VOAL

VOAL

Marjana Koçeku kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm pas dhunës ndaj studentëve: Ka kaluar çdo kufi!

TIRANA- Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku ka reaguar ashpër pas episodeve të dhunës policore ndaj studentëve gjatë protestës në Tiranë, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Ervin Demo. Në reagimin e saj, Koceku shprehet se dhuna e ushtruar ndaj studentëve ka kaluar çdo kufi, ndërsa ngre akuza të rënda ndaj një pjese të efektivëve të Policisë, për të cilët thotë se janë rekrutuar nga radhët e krimit.

Duke u ndalur te trajtimi i studentëve gjatë protestës, ish-deputetja thekson se të rinjtë përfaqësojnë një shtresë të rëndësishme dhe të ndjeshme të shoqërisë. Në përfundim të reagimit të saj, ish-deputetja socialiste kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit, duke argumentuar se duhet të ketë përgjegjësi politike për episodet e denoncuara të dhunës ndaj studentëve./Dosja.al

Marjana Koçeku kërkon dorëheqjen e ministrit të

Protesta para Ministrisë së Arsimit, flet studenti: Kemi shumë kërkesa por nuk duam t’i zgjidhim me Edi Ramën! Të largohet se nuk është kryeministër i denjë

Studentët u mblodhën sot para Ministrisë së Arsimit, në ora 14:00 për të protestuar. 

Një prej studentëve foli për News 24 teksa u shpreh se studentët mund të kenë shumë kërkesa, por nuk duan t’i zgjidhin me Edi Ramën kryeministër, pasi nuk është i denjë për këtë post. Ai kërkoi largimin e Edi Ramës.

Studenti: Kemi shumë kërkesa por nuk duam ti zgjidhim këto me Edi Ramën. Largohu se nuk ke qenë kurrë kryeministër i denjë. Ne kemi plan për të qëndruar këtu çdo gjë teknike do jetë e momentit., protestë do ketë nesër e pasnesër. Jemi këtu për të ardhmen tonë. Është përdorur teknikë rrjete sociale, universitete. Diçka shumë organike dhe ndonjë strukturë që e organizon. Kjo është e ardhmja jonë. 

“Rama ndodhet në zyrë” Protestuesit bllokojnë daljen e godinës! Aktivisti: Kryeministria është e jona, ai e ka pushtuar. Goditeni me vezë

Protestuesit janë mbledhur sërish pranë Kryeministrisë, në ditën e 135-të të revoltës kundër qeverisë. Një prej aktivistëve, Edison Lika, u bëri thirrje qytetarëve të marshojnë drejt hyrjeve dhe daljeve të godinës, pasi në godinë ndodhej kreu i qeverisë.

“Është e disata natë që ne vijmë në protestë, si çdo natë, dhe ky kryeministër, për të na provokuar ne, vjen në zyrë”, u shpreh ai.

Aktivisti u kërkoi protestuesve të lëvizin drejt daljeve të Kryeministrisë, duke pretenduar se godina u përket qytetarëve dhe jo kryeministrit Edi Rama.

Lika foli edhe për përdorimin e vezëve gjatë protestave dhe u bëri thirrje protestuesve t’i përdorin ato ndaj kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë.

“Është e disata natë që ne vijmë në protestë, si çdo natë, dhe ky kryeministër, për të na provokuar ne, vjen në zyrë. Të marshojmë drejt çdo daljeje të Kryeministrisë, në hyrjet kryesore, paqësisht.

Kryeministria është e jona dhe jo e atij maskarai që e ka pushtuar! Ai është pushtuesi i kësaj Kryeministrie dhe i këtyre trojeve. Mos harroni, veza është e dekriminalizuar, nuk përbën vepër penale. Kur të shihni atë dhe qeverinë e tij, goditeni”, tha ai. gsh

Banorët e Orikumit dhe Dukatit në protestë kundër ndërtimeve: Do të rikthehen protestat e vitit 2009, do t’i përzëmë me gurë

VLORË-  Banorët e Orikumit dhe Dukatit kanë dalë në protestë në zonën e plazhit të Orikumit, duke kundërshtuar ndërtimet që pretendojnë se po kryhen në pronat e tyre. Protestuesit kanë bllokuar për disa momente rrugën e plazhit, ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës nëse në zonë mbërrijnë fadroma dhe mjete të tjera për nisjen e punimeve.

Në qendër të konfliktit janë rreth 700 hektarë tokë në zonën bregdetare, të cilat banorët pretendojnë se i kanë përfituar në bazë të ligjit 7501. Ata shprehen se persona të interesuar për të ndërtuar kanë mbërritur në zonë me pretendime mbi këto prona, duke ngritur shqetësime për të drejtat e tyre të pronësisë. Gjatë protestës banorët kanë rikujtuar edhe përplasjet e vitit 2009. Kjo duke paralajmëruar se do të kundërshtojnë çdo ndërhyrje që cenon pronat e tyre.

“Do të rikthehen protestat e vitit 2009, kur e kemi përzënë policinë me gurë”, deklaruan protestuesit, duke paralajmëruar reagim të fortë nëse nisin punimet. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e konfliktit dhe sqarimin ligjor të pronësisë mbi sipërfaqet e pretenduara./Dosja.al

Qytetarët para SPAK me pankarta: Arresto Ballukun! Drejtësi

Disa qytetarë janë mbledhur paraditen e kësaj të hëne para ambienteve të SPAK me pankarta në duar, ku kërkojnë arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Secili nga qytetarët ka nga një pankartë me mbishkrimin “Arresto Ballukun”.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar dy vila të fshehura nga Belinda Balluku në emra të tjerë në jug të vendit. Tashmë pritet që Prokuroria e Posaçme të dërgojë kërkesën në Kuvend, për heqjen e imunitetit të Ballukut me qëllim vënien e saj në masën e sigurisë. Panorama

Braktisi mazhorancën dhe iu bashkua protestës- Ambasadori i SHBA, Eric Wendt takon deputeten e pavarur, Marjana Koçeku

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar një takim me deputeten e pavarur të Shkodrës, Marjana Koçeku, në kuadër të vizitës së një delegacioni të Kongresit Amerikan në Shqipëri.

Takimi, ku morën pjesë edhe senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, ishte pjesë e agjendës së ambasadorit Wendt me përfaqësues të politikës shqiptare, gjatë së cilës u diskutuan zhvillimet politike dhe institucionale në vend.

Marjana Koçeku, e cila pas largimit nga Partia Socialiste vijon mandatin parlamentar si deputete e pavarur, ishte ndër përfaqësuesit e opozitës të ftuar nga Ambasada Amerikane për të marrë pjesë në këtë bashkëbisedim.

Takimi u zhvillua në një moment kur delegacioni amerikan po zhvillon një tur në Ballkanin Perëndimor, me fokus sigurinë rajonale, integrimin euroatlantik, bashkëpunimin me NATO-n dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Ambasadori Eric Wendt shoqëroi senatorët amerikanë edhe në takimet me Presidentin Bajram Begaj, drejtuesit e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në takimet me opozitën morën pjesë gjithashtu deputetët Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso, si dhe kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.

Pas përfundimit të agjendës në Tiranë, senatorët amerikanë vijuan vizitën e tyre drejt Kosovës, ku parashikohen takime me përfaqësues të institucioneve dhe politikës vendase. bw

Goditën me vezë makinën e Ramës, Gjykata Penale shpall të paligjshëm arrestimin e dy aktivistëve të protestave: S’është akt dhune!

Gjykata Penale ka shpallur të paligjshëm arrestimin e Edison Likes dhe Fatjon Rrapajt, të ndaluar pas incidentit me hedhjen e vezëve në drejtim të makinës së kryeministrit Edi Rama.

Sipas vendimit të gjykatës, goditja me vezë e automjetit të kryeministrit nuk përbën akt dhune.bw

“Do përfundojmë keq, shpirt! Kush na ka bërë keq, do ta paguajë!”- Komunikimet mes Vlora Hysenit dhe Agasit në arrati: A tentoi biznesmeni të rrëzojë Ramën përmes kreut të SHISH?

Ajo që e kompromentoi pozitën e Vlora Hysenit, përballë ligjit, ishin komunikimet e saj me Ergys Agasin, gjatë kohës që ky i fundit ishte në arrati. Pra që nga dhjetori i vitit 2025 deri në arrestimin e tij më datë 26 Gusht 2026.

Komunikime midis tyre të kryera në aplikacionet ‘Signal’, ku Vlora Hyseni përdor një gjuhë hakmarrëse fillimisht ndaj SPAK.

Gjuhë të cilën, siç ajo lë të kuptohet në këto mesazhe, e vë në shërbim të Ergys Agasit, të cilin e trajton si një person të cilit po i bien në qafë dhe ajo do ta mbrojë me çfarë të mundet, gati me thonj, kundrejt atyre që po i bëjnë keq.

Por duke përfshirë edhe veten, pra duke mos e ndarë veten nga Ergys Agasi dhe duke e parë edhe si një luftë ndaj saj. Si në këtë mesazh: “Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë, dua që të paguajnë”.

E vetmja mënyrë se si Vlora Hyseni, në rastin konkret mundej që këta njerëz të cilët u kishin bërë keq, ta paguanin, ishte nëpërmjet pushtetit të informacionit që SHISH, kishte. Edhe pse me ligj SHISH e ka të ndaluar të përdorë informacione pa autorizimin e organeve të tjera ligjzbatuese.

Kjo mëri ndaj atyre nuk e ndalte Vlora Hysenin, në betimin e saj ndaj Ergys Agasit, që për hir të së vërtetës, nuk e dimë se si u është përgjigjur këtyre mesazheve.

Shefja e Shërbimit Inteligjent kujdeset në vazhdim ta qetësojë atë që ajo në fillim e cilësoi si bashkëpunëtorin e saj në përpunim. Një histori e denjë për romanet klasikë, por që tregoi në vazhdim se në fakt ishte një thriller, i denjë për librat e verdhë me spiunë.
Hyseni që i kujton Agasit se nuk duhet ta humbasin kurrsesi toruan dhe se duhet të jenë bashkë në këtë hall që u ka rënë për pjesë.

Ndaj në këtë moment duhet përqendrim dhe vetëm përqendrim te halli që atij i ka rënë në këtë kohë që është në arrati dhe kërkohet nga policia, që mesa duket e kishte në gjirin e vetë Agasin dhe e mbronte nga çdo mundësi arrestimi.

‘Thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot.’, ishte një nga mesazhet mes tyre.

Po pavarësisht qetësisë që kërkonte t’i jepte herëpashere qoftë edhe shpirtërore, apo edhe duke i ngritur moralin e rënë poshtë, bashkëpunëtorit të saj, Vlora Hyseni, duket se ishte e ndërgjegjshme se një ditë fundi i tyre do të ishte i afërt. Madje edhe që ky fund po afrohej, ndaj duhet të nxitonin në hakmarrjen e tyre.

‘Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt.’, shkruante ajo.

Ajo që Vlora Hyseni lë të kuptohet në mesazhet e saj është se ata, d.m.th. ajo, Ergys Agasi dhe dikush tjetër, po luftohen nga një grup kundërshtar, që duket se ka po aq pushtet sa ata.

Madje mund të jenë edhe shumë më të fuqishëm se ata. Dhe se ky grup kishte mundur në një farë mënyrë t’i dëmtonte seriozisht, pavarësisht se ata kishin treguar forcë, pushtet dhe qëndrueshmëri gjatë gjithë kohës. Pushtet që Vlora Hyseni e tregon edhe mbi vetë shefin e saj, kryeministrin e vendit, ku me ligj ajo jep llogari.

Teksa në një nga mesazhet i tregon Ergys Agasit se po niset të shkojë te kryeministri, duke nënkuptuar Edi Ramën dhe do rrijë me të vetëm një orë, aq sa ajo do, duke lënë të kuptojë se oraret me kryeministrin i vendos ajo. Sikurse po ajo vendos se sa do rrijë me të dhe kur do ikë.

‘Çfarë na bënë o Zot. Po më presin me shku te Km. Jo mo zemër unë një orë, nuk rri më shumë me atë’, shkruan ajo.

E gjithë kjo bisedë bëhet vetëm dy ditë para se Ergys Agasi të arrestohet, pra, më datë 24 Gusht 2026. Dhe askush nuk mund të thotë deri më tani nëse takimi i Vlora Hysenit me kryeministrin Rama, kishte pikërisht në qendër këtë bisedë, apo përpjekjen e fundit të Vlora Hysenit për të shpëtuar Ergys Agasin.

Përpjekje të cilat shfaqen edhe në një mesazh tjetër që mban datën 19 Gusht 2026, vetëm një javë para se Ergys Agasi të binte në të vërtetë në pranga, mesazh në të cilin Vlora Hyseni teksa komunikon me Ergys Agasin, flet me të për një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj. Takim të cilin ajo thotë se do ta zhvillojë të hënën, që përkon me datën 24 Gusht 2026.

‘Skënderi më thirri me u taku të hënën…të shpresojmë që ka porosit km….’, shkruan ajo.

Pra nga sa shikohet, edhe pse mbetet për t’u verifikuar, Vlora Hyseni lë të kuptohet se ka biseduar me kryeministrin Rama për çështjen e Ergys Agasit. Dhe po kështu lë të kuptohet se kryeministri i ka premtuar se do flasë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj.

Por ajo që nuk dihet është nëse kanë folur për të mos e arrestuar Ergys Agasin, apo për të shtyrë arrestimin e tij, për të cilin tashmë informacionet ishin të qarta se ndodhej në Shqipëri. Por që të arrestohej dhe të shpëtonte prej tij, dikush duhet ta lëshonte.

Vlora Hyseni më datë 24 Gusht 2026, i shkruan Ergys Agasit duke e informuar se të nesërmen ka lënë një takim me kryeministrin Rama.

‘Nesër duhet ta takoj km në 8.30’, shkruan ajo.

Por nga sa lë të kuptohet, Vlora Hyseni me gjasa nuk e ka zhvilluar takimin me kryeministrin Rama, ose ka bërë një dopio lojë, duke mbajtur me shpresa të rreme atë që më vonë do ta quante bashkëpunëtorin e saj.

Vlora Hyseni i rrëfen Ergys Agasit, se duhet të niset për një takim urgjent me sauditët.

‘Më doli një takim urgjent… Me sauditët… Kthehem nesër në Ks prapë’.

Mesazhe midis të dyve të cilat janë të vazhdueshme dhe vazhdojnë të rrotullohen rreth personave që ata lënë të kuptohen se i kanë tradhtuar, apo u kanë bërë keq. Por është e vështirë të kuptohet se përse në këtë lojë është e përfshirë edhe shefja e Shërbimit Informativ. Dhe nëse është edhe ajo e tradhtuara në këtë lojë, si pjesë e grupit të Ergys Agasit.

‘Sa shumë gjëra na kanë bërë ne… kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi…’, shkruan Hyseni.

Dhe pikërisht koha është ajo që ecën kundra për të dy. Sidomos për Ergys Agasin që mesa duket ka pritur gjithë këtë kohë të kaluar në arrati t’i falin kokën.

Këtu ku për herë të parë Vlora Hyseni në bisedat e saj me Ergys Agasin, përmend edhe disa informacione, të natyrës politike, që në fakt nuk janë subjekt i punës së SHISH.
Por ajo lë të kuptohet se SHISH mund të ketë futur në përpunim edhe qeverinë apo Partinë Socialiste dhe këto informacione Vlora Hyseni ia kalonte Ergys Agasit.

Siç është edhe ky mesazh ku ajo e informon se Taulant Balla dhe Belinda Balluku, janë pjesë e një grupi.

‘Taulant Balla kryetar kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku’

Por ajo që duket se e ngatërron keqasi këtë histori është nëse Ergys Agasi e dekonspiroi qëllimisht raportin e tij me Vlora Hysenin. Kjo pasi kuptoi që nuk kishte më rrugëdalje dhe fundi i tij ishte i sigurtë.

Edhe pse duket një hamendësim nuk është çudi që Ergys Agasi të ketë dashur të rrëzojë nëpërmjet Vlora Hysenit, pikërisht kryeministrin Edi Rama.

Kjo pasi për shumë muaj nuk mori siguri për shpëtimin e tij. Ndryshe nuk ka se si kuptohet që Ergys Agasi, një muaj para se të arrestohej të linte qëllimisht në makinën e tij materiale të SHISH. Të cilat pranoi pas arrestimit të tij se i kishte lënë aty enkas, që t’i kapnin hetuesit e SPAK.

Vlora Hyseni dhe ‘saltro mortale’ e shtetit! “Në shënjestër: Kreu i SHISH kaloi kufirin me makinë me targa serbe, por u dorëzua vetëm 24 orë më vonë! Nga Intenerari nga Baku në Kosovë…

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24, u rikthye këtë të premte në transmetim, me një sezon të ri që pritet të ketë shumë pritshmëri. Këtë herë temë e bisedës në emision, u bë ndalimi në masën arrest në shtëpi të shefes së Shërbimit Informativ Shqiptar, Vlora Hyseni, e cila është në akuzë nga SPAK, për nxjerrje të sekretit hetimor si edhe përkrahje të autorit, në këtë rast Ergys Agasit, edhe ky deri para arrestimit i shumëkërkuar nga policia për tenderat e AKSHI.

Pjesë nga dokumentari:

Lajmi se shefja e shërbimit informativ të Shqipërisë ishte në hetim nga SPAK, thuajse gjeti të papërgatitur çdokënd.

Të paktën ata që kanë nuhatjen dhe njohin kulisat e pushtetit, të cilët as që e mendonin se pas implikimit në afera të ndryshme korruptive dhe kriminale, të ministrave të ndryshëm apo njerëzve të lidhur me ta, radha do t’i vinte edhe vetë Vlora Hysenit, shefe e Shërbimit Shqiptar të Inteligjencës, që nga viti 2023.

Një lajm tronditës që u raportua fillimisht në Neës 24 dhe që më pas mori të gjithë vëmendjen e medias dhe të opinionit publik, se si drejtuesja madhore e Inteligjencës, sipas akuzës së ngritur nga SPAK, ‘përkrahje e autorit të krimit’ dhe ‘nxjerrje të sekretit shtetëror’, ishte përfshirë në afera antiligjore që kalonin kompetencat e saj si zyrtare e SHISH, zonja Hyseni e cila me t’u akuzuar nga SPAK, u shkarkua nga detyra nga kryeministri Rama.
Shkarkimi i saj nga detyra u dekretua edhe nga Presidenti Bajram Begaj, ndërsa më 24 Shtator 2026, ajo u paraqit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për t’u njohur me masën e sigurisë, gjykatë e cila e la në arrest shtëpie, deri në përfundim të hetimeve.

Por ajo që e bëri edhe më tronditëse vetë lajmin e pezullimit të saj nga drejtuese e SHISH, ishte fakti se Vlora Hyseni, akuzohet nga SPAK se kishte përkrahur deri në këtë kohë personin në arrati, të shumëkërkuarin nga drejtësia, Ergys Agasi, i cili ndërsa i fshihej policisë dhe drejtësisë dhe mbante kontakte të vazhdueshme me shefen e SHISH.

Emri i Vlora Hysenit në Shqipëri kishte qenë pothuajse i panjohur deri në fillim të vitit 2023, koha kur kryeministri Edi Rama e propozoi për të qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Një zbulim që 3 vite më parë nuk u prit mirë nga opozita, që nisi të artikulonte akuzat e para ndaj saj.

Por që pavarësisht kësaj, Hyseni në vazhdim mbeti një figurë pothuajse në hije. Po aq sa edhe daljet e saj publike, që nga momenti kur u emërua drejtuese e Shërbimit Informativ Kombëtar, një nga institucionet e sigurisë kombëtare me rëndësi të veçantë për vendin.

Të vetmet herë kur ajo u pa në publik, ishte prania e saj në korridoret e Kuvendit, apo në raportimet përballë deputetëve, siç është edhe ky në komisionin parlamentar të Çështjeve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, vetëm pak muaj më parë ku ndër të tjera raportonte edhe për nivelin e krimit të organizuar dhe kundërvënien.

Raportim i cili vinte pikërisht në kohën kur përballë godinës së kryeministrisë kishin nisur protestat e qytetarëve kundër qeverisë Rama.

Ndërkohë Policia ishte ende në kërkim të Ergys Agasit, personazhi i njohur si ‘Eminenca gri’, personazhi që thuhet se lidhte fijet e pushtetit me ato të krimit. Ku ndaj tij kishte një masë arresti që nga muaji dhjetor i vitit 2025, në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e AKSHIT, ai vazhdonte të ishte në arrati.
Fjalë qarkullonin se ai ishte larguar jashtë Shqipërisë, por që arrestimi i tij në muajin gusht tregoi se Ergys Agasi jo vetëm nuk ishte larguar asnjëherë nga Shqipëria, por ishte i mbrojtur si nga segmente të krimit, në qytetin e Elbasanit dhe Durrësit ku strehohej, por edhe nga segmente të inkriminuara të Policisë së Shtetit.
Siç ishte edhe momenti i arrestimit të tij, pasditen e datës 26 gusht, kur në makinë me të, në afërsi të Durrësit, në timonin e makinës me të cilën udhëtonin, ishte Ulian Shpataraku, ish-drejtues i Policisë së Shtetit me gradën kryekomisar, tashmë i larguar nga Policia e Shtetit i cili më herët kishte shërbyer si shef i Seksionit të Narkotikëve, si dhe zv. drejtor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan. Por po kështu ai njihej edhe si njeriu pranë Ilir Prodës, gjatë kohës që ky i fundit ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Por ajo që do të trondiste opinionin publik ishte fakti se Ergys Agasi, tashmë nuk kishte shtrirë tentakulat vetëm në qeveri, në polici, apo edhe në institucione të tjera, të cilat i kishte vënë nën këmbët e tij, por kishte arritur të kompromentonte edhe Shërbimin Informativ Shtetëror.
Dhe jo më pak por vetë drejtuesen e kësaj agjencie, Vlora Hyseni, një implikim i padëgjuar kurrë më herët.

Një personazh i tillë, i përfolur dhe në akuzë për lidhje me krimin dhe me tenderat miliona euro, jo vetëm të afrohej pranë shefes së inteligjencës, por me gjasa të krijonte edhe një raport sentimental me të.

Një ngjarje e cila me siguri do të vinte në siklet çdo agjenci të ngjashme inteligjence partnere.
Ngjarje që në fakt tregoi asgjë më shumë sesa rënien e shtetit, në të ashtuquajturën ‘saltro mortale’, apo ndryshe ‘saltron e vdekjes’, ku tashmë në rrezik ishin edhe vetë informacionet e Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe se sa të prekura ishin ato nga ky implikim serioz i vetë drejtueses së kësaj agjencie, apo çfarë informacionesh mund të ketë arritur të sigurojë Ergys Agasi nga SHISH.

Vlora Hyseni e mësoi lajmin se ndaj saj ishin caktuar dy masa sigurie “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i detyrës” teksa ndodhej në një takim me drejtues të shërbimeve inteligjente, në Baku të Azerbajxhanit, ku ishte pjesëmarrëse në Forumin Ndërkombëtar për Luftën kundër Terrorizmit. Ajo u dorëzua vetëm dy ditë më pas në pikën kufitare të Morinës, gjatë rrugës nga Kosova për në Shqipëri, por që askush se di me siguri, sesi Hyseni udhëtoi nga Baku në Kosovë, sa kohë qëndroi aty, kë takoi dhe çfarë bisedoi me ta.

Edhe pse fakt është që ajo kaloi kufirin nga Kosova drejt Shqipërisë me një makinë me targa serbe për t’u vënë në dispozicion të SPAK, 24 orë më vonë.

Gaçi dhe Olta Xhaçka, dyshime se janë përfshirë në pastrim parash. Një dosje e re është regjistruar në SPAK

lton Qyno, Syri.net/

Një hetim i ri i hapur nga prokurori i SPAK, Olsi Dado, duket se ka vënë nën ndjekje penale për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, Artan Gaçin, burrin e ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Por veç Gaçit, prokuroria e posaçme SPAK po kryen verifikime hetimore dhe ndaj gruas së tij, deputetes së PS, Olta Xhaçka, pasi dyshohet se ka të dhëna dhe indicie se edhe zyrtarja e lartë të jetë implikuar në këtë veprimtari.

Rasti në fjalë është regjistruar pas daljes së provave hetimore të një hetimi tjetër, duke u zbuluar një seri transaksionesh bankare dhe njëherësh disa komunikime në aparate telefonike.

Kujtojmë se para 1 viti, ndaj Artan Gaçit nisi një hetim nga prokurori Olsi Dado, i cili u vu në lëvizje pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri, lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e bregdetit të Jugut.

Por ky hetim më pas u pushua nga prokuroria e Posaçme dhe më pas u la në fuqi dhe nga gjykatat e vendit. Ndërkohë, tashmë ky është një hetim i ri, që ka zbuluar prova të reja, ndaj dhe prokurori Olsi Dado ka regjistruar dosjen për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Nisur nga kjo situatë, mesditën e sotme Artan Gaçi është ftuar në SPAK për t’u marrë në pyetje si person nën hetim, ndaj është kërkuar prezenca e tij nën shoqërinë e një avokati mbrojtës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se gjatë kohës kur ka qëndruar në SPAK, Artan Gaçi nuk ka dhënë shpjegime, pasi më parë ka kërkuar që të njihet me aktet hetimore dhe akuzën zyrtare për të cilën ai është vënë nën hetim dhe thirrur në prokurori për të dëshmuar.

Në pamundësi për t’u njohur me aktet hetimore, oficeri i BKH-së i ka kërkuar Artan Gaçit dhe avokatit të tij që të paraqesin një kërkesë me shkrim, me qëllim vënien në dispozicion të akteve hetimore të administruara në SPAK ndaj tij.

Për pasojë, Gaçi është lënë i lirë të largohet dhe, pasi të njihet me aktet hetimore, ai do të ftohet sërish për të dhënë shpjegime pranë Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Ish-sekretarja e Ballukut, Viola Haxhiademi dhe drejtori i Hekurudhave Ergys Verdho paraqiten në SPAK

Drejtoresha e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Viola Haxhiademi, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen “Balluku”.

Haxhiademi, e cila ka mbajtur postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë kohës kur drejtohej nga Balluku, është pyetur edhe më parë nga SPAK.

Në dhjetor 2025, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ushtroi kontroll në banesën e Haxhiademit, në kuadër të hetimeve për tenderat publikë në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.

Ndërkohë, por sot, në SPAK u paraqit edhe drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho. Është e disata herë që ai shkon në Prokurorisë. Më herët ai ka qenë drejtues Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare. Panorama

Ish-deputeti i PS, Artan Gaçi paraqitet në SPAK, ja çfarë deklaroi avokati i tij

Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe biznesmeni Artan Gaçi është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të një procedimi ku ai është nën hetim.

Pas daljes nga ambientet e SPAK, avokati i Gaçit, Gurali Brahimllari, deklaroi se paraqitja kishte të bënte me njohjen me aktet e dosjes.

“Në cilësinë e personit që zhvillohen hetimet, kërkuam të njihemi me aktet”, u shpreh Brahimllari.

Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi objektin e hetimit. Panorama

Aktivisti Edison Lika godet me vezë makinën e Ramës teksa del nga Kryeministria, policia e arreston

Aktivisti Edison Lika është arrestuar nga Policia e Shtetit pas një incidenti pas Kryeministrisë, gjatë protestës së mbrëmjes së sotme.

Lika u afrua pranë një automjeti ku ndodhej Edi Rama teksa po dilte nga ambientet e Kryeministrisë dhe e goditi me vezë.

Pas veprimit, aktivisti largohet me vrap, ndërsa pas tij vrapojnë disa efektivë policie, të cilët e ndjekin dhe më pas e arrestojnë.

Ngjarja ka ndodhur në momentin kur protestuesit ishin mbledhur para Kryeministrisë, pasi ishte raportuar se në zyrë ndodhej Edi Rama. gsh

“E pyetëm për hetimin e korrupsionit, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës” – Edi Rama braktis intervistën me gazetarin amerikan

Një incident ka ndodhur gjatë një interviste të kryeministrit Edi Rama me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, për platformën mediatike “Channel 5”.

Mësohet se kreu i qeverisë shqiptare ka ndërprerë komunikimin dhe ka braktisur në mënyrë të papritur intervistën përpara përfundimit të saj, sipas asaj që vetë Channel5 ka zbuluar.

Sipas tyre tensionet kanë nisur kur Callaghan ka drejtuar pyetje të drejtpërdrejta dhe të forta lidhur me çështje sensitive. Intervista po fokusohej mbi investigimet e zgjeruara për korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës në Shqipëri.

Situata është rënduar më tej kur gazetari amerikan ka pyetur kryeministrin Rama mbi lidhjet e tij duke përmendur specifikisht marrëdhëniet e tij me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe projektet e tij në bregdetin shqiptar.bw

“Mafia State” – Mesazhi i protestës së 129 nga bulevardi para Kryeministrisë

“Mafia State”, ky ishte mesazhi nga bulevardi para Kryeministrisë në protestën e 129-të qytetare kundër qeverisë Rama.

Para nisjes së marshimit, protestuesit lanë mesazhin me shkrim në pllakat e bulevardit.

 

Ndërkohë, pedagogu Lush Susaj e cilësoi të gabuar çdo tentativë për të ngritur një parti nga tubimet.

Nga Kryeministria, Susaj u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen masivisht protestës deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Mos harrojmë që në kushtet që jemi ta heqim llustrën e të flasim hapur, çdo përpjekje për parti është përpjekje mjerane. Është antishqiptare sepse ditën e parë dhe sot e sa të vazhdojë unë do të jem këtu dhe kudo ku bëhet protestë por dijeni që kemi dalë si qytetarët në një protestë qytetare dhe nuk kemi dalë për parti. Ai që nuk kupton kaq është mjeran dhe pastë faqen e zezë”, tha Susaj.

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri Wendt takon kreun e SPAK, Klodian Braho: Tri prioritetet e presidentit amerikan Trump

Ambasada Amerikane përmes një postimi në rrjetet sociale njofton se ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë Eric Wendt ka takuar kreun e SPAK, Klodian Braho.

Ky është takimi i parë i Wendt me numrin një të Strukturës së Posaçme, Klodian Braho.

Wendt bëri me dije se prioritetet e presidentit amerikan Donald Trump janë të qarta. Ai vuri theksin tek lufta kundër krimit ndërkombëtar, trafiku i narkotikëve dhe migracioni i paligjshëm.

Takimi vjen në një moment kritik për Shqipërinë, ku ka mjaft akuza për keqqeverisje dhe korrupsion.

Postimi i Ambasadës Amerikane:

Lufta kundër krimit ndërkombëtar, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm janë ndër prioritetet kryesore të Presidentit Donald Trump.

Ambasadori Eric Ëendt u takua me drejtuesit e SPAK-ut për të diskutuar rëndësinë e institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave, si dhe mënyrën se si partneriteti ynë kontribuon në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për të dyja vendet.bw

Zhupa: Viti i ri akademik, viti i revolucionit studentor!

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa e ka cilësuar vitin e ri akademik si “vitin e revolucionit studentor”, duke u bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve t’i bashkohen protestës së 13 tetorit.

Në reagimin e saj në Facebook, Zhupa edhe si pedagoge vec politikanes, rendit ndër problematikat e universiteteve tarifat e larta, kushtet në konvikte, boshatisjen e degëve, mungesën e laboratorëve dhe investimeve, infrastrukturën e amortizuar, kërkimin shkencor të cunguar dhe ndërhyrjet politike në autonominë universitare.

Ajo shprehet se studentët nuk duhet të mbeten thjesht numra në statistikat e regjistrimeve, por të jenë një brez që kërkon meritën mbi klientelizmin, dijen mbi propagandën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

Postimi i plotë:

Uroj studentët, pedagogët dhe stafet universitare për një vit të mbarë akademik ku universiteti të kthehet në vendin ku fitohet dija, jo vendi ku humbet shpresa.

Një brez i ri kërkon të drejtat e veta, kërkon universitetin që meriton, kërkon meritën mbi klientelizmin, dijen mbi propagandën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet.

Me 13 tetor, ora 12:00, bashkojuni protestës që kanë thirr studentët, bashkojuni pa dallim, sepse ju mund ta ndryshoni gjendjen. Si pedagoge i bëj thirrje kolegëve të mbështesim studentët dhe t’i bashkohemi thirrjes së tyre. Boll pamë klasat që zvogëlohen nga viti në vit, me të rinj të zhgënjyer që vetëm presin rastin të largohen.

Pakti që ju ofrua nga protestat e para në 2018 nuk ka realizuar asgjë. Studentët janë të harruar, tarifat janë të larta, kushtet e papërshtatshme në konvikte, boshatisja e degëve, kërkimi shkencor i cunguar, pedagogët e pavlerësuar financiarisht, ndërhyrjet politike vazhdojnë në dëm të autonomisë universitare.

Studentët përballen me kosto e papërballueshme e jetesës, mungesë laboratorësh dhe investimesh, infrastrukturë e amortizuar dhe një universitet gjithnjë e më larg tregut të punës.

Ndaj ky viti do jetë VITI I REVOLUCIONIT STUDENTOR sepse studentët janë baza e revolucionit Flamingo dhe ata nuk i ndal askush!

Këta student nuk do jenë thjesht numra në statistikat e regjistrimeve.

Do jetë brezi që do të sjellë ndryshimin. Një brez që kërkon të ardhmen këtu, jo jashtë Shqipërisë.

HOSTENI U NGRIT NGA VARRI

Dhe pa parë përreth, kuptoi menjëherë pse ishte thirrur përsëri.

Na kishit varrosur. Gabim. Na kishit harruar. Edhe më keq. Sepse ndërsa Hosteni rrinte nën dhe, absurditeti mbi dhe bëri karrierë. U bë drejtor. U bë deputet. U bë analist. U bë ekspert. U bë këshilltar. U bë zëdhënës. Madje herë pas here u bë edhe reformë. Dhe më në fund dikush duhej të ringjallej. Ja ku jemi.

NUK U KTHYEM PËR NOSTALGJI

Mos na vendosni në muze. Mos na vini në vitrinë. Mos thoni: “Ah, Hosteni! Çfarë kohe!” Ne nuk kemi ardhur të kujtojmë kohët e vjetra. Kemi ardhur të merremi me të rejat.

Dhe, për fatin tonë editorial, koha e re duket se është shkruar nga një satirist që nuk njeh masë. Realiteti po na bën konkurrencë të pandershme. Ne shkruajmë një shaka. Ai nxjerr konferencë shtypi. Ne shpikim një titull absurd. Ai e bën vendim zyrtar. Ne imagjinojmë një skenë qesharake. Ai e transmeton drejtpërdrejt. Në këtë pikë, nuk dimë më kush po kopjon kë.

NE KTHEHEMI PËR TË NGJESHUR

Hosteni nuk është kthyer për të bërë miq. Ka plot faqe të tjera për këtë. Nuk është kthyer për të marrë “like”. As për t’u ftuar në studio. As për të kërkuar leje.

Hosteni kthehet për të ngjeshur. Me humor. Me ironi. Me karikaturë. Me pyetjen që askush nuk dëshiron ta dëgjojë. Me atë titull që zëdhënësi do të donte të mos ishte shkruar. Me atë fjali që e bën një fjalim dyorësh të duket pikërisht aq qesharak sa ishte.

DO TË QESHIM ME TË GJITHË

Me pushtetin. Me opozitën. Me administratën. Me median. Me analistët. Me ekspertët. Me patriotët me tender. Me moralistët me shofer. Me revolucionarët me rezervim restoranti. Me reformatorët që reformojnë të njëjtën reformë për herë të pestë. Dhe, kur ta meritojmë: edhe me veten.

Sepse satira që kursen miqtë nuk është satirë. Është departament marrëdhëniesh me publikun.

NJË PARALAJMËRIM PËR NJERËZIT SHUMË SERIOZË

Nëse e merrni veten shumë seriozisht, kemi një problem. Jo ne. Ju. Nëse mendoni se posti juaj është tepër i rëndësishëm për humor, na jepni pak kohë. Nëse mendoni se emri juaj nuk duhet prekur, mos bëni gjëra qesharake. Nëse mendoni se çdo kritikë është sulm, bëhuni gati për një periudhë të vështirë.

Sepse Hosteni nuk pyet sa yje ka zyra juaj. Satira ka një zakon të keq: u heq gradat njerëzve. U heq kollaret. U heq podiumin. Dhe pastaj pyet: “Mirë, tani çfarë the?”

POLITIKANË, JU LUTEM MOS NDRYSHONI

Na duheni kështu. Natyralë. Mos merrni këshilltarë humori. Do të na prishni punë. Vazhdoni me premtimet. Vazhdoni me inaugurimet. Vazhdoni me deklaratat historike çdo të martë. Vazhdoni të shpallni fitore para se të fillojë beteja. Vazhdoni të na siguroni se “gjithçka është nën kontroll”. Ne do të jemi aty. Me laps. Duke shënuar orën kur humbi kontrolli.

ANALISTË, EDHE JU JENI TË SIGURT

Ju lutem mos u shqetësoni. Do t’ju trajtojmë me respektin që meriton një njeri që ka dhënë mendim për drejtësinë, ekonominë, luftën, bujqësinë, futbollin, inteligjencën artificiale, Kushtetutën, dhe çmimin e domateve brenda së njëjtës javë. Ky nivel ekspertize nuk duhet të humbasë. Duhet arkivuar.

MEDIA, FALEMINDERIT

Pa ju puna do të ishte shumë më e vështirë. Por ju na sillni materialin vetë. Në HD. Me titull të kuq. Me “BREAKING NEWS”. Me tre pikëçuditëse. Dhe me një person në studio që thotë: “Kam informacion ekskluziv, por nuk mund ta them.” Satira nuk mund ta shpikë këtë. Edhe sikur të përpiqej.

HOSTENI I RI NUK KA ORAR

Dikur revista priste të dilte nga shtypshkronja. Sot marrëzia nuk pret. Prandaj as ne. Një deklaratë del në mëngjes. Në drekë mund të jetë karikaturë. Në darkë mund të jetë histori kombëtare.

Hosteni i ri nuk pret numrin tjetër. Ai thumbon kur hekuri është i nxehtë. Dhe, nga sa shohim, hekuri në Shqipëri është vazhdimisht i nxehtë.

MOS NA THONI “E KENI TEPRUAR”

Ne nuk kemi fuqi ta teprojmë më shumë se realiteti. Kjo garë ka përfunduar. Realiteti fitoi. Ne vetëm raportojmë humbjen.

Kur një ngjarje duket si satirë, mos na fajësoni që e trajtojmë si të tillë. Kur një deklaratë tingëllon si parodi, mos na kërkoni ta bëjmë solemne. Kur absurditeti vishet me kostum dhe del në podium, Hosteni do ta njohë. Edhe nëse të tjerët ngrihen në këmbë.

KJO REVISTË KA VETËM NJË PROGRAM

Jo majtas. Jo djathtas. Jo lart. Jo poshtë. Drejt absurdit. Atje ku ndodhet, aty do të shkojmë. Nëse sot e bën njëri, qeshim me të. Nëse nesër e bën tjetri, radha është e tij.

Ne nuk kemi nevojë për baraspeshë artificiale. Kemi nevojë për material. Dhe materiali, falë Zotit dhe politikës shqiptare, shpërndahet gjerësisht.

PSE U RINGJALL HOSTENI?

Sepse dikush duhej të thoshte: “Po, edhe ne e pamë.” Sepse dikush duhej të pyeste: “Vërtet po e thoni këtë me fytyrë serioze?” Sepse dikush duhej të kujtonte se një kostum i shtrenjtë nuk e bën marrëzinë më pak qesharake.

Dhe sepse një vend ku pushteti nuk përballon dot të qeshurën është një vend që ka shumë nevojë për të.

NGA SOT, ASGJË NUK ËSHTË SHUMË SOLEMNE PËR T’U THUMBUAR

As posti. As titulli. As podiumi. As studioja. As konferenca. As slogani. As fjalimi. As “burimet pranë qeverisë”. As “burimet pranë opozitës”. As burimet pranë burimeve.

Nëse ka hipokrizi, ka Hosten. Nëse ka absurditet, ka Hosten. Nëse ka madhështi të rreme, ka Hosten. Nëse dikush përpiqet të na bindë se dy plus dy bëjnë pesë — ka shumë mundësi që të jetë kopertina.

KËSHTU QË, TË DASHUR LEXUES TË VJETËR:

Mirë se u gjetëm. Dhe ju të rinj: mirë se erdhët. Mbajeni mend emrin. HOSTENI.

Na varrosën si revistë. Po kthehemi si zakon. Na lanë në arkiv. Po dalim në kohë reale. Na menduan të vdekur. Por, për fatin tonë — marrëzia është e pavdekshme. Dhe sa kohë që ajo jeton, do të ketë punë edhe Hosteni.

QESH E NGJESH!

HOSTENI

Të tjerët japin lajmin. Ne i heqim seriozitetin.

“Rama = krimi” Protesta e 127 kundër qeverisë, qytetarët lanë mesazhin poshtë Kryeministrisë

Në përfundim të protestës së 127-të kundër qeverisë, qytetarët kanë lënë një mesazh në bulevardin përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Në Bulevard është shkruar mesazhi “Rama = Krimi”, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe protestuesve.

Mesazhi u vendos në kuadër të protestës së zhvilluar kundër qeverisë, e cila prej 127 ditësh vijon me thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e qeverisjes.

Protestuesit kanë deklaruar se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. GSH

Nis viti i ri akademik, mbi 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditore

Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2026-2027, ku mbi 20 mijë prej tyre ulen për herë të parë në auditore.

Edhe këtë vit peshën më të madhe të pranimeve e mbajnë universitetet publike, ku 70% e të rinjve kanë zgjedhur univeristetet publike dhe 30% universitetet private.

Për vitin e ri akademik edhe këtë vit degët më të preferuara nga maturantët janë Mjekësi e Përgjithshme, Sromatologjia, Inxhinieria, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit.

Ministria e Arsimit ka rihapur aplikimet për plotësimin e formularit A1Z në portalin e-Albania për kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë në raundin e tretë të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë. Aplikimet do të kryhen deri nesër, 6 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, përmes portalit “e-Albania”.

Ndërkohë, raundi i tretë i aplikimeve për maturantët do të zhvillohet nga 8 deri më 21 tetor 2026. Pas përmbylljes së procesit të regjistrimit më 21 tetor parashikohet që ky numër të arrijë mbi 21 mijë studentë. bw

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen shqyrtohen nesër në Kuvend

Radio Evropa e Lirë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Para seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion, i kryesuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, do ta shqyrtojë atë.

Qorrolli ka njoftuar se në mbledhjen e komisionit do të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.

Projektligji fillimisht shqyrtohet në parim nga komisioni përgjegjës dhe më pas votohet në lexim të parë në seancë plenare.

Nëse miratohet, ai kthehet në komision për shqyrtim nen për nen dhe për shqyrtimin e amendamenteve. Pas kësaj, projektligji shkon në lexim të dytë, ku Kuvendi voton amendamentet dhe më pas tekstin e projektligjit me ndryshimet e miratuara.

Në raste të caktuara, nëse nuk merr votat e nevojshme në leximin e dytë, projektligji mund të shqyrtohet edhe në lexim të tretë.

Pas miratimit nga Kuvendi, ligji nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet presidentit për shpallje, në përputhje me afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi mund të vendosë edhe shmangien nga afatet e zakonshme procedurale, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe me dy të tretat e deputetëve të pranishëm, nëse shmangia nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë verdiktin për akuzat për krime lufte.

Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës dha mendimin e saj për nismën, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.

Sipas Qeverisë, vlerësimi përfshiu përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe çështjet juridike të përmbajtjes së projektligjit.

Trajtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

PDK-ja e ka lidhur mbështetjen e saj për zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha më 3 tetor se partia e tij është e gatshme të diskutojë për presidentin dhe të japë votat e saj menjëherë pas miratimit të ligjit.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.

Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota. Nëse asnjëri kandidat nuk i merr 80 votat, në rundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë, pra 61 vota, ndërsa për të tri rundet duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

LVV-ja, me 53 deputetë, tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputetin Nenad Rashiq, kishte 62 vota për formim të qeverisë. Nëse kësaj shifre do t’i bashkoheshin edhe 22 deputetët e PDK-së, numri do të shkonte në 84 vota, duke kaluar pragun prej 80 votash.

Ndryshimet ligjore janë kërkuar në kohën kur në Kosovë po zhvillohen protesta të përnatshme kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit.

Protestuesit, përmes thirrjes “Jo në emrin tim”, kanë kërkuar ndër të tjera edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit ironizojnë Ramën përmes pankartave: Gjithë javës na vjedh me mjeshtëri, të premten na dëgjon hallet me ‘besnikëri’

Protestuesit kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama përmes pankartave gjatë protestës në ditën e 125-të të saj.

Në një pankartë, ata ironizojnë për programin “Prania Besnike”, teksa shprehen se ndërsa gjatë javës kryeministri dhe qeveria i tij i vjedhin qytetarët, të premteve i “dëgjon” hallet e tyre me “besnikëri”.

“Rama të premten na dëgjon hallet me “besnikëri”, gjithë javën trupa e tij na vjedh me plot mjeshtëri”, thuhet në një pankartë.

Në një tjetër, protestuesit i referohen gjendjes së shëndetësisë.

“Shëndetësia “falas”: E paguajmë me taksa, e  blejmë me rryshfet.” Panorama

Skandali i KAYO-s dhe trafiku i armëve, SPAK kontrolle dhe në Ministrinë e Mbrojtjes të drejtuar nga Ermal Raketa

Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj informon se me urdhër të SPAK agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar aktualisht nga Ermal Nufi, ose siç e quan Arben Ahmetaj Ermal Raketa,  pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre.

Kontrollet kanë pasur në fokus sekuestrimin e materialeve me vlerë për hetimin. Mësohet se SPAK iu drejtua pak kohë më parë GJKKO-së me një kërkesë për ushtrimin e kontrollit në banesën e biznesmenit izraelit Rony Yeffet,  dhe Arjeta Puca administrator e TIMAK që ia shiti aksionet Ron Yeffet dhe krijuan së bashku kompaninë Timak Defense, por dhe zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.

Me vendim të gjykatës janë sekuestruar praktika dhe dokumente që mund të jenë të vlefshme për hetimet. Pjesë e kontrolleve, me firmën e GJKKO-së ka qenë dhe kontrolli fizik, çka nënkupton se nuk përjashtohet që të jenë sekuestruar dhe telefona celularë, informon gazetari Gjinaj.

Kujtojmë se SPAK ka administruar audiopërgjimin që ish zv/kryeministri vuri në dispozicion dhe u bë publik në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv mbrëmjen e 7 shtatorit.

 

Pse quhet Ermal Raketa 

Ermal Nufi përflitet shpesh në audiopërgjim si një nga pikat kryesore të kontaktit të Ron Yeffet në qeveri, edhe për afera të tjera.

“Ermal Raketa është pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre. Nga brenda më ka ardhur. Kur kreu i organizatës i ka thënë: ‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa” do të deklaronte Arben Ahmetaj tek Çim Peka live më 7 shtator 2026

Në intervistën e pestë për gazetarin ‘Çim Peka’ në Syri Tv Ahmetaj denoncoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve, nëpërmjet biznesmenit izraelit Ron YEffet, ndërsa demaskon qeverinë, e cila pretendon se vendi ynë do të prodhojë municione nëpërmjet KAYO.

 

Në intervistën e pestë për emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, publikoi audiopërgjimin, ku Ron Yeffet pranon se qeveria shqiptare e ka kontraktuar për të bërë punët e pista. Biseda e biznesmenit izraelit zhvillohet me dy sipërmarrës ukrainas, të cilët i fton të bëhen pjesë e trafikut të armëve. Ron Yeffet zbulon gjithashtu se armët prodhohen në vendet e afrikës, por amballazhohen në Shqipëri dhe më pas shiten pa tendera në vende të ndryshme të botës si prodhim shqiptar.

Sipas Yeffet, municionet prodhohen në vende të Afrikës, më pas sillen në Shqipëri për amballazhim dhe tregtohen pa tender edhe në vende të tjera të NATO-s.

 

Arben Ahmetaj, përmend edhe një ngarkesë me armë që është kapur pak ditë më parë në Itali. Ai publikoi gjithashtu edhe pasqyrat financiare të kompanisë së Ron Yeffet, e cila me 14 punonjës ka marrë rreth 10 milionë euro paga nga buxheti i shtetit. Në audiopërgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, flitet edhe për planin e Ron Yeffet, që të marrë fushat gazmbajtëse të Delvinës dhe termoncentralin e Vlorës, ku përsëri ndërmjetësi është Ermal Nufi. Për këto pasuri publike, Yeffet u prorpozon sipërmarrësve ukrainas që të përdorin kompani prestanome amerikane, me qëllim që t`i mbyllet goja ambasadës së SHBA në Tiranë.

 

Ndërkohë mbrëmë po në emisionin ‘Çim  Peka Live’ u publikua një pjesë e re nga audiopërgjimi i Ron Yeffet, që disponon ish-zëvendësKryeministri Arben Ahmetaj. Në pjesën e re të audiopërgjimit, Ron Yeffet flet me sipërmarrësit nga ukrainas, për ndërtimin e një fabrike armësh në Afrikë. Për të shuar skepticizmin e ukrainasve, Ron Yeffet u tregon atyre se ka udhëtuar në Sudan me Arjeta Pucën për çështjen e armëve. Armët pasi prodhohen në Sudan, sillen në Shqipëri ku paketohen dhe më pas shiten në vendet e BE apo vendet në konflikte.

Aksion “top secret” Jo vetëm banesa e Ron Yeffet, BKH kontrolle në disa kompani dhe zyra, sekuestron dosjet te “Kayo”

SPAK ka ndërmarrë një seri kontrollesh në kuadër të hetimeve të nisura pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve dhe aktivitetit të kompanive të lidhura me KAYO. Një nga kontrollet është kryer në vilën në periferi të Tiranës, që raportohet se përdorej nga biznesmeni Ron Yeffet, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në ambiente të tjera dhe në institucione shtetërore.

Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala raportoi se hetimi ka nisur kryesisht pas publikimit të audiopërgjimeve dhe administrimit të tyre nga BKH. Sipas saj, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te banesa e Yeffet, por janë shtrirë edhe në ambiente të tjera dhe në disa kompani që lidhen me çështjen.

Sipas raportimit, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, kontrata private dhe materiale të tjera, ndërsa janë kontrolluar edhe ambiente të lidhura me KAYO-n. Hetimi, sipas Lalës, po mbahet me shumë rezervë nga SPAK dhe numri i kontrolleve është i lartë.

Kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas burimeve të raportuara, janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktika dhe kontrata. Po ashtu, në kuadër të hetimit janë kryer kontrolle personale, ndërsa pritet që të merren në pyetje persona të ndryshëm, përfshirë edhe Ron Yeffet. Raportimet e sotme konfirmojnë se kontrollet janë kryer me miratim gjykate.

Lala tha se në hetim mund të përfshihen edhe zyrtarë të lartë, ndërsa burime të rezervuara kanë bërë me dije se po bashkëpunohet edhe me autoritetet e huaja për verifikimin e aktivitetit që dyshohet si i paligjshëm. Hetimi pritet të shtrihet edhe jashtë Shqipërisë.

Emri i Ron Yeffet është përmendur nga Arben Ahmetaj në audiopërgjimet e publikuara prej tij, ku ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe ka lidhur këtë çështje me KAYO-n dhe kompani të sektorit të mbrojtjes. Këto janë pretendime të bëra publike nga Ahmetaj dhe tashmë janë objekt verifikimi nga autoritetet.

Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë kontrolleve janë marrë edhe materiale elektronike, dokumente dhe kompjuterë. Ajo raportoi gjithashtu se kontrollet vijojnë dhe se, për shkak të natyrës së hetimit, nuk përjashtohet marrja në pyetje e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për çështjen. Hetimi vijon, ndërsa priten të dalin më shumë detaje mbi objektin e kontrolleve, personat që do të pyeten dhe materialet e sekuestruara.

Akuzat e Arben Ahmetajt për trafik armësh, SPAK ushtron kontrolle në banesën e Ron Yeffet në periferi të Tiranës

Pas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj se Shqipëria po bën trafik armësh, sot janë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Mësohet se kontrollet janë ushtuar në banesën në periferi të biznesmenit amerikano-izraelit. Nga përgjimet e publikuara nga Ahmetaj, Yeffet dilte garant për të bërë trafik armësh, ku përdorte qeverinë shqiptare si mekanizëm. Yeffet është një biznesmen izraelito-amerikan, i cili është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes. Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.

Në përgjimet e Ahmetajt, ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.

“Tetori i studentëve” Edison Lika zbulon aksionin e ri të protestuesve: Do ia nxijmë jetën Ramës, siç na e ka nxirë! Në çdo takim do ta ndjekim me vezë e domate

Edison Lika, një prej protestuesve, ka njoftuar një aksion të ri të paralajmëruar nga grupi i studentëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Në një deklaratë nga protesta, Lika tha se muaji tetor do të shënojë, sipas tij, një fazë të re të aksioneve të tyre.

Lika tregoi se së bashku me një grup studentësh kishin shkuar në QSUT, ku kryeministri Edi Rama ndodhej për të përuruar disa investime. Sipas tij, studentët i kanë bërë thirrje Ramës dhe kanë përsëritur kërkesën e tyre për arrestimin e tij.

“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, deklaroi Lika.

Ai tha se protestuesit synojnë të ndjekin aktivitetet publike të kryeministrit dhe qeverisë edhe gjatë ditëve në vijim, duke paralajmëruar protesta në takime dhe dalje të ndryshme publike.

“Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë, në fushata, takime, do t’ua nxijmë jetën siç na e kanë nxirë ne gjithë këto vite”, u shpreh ai.

Lika deklaroi gjithashtu se protestuesit do të vijojnë me forma simbolike proteste gjatë daljeve publike të kryeministrit.

“Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Edison Lika.

Deklaratat e tij janë pjesë e paralajmërimeve të protestuesve për intensifikimin e aksioneve gjatë muajit tetor. gsh

“Mburojë për zyrtarët e lartë?” BIRN: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale rrezikojnë reformën në drejtësi

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë.

Projektligji përjashton nga masat e arrestit veprat penale ku maksimumi i dënimit është deri në pesë vjet, vendos filtra të rinj në kryerjen e hetimeve dhe kërkimin e provave nga prokurorët si dhe forcon regjimin e sekretit hetimor, deri në atë pikë sa ndalon bërjen publike të faktit se një person është nën hetim.

Kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale” dhe tha se 10 vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.

Në të kundërt, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë si projekt që synon të mbrojë zyrtarët e lartë nga drejtësia përmes cënimit të themeleve të reformës në drejtësi.

“Shqetësimi kryesor i Ramës muajt e fundit apo në muajt e ardhshëm është raporti i tij me pushtetin dhe post-pushtetin dhe kjo do të thotë që ai nuk e ka projekt reformën në drejtësi, as nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës dhe as llogaridhënien e transparencën publike,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

“Përpjekja e fundit është për të krijuar mekanizma mbrojtës në një rast hetimi ndaj tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe sidomos në periudhën kur ai s’do jetë kryeministër,” shtoi Krasniqi.

Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale propozohen në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama është tronditur nga skandale të reja korrupsioni, të cilat përfshijnë ish.zv.kreyeministren Belinda Balluku, ish-kryetaren e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni dhe drejtues të tjerë të lartë.

Këto përvoja, sipas Krasniqit, kanë ndikuar që kryeministri Rama të mendojë për mekanizma shtesë në raport me drejtësinë, ndërkohë që publikisht e konsideron atë të suksesshme.

Rrezikun që dispozitat e reja të ndikojnë në punën e institucioneve të drejtësisë e ngre edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndonëse në parim ai vlerëson orientimin e paketës drejt kufizimit të paraburgimit dhe forcimit të alternativave ndaj tij.

Ai thotë se efektiviteti i reformës së re do të varet nga mënyra se si do të zbatohen dispozitat e reja dhe nga konsistenca e gjykatave në vendimmarrje, ndërsa sugjeron që qeveria të sanksionojë në këtë paketë që dënimet të llogariten për çdo episod të përsëritur të një vepre penale, duke argumentuar se trajtimi i disa shkeljeve si një rast i vetëm mund të krijojë probleme në luftën kundër korrupsionit.

Në të kundërt, paralajmëron Preçi,  “amendimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk do të jenë gjë tjetër veçse një mekanizëm makiavelist politik për të frenuar SPAK-un, duke mbajtur të shtrënguara radhët e funksionarëve të qeverisë dhe politikanëve të mazhorancës së drejtuar nga z.Rama, që de facto janë kandidatë për t’u hetuar në vijim nga SPAK-u.”

Për Migen Qiraxhi nga “Qendresa Qytetare”, janë skandalet e fundit ato që e kanë nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime që sipas tij kanë si target punën e SPAK.

“Ka një paradoks: sa më shumë SPAK ka rezultate dhe godet nivele të larta të politikës, aq më shumë shohim iniciativa politike që prekin aktivitetin e SPAK”, tha Qiraxhi, duke shtuar se ndryshimet vijnë pikërisht atëherë kur ky institucion ka fituar një nivel të konsiderueshëm legjitimiteti publik.

Ndryshime që rrezikojnë reformën në drejtësi

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 pas ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, kishte si qëllim forcimin e pavarësisë së institucioneve kryesisht atyre të posaçme kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar dhe një riorganizim të bazuar mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorisë.

Një dekadë më pas, ekspertët e shoqërisë civile i vlerësojnë ndryshimet e reja të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale si rrezik për këtë reformë, pavarësisht se ato paraqiten si korrigjime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos në çështjet e masave të paraburgimit.

Problematika kryesore, sipas tyre, është mungesa e një konsultimi real me aktorët e drejtësisë dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështetën këtë reformë 10 vite më parë.

Krasniqi e quan këtë nismë “një lëvizje politike personale” dhe deri diku si “një nga ligjet e porositura në axhendën ligjore të qeverisë”.

Ai e konsideron absurd faktin që nismat që prekin thelbin e drejtësisë vijnë vetëm nga mazhoranca socialiste, duke shpërfillur opozitën parlamentare dhe institucionet e drejtësisë, gjë që sipas tij tregon se “koncepti i partisë-shtet vijon të jetë dominues dhe personalizimi i pushtetit logjikë dominuese”.

Sipas tij këto tentativa bien në kontrast dhe me procesin e integrimit ku i vetmi evolucion pozitiv në kapitullin e drejtësisë dhe luftës anti-korrupsion konsiderohet puna që bën SPAK dhe GJKKO.

Migen Qiraxhi nuk e konsideron suprizë këtë nismë të qeverisë, por e lidh atë me tentativa të vazhdueshme për të prekur kompetencat apo hapësirën e veprimit të SPAK me nisma që paraqiten si reforma kundër korrupsionit.

“Nese kjo sot është një nisme e qeverisë, ekziston rreziku që gradualisht të formalizohet një interes i përbashkët i pjesëve të politikës së vjetër, majtas dhe djathtas, për të rimarrë kontroll ose për të ngushtuar hapësirën e një drejtësie që për herë të parë po godet realisht në nivelet e larta,” thotë ai, duke këmbëngulur se ky është konflikti themelor.

Në këtë kontekst, Qiraxhi beson se debati duhet të fokusohet tek legjitimiteti I SPAK dhe jo tek përmbajtja teknike e propozimeve.

Ndërkohë, Zef Preçi vlerëson se pavarësisht rrezikut që paketa mbart ndaj pavarësisë së drejtësisë, në planin parimor ajo duket se adreson disa nga problemet më të kritikuara të sistemit penal shqiptar lidhur me masat e paraburgimit.

Por ai thotë se sërish mbeten pikëpyetje të forta, kryesisht për mungesën e tekstit të plotë publik në momentin e prezantimit dhe me zbatimin e tij në praktikë nga gjyatatat./BIRN/

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku: Nuk janë lajm filmimet por “Koalicioni Shqiptar” i partive shqiptare në Serbi janë bërë bashkë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit

Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm.

Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.

Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.

Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.

Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?

Deputeti socialist, Bledi Çomo merr leje për kullë 23 kate në qendër të Pogradecit (DOKUMENTET)

Deputeti socialist Bledi Çomo një vit pasi mori mandatin si ligjvënës i Pogradecit, ka vendosur t’i “shpërblejë” zgjedhësit e tij duke u ngulur një përbindësh betoni 23 kate mu në zemër të qytetit.

Në fund të korrikut, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejet për një numër të madh kullash dhe resortesh nëpër Shqipëri. Mes tyre, u miratua dhe një kullë e quajtur Feneri i Pogradecit, e cila do të jetë 23 kate e lartë.

Kompania ndërtuese e kullës është Molos shpk. Ajo zotërohet nga deputeti socialist Bledi Çomo dhe vëllai i tij Genci Çomo.

Në shtator të vitit të kaluar, pasi u zgjodh deputet, Bledi Çomo hoqi dorë nga zotërimi aktiv i kuotave të tij duke caktuar një shtetas të quajtur Kristi Kokoneshi si person të besuar. Kjo është një manovër fiktive, që diktohet nga Kushtetuta, e cila nuk i lejon deputetët të marrin asete, liçenca apo leje publike.

Por zotërimi pasiv nuk heq pronësinë. Pronari i Molos vazhdon të jetë Bledi Çomo. Me pak fjalë, Edi Rama i dha leje deputetit të tij të Pogradecit për të ngritur një përbindësh betoni 23 kate në zemër të qytetit.

Që nga zgjedhja e tij si deputet, ky është ndoshta kontributi më i madh që përfaqësuesi i popullit Çomo ka dhënë për zgjedhësit e tij pogradecarë. Aktiviteti i tij në Parlament është thuajse inekzistent, përtej votimit me besnikëri të ligjeve që dikton Edi Rama.

Kjo maxhorancë është e zhytur gjer në fyt në konflikt interesi. Ministra që marrin status investitori strategjik, deputetë që marrin leje për kulla, drejtor që ndërtojnë kompani private për të marrë kontratat e institucioneve të tyre e shumë bëma të tjera.

Por oreksi i zyrtarëve të maxhorancës nuk kursen asgjë. Jo vetëm tenderat, por tani as qytetet. Të ngulësh kullë 23 kate në Pogradec, është babëzi në kufijtë e kriminales./ Kapitali

“Arrestoni Ramën” Sudentët presin me protesta kryeministrin në QSUT. Ndërhyjnë civilët, shoqërojnë 2 protestues

 

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot më 1 tetor për  një vizitë në QSUT.

Ai kishte ardhur për të inauguruar kardiokirurgjinë e re, raporton gazetari Osman Stafa.

Mirëpo, është pritur nga protesta. Protestuesit kanë thirrur në kor “Arrestoni Ramën”.

Kanë ndërhyrë policët dhe civilët, duke shoqëruar në komisariat një aktivist dhe një student.

Prej kohësh, në rrugët e vendit protestohet kundër qeverisë, teksa kërkohet dorëheqja e kryeministrit. Protestuesit shprehen se kjo qeveri duhet të ikë, pasi korrupsioni ka arritur në nivele alarmante. bw

Von der Leyen i kërkon Shqipërisë zbatimin e reformave dhe dialog me shoqërinë

Jetmira Delia-Kaci

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi më 30 shtator që Shqipëria të përqendrohet te zbatimi i reformave, nga drejtësia te mbrojtja e mjedisit, duke ruajtur njëkohësisht dialog të fortë me shoqërinë.

Von der Leyen e nisi turin e saj në Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku zhvilloi takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përbashkët me Ramën, ajo e cilësoi Shqipërinë si një ndër vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Objektivi është në horizont”, tha von der Leyen, duke theksuar megjithatë se ka ende shumë punë përpara.

Ajo kërkoi reforma të mëtejshme në të gjithë kapitujt e hapur të negociatave, duke veçuar drejtësinë, kuadrin zgjedhor dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Miratimi i reformave është i rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është që ato të zbatohen tërësisht, që të sjellin ndryshime të vërteta për qytetarët. Kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike, si dhe një dialog të fortë e të vazhdueshëm me shoqërinë, për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të saj”, tha von der Leyen.

Rama shprehu një “vullnet të hekurt” për ta çuar përpara procesin e anëtarësimit, i cili, sipas tij, ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave.

Ai tha se me presidenten e Komisionit Evropian diskutoi edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se të dyja palët konstatuan përparim të Shqipërisë në këtë drejtim.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, më 30 shtator 2026.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, më 30 shtator 2026.

Hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe rasti Hyseni

E pyetur për rastet e zyrtarëve të lartë të dyshuar apo të akuzuar për korrupsion në Shqipëri, von der Leyen tha se hetimet janë tregues se sistemi po funksionon.

“Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë provë që sistemi po funksionon”, tha ajo, duke e cilësuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si thelbësore edhe për BE-në.

Rama tha se disa zhvillime që në Shqipëri shihen si kthim pas, sipas tij, për Komisionin Evropian janë tregues se vendi është një partner serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për herë të parë, ky vend ka një sistem që ka fituar dhe fiton dita-ditës aftësi vetëkorrigjuese, vetëpastruese, pra ato antikorpe që i ka çdo sistem demokratik, falë ndarjes së pushteteve, ku çdo pushtet bën punën e vet”, tha Rama.

Ai theksoi përgjegjësinë individuale të zyrtarëve që hetohen dhe tha se përgjegjësia e tij politike është të sigurojë vazhdimin e reformës në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

I pyetur për rastin e ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, Rama tha se deri tani asnjë partner ndërkombëtar nuk i ka shprehur qeverisë shqetësim për cenimin e sigurisë kombëtare apo të besueshmërisë në marrëdhëniet me partnerët.

Hyseni po hetohet për dyshime për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete.

“Procesi do të tregojë nëse ka apo nuk ka gjëra të cilat kanë cenuar çfarëdo qoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo me besueshmërinë që ka të bëjë me partnerët, por lajmi që kam për ju është që një shqetësim i tillë nuk na ka ardhur deri tani nga asnjë partner”, tha Rama.

Në Shqipëri, hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë përfshirë ministra, ish-ministra dhe drejtues të institucioneve qendrore e vendore. Dosjet lidhen me dyshime për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale.

Projekti në Zvërnec dhe protestat

Rama tha se gjatë takimit e informoi von der Leyenin edhe për ecurinë e projektit të investimit në Zvërnec, i cili ka nxitur protesta për mbrojtjen e mjedisit.

“E kam informuar për ecurinë e projektit të madh të investimit që ka shkaktuar aq shumë interes, kur tanimë jemi në fazën që presim së shpejti studimin e thelluar mjedisor, si dhe për hapat që kemi hedhur në funksion të rritjes së konsiderueshme të transparencës me publikun shqiptar dhe të ndërveprimit të qeverisë me publikun”, tha Rama.

Ai premtoi se në ditët në vijim do të bëhen publike të gjitha dokumentet e projektit.

Ndërkohë që zhvillohej takimi, dhjetëra protestues u mblodhën para Kryeministrisë, duke kërkuar që Bashkimi Evropian t’i dëgjojë shqetësimet e tyre.

“Shqipëria në BE pa Edi Ramën” ishte një prej thirrjeve të protestuesve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Protestues para Kryeministrisë në Tiranë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 30 shtator 2026.

Protestues para Kryeministrisë në Tiranë gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 30 shtator 2026.

Protestat nisën si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec dhe më pas përfshinë kërkesa më të gjera politike, si dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një qeverie tranzitore dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Projekti në Zvërnec parashikon ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe ka nxitur protesta për ndikimin në mjedis dhe çështjet e pronësisë së tokës.

Në qershor, Parlamenti Evropian i kërkoi Shqipërisë të pezullonte lejet e reja dhe punimet në zonat e mbrojtura deri në një vlerësim të plotë e të pavarur të ndikimit mjedisor dhe ligjor, pa përmendur ndonjë projekt specifik në rezolutën e miratuar.

Propozimet për zgjerimin e BE-së

Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do të paraqesë javën e ardhshme rishikimet e politikave në kuadër të përgatitjeve për zgjerimin.

“Ne do të shqyrtojmë institucionet tona, politikat tona, do të shikojmë dhe buxhetin tonë për t’u siguruar që Bashkimi Europian është gati për t’u zgjeruar, për të mirëpritur anëtarët e tjerë, anëtarët e rinj”, tha ajo.

Sipas von der Leyenit, do të përcaktohen edhe udhërrëfyes për të siguruar që angazhimet për vlerat demokratike dhe sundimin e ligjit të respektohen edhe pas anëtarësimit.

E pyetur nëse ndryshimet do ta përshpejtojnë integrimin apo do t’i kufizojnë të drejtat e anëtarëve të rinj, ajo tha se nuk mund të jepte shumë hollësi, pasi procesi është ende në zhvillim.

Megjithatë, ajo theksoi nevojën për masa që garantojnë respektimin e angazhimeve edhe pasi një shtet të bëhet anëtar i BE-së.

Rama, ndërkaq, tha se e drejta e vetos nuk i bën mirë Bashkimit Evropian. Ai e cilësoi Shqipërinë si viktimë të këtij mekanizmi dhe tha se vendi nuk humbet asgjë nëse ai shfuqizohet.

Komisioni Evropian pritet të miratojë më 7 tetor një strategji për zgjerimin. Sipas draftit të dokumentit, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (REL), kandidatët duhet të përmbushin kushte të rrepta për anëtarësim, ndërsa BE-ja duhet të përgatitet institucionalisht, financiarisht dhe politikisht për të mbetur funksionale edhe pas zgjerimit.

Drafti parashikon mekanizma që do të synonin kufizimin e mundësisë së anëtarëve të rinj për të bllokuar vendimet gjatë viteve të para të anëtarësimit. Ai parashikon gjithashtu instrumente për të reaguar nëse këto shtete devijojnë nga detyrimet e marra përsipër.

Elementi më i ndjeshëm lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, të përshkruar në dokument si “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.

Komisioni Evropian, me shumë gjasë, në kuadër të pakos së zgjerimit, të cilën do ta publikojë në fund të tetorit, do të dalë edhe me një hartë individuale të rrugës për kandidatët që janë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Edhe pse në grupin e zgjerimit janë dhjetë shtete (Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova, Turqia dhe Ukraina), burimet e REL-it konfirmuan se KE-ja me shumë gjasë do ta publikojë hartën e rrugës për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.

Bëhet fjalë për shtetet e vetme nga grupi i zgjerimit që deri tani po përparojnë në procesin e anëtarësimit.

Sipas propozimit, anëtarët e ardhshëm do të zotoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet unanimitet. Këto masa janë ende propozime në draft dhe jo rregulla të miratuara.

Von der Leyen nuk e përmendi shprehimisht veton gjatë konferencës në Tiranë.

Pas Shqipërisë, von der Leyen do të vizitojë Kosovën dhe Malin e Zi më 1 tetor, ndërsa turin do ta përmbyllë më 2 tetor në Maqedoninë e Veriut. Sipas Komisionit Evropian, vizitat në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi janë planifikuar për një datë të mëvonshme, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në këto vende.

“Shqipëria në BE, pa Edi Ramën” – Von der Leyen në Kryeministri, protestuesit vijojnë protestën pranë godinës

Qytetarët vijojnë protestën pranë Kryeministrisë ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen po zhvillon një takim kokë më kokë me Edi Ramën.

 

Ata nuk arritën që të afrohen pranë godinës së Kryeministrisë për shkak të përplasjeve që patën me policinë, e cila nuk i lejoi që të  depërtonin më tej drejt institucionit ku mbahet takimi.

“Shqipëria në BE, pa Edi Ramën” brohorisnin qytetarët, ndërsa bënin thirrje gjithashtu edhe për arrestimin e kryeministrit dhe vënien para drejtësisë. Panorama

Takimi Rama-Von der Leyen në kushte “shtetrrethimi” Gazetari: U morën të gjitha masat që të mos shohë mobilizimin qytetar! Revolta e shpërndarë në disa lokacione

Policia ka rrethuar zonën para Kryeministrisë, ndërsa qytetarët vijojnë protestën  e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ky takim vjen në kushtet e një shtetrrethimi dhe se policia ka marrë të gjitha masat që protestuesit të mos jenë pranë Kryeministrisë, duke bërë që të vendosen në lokacione të ndryshme

Kjo protestë vjen teksa mbahet edhe takimi i Von der Leyen me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në 17:30 pritet të mbahet edhe konferenca mes tyre.

Në disa momente pati edhe tensione  pasi efektivë të policisë tentuan të shtyjnë protestuesit për t’i larguar nga Bulevardi.

Protestuesit janë vendosur edhe te Bulevardi Dëshmorët e Kombit. gsh

“Nuk ka BE me Ramën” Policia nuk lejon që të protestohet pranë Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj: Po marrim Shqipërinë 313! Mesazhi ynë për Ursula von der Leyen

Aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar këtë të mërkurë në Tiranë, në kohën kur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndodhet në kryeqytet për takimin me kryeministrin Edi Rama.

 

Forcat e Policisë nuk kanë lejuar protestuesit të afrohen pranë Kryeministrisë, ndërsa mes efektivëve dhe qytetarëve ka pasur momente tensioni.

 

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e pranishme në protestë, kritikoi kufizimin e protestuesve nga Policia, ndërsa deklaroi se mesazhi i tyre për presidenten e Komisionit Europian është që Bashkimi Europian të mos mbështesë, sipas saj, drejtues autokratë.

“Rama nuk na përfaqëson. Kemi 122 ditë në protestë që themi se Rama dhe qeveria nuk na përfaqësojnë. Në BE vetëm nëse largojmë autokratët. Jemi këtu për t’i thënë Von der Leyen se nuk duhet të mbështesë autokratët”, deklaroi Vatnikaj.

Duke iu referuar pranisë së shtuar të forcave të rendit dhe pengimit të protestuesve për t’u afruar pranë godinës së Kryeministrisë, ajo e krahasoi situatën me një burg.

“Po e kthejnë Shqipërinë në 313”, u shpreh aktivistja, duke iu referuar burgut të Tiranës. bw

Qeveria propozon ndryshime të forta në Kodin e Procedurës Penale: Kufizime për publikimin e dosjeve, përgjimeve dhe vendimeve për masat e sigurisë – DRAFTI I PLOTE

Qeveria ka propozuar një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, të cilat prekin mënyrën e zhvillimit të hetimeve, të drejtat e personave nën hetim dhe të pandehurve, kontrollet dhe sekuestrimet, aksesin në telefonat celularë, masat e sigurimit, por edhe publikimin nga media të materialeve që lidhen me procedimet penale.

Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme për median parashikohet në nenin 103 të Kodit, i cili propozohet të riformulohet pothuajse tërësisht.

Kufizimet

Sipas projektligjit, ndalohet shpërndarja apo publikimi, edhe pjesërisht, i akteve të procedimit penal që mbrohen nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre.

Ndalimi përfshin publikimin përmes shtypit, televizioneve, faqeve zyrtare të institucioneve, rrjeteve sociale apo çdo forme tjetër komunikimi.

Për kërkesat për informacion nga palët e treta, organi procedues duhet të vlerësojë interesin për informim përballë nevojës për ruajtjen e fshehtësisë së hetimit. Në rast refuzimi parashikohet e drejta e ankimit brenda 10 ditëve në gjykatë. Projektligji përcakton se në këto raste ankimi do të bëhet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Ndalimet

Projektligji shkon më tej, duke vendosur kufizime edhe për disa akte të hetimit paraprak që nuk mbrohen më nga sekreti hetimor.

Në rastin kur procedimi pushohet, publikimi mund të ndalohet deri në një vit pas vendimit të pushimit, sipas vlerësimit të prokurorit ose gjyqtarit të seancës paraprake.

Në rastet e tjera, ndalimi parashikohet deri në fillimin e seancës së parë të shqyrtimit gjyqësor të themelit.

Personat e përfshirë mund të paraqesin publikisht versionin e tyre për ngjarjen, por pa publikuar përmbajtjen e akteve të dosjes.

Masat e sigurimit

Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin mediatik është ndalimi i publikimit të vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit, për aq kohë sa ekzistojnë kushtet e përcaktuara në nenin e ri.

Kjo do të prekë dokumente që sot përbëjnë shpesh bazën e raportimit për çështje penale me interes të lartë publik.

Prokuroria, nga ana tjetër, mund të komunikojë informacion për publikun kur kjo konsiderohet rreptësisht e nevojshme për hetimin ose për interesin publik, por pa shpërndarë aktet procedurale apo përmbajtjen e tyre.

Përgjimet telefonike

Projektligji vendos një rregull të posaçëm për përgjimet telefonike.

“Publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i përmbajtjes së përgjimeve telefonike është gjithmonë i ndaluar”, përcakton drafti.

Përjashtim bëhet vetëm për pjesën e transkriptimit që citohet në arsyetimin e një vendimi ose që përdoret gjatë gjykimit.

Parashikohen gjithashtu kufizime për publikimin e akteve të gjykimeve me dyer të mbyllura, identitetit dhe   të dhënave që bëjnë të identifikueshme viktimat, si dhe pamjeve të personave të privuar nga liria kur janë nën masa shtrëngimi fizik. Kur publikimi lejohet, dokumentet duhet të anonimizohen dhe redaktohen.

Kodi

“Neni 103

 Ndalimi i publikimit të akteve dhe i pamjeve të procedimit penal   

  1. Ndalohet shpërndarja, apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të procedimit penal që, sipas këtij Kodi, janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre, nëpërmjet shtypit, mjeteve audiovizive, faqeve zyrtare të institucioneve, rrjeteve sociale ose çdo forme tjetër të komunikimit nga organet proceduese, i pandehuri dhe mbrojtësi, viktima ose trashëgimtarët e tij, si dhe nga ekspertët ose persona të tjerë që kanë marrë dijeni mbi aktet për shkak të cilësive të tyre zyrtare.
  2. Në rast të kërkesave për informacion nga të tretët, organi procedues vlerëson interesin e kërkuesit për informim në raport me nevojat e fshehtësisë së hetimeve, duke u mbështetur në parimin e proporcionalitetit. Në rast refuzimi të kërkesës, subjekti i interesuar ose palët e treta kanë të drejtën e ankimit brenda 10 ditëve pranë gjykatës së shkallës së parë kompetente, e cila e gjykon ankimin në dhomë këshillimi. Në këto raste ankimi ushtrohet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo pranë komisionerit për të drejtën e informimit.
  3. Ndalohet shpërndarja apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, nga organi procedues, nga kallëzuesi, viktima, i pandehuri ose personi nën hetim dhe nga mbrojtësit e tyre, i akteve të hetimeve paraprake, që nuk janë më të mbrojtura nga sekreti hetimor:
  4. a) kur vendoset pushimi i procedimit, deri në një vit pas vendimit të pushimit, sipas vlerësimit përkatësisht të prokurorit, ose gjyqtarit të seancës paraprake që ka vendosur pushimin; ose
  5. b) deri në fillimin e seancës së parë të shqyrtimit gjyqësor të themelit, sipas parashikimeve të këtij Kodi.

Ky detyrim nuk pengon të drejtën e personave të mësipërm për të treguar në publik këndvështrimin e tyre për ngjarjet, pa përhapur përmbajtjen e akteve të mësipërme.

  1. Parashikimet e pikave 1, 2 dhe 3 të këtij neni nuk pengojnë të drejtën e të pandehurit, viktimës, trashëgimtarëve të saj dhe të kallëzuesit për njohjen dhe marrjen e materialeve të çështjes në përputhje me përcaktimet e këtij Kodi.
  2. Ndalohet publikimi i vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit. Ky ndalim zbatohet për aq kohë sa janë të pranishme kushtet e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni.
  3. Pikat 1, 2, 3 dhe 5 të këtij neni nuk e pengojnë organin e akuzës që të komunikojë informacion për publikun, kur kjo është rreptësisht e nevojshme për arsye që lidhen me hetimin penal ose me interesin publik, me kusht që të mos shpërndahen akte procedurale apo përmbajtja e tyre dhe që të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë, në përputhje me pikën 12 të këtij neni.
  4. Publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i përmbajtjes së përgjimeve telefonike është gjithmonë i ndaluar, me përjashtim të pjesës së traskiptimit që citohet në arsyetimin e një vendimi ose që përdoret gjatë gjykimit.
  5. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të shqyrtimit gjyqësor, kur gjykimi zhvillohet me dyer të mbyllura. Ndalimi i publikimit hiqet kur plotësohen afatet e caktuara me ligj për arkivat e shtetit dhe, në çdo rast, jo më parë se dhjetë vjet nga data kur vendimi ka marrë formë të prerë.
  6. Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i pamjeve të miturve që janë të pandehur, viktima, dëshmitarë ose të përfshirë në çfarëdo lloj forme në procedim. Gjykata mund të lejojë publikimin vetëm kur kjo i shërben interesit më të lartë të të miturit me kusht që të mos cenohet dinjiteti dhe privatësia e tij.
  7. Ndalohet publikimi i të dhënave dhe i pamjeve që bëjnë të identifikueshme viktimat e veprave penale, përveçse kur ato kërkojnë shprehimisht publikimin dhe gjykata vlerëson se kjo nuk cënon dinjitetin e tyre.
  8. Është i ndaluar publikimi ose transmetimi i imazheve të personave të privuar nga liria, ndërkohë që janë subjekt i masave të shtrëngimit fizik. Publikimi mund të autorizohet vetëm me pëlqimin e shprehur dhe të dhënë lirisht nga personat në fjalë. Ky ndalim zbatohet pavarësisht nga mjeti i publikimit dhe pavarësisht nëse kufizimi ndodh në kuadër të arrestimit, paraburgimit apo ekzekutimit të një dënimi me burgim.
  9. Organet e ndjekjes penale, gjykatat dhe çdo autoritet tjetër publik dhe ligjzbatues, në komunikimin e tyre me publikun dhe mjetet e informimit, respektojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, dhe respektojnë ndalimin e publikimit të parashikuar në këtë nen.
  10. Kur publikimi është i lejuar, dokumentet duhet të anonimizohen dhe redaktohen.
  11. Regjimi i parashikuar nga ky nen për palët e treta zbatohet edhe për dokumentet që tashmë kanë në zotërim. Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave. Gjykata kompetente shqyrton kërkesën duke u mbështetur në rrethanat konkrete të rastit, në parimin e proporcionalitetit, si dhe duke vlerësuar barazpeshën ndërmjet ruajtjes së integritet të procedimit penal, të drejtave të palëve në proces, si dhe të drejtës për informim të publikut. Ndaj vendimit të gjykatës mund të ushtrohet ankim sipas rregullave të këtij kodi. Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor.Panorama

iPhone 17 i Ergys Agasit pa kod sigurie- Si u zbuluan bisedat me drejtoren e SHISH, prokurorë, drejtues policie dhe ‘Bad Boys’

Pas kapjes së Ergys Agasit në zonën e “Plepave” në Durrës, këtij të fundit oficerët e policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit i kanë sekuestruar një aparat telefonik “iPhone 17”. Mësohet se ky mjet elektronik është kthyer shumë shpejt në një “magazinë” informacioni për SPAK, pasi telefoni që i është kapur Agasit, nuk ishte i pajisur me asnjë kod sigurie.

Kjo ka bërë që brenda një kohe të shkurtër, oficerët e BKH-së dhe prokurorët e SPAK, të realizojnë këqyrjen e lirë të aparatit të telefonit, e për pasojë vijimin me procedurën e arrestimit të drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni dhe dy personave të tjerë përgjegjës sektori në policinë Shkencore, Fatjon Kalluçit si dhe menaxherit të lokalit “Kodra e Kuajve”, Embro Sulejmani.

 

Ndërsa dy telefonat e tjerë “Iphone 17” të kapur personit tjetër në makinë, Uljan Shpatarakut, kanë qenë të pajisur me kode sigurie dhe ende nuk janë hapur nga ana e ekspertëve kibernetikë të prokurorisë së posaçme.

Siç mësohet nga burime të sigurta brenda SPAK, në telefonin e Agasit nuk janë gjetur vetëm biseda me drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, por dhe dhjetëra biseda me personazhe mjaft të njohur të botës së krimit që janë shpallur në kërkim nga SPAK, në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan, Tiranë, Fushë-Krujë.

Nga këqyrja e bisedave telefonike, Agasit i janë gjetur dhe biseda të ndryshme për Drejtorë Policie, dhe për prokurorë të SPAK. Një pjesë të madhe të bisedave Agasi, i kishte ruajtur qëllimisht në telefon për arsye ende të paqarta.

Shumë nga çunat që konsiderohen në Shqipëri si “Bad Boys” dhe që drejtojnë grupe kriminale, Agasi, shprehet në bisedat e veta me persona të tjerë se: “…ata janë çunat e tij dhe nën kontrollin e tij…”.

Por ky telefon nuk ka qenë i vetëm që i është kapur Agasit, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, janë kapur dhe 3 aparate të tjerë telefonikë, duke bërë që në total të shkojë numri në 4 celularë të sekuestruar Ergys Agasit.

Tashmë i gjithë hetimi i SPAK, është përqendruar pikërisht në këto 4 aparate telefonike, duke çuar në zbulimin e një “thesari” informacioni që ka në dorë SPAK, nga ku u çua drejt arrestit në shtëpi, drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, u kontrollua banesa e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe po pyeten disa drejtues të lartë policie.

Deri në këtë fazë ku ndodhet dosja penale, numri i personave nën hetim është rritur, duke filluar nga Ergys Agasi, Daniel Shima, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni, Mirlinda Karçanaj, Gëzim Hoxha, Andis Papa, Elison Jorxhi, Hava Delibashi, Emirton Suli, Embro Sulejmani, Fatjon Kalluçi etj. gsh

Lush Susaj: Tradhtia që iu bë studentëve më 2018 do ta ketë faqen e zezë në shekuj. Dilni në shesh

Pedagogu Lush Susaj ka mbajtur një fjalim të ashpër në ditën e 122-të të protestës qytetare, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Duke iu drejtuar protestuesve dhe veçanërisht studentëve, Susaj u ndal te protesta studentore e viteve 2018-2019, duke pretenduar se ajo u shtyp përmes presioneve politike në shkolla dhe universitete.

Susaj tregoi edhe një bisedë me një ish-student, i cili, sipas tij, kishte qenë një nga drejtuesit e protestës studentore të asaj kohe.

‘Profesor, çfarë më kanë masakruar, më kanë ulur në notë’, citoi Susaj ish-studentin, duke shtuar se kjo, sipas tij, ishte një formë e dhunës politike mbi arsimin.

‘Vëllezër dhe motra, për fat të mirë mbylljen e kësaj, e kësaj proteste të rëndë e bëjnë studentët. E Zoti i bekoftë të gjithë studentët e Shqipërisë dhe të gjithë familjet që kanë studentë e nxënës. Zoti ia lehtësoftë, ia lehtësoftë sa më shumë mundin e problemet.

Tani takova një student unë, e ai më njohu, unë nuk e njoha, sepse ky drejtoi protestën e vitit 2018-2019. Dhe më pa, dhe ta merr mikrofoni, se u konformuam me mendimet e nuk desha me e marrë. Vetëm se më kujtoi, tha: ‘Profesor çfarë më kanë masakrue, më kanë ul në notë.

E kjo është politika e fëlliqët serbo-komuniste mbi shkollat dhe universitetet.’ Kjo është dhuna politike mbi shkollat dhe universitetet. Kështu u shtyp protesta studentore e 2018-2019. E Zoti i turpëroftë të gjithë ata profesorë e horra që kanë bërë karrierë mbi këtë shtypje brutale që i bëjnë rinisë shkollore e universitare.

Kështu, kështu dhe vetëm kështu, e kam ditur atëherë, e kam shkruar, e kam përmendur, do ta përmend të gjithë jetën. Kështu u mbyt protesta studentore, që desh ndryshonte situatën në Shqipëri, e do t’ia shkurtonte Shqipërisë shtatë vjet dhunë, humbje, humbje imazhi, turpërim përpara kombit.

Kjo protestë, është e madhe, e mira më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë, sepse e iluminon kombin dhe shtetin, dhe i tregon ndërkombëtarëve dhe institucioneve ndërkombëtare mbi Shqipërinë, për me pa se çfarë bëhet në zyrat e errëta e konspirative të horrave të Shqipërisë.

Me këtë rast, çdo mësuesi e profesori të Shqipërisë, i bëj thirrje: Hajdeni e merrni mikrofonin! Mos i ulni kryet partisë! Mos guxoni me bërë presion mbi nxënësit dhe studentët, sikur bënë në 2018-2019! Zoti i turpëroftë të gjithë ata komunistë e bij komunistësh, që shtypën protestën studentore e universitare! Zoti i turpëroftë të gjithë ata bij e bija komunistësh, që do të tentojnë të shtypin këtë protestë, e cila i ka sjellë faqen e bardhë Shqipërisë.

Hajdeni tash t’ju kujtoj shqiptarë o njerëz, e mos u bëni argatë. Shikoni çfarë më tha një mësues, një gjermanist i Shkodrës, tha: ‘Ne u çuam të gjithë ish-komunistat, ne e morëm në mbrojtje… sa kishin rrogat, e kam kërkuar atë në 2013-ën, por nuk pranuan. Ama, tha, nuk na lanë me punu më.’

Çfarë ndodhi në Shqipëri vëllezër? Asnjë mësues e asnjë profesor, spiunët e nëpërkëmbat e partisë së punës, nuk u hoqën nga puna. Dhe vazhduan të rruajnë në universitete e shkolla, dhe i mbushën universitetet e shkollat me bastardët e tyre. E unë nuk jam për me lënë fëmijën në rrugë të madhe, e jam për, e nuk jam për atë që djali i profesorit, e djali i mësuesit të bëhet profesor.

Por ama, baballarët e tyre të paktën kishin praktikën, e kishin një farë qytetarie. Ndërsa këta janë horra, këta nuk kanë praktikë as qytetari, këta janë maskarenj, këta i kanë kthyer shkollat dhe universitetet në hane. Këta kanë masakruar sistemin arsimor, këta nuk janë pikë qytetarie, këta janë fëmijë të përkëdhelur e të rritur bollëk, e këta i turpëroftë Zoti.

Prandaj, prandaj mesazhi, mesazhi i studentes, sepse më thatë atë që unë e dija dhe e kam përmendur shpesh: Në asnjë vend të botës nuk ka bërë vaki me iu suell studentëve si qen mësuesit dhe profesorët e tyre. Dhe me hesht prindërit e tyre.

Prandaj ne kurrë nuk do t’i heqim vargonjtë e skllavërisë, nëse nuk kthejmë mësuesit dhe profesorët në shërbim të nxënësve dhe studentëve të Shqipërisë. Hajdeni o popull se të dashur, hajdeni e merrni fjalën se populli ka nevojë për fjalën tuaj, e mos u fshihni, e mos u bëni argatë kundër protestës, e kundër të ardhmes së fëmijëve tuaj.

E po e mbyll, po e mbyll me dy shprehje të bukura të dy burrave të shquar. Sot është dita e Shën Mhillit vëllezër, e popullsia katolike e Shqipërisë, e kanë festë e iu gëzofshin festat të gjithë katolikë e myslimanë, festat në Shqipëri i kemi bashkë. Është u rrit këtë ditë të madhe, por po kujtoj At Gjergj Fishtën.

At Gjergj Fishta thotë: ‘E asnjë doskë, e asnjë gjek, s’bëhet bashkë si kundër çek, për shtetin dhe për kombin shqiptar’. Së fundi, po i kujtoj edhe një tjetër, një burrë të madh të Dukagjinit, një emër që përjetësisht në shekuj të shekujve ka pushuar e do të pushojë në panteonin e nderit të kombit e të kujtesës historike.

E kam fjalën për artistin e madh, antikomunistin, Ndrek Lucën. Nuk dua me e lidh me të birin, ai ka lidhje, e ka këput atë lidhje në gjendjen civile, po jo për këtë. Ndrek Luca o vëllezër thotë: ‘Për qiell e për dhe, këtu ka tradhti o burra!’. Ne, ne mund të kemi tradhti nga krahëmarrja, mund të kemi nga mbrapa e nga para, por të jeni mirë, tradhtia e ka faqen e zezë.

Tradhtia që iu bë studentëve në 2018-ën, e nëse do të përsëritet prapë, do ta ketë faqen e zezë në shekuj të shekujve, e mos harroni kurrë, kurrë mos e harroni, ata që dëgjojnë. Kjo ka buruar, buron nga mungesa totale e dekomunistizimit, nga rrena e vitit 1991.

Zoti i nderoftë shekujt e shekujve! Zoti e nderoftë Evropën! Zoti e nderoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e nderoftë rininë studentore të Shqipërisë! Ju lutem studentë, duke iu konsideruar si fëmijët e mi, dilni në sheshe, mos dëgjoni as gjyshin as babën, as mësuesin as profesorin. Dilni e kërkoni të ardhmen tuaj, shtetin tuaj, kombin tuaj.

Zoti iu nderoftë!’, tha pedagogu Lush Susaj gjatë fjalës së tij në protestë. Panorama

Pse qumështi serb po hyn gjithnjë e më shumë në tregun shqiptar

Blegtoria prej disa vitesh është në rënie të lirë.

Ajo po përballet me një tkurrje të vazhdueshme, që po reflektohet në fermat shqiptare, në numrin e krerëve dhe tashmë edhe në sasinë e qumështit që prodhohet në vend.

Kostot e larta të ushqimit të kafshëve dhe karburantit, fermat e vogla dhe të fragmentuara dhe produktiviteti i ulët po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e aktivitetit blegtoral.

Në anën tjetër të zinxhirit, industria përpunuese ka nevojë për furnizim të qëndrueshëm dhe të standardizuar, çka po e shtyn tregun drejt lëndës së parë dhe produkteve të importuara.

Ndërsa prodhimi vendas tkurret, importet e qumështit dhe produkteve të bulmetit po fitojnë më shumë hapësirë në tregun shqiptar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se prodhimi i qumështit ra nga rreth 1.013 milionë tonë në vitin 2021 në 868.3 mijë tonë në vitin 2025.

Në të njëjtën periudhë, sektori blegtoral është përballur me rënie në numrin e krerëve, veçanërisht te delet dhe dhitë.

IPARD-i, një burim investimesh i bllokuar prej tre vitesh

Një tjetër element në historinë e mbështetjes së bujqësisë është programi IPARD.

Komisioni Europian e pezulloi financimin e IPARD për Shqipërinë në korrik 2023.

OECD raportoi se pezullimi erdhi pas rasteve të raportuara të parregullsive dhe dyshimeve për mashtrim në programet IPA dhe IPARD.

Në vitin 2025, Ministria e Bujqësisë raportoi se po punohej për zbatimin e hapave të nevojshëm për IPARD III, ndërsa në prill 2026 Ministria e Financave njoftoi se kishte dorëzuar paketën e akreditimit për hapjen e fondeve të IPARD III.

Sipas ministrisë, synimi ishte që fondet të çeleshin gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, pas vlerësimit nga Komisioni Europian.

Por afati ka kaluar dhe fondet nuk janë hapur.

Për një sektor që kërkon investime në mekanizim, pajisje, stalla dhe rritje produktiviteti, ndërprerja e këtij financimi ka qenë një tjetër pengesë për fermerët dhe bizneset e agropërpunimit.

Sa fermerë ka sot Shqipëria?

Sipas Regjistrit të Biznesit të INSTAT, në fund të vitit 2025 në Shqipëri rezultonin 112.205 fermerë, 6.1% më shumë se një vit më parë.

Kjo shifër i referohet fermerëve të regjistruar në regjistrin e njësive ligjore dhe nuk duhet të barazohet me numrin e personave që merren aktivisht me blegtori apo me numrin e fermave blegtorale.

INSTAT publikon veçmas statistikat për fermat blegtorale dhe numrin e krerëve.

Pra, problemi i sektorit nuk mund të matet vetëm me numrin e fermerëve të regjistruar. Sfida është sa prej tyre prodhojnë në mënyrë ekonomike, sa qumësht arrijnë të dorëzojnë në mënyrë të formalizuar dhe me çfarë kostoje.

Pilku: Nuk prodhojmë dhe grumbullojmë në mënyrë të qëndrueshme

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Ilir Pilkut, problemi kryesor i sektorit nuk është vetëm mungesa e qumështit, por pamundësia për të prodhuar, grumbulluar dhe standardizuar në mënyrë të qëndrueshme sasinë që kërkon industria përpunuese.

Një nga problemet kryesore, sipas tij, është struktura e fermave shqiptare.

“Pjesa më e madhe e tyre janë shumë të vogla, shpesh me vetëm 1–4 lopë, ndërsa rendimenti për krerë mbetet i ulët. Kësaj i shtohen kostot e larta të ushqimit blegtoral, mungesa e mekanizimit, fuqisë punëtore dhe tokës së konsoliduar”, vëren ai për Faktoje.

Pilku vlerëson se rreth 70–80% e qumështit nuk kalon në kanalet e përpunimit formal, por tregtohet në mënyrë informale ose përdoret nga vetë familjet.

Sipas tij, hendeku mes prodhimit vendas dhe nevojave të industrisë po plotësohet gjithnjë e më shumë nga importet.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të cituara nga Pilku, Shqipëria importoi rreth 19.8 milionë dollarë qumësht të ambalazhuar, 42.2 milionë dollarë djathë dhe gjizë dhe rreth 9 milionë dollarë kos.

Në total, sipas tij, importet e produkteve të bulmetit arritën në rreth 7.74 miliardë lekë, ndërsa eksportet në rreth 629 milionë lekë.

Fermeri përballë kostove dhe çmimit të tregut

Kostoja e prodhimit është një tjetër barrë për fermerin.

Sipas ekspertit Ervin Resuli, shpenzimet për karburantin, inputet bujqësore, ushqimin e kafshëve dhe shërbimet veterinare janë rritur, duke e çuar koston e prodhimit të një litri qumësht në rreth 48–50 lekë.

Në varësi të fermës, cilësisë së qumështit dhe kontratës me grumbulluesin, çmimi i grumbullimit varion, deri në 55 lekë për litër.

Kjo e vendos një pjesë të fermerëve në një situatë ku çmimi me të cilin shesin qumështin është në kufijtë e kostos, ose edhe poshtë saj.

Diferenca bëhet më e dukshme kur krahasohet me çmimin që paguan konsumatori.

Sipas INSTAT, një litër qumësht i freskët shitej mesatarisht me 154.1 lekë në treg, me TVSH.

Kjo nuk do të thotë se diferenca prej rreth 100 lekësh për litër është fitim i humbur i fermerit, pasi mes fermës dhe konsumatorit janë disa hallka të tjera të zinxhirit- grumbullimi, përpunimi, ambalazhimi, transporti dhe tregtimi.

Por raporti mes dy çmimeve tregon qartë peshën e ulët që ka çmimi i fermës në vlerën që paguan konsumatori: me një çmim grumbullimi 45–55 lekë, fermerit i shkon rreth 29–36% e çmimit mesatar të qumështit të freskët në treg.

Për fermerin, problemi nuk është vetëm çmimi i ulët i grumbullimit, por fakti se ky çmim duhet të përballojë ushqimin e kafshëve, punën, energjinë, shërbimet dhe kostot e tjera të prodhimit.

Kur marzhi mbetet minimal ose negativ, investimi në zgjerimin e tufës, mekanizim apo përmirësimin e produktivitetit bëhet gjithnjë e më i vështirë.

“Fermerët nuk kanë mundësi të rrisin kapacitetet, të investojnë në teknologji apo të rinovojnë tufat”, thotë Resuli duke shtuar se një pjesë e fermerëve po reduktojnë numrin e lopëve, po mbyllin aktivitetin ose po çojnë për mish edhe kafshë që më parë përdoreshin për prodhimin e qumështit.

Në një mendje me të është dhe Selim Bala, një fermer nga Peshkopia i cili vëren se kostoja e mbajtjes së bagëtive është rritur shumë ndërkohë që fitimi nga ana tjetër është i paktë.

“Unë kam dhjetra krerë bagëti për momentin por jo për shumë kohë. Nuk ia vlen barra qiranë. Është sfidë e përditshme mbajtja e tyre nga ana financiare përsa kohë nuk marr subvencione nga shteti”, thotë ai për Faktoje ndërsa shton se qumështin e shet individualisht në disa familje në fshat, me 100 lekë/litrin.

Resuli e lidh këtë presion mbi prodhuesin vendas me rritjen e importeve.

Sipas tij, për periudhën janar 2026, importet e qumështit u rritën me rreth 47% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Harta e vendeve nga ku Shqipëria importon më shumë

Në Shqipëri, sipas Resulit, qumështi vjen nga vende si Hungaria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Ndërsa sipas WITS, një platformë e Bankës Botërore që ofron të dhëna për importet, eksportet dhe tarifat tregtare, në tregun shqiptar importojnë qumësht kryesisht Hungaria, Italia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Të dhënat tregojnë se renditja e furnizuesve ka ndryshuar në vite.

Në periudhën 2021–2023, Serbia ishte një nga furnizuesit kryesorë dhe në vitin 2023 kaloi në vendin e parë, me rreth 7.8 milionë kilogramë qumësht të importuar në Shqipëri.

Në vitin 2024, megjithatë, importet nga Serbia ranë ndjeshëm, ndërsa Hungaria kaloi në vend të parë.

Pse qumështi serb është më konkurrues për importuesit shqiptarë?

Ng të dhënat zyrtare, Serbia ka një peshë shumë më të madhe në importet shqiptare të qumështit të lëngshëm sesa Maqedonia e Veriut, ndërsa Kosova pothuajse nuk shfaqet në këtë kategori.

Sipas ekspertëve, këtu ndikojnë disa faktorë.

Ata thonë se arsyet lidhen kryesisht me çmimin konkurrues, kapacitetet e larta të prodhimit ndërsa ndikojnë edhe kostot e transportit, afërsia me tregun dhe kontratat tregtare me importuesit shqiptarë.

Ndërkohë, sipas tyre Maqedonia e Veriut nuk është një alternativë e krahasueshme në volum.

Në vitin 2024, nga të dhënat e fundit të disponueshme, Maqedonia e Veriut eksportoi në Shqipëri vetëm 161 mijë kg qumësht, ndërsa vetë ajo importoi mbi 25 milionë kg, kryesisht nga Bosnje-Hercegovina dhe Serbia.

Pra, edhe pse është gjeografikisht shumë pranë Shqipërisë, nuk duket se ka të njëjtën tepricë të disponueshme për eksport.

Një tjetër shqetësim që ngre Resuli lidhet me gjurmueshmërinë.

Sipas tij, konsumatori duhet të ketë informacion të qartë mbi origjinën e lëndës së parë të përdorur në produktet e bulmetit.

“Industria jonë përpunuese rrezikon të kthehet në fasoneri të përpunimit dhe paketimit të produkteve me origjinë të huaj”, argumenton ai, duke kërkuar më shumë transparencë mbi origjinën e qumështit.

Si e mbështesin vendet e rajonit prodhimin e qumështit

Një nga dallimet mes tregut shqiptar dhe vendeve fqinje lidhet me mënyrën e mbështetjes së prodhimit.

Në Serbi, për vitin 2025 shteti aplikoi një pagesë prej 19 dinarësh për litër qumësht të dorëzuar te përpunuesit e regjistruar.

Përveç kësaj, fermerët përfitonin edhe 55 mijë dinarë për lopë qumështi, ndërsa për ripërtëritjen e tufës parashikohej një mbështetje prej 100 mijë dinarësh për mëshqerrë.

Në Maqedoninë e Veriut, pagesa direkte për periudhën e mbështetur në vitin 2025 ishte 6 denarë për litër për qumështin e lopës dhe 7 denarë për litër për qumështin e deleve dhe dhive.

Përfitues ishin fermerët e regjistruar që dorëzonin qumësht te blerës të regjistruar.

Në Kosovë, skema e pagesave direkte për vitin 2025 parashikonte mbështetje për qumështin sipas cilësisë, me 7 eurocent për litër për qumështin e klasës ekstra, 4 eurocent për klasën e parë dhe 2 eurocent për klasën e dytë.

Krahasimi nuk do të thotë se këto skema janë të njëjta me kushtet e Shqipërisë, por tregon se në të dyja vendet fqinje mbështetja lidhet drejtpërdrejt me sasinë e qumështit të prodhuar dhe të dorëzuar në kanalet e formalizuara.

Mbështetja fiskale për fermerët u përgjysmua, më pas u hoq

Në Shqipëri, ndërkohë, skema e kompensimit të TVSH-së ka pësuar ndryshime të rëndësishme.

Deri në fund të vitit 2018, fermerët përfitonin një kompensim prej 20% në kuadër të skemës së posaçme të TVSH-së.

Nga janari 2019, norma u ul në 6%. Më pas, me paketën fiskale 2022, skema e kompensimit të fermerëve u eliminua, duke kaluar nga 6% në 0%.

Kjo do të thotë se fermeri shqiptar nuk ka sot një pagesë direkte për çdo litër qumësht të prodhuar, të krahasueshme me skemën që aplikohet në Serbi.

Ekspertët: Sektori kërkon një tjetër model mbështetjeje

Të dy ekspertët e lidhin zgjidhjen me ndryshimin e mënyrës së mbështetjes së sektorit. Problemi, sipas tyre, nuk zgjidhet vetëm duke ruajtur numrin e kafshëve, por duke e bërë fermën më produktive dhe më konkurruese.

Në të njëjtën kohë, formalizimi i qumështit mbetet një hallkë e rëndësishme. Lidhja më e qëndrueshme mes fermerit dhe përpunuesit do t’i jepte industrisë siguri për furnizimin dhe fermerit një treg më të parashikueshëm.

“Subvencioni direkt është i nevojshëm për emergjencën, por vetëm ulja e kostos së ushqimit, mekanizimi dhe lidhja e mbështetjes me qumështin e formalizuar mund të bëjnë sektorin konkurrues. Objektivi nuk duhet të jetë thjesht të mbajmë numrin e lopëve, por të prodhojmë më shumë qumësht cilësor për krerë, me kosto më të ulët dhe me treg të garantuar.

Ndërhyrja me efektin më të madh do të ishte një paketë e integruar për uljen e kostos së prodhimit dhe rritjen e produktivitetit, e lidhur me dorëzimin formal të qumështit.

Nëse duhet zgjedhur një prioritet, do të zgjidhja mbështetjen e racave prodhuese, prodhimit dhe sigurimit të ushqimit blegtoral, të kombinuar me mekanizimin e fermave”, mbyll Pilku për Faktoje.

Eksperti ngre alarmin për të dhënat e SHISH: Janë publikuar numrat e 750 personave! Dekonsipirim i gjithë agjentëve në terren

Eksperti i sigurisë kibernetike Besmir Semanaj ka ngritur shqetësimin për një listë të publikuar me më shumë se 700 numra telefoni, që sipas tij pretendohet se i përkasin SHISH-it dhe lidhen me një kontratë të vitit 2022.

Në “Minuta e Parë”, Semanaj tha se dokumenti nuk është përgënjeshtruar deri tani dhe se, nëse lista rezulton autentike, mund të jetë cenuar identiteti i personave që punojnë ose bashkëpunojnë me shërbimin informativ, përfshirë edhe individë që operojnë në terren.

Semanaj theksoi se SHISH duhet të verifikojë urgjentisht të dhënat e publikuara dhe të përcaktojë se çfarë informacioni është komprometuar. Sipas tij, personat që mund të identifikohen duhet të mbrohen dhe, në rast komprometimi, të ndërmerren masa për krijimin e një rrjeti të ri operacional.

Semanaj: Kemi një kontratë të Vodafone që është hakeruar nga Homeland Justice. E vitit 2022. Janë të gjithë numra dhe kontraktuesi është SHISH. Nuk është përgënjeshtruar deri më tani. Deklarohet se janë numrat e SHISH të atij viti.

Është një çështje e rëndësishme se vë në rrezik e atyre zonjave dhe zotërinjve që punojnë në atë institucion. Nuk kemi një përgënjeshtrim. Asnjëherë nuk u pranua hakerimi i famshëm. Është me vulën e kompanisë, është një faturë e rregullt. Mungon përgënjeshtrimi.

Po flasim për mbi 700 numra. Në momentin që i kombinon me të dhënat e qytetarëve, del identiteti i personave. Shumë gazetarë e kanë provuar me true caller ku del emër mbiemri i personave. Nuk po flasim për punojnës të SHISH që janë publik. Po flasim për 750 persona që mund të jenë edhe në terren. Nëse lista vërtetohet që është e saktë, i gjithë zinxhiri i agjentëve në terren ka rënë. Janë dekonspiruar.

Nga lista del se ka persona edhe kamarierë, shoferë. Imagjinoni sa në rrezik janë ata persona. Kur është arrestuar dikë, një person del si ai që çoi indiciet te organet ligjzbatuese. Janë prerë në besë nga ata që duhet të ruanin të dhënat e tyre. Nuk dimë, hakerat nxorën një listë të SHISH, nesër mund të na dalë e policisë së shtetit, ushtrisë. Nuk na tregohet ende se çfarë ka humbur shteti shqiptar. për sa i përket botës së krimit, një numër telefoni të jep shumë informacion. Një pjesë e madhe aty mund të verifikohen.

Me aplikacione falas, mjaft të klikohet te databaza e rrogave, taksave, patronazhistave që është e saktë. Dhe një person të cenohej do ishte skandal. SHISH minimalisht duhet të bëjë një kontroll online, në databazat që kanë rrjedhur. Të gjithë ato persona që mund të identifikohen nga kjo listë bazuar dhe në punën e tyre duhet të mbrohen dhe të nisin nga puna për një rrjet të ri. Ky rrjet është kompromentuar. Po flasim për investim 10-ra vjeçarë. 


Send this to a friend