dërgimin në Azi të Vogël të 800 shqiptarëve nga fshatrat çame të Gardhiqit e të Dhragomisë, fshatra me një histori të gjatë vuajtjesh, masakrimi, shpërnguljesh etj., që nga viti 1913.

Më 10 dhjetor 1925 i deleguari i qeverisë shqiptare, Mehdi Frashëri, në një nga seancat e Këshillit të Lidhjes së Kombeve bëri një ekspoze të hollësishme e tronditëse të gjendjes së shqiptarëve në Çamëri, Konicë, Follorinë, Kostur etj. Këshilli i Lidhjes së Kombeve e trajtoi këtë çështje në hullinë e respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare. Ai mori vendim që t’i tërhiqej vëmendja qeverisë greke dhe Komisionit Mikst për të mbrojtur popullsinë çame dhe që çështja të kalonte në një sesion tjetër, në mars 1926. Po ende dhe sot, kjo maskaradë është e mbyllur me dëshirën jo të mirë, të të pashpirtëve, në morinë e letrave të mbyllura në moçalin e fëlliqur të traktateve dhe marrëveshjeve, që shumica e tyre, Shqipërisë, si kanë bërë asnjë dobi.

Shkëmbimi i popullsisë, megjithëse zyrtarisht ishte pezulluar, vijoi ende. Në janar të vitit 1927, qeveria e Kondilisit nisi një fushatë të re të shpërnguljes së shqiptarëve. Ajo i kërkoi qeverisë turke t‘i hapte prapë portat për popullsinë çame. Ankaraja e kundërshtoi këtë kërkesë me argumentin se binte në kundërshtim me vendimet e Lidhjes së Kombeve, me vetë angazhimet e qeverisë greke dhe me kërkesat e drejta të popullsisë çame myslimane. Por presionet dhe diskriminimi i vazhdueshëm, moskthimi i pasurisë, jetesa e padurueshme etj., bënë që herë pas here familje e grupime të caktuara të popullsisë të kërkonin të largoheshin. Shpërngulja e detyruar dhe shkëmbimi i popullsisë vazhdoi, megjithëse me ritme më të ulëta, deri në fund të viteve ’20 dhe në vitet ’30. Sipas raportit të delegatit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1928, nga viti 1924 deri më 1926 ishin shpërngulur me forcë rreth 40 000 shqiptarë të Follorinës, të Kosturit etj. dhe mbi 20 000 shqiptarë myslimanë të Epirit, numër ky që erdhi duke u rritur. Sipas statistikave greke të vitit 1937, në 279 fshatra të Çamërisë, duke përfshirë edhe rritjen e popullsisë në këto vite, kishte 33 000 shqiptarë myslimanë, 59 419 shqiptarë ortodoksë dhe 20 000 grekofonë me origjinë shqiptare.

Në këtë periudhë kishte mbetur pa u zgjidhur çështja e kthimit të pasurive të shqiptarëve myslimanë, nënshtetas grekë, të deklaruar pas vitit 1926 të pashkëmbyeshëm, si dhe dëmshpërblimi i tyre. Për kthimin e pasurive kërkohej përsëri verifikimi i dokumenteve të kombësisë shqiptare në zyrat përkatëse greke, që pothuajse nuk funksiononin; kërkohej gjithashtu një certifikatë nga Komisioni Mikst në Stamboll, që ishte e vështirë të merrej sepse duhej të përballoheshin gjyqe që zvarriteshin pa fund. Praktika të njohura greke.

Qeveria shqiptare, duke u mbështetur në ankesat e panumërta të popullsisë çame dhe të emigrantëve ekonomikë nga shteti shqiptar, e shtroi përsëri çështjen e pasurive të tyre në Lidhjen e Kombeve. Në sesionin e 50-të të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, më 5 qershor 1928, i dërguari i Shqipërisë, Mehdi Frashëri, kërkoi krijimin e një komisioni të paanshëm, ku të merrnin pjesë përfaqësues grekë e shqiptarë për të verifikuar gjendjen e pasurive të shqiptarëve. Këshilli i Lidhjes së Kombeve rekomandoi si mjetin më të mirë zhvillimin e bisedimeve në mes të dy palëve për të arritur një zgjidhje, gjë që nuk doli një detyrë e lehtë. Por paqja e shqiptarëve të Çamërisë nuk erdhi kurrë prej traktateve e marrëveshjeve të të mëdhenjve. Ato ishin të destinuara, shpejt a vonë, të përfundonin në koshin e harresës.

Kështu që, gjatë vitet ’20-’30, në përfshirje të Reformës Agrare, qeveria greke arriti të shpronësonte në zonën e Çamërisë një sipërfaqe të përgjithshme prej 6 000 hektarësh, pasuri e familjeve shqiptare myslimane, nga të cilat 2 600 hektarë u morën pa asnjë shpërblim. Fshatra të tëra u zbrazën nga banorët, të tjera u përgjysmuan ose u zvogëluan shumë. Këto toka iu dhanë refugjatëve grekë të sjellë nga Azia e Vogël.

Ende dhe sot e kësaj dite, me gjakftohtësinë e paturpësisë, “Vorio-Epirotët” e çakorduar kërkojnë territore tokësore e detare nga Republika e Shqipërisë. Kjo është ana e errët e Greqisë fqinjë në marrëdhëniet e saj me Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Po, a ka ndonjë grimë rreze shprese…?

Tiranë, 7 Shtator 2020

Dëshmia e Kaso Hoxhës nga SHBA: Tropojani fisnik në ‘Kaushin’ e Tiranës, që lutej të vdiste, pasi bashkëvuajtësit dhe familja…

Dashnor Kaloçi

Pjesa e dymbëdhjetë

Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numri i kaluar

Në “Kaushin” e Tiranës me të dënuarit e Spaçit!

Më futën në makinën burg dhe pas 10 minutash u gjënda në koridorin e burgut të Tiranës. Polici këtë herë hapi derën e kaushit Nr.1. U habita si ishte e mundur që unë këtë herë të përzihesha me ordinerët. I thashë policit se jam i dënuar politik, dhoma Nr.7 është për këta të dënuar?

“Hyr këtu, aty janë të gjithë armiqtë e popullit”, ma ktheu ai. ‘Kaushi’ ishte plot me të burgosur, mbi 80 të dënua, shumicën e të cilëve i njihja. Dhoma ishte me përmasat 10 me 4 metra, me krevat 3 katësh. I përshëndeta të gjithë dhe e kuptova përse këta të burgosur nga Spaçi ishin këtu.

Ata ishin të gjithë spiunë që do tu dilnin dëshmitarë shokëve që ishin arrestuar pak muaj më parë. Të gjithë i njihnim këto fytyra të ndyra, e shumë të tjerë. Zura vënd në katin përdhesë të dhogave që ishin nja 30 cm. mbi çimento dhe ishin bosh nja 2-3 dyshekë. Ato ishin të qelbur, për shkak të koshit të plehrave që ishte në qoshe dhe erës së keqe të mbeturinave.

Në krah tim, më tej, nga një dyshek bosh, një i burgosur rrinte shtrirë i mbuluar kokë e këmbë me një batanije që nuk i dallohej boja nga balta që ishte bërë si llustër. Mendova që do jetë i sëmurë rëndë që s’lëvizte, e dukej sikur s’merr frymë! Në krah të tij rrinte ulur një i burgosur, i cili fliste me vete dhe e shoqëronte me gjestet e mimikës dhe duarve.

Thashë me vete “do jetë psikopat i ziu”?! Në krah të tij një tjetër i burgosur lexonte letrën që i kishte dërguar familja dhe herë pas here fshinte lotët. Mendova se kushedi sesi i ka hallet në familje derëziu?! Në ‘Kaush’, zhurmë, shamatë, kollë dhe mjegull, nga tymi i duhanit që mbi 70 % e pinin.

Në orën 11.00 erdhi dreka dhe dy të burgosur ordinerë me xhaketa, sillnin një kazan ku brënda notonin ca copa preshi dhe tek-tuk dukej ndonjë kokërr orizi në atë ujë të turbullt që e quanin supë. I burgosuri ordiner na hidhte supën në kasat e aluminit. Të burgosurit nuk e vinin re cilësinë e kësaj supe, por sasinë! Të gjithë ndjenin një zbrazëti në stomak. Kjo supë aq e ndyrë, dukej aq e shijshme?!

Unë e kisha marrë racionin tim në burgun spital për 24 orë. 300gram bukë, me pak marmalatë, të cilën e hëngra një herë dhe tani duhet të prisja ditën tjetër. Të gjithë e hëngrëm atë supë, por i burgosuri që rrinte kokë e këmbë i mbuluar në krah tim, nuk lëvizi, megjithëse u bë zhurmë e madhe brënda në kaush?!

“Vallë kush është ky i mjerë”, m’u shtua kurioziteti për këtë të burgosur që ishte më misteriozi këtu brënda! Aty nga ora 14.00 polici dha urdhër që të dilnim në ajrim ose (pajtos) siç i thonin të burgosurit. Dolëm jashtë në oborrin e burgut ku kishte filluar që të bënte vapë, megjithëse ishte muaji prill.

Pemët e mbushura gjithë blerim, qielli ishte i kaltër dhe dielli shkëlqente me gjithë zjarrin e tij. Për ne kjo dritë ishte verbuese, pasi ishim mësuar me errësirën e burgut. U ulëm në hije, anës murit të oborrit dhe vështronim peizashin karakteristik të malit të Dajtit, në pikën më të lartë të tij ku shquhej një antenë e hekurt e Televizionit.

Sadik Bala, i dënuari nga Tropoja që refuzonte ushqimin!

Nuk e kuptova sesa shpejt kaloi ajo orë dhe polici dha urdhër që të hynim brënda. Nga drita përsëri në errësirë, gjë e papëlqyer për sytë! Shoku që kisha në krah, lëvizi! Ai u shtriq dhe zbuloi fytyrën që unë nuk ja kisha parë deri në këtë moment. Një fytyrë, që më të mjerë, s’kisha parë kurrë në jetë! Dy faqe të rrufisura deri në zgavrën e gojës, dy sytë të futur thellë në zgavrën e tyre, flisnin për një vuajtje të madhe! Me njëqind mundime, u ngrit më në fund, hodhi vështrimin rreth e rrotull dhe si më afër, m’u drejtua mua.

-“Sa është ora bre burrë”?

-“Afërsisht 3.00, xhaxha”, i’u përgjigja unë. Ky i burgosur ishte i thyer në moshë mesa pashë dhe i kishte kalaur të 70 vjetët.

-“Si ndjehesh, a mbahesh ndonjë çik”, e pyeta, për t’i hapur rrugë muhabetit.

-“Ah mos më pyet fare sesi jam, më keq s’ka ku shkon bre mik”, mu përgjigj ai.

-“Po përse nuk u ngrite të haje drekën”, e pyeta!

-“Jo bre s’ka ç’më duhet më ushqimi, s’dua më të rroj kështu siç jam katandis, por Zoti s’don me më marr”, tha plaku dhe një psherëtimë doli nga thellësia e kraharorit skelet.

Më dhëmbi dhe i’u afrova pranë këtij njeriu që kishte nevojë për ndihmë.

-“Sot ke ardhë”, më pyeti?

-“Po”, i’u përgjigja.

-“Si të quajnë bre mik”, pyeti përsëri.

-“Kasëm Hoxha”, i thashë emrin dhe mbiemrin.

-“A me gjithë mend Hoxha”, pyeti i habitur njeriu fantazëm?!

-“Hoxha”, i’a ktheva, s’kam pse të të gënjej!

-“Po prej ç’krahine je ti”, vazhdonte të më pyeste.

-“Prej Sarande”, i’u përgjigja unë.

-“Më fal bre mik, mendova se je i afërt me Enver Hoxhën”, tha plaku duke bërë shaka, për të larguar mërzitjen që dukej në çdo rrudhë. Vuri buzën në gaz, dhe me dorën e tij skelet më rrahu shpatullat.

-“Po juve si ju quajnë”, e pyeta unë.

-“Sadik Bala’, m’a ktheu, dhe pa më lënë kohë që ta pyesja prap vazhdoi: ‘jam prej Tropoje dhe më kan dënue bre Bac 25 vjet, pa bërë kurrfarë gjaje. Më kanë akuzue sikur kam strehue diversantë. Unë bre Bac, kam qenë antar i Partisë, dhe Kryetar i Këshillit në fshat. Veproja siç me thoshin ata të Partisë, dhe të Sigurimit. Por më vonë or Bac nuk e kuptoj ç’djall lot në kët mes. Kam 10 vjet që dergjem nëpër burgje dhe jam katandisur si mos më keq, jam paralizu. I lutem Zotit të më marrë një sahat e më shpejt, po nuk më ndigjon. Më mban këtu që të vuaj e të heq”.

Bac Sadiku, pasi tha të gjitha këto pothuaj pa marrë frymë, u mundua të hapte gojën, e pasi lagu gërmazin e tharë, u mundua që të luante këmbët e pa jetë, të mbuluara me batanijen e palarë kurrë. I tërhoqi ato me vështirësi me forcën e krahëve që kishin pak jetë. E mbështeti kurrizin pas murit dhe kokës së tij të thinjur, i vuri dorën që të mos ishte në kontakt me murin e betontë.

E hodhi vështrimin e tij tej ‘Kaushit’. Një vështrim që kërkonte diçka. ‘Kaushi’ gumëzhonte nga zhurma dhe të burgosurit bisedonin me zë të lartë me njëri tjetrin. Kolliteshin aq fort, sa që mund t’i dilnin zorrët nga barku! Dikush villte, tjetri rënkonte nga dhimbjet, ndërsa ata që kishin duhan, pinin aq shumë, saqë tymi varej si mjegull nga tavani! Bishtat e cigareve që hidhnin në dysheme, digjnin vazhdimisht nikotinë. Në xhep kisha tre katër karamele që më kishin mbetur nga takimi që pata me motrën Bardhë, dy javë më parë në burgun spital. Një e mbajta për vete, ndërsa tre të tjerat, i’a dhashë Bac Sadikut, që të ëmbëlsonte gojën e tij të helmuar.

-“T’u rritë ndera bre mik, po pse si mban, haji vetë. Zëre sikur i hëngra unë, mos ma merr për keq, mos pandeh se nuk i pranoj. Unë këtë e quaj sikur më ke falë jetën tënde. Por un bre Bacë dua të vdes. Më është mërzitur jeta, saqë shpirti im nuk ka asnjë shpresë. Ti mos bjer në pesimizmin tim, unë jam plak dhe jam me sëmundje të rëndë. Kurse ti je djalë i ri, e ndoshta ke fat më pas”, përfundoi Bac Sadiku.

-“Merri Bac Sadiku, se këto dy karamele nuk na shpëtojnë as mua e as ty”, i’u luta përsëri. Ai më shikonte me keqardhje dhe sytë e futur thellë në zgavër, shpërthenin si kandil që i është sosur vaji. Baca i mori karramelet, e hapi njërën dhe me dorën që i dridhej, e futi në gojë. Vura re se në gojë nuk kishte asnjë dhëmb të aftë për të përtypur atë gjë të fortë. Ai filloi ta kalojë atë nga njëra anë e gjuhës në tjetrën, për ta përtypur.

-“Sa të kanë dënuar or mik”, më pyeti.

– “10 vjet Bac Sadiku”, i’u përgjigja.

-“Mos u mërzit bre Kasëm, të shkuara qofshin”, më ngushëlloi Sadiku.

-“Po në cilin burg je”, më pyeti përsëri Baca?

-“Në Spaç, në Burgun nr. 303”

-“Aaa…, për njimen në Spaç – a…”, pyeti i habitur Baca.

-“Po në Spaç”.

-“A i njeh Xhemal Nezën dhe vëllezërit Allçi”?

-“I njoh bre Bacë por Ademin dhe Elezin i kanë hequr nga aty dhe i kanë çuar në burgun e Burrelit”, i thashë.

-“Po Hasan Malen, e njeh”?

-“E njoh, bëri 10 vjet dhe pak muaj më parë u lirua”, i thashë.

-“Po a ke qenë aty kur u bë kryengritja”, më pyeti Baca.

– “Jo bre Bac, unë shkova pas disa muajsh, dhe vuajmë akoma torturat dhe regjimin e ashpër. Me gjithëse kanë kaluar 6 vjet, akoma i kemi mishrat e nxirë prej kërbaçit të policisë”.

-“Eh sa qejf kam të më tregosh, u’a lumsha e bënë bash si burrat”, tha baca.

-“E bënë si burrat bre Bac, por shumë shokë të mirë i pushkatuan dhe shumë shokë të tjerë, po vdesin në qelitë e Burrelit. Ti nuk e din, por në shkurt të këtij viti, arrestuan 100 shokë të Spaçit, të cilët do i dënojnë përsëri, dhe rrezik i pushkatojnë prapë, por ata janë njerëz të pafajshëm, të akuzuar gjoja për terrorizëm! Si udhëheqës të tyre, akuzojnë Xhelal Koprenckën, Irfan Vrionin, Vangjel Lezhon dhe Fadil Kokomanin, etj”.

-“Me të vërtetë”, pyeti i habitur Baca.

-“Po bre Bac, i sheh gjithë këta të burgosur këtu të Spaçit, me M.D., e në krye G.X.”?

-“Po bre i shoh, por nuk e dij pse janë këtu”!

-“Ata i kanë sjellë për dëshmitarë, sepse lart në katin e dytë, zhvillohet gjyqi i tyre”, i thashë unë me zë të ulët.

-“Sa të poshtër, u dalin dëshmitarë me rrena shokëve të tyne”, shau Bac Sadiku.

-“Jo bre Bacë, këta nuk kanë faj, faji i tyre është se janë njerëz pa karakter dhe frikacakë. Faji është i regjimit të Enverit dhe i atyre që i shërbejnë. Ata kanë 40 vjet që e mbyten Shqipërinë në gjak, e që vrasin e presin për t’i mbajtur të nënshtruar”.

-“E di bre Kasëm e di”, tha ai dhe e hodhi vështrimin rreth e rrotull, që të mos na ndigjonte njeri për bisedën që po bënim. Bac Sadikun, nuk e mbante vëndi, atij dukej se i mungonte diçka.

-“Mos ke nevojë për ndihmë Bac Sadik, mos do të t’sjell enën për të urinuar”?

-“Jo bre, do mundohem të lëviz pak”, mu përgjigj.

Unë u shtriva me batanijen time dhe po vija re lëvizjet e Bacës, që hiqej zvarrë mbi krevat, për të lëshuar këmbët e mpira në dyshemenë të betontë.

Kati i parë i krevatëve, ishte rreth 30 cm. lart nga dyshemeja, 1.20 cm., kati i dytë i krevatëve, dhe rreth 2 m. kati i tretë i krevatëve. Me një mijë përpjekje, Baca i lëshoi këmbët e mpira mbi çimento. Sa u gëzua kur pamë se ishte akoma i fortë dhe mund të qëndronte vetëm. Me të dyja duart, u mbajt pas dyrekut vertikal dhe bëri shumë përpjekje për t’u ngritur në këmbë. Me focën e krahëve, ai u ngrit dhe dridhej i tëri, pasi këmbët e paralizuara nuk mund t’i kontrollonte dot!

Qëndronte më këmbë i mbështetur pas dyrekut dhe vështrimin e përqëndroi mbi dyshemenë e betontë. Me siguri diçka kërkonte, në dyshemenë e betontë nuk kishte asgjë veç bishtave të cigaresë.

E morra me mënd se Bacës, i kishte shkuar mëndja për duhan. Ai e pati të vështirë të më thosh mua që të lypja një cigare tek të burgosurit e panjohur. Baca, si u ambjentua ca ashtu në këmbë, u mundua të shkëputej nga direku ku mbështetej, duke provuar se mos vallë qëndronte mbi këmbët e tij…?! Mbasi bëri pak përpjekje, ja arriti qëllimit dhe e mbajti mirë ekuilibrin, megjithse dridhej i tëri. Ai bëri dy hapa, me frikë si një foshnje që sapo ka filluar të hedhë hapat e para! Baca, i kapur pas murit fort, u kthye me fytyrë nga krevatët ku dergjeshin të burgosurit.

-“Dukesh më mirë sot, u ngritë ne këmëbë Bacë…”, u tall M… M…, një spiun i ndyrë që kishte ardhur nga Spaçi, për t’u dalë dëshmitarë shokëve të tij.

“Jo bre, nga halli u ngrita”, i’u përgjigj Baca i mbështetur me kurriz pas murit.

-“Jo…je më mirë sot”, ndërhyri M.D., që edhe ky njeri i poshtër kishte ardhur për punë të tilla. “Dukesh më i çelur”, vazhdoi ta tallte ai!

-“Jo bre M., nuk ka shërim më për mua! Por të faleminderit për fjalët e mira dhe kurajon që më jep”, i’a ktheu Baca, që e kishte kuptuar “sarkazmën” e fjalëve të M.D.

Një cigare që nuk u gjet dot për Sadik Balën!

-“A mos ke një cigare bre burrë, se si ndjej një boshllik në shpirt dhe më ka shkue mëndja keq për të. S’kam oreks, as me ngrënë dhe as për me pi, vetëm për atë helm”, i’u lut Baca, M.D. që po pinte një cigare të dredhur.

Baca ishte i bindur se ky kishte duhan. M.D., bëri sikur kërkoi nëpër xhepa dhe nxorri një qese plasmasi të boshatisur, ku në fund kishin mbetur disa thërrime duhani!

-“Pasha zotin Bacë, ja ky ishte cigari i fundit”, u betua M.D., duke i treguar qesen e zbrazur. Baca i humbi shpresat, pasi e pa që ishte e kotë që t’i lypte më tjetër kujt. Ai vuri re se pranë këmbëve të tija, digjej akoma një bisht cigare dhe me njëmijë përpjekje, u ul e morri bishtin e cigares e pasi e shoi, e futi në grushtin e tij. Bëri dy hapa më tej me shumë vështirtësi dhe duke i’u qasur një bishti tjetër, e morri dhe atë e i bëri dy. Hodhi dhe dy hapa të tjerë, duke u mbështetur pas murit, për të marrë një bisht të tretë! Por nuk ja arriti dot qëllimit, pasi e humbi ekuilibrin dhe u rrëzua duke përplasur kokën në korthën e krevatëve.

U ngrita menjëherë dhe e morra Bacën në dorë. Ai ishte katandisur një grusht kockash dhe e shtriva mbi batanijen e tij. Ata që e panë Bacën të rrëzuar, qeshnin!

“Ehh bre Kasëm, e megjithse e shoh se po vdes, pata lakmi për një cigare, pasi e kam pirë duhanin 35 vjet, por në burg mbeta keq, sepse djemtë, nuk më dërgojnë asnjë farë ndihme! Tremben se mos i fusin në burg dhe për këtë arsye më kanë braktisur të gjithë”, m’u ankua Baca duke fshirë me dorën e tij gjakun që i rridhte mbi ballë.

Pa humbur kohë, grisa një copë nga këmisha ime dhe i lidha plagën e hapur, ai më falenderoi si gjithnjë, duke më dhënë njëmijë urata.

-“T’u rrit ndera, bre Kasëm”, vazhdoi Baca.

-“Me nder qofsh more Bacë”, i’a ktheva dhe u ngrita e mblodha nja pesë gjashtë bishta cigaresh dhe drodha me letra gazete një cigare të madhe për Bacën, e ja futa në gojë duke i’a ndezur me një tjetër bisht cigare të pa fikur.

Baca nga gëzimi, s’dinte si t’a shprehte mirënjohjen për atë që i bëra! Ai tymoste e tymoste dhe herë pas here kollitej, sepse letra e gazetës me nikotinën e përqëndruar në bishtat e cigareve, ishte e madhe./Memorie.al


Send this to a friend