Komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta ka pritur sot në një takim presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it.
Miglietta dhe presidentja Kitaroviç diskutuan rreth situatës së përgjithshme në Kosovë dhe zhvillimeve të fundit mbi sigurinë në rajon, transmeton kp.
“Ata u pajtuan për rëndësinë e rolit të KFOR-it që vepron në mënyrë të paanshme si reagues i tretë i sigurisë për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it.
Sipas komunikatës takimi gjithashtu ishte një mundësi për gjeneralin Miglietta që të theksojë profesionalizmin e lartë të ushtarëve kroatë në përmbushjen e mandatit të KFOR-it.
Aktualisht,ushtarët e Forcave të armatosura kroate zbarkohen kryesisht në Kampin “Bondsteel” në njësitin e helikopterëve. Ushtarët e tjerë kroatë janë pjesë të Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City”.
Gjithashtu, Kitaroviç ka konfirmuar që “Kroacia është plotësisht e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit në Evropën jug-lindore dhe do të vazhdojë të kontribuojë në KFOR për një Kosovë demokratike dhe paqësore”.
Bllokadat dhe protestat e studentëve në Serbi, të cilat shpërthyen pas tragjedisë në Novi Sad më 1 nëntor 2024, do të vazhdojnë sot me mitingun kryesor në qendër të Kragujevcit.
Protestuesit planifikuan të bllokonin një nga bulevardet kryesore të qytetit për 15 orë e 15 minuta, në një nderim simbolik për viktimat.
Studentët, të ardhur nga qytete të ndryshme të Serbisë, mbërritën natën e kaluar në Kragujevc, ku u pritën nga një numër i madh qytetarësh.
Sipas planit të publikuar nga studentët e Universitetit të Kragujevcit, të cilët i janë bashkuar protestave, mitingu do të mbahet në Bulevardin Lepeniçki. Rregullat e protestës, të shpallura nga studentët në Instagram, theksojnë se askush nuk do të lejohet të shkaktojë incidente. Përdorimi i mjeteve piroteknike dhe ndezja e zjarreve do të jenë të ndaluara, ndërsa do të lejohet kalimi vetëm i shërbimeve emergjente.
Tragjedia e shembjes së çatisë së hekurudhës në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona dhe disa të plagosur, ka shtyrë studentët serbë të nisin protestat, të cilat janë përhapur në të gjithë Serbinë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon përgjegjësi dhe drejtësi.bw
Protestuesit gjatë një proteste në Beograd më 11 shkurt, 2025/AP
VOA Marrë nga Reuters
Studentja e biologjisë Marija Petroviç thotë se, kur ajo dhe kolegët e saj, filluan të protestojnë kundër qeverisë së Serbisë pas rrëzimit të çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad, që shkaktoi vdekjen e 15 personave në nëntor, ata nuk e kishin menduar se do të fitonin kaq shumë përkrahje nga publiku për një kauzë, e cila që atëherë ka nxitur mijëra protestues të mbushnin rregullisht rrugët e këtij vendi.
Pas tragjedisë kishte pak shenja se protestuesit, që po fajësonin qeverinë për korrupsion dhe nepotizëm, do të siguronin përkrahje më të gjerë.
“Nuk e menduam që do të kishim kaq shumë përkrahje, por njerëzit filluan të na bashkohen, mësuam si të organizohemi në fakultetet tona dhe në rrugë. Momentet e para ishin shumë më ndryshe nga ajo që po përjetojmë tani, ngaqë nuk besonim se kaq shumë njerëz do të na bashkoheshin. Por, tani në rrugë po shohim që ajo që po bëjmë është shumë e rëndësishme, që njerëzit po pajtohen me ne dhe mendojnë se ajo që po bëjmë është gjëja e duhur”, thotë studentja Marija Petroviç.
Tre muaj më vonë, demonstratat janë rritur duke u shndërruar në lëvizjen më të madhe protestuese në Serbi ndër vite. Studentëve, të cilët janë shumë të organizuar, iu bashkuan dhjetëra mijëra mësimdhënës, avokatë dhe punonjës të tjerë, duke bllokuar autostrada e sheshe, shkaktuar krizë kështu një krizë politike.
“I lamë mënjanë ideologjitë personale për shkak se kjo që po bëjmë këtu, është shumë më e rëndësishme. Po përpiqemi t’i bëjmë institucionet funksionale. Vendi po digjet aktualisht, nuk mund të mendojmë për orenditë, kur po përpiqemi të ndalim zjarrin. Nuk kemi as vullnetin e as kapacitetin të mendojmë në atë mënyrë. Kjo më ka bërë më tolerante ndaj botëkuptimeve të të tjerëve, përderisa po luftojnë për të njëjtin qëllim”, thotë zonja Petroviç.
Qeveria e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç mohon përgjegjësinë për tragjedinë si dhe për akuzat më të gjera rreth blerjes së votuesve, kufizimit të lirisë së mediave, dhunën ndaj kundërshtarëve dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Por Kryeministri i Serbisë Milosh Vuçeviç dhe ministrat e ndërtimit dhe tregtisë kanë dhënë dorëheqjen. Kjo nuk i ka qetësuar protestuesit të cilët thonë se po protestojnë kundër një regjim autokratik.
Studentët protestojnë çdo ditë, duke ngjyrosur duart me bojë të kuqe si metaforë për, siç thonë ata, duart e përgjakura të qeverisë. Studentët flenë në ndërtesat universitare dhe po ushqehen me donacione. Mësimi është ndërprerë.
“Gjatë dy muajve të fundit po jetojmë së bashku në fakultetet tona, po hamë bukë bashkë, po bëjmë gjumë bashkë, po i kalojmë ditët bashkë. Përvoja ime nuk është më e veçantë apo më e rëndësishme se ajo e moshatarëve të mi. Ne vetëm jemi zëri përmes të cilit të gjithë moshatarët dhe kolegët tonë flasin. Ne veprojmë si komunitet, nuk kemi drejtues, as individë. Ne besojmë se komuniteti, pjesë e të cilit jemi, është shumë më i mençur dhe më i zgjuar se një individ i vetëm”, thotë studentja Petroviç.
Mesazhi i protestave – që qeveria t’i kryejë detyrat e saj me ndershmëri dhe se demonstratat nuk do të ndalen, deri sa kjo kërkesë të realizohet – po kontrollohet me rreptësi.
Zonja Petroviç thotë se protestuesit janë përballur me kërcënime dhe sulme fizike, por ato e kanë përforcuar më shumë vendosmërinë e tyre. Kërkesat e tyre përfshijnë publikimin e dokumenteve që lidhen me rrëzimin e çatisë së stacionit, vënien para drejtësisë së përgjegjësve, pushimin e akuzave ndaj studentëve protestues dhe një buxhet më të lartë për shkollimin e lartë. Presidenti Vuçiç thotë se ai i ka përmbushur këto kërkesa.
Studentët nuk kanë bërë thirrje për rrëzimin e Presidentit serb Vuçiç. Por këmbëngulja e tyre, ka shkaktuar një prej kërcënimeve më të mëdha ndaj pushtetit të gjatë të presidentit, thonë analistët politikë.
Protesta e radhës pritet të mbahet të shtunën në Kragujevc, një tubim që pritet të jetë më i madhi deri tani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Lista Serbe e ka shënuar një “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë” në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, duke treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t’u mbështetur te Serbia e tyre”.
“Ata [serbët në Kosovë] kanë një president të tyre, një atdhe të tyre dhe atë atdhe, Serbinë, e duan më shumë se çdo gjë në botë. Jam pafundësisht mirënjohës ndaj tyre dhe ata kanë treguar se si një popull sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe serioze në një situatë të vështirë”, tha Vuçiq gjatë një interviste për televizionin Pink.
Vuçiq tha se “nuk dëshiron” të spekulojë apo “të ndërhyjë në marrëdhëniet ndërshqiptare”, por se kushdo që do ta formonte një qeveri me Albin Kurtin “do të ishte i vdekur politikisht”.
Me 99 për qind të votave të numëruara nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila gëzon mbështetje absolute nga Beogradi zyrtar – siguroi 36.784 vota, ose 4.43 për qind.
Ndërsa, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit i mori rreth 3.861 vota, ose 0.46 për qind.
Vuçiq shtoi se Lista Serbe “me gjithë dobësitë, mangësitë dhe gabimet e saj, ka arritur të fitojë besimin më të madh të serbëve” në Kosovë.
Por, sipas rezultateve aktuale, Lista Serbe e humbi mbështetjen e gati 15 mijë personave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Rashiq, në anën tjetër, e rriti mbështetjen për rreth 2.000 vota.
Subjektet tjera politike nga komuniteti serb, që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk do të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.
Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit mori rreth 1.700 vota, Lëvizja Popullore Serbe e Branimir Stojanoviqit mori rreth 1.405 vota, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore mori rreth 597 vota dhe Partia e Serbëve të Kosovës mori 348 vota.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë, por Misioni Monitorues i BE-së ka vënë në dukje “monopolin dhe presionet” nga zyrtarët e saj.
Në dy vjetët e fundit, kjo parti ka ndjekur një “politikë bojkotimi”, në përputhje me vendimin e saj për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës në veri.
Nuk është ende e qartë nëse, në periudhën e ardhshme, ajo do të marrë pjesë aktive në institucionet e Kosovës, apo do të vazhdojë me bojkotim.
Lideri serb Aleksandër Vuçiç duket se nuk i ka punët mirë. Protesta e studentëve që erdhi për arsye të aksidentit të Novi Sad ku 15 persona humbën jetën. Kjo situatë nuk po tregon shenja zbutjeje por përkundrazi po merr një shkallë më të gjerë, ku protestat po përhapen edhe në qytete të tjera në Serbi.
Vuçiç duket se është i tradhtuar nga instikti i tij politik pasi nuk i ka lexuar mirë këto protesta.
Ai sakrifikoi kryeministrin Millosh Vuçevic dhe synoi që t’ia kalonte të gjithë përgjegjësinë për tragjedinë e Novi Sad me synimin që të zbuste protestat. Por ai nuk e kuptoi se shkaku i vërtetë i protestave ishte absolutizimi, që ai ka përdorur për ushtrimin e pushtetit në 13 vite. Syri.net- Kathimerini.
Karikatura e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me mesazhin “Ti nuk je në krye”, shihet në protestën e studentëve më 1 shkurt 2025.
Iva Martinoviq
Rënia e Qeverisë së Serbisë nën presionin e protestave – përmasat e të cilave Serbia nuk i ka parë që nga koha e regjimit të Sllobodan Millosheviqit – mund të jetë humbja e parë politike për presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, prej se ka marrë pushtetin në vitin 2012.
Protestat udhëhiqen nga studentët. Ata nuk kërkojnë ndryshimin e Qeverisë, por përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në qendër të protestave janë dyshimet se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga neglizhenca dhe korrupsioni i përhapur.
Ato janë bërë tashmë simbol i pakënaqësisë më të madhe me sundimin e ligjit në Serbi.
“Kjo nuk është vetëm kriza më e rëndë politike e pushtetit, por edhe një krizë e thellë sociale. Studentët nuk kërkojnë ndërrimin e Qeverisë, por korrigjimin e sistemit. Dhe, Vuçiq nuk është në gjendje ta gjejë çelësin e bravës që kanë vendosur”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
Kur Vuçiq i fton në bisedime, studentët thonë se ai nuk është kompetent.
Kërkesave të tyre u janë bashkuar edhe profesorë universitetesh, pedagogë, juristë e fermerë.
Disa mësimdhënës kanë pezulluar mësimet në shkolla, Oda e Avokatëve e Serbisë ka hyrë në grevë njëmujore, fermerët janë duke “ruajtur” me traktorë bllokadat që studentët u kanë bërë mbi 60 fakulteteve…
Studentëve u janë bashkuar edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë në protesta, përfshirë gjimnazistë, punonjës të shëndetësisë, inxhinierë, aktorë, muzikantë dhe personalitete të shumta publike.
Ndryshime në raportimin e transmetuesit publik
Radio-Televizioni i Serbisë (RTS), i cili i ka injoruar kryesisht protestat, ka hapur programin e lajmeve fundjavën e kaluar me protestat në Novi Sad.
Raportimi i transmetuesit publik, i cili është nën kontroll të rreptë të pushtetit, është përcjellë me pamje me dronë, të cilat kanë treguar dhjetëra mijëra njerëz duke protestuar dhe duke bllokuar tri ura mbi lumin Danub.
*Pamje nga protesta e gjatë natës mes 27 dhe 28 janarit që bllokoi për 24 orë njërën prej rrugëve më të rëndësishme kryqëzuese në Beograd.
Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit ka reaguar me një deklaratë, ku ka akuzuar RTS-në për “shpërdorim të rëndë të profesionit të gazetarit” dhe për “anim nga politikanët që duan ta shkatërrojnë rendin kushtetues të Serbisë”.
Partia në pushtet ka thënë, gjithashtu, se do të kërkojë reagim nga institucionet që janë përgjegjëse për mbikëqyrjen financiare dhe programore të RTS-së.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë e kritikon RTS-në, por transmetuesi publik, deri tani, ka ndjekur narrativin e autoriteteve, që protestuesit i quajnë “mercenarë të huaj”, “tradhtarë” ose “kukulla të opozitës”.
“Qartazi, RTS-ja ka reaguar ndaj presionit të studentëve dhe publikut të gjerë dhe ndoshta kjo është pasojë e një atmosfere tjetër në të gjithë shoqërinë. Përgjigjja e autoriteteve ishte e tillë që RTS-ja të mos shkonte më larg. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në disa protesta të mëparshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Burazer nga Qendra joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Serbi.
Kërkesat për ndryshim të udhëheqjes
Pas disa protestave masive para ndërtesës së RTS-së, për shkak të mënyrës së raportimit, atyre u janë bashkuar edhe disa punonjës të transmetuesit publik, duke kërkuar ndryshimin e udhëheqjes.
Protesta me kërkesa të ngjashme janë duke organizuar edhe disa punonjës të Radio-Televizionit të Vojvodinës (RTV).
“Në programin e parë të televizionit nuk kemi mundur t’i dëgjojmë studentët, kërkesat e tyre, qytetarët, rrëfimet analitike…”, tha për Radion Evropa e Lirë Tamara Srijemac, gazetare në Radion Novi Sad, e cila vepron në kuadër të RTV-së.
Më 3 shkurt, derisa transmetohej edicioni qendror i lajmeve, disa punonjës të RTV-së organizuan një performancë jashtë ndërtesës, duke lexuar “ditarin e lirë”.
“Kemi dashur të tregojmë se disa punonjës distancohen nga politikat e tilla editoriale”, tha Srijemac.
Drejtuesit e RTS-së dhe të RTV-së nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë temë.
Një skenar i ngjashëm i ka përcjellë edhe protestat e viteve 1990, kur transmetuesi publik i Serbisë ka qenë në shërbim të propagandës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Në prag të rënies së tij, që ka pasuar luftën në Kosovë dhe ndërhyrjen e NATO-s, presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq, ka qenë ministër i Informacionit.
Vuçiq ka zbatuar një ligj famëkeq që është përdorur nga pushteti i atëhershëm për të goditur mediat e pavarura dhe gazetarët.
Ai ka vënë kontroll mbi mediat edhe pasi është kthyer në pushtet në vitin 2012.
Komisioni Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare e përmendin këtë gjë në të gjitha raportet e përvitshme për Serbinë.
Mossukses në diskreditimin e protestave
Përveç transmetuesve publikë, pushteti në Serbi kontrollon edhe stacionet televizive private me mbulim kombëtar.
Tabloidët proqeveritarë janë, gjithashtu, një armë e fuqishme mediatike në përpjekjet për diskreditimin e protestave aktuale dhe të mëparshme.
“… por, pushteti, deri më tani, ka dështuar t’i arrijë efektet që mund t’i kishte arritur më herët. Vuçiq, shumë më lehtë, ka mundur t’i diskreditojë liderët e opozitës ose disa liderë të tjerë të protestave. Tani nuk mund ta bëjë”, thotë Burazer.
Gjatë fjalimeve të tij, Vuçiq i përshkruan protestat si “përpjekje nga jashtë dhe nga brenda për të përmbysur shtetin”.
“Regjimi i Vuçiqit korrespondon me atë që disa autorë e quajnë ‘spin diktaturë’, e cila, ndryshe nga diktatura e frikës, nuk bazohet në dhunë, arrestime masive, mbyllje mediash, por në manipulimin e opinionit publik, përdorimin e presionit ekonomik etj.”, thotë Burazer.
Edhe pse protestat kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit serb – njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Vuçiqit – ky i fundit nuk është duke sinjalizuar ndonjë tërheqje të mundshme.
Partia e tij dhe aleatët e saj kanë shumicë bindëse në Kuvendin e Serbisë.
Ai është i bindur, sikurse edhe më herët, se mund të sigurojë sërish fitore në zgjedhje.
“Dorëheqja [e kryeministrit] është pjesë e një strategjie të llogaritur për ta zhvendosur gjithë këtë krizë në planin politik dhe, nëse është e mundur, për të dalë nga kjo krizë përmes zgjedhjeve. Studentët i kanë vazhduar protestat e tyre pavarësisht dorëheqjes. Ndaj, aktualisht, duket se kjo manovër nuk ka funksionuar”, vlerëson Burazer.
Opozita i refuzon zgjedhjet, për shkak të, siç thotë, kushteve të pabarabarta, të cilat i ka vënë në dukje edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Sipas tyre, bëhet fjalë për presion ndaj votuesve, blerje të votave, raportim të njëanshëm të mediave në favor të pushtetit dhe keqpërdorim të burimeve publike.
Si reagon bashkësia ndërkombëtare?
Edhe pse i akuzon “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje, Vuçiq nuk është duke u përballur me ndonjë reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare për ngjarjet në Serbi.
Bashkimi Evropian nuk ka sqaruar ende nëse i mbështet kërkesat e protestuesve.
Më 4 shkurt, Zyra e Vuçiqit ka njoftuar se ai ka folur në telefon me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në deklaratë nuk janë përmendur protestat, por është thënë se është biseduar për “rrugën evropiane dhe proceset reformuese që po i zbaton Serbia”.
Pamje nga protesta e 1 shkurtit në Novi Sad.
Nga Brukseli, deri më tani, nuk ka pasur ndonjë deklaratë për detajet e bisedimeve.
Shkak për heshtjen e Bashkimit Evropian, sipas analistit të politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, është pritja që presidenti serb ta zgjidhë çështjen e marrëdhënieve me Kosovën.
“Por, nëse një politikë e tillë e tolerancës vazhdon, Bashkimi Evropian do të jetë i vetmi fajtor për rënien e popullaritetit të idesë dhe vlerave të BE-së në publikun serb”, thekson Jakshiq.
Rusia, në anën tjetër, i ka dhënë mbështetje të plotë Vuçiqit, duke i miratuar edhe mesazhet e tij se Serbia është viktimë e një komploti perëndimor dhe se shërbimet e huaja të inteligjencës janë duke i financuar protestat.
Reagimi i parë nga administrata e re amerikane ka ardhur nga i dërguari i presidentit Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, të cilit Vuçiq i ka dhënë medalje në vitin 2023 për “merita të shquara në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore”.
Grenell ka shpërndarë një video të protestave të studentëve në rrjetin X më 26 janar dhe ka shkruar, mes tjerash, se “nuk ka mbështetje për ata që minojnë shtetin ligjor dhe pushtojnë me forcë institucionet shtetërore”.
Në protestat masive të organizuara nga studentët në Serbi nuk ka pasur incidente apo dhunë. Për sigurinë, në vend të policisë, kujdesen rojet studentore.
Mediat botërore, si The New York Times, i përshkruajnë ato si “shpërthimi më i madh i pakënaqësisë që nga demonstratat kundër regjimit të Millosheviqit në vitet 1990”.
Santorini dhe ishujt përreth janë goditur nga një seri tërmetesh, duke detyruar autoritetet greke të marrin masa emergjente, përfshirë mbylljen e shkollave.
Rreth 555 tërmete nënujore janë regjistruar në zonë gjatë tre ditëve të fundit, duke alarmuar banorët dhe turistët në ishujt e njohur të Detit Egje.
“Këto masa janë paraprake dhe autoritetet do të mbeten vigjilente,” deklaroi Ministri i Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, pas një takimi urgjent të qeverisë në Athinë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin rreptësisht rekomandimet e sigurisë për të minimizuar rrezikun.
Paniku rritet, turistët largohen nga ishulli
Mijëra banorë, punëtorë sezonalë dhe turistë janë larguar nga Ishujt Cikladikë, pasi tërmete me magnitudë deri në 5 ballë kanë goditur zonën që nga e premtja. Operatorët e trageteve dhe fluturimeve kanë shtuar shërbime për të akomoduar nisjet masive.
Zyrtarët qeveritarë dhe shkencëtarët janë mbledhur për të analizuar situatën, ndërsa shkollat u mbyllën në Santorini, Amorgos, Anafi dhe Ios.
Masa të reja sigurie për turistët dhe hotelet
Banorët dhe vizitorët janë këshilluar të shmangin grumbullimet e mëdha të brendshme, ndërtesat e vjetra dhe zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e shkëmbinjve.
Hotelet janë udhëzuar të thajnë pishinat, pasi lëkundjet mund të shkaktojnë përmbysjen e ujit dhe të dëmtojnë strukturat përreth.
Ministria Greke e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar njerëzit që të shmangin portet e Amudi, Armeni, Korfos dhe Portin e Vjetër të Firës për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të dheut.
Ekspertët paralajmërojnë: Rreziku mbetet i lartë
Sizmologu i njohur Gerasimos Papadopoulos ka deklaruar se situata po përshkallëzohet dhe një tërmet më i madh mbetet një mundësi reale.
“Të gjithë skenarët mbeten të hapur,” tha ai, duke theksuar se numri dhe magnituda e tërmeteve po rriten, ndërsa epiqendrat janë zhvendosur më në verilindje.
Megjithatë, Kryebashkiaku i Santorinit, Nikos Zorzos, u përpoq të qetësonte qytetarët, duke theksuar se masat janë parandaluese dhe nuk ka arsye për panik të menjëhershëm.
Santorini, një nga destinacionet më të njohura turistike në botë, përballet me sfida të mëdha për shkak të peizazhit të tij vullkanik dhe shkëmbinjve të thepisur, të cilët rrisin rrezikun në rast të një tërmeti të madh.
Autoritetet do të vazhdojnë të monitorojnë situatën, ndërsa banorët dhe turistët janë këshilluar të jenë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë. sn
Tërmeti i fundit i fuqishëm që ka ndodhur në orën 13:55 të së dielës pasdite në Santorini, me magnitudë 4.6 ballë të shkallës Rihter ka ngjallur frikë dhe pasiguri. Epiqendra e tërmetit është regjistruar 19 kilometra në jug jugperëndim të Arkesinit, Amorgos, ndërsa thellësia fokale është 14.1 kilometra.
Skenari më i keq që shkencëtarët po shqyrtojnë është një tërmet me magnitudë 6 ballë. Siç thekson studiuesi me përvojë, z. Vougiouklakis, aktiviteti sizmik në zonë është vullkanotektonik dhe lidhet me thyerjen aktive që shtrihet nga Amorgos në Christiana. Llogaritjet tregojnë se një tërmet nuk duhet të kalojë 6 ballë të shkallës Rihter, ku gjasat për të shkaktuar dëme të mëdha janë të kufizuara.
Një nga masat e rëndësishme të rekomanduara nga ekspertët është evakuimi i pishinave në Caldera, siç shpjegoi z. Vougiouklakis, lëvizja e ujit në rast të një tërmeti të fortë mund të shkaktojë dëmtime në struktura dhe të rrisë rrezikun e shembjes.
Masat për Qytetarët:
– të shmangin grumbullimet e mëdha brenda objekteve.
– shmangni afrimin e ndërtesave të braktisura.
– shmangni hyrjen dhe qëndrimin në portet e Ammoudi, Armeni, Korfou dhe Porti i Vjetër i Firës.
– të vijojnë me heqjen e elementeve të rrezikshëm të cenueshmërisë jo strukturore në ndërtesat e tyre dhe zbrazjen e ujit në pishina.
– të zgjedhin rrugë të sigurta gjatë lëvizjes brenda strukturës urbane dhe rrjetit rrugor krahinor, veçanërisht në vendet ku ka pjerrësi të mprehtë morfologjike dhe ka gjasa të ndodhin rrëshqitje dherash.
– Duhet të ketë evakuim të menjëhershëm nga zonat bregdetare në rast të lëkundjeve të forta sizmike.bw
Udhëheqësi i fuqishëm populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përballej ende me sfidën e tij më të madhe, ndërsa demonstratat e udhëhequra nga studentët u intensifikuan në fundjavë, në atë që quhej lëvizja më e madhe protestuese e vendit ballkanik.
Tre muaj pas ditës, pasi një tendë betoni u shemb në hyrje të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në qytetin verior, duke bllokuar tre urat e tij në përkujtim të 15 personave të vrarë në aksident. Për tragjedinë është fajësuar drejtpërdrejt qeveria, për paaftësinë dhe korrupsionin që e ka përfshirë.
“Ajo që po shohim janë protestat më të mëdha në rrugë në historinë e Serbisë,” tha Dejan Bagariç, një student i masterit, duke folur nga qyteti. “Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë, njerëzit janë me të vërtetë të animuar, sepse të gjithë janë ngopur nga korrupsioni dhe kjo qeveri është shumë e korruptuar.”
Shpërthimi i mospajtimit të së shtunës – kulmi i protestave dhe atyre që filluan në nëntor – janë përqendruar në atë që demonstruesit e kanë përshkruar, si mosgatishmëri goditëse e qeverisë për të pranuar ndonjë përgjegjësi për tragjedinë. Rindërtimi i stacionit u krye në bashkëpunim me një konsorcium shtetëror kinez, si pjesë e një projekti të madh infrastrukturor, që kritikët pretendojnë se i kushtoi pak ose aspak vëmendje rregulloreve të sigurisë.
“Nuk kishte transparencë, nuk kishte tendera publikë për kontratën dhe më pas kur ndodhi aksidenti, nuk kishte dëshirë për drejtësi,” tha Çedomir Stojkoviç, një avokat kryesor për të drejtat e njeriut, i cili paraqiti një ankesë penale që përfundimisht nxiti prokurorët të nisnin një hetim. “Në vend të kësaj, qeveria bëri atë që bën gjithmonë, ajo vazhdoi me një mbulim në shkallë të plotë. Ka shumë solidaritet, shumë ndjeshmëri për studentët, gjithnjë e më shumë njerëz po dalin në mbështetje të tyre, profesorë, fermerë, të gjithë.”
Deri në javën e kaluar tubimet anti-qeveritare ishin përhapur në më shumë se 100 qytete dhe fshatra provinciale në mbarë vendin.
Shkalla e protestave, tha Stojkoviç, kishte dëshmuar “përtej çdo dyshimi”, se demonstratat jo vetëm ishin nxitur nga neveria për korrupsionin, një sëmundje që është identifikuar me gjithçka që është e gabuar me vendin kandidat për në BE, por ishin një mënyrë që qytetarët të shprehin pakënaqësinë e tyre, me sundimin gjithnjë e më autoritar të presidentit të tyre nacionalist.
Për një brez të rritur në internet, njohuria për botën përtej Serbisë së varfër është lehtësisht e disponueshme. Gjithashtu e paprecedentë është aftësia për të organizuar me shpejtësi protesta, duke anashkaluar mediat e kontrolluara nga shteti – dhjetëra mijëra studentë grevistë morën pjesë në një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi të madh në Beograd, javën e kaluar.
Vuçiç ishte përballur me protesta të ngjashme vitin e kaluar pas akuzave për zgjedhje të manipuluara, të ndihmuara, thonë kundërshtarët, nga një peizazh mediatik që mbetet një nga më të censuruarat në Evropë. Ndryshe nga këto demonstrata, megjithatë, ishin partitë opozitare, vetë shpesh të diskredituara, ato që udhëhoqën reagimin.
“Njerëzit duan që qeveria dhe Vuçiqi të largohen më në fund,” tha Stojkoviç, i cili mori pjesë si student në protestat masive mbi 25 vjet më parë kundër Sllobodan Millosheviçit, të fortit të ndjerë jugosllav dhe ish-presidentit të Serbisë, politikat e të cilit shkaktuan zbritjen e rajonit në gjenocid gjakatar. Protestat i hapën rrugën përmbysjes së Millosheviqit, në vitin 2000.
“Këta studentë ishin fëmijë kur Vuçiq u bë president tetë vjet më parë dhe ata duan demokraci. Është duke u ngritur … ky është momenti pak para se tullumbacja të shpohet nga gjilpëra. E ka zënë [qeverinë] të pavetëdijshme.”
Të premten, ndërsa qindra studentë arritën në Novi Sad në këmbë pas një udhëtimi dyditor, 80 km nga Beogradi, Vuçiç, duke iu drejtuar protestave, i tha kombit: “Vendi ynë është nën sulm, nga jashtë dhe nga brenda”, duke i bërë jehonë pretendimeve të mëparshme, se protestuesit po punonin për fuqi të huaja të paspecifikuara për të rrëzuar qeverinë.
Partia Progresive Serbe në pushtet është përpjekur të qetësojë situatën, duke nxjerrë dokumente të klasifikuara për shembjen e stacionit hekurudhor dhe madje ka shkuar aq larg sa ka thënë se do të përmbushë të gjitha kërkesat e studentëve. Këtë javë, në atë që u pa si një fitore e parë, aleati i ngushtë i Vuçiçit, kryeministri Milos Vuçeviç, dha dorëheqjen, por pak njerëz besojnë se protestat do të shuhen.
Me papunësinë e të rinjve në nivele rekord dhe të diplomuarve të detyruar në një numër gjithnjë në rritje të shpërngulen jashtë vendit në kërkim të punës, ekziston një ndjenjë në rritje në mesin e të rinjve serbë, se ka pak për të humbur.
Për të sfiduar goditjet e qeverisë, studentët kanë shmangur qëllimisht shoqërimin me një lidership të çdo lloji, duke siguruar që vendimet të merren së bashku në seancat plenare.
“Ne nuk po zgjedhim dhunën dhe tani për tani as qeveria nuk po zgjedh dhunën”, tha Bagariç në protestat në Novi Sad.
Ndërsa protestat u rritën, Srđan Milivojević, i cili drejton Partinë Demokratike të opozitës, tha se ishte e qartë se demonstruesit e rinj të Serbisë, tani po diktonin ngjarjet.
“Është e parëndësishme se si reagon qeveria,” tha ai ndërsa po ecte përgjatë autostradës së mbytur nga makina, që lidh Beogradin me Novi Sadin. “Studentët po diktojnë tempin e protestave, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë derisa të bjerë Vuçiç”./ The Guardian. sn
“Revolucioni studentor po rrëzon nga “froni” regjimin e Aleksandar Vuçiç”. Kështu shkruan e përditshmja e Beogradit, Danas. “Dorëzohuni me gjithë zemër. Lini menjanë këtë herë cinizmin dhe pesimizmin sepse ne meritojmë të jemi një komb njerëzish të mirë dhe të drejtë”, është apeli në një artikull nga gazetarja Jasmina Lukac. Protestat në Beograd dhe Novi Sad të cilat u shndërruan në tubime masive, sollën shkarkimin e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Ndërsa presidenti Vuçiç ka premtuar se do të shkarkojë gjysmën e kabinetit qeveritar, duke pranuar një nga kërkesat e studentëve.
“Çdo revolucion ka ndërhyrje të huaja, por ky është aq shumë i yni sa gjëja që mund të bëjnë shërbimet e tjera është të regjistrojnë këtë përvojë, të vëzhgojnë dhe të presin se kush dhe çfarë do të mbizotërojë në fund”.
“Është e vërtetë, plenumi studentor i ngjan më shumë një stili sovjetik komunist, ose më mirë një këshilli punëtorësh, se sa një Parlamenti britanik. Por gjithashtu është e vërtetë se parlamentarizmi, si një shpikje fillimisht britanike, është shprehja empirike e negociimit dhe tregtimit të parave nga monarkët, zotërit dhe njerëzit. Këtu është ndryshe, fjala jonë është Kuvend, rrënja është mbledhja, grumbullimi, pikërisht gatishmëria e vazhdueshme për të qëndruar me të tjerët, për të qenë bashkë për të mbrojtur veten si njerëz të lirë dhe të barabartë”, shkruan Danas.
Danas
“Tani ne mund të shohim qartë tablonë, pa shtresa propagandistike, se pse dhe si pati sukses revolucioni partizan 80 vjet më parë. Mos u besoni atyre që gënjejnë se ne nuk jemi një popull revolucionar, duke ia atribuar atë që ndodhi atëherë një ndërthurje të pastër rrethanash dhe ngjarjesh historike jashtë kontrollit tonë. Ne, përkundrazi jemi një popull për revolucion, i kuptuar jo si teknikë për ndryshimin e sistemit politik, por si bëma jonë e përbashkët e luftës dhe e fitores mbi forcën dhe padrejtësinë.
Protestat Ne Serbi2
Prandaj, tani le t’i dorëzohemi momentit revolucionar, le të marrim pjesë në historinë tonë, por edhe në emocionin tonë kolektiv, të cilin mund ta ndajnë me ne të gjithë njerëzit e tjerë të ndjeshëm ndaj lirisë dhe drejtësisë. Siç na thotë grupi slloven Lajbach, “la ta bëjmë Serbinë sërish të madhe””, përfundon artikulli i Danas.
Serbia u përfshi nga protestat masive kundër korrupsionit, pas shembjes së çatisë së stacionit të trenit në Novi Sad ku humbën jetën 15 persona. bw
Studentët protestues në Ingjije të Serbisë më 31 janar 2025.
Radio Evropa e Lirë
Studentët serbë të nisur nga Beogradi, që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen kolegëve të tyre nga ky qytet për të bllokuar urat më 1 shkurt.
Kështu, ata do të shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad.
Studentët që po protestojnë në Serbi duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.
Pritet që studentët, të cilët u nisën nga Beogradi më 30 janar, të arrijnë në stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00.
Studentët nisën marshin e tyre afër 80-kilometërsh të enjten, rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit.
Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda në një fushë sporti.
Studentët e nisur nga Beogradi kaluan natën në Ingjije.
Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët e tyre në Novi Sad të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në stacionin e trenave të këtij qyteti.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të martën se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojë siguri për marshin e studentëve, duke i përcjell edhe me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm.
Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz.
Studentët duke marshuar nga Beogradi drejt Novi Sadit. Stara Pazova, 30 janar 2025.
Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.
Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.
Studentët protestues kanë thënë se Vuçiqi nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se kërkesat nuk janë plotësuar dhe ata do të vazhdojnë protestat.
Studentët serbë janë nisur këmbë nga Beogradi për në Novi Sad me sloganin “Një hap larg drejtësisë”. Ata do të ndalojnë në disa pika përpara se të arrijnë në Novi Sad.
Studentët do të përshkojnë 80 kilometra në marshin dyditor, raportoi Danas. Një grup i dytë i studentëve do të nisen po ashtu nga Beogradi të premten, por me biçikleta.
Synimi është që të bllokojnë tri ura në Novi Sad më 1 shkurt, që shënon tre muaj nga shembja e strehës së një stacioni treni ku humbën jetën 15 persona.
Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, ka thënë se ministria do të sigurojë rrugën për ecjen e studentëve. Trafiku gjatë rrugës së tyre do të jetë i ndalur, policë, ambulanca e cisterna me ujë do të vendosen përpara dhe prapa kolonës së studentëve.
Protestat në Serbi kanë nisur që pas 1 nëntorit kur vdiqën 15 personat. Që atëherë protestuesit kanë kërkuar nga autoritetet publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rinovimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për aksidentin.
Ata gjithashtu kërkojnë ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave pas aksidentit në Novi Sad. sn
15 vetë janë arrestuar në Turqi, pasi dyshohen se janë përfshirë në zjarrin vdekjeprurës në resortin e skive në Bolu, ku humbën jetën 78 pushues ndërsa mbetën të lënduar dhjetëra të tjerë.
Presidenti i vendit Rexhep Tajip Erdogan, tha dje se drejtësia turke po punon për të ndëshkuar të gjithë ata që janë përgjegjës për tragjedinë.
Menaxhmenti i hotelit ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar.
Agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu raportoi sot se pronari, resortit dhe 12 persona të tjerë u arrestuan si pjesë e hetimeve.
Sipas të njëjtit burim, janë duke u kryer hetime edhe për nënkryetarin e bashkisë Bolou si edhe ndaj kreut të zjarrfikësve lokalë.
Zjarri vdekjeprurës ra një javë më parë në resortin skive Kartalkaya.
Shpëtuesit dhe ekspertët që ekzaminuan vendin e tragjedisë thanë se nuk kishte sistem alarmi dhe detektorë tymi, as spërkatës uji.
Gjithashtu nuk kishte akses për zjarrfikësit në njërën anë të ndërtesës 12-katëshe.
Sipas ministrit të Brendshëm Ali Gerlikaya, 238 klientë, kryesisht familje me fëmijë, ndodheshin në resort atë natë. Panorama
Komentet