Kreu i PD-së Sali Berisha mbajti fjalën në foltoren e radhës për demokratët në sheshin përpara kryeministrisë, këtë të hënë.
Berisha zbuloi se në Kongresin Amerikan, në Komisionin e Jashtëm është miratuar një dokument për Shqipërinë.
Sipas tij, aty nxihet për faqe të zezë Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Më tej shton se quhet si eksploziv AKSHI, kërcënim jo vetëm për Shqipërinë por edhe për NATO-n.
Berisha: Shqiptarët po presin 24 janarin si ditën e tyre, si orën e tyre. Ndaj dhe këtë javë këto ditë, secili nga ne të bëjë gjithçka. Të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar. Të mos i mungojë lirisë më 24 janari. Të mos i mungojë guximi, dinjiteti më 24 janar. Mbarë bota po pret fjalën tonë, mbarë bota po pret zërin tonë. Veprimin tonë.
Ngjarje të mëdha, protesta e dhjetorit ushtroi fuqishëm në mbarë botën. Zëri juaj u dëgjua në të 4 anët e planetit. Këtë javë, në tempullin e demokracisë Komisioni i Jashtëm i Kongresit u miratua një dokument në të cilën pasqyrohet të gjitha ato për të cilat ju protestuat dhe do protestoni më 24 janar. Në këtë dokument nxin, për faqe të zezë Edi Rama dhe Lubi Balluku.
Që po bllokon ligjin dhe shtetin ligjor. Protesta dhe vetëm protesta rruga e mbrojtje së tyre. Dokumenti historik e quan eksplozive, shpërthyese AKSHIn e Ramës dhe Lindave, dokumenti i miqve tanë shkruan se ajo çka flitet për AKSHI, është kërcënim jo vetëm për Shqipërinë por edhe NATO. Ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike, të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe Brukselit kundër kësaj situate. Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi.
Duhet të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme që në 24 janar bota të mësojë fuqinë tonë, vendosmërinë tonë. Edi Rama është një narko-diktator, i cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi në darkë. Është jetike, vendimtare të përmbysin këta kriminelë dhe ti çojmë përpara ligjit. Ta bëjmë natën ditë, këtë javë. Të trokasim në çdo derë. gsh
Ish deputeti Lefter Maliqi theksoi si të nevojshme bashkimin opozitar për të bërë të mundur rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës nga pushteti.
Në një intervistë për News 24, Maliqi theksoi se protestat dy orëshe janë të pamjaftueshme para Kryeministrisë, duke shtuar se duhet të ketë orë më të zgjatura.
Kërkoi gjithashtu shtrirjen e protestave edhe në qytetet e tjera të vendit, si edhe grevë urie nga deputetët. Ai tha se është i gatshëm të bashkohet edhe vetë nëse deputetët opozitarë janë të gatshëm të “vetësakrifikohen” dhe futen në grevë.
Maliqi u shpreh se duhet të rrethojnë kryeministrinë dhe madje të shkojnë edhe në Surrel. Sipas tij, nuk duhet të presin amerikanët për të “goditur” qeverinë, por duhet të jetë vetë PD, si partia më e madhe opozitare, që ta largojë atë.
“Protesta e 24 janarit do të ketë vendimmarrje decizive për vazhdimësi. Jam për skenarin që duket të ketë protestues me orë të zgjatura, dhe të përhapet në të gjitha qytetet e Shqipërisë edhe për grevë urie të deputetëve. Edhe unë jam gati të futem në grevë urie.
Nëse deputetët sakrifikojnë, atëherë motivojnë demokratët. Skenar tjetër është rrethimi i kryeministrisë, protesta në qarqe të vendit, por edhe të marshojmë drejt Surrelit të krimit se nuk e di se çfarë ka në ato bunkerë.”, u shpreh ai.
Pas dy javë e mbyllur, është hapur këtë të diel rruga Qukës-Qafë Plloçë, e cilësuar si rruga e “artë” e ministres Belinda Balluku, pasi ka kushtuar 260 mln euro.
Megjithatë, sic shihet nga pamjet me dron që ka sjellë gazetarja e News24 për BalkanWeb, Lorena Kodra, rruga sërish është e mbuluar nga balta dhe inertet edhe pas rihapjes.
Sot ka filluar qarkullimi vetëm për mjetet që kanë destinacion fshatrat e Pogradecit që lidhen me këtë rrugë.
Megjithëse është punuar për largimin e gjithë masivit shkëmbor që ra rreth 10 ditë më parë si shkak i shirave dhe motit të keq që përfshinë qarkun e Korçës, vijon puna për pastrimin e rrugës nga balta ndërsa mjetet me destinacion Elbasanin apo anasjelltas me drejtim Korçën do të vijojnë qarkullimin normal ditën e nesërme(të hënë).
Kujtojmë që kjo rrugë herë pas here ka patur problematika të shumta sa i përket rrëshqitjeve të dhereva dhe shkëmborëve nga skrapatat gjë që ka çuar në bllokimin e rrugës duke ngritur pikpyetje për cilësinë e punimeve dhe studimin gjeologjik. bw
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në njoftim zyrtar për operacion e zhvilluar në Tiranë kundër disa Call Center-ëve që dyshohet se mashtronin shtetas të huaj.
Call Center funksiononte në godinën Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova”. Nga aty, mashtroheshin kryesisht qytetarë italianë, duke u bindur nga operatorët të investonin në platforma të rreme kriptomonedhash
SPAK bën me dije se hetimi ka nisur më 9 janar 2026, pasi gazetarë italianë të emisionit Le Iene, që transmetohet në Mediaset, dorëzuan prova të mbledhura gjatë investigimit të tyre. Hetimi u nxit edhe nga denoncimet e disa qytetarëve italianë që thanë se ishin mashtruar.
Gazetarët arritën të futeshin në Call Center duke infiltruar një shtetas italian, i cili punoi aty dhe tregoi nga brenda se si funksiononte skema.
Si vepronte skema e mashtrimit
Sipas SPAK, punonjësit e Call Center-it telefononin viktimat dhe i bindnin të transferonin para në kriptomonedha, duke u premtuar fitime. Në realitet, paratë shkonin në llogari virtuale të kontrolluara nga drejtuesit e aktivitetit të paligjshëm.
Hetimet tregojnë se drejtuesit kishin vendosur edhe kamera dhe persona që vëzhgonin ambientet nga jashtë, për të sinjalizuar çdo rrezik.
Paralajmërimi dhe zhvendosja e pajisjeve
Ndërkohë në njoftim zyrtar të SPAK, bëhet me dije se mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshohet se u njoftuan për një kontroll të mundshëm, drejtuesit e Call Center-it boshatisën zyrat në “Atti Tower” dhe larguan pajisjet gjatë natës.
Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kapën 6 persona në flagrancë, teksa po transportonin pajisje kompjuterike drejt një ambienti tjetër në godinën Downtown One, në Bulevardin “Bajram Curri”. Një pjesë e pajisjeve po tentoheshin të asgjësoheshin.
Më pas, SPAK ka ndaluar edhe 2 persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 persona, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj.
Alfred Prekaj, rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e cila merret me Call Center dhe telemarketing.
Gjithashtu bëhet me dije se në pranga kanë rënë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K.
Çfarë u sekuestrua
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente banesa, zyra, makina dhe garazhe janë gjetur dhe sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, laptopë, karta SIM, dokumente, kamera sigurie dhe automjete. Mes tyre është edhe një Ferrari, që dyshohet se i
Kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj theksoi se hodhën miell para godinës së Kryeministrisë, ku protestuan mbrëmjen e së shtunës, si simbolikë ndaj drogës që ka “pushtuar” vendin.
Lapaj tha se fakti që qytetarët po i bashkohen çdo ditë edhe më shumë lëvizjes së tij, tregon se frika po vritet. Kreu i Shqipëria Bëhet u shpreh se do të vijojnë t’i qëndrojnë kërkesës së tyre duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, zëvendës së tij të pandehur Belinda Balluku dhe qeveritarë të tjerë.
Thumboi gjithashtu edhe Endrit Shabanin, ish aleat të tij dhe Avokat i ri i Popullit, të cilit iu referua si “Xhixh Merimanga”, teksa tha se mori Edi Rama për të vjedhur edhe më shumë.
“Siç e keni parë e ka blinduar kryeministrinë sot me hekur sërish, por sërish asnjë lule nuk u thye këtu dhe ajo që bëmë që parë, simbolika ishte droga që ka pushtuar këtë vend, e bardha që ka vrarë çdo qelizë të këtij kombi. Ky vend nuk e meriton të trajtohet si vendi i krimit. Dorëheqje. Frika po vritet. Ka 42 ditë që frika po vritet kështu poshtë zyrës së tij. Njerëzit po ushtojnë Edi Rama o hajdut.
Ai që përveç zakonisht, pasi vodhi zgjedhjet, mori edhe Xhixh Merimangën për të vjedhur atë që kishte vjedhur, ndaj ai do të njihet si Edi Rama të cilit populli iu thotë “Edi Rama o hajdut”. Për të gjithë ata që na ndjekin, duhet të kuptojnë se kjo që po ndodh këtu është vrasje e frikës sepse njerëzit e lirë po thonë të vërtetën. Nuk ka gjë më të rëndësishme në një betejë”, u shpreh Lapaj. GSH
Tensionet situata në protestën e “Shqipëria Bëhet” përpara kryeministrisë. Aktivistët kanë hedhur në një moment disa qese miell, duke simbolizuar drogën për të cilën akuzohet qeveria.
Në një moment pati tensione edhe mes qytetarëve dhe policëve që tentuan të shkonin përtej gardhit të vendosur para godinës së kryeminitrisë.
Me flamuj e pankarta, ata i janë afruar efektivave të policisë duke thirrur për dorëheqjen e Ramës.
“Edi Rama, këtu na ke, këtu na ke!”, “Edi Rama drogaxhi”, ishin disa nga thirrjet e qytetarëve.
Në qoftë se në vitin 2013, pas një sage të gjatë varfërie, ne ja dolëm të kemi në Shqipëri rrogat dhe pensionet më të larta në rajon. Gjatë këtyre viteve, ne u rrokullisëm përsëri të fundit në rajon për rroga dhe pensione. Pra, u ndala tek këto faktorë për të theksuar se sa të vështira kanë qenë për secilin prej jush, njerëzve me ndërgjegje politike, njerëz me ideale të larta njerëzore, patriotë, atdhedashës, sa të vështira kanë qenë këto 13 vite në opozitë. Por miqtë e mi, dy gjëra duhet të mbajmë parasysh.
Së pari, kush jemi ne? Kush jemi ne demokratët? Në qoftë se kthejmë kokën mbrapa, ne demokratët, për ne demokratët politika veprimtaria jonë politike është arti i të pamundurës. Ne të pamundurën e bëjmë të mundur. A mund të imagjinoni ju? vitin ’91, ’92 kur erdhëm në pushtet. Të gjitha premtimet tona ishin premtime idealiste. Asnjë nga ne nuk njihte asnjë nga praktikat që duhet që duhet të zbatonin për realizimin e tyre. Vinin të gjithë nga një sistem i tmerrshëm, ku njohuritë tona fillonin dhe mbaronin me ekonominë socialiste, me rendin socialist.
Por ne, besimtarë tek Zoti dhe tek idealet fisnike të njeriut, arritëm me shpejtësi të madhe të hedhim bazat në Shqipëri të sistemit demokratik. Shqipëria në atë periudhë, nga viti në vit dyfishonte të ardhurat. Shqipëria, vendi më i kolektivizuar, një lloj si Koreja e Veriut sot, arriti në katër vite vendi më i privatizuar, vendi i iniciativës së lirë tuaj. Shqipëria u hap ndaj botës. Por, siç dihet, patëm një moment shumë të vështirë, shumë të rëndë. Skemat piramidale, nuk dua të bëj historinë e tyre. Ne nuk i njihnim.
Por pse s’i njihnim, përgjegjësia ishte e jona. Dhe ne e morëm atë përgjegjësi, dolëm në opozitë, u përpoqën të na zhduknin. U përpoqën të na fshinin nga faqja e dheut. U përpoqën që emri ynë të harrohej. Por çfarë ndodhi? Përkundrazi, ne u ngritëm si feniksi nga hiri. Ju jeni dëshmitarë. Ku e nisëm ne në vitin ‘97? Dhe pse u ngritëm? Po u ngritëm për dy arsye. E para ne u treguam të ndershëm me qytetarët. Qeveria nuk kishte prekur asnjë qindarkë. Asnjë qindarkë. Dhe e dyta, ne u thamë qytetarëve, ato para nuk i kthejmë ne. Pse? Se ai nuk ishte një borxh i marrë nga qeveria.
Dhe për ta kthyer atë qeveria duhet të merrte paratë tuaja që s’kishit vënë para në skema piramidale dhe t’ua jepte atyre të tjerëve. Kjo ishte pastaj betejë për karrige, e pa moral, e pandershme. Dhe ju kujtohet shumë mirë kur rivali im bënte fushatë do t’ju kthejë çdo qindarkë. Unë ju thashë qytetarëve se nuk mund të kthejë asnjë qindarkë, përveç atyre që janë në, në llogaritë e firmave. Sepse borxhi është i vjetër sa vetë njeriu. Dhe njeriu një borxh që s’e ka marrë nuk e njeh kurrë. Sado e dhimbshme ishte kjo, po ju them unë ty, në qoftë se do kishim bërë të kundërtën, s’do ishim sot në këtë sallë më.
Ne qëndruam, ne qëndruam të hekurt pavarësisht nga çmimi që mund të paguanim, në një parim të drejtë dhe të ndershëm, në një moral. Nuk mund të mirrje ti paratë e tjetrit që kishte vendosur në banka për të shlyer llogaritë e atij tjetrit që ishte vendosur në skema. U përpoqën, çfarë akuzash nuk bënë. Krime kundër njerëzimit. Dilnin me një shishe Pepsi përpara thonin që ky, ky është një helm i tmerrshëm ushtarak. Po ne s’u lëkundëm. Ne vazhduam në idealet tona, në besimin tonë. dosje.al
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj mban sot protestën e radhës në Bulevardin para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë pas skandaleve dhe aferave korruptive që tani janë edhe nën hetim nga SPAK, veçanërisht dy dosjet e bujshme të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe AKSHI-t.
Pas një qëndrese gati njëmujore dhe disa protestave të mëparshme, lëvizja politike tubohet sot (17 janar) për një tjetër protestë të thirrur me mbështetësit e saj.
Qindra qytetarë dhe mbështetës u panë në bulevard mbrëmjen e sotme, teksa tundnin flamuj dhe parulla dhe lëshonin thirrje kundër qeverisë.
Me thirrjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, ata iu drejtuan me marshim kryeministrisë në bulevardin e madh.
Më herët Lapaj është përplasur disa herë me forcat e Policisë, të cilat jo vetëm e kanë larguar me forcë, por i kanë hequr edhe mjetet mbështetëse si karrige, batanije, çadra dhe deri te ngrohëset.
Në një prej episodeve të dhunës së Policisë ndaj mbështetësve të tij, Lapaj mbeti i dëmtuar në kokë dhe u shtrua në Spitalin e Traumës.
Ashtu sikurse blloku opozitar, Lapaj kërkon dorëheqje të qeverisë, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. gsh
Çuditë në këtë vendin tonë të vogël s’kanë të sosur, pasi nga njëra anë një vëlla hetohet dhe bën pjesë në grupin kriminal që zhvati shtetin me dhjetëra miliona euro dhe nga ana tjetër, vëllai tjetër është përfaqësuesi kryesor i Shqipërisë pranë institucioneve të Bashkimit Europian.
Bëhet fjalë për Gëzim dhe Ferit Hoxhën, ku Gëzimi është nën akuzë dhe me masë sigurie nga Prokuroria e Posaçme, si pjesë e grupit kriminal të AKSHI-it, ndërkohë që Feriti vijon i qetë detyrën si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë në BE-së, që prej muajit korrik të vitit 2024.
Feriti dhe Gëzimi gjatë 3 viteve të fundit kanë pësuar ndryshime në të mira materiale, ku Gëzimi ka marrë dhjetëra miliona euro tendera sekretë nga qeveria, me ndërhyrje klanesh, ndërkohë që Feriti pas ulje-ngritjeve në karrierën diplomatike u katapultua si njeriu kyç i integrimit.
Këto radhë s’kanë aspak qëllim që të ulin figurën e çdonjërit prej tyre, por në mungesë të një reagimi sidomos të diplomatit, do mundohemi të hedhim dritë mbi aktivitetin e të dyve, ku në disa raste aktiviteti publik i Feritit ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin privat të Gëzimit.
BE-ja ka nisma dhe mekanizma që mbështesin kompani të teknologjisë së informacionit, me donacione, kredi apo mbështetje logjistike, ku normalisht njeriu që bën ndërlidhësin e Shqipërisë me BE-në është Feriti. Nga ana tjetër Gëzimi ka në pronësi plot 3 kompani, më e vjetra ka fituar dhjetëra miliona euro nga AKSHI për pajisje dhe programe të teknologjisë dhe dy të tjerat i ka regjistruar fiktivisht në parkun DURANA, në Xhafzotaj.
Këto më sipër janë vetëm ato që realisht bëjnë vëllezërit, ndërkohë që lidhjen mes të dyve, nëse puna e njërit ndikon te tjetri, apo të bashkëpunëtorët e vëllait, mund t’a zbardhin institucionet ligjzbatuese.
Fakt që është që, emri i Gëzim Hoxhës dhe kompanisë së tij, “First” ndodhet në shumë fashikuj të dosjes së AKSHI-t, ku vetë vëllai i ambasadorit hetohet për pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal. Po hetohet edhe për grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Në një kohë që Ferit Hoxha u emërua Ambasador në BE, në muajin korrik të vitit 2024, vëllai i tij, Gëzim Hoxha, vijonte të fitonte dhe të merrte tendera sekretë nga qeveria, një prej të cilëve në vlerën e plot 60 milionë eurove.
Ina Ciko, një prej vartësve të Ermal Beqirit, aktualisht me masë sigurie shtrënguese po që nuk është ekzekutuar, ka deklaruar se ka pasur marrëdhënie financiare dhe kanë bashkëpunuar me disa firma, njëra prej të cilave edhe “First”, me pronar Gëzim Hoxhën.
Në dosjen e SPAK-ut, të hulumtuar nga VoxNews, detajohet se janë bërë kreditime nga firma “First” te kompanitë e Beqirit apo Agasit në shuma që shkojnë deri në 1.2 milionë euro. Këto kreditime, janë realizuar në dhjetor të vitit 2024. Prokuroria ka zbuluar se kompania e Gëzim Hoxhës, “First”, ka kaluar fonde në llogarinë e subektit “EA Solution”, në shuma të konsiderueshme.
Faktet janë evidente, tashmë të zbardhura plotësisht nga Prokuroria e Posaçme, por që deri më tani janë lënë në ajër, për shkak se po këta individë janë shfaqeur edhe te parku fiktiv DURANA në Xhafzotaj, të Durrësit. Emri i “First” dhe Gëzim Hoxhës cilësohet nga SPAK-u si një nga më aktivët. “Faturimet e kryera nga ‘EA Solution’ sh.p.k. në drejtim të tre subjekteve të tjera janë fiktive dhe me qëllim përfitimin e parave që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara nga grupi kriminal” thuhet në dosje.
Dy biznesmenët e tjerë në dosje, Andis Papa dhe Gëzim Hoxha kanë kontraktuar shërbimet e “EA Solution” nëpërmjet Ermal Beqirit, i cili i ka drejtuar te ky subjekt. “Pra të gjitha aktivitetet drejtohen nga shtetasit Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi me qëllimin përfundimtar përfitimin e paligjshëm të fondeve të marra nga kontratat publike me institucionin e AKSHI-t” thotë SPAK-u.
Në dosjen e AKSHI-t detajohet edhe dëshmia e vetë biznesmenit Gëzim Hoxha, i cili ka deklaruar se firmën e ka prej vitit 2008, ndërkohë që është fokusuar te siguria kibernetike. Në dëshmi ai ka pranuar indirekt se ka paguar një shumë prej rreth 600 mijë eurosh si ryshfet, ndërkohë ka bërë edhe fatura të tjera me dy biznesmenët kryesorë, të shpallur në kërkim.
Dëshmia e tij kryesore ka qenë për një super tender sekret, i cili nuk dihet ende sot e kësaj dite se çfarë është bërë. “Kemi patur dhe një bashkëpunim tjetër, për shkak se vitin e kaluar, ndoshta në muajin tetor të vitit 2024, ne kemi fituar një procedurë tjetër prokurimi me AKSHI-n, me një vlerë të lartë prej rreth 60 milionë euro. Ky tender është sekret dhe aty kemi nënkontraktuar disa shërbime shoqërinë ‘EA Solution’, të cilat kanë një vlerë prej rreth 60 milionë lekësh të reja”, ka pohuar Hoxha.
Për koiçidencë ose jo, koha në të cilën ka fituar tenderin dhe ka bërë pagesën prej 600 mijë eurosh, përkon me kohën që vëllai i tij, Feriti të jetë emëruar si Ambasador i Shqipërisë në BE.
Në dosje citohet se, Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t e cila po hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpie, ka vendosur kritere të paligjshme te procedurat e prokurimit që favorizonin dhe u krijonin privilegje të padrejta për disa operatorë ekonomikë, ndër të cilët edhe “First”.
“Gëzim Hoxha ka rol aktiv në pjesëmarrjen dhe përfitimin e paligjshëm të procedurave të prokurimit, të cilat diktohen nga shtetasit e sipërpërmendur. Ai ka kredituar shuma të konsiderueshme te shoqëria ‘EA Solution’” thuhet në dosje.
Ndaj Hoxhës është caktuar masa e sigurisë ndalimi i daljes jashtë shtetit, teksa ai hetohet për pastrim parash të kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ai është urdhëruar nga Gjykata e Posaçme që të mos largohet nga territori i Shqipërisë.
Të dhënat e analizuara nga redaksia e VoxNews flasin se Gëzim Hoxha ka ngritur një skemë për pastrimin e parave që merrte nga tenderët, duke i xhiruar në kompani të tjera me të njëjtën fushë, apo së fundmi edhe në kompanitë virtuale të DURANA-s.
Fijet mes Gëzim Hoxhës dhe Ermal Beqirit, krahas pjesëmarrjes në grupin kriminal të AKSHI-t lidhen te DURANA. Një park i ngritur nga Elira Kokona e Korporatës së Investimeve Shqiptare, e cila pa ndërtuar asnjë godinë, “zhvendosi” në atë adresë rreth 50 firma, me pronarë emra të njohur, disa prej të cilëve me dosje në SPAK.
S’kishte si të mungonte as Gëzimi, i cili me njohjet apo bashkëpunimet që kishte bërë, hapi kompaninë “CyberMind Labs”. Ai e regjistroi në QKB në muajin nëntor të vitit 2025. Adresa e kompanisë, sipas dokumenteve, është në “Shijak, Durana Tech Park, rruga Ahmet Zogu, Njësia Administrative Xhafzotaj”.Objekti i kompanisë është krijimi dhe funksionimi i laboratorëve të kërkimit dhe zhvillimit në fushat ICT, AI, ML, IoT, digjitalizim dhe siguri kibernetike.
Në të njëjtën kohë, nëntor 2025, Gëzim Hoxha hapi një tjetër kompani guaskë apo fiktive me adresë në Xhafzotaj, duke e quajtur “Box Artificial Logic”. Shkodrani duket se ka lindur “me këmishë”, pasi me një lëvizje arriti që të regjistrojë dy firma me “bekimin” e Elira Kokonës, e cila në këmbim i falte taksat, dividentin apo lehtësi doganore.
Një skemë e mirëfilltë për të pastruar paratë e marra nga tenderat sekretë, ku ende sot e kësaj dite nuk dihen me saktësi se sa para ka marrë në total Gëzim Hoxha, apo njerëzit që fshihen pas tij./voxnes.al
TIRANË- Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për strategjinë që, sipas tij, opozita duhet të ndjekë për të fituar me votë kundër qeverisë Rama. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Salianji theksoi se Partia Demokratike duhet të ndërtojë një front të gjerë opozitar, duke përfshirë edhe figura dhe forca që sot janë jashtë saj.
Gjithashtu, demokrati deklaroi se është i gatshëm të bëjë edhe hapa pas nëse konsiderohet si pengesë për bashkimin e opozitës dhe për fitoren ndaj qeverisë.
“Duhet të merren të gjithë ata që janë të përjashtuar. PD duhet të bindë edhe Qorin, Lapajn, Agron Shehajn. Kjo do të thotë që secili të tërhiqet nga disa qëndrime dhe ta pranojmë njëherë që kjo duhet bërë. Pse të mos realizohet?
Unë tërhiqem nëse jam unë pengesë. Unë jam i gatshëm që për të rrëzuar Edi Ramën, ta bëjë një tjetër këtë dhe unë ta ndjek. Pyetja është: e bëjnë të tjerët këtë? A duam ta rrëzojmë Ramën apo secili do copën e vet? Unë jam për ta rrëzuar qeverinë”, tha Salianji./Dosja.al
Fondet janë alokuar teksa objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar.
Në vitin 2025, Integrated Energy BV SPV, kompania që mban kontratën PPP të inceneratorit të Tiranës rezulton financiarisht aktive me rreth 1,4 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, sipas Open Data, ndërkohë që totali i fondeve publike të transferuara deri më tani ka arritur në 9,1 miliardë lekë rreth 92 milionë euro.
Fondet janë alokuar teksa objekti kryesor i kontratës, ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit, nuk është realizuar.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë pohuar Monitor më parë se, pagesat kryhen mbi bazën e faktit se kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme dhe vazhdon të jetë ligjërisht në fuqi. Në këto kushte, ministria argumenton se ka detyrim të zbatojë kontratën dhe të kryejë pagesat e parashikuara, pavarësisht se objekti i saj nuk është realizuar. Pagesat nuk lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën e inceneratorit, por me ofrimin e asaj që në kontratë quhet “shërbim i integruar i menaxhimit të mbetjeve”.
Kontrata për ndërtimin e inceneratorit është reduktuar në depozitim të mbetjeve në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë që përbën thelbin e projektit me PPP.
Megjithatë, kontrata është hartuar në mënyrë të tillë që shteti paguan një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kjo do të thotë se kompania përfiton fonde publike edhe në mungesë të impiantit, mjafton të deklarojë se është në “gatishmëri” për ofrimin e shërbimit.
Në terma të menaxhimit të financave publike, kjo bie ndesh me parimin bazë të eficiencës dhe të pagesës kundrejt rezultatit. Rreziku i projektit, që në një PPP normale duhet të mbahet kryesisht nga privati, është transferuar pothuajse plotësisht te shteti.
Çdo vit që kalon pa ndërprerje ose rinegocim të kontratës, kostoja për taksapaguesit rritet, pa asnjë përmirësim në trajtimin e mbetjeve urbane. Aktualisht kompania e inceneratorit të Tiranë është në sekuestro administrohet nga Agjencia për administrimin e Pasurive të Sekuestruara.
Në këtë fazë Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk është pronare e pasurive që administron. Ajo vepron si kujdestare e përkohshme për pasuri që janë nën sekuestro preventive, pra për pasuri që ende nuk janë konfiskuar me vendim të formës së prerë.
Kjo do të thotë se, ligjërisht, shteti nuk i konsideron këto pasuri si të vetat, por thjesht si asete që duhet të ruhen dhe të mos humbasin vlerë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Në këtë kuadër aktiviteti ekonomik i Integrated lejohet të vazhdojë dhe të ardhurat që krijohen nuk trajtohen si të ardhura buxhetore. Ato regjistrohen në llogaritë e vetë shoqërisë së sekuestruar dhe përdoren për shpenzime operative, paga, detyrime kontraktore ose mbahen të bllokuara financiarisht në pritje të një vendimi përfundimtar. /Monitor.al
Gjykata ka konstatuar se masa e arrestit shtëpiak ndaj tij është mbajtur përtej afatit të arsyeshëm dhe ka pranuar argumentet e mbrojtjes së tij kundër vendimeve të gjykatave më të ulëta.
Berisha është nën hetim për korrupsion pasiv në lidhje me procesin e privatizimit të pronave të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, dhe gjatë kohës që ishte nën arrest shtëpiak, mbrojtja ka kundërshtuar vazhdimisht zgjatjen e kësaj mase. gsh
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama po përpiqet që të lobojë, por theksoi se asgjë nuk e shpëton në botë dhe do të dalë para drejtësisë.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, Sali Berisha u shpreh se emri i Edi Ramës është në dosjet që ka në dorë SPAK. Ai u ndal tek dosja e AKSHI-t, që sic tha ai në tre reshta dy janë për Linda Ramën dhe për kunatin e saj, Armand Frangu.
Berisha paralajmëroi kryeministrin se do të ngrënë në këmbë cdo qytetar për të rrëzuar pushtetin e tij.
“Po përpiqet me të gjitha mënyrat për të lobuar, por asgjë në botë nuk e shpëton. Do të ngremë në këmbë çdo shqiptar deri në largimin e tij. Çdo ditë që kalon është një ditë që nuk ka legjitimitetet për të. Nuk ka legjitimitet për një qeveritar që vjedh qytetarët, që shkel ligjin dhe nxjerr imunitetin si mburojë. Duhet me çdo kush të bëhet përgjegjës para ligjit. Të shkojë ku të dojë, në qiell dhe në tokë, vrimë miu nuk do të gjejë nëse vazhdon të bllokojë kushtetutën dhe ligjin. Kjo është e qartë për cdo shqiptar, ky është kushtrim, apel për guximin dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Asnjë kryeministër nuk ka guxuar të veprojë në këtë mënyrë. Viktor Ponta u informuar se prokuroria po e hetonte dhe dorëheqjen si kryeministër, kurse ky nuk e jep, sepse e di që në dosjen në tre reshta dy janë për Ramën. Tek akshi në tre reshta dy janë për Lindën, Frangun dhe vetë Edi Ramën.
Ky është thirrje për çdo qytetar të ndershëm, të fillojmë betejën për largimin sa më parë të tij nga pushteti. PD nuk vjen në pushtet me dhunë, por do të hapë rrugën për votën e lirë të shqiptarëve dhe veprimin e ligjit dhe kushtetutës” tha Berisha. gsh
Gazetarja Klodiana Lala tha sot se Altin Ndoci ka pasur jo vetëm bashkëpunëtorë të jashtëm për arratisjen e tij me makinë luksoze nga spitali i Durrësit dy ditë më parë, por edhe informatorë dhe ndihmës nga brenda burgjeve dhe sistemit.
E ftuar në studion e “News 24”, ajo nënvizoi se duhet të hetohej e gjithë procedura duke nisur nga arsyet përse një i paraburgosur me rrezikshmëri të lartë ndodhej në një burg të sigurisë së zakonshme dhe deri tek anashkalimi i protokollit të masave dhe sigurisë.
Lala komentoi se edhe Policia ka përgjegjësi, pasi duhet të shtonte masat, si para arratisjes, ashtu edhe pas saj, në ndjekjen e gjurmëve të Ndocit, duke përdorur deri në qentë me nuhatje.
“Nuk duhet të ishte aty në Burgun e Durrësit, duhet të hetohet e gjithë procedura pse ndodhej aty dhe përgjegjës janë të gjithë zyrtarët e përfshirë prej vitesh, deri te zyrtarët e lartë”, tha Lala.
Kurse për ndihmën që i akuzuari i dosjes “Plumbi i artë” ka pasur, ajo shpjegoi se:
“Ka pasur bashkëpunëtorë nga jashtë që e ndihmuan të arratiset me Audi luksoz nga spitali. Por unë mendoj se ka pasur bashkëpunëtorë dhe informatorë edhe nga brenda burgut dhe sistemit dhe duhet të hetohet”.
Lala vuri në dukje indiferentizmin e Policisë në rast, madje duke ironizuar se tani bluve u ka mbetur vetëm të numërojnë gëzhojat e Ndocit dhe makinat e djegura, duke iu referuar krimeve të të dyshuarit.
“Policia duhet të merrte masat e saj, duhet të nxirrte patrullat. Duhet të nxirrte edhe qentë për kontroll dhe ndjekje. Nuk kanë funksionuar shumë gjera. Do duhej që Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera. Por çfarë mund të bëjë Policia, asgjë tjetër përveçse të duhet të mbledhë gëzhojat e Altin Ndocit dhe të numërojë makinat e djegura pas”, përfundoi gazetarja.
Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të disa vendeve të caktuara.
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane ka dhënë detaje nga procesi, ndërsa ka theksuar se DASH po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.
Bëhet me dije se përjashtohen shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.
Postimi i plotë:
Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike
Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.
Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:
Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.
Pyetje të Shpeshta
Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?
Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.
A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.
A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.
A zbatohet kjo për vizat turistike?
Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese. bw
Protesta e opozitës, e paralajmëruar për në datën 24 janar do të mbahet në orën 17:00 para Kryeministrisë.
Vendimi për orën e protestës është marrë ditën e sotme, ndërsa kreu i PD, Sali Berisha ka zhvilluar një takim përgatitor për protestën me koordinatorë dhe drejtues politikë të partisë.
Kjo do të jetë protesta e dytë kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike që prej zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, të cilat PD i konteston ashpër. bw
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot nga konferenca për mediat, skandalin e “Durana Tech Park” në Xhafzotaj të Durrësit, si një skemë e pastër korrupsioni dhe aferë e ngjashme me Inceneratorët, duke e klasifikuar si një parajsë fiskale ku ndahen tenderët nga krimi i organizuar dhe qeveria.
Ai akuzoi edhe Koorporatën e Investimeve Shqiptare që do ketë kontrollin e këtij investimi shtetëror, duke akuzuar drejtpërdrejtë si pjesë të skemës korruptive drejtoreshën e institucionit Elira Kokona, duke e krahasuar me “Mirlindën e AKSHI-t apo Lubi Ballukun”.
“Tenderi varet nga tarifa e paguar. Nëse i paguaje Frangut deri në 5 mijë euro, e merrje, kurse për kategorinë platinuim duheshin negociata të larta, deri te Armand Frangu, allias Ermal Beqiri. Legalizimi i parajsës së Troplinëve, ata kanë aksionet e tyre, nuk i japin kot livadhet e tyre. 45 ditë pas krijimit të ACTI, më 20 shkurt të 2025, me shpejtësi regjistrohet në QKB kompania shtetërore Durana Tech Park, dhe i kalon drejtimi Koorporatës së Investimeve Shqiptare, me në krye Elira Kokonën. Çfarë është kjo, kjo është Mirlinda e AKSHI-t. Përcaktohet Xhafzotaj si zonë e lirë. Elira Kokona ishte garantuesja ligjore e statusit të parkut Dorana. Çfarë është kjo Elira Kokona? Kjo është Mirlinda e AKSHI-t, por në prona”, tha Berisha mes të tjerash.
Kreu i selisë blu shpjegoi se me këtë skemë i hapet rruga edhe e përjashtimit nga taksat për këto kompani përfituese, të ndara në katër kategori sipas pagesave: “Golden”, “Silver”, “Platinuim” dhe individuale.
Për ato “Platinuim” ai shtoi se negociatat shkonin në nivel të lartë, sepse kanë akses të plotë te të gjitha tenderimet dhe përfitimet miliona euro.
“Iu hap rruga edhe e përjashtimit nga taksat e anëtarëve të shoqatës së Armand Frangut, allias Ermal Beqiri. Tre emra ka ky mekanizëm, Ermal Beqirin, Ergys Agasi si shef, Elira Kokonën si përfaqësuese. Në asnjë mënyrë Troplana nuk plotësonte asnjë kusht për ngritjen e Durana Park në Xhafzotaj. Tenderat jepen aty sipas kuotave të pagesës së ofruar, për kategorinë “Platinuim” negociatat bëhen në nivel të lartë, të drejtuara nga vetë Ermal Beqiri”, vijoi ai.
Berisha më tej shtoi edhe ndarjen sipas pagesës, deri te kategoria e fundit:
“Bëhet fjalë për tendera të mëdhenj, qindra milionë nga AKSH-i dhe institucione të tjera. Tarifa “Gold” përfshin kompani me pagesa deri në 5 mijë euro. Këto kategori kanë akses të lartë në të dhënat. Kurse kategoria “Silver’ ka qasje tek skemat dhe te tenderët. Kategoria individuale është 50 euro në ditë, këta janë plebejtë, që futen aty”.
Fjala e Berishës për çështjen e Durana Tech Park:
“Legalizimi i parajsës së Troplinëve.
Se ata nuk ndahen pa gjë, jo, dhe ata, mos mendoni ju se, ata kanë aksione te tyre këtu, nuk i japin kot livadhet ata. As arat. Pra, legalizimi i parajsës.
Vetëm 45 ditë pas krijimit të ACTI, shoqatës kombëtare të IT, qeveria me shpejtësi me 20 shkurt 2025, regjistrohet në QKB kompania shtetërore Durana Tech Park.
Pronësia i kalon Korporatës së Investimeve Private, nën drejtimin e famëzëzes Elira Kokona.
Çfarë është kjo Elira Kokona?
Kjo është Mirlinda e AKSHI-t, por në prona.
Përcaktohet zona Xhafzotaj si zonë e lirë duke i hapur rrugën përjashtimit nga taksat për anëtarët e shoqatës të Armand Frangut me alias Ermal Beqiri.
Tre emra lëviz ky mekanizëm. Ermal Beqirin, tashmë të njohur.
Shefin e tij, Ergys Agasin.
Elira Kokonën, garantuesen e infrastrukturës ligjore dhe statusti të parkut Durana.
Dhunimi i ligjit 58, viti 2022.
Ky akt pra, këto vendime janë në dhunim flagrant të ligjit.
Sipas këtij ligji, një park teknologjik që gëzon lehtësi fiskale duhet të jetë në një territor fizik të rrethuar me kufij gjeografikë të përcaktuar, porta hyrëse dhe dalëse të miratuara, pikë doganore funksionale për të kontrolluar flukset ekonomike.
Asnjë nga këto, Troplana nuk plotëson përveç sundimit absolut të Troplinëve në Xhafzotaj.
Shpikja e modelit virtual.
Për të lejuar shmangien e menjëhershme të taksave pa ndërtuar asgjë përdoret koncepti faza e parë, model virtual.
Ky model lejon kompanitë të pretendojnë statusin e rezidentit në Durrës, ndërsa punojnë në Tiranë apo ku të duan.
Ky model nuk ka asnjë bazë ligjore dhe çdo përfitim mbi këtë bazë është ekstraligjor, i paligjshëm.
Rezidentët dhe hierarkia e përfitimit.
Struktura e anëtarësimit në këshillin e Armand Frangut, me emër Ermal Beqiri.
Për të hyrë në Durana Tech Park, kompanitë kalojnë përmes shoqatës së Ermal Beqirit, ku aksesi në tenderat miliona eurosh ndahet sipas shkallës së pagesës.
Kategoria platinium, që është bërthama e këtij monopoli, nuk ka tarifë zyrtare, anëtarësimi negociohet privatisht me Ermal Beqirin dhe këto bëjnë pjesë Createch, Soft Solutions, Hard Tech dhe Communication Progress.
Këto kompani drejtojnë politikat publike dhe përlajnë me tenderat e mëdhenj qindra milionë nga AKSHI dhe institucione të tjera.
Kategoria gold, tarifa 5 mijë euro në vit, përfshin rreth 50 kompani si Horizon, Albascan, Baboon, Siberfar, EA Solutions, kanë akses të lartë në të dhënat e projekteve inovative.
Kategoria silver, tarifa 1 mijë euro në vit, kompani të mesme që kërkojnë mbështetje ligjore dhe orientim në tenderat publikë.
Shikoni se cfarë sistemi i turpshëm, se çfarë gjobëvënie.
Ky është Edi Rama.
E kam theksuar dhe e theksoj 1 mijë herë, se kur kryeministri vjedh, administrata shndërrohet në një lukuni vjedhësish, korrupsioni shndërrohet në sistem.
Kategoria individuale, tarifa 50 euro në vit, këta janë plebejtë, që paguajnë 50 euro dhe shtojnë numrin e anëtarëve të klubit”.
Pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali Infektiv të Durrësit, ku do të kryente vizita mjekësore, zinxhiri komandues i burgut të qytetit është pezulluar nga detyra. Në total janë pezulluar 10 persona, mes të cilëve drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, zëvendës drejtori si edhe mjeku i burgut.
Panorama Online ka siguruar edhe foton nga kamerat e sigurisë që tregon momentin ku Ndoci largohet me vrap drejt një Audi të bardhë që e priste në parkimin e spitalit. Ndoci arriti që të dilte me vrap nga spitali pasi goditi me grusht efektivin e policisë që e shoqëronte.
Pas arratisjes, postblloqe të shumta policie janë ngritur në rrugët e Durrësit për lokalizimin dhe kapjen e tij. Autoritetet dyshojnë se arratisja ka qenë e mirëplanifikuar, duke marrë parasysh profilin kriminal dhe rrezikshmërinë e lartë të Altin Ndocit.
Ndoci, me origjinë nga Puka, u arrestua 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për vrasje me pagesë.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve për arratisjen e Ndocit:
Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dyshohet për 4 vrasje
Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.
Por me 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme pushoi të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshiu Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.
Nga ana tjetër për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Gjykata e posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën. Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.
Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”. gsh
Deputeti Erion Braçe ka reaguar lidhur me situatën pas përmbytjeve, duke theksuar se dëmet janë shumë më të mëdha se sa duket nga pamja e parë. Ai paralajmëroi ndikime në zinxhirin prodhues ushqimor, me ulje të prodhimit, çmime më të larta dhe pasoja për ekonominë familjare dhe atë kombëtare.
Braçe nënvizoi se bimet dhe bagëtitë e dëmtuara kanë nevojë urgjente për dëmshpërblim dhe theksoi se investimi në mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e infrastrukturës, veçanërisht të argjinaturave të vjetra, është jetik për të mos u kthyer në një shtet që thjesht paguan dëme çdo sezon.
Ai shtoi se nga Shkodra në Zadrime, Lushnje, Berat, Kucovë, Fier dhe Korçë, përmbytjet kanë shkaktuar dëme masive, duke paralajmëruar se veprat mbrojtëse duhet të jenë prioritet për të siguruar prodhimin dhe ekonominë kombëtare.
Reagimi i Braçes:
NE #PUNE, NE #KUVEND
PERMBYTJET-DEMI ESHTE ME I MADH SE AI QE DUKET ME SY, NE TOKE APO NGA LART!;
ESHTE GODITUR ZINXHIRI PRODHUES USHQIMOR;
DO KEMI ME PAK USHQIM VENDI, CMIME ME TE LARTA DHE KETU PREKEMI NE, EKONOMIA FAMILJARE!
DO KEMI ME PAK EKSPORTE DHE KETU PREKET EKONOMIA KOMBETARE!
Nga Shkodra ne Zadrime, Lac, DURRES, Lushnje, BERAT, KUCOVE, FIER, Korce ky eshte demi me i madh!
Ndaj pagesat per keto deme jane jetike, qofte per bagetite, qofte per bimet ne sera e fushe te hapur;
Bimet e demtuara do ishin prodhim, prodhimi per vendin apo eksportin do ishte te ardhura, te ardhurat do financonin mbjelljet e reja, PUNEN me qarte.
Nderkohe, ne nuk mund te kthehemi ne nje vend qe thjesht paguan deme, nga zjarri ne vere e uji ne dimer;
Kjo qe po ndodh tani-pas rreshjeve me thyerje te argjinaturave, po tregon qarte problemet ne infrastrukture;
Veprat mbrojtese, vecanerisht argjinaturat e vjetra jane rrenuar, kane humbur lartesi, qendrueshmeri, po kalohen lehte nga plota te mesme deri te larta;
JANE MALL PA ZOT, i demton gjithkush, nga bujqit vete deri tek kafshet, ndaj po vuajne kaq shume!
Eshte shume e rendesishme qe ne te bejme tonen tani, me ate qe na takon ne-INFRASTRUKTUREN, si investim, mirembajtje e mbrojtje, qe TE MOS KTHEHEMI NE NJE SHTET QE THJESHT PAGUAN DEME cdo 6 muaj!
Ervin Salianji ka deklaruar se qeveria shqiptare është duke “mbytur” qytetarët me taksa, ndërsa u ndal në çmimin e naftës.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji shkruan se modeli i kësaj mazhorance është modeli i grabitjes së qytetarëve, ndërse ka shtuar se çmimi i shtrenjtë i naftës ka një ndikim të drejtë për drejtë në koston e jetesës dhe varfërinë e qytetarëve.
Postimi i plotë:
Nafta në Shqipëri 78% më shtrenjtë se në Kosovë!
Qeveria e Shqipërisë po mbyt qytetarët me rritje taksash.
Te nafta, akciza + taksa e qarkullimit + TVSH përbëjnë gati 60% të çmimit final.
Në rajon qeveritë ulin taksat, tek ne qeveria vetëm rrit taksat se i duhen para për të ushqyer korrupsionin!
Nafta e shtrenjtë rrit koston e jetesës, çmimet dhe varfërinë.
Ky është një model grabitjeje, jo qeverisje!
Protesto!
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar pjesëmarrjen e të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim.
Sipas Lalës, kryeministri Rama tentoi ta paraqiste praninë e diplomates amerikane si një shenjë mbështetjeje politike për qeverinë dhe veçanërisht për Belinda Ballukun. Megjithatë, ajo theksoi se pjesëmarrja e VanHorn ishte e lidhur me detyrimet e saj institucionale dhe përfaqësimin e interesave të Shteteve të Bashkuara, e jo me mbështetje personale apo politike.
Gazetarja vuri në dukje se menjëherë pas përfundimit të aktivitetit, Nancy VanHorn nuk pati asnjë komunikim apo përshëndetje me zyrtarët qeveritarë, por u drejtua në Gjykatën Kushtetuese, ku zhvilloi një takim të veçantë dhe shprehu hapur mbështetjen e SHBA-ve për sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sipas Lalës, kjo lëvizje përbënte një sinjal të qartë distancimi nga aktiviteti qeveritar dhe një mesazh të fortë në mbështetje të institucioneve të drejtësisë.
“Zonja VanHorn lau duart nga aktiviteti ku ishte e detyruar të ishte për shkak të interesave amerikane. Lëvizja e saj drejt Gjykatës Kushtetuese ishte një mesazh i qartë se SHBA mbështet drejtësinë dhe jo individë të caktuar,” u shpreh Lala.
Gazetarja shtoi gjithashtu se hetimet ndaj Belinda Ballukut, sipas saj, nuk kufizohen vetëm te projektet e infrastrukturës rrugore. Ajo deklaroi se ekzistojnë dyshime se Balluku mund të jetë e përfshirë edhe në çështje që prekin interesat e kompanive amerikane, përfshirë investime strategjike dhe projekte të mëdha infrastrukturore.
“Nuk kam ende prova konkrete, por ka dyshime serioze se janë cenuar interesa amerikane, çka mund të ketë ndikuar edhe në partneritetin mes Shqipërisë dhe SHBA-së,” tha Lala.
Ish-prokurori Eugen Beci ka komentuar pjesëmarrjen e të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila aktualisht ka statusin e të pandehurës.
I ftuar në emisionin “Studio24”, Beci theksoi se marrja zyrtarisht e Ballukut si e pandehur ka një rëndësi të veçantë në raport me standardet e marrëdhënieve të autoriteteve amerikane me zyrtarët shqiptarë. Sipas tij, SHBA njohin dhe respektojnë institucionet shtetërore shqiptare, por praktikat e tyre nuk lejojnë kontakte zyrtare me persona që janë nën hetim penal.
“Nëse Balluku është e pandehur, atëherë autoritetet amerikane nuk duhet të kenë kontakt me të. Nëse nesër ka të pandehur edhe në nivele më të larta, edhe ata nuk do të takohen nga autoritetet e SHBA-së”, u shpreh ish-prokurori.
Beci u ndal edhe te roli i SPAK, duke deklaruar se kjo strukturë pritet të thellojë hetimet mbi atë që administrata amerikane e ka cilësuar si “narkoterrorizëm”, një term që lidhet me ndërthurjen e krimit të organizuar me politikën.
Sipas tij, hetimet dhe rezultatet e deritanishme të SPAK kanë treguar se grupe të krimit të organizuar kanë ndikuar në zgjedhjen e disa deputetëve, të cilët më pas, sipas Becit, kanë favorizuar këto grupe në trafikun e paligjshëm dhe në afera korruptive, duke “kthyer borxhin” politik.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po kryen verifikime edhe për projektin DURANA të Korporatës Shqiptare të Investimeve, në vijim të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t dhe aktorët kryesorë të saj.
Burime përskyweb.al bëjnë me dije se verifikimet po fokusohen te disa kompani të regjistruara në DURANA, për të cilat ka dyshime se lidhen me personazhe të përfshirë në skandalin e AKSHI-t, mes tyre emra të njohur të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe të tenderëve publikë.
Sipas burimeve, nuk bëhet fjalë për një hetim të përgjithshëm ndaj të gjitha subjekteve të regjistruara në park, por për kompani specifike që dyshohet se kanë lidhje direkte ose indirekte me aktorët e dosjes AKSHI.
Lidhja me dosjen AKSHI
Zgjerimi i verifikimeve nga SPAK lidhet drejtpërdrejt me hetimet për AKSHI-n, ku prokurori special Bledar Maksuti ka dokumentuar një skemë e përqendrimit të tenderëve publikë te një numër i kufizuar kompanish, përmes kostove të fryra dhe ndikimit mbi proceset e prokurimit.
Hetimet kanë treguar se këto kompani përfitonin njëkohësisht fonde publike dhe, sipas dyshimeve, shmangnin detyrimet fiskale, tashmë nëpërmjet projektit DURANA.
Në këtë kontekst, DURANA po shihet si një element shtesë i së njëjtës skemë, ku përfitimi nuk kufizohej vetëm te tenderët, por shtrihej edhe te përjashtimet nga taksat, duke i shkaktuar dëm të dyfishtë buxhetit të shtetit.
SPAK po verifikon nëse projekti DURANA është përdorur për favorizim dhe shmangie taksash në funksion të të njëjtëve aktorë të përfshirë në dosjen AKSHI, duke e shtrirë hetimin përtej një institucioni të vetëm dhe drejt një skeme më të gjerë financiare.
Çfarë është DURANA
DURANA është një park teknologjik dhe shkencor, i krijuar në bazë të ligjit për parqet teknologjike, i administruar nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe i shpallur zonë e lirë për zhvillimin e teknologjisë së informacionit. Statusi i parkut u garanton subjekteve të regjistruara përjashtime dhe lehtësira të gjera fiskale, përfshirë ulje ose përjashtim nga tatim-fitimi, tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja, sipas parashikimeve ligjore.
Ky mekanizëm u aplikua në një kohë kur privilegjet fiskale për kompanitë e IT-së po hiqeshin për shkak të presionit të fortë ndërkombëtar, duke ngritur dyshime se DURANA u përdor si një skemë alternative për shmangien e taksave.
Denoncimet e Arben Ahmetajt
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka denoncuar publikisht DURANA-n, duke e cilësuar si një rrugë të re për favorizimin fiskal të një grupi të caktuar kompanish të IT-së, pas rrëzimit të skemës së mëparshme të taksimit preferencial. Sipas Ahmetajt, përmes regjistrimit në DURANA, kompani që vijonin të fitonin tenderë publikë përfitonin njëkohësisht edhe nga përjashtimi nga detyrimet tatimore.
Denoncimet e tij kanë ngritur pikëpyetje mbi qëllimin real të parkut dhe mbi përputhjen e aktivitetit të subjekteve të regjistruara me kriteret ligjore të kërkim-zhvillimit dhe inovacionit.
Faqja e Korporatës së Investimeve kishte fshirë nga WEB-i gjithçka që lidhej me këtë projekt duke shtuar dyshimet se diçka po fshihet. /skyweb.al
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se Belinda Balluku turpëron çdo zyrtar.
Në konferencën me gazetarët, ai u pyet në lidhje me shfaqjen e numrit dy të qeverisë krah të Ngarkuerës me Punë të Ambasadaës së SHBA, por tha se duhet të informohet se për çfarë bëhet fjalë.
Berisha deklaroi Belinda Balluku, ose “Lubia” sic e quan ai është turpi i Shqipërisë dhe i qeverisë.
“Nuk e kam parë këtë lajm akoma, do ta shoh., Por duhet të them që Balluku turpëron çdo zyrtar të çdo vendi. Balluku është trupi i Shqipërisë, turpi i kombit shqiptar, turpi i qeverisë. Se cfarë arsye kanë bërë që zonja të jetë atje unë duhet të shoh lajmin”, tha kreu i PD.
Kujtojmë që për Belinda Ballukun, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e saj. bw
Avokatët e Sali Berishës, i pandehur për korrupsion lidhur me dosjen “Partizani” i kërkuan gjykatës së Posaçme të thërrasë si dëshmitar kryeministrin e vendit Edi Rama.
“Është dëshmitar kyç sepse ai mori vendim për ndryshimin e destinacionit të pronës. Pa veprimin e tij, nuk do të ishim në këtë seancë. I kemi bërë kërkesë dhe SPAK që ta merrte në pyetje dhe nuk ka pranuar”, tha Genc Gjokutaj.
Mbrojtësi ligjor të merret ai provë edhe DVD e fjalimit të Ramës ne asamblenë e PS-së ku sipas tij orienton SPAK që të nisë hetimet për ish-kryeministrin Berisha.
Më herët gjatë seancës gjyqësore avokatja tjetër Klodiana Gjyzari paraqiti argumentet për dosjen, duke synuar rrëzimin e provave të prokurorëve të posaçme. Sipas avokates ka mungese te faktit penal dhe SPAK nuk ka arritur te identifikojë në kërkesën për gjykim veprimet konkrete të Berishës përmes të cilave ka shkelur ligjin.
“SPAK e akuzon Berishën për një veprimtari të tërë administrative, kur do te duhet te ndante veprime konkrete. Te tregonte para gjykatës pasojën që kanë sjellë këto veprime. Aktet që përmend Prokuroria nuk kanë karakter individual, por të përgjithshëm. Në kërkesën e vetë, SPAK ka gjetur fajtorin dhe më pas fajin që është kryer. SPAK nuk ka sjell asnjë provë që Berisha ka rënë më një marrëveshje paraprake për privatizimin dhe më pas e ka kryer përmes akteve ligjore dhe nënligjore që në përfundim të merrte ryshfetin përmes dhëndrit të tij”, tha Gjyzari.
Sipas saj, ndjekja penale ndaj Berishës ka qenë e ndikuar politikisht.
“Këto pretendime mbështeten në deklarata të kryera nga kryeminiatri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kimi dhe ish zyrtari amerikan Escobar. Edi Rama i ka bërë thirrje SPAK të hetonte çështjen dhe në deklarata publike i ka mësuar edhe si duhet ta bënte këtë hetim. Shumica parlamentare ka bërë një kallëzim, vlerësimi i të cilit ka kaluar afatet dhe tregon veprimtarinë e SPAK nën ndikimin politik. Ai kallëzim po ashtu mbante rrethana të rreme dhe SPAK nuk e ka hetuar këtë fakt”, theksoi më tej Gjyzari.
Ajo u ndal edhe tek vizita në Shqipëri e këngëtarit të njohur Riccardo Cocciante që citohet në aktakuzën e SPAK. “Si ka përfituar Berisha nga vizita e Riccardo Cocciante? Duhet ta përcaktojnë prokuroria”, tha avokatja.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK për favorizimin e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”. I pandehur edhe dhe Malltezi dhe disa persona të tjerë. bw
Mbrëmjen e djeshme, ish-zv.kryeminitri Arben Ahmetaj në Syri TV denoncoi, projektin ‘Smart City’.
Projekti që parashikon instalimin e mijëra kamerave të sigurisë në të gjithë vendin.
Ahmetaj u shpreh se me vizitën e një ish-ministri të Brendshëm, është zgjedhur një kompani “X”, por pa përmendur emrin e ish-anëtarit të qeverisë.
VoxNews ka mësuar se ish-ministri i Brendshëm është Taulant Balla, sot kreu i grupit parlamentar socialist.
Siç e dëshmon edhe fotoja e mëposhtme ish-ministri Balla me datë 23/04/2024 firmosi gjatë vizitës zyrtare dy ditore në Abu Dhabi, marrëveshjen për zhvillimin e projektit SMART CITY nës disa qytete të Shqipërisë.
Marrëveshja për zhvillimin e projektit SMART CITY në disa qytete të Shqipërisë
Sipas të dhënave të zbuluara, kostoja e cila ishte 60 milionë dollarë është shumëfishuar në 140 milionë një fond i siguruar si kredi nga Abu Dhabi dhe i dhënë pa tender një kompanie specifike.
Shifrat alarmante sipas Ahmetajt: një kamerë trupi për efektivët e policisë, e lidhur me sistemin qendror, kushton 15,723 dollarë, ndërsa një kamerë për monitorimin e trafikut arrin vlerën 52,000 dollarë.
Këto kosto konsiderohen gjashtë deri në shtatë herë më të larta se vlera reale e tregut.
Ish-zv.kryeministri Ahmetaj shtoi se kontrata i jep një kompanie nga një vend jashtë NATO-s akses në infrastrukturën kritike dhe në të dhëna sensitive të qytetarëv.
Sipas tij, flitet për rrezikun e përdorimit të një “teknologjie armiqësore” (hostile technology), duke e vënë sigurinë e vendit në duar të paçertifikuara sipas standardeve të Aleancës./Voxnews.al
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, gjatë rrëfimit të tij të katërt për atë që ai i quan aferat më të mëdha ekonomike të qeverisë Rama, denoncoi një aferë të re korruptive; afera Durana, me protagonistë qeveria Rama (Elira Kokona) dhe rreth 50 kompani private përfituese. Afera Durana është një mekanizëm korruptiv i qeverisë për shmangien e taksave për një listë biznesmenësh dhe oligarkësh klientë.
(Kompanitë e regjistruara në Durana Techpark në Durrës për të shmangur taksat)
Më konkretisht, në Xhafzotaj të Durrësit, Edi Rama, përmes Elira Kokonës, ka krijuar një parajsë fiskale, një park teknologjik shkencor fiktiv, i quajtur Durana Tech Park. Në këtë zonë që ekziston vetëm në letra janë regjistruar fiktivisht 46 kompani, duke përfituar status fiskal të favorshëm, ndërsa aktivitetin real e zhvillojnë në Tiranë.
Po kush janë biznesmenët përfitues të aferë Durana?
Mes tyre janë dy biznesmenët dosjes së AKSHI-t, Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, në kërkim nga SPAK pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal, heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal. Beqiri qëndron pas kompanive Nsolution dhe Al Soft.
Mes përfituesve rezulton edhe Fiona Fullani, vajza ish Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, bashkë me ortakët në komapninë Kudon, Elion Sherifaj, Ardian Çekiçi dhe Adrian Bala. Nga afera Durana ka përfituar duke mos paguar taksa edhe biznesmeni Armand Sharra me kompaninë TAG Engineering, përfitues i miliona eurove para publike, përmes tenderave sekretë dhe publikë.
Dhjetëra biznesmenë të tjerë janë pjesë e skemës së Edi Ramës dhe Elira Kokonës për të mos paguar taksa. Të përfshirë rezultojnë Bledar Dhima, Gëzim Hoxha, Jona Bojdari, Sara Aga, Rigels Hoxha, Kreshnik Rexha, Arjola Koromani, Ervid Mançe, Renis Tërshana, Gjergji Robo, Elon Ciko, Henklajd Sadushi, Xheni Kobuzi etj.
Disa të dhëna rreth aferës Durana
“Durana” / Kompanitë pjesë e shoqatës së Ermal Beqirit
Këshilli Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI) është shoqata që drejtohet nga biznesmeni Ermal Beqiri, në të cilën janë anëtarësuar rreth 50 kompani shqiptare dhe të huaja që kanë si objekt aktivitetin e tyre në fushën kompjuterike dhe dixhitalizimit.
Ky këshill është krijuar vitin e kaluar në dhjetor 2024, me qëllim zbatimin e një projekti teknologjik me vlerë miliona euro, që qeveria “Rama 4” synon të ndërtojë në zonën e Xhafzotaj të Durrësit.
Bëhet fjalë për një projekt të quajtur “Durana Tech Park”, ku pronare e saj është Korporata e Investimeve Shqiptare, drejtoreshë e së cilës është Elira Kokona, ndërsa administrator të saj janë emëruar Gjergji Taho dhe Florensa Kovaçi.
“Durana Tech Park”, rezultun e rregjistruar në 20 shkurt 2025 në Qëndrën Kombëtare të Biznesit dhe është themeluar gati 1 muaj e gjysëm, pasi Ermal Beqiri krijoi shoqatën “ACTI”.
Pjesa më e madhe e kompanive shqiptare, ju bashkuan kësaj shoqate ACTI, ku anëtarët e saj u ndanë në disa kategori, si: anëtarë Individual të cilët duhet të paguajnë një tarifë prej 50 euro në vit.
Anëtarë Silver, të cilët duhet të paguajnë një tarifë prej 1 mijë euro në vit, anëtarë Gold, të cilët duhet të paguajnë një tarifë prej 5 mijë euro në vit dhe anëtarë Platinium për të cilët nuk ka një tarifë zyrtare, por drejtuesi Ermal Beqiri, sugjeron ta kontaktojnë.
Çdo anëtar Individual, Silver, Gold dhe Platinium ka akses në disa të dhëna, në raport me vlerën e pagesës që kryen.
Anëtarë të kategorisë Platinum janë kompanitë Soft Solution e Ermal e Beqirit, “Helius Sistem”, “Fastech”, “Hard Tech”, “Albict”, “Kreatx”, “DEV”, “Communication Progres” e të tjera.
Ndërsa tek kategoria “Gold Members” janë “Horizon” sërisht e Ermal Beqirit, “ALBA SCAN”, “Introvus Solutions”, “R-T Group”, “Evolutivo Albania”, “ATOM Computers”, “ISEC”, “Synapse” TES-96, “Axians”, “EA-Solution”, “Atrax Softëare Solution”, “Starnet”, “CyberFarm”, “Baboon”, “Fenix” dhe kompani të tjera që numri i tyre shkojnë diku tek 50 të tilla.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se “ACTI”, është thembra e Akilit pasi nga këtu pilotohen projektet inovative që çelen më pas nga institucioknet qeveritare përfshirë këtu dhe AKSHI-n.
Këshilli i “ACTI” është strofka ku krijohen Bashkimet e Operatorëve Ekonomike, krijohen marëveshjet për investime në sektorin publik, ku përlahen më pas tendera miliona euro për investime në teknologji, shuma këto që rrjedhin nga taksat e shqiptarëve.
Kjo shoqatë drejtohet nga Ermal Beqiri, lidhje shumë e ngushtë e biznesmenit Ergys Agasi. Beqiri dikur ishte një ekspert i vogël IT-je, ku emri i tij për herë të parë mori vëmëndje në publik, kur Gjykata e Lartë e emëroi si njërin nga 3 ekspertët për analizimin e vërtetësisë së video-skandalit Meta-Prifti.
Në atë kohë Beqiri, doli në konkluzjonin se video ishte e paqartë për shkak të decibelit të ulët të zërit. Për pasojë Gjykata e Lartë më pas vendosi deklarimin e pafajshëm të Ilir Metës, të cilin Prokuroria e Përgjithshme e akuzonte në atë kohë për veprën penale të “Korrupsionit”.
Më tej në vazhdim, kur Meta hyri në qeveri me Edi Ramën, Ermal Beqiri dhe kompanitë e tij rezultuan fituese të disa prej tenderave të majmë në disa institucione që drejtoheshin nga LSI, si Ministria e Drejtësisë e të tjera.
Zgjerimi dhe ngritja e kompanive të Ermal Beqirit, vijon në kapjen e dhjetëra tenderave të tjerë, duke arritur të depërtojë dhe tek AKSHI Agjensia Kombëtare e Shoqërisë dhe Informacionit.
Këtu, Ermal Beqiri në bashkëveprim me Ergys Agasin dhe skuadrën e çunave, arritën të çajnë monopolin e krijuar prej vitesh nga biznesmeni i “ABS” Gerond Meçe dhe Armand Frangu që zotëron kompanitë “B360” dhe “Sirma”.
Në dhjetor 2024, disa kompani të organizuara nga Ermal Beqiri krijojnë Këshillin Shqiptar për Teknologjinë dhe Inovacionin (ACTI), duke arritur të themelojnë një monopol të ri të investimeve mbi teknologjinë dhe inovacionin.
Ndërsa në 20 shkurt 2025 rregjistrohet në Qëndrën Kombëtarë të Biznesit, kompania shtetërore “Durana Tech Park”. Ky projekt ende nuk është hapur në teren.
Por tashmë shoqata “ACTI” ka hedhur bazën e ndërveprimit për kapjen e tenderave dhe ndarjen e influencave mes tyre.
“…shoqata jonë nuk është thjesht një bashkim profesionistësh të teknologjisë, por është një lëvizje me frymë të përbashkët. Një qasje e re që synon të ngrejë zërin e sektorit tonë, të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të forcojë rolin e teknologjisë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të Shqipërisë…”-thuhet në një dokument të siguruar nga gazetari Qyno.
Më tej thuhet se: ”…kemi fatin të jemi pjesë e një vendi që ndonëse shpesh nënvlerësohet,ka shkëlqyer në rajon për ritmin e digjitalizimit. Ky sukses është fryt i punës dhe përkushtimit të shumë prej jush. Por tani është koha të shkojmë edhe më tej…”
“…të mos mbetemi thjesht zbatues të kërkesave, por të bëhemi aktorë të politikave publike, eksportues të zgjidhjeve shqiptare, dhe ndërtues të një ekosistemi që prodhon vlerë këtu, në Shqipëri…”-thuhet në dokument.
Për këtë qëllim, ACTI synon dhe mer përsipër të angazhohet në dialog politik dhe institucional, për të përfaqësuar interesat tona aty ku merren vendimet.
Të ofrojë mbështetje ligjore dhe organizative, për t’ju orientuar në fusha si tenderët publikë, pronësia intelektuale, tatimet dhe standardet ndërkombëtare.
Si dhe nxisë bashkëpunime dhe projekte ndërkombëtare, që do të ndihmojnë në eksportin e dijes dhe shërbimeve tona./Prapaskena.com
Një tjetër aferë është gati të shpërthejë, e denjë për një skenar të filmave hollivudianë, ku një drejtuese e një institucioni të rëndësishëm, kopsiti letrat për të bërë fiktivisht një park të madh, duke u lejuar dhjetëra firmave një parajsë fiskale për të mos paguar taksa.
Në krye të kësaj skeme qëndron as më pak e as më shumë por Elira Kokona, drejtoreshë e Korporatës së Investimeve Shqiptare, ajo e cila po zhvat pronat publike për t’ia dhënë oligarkëve.
Por, kësaj herë organizatorët e kanë shfrenuar fantazinë, pasi me një të rënë të lapsit, kanë krijuar në shkurt të vitit 2025 një shoqëri shtetërore, pa pasur fizikisht një godinë. Jo vetëm kaq, por në këtë godinë, kanë regjistruar plot 46 biznese që nuk paguajnë taksa, madje kanë benefite të tjera të larta, pavarësisht se të njëjta kompani vijojnë të zhvasin qindra miliona euro tendera nga institucionet shtetërore.
Deri dje kemi lexuar dhe dëgjuar se disa nga kompanitë shqiptare regjistroheshin në vendet e njohura si parajsa fiskale, me qëllim zhvendosjen dhe pastrimin e parave. Por, përse t’i transferojmë kur fare mirë mund të kemi parajsën tonë të vogël? VoxNews ka hulumtuar dhjetëra dokumente ku rezulton se në krye të skemës qendron Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila mori në shfrytëzim një sipërfaqe të madhe pronë në zonën e Xhafzotajt në Durrës, në afërsi të autostradës Tiranë – Durrës.
Akti i themelimit të Durana Tech Park, në muajin shkurt të vitit 2025, nga Korporata e Investimeve Shqiptare
Në datën 18 shkurt 2025, Korporata e Investimeve Shqiptare themelon kompaninë Durana Tech Park, si një shoqëri aksionere, me adresë në Tiranë, e përfaqësuar nga drejtoresha ekzekutive e KIS, Elira Kokona. Kapitali i kompanisë është 50 milionë lekë të rinj, teksa ka si objekt projektimin, zhvillimin dhe shërbimet e menaxhimit të projektit duke siguruar infrastrukturë virtuale dhe fizike me objekte moderne të përshtatshme për përdoruesit e parkut qofshin këto kompanitë e teknologjisë, startup apo institucione arsimore.
Gjithashtu merret me prokurimin, konkurrimin përzgjedhjen, kontraktimin, financimin për ndërtimin apo zhvillimin e parkut. Gjithashtu merret me përzgjedhjen e përdoruesve virtual apo në infrastrukturën fizike të parkut apo çdo lloj shërbimi për mirë funksionimin e parkut.
Në qershor të vitit 2025, drejtoresha e KIS e transferon adresën në Xhafzotaj
Në datën 26 qershor 2025, drejtoresha e Korporatës së Investimeve Shqiptare ka marrë një vendim absurd dhe të ccuditshëm, duke e zhvendosur adresën e Durana Tech Park në Xhafzotaj, Durrës.
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, është marrë një vendim i Asamblesë, ku është vendosur “miratimin e ndryshimit të selisë së shoqërisë Durana Tech Park SHA në “Rr. Ahmet Zogu, nr. Pasurie 336, zk 3852, Njësia Administrative Xhafzotaj, Bashkia Shijak, Durrës, Albania”. Vendimi është marrë nga drejtoresha ekzekutive Elira Kokona.
Harta e zonës në Xhafzotaj ku do të ndërtohet parku Durana
Por, a është ndërtuar parku Durana në Xhafzotaj? Megjithëse Kokona e transferoi këtë kompani në Xhafzotaj, të dhënat e siguruara nga VoxNews flasin se ende nuk ka filluar asnjë investim në zonë deri më tani, megjithëse në këtë kompani janë regjistruar dhjetëra firma dhe përfitojnë lehtësi fiskale, 0 tatim taksa etj.
Në faqen e internetit të KIS janë dhënë vetëm detaje të projektit, ku parashikohen të ndërtohen disa godina me një investim prej 20 milionë eurosh. Sipas saj, investimi do të bëhet me disa partnerë të huaj, teksa është miratuar edhe masterplani.
Projekti që do të ndërtohet në Xhafzotaj, por deri më sot s’është vënë asnjë tullë
Në dokumente parashikohet se zona do të ketë një sipërfaqe prej 140 mijë metra katrorësh dhe një ndërtimi. Mësohet se, Korporata është caktuar si zhvillues të parkut teknologjik dhe shkencor me vendim të Këshillit të Ministrave të datës 27 mars 2024. Në këtë vendim është vendosur “miratimi i hapjes së parkut teknologjik dhe shkencor, me sipërfaqe 140.400 m2, me vendndodhje në Xhafzotaj, Bashkia Durrës, Shqipëri”.
Në të njëjtin vendim është caktuar kalimi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të disa pasurive të paluajtshme shtetërore të llojit truall, me një sipërfaqe totale prej 262,200 m2, me vendndodhje në Komunën Xhafzotaj, në Rrethin e Durrësit, për t’u përdorur për krijimin/hapjen e parkut teknologjik dhe shkencor “Durana Tech Park”.
Në këtë VKM parashikohet gjithashtu se firmat që regjistrohen në park, përfitojnë lehtësira rregullatore, fiskale dhe doganore, sipas kushteve dhe parashikimeve ligjore. Gjithashtu, edhe miratimin e ndihmës me infrastrukturën e përgjithshme mbështetëse deri në kufijtë e parkut, si rrugë, fibra optike, energji elektrik.
KIS shkruan se kompanitë që regjistrohen te Durana nuk do paguajnë taksa
Qeveria ka përcaktuar se do të shkojnë te Durana kompanitë e teknologjisë (përdoruesit), startup-et, punonjësit lëvizës (nomadët digjitalë), institucionet e arsimit të lartë me reputacion dhe qendrat kërkimore. “Parku ushtron aktivitetin në format virtual dhe hibrid në mjedise të përshtatshme për zhvillimin e kompanive të reja me qasje në teknologji të avancuar, mentorim, financim dhe rrjetëzim”.
Ndërkohë, në një dalje publike, drejtoresha e KIS, Elira Kokona, do të deklaronte se ”në mënyrë të detajuar çfarë ne ofrojme është 0% tatim mbi fitimin për 15 vjet, 0% tatim mbi të ardhurat personale për 10 vjet për punonjësit, 0% TVSH për shërbimet dhe pajisjet e përdorura në park, përjashtime nga taksat doganore dhe pajisjet e importuara, lejeqëndrim pesëvjeçar dhe mundësi për nënshtetësi për punonjësit e huaj”.
Sipas saj, për institucionet akademike dhe qendrat kërkimore ofrohet 0% tatim mbi të ardhurat personale për 10 vjet, mundësi bashkëpunimi në projektet e financuara nga BE-ja, hapësira të dedikuara për laboratorë dhe projekte kërkimore.
Ndërkohë, për start-up afrohet akses në programe inkubacioni dhe akselerimi, mentorim nga ekspertë ndërkombëtar, hapësira pune dhe laborator me kosto të ulët.
”Për nomadët digjital, përjashtim nga tatami mbi të ardhurat për 12 muaj, leje qëndrimi pesëvjeçare dhe mundësi për nënshtetësi, kosto jetese deri në 40% më të ulët se vendet e BE-së”, ka deklaruar Kokona. /Vox News
Berisha thekson se sulmet e Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve tregojnë frikën e tij nga drejtësia dhe përbëjnë një apel për çdo shqiptar që të ngrihet për largimin e tij nga pushteti sa më shpejt të jetë e mundur.
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në rrjetet sociale pas monologut të Edi Ramës, duke e akuzuar këtë të fundit se ka sulmuar drejtësinë për të mbrojtur interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Berisha shkruan se, ndërsa qindra qytetarë nga Gjirokastra në Shkodër vuajnë pasojat e përmbytjeve, Rama nuk foli për ta, sepse vetë ai dhe ministrat e tij janë përgjegjës për vjedhjen e fondeve të infrastrukturës mbrojtëse.
Berisha thekson se sulmet e Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve tregojnë frikën e tij nga drejtësia dhe përbëjnë një apel për çdo shqiptar që të ngrihet për largimin e tij nga pushteti sa më shpejt të jetë e mundur.
Postimi i Plotë:
Ramaduro sot sulmoi drejtësinë dhe mbrojti menderen e tij! Të dashur miq, në monologun e tij të neveritshëm, Ramaduro sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër kanë banesat të përmbytura. Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet.
Por Ramaduro foli për menderen e tij. Ai, si peng i Lubisë, pasi ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve të tij të krimit heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, përsëri sulmoi sot drejtësinë e tij, e cila sipas tij “nuk është as e paanshme dhe as cilësore”. Me këto akuza, Ramaduro dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë! Me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij dhe ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më parë! dosje.al
Si njohëse jo e keqe e Kodit Doganor dhe e ligjit të Zonave të Lira, Durana nuk është një lajthitje juridike, por një sajesë në kufijtë e marrëzisë.
Marrëzia e tejkalon sferën e korrupsionit. Një i korruptuar keqpërdor ligjin dhe procedurat ekzistuese për përfitime personale.
Një i marrë është indiferent karshi ligjit, pasi ligji për të nuk ekziston. Për të marrët, çdo mjet, çdo sajesë që i ndihmon për të arritur qëllimin, është legjitim.
Durana nuk është veçse përdorimi i “teknologjisë”, si doganieri për të kaluar mall kontrabandë, por ajo na ofrohet si kopje e zhvillimit teknologjik, në kushtet kur nuk ekziston fare origjinali.
Ajo është inskenim i realitetit, i cili redaktohet, rishkruhet dhe përpunohet në mënyrë që të zbehet vija ndarëse midis korrupsionit dhe zhvillimit.
Parku teknologjik Durana nuk është thjesht një aferë korruptive (sa mirë sikur të ishte vetëm e tillë); do ta ngushëllonim veten me frazën “korrupsioni ekziston në gjithë botën”.
Nuk përfaqëson as “kumbullat e dardhat” e konsumuara kryesisht nga gratë pranë Kryeministrit, prapa kurrizit të tij, dhe të gjithë “progresistëve” socialistë të drejtimit të partisë.
Ai është një nga shembujt e hipernormalizimit të marrëzisë që u lejua nga socialistët jo vetëm për përfitime ekonomike, por si strategji për përmbytjen e shoqërisë me gënjeshta, me qëllim çmontimin në mënyrë sistematike të infrastrukturës së fakteve.
Faktet që ne jemi një komb i cili, në vitin 2024:
-renditet në vendin e 84 në botë në Indeksin e Teknologjisë dhe Inovacionit dhe në vendin e parafundit në Europë;
-blen shërbimet dhe produktet e teknologjisë së informacionit duke zënë vendin e 66 në Europë në blerjen e inputeve teknologjike, por fatkeqësisht renditet në vendin e 97 në botë dhe i fundit në Ballkan për prodhimin e teknologjive, pra i fundit në outputin teknologjik;
-renditet në vendin e 84 në Indeksin e Gatishmërisë së Rrjeteve teknologjike, pikërisht për shkak të zhvillimit të ulët teknologjik, duheshin çmontuar!
Ndaj u duhej Diella, Durana, materniteti i Diellës, pasi publiku duhet të jetojë në iluzionin kryeministror se:
“Shqipëria është një komb që guxon të udhëheqë dhe jo të ndjekë, në ballë të shkencës dhe teknologjisë në këtë rajon”.
E pra, Durana, Diella dhe materniteti i saj nuk janë instrumente vetëm për të përfituar një grup njerëzish nga mospagesa e taksave dhe përfitimi pa tender i fondeve buxhetore, por krijime të sajuara me kujdes nga mendje djallëzore, që synojnë mpirjen e rebelimit tonë karshi atyre që na vjedhin jo më përmes forcës, por përmes rritjes së paaftësisë së njohjes.
Kanë shkelur vetëm ligjin, kanë përfituar padrejtësisht para publike? Jo. Ky është dëmi më i pakët dhe i rikuperueshëm.
Më keq! Ne sot po kuptojmë që jetojmë në marrëzi dhe askush nuk kursehet për të. Të gjithë këta të marrë gjejnë budallenj të tjerë për t’i duartrokitur.
Ai thotë se kjo protestë do të mbahet kundër hajdutërisë dhe kundër pushtetit që edhe kur vendi përmbytet nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
TIRANË- Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka njoftuar protestën e radhës. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Lapaj bën me dije se protesta do të zhvillohet më 17 janar në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Ai thotë se kjo protestë do të mbahet kundër hajdutërisë dhe kundër pushtetit, që edhe kur vendi përmbytet nuk e shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Qëllimi kryesor i saj është dorëheqja e Edi Ramës. dosja.al
Salianji: falenderoj të gjithë kryetarët e grupseksioneve të PD-së dhe demokratët që morën pjesë.
KORÇË- Ervin Salianji ka mbyllur takimin e tij në Korçë. Ai tha se 95% e drejtuesve të PD-së ishin në këtë takim. Salianji falenderoj të gjithë kryetarët e grupseksioneve të PD-së dhe demokratët që morën pjesë. Në fund, ai tha se të gjithë bashkë do t’ia dalim.
Ervin Salianji:Falenderoj nga zemra të gjithë kryetarët e grupseksioneve të PD, 95% janë këtu. E gjithë partia e Korçës është këtu, të gjithë demokratët janë këtu të bashkuar, për një qëllim, për ta bërë PD fituese dhe për ta larguar Edi Ramën.
Ju falenderoj nga zemra për këtë mbrëmje emocionuese, magjepsëse, frymëzuese, faleminderit Korça e shpirtit të madh, faleminderit Korça ime. Pa frikë, pa ndalim të gjithë bashkë do t’ia dalim dhe ky është një premtim para jush, para qytetarëve shqiptarë. Fitore! Zoti ju bekoftë ju, Korçën dhe Shqipërinë!/Dosja.al
Ervin Salianji kritikoi lidershipin e PD nga Korça, duke u vënë në dukje dobësitë në sjelljen e tyre politike, ku ndryshe thonë në mëngjes dhe ndryshe në darkë, në marrëveshje edhe me pushtetin.
Ish-deputeti tha se prej 15 vitesh PD vetëm humbet përballë Ramës dhe mazhorancës, ndaj duhet të bëhet ndryshimi dhe të afrohet gjaku i ri, të ringrihet partia dhe të riformohet, pasi nuk mund të ketë sjellje me dy standarde dhe rrëzim qeverie me turizëm protestash.
Saliani tha se dërma qeverisë i jepet me protesta të fuqishme, revolta dhe përballje.
“Në mëngjes thonë se Avokati i Popullit u zgjodh nga Rama dhe pasdite nuk thonë asnjë fjalë kur Avokatja aktuale e Popullit merr instruksione nga Rama. Na thonë se SHBA do e heq Ramën e pastaj na thonë se SHBA nuk na e heq dot Ramën. Po, mo po, Ramën do ta heqim ne së bashku me dejtësinë. Në fillim thonë se do e mundim Ramën kështu siç është dhe pastaj pasi humbin thonë se i mundi”, u shpreh ish-deputeti para mbështetësve.
Më tej Salianji dha edhe zgjidhjen se si rrëzohet qeveria:
“Nuk mund të bëjmë turizëm protestash bulevardi që nuk i shërbejnë PD, sepse PD i shërbejnë revolatat, përballja, përplasja dhe largimi i regjimit të Ramës. Duhet t’i themi qartë edhe kolegëve në PD se poartia ka nevojë për të rinj, ata që kanë dhënë kontribute dhe ata që vijnë me kontribute. Sepse edhe Messin po ta futësh në portë del lojtari më i keq në botë dhe po t’i vendosësh skuadër të mirë del fitues. Hapni krahun sepse duhet ta vëmë përpara qeverinë, t’i japim dërmën regjimit”, u shpreh ai.
Në fund ai vuri në dukje dobësitë e PD në përballje me pushtetin duke regjistruar vetëm humbje zgjedhore.
“Thonë se nuk jemi në kohën e duhur, nuk jemi sepse ka 15 vite që vetëm humbim dhe nuk reagojnë. Demokratët nuk janë mësuar ta mbajnë kokën ulur, nuk duhet ta mbajnë ulur, sepse janë kryelartë”, tha ai. gsh
Reshjet e borës dhe akulli kanë krijuar problematika serioze në qarkun e Dibrës dhe veçanërisht në “Rrugën e Arbrit”.
Aksi kombëtar informohet se është bllokuar prej orësh dhe gjithashtu është krijuar radhë e gjatë disa kilometra e mjeteve në pritje.
Lëvizja bëhet me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë, pasi mjetet rrëshqasin. Radha kilometrike nga të dyja anët rrugës ka shkuar deri në 10 km.
Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë dhe të ecin brenda normave të lejuara.
Por edhe në qarqet e tjera të vendit situata është kaotike në rrugë, për shkak të përmbytjeve, shiut, borës, ngricave dhe temperaturave të ulëta e lagështirës në akse që janë burime aksidentesh.
Policia ka dalë me njoftim zyrtar, ku jep edhe këshilla për drejtuesit.
Njoftimi i Policisë së Shtetit për drejtuesit në të gjithë vendin:
“Për shkak të motit të keq, me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia e Shtetit apelon që drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë më shumë kujdes gjatë qarkullimit.
Në zonat malore, drejtuesit e automjeteve të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse dhe të përdorin goma dimërore. Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve.
* Moderoni shpejtësinë
* Mos kryeni parakalime të gabuara
* Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit
* Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.
Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve.
Ndiqni udhëzimet e shërbimeve policore dhe për çdo nevojë, telefononi në 112”. Panorama
Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaratat e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, janë një “autopsi” për vjedhjet dhe korrupsionin e Edi Ramës, ndërsa i cilësoi gjithashtu si një aktakuzë të rëndë ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se faktet e bëra publike nga Ahmetaj tregojnë se shteti shqiptar, sipas tij, është vënë nën kontrollin e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin. Ai përmendi konkretisht grupin e Troplinëve, të cilët, sipas Berishës, me Duranën dhe me Ergys Agasin kanë ushtruar kontroll mbi të dhëna të rëndësishme shtetërore.
“Intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës me dosje, me dokumente dhe fakte. A mund të imagjinoni ju, Durana zona teknologjike e Durrësit, de facto territor komplet i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti nga dosjet më sekrete të prokurorive, gjykata, shërbimit të fshehtë tek çdo lloj e dhënë tjetër .Durana e Edi Ramës me Troplinët. Ato dosje janë një aktakuzë më e rënda edhe për sistemin e kapur të drejtësisë.”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se dosje përbëjnë një aktakuzë të rëndë edhe për sistemin e drejtësisë, që sipas tij, ka dështuar të veprojë pavarësisht denoncimeve të shumta. Berisha përmendi si shembuj çështjet e Porto Romanos dhe Ekoparkut në Durrës, të cilat, sipas tij, janë denoncuar dhjetëra herë me dokumente dhe prova, pa asnjë reagim nga institucionet.
“Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës? Me dhjetëra, në mos qindra herë. Me dokumente, me çdo gjë. Asgjë nuk ndodh. Pse? Se është direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar në të. E njohur kjo. 15 mijë euro kamera e policit, u garantoj që kush në botë në asnjë vend nuk e vendosin policët 15 mijë euro kamera. Po ka kjo? Është njëlloj si historia e kapeles së policit. Polici suedez, kapelja e tij 15 euro. Kapelja e policit shqiptar 320 euro me Plarentin që kalon nga një studio në tjetër, një hajdut i shpifur që ka ndarë paratë me Ramën. Të gjitha këto kanë vetëm një konkluzion.”, u shpreh ai.
Në fund, shtoi se është vetëm populli që duhet t’i japë përgjigjen e merituar kryeministrit.
“Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti.”, tha Berisha. Panorama
Lideri i opozitës, Sali Berisha, u shpreh gjatë fjalës në mbledhjen e Kryesisë së PD se protestat janë e vetmja rrugë për largimin e Ramës nga pushteti.
Ai iu përgjigj dhe zërave se Ramën mund ta largojnë partnerët ndërkombëtarë duke i cilësuar iluzione.
“Nëse ne presim që Edi Ramën do e marrin dosjet dhe krimi me vete, gabohemi. Ai do të keqpërdorë të gjithë pushtetin për tu mbrojtur. Nëse ne presim që ai të bëhet përgjegjës nga drejtësia amerikane, nuk jemi realistë pasi ky problem është i komplikuar. Por ata që duhet ti përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët. Janë 7 rezoluta që damkosën Ramën njësoj si Maduron”, tha Berisha.
Më tej ai u shpreh se gjatë mbledhjes së Kryesisë do të përcaktohet dhe e protestës së ardhshme duke theksuar dhe njëherë se rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie, është kalimi në protestë të vazhdueshme.
Sali Berisha: Koha për protesta ka kaluar, duhet të përcaktojmë datën e protestës së ardhshme duke theksuar dhe njëherë se rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie, është kalimi në protestë të vazhdueshme.
Në vlerësimin tim, variantet e tjera janë iluzion. Nëse ne presim që Edi Ramën do e marrin dosjet dhe krimi me vete, gabohemi. Ai do të keqpërdorë të gjithë pushtetin për tu mbrojtur.
Nëse ne presim që ai të bëhet përgjegjës nga drejtësia amerikane, nuk jemi realistë pasi ky problem është i komplikuar. Por ata që duhet ti përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët. Janë 7 rezoluta që damkosën Ramën njësoj si Maduron,
Duhet që këto zhvillime pozitive, dhe partnerët tanë do të arrijnë në konkluzione të drejta për rrezikshmërinë e madhe që paraqet Edi Rama në pushtet.
Ngjarja e AKSHI-t, ndërmarrje shtetërore ku tenderat i dikton Linda e Surrelit me Lindën e AKSHI-t. bw
Kryetari i PD, Sali Berisha, shpreh mbështetje për protestat masive në Iran kundër regjimit teokratik të ajetullahëve. Ai thekson se kryengritja po përballet me dhunë të rëndë shtetërore dhe dhjetëra viktima, duke dënuar ashpër represionin e autoriteteve iraniane.
Berisha thekson gjithashtu qëndrimin e Presidentit të SHBA, Donald Trump, dhe shpreh solidaritetin e PD-së me popullin iranian në përpjekjen për liri dhe demokraci.
Deklarata e plotë
Prej dy javësh në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit, populli iranian është ngritur në protesta të fuqishme kundër regjimit obskurantist të ajetullahëve. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, opozita më e fuqishme e popullit iranian që lufton prej dekadash për një Iran të lirë dhe demokratik, po udhëheq këtë kryengritje të fuqishme. Në disa qytete të vendit pushteti është në duart e kryengritësve. Ajetullahët kanë marrë mercenarë nga vende të tjera. Garda Islamike dhe mercenarët kanë hapur zjarr kundër protestuesve dhe deri sot janë mbi 44 martirë të rënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit të tyre.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar ajetullahët: “Mos qëlloni, se do t’ju qëllojmë.”
PDSh, duke dënuar me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin shtetëror të regjimit diktatorial obskurantist të Teheranit ndaj kryengritësve, ju uron kryengritësve trima fitoren për një Iran të lirë, demokratik dhe sovran. bw
Analisti Shpend Gashi është kundër qeverisë teknike, por sipas tij duhet një greve radikale në kushte ekstreme.
Në tryezën e PD me partitë opozita dhe shoqërinë civile, Gashi i ftoi deputetët e opozitës, që ta nisin ata të parët bashkë me familjarët e tyre, duke krijuar frymën dhe më pas të tjerët do ti shkojnë nga pas.
“Shpend Gashi, askushi nga republika e kurrëkundit, sepse të thuash jam pedagog apo analist në Shqipëri i bie të jesh i punësuar apo i lidhur me Edi Ramën. Ne kemi zgjedhur këtë rrugën e “heroit”, nëse mund të quhemi të tillë kur jemi të gjithë bashkëfajtor të gjithë.
Unë nuk jam për qeveri teknike, jam për një grevë radikale në kushtet më ekstreme brenda ligjshmërisë. Ne nuk jemi për të prekur armët, sepse jemi konservatorë demokrat, por duhet të kalojmë në fazën më ekstreme në një shtet që nuk ekziston fare institucioni.
Ftesa ime është për të gjithë deputetët e opozitës, ta nisin me gjithë familjaret e tyre, që të krijojnë frymën dhe të vijmë të gjithë nga pas. Të dalim në shesh, të mbajmë fjalime, të ikim në shpi, Rama rri edhe 100 vjet të tjera”, tha Gashi.
Ai tha se opozita e madhe nuk po bën mjaftueshëm, ndërsa deklaroi se me këtë kod elektoral Partia Demokratike do të mbetet në opozitë.
“Me këtë kod elektoral do gënjejmë vetën nëse futemi në zgjedhje dhe të perëndojmë që peshku të ngjisë pemën. Te kodi elektoral kemi faj të gjithë si opozitë. Këtu fus edhe vetën që kam pompuar PR, imagjinoni ju që keni marrë vendime. E kemi dorëzuar vetë pushtetin me këtë kod elektoral. Ky kod elektoral të lë në opozitë.
E fundit është perceptimi publik, më vjen keq për juve, por perceptimi publik është që një pjesë e mirë e opozitës është e kapur me Edi Ramën. Kemi mundësinë me greva të ngremë frymën dhe të tregojmë që nuk jemi dhe po hidhet baltë mes nesh”, tha Gashi. Panorama