Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar. Ky takim vjen menjëherë pas konfirmimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, në një garë ku ai nuk pati asnjë kandidat përballë.
Kuvendi nisi punimet në orën 10.00 dhe hapjen e tij e bëri Erisa Bajaziti, një prej shqiptareve që jeton në Bruksel dhe kandidoi për PD në zgjedhjet parlamentare si përfaqësuese e diasporës. Gjatë punimeve të Kuvendit, drejtuesi i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, pritet të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore, të cilat do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë.
Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme. Sipas asaj që është bërë e ditur më herët, ndryshimet nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, i cili parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve. bw
Policia gjatë protestës së banorëve dhe aktivistëve mjedisorë, më 23 majit para gardhit me tela me gjemba të rrethimit në Zvërnec | Foto kortezi PPNEA
Dhjetëra banorë vendas dhe aktivistë u mblodhën të shtunën, më 23 maj, në lagunën e Nartës për të protestuar kundër rrethimit me tela me gjemba të plazhit të Pishë Poros – pjesë e peizazhit të mbrojtur natyror Vjosë-Nartë – nga një kompani ndërtimi, e cila ka siguruar leje nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një resorti masiv turistik në zonë.
Protestuesit mbanin në duar banderola në mbrojtje të natyrës dhe kundër oligarkisë – biznesmenëve vendorë të lidhur me qeverinë, të cilët ata i akuzojnë se po ua rrëmbejnë në mënyrë të paligjshme pronat.
“Vlora e Shqipërisë! Jo e mafies, jo e oligarkisë”, shkruhej në një nga parullat që mbanin protestuesit, ndërsa u përballën me një kordon policësh të thirrur për të mbrojtur kantierin dhe makineritë e rënda.
Kompania që po zhvillon resortin, Zvërnec South Adriatic Development, është regjistruar offshore në formën e një trusti në Holandë, ndërsa pronarët përfitues të saj mbeten anonimë. Media amerikane e ka lidhur projektin me dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Por dokumentet e siguruara nga BIRN përmes ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se, pas profilit publik të sofistikuar të familjes presidenciale amerikane, fshihet një rrjet vendor individësh dhe kompanish, ku përfshihet një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.
Ndërkohë, toka ku pritet të zhvillohet projekti është prej vitesh objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura, pavarësisht lejes së zhvillimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, KKTU, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Ata nuk pyesin. Janë shumë të fortë, sepse kanë pushtetin”, tha Minella Balliu, një prej banorëve të përfshirë në betejat ligjore mbi pronën e Pishë Poros, i cili iu bashkua protestës së 23 majit.
Zyra e kryeministrit Edi Rama tha përmes një përgjigjeje me shkrim se KKTU nuk ishte përgjegjëse për të kontrolluar kartelat e pronësisë dhe konfliktet gjyqësore të lidhura me to, ndërsa theksoi se institucionet nuk punojnë “as me pretendime, as me hamendësime apo paragjykime, por me dokumentacion dhe mekanizma ligjorë”.
“Fakti që ka apo nuk ka pretendues dhe procese lidhur me një pronë apo një tjetër, nuk ka asnjë lidhje me procesin ligjor të shqyrtimit të aplikimeve për leje ndërtimi,” deklaroi Kryeministria.
“Ndërkohë, kartelat e pasurive të paluajtshme nuk janë objekt hetimi apo gjykimi nga organet ekzekutive të shtetit,” shtoi ajo.
Pronarë në parajsë
Rrethimi me gardh dhe tela me gjemba i Zvërnecit përpara vendit të quajtur Plazhi i Dalanit. Foto kortezi nga Roger Hamilton Martin
Bregdeti i Zvërnecit dhe i Pishë Poros, një nga peizazhet më të paprekura të Adriatikut shqiptar, me plazhe ranore dhe shkëmbinj të thepisur që zbresin drejt detit, ka qenë prej vitesh në qendër të interesit të ndërtuesve dhe investitorëve turistikë për zhvillim.
Për shkak të natyrës së pacenuar dhe lagunës që strehon shpendë migrues si flamingot, zona mban statusin e Peizazhit të Mbrojtur, ndërsa brenda saj gjenden tre monumente natyrore: laguna e Limopuos, ishulli i Manastirit dhe dunat e rralla të rërës ku folezojnë breshkat detare.
Megjithatë, kjo nuk i ka penguar qeveritë ndër vite të miratojnë plane zhvillimore, ndërsa biznesmenë të njohur kanë “magazinuar” prej kohësh qindra mijëra metra katrorë tokë nga Triporti deri në grykëderdhjen e Vjosës, duke i blerë ato nga pronarë shpesh të kontestuar ose të përfshirë në procese gjyqësore.
Rruga për zhvillimin e zonës u hap në vitin 2021, kur qeveria uli statusin e mbrojtjes së ekosistemit Pishë Poro-Nartë, e reduktoi atë me mbi 5 mijë hektarë dhe dha leje për ndërtimin e një aeroporti në Akërni.
Në mars 2024, pak pasi ndryshimet e kontestuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura i hapën rrugë ndërtimeve me pesë yje, Jared Kushner deklaroi për median amerikane planet e tij për të investuar në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Sipas planeve fillestare, në Zvërnec parashikohej ndërtimi i rreth 10 mijë njësive akomoduese përgjatë rripit të gjelbër që ndan lagunën e Nartës nga deti.
Në gusht 2024 u themelua shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila zotërohet nga një zinxhir kompanish guackë nën menaxhimin e trustit holandez “Dutch Trust Management B.V.”.
Një prej kompanive në këtë zinxhir offshore, “Blue Industries Investment Holding B.V.”, zotërohet nga pesë individë anonimë nga Shqipëria, emrat e të cilëve mbrohen ligjërisht pasi asnjëri nuk zotëron më shumë se 25% të aksioneve.
Brenda tetë muajsh nga themelimi, kjo kompani siguroi dy leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pikërisht mbi zonat ku Jared Kushner ka deklaruar se do të investojë.
Dokumentet e marra nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, AZHT, tregojnë se është aplikuar për një leje që parashikon 47 mijë metra katrorë ndërtime në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh në Pishë Poro, me një investim të deklaruar prej 2.6 miliardë lekësh.
Kompania offshore ka lidhur kontrata sipërmarrjeje me individë dhe kompani që figurojnë pronarë të mbi 2.5 milionë metrave katrorë tokë, ose 251 hektarë, në Zvërnec dhe Nartë.
Dokumentet e AZHT-së dhe një sërë vendimesh gjyqësore tregojnë se origjina e këtyre pronave lidhet ngushtë me biznesmenin kontravers nga Vlora, Artur Shehu, i cili banon në SHBA, dhe me ish-avokatin e familjes së tij, Pëllumb Petritaj, i akuzuar disa herë për falsifikim dokumentesh.
Shehu dhe persona të lidhur me të – mes tyre Ferdinant Sulaj – kanë nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë zhvilluese si pronarë të parcelës me sipërfaqe prej rreth 108 hektarësh tokë.
Aktualisht, ai dhe të afërm të tij janë palë në disa procese gjyqësore për pronat e përfshira në këtë projekt. Edhe pse jeton jashtë vendit prej dekadash, Shehu rezulton ndër përfituesit më të mëdhenj të një sërë skemash të hetuara për tjetërsim pronash në Vlorë.
Një pjesë e këtyre hetimeve, të lidhura me parcela toke në gadishullin e Karaburunit, janë mbyllur me konfiskimin e pronave, ndërsa procedime të tjera janë ende në gjykim.
Vetë Shehu nuk është nën akuzë. Emri i tij është lidhur herë pas here me aktivitete kriminale dhe u përmend së fundmi në një dokumentar të televizionit italian “Rai” për hetime të mëparshme lidhur me organizatën mafioze, Sacra Corona Unita.
Shehu nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa një avokate e tij në Vlorë tha se nuk kishte më tagër përfaqësimi. Sulaj ishte gjithashtu i paarritshëm.
Një tjetër sipërfaqe prej 78 mijë metrash katrorë zotërohet nga Feriare Ndreu (Petritaj), vajza e Pëllumb Petritajt. Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar në shkallë të parë dhe i arrestuar disa herë.
Ai ka qenë me masë sigurimi “arrest shtëpie” deri në mesin e vitit të kaluar dhe mbetet ende nën masë sigurimi, në pritje të përfundimit të proceseve penale në Apel për falsifikimin e dokumenteve që i dhanë prona masive familjes Shehu në bregdet, përfshirë pronat e lidhura me resortin në Pishë Poro dhe zonat përreth tij.
Në një reagim publik në maj 2024, Petritaj pretendoi pafajësi për veten dhe për Shehun. Vajza e tij nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.
Ndërkohë, një tjetër palë në kontratën e sipërmarrjes është kompania “AM-Invest”, e cila zotëron 25 mijë metra katrorë tokë. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij.
Malaj ka gjithashtu një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim.
Malaj dha dorëheqjen në vitin 2020 dhe u përjashtua nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut në shkurt 2021. Me rreth 1.7 milionë euro pasuri të deklaruar, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Gjatë procesit të vetingut, Malaj pretendoi se po bëhej viktimë e një komploti.
Ish-gjyqtari ishte i paarritshëm për koment, por vëllai i tij, Agron Malaj, mohoi kategorikisht që toka në pronësi të kompanisë së tij të kishte lidhje me vendimet e dhëna nga i vëllai.
“Këto vendime nuk kanë lidhje me pasurinë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se toka ishte blerë për rreth 80 milionë lekë përmes kompanisë nga një biznesmen i palidhur me familjen Shehu në vitin 2021.
“Toka është blerë nga unë përmes kompanisë dhe është paguar me bankë”, shtoi ai.
Sipërfaqja më e madhe në projekt, rreth 1.2 milionë metra katrorë tokë, zotërohet nga “South Adriatic Development”, një kompani në pronësi 100% të Redi Strugës përmes “Smart Construction Invest”.
Struga është inxhinier dhe administrator i kompanisë projektuese “InfraKonsult” sh.p.k. Kompania e Strugës i ka blerë pronat nga zotërues të tjerë, përfshirë kompaninë “SERE” të grupit Balfin. Struga shërben përmes kompanisë “Albanian Land Development” si ura lidhëse me vëllezërit miliarderë Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat nga Katari, të cilët investojnë krah Kushnerit. Ai nuk iu përgjigj pyetjeve mbi rolin e tij në këtë projekt.
Lista e bashkëzhvilluesve mbyllet me kompaninë “Ferdinant”, e regjistruar për prodhimin e mobilieve dhe në pronësi të biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u vra në fillim të vitit 2025 në rrethana ende të paqarta, por që dyshohet se lidhen me një konflikt pronësie në Tiranë.
Kompania e tij zotëron 94,500 metra katrorë tokë, ndonëse në Qendrën Kombëtare të Biznesit figuron në proces likuidimi që prej vitit 2009.
Dora e “padukshme” e Kastratit
Ivanka Trump dhe kryeministri Edi Rama në një foto grupi ku është i pranishëm Musa Kastrati.
Për dy ditë me radhë, në fund të janarit, qetësia e fshatit piktoresk të Zvërnecit u prish nga masat e rrepta të sigurisë dhe një eskortë e gjatë fuoristradash të zeza.
Zona buzë lagunës së Nartës u shndërrua përkohësisht në qendër të vëmendjes për shkak të pranisë së Ivanka Trump, vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara. E rrethuar nga një shpurë arkitektësh dhe biznesmenësh, ajo vizitoi manastirin e vjetër të Shën Mërisë dhe u takua me kryeministrin Edi Rama.
Në takime, siç del nga një fotografi e publikuara gjerësisht në media, ishte i pranishëm edhe Musa Kastrati, djali i biznesmenit Shefqet Kastrati.
Ky i fundit është zotërues i Kastrati Group, një konglomerat që kontrollon pjesë të mëdha të tregut në një sërë sektorësh strategjikë, nga tregu i karburanteve dhe sigurimet deri te menaxhimi ekskluziv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa është i përfshirë edhe në projekte madhore në turizëm dhe pasuri të paluajtshme.
Grupi është akuzuar për favorizime nga qeveria, përfshirë marrjen e koncesioneve dhe pasurive publike me çmime simbolike. Disa projekte të tij, si në rastin e portit të Limionit, janë nën hetim për shkelje të ligjit.
Prania e Musa Kastratit në takimet e Ivanka Trump në Shqipëri dhe në Zvërnec nuk ishte përmendja e parë e tij në lidhje me projektet për resorte në gadishullin e vogël dhe në ishullin e Sazanit. Në mars 2024, Kastrati u citua nga The New York Times të thoshte se kompania do të kishte një rol në projektet që Kushner do të zhvillonte në Shqipëri, por se ky rol ishte ende i papërcaktuar.
Biznesmenë që zotërojnë sipërfaqe toke në zonën përreth projektit pohuan gjithashtu rolin e Kastratit aty, ndërsa i thanë BIRN-it, në kushte anonimati, se Musa Kastrati u kishte propozuar bashkëpunim ose blerje të pronës.
Emri i kompanisë u lakua menjëherë edhe pas fillimit të punimeve për rrethimin e peizazhit të mbrojtur për zhvillimin e projektit, pasi aktivistët fotografuan makineri të kompanisë në zonë. Banorë të Zvërnecit dhe pretendues të pronës ku po zhvillohen punimet u përballën po ashtu me persona të lidhur me kompaninë Kastrati, kur kundërshtuan ngritjen e rrethimit.
“Një miku im më ftoi për kafe dhe më tha se më kërkonte për takim nipi i Kastratit [Shefqetit]”, tha Minella Balliu në një bisedë telefonike. Ai tregoi se më pas takoi një person që u prezantua si Dervish Dina.
Edhe Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec, tha në një bisedë telefonike me BIRN se, kur kërkuan takim me drejtuesin e projektit – pasi u përballën me punëtorët që ndanë me gardh fshatin nga pjesa e bregdetit – u takuan sërish me Dinën.
Dina rezulton një person i lidhur me Musa Kastratin, me të cilin ka qenë ortak në kompaninë “KST Advertising”. Kompania ka ndërruar disa herë pronësi përmes shitjes, dhurimit dhe anulimit të kontratave – nga Dina te Musa Kastrati, më pas te një kompani e grupit dhe së fundmi sërish në pronësi të Dinës.
Sipas dy të intervistuarve, Dina është prezantuar në rolin e një drejtuesi teknik dhe u ka premtuar takime me përfaqësues të kompanisë zhvilluese në këmbim të heshtjes për mediat.
Pavarësisht nëse ka një rol të drejtpërdrejtë në projekt apo përmes personave dhe kompanive të lidhura, Kastrati Group u distancua nga punimet, duke mos iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga ambientalistët.
“Ashtu siç është bërë publike nga media, por edhe nga informacionet zyrtare, kompania e cila po kryen punime dhe ka në projekt ndërtimin në zonën e Zvërnecit është ‘Zvërnec South Adriatic Development’. Besoj se pyetjet tuaja duhet t’i drejtohen kësaj kompanie”, tha në një përgjigje për BIRN zëdhënësja e kompanisë.
Kompania Zvërnec South Adriatic Develompent nuk qe e arritshme për koment përmes telefonit. Ndërkohë, në adresën e reklamuar në QKB, pranë European Trade Center në katin e 12, nuk u gjet zyrë me emrin e kompanisë dhe personat e shërbimit nuk ishin në dijeni të saj.
Musa Kastrati nuk ishte i arritshëm për koment. Ndërkohë, Dervish Dina, pasi iu përgjigj një telefonate, u ankua për mungesë sinjali dhe ndërpreu komunikimin.
Konflikti i pronave dhe karuseli i vendimeve të gjykatave
Protesta e 23 majit në Zvërnec dhe telat me gjemba te rrethimit | Foto kortezi PPNEA
Që kur dëgjuan për planet për resortin turistik, të shoqëruara me emrat e Kushner dhe Trump, banorët e Zvërnecit – të përfshirë në një konflikt prej dy dekadash për tokat në zonë – u alarmuan. Në televizion shikonin se si pylli, livadhet dhe plazhi ku ishin rritur projektoheshin me vila në rendera 3D, ndërsa ata vetë ishin tërësisht në errësirë dhe pa informacion.
Për më shumë se dy vjet, çdo zhurmë e vogël dhe interesi i madh i medias ndërkombëtare ua mbajti gjallë ankthin se po humbisnin përfundimisht aksesin në tokën që thonë se e kanë trashëguar nga gjyshërit dhe që do të donin t’ua linin trashëgim fëmijëve.
Makthi u bë realitet për ta në fund të prillit 2026, kur panë për herë të parë makineritë e rënda në zonë. Pak ditë më vonë, aty u ngrit një gardh metalik që rrethon mbi 1 milion metra katrorë dhe u ndalon atyre aksesin në plazhin ku janë rritur dhe në pronat e pretenduara të të parëve, në zonën kadastrale 3951.
“Tani na kërkojnë vizë për të hyrë në tokat tona,” thotë i dëshpëruar Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec, në një bisedë telefonike me BIRN.
Minella Balliu u gjend përballë një gardhi të ngjashëm në veri të Zvërnecit, në Pishë Poro. Aty ndodhet zona kadastrale 1007 dhe janë rrethuar mbi 1.3 milionë metra katrorë tokë.
“Na kanë nxjerrë me forcë nga prona jonë,” ankohet ai.
Të dyja sipërfaqet kontestohen në gjykatë prej të paktën dy dekadash. Zona 3951 kontestohet mes banorëve të Zvërnecit dhe familjes Shehu, në një konflikt që, sipas dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive të banorëve, shtrihet pas që në vitet ’30.
Banorët këmbëngulin se e kanë pronën të trashëguar dhe se e rifituan të drejtën mbi të përmes ligjit 7501 “Për tokën”, por një sërë vendimesh administrative të viteve 2006-2009 ia njohën të drejtën familjes Shehu dhe një pjesë e konsiderueshme e pronës, sipas dokumenteve kadastrale që disponon BIRN, iu njoh Artur Shehut.
Në vitin 2013, një vendim i Gjykatës së Vlorës, e vënë në lëvizje nga banorët e fshatit, u dha këtyre të fundit të drejtë dhe anuloi vendimet që ia kishin njohur pronën familjes Shehu.
Por çështja u apelua dhe, pasi mbeti e pazgjidhur për vite të tëra në Apel, u rikthye një vit më parë për plotësim në Gjykatën e Vlorës. Banorët ende presin rifillimin e gjyqit, ndërsa shohin se prona po rrethohet dhe tjetërsohet përfundimisht.
“Po tallen me ne. Të gjithë këta – me kadastër e me gjykata – po tallen me ne”, thotë Konomi.
Konflikti i dytë, ai në zonën kadastrale 1007, është edhe më i ndërlikuar. Këtu përballen të paktën tre palë: pretendimet e familjes Shehu, ato të familjes Moçka, familja e Minella Balliut dhe, me gjasë, edhe të tjerë që pretendojnë trashëgimi nga paraardhësit në zonë.
“Kam 30 vjet gjykatave. Nuk ka njeri me dosje më të plotë se unë”, thotë i revoltuar Minella Balliu, i cili pretendon se, përveç çështjeve civile, përballet edhe me procese penale si i paditur dhe paditës.
Çështja e kësaj prone i ka kaluar një herë të tre shkallët e gjyqësorit, si çështje penale ashtu edhe civile. Çështja penale nisi me dënimin në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pëllumb Petritajt dhe të një punonjëseje të Arkivit të Shtetit për falsifikimin e përkthimit të një dokumenti të Perandorisë Osmane.
Në Apel, një trup gjykues me relator Alaudin Malajn pushoi akuzat ndaj Petritajt për përdorimin me vetëdije të dokumentit fals, por në qershor 2024 Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykimin e çështjes, duke theksuar se “falsiteti i këtij dokumenti ka rezultuar i provuar”.
Në krahun civil, çështja nis në vitet 2012-2013. Fillimisht, Gjykata e Tiranës rrëzoi një padi të ngritur nga Pëllumb Petritaj në favor të familjes Shehu.
Në Apel, me një vendim të gjyqtarit Alaudin Malaj, familjes Shehu iu njoh pronësia në zonë. Vendimi u prish nga Gjykata e Lartë dhe u kthye për rigjykim në shkallën e parë. Më 26 maj të vitit të kaluar, gjyqtari Enkel Peza ia njohu sërish të drejtën e pronësisë familjes Shehu.
Në vendimin e ri nuk përmendet dokumenti i falsifikuar, edhe pse palët kundërshtare ia kanë sjellë atë në vëmendje gjykatës. Çështja është apeluar dhe mbetet ende në pritje të një zgjidhjeje gjyqësore.
Megjithatë, si banorët e Zvërnecit ashtu edhe pretenduesit e tjerë e shohin vendimmarrjen e KKTU-së për leje zhvillimi në zonë si një akt që i zhvesh ata nga e drejta e pronësisë dhe i vendos përballë faktit të kryer.
Qeveria pretendoi se nuk mund t’u jepte përgjigje shqetësimeve të banorëve, duke lënë të kuptohej se konfliktet penale dhe civile shqyrtohen nga gjykatat.
“Dyshimet apo hamendësimet tuaja lidhen qoftë me gjykatat, qoftë me prokuroritë, të cilat kanë të drejtën dhe detyrën t’i shqyrtojnë ato në bazë të kompetencave ekskluzive që u jep ligji”, përfundoi Kryeministria.
Në video të publikuar në Facebook, Lefter Maliqi ka ndarë disa nga problematikat me të cilat përballen qytetarët në jetën e përditshme. Mungesë infrastrukture, mungesë ndriçimi që e vështiron edhe më shumë situatën për banorët në Bardhaj.
Ai thotë se qytetarët tashmë e dinë se çdo gjë nga qeveria bëhet vetëm për show, ndërsa thekson se qytetarët nuk mashtrohen më.
Reagimi i plotë:
Hajdarët dhe kryehajdarët në panik! Kandidatët Hajdarë janë shtuar e po zihen kush t’a ketë më mirë me Kryehajdarin!
Rivalitet, luftë brenda llojit, zuzaret rilindas të pangopur. Frikë dhe shoë elektoral! Janë turrur tani, vitin e fundit para zgjedhjeve, të premtojnë investime e punësime në zonat tona fituese.
Pas dhjetëra denoncimeve tona kujtohen sot për Urën e Bardhajt. Jo vetëm urë po edhe me florinj ta shtroni, prapë nuk i mashtroni dot qytetarët! Populli e di kush i grabiti taksat dhe pasuroi oligarkët e klientët e pushtetit.
Ju ka zënë paniku nga humbja që po afron në Kuçovë, Berat dhe kudo. Janë turrur me kuç e maç, me hajdarë e kryehajdarë, por qytetarët nuk mashtrohen më. Edhe pazaret nuk pinë më ujë!
Koha e pandëshkueshmërisë po mbaron. Çdo abuzim me taksat e qytetarëve do hetohet dhe pasuria e vjedhur do sekuestrohet kudo që të jetë fshehur.
Bardhaj do bëhet me urë, rrugë të asfaltuar dhe ndriçim deri në Pashtan,Investime do ketë në Mendrakë, Belesovë, Luzaj,Pëllumbas, Lumas, Shegjëz, Krekëz, Koritëz, Çiflik dhe në çdo fshat të Kozarës, Perondisë e gjithë Kuçovës. Kuçova do kthehet në qytet model në shkallë vendi!
Poshtë hajdutët, hajdarët e kryehajdarët, zuzaret e kryezuzarët që janë superpasuruar me djersën e popullit!
Në Tiranë u zhvillua *Mëngjesi i Lutjeve i Europës Juglindore, me moton “Faith and Liberty” *, organizuar nga një grup deputetësh, të drejtuar nga Kryetari i Partisë Republikane, z. Fatmir Mediu, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi.
Takimin e përshëndetën Kryetari i Kongresit të SHBA-së Mike Johnson, Senatori Amerikan James Lankford, Kryetari i Grupit për Shqipërinë në Kongresin Amerikan, Kongresmeni Robert Aderholt, dhe Kryetari i Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në SHBA, Kongresmeni Ben Cline.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të njohura nga SHBA, Europa dhe rajoni, mes tyre ish-Kongresmeni amerikan dhe këshilltari i Zëvendës Presidentit amerikan JD Vance për veprimin konservator, Bob McEwen, ish-këshilltarja e Presidentit George W. Bush, Mary Katherine Andrews, Sekretarja e Përgjithshme e PPE-së. eurodeputetja Dolors Montserrat, Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Eugenio Zoffili,përfaqësues të Institutit Republikan Amerikan, deputetë nga vendet e rajonit si edhe të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë aktivitetit, i cili u drejtua nga z Arben Malaj dhe z. Fatmir Mediu, u nënvizua se popujt e Europës Juglindore e njohin mirë çmimin e humbjes së lirisë, pasi kanë kaluar përmes ndarjeve, konflikteve dhe pasigurisë. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se besimi i jep njeriut forcën për të përballuar sfidat, ndërsa liria i jep dinjitetin për të jetuar.
Liritë, të drejtat janë të dhëna nga Zoti dhe jo nga qeveria. Qeveria nuk është Zot i jetës sonë por duhet të garantojë, të drejtat dhe liritë dhe ndërtimin e të ardhmes e mirëqënies në Shqipëri
Në një kohë kur Europa dhe bota përballen me luftëra, polarizim dhe krizë besimi, u theksua nevoja për përgjegjësi morale, solidaritet dhe bashkëpunim mes kombeve. Duke cituar Nënë Terezën – “Nëse nuk kemi paqe, është sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit”- pjesëmarrësit bënë thirrje që Ballkani të mos mbetet peng i historisë, por të ndërtojë një të ardhme të bazuar mbi vlera demokratike, shpresë dhe liri me përgjegjësi. bw
Ish-Komandanti i Flotës Detare, Vladimir Beja, u shpreh në studion e emisionit “Oponencë” të News24 se Shqipëria po shfaqet inferiore ndaj Greqisë në lidhje me diskutimet për një marrëveshje në ndarjen e detit apo çështjes së ishujve.
Duke sjellë si shembull rastin e Italisë, një tjetër vend fqinj me tonin, ai shpjegoi se Athina dhe Roma e bënë ndarjen e detit që në vitin 1977 dhe në mënyrë të barabartë, kur ende nuk kishin dalë konventat aktuale.
Gjithashtu ai shtoi se Greqia pavarësisht ndasive politike të brendshme, për çështjen e detit me Shqipërinë bëhen bashkë në interes për të përfituar sa më shumë territor apo kufi detar.
Sipas ish-komandantit, edhe Ngushtica e Korfuzit duhet ndarë nga e para sepse në fuqi është ndarja që në kohën e perandorisë Osmane.
“Ngushtica e Korfuzit duhet ndarë nga e para, ajo ka qenë e ndarë para 400 vitesh kur nuk kishte as kufi grek dhe as shqiptar, kur ishte perandoria Osmane, Italia apo Franca. Si ka mundësi që fuqitë e mëdha të mos e dinin se Ngushtica e Korfuzit nuk ishte e ndarë, hajde ta ndajmë. Marrëveshjet për detin kryesisht gjykohen në Gjykatën e Hamburgut dhe atje duhet të shkohet, sepse ka më shumë hapësira dhe mundësi. Greqia ka një pretendim se ishullin e konsideron si kontinent. Ishujt që të quhen ishuj tamam duhet të ketë mbi 400 banorë. Greqia menjëherë çoi ushtarë atje, kjo nuk bëhet. Me Italinë i ka ndarë që më 1977 ishujt dhe territorin detar, kur nuk ishin ende konventat, kurse ne na e kërkon 100%, pse? Ne jemi vend anëtar i NATO dhe po integrohemi në BE. Greqia nuk na ka në dorë, por këta janë inferiorë, kemi ndërruar 4 ministra të Jashtëm”, tha ish-komandanti.
Ai u shpreh se Greqia është e qartë në atë që kërkon, edhe pse në mënyrë të padrejtë, kurse pala shqiptare shfaqet e përçarë, e pagrupuar dhe madje inferiore.
“Atje politikanët grupohen, Tsipras me Mitsotakis, me interesin e përbashkët që deti të ndahej sa më shumë në favor të Greqisë, këtu nuk grupohen. Këtu rrinë kokëulur dhe shohin se kush do gabojë. Unë edhe Gjykatës së Hagës po të çohet atje, nuk i trembem. Por Gjykata e Hamburgut ka një hapësirë tjetër, se pranon edhe ankimim shtesë. Kurse Haga i thërret për të dëgjuar palët se çfarë ankimimi kanë dhe nuk lejon më shumë se tre pyetje, kurse zgjidhja shihet si politike. Politikisht ishte gabim dërgimi në Hagë si nga Shqipëria ashtu edhe nga Greqia dhe Dendias në atë kohë. Sepse duhet të bien dakord të dyja palët. Ka shumë precedentë të tillë”, vijoi ish-kreu i Flotës.
Ai kërkoi më shumë vëmendje, teksa vlerësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009, por vuri në dukje se në vitin 2013 u prish akordi dhe përparimi i arritur, për interesa dhe shkaqe ende të paqarta, për të cilat politika duhet të japë llogari.
“Ka një lojë politike që nuk është në interes të Shqipërisë, sepse flitet për një palë të tretë. Diskutimet duhet të jenë mes dy vendeve. Deri në 2013 erdhën disa gjëra në akord, po pse u prish, si u prish, kush kishte interes të prishej, ajo duhet gjetur, kjo i duhet kërkuar politikanëve shqiptarë. Protokolli i Firences është i qartë, që ekziston kufiri, pavarësisht disa paqartësive”, tha ai.
Beja theksoi se më e mira do ishte dërgimi në Gjykatën e Hamburgut të çështjes dhe jo në Hagë siç kanë rënë dakord palët.
Duke iu referuar deklaratave të zyrtarëve më të lartë të Athinës, Beja theksoi se pala greke po shfrytëzon hapësirat dhe mungesën e lëvizjeve juridike nga pala shqiptare për të zgjeruar territorin e saj në dëm të hapësirës sonë detare në detin Jon.
Beja hodhi dritë mbi një ngritje pikëpyetjeje të madhe sa i përket diplomacisë shqiptare dhe hapave ligjorë që duheshin ndërmarrë në arenën ndërkombëtare për të bllokuar pretendimet e Athinës zyrtare.
“Konventat ndërkombëtare thonë se nuk mund të zgjerosh aty ku nuk ka hapësirë për të zgjeruar. Shtetet kufitare, në raste të tilla, bëjnë një rezervë ligjore dhe e paraqesin atë në OKB. Dendias na kujton sot neve shqiptarëve se u bënë pesë vite që kur e shtuan detin në 12 milje. Kjo ndodh sepse, siç duket, pala shqiptare nuk ka bërë rezervën ligjore të nevojshme në OKB për të mbrojtur kufijtë tanë detarë,” deklaroi ai.
Vladimir Beja, ish-komandant i Flotës Detare, theksoi se mes Shqipërisë dhe Greqisë mungon reciprociteti dhe respekti i ndërsjellë për të shqyrtuar çështjen e detit. I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ai e cilësoi Greqinë si një partner të vështirë, kur bëhet fjalë për Shqipërinë.
Beja krahasoi negociatat me Greqinë me marrëveshjen e arritur me Italinë në vitin 1992, duke vlerësuar korrektësinë e palës italiane dhe suksesin e asaj marrëveshjeje, e cila sipas tij nuk është kundërshtuar nga organizmat ndërkombëtarë.
“Ndarja me Italinë ka qenë shumë e vështirë për palën shqiptare se ne ishim pak partizanë në atë kohë. Teknologjia jonë ishte e dobët. Sot nuk është më kjo gjë. Shqipëria nuk është vendi i ‘89 apo ‘92. Kemi 16 vjet që ne diskutojmë marrëveshjen me Greqinë për arsye se Greqia është partner i vështirë sidomos me Shqipërinë se mungon minimum i reciprocitetit. Pala italiane ka qenë korrekt me ne, ne ishim shtet i mbyllur. Ishte komunikimi i parë që bëja me admiralët italianë. Ata janë sjellë korrekt dhe na afruan matje teknologjike të kohës që gabimi midis nesh të ishte sa më i vogël, fakti që nuk është kundërshtuar as nga organizatat ndërkombëtare apo ligji, kufiri me Italinë është ndarë në mënyrë të përsosur. Sot Shqipëria gëzon një det territorial nga OKB, 8 mijë kilometra katrorë. Deti territorial ka konceptin dhe mbrojtjen juridike njësoj si toka. Me Greqinë kemi hasur vështirësi.”, tha ai.
Ai tha se marrëveshja e vitit 2009 dështoi për shkak të papërgatitjes së palës shqiptare dhe tentativës për ta zgjidhur çështjen politikisht, ndërsa shtoi se Greqia kërkon të rihapë diskutimet për kufijtë që nga viti 1920.
“Marrëveshja e 2009 ka dështuar se ne ishim të papërgatitur përsëri dhe donin ta zgjidhnim në mënyrë politike. Së parë ne jemi në pozita inferioriteti në bisedime, mungon reciprociteti, respekt për të dy palët. Më e rënda është se Greqia kërkon të fillojmë nga e para që nga 1920. Pra nuk kemi pasur kufij me Greqinë, thotë Greqia, ndërkohë që kufijtë tanë i kanë dhënë fuqitë e mëdha. Janë rikonfirmuar edhe në incidentin e Ngushticës së Korfuzit nga gjykata e Hagës.”, u shpreh ai.
Ish-komandanti i Flotës Detare kritikoi edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duke përmendur një nen të hequr për ligjin për kufirin.
“Unë mendoj se zgjidhja është në palën greke duhet të jemi më reciprocitet, në linjë profesionale të dyja palët nuk duhet të ketë probleme të hiqet dorë se Shqipëria nuk ka pasur kufij me Greqinë. Si mund të ruash kufirin kur ti nuk di se çfarë kufiri paske. Edhe delegacioni në 2009 e pranoi këtë gjë, madje bënë edhe gabime kushtetuese. Në ndryshimet kushtetuese të 2008 ne kemi hequr një paragraf, që mund të ndryshohet integriteti territorial. Ndërkohë të gjitha kushtetutat e vendeve të ndryshme kufijtë janë të patjetërsueshëm. Është hequr nga kushtetuta.
Pas kushtetutës u hoq ligji për kufirin 87, 71. U hoq ky ligj dhe si u hoq, u miratua pas pak muajsh miratohet një ligj për kontrollin e kufirit dhe neni i fundit heq ligjin për kufirin. Pra ligji për kontrollin e kufirit heq nenin për kufirin. Prandaj u pranua plani grek. Ministria e jonë e jashtme e firmosi ashtu siç ia dha planin. Është pranuar plani grek. “, shtoi ai.
Deklaratat e prokurorëve të Barit dhe investigimet e “La Repubblica” sinjalizojnë se paratë e mafias shqiptare po rikthehen në Shqipëri përmes pastrimit dhe investimeve strategjike, duke hapur një front të ri alarmi politik dhe penal…
Ceremonia e bujshme që u zhvillua në Tiranë nga Direzione Investigativa Antimafia e Barit dhe SPAK nuk dukej të ishte thjesht shpallja e mbylljes së hetimeve ndaj një grupi të rëndësishëm kriminal.
Prokuroria Antimafia, qoftë e Barit apo e rajoneve të tjera në Itali, ka zhvilluar prej vitesh, së bashku me SPAK-un, hetime edhe më të bujshme sesa ai ndaj Ilir Kamberit dhe grupit të tij.
Në rastet e tjera ka pasur zakonisht njoftime për shtyp ose videokonferenca, të shoqëruara më pas me jehonë mediatike.
Ndërsa kësaj here, grupi i prokurorëve antimafia, të cilët theksuan se veprojnë edhe në koordinim me Eurojustin, deklamuan me forcë se paratë e mafias shqiptare janë investuar në Shqipëri.
Deri tani ka pasur shkrime, kronika dhe dokumentarë mbi këtë fenomen, por sot kemi një qëndrim zyrtar të fortë, që nuk është gjë tjetër veçse një “minë me sahat” për qeverinë e Edi Ramas.
Roberto Rossi, prokurori i Antimafias së Barit, deklaroi qartësisht se paratë, ose shumica e tyre, që gjenerohen nga aktiviteti i mafias shqiptare kanë ardhur në Shqipëri.
“Kur them të destinuara për në Shqipëri, kam parasysh 640 mijë euro të sekuestruara këtu mbi bazën e indicieve hetimore të DIA-s, si edhe rreth 400 mijë euro të tjera të sekuestruara këtu në Itali, por gati për të kaluar Adriatikun.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se tregtia e lëndëve narkotike gjeneron para, gjeneron shumë para dhe vazhdon të gjenerojë shumë para.
Do të thotë gjithashtu se, nga statistikat që kemi, sepse marrim komunikime nga forcat e tjera të policies, investimet në Itali po reduktohen, sepse goditja e magjistraturës ndaj pasurive të mëdha kriminale është shumë e fortë, sidomos në këtë distrikt, falë Prokurorisë së Barit.
Por kjo do të thotë edhe se forcimi progresiv i kriminalitetit shqiptar në këtë sektor po sjell gjithashtu lëvizje të mëdha të pastrimit të parave jashtë shtetit. Është e qartë që paratë shkojnë aty ku është më e lehtë të depozitohen dhe të pastrohen.
Në Shqipëri, në këtë moment, përkrah emergjencës së trafikut të madh të narkotikëve që vijnë edhe nga vendet e Amerikës Latine, ekziston edhe alarmi për pastrimin e parave”, deklaroi Rossi.
Ndërkaq, e përditshmja italiane La Repubblica ka publikuar një investigim më të thelluar mbi investimin ekonomik të parave të narkotrafikut me bazë shqiptare.
Duke cituar hetuesit e DIA-s, La Repubblica thekson se ata “e interpretojnë këtë fenomen të dërgesave të parave cash si të lidhur me nevojën për të transferuar para në Shqipëri, ku është më e lehtë të riinvestohen”.
Sipas hetuesve italianë, mafia shqiptare karakterizohet nga një “marrëdhënie e jashtëzakonshme me teknologjinë”, e cila i lejon të menaxhojë trafikun e drogës, por edhe të riinvestojë fitimet.
I gjithë ky material nuk është gjë tjetër veçse paralajmërimi i “minës me sahat”, ose më saktë i disa minave, që mund të shpërthejnë së shpejti në mjedisin shqiptar nga hetimet e Antimafias italiane dhe SPAK-ut.
Alarmi është i madh, sepse konsiderohet se paratë e narkotrafikut nuk janë thjesht të riinvestuara në ekonominë shqiptare, por përdoren për të fuqizuar më tej organizatat kriminale, të cilat me kapitalet e fituara investojnë drejtpërdrejt në trafikun e kokainës nga Amerika Latine dhe në krijimin e rrjeteve logjistike ndërkombëtare.
Antimafia italiane e sheh krimin e organizuar shqiptar si një strukturë të fuqishme pushteti, që nuk ka vetëm fuqi ekonomike, por edhe kontroll politik në territoret ku operon, si dhe struktura logjistike, mediatike dhe teknologjike të nivelit të lartë.
Sipas autoriteteve italiane, mafia shqiptare nuk është thjesht e infiltruar në strukturat politike dhe administrative të shtetit, por në shumë raste i menaxhon ato, si pasojë e rolit dhe hapësirës që i është krijuar nga pushteti politik.
Dhe këtu, sipas këtij këndvështrimi, bëhet qartësisht fjalë për qeverinë e Edi Ramës dhe mazhorancën e tij.
Së shpejti, pritet të shpërthejnë dosje të mëdha të mafias shqiptare, të cilat, sipas shumë gjasave, mund të rezultojnë edhe më të rënda sesa dosjet e korrupsionit./Pamfleti
Presidenti Bajram Begaj, uroi sot besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
Ndërsa përcolli urimet për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet shqiptare, Presidenti i Republikës kujtoi dhe vlerat e kësaj dite të shënuar për besimtarët myslimanë.
“Kurban Bajrami, – shprehet Presidenti i Republikës, – na kujton sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë.
Kreu i Shtetit thekson se shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës vlerëson në këtë mesazh se festa të tilla si Kurban Bajrami na rikujtojnë vlerat që i kemi mbajtur gjallë ndër shekuj: besimin, familjen, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Presidenti Begaj uroi nga Meka ku nddhet me ftesë të Mbretit të Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud.
Mesazhi i Plotë i Presidentit Begaj për Kurban Bajramin:
“Të dashur besimtarë myslimanë,
Nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit dhe paqes, në këtë ditë të shënuar të Kurban Bajramit, ju përcjell urimet më të përzemërta për më shumë begati, shëndet, harmoni dhe mirësi në familjet tuaja!
Kurban Bajrami është kujtesë për sakrificën, përkushtimin ndaj Zotit, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë. Shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për tjetrin.
Festa si Kurban Bajrami na rikujtojnë vlerat që i kemi mbajtur gjallë ndër shekuj: besimin, familjen, mikpritjen dhe respektin për njëri-tjetrin.
Jam veçanërisht i nderuar që këtë festë ta pres në Mbretërinë e Arabisë Saudite me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe paqe.
Gëzuar Kurban Bajramin!
Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare!” bw
Një javë më parë Behgjet Pacolli lëshoi alarmin se 50 inxhinierë kinezë të kontraktuar nga kompania e tij për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, po mbaheshin të izoluar nga ortaku i tij Valon Ademi në kushtet e një krizë të rëndë humanitare.
“Megjithëkëtë, pjesa më e rëndë ndodh brenda territorit të aeroportit. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve,” shkroi zoti Pacolli me indinjatë në rrjetet sociale.
Postimi i Pacollit per inxhinieret kineze
Trajtimi çnjerëzor i punonjësve është një shkelje serioze e ligjit, ndonëse kompania 2A group i mohon akuzat e Pacollit, pasi sipas saj inxhinierët lëvizin lirisht brenda dhe jashtë kantierit. Por a është vërtetë meraku i Mabco-s shkelja e të drejtave të inxhinierëve kinezë.
Kapitali publikon sot një email skandaloz të drejtorit të Mabco për projektin e Aeroportit të Vlorës. Fadil Neziri, i cili rezulton njëkohësisht edhe familjar me zotin Pacolli, ka shantazhuar kompaninë nga e cila Mabco ka kontraktuar inxhinierët kinezë, se do t’u ndërpresë ushqimin dhe do t’i nxjerrë jashtë kontenierëve ku ata qëndrojnë. Arsyeja e kërcënimit ishte se kompania ka kërkuar nga Mabco të bëjë pagesën e dakortësuar për shërbimin tek punonjësit, pasi në të kundërtën ata do të ndërprisnin punën.
“Ju nuk duhet të na vendosni ultimatume si ky sepse në të kundërt në mund t’ju themi që do t’i heqim të gjithë punonjësit nga kontenierët tanë dhe nuk do t’u japim ushqim,” shkruan drejtori i Mabco-s në përgjigjen ndaj kompanisë nga ku ka kontraktuar inxhinierët kinezë.
Përveçse skandaloz, emaili zbulon gjithashtu se Mabco është në vështirësi financiare dhe nuk është korrekte në kryerjen e pagesave për nënkontraktorët.
“Unë e di se ju keni kërkuar disa herë për kryerjen e pagesës, por ne jemi pak në vështirësi financiare këto kohë. Unë besoj se ju e keni të qartë që ne nuk jemi një fabrikë që prodhojmë para dhe besoj gjithashtu që do ta aprovoni kërkesën tonë, përndryshe nëse ju ndaloni punën ne do të bëjmë atë që kam theksuar në këtë letër. (Nxjerrjen e inxhinierëve jashtë kontenierëve dhe ndërprerjen e ushqimit),” vijon emaili skandaloz i drejtorit të Mabcos, Fadil Neziri.
Ky është një email që Kapitali e shtiu në dorë në mënyrë rastësore. Portali nuk mund të përcaktojë me saktësi kohën e tij, por gjasat janë që emaili të jetë i muajve të fundit. Për të sqaruar më tej rrethanat, Kapitali iu drejtua zyrtarisht kompanisë Mabco duke kërkuar dhe komentin e saj për këtë email.
Ndonëse u përgjigj, kompania as nuk e mohoi emailin dhe as nuk e pohoi atë, por bëri të paditurën duke kërkuar detaje se kujt i është drejtuar dhe kur ky email, edhe pse dërguesi i tij është drejtori i Mabco-s.
Por përtej detajeve burokratike, emaili i rëndë i zotit Neziri ngre pikëpyetje të mëdha mbi atë nëse zoti Pacolli është i interesuar me të vërtetë për të drejtat e punonjësve kinezë, apo ka hallin të ndërtojë një fabul të caktuar publike për ta përdorur më pas për interesa arbitrazhi në kurriz të shqiptarëve./kapitali.al/
Që nga shtatori, Shqipëria ka ministren e parë në botë të drejtuar nga inteligjenca artificiale. “Diella”, që në shqip do të thotë diell, do të sigurojë që në vendin kandidat për në BE “prokurimet publike të jenë 100 për qind pa korrupsion”, premtoi kryeministri prej kohësh Edi Rama. Por eksperimenti duket se ka shkuar në drejtimin e kundërt: ndaj personave pas chatbot-it po zhvillohen hetime për krim të organizuar. Janë ngritur disa padi dhe të martën pritet të vendoset nëse ekzistenca e “Diella”-s si anëtare e qeverisë është apo jo në përputhje me Kushtetutën.
Që nga fillimi, ekspertët dhe opozita e konsideruan problematike idenë që një inteligjencë artificiale të merrte vendime administrative. Sipas tyre, IA mund të ndihmojë në prokurimet publike, por përgjegjësia duhet të mbetet te njerëzit realë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike opozitare konservatore, Gazment Bardhi, e quajti “Diella”-n “fantazi propagandistike” të Ramës dhe “fasadë virtuale për të fshehur vjedhjet gjigante të përditshme të kësaj qeverie”.
Partia Socialiste e Ramës fitoi zgjedhjet parlamentare në maj të vitit të kaluar për herë të katërt radhazi dhe arriti shumicën absolute.
Në shtator, “Diella” u promovua ministre me dekret presidencial, por kontrolli mbi të mbeti drejtpërdrejt në duart e Ramës. “Ajo është vajza ime”, tha Rama atëherë, “dhe është shumë besnike ndaj babait të saj.” Ai shtoi se ajo nuk ka kushërinj dhe prandaj nuk rrezikon të bjerë në nepotizmin e zakonshëm.
Edi Rama është kryeministër që nga viti 2013 dhe gjithmonë ka qenë i prirur ndaj veprimeve me efekt publik.
Opozita i drejtohet Gjykatës Kushtetuese
Partia Demokratike ngriti një ankesë në gjykatë: sipas Kushtetutës, vetëm njerëz realë mund të jenë pjesë e qeverisë, ndërsa një algoritëm nuk mban përgjegjësi para qytetarëve. Sipas saj, dekreti shkel edhe ndarjen e pushteteve, duke krijuar pa bazë ligjore një strukturë të re ministrore dhe duke i dhënë kryeministrit kompetenca të reja jashtë kuadrit kushtetues. Të martën, gjykata më e lartë shqiptare pritet të marrë një vendim për këtë çështje.
“Diella” nuk ishte një krijim i ri kur u prezantua publikisht në shtator; ajo ekzistonte që në fillim të vitit si chatbot në E-Albania, portali digjital i shërbimeve shtetërore. Figura u zhvillua në bashkëpunim me Microsoft dhe OpenAI, kompanitë pas ChatGPT-së. Pak muaj më vonë, “Diella” mori një fytyrë: një avatar të animuar me veshje tradicionale shqiptare, për të cilin aktorja Anila Bisha shërbeu si modele dhe dha zërin e saj.
Në nivel ndërkombëtar, projekti i paprecedentë i Shqipërisë tërhoqi vëmendje. Por paralajmërimet se nuk ishte e qartë sa transparente apo të kontrollueshme do të ishin vendimet e një anëtari qeveritar të drejtuar nga AI, dhe kush do të mbante përgjegjësi në rast gabimesh, u vërtetuan shpejt.
Hetime ndaj krijuesve të “Diella”-s
Pas “Diella”-s qëndron AKSHI, agjencia kombëtare shqiptare e informacionit, përgjegjëse për transformimin digjital të vendit dhe e varur drejtpërdrejt nga kryeministri. Në dhjetor, drejtoresha e AKSHI-t dhe zëvendësja e saj ranë në fokus të drejtësisë. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i vendosi në arrest shtëpie.
Sipas akuzës, ato ua jepnin tenderët kompanive mike në mënyrë të qëllimshme. Për të larguar kompanitë konkurruese, thuhet se përdornin frikësim dhe kërcënime. Madje dyshohet edhe për rrëmbime, ndërsa disa milionë euro janë devijuar në këtë mënyrë.
Nga opozita pati kërkesa për dorëheqjen e Ramës, por pa rezultat. “Më parë njerëzit duhej të prisnin në radhë për çdo dokument, edhe për një vërtetim të thjeshtë. AKSHI u ka kursyer qytetarëve mbi 600 milionë euro dhe mbi 7.000 vite kohë pritjeje”, deklaroi kryeministri. Sipas tij, nuk kishte nevojë për ndërhyrje.
“Korrupsion i vjetër i fshehur pas softuerit të ri”
Megjithatë, besueshmëria e “Diella”-s në popull duket se është dëmtuar rëndë. Kritikët theksojnë se ministrja virtuale është pjesë e sistemit të korruptuar dhe jo zgjidhje për të. Lutfi Dervishi, ish-drejtor i Transparency International Albania, deklaroi në një intervistë për gazetën gjermane “Zeit” se “Diella” do të “fshehte korrupsionin e vjetër pas një softueri të ri”.
Denisa Kele, pedagoge IT-je në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë, tha për ZDF se nëse të njëjtët persona që programuan “Diella”-n, dyshohen për korrupsion, “ministrja AI mund të bëhet një instrument i kamufluar mirë për abuzim”.
Aktorja si “Diella” kundër vullnetit të saj
Një padi kundër “Diella”-s është ngritur edhe nga gruaja që i dha zërin dhe fytyrën: Anila Bisha ka paditur qeverinë për përdorim të paligjshëm të imazhit të saj. Sipas saj, materiali video dhe audio që regjistroi ishte menduar vetëm për chatbot-in e E-Albania-s dhe kontrata përfundoi në fund të vitit 2025. Ajo deklaron se nuk ka pranuar kurrë të bëhej fytyra e ministres AI.
Avokati i saj e përshkroi kontratën si të kufizuar në përdorim. “Bëhej fjalë për një objekt ekskluziv dhe një qëllim ekskluziv. Kjo do të thotë se imazhi dhe zëri i saj nuk mund të përdoreshin për produkte të tjera”, tha ai. Qeveria i hodhi poshtë akuzat. “Sipas mendimit tonë, pretendimi është pa bazë”, deklaroi një përfaqësues i qeverisë. Në fund, vendimi i takon gjykatës.
Shumë ekspertë besojnë se inteligjenca artificiale ka të ardhme në politikë dhe mund të sjellë përfitime për qytetarët. Sipas tyre, vendimtare është që publiku të përfshihet në zhvillim dhe procesi të mbetet transparent. Me fjalë të tjera: duhet të funksionojë ndryshe nga rasti i “Diella”-s.
Tragjik ishte fati i një 7-vjeçari dje në fshatin Mengël, si pasojë e një aksidenti, ndërsa pas hekurave ra regjisori i njohur Petri Bozo, i cili drejtonte mjetin që përplasi vogëlushin.
Ngjarja ndodhi në aksin “Elbasan–Librazhd”, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar, pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e cila ndodhet buzë rrugës nacionale.
Sipas burimeve policore, pas ngjarjes Bozo ka deklaruar se nuk po lëvizte me shpejtësi, megjithatë autoritetet dyshojnë se automjeti mund të ketë qenë mbi limitet e lejuara. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë ende.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën, ndërsa vetë ndiqte mësimin pasdite në të njëjtin institucion arsimor.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë treguar se, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po lëviznin drejt një dyqani aty pranë. Në ato momente dyshohet se fëmija është shkëputur nga dora e së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo. Ndërkohë, pak kohë më parë, gjatë një interviste për Top News regjisori kishte folur edhe për përvojat e tij në drejtimin e automjetit, duke treguar se gjatë jetës kishte qenë i përfshirë në më shumë se 20 aksidente rrugore, edhe pse kishte theksuar se vetëm njëherë ishte ndier realisht në rrezik për jetën.
Prokurori i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Vladimir Mara, ka deklaruar se grupet kriminale shqiptare po bashkëpunojnë gjithnjë e më ngushtë me struktura të krimit të organizuar në Itali, duke krijuar forma të reja bashkëpunimi dhe duke “modernizuar” metodat e veprimtarisë së tyre.
Sipas tij, krimi i organizuar nuk funksionon më i ndarë sipas kombësive apo grupeve të veçanta, por është shndërruar në një rrjet më të gjerë ndërkombëtar që operon në mënyrë të integruar. Deklaratat u bënë gjatë një konference të përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë së Barit, ku u prezantuan rezultatet e një operacioni kundër një grupi të drejtuar nga Igli Kamberi, që vepronte në Shqipëri dhe Itali. Gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro, biznese dhe llogari bankare.
Vladimir Mara theksoi se lidhjet mes grupeve kriminale shqiptare dhe atyre italiane kanë krijuar modele të reja bashkëpunimi, duke rritur sofistikimin e aktiviteteve të paligjshme. Ai shtoi se sot nuk mund të flitet më për krim të organizuar të kufizuar sipas kombësive, por për një fenomen ndërkombëtar, ku bashkëpunimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme është thelbësor për goditjen e rrjeteve kriminale. bw
Pas aksidentit të djeshëm ku përplasi për vdekje një 7-vjeçar, arrestohet regjisori Petri Bozo shpjegojnë burimet policore per a2cnn. Pas aksidentit, Bozo deklaroi në polici se nuk ka qenë me shpejtësi, por autoritetet mendojnë se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në mëngjes. Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan–Librazhd”, në fshatin Mengël, automjeti që drejtohej nga regjisori Petri Bozo përplasi një 7-vjeçar, i cili si pasojë humbi jetën. Ngjarja ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e vendosur buzë aksit nacional “Elbasan–Librazhd”. I mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën e tyre, ndërsa vetë zhvillonte mësimin pasdite në të njëjtën shkollë.
Dinamika dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa policia nuk ka dhënë ende një version zyrtar të ngjarjes. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani pranë saj. Në ato momente, dyshohet se 7-vjeçari i është shkëputur nga dora së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga regjisori Bozo. syri,net
Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Vatikan. Kreu i Shtetit u prit në një audiencë nga Papa Leone XIV në Pallatin Apostolik, me të cilin zhvilloi një bisedë të përzemërt.
Në takim u vunë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera me Selinë e Shenjtë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kontributi shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Gjatë bisedës, një vëmendje e veçantë iu kushtua besimit, persekutimit të klerikëve dhe besimtarëve të krishterë në periudhën e komunizmit në Shqipëri.
“Shqipëria, – theksoi Presidenti Begaj, ka vuajtur në mënyrë të tmerrshme nga ndalimi i besimit gjatë regjimit komunist”.
Kreu i Shtetit u shpreh se në atë periudhë, por dhe në shekuj më të hershëm, shqiptarët e kanë ruajtur në shpirt besimin në Zot dhe e kanë ushtruar atë duke rezistuar me qëndresë deri në martirizim.
Presidenti Begaj ftoi Papa Leonen XIV për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë që ka për vendin tonë një vizitë e tillë.
Presidenti i Republikës zhvilloi, gjithashtu, një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ku u diskutuan zhvillimet ndërkombëtare me vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjithashtu, në takim u diskutua dhe për Kosovën dhe zgjidhjen nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të çështjeve të hapura në rajon, si dhe rëndësinë e integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. bw
Grupi vullnetar “Shpëto Vlorën”, i krijuar rishtazi pas lejeve të ndërtimit që kanë rikthyer presionin mbi zonat e mbrojtura, protestoi të shtunën në Pishë–Poro–Nartë.
Ndryshe nga një javë më parë, kur aktivistët rrëzuan rrethimin dhe arritën të hyjnë në zonën e mbrojtur, këtë herë hyrja u bllokua. Territori ishte rrethuar nga të dyja anët nga një gardh me tela me gjemba, që shtrihej deri në det.
“Është bërë një rrethim gjigant si në kohën e pushtimit gjerman”, thotë për Citizens Gëzim Zile, mësues matematike në Vlorë, tashmë në pension, njëkohësisht edhe ish-kryetar i Bashkisë në fund të viteve ’90.
Banorët: Nuk dimë kush po ndërton
Zile thotë për Citizens se në terren mungon çdo formë transparence. Sipas tij, nuk ka asnjë tabelë informuese, asnjë të dhënë për kompaninë që po kryen punimet dhe asnjë shpjegim për qytetarët.
Ai shton se “është rrethuar edhe deti, i cili nuk është pronë private”.
“Është nga Porto Novo deri te Hidrovori, një perimetër i rrethuar prej rreth 15 km, me një thellësi që varion deri në 100–200 metra dhe rreth 600 hektarë pyll”, thotë ai.
Protestuesit u shprehën se në zonë nuk kishte asnjë përfaqësues të firmës apo të bashkisë që të jepte sqarime. Në terren, sipas tyre, kishte vetëm forca të Policisë së Shtetit.
“Ne ishim rreth 200 veta, po aq ishin edhe forcat policore”, thekson Zile.
Ai e lidh këtë zhvillim me projektet e mëdha turistike të përfolura për zonën e Vlorës dhe Zvërnecit, përfshirë edhe projektin e Jared Kushner për ishullin e Sazanit, i cili është reklamuar dhe mbështetur publikisht nga qeveria shqiptare.
“Tre-katër fshatra që janë përballë Sazanit arrijnë deri në kufijtë e Vlorës, siç tha edhe Ivanka kur erdhi: ‘Po më pëlqekan shumë këto’”, ironizon Zile.
Edhe aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ishte pjesë e protestës, thotë për Citizens se kundërshtia e vlonjatëve nuk do të ndalet këtu dhe se protestat do të vijojnë edhe fundjavën e ardhshme.
“Pati kërkesa për të hapur derën e kantierit, por nuk na u lejua hyrja. Të shtunën do t’i bashkohemi organizatës PPNEA. Do të jetë një protestë më e madhe”, tha ai.
Citizens tentoi të kontaktojë kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, por kontaktet e vendosura në faqen zyrtare nuk rezultojnë funksionale. Numri i telefonit është i padisponueshëm, ndërsa brenda dy javësh kompania ka ndryshuar tre herë adresën e emailit.
Emri i kompanisë u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, “Zvërnec South Adriatic Development” po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh, mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.
Megjithatë, vendimi i plotë nuk është zbardhur ende. Vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.
Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.
Shënjestrimi i aktivistëve dhe gazetarëve
Ndërsa dokumentet e plota për projektin nuk janë bërë publike dhe kompania mbetet e paarritshme, aktivistët dhe gazetarët që po ndjekin çështjen janë përballur me shënjestrim publik dhe presion në terren.
Disa media të shtypit të shkruar i kanë etiketuar aktivistët si “agjentë grekë” që po bllokojnë “investimet e Trump”.
“A është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike?”, shkruan në Facebook Laureta Petoshati, një nga aktivistet e grupimit vullnetar “Shpëto Vlorën”.
Presioni është shfaqur edhe në terren. Protestuesit kanë publikuar video ku persona civilë të paidentifikuar ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe protestuesve, duke i intimiduar me fjalët: “Po ju evidentojnë një nga një”.
Përveç organizimit të paralajmëruar për fundjavën e ardhshme në Nartë, një tjetër protestë është thirrur më 26 maj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Protesta do të mbahet në orën 14:00, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë.
“Nuk mund të lejojmë që një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë të shkatërrohet para syve tanë. Mos heshtni përballë shkatërrimit të Vjosë–Nartës”, thuhet në thirrjen e PPNEA./citizens.al
Një aksidenti i rëndë u regjistrua mëngjesin e sotëm në fshatin Mengel në Elbasan, ku ka humbur jetën një fëmijë 7-vjeçar.
I mituri u përplas për vdekje nga një automjet që drejohej nga 61-vjeçari, Petri Bozo, në rrugën Elbasan-Librazhd, teksa mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë një shkolle.
Siç bëhet me dije shkolla ka qenë pranë aksit nacional Elbasan-Librazhd.
Fëmija ka qenë me të ëmën duke shkuar në shkollë, teksa i shpëtoi asaj nga duart duke kaluar rrugën dhe pësoi aksidentin fatal.
Sakaq, 61-vjeçari është shoqëruar në Komisariat.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin Petri Bozo, 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Del foto e të miturit që mbeti viktimë pas përplasjes nga automjeti
Report Tv ka siguruar fotografinë e 7-vjeçarit Algit Samurri, i cili humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne, pasi u përplas për vdekje nga një automjet në aksin nacional Elbasan-Librazhd.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm, teksa nëna po e shoqëronte të miturin për në shkollë, në fshatin Mengël.
Vogëlushi Algit Samurri, nxënës i klasës së parë, humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne, teksa nëna po e shoqëronte për në shkollë.
Drejtuesi i mjetit që u përfshi në aksident është producenti Petri Bozo. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, fëmija po kalonte rrugën bashkë me nënën, por në një moment i ka shpëtuar vëmendjes së saj dhe ka përfunduar poshtë rrotave të makinës.
Zhvillohen aktivitete rutinë si ky i mëposhtëmi, por faktet mbeten rrëqethëse, presin që popullit t’i vdesë plotësisht memoria:
————————–
Në godinat e braktisura të ish kampit të punës së detyruar të Spaçit, i përdorur gjatë diktaturës komuniste si vend dënimi për të burgosurit politikë, u përkujtua 53-vjetori i Revoltës së Spaçit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të qëndresës ndaj regjimit totalitar drejtuar nga Enver Hoxha.
Protesta e të burgosurve nisi më 21 maj 1973 si kundërshtim ndaj punës së detyruar në minierë, por ajo mori ngjyrim politik kur të burgosurit të organizuar morën kontrollin e burgut duke hedhur parrudhat; “Poshtë komunizmi!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”
Shtypja e revoltës nga forcat policore të regjimit përfundoi me 4 të pushkatuar, Pal Zefi, 33 vjeç, Skënder Daja, 23 vjeç, Dervish Bejko, 27 vjeç dhe Hajri Pashaj, 29 vjeç, ndërsa dhjetëra të burgosur të tjerë u ridënuan me burg.
Katër të ekzekutuarit e kësaj revolte sot e kësaj dite mbeten pa varr, por gjetjet e fundit të një hetimi të kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, në bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve, AIDSSH, kanë ngjallur shpresat për gjetjen e eshtrave të tyre.
Hetimi i ekspertëve të ICMP konstatoi se ka indikacione për ‘mbetje njerëzore’ në thellësi të tokës në zonën e Shpalit në zonën ku ndodhet ish-burgu i Spaçit, vend ku sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore besohet se janë varrosur pas pushkatimit 4 organizatorët e Revoltës së Spaçit.
Edhe pse më shumë se tre dekada pas rënies së regjimit komunist Shqipëria ka bërë pak ose aspak në drejtim të gjetjes së të zhdukurve, pasi ende nuk është ndërmarrë një aksion serioz për të kërkuar, zhvarrosur dhe identifikuar trupat e mijëra shqiptarëve që rezultojnë të zhdukur para viteve ’90.
Dhe pse me një marrëveshje ligjore në fuqi mes qeverisë shqiptare dhe ICMP-së dhe rekomandimeve të Komisionit Europian procesi nuk ka nisur për shkak të mungesës së vullnetit politik, përplasjes mes institucioneve për përgjegjësitë dhe boshllëqeve ligjore.
Por, Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH, u shpreh optimiste se gjërat do të ndryshojnë pas gjetjeve të reja. Ajo u tha të pranishmëve në aktivitetin përkujtimor se Autoriteti ka dorëzuar në prokurori raportin hetimor të ICMP-së dhe po pritej leja për nisjen e zhvarrimeve.
“Në Shpal mendojmë se, përmes provave që kemi mbledhur, mund të jetë vendi ku ndodhen trupat e tyre. Raportin e kemi përfunduar, e kemi miratuar dhe ia kemi nisur Prokurorisë së Rrethit, së bashku me pesë raporte të tjera për vendvarrime të dyshuara”- tha ajo duke shtuar se po AIDSSH po priste “me padurim hapat e mëtejshëm: lejen për gërmim dhe procesin e identifikimit”.
Duke folur në mënyrë simbolike pas një porte hekuri të qelive të Spaçit, ambasadori i BE-së, Silvo Gonzato, bëri apel për nevojën për drejtësi dhe dëmshpërblim për ata që vuajtën nën mizorinë e regjimit komunist, si vlera thelbësorë të Bashkimi Evropian.
“Ne u detyrohemi këtyre njerëzve tre gjëra: së pari, një vend kujtese për jetët e humbura dhe heroizmin e atyre që mbijetuan; së dyti, drejtësi për ta dhe për familjet e atyre që u vranë; dhe së treti, dëmshpërblim, sepse dëmshpërblimi është një mënyrë konkrete për të njohur vuajtjen e shkaktuar dhe për të rikthyer dinjitetin e tyre”- tha ai.
Ambasadori Silvio Gonzato në Spaç
Autoritetet shqiptare vlerësojnë se rreth 6,000 shqiptarë vdiqën nga torturat ose ekzekutimet jashtëgjyqësore ose u qëlluan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin midis viteve 1944 dhe 1991, kur Shqipëria drejtohej nga një diktaturë e egër staliniste. Që nga rënia e komunizmit, të afërmit e të zhdukurve kanë kërkuar gjetjen e eshtrave të tyre, por kanë marrë pak ndihmë nga shteti.
Dëshmitë dhe dokumentet arkivore sugjerojnë se në territorin e Shqipërisë, kryesisht pranë burgjeve dhe kampeve të internimit, janë dhjetra lokacione që kanë shërbyer si vendvarrime për kundërshtarët e regjimit.
AIDSH thotë se hetimi i ICMP ka referuar edhe 5 vendvarrime të tjera përveç zonës së Shpalit në Mirditë ku besohet se janë varrosur 4 organizatorët e Revoltës së Spaçit. Ato janë Zona pranë ish-Burgut të Spaçit në Mirditë; Varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e Jup Kazazi, Sait Kazazi, Gjon Shllaku, Dom Luigj Zojzi dhe personave të tjerë të ekzekutuar gjatë viteve 1948–1953; si dhe vendvarrime të dyshuara në Mallkeq; në Shënvasil dhe në vendin e quajtur Shelegur, në malin e Gramozit.
Për hulumtuesit e historisë së komunizmit nevoja për veprim konkret nga institucionet në këtë drejtim sa vjen e bëhet më e madhe me kalimin e viteve për të përballur shoqërinë me përmasat e krimeve të komunizmit dhe kthimin e dinjitetit njerëzor për të zhdukurit dhe familjet e tyre.
Enriketa Papa, pedagoge në departamentin e Historisë në Universitetin e Tiranës, i tha BIRN se procesi duhej të përfshinte patjetër hetim penal nga prokuroria për rastet e referuara nga AIDSH me raportin e gjetjeve të ICMP-së, por ajo shprehet skeptike për kapacitetin dhe vullnetin e institucionit për ta bërë këtë.
“Prokuroria e shtetit në radhë të parë nuk ka eksperiencë, mund të ketë dhe mungesë interesi për shkak të mbingarkesës së punës, dhe çështja e ‘missing persons’ mbetet në plan të dytë. Pra nuk është çështje emergjente për prokurorinë”- tha ajo.
Por, Papa, shton se “me zbulimet e ICMP-së patjetër që hetimi penal duhet të bëhet edhe në aspektin e identifikimin të viktimave, si është zbatuar vendimi i gjykatës për dënimet e tyre, por sigurisht dhe në aspektin e dinjitetit njerëzor”.
Ajo sugjeron që prokuroria të krijojë një departament për këtë çështje dhe të marrë eksperiencë nga vendet e tjera ku procesi për kërkimin e të zhdukurve nga regjimet totalitare është zhvilluar.
Për sa i përket ndikimit dhe pasojave që ka në kujtesën kolektive gjetja e tyre, Papa thotë se “kjo është e rëndësishme sepse lidhet me të vërtetën historike për të kuptuar çfarë ka ndodhur”. Sipas saj ky është një kapitull pak i heshtur kur vjen puna tek çështje të drejtësisë tranzitore dhe përballjes me të shkuarën komuniste dhe se Shqipëria është tmerrësisht vonë për të akumuluar kaq shumë çështje që skanë gjetur zgjidhje.
“Duhet të jetë prioritet i drejtësisë sepse me gjetjen e tyre, jo vetëm familjet kanë nevojë për kthimin e dinjitetit njerëzor, por dhe shoqëria ka nevojë për të kuptuar se çfarë ishte komunizmi dhe përmasat e këtij krimi, sa janë vrarë, sa janë ende të zhdukur sot, sepse ende hamendësojmë mbi numrat”
Edhe Admirina Peçi, gazetare që prej më shumë se një dekade merret me memorien nëpërmjet një programi televiziv të përjavshëm ‘DosjaK’ dhe autore e ‘BunkArt’, i tha BIRN-it se gjetjet për vendvarrimet duhet të shoqërohen me “veprim institucional”.
“Prandaj pyetja sot nuk është vetëm nëse ekziston kapacitet teknik për gjetjen e të zhdukurve, por nëse ekziston një vullnet i qëndrueshëm për ta trajtuar këtë si çështje drejtësie dhe dinjiteti njerëzor, jo thjesht si çështje memoriale”- shton ajo.
Duke sjell përvojën e saj duke punuar në fushën e memories Peçi thotë se përmasat e këtij krimi shtetëror janë të mëdha dhe tregojnë mënyrën se si regjimi I trajtonte kundërshtarët politikë, duke mos u dhënë as të drejtën e një varri.
“Kam dëgjuar dëshmi të ish-të burgosurve apo banorëve lokalë që tregojnë për varrime natën, pa emra, pa shenja, në vende që më pas janë mbuluar nga koha dhe heshtja dhe duhet të kuptojmë se këto nuk janë vetëm histori të së shkuarës; janë plagë që vazhdojnë të ekzistojnë në mijëra familje shqiptare edhe sot”- thotë ajo.
Sipas Peçit, procesi I gjetjes dhe rikuperimit të eshtrave të të zhdukurve duhet të shoqërohet me një hetim penal për krimet e komunizmit.
“Mungesa e një hetimi ka krijuar një boshllëk të madh në ndërgjegjen publike shqiptare, sepse kur një shoqëri nuk arrin të emërtojë viktimat, të gjejë trupat apo të pranojë përgjegjësitë institucionale të së kaluarës, krijohet ideja se krimet mund të harrohen me kalimin e kohës”- thotë ajo duke theksuar se “kjo dëmton jo vetëm kujtesën kolektive, por edhe besimin te drejtësia dhe te vetë shteti”.
Ndërsa heshtja institucionale është, sipas Peçit, “rrezik që historia të relativizohet ose të banalizohet.” /Reporter.al
Me një guxim jo të zakonshëm gjyqtarja e GJKKO, Marinela Osmani, i ka thyer hundët SPAK-ut i cili donte të merte në mbrojtje Irena Gjokën, duke e mbyllur çështjen e saj.
Ajo ka vendosur të kthejë në SPAK çështjen për plotësim hetimesh. Gjoka është kallëzuar pasi ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë greke, kur donte të kalonte kufirin me dokumenta të fallcifikuara.
Pa e përfillur këtë fakt, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi në Greqi ishte zhvilluar në mungesë dhe nuk qe vërtetuar nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit.
Por, alibia e SPAK, që përfaqësohej në këtë proces nga prokurori Bledar Maksuti, është rrëzuar me kohë. Prej kohësh Lapsi.al ka publikuar një dokument ekskluziv ku figuontee një prokurë e Irena Gjokës për avokatin që do ndiqte çështjen e saj në Greqi, që tregon se ajo ka pasur dijeni për vendimet e autoriteteve greke për dënimin dhe dëbimin që ua fshehu organeve të vettingut.
Që kur plasi në mediat greke skandali i dëbimit të saj (linku poshtë), vetë Maneku ka mbajtur qëndrim të njëjtë me atë që mbajti SPAK në proces, se ajo nuk ka qenë në djeni të asaj që kanë vendosur autoritetet greke pas shpinës së saj. Edhe në letren mbrojtëse që ajo ka dërguar ndërsaa rasti i saj shyrtohej në KLGJ-ë, Irena Gjoka (Maneku /Shpata) pretendonte se vetëm i është refuzuar, pa shpjegime, hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka pasur dijeni, as për procesin dhe as për vendimin gjyqësor.
Por, dokumenti që Lapsi.al arriti të sigurojë e nxirrte bllof gjykatësen e GJKKO-së. Ky dokument tregonte se ajo jo vetëm e ka ditur se ka qenë e dëbuar dhe e dënuar për kalim kufiri me dokumenta të fallcifikuara, por ajo ka marrë avokat në Greqi dhe i ka bërë atij prokurë për të kundërshtuar masat ndaj saj.
Irena, që në këtë kohë mbante ende mbiemrin Maneku, bashkë me bashkëshortin e fundit, Stefanaq Gjokën kanë bërë prokurë në 2003-shin (faksimilja poshë) tek një noter në Fier, për të autorizuar një avokat në Patra, me emrin Andon Konomi, për të ndjekur çështjen e tyre.
Kjo ka qenë pak a shumë historia e kalvarit të saj. Por, në gjykim SPAK mbylli sytë duke shtuar dyshimet se prokurorët specialë e kanë mbrojtur atë, si një nga gjykatëset që e kanë përdorur si kamikaze kryesisht në gjyqet kundër liderve të opozitës. Irena Gjokës i janë besuar të gjitha proceset e goditjes kundër opozitës, nga ai Berisha, Meta, Mediu, Beleri. Ajo ishte gjykatësja që u akuzua se mbajti mbi një muaj në sirtar dosjen e ardhur nga jashtë të bandës së Troplinëve, deri sa ata të përdoreshin për zgjedhjet në zonën ë Durrësit. Ajo ka qenë gjithashtu gjyqtarja e shefit të operacionales, Oltion Bistri, tashmë i liruar. Këto shërbime ndaj pushtetit u panë edhe si motivi që e shtyu Kështillin e Lartë Gjyqësor, në janar të këtij viti, të votonte mospranimin e nisjes së procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Por, atë që nuk e bënë gjastë anëtarë të qeverisë së gjyqësorit (votat e Ilir Rusit, Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koçajt, Emona Muçit dhe Klodian Kurushi) pati guximin ta kthejë në vendim një gjyqtare e vetme.
Marinela Osmani e ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që brenda gjashtë muajve të thellojë hetimet për Irena Gjokën.
Në afro 20 kërkesat që ajo i ka lënë detyrë SPAK-ut gjenden edhe ato që kanë lidhje me prokurën që publikoi në mënyrë ekskluzive Lapsi.al. Ajo ka urdhëruar marrjen e prokurës nga noteri ne Fier, ku Irena Maneku dhe Sotiraq Gjoka kishin dhënë prokurë për avokatin Andon Konomi, që ta ndiqte çështjen pranë autoriteteve greke. Marrjen e dokumenteve nga gjykatat në Greqi ku ka ankimuar avokati me prokuë të firmosur nga Gjoka. Marrjen e dokumenteve të ankimimit që ka kryer Irena Gjoka në Gjykaten e Athines etj.
Krahas tyre, SPAK që ka dashur të mbrojë me çdo kusht kamikazen e vet në GJKKO, sipas Marinela Osmanit ka “harruar” të shohë si prova edhe
të dhënat nga pika kufitare e Kakavijes, vendimin penal të gjykatës greke, dokument apo proces-verbalet për njoftimin e dënimit ndaj Gjokës
si dhe raportin e ekspertizës që iu krye pasaportes me vize të falsifikuar të Irenes me disa mbiemra.
Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish me përplasjet me ish-ortakun e tij Valon Ademit, pasi punëtoret e kompanisë Mabco nuk janë lejuar që të futen në kantieret e ndërtimit. Pacolli i ka bërë thirrje policisë që të mos ndërhyjë, pasi sipas tij po shkelet ligji dhe Kushtetuta.
Sipas biznesmenit, ish-aleatët e tij po tentojnë me një kontratë të jashtë ligjshme që të pengojnë kompaninë e tij që të futet në kantieret e ndërtimit. Pacolli u ka kërkuar autoriteteve që të mos bien pre e narratives, mashtrimeve dhe veprimeve ilegale të Valon Ademit.
“Kjo Kontrate ilegale është nënshkruar nga Valon Ademi dhe fabrikanti i falsifikimeve, Valon Lluka, së bashku me tri kontrata të tjera të 2A-së, po ashtu ilegale, të nënshkruara nga Valon Ademi dhe Balon Lluka, pa dijenin dhe prokuren e Mabcos”,. thekson ai në postimin e tij.
Përplasjet mes dy aksionerëve në Aeroportin e Vlorës janë tensionuar aq shumë sa që tashmë qeveria ka dërguar policinë mëngjesin e sotëm për të mbajtur nën kontroll situatën.
Dje, punonjësit e kompanisë së Valon Ademit nuk kanë lejuar hyrjen brenda në aeroport të 22 nënkontraktorëve të thirrur nga Pacolli, për të kryer punime brenda aeroportit.
Këto raporte mësohet se kanë ardhur në Shqipëri, por edhe dërguar në Bruksel. Ku pikërisht për çështjen e kalimit të IBAR, qeveria e Edi Ramës do të ndëshkohet për hipokrizinë në lidhje me sjelljen ndaj krimit të organizuar.
Një raport i fundit i autorieteve italiane në lidhje me çështjen e bashkëpunimit me Shqipërinë për luftën ndaj krimit të organizuar në Shqipëri, ngre alarmin e transferimit të të burgosurve shqiptarë nga Italia në vndin tonë.
Italia ka një numër dramatik të burgosurish të dënuar shqiptarë; më shumë se 12 mijë persona, shifër kjo që zë vendin e dytë të listës së përgjithshme. Pasi kampionë janë marokenët, të cilët përveç se janë një popullsi më e madhe rreth 40 milionë, kanë emigruar shumë herët se ne në Itali. Por numri i të burgosurve nga Maroku nuk janë më shumë se 1 mijë persona, 13 mijë.
Gjendja e mbipopullimit të burgjeve italiane me shqiptarë, përveç problemit të vështirësisë për menaxhim, ka hapur edhe një çështje në lidhje me hetimet penale.
Pasi shumica dërrmuese e të dënuarve apo të paraburgosurve shqiptare janë për krime që kanë të bëjnë me krimin e organizuar kryesisht trafik narkotikësh në funksion të grupeve të strukturuara mafioze.
Problemi kyç është vijimi i veprimtarisë së këtyre të burgosurve, edhe nga burgu për të vijuar aktivitetin kriminal. Ideja e autoriteteve qeveritare italiane, kryesisht e Ministrisë së Drejtësisë, ka qenë që në qendrat e Gjadrit, të transferohen një pjesë e të burgosurve problematik.
Por një raport i Antimafia-s italiane ka bërë të ditur se nuk ka një besueshmëri se kj gjendje e ndryshme e baronëve shqiptarë të krimit, do të ulë aktivitetin e tyre për të drejtuar nga qelia.
Duke analizuar situatën, ata theksojnë se fillimisht, 4 vite më parë, autoritetet shqiptare kanë rritur shpresën me implementimin e 41/bis shqiptar. Pra me krijimin e kushteve në qeli, që baronët e mafies, tu ndalohet lidhja dhe veprimi me bashkëpunëtorët e tyre jashtë.
Por, siç thuhet në raport, implementii i 41/ bis ka dështuar totalisht, pasi asnjë prej të dënuarve për krim të organizuar që janë vendosur nën burgim të rreptë, është edhe më i lirë se më parë për të ushtruar aktivitetin kriminal.
Autoritetet italiane të hetimit të krimit të organizuar theksojnë se edhe agjenci të rëndësishme të Europës por edhe SHBA, nuk këshillojnë transferimin e të burgosurve në Shqipëri.
Edhe eksperimenti britanik, që ishte më shumë politik i përkrahur nga konservatorët, për të transferuar të burgosurit në Shqipëri, ka dështuar. Si pasojë e fuqisë financiare të baronëve të krimit që me anë të avokatëve të tyre të bëjnë betejë në sistem për të qëndruar në Britaninë e Madhe.
Një nga prokurorët më të njohur në luftën ndaj mafias në Itali, Nicola Gratteri, i cili është marrë kryesisht me Ndragheta-n kalabreze, thekson se mafia shqiptare është një asset kontraktual i kalabrezëve në shpërdarjen e kokainës nga Amerika Latine në Europë. Duke i dhënë kështu kësaj armate të madhe që ka 13 mijë të dënuar vetëm në Itali, një fuqi të madhe për të investuar sasitë marramendëse të parave, si dhe për të ruajtur pushtetin e tyre në territor.
Gratteri i mëshon idesë se grupet mafioze shqiptare, si të gjithë grupet kriminale botërore, ndihen më të sigurtë në territorin e tyre, ku përveçse ruhen më mirë, njohin njerëzit dhe zhvillojnë biznese ku qarkullojnë paranë kriminale dhe krijojnë një mjedis që ruan pushtetin, qoftë në politikë, qoftë në tregun mediatik, qoftë në shoqëri.
Regjimi 41/bis pati sukses në Itali, pasi bllokoi bosët e Cosa Nostra-s siçiliane, Camorra-s napoletane apo edhe Ndragheta-s kalabreze që të vijojnë aktivitetin e tyre nga qelia. Kjo uli ndjeshëm aktivitetin agresiv të këtyre organizatave në territory, duke ulur dhunën e krijuar shpresë tek njerëzit që kishin frikë nga krimi.
Kurse në rastin e Shqipërisë regjimi 41/ bis konsiderohet një dështim jo i ndodhur për shkaqe praktike, por sepse ai deri tani ka mbetur vetëm në letër. Këto raporte mësohet se kanë ardhur në Shqipëri, por edhe dërguar në Bruksel. Ku pikërisht për çështjen e kalimit të IBAR, qeveria e Edi Ramës do të ndëshkohet për hipokrizinë në lidhje me sjelljen ndaj krimit të organizuar./ Pamfleti
Në reagim thuhet, se problemi lidhet me vonesa të konsiderueshme në realizimin e punimeve, mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara nga kontrata. Më tej, VIA sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë procedura standarde sigurie dhe zbatohen për të gjithë pa përjashtim.
VLORË– Shoqëria koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. ka sqaruar situatën e krijuar këtë të hënë në hyrje të kantierit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. thekson, se bëhet fjalë për një çështje të qartë kontraktuale me shoqërinë MABCO Constructions S.A. dhe jo për një konflikt politik, mediatik apo për një “bllokim të aeroportit”.
Në reagim thuhet, se problemi lidhet me vonesa të konsiderueshme në realizimin e punimeve, mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara nga kontrata. Më tej, VIA sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë procedura standarde sigurie dhe zbatohen për të gjithë pa përjashtim.
Shoqëria koncesionare thekson ndër të tjera, se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është projekt strategjik kombëtar dhe nuk mund të mbahet peng nga vonesat, presioni publik apo taktikat që zhvendosin debatin nga dokumentacioni kontraktual tek tensioni në hyrje të kantierit.
Reagimi
SQARIM PËR PUBLIKUN
Shoqëria koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. sqaron opinionin publik, institucionet dhe mediat lidhur me situatën e krijuar sot në hyrje të kantierit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke theksuar se bëhet fjalë për një çështje të qartë kontraktuale me shoqërinë MABCO Constructions S.A. dhe jo për një konflikt politik, mediatik apo për një “bllokim të aeroportit”, siç është tentuar të paraqitet publikisht.
Problemi lidhet me vonesa të konsiderueshme në realizimin e punimeve, mospërmbushje të detyrimeve kontraktuale dhe shkelje të afateve të përcaktuara nga kontrata. Vetëm deri më 08.04.2026 janë evidentuar 429 ditë vonesë dhe dëmvonesa të përllogaritura në 4.290.000 euro, shumë e cila vijon të akumulohet deri në pranimin provizor të punimeve.
VIA sqaron se procedurat e hyrjes në kantier janë procedura standarde sigurie dhe zbatohen për të gjithë pa përjashtim. Ato kanë për qëllim mbrojtjen e kantierit, sigurinë e personelit, kontrollin e hyrje-daljeve dhe parandalimin e hyrjes së personave të paautorizuar. Asnjë subjekt nuk mund të hyjë në kantier pa respektuar autorizimet dhe procedurat përkatëse.
Shoqëria koncesionare thekson se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është projekt strategjik kombëtar dhe nuk mund të mbahet peng nga vonesat, presioni publik apo taktikat që zhvendosin debatin nga dokumentacioni kontraktual tek tensioni në hyrje të kantierit. VIA deklaron se mbetet plotësisht e angazhuar për vijimin e punimeve, mbrojtjen e interesit publik, respektimin e standardeve teknike dhe përfundimin e projektit sipas detyrimeve kontraktuale dhe institucionale.
Në fund, VIA i bën thirrje MABCO-s që çdo pretendim të trajtohet vetëm në rrugë ligjore dhe kontraktuale, duke shmangur çdo përpjekje për tensionim të situatës në hyrje të kantierit apo përdorim të punonjësve dhe nënkontraktorëve për presion publik./Dosja.al
Anëtari i këshillit Kombëtar të PD-së dhe ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e fundit, Ilir Alimehmeti, u distancua nga diskursi politik që ka ndjekur ish-deputeti Ervin Salianji në garën për kryetar të partisë.
Ai rrëfeu edhe ambicien e tij për Bashkinë e Tiranës dhe jo për postin e kryetarit të PD, teksa shpjegoi pse zgjodhi të mos garonte për zgjedhjet e 23 majit.
Ndërsa theksoi se moskandidimi i Salianjit lidhej me mosplotësimin e kritereve, në emisionin “Kjo Javë” në News24, ai shpjegoi se vetë është për një garë në ekip dhe me projekt, e jo për një konkurrim individual siç zgjodhi Salianji.
Kurse për garën me një kandidat të vetëm, të kryetarit aktual Sali Berisha, Alimehmeti tha se e sheh si një konfirmim, edhe pse pranoi se gara me më shumë se një kandidat është më interesante.
“Kjo situatë për PD quhet një konfirmim se s’ka si të jetë ndryshe me një kandidat të vetëm, quhet rikonfirmim. Patjetër një garë do kishte qenë një garë interesante. Nuk kam pasur ndonjëherë dyshim se nuk do konfirmohej zoti Berisha në garë”, tha ai.
Pyetjes nëse mund të kishte figura të tjera për garë, ai tha:
“Patjetër që mund të kishte ehe figura të tjera që mund të kandidonin por për të marrë drejtimin duhet të fitonin votat. Kemi pasur edhe më parë kandidatë që morën vota si më 2022 kur kishim zotin Elezi të Kukësit. Për platformë fituese do duhej platformë, me një ekip dhe të kandidonin ëpr shumë pozicione, se ka edhe pozicione të tjera. Por është tjetër llojë gare, ndryshon nga ajo elektorale”.
Alimehmeti u pyet nëse mund të kishte kandiduar edhe vetë për postin e kryetarit në zgjedhjet e 23 majit. Por ai u përgjigj se nuk e ka ambicien për kryeministër në hije dhe se objektivi i tij është Tirana, duke nënkuptuar zgjedhjet e ardhshme lokale të 2027 për kryebashkiak të kryeqytetit në siglën e PD.
“Unë e kuptoj dashamirësinë, por duhet të ketë ambicien personi përkatës. Nuk e kam këtë ambicie. Kam tjetër objektiv, e kam treguar qartë me vite. Objektivi im ka qenë i drejtuar drejt Tiranës. Ambicia e kryetarit të PD dhe nesër kryeministër, është tjetër lloj çështje, gare, territorialisht më e gjerë. Mendoj se ka njerëz më të avancuar. Tjetër garë, është ambicie tjetër që unë nuk e kam”, u shpreh Alimehmeti.
I pyetur për përjashtimin e Ervin Salianjit nga gara për kryetarin e partisë, Alimehmeti u distancua, duke thënë se nuk e mbështet modelin që zgjodhi ish-deputeti për të konkurruar dhe platformën e tij.
Gjithashtu ai u shpreh se do ishte dakord që Salianji të konkurronte, por mungesa e kritereve e mbajti jashtë zgjedhjeve.
“Ashpërsimi i tonit nuk është pozitiv, nuk e shoh si pozitiv atë arsyetim dhe nuk e mbështes dot atë arsyetim. Unë mendoj se nuk do kishte ndonjë problem, ka qenë anëtar Kryesie, unë nuk shihja problem, por ka një Komision që vendos. A do kishte një garë? Padyshim do kishte një garë, por nuk u plotësuan ato kushte që unë thashë. Shkon parimi gjithmonë në ekip, nuk shkon në garë për një pozicion të vetëm, por shkon në ekip dhe unë garën e shikoj për të gjitha pozicionet, me ekip. Por e vendoste kryesia. A do të kishte një garë? Mendoj se do të kishte, por nuk i plotëson ato kushte”, vijoi ai.
Por a e sheh Alimehmeti ish-deputetin Salianji si një kryetar partie?
“Mund të ishte apo jo kryetar partie është çështje personale, ajo varet nga anëtarësia dhe në bazë të sondazheve nuk e kemi parë këtë. Individi një votë ka dhe vendos shumica. Sepse shumica vendos, është vullneti i shumicës, nëse PS psh., bën dhe voton një ligj, unë duhet ta zbatoj, është vullneti i shumicës”, tha këshilltari bashkiak i Tiranës.
Ajri në Shqipëri nuk është më një çështje mjedisi. Është një histori e vjetër neglizhence që përsëritet me të njëjtët protagonistë: trafikun, ndërtimet, institucionet… dhe mungesën e matjeve. Prej tetë vitesh, stacionet shtetërore të matjes së ajrit fiken dhe ndizen herë pas here, duke e kthyer monitorimin në një proces të dështuar.
Shqipëria ka një rrjet kombëtar monitorimi të ajrit me 59 stacione. Një hartë që të jep idenë e një sistemi të plotë, të shtrirë, të aftë për të treguar në kohë reale çfarë po thithim. Por në terren, realiteti flet ndryshe. Monitorimi kryhet vetëm në 9 stacione në të gjithë vendin. Katër në Tiranë. Nga një në Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Pjesa tjetër e vendit nuk ka matje të cilësisë së ajrit.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, e pranon indirekt dështimin.
Në një përgjigje për Faktoje, institucioni shprehet se rrjeti aktual përbëhet nga stacione që matin ndotës si PM10, PM2.5, NO₂, SO₂, O₃ dhe CO, ndërsa “stacionet janë në funksion, me përjashtim të njërit për arsye teknike”.
Por problemi nuk është më vetëm nëse janë ndezur apo fikur. Problemi është se janë pak. Shumë pak. Problematikë që është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku përmes një auditi të fundit thekson se institucionet “nuk kanë garantuar të dhëna të besueshme dhe të mjaftueshme për vlerësimin e gjendjes reale të cilësisë së ajrit”.
Shqipëria që matet dhe Shqipëria që nuk matet
Në këtë boshllëk institucional, një hartë tjetër ka filluar të ndërtohet, ajo e matjeve alternative. Nga njëra anë qëndron Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni ligjërisht përgjegjës për matjen e cilësisë së ajrit, me një rrjet të kufizuar stacionesh dhe raportime që e paraqesin situatën relativisht të qëndrueshme për shumicën e ndotësve. Sipas AKM-së, përveç rritjeve sezonale të ozonit në verë, “situata për ndotësit e tjerë paraqitet e stabilizuar”, ndërsa tejkalimet e ndotjes lidhen kryesisht me trafikun, ndërtimet dhe ngrohjen në dimër.
Nga ana tjetër, një sistem paralel, i ngritur nga shoqëria civile, po përpiqet të plotësojë boshllëkun që shteti ka lënë me një panoramë shumë më të qartë.
Instituti për Zhvillimin e Habitatit CoPlan, një organizatë që merret me adresimin e çështjeve mjedisore, përmes projektit GreenAL, ka vendosur qindra pika monitorimi në qytetet kryesore.
Rezultatet e fundit nuk lënë vend për optimizëm dhe nuk përputhen aspak me narrativën zyrtare.
Në Tiranë, 66.7% e pikave tejkalojnë normat për dioksidin e azotit një ndotës që lidhet drejtpërdrejt me trafikun, ndërkohë që sipas të dhënave zyrtare këto nivele raportohen përgjithësisht brenda kufijve.
Në Durrës, 100% e pikave të monitorimit të Co-PLAN rezultojnë mbi standardet për grimcat e imëta PM2.5 dhe PM10, ndërsa Agjencia flet për një situatë pa rritje të konsiderueshme për shumicën e ndotësve.
Në Elbasan, kontrasti bëhet edhe më i dukshëm. Ndërsa matjet alternative tregojnë se 91% e pikave tejkalojnë kufirin për NO₂, raportimet zyrtare nuk evidentojnë një situatë alarmante për këtë ndotës. E njëjta tablo përsëritet në Fier, ku deri në 79% e pikave janë mbi normë për grimcat e pluhurit, dhe në qytete si Korça dhe Shkodra, ku më shumë se gjysma e pikave rezultojnë mbi standardet.
Pra, teksa Agjencia Kombëtare e Mjedisit flet për një situatë përgjithësisht të qendrueshme me tejkalime të kufizuara, matjet e Co -Plan në terren tregojnë se ndotja është e përhapur, e vazhdueshme dhe mbi normat e lejuara.
Trafik dhe ndërtim
Nuk ka mister në këtë histori. Asnjë ndotës i padukshëm që nuk mund të identifikohet. Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon për Faktoje se “kontribuesit kryesorë të ndotjes së ajrit janë trafiku i rënduar dhe ndërtimi”, ndërsa në dimër shtohet edhe ndotja nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje.
Në disa qytete, lista zgjatet. Industria në Elbasan, Fier dhe Tiranë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm. Por mbi të gjitha qëndron trafiku. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vitin 2025 numri i mjeteve në qarkullim në vend e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion.
Edhe dy muajt e parë të vitit 2026 konfirmojnë të njëjtin trend, me rreth 14 mijë mjete të importuara dhe një rritje prej 5%.
Por problemi nuk është vetëm numri. Është cilësia e flotës. Rreth 69% e automjeteve në Shqipëri funksionojnë me naftë, ndërsa mosha mesatare makinave ka arritur në 18 vite.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e përshkruan këtë si një tendencë shqetësuese, duke theksuar se “është rritur numri i mjeteve me moshë mbi 20 vjet”, një faktor që ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit, sidomos në zonat urbane. Në këtë panoramë, mjetet elektrike mbeten pothuajse të padukshme, vetëm 1.3% e totalit.
Në sfondin e trafikut, një tjetër burim ndotjeje është rritur ndjeshëm vitet e fundit ndërtimi. Sipas të dhënave të INSTAT, të përllogaritura nga Faktoje, në pesë vitet e fundit janë dhënë rreth 7 mijë leje ndërtimi në të gjithë vendin. Çdo kantier sjell pluhur, lëvizje mjetesh të rënda dhe zhdukje të hapësirave të gjelbra elementë që jo vetëm rrisin ndotjen, por edhe e bëjnë atë më të qëndrueshme në kohë.
Para ka, por jo për ajrin
E ndërsa qeveria shpenzon miliarda lekë për investime, ajri që qytetarët thithin ka një buxhet minimal për t’u matur.
Pak kohë më parë, Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u shpreh se “Ministria e Mjedisit ka angazhuar edhe buxhetin e saj këtë vit dhe në dy vitet në vijim për të plotësuar Shqipërinë me të gjithë pajisjet për monitorimin e cilësisë së ajrit”. Por ndonëse në dokumentet zyrtare, mbrojtja e mjedisit shfaqet si prioritet, fondet për përmirësimin e cilësisë së ajrit janë të pakta, si pjesë e Programit të Mbrojtjes së Mjedisit.
Për vitin 2026, fondet arrijnë në rreth 1 miliard lekë. Por ky është një buxhet që duhet të mbulojë edhe mbetjet, biodiversitetin, ndryshimet klimatike dhe ujërat. Ajri mbetet një pjesë e vogël e kësaj torte. Madje, analiza buxhetore e viteve të fundit tregon se sa herë që buxheti rishikohet, ky zë pëson shkurtime.
Ky reduktim ndodh përmes akteve normative, që në praktikë tkurrin më tej financimin për një sektor që tashmë operon me burime minimale. Ndaj dhe rezultati është i dukshëm në terren, një rrjet monitorimi i kufizuar, pajisje që shpesh dalin jashtë funksionit dhe mungesë e të dhënave të vazhdueshme.
Përfundim
Shqipëria ka një plan për cilësinë e ajrit. Një dokument që flet për ulje trafiku, përmirësim të transportit publik, promovim të teknologjive të pastra. Por në praktikë, këto mbeten formulime të përgjithshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se masat janë “jo të qarta dhe jo lehtësisht të matshme”. Nuk ka objektiva konkrete.
Ndërkohë, vendi ka një detyrim të qartë. Direktiva 2008/50 e Bashkimit Europian kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe publikim të të dhënave në kohë reale për cilësinë e ajrit. Pa këtë, vendi rrezikon jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por edhe procesin e integrimit europian.
Dhe zgjidhjet janë. Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se Agjencia Kombëtare e Mjedisit duhet të sigurojë funksionimin e pandërprerë të stacioneve të monitorimit, me mirëmbajtje dhe kalibrim të rregullt. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të garantojë fondet për zgjerimin e rrjetit matës. Dhe mbi të gjitha, qytetarët duhet të kenë akses në të dhëna të përditësuara dhe të besueshme. Sepse ajri nuk është statistikë. Është ajo që thithim çdo ditë. Dhe për këtë, askush nuk mund të presë. /Faktoje.al
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, ka folur për fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare dhe lidhjet e tyre me organizatat mafioze në Itali.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Trocchia deklaroi se mafia shqiptare ka ndërtuar ndër vite një strukturë të organizuar dhe fleksibile, që i ka mundësuar të zgjerohet shpejt dhe të krijojë marrëdhënie të forta me grupet kriminale italiane.
“Mafia shqiptare ka një strukturë shumë të mirë, të paktën nga sa e njohim ne në Itali. Janë grupe që kanë aftësinë të shkrihen dhe të përhapen menjëherë”, u shpreh gazetari italian.
Ai theksoi se sot ekziston një ndërthurje e fortë mes mafias shqiptare dhe organizatave kriminale italiane si Ndragheta dhe Camorra, veçanërisht në aktivitetet që lidhen me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.
Sipas Trocchia-s, bashkëpunimi mes tyre shtrihet në bizneset ilegale, rrjetet e furnizimit me lëndë narkotike dhe aktivitetet financiare të paligjshme.
Gazetari investigativ deklaroi gjithashtu se Italia ka shërbyer si një “palestër” për grupet kriminale shqiptare që prej viteve ’90, periudhë gjatë së cilës shumë trafikantë shqiptarë krijuan lidhje të drejtpërdrejta me botën e krimit italian.
“Mafia shqiptare ka gjetur në Itali një palestër në vitet ’90 dhe ka bërë stërvitje. Kolona shumë të rëndësishme dhe trafikantë të rëndësishëm kanë kaluar në Itali, kanë pasur lidhje me krimin italian”, tha ai.
Sipas Trocchia-s, pas më shumë se tre dekadash bashkëjetese dhe bashkëpunimi kriminal, raporti mes mafias shqiptare dhe organizatave italiane nuk është më i njëanshëm.
“Raporti i tyre është sot mes të barabartësh”, deklaroi gazetari italian.
Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e procesimit të emigrantëve të kapur në det në përpjekje për të shkuar drejt Italisë.
Sipas Trocchia-s, kjo marrëveshje përfaqëson një dështim të dukshëm si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, duke sjellë kosto të larta për palët e përfshira.
“Marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët është një dështim i madh për të dyja palët. Italia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa rreth 120 milionë euro shkojnë për Shqipërinë për të garantuar sigurinë”, u shpreh gazetari.
Ai shtoi se, sipas tij, vendimi për këtë marrëveshje ka qenë i gabuar nga ana politike dhe ekonomike, duke e cilësuar si një zgjedhje të pasaktë të qeverisë italiane.
“Unë besoj se kjo marrëveshje ka qenë një zgjedhje e gabuar nga ana e Melonit dhe një pozicionim i gabuar politikisht”, deklaroi Trocchia.
Gazetari italian ngriti gjithashtu dyshime mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se edhe vetë Italia, sipas tij, ka humbur peshë në arenën evropiane.
“Nuk e di nëse kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë për anëtarësim në BE, sepse edhe Italia ka humbur peshën e saj në arenën europiane”, tha ai.
EKSKLUZIVE ‘A SHOW’ – Ruhet me truproja, gazetari Trocchia: Kërcënimet pas librit për mafien shqiptare. Pse hesht Rama për takimin në Aruba?
Në një intervistë direkte me emisionin ‘A Show’ me gazetarin Adi Krasta, gazetari i njohur investigativ italian i ‘Domani’, Nello Trocchia, ka rrëfyer detaje mbi kërcënimet që çuan në vendosjen e tij nën mbrojtje të rreptë (eskortë) nga autoritetet italiane.
Gazetari konfirmoi gjithashtu se mesazhe shqetësuese i kanë ardhur edhe nga nipi i një narkotrafikanti italian, i lidhur ngushtë me grupet kriminale shqiptare që operojnë në kryeqytetin italian.
Një nga pikat më të nxehta të bisedës ishte informacioni i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) italiane për një takim të ndodhur në ishullin Aruba në vitin 2019, midis një karteli kriminal dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Trocchia sqaroi se përpara se të publikonte këtë lajm në librin e tij, kishte tentuar disa herë të merrte një version zyrtar nga kryeministri shqiptar, por kishte hasur në heshtje totale.
INTERVISTA E PLOTË
Adi Krasta: Në linjë të drejtpërdrejtë me kolegun tonë, gazetarin investigues, Nelo Trokja, i cili duhet të jetë në lidhje me mua dhe ja ku është. Nelo është një kënaqësi që je me ne.
Nello Troçhia: Shumë faleminderit. Faleminderit dhe për ftesën.
Krasta: Pra, nuk është vetëm ndjeshmëria jonë gazetareske, por për ty, i dashur Nelo, kemi edhe një ndjenjë miqësie dhe, si të themi, edhe kuriozitet njerëzor. Pyetja ime e parë ka të bëjë me situatën e re që është krijuar, ku ndodhesh. Më thuaj nëse është e mundur, a mund të na tregosh çfarë ka ndryshuar, që agjencitë e rendit në Itali kanë vendosur të të shoqërojnë me eskortë.
Trochia: Absolutisht po, kështu është. Mirëmbrëma juve dhe të gjithë teleshikuesve. Që nga mëngjesi i së shtunës më është komunikuar ky vendim për të rritur nivelin tim të mbrojtjes. Unë prej më shumë se dy vitesh kisha tashmë një formë vëzhgimi pranë shtëpisë sime, periodike, me një frekuencë orare të ndryshme, por që nga mëngjesi i së shtunës kam eskortë.
Pra, mbrojtja ime është forcuar, në kuptimin që unë lëviz ekskluzivisht me makinën e shërbimit i shoqëruar nga agjentët e institucioneve, të cilët i falënderoj për këtë vendim, ashtu siç i kam falënderuar gjatë këtyre viteve për vendimet e marra në lidhje me sigurinë time.
Këto ndryshime, natyrisht, lidhen me vlerësime që janë bërë nga Komiteti për rendin dhe sigurinë publike, ku marrin pjesë të gjitha forcat hetimore të kryeqytetit, prefekti i kryeqytetit, dhe për atë që mund të them unë, është se kur më është treguar, ma kanë thënë 20 ditë më parë në gazetën time, por kam bërë edhe unë një denoncim, një informim të Karabinierëve, pra për faktin se kam marrë kërcënime nga mjedise kriminale të lidhura me grupe kriminale me të cilat jam marrë gjatë këtyre viteve dhe me të cilat do të merrem edhe në të ardhmen.
Pastaj ka edhe prova të tjera, në vëmendje të hetuesve, për hetime për të cilat unë nuk kam dijeni, natyrisht. Por në fund janë marrë të gjitha elementet dhe është vendosur të më jepet eskortë.
Krasta: Më kujtohet gazetari i Rai 2, nëse nuk gaboj Sigfrido Ranuçi, i cili ka bërë këtë shërbim mbi Shqipërinë, ishte sinqerisht i shqetësuar për mundësinë që mafia shqiptare, një mafie që vepron me degë dhe rregulla ndoshta të ndryshme, por edhe të ngjashme me ato të mafies italiane, megjithatë në një farë mënyre vihet në diskutim kjo tipologji e ndryshme, më agresive e mafies shqiptare, një mafie reale në një kuptim. Nuk e di nëse mund të supozojmë, të hamendësojmë në këtë rast, mundësinë që pas librit të rëndësishëm, në të cilin ti flisje për mafien shqiptare, disa kërcënime vijnë sinqerisht nga këto grupe shqiptare në Itali dhe jo vetëm. A mund ta konfirmojmë këtë lidhje apo nuk ka, në këtë rast, një lidhje të dukshme?
Trochia: Shiko, unë i përmbahem fakteve. Faktet thonë se disa muaj më parë, dhe besoj se edhe kjo është një vlerësim, sepse është një vendim i rezervuar që i komunikohet më pas personit, në rastin tim mua. Besoj se kanë vlerësuar edhe një letër anonime që ka mbërritur muajt e kaluar në Prokurorinë Antimafia të Romës, në të cilën flitej qartë për librin tim ‘Invincibili’ mbi mafien shqiptare dhe për një lloj nervozizmi të disa grupeve kriminale në Itali që i referohen kriminalitetit shqiptar në Shqipëri.
Kjo ka ndodhur. Çfarë ka ndodhur tjetër? Që mes kërcënimeve të qarta dhe mesazheve shqetësuese që më kanë ardhur, të hapura, ka një që ka ardhur nga nipi i një narkotrafikanti që për vite me radhë ka qenë i lidhur me kriminalitetin shqiptar, me atë lloj mafieje të Romës që është e lidhur me kriminalitetin shqiptar dhe me këta trafikantë italianë.
Dhe është e qartë që subjektet që më kanë dërguar mesazhe shqetësuese dhe kërcënuese i referohen grupeve kriminale shqiptare. Kjo është e sigurt. Vendimi përfundimtar, megjithatë, siç thashë më parë, merret nga autoritetet në një mbledhje që ka karakter të rezervuar, pra sekret, kështu që ndoshta lidhet edhe me shumë mjedise të tjera kriminale, por ka edhe rastin tim dhe nuk duhet neglizhuar fakti që aktualisht Roma, kryeqyteti i Italisë ku unë jetoj, është një qytet i përshkuar nga grupe kriminale ku ato shqiptare kanë një rol të rëndësishëm, dhe unë me këto merrem prej kohësh.
Krasta: Në vendet me demokraci hibride, siç është Shqipëria në këtë moment, disa lajme të rëndësishme shoqërohen në një farë mënyre edhe me mosbesim, me thashetheme vulgare, me hipoteza që më pas bëhen, si të thuash, komplekse pothuajse për të dobësuar forcën e versionit, të rrëfimit, të versionit real të faktit. Ti e di shumë mirë që përshkrimi yt që ke bërë për takimin në Aruba është shoqëruar në Shqipëri nga një narrativë qeveritare, nga histori që përpiqen të dobësojnë analizën e gazetarisë, të gazetarit investigativ, në këtë rast analizën tënde. Si mund të jemi didaktikë me këtë publik të telenovelave turke, në një farë kuptimi? A mund të themi, të konfirmojmë që gjëja është; një, e rëndësishme; dy, e rrezikshme; tre, tregon një Shqipëri të vështirë, agresive, mjaft kërcënuese në një farë kuptimi, me lidhje të forta, me pika të forta me botën e krimit ndërkombëtar, në këtë kuptim. Nelo, si mund të jemi ne, ti në këtë rast, bindës për të mbrojtur këtë dëshirë të madhe që ka njerëzit për të krijuar dy histori paralele, ku e vërteta shpesh bashkëjeton me versionin e rremë?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, një fakt që është i pakontestueshëm. Në Itali ka një prokuror ndër ata me mw shumw pwrvojw dhe më kompetentët që quhet Nicola Gratteri, i cili prej vitesh lufton ‘Ndranghetën, mafien më të fuqishme të Italisë dhe që tani ndan tregun e drogës me grupet kriminale shqiptare.
Nicola Gratteri, unë e kam intervistuar në librin tim dhe i bëj një pyetje. Ky është një fakt. E pyes; në të kaluarën e afërt, kundërshtarë të qeverisë Rama, gazetarë, vëzhgues, e kanë quajtur Shqipërinë një narkoshtet, një model narkoshteti, natyrisht ndryshe nga ato që kemi njohur në vitet e kaluara. Sipas meje është një ekzagjerim. Nicola Gratteri, prokuror i Napolit, një nga figurat simbol të luftës kundër mafies në vendin tonë, është përgjigjur jo, nuk është ekzagjerim, përkundrazi.
Dhe ky është një fakt që nuk mund të kundërshtohet duke delegjitimuar, siç ndodh shpesh, edhe në ambientin italian dhe jo vetëm shqiptar, punën gazetareske. Ky është një fakt. Një fakt tjetër i pakontestueshëm është se në një informatë të Drejtorisë Hetimore Antimafia italiane, shkruhej se kishte ndodhur një takim mes një karteli kriminal në Aruba në vitin 2019 dhe disa përfaqësuesve të papërcaktuar, të paspecifikuar të qeverisë Rama.
Unë, para se të shkruaja një fjali, një element të tillë, që është një informatë policore e Drejtorisë Hetimore Antimafia, që është forca më e rëndësishme hetimore në vendin tonë, kam realizuar një hetim, për një takim mes një karteli kriminal në Aruba në 2019.
Unë, para se të shkruaj, përmes zëdhënësve, përmes numrit të tij personal, i jam drejtuar Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, kryeministrit, atij që drejton Shqipërinë, liderit, për ta pyetur nëse mund të konfirmonte praninë në vitin 2019 të subjekteve të lidhura me qeverinë shqiptare, sepse gazetaria ime është një gazetari që kur ka një akt zyrtar si ai që sapo përmenda, pra një informatë e Drejtorisë Hetimore Antimafia, bën gjithmonë një punë verifikimi, prove, pune gazetareske.
Në këtë rast, duke iu referuar qeverisë Rama, kryeministrit Rama, unë telefonoj kryeministrin Rama. Nëse ai vendos të mos përgjigjet, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet. Fakti që ai nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë mënyrë, në asnjë nga mënyrat që unë i kam propozuar, nuk është problem i imi, është problem i atij që ka vendosur të mos përgjigjet.
Unë kam një fakt, unë raportoj informacionin e Drejtorisë Hetimore Antimafia, e raportoj fjalë për fjalë, e raportoj në librin tim. Dhe në të njëjtën kohë telefonoj ekzekutivin shqiptar, kërkoj të konfirmojë, të eksplorojë, të monitorojë nëse ka qenë kjo prani, sepse mund të ishte prania e një zëvendësministri, e një personi që ndoshta në mirëbesim po bënte një takim pune.
Mund të kishte shkuar në mirëbesim. Unë, për të kuptuar më shumë, bëj këto pyetje, sepse gazetarët duan të kuptojnë para së gjithash. Por nuk është se unë i censuroj lajmet. Unë kam dhënë një lajm, kam bërë gjithçka për të marrë edhe përgjigjen, versionin e qeverisë, por kjo përgjigje nuk më ka ardhur. Dhe unë lajmin e kam publikuar.
Krasta: Po të bëj një pyetje të fundit dhe pastaj të lë të lirë. Më kujtohet Saviano. Ai donte, e donte dhe e urrente faktin që prej shumë kohësh shoqërohet me një eskortë policore në jetën e tij të përditshme, një eskortë profesionale, pra e agjentëve për të mbrojtur jetën e tij. Por në këtë kuptim, dua të të pyes, ti sigurisht do të vazhdosh të bësh profesionin tënd, të punosh në profesionin tënd, pavarësisht rrethanave të reja që janë krijuar. Pyetja e parë. Pastaj, i shoqëruar nga një pikëpamje profesionale, dhe në fund, sipas teje, bazuar në analizën hetimore, informacionet që ke marrë deri tani, njohuritë e tua personale e kështu me radhë, a do të vijë apo mund të vijë një moment që e ashtuquajtura mafie shqiptare të marrë një formë edhe më kërcënuese, e lidhur me shtetin shqiptar të momentit dhe të rrisë pak forcën kundër ligjit, etj. Si e sheh ti këtë raport tëndin në të ardhmen me këtë problem të madh dhe të rëndësishëm mes dy vendeve tona mike?
Trochia: Le të nisim nga një fakt, sepse duhet të jemi të qartë. Unë i kam quajtur narkotrafikantët shqiptarë ‘të pathyeshëm’, jo vetëm sepse doja të jepja një titull libri, por sepse eksponenti më i rëndësishëm i kolonës romane, që quhet Arben Zogu, ndërsa ne po flasim, është i lirë. Është i lirë dhe është një nga eksponentët më të rëndësishëm të këtij bote kriminale. Subjekte të tjerë që unë i citoj në libër janë të lirë.
Po presim nga Dubai ekstradimin e Dorian Piku, ekstradimin e Altin Sinomatit, që në këtë moment janë ende atje dhe të subjekteve të tjera, ashtu si kolona romane e Zogut ka shumë subjekte të tjera të lira, janë të lirë në Romë, të lirë për të vepruar. Po flasim për një kolonë, për një nga kolonat për të cilat unë flas.
Dëshira për pushtet, për para, aftësia korruptive për të kontaminuar sektorë publikë, administrativë të kriminalitetit shqiptar, kjo aftësi është e jashtëzakonshme. Nuk ka prioritete të tjera për një qeveri, nuk ka prioritete të tjera përveç luftës së ashpër kundër mafies shqiptare, dhe këtë e kam kuptuar duke intervistuar një ish-magjistrat, Mandoi, i cili kritikon qeverinë shqiptare dhe thotë se ligji për konfiskimin nuk është i përshtatshëm për të luftuar nivelin e kriminalitetit që ka arritur në Shqipëri krimi.
Dhe siç më ka treguar një bashkëpunëtor drejtësie, që dikur ishte vrasës, ku nuk arrin pushka, ku nuk arrin kallashnikovi, arrijnë paratë. Aftësia e mafies shqiptare është të korruptojë si element qendror, sepse ka sasi të mëdha parash që vijnë nga narkotrafiku. Nuk ka prioritete të tjera, janë lojtarë ndërkombëtarë.
Nuk ka prioritet tjetër për një qeveri përveç luftës kundër mafies shqiptare dhe kundër nivelit shumë të lartë të korrupsionit që natyrisht i heq qytetarëve, i heq komunitetit dhe ia jep disa subjekteve të lidhura me krimin. Kjo është përgjigjja për pyetjen e dytë. Për të parën, unë do të vazhdoj të bëj profesionin tim.
Sigurisht, është e qartë që gjithçka bëhet më e komplikuar, është e pashmangshme, edhe vetëm në organizimin e jetës së përditshme. Unë gjithmonë kam thënë se ne jemi zgjedhjet që bëjmë, nuk jemi pasojat tona, por jemi zgjedhjet tona. Edhe pse ndonjëherë pasojat janë ndërhyrëse në jetën tonë të përditshme.
Unë do të vazhdoj të bëj gazetarin, kam nisur nga Campania, që është një tokë e madhe, dhe tani punoj për gjigantë që për mua janë simbole, si Giancarlo Siani. Ditët e fundit ishte përvjetori i 48-të i vrasjes së këtij gazetari intelektual nga mafia siciliane.
Unë mendoj se ne kemi detyrimin, ne që bëjmë këtë profesion, ta bëjmë sa më mirë të jetë e mundur dhe kur kemi lajmet, t’i japim, t’i rrëfejmë edhe hijet, kontradiktat, dhe të denoncojmë sistemet kriminale dhe të pushtetit.
Krasta: Nelo, të falënderoj shumë, të jam shumë mirënjohës që fole me mua. Faleminderit shumë këtë mbrëmje, faleminderit shumë.
Trochia: Faleminderit, dhe një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë ju dhe një përqafim për Shqipërinë, një tokë që e dua shumë.
Deputeti i PD-së Luan Baçi ishte në Studio24, për të folur mbi situatën e Partisë Demokratike dhe opozitës.
Duke folur mbi garën për kreun e PD-së, ku Berisha kandidon i vetëm, Baçi theksoi se askush nuk i vë dot kushte demokratëve se kë duan të keën kryetar.
Sa i përket 3-4 kandidatura të mundshme për kryetar, që nuk u pranuan, Baçi shton se ata u porositën të dalin aty, por nuk dha më shumë sqarime.
Luan Baçi: Nuk do merrem me retorikën për të thënë që atje nuk ka garë. Berisha është i pakonkurrueshëm. 3-4 figura të falin por jo individë që i porosisin që të dalin aty. Sali Berisha ka vërtetuar që me vota është kryetar i partisë. Ka shumicën dërrmuese. Kushdo që garon me Berishën as 4% të votave nuk merr. Berisha është sot për sot bashkuesi i opozitës. Ka disa partia parlamentare ose jo. Por nuk janë ata që do venë kushte partisë më të madhe opozitës kë do venë kryetare. Nuk i themi ne partive të reja kë keni kryetar ose jo.
Është qejfi i tyre. Ne kemi kryetar Sali Berishën. E zgjedhim ne kryetarin. Ata nuk duan të bashkohen, le ta gjejnë vetë hallin. Kemi Kodin zgjedhor. Zoti Lapaj, ka bërë propozimin për kodin, Berisha ka pranuar atë kod zgjedhor që ka propozuar zoti Lapaj. Me prag 4%. Nëse zhduket nën 4% nuk ja vlen. Nëse tremben nga pragu nuk janë parti politike. Janë propozuar lista të hapura, koalicione parazgjedhore. Po të miratohet një kod i tillë, nuk do ketë shumë nga ata që duan të futen në parlament. nëse u leverdis për të prishur le ta prishin. Nuk janë për rotacionin.
Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas seancës në GJKKO, duke deklaruar se Prokuroria ka rrëzuar akuzën kryesore për një lobim të dyshuar prej 1 milion dollarësh në SHBA për një foto me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Metës, gjatë seancës përfaqësuesi i Prokurorisë ka pohuar se çështja lidhet vetëm me një pagesë të ligjshme prej 15 mijë dollarësh për “McKeon Group”, shumë që ai thotë se e ka deklaruar publikisht dhe më herët edhe para SPAK-ut, kur është pyetur për këtë çështje rreth tre vite më parë.
Më tej Meta ka komentuar gjithashtu edhe raportimet në mediat ndërkombëtare në lidhje me këtë dosje, të cilat, sipas tij kanë shërbyer si bazë për ngritjen e akuzave dhe izolimin e tij politik për 19 muaj.
“Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës”, ka shkruar ai.
Ilir meta: Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.
Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.
Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.
Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.
Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm janë rikthyer sërish në qytetin e Vlorës, ku Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka njoftuar ndërprerje të furnizimit në disa zona të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak i kësaj situate është një avari e rëndë e konstatuar në tubacionin kryesor 500, pranë zonës “Miramare”, e cila ka sjellë domosdoshmërinë e stakimit të të gjitha stacioneve të ujësjellësit.
UKV bën me dije se masa është marrë me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në rrjet dhe parandalimin e dëmtimeve më të rënda në sistemin e furnizimit me ujë.
“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit.
Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë.
Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës. Faleminderit për mirëkuptimin!”, thuhet në njoftimin e UKV.
Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti katër ditë pa ujë, ndërprerje e cila preku mijëra familje dhe biznese.
Asokohe defekti u riparua pas ardhjes nga Turqia të pjesëve hidraulike të nevojshme për tubacionin kryesor të ujësjellësit.
Ish-presidenti Ilir Meta është paraqitur sot në ambientet e reja të Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po mbahet seanca e dytë në themel.
Meta është shfaqur në kafazin e xhamit brenda sallës së gjyqit.
Ndërkohë në një moment, Meta ka përshëndetur me simbolin e shqiponjës.
Avokati Cakrani ka kërkuar që seancat të bëhen të hapura për mediat në mënyrë që publikut të shikojë të vërtetat e e procesit dhe hetimit politik. syri.net
Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka prezantuar në rrjetet sociale një sërë propozimesh për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, duke theksuar nevojën për një reformë të thellë që, sipas tij, rrit përfaqësimin dhe besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura dhe koalicione parazgjedhore, duke argumentuar se kjo do të siguronte barazi të votës në të gjithë territorin dhe përfaqësim më të drejtë në Kuvend.
Sipas tij, proporcionalja kombëtare bën që “vota të ketë vlerë të barabartë në çdo cep të atdheut”, ndërsa deputetët do të mbajnë përgjegjësi kombëtare dhe jo vetëm rajonale.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e listave të hapura, duke e konsideruar këtë si mënyrë për t’i dhënë qytetarit të drejtën të zgjedhë vetë përfaqësuesit dhe për të shmangur, siç shprehet, imponimet nga kryetarët e partive.
Një tjetër pikë e propozuar është krijimi i koalicioneve parazgjedhore, që sipas Lapajt do të ndihmonte maksimizimin e votës dhe bashkëpunimin mes forcave politike pa humbur identitetin e tyre.
Në lidhje me administrimin zgjedhor, ai kërkon depolitizim të komisioneve në nivel KZAZ, duke përfshirë profesionistë të lirë si avokatë, noterë dhe psikologë të përzgjedhur me short, për të rritur besueshmërinë e procesit.
Lapaj propozon gjithashtu vendosjen e një pragu prej 4% për hyrjen në Kuvend, duke e konsideruar si një mekanizëm që ruan stabilitetin dhe shmang fragmentarizimin e skajshëm politik.
Sa i takon numrit të deputetëve, ai shprehet kundër uljes së tij nga 140, duke argumentuar se kjo nuk sjell kursim real dhe përkundrazi rrit përqendrimin e pushtetit dhe dobëson garën zgjedhore. bw
Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një automjet ka përfunduar në shkallët e godinës së Kryeministrisë.
Pas ndalimit të mjetit, drejtuesi është parë duke dalë nga automjeti dhe duke u ngjitur drejt hyrjes së institucionit, ku më pas ka goditur me shkelma dyert e godinës.
Në pamjet e publikuara shihet edhe një efektiv policie që afrohet pranë automjetit, por më pas qëndron në distancë pa ndërhyrë në momentin kur qytetari godet hyrjen e Kryeministrisë.
Deri tani nuk dihen motivet që kanë çuar drejtuesin e mjetit në këtë veprim.
Tre shtetas italianë janë mes gjashtë personave të proceduar penalisht pas protestës së 8 majit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku u pati edhe përplasje me policinë.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë provuar përfshirjen e tyre në akte dhune ndaj efektivëve, megjithatë ata nuk dyshohet se kanë marrë pjesë në hedhjen e molotovëve.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se shtetasit e huaj janë marrë në pyetje nga hetuesit, por kanë refuzuar të japin shpjegime lidhur me arsyet e përfshirjes së tyre në protestë dhe mënyrën se si u bënë pjesë e tubimit.
Në total, për incidentet e ndodhura gjatë protestës janë proceduar gjashtë persona, të dyshuar për dhunë ndaj policisë dhe përdorim të mjeteve molotov në drejtim të forcave të rendit.
Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë ende.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka dënuar dhunën policore ndaj gazetarëve gjatë protestës së opozitës, duke e cilësuar atë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe informimit.
Zhupa solli në vëmendje rastin e gazetares Marsi Korreshi të Syri TV, e cila u godit me ujë me presion gjatë raportimit në terren.
Ajo iu referua edhe raportit të Reporterëve pa Kufij, sipas të cilit gazetarët që mbulojnë protesta shpesh bëhen viktima të dhunës policore.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
“Gazetarët që mbulojnë protestat bëhen viktima të dhunës policore”, shkruante vetëm pak ditë më parë raporti i Reporterëve pa Kufij. Fatkeqësisht ky alarm ndërkombëtar, u vërtetua sërish dje në protestën e opozitës.
Pamjet tregojnë qartë sulmin ndaj operatorëve dhe gazetarëve që ishin në krye të detyrës, duke dokumentuar zhvillimet në terren. Gazetarja Marsi Korreshi e Syri tv godit dy herë nga uji me presion në distancë shumë të afërt dhe në drejtim të fytyrës, ndërsa goditja e dytë dhe e rrëzoi në tokë.
Dhuna ndaj medias është dhunë ndaj lirisë së informimit dhe një tregues i rrezikshëm i sjelljes së një narkopolicie që nuk i përgjigjet ligjit, por urdhrave politikë.
Asnjë uniformë nuk e vendos policinë mbi Kushtetutën dhe mbi të drejtat themelore të qytetarëve. Detyra e policisë është të garantojë rendin dhe sigurinë, jo të godasë gazetarët dhe të intimidojë median. Këto akte duhet të dënohen dhe autorët të mbajnë përgjegjësi.
VLORË– Tregu i fruta-perimeve në qendër të Vlorës është mbyllur, si pjesë e projektit për rijetëzimin e zonës pranë Sahatit. Tregtarët kundërshtojnë zhvendosjen drejt Jallisë së Nartës, duke e cilësuar zonën të largët. Tregtarët shprehen se vendndodhja e re është tepër larg dhe e papërshtatshme për aktivitetin e tyre, ndërsa kërkojnë shtyrje të afateve për të shitur mallin që kanë në stok.
Një nga tregtaret thotë me batuta se janë bërë si kanali i Hormuzit të rrethuar nga policët, ndërkohë që shton se policia ata të drogës i lejon, ndërsa tregtarët e fruta-perimeve jo.
Qytetarja: Jemi bërë si kanali Hormuzit, policë atje, policë këtu.
Pyetje: çfarë po shisni?
Qytetarja: Ata të drogës i lënë neve nuk na lejnë.
Pyetje: Ku do shkoni tani?
Qytetarja: Në të sëmës
Po ashtu, pakënaqësi kanë shprehur edhe qytetarët, të cilët thonë se mbyllja e tregut i lë pa një pikë të rëndësishme furnizimi me produkte të freskëta./Dosja.al
Vetëm pak ditë pas letrës së deputetes së PD Jorida Tabaku për situatën e parlamentit dhe procesit të integrimit në Shqipëri, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian sqarime për hapësirën e opozitës dhe funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
Në një letër drejtuar Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, McAllister ngre shqetësimet e përcjella nga Tabaku për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, mungesën e transparencës dhe kufizimin e rolit kontrollues të parlamentit shqiptar.
Kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian thekson se sipas shqetësimeve të ngritura nga Tabaku, opozita, shoqëria civile dhe publiku janë të përjashtuar nga informacioni mbi negociatat dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai kërkon nga Komisioni Europian një vlerësim të qartë mbi bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri, si edhe mënyrën se si mund të garantohet roli kushtetues i opozitës si institucion kontrolli demokratik.
Në letrën e tij, McAllister paralajmëron se një proces integrimi i dominuar vetëm nga ekzekutivi dhe që përjashton opozitën rrezikon të dëmtojë standardet demokratike dhe vetë besueshmërinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Ai nënvizon se Shqipëria, si një vend që konsiderohet “frontrunner” në procesin e integrimit, duhet të ndjekë një proces të bazuar tek merita, integriteti institucional dhe standardet demokratike europiane.
Ndërkohë këtë të premte mazhoranca ka mbledhur Këshillin e Integrimit Evropian pa pjesëmarrjen e opozitës, teksa kjo e fundit nuk është thirrur për të qenë pjesë e panelit të diskutimeve. syri.net
Rexhep Ismaili, 66-vjeçari i cili një ditë më parë u ekzekutua me armë zjarri në ambientet e lokalit të tij ka qenë edhe pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike në Sarandë.
Deputetja e këtij qarku, Ina Zhupa shprehet e tronditur për ngjarjen, ndërsa thotë se PD humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer.
Zhupa shkruan se Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Ligjvënësja demokrate pret nga policia dhe institucionet përgjegjese që të zbardhin ngjarjen, ndërsa autorët e krimit të vendosen para drejtësisë.
“E tronditur thellë nga lajmi për vrasjen e Rexhep Ismailit. Një njeri me vlera dhe një patriot i përkushtuar.
Partia Demokratike humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer. Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë dhimbje dhe tronditje te të gjithë ne që e njohëm.
Pres që institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, të veprojnë me përgjegjësi të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan Rexhep Ismailin. U prehtë në paqe”, shkruan Ina Zhupa. Panorama
Kanye West, reperi dhe producenti muzikor 48-vjeçar nga Shtetet e Bashkuara pritet të mbajë një koncert në Tiranë më 11 Korrik, si pjesë e turit të tij të vitit 2026. Ardhja e tij në Tiranë u njoftua nga kryeministri Rama në rrjetet sociale, njoftim i cili e përshkruan eventin si një koncert historik në kryeqytet.
Përtej entuziazmit dhe famës ndërkombëtare të reperit amerikan, njoftimi mbi koncertin e tij në Tiranë ka ngjallur debat për shkak të deklaratave të vazhdueshme antisemitike, mohimin e Holokaustit dhe glorifikimin e Adolf Hitlerit që West ka bërë vazhdimisht.
Disa nga datat e turit të tij në Europë janë anuluar pikërisht prej natyrës së deklaratave, me reagime të forta nga qeveritë e vendeve si Polonia apo Mbretëria e Bashkuar.
Disa prej aktivistëve të të drejtave të njeriut në Shqipëri i thanë BIRN se në kushtet kur disa vende europianë kanë anuluar koncertet e këngëtarit për shkaqet e përmendura më sipër, performanca e tij këtë verë në Tiranë sjell pikëpyetje të mëdha.
“Problemi këtu nuk është thjesht një koncert apo një artist, problemi është mesazhi që jepet kur një vend legjitimon ose promovon figura që kanë normalizuar gjuhën e urrejtjes, antisemitizmin, apo glorifikimin e figurave totalitare, që i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme njerëzimit dhe kujtesës kolektive,” tha Isa Myzyraj, gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut.
Sipas Myzyrajt, ky hap tregon se Shqipëria shpesh është e gatshme të kapërcejë çdo parim për efekt spektakli politik dhe për të tërhequr vëmendjen e një audience të re, të lodhur nga politika tradicionale.
“Por kur kjo ‘lojë’ kalon në promovimin e figurave që kanë relativizuar antisemitizmin apo kanë glorifikuar Hitlerin, atëherë kemi të bëjmë me një vijë të kuqe që nuk duhej kaluar,” shtoi Myzyraj.
Edhe Gentian Serjani, jurist dhe aktivist në Tiranë, i tha BIRN se kjo dukej më shumë si një qasje politike e drejtuesve tanë.
Ai shtoi se qëndrimet e Ramës kundrejt liderëve ndërkombëtarë kanë qenë jo konsistente, të karakterizuara nga ndryshime të forta në qëndrimet e tij, si për shembull deklaratat kundër Trump-it dhe më pas një sjellje krejt të ndryshme ndaj tij, madje edhe me vlerësime.
“Në fund, kjo është qasja politike që ka zgjedhur të ndjekë kryeministri ynë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se di do të reagojnë përfaqësuesit e shtetit të Izraelit në vendin tonë”, tha Sejrani, duke shtuar se financimi i koncertit të West si një formë promovimi për vendin ka prevaluar mbi deklaratat antisemitike të këngëtarit.
Edhe aktivisti Myzyraj shtoi se në fakt është e vështirë të kuptohet ky vendim i Shqipërisë për të promovuar një figurë kaq kontroverse si Kanye West, në një moment kur shumë vende dhe organizatorë koncertesh janë distancuar prej tij për shkak të gjuhës antisemitike.
“Për më tepër, kjo krijon një kontraditë të fortë politike për vetë kryeministrin Edi Rama, i cili vetëm pak muaj më parë mbajti një fjalim në Knesset, duke u shfaqur si një mbështetës i fortë i Izraelit dhe i luftës kundër antisemitizmit”, tha Myzyraj.
Sipas aktivistëve, një dilemë të fortë ngre edhe propaganda e disa zyrtarëve të lartë të cilët thonë se Shqipëria do të fitojë miliona euro nga ky aktivitet.
“Në një plan të gjerë ngrihet pyetja se deri ku jemi gati të shkojmë si vend, për të fituar ca para?”, shtoi Myzyraj, duke theksuar se nëse futemi në detaje, pyetjet janë akoma më të shumta, lidhur edhe me paratë që do të përfitojë buxheti i shtetit.
“Pyetjet janë të shumta, përgjigja duket gjithmonë e njëjtë: Kanye West do të vijë në Shqipëri, kaq!”, përfundoi Myzyraj./ BIRN
Gjykata e Lartë ndryshon masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe lë në fuqi dy masat e Apelit të GJKKO-së për dy të pandehurit e tjerë, Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Masa ndaj ish-zyrtares së pandehur nga SPAK është kthyer në detyrim paraqitjeje dhe mosdalje nga shteti, duke iu sekuestruar pasaporta.
Më herët Karçanaj ka qenë me masën arrest shtëpiak të vendosur nga dy shkallët e GJKKO-së, por pas rekursit të palës mbrojtëse u pranua ndryshimi vetëm për ish-drejtoreshën dhe urdhërohet të paraqitet në Policinë Gjyqësore çdo të martë të parë dhe të tretë të muajit.
Ndaj Karçanajt janë ngritur akuzat për “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Rekursi u bë më 16 prill në GJL, me relator Genti Shalën. Të pandehur në dosje janë edhe biznesmenët e kërkuar Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj. SPAK u ka sekuestruar edhe 40 mln euro pasuri të dyshuarve, mes tyre miliona euro dyshohet se i përkasin Karçanajt, me llogari bankare dhe vila apo apartamente.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi, masa e kësaj të fundit u ndryshua dhe ndaj sa u caktua masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë të pandryshuar nga Apeli.
Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.
Akuzat e SPAK ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj
SPAK ka zbardhur akuzat ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zëvendëses së saj, Hava Delibashi dhe zv.drejtorin e policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj Hava Delibashit, e cila më 24 mars u lirua nga arresti i shtepisë, rëndojnë akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ndërsa zv.drejtori i policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, është pezulluar nga detyra.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për kryerjen e veprave penale; “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë:
“Lënien në fuqi të vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i përket disponimit në lidhje me rekursuesit Erjon Ismaili dhe Gëzim Hoxha.
Ndryshimin e vendimit nr. 4 (87-2026-50) datë 05.02.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lidhje me rekursuesen Mirlinda Karçanaj.
Caktimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, duke u urdhëruar personi nën hetim Mirlinda Karçanaj të paraqitet pranë policisë gjyqësore, të martën e parë dhe të tretë të çdo muaji ora 10:00.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me ekzekutimin e këtij vendimi”. GSH