VOAL

VOAL

Presidenti Obama: ‘Ballkanizimi i shoqërisë’: Ja pse duhet ta lexoni këtë mesazh

December 27, 2017

Komentet

Agron Shehaj: Ndryshimi i kodit zgjedhor për listat e mbyllur është skandaloz, hipokrit dhe kundër vullentit të qytetarëve!

Fjala e deputetit të pavarur Agron Shehaj sot në Kuvendin e Shqipërisë

Deputeti Agron Shehaj shprehu qëndrimin e tij kundër kodit të ri zgjedhor të dakordësuar mes PS dhe PD. Sipas tij, ky kod është skandaloz pasi pamundëson hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Nga ana tjetër sipas Shehaj mbyllet çdo shteg për rotacionin politik.

‘Ndryshimi i kodit zgjedhor për listat e mbyllur është skandaloz, hipokrit dhe kundër vullentit të qytetarëve. Deputetët duhet të respektojnë vullnetin e qytetarëve. Qytetarët duan të votojnë edhe kandidatin. Sot parlamenti do votoj për listat e mbyllura. Nuk kam dëgjuar asnjë nga deputetët të thotë që është në favor të listave të mbyllura. Demokracia ka ngecur. Nuk mund të quhet demokraci një vend ku mazhoranca fiton 90% të bashkive, ku qeveria më e korruptuar konsolidon pushtetin poliitk.

Të gjithë ministrat shkojnë në SPAK, zv kryeministri në arrati. Me gjithë tenderat dhe koncesionet dhe qytetarët mendojnë se rotacioni është i pamundur. Hapja e listave do ishte hap pozitiv. Është ajo çka qytetarët duan. Pse demokracia është vrarë dhe ka bërë rotacionin politik të pamundur. Aryseja janë paratë, paratë dhe pushtetit. Paratë që qeveria vjedh përditë. Paratë që vijnë paratë e psita dhe mazhornca kështu është 11 vjet në pushtet. Fituesin në Shqipëri nuk e vendosion votat, por paratë dhe pushteti.

Elefanti në dhomë janë paratë e korrupsionit të qeverisë që pengojnë rotacionin. Me paratë e korrupsionit blihen mediat, vritet demokracia. Kjo mazhorancë nuk është e pamposhtme se është e ndershme, por se me paratë e vjedhura mund të fitoj kushdo. Zgjidhja është të dëgjosh qytetarët. Duan një qeveri të pakorruptuar. Qytetarët nuk votojnë Gjiknurin se kanë besim, por se ka paratë dhe pushtetin. Ne duhet të vendosim besueshmëri, përballë parave dhe pushtetit. Kjo është e vetmja mënyrë. Ne do ju ofrojmë qyterarëve një qeveri të pakapur dhe të pakapshme.’

 

UGSHPD: PARISI PRET LOJËRAT OLIMPIKE, SHQIPËRIA KA VETËM 8 SPORTISTË

 

Në Paris çelet sot edicioni i 33-të i Lojrave Olimpike dhe Shqipëria merr pjesë me vetëm 8 sportistë. Katër janë disiplinat sportive si atletikë, mundje, not dhe qitje. Ndonëse delegacioni mund të ketë në përbërje trajnerë, mjekë,  zyrtarë të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe përfaqësues të medias, të gjithë bashkë mbushin me modesti një çerek avioni që u largua drejt Francës pa ndonjë përshëndetje sportdashësish apo që t’ju jepte një motivim nga aeroporti për në ditët e garave. T’u rriste atyre optimizmin për objektivat e rezultatit apo fitoret e medaljeve.

Përshtypja e parë që të krijohet për sportin shqiptar ishte se; a mos vallë Europiani i Futbollit i thithi të gjitha energjitë?
Pastaj të shkon mendja se ndër vite skuadra olimpike shqiptare me pak sportistë është përfaqësuar. Mundja, peshëngritja, qitja, atletika së fundmi thuajse vetëm këto disiplina janë ato që e kanë përfaqësuar historikisht pjesëmarrjen. Për disiplina të tjera si futboll, volejboll, basketboll, tenis, ping-pong, kanotazh, hark, çiklizëm, artet marciale etj. megjithëse janë vënë re shenja talentesh dhe shkëndia premtuese në sportistë të veçantë këto sporte nuk janë gjallëruar deri në këto nivele.
Një tjetër gjë që të bie në sy në tetshen e sportistëve janë tre mundësit Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev, Chermen Valiev (përfaqësuar në mundjen amatore Dagestanin, Çeçeninë e Rusinë deri në vitin 2020), ata janë fitues të disa dhjetra medaljeve edhe prej katër viteve janë të angazhuar me Sport Klub Tirana dhe Shqipërinë. Pesë sportistët e tjerë janë kampionia e 3000 m/p Luiza Gega, Franko Burraj atlet në 100 m, Kaltra Meça dhe Grisi Konxhaku në not (200m dhe 100m stil i lirë), dhe Manjola Konini në qitje. 
Përshtypja e fundit që vjen është promovimi i disiplinave sportive dhe i individëve për ta njohur publikun me këta sportistë para Olimpikut, pra pa e ushqyer sportin dhe ato pak arritje me propagandën qeveritare sa festive kur ka të tilla ngjarje për kombin, por edhe në prapaskenën gjithëvjetore ekonomike të projekteve për ngritjet e stadiumeve, qendrave sportive dhe akademive që kanë lindur si ide largpamëse pas disa mandateve në pushtet. Është një propagandë e mirëfilltë kjo sot pasi talentet po përdoren në dobi të shtytjes së politikave partiake, pushtetarëve dhe zyrtarëve burokratë për përfitime e deri në selfi nga ministra e kryebashkiakë. Pa e fryrë realitetin vetëm gjatë muajit Korrik u panë disa veprimtari dhe ngjarje. Kjo vërtetohet lehtësisht pasi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu viziton sportistë elitarë apo Komitetin Olimpik, dorëzon flamurin etj. në prag të Lojrave të Parisit 2024, ashtu sikurse Kryebashkiaku Veliaj veç tyre merr kredi udhëheqësie kur thotë se: “Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, ka bërë çmos që ekipit tonë të mos i mungojë asgjë. Pjesa më e madhe e aktiviteteve do të ndodhin në qendër të qytetit, kështu që, edhe nga Bashkia e Parisit kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm. Bashkia e Tiranës ka kaluar një fond pranë Komitetit Olimpik, meqënëse kemi 75% të skuadrës, na takon edhe të jemi kontribuesit kryesorë”.  Madje e përvetëson arritjen e klubit Tirona duke lëshuar një gjuhë tendencioze e hakërruese politike se sa ta shprehë qëllimin se po bën një detyrë administrative kur ai priste dy javë më parë kampionët e mundjes, sipas ATSH-s:-“Përtej përfaqësimit në skuadrën olimpike, përtej medaljeve, unë besoj se ngritja e flamurit të Shqipërisë – sidomos kur kemi njerëz që djegin atë – është ndoshta përgjigjja më e duhur se si shkon përpara vendi dhe se si i arrijmë gjërat me punë. Skuadra jonë është njësoj si Shqipëria, gjithmonë e më shumë kozmopolitane. Kjo do të thotë se për sa kohë që në Tiranë nga shtetësi të ndryshme, origjina të ndryshme, po prodhojmë atë që quhet skuadra e Tironës dhe skuadra e Shqipërisë, kjo do të thotë se edhe skuadra jonë olimpike do të përfaqësojë këtë realitet të Shqipërisë, të një Shqipërie që në vend që të ikin dhe të luftojnë për flamuj të tjerë, në fakt janë të tjerët që shohin se talenti i tyre mund të aplikohet në një skuadër si skuadra jonë olimpike”.
Nga gjithë ky kontribut dhe binjakëzim Paris-Tiranë, a do t’i mungojë Veliaj  çeljes së Lojrave Politike?
Bileta vajtje-ardhje, Tiranë-Paris-Kongres, duket se ka kosto dhe në rradhët e elitës së Rilindjes Socialiste nuk janë që të gjithë njësoj!
Por kjo “qetësi” promovimi për sportistët të lë të kuptosh se edhe media deri në një farë mase nuk katreguar interes për sportistët që përgatiten çdo ditë dhe duan të garojnë, pasi një portret në media i një sportisti olimpik është një shpenzim. Edhe intervistat e thjeshta njerëzore me ta nuk prodhojnë sepse aty nuk ka as marketing dhe as përfitim politik si në rastin kur stadiumet mbushen me qeveritarë, me ambasada dhe me spektakle shkollore. Kështu pra që mënyra më e thjeshtë si për të shpenzuar më pak dhe pa e ndalur mundësinë e propagandës mund të shfrytëzohet nga Radio Televizioni Shqiptar, media publike. Ai bashkë me Komitetin Olimpik nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi për mbulim mediatik të veprimtarisë dhe ky kapitull është i mbyllur.
Pra shkallë-shkallë dhe pa fantazi ky lloj bashkëveprimi të jep të kuptosh se sa bukur administrata, zyrtarët, rrogëtarët dhe qeveritarët e luajnë topin kur flitet për menaxhimin e jetës sportive shqiptare.
Tetë sportistë iu drejtuan Parisit për të garuar në Lojrat Olimpike 2024, por kryeministri Rama ka pishtarin dhe samitin e vet për nga rëndësia. Ai është afër “finishit” politik për shkak të një propagande që është bërë qesharake. Asnjë shtrëngim duarsh apo motivim nuk gjen tek ai veç se butoni “share” i rrjeteve sociale.
Megjithatë si do që të jetë situata brenda vendit, ata sportistë kanë nevojë ta provojnë garën dhe të arrijnë më të mirën për suksesin e tyre. Ashtu si Shqipëria përfaqësohet me tetë sportistë dhe katër disiplina, Republika e Kosovës ka nëntë të tillë: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka në xhudo, Donjeta Sadiku në boks,  Gresa Bakraqi atletikë 800m, Hana Beiqi dhe Adell Saboviq në not (50m dhe 100m stil i lirë).
 
Në kuptimin e  përgjithshëm Lojërat Olimpike janë trashëguar në shekuj gjatë mijëvjeçarëve dhe e kanë rritur popullaritetin si dhe dashurinë për sportin. Çdo komb dëshiron të përfaqësohet me një skuadër olimpike, por mes disa dhjetra disiplinave në gara, rekordet dhe medaliet Bronz, Argjend dhe e Arta janë ato që shpërblejnë më të suksesshmit. Ka ekipe gjigande në përgatitje dhe strategji ashtu sikurse ka edhe ekipe modeste me talente që shpërthejnë. Ditët e Olimpiadës së Parisit 2024 do të kenë padyshim karakteristikat e veta të këndëshme për sportistët dhe publikun. Vlen të kujtojmë se në tre edicionet e fundit në Lojrat Olimpike përfaqësohet edhe Ekipi Olimpik i Refugjatëve  i cili ka 37 atletë  që garojnë në 12 disiplina sportive (djem dhe vajza), që jetojnë në 15 vende të ndryshme të  botës. Ekipi Olimpik i Refugjatëve i Komitetit Ndërkomëtar Olimpik përfaqëson më se 100 milionë njerëz të zhvendosur në mbarë botën për shkaqe të ndryshme ekonomike, shoqërore dhe natyrore. Megjithëse e kanë zbehur disi popullaritetin dekadat e fundit disa dukuri si  bojkoti, dopingu, ryshfetin, pandemitë, luftrat dhe terrorizmie kanë vënë zhvillimin e Lojrave Olimpike përballë sfidave dhe polemikave të shumta. Çdo dy vjet, Lojërat Olimpike Verore dhe Dimërore përmes shpërndarjes vizuale e tyre në media u japin atletëve mundësinë për të arritur famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Lojërat gjithashtu ofrojnë edhe një mundësi që vendi organizator apo qyteti olimpik të shprehë mikpritjen dhe të jetë vemendja e botës intensivisht gjatë një muaji dhe më pas në historinë e vlerave dokumentare të Olimpikut në veçanti dhe soprtit në përgjithësi për mesazhe të paqes, dashurisë, zhvillimit teknologjik dhe shfaqjeve artistke botërore.

25 Korrik, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Uashingtoni paralajmëron armiqtë: Politika amerikane nuk është një shenjë dobësie

VOA/Jeff Seldin

Diplomatët dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë hodhën poshtë shqetësimet se ndryshimet e fundit të papritura në skenën politike amerikane janë një shenjë dobësie, duke paralajmëruar armiqtë e Amerikës të enjten kundër përpjekjeve për t’i shfrytëzuar zhvillimet politike në vend.

“Ata duhet të mendojnë përsëri”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

“Ne jemi të përqëndruar në sfidat e sigurisë kombëtare me të cilat përballet vendi”, shtoi ai. “Kjo përfshin përgjigjen ndaj kundërshtarëve tanë kur është e përshtatshme.”

Në Pentagon, zyrtarët këmbëngulën se ushtria amerikane është e gatshme për çfarëdo sfide që mund të ketë nga kundërshtarët.

“Për sa i përket pyetjes nëse kundërshtarët tanë po na testojnë apo jo në këtë moment të caktuar, ata gjithmonë na testojnë”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

“Është thjesht diçka që i përfaqëson ata dhe që ata e bëjnë”, u tha ai gazetarëve. “Unë nuk mendoj se ky moment i veçant është ndryshe.”

Paralajmërimet nga Uashingtoni vijnë më pak se një javë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi tërheqjen nga gara presidenciale, duke mbështetur Nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të demokratëve në garën kundër ish-presidentit dhe kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.

“Asgjë nuk mund të pengojë shpëtimin e demokracisë sonë”, tha Presidenti Biden në një fjalim drejtuar vendit të mërkurën.

Ushtria amerikane rriti shqetësimet e publikut pasi njoftoi pak para fjalimit të Presidentit Biden se, për herë të parë, bombarduesë strategjikë rusë dhe kinezë fluturuan në një mision të përbashkët stërvitor, duke u afruar 350 kilometra nga shteti veriperëndimor amerikan i Alaskës.

Zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar gjithashtu për kërcënimin nga armiqtë e guximshëm të Shteteve të Bashkuara.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, të mërkurën u tha ligjvënësve se Irani ende kërkon hakmarrje ndaj ish-presidentit Trump dhe disa prej këshilltarëve të tij për vrasjen në janar të vitit 2020 të ish-komandantit të Gardës Revolucionare Islamike, Qassem Soleimani.

Zyrtarë të tjerë amerikanë kanë shprehur shqetësime në lidhje me veprimet e forcave të mbështetura nga Irani, si sulmet e vazhdueshme nga anëtarët e grupit Huthi të Jemenit ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, sulmet nga grupet e tjera të mbështetura nga Irani ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri.

“Ne po kufuzojmë aftësinë e grupit Huthi”, tha Shefi i Shtatmadhorisë Amerikane, gjenerali C.Q. Brown, të enjten në një konferencë për shtypin në Pentagon.

“Por në të njëjtën kohë, për mposhtjen e tyre do të duhet më shumë se një operacion ushtarak”, tha ai. “Kjo përfshin një angazhim me komunitetin ndërkombëtar dhe agjencitë e tjera amerikane për të përdorur mjete të ndryshme për të ushtruar trysni mbi grupin Huthi në mënyrë që anëtarët e tij të ndërpresin këto sulme.”

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se ushtria amerikane është gati t’i kundërvihet çdo përpjekjeje të armiqve për të dobësuar Amerikën.

“Unë mendoj se ne do të vazhdojmë të shohim këto kërcënime edhe në të ardhmen”, tha ai në konferencën për shtypin. “Por, ne kemi ushtrinë më të madhe në botë, ushtrinë më të aftë dhe ne do të vazhdojmë ta mbrojmë këtë vend.”

Qytetarët e Kosovës të kënaqur me punën e Vjosa Osmanit. Presidenca institucioni më i vlerësuar, pëlqyeshmëria më e lartë në histori

Institucioni i Presidencës në Kosovë është vlerësuar si institucioni me të cilin qytetarët në Kosovë janë më së shumti të kënaqur sipas një raporti të UNDP.

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, është shprehur se pëlqyeshmëria me punën e presidentes është më e larta në historinë e këtij institucioni.

  • foto galeri

“Kënaqshmëria e qytetarëve të Kosovës me punën e Presidentes Osmani, sipas rezultateve të edicionit të 26-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik UNDP-së, është 69 %. Kjo përqindje është më e larta ndonjëherë në historinë e institucionit të Presidencës”.

“Lidership, vizion, përkushtim, gardiane e interesit qytetar e shtetëror dhe e aleancave, përfaqësuese e denjë shtetërore”, u shpreh Kupina.

 

(BalkanWeb)

UNESCO miraton vendimet për Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin, vendimi për Ohrin shtyhet vitin e ardhshëm

VOA/Raimond Kola

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbledhur në Nju Delhi në Indi, miratoi të enjten vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit.

Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.

Në vendim UNESCO thotë se “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon e cila do të merret në shqyrtim nga Qendra e Trashëgimisë Botërore”.

UNESCO kërkon gjithashtu që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore.

“Për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive”, thekson UNESCO, “prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohet në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi”.

UNESCO thotë se kërkon për më tepër “që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës së tij tampon, dhe mbi mënyrën sesi regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.

UNESCO thotë në vendim se “vëren se ICOMOS ka përgatitur një rishikim teknik të projektit të Qendrës së Vizitorëve dhe dokumentacionit përkatës të paraqitur nga Shqipëria dhe i kërkon autoriteteve shqipatre që të zbatojë plotësisht rekomandimet, duke përfshirë dhënien e kohës së mjaftueshme për të përgatitur një Vlerësim të plotë të Ndikimit të Trashëgimisë i cili, ndër të tjera, duhet të bazohet në hulumtime të plota arkeologjike dhe të përfshijë hapësirën e peisazhit”.

UNESCO kërkon që “Shqipëria të vazhdojë të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore detaje të projekteve që mund të prekin Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Butrintit (VJU) përpara se të merret ndonjë vendim i pakthyeshëm për zbatimin e tyre, dhe që projektet të zbatohen vetëm pasi të ketë rënë dakord UNESCO”.

UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin vendimit duke përfshirë një plan veprimi të detajuar me një afat kohor edhe për zbatimin e rekomandimeve të misioni të vitit 2022, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.

Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.

“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.

UNESCO thotë më tej se “vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bypass-it të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCOS, dhe për këtë arsye i kërkon Shqipërisë që të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë të pavarur të ndikimit të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore”.

UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t’ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.

UNESCO thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.

Lidhur me vendimit e UNESCO-s Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ((MEKI) tha përmes një deklarate se “mbështeti pa asnjë rezevë projekt vendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore që Komiteti i UNESCO-s i zyrtarizoi me një qendrim, unanim, që e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional”.

MEKI thotë se edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi i UNESCO-s.

MEKI thotë se ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e Trashëgimisë Botërore.

Por ndërsa MEKI flet “për një paketë të parë” të hartave të Butrintit kur UNESCO ka kërkuar një hartë të pronës, autoritetet shqiptare ende nuk kanë sqaruar se përse u mor vendimi dy vite më parë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 800 hektarëve pa vënë në dijeni dhe pa marrë miratimin e UNESCO-s.

Gjatë një interpelance të zhvilluar të enjten me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe deputetja e opozitës Ina Zhupa, tha se në ish zonën tampon të Parkut Kombëtar të Butrintit po zhvilloheshin projekte të mëdha ndërtimore.

Duke treguar në parlament dy foto të investimeve zonja Zhupa tha se “këto janë modele zhvillimi që injorojnë UNESCO-n, që ndërtojnë në zonat e mbojtura dhe që fragmentarizojnë Butrintin”.

Regjistri i popullsisë me 4.3 milionë banorë shkakton probleme me efikasitetin e rimbursimit të barnave

Prej vitesh, shifra e pasaktë e popullsisë në regjistrat zyrtarë në krahasim me popullsinë banuese në vend është bërë shkak për shpërndarje të padrejta të burimeve financiare nga qeveria, teksa shihet se ka ulur eficiencën e rimbursimit të medikamenteve për personat në nevojë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi së fundmi rezultatet e një auditimi në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) në të cilat gjeti se numri i personave të regjistruar në sistem është 4,301,225 persona (pacientë të regjistruar), ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, popullsia mesatare për vitin 2022 është 2,777,689 banorë, ndërsa me të dhënat e cens 2023 popullsia banuese në vend nuk është më shumë se 2,4 milionë banorë.

Popullsia në regjistrat e Fondit që mund të përfitojë nga rimbursimi është gati dyfishi i popullsisë banuese. Regjistri i FSDKSH-së ka filluar të popullohet që në vitin 2009-2010, kur ky sistem ka nisur funksionalitetin dhe përfshin fusha si numri i identifikimit (NID), emri, atësia, mbiemri, datëlindja, gjinia, mjeku, QSH dhe kod pacienti.

Nga viti 2010 deri në vitin 2014 të dhënat e personave janë populluar manualisht nga mjeku i familjes. Ndërsa që prej vitit 2015 për të gjithë personat që regjistrohen për herë të parë te mjeku i familjes të dhënat merren në mënyrë automatike nga ndërveprimi me regjistrin e gjendjes civile DPGJC.

Sistemi funksionon online dhe hedhja e të dhënave realizohet nga mjeku i familjes dhe pediatri, të cilët bëjnë regjistrimin e popullsisë që mbulojnë. Aktualisht ky sistem hostohet në data-center-in qeveritar pranë AKSHI-t.

KLSH vë në dukje se, sistemi i regjistrit të të siguruarve është aktualisht sistemi bazë i të gjithë sistemit shëndetësor parësor në vend. Mbi këtë sistem mbështeten dhe ndër veprojnë: – sistemi kombëtar i recetës elektronike me rimbursim (e-Rx) i cili operon si në sistemin shëndetësor parësor dhe në atë spitalor; – sistemi kombëtar i referimeve dhe ekzaminimeve (eReferimi) i cili gjithashtu operon në sistemin shëndetësor parësor dhe në atë spitalor; -sistemi regjistri elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes (eVizita) i cili operon në sistemin shëndetësor.

KLSH referoi se sistemi shfaq një sërë problematikash të cilat vështirësojnë ndjeshëm punën e përdoruesve me sistemin duke ulur performancën e tyre në punë e si rrjedhojë edhe nivelin e shërbimit ndaj pacientit.

Gjithashtu këto probleme rriskojnë saktësinë dhe përmbajtjen e informacionit që regjistron e mban sistemi, aksesueshmërinë e tij e për rrjedhojë përdorueshmërinë e këtij informacioni nga strukturat shëndetësore.

Më konkretisht, nga sistemi AHIS (regjistri elektronik i të siguruarve), nga merr të dhënat në lidhje me përfitueshmërinë ose jo të rimbursimit sipas kategorisë së përfituesit konstatohen një numër i madh përfituesish si dhe nuk është realizuar integrimi i plotë i tij me regjistrin e gjendjes civile.

Kjo praktikë, nga pikëpamja e sistemeve të kontrollit krijon mundësinë e përvetësimit të përfitimit të rimbursimit të pacientëve të cilët mund të kenë ndërruar jetë në rastet e bashkëpunimit ndërmjet farmacisë dhe MPF, njoftoi KLSH.

Kontrolli i lartë i Shtetit e pati të pamundur të verifikojë abuzimet me regjistrin e pasaktë të popullsisë pasi nga ana e FSDKSH si administratore de jure dhe AKSHI si administratore de facto e sistemeve nuk u vendosën në dispozicion të grupit të auditimit, raportet e kërkuar sipas kod pacienti dhe iD me argumentin se janë të dhëna personale.

Nga testimi i të dhënave në dispozicion KLSH verifikoi se sistemi nuk ruan historik për lëvizjen e mjekëve nga një qendër në tjetrën, lëvizjen e banorëve, mbulimin e popullatës nga mjekët dhe për kartat e shëndetit.

Sistemi nuk gjeneron raporte dhe nuk të jep mundësinë për gjenerimin e statistikave për mbulimin e banorëve, kartat e shëndetit etj. Sipas KLSH-së sistemi nuk jep mundësi për pastrimin apo saktësimin e të dhënave të banorëve të regjistruar gabim nga mjekët e familjes. Sa herë që çelet apo ndryshon një përdorues, duhet të ndërhyhet në data-bazë për sistemimin e tij, pasi përdoruesit nuk i shtohen automatikisht të gjitha funksionalitetet./Monitor/

Presidenti Biden thotë se po “pason stafetën” për të bashkuar vendin

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti Joe Biden tha se po ia kalon stafetën një brezi të ri, ndërsa u shpjegoi amerikanëve largimin e tij të papritur nga gara presidenciale gjatë një fjalimi mbrëmjen e së mërkurës nga Shtëpia e Bardhë pas një karriere politike mbi 50-vjeçare.

“Unë e nderoj këtë zyrë”, tha Presidenti Biden. “Por unë e dua më shumë vendin tim”.

81-vjeçari Biden, hodhi poshtë trysninë disa javore të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit katastrofik të 27 qershorit. Gjatë një interviste pas debatit ai tha se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë të tërhiqet nga gara.

“Kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj stafetën një brezi të ri. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin tonë”, tha Presidenti Biden në fjalimin drejtuar vendit.

Presidenti Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë.

“Gjëja e madhe e Amerikës është se këtu nuk sundojnë mbretërit dhe diktatorët. Populli sundon. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Ideja e Amerikës është në duart tuaja”, tha Presidenti Biden ndërsa iu drejtua popullit amerikan.

Këto janë komentet e para të zgjeruara publike të Presidentit Biden që nga e diela kur ai njoftoi përmes medias sociale se kishte vendosur të tërhiqej nga gara presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Demokrati Biden është presidenti i parë në detyrë që nuk kërkon një mandat të dytë që nga viti 1968 kur Presidenti Lyndon Johnson, nën kritika të ashpra për trajtimin e Luftës në Vietnam, u tërhoq papritur nga fushata më 31 mars.

Zoti Biden i bashkohet listës së presidentëve James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge dhe Harry Truman që vendosën të mos kandidojnë për një mandat të dytë.

Presidenti Biden u përball me thirrjet për t’u larguar nga gara pasi paraqitja e tij e dobët në debatin kundër zotit Trump ngriti pikëpyetje shqetësuese në lidhje me mprehtësinë e tij mendore.

Megjithatë, që kur ai mori vendimin për t’u tërhequr nga gara për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, demokratët kanë shprehur mbështetjen për të, duke vlerësuar karakterin dhe punën e tij si president.

Zoti Biden tha se do të përqendrohet tek detyra e tij si president gjatë gjashtë muajve të mbetura në detyrë. Ai do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të enjten lidhur me përpjekjet për të negociuar një armëpushim në Gazë.

Kjo është hera e katërt që Presidenti Biden i drejtohet vendit nga Zyra Ovale që nga marrja e detyrës në janar të vitit 2021. Më 15 korrik Presidenti Biden iu drejtua vendit pas tentativës për vrasjen e ish Presidentit Trump duke u bërë thirrje amerikanëve që të qetësonin retorikën politike.

Zoti Biden e filloi karrierën politike në vitin 1972, kur u zgjodh në Senatin amerikan në moshën 29-vjeçare, duke u bërë senatori i gjashtë më i ri. Ai do të përfundojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar 2025, si presidenti më i vjetër amerikan kur do të ketë mbushur 82 vjeç.

“Mbrojtja e demokracisë është më e rëndësishme se çdo titull”, tha Presidenti Biden. “Unë gjej forcë dhe gëzim duke punuar për popullin amerikan. Por kjo detyrë e shenjtë për të përsosur vendin tonë nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me ju. Familjet tuaja. Të ardhmen tuaj. Ka të bëjë me ‘Ne Populli’”, tha Presidenti duke iu referuar deklaratës së pavarësisë.

Kandidati i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e kritikoi fjalimin e Presidentit Biden. Ai u shpreh në rrjetin ‘TruthSocial’ se fjalimi i “Mashtruesit Joe Biden në Zyrën Ovale mezi kuptohej dhe ishte shumë i dobët!” Zoti Trump tha se, “Mashtruesi Joe Biden dhe gënjeshtarja Harris janë një turp i madh për Amerikën. Kurrë nuk kemi patur një periudhë si kjo”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha herët të mërkurën se çdo aludim për dorëheqjen e Presidentit Biden nga posti i tij përpara zgjedhjeve, që do të mundësonte që zonja Harris të kandidonte si presidente në detyrë, ishte “qesharak”.

Zëdhënësja Jean-Pierre tha se Presidenti Biden “nuk është penduar” për vendimin e tij për të qëndruar në garë për aq kohë sa qëndroi, apo për vendimin gjatë fundjavës për t’u tërhequr. Ajo tha se vendimi i Presidentit Biden nuk kishte të bënte me shëndetin e tij.

VOA: Shqipëri, trafiku i paligjshëm drejt SHBA-ve, pagesa deri në 45 mijë dollarë

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme zbuloi sot skemën e përdorur nga grupi i goditur një ditë më parë, nën dyshimet se organizonte kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesave disa dhjetra mijë dollarëshe. Hetimet për këtë rast, që çuan në arrestimin e 5 personaveve, mes të cilëve dhe dy punonjës të pikës kufitare të Hanit të Hotit, me Malin e zi, janë zhvilluar në bashkëpunim dhe me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike, Zyrën e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-ve, me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, veprimtaria e grupit “dyshohet të jetë e mirë organizuar edhe në nivel transnacional, pasi kalimi i paligjshëm drejt SHBA-ve, rezulton të jetë kryer përmes shteteve Shqipëri-Itali- Spanjë-Meksikë-SHBA”. Hetimet kanë zbuluar deri tani se në qendër të këtij aktiviteti ishte një 56 vjeçar nga Malësia e Madhe, L.M., i cili krijonte kontaktet me personat e interesuar për të shkuar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Në bashkëpunim me persona të tjerë, ai merrej “me prodhimin në kohë të shpejtë të dokumenteve të identifikimit të falsifikuar, prerjen e biletave të udhëtimit, apo dhe pajisjen me aparate celularë të rinj dhe numra telefoni sipas shteteve ku kryhet udhëtimi”.

Emigrantët e paligjshëm, rezulton se “kalonin kufirin shqiptar me pasaportën e tyre shqiptare dhe në aeroportet e Spanjës nga ku kryhej tranziti drejt Meksikës dhe me tej SHBA-ve, priteshin nga shtetas të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, të cilët i pajisin me dokumentin e identifikimit të falsifikuar. E gjitha kjo veprimtari kryhej për jo më shumë se 15-20 ditë dhe çdo person paguante një shumë nga 20 000 USD deri në 45 000 USD”.

Hetimet për këtë rast çuan në zbulimin dhe të përfshirjes së dy punonjësve të kufirit me Malin e Zi, një kontrollori dhe një përgjegjësi turni, në një tjetër aktivitet të paligjshëm, i cili, siç shpjegon Prokuroria e Posaçme “konsistonte në mos-regjistrimin në sistemet e Pikave të kalimit kufitar, të shtetasve shqiptarë, të cilët për arsye të ndryshme si, tejkalimi i afatit të qëndrimit në shtetet e BE-së; ndalimi i hyrjes në shtete të ndryshme për shkak të penaliteteve; ose në rastet kur shtetasit janë azilkërkues në vende të ndryshme, kërkonin të shmangin në mënyrë të paligjshme regjistrimin e kalimit në kufi”.

Të dy punonjësit e kufirit janë lënë me arrest shtëpie nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për 56 vjeçarin nga Malësia e Madhe, i lënë në arrest me burg, dyshimet janë për disa vepra penale, që nga “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, te “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa dy personat e tjerë po nga Malësia e Madhe, dyshohen për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Osmani: Heqja e vizave për mbajtësit e pasaportave ilegale serbe ka ndikim negativ

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën”.

Ky vendim, sipas saj, atakon edhe përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë.

Osmani tha se i bëri këto komente në një takim të martën me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për tema të tjera, përfshirë: pjesëmarrjen e presidentes në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s dhe një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet e Kosovës.

Më 22 korrik, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian morën vendimin për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Serbët e Kosovës, që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, janë aktualisht të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor që u duhen viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Kosova nuk i njeh pasaportat e këtij mekanizmi që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd, dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Vendimin e BE-së e kritikoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si “të padrejtë dhe të dëmshëm”.

Autoritetet në Kosovë i inkurajojnë qytetarët serbë që të pajisen me pasaporta të Kosovës.

Qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës gëzojnë liberalizimin e vizave nga 1 janari i këtij viti. REL

Cens 2023: Qytetet e veriut me rritjen më të madhe të vdekjeve për mijë banorë

Popullsia e re që doli nga të dhënat e cens 2023 tregoi se, qytetet e mëdha të Veriut të vendit, Shkodra dhe Kukësi kishin rritjen më të madhe të vdekjeve për mijë banorë. Sipas të dhënave të INSTAT në të gjithë vendin më 2023 kanë humbur jetën 21,286 përsosna ose 9 vdekje për mijë banorë me të dhënat e popullsisë 2,4 mln banorë nga cens.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, vdekjet më të larta për mijë banorë i kishin Gjirokastra dhe Korça përkatësisht me 12.2 dhe 11.9, por rritjen më të madhe te vdekshmërisë gjatë periudhës 2011 dhe 2023 e kishin Kukësi, Shkodra dhe Elbasani.

Në vitin 2023, Kukësi kishte 8.4 vdekje për një mijë banorë me të dhënat e cens 2023, me një rritje të treguesit me 3 pikë për qind që nga viti 2011. Në Shkodër humbën jetën 1726 persona më 2023 ose 11.5 persona për 1 mijë banorë me rritje 2.5 pikë për qind në krahasim me vitin 2011.

Pas Shkodrës, rritjen më të madhe të mortalitetit e kishte Elbasani. Në vitin 2023 në Elbasan kishte gjithsej 2050 jetë të humbura teksa popullsia e qarkut me të dhënat e cens 2023 ishte 232,580 banorë. Në Elbasan kishte 8.8 vdekje për një mijë banorë me rritje 2.3 pikë për qind në raport me vitin 2011.


Vetëm në qarkun e Beratit vdekjet për mijë banorë kanë pësuar ulje me -0.3% në periudhën ndërmjet dy censeve.

Në vitin 2023, në Qarkun e Tiranës kanë humbur jetën 5345 persona. Me të dhënat e popullsisë së cens vdekjet për 1000 banorë në kryqet ishin 7 me rritje 0.6 pikë për qind nga censi 2011.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se qarqet e Shkodrës dhe Kukësit kishin rënien më të madhe të popullsisë në përqindje ndërmjet dy censeve 2011 dhe 2023, teksa kanë gjithashtu edhe rritjen më të madhe të mortalitetit në dekadën e fundit./B.Hoxha

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

/Monitor

Nënpresidentja Harris: Vota e 5 nëntorit është “një zgjedhje mes lirisë ose kaosit”

Nënpresidentja Kamala Harris në takimin zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, 23 korrik, 2024.

 

VOA dhe AP

Nënpresidentja Kamala Harris mbajti të martën tubimin e parë zgjedhor në Miluoki, në Viskonsin, njërin nga shtetet me peshë për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Ajo kritikoi kandidatin republikan, ish presidentin Donald Trump, duke thënë se votimi i 5 nëntorit është një “zgjedhje mes lirisë ose kaosit”.

“A duam të jetojmë në vendin e lirisë, dhembshurisë dhe shtetit të së drejtës apo në vendin e kaosit, frikës dhe urrejtjes”, pyeti ajo.

Zonja Harris mbajti tubimin pasi arriti të sigurojë përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokrate për presidente.

Takimi ishte i pari që prej së dielës, kur ajo nisi fushatën për garën e nëntorit, pasi Presidenti Biden i dha mbështetjen e tij. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, Nënpresidentja Kamala Harris ka grumbulluar më shumë se 100 milionë dollarë që prej pasdites së të dielës.

Drejtuesit e lartë të Partisë Demokrate në Kongres mbështesin Kamala Harrisin

Dy drejtuesit më të lartë të Partisë Demokrate në Kongres dhanë mbështetjen e tyre që Nënpresidentja Kamala Harris të emërohet kandidate për presidente.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries duke folur në Kapitol, në Uashington. 23 korrik, 2024.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries duke folur në Kapitol, në Uashington. 23 korrik, 2024.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer dhe drejtuesi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries i dhanë fund pikëpyetjeve nëse do t’i bashkoheshin demokratëve që po mbështesin zonjën Harris që të sigurojë emërimin e partisë për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Kamala Harris siguron përkrahjen e delegatëve demokratë për t’u emëruar kandidate për presidente

Nënpresidentja Kamala Harris siguroi përkrahjen e një numri të mjaftueshëm delegatësh demokratë për t’u emëruar kandidatja e Partisë Demokratike për presidente kundër rivalit republikan Donald Trump.

Sipas njoftimeve, zonja Harris tani ka mbështetjen e 1,976 delegatëve që i duhen për të fituar që në raundin e parë të votimit brenda partisë së saj, duke konsoliduar pozitat si kandidatja më e mundshme demokrate për të zëvendësuar Presidentin Biden.

Në fjalimin e saj të parë si kandidate e pritshme, zonja Harris, një ish prokurore, premtoi se do ta bashkojë partinë dhe vendin dhe do ta sigurojë fitoren e demokratëve, duke bërë një dallim të thellë mes saj dhe zotit Trump.

Nënpresidentja Kamala Harris gjatë vizitës në selinë e fushatës në Uillmington, Daleuer më 22 korrik, 2024/NYT via AP

Nënpresidentja Kamala Harris gjatë vizitës në selinë e fushatës në Uillmington, Daleuer më 22 korrik, 2024/NYT via AP

Me vetëm 105 ditë deri në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe Partia Demokrate është në garë me kohën, që shpjegon edhe këtë bashkim të shpejtë rreth kandidates Kamala Harris si përpjekje e partisë për të tejkaluar zhvillimet dramatike që çuan në tërheqjen e Presidentit Biden, por edhe nevojës së votuesve demokratë për t’u mobilizuar.

Fushata e zonjës Harris grumbulloi brenda 24 orëve një shumë prej 81 milionë dollarësh, duke vendosur një rekord të ri. Delegacionet e demokratëve vazhduan të bashkërendohen dhe një numër i madh vullnetarësh u regjistruan për të ndihmuar fushatën e saj. Analistët e shohin këtë si një shenjë të entuziazmit për kandidaturën e saj.

Delegatët e Partisë Demokrate pritet të zhvillojnë një votim virtual para kuvendit të partisë më 19 gusht, që kandidati i partisë për president të përcaktohet që më parë dhe kuvendi të jetë një kuvend bashkimi.

Zonja Harris ndërkohë nuk po humbet kohë. Ajo mbajti tubimin e parë zgjedhor në Uiskonsin, njërin nga shtetet e diskutueshme. Dje ajo u takua me ekipin elektoral që deri dje mbante emrin Biden-Harris, dhe në fjalimin e saj të parë shpalosi çështjet kryesore mbi të cilat do ta ndërtojë fushatën kundër zotit Trump, duke vendosur një theks të veçantë në dallimin ndërmjet saj, si ish prokurore dhe kandidatit republikan, të shpallur fajtor për vepra penale.

“Në ditët dhe në javët në vijim, së bashku me ju, do të bëj çdo gjë në fuqinë time për ta bashkuar Partinë Demokratike, për ta bashkuar kombin tonë dhe për t’i fituar këto zgjedhje. Siç e dini, para se të zgjidhesha Nënpresidente, para se të zgjidhesha senatore e Shteteve të Bashkuara, isha zgjedhur prokurore e përgjithshme e Kalifornisë dhe para asaj kam punuar si prokurore. Në këto detyra, kam goditur autorë të të gjitha krimeve. Abuzues të grave. Mashtrues që vodhën konsumatorët dhe që shkelin rregullat për të përfituar vetë. Prandaj më besoni kur ju them që i njoh tipat si Donald Trumpi,” deklaroi ajo.

Zonja Harris i bëri këto komente nga selia e fushatës së Partisë Demokrate në Dellauer, ku ajo foli edhe për të drejtat riprodhuese, një nga çështjet kryesore në zgjedhjet e këtij viti.

“Në këtë fushatë, me krenari do ta krahasoj të kaluarën time me të kaluarën e tij. Ky ekip do të ndihmojë që në nëntor të zgjedhim shumicën e ligjvënësve të Kongresit amerikan, të cilët pajtohen se qeveria nuk duhet t’u tregojë grave se çfarë duhet të bëjnë me trupin e tyre. Pasi Kongresi të kalojë ligjin për të rikthyer liritë riprodhuese, si Presidente e Shteteve të Bashkuara do ta miratoj ligjin,” theksoi zonja Harris.

Ajo po ashtu tha se në këto zgjedhje presidenciale, votuesit amerikanë janë para një dileme me peshë të madhe.

“Në këto zgjedhje, secili prej nesh përballet me një pyetje. Në çfarë vendi duam të jetojmë? Në një shtet të lirë, me dhimbshuri dhe sundim të ligjit, apo në një shtet kaotik, ku mbizotëron frika dhe urrejtja?”, shtoi ajo.

Nëse emërohet kandidate demokrate për presidente dhe fiton ndaj kundërshtarit republikan Trump, ajo do të bëhej gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara.

Por sipas profesores së historisë nga Universiteti i Virxhinias, Barbara Perry, në këtë rrugëtim zonjën Harris e presin sfida.

“Në këtë vend, ajo do të përballet më shumë me sfida gjinore se sa me sfida rreth përkatësisë racore… Ne kemi patur vetëm presidentë meshkuj prandaj kemi vetëm modelin e burrit si president. Shpresoj që Shtetet e Bashkuara mund ta kapërcejnë këtë dukuri dhe ta zgjerojmë rrethin e njerëzve që janë kandidatë të përshtatshëm dhe që mund të fitojnë zgjedhjet presidenciale. Është pozitë shumë e rëndësishme, për të përjashtuar gjysmën e popullsisë,” thotë profesorja Perry.

Edhe si Nënpresidente, por edhe si kandidate për këtë post në vitin 2020, zonja Harris ishte objekt sulmesh nga ana e republikanëve si e paaftë. Tani që ajo qëndron më mirë në anketa kundër zotit Trump se sa Presidenti Biden, sipas analistëve, pritet që ajo të vazhdojë të jetë në shënjestër të republikanëve.

Ajo është akuzuar se është ngritur në pozitë me favore dhe në bazë të kuotave gjinore e racore dhe jo në bazë të meritës — një kritikë jo e pazakontë kundër grave që mbajnë pozita të larta pushteti dhe po ashtu një prirje më e gjerë që synon të sulmojë në baza gjinore gratë e suksesshme.

I emëruari kandidat për Nënpresident nga radhët e republikanëve, JD Vance tha se zonja Harris “do të jetë një milion herë më e keqe” se Presidenti Biden, të cilin ai e quajti presidentin më i keq në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Sulmet ndaj saj së fundmi janë përqendruar në portretizimin e zonjës Harris si përgjegjëse për situatën në kufirin me Meksikën dhe emigracionin e jashtëligjshëm, që është edhe njëra prej çështjeve kryesore në fushatën e zotit Trump.

UGSHPD: PROPAGANDA E PANDALUR TURISTIKE E RILINDJES SOCIALISTE

Në krye lajmet e ATSH-s veç rasteve kur krerët e Rilindjes Socialiste shfaqen si të ishin qendra e vëmendjes për zhvillimet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, reklamat e ofertës së turizmit nga ana e qeverisë nuk kanë të ndalur e për pasojë jeta plot probleme e qytetareve me kërkesat më jetike është harruar. Ndër pesë, tre prej lajmeve të paktën janë “jehona” të mediave ndërkombëtare për pikat tërheqëse të peizazhit natyror shqiptar të cilat thuajse janë të padëgjuara më parë. Me keqardhje, por edhe e vetmja “e mirë” që vjen prej tyre është se tek brezi i moshës shkollore “shtohen” dijet që na mësojnë politikanët dhe elita e Rilindjes Socialiste sa sa e pa zbuluar është gjeografia e Shqipërisë, ku ndodhen burimet ekonomike, por edhe se ku ndodhet kufiri i varfërisë përmes çmimeve. Sa të shtrenjtë e ka bërë korrupsioni Shqipërinë dhe se shqiptarët mes këtyre mrekullive nuk e kanë “luksin” për ta vizituar, shijuar dhe jetuar. Vendasit shijojnë, shohin dhe hanë këto tre mandate propagandën që fsheh qartas mashtrimin dhe korrupsionin e përditshëm.

Realitetin e dukshëm të tatëpjetës kryeministri shqiptar Rama po e quan edhe shtrembërim dashakeqës, punë armiqësore agjenturash dhe etje e të paaftëve për t’ia marrë pushtetin nga duart.

Por le të ndalemi tek turizmi dhe propaganda të cilat janë kthyer në shprehjen më kontrastuese të Shqipërisë. Ka humbur çdo arsyetim logjik për të shëndoshur ekonominë. Sundon morali shtetëror për të trajtuar klientelën duke varfëruar dhe përçmuar shtetasit. Shtretërit dhe çadrat bosh në plazhe dhe hotele janë pasqyra e favorizimit të oligarkëve dhe e pastrimit të parasë ashtu siç ndodh me mijëra apartamentet bosh të kullave në kryeqytet dhe qytetet ku ka mbetur pak popullsi shqiptare. Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ka fuqi financiare për të siguruar një ditë pushimi me bukë dhe çadër me vete sepse plazhet publike janë zaptuar për t’u përdorur dhe për t’u pronësuar nga më të fortët që u jep leje-liçencë qeveria me dy kërkesa të vogla bashkëngjitur. Ortakëri dhe vota kur t’i duhet. Çmimet e larta të sezonit janë reklama e përzënies dhe e nëpërkëmbjes së dinjitetit të vendasve. Këtë shkallë zhgënjimi e ka sjellë çdo ditë propaganda qeveritare si dhe mediat pranë saj të cilat në edicionet e lajmeve dhe emisionet televizive nuk shohin problemet, por lustrojnë realitetin. Shtetasit shqiptarë, qytetarë dhe fshatarë që digjen nga temperaturat e vapës, protestojnë për padrejtësi dhe kushte më të mira jetese, pune dhe mirëqenieje duke dalë në sheshe dhe rrugë nacionale. Ata përvëlohen nga çmimet, por edhe janë ngjitur pranë ekranit të Tv-ve për të pritur shpresën se diçka do të ndryshojë. Por e vetmja shpresë nuk vjen as nga politika dhe qeverisja, por nga parashikimi i motit si për t’u ngushëlluar dhe për kalitur durimin se kur kjo vapë dhe çmenduri ata do t’i lëshojë. Pra ato mendje të qarta dhe të ftohta që duhet ta marrin në dorë ndryshimin e gjendjes së vendit, të mund t’ju japin shpresën për të siguruar minimumet mbi varfërinë, vendet e punës, shkollat dhe spitalet, shërbimet që të kenë pak ujë më shumë, pak rrymë elektrike që të vihen në rrotullim freskoret sepse shteti ashtu siç e ka shtyrë deri tani me gënjeshtra do ta mbyllë administratën pasi e gjitha do të turret drejt lejeve të zakonshme dhe pushimeve të verës.

Kjo është jo vetëm një shkallë zhgënjimi që shoqëron gjendjen e jashtëzakoëshme të administratës me leje të zakonëshme, por është edhe një mendësi e mbrapshtë dhe e qëllimshme drejtimi qeverisës në mënyrën se si i orienton shtetasit e saj.

Jemi në harkun e një viti 2023-2024 ku Shqipëria thuhet se rriti turizmin nga 10 milion në 14 milion vizitorë ditorë, por ku shtrenjtësia e çmimeve e cila është disafishuar po tregon njollat e boshllëkut njerëzor në plazhe. Kjo po tregon atë që vendi nuk ka as politika, as strategji zhvillimi afatgjatë dhe qëndrueshmëri për ekonominë dhe turizmin si një pjesë e saj.

Kjo qeveri sheh dhe shpreh vetëm propagandën duke krahasuar nga sa keq në keq dhe mos më keq.

A vlen të përcjellësh gjestin e një pushuesi italian që braktis turizmin për shkak se çadra e tij kushtoi 300 euro?

A ja vlen të flasësh për promovimin taleban të turizmit i cili u rrit nga vetëm 691 në 2021 në më shumë se 7 000 vitin e kaluar?

Apo ja vlen të flasim seriozisht për cilësinë e vizitorëve ditorë dhe tranzitues të turizmit shqiptar që të largon nga mungesa e shërbimeve, shtrenjtësia e çmimeve dhe ndotja e kërcënimi i natyrës dhe gjallesës?

Qeveria Rama nuk do ndalet së numëruar pikë kalimet kufitare për të shpallur 2024 një vit tjetër të ri rekord në turizëm. Atij i ka ardhur koha ta shohë veten në pasqyrë sikurse edhe një vit më parë gazeta italiane “Libero” e pyeste:

A ju pëlqeu filmi “Lamerica”? A e njihnit Gianni Amelion? E vlerësoni atë?

Ky film u prit keq në Shqipëri, sepse ishte hera e parë që kishim para syve pasqyrën e atij që ishte vendi ynë dhe vetë ne në atë periudhë dramatike! Nuk ishim të bukur dhe të lumtur, si në pasqyrën e propagandës së regjimit, por të shëmtuar dhe të egër, siç na kishte lënë regjimi. Të shikoheshe në atë pasqyrë të pamëshirshme nuk ishte një përvojë e këndshme! Mua filmi më pëlqeu shumë dhe jam sherruar me miq që thoshin se filmi ishte poshtërues. Nuk ishte Amelio që na kishte poshtëruar, po ata që na kishin mbajtur për dekada në bunkerin me drita të rreme të regjimit më brutal komunist në Europë.

Dritat e rreme janë me po kaq vend edhe sot për korrupsionin e narkoshtetit më shqetësues në Evropë që promovohet prej turizmit dhe ku në të cilin do të ndodhë zbatica e popullsisë dhe e vizitorëve.

23 Korrik, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

 


Send this to a friend